Pjetër Gaci e kishte ndjerë se kishte krijuar një këngë himn: Ky do të jetë hymni që i kam kushtue atdheut, ka për të pasë jetën gjatë

Nga Pjeter Logoreci

Ishin vitet e vështira të represionit komunist, kur njerëzit kishin frikë „edhe me folë me vete“. Ishte koha kur partia – shtet, mori rolin e “radiologut”, duke kaluar në rëntgen e duke nxjerrë të prekur dhe me hije në biografi, me dhjetëra viktima të pafajshme ndër atdhetar dhe intelektual. Ndër plenumet dhe kongreset e kohës, diktatori, porosiste që arti dhe kultura të ruheshin të paprekur “nga influencat borgjezo revizioniste” që kërkonin të çorodisnin “kulturën tonë socialiste”. Nën zë, filluan të qarkullonin fjalë për largimin nga Tirana,(kupto dëbimin) të disa personaliteteve të mirënjohur, për arsye të ndryshme ideologjike apo pse ishin të martuar me gra ruse që i njohën gjatë kohës së studimeve në Bashkimin Sovjetik.


Kujtoj që në këto rrethana, diku rreth vitit 1976, në qytetin e Shkodres ra në sy prania e një çifti¸ i veçantë nga të tjerët. Kurioziteti i jetës monotone të periferisë u“ngacmua” nga dy figura për të cilat u fol shumë, nganjëherë me simpati (kush i njihte nga afër), por edhe me fjalë të ashpra e agresive nga njerëz që jetonin me parimin e luftës së klasave apo që ishin të porositur të flisnin ashtu. Një burrë dhe një grua në moshë të mesme, të veshur thjeshtë, të shkurtë nga shtati, që rrezatonin kulturë e tolerancë, që kalonin të heshtur në itinerarin e përditshëm që ishte “i përcaktuar” nga vendi i punës deri në pallatin ku banonin. Ishte artisti shkodran Pjeter Gaci me gruan e tij ruse Tamara, te cilët “zgjodhën” qytetin e Shkodres për të (mbi)jetuar.

E kush nuk kishte dëgjuar për artistin Pjeter Gaci, i cili ishte pjesë e pandarë e jetës muzikore shqiptare?. Artist i kompletuar, me të gjitha premisat e një virtuozi – gjeniu, si instrumentist – solist në violinë, kompozitor i një sërë veprash që mbetën trashëgimi me vlerë në fondin e muzikës shqiptare. Kush nuk kishte dëgjuar për artistin që e karakterizon te ndjenja e hollë kombëtare, burrin e vogël plot sharm e humor të këndshëm, zbuluesin dhe edukuesin e shumë talenteve me të cilët Shqipëria krenohej në botë?

Pjetri, ashtu si emri që mbante (Lat: Guri), ishte një gurë i fortë në tabanin kombëtar. Ai lindi më 27 mars 1931, në një familje të thjeshtë nga fshati Shirq, por u rrit në Shirokë. Qysh fëmijë shfaqi shenjat e para të talentit si muzikant dhe instrumentist. Në familjen e tij, në çdo festë këndonin të gjithë dhe përdoreshin shumë vegla muzikore.

Babai i tij Gaci, ishte rapsod i njohur. Ai i kompozonte, luante dhe këndonte vetë këngët e tija. Pjetri që mundohej të ishte si babai i tij, që fëmijë përdorte shumë vegla (kitarën, violinën, mandolinën, fisarmonikën), aq sa ra në sy të disa qytetarëve italian që atë kohë banonin tek Vila e Zogut, pranë shtëpisë së tyre në Shirokë. Italianët i patën kërkuar Gacit që ta dërgonin në Itali djaloshin e talentuar, por i ati për arsye moshe nuk e lejoj.

Nëna e Pjetrit, Mrika, e cila ishte shtëpiake, pat tre fëmijë: Ndocin, Luken dhe Pjetrin. Prindërit¸ për të zhvilluar talentin e djalit, e dërguan atë në Kolegjin e Jezuiteve në Shkoder. Deri sa u hap konvikti shtetëror i shkollës 28 Nentori, ku u njoh edhe me mikun e tij Rifat Teqja, ai së bashku me shokun e fëmijërisë Ernest Volaj, rrugëtonin në këmbë çdo ditë nga Shiroka në Shkoder. Pas mbarimit të gjimnazit, Pjetri hyri në Liceun e kryeqytetit në degën e violinës ku falë talentit të tij si instrumentist ra në sy të artistëve rus të cilët e ndihmuan të shkonte në Konservatorin P.I. Tchaikowsky të Moskës.

Kur Pjetri u paraqit para komisionit të pranimit në konsevator, ka treguar ish studenti dhe kolegu Cesk Zadeja (i cili luante dhe rolin e përkthyesit për studentet e rinj në Konservator), teknika e egzekutimit të tij në violinë tërhoqi vemendjen e profesorit tënjohur Jan Polski i cili e dëgjoj rastësisht tek po kalonte atypari. Ai e quajti interpretimin e Pjetrit – BRILANT – dhe kërkoj ti shikonte dorën violinistit shqiptar. Më pas Polski i rekomandoj komisionit:…. pranimin e konkurrentit dhe planifikimin në grupin e studentëve të tij.

Pjetri ishte një instrumentist i lindur. Natyra i kishte dhuruar atij një dorë të veçantë nga të tjerët, tek ai dy gishtat e mesëm të dorës kishin gjatësi të njëjtë, gjë që çuditi pa masë Prof. Polski-n, dhe që e favorizonte shumë violinistin Pjeter Gaci. Ai filloj studimet në vitin 1953 deri në fund të vitit studentor 1956. Më pas Pjetri kthehet në Shqipëri për pushime dhe nuk lejohet nga shteti komunist për tu kthyer më në Moskë. Lidhja me Tamaren, vajzën nga Moska, nuk u pa me sy të mirë nga regjimi i cili në vazhdim nuk i aprovon Pjetrit kërkesën për të bërë specializimin një vjeçar dhe mbrojtjen e diplomës.

