150 fëmijë nisin konkurrimin në Festivalin e 57-të Mbarëkombëtar të Këngës

Duke filluar nga dje deri në datën 14 qershor (mërkurë-premte) ka filluar edicioni i 57-të i Festivalit Mbarëkombëtar të Këngës për Fëmijë në qytetin e Shkodrës, i cili do të mbahet në Teatrin Migjeni.

Festivali Mbarëkombëtar i Këngës për Fëmijë, vjen si vazhdimësi e traditës në këtë qytet, duke paraqitur vlerat më të spikatura të këngës shqiptare për fëmijë përmes angazhimit të krijuesve më të spikatur të të gjitha trevave.

150 fëmijë nga e gjithë Shqipëria, por edhe Kosova, Maqedonia e Veriut e Mali i Zi mblidhen në këtë edicion për të argëtuar veten e gjithë fëmijët me 20 krijime të reja e sigurisht edhe elemente të tjera të spektaklit.

Edhe në këtë edicion janë vetë fëmijët që do të përzgjedhin këngët më të mira, të cilat më pas do të bëhen pjesë edhe në Junior Fest.

Top Channel

Dita e katërt e festivalit Femart

Për herë të shtatë, Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis organizon festivalin FemArt Festivali i Artisteve dhe Aktivisteve, që do të mbahet në Prishtinë gjatë datave 10-16 Qershor, 2019 (7 ditë).

Moto e festivalit këtë vit është ‘Me Liri kundër Marres’duke i inkurajuar gratë të marrin pronësinë mbi jetët e tyre dhe në vendim-marrje, duke promovuar një jetë pa paragjykime e gjykime.

Në ditën e katërt të festivalit Femart, me datën 13 qershor, 2019, në ora 10:00 – 14:00, në Fakultetin e Arteve, do të organizohet një punëtori “Krijimi i posterave feminist” me trajneret Blerta Hoçia / Shqipëri dhe Silvia Basso / Itali. Në këtë punëtori përmes një forme të veçantë të dizajnit grafik, do të portretizohen gratë të cilat kanë lënë gjurmë në historinë botërore. Në Fakultetin e Arteve, në ora 15:00 – 16:00, do të vazhdohet më pas me një prezantim nga po e njëjta artiste nga Italia, Sivia Basso: “Bisedë me Silvia Basso: “Ilustrimi, Gjuha dhe Inovacioni”.

Në Galerinë Kombëtare të Kosovës, në ora 17:30 – 19:00, do të mbahet panel diskutimi “Gratë artiste në vendimmarrje”, me panelistet: Burbuqe Berisha/Ks, Vjosa Berisha/Ks, Dijana Milosevic/Srb, Besa Luzha/Ks, Merita Smaja/Ks, Jehona Shyti/Ks, Ema Andrea /Al. Dita e katërt e festivalit Femart, do të përfundojë në teatrin ODA, me shfaqjen teatrale nga Japonia “La Grand Cahier”, në ora 20:00 – 21:30. Të gjitha aktivitetet janë të hapura për të gjithë dhe hyrjet pa pagesë. Festivali Femart është pjesë e iniciativës së 20 aktiviteteve për përkujtimin e 20 vjetorit të çlirimit të Prishtinës, organizuar në bashkëpunim me komunën e Prishtinës.

Ibrahim Rugova: Kokën mund të ma ndërrojnë, por mendimin kurrë

Në 20 vjetorin e Çlirimit të Kosovës, sjellim dhjetë thënie nga presidenti historik Ibrahim Rugova, shkruan KultPlus.

Arti është si jeta, secili e gjen kuptimin e tij për vete.

Kosova është një vend i vogël, por ka aq shumë pasuri që ia ka falur Zoti.

Kokën mund të ma ndërrojnë, por mendimin kurrë.

Kosova sot është më pranë Evropës se vendet e tjera të rajonit të Evropës Juglindore.

Si president i Kosovës, unë jam shumë i shqetësuar në lidhje me situatën aktuale të punësimit, në rreth 70% të popullsisë, e cila është e re, me potencial të madh, flet shumë gjuhë të huaja dhe që janë ekspertë në shumë fusha.

Nuk mund të merrem me letërsi kur shoh se nëpër rrugë vdesin njerëzit e mi.

Ne kemi euron monedhë, çka do të thotë shumë. Ajo nuk e ka stabilizuar vetëm situatën në Kosovë politikisht dhe ekonomikisht, por i ka lehtësuar edhe kontaktet e drejtpërdrejta që kemi me Europën.

Sa i përket shqetësimit që shpreh Serbia, ajo nuk ka të drejtë për të ndikuar në privatizimin apo të kërkojë ndonjë pronë, sepse Kosova është një ish-anëtare e Republikës Federale të Jugosllavisë.

Shqiptarët nuk i bashkon vetëm feja apo ideologjia. Qysh në shekullin e nëntëmbëdhjetë, në kohën e Rilindjes kombëtare, gjuha, kultura dhe tradita ishin elemente lidhëse kombëtare, kurse feja nuk ishte forca absolute e bashkimit.

Vizioni im është që të kemi një Kosovë të pavarur, demokratike, me një shoqëri politikisht tolerante dhe me një ekonomi solide, e integruar në BE dhe NATO; si dhe të vazhdojmë marrëdhëniet tona të mira me SHBA. / KultPlus.com

Pak para çlirimit!

…ishte prill! Filloi nga marsi, prej se e mbaj mend me saktë.  Kuptoja se diçka po shkonte ndryshe, ndryshe nga deri kur filloi të dukeshin elemente të një kohe e cila po afrohej ditë e më shpejtë.  Më shqetësonte heshtja në shkollë, bënim pak mësim, edhe kur flisnim brenda në klasë, dukej sikur e mbanim zërin si të ngjizur, se mos dikush pas mureve na dëgjonte. ndonjëherë bëhesha sikur s’kuptoja, por isha një fëmijë vigjilent, vëreja shumë detajet, mund të më linte përshtypje edhe shikimi i mësuesve, toni i zërit të tyre, një buzëqeshje e ngrirë. Dukej sikur pas atyre fytyrave kishte një mendim, një mendim që nuk na thuhej dot.

 Unë e ndjeja, e kuptoja që diçka po ndodhte, kisha filluar ta masja diten me minuta. Sa kanë mbetur që të ikte edhe një ditë për të nisur dita tjetër, dhe të numëroja kështu shumë ditë të ekzistencës tonë. Se e dija që tashmë kishin ikur nga fshati shumë familje dhe shumë nga ato planifikonin të iknin së shpejti, sepse e dija që diku,  pak, shumë pak larg atij vendi, në veri të Kosoves kishte nisur lufta. Kishin vdekur njerëz, e dija që po afrohej ajo ditë edhe te ne!

Amullia ndjehej edhe në ajër. Mbaj mend, pak para prillit, ishte një dasmë, martohej vajza e kushëririt të parë të babait tim. Nuset ishin veshur me fustane, me dumane, kishin lyer dhe buzët me të kuq, kishin vënë dhe lulet në flokë, zbukuruar dhe belin me kollan (rrip i bërë me argjend apo i larë në flori). Vajzat këndonin, nuset sërish vallëzonin, por e gjithë biseda nëpër gojët e grave që rrinin ulur nuk ishte dasma, as nuset, as edhe vajza që martohej. Çdo sy që shikohej, rrëfente frikën e asaj cfare kishte filluar në veri. Dikush foli, e tha, “është luftë, atje dikush është duke u vrarë, e ne jemi teleisur, ndaleni muzikën, të kemi pak frikë. Për çudi, frika fshihej në perden  e syve tanë, fshihej dhe kamuflohej me një gëzim të rrem. Frojdi do të thoshte se frika e tjetërson njeriun dhe se frika na mban në alarm për të qen vigjilent. Ashtu na u shmang edhe neve ndjesia e frikës, duke u munduar ta fshehim, u thellua në mendjet tona, jo se iku. Shmangnim të vërtetën, ishin fazat e para të një traume që tashmë kishte filluar t’i jap imazhet e saja të para, e që më vonë do bëhej shumë e madhe!

Ishte prill, dhe dielli dilte herë herë, në shkollë nuk shkonim më, ishte bërë një muaj e më shumë. Më ka pëlqyer gjithmonë të lexoj, gjjithë librat që biblioteka e fshati kishte për klasat që kisha mbaruar deri atëhere, i kisha lexuar tashme. Kerkoja të tjerë, biblioteka nuk hapej, kishim frikë të leviznim deri atje, ishte larg nga shtëpia. E lusja bibliotekistin, që e kishim fqinjë, të më sillte libra, “dua të lexoj i thash, në shkollë nuk shkojmë dhe nuk e di kur do të fillojmë sërish”. Mbaj mend që për dy javë kam lexuar pesë romane, që nuk ishin për moshën time, por ishin këto që i gjeta në shtëpinë e gjyshës. I mbaj mend sot cilat ishin, “Bardha e temalit”, ” “Makbethi”, ” Pse”, “Shumë zhurmë për asgjë”, ” Mbreti Lir”. Mes tyre mundohesha ta fshihja ndjenjen e pasigurisë, dhe te fshihja informacionin që kisha për ngjarjet që po ndodhnin.ta fshihja jo veteëm pë të tjerët, por edhe nga vetja. Në shtëpi nuk flitej për luftën, druheshin nga ne, mendonin se gjithçka do të përfundonte dhe se s’kishte nevojë të na flitej për të, do të kaloj koha dhe ne s’kishim pse ta dëgjonim fjalën luftë.

