5 anarkitë e Shqipërisë! Analiza më e qëlluar për shqiptarët e shkruar nga Fan Noli…

Noli është nga ato figura komplekse që rrallë mund t’i kuptosh drejt, pasi gjithmonë ka diçka të fshehur brenda çdo fjale. Në gjithë fjalimet që Noli ka mbajtur, është vlerësuar shumë realiteti që ai shpreh dhe mënyra e mendimit dhe perceptimit të tij.

Ndaj edhe sot do të flasim për një nga fjalimet e tij të mbajtur para Parlamentit të Shqipërisë në vitin 1924, ku tregon për pesë anarkitë që ka Shqipëria. Ja si shprehet ai:

Në vendin tonë mbretëron konfuzioni i të pesë anarkive:

E para, anarkia fetare: katër fe të ndryshme, që s’kanë zënë rrënjë në zemrën e një populli pagan.

E dyta, anarkia sociale: këtu s’ka as klasë bejlerësh, as klasë bujqësh, as klasë burxhoazie. Këtu bujku është më bej se beu, beu më bujk se bujku. Kini një shembull të bukur në Partinë Popullore, e cila mbahet sot në fuqi prej bejlerëve dhe oxhakët më të vjetër, kur anëtarët e kësaj partie lëvdohen që kanë shpëtuar prej bejlerëve.

E treta, anarkia morale: këtu qeni s’njeh të zotin; këtu karakteret lopësohen, qullosen dhe ndërrojnë forma dita-ditën si në kaleidoskop. Këtu ambiciet janë pa fre e pa kufi. Këtu i padituri i di të gjitha dhe i pazoti është i zoti për të gjitha.

E katërta, anarkia patriotike: këtu brenda në një ditë, si me magji, tradhëtori bëhet patriot dhe patrioti tradhëtor. Këtu shohim përpara syve tanë të kapardisen si patriotë të mëdhenj, ata që kanë lëftuar për “harfet” e për flamurin e babës, që kanë djegur Shqipërinë e Mesme ose ata që janë puthur me andartët e i kanë ndihmuar për të shkreptuar anembanë Toskërinë; këtu, si më thoshte një mik, është më mirë të jetë njeriu tradhëtor e të shikojë interesin e tij e të jetë i sigurt që të nesërmen do të proklamohet patriot i madh.

E pesta, anarkia e idealeve: këtu idealet janë të errëta, të shtrembëra e të mumifikuara të Fanarit e të Buharës përfyten e përleshen në një luftë për vdekje me idealet e gjalla, elegante dhe të ndritshme të Perëndimit; na mungojnë vetëm idealet e antropofagëve. Po për të zënë vendin e tyre kemi kolltukofagët, krimba të verdhë me kokë të zezë, që rriten me plagët e infektuara të Shqipërisë në lëngim, këpushë, që mund t’i copëtosh, po jo t’i çqitësh nga trupi që kafshojnë e thëthijnë.

Herodoti na tregon se në betejën navale të Selaminës, një athenian kapi një anije persiane me dorën e djathtë e s’e lëshonte gjersa ia prenë; ahere e kapi me dorën e dorën e mëngjër; ia prenë edhe këtë; ahere e kapi me dhëmbë dhe s’e lëshoi gjersa i prenë kokën. Sikur të ngjallej Herodoti përsëri do të shikonte që kolltukofagët tanë janë më të fortë se ky trim legjendar i vjetërsisë greke. Që t’i çqitësh këta tanët nga kolltuku duhet t’u preç jo vetëm duart e kokën, po dhe këmbët e trupin…

(Pjesë nga fjalimi i mbajtur në Parlamentin e Shqipërisë në vitin 1924, por që tingëllon njësoj aktual edhe sot)

Erson Zymberi vjen me premierën e shfaqjes “UN INSPEKTORI”

Më 28 qershor në Teatrin “Adriana” në Ferizaj shfaqet premiera e komedisë “UN INSPEKTORI” me tekst të David Farr dhe regji të Erson Zymberit.

“UN INSPEKTORI” eksploron lakminë njerëzore, imoralitetin, korrupsionin dhe zhvatjen e shtetit. Një prej adaptimeve më të veçanta të një vepreje, e cila i qëndron besnike veprës origjinale “Revizori” të Gogolit.

E përditësuar me elegancë e plot sharm dhe e përshtatur me akualitetet e politikës së shekullit XXI, shfaqja sjellë momente e situata super komike bashkë me një trajtim imagjinativ regjisorial. Repriza do të jepet më 29 qershor./KultPlus.com

“Profesorët përballë ligjit” publikime për aktakuza dhe kallëzime penale

Do të bëhet promovimi i raportit “Profesorët përballë ligjit”, të publikuar nga ADMOVERE. Në këtë raport, mes tjerash, do të publikohen aktakuzat dhe kallëzimet penale, në të cilat janë të përfshirë pjesëtarë të stafit akademik të Universitetit të Prishtinës.

Organizatorët bëjnë të ditur se promovimi mbahet më 21 qershor 2019, e premte, në orën 11:00 në Qendrën Informative Kulturore të BE-së (EUICC) në Prishtinë, që gjendet në rrugën e UÇK-së nr. 90, ish ProCredit Bank (përballë komunës së vjetër)./KultPlus.com

Doli nga shtypi libri “Qytetet e Ilirisë” nga Gani Mehmetaj

Gani Mehmetaj ka botuar librin e tij më të ri “Qytetet e Ilirisë”, shkruan KultPlus. Në këtë libër në parathënien e tij është shkruar se Justiniani, perandori ilir i Romës, ndërtoi vetëm në Dardani tetë qytete të reja dhe meremetoi pesëdhjetë e një qytete tjera. Në Epirin e ri (Shqipëria e Mesme) ndërtoi tridhjetë e dy qytete të reja dhe meremetoi 36 tjera, ndërsa në Epirin e vjetër (Shqipëria jugore) ndërtoi tetë qytete të reja… 


“Qytetet e Ilirisë” është libri më i ri i Gani Mehmatajt, që prezanton 23 qytete shqiptare me një të kaluar të lavdishme nga Nishi, Shkupi, Prizreni, Ulpiana, Artana, Gjakova. Shkodra, Ulqini, Lezha, Kruja, Preza, Kanina, Gjirokastra, Pogradeci deri në Korçë. Shumica e këtyre qyteteve kanë vazhdimësi nga parahistoria, antika, mesjeta e deri në ditët e sotme, disa të tjera pas periudhave të lavdishme në parahistori e në antikë u shuan në mesjetë. Qytete ilire shquheshin për organizim shtetëror, për objektet monumentale, kështjellat e sigurta, amfiteatrot, faltoret pagane, kishat paleokristiane dhe katolike etj. 
Autori qytetet e Ilirisë i sheh nga prizmi i sotëm, e shpalon të kaluarën, duke bërë njëkohësisht edhe krahasimet në mes të asaj që ishin dikur, peshën që e kishin për ilirët e Ilirinë, peshën që e kishin për arbërorët dhe rëndësinë që e kanë sot për shqiptarët. 
Libri i tipit të udhë përshkrimit, meqë autori ka shtegtuar gjatë nëpër këto qytete e krahina ka ilustrime me fotografi, rrëfime të vendasve, kronika të para dymijë vjetësh etj. 
Për disa nga këto vende e kështjella është ditur pak ose aspak: Kështjella e Jerinës, Kështjella e Lekës, Kështjella e Mbretit, Suka e Cermjanit, që ishin fortifikata malore me garnizone ushtarake dardane. 
Libri “Qytetet e Ilirisë” e botoi shtëpia botuese “Titanic”, ilustrimet janë me ngjyra, /KultPlus.com

Shënohet Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikt

Shfaqet dokumentari “Prokurorët” Me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikt, zyra e UN Women në Kosovë dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë shfaqin dokumentarin “Prokurorët”, pasuar nga një diskutim me regjisoren e dokumentarit dhe njëkohësisht fituesen e çmimit “Emmy”, Leslie Thomas.

Shfaqja e dokumentarit do të hapet në orën 17:00, me fjalime hyrëse nga drejtoresha e Zyrës së UN Women, Vlora Nushi, me folës kryesor: ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip S.Kosnett, ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ambasadori i Britanisë së Madhe, Ruairi O’Connell, ambasadori i Gjermanisë, Christian Heldt.