Në Tiranë, punësohet si violinist i thjeshtë pranë orkestrës simfonike, ku ra në sy virtuoziteti i tij. Me kërkesën e diplomatëve të huaj të cilët e vlerësonin për talentin e tij, ai ishte i pranishëm si solist në shumë koncerte prestigjioze. Po me këmbënguljen e ambasadorëve të huaj, Pjetrin e emëruan udhëheqës artistik në estradën e shtetit (ku përfshihej Cirku e Teatri i Kukullave), ku qëndroj afro dy vite, për të punuar më pasi pedagog në liceun artistik të Tiranës. Këtu, ai u mundua të stimulonte tek nxënësit e talentuar të liceut, që i zgjidhte vetë, mundësitë që regjimi komunist ja privoi atij. Pjetri nuk mjaftohej me elementët që vinin për të konkuruar në Lice, por dilte vetë ndër zona të ndryshme të atdheut për të kërkuar e zbuluar talente për shkollën. Mbas periudhës së Liceut 1959 deri 1976, ai u la në profesion të lirë ku u mor me kompozime të ndryshme, krijime këngësh për koncertet e majit dhe festivalet kombëtare, pjesësh muzikore për violinë, duke pasuruar kështu fondin kombëtar të RTSH-së.

Dëshiroj të theksoj që prishja e marrëdhënieve me BS-në, shkaktoj një termet ekonomiko – psikologjik edhe për violinistin më të famshëm të kombit tonë, Pjeter Gacin. Ai u bë viktimë e egërsisë, terrorit e hakmarrjes komuniste. I parë si “filo-rus”, pedagogu i Liceut Pjeter Gaci u dërgua dhunshëm në Kavajë si ushtar i thjeshtë duke braktisur familjen, gruan dhe prindërit pleq që jetonin së bashku në Tiranë. Ishte zemërgjerësia, por edhe simpatia për kulturën dhe talentin e virtuozit “ushtar”, që e shtyu Gjeneralin Abaz Fejzo për ta ndihmuar në heshtje Pjetrin “për ti ruajtur duart e gishtat e artë që prodhonin muzikë” duke e vendosur atë në bibliotekën e shtëpisë së ushtarakëve në Durrës. Nën presionin e ngjarjeve të kohës dhe shtetit diktatorial, Tamara kërkon shtetësinë shqiptare. Me marrjen e shtetësisë, partia vendosë të kthejë Pjetrin në gjirin e familjes duke e liruar nga ushtria para kohe.
Pat edhe njerëz që na deshën dhe që u përpoqën të na ndihmonin (por duke na qëndruar larg), me tregon gjatë bisedës tonë gruaja e shumëvuajtur Tamara Gaci. Një herë një nëpunës i lartë në ministrinë e arsimit (Ma.Ba) e këshillon Pjetrin, fshehtas në një cep rruge, që të largohet nga Tirana, pasi është në qendër të vemendjess ë ekzekutivit. Ndër kohë që presioni politik mbi artistin shtohej, Tamaren e largojnë nga puna në radio Tirana dhe e dërgojnë në repartin e sixhadeve të ndërmarrjes Migjeni, ndërsa Pjetrin për ta pasur “nën kontroll”, e komandojnë në Vlorë. Edhe ndër këto momente frikë dhe denigrimi, humori i Pjetrit nuk u shterrua. Janë të njohura batutat me të cilat ai i përgjigjej ndonjë provokatori apo ndonjë miku që mundohej ta ngushëllonte. Kur kuadrot e partisë në Vlorë, ku Pjetri nuk ndjehej mirë, e këshillonin të mos largohej por të qëndrojë aty, Pjetri i përgjigjej me humorin e tij plot sharm…..Nuk kam si rri ktu! …A keni ndi ndoj herë qi ka ndonji lab nga Shkodra?

Shkodra ishte qyteti ku familja Gaci, në vitin 1976, vendos të transferohet për të(mbi)jetuar, mbasi ndjeheshin më mirë, ishin në mesin e njerëzve që i njihnin dhe i vlerësonin, në mes të familjarëve, që ja zbutnin sadopak dhimbjen shpirtërore bashkëshortëve. Megjithatë edhe këtu rrethi dhe takimet me njerëzit ishin të kufizuar. Shpesh herë i duhej të bënte sikur nuk i shikonte shokët apo miqtë që i kalonin pranë. Një herë – tregon Tamara¸ u përballëm me Doktor Sandër Ashtën i cili po vinte përballë nesh bashkë me gruan e tij. Kur na pau, nga gëzimi, hapi krahët dhe me za të lartë e mall filloj të gëzohej për këtë takimin. Pjetri, i cili kishte vërejt nga krahu tjetër i rrugës, një“tip partiak” nuk reagoj, por i kaloj afër duke i pëshpëritur: ….largohu Sandër, kalo se nuk asht mire të më takosh, …sapo kam ra prej fikut….. e mund të jetë keq për ty….Doktori me shpirtmadhësinë që e karakterizonte, duke e marrë në krahë Pjetrin i thotë:….. ku e merr atë fat,……me na ra fiq puca si ti në Shkoder.

Në Shkoder,Pjetri filloj të punonte si pedagog i violinës në shkollën e muzikës ndërsa Tamara si llogaritare në Befetrof-in (Shtëpia e foshnjës) e qytetit. Gjendja e rëndë shpirtërore e muzikantit nuk i linte hapësirë për frymëzimin e domosdoshëm për një kompozitor. Një ditë – kujton Tamara, ai erdhi shumë i tronditur nga rruga. Nuk e kuptova se çka kishte ngjarë, por mu drejtua me këto fjalë:…….Unë jam gjallë, por Pjeter Gaci ka vdekë…

Vështirësitë e mëdha ekonomike e izoluan artistin nga rrethet e larta të artit, ku homologet e tij, jo aq për merita se sa si servile të politikës së kohës, gëzonin favore të pamerituara. Edhe pse i varfër dhe i lënë në harresë, ai ishte kurdoherë dinjitoz dhe nuk pranoj kurrë të lëpijë kockat e diktaturës, që disa nga ish studentët e Moskës, i kishin gëdhtitur me kohë. Madhështia e veprave e puna e pashembullt e tij, penguan më të rëndën, burgun politik. Lufta e klasave, por më shumë keqdashja dhe ambicia në mes kolegësh, sollën shumë viktima¸ ndër to edhe burgosjen e super talentit Luk Kaçaj. Për asnjë moment, Tamara, nuk vërejti tek Pjetri “lodhjen” apo “ftohjen” bashkëshortore, si rezultat i presionit e intrigave të klanit të muzikantëve të kuq.