Në oborrin e shtëpisë tonë  erdhi një serb. Banor i fshatit serb, Pasjani, një kilometer larg fshatit tonë.  Nuk e di a kishte ardhur që të shohë një makinë që xhaxhai im donte ta shiste apo erdhi se pa një mjet që lëvron arën…mbaj mend se unë isha duke e kënduar këngen e Leonora Jakupit, që ishte himn i fëmijeve të asaj kohe, “Mos ma prek ti shkja Drenicën, se kam gjallë Azem Galicen”…Unë po këndoja dhe xhaxhai im ma bëri me kokë, që të ndaloja, unë e pash që erdhi një i huaj në oborr, por se kuptova se ai ishte serb, dhe mund të thoshte që e provokuam me këngë dhe tekst të tillë.

Nuk kaluan shumë ditë, mbase as dy ose edhe tri. Ra nata, mu duk ajo ditë shumë e shkurtër, kisha perfunduar së lexuari romanin “Pse” të Stereo Spase, dhe meqë isha kalitur me lexim edhe që nga mosha shtatë vjeçe, me te gjitha lektyrat dhe tekstet qe gjeja ne biblioteke, mundohesha ta kuptoja lehtësusht edhe në moshën 13 vjeçare që atëherë isha. Mundohesha t’ia gjeja “Pse-në” e mos vajtjes në shkollë, “Pse-në” që numroja sekondat dhe minutat e orës. Lexoja dhjetë faqe dhe e shikoja orën, mendoja se edhe kaq mbeti nga sot, vazhdoja lexoja dhe nata vinte më shpejtë e mëngjesi akoma më shpejtë.

Ra ajo natë, shpejtë. Dëgjuam një zhurmë, e kuptuam menjëherë se diçka jo e mirë po ndodh. Dolëm me nxitim në oborr. Drita ndriçuan qiellin. Ishin granata, që hidheshin drejtë nesh, nga fshati Pasjan. U trazuam të gjjthë, kurse unë të gjithë frikën time, dilemën se çfarë do të bëja nëse do të gjendesha në një situatë të tillë, sikur e kisha dëgjuar në lajme. U shtanga dhe nuk fola asgjë. Nuk fola, nuk qava, u vesha shpejtë siç më thanë prindërit dhe vrapova të merja çantën e shkollës. Doja ta merja vetëm fletoren ku kisha nisur të shkruaja poezitë dhe tregimet e mia te para. Që sigurisht kishin filluar të mernin frymën e ngjarjeve që dëgjoja ato kohë, flistja për luftën, për atë cfarë mund të ndodhte, çfarë do të benim ne e shhumë arsyetime që i shprehja se si mund të iknim ne. Mu duk sikur po humbisja kohë, s’kisha kohë, ta hapja çantën, gjithçka po ndodhte shpejtë, e mora gjithë çantën në krahë. E gjithë familja dolëm me vrap e u nisem drejtë malit. Duke vrapuar. Unë, me motrën me të vogël dhe dy vellezërit, xhaxhallarët, dy me gra dhe fëmijë, njëri  më i ri, dhe halla. Më kujtohet fjala e gjyshës sime kur mbërritëm në mal, tek po rrinte ulur, mbështetur në një lis, më tha “Qika jem, shtine fletoren në çantë, se po bjen shi, të laget, po bjen shi, nanës, të vyn me shkru në shkollë”. Mu duk sikur me ato fjalë ajo më mbrojti mua dhe rëndësinë që unë i kisha dhënë asaj fletoreje. E kisha nxjerrë nga çanta sapo ishim strehuar në fillim të malit. Shiu binte aq imët, sa nuk vërehej që binte. Shi i tillë zaten bjen çdo vit si asaj dite, si kujtim ogur zi që na kthen saherë kujtimet e këqia por edhe na jep mallin e vetës sonë se sa të fortë ishim. Siç thoshte shpesh herë ime gjyshe ” Njeri ásht si guri, sa t’duash bjeri ai s’thehet, eh, çkamas kemi provu bijo, edhe ktë e patëm për sprovë”.

Ishim kthyer në shtëpi, sa për të mar rroba, ushqime, enë, tenda…që të ngrisnim strehën e jetesës në mes të malit. Ashtu të grumbulluar në një tënde prej plasmasi të bardhë, flinim të gjithë, e dëgjoja natën mamanë duke qarë bashkë me gjyshen, tek thoshin si do t’ia bëjmë me fëmijët që nuk kuptojnë asgjë, gjyshja mallkonte terorrin, ushtarët serb, uronte që mamatë e tyre tu flisnin bijëve të mos vrisnin njerëz të pa fajshëm “çka ju kena ba nano na atyne, pse me naj ba ktahen”, u thoshte shpeshe djemëve të saj, duke dashur të shpreh dhembjën e madhe që ndjente, e gjyshi që i kthehej, “serbit ska nevojë t’i bëjmë kurgjo na, veç që jena i bojna gjithçka”.

…Mes prill ishte, kur një mëngjes erdh afër tendës sime shoqja ime e bankës, po flisnim për një libër që kisha lexuar, pastaj asaj iu duk se ndejti shumë më tha ta përcillja deri afër tendës së saj. Ecëm njëzet metra poshtë tendës, me zunë sytë një njeri me një veshje jo të njohur, pash diçka jeshile, por kishte dhe pemë e lisa që kishin filluar të jeshiloseshin dhe nuk e vërejta mire, por kur ai filloi të vrapoj dhe te bërtas në serbisht “ndalo, ndalo”, une e kuptova se ai ishte ushtar serb, u shtanga në rrugë, nuk e dija, të vrapoja, apo të rrija në vend, plumbat filluan të binin, i degjoja tek feshkellyen afër veshit tim dhe para syve ra në tokë një burrë që u qëllua nga plumbat që iknin ajrit, u gjakos i gjithi përnjëhere. Gjuanin pa shenjestër. Ne krahë e ndjeva një tërheqje qeë ma bëri dikush nga familja por që asnjëhere se mbaj mend kush ishte. Vrapo më tha, dhe une si një kompjuter që kur i jep komandën e realizon direkt veprimin, fillova vrapoja, u bëra bashkë në vrap me babain, mamanë, vëllezërit dhe motrën, vrapuam deri në një ngushticë ku rruga mbaronte, anash ishte një kodër, shumë njerëz kishin arritur të ngjiteshin në kodër, vëllai im i madh edhe ai po përpiqej tëngjitej, tu ikte ushtarëvë.. E dëgjojmë një zë tjetër që bërtiste në serbisht, “Naloni, ndaloni”. Babi im e fliste mirë gjuhën serbe, filloi të komunikoj me të, ai i tha në serbisht, fjalë që i kam mar vesh shumë kohë më pas, se çfarë i kishte thëneë. “Ndaloi ata njerëz që janë në kodër, përndryshe, fëmijet që ke këtu do t’ua pres kokat me këtë thikën që kam. Babi po bërtiste kthehuni jemi të rrethuar, i thërriste vëllaut tim, “kthehu janë ushtarët tanë”, ai nuk bindej, deri sa i tha që ishin ushtarët shqiptar, u kthye, ndërkohë unë me mamanë, motrën dhe vëllaun tjetër kishim mbetur të tmerruar s’lëviznim dot na ishte ngjizur zëri, nuk bërtisnim as nuk qanim. Ushatri ishte i veshur me të zeza, shami të zezë në kokë. Mblodhëm forcën e trupit dhe u nisëm, ecëm shpejtë, herë me vrap, siç na bërtiste ushtari. Në gjysmë të rrugës së malit, akoma pa dal në  fillim të fshatit, na ndaloi dhe u bemë bashkë me pjesën tjetër të njerëzve që kishin zënë. Mblodhën flori dhe gjithçka me vlerë që kishim. Mamaja ime uli kokën në tokë dhe mori baltë nga toka, na hodhi baltë në fytyrë, mua, motrës dhe dy vajzave që ishin pak më të mëdha në moshë se mua, ato ishin shumë të bukura. Mbulojeni bukurinë u tha, bëjeni fytyren më baltë. Ajo kishte dëgjuar çfare bënin ushtarët serb me pengjet femra.

 Zbritëm në fshat, në hyrje ishte shtëpia e kusherinjëve.  Përballë shtepive, ishte gjysmë kodër( aty ku sot pushojnë trupat e të vrarëve gjatë asaj periudhe), aty na ulën. I ndan gratë nga burrat, burrat nga djemtë mbi moshë pesëmbëdhjetë vjeç deri në tridhjetë. Babain tim e detyruan të perkthente për ta, bashkë  edhe me të ndjerin mësuesin shumë të dashur edhe komshijën tonë. U tha  të këndonin kënge në gjuhën serbe, këngë për flamurin, për Kosovën si të tyren, valvisnin flamurin serb.