Po ashtu, Jasmin Mesiç, prokuror i dhunës seksuale në konflikt nga Bosnja dhe Hercegovina. “Prokurorët” është dokumentar që tregon historinë e tre juristëve të përkushtuar që dhuna seksuale në konflikt të mos mbetet e pandëshkuar. Filmi u konceptua nga besimi se ligji është për të gjithë, veçanërisht për ata që kanë përjetuar krime të paimagjinueshme gjatë konfliktit – qoftë dje apo njëzet vite më parë. Ky dokumentar mbështet fushatën për t’i dhënë fund mosndëshkimit të autorëve të dhunës seksuale në konflikt, si abuzim i të drejtave të njeriut që për shekuj me radhë ka prekur njerëzit e të gjitha gjinive.

Agim Gjakova që konsiderohej si kërcënim për Jugosllavinë, u burgos tri herë në regjimin e Enver Hoxhës

Për një kohë shumë të gjatë, Agim Gjakova ka qenë mbrojtës i lirisë së fjalës. Në vitet ‘50, ai konsiderohej si kërcënim për Jugosllavinë dhe deklaratat e tij të hapura kundër keqtrajtimit të shqiptarëve të Kosovës çuan në internimin e tij në kampin e Gerovos në Kroaci.

Në maj të vitit 1960, z. Gjakova u lirua nga internimi dhe u arratis në Shqipëri.

2 vite më vonë, ai dhe 20 kosovarë të tjerë u lejuan të studionin në Universitetin e Tiranës.

Duke qenë poliglot dhe folës i rrjedhshëm i anglishtes, shqipes dhe frëngjishtes, atij iu ofrua pozicioni i drejtorit të Agjencisë Sinuam, pjesë e Agjencisë Telegrafike Shqiptare.

Ai kishte 3 nëpunës, roli i të cilëve ishte që të mblidhnin raportet e përditshme nga Kina, gjatë Revolucionit Kulturor.

Pas 3 vitesh e gjysmë, Agimi thotë se ndërveprimet u bënë pothuajse joekzistente, ndërkohë që sensi i tij i humorit dhe pushimet e shpeshta për kafe filluan të bëheshin problem. Për më tepër, ai nuk ishte i listuar si mbështetës i Partisë së Punës Shqiptare (PPSH). Ishte pikërisht në këtë kohë që mbikëqyrja ndaj Agimit filloi të intensifikohej dhe arriti kulmin e saj gjatë viteve 1969-1971, kur shkrimtari publikoi vetë një koleksion poezish, të cilat ishin frymëzuar nga politika e kohës.

Libri shkaktoi turbullira brenda Partisë. Agim u akuzua nga Lidhja e Shkrimtarëve në Shqipëri për 5 shprehje serioze kundër ideologjisë së PPSH-së. Kur i shkroi një letër drejtuesit të Sigurimit të Shtetit për t’i shprehur shqetësimet e tij, u qortua akoma më shumë për 7 raste të tjera, po ashtu, u rrit niveli i kërcënimeve për burgim dhe internim të familjes së tij.

Sot Agimi reflekton për të shkuarën e tij, duke thënë se ai dhe familja e tij paguan një çmim të madh psikologjik, duke qenë në vëzhgim të vazhdueshëm të syve të shumtë të shtetit.

Sipas tij:

“Një ditë po lexoja gazetën “Drita” dhe gruaja ime po priste bukën, por nuk vazhdonte dot, sepse po qante.

Më tha se kishin arrestuar disa kosovarë. Më tha që “nëse do të duhet të na arrestojnë, shpresoj të më arrestojne mua si kosovare dhe jo ty, sepse ti je më i fuqishëm dhe mund të kujdesesh më mirë për fëmijët tanë.”

Ishin momente shumë të vështira. U përpoqa ta lehtësoj situatën me humor. Kishte gjithmonë provokime nga Sigurimi i Shtetit dhe spiunë të ndryshëm, – mes tyre edhe shokë të mitë të cilët i kam ndihmuar; edhe ata po më spiunonin.

Takohesha me vellezërit e mi kosovarë pa marrë leje nga Sigurimi – gjë e cila ishte e ndaluar, pasi duhet të merrje gjithmonë leje.

Kemi pasur shumë provokime nga spiunë të ndryshëm – edhe nga miqtë të mi që i kam ndihmuar, – por kështu janë ca njerëz, nuk ke çfarë t’i bësh.

I ashtuquajturi komunizëm i regjimit të Enver Hoxhës nuk ishte tamam komunist, se sa diktatorial.

Në fillim, ishte një iluzion që në Kosovë gjërat ishin më mirë për sa i përket persekutimeve dhe ekzekutimeve që ndodhnin këtu (në Kosovë) nga UDB (Policia e Shtetit) e Jugosllavisë. Por pasi u burgosa 3 herë dhe u gjenda në Shqipëri si person i padëshiruar, pashë disa gjëra që nuk shkonin, edhe këtu në Shqiperi.

Më akuzuan se isha kundër politikave partiake, kundër ideologjisë së Partisë, kundër realizmit socialist dhe që isha nxitës lufte. Po me kë doja të filloja lufte une? Më thanë se doja të shkaktoja konflikt me Jugosllavinë. U thashë: “ A jam kaq i fuqishëm unë sa të shkaktoj luftë midis dy vendeve?”. U thashë ta rimendonin këtë absurditet dhe nuk pranova asnjë nga akuzat.

Pastaj filloi izolimi dhe bojkotimi.

Mbikëqyrja u përkeqësua.

U bë më vulgare, por unë vazhdova rrugën time.

Pastaj kishte burgje të ndryshme.

Morën njëherë një grua me 2 vajzat e vogla për shkak të burrit të saj që ishte burgosur, pasi e dënuan se ishte agjent – ai nuk i pranonte akuzat, pasi nuk ishte me të vërtetë agjent. I thoshin se do t’i shohësh gruan dhe vajzat gjallë – e më pas i vrisnin, psh., gjenin mënyra për t’i mbytur dhe për ta bërë të dukej si aksident. Ai thoshte: “Deri këtu keni arritur?” dhe ata i përgjigjeshin “Po”. I pyeste: “Çfarë doni që të firmos? Agjenti i kujt doni të jem, kujt duhet t’i shërbej? Do t’i firmos të gjitha.”

Përdornin këtë lloj presioni psikologjik që të arrinin objektivat e tyre dhe të krijonin armiq.

Sigurimi ishte aty që të krijonte armiq, jo që t’i gjente ata.

Më kanë mbikëqyrur për 30 vjet dhe kjo ishte e gjitha në mënyrë që të më shndërronin në armik, sepse nuk kishin asgjë tjetër kundër meje.

Diktatori donte të krijonte armiq vazhdimisht, që t’i bënte shembull për popullatën dhe t’i mbante në frikë dhe presion.

Mesazhi im është që duhet ta studiojmë historinë, që të mësojmë prej saj dhe që këto gjëra nuk duhen lejuar të përsëriten. Brezat e rinj duhet të mësojnë që mos të lejojnë përsëritjen e mizorive që u kryen në dëm te njerëzve që ishin të vetëdijshëm për sa ndodhte, të cilët janë të nderuar.”

Agim Gjakova lindi më 11 korrik 1935 në Gjakovë të Kosovës. Ai është autor i 32 librave, libri tij i fundit ‘Shtegtimi i Ëndrrës’ është botuar në 2019. Agimi është 84 vjeç dhe jeton në Prishtinë./ Edhe muret kane veshe

Konica: Populli shqiptar ka disa veti shumë të mira…por një bandë maskarenjsh, rryshfetçinjsh, hafijesh dhe dallaverexhinjsh kanë zënë të gjitha pozitat kyçe dhe…

Faik Konica ishte një nga personalitetet më në zë të kulturës dhe letërsisë shqiptare. Prozator dhe poet, publiçist dhe estetist, kritik letrar dhe përkthyes, ai me veprën e tij të shumanshme pasuroi dhe ngriti në lartësi të reja fjalën shqipe dhe mendimin letrar shqiptar. Njeri me dituri të madhe, dhe dhunti artistike, mjeshtër i hollë i gjuhës shqipe.

KultPlus ju sjell një nga thëniet më të fuqishme mbi shqiptarët.