Ndërrimi i sistemeve nuk solli ndonjë ndryshim të madh në jetën e artistit tonë. Puna me nxënësit mbetej kënaqësia e vetme e jetës artistike për Pjeter Gacin. Shpesh i thoshte shokëve ”.. do ti dërgoj Tiranës dy talente shpërthyes që do të zotërojnë skenën kombëtare…Lorenc Radovanin dhe Elisabeta Qyrsaqin Dodmasej… “

Ekonomikisht, Pjetri merrte një pension prej 8800 lekësh që nuk i plotësonte as nevojat për “cingare partizani”. Ai, për të plotësuar nevojat e familjes, u detyrua të shesë pianon, mjetin e vetëm të punës që ishte gjysma e shpirtit të tij. Për të mbijetuar përpiqej të bënte punë dytësore duke u aktivizuar në projekte të ndryshme artistike në qytet, por edhe kombëtare. Kohën e lirë e kalonte në natyrë ku gjente edhe burimin e frymëzimit. Peshkimi ishte hobby i tij, por edhe kontakti me shokë e miq. Kalonte shumë kohë me kallamin e tij së bashku me artistët Danish Jukni e Ferid Kola, ndër brigjet e Velipojës apo të liqenit. Tamara më tregon që:….nga dëshira për me pasë një mjet ma të sofistikuem në gjuetinë e peshkut, Pjetri kishte ndertue (projektue) vetë MAKINETEN të cilën ja realizuan miqtë e tij mekanikë në ofiçinën e NSHRAK-ut.

Fliste gjithnjë me simpati për shokët e tij Rifat Teqja, Gjon Simoni, Gasper Curcia, Nikolla Zoraqi, Pavlin Shtjefnin e Zef Coben. Kujtonte shpesh me nostalgji miqësinë me piktorin Guri Madhi, dekanin e fakultetit të historisë Ali Ostrenin, tenorin Latif Hoxha, kompozitorin Tonin Harapi, piktorin Kel Kodheli. Me Kel Kodhelin që ishte komshi i tij (në Tiranë), Pjetri kishte shumë episode humori. Tregojnë që Keli të gjithë bisedat i fillonte tuj përmendë gruen e tij Rozen, gjë qi e bezdiste shumë Pjetrin:….Po lene Rozen, të paktën një ditë, pa e përmendë he burrë…!!! i lutej ai. Vjen rasti me ly apartamentin e Pjetri tuj kenë që ishte Dalton e nuk dallonte ngjyrat, i kërkon ndihmë Kelit që si piktor ti jepte nji ide bojaxhiut për ngjyrën e dhomës së gjumit…. Keli që priste me u “hakmarrë” me Pjetrin që nuk mund të ja duronte Rozen e pranon kërkesën…

Kur vjen në shtëpi, Pjetri e gjen dhomën e ndejës të lyer me një ngjyrë rozë që nuk i pëlqeu. Po çka asht kjo marri mor Kel, as unë e as grueja nuk jena “tipa rozë” , a nuk kishte ndoj ngjyrë tjetër?
Keli: … provoje edhe ti se cka don me thanë me ndejë tanë kohën vetëm me Rozen….

https://www.youtube.com/watch?v=ycKKp3y9Ejg

Nuk mund të la pa treguar historinë e këngës PER TY ATDHE. …kishim dalë për nji udhëtim pune ndër malet Kacinarit në Pukë ku malësorët me nderim e respekt po na pregaditshin ca gatime tradicionale që më mrekulluan, tregon Tamara Gaci. Pjetri kishte hypë mbi një shkëmb të naltë ku shihej krejt lugina dhe po shijonte pamjen madhështore që i hapej përpara. ….Eja i thashë, se dona me hanger drekën. Knaqnju ju tuj hangër speca të mbushun, se unë e kam gjetë vendin me u knaqë. Prej ktu ku jam shoh tanë Shqipninë. Unë me të tjerët u ulem në tryezën e shtruar për drekë, ndërsa Pjetri mbasi ndenji një copë herë i fiksuar nga pamja mahnitëse, u zhduk në dhomën e hotelit për 4 orë rresht. Unë e dija, ai po shkruante diçka. Më vonë, ai doli nga dhoma duke tundur në duar shënimet e kompozimit të këngës Për Ty Atdhe e duke më thënë i gzuem:….ky do të jetë hymni që i kam kushtue atdheut¸ ka për të pasë jetën gjatë….

Mjeshtri Pjeter Gaci, i la kombit te vet një trashëgimi të madhe. Rreth 500 krijime, 45 vepra muzikore, koncerte për violinë apo tabllo koreografike, romanca, disa opera nga të cilat 7 u vlerësuan me çmime, rreth 175 këngë ndër to 45 fituan çmime. Ishte laurant i çmimit Naim Frasheri kl I, çmimit Flamuri i kuq i punës kl. II, titujve:Artist i Merituar, Artist i Popullit, Çmimit të Republikës kl. I, Nderimit …Krenaria e Dajcit. Edhe pse pat një aktivitet të gjatë e të suksesshëm, ai vdiq i varfër aq sa edhe për shpenzimet e varrimit ndihmuan miqtë e tij, jashtë kujdesit të një shteti që i mori çdo gjë.
Në të vërtetë ai me muzikën e tij hymnizoj jo vetëm atdheun, por edhe dashurinë për gruan e tij Tamaren, e cila për Pjetrin kishte të njëjtën madhështi. Qëndresa e Tamares ndaj vështirësive, diskriminimit, përndjekjes, sjelljes arrogante të shtetit; mëndyra se si ajo grua nuk lëshoj asnjë fjalë ankese që ti prishë frymëzimin apo gjendjen shpirtërore bashkëshortit, i ngjan shumë atdheut tonë Shqiptar. Ajo qëndroj si vigane dhe e papërkulur në rrebeshet e jetës që kaloj, pa humbur asnjë çast dashurinë për familjen e saj./KultPlus.com

Intervistë e rrallë e Hasan Prishtinës e vitit 1912

Nga Gjon KEKA

Rastësisht duke kërkuar diçka krejt tjetër e gjeta këtë intervistë me atdhetarin dhe politikanin shqiptar Hasan Prishtina e që ndoshta është me interes për lexuesit shqiptar.
Kjo intervistë është zhvilluar në Prishtinë më 25 korrik 1912 nga Baron E. Winder-Kriglstein,për gazetën“ Neue Freie Presse” e që është botuar më 3 Gusht,1912.( Neue Freie Presse, 3.August 1912, faqe 3,Nr.17221)

Bashkëbisedim me Hasan Bej
Titulli – Raport origjinal nga kryengritja shqiptare.