Ushtarët ishin të tensionurar, dukej sikur po prisnin një përgjigje nga lart, gjithë kohën flisnin me radio-lidhje. Babi im theu brinjën nga goditja që i dha një ushtar me të zeza, me mbrapa automatikun e tij, se ai  mbrojti një fshatar nga pushkatimi, dhe se pse arriti t’i kthej njerëzit nga kodra… e duroi dhimbjen, nuk guxonte të tregohej se kishte frikë. Pastaj ra një heshtje, binte shi i imët, qielli ishte skëterr i zi. Thanë te shkonim te shtëpia përballë, ishte shtëpi e madhe, dy hyrje, dy kate. Aty na quan vetëm fëmijët dhe gratë. Me pretekstin se binte shi. Njëherë nuk levizte asgjë,asnjë ushtar nuk dukej. Unë isha me mamanë dhe gjyshen, motrën e vëllezërit në koridorin e shtëpisë, pothuajse në ballkon. Një ushtar i veshur me uniformë ruante te cepi i derës, tyten e pushkës e mbante drejtë nesh. Ne e ulnim kokën nga frika. Mbaj mend tim vëlla, ia kishte ngul sytë plot inat tytës së automatikut të ushtarit, po e shqyente me sy. Mamaja e vuri re dhe i foli, ule kokën mos e provoko, uleni kokën të gjithë. Në një moment, ushtari ma vuri tytën  e pushkës nën grykë dhe më thot në serbisht, qoje kokën. Ai më kishte thënë, qoje kokën se po të dua ta këpus këtu për një sekond, por mamaja më tha se kishte thënë ushari, të mos kisha frikë, se asgjë nuk do të më ndodhte.

Papritur nga heshtja, filluan dëgjoheshin të qeshura nga kati i dytë i shtëpisë, ran ca shishe me birra nga lart, u thyen në dyshemenë e çimentes poshtë, pastaj shkallëve pash katër  ushtar që futën  në goje ca kokrra te bardha, që ia dhan njëri tjetrit në dorë. Erdhi  një nga ata në koridor, hyri në dhomë dhe doli për krahë me një nuse dhe një vajzë të re 16 vjeçe. “Hajde do na beni kafe”. Nuk shkuan as pak minuta, dëgjuam bërtimat, të qara, ishin ato femra, dhe shumë të tjera që po dhunoheshin, fizkisht e seksualisht. U çnderuan, u rrahen, pastaj i sollën.

 Nuk shkoi shumë kur ata mbaruan, tmerrin e tyre, duket se u erdhi një lajm urgjent se duhej të iknim shpejtë nga aty. Na hipen nëpër çdo mjet levizës e na nisën për diku. Për diku që nuk na e than, njëri tha do ikni prr Shqiperi, me tren dhe do të kaloni kufirin. Ndër zëra dëgjoj një plak, që i thot nusës së djalit, “ti nuk mund të hipësh në makinë me neve, na çnderove familjen”, por pas fjalëve qe i thanë njerëzit e tjerë e bindën ta mernin nusen me vete, burrin e kishte në Gjermani. Kam dëgjuar që vjehrri i saj donte ta ndante nga djali, por burri i saj e mori në Gjermani pas luftës dhe e mbështeti shumë.

Rruga na nisi të ndarë si familje. Xhaxhai i dytë me gruan dhe djalin e vogël nuk ishin bashkë me neve, kishin mbetur të fsheur në mal, bashkë me gjyshin. Ku më vonë xhaxhai dhe usja e tijme djalin kishin kaluar kufirin natën, në preshëve e pastaj në Maqedoni, konkretisht ne kampin e stankovecit.

Nuk kishim çfarë të bënim, nuk ktheheshim dot për t’i kërkuar, por as të tregonim që kishte njerëz që mungonin, ushtarët pyesnin gjithë kohës, a kishte të tjerë, a ishin civil apo ushtar të UÇK-së.

Rrugës ndrruan mendje për destinacionin tonë, se na përcollën me makina ushtarake deri në fillim të qytetit të Vitisë. Mbrëmja na gjeti në fshatin Sllatinë, të komunës së Vitisë. Nuk e di si erdhi e iku ajo ditë, si përfudoi, si ra nata, e unë atë ditë nuk i kisha numeruar sekondat, as minutat.  U shtrim të flejmë pasi hëngrëm bukë.Gjumi më erdhi duke bërë shaka me fjalët e vajzës së xhaxhait tim që atë moshë ishte vetëm tri vjeç e gjysmë, nuk i theksonte mirë shkronjat, ” Oj nane pejkoma pujen”, e i kthehej mamaja vet “qe, ta pejkova” (“oj nane përthekoma pullën”, “qe ta përthekova”). Ishte kjo batutë, që doja t’i jepja përfundim asaj dite të pa orë, të pa numruar, të pa ekzistuar mbase hiç!

…ish Qershor.

Pak ditë pas çlirimit. Ëndrrat filluan të na zgjphen, se ora kishte filluar të ecte, kishim mar vesh se xhaxhai ishte në Maqedoni, ne kampin e Stankovecit, por nuk kishim dëgjuar emrin e gjyshit.

Ish qershor si i sotmi, i nxhetë, kur vjen vëllau i dytë i babit, dhe thot se e kishin gjet Agèn, ne të gjithë bërtitëm nga gezimi, por ai na ndërpreu kur shpërtheu në lot, e tha ndër vaj që e kemi gjetur trupin. Të vdekur! Të lidhur me krahë mes dy lisave, pushkatuar, me kush e di sa plumba.

…Dhe vjen një qershor tjetër pas pesëmbëdhjetë vitesh, kur unë isha rritur, isha shkolluar dhe edukuar, siç na thoshte gjithmonë Aga, “qikat e mija ju keni me kanë te zoja, doktoresha, ose ti banu gazetare bëju shkrimtare, me këto letrat e tua, se ia tregoja shpeshë here fletoren time të shkrimeve.

Pikërisht qershor i pas pesëmbëdhjetë viteve, kur  prisja lindjen e vajzës  sime, që sot është gëzim i jetës sime. Në përvjetorin e ditës së çlirimit, unë rastësisht e shoh një video, aty ishte incizuar nga një gazetar i mediave të huaja, gjetja e trupave të vrarë në mal. E pash atë trup, të lidhur në mes lisash, po e shikoja e pa e ditur kush ishte, veç kur dëgjoj dhe shoh xhaxhain tim duke qarë, duke folur vazhdimisht, “po pse, pse ty, pse keshtu” e kuptova qe ishte trupi i gjyshit. Ishte një tmerr i vërtetë, mu duk sikur isha aty kur e kishin vrarë. Deri atë moment thjeshtë e dija që s’ishte më, por meqë s’kishim parë trupin e tij, e ndjenim sikur ishte diku larg, e që ndonjëherë mendoja se edhe mund të kthehej.  Ish Qershor, po jo si i sotit që kujtojmë ditën e çlirimit.

Linditë RAMUSHI DUSHKU!

Afro-amerikani që ndihet më shqiptar se shqiptarët

Një i ri afro-amerikan është duke i habitur ndjekësit e tij në Instagram për shkak të videove të shumta ku ai shfaqet duke folur dhe kënduar në gjuhën shqipe. Clayvion Winn duket se i pëlqen shumë Shqipëria dhe kultura e saj.

Madje gjatë ditës së djeshme ai është shfaqur i veshur kuq e zi duke kënduar në paradën e shqiptarëve në New York.

Në instagramin e tij ka shumë video ku ai këndon, flet madje edhe shan në gjuhën shqipe. Ai ka foto me këngëtare shqiptare si Enca dhe reperen Baby Gee. Gjithashtu publikon në faqen e tij në Instagram posterat e këngëtarëve shqiptare që japin koncerte në SHBA.

Clayvion Winn pëlqen muzikën me çifteli si dhe kërcen valle shqiptare, madje në një video gazmore e shohim edhe duke i kënduar byrekut.

Përveç emrit të tij të vërtetë ai ka vendosur dhe një emër të shqiptarizuar në Instagram “Klej Zezakaj”. Ai ka shumë miq shqiptarë dhe duket shumë i dhënë pas kulturës shqiptare.

Tre artistë nga Gostivari ekspozojnë në Nju-Jork

Të enjten me 13 qershor në MC Gallery në Nju Jork, tre artistë nga Gostivari, sjellin fragmente nga Ballkani. Në këtë ekspozitë të përkrahur nga Ministria e Kulturës së Republilës së Maqedonisë së Veriut dhe Komuna e Gostivarit do të prezantohen Safet Spahiu dhe Bashkim Mexhiti me piktura, kurse Osman Demiri me fotografi. Janë këto copëza jete të harmonizuara në një ekspozitë të përbashkët për ta prezantuar artin e tyre pak më ndryshe në një vend prestigjioz siç është Nju Jorku. Gërshetimi i detajeve fotografike të Demirit me ekspresionizmin në pikturën e Spahiut dhe Mexhitit, janë një harmoni ngjarjesh të ndryshme të nënqiellit ballkanik, të cilin ata do t’ia prezantojnë publikut të atjeshëm. Ideja e kësaj ekspozite ishte që të tre, secili në mënyrën e vet ta përcjell një mesazh përtej oqeanit. Ekspozita në fjalë, e titulluar si “Fragmente nga Ballkani” ngërthen ciklet e fundit të artisteve.