“Populli shqiptar ka disa veti shumë të mira…por një bandë maskarenjsh, rryshfetçinjsh, hafijesh dhe dallaverexhinjsh kanë zënë të gjitha pozitat kyçe në politikën e vendit dhe është fare e pamundur t’i shkulësh.” 1922/KultPlus.com

Kur të takohemi në qiell

Kur të takohemi në qiell
(Mlladenës, në ditëlindjes e saj të 60-të)

Miro Gavran

E dashura ime në qiell kur të takohemi njëherë
Ti do të jesh me një fustan të bukur qiellor
Të thurur nga rrezet e diellit dhe retë kaltëroshe
Dhe mua nuk do të më ha palla për modën
Sado që ne burrat
Asnjëherë nuk jemi ngopur me te
E megjithëkëtë do të ta them
Se rrobat të paskan hije për mrekulli
Se je më e bukur se asnjëherë tjetër më parë
Dhe do të të thërras për një pije  
Në kafeterinë qiellore aty pari
Dhe të lus të mos më tallësh
Të mos më refuzosh
Vetëm ngaqë nëpër qiej askush nuk pi
Por bëhu thuajse jemi njerëz të zakonshëm të mishit e të gjakut
Për të cilët asgjë njerëzore e huaj nuk është
Dhe ta dish nuk më bënë aq për pijet
As për muzikën për të cilën shpesh na qortonin
Se vetëm për afërsinë tënde për bisedën me ty mua më dhemb
Ngaqë e ndjej se edhe pas gjithë atyre viteve që i lamë pas shpine
Aq shumë njëri-tjetrit kemi për t’i thënë në ditën e ndarjes tokësore
Dhe prandaj të lus që në qiell të jesh
Po ajo siç ishe kur ecnim mbi tokë
T’i lësh mënjanë dijet hyjnore që do t’na dhurohen
Në momentin e vdekjes sonë
Të lus në takimin me mua edhe më tutje
Të jesh po ajo qenia e hutuar njerëzore me të gjitha cenet e jetës
Dhe shtiru thuajse të pëlqyeka lajkatimi im
Mos u tall me mua dhe mos ma kthe shpinën  
Vetëm pse edhe atje lart do të të josh
Si të isha një bandill i padjallëzuar
Që s’do t’ia di për rregullat e logjikën
Sepse e dashura ime
I sigurt jam se edhe në qiell
Do të të dua

(Kjo poezi këtë vit është shpërblyer me Çmimin “ZVONIMIR GOLUB” për poezinë më të mirë të dashurisë të pabotuar, Koprivnicë, dhe me Çmimin “Dielli i Crikvenicës” të Takimeve të Letrarëve të Adriatikut., Kroaci. M. Gavran (1961) është poet, prozator dhe dramaturg bashkëkohor kroat,  dramatisti më i përkthyer dhe më i shfaqur brenda dhe jashtë Kroacisë).

Përktheu dhe përgatiti: Besim Rexhaj

“Takohemi në Vlorë”, një qendër e re kulturore për artdashësit

Hapet në Vlorë qendra kulturore “Resonancë” me promotor dirigjentin Thanas Çaçi. Streha e re do të mbledhë artdashësit vlonjatë me projekte e ide artistike. Mbahet mbrëmje koncertale në teatrin “Petro Marko”

Theodhori Proko

“Takohemi në Vlorë” është një ftesë e sinqertë kulturore, për të gjithë artdashësit, nga një grup artistësh, të cilët kudo ku jetojnë dhe punojnë, qytetin e lindjes, Vlorën, e kanë dashurinë e parë të zemrës së tyre. Dhe siç thuhet në refrenin e një kënge të njohur “Dashuria e parë nuk harrohet…!”. Për t’i kthyer qytetit, që tani duket sikur ka rënë në “qetësinë e një përgjumjeje” kulturore, gjallërinë e mëparshme, për të ruajtur e zhvilluar më tej trashëgiminë e pasur, që nuk mungon, ashtu si djemtë e Vlorës së dikurshme, në kushte të vështira të një kohe të vështirë, krijuan klubin “Labëria”, edhe këta artistë me shpirt patriotik, krahas angazhimeve të tyre profesionale, vendosën të krijojnë qendrën kulturore “Resonancë”. Kjo qendër e një lloji të veçantë, do të përfaqësojë një tendencë të parisë artistike vlonjate, e cila ka për objekt të veprimtarisë së saj, realizimin e projekteve artistike, letrare, shkencore e argëtuese në interes të publikut, duke “resonuar” kulturën e kësaj treve edhe jashtë kufijve të saj gjeografik.

Realizmi

Ideatori dhe promotori i realizimit të saj, është dirigjenti Thanas Çaçi, një personalitet muzikor i njohur jo vetëm në Vlorë dhe skenat e vendit tonë, por edhe në ato të vendeve të tjera, pinjoll i një familjeje të njohur me tradita muzikore që gëzon respektin e artdashësve vlonjatë. Genin muzikor e trashëgoi nga i ati, Thomai, pjesëtar i orkestrës frymore të qytetit dhe themelues e drejtues i shkollës së parë të muzikës në Vlorë në vitet 1959-1960, në bankat e së cilës mori mësimet e para të solfezhit e pianos edhe vet Thanasi. Prej asaj kohe shumë gjëra kanë ndryshuar në formimin dhe realizimin e tij profesional, por ajo që ka mbetur e pandryshuar brenda vetes është pasioni për muzikën dhe dëshira e përkushtimi për ta përhapur atë, për ta lëvruar e zhvilluar më tej e për ta vënë në shërbim të edukimit dhe argëtimit të qytetit e njerëzve të tij artdashës. I rikthyer në qytetin e lindjes nga ku nisi së pari rrugëtimin e tij artistik, pas një përvoje të pasur e të suksesshme, mendoi që si “prolog” të veprimtarive të qendrës kulturore të sapo krijuar të shërbente ajo që ai e ka më shumë për zemër, ngritja e formacionit orkestral “Vlora Philarmoni”, me pjesëmarrjen e krijuesve, instrumentistëve e interpretuesve me formim të lartë profesional, të aftë për të realizuar shfaqje dinjitoze për një publik elitar.

Organizmi

E po të mendosh se i gjithë organizimi i këtij formacioni bëhet mbi bazën e një bashkimi vullnetar, vetëm me dëshirën dhe përkushtimin qytetar për të rijetësuar atë që u mungon prej disa kohësh spektatorëve, nuk është diçka e thjeshtë. Fatmirësisht, duke e diskutuar gjatë këtë mendim me shumë shokë e miq të vetë, duke rrahur mendime e duke parë e riparë “skica” projektesh, ata përveç e mirëpritën u treguan dhe të gatshëm për të dhënë ndihmesën e tyre. Falë kësaj gatishmërie, u krijua dhe bordi artistik, i cili mori mbi “shpatullat” e veta programimin dhe realizimin e veprimtarive, ku veç nismëtarit Thanas Çaçi, marrin pjesë edhe tenori me famë botërore Josif Gjipali, violonçelisti që ka interpretuar në shumë skena të botës, deri në Japoninë e largët, Vlorent Xhafaj, kompozitori Enis Mullaj dhe producenti muzikor Sokol Marsi. Të gjithë së bashku, menduan që siparin e veprimtarive ta hapin me një “Mbrëmje Koncertale”, që u realizua këto ditë në skenën e teatrit “Petro Marko” të qytetit, e që u mirëprit dhe u duartrokit nga artdashësit e shumtë që e shijuan “live” në sallën e mbushur plot. Kënaqësinë dhe mirënjohjen e shprehin edhe fjalët që tha njëri prej tyre pas shfaqjes: “Kishim kohë që e prisnim një koncert të tillë. Na kishin munguar artistët tanë që dikur i ndiqnim dhe i admironim për interpretimin në koncertet e tyre”. E për t’i dhënë më shumë bukuri e gjithëpërfshirje, bordi kishte ftuar në këtë mbrëmje edhe mezzo-sopranon nga Tetova, Besiana Mehmedi, solistët instrumentistë nga Elbasani Zeqir Sulkuqi, Martin Kushi, Igli Zeqiri dhe dirigjentin Altin Babameto.