Autori i kësaj interviste të realizuar me Hasan Prishtinën e fillon me një përshkrim mbi organizimin feudal të Shqipërisë, historikun e saj qysh nga mesjeta e deri sot ,bajraktarizmin defektet tjera e deri të gjakmarrja.Poashtu autori nuk lë pa e përmendur edhe heroin Gjergj Kastrioti sikur që nënvizon. „Dora e fortë e një udhëheqësi të njohur si heroi kombëtar Skënderbeu gati 500 vjet më parë, mungon.Fatëkeqësisht Shqipëria ka shumë Politikan ,por jo ushtarakisht dhe diplomatikisht të shkolluar…“
Pastaj vazhdon me përshkrimin e karaktereve si në aspektin politik ashtu edhe luftarak të disa kryengritësve si Riza Bej,Bajram Curri-Bej dhe Hasan Bej Prishtina. Dhe kështu nis si më poshtë intervista e realizuar me Hasan Bej Prishtinën:
Hasan Bej: Ju nuk besoni se sa i lumtur jam që po shoh këtu një publicist europian. Qëndroni me ne për një kohë të gjatë. Ne duhet të kemi dikë që informon shtypin në mënyrë të paanshme. Ne dëgjojm këtu vetëm atë që raportohet nga burimet turke për ne.Çdo javë jemi në beteja të përgjakshme me ushtrinë turke. Tani mund të shikoni vetë se pavarësisht nga humbjet e supozuara,shqiptarët tanë janë 25.000 metra larg qytetit dhe kanë marrë të gjitha pikat e Shqipërisë së Veriut.Gjakova, Mitrovica, Prizreni, Vushtrria dhe Prishtina ranë në duart tona, kryesisht pa u ballafaquar, por me anë të manovrave të thjeshta, garnizonin e kapitulluan – por jo, siç thonë ata, për arsye të brendshme politike, por thjesht sepse ata e kanë patur parasysh me javë, se lëvizja jonë është e përgjithshme dhe se suksesi ushtarak kundër nesh nuk është më për t’u shpresuar. Vetëm komandanti i Pejsë mbetet ende, sepse për momentin nuk kemi nevojë për këtë pikë, të cilën e kemi hequr nga çdo lidhje dhe disa qindra shqiptarë janë plotësisht të mjaftueshëm për të parandaluar largimin e tij. Presim nga ai që në ditët në vijim ai të na dërgojë negociatorë për të ofruar dorëzimin e tij. Tani ju lutem më tregoni se çfarë duhet të shpjegoj tjetër. Ju me siguri keni pyetje për të bërë.
Unë:Cili është programi juaj?A keni tashmë pikëpamje të qëndrueshme dhe të palëvizshme për kërkesat tuaja ose suksesi ka ardhur aq befas edhe pse ende nuk keni gjetur kohë për të patur ujdi ?

Hasan Bej:Nuk kemi nevojë tani të flasim për kërkesa.Përderisa turqit nuk hyjnë në lojë koha e programit është e mbauar. Çfarë përdorimi do të kishte një program që është arritur pa diskutim nga turqit dhe premtimet e të cilave janë të pazbatuara dhe kryesisht të paarritshme. Ne e dimë mirë karakterin e vendit tonë, kështu që nuk kemi më iluzione. Mund të bashkohemi vetëm nën presionin e një rreziku gjithnjë kërcënues. Pse nuk duhet të bëhemi Republikë, siç është Zvicra? Atje quhen kantone, këtu quhen Fise, dhe historia jonë, kushtet gjeografike të atdheut na përcaktojnë që ta bëjmë këtë….

Unë:Ju e dini, se çfarë kemi biseduar sot. Ju njëzëri thatë në Kuvend se ligjet turke janë të papranueshme për Shqipërinë, sepse ata injorojnë veçoritë e popujve të ndryshëm… Një ligj që është i shkëlqyeshëm në Bagdad mund të jetë ende në Anatolia – por është e pamundur për Rumelinë dhe tallje për Shqipërinë. Bukur dhe mirë. A nuk mendoni se një formë e qeverisjes si ajo e Zvicrës kërkon një shkallë aq të lartë të disiplinës politike dhe të kulturës së përgjithshme saqë do të krijonte një konfuzion të tmerrshëm nëse Shqipëria papritur do të bëhej autonome?

Hasan Bej:Sigurisht! Ne do të duhet të durojmë një periudhë trazire të brendshme, nuk ka dyshim për këtë.Të gjithë jemi të lodhur nga lufta. Vetëm mendoni, ne kemi qenë duke luftuar turqit që tridhjetë vjet e gjysmë dhe prej katër vjetëshë mundohemi me dhimbje për një vendim. Nëse marrim nesër autonominë, ne do të jemi të lumtur që të vendosim administratën tonë për disa vite, të regjistrojmë ligjet tona të pashkruara dhe të bashkëpunojmë me vullnetin më të ndershëm. Ne nuk njohim asnjë grindje fetare, asnjë fis katolik, ortodoks apo musliman kurrë nuk ka qenë në grindje. Duke krijuar një gjuhë të përbashkët të shkruar dhe duke përdorur kapitalin e huaj, ne do të jemi në gjendje të ndërtojmë shkolla, të ndërtojmë rrugë dhe të përhapim civilizimin.

Unë:Pardon, nëse ju ndërpres, Bej! Tërheqja e kapitalit të huaj – këtu qëndron çështja e madhe! Një republikë e re nuk ka një hua të butë – në amerikën e veriut ka ndodhur kështu – bankieri më i pasur i Filadelfias nuk donte të pomponte Uashingtonin asnjë dollar. Tregu ndërkombëtar i parasë nuk do t’u japë asgjë, dhe një grup financiar i kufizuar nga qeveria do të rrezikonte pavarësinë e saj.
Hasan Bej:Ne mendojmë ndryshe. Pyjet tona të pamasa, depozitat tona të mëdha minerale do të tërheqin kompani të mjaftueshme private dhe ne nuk mendojmë të shpenzojmë minierat apo koncesionet pyjore. Secili fis duhet të jetë financiarisht i pavarur dhe do të shihni se ambicia për të provuar qëndrueshmërinë tonë sa më shpejt që të jetë e mundur do të nxisë Bajraktarët të ndryshëm për përpjekje të jashtëzakonshme….

Unë:Por çfarë doni të kërkoni nga Komisioni nëse vjen nga Stambolli për disa ditë për të negociuar me ju? Nëse ju tani e konsideroni veten si autonom, nuk keni nevojë për më shumë Pourparlers(Bisedime-diskutime), sepse autonominë nuk do të ua japë Turqia me qëllim të mirë?