Figuracioni i demit në pikturat e Spahiut simbolizon kryeneçësinë e popujve ballkanik, të cilët jo çdoherë zgjedhin dialogun si mënyrë për t’i zgjedhur problemet mes tyre, por instinktivisht dhe të nxitur nga “rrethi” anojnë kah zgjedhja e problemeve me forcë.

Nga ana tjetër, lirika ekspresive që është shumë e theksuar në tablotë e Mexhitit, të shkëputura nga cikli “Dimenzione kohore”, paraqet shpirtin kreativ të po këtyre popujve. Ata edhe përkundër hasmërive dhe tekeve që kanë historikisht mes tyre, shpirtërisht në vete bartin mirëkuptim dhe tolerancë.

Dëshmi më vete janë fotografitë e Demirit, të shkëputura nga cikli “Dialog dhe Kompromis”. Në to autori prezanton dhe vërteton se çdo gjë duhet të fillojë dhe mbarojë me dialog, dhe se, për fat të keq në Ballakan jo rrallë, dialogu nuk përfillet dhe krijohen konflikte, absolutisht të panevojshme dhe se u duhet kohë e gjatë dhe ndërhyrje nga jashtë për t’u gjetur ndonjë kompromis.

Pra, secili nga këta tre artistë, bart më vete idenë dhe kreativitetin artistik, si dhe mesazhin e qartë se mu këto diversitete, Ballkanin e bëjnë të veçantë, dhe se duhet punuar që një ditë këto të njëjtat të formojnë një tërësi të përbashkët. Ekspozita përmban 30 punime dhe do të jetë e hapur 10 ditë.

Nxënësit e gjimnazit kryejnë punë praktike në Kolegjin Universum


Bleona Lokaj, Bubulina Kabashi dhe Adriana Zyberi nxënëse të vitit të dytë në Gjimnazin “Hajdar Dushi” në Gjakovë kanë përfunduar me sukses punën praktikë në Kolegjin Universum

Praktika është pjesë e projektit “Përkrahje Adoleshentëve pas mësimit të rregullt – ASSET” marrëveshje e cila mbështetet nga USAID Kosovo.

Ky bashkëpunim në mes të Kolegji Universum dhe USAID Kosovo ka për qëllim që përmes punës praktike, nxënësit të zhvillojnë aftësitë e tyre profesionale duke praktikuar teoritë e mësuara gjatë shkollimit të tyre.

Përveq kësaj Kolegji Universum për herë të parë në Kosovë, iu mundëson studentëve të kryejnë punë praktike me pagesë në 22 shtete të BE-së dhe Turqi. Puna praktike përfshinë një periudhë të caktuar ku studentët marrin trajnim profesional ose fitojnë përvojë pune në një kompani ose organizatë që vepron në shtetet e BE-së me të cilat Kolegji Universum ka bashkëpunim. Apliko edhe ti https://bit.ly/2HuMameGjatë periudhës së praktikës, studentët fitojnë përvojë pune në kohë të plotë në fushën që ata studiojnë.  

Përfito edhe ti praktike dhe mundësi punësimi nga Kolegji Universum, apliko këtu https://bit.ly/2HuMame. Na ndiqni në facebook & instagram, kontaktoni në [email protected] apo telefononi në +383 44 144 062.   

Erza Muqolli lanson videoklipin e këngës “Je Chanterai” në Ditën e Çlirimit të Kosovës, futë edhe fjalë shqipe (VIDEO)

Këngëtarja kosovare Erza Muqolli sapo ka lansuar këngën e parë të albumit solo, kurse sot e ka prezantuar edhe me videoklip, shkruan KultPlus.

Erza Muqolli ka njoftuar për KultPlus se kënga “Je Chanterai” është realizuar me tekst dhe kompozim të këngëtarit të famshëm francez Vianney.

 “Je Chanterai” apo në shqip “Do këndojë” përcjellë vullnetin dhe dëshirën e Erzës që ka për këndimin.

Kënga sapo është lansuar edhe me vidoklip dhe kjo këngë i paraprinë albumit të saj të parë./KultPlus.com

Pilotja e parë shqiptaro-amerikane, ky ishte roli i saj gjatë intervenimit të NATO-s në Kosovë

Me aeroplanin e saj bambardoi dhe fuqizoi aeroplanët e NATO-s derisa po kryenin intervenimin mbi caqet serbe në Kosovë. Kjo është Faruza Kallaba, shqiptaro-amerikanja e parë që për 78 ditë intervenim pati një rol shumë të rëndësishëm.

Ajo krenohet për këtë mision të vështirë që kishte. Sipas saj, në atë mënyrë ajo po ndihmonte atdheun e babait të saj.

Faruza Kallaba u lind në Damask të Sirisë, nga babai shqiptar, Haki Kallaba me prejardhje nga Kamenica, dhe nëna ukrainase, Ana Senkiewicz.

Ajo dhe familja e saj ishin shpërngulur nga Arabia në Chicago të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku edhe jetojnë sot.

Ajo është e diplomuar me Akademinë Ushtarake në Universitetin e Ilinoisit me 1989 dhe ishte femra e parë e ekuipazhit të Gardës Nacionale të Forcave ajrore të Ilinoisit, që nga viti 1984./KultPlus.com

“Gjurmët” rikthehen me koncert në Prishtinë , kryetari Ahmeti u dhuroi “Çelësin e Prishtinës”

Kryetari Shpend Ahmeti bashkë me anëtarët e grupit “Gjurmët” prezentuan detajet e koncertit që do të mbahet sonte në sallën “1 tetori”, me fillim nga ora 20:30 me moton “20 vjet në 20 këngë”.

Bashkë me Gjurmët në skenë do të ngjiten këngëtarë të njohur nga Kosova e Shqipëria si: Boiken Lako, Elina Duni, Genc Salihu, Violeta Zefi, Dren Abazi e ZigZag Orkestra, Alban Nimani, Shpat Deda, Dukagjin Lipa, Xuxi, Tomor Kuçi, Marsela Cibukaj, Edona Vatoci, Nezafete Shala, Ardian Behrami Cipa dhe grupi Polifonik për një mbrëmje “kur kanga dhe dashnia u kthyen në qyetet”!

Kryetari Ahmeti prezentoi edhe “Çelësin e Prishtinës” për “Gjurmët”duke theksuar “Nëse ka një bend i qytetit që përfaqëson Prishtinën në Kosovë dhe mbarë kombin shqiptar, pa dyshim që janë “Gjurmët”. Prandaj gëzohem se kjo po ndodhë në kohën kur unë jam Kryetar, edhe që po e prezentoj “Çelësin e Prishtinës” edhe që po organizohet koncerti i rikthimit të “Gjurmëve” në skenën e Prishtinës.

Të gjitha të hollat e mbledhura nga shitja e biletave të koncertit, i dedikohen shkollës së muzikës “Prenk Jakova”./KultPlus.com

Clinton: Kamarieri kosovar në New York, ra në gjunjë dhe më falenderoi

Ish-presidenti i SHBA-ve, Bill Clinton ka rrëfyer sot në Prishtinë një ngjarje në një nga restorantet e New York City. Kjo ndodhi pasi një ish- refugjat nga Kosova, i ra në gjunjë atij duke iu falënderuar që i shpëtoi jetën.

Ndërsa isha në darkë në reustarant një kamarier i cili doli të jetë refugjat nga Kosova, u afrua tek tryeza jonë duke më rënë në gjunj dhe më tha këto fjalë: “Zotëri, dua t’ju falënderoj. Nëse nuk do të ishit ju, unë sot nuk do të isha i gjallë”, është shprehur kosovari tashmë 32 vjeçar, i cili kishte përfunduar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1999, si pasojë e luftës në Kosovë,.

Por presidenti Clinton tha se unë dëshiroj që kosovarët duhet të punojnë në Kosovë, dua që ju të fitoni para këtu.

Clinton në Kosovë: Nderi më i madh që qëndrova krah jush

Ish-Prsidenti amerikan Bill Clinton, i pranishëm në ceremoninë e 20-vjetorit e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, tha se Shtetet e Bashkuara do të qëndrojë gjithmonë krah Kosovës.

“E dua këtë vend dhe do të jetë gjithmonë nderi më i madh në jetën time që kam qëndruar krah jush kundër spastrimit etnik dhe për liri”, tha Clinton. “Pas rënies së Murit të Berlinit dhe Bashkimit Sovjetik të gjithë konfliktet që qëndronin të mbuluar, ridolën në sipërfaqe. Pati konflikte në Bosnje dhe deri në Irlandën e Veriut, kështu menduam se nuk do të lejonim një tjetër krim në Kosovë”.