Repertori muzikor

Repertori i zgjedhur me kujdes dhe shije artistike përfshinte pjesë nga kompozitorë austriakë, italianë, rusë, francezë, gjermanë e shqiptarë, që u interpretuan me mjeshtëri profesionale nga orkestra. Atmosferë të këndshme krijuan me zërat melodiozë dhe interpretimet skenike edhe këngëtarja lirike Erina Balla dhe këngëtari amator me profesion jurist, Hektor Sinanaj, që interpretoi dy këngë të vështira edhe për një profesionist të vërtetë nga muzika italiane, “Caruso” të këngëtarit të dëgjuar Luço Dalla dhe “Con te partiro” të Francesco Sartini. I gjithë koncerti u mbyll me një “finale” emocionuese të interpretuar nga tenori Josif Gjipali, ku salla e shoqëroi me duartrokitje gjatë gjithë kohës që ai këndonte “Nessun Dorma” nga Giacomo Puçini. Emocione deri në përlotje u shfaqën edhe në sytë e atij vet, që rikthehej pas një mungese të gjatë në skenën e qytetit ku nisi të këndojë që kur ishte ende  fëmijë, në festivalet e atëhershme. Duartrokitjet e spektatorëve nuk reshtën për asnjë çast edhe kur në skenë u ngjit violinçelisti Vlorent Xhafaj, i ardhur enkas nga Parisi, për këtë mbrëmje koncertale, ku ai dhe Enis Mullaj u nderuan me titullin “Mirënjohje e qytetit të Vlorës.”

Një libër në pergamenë

Martin Camaj

Mendimet ranë shkokrrueshëm
prej pergamenës mes gishtave
për tokë e u banë copë-copë.

Gjithkund ish natë e dola
sy-hapë n’dritare
a mos u trand nga krizma dheu.

Qyteti milionësh shtrihej në gjumë
i mbështjellun në mjegull.
Në mjedis shndriste tempulli
i librit n’pergamenë – biblioteka –
me fekse idesh madhështore
në ballin e gjanë të shekullit./KultPlus.com

“Atë që mendojnë njerëzit për ju, nuk është puna juaj”

Për të festuar ditelindjen, Regina Brett shënoi disa thënie që i mësoi jeta. Ajo këtë listë të thënieve e publikoi kur i mbushi 90 vjet.

1. Jeta nuk është e drejtë, por është ende e mirë.

2. Kur keni dyshime, ecni me hapa të vegjël.

3. Jeta është shumë e shkurtër për të humbur kohën, duke urryer ndonjë.

4. Puna juaj nuk do të kujdeset për ju kur jeni i sëmurë. Miqtë dhe prindërit tuaj, PO. Flisni me ta.

5. Paguani kartën e kreditit çdo muaj.

6. Ju nuk keni për të fituar çdo argument. Pajtohuni me mospajtimin.

7. Qani me dikë. Është më e shëndetshme, sesa të qash vetëm.

8. Kurseni për pensionin duke filluar me pagën tuaj të parë.

9. Bëni paqe me të kaluarën tuaj, që të mos shkatërroni të tashmen.

10. Është mirë që fëmijët tuaj t’ju shohin duke qarë.

11. Mos e krahasoni jetën tuaj me të tjerët. Ju nuk e keni idenë se si është udhëtimi i tyre.

12. Nëse një marrëdhënie duhet të jetë sekret, nuk duhet të jeni në të.

13. Ti edhe mund të mos shohësh duke i mbyllur sytë. Por mos u shqetësoni, Perëndia nuk i mbyll sytë kurrë.

14. Merrni frymë thellë. Të qetëson mendjen.

15. Largohuni nga çdo gjë që nuk është e dobishme, e bukur apo e gëzueshme.

16. Çfarëdo që nuk të vret, ju bën më të fortë.

17. Kur bëhet fjalë për të shkuar pas asaj që e doni në jetë, mos merrni një JO si përgjigje.

18. Ndizni qirinj, përdorni çarçafët e bukur, vishni të brendshme marramendëse. Mos i ruani ata për një rast të veçantë. E sotmja është e veçantë.

19. Përgatituni mirë, pastaj shkoni me rrjedhën.

20. Bëhu joshëse tani. Mos prisni të thinjeni, e pastaj të visheni me të kuqe.

21. Organi më i rëndësishëm i seksit është truri.

22. Askush nuk është përgjegjës për lumturinë tuaj, vetëm ju.

23. Kushtëzoni çdo të ashtuquajtur fatkeqësi me këto fjalë: ‘ Pas pesë vitesh, a do të jetë kaq e rëndësishme kjo?’

24. Gjithmonë zgjidhni jetën.

25. Falni të gjithëve, gjithçka.

26. Atë që mendojnë njerëzit për ju, nuk është puna juaj.

27. Koha shëron pothuajse çdo gjë. Jepini kohë – kohës.

28. Sado e mirë apo e keqe të jetë situata, ajo do të ndryshojë.

29. Mos e merrni veten aq seriozisht. Askush tjetër nuk e bën.

30. Besoni në mrekulli.

31. Perëndia ju do, për shkak se ai është Perëndi i dashur, jo për shkak të asaj që bëni apo nuk bëni!

32. Fëmijët tuaj kanë vetëm një fëmijëri.

33. Gjithçka që me të vërtetë ka rëndësi në fund është dashuria.

34. Dilni jashtë çdo ditë. Mrekullitë po ju presin gjithandej.

35. Lakmia është një humbje kohe. Ju tashmë keni gjithçka që ju nevojitet.

36 … Më e mira s’ka ardhur ende.

37. Pa marrë parasysh se si ndiheni, ngrihuni, vishuni dhe dilni.

38. Jeta nuk është e lidhur me një fjongo, por megjithatë është një dhuratë/ supershendeti.com

Eliza Hoxha me ekspozitën “Bëhu fytyra ime” edhe në Muzeun e Kosovës

Fotografia: Arben Llapashtica

“Bëhu fytyra ime” e autores Eliza Hoxha që hapi edicionin e fundit të FemArt do të prezantohet edhe njëherë, por tashti në Muzeun e Kosovës, shkruan KultPlus.

Kjo ekspozitë do të hapet më 19 qershor në ora 19:00 dhe do të rri e hapur deri më 30 qershor.

“Qëllimi i kësaj ngjarjeje është ngritja e vetëdijes për gjendjen e të mbijetuarve në Kosovë si dhe trajtimi i stigmës që rrethon dhunën seksuale gjatë luftës. Ekspozita do të paraqes korniza të zbrazëta xhami me rrëfime / kuotime të të mbijetuarve të dhunës seksuale, ku vizitorët ftohen për t’i përfytyruar këto tregime sikur e njëjta gjë të ndodhte me ta. /KultPlus.com

121 gra të suksesshme në një libër dhe në një ekspozitë në Tiranë

Flora Nikolla udhëheqëse e Albanian  Excellence është në rrumbullakim të punëve për tu prezantuar sa më denjësisht nëpërmjet një ekspozite dhe një libri, mbrëmje që do të  mbahet të premtën që vjen në Tiranë, shkruan KultPlus.

Është një projekt shumë i madh, pasi që Flora Nikolla për një kohë të gjatë ka punuar që të përfshijë në një libër 121 gra të suksesshme shqiptare nga të gjitha anët e botës, dhe po këto gra do të prezantohen edhe në një ekspozitë.

“Zonjat që kanë ndryshuar botën, nuk kanë patur nevojë të tregojnë asgjë më shumë se sa zgjuarsia e tyre…!!!
Albanian Excellence-Zonjat e suksesit shqiptar në një libër dhe në një ekspozite !!!”, ka njoftuar së fundi Nikolla për këtë mbrëmje që do të mbahet në Presidencën e Shqipërisë.

Ajo këtë përzgjedhje të grave i ka vlerësuar të jenë si gra të shekullit,  pasi që secila ka kontribuar fuqishëm në profesione përkatëse, për të ngritë edhe më rolin e saj në shoqërinë shqiptare dhe më gjerë.

Flora Nikolla ka përfshirë gra shqiptare në këtë libër dhe në këtë ekspozitë  janë gra nga: Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Franca, Italia, Kroacia, Gjermania, Zvicra, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Dubai, Venezuela dhe vende të tjera.

Kurse sa i përket profesioneve të këtyre grave të suskseshme, bëhet e ditur se në këtë libër e ekspozitë janë përfshirë gra të profileve: mjeke, pedagoge, gazetare, mësuese, piktore, arkitekte, politikane, ekonomiste, muzikante, këngëtare, gra nga Shoqëria Civile dhe profile të tjera.

Ky promovim libri dhe hapja e ekspozitës që do të mbahet në Presidencës e Shqipërisë në Tiranë, më pas do të lëvizë edhe në vende të tjera, si: Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni e më gjerë, duke përfshirë më pas edhe vende të Evropës dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës./KultPlus.com

Mbahet edicioni i dytë i Festivalit Ndërkombëtar të Koreve të Grave

Në Kinemanë “Armata” në Prishtinë së fundi është mbajtur edicioni i dytë i Festivalit Ndërkombëtar të Koreve të Grave, shkruan KultPlus.