Hasan Bej:Ne mendojmë në lidhje me këtë, në këtë mënyrë: Nëse ne mund të komunikojmë në mënyrë të mirë me turqit, të cilët më në fund duhet ta shohin padobishmërinë e rezistencës së tyre, atëherë është më mirë se sa nëse e mbartim luftën në Shkup dhe Salonik.
Ne do të duhet të trajtojmë garnizonet turke të zëna këtu si të burgosur të luftës dhe të lëmë popullin tonë, të cilin ne kemi nevojë për zonat tjera, për dy ose tre muaj në terren. Ne jemi të bindur se turqia me dëshirë do të na jep një autonomi,pasi ajo nuk është më në gjendje ta mbajë Shqipërinë. Pse të derdh gjak? Pas të gjitha gjërave që keni parë dhe dëgjuar prej nesh këtu, a mund të mohoni se ne jemi në pozitë të qeverisim popullin tonë, duke arritur, në interes të idesë së shtetit liberal, pas shekujve grindjesh dhe keqardhjeje të shtypjes ?
E vlerësojmë faktin se Europa e di këtë – a mund të jemi të huaj për kulturën – kjo është faji i qeverisë turke – por ne jemi të lartë në disciplinë … a ka ndonjë mbrojtje këtu? Jo! A ka qenë dikush i abuzuar, i grabitur ose madje i kërcënuar? Jo! A i kemi lidhur me zinxhirë apo varur turqit e zënë, ashtu siç duhet, sipas ligjeve të lashta të shenjta të hakmarrjes sonë? Nuk ka?… Ne presim kalorësit dhe presim që tani e tutje nuk do të konsiderohemi më si rebelë grabitqarë … A jemi ne gaksor … ne e dimë, se simpatitë e kombeve kulturore janë gjithnjë në anën e luftëtarëve të lirisë dhe a nuk e ka demonstruar mjaftë vetëmohimin populli jonë?
Unë:Çfarë do të bëjë Komisioni në lidhje me këtë?
Hasan Bej: …nëse ajo mbetet kokëfortë. Pastaj ne diktojmë ligjin tonë…

Aman, m’thuej

Poezi nga Donjeta Elshani

Asht’ qetë n’kit natë vere,
n’dritare rri tuj pa hanën,
tuj folë me ta n’menyren tem,
tuj e knue n’veti
nji kangë t’moçme,
tuj t’lypë ty n’çdo kujtim,
sa n’heshtje e sa zashëm,
tuj e vetë nji hanë që s’flet.

Aman, m’thuej çka t’baj un’

N’zhurmën tane,
t’njejtën natë,
e sheh hanën edhe Ti,
n’pije mshefesh o i ngratë,
dehesh, qeshesh si gjithnji.

Aman, m’thuej.

Sod kur fjalët janë harrue,
e shumë pije janë përbi,
kur të tanë t’janë largue,
A kjanë e qirresh si gjithnji ?

E n’tjera valle,
n’toka tjera,
përvajshëm..
e lypë shpinë./KultPlus.com

“Besë e thyer, Doruntinë”, hiti i viteve të 80-ta nga Shkumbin Kryeziu (VIDEO)

Ishte një këngë hit në vitet e 80-ta, këngë kjo e kënduar nga Shkumbin Kryeziu, shkruan KultPlus.

Kjo këngë ishte në toplistat e atëhershme të Radio Televizionit të Prishtinës, por duke pasë parasysh se në atë kohë dëgjoheshin më shumë radiot, kjo këngë ishte një ndër këngat që reprizohej me dhjetëra herë në emisione të ndryshme të Radio Televizionit të Prishtinës. Kjo këngë tashmë është plasuar edhe në YouTube./KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=u_M4t7TWJLY

Në New York, adhuruesi që tërheqë vëmendjen e të gjithëve me këngët e Dua Lipës (VIDEO)

Këngët e Dua Lipës “ New Rules” dhe “IDGAF”, përpos që janë shndërruar në super hite duke thyer edhe rekorde të dëgjueshmërisë, këto dy këngë janë kënduar edhe nëpër rrugët e New York, për të krijuar kështu një atmosferë mjaftë të këndshme, shkruan KultPlus.

Një adhurues i Dua Lipës ka bërë performanca të ndryshme nëpër New York, për të krijuar kështu shumë shpesh edhe situata mjaftë qesharake. KultPlus ju sjellë këtë video me performancën e fansit të Dua Lipës./KultPlus.com

Platoni: Pasuria më e madhe është të jetosh i kënaqur me pak

Një prej dënimeve për refuzimin e pjesëmarrjes në politikë është se përfundon e qeverisesh nga inferiorët.

Mund të zbulosh më shumë për atë person në një orë lojë se në një vit bisedash.

Tregohu i mirë, sepse këdo që e takon, po përballet me një betejë të vështirë.

Injoranca është rrënja e të gjitha të këqijave.

I mençuri flet se ka diçka për të thënë, budallai sa për të thënë diçka çfarëdo.

Pasuria më e madhe është të jetosh i kënaqur me pak.

Filozofia nis me kureshtje.

Njerëzit e mirë nuk kanë nevojë për ligje që të jenë të përgjegjshëm, ndërsa njerëzit e këqinjë do gjejnë gjithnjë një rrugëdalje nga ligjet.

Në prekjen e dashurisë gjithkush bëhet poet.

Më mirë diçka e vogël e bërë mirë, se një e madhe e pa përkryer.

A të duhen luftëtarë, gjithë botës t’i vësh zjarrë, do arratinë të marrë, merr nja dhjetë kosovarë!

Poezi nga Fan Noli

A të duhen luftëtarë,
Gjithë botës t’i vësh zjarrë ?
Do arratinë të marrë ?

Merr nja dhjetë kosovarë!

Njerez të zgjuar me lezet
që i gjen në ç’do anë,
të bëjnë hallv’ e salep,

keta janë mjeshtrit Dibranë.

A do njerëz për ahengje,
Për tryez’ e për kuvende ?
Burra e gra kërcejn’ në lodër ?

Keta i gjen veç në Shkodër!

A të duhen gënjeshtarë,
matrapaz’ e kokëtharë,
që rërën shesin për farë ?

Merr Krutanë dhe je i larë!

Po qefli a të duhen
që me jevga din’ e kruhen,
Zonja që pjellin çdo vit ?

Vetëm Elbasani rrit.

Do ministra Kolonjarë,
se mbahen burra me mënd,
duan kudo të jenë të parë

në mexhlis’ e në kuvend !

Do budallenjë që veç hanë,
e hajvanë me dy këmbë,
pasuri s’dinë të vënë ?

E ke gjithë Myzeqenë!

A do te rruash florinë,
katandinë e shtëpinë,
me dy qofte mbush sininë ?

Ec’ e merr Gjirokastrinë !

Do të hash e të besh qejf,
Sofra shtruar si për mbret ?
Pastërti e për hyzmet ?

Të tillë gjen në Përmet

A do male me dëborë,
Trima t’ fortë e malësorë,
fort bujar’ e burrërorë ?

I ke n’ Kukës, i ke me dorë !