Clinton kujtoi edhe një episod që i kishte ndodhur me një emigrant shqiptar në SHBA, por i bëri thirrje qytetarëve të Kosovës që të punonin për vendin e tyre duke qëndruar aty. “Gjëja më e bukur që më ka ndodhur kur eci në rrugë në Nju Jork, madje edhe në vende të tjera të botës është kur njerëzit më falënderojnë. Madje në një rast, po darkoja me miqtë në një restorant kur një kamerier mu ul në gjunjë dhe më falënderoi. Unë jam pro emigracionit, dhe sigurisht që kemi nevojë për ju, por dua që ju ta ndërtoni jetën tuaj këtu, të fitoni para këtu”, tha Clinton.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të qëndrojnë gjithnjë krah jush, pavarësisht se cila parti është në Shtëpinë e Bardhë apo kontrollon Kongresin. Në ditën që ju shpallët Pavarësinë, pasuesi im në Presidencë, George Bush, e njohu Kosovën”, shtoi Presidenti i 42-të i Shteteve të Bashkuara.

Bill Clinton me plis (FOTO)

Fotografia: Hazir Reka

Fotografi i njohur kosovar Hazir Reka, në shenjë të 20 vjetorit të clirimit të Kosovës dhe vizitës së ish presidentit të SHBA-ve Bill Clinton në Kosovë, ka publikuar një fotografi tjetër të Clinton, shkruan KultPlus.

Reka ka postuar një fotografi ku shihet Bill Clinton me plis shqiptar, e që sipas Rekës kjo fotografi është realizuar në vitin 2009, atëherë kur Bill Clinton e kishte vizituar Kosovën./KultPlus.com

Rreze Abdullahu, apo Ana Franku e Kosovës: Unë veç s’po due me vdekë, po due me qenë gjallë

Në vitet e Luftës së Dytë botërore, Ana Frank dëshmoi për Holokaustin. Në vitin 1999, thuajse 70 vite më vonë, Rreze Abdullahu nga Ferizaj dëshmoi për mizorinë e ushtrisë dhe milicisë serbe mbi Kosovën. Analogjitë s’janë të rastit dhe do të jenë të pranishme, derisa bota të çlirohet nga eksperimentimi i metodave mesjetare edhe në kohërat moderne. Rrezja ka mbajtur shënime, kur asokohe qe vetëm nëntë vjeçe. Në nëntor të 2012-s e gjeti atë fletore, qw edhe u pat publikuar.

Në këtë ditar, është përshkrimi i luftës dhe gjithçka përreth me sytë e një fëmije. Drama e atyre ditëve është e pranishme në çdo fletë. Dhe, Rrezja, nuk e sheh luftën si lodër, por si realitet. Ajo veneron edhe imtësi, të denja për një prozë të kultivuar artistike. Në ato ditë dramatike ajo gjen kohë edhe të ëndërrojë: kur të rritej, të shkonte në Amerikë, të bëhej gazetare e të shkruante çfarë kishte parë me sytë e saj, duke harruar se, pikërisht mu në moshën 9-vjeçare, ajo po linte dëshminë e saj tronditëse.

Në ditar, janë edhe shënimet e datës 10 prill 1999, ditën kur Rrezja mbushte nëntë vjeç. “Unë veç s’po due me vdekë, po due me qenë gjallë”, ka shkruar ajo, gjë që të kujton një varg të poetit të njohur I. Sarajliq: “Të gjitha i kam provuar, përveç vdekjes”. Fleta e ditarit përmban edhe të papritura të tjera. Rrezja shkon te ushtari serb që i ruante dhe i thotë se kishte ditëlindjen dhe e pyet se a kishin me i vra. Ushtari nis e qan. Rrezja befasohet se kishte kujtuar se “shkijet nuk qajnë”.

Ja disa fragmente nga ditari i Rrezes, ashtu siç i ka shkruar ajo.

***

Krejt po folin për luftën, krejt po thojnë: Luftë, luftë.
Gjyshja ka thanë se veç Zoti mundet me na ndihmu. Un po i ndij tue folë për luftën, edhe pse krejt po dojnë me e mshefë. Nganjiherë edhe po qajnë. Në televizion kanë thanë se kanë vdekë do njerëz. Un, kur i kam vetë n’shpi, m’kanë thanë që nuk asht kjo puna e fmijve. Ne, veç duhet me luejtë. Po ne nuk jemi budallë. Un krejt e dij çka ka me u ba n’luftë. Ndoshta kanë me na vra.
Beja ka thanë: “Un ju marr në Zvicer se atje kurrë nuk bahet luftë”.

***

Ka ardh Beci me ndejtë, edhe kanë qenë tue fol me hallën. Beci ka thanë: “Janë do shkije, e kanë emrin Dora e zezë, me maska…”.
Ata kishin dashtë me marrë edhe nji djalë, te ne, e kanë kapë për setre e ai e ka zhveshë setrën e u ka ikë. Un s’muj me nga shpejt, ata mujnë me m’zanë mu, po Albani mundet me nga shpejt. Ata s’mujnë me zanë Albanin. Un e kam vetë babin, babi m’ka thanë se mos m’u tutë. Krejt burrat e mahallës hiç nuk flejnë, na ruejnë neve. Ka thanë mos m’i kallzu kërkujt: as Albanit, as Dardanit, as Ardit. Ata nuk kuptojnë sikur un. Edhe babi ka thanë se un jam princeshë e shkijet princeshat nuk i marrin. Po un nuk jam princeshë përnjimend, veç për babin. E dorës zezë hiç nuk i intereson a jam un princesha e babit a jo!
Un e kam vetë babin: “A mujna me shku n’Amerikë?”. Babi ka thanë: “Mbas lufte se ne kemi me qenë gjallë!”. Un kam m’u rritë, m’u ba e madhe, m’u ba gazetare, me shku vetë n’Amerikë, ata na dojnë ne. Un kam me taku plot njerz e kam me u kallzu për luftën tonë, për shkijet, për dorën e zezë, për fëmijtë që i kanë vra, për UÇK-në, për Adem Jasharin, për krejt, për krejt, për krejt.

***

Janë ba dy javë e ne sot kemi shkue në shkollë. Kur kemi shkue në shkollë, na ka shti msusi me lexu. Un kam qenë tue lexu. E kemi ndi oshëtimën, po nuk e kemi ditë çka ashtë tue u ba. Mirëmbajtësi i shkollës ka bërtitë që po vijnë shkijet, me ndi krejt. Mësusi e ka çelë derën e klasës, ka dal me kqyrë te dritarja edhe i ka pa shkijet te shitorja e bacit Haki, me tanke, me pushkë t’mdhaja. Mësusi na ka thanë me hy ndër banka edhe mos me qajtë. Ne jemi tutë, ama s’kemi qajtë se ka thanë mësuesi. Kemi ndejtë pak ashtu derisa ata kanë shku. Hiç s’na kanë vra këtë herë. Kam shku shpejt te klasa e Dardanit dhe e Ardit; i kam marrë ata dy dhe jemi përqafu. Kemi ndejtë mbrenda n’klasë derisa ka ardhë gjyshi me na marrë. Kur ka ardhë gjyshi s’ka mujtë gati frymë me marrë. Gjyshi plak u lodh dhe u tut shumë për ne. Kur kemi ardhë te shpija kanë qenë tue qajtë krejt. Masandej mami na ka mbaru nji tortë, ka dashtë me na gëzu. Ka thirrë Beja prej Zvicre në telefon, edhe axhi Sylë; janë mërzitë shumë dhe kanë thanë me u incizu nji video. Ne jemi veshë mirë dhe kemi recitu vjersha me i pasë ata për kujtim prej nesh, nëse kanë me na vra shkijet.

***

Kam pa andërr mbramë.
Kishin ardh shkijet këtu keshe i kanë vra babin, gjyshin, Albanin, Dardanin dhe Ardin. I kanë marrë m’u rritë nji herë (e) m’i vra. Mami keshe nuk dojke me ja dhanë shkijeve e tani e kanëë plagosë. Masandej mue ma kanë marrë fletoren, ma kanë lexu e kanë pa që un kam thanë se shkijet janë si dreqi, kanë dashtë me më vra, po nana u kaë dal përpara dhe e kanë vra nanën. Kishe ka mbetë veç mami plagostë edhe halla, e keshe mue m’kanëë marrë me m’çu n’Serbi. Jo,jo. Oh Zoti jem, un s’po du me shku n’Serbi, u kam than keshe shkijeve se ma mirë me m’vra. Un kisha qenë tue fol jerm, më ka thirrë mami, ma ka dhan do ujë me pi, edhe m’ka marrë n’gji, kemi fjetë bashkë, un s’tutna kur flej me mamin, asaj i vjen era mam. Oh Zoti jem, sa shumë e du un mamin, nuk du m’i ba kërkush keq, un luftoj edhe me shkijet për mamin! Mami i ka bërtitë Flamurit, i ka thanë: “Mos me na folë ma fjalë për luftën, as për masakra!”
Natën e mirë!