Kori mjaft i njohur i grave “Lira” nga Kosova ishte nikoqire e këtij festivali me drejtoreshë Valire Buza , kurse mysafirë në këtë edicion ishte Kori i Grave nga Maqedonia “Shen Zlata Meglenska” me dirigjente Letka Dimovska Polizova. Në këtë mbrëmje me interpretimet e tyre janë paraqitë edhe solistët mysafirë: Zana Abazi Ramdani dhe Sedat Kuci, kurse këngët e korit nikoqir i ka përpunuar për këtë mbrëmje Tomor Berisha.   

KultPlus ju sjellë disa momente nga kjo mbrëmje, ku ka pasë edhe performancë të përbashkët të të dy koreve.

“Kënga “Rroka Mandolinën” ishte kënga që  është performuar nga të dy koret e këtij edicioni”, ka thënë për KultPlus, Valire Buza. Më poshtë mund të shikoni këtë performancë. Kjo mbremje eshte mbeshtete nga Ministria e Kultures dhe Komuna e Prishtines/KultPlus.com

Letërsia shqipe përballë lexuesit grek

Bisedë me përkthyesin e nderuar me Çmimin Kombëtar të tregimit (2010) dhe me Çmimin Kombëtar të përkthimit (2007, 2015), Romeo Çollaku

Letërsia e shkruar brenda shtetit shqiptar ashtu dhe në trojet e Kosovës, është shkruar dhe shkruhet në të njëjtën gjuhë dhe në një hapësirë gjeografikisht kompakte. Është e pamundur të vëmë re ndonjë dallim shumë rrënjësor mes të dyjave. Kështu duhet ta shohim letërsinë shqipe, si një të vetme, dhe jo për hir të një qëndrimi kombëtarist, por ngaqë një qasje tjetër duket filologjikisht e gabuar…

Bisedoi: Mimoza Hasani Pllana

  1. I nderuar Romeo, fillimisht a mund të na thoni se çfarë ju shtyri të merreni me përkthime të teksteve letrare?

Shtysat drejt përkthimit, ashtu si drejt letërsisë në përgjithësi, mund të jenë vetëm pjesërisht të ndriçueshme. Ndoshta temperamenti, ndoshta një ndjeshmëri jo e zakontë gjuhësore, ndoshta biblioteka e babait, ndoshta ndonjë gen, ndoshta një aksident i rëndë në muajt e parë dhe të pavetëdijshëm të jetës, ndoshta natyra përreth, ndoshta një përzierje e rastësishme e të gjitha këtyre. Kam filluar të merrem me përkthime në moshë shumë të hershme, do të kem qenë te 13-14 vjeç. Kisha hedhur, ndërkaq, në letër vargëzimet e mi të parë dhe, në të njëjtën kohë, nëpërmjet leximeve, vura re se disa nga poetët tanë të shquar, si Ndre Mjeda, Lasgush Poradeci, Ismail Kadare apo Dritëro Agolli, lëvronin edhe përkthimin. Kaq, besoj, se do të më jetë dashur që të më shkrepte ideja se një poet i vërtetë, përveçse të shkruajë vetë, duhet të merret paralelisht edhe me përkthime. Kështu, me atë pak frëngjishte që mësoja në shkollë dhe me ata tmerrësisht pak tekste të huaj që qarkullonin në Shqipërinë e asaj kohe, fillova të përkthej ndonjë poezi të Victor Hugo-it, Gérard de Nerval-it apo Jacques Prevert-it.

  • Përkthimi i teksteve letrare është një nga punët më sfiduese, çfarë teknika përdorni që t‘i ruani vlerat letrare të tekstit?

Përpiqem t’i qëndroj sa më besnik origjinalit, mundësisht në të gjithë aspektet. Pra, jo vetëm në përcjelljen e kuptimit të frazës, por edhe të tonit të zërit që e shpreh këtë frazë. Mendoj se “tradhtia” më e madhe që mund t’i bëhet nga përkthyesi një poezie a proze, është mosrespektimi apo nënvleftësimi i këtij të dytit, tonit të zërit, sepse, ndryshe nga tekstet e natyrave të tjera, për tekstin letrar është tepër e rëndësishme kjo përmasë, që jemi mësuar ta quajmë stil.

  • Mund të përkthesh një tekst në mënyrë të mirëfilltë, por të mos arrish të transmetosh idetë, emocinonet, konceptet që dalin nga gjuha origjinale, si veproni në këto raste kur vëreni se nuk kërkohet përkthim i drejtpërdrejtë (fjalëpërfjalëshëm)  nga gjuha shqipe në atë greke?

Se sa është i mundur një përkthim, kjo varet, përgjithësisht, nga aftësitë e përkthyesit, nga dhuntia dhe përvoja e tij. Megjithatë, ka tekste, sidomos poezi, që refuzojnë t’u dorëzohen gjer dhe zejtarëve më të regjur të fushës. Si të tilla, mund të përmendim nga letërsia botërore poezitë e francezit Jean Racine, anglezit John Keats apo irlandezit Ë. B. Yeats. Kurse nga letërsia jonë, më i paepuri ndaj përkthimit në greqisht, meqë po flasim për këtë gjuhë, por edhe në çdo gjuhë tjetër, mbetet, pa dyshim, Lasgush Poradeci, përkthimin e të cilit pakkujt i lejohet ta guxojë. Personalisht, kam guxuar jo rrallë të merrem me tekste të vështirë, madje mund të them se një tekst i tillë më grish shumë më tepër se tjetri, i thjeshti. Shpresoj se ia kam arritur deri diku të sjell në shqip poetë jashtëzakonisht kokëfortë ndaj përkthimit, si Villon, Mallarmé, Solomos, Elitis apo Mickieëicz. Kurse, nga shqipja në greqisht, nuk e kam arritur të njëjtën gjë dhe, ç’është e vërteta, as e kam synuar. Ngaqë nuk kam patur ndonjëherë të njëjtat “ambicie” në lidhje me greqishten.

  • Sipas mendimit tuaj kush mund të jetë përkthyes i teksteve letrare, dikush që njeh gjuhën në të cilën është shkruar teksti dhe gjuhën e synuar për përkthimin e tij, apo duhet të jetë dikush me njohuri të përgjithshme letrare?

Unë do të thosha me njohuri jo thjesht të përgjithshme, por të thella letrare. Kam bindjen se dikush që nuk e ka letërsinë ndër interesat e tij parësorë në jetë, është në rastin më të mirë e kotë dhe në rastin më të keq e dëmshme t’i futet përkthimit letrar. E dëmshme ndoshta jo për atë vetë, por për të gjithë ne të tjerët. Kurse, për sa i përket njohjes së dy gjuhëve, kushti numër një për çdo përkthyes është të jetë zotërues shumë i mirë, i shkëlqyer, i gjuhës së tij, pra i gjuhës në të cilën përkthen. Duhet të gëzojë një ndjeshmëri tepër të lartë të kësaj gjuhe dhe t’ia njohë mirë mundësitë, pasurinë, jo vetëm leksikore, por, mbi të gjitha, atë plastike.

  • Sa është sfiduese të përkthehen tekstet e shkruara në dialektet e shqipes në gjuhën standarde greke?

Këtë mund të na e thoshte më mirë një përkthyes i huaj i letërsisë shqipe, për shembull z. Hans-Joachim Lanksch. Mua nuk më pengojnë dialektet të shijoj me të njëjtin intensitet një poezi të Lasgush Poradecit dhe një tjetër të Ndre Mjedës, apo “Tregtarin e flamujve” të Koliqit dhe “E madhe është gjëma e mëkatit” të Kutelit. Nëse më duhet të zgjedh për të përkthyer një tekst të letërsisë shqipe në greqisht, nuk nisem nga dialekti në të cilin është shkruar, por vetëm nga ndikimi që ushtron tek unë ky tekst.

  • Sa mendoni se është e njohur dhe e pëlqyer letërsia shqipe në nje vend me traditë të lashtë letrare siç është Greqia?