Matjanët burra të zotë,
që dikur kanë ngrenë barot,
se i njeh gjith’ vendi mbarë,

Janë të gjithë për xhandarë !

A do trima e sejmenë,
kapardisur kudo venë,
pa zëre gjumi mos flenë,

Për tre Mirditor’ bëj benë !

Do dembela për Stamboll’,
Mos u loth, t’ gjezdiç dynjanë,
Më Tiranë rresht’ taborrë,

Vetëm të zgjatësh një dorë !

Do për punë një Korçar,
E ke bujk dhe ushtar,
Te gjith’ bashkë venë në arë,

Kok’ e këmbë s’kanë të sharë !

Hall i math me Skraparlinë,
ka rrezik të hash dhe dru,
Dy ministra le rrinë,

Se na duhen dhe pa tru !

A do urt’ njerzit të rrinë,
Në komandë të kesh ushtrinë ?
Me taban ta kesh njerezinë,

Merr të gjithë Labërinë !

Ore të gjorë harruam Vlorën,
se kjo punë lahet me gjak;
Dy shirita, një medalje,

Kësaj gjëje i venë kapak !

A të duhen sharlatanë,
që të lëpihen në ç’do anë,
që të përçajnë vatanë?

Ke sa të duash Tropojanë !

Fan Noli 1926

Pesë filmat më të famshëm për mafian

Nuk është e vështirë të kuptosh marrëdhënien e dashurisë së Hollywoodit me mitologjinë e mafias. Bota e krimit të ofron të gjitha kurthet e një filmi super të suksesshëm: njerëz të rrezikshëm me një oreks të pashuar për pushtet, që kërcejnë me vajza të bukura, në anën e gabuar të ligjit.

Stampa e këtyre lloj filmave u vendos në 1932, me versionin origjinal të “Njeriu me shenjë”, një film hit nga regjisori legjendar Howard Hawks, që bazohej afërsisht në jetën e Al Capone-s. Censuruesit kërkuan që producenti Howard Hughes të shtonte nëntitullin “Turpi i kombit”, me qëllim që shikuesit nuk do ta interpretonin filmin si një glorifikim të stilit të jetesës së gangsterëve.
Në kohën e daljes së tij, ai qe filmi më i dhunshëm që prodhohej në Hollywood, e megjithatë protagonisti i paedukuar, që eliminon në mënyrë brutale konkurrentët dhe që fiton miliona me kontrabandë, del në fund më shumë si një hero popullor se sa si një kriminel gjakftohtë.

kinopoisk.ru

2.Kumbari
Në vitin 1972, filmi ”Kumbari” i Francis Ford Coppola-s, kapoja i padiskutueshëm i të gjithë filmave mbi mafian, e ngjiti formatin nga një kënaqësi e fajshme në një epikë shekspiriane. Marlon Brando injektoi tek Don Corleone një sens fisnikërie dhe mirësie. Ai është i ashpër por i drejtë, Robin Hood me një kostum Armani.
Ai është dashamirës, për ata që e mbështesin dhe për ata që meritojnë ndëshkim. Në mendje të vjen menjëherë një kokë kali e prerë. Trilogjia “Kumbari” doli në një kohë kur mafia ishte në rënie në Shtetet e Bashkuara, kjo për shkak të legjislacionit të ashpër dhe përpjekjeve herkuliane nga ana e forcave të ligjit.
Kryevepra e vitit 1972 me regjisor Francis Ford Coppola, bazohej në romanin e Mario Puzos dhe në të u mblodhën disa prej aktorëve më të mirë të Amerikës, duke përfshirë Marlon Brandon, Robert De Niron dhe Al Paçinon. Filmi fitoi Oscar-in si filmi më i mirë dhe konsiderohet një prej filmave më të mirë të shekullit XX. “Kumbari” është imituar më vonë disa herë, por asnjëherë nuk është arritur niveli i tij. Edhe dy filmat pasardhës të Coppola-s nuk kanë arritur lavdinë e origjinalit.

3.Djemtë e mirë
“Për aq sa mundem të mbaj mend, gjithmonë kam dashur që të jem një gangster”. Kështu fillon filmi i vitit 1990 i Martin Scorcese, bazuar në jetën e mafiozit të penduar, Henry Hill. Performanca e mrekullueshme e Ray Liotta përshkruan transformimin e Hill nga një aspirant për gangster në një njeri të rëndësishëm gjatë tre dekadave të tij në mafian e Nju Jorkut. Siç ka shkruajtur David Ansen, “çdo minutë e vetme në këtë film të gjatë vibron me energji të jashtëligjshmish”. Në fund, Hill kapet për trafik droge dhe përfundon në programin e mbrojtjes së dëshmitarëve, i djegur nga nostalgjia për kohët e tij si Goodfella.

4.Kazino
Në filmin e vitit 1995, Kazino, Scorcese u bashkua sërish me Nicholas Pileggi, i cili ishte bashkëskenarist i “Kumbarit” dhe gjithashtu shkruajti librin tek i cili ai bazohej. Joe Pesci rikthehet i njëjti protagonist, tip psikopati që ishte tek Djemtë e Mirë, ndërkohë që Robert de Niro luan Sam Rothstein, një pjesëtar hebre i mafias që dërgohet të drejtojë një kazino në Las Vegas. Personazhi bazohet tek Frank Rosenthal, një bastvënës real nga Çikago. Ylli i vërtetë i filmit është Sharon Stone, e cila luan bashkëshorten e Rothstein, një grua joshëse që zhytet në drogë.

5.Gomorrah
Epika e vitit 2008 e regjisorit Matteo Garrone bazuar në librin e Roberto Savianos, është historia e pesë jetëve të prekura në një farë mënyre nga sindikata e krimit të Napolit e njohur si Kamorra. Me dëshpërimin e një lagjeje banimi të Napolit si sfond, filmi ofron një pamje të pagabueshme të impaktit gërryes të krimit të organizuar. Në një skenë të paharrueshme, aspirantë për gangsterë përmendin thënie të marra nga filmi i Brian de Palmas “Njeriu me shenjë”, riprodhimi i 1983, gjë që tregon se filmat frymëzojnë gangsterët po aq sa këta kanë frymëzuar filmat./ziptirana.info

Sonte të kujtova, Nënë

Poezi nga Azem Deliu

Sonte të kujtova nënë.

Teksa mendoja për librin e ri
Gjeneralë, mjekë e viktima kam vënë.
E asnjë nuk është si ti.

Sonte të kujtova nënë

Tek thithja cigaren që më përgjëroje të mos e pi.
Në tramvajin polak vend kam zënë
Qytet plot me fëmijë,
E plot nëna, nënë
Por jo ti.