***

Mami m’ka kallzu kur ka qenë n’shkollë, studente, ka nisë lufta. Mami me shoqet e veta kishin ba demonstratë për Kosovën Republikë… Shkijet i kishin marrë mamin dhe shoqet e veta n’burg… I kanë lshue, po ma nuk i kanë lanë me shku n’shkollë. Mami, gjynah, se ka mësue shumë. Mami n’burg e kish pas emrin Tringa, mu m’ka pëlqy shumë. Mami, gati menjiherë mbas lufte, u feju dhe u martu… na ka lindë neve. S’pari ka lindë Rrezja, motra jeme qe ka vdekë, ajo kish qenë shumë e bukur.
Kahnjiherë s’po tutna me vdekë se shkojna në qiell, në qiell e takoj un motrën teme atje veshun njejtë. Nëse ne na vrajnë, ajo del me na pritë ne. Në qiell nuk ka luftë, në qiell nuk ka shkije, ka veç engjuj.
Natën e mirë!

***

Sot kemi ik prej shpije, kemi dalë krejt me traktora.
Shkijet na kanë kalu përrethi, na kanë thanë me shku në Varosh e m’u kthy me vonë. Ne kemi shku krejt, po qentë na kanë mbetë te shpija: Buci edhe Benxhi. Më ka ardhë gjynah prej Benxhit se ashtë qen plak. Un kam qeshë sot pak me gjyshin, e kam pa qe ai ka mbathë kpucat ndryshe.
Mbasdite na kanë thanë m’u kthy prap te shpija.
Oh Zoti jem, kur i kemi pa krejt shpijat tue u kallë! Njerzit kanë bërtitë shum, kanë qajtë, kanë nga. Un jam habitë, veç kam bërtitë dhe ma s’kam mujtë me lëvritë prej vendit. Tani dada Zylë ma ka mëshu shuplakë të madhe. Kemi kcy prej traktorit, krejt kemi nga te shpija, kemi dashtë me i shkymë. Un e kam pa Benxhin, e kanë plagosë. Oh Zot, Benxhi e ka pasë plumbin në qafë. Ka shku gjyshi e ka kapë në krah, kemi provu krejt me ia hjekë plumbin. Oh Zot, Benxhi po vdekë, Benxhi po cofë. Zoti jem, shkijet e kanë vra Benxhin! Pse ata e kanë vra, pse Benxhi ka qenë shumë i urtë! Benxhi nuk u ka ba keq shkijeve. Benxhi gjyshin e ka kqyrë në sy, n’drita t’synit. M’ka thanë me i ndihmu. Un s’kam mujtë, kërkush nuk ka mujtë. Oh Zoti jem, Benxhin e kanë mbytë! Mami më ka thanë mos m’e harru kurrë ket ditë. Un kurrë nuk kam me harru, kurrë nuk kam me harru Benxhin…

***

Sot asht 10 Prill.
Un sot e kam ditëlindjen. Hiç nuk jam tue e festu, askërkush nuk ma ka uru. Po un nuk jam hidhëru hiç me kërkand, un e dij, un kuptoj që asht luftë, kanë vdek shumë njerëz, i kanë vra plot fëmi, gra, pleq, edhe gra shtatzana. I kam pa në televizion, edhe i kam ndij në shpi tue folë, kanë thanë se edhe ne jemi në rrezik. Tash ne na kanë djegë krejt shpinë, na janë djegë krejt gjanat. Mue krejt fletoret, librat, kukullat prej Zvicre, aparati. Mami ka thanë se si të kryhet lufta t’i blejmë tjera. Un e kam pa, un e dij që ata janë mërzitë shumë që na kanë djegë shpinë tonë të re, jam mërzitë edhe un, krejt shoqet më kanë thanë se na e kemi shpinë shumë të mirë. Edhe un për ditëlindje kam pasë me i marr krejt klasën te shpija, me thirrë edhe mësusin. Po tash hiç ma nuk po du me festu ditëlindjen, nuk po du as me me ble kurgja. Un veç s’po du me vdekë, po du me qenë gjallë bashkë me shoqet e mija, mamin, babin, nanën (gjyshen), gjyshin, hallën, dajtë, tetën, msusin e krejt njerzit që un i du shum. Un po du krejt njerzit me qenë gjallë.
Nuk po du me na masakru sikur në televizion qysh kanë kallzu.
Sot ka shku mami te shpia, prej malit me marrë bukë, un kam ikë prej traktorit edhe kam shku te nji ushtar i Serbisë, që ka qenë tue na ruejtë. I kam thanë që e kam ditëlindjen edhe e kam vetë a kanë me na vra. Ai ja ka nisë me qajtë, un gjith kam mendu që shkijet nuk qajnë, un jam tutë shumë edhe kam ikë shpejt, shpejt…
Ndoshta ata nuk na vrajnë neve, fëmijve, po çka me ba na fëmia vetë, nëse ata i vrajnë këta tjerët, qysh kemi me jetu na vetë?!

***

Na kanë than m’u nisë, me dalë prej ktu, na kanë përzanë prej vendit tonë, prej Kosovës. Rrugës kemi pa plot kafshë, edhe ato kanë mbetë pa shpi, edhe ato janë tue u tutë. Shkijet na kanë lypë pare rrugës, ama nuk e kanë vra kërkand, kta shkije kishin qenë ma të mirë. Janë tue na çu në Maqedoni, atje ka plot shqiptarë. Jemi n’kufi t’Maqedonisë, jemi tue pritë qe s’di sa orë. Po na japin ndihma, po na japin ushqim, mbulojë. Dita ka shkue me i ndihmu t’smutit, ka shumë njerz qe janë t’smutë, edhe nana u s’mu, pa vetdije, gati asht tue vdekë, gjyshi asht smutë pak ma pak. Veç po vjellin, kanë marrë ilaçe. Un s’po du me vdekë nana dhe gjyshi; kemi shpëtu gati prej shkijeve, veç edhe pak dhe kufinin kemi me kalu.

***

Nuk e di po un sot shumë jam mërzitë.
Nji ditë ka me ardhë liria e ne kemi m’u kthy n’Kosovë, n’vendin tonë, n’shpijat tona, në shkollën tonë.
Këtu njerzit janë shum t’mirë, po un s’po dukem sikur te shpija! Po më duket sikur zemra jeme asht krejt e zbraztë. Ktu po folet edhe maqedonisht, po më duket mue sikur janë shkije. Ne po na shtijnë me lexu, me msu maqedonisht. Msuesja hiç s’po na don. Nuk e di, nuk e di, n’shpi, n’Kosovë krejt janë ma t’mirë. Edhe mue m’kanë dhanë plot kukulla, po un s’po muj m’u knaqë ma, s’po muj. Mue shpesh po më kujtohen krejt. Edhe Benxhi, sytë e Benxhit me lot. Ktu edhe gjumi po më vjen ma ndryshe. Ndoshta n’Shqipëri me shku isha knaqë ma shumë se janë krejt shqiptarë. Krejt sendet po m’vijnë pa lidhje edhe pse jemi gjallë. Kurgja nuk asht si n’shpi, kurgja. Nuk kam ma çka kam pasë n’shpi, krejt jeta ka ndryshu.
Mami na ka thanë nji ditë: “Lufta u ka rritë para kohe”.

***

Un nuk e di a ka me u ba ndonjiherë jeta normale, a kemi m’u kthy qysh kemi qenë. Kjo nuk mundet me ndodhë, njerzit kanë vdekë edhe s’mujnë m’u ngjallë, ata që janë gjallë s’kanë ma pare me i mbaru shpijat.
Ne nuk mujna me harru luftën kurrhiç, bash kurrë.
Edhe pse gati po vjen liria, ne po gzohemi, po çka për ata që ju kanë vra familjet? Un nuk po muj me ditë a asht gzim apo çka! Më ka marrë malli me dalë n’mal, me shetitë, m’ka marrë malli me vrapu, m’ka marrë malli me luejtë me shoqe, m’ka marrë malli mos m’u tutë, m’ka marr malli me kqyrë nji film vizatimor edhe me qesh shumë.
Lajme, lajme, veç lajme. Luftë, luftë, luftë, veç luftë.
Mirë ka thanë mami. Po më duket sikur nuk jam hala fmi, jam e madhe duhet me kuptu edhe luftën që e bëjnë njerzit e mdhaj. Kahnjiherë po më duket sikur prrallë, prrallë e keqe me përbindsha që na tregojke gjyshi. Po prrallat e gjyshit u kryhshin, kjo jo, hiç s’po kryhet. Me prrallat e gjyshit ne flejshim e me kta s’po na nxe gjumi.
Ah, kur t’kthehemi te nji ditë te shpija, sa shumë malli m’ka marrë e t’i ndihmoj mamit me mbjellë lule, lule t’kuqe edhe t’bardha, lule me erë të mirë, mos me ardhë ma era luftë. Kur t’shkojmë n’shkollë, ta përqafoj msusin me duer e shoqet t’i shtrëngoj shumë. Kur vjen dita me shku te shpija, kur edhe pse ma s’kemi shpi, ne atje e kemi shpinë, kemi m’u kthy n’oborr me fjetë.
Shpija jonë e djegtë, Benxhi jonë i vdektë, m’ka marr malli shumë!