Besoj se njihet kënaqshëm, por, natyrisht, jo mjaftueshëm. Kontaktet më të hershëm të lexuesit grek me letërsinë shqipe datojnë këtu e gati një shekull më parë. Qysh prej atyre kohëve, domethënë në vitete ’30 të shekullit të kaluar, njëra prej revistave më të rëndësishme letrare greke, dhe më jetëgjata, pasi vazhdon të qarkullojë edhe sot, Nea Hestia, botonte herë pas here në faqet e saj përkthime të letërsisë shqipe, si edhe ese e studime rreth zhvillimeve gjuhësorë, kulturorë e letrarë të Shqipërisë së asaj periudhe. Në numrat e atëhershëm të revistës hasim krijime nga emra të rëndësishëm, të cilët asokohe sapo ishin shfaqur në skenën tonë letrare, poezi të Lasgush Poradecit, tregime të Ernest Koliqit, shkrime rreth Migjenit, etj. Më vonë shënohet një hark i zbrazët në këtë drejtim, kryesisht për shkak se, duke filluar prej pushtimit fashist të Shqipërisë e deri te junta ushtarake greke, pra për më tepër se tri dekada rresht, jo vetëm marrëdhëniet politike, por edhe ato shpirtërore, mes dy vendeve kishin ngrirë krejtësisht. Vetëm në vitet ’80 fillon një periudhë e dytë, pa dyshim më e begatë kjo, e pranisë shqiptare në tregun e librit grek. Doemos, personaliteti më i spikatur i kësaj pranie është Ismail Kadare, pothuajse çdo libër i të cilit përkthehet e lexohet gjerësisht edhe në greqisht. Veç veprës së Kadaresë, ndeshen vazhdimisht nëpër raftet e librarive greke edhe libra të tjerë të përkthyer nga shqipja, kryesisht romane, nga Dritëro Agolli, Mimoza Ahmeti, Ben Blushi, Virion Graçi, Fatos Kongoli, Koço Kosta, Besnik Mustafaj, Rexhep Qosja me “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, e të tjerë. Kurse poezia gjendet e përfaqësuar më së shumti në dy antologji, një përzgjedhje me autorë shqiptarë të post-diktaturës dhe një tjetër me autorë ballkanas, ku përfshihen emrat më të njohurë të traditës sonë, ndër të cilët edhe kosovarët Azem Shkreli e Ali Podrimja. Fatlum është fakti që letërsia shqipe gjen në greqisht një numër të konsiderueshëm përkthyesish, madje disa mjaft cilësorë, si Andrea Zarballa, Niko Anagnosti, Konstantina Evanghelou apo Eleana Ziakou. Kjo e fundit ka dhënë këto kohë në gjuhën e saj amtare proza të Ardian Vehbiut dhe pjesë teatrale të Jeton Nezirajt. Ndjesë për emrat e shkrimtarëve dhe përkthyesve që mund të mos kem përmendur, por kjo është thjesht një bisedë dhe jo një studim i hollësishëm.

  • Bazuar në përvojën tuaj të përkthimit, si i shihni përafrimet dhe dallimet e letërsisë së Kosovës dhe Shqipërisë në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar dhe këtë fillim shekulli?

Në këtë pikë, mund të flas më mirë si shkrimtar, jo vetëm ngaqë, në radhë të parë, ndjehem i tillë dhe pastaj përkthyes. Përderisa letërsia, si brenda shtetit shqiptar ashtu edhe në trojet e Kosovës, është shkruar dhe shkruhet në të njëjtën gjuhë dhe në një hapësirë gjeografikisht kompakte, është e pamundur të vëmë re ndonjë dallim shumë rrënjësor mes të dyjave. Është pothuajse njëlloj si në rastin e letërsisë greke dhe asaj qipriote. Dhe besoj se kështu duhet ta shohim letërsinë shqipe, si një të vetme, dhe jo për hir të një qëndrimi kombëtarist, por ngaqë një qasje tjetër duket filologjikisht e gabuar. Patjetër që ka edhe dallime, por bëhet fjalë për dallime që do të haseshin natyrshëm brendapërbrenda një letërsie të çfarëdolloj gjuhe. Dallime që kanë të bëjnë, për shembull, me vendin që ka arritur të zërë standardi i shqipes në Kosovë, me masën deri në të cilën është përthithur ky atje, apo me ndikimet e huaja që janë ushtruar në njërin territor dhe në tjetrin. Ndoshta edhe me tematikën, por kësi dallimesh i gjejmë edhe në autorë që kanë jetuar përjetësisht në të njëjtin qytet. Po kështu, dihet që, qoftë edhe brendapërbrenda territorit të Shqipërisë, standardi gjuhësor nuk është përqafuar njëlloj si në Shkodër edhe, fjala vjen, në Gjirokastër.

  • Duke pasë parasysh që jeni vlerësuar me çmime kombëtare për letërsi, a mund të na thoni cilat janë gabimet më të shpeshta që vëreni te tekstet letrare të përkthyera?

Ne kemi patur një traditë mjaft të shëndetshme përkthimi, kujdesi i sotshëm që tregohet ndaj vazhdimësisë së së cilës, për fat shumë të keq, lë për të dëshiruar. Vërejmë se një sërë kryeveprash të thesarit letrar botëror po vijnë, së fundi, në shqip të përçudnuara, gjë që më duket një dëm i jashtëzakonshëm dhe i vështirë për t’u riparuar. Duke i lënë mënjanë paragjykimet partiakë, nuk mund ta mohojmë se ish-ministrja e kulturës së Shqipërisë, zonja Kumbaro, ndërmori, gjatë mandateve të saj, një nismë të admirueshme për t’i vënë një pritë kësaj përmbytjeje shkatërrimtare duke kurajuar përkthimet cilësorë. Po këtë bëjnë edhe çmimet letrarë të përkthimit, si shtetërori ashtu edhe ndonjë privat, megjithatë zgjidhja e kësaj çështjeje mbetet gjithnjë në dorën e botuesve.

  • A mund të na flisni për librat e fundit që keni përkthyer nga gjuha shqipe në gjuhën greke dhe çfarë jeni duke lexuar, përkthyer aktualisht?

Unë, më tepër, jam i përqendruar te shqipja, në kuptimin që kjo është gjuha në të cilën shkruaj dhe përkthej më së shumti, ky është trualli ku ndjehem më i sigurt dhe më i fortë. Kam dhënë jo pak libra nga letërsia greke në shqip, kurse, përkthyer prej meje nga shqipja në greqisht, kanë parë dritën e botimit, deri tani, vetëm një libër dhe disa cikle poetikë nëpër revista letrare të Athinës dhe Selanikut. Jam shumë i kënaqur që libri, për të cilin po flas dhe që e përmenda edhe pak më lart, një antologji e poezisë së re shqipe, e botuar para dhjetë vjetësh nga një shtëpi botuese mjaft cilësore e Athinës, u prit shumë mirë prej lexuesit grek. Në gazeta serioze dhe të mirënjohura, si Kathimerini apo Avgi, u shprehën rreth saj me fjalët më të mira emra të rëndësishëm të letërsisë së sotme greke, si Pandelis Bukalas apo Jorgos Blanas. Lexues të kësaj antologjie më dërguan mesazhe përshëndetës, mes të cilëve edhe letra e një tjetër emri me mjaft peshë në mjedisin letrar të Greqisë së sotme, poetes dhe përkthyeses Xheni Mastoraqi, që, deri atëherë, unë vetëm veprën i njihja, kurse ajo nuk më njihte fare. Tani, jam duke u marrë me korrigjimet e fundit në përkthimin e veprës së plotë tregimtare të njërit prej prozatorëve më të mëdhenj europianë të shekullit XX, polakut Bruno Schulz. Kështu që, në këtë çast, e kufizuar koha për lexime shkrimtarësh të tjerë.

Romeo Çollaku (Sarandë, 1973) ka studiuar gjuhë-letërsi shqipe pranë Universitetit Eqrem Çabej të Gjirokastrës. Ka botuar pesë libra me poezi, tre në prozë dhe mbi njëzet të tjerë me përkthime nga letërsitë greke, franceze dhe polake, ku përfshihen autorë si Ricos, Verlaine, Mallarmé, Nerval, Euripidi, Kazanxaqis, Elitis, Claudel, Lautréamont, Herbert, Kavafis, Seferis, Schulz, Villon, etj. Është vlerësuar me Çmimin Kombëtar të tregimit (2010) dhe Çmimin Kombëtar të përkthimit (2007, 2015). Romani i tij “Mjaltë në teh” ishte kandidat për European Prize For Literature. Pjesë nga krijimtaria e Çollakut janë botuar nëpër antologji dhe revista letrare në gjuhët anglisht, bullgarisht, frëngjisht, greqisht, gjermanisht, italisht dhe rumanisht./KultPlus.com

Historia prekëse e dy motrave shqiptare: Me pula dhe vezë drejt Tiranës për…

Këto dy vajza në foto janë motra dhe fotografia është realizuar në vitin 1920. Sipas gazetarit të Zërit të Amerikës, Ilir Ikonomi, dy motrat e varfra kishin ecur 40 km nga një fshat malor për të arritur në Tiranë.