Sonte të kujtova nënë

Dhe ndjeva faj që ishe në kokën time një mendim
Kur unë në kokën tënde jam krejt mendimet.
Në suksese krahët m’i rrahin plot gëzim.
Ti ma përkëdhel kokën, në dështime.

Sonte të kujtova nënë

Dhe ndjeva vrapin tim pas mësimit,
Drejt gatimit tënd nëpër shi
Dhe ndjeva të të them: mos i fik dritat.

Kur ta mbaroj librin, prapë, do të vij.

Një gotë lëng mbushe për vete
Se ti alkoolin s’e pi
E unë do të vrapoj nga aeroporti
Se asnjë nuk është si ti./KultPlus.com

Shqipëria e gatshme për Eurovizon, ka lansuar videoklipin e “Mall” (VIDEO)

Eugent Bushpepa do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovizion dhe përgatitjet për këtë garë po marin formë, shkruan KultPlus.

Tashmë kjo këngë ka edhe videoklipin zyrtar, videoklip i cili sapo është lansuar.
KultPlus ju sjellë këtë video që sjellë këngën “Mall”, që do të garojë me shumë këngë të tjera në Eurovizion./KultPlus.com

“Besa – besë, besën ta kam dhanë, për liri, jetën du me dhanë”, kënga shkodrane që u shndërrua në himn patriotik në Kosovë (VIDEO)

Shkruan: Isa Alibali

Prof. Ramadan Sokoli (1920 – 2008), është një figurë e shquar e kulturës shqiptare në përgjithësi dhe e muzikës e etnomuzikologjisë sonë në veçanti.

Gjithë jeta dhe vepra e tij flet për një përkushtim të madh në shërbim të atdheut e kombit, jo vetëm me krijimtarinë muzikore të bukur e me vlerë që kemi prej tij, por edhe për studimet e thelluara dhe me kompetencë në fushën e traditës muzikore, të etnomuzikologjisë dhe të vlerave kulturore kombëtare.
Ai ishte i paisur me një kulturë të gjërë, studjues sistematik dhe i thellë, njohës i disa gjuhëve të huaja, gjurmues dhe kërkues i thesareve më të çmuara të muzikës e kulturës shqiptare, autor i librave me vlerë si “Folklori muzikor shqiptar”, “Veglat muzikore të popullit shqiptar”, “Vallet dhe muzika e të parëve tanë”, “Figura e Skenderbeut në muzikë”, etj. si dhe i veprës me kontribut të lartë në shkencat albanologjike “16 shekuj“, në thelbin e së cilave janë studimet për të njohur traditën shqiptare të muzikologjisë, duke shkundur pluhurin e kohës në mbi 40 personaliteteve shqiptare, duke argumentuar origjinën e tyre shqiptare, etj. Veprat e tij janë të njohura dhe shumë të vlerësuara edhe në botën e jashtme. Ai ka qenë një shkencëtar i vërtetë dhe studiues me potencë i kulturës sonë. Ai meriton nderimin dhe vlerësimin më të madh që mund t’i bëhet një njeriut të përkushtuar dhe të talentuar, nderim dhe vlerësim që nuk e pati në vitet e diktaturës, e cila, duke njohur aftësitë e tij, pas një persekutimi të veçantë, ia kufizoi shumë mundësitë për të dhënë maksimumin e aftësive të veta.
Është autor edhe i disa këngëve të bukura popullore, si “Turtulleshë”, “Blegëron delja”, “Jelino”, “Lulja me erë”, “Zanushës”, etj. si dhe shumë krijime të tjera muzikore.

“Lulja me erë” mund të jetë një nga këngët më të njohura në Kosovë. Është kënduar në momentet më të rëndësishme të historisë së saj, edhe pse kur është krijuar ajo nga prof. Ramadan Sokoli, në fund të viteve ’40 të shekullit të kaluar, autori i saj nuk e kishte parashikuar aspak se kjo këngë mund të bëhej, për një kohë të gjatë, hymn i luftës patriotike të shqiptarëve të Kosovës, kundër pushtimit serb.

Historia e këngës “Lulja me erë” ose “Besa – besë” është mjaft interesante dhe paraqet një rast ndoshta unikal në tërësinë e këngëve lirike, jo vetëm shkodrane, por mbarëshqiptare. Prof. Rexhep Munishi në Prishtinë ka bërë një studim të gjatë për këtë këngë, duke trajtuar me mjeshtri evoluimin e saj në aspektin letrar dhe duke ruajtur të paprekur melodinë. Më vonë, Osman Xhatufa, autor i librit monografik për Prof. Ramadan Sokolin, e trajton gjërësisht historikun e kësaj kënge, mbështetur edhe në studimin e prof. Rexhep Munishit.

Vetë autori i kësaj kënge të bukur, Prof. Ramadan Sokoli, është shprehur kështu:
“Pasi kisha shkruar disa këngë në fund të viteve ’30 – ’40 e më tej , ndër të tjera, shkrova edhe këtë këngë:

Me shami xhamadan të kuq,
Nuk të zenka po të bika ngusht.
Refreni: Ku je rrit – o lulja me erë
Bukur – o, fol me gojë nji herë.

Syni zi plot me shkëndija
Buzën kuq, gjak si qershia.
Refreni: Ku je rrit – o lulja me erë
Bukur – o, fol me gojë nji herë”.

Ky ësht varianti i parë i këngës së vetë autorit.
Kënga, për herë të parë është kënduar në një dasmë, pastaj është përhapur gjithandej, veçanërisht në Radio-Tirana. Më vonë është kënduar dhe inçizuar në Radio-Tirana, në interpretimin e grupit të studentëve të Institutit të Lartë të Arteve “Na bashkoi kënga popullore”, etj.

Lidhur me këto fakte, muzikologu Prof. Rexhep Munishi ka shkruar: “Në aktin e krijimit, autori i kësaj kënge as që ka mundur ta paramendojë e të parashohë se një ditë, përkatësisht pas tridhjetë vjetësh, një krijim “i thjeshtë”, me motive dashurie, do të marrë përmasa kombëtare dhe do të institucionalizohet për t’u vënë në funksion në çaste të rëndësishme të historisë dhe kulturës sonë kombëtare”.

Shqiptarët e Kosovës, në kohë të ndryshme, kishin nevojë për një himn, për një këngë që t’i shoqëronte e t’i mobilizonte në lëvizjet e mëdha dhe në demonstratat e fuqishme. Dihet se, në atë kohë, e kishin të pamundur të këndonin “Himnin e flamurit”. Ata, pra, kërkonin një himn, një këngë me vlerë, një melodi të bukur, të ngrohtë por edhe të fortë, të kapshme nga të gjithë, që të ishte optimiste, nxitëse e mobilizuese.

Nuk dihet se kush e bëri ndryshimin e parë të kësaj kënge, por dihet se ajo u pëlqye si melodi, u ruajt si konstrukt i tekstit origjinal dhe u plotësua me një kontekst ndryshe dhe në këtë mënyrë kënga nisi të këndohet në çaste të rëndësishme të historisë për shqiptarët e Kosovës.
Etnomuzikologu i njohur, Prof. Rexhep Munishi, duke analizuar ecurinë e këngës në rrjedhën e saj historike, nëpër dekadat e ndryshme, thekson se që në çastin kur kënga e Ramadan Sokolit “Me shami xhamadan të kuq” ose “Lulja me erë” nis jetën e saj të pavarur, në gojën e popullit nisin edhe ndërhyrjet, ndryshimet, shtimet, plotësimet e ndryshme tekstore (më pak ndryshime melodike), që ndodhin në krijimtarinë gojore.
“Besa – besë, besën ta kam dhanë
Për liri, jetën du me dhanë”

Kështu kënga mori drejtim tjetër, atdhetar. Një rast i pashembullt.

Perandoria e “like”-ve, zor se mund të tronditet! Ne jetojmë në botën e Facebook-ut

Nga: Mark Skot

Pas zbulimeve se pothuaj 50 milionë përdoruesve të Facebook në SHBA mund t’u jenë përdorur të dhënat pa dijeninë e tyre, njerëzit nga Kopenhaga në Çikago nxituan që të lënë rrjetin social më të madh në botë.

Paçin fat!

Qysh prej krijimit të tij në dhomën e konviktit të Mark Zuckerbergut në Harvard, në vitin 2004, gjigandi i mediave sociale e ka shtrirë ndikimin në të gjithë botën digjitale. Tashmë, shtrirja e tij globale e bën pothuaj të pamundur që njerëzit të shkëputen tërësisht nga një perandori online, që e ka bërë Facebook-un një prej kompanive më të pasura dhe me më shumë influencë politike në botë.

Eleminimi i aplikacionit të Facebook-ut nga celulari juaj – apo edhe nëse bëni një harakiri në rrjetin social – mund të jetë një lloj katarsisi, për ata të cilëve nuk u pëlqen ideja që fotografitë, mesazhet dhe pëlqimet e tyre personale, të ndahen pa dijeninë e tyre. Dhe për të qënë të sinqertë, Facebook në fakt e ka reduktuar sasinë e informacionit digjital që ndahet me të tretët.

Por këta ish përdorues të Facebook ndoshta duhet të marrin ndonjë këshillë nga kënga “Hotel California” e Eagles: “You can check out of Facebook anytime you like, but you can never leave” (Mund të largoheni kur të doni, por nuk do të mund të largoheni dot kurrë).

Kjo, sepse shtrirja globale e kompanisë nuk është më e varur vetëm prej rrjetit social origjinal. Në vitet e fundit, ai ka ndërtuar ose blerë një sërë aplikacionesh të tjera celularësh, duke përfshirë Instagram dhe Facebook Messenger, të cilët janë bërë pjesë e infrastrukturës digjitale të jetës online të shumë njerëzve.

Arsyetimi i kompanisë? Teksa gjithnjë e më shumë njerëz hynin në Facebook (një në tre vetë online sot e përdorin këtë platformë), ajo duhej të diversifikohej në shërbime të tjera, ose përndryshe do të shndërrohej në një lajm të së djeshmes – një rrjet social për gjyshen tënde, jo për ty.

“Facebook krijon një marrëdhënie varësie mes platformave të veta”, thotë Anja Bechmann, drejtore e Digital Footprints Research Group në Universitetin e Aarhusit, në Danimarkë. “Nuk mund të shpëtosh pa përdorur një formë apo një tjetër të Facebook-ut”.

Kjo strategji ka shpërblyer. Facebook është sot pronar i tre nga dhjetë aplikacioneve më të përdorura, sipas comScore, ofrues i të dhënave. Dhe këto shërbime të tjera digjitale, gjithashtu shfrytëzojnë informacionet digjitale të njerëzve për të furnizuar biznesin e reklamave të kompanisë, duke e bërë të vështirë – në mos të pamundur – për këdo që të shkëputen tërësisht prej perandorisë digjitale të Zuckerbergut.

Ndërkohë që rregullatorët evropianë e kanë ndaluar Facebook-un që të mbledhë të dhëna të përdoruesve evropianë të WhatsApp-it, një tjetër aplikacion shumë popullor në pronësi të kompanisë, rrjeti social ka vazhduar të shtrijë ndikimin e vet në internet, pasi shpalli kohët e fundit se do të blejë TBH, një rrjet social që përdoret kryesisht nga adoleshentët.

Zuckerberg: “Unë jam përgjegjës”

Eksodusi nga Facebook është i lidhur me akuzat se Cambridge Analytica, një kompani me qendër në Londër e cila ofronte të dhëna për fushatën elektorale të Donald Trump-it në vitin 2016, mblodhi në mënyrë të paligjshme të dhëna të Facebook-ut, pa miratimin e votuesve.

“Kjo është një thirrje për zgjim”, thotë Anne Helmond, profesore e mediave të reja dhe kulturës digjitale në Universitetin e Amsterdamit. “Kemi qenë shumë naivë që kemi besuar Facebook-un”.

Rregullatorët e privatësisë në Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA tani po investigojnë pretendimet, përfshirë edhe ato, nëse Facebook ka dështuar në mbrojtjen e informacioneve digjitale të përdoruesve, duke lejuar kompani të treta që të përdorin rrjetin, për të thithur një thesar të dhënash personale.

Të dy kompanitë nuk pranojnë të kenë shkelur ligje. Por Zuckerberg, drejtori ekzekutiv 33-vjeçar i Facebook-ut, tha se gjigandi i rrjeteve sociale kishte detyrë të mbronte informacionin e individëve, shpalli ndryshime në mënyrën si do të mbrohen tani e tutje të dhënat e përdoruesve, dhe me vonesë kërkoi falje për keqpërdorime të mundshme të informacioneve të njerëzve online.

“Unë e nisa Facebook-un dhe në fund të ditës, unë jam përgjegjës për atë që ndodh në platformë”, shkruajti ai në një postim në Facebook.

Kjo gjoja mea culpa erdhi shumë vonë, për shumë prej 2.2 miliardë përdoruesve të Facebook-ut në të gjithë botën, shumë prej të cilëve (ironikisht) shkruajtën në Facebook dhe Twitter se po e fshinin një herë e mirë llogarinë e tyre