***

Po kthehemi n’shpi, po shkoj.
Shkijet kanë ikë prej Kosove. Kosova asht e lirë. E di, ne s’kemi shpi ma, s’kemi kurgja, po ne e kemi Kosovën e lirë, Kosovën pa luftë.
Ne s’kemi me u tutë ma, kemi me jetu sikur n’krejt botën. Ne jemi gjallë. Ne po shkojmë te shpija. Krejt po qajnë prej gzimit. Un e kam dijtë që liria asht e mirë, po jo kaq shumë!
Po shkojmë te shpija, te Kosova ime me lot e me gjak. Te Kosova ime e djegtë, te Kosova ime e lirë.
Të dua, Kosovë!/KultPlus.com

Këtu mund ta shikoni live ceremoninë e 20 vjetorit të Çlirimit të Kosovës

Për shënimin e 20 vjetorit të Çlirimit të Kosovës është organizuar një ceremoni solemne ku po marrin pjesë miqtë më të mëdhenjë të Kosovës, si ish presidenti i SHBA-ve Bill Clinton,  ish-sekretarja Madeleine Albright, dhe shumë personalitete tjera vendore e ndërkombëtare.

Me këtë rast, nga ora 11:00, në sheshin “Skënderbeu” do të mbahet tubimi qendror i shënimit të 20-vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë.

Ndërsa nga ora 14:00 do të jetë “Ecja për liri”, për të vazhduar drejt sheshit “Albright”, afër American School of Kosova, për të bërë përurimin e bustit të ish-sekretares Albright.

Ndërkaq në orën 15:00, do të bëhet vizitë në Bulevardin ‘Bill Clinton’, afër shtatores së ish-presidentit Clinton./KultPlus.com

Haradinaj i dhuron Albrightit një pullë postare me figurën e saj

 

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka pritur në takim ish-sekretaren Amerikane të Shtetit, Madeleine Albright.

I pari i Qeverisë u shpreh falënderues ndaj ish-sekretares për angazhimin e saj dhe SHBA-së për çlirimin e Kosovës.

Ish-sekretarja Amerikane e Shtetit, Madeleine Albright sërish shprehu admirimin që ka për popullin e Kosovës dhe tha se është privilegj për të që merr pjesë në përvjetorin e 20 të çlirimit të Kosovës.

Në shenjë mirënjohje, kryeministri i dhuroi një pullë postare ish- sekretares Madeleine Albright.

Një ndër fotografitë më të famshme në mediet botërore

Fotografia më poshtë bën pjesë thuaja se në të gjitha listat e “Fotografive më të famshme të historisë” të përpiluara nga mediet botërore.

Tregon Agimin, refugjatin 2 vjeçar që bartet përmes telave me gjemba në duart e gjyshërve të tij në një kamp në Shqipëri, mars 1999./KultPlus.com

Jusuf Buxhovi promovon librin “Maqedonia nga antika deri te koha jonë”

Autori Jusuf Buxhovi sot promovon në kryeqytet librin e tij më të ri “Maqedonia nga antika deri te koha jonë”.

Në këtë vepër voluminoze, autori, jo vetëm që i plotëson me argumente të tjera disa nga tezat e shfaqura në “Kosovën” në tetë vëllime rreth ndërlidhjes së ilirëve me pellazgët dhe të rolit të madh të Dardanëve e Dardanisë në formimin e perandorive të mëdha botërore: Trojës, Romës dhe të Bizantit me ç’rast ata shihen edhe si shtrat i qytetërimit antik, por qëndrimin për mosekzistencën e “shtetit mesjetar serb” dhe të gënjeshtrën për gjoja “Kosovën – djep shpirtëror dhe historik serb” e riformulon me shkëputjen e Rashës dhe dinastisë së Nemanjajve nga origjina sllave (serbe) duke e ndërlidhur atë me origjinën e botës ilire.

Promovimi mbahet në ora 18:00 në librarinë Dukagjini./KultPlus.com

Rugova i kishte thënë Bill Clinton: Ti duhet të na ndihmosh, meqenëse kemi një pikë të përbashkët

Në 20 vjetorin e bombardimeve të NATO-s në Kosovë, në Prishtinë është duke qëndruar ish-presidenti i Amerikës, Bill Clinton.

Presidenti i 42-të amerikan, kur erdhi në nëntor të vitit 2009 mbajti një fjalim në Parlamentin e Kosovës, teksa përshëndetjen e nisi duke ndarë një kujtim që kishte me ish-presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova.

“Dua ta përkujtoj ish-presidentin Rugova, i cili ishte një njeri i shkëlqyeshëm. Kuj­toj dhuratën që ai më ofroi, një gur unik, gjysmë kristali. Ishte ky gur që u bë i njohur edhe në Shtëpinë e Bardhë, si “Guri i Rugov­ës” në kohën që merreshim me problemet e Kosovës… Presidenti Rugova më dha këtë kristal të bukur. Unë ia shpjegova atij se jam rritur në një vend që në aspektin gjeologjik ngjan me Kosovën. Meqë vendlindja ime, Arkanzasi, ishte burimi më i madh i krista­leve të papërpunuara. Kur ia tregova presidentit Rugova, atëherë ai tha se: – Ti duhet të na ndihmosh, meqenëse kemi një pikë të përbashkët, sepse është fati i tillë” – kujtonte Presidenti Clinton këtë episod me Presidentin Historik të Kosovës./KultPlus.com

20 vjet nga hyrja e NATO-s në Kosovë

Sot bëhen 20 vjet që kur trupat e NATO-s u futën në Kosovë për t’i dhënë fund masakrave dhe gjenocidit serb mbi qytetarët e pafajshëm të Kosovës.

Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, i parapriu një lufte të ashpër mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave serbe (ushtrisë, policisë dhe paramilitarëve) dhe pas shumë masakrave të kryera ndaj civilëve shqiptarë.

Hyrja e trupave të NATO-s u bë pas marrëveshjes së Kumanovës ndërmjet zyrtarëve serbë dhe autoriteteve të NATO-s, të udhëhequra në atë kohë nga gjenerali britanik, Mike Jackson.

këtë marrëveshje, Serbia ishte detyruar të tërheqë të gjitha forcat e saja policore dhe ushtarake nga Kosova.

Dita e Çlirimit të Kosovës, së bashku me pavarësinë, konsiderohen si ngjarje që kanë shënuar kthesën më të madhe në histori.

Me rastin e shënimit të 20-vjetori ti të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, në Kosovë kanë ardhur ish-presidenti i SHBA-së Bill Clinton, ish-sekretarja Madeleine Albright, dhe shumë personalitete tjera vendore e ndërkombëtare.

Me këtë rast, nga ora 11:00, në sheshin “Skënderbeu” do të mbahet tubimi qendror i shënimit të 20-vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë.

Ndërsa nga ora 14:00 do të jetë “Ecja për liri”, për të vazhduar drejt sheshit “Albright”, afër American School of Kosova, për të bërë përurimin e bustit të ish-sekretares Albright.

Ndërkaq në orën 15:00, do të bëhet vizitë në Bulevardin ‘Bill Clinton’, afër shtatores së ish-presidentit Clinton.

Edhe Wesley Clark në Kosovë për të festuar 20- vjetorin e çlirimit

Ish-komandanti i Forcave Aleate të NATO-s në Evropë, gjenerali Wesley Clark, do të jetë pjesë e shënimit të përvjetorit të njëzet të çlirimit të Kosovës.

Fillimisht, Clark do të pritet nga kreu i shtetit, Hashim Thaçi në një takim të paralajmëruar në ora 10:00.

Më pas, ai do të marrë pjesë në tubimin qendror në shënimin e 20 vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë në sheshin “Skënderbeu”.

Në orët e pasdites, do të jetë kryeparlamentari Kadri Veseli ai që do të presë në takim gjeneralin Clark.

Ndërsa, ish-komandanti i Forcave të NATO-s në Evropë do të pritet edhe nga kryeministri Ramush Haradinaj./KultPlus.com

Ekskluzive për KultPlus: Flet djali me fanellë të kuqe në fotografinë e para 20 viteve me Bill Clinton

I kishte vetëm gjashtë vjet dhe në palcën e tij e kishte përjetuar luftën e Kosovës, pikërisht në fshatin e lindjes në Llashticë të Gjilanit.

Ai kujton tmerret e asaj kohe që pak shpresë kishte atëherë se do të mbijetonte. Ilir Ramushi tashmë 26 vjec kujton për KultPlus edhe braktisjen e fshatit bashkë me 1500 fshatarë, pas masakrave të shumta, djegies së fshatit dhe vrasjes së mbi 25 personave.

“Kur kanë hyrë serbët në fshatin tonë kanë vrarë edhe gjyshen time, gjyshja ime ishte vajza e heroit të madh Idriz Seferit”, ka thënë Ramushi.

Dhe nuk e kishte menduar se nga ajo vuajtje e madhe, ai një ditë do të takonte presidentin më të dashur amerikan për shqiptarët, Bill Clinton.