Me anë të një statusi në “Facebook” gazetari shkruan:

Dy motrat shqiptare dhe një histori prekëse

Këto dy motra të varfra kishin ecur 40 kilometra nga një fshat malor për të arritur në Tiranë. Vajza në të majtë vuante nga një infeksion i rëndë në sy dhe, për të shpëtuar nga verbimi i plotë, kishte nevojë për një ilaç që shpërndahej nga farmacia e Kryqit të Kuq Amerikan në Tiranë. Motrat kishin sjellë me vete dy pula dhe gjashtë vezë për t’ia dhënë mjekut amerikan. Kur iu tha se ilaçi ishte falas, ato refuzuan dhe nuk donin të largoheshin pa lënë pulat dhe vezët që kishin sjellë. Një histori që flet shumë për karakterin dhe moralin. (Biblioteka e Kongresit, Uashington) 1920

Zvicerania kërkon nga kosovarët ta ruajnë ambientin

64-vejçarja Ursula Hug tash e shumë vjet po mundohet t’i pastrojë fshatrat e Istogut, pasi është dashuruar në to.


Zvicerania kishte ardhur në Kosovë në kohen e luftës dhe ka mbetur këtu, pasi është martuar me një kosovar.
“20 vjet më parë shkak u i luftës këtu kishte shumë mbeturina, por tash nuk ka arsye të ketë.
Kosovarët shtëpitë e tyre i mbajnë shumë të pastërta. Por ata duhet të mësohen që ta bëjnë atë edhe jashtë tyre. Në vendin tim nëse hedh një mbeturinë, gjobitesh”, ka thënë Hug për Klan Kosova, përcjell albinfo.ch.

Ajo thotë se tash e 8 vjet kujdeset për ambientin në këtë komunë.

Koncert recital me Erëmira Çitakun e Çağatay Akyol

Më 19 qershor do të mbahet koncerti recital, ku në   flaut do të paraqitet Erëmira Çitaku dhe harpë – Çağatay Akyol , të udhëhequr nga Dafina Zeqiri-Nushi në bashkëpunim me Festivalin “Tingujt e Flautit”, shkruan KultPlus.

Projekti ka filluar së realizuari që me hapjen e konkursit ndërkombëtar për pranimin e veprave të reja në faqen e internetit “The Composer’s Site”, konkurs ky që zgjati dy muaj. Nga 80 vepra u përzgjodhën veprat e JinHee Han dhe të Rain Worthington. 

Në koncert do të dëgjoni gjithashtu vepra nga kompozitorë të ndryshëm botërorë si: J. Ibert, W. Lutoslawski, P. Morlacchi, F. Farkas, A. Zabel, A. Piazzolla. Koncerti do të mbahet më 19 qershor, në ora 20:30 NË Bibliotekën Kombëtare të Kosovës./KultPlus.com

Alberta Troni dhe soprano Ana Lushi u prezantuan me koncert në Romë

Me rastin e 20 vjetorit të Festës së Çlirimit, Ambasada e Republikës së Kosovës organizoi koncertin me muzikë klasike me pianisten e njohur nga Kosova Alberta Troni dhe sopranon shqiptare që jeton në Romë,  Ana Lushi. Koncerti u organizua në teatrin prestigjioz Torlonia në Romë dhe u ndoq nga pjesëtarë të trupit diplomatik në Romë, njerëz të politikës, medias, kulturës dhe miq e dashamirës të Kosovës, të ftuar nga ambasada.

Në këtë koncert u interpretuan vepra të kompozitorëve të shquar si Bach, Mozart e Verdi si dhe pjesë muzikore nga kompozitorë të njohur shqiptarë.

Në fjalën e saj përshëndetëse në fillim të koncertit, ambasadorja e Kosovës në Itali Alma Lama tha se 12 qershori është një ditë e madhe në historinë e Kosovës pasi shqiptarët për herë të parë shijuan ajrin e lirisë. Më tej ajo tha se Ambasada në Romë, gjatë mandatit të saj është munduar të promovojë gratë artiste, siç janë dy zonjat e shkëlqyera muzikante, pianistja nga Prishtina Alberta Troni, dhe sopranoja me origjinë nga Shqipëria Ana Lushi.

Publiku duartrokiti gjatë ekzekutimit në piano të pjesëve muzikore të pianistes nga Prishtina Troni, dhe interpretimin lirik të pjesëzave muzikore nga sopranoja Ana Lushi, veçanërisht ato shqiptare si “Dielli ka perendue” të Prenk jakovës, Suite Ilire e kompozitorit Kaçinari si dhe këngët shkodrane tradicionale “Kenke nuri i bukurisё dhe Un’ o ty moj tё kam dashtё”.

Koncerti me muzike klasike u organizua nga Ambasada, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës së Kosovës dhe Universitetin e Prishtinës./KultPlus.com

Në Gjilan u shfaqën videoartet e Sam Christie

Qendra për Art Bashkëkohor “Varg e Vi” pasi hapi Festivalin e Video-Artit Urban, me tetë video-artistë ndërkombëtarë, shfaqi në javën e parë të këtij aktiviteti artistik, video-artet  e Sam Christie – nga Mbretëria e Bashkuar – në tre projektorët e vendosur në Parkun e Qytetit, në Sheshin e Ri dhe në hapësirën e Bibliotekës së Qytetit.

Në banerin e video-artistit, shkruan: “Sam është një filmbërës, i cili krijoi stilin e tij për të filmuar përmes punës së tij si dizajner i zërit dhe radio-producent. Deri më sot ai ka prodhuar dy dokumentarë të metrazhit të gjatë dhe shumë të metrazhit të shkurtër. Sam është i fascinuar nga peizazhi dhe arkitektura, edhe pse, pjesërisht, kjo ka të bëjë shumë me një obsesion rreth ndikimit njerëzor në peizash apo tablo. Sam dëshiron të parashtrojë një pyetje të thjeshtë: “Çfarë është përfituese apo e mirë për influencën njerëzore?!”Në vitin 2016, Sam kaloi tre muaj në Kurdistanin e Irakut duke bërë një dokumentar në përgjigje të krizës humanitare rreth okupimit aty pranë Mosulit. Ky është ende në post-produksion.Sam preferon të krijojë veprën e tij sipas rregullave, rregullave që mund të udhëzojnë (ose të bëhen) narrativin apo rrëfimin. Inkuadrimi në këtë mënyrë problematizon qëllimisht nocionin e inkuadrimit në vetvete. Ai ka gjetur se duke bërë këtë, ai mund t’i qaset procesit të bërjes së filmave performativisht.”

Rreth videove që u shfaqën në Festivalin në Gjilan:“Airshaft”:Disa vende që ekzistojnë brenda peizazhit nuk mund të interpretohen lehtësisht artistikisht. Kjo mund të jetë për shkak se ato nuk janë të njohura brenda peizazhit, ato nuk janë gjëra të njohura; ato janë të pazgjidhshme. Ky vend – një bosht ajri për një stacion hidroenergjitik – duhej të luhej me goditje për ta sjellë atë të gjallë për audiencën. Tingujt e këtij tuneli të bëra 100 metra thellë, ishin të jashtëzakonshëm.

Video-arti “Interferenca antropogjenike”:Ndërhyrja antropogjenike apo njerëzore është një film që kërkon të zbulojë përmes kalimit të kohës dhe artit të zërit se si qeniet njerëzore shpesh ekzistojnë në kundërshtim me status-quon e natyrës, sesa në harmoni me të. Duke marrë peizazhin e egër të Uellsit, Sam Christie, performon, duke përdorur dritë, një ndërveprim me objektet në peisazhin për të shprehur shqetësimin.

Pas shfaqjes së video-arteve të Sam Christie – nga video-artistinga Mbretëriae Bashkuar, ai realizoi edhe një bisedë me një grup artdashësish te “Kafja e Egzonit”, duke folur për llojin e artit që bën, ku frymëzohet e kështu me radhë. Secili nga artistët do t’i përgjigjet 10 pyetjeve të standardizuara nga “Varg e Vi”, që lidhen me punën dhe krijimtarinë artistike. Sam ndër të tjerash, theksoi në këtë bisedë: “Vendet e zbrazëta përpiqem t’i ringjalli e t’u jap shpirt. Ka shumë të tilla në vendin tim dhe kudo.”Java e dytë e festivalit i takon video-artistes nga Polonia, Ewa Gorzna, ku do të shfaqen dy video-artet e saj, e më pas do të vazhdojë edhe me shumë video-artistë të tjerë ndërkombëtarë. Publiku gjilanas për dy muaj me radhë, do ta ketë mundësinë për të parë video-artet e zhvilluara në botë prej orës 20:00 në mbrëmje e deri në mesnatë!

Gruaja dëmshpërblehet me 173 mijë dollarë që kreu punët e shtëpisë

Gjykata argjentinase e dënoi një burrë për të dëmshpërblyer ish-bashkëshorten e tij me pagesën e 8 milionë pesos (rreth 173 000 dollarë) për punët e ndryshme të shtëpisë që ajo ishte kujdesur të kryente për gati 27 vite martesë.

Gruaja e moshës 70 vjeçe, e diplomuar në ekonomi ishte përkushtuar edukimit dhe arsimimit të fëmijëve dhe punëve të shtëpisë përgjatë bashkëjetesës së tyre.

Varësia ekonomike e grave ndaj bashkëshortëve të tyre është një nga mekanizmat qendrorë ku gratë vendosen në një pozitë inferioriteti me burrat në shoqëri’, specifikon gjyqtarja, Victoria Fama, transmeton ATSH.

Magjistratja ka vendosur një shumë të arsyeshme për të riekuilibruar situatën jo të barabartë ekonomike të bashkëshortëve, përcjell albingo.ch.

Pas 27 vite martesë, i akuzuari e la në kohën që ajo sapo kishte mbushur të 60 –at, moshë që gratë dalin në pension, së cilës i duhej të përballej me mungesën e eksperiencës në tregun e punës, mund të lexohej në gjykim.

Çifti u nda në 2009 dhe u divorcua në 2011. Kompensimi ekonomik u fut në Kodin Civil në 2015. Ai mund të përbëhet nga një pagesë e vetme, në formën e të ardhurave, të gëzojë disa përfitime materiale ose pronë ose të çdo forme tjetër të rënë dakord mes palëve.

Prezantohet dokumentari i Rita Orës i realizuar në Kosovë (VIDEO)

Është publikuar dokumentari i realizuar nga Soccer Aid për UNICEF-in në Kosovë.

Pjesë e këtij projekti është edhe artistja shqiptare me famë botërore, njëherësh ambasadore e kësaj organizate, Rita Ora.

Dokumentari është realizuar gjatë vizitës së fundit të Ritës në Kosovë, e cila u realizua në muajin prill. Ajo kishte vizituar disa qendra fëmijësh dhe të rinjsh, si dhe një nga lagjet më të varfra në qytetin e Ferizajt.

Dokumentari i saj u transmetua në ITV Channel në Angli dhe STVnë Skoci./KultPlus.com

Mediat franceze me reportazh për Shqipërinë: Vend që do të ju mahnitë

Shqipëria është një vend i vogël, por me ambicie të mëdha! E liruar nga tutela e komunizmit në vitin 1991, e ndodhur mes Malit të Zi, Greqisë dhe Italisë, Shqipëria ëndërron të hyjë në Bashkimin Europian dhe të bëhet një destinacion i vërtetë turistik, shkruan portali i televizionit publik francez, Franceinfo, në një reportazh që ia kushton turizmit në Shqipëri.

“Aktualisht nuk ka shumë turistë francezë, ishin rreth 45 000 në vitin 2018, po ky numër është në rritje me 30% nga viti 2017 dhe mbi të gjitha, ata kthehen në vendin e tyre të magjepsur nga udhëtimi në Shqipëri.

Julien Roche jeton këtu që prej fillimit të viteve ’80. Shumë i domosdoshëm, ky francez me origjinë nga rajoni Ën, ka krijuar rreth 40 kompani në këtë vend.

“Në veri ka liqene dhe male, atje përfundon vargmali i Alpeve. Në jug, ndodhen plazhet e detit Adriatik dhe ato të detit Jon që janë përballë Korfuzit. Vijnë shumë të rinj me çanta shpine ose persona të moshës së tretë. Këta janë ambasadorët tanë më të mirë dhe priten nga banorë të zonës që i strehojnë në banesat e tyre, është diçka shumë vëllazërore”, shpjegon ai në këtë reportazh të Franceinfo.

Autoritetet shqiptare duan të tregojnë mbi të gjitha se realiteti i vendit është larg imazhit të keq që ekziston në Francë, vendi i të gjitha trafiqeve, korrupsionit dhe mafies, transmeton ATSH.

“Megjithatë, udhëtarët e huaj kanë filluar të tregojnë interes për këtë destinacion të ri në zemër të Ballkanit”, sikurse shpjegon Helmut Gschwentner, president i operatorit turistik “Visit Europe”, përcjell albinfo.ch.

“Nuk jam i sigurt nëse kjo do të jetë Kroacia e re, por në çdo rast është një destinacion bregdetar dhe kulturor. Ne i besojmë shumë. Prej pesë vitesh zhvillojmë ture në Shqipëri, por duke i kombinuar me vizita në Malin e Zi dhe Maqedoni. Duam të rrisim produktet dhe mundësitë për klientët tanë, për këtë arsye kemi hapur një zyrë në Tiranë”, thotë Gschwentner.

“Visit Europe” synon të arrijë 3 000 klientë këtë vjeshtë të interesuar për Shqipërinë dhe 4 000-5 000 vitin e ardhshëm.

Hotele të vogla familjare

Përveç më shumë se 500 kilometrave vijë bregdetare, pavarësisht disa zonave te betonizuara tashmë si Golemi, ky vend i vogël prej tre milionë banorësh, i madh sa Belgjika, ka gjithashtu një trashëgimi kulturore të jashtëzakonshme si Berati “qyteti i një mbi një dritareve”, që është klasifikuar trashëgimi e UNESCO-s apo qyteti i mrekullueshëm mesjetar i Krujës, që ende nuk është asfiksuar nga turmat e turistëve.

“Ka katër misione arkeologjike franko-shqiptare, në një vend të vetëm ky është një fat i madh. Kjo tërheq vizitorët dhe jo vetëm ata francezë. Ka gjithashtu muze shumë të mirë që japin një imazh të njerëzve dhe të historisë shqiptare, tragjike në disa çaste”, deklaron Christina Vasak, ambasadorja e Francës në Shqipëri.

Grupet e hotelerisë kanë filluar gjithashtu të drejtohen nga Shqipëria, që ende nuk e ka mjaftueshëm të zhvilluar këtë infrastrukturë, si kompania franceze “Accor” që parashikon të hapë në muajt në vijim një “Sofitel” në Tiranë.

“Turizmi këtu bazohet kryesisht tek hotelet e vogla familjare me pesë deri në 10 dhoma. Nuk ka hotele me kapacitet të mjaftueshëm për të pritur për shembull grupe të mëdha me 2 500 apo 3 000 persona. Potenciali i kërkesës është, por nuk është ende produkti”, shpjegon Elisabeth Gjoni, drejtoreshë e grupit energjetik dhe ndërtimor “Amadeus”.

Shqipëria bën pjesë në pesë vendet kandidate për të hyrë në Bashkimin Europian. Negociatat mund të fillojnë në muajt që vijojnë, por procedura është e gjatë. Ajo mund të zgjasë të paktën 10 vite.

Franceinfo e mbyll këtë reportazh duke i bërë një thirrje gjithë turistëve se “gjatë udhëtimit në Shqipëri do të zbulojnë fakte mbi këtë vend të panjohur”.

“Kryeqyteti, Tirana, do t’ju habisë me influencat e tij. Do të josheni nga pasuria historike e zonës më të madhe arkeologjike në Shqipëri, qyteti antik i Apolonisë. Ky është një udhëtim i mrekullueshëm në të kaluarën që do e shijoni gjatë gjithë udhëtimit në Shqipëri”, përfundon Franceinfo.