Ai bashkë me fshatarët e tij kishte shkuar në kampin e Stankovecit, dhe atë kamp e kishte vizituar presidenti i SHBA-ve, dhe pikërisht Iliri i vogël kishte fatin të kapte dhe të shtrëngonte për dore Bill Clinton.

“Është një ndjenjë e papërshkrueshme, një emocion që ndodhë vetëm një herë në jetë”, ka thënë Ilir Ramushi për KultPlus, i cili dha këto detaje për gazetën tonë para disa ditëve.

Tash si një ekonomist i diplomuar, ai shpreson që edhe të mërkurën ta takojë nga afër Bill Clinton, një njeri që shpëtoi popullin e tij, edhe pse, sipas tij, ai ka shpresuar që për këto 20 vite do të ndryshonte  Kosova me një hap më të madh.

Ilir Ramushi në fotografinë me Bill Clinton është bashkë me motrat e tij, sikurse edhe me fëmijët e tjerë që i ka familjarë të afërm. /KultPlus.com

Arti dhe mediet në luftë kundër stigmatizmit

Në kuadër të edicionit të shtatë të FemArt është mbajtur paneli i radhës lidhur me influencën e medieve në ngritjen e zërit të çështjeve të rëndësishme shoqërore, veçanërisht mbi rastet e dhunës seksuale gjatë luftës së Kosovës. Përballë hulumtueses dhe njëherit moderatores së këtij paneli, Donika Emini, kanë qenë artistja dhe aktivistja Eliza Hoxha, drejtoresha e platformës kulturore KultPlus, Ardianë Pajaziti dhe fotoreporterja, Ramize Murtezi-Shala nga RTK dhe Valerie Plesch, gazetare e pavarur.

Ky ka qenë paneli i fundit i ditës, por jo më pak i rëndësishëm se të tjerët duke parë që mediet dhe arti janë gjithmonë në frontin e parë në luftën kundër stigmatizmit dhe kunder keqinformimit propagandistik nga politika.

Në fjalën hyrëse të këtij paneli Emini i ka falënderuar pjesëmarrëset që kanë përdorur forcën dhe pozicionin e tyre për të gjetur hapësirën për të diskutuar dhe për të luftuar në krah të viktimave të luftës së Kosovës, qofshin ato viktima seksuale apo viktima të tjera.

Artistja dhe aktivistja Eliza Hoxha ka filluar fjalimin e saj duke cituar një anëtar të Parlamentit të Kosovës i cili kishte thënë ‘këto gra janë turpi i Kosovës’ gjë që thotë se ka qenë motivimi i saj për t’u marrë me këto cështje. Ajo gjithashtu ka qenë ideatorja e ekspozitës që hapi edicionin e shtatë të FemArt. Hoxha ka shtuar që për të muzika, prej një pasioni është kthyer në një mision për t’i ndihmuar gratë e dhunuara. Pavarësisht ngadalësisë së proceseve të drejtësisë, ajo ka thënë që fakti se kjo temë po flitet në festivalin e vetëm feminist  në rajon do të thotë që kjo temë po pranohet nga shoqëria dhe të gjithë ne po iu dalim në krahë grave të prekura nga kjo padrejtësi. Hoxha ka falenderuar Vasfije Krasniqin që është bërë fytyra e kësaj lëvizjeje të ndjeshme që ka prekur një numër të madh të grave.

Ideve të zonjës Hoxha i është bashkuar edhe gazetarja Ramize Murtezi Shala, gruaja që ka arritur ta sjellë para publikut historinë e dhimbshme të Vasfije Krasniqi Goodman. Ajo ka shtuar që të gjitha rastet e dhunës hasin në rezistencë në insitucionet e drejtësisë. Ajo ka treguar që ka pasur raste, që përmes dokumentarëve, të njohë raste të shumëta të dhunës brenda familjes, gjë që sipas saj është pritur me indiferencë nga publiku. Ajo ka treguar në detaje për intervisten e saj me Vasfije Krasniqin duke thënë që problemi më i madh i gazetarisë në Kosovë është që të gjendet qasja më e mirë që të prezantohen temat e ndjeshme si dhuna seksuale gjatë luftes dhe pas saj. Ajo e ka fajësuar stigmatizimin në mungesën e rrëfimeve si ai i zonjës Vasfije. Ajo thotë se në raste të tilla viktimave iu fshehet fytyra e zëri dhe kjo bën që historia të mos ketë efekt te publiku apo te dëgjuesit.

Fjalës së Ramize Murtezi Shala  i është bashkangjitur edhe Ardianë Pajaziti e cila ka treguar se si e kanë pritur mediet një lajm të tillë. Ajo ka theksuar që mediet kanë një rol shumë të madh në plasimin e rasteve të tilla dhe ka kërkuar që të bëhemi më të sinqertë, duke parë që mediet nuk e kanë pasur vullnetin e duhur që të bëjnë diçka humane, por duke parë interesat.  Pajaziti ka treguar punën që ka bërë mediumi i saj në serinë e rrëfimeve që ka publikuar, duke thënë që ajo dhe i gjithë mediumi kanë vërtetuar se shoqëria e jonë nuk është e gatshme të qëndrojë gjatë me dhimbjen. Ajo ka shtuar që shqiptarët janë një popull euforik dhe nuk kanë interes të gjatë për një temë, edhe kur është një temë e ndjeshme si kjo. Ajo e ka falenderuar zonjen Vasfije Krasniqin për dëshminë e saj, por ka potencuar përsëri që mediet nuk kanë bërë shumë për tu interesuar që të bëjnë presion medial për të kërkuar drejtësinë për Vasfije Krasniqin, pos asaj, publikimin e rrëfimit të saj.

Ndërkohë fotoreporterja Valerie Plesch ka treguar se si ka arritur që ta bëjë edhe popullin amerikan të interesohet me çështjet e dhunimit të grave duke i bërë këto histori relevante për qytetarët e atyshëm. Gjatë gjithë këtij paneli zonjat kanë provuar të sqarojnë për publikun që historia e Vasfije Krasniqit  ka qenë e publikuar në shumë mediume, përfshirë këtu edhe prestigjozen the Guardian, por historia e saj ka bërë bujë vetëm kur është vizualizuar në intervistën frymëmarrëse me gazetaren Ramize Murtezi Shala./RronaJaka/KultPlus.com

“O moj Shqipëri” shënon 20-të vjetorin e Çlirimit të Kosovës

Koreografi Pëllumb Agalliu është kthyer nga Azerbejxhani në Teatrin Kombëar për të shënuar 20-vjetorin e çlirimit të Kosovës me shfaqjen e baletit “O moj Shqipëri”, shkruan  KultPlus.

Agalliu, tematikën e kësaj shfaqjeje e ka ndarë në tri faza, si simbolikë e periudhave në të cilat ka kaluar populli shqiptar, e premierës së natës së sotme i ka paraprirë një konferencë për medie, në të cilën Pëllumb Agalliu ka sqaruar për publikun motivet e kësaj shfaqjeje, me ç’rast ka thënë që titulli vjen i rimodeluar nga poema e famshme e Pashko Vasës, si dhe tematikën që trajton Sami Frashëri në veprën monumentale “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet”.

Kritikët dhe miqtë e kompozitorit kanë treguar se Agalliu e ka kombinuar kulturën e pasur të letrave shqipe me simfoninë e IX të gjeniut të muzikës klasike Ludwig van Beethoven duke simbolizuar artistikisht sulmet ajrore të NATO-s, të cilat i dhanë fund luftës që kishte qëllim spastrimin etnik të kosovarëve.

Pas ndarjes tripjesëshe të kësaj shfaqjeje fshihet një mesazh tejet i fuqishëm dhe i mbushur, si me emocion ashtu edhe me filozofi.

Ashtu siç kishte bërë Sami Frashëri para tij, Agalliu e ndanë Shqipërinë në: Shqipëria e bashkuar, Shqipëria e ndarë dhe Shqipëria e çliruar nga miqtë euroatlantikë.

I pyetur nga KultPlus për finalizimin e shfaqjes ai u shpreh shumë i kënaqur, si gjatë provave gjenerale ashtu eshe gjatë performancës së belerinëve. Përmes buzëqeshjeve dhe lëvizjeve të koordinuara ata ju ftojnë në dramën e tyre për t’iu treguar përmes lëvizjeve historinë se si u çlirua Kosova. Efektet dramatike, tymi, veshjet dhe mimikat e balerinëve rrisin emocionin dhe na rikthejnë prapë në kohën e luftës. Perveç tjerash shfaqja shoqërohet nga poezia ‘O moj Shqipni’ nga Pashko Vasa Rikujtojmë gjithashtu se premiera e natës së sotme, performuar nga Trupa e Baletit të Kosovës do të shfaqet edhe me rastin e festimeve për 20-vjetorin e Çlirimit të Kosovës, si kërkesë e veçantë e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Përveç kësaj shfaqjeje, shfaqjet më të famshme të Agalliut janë: ‘Carmen’, ‘E bardha, e zeza’, ‘Diplomatët’ e shumë të tjera./Rrona Jaka/KultPlus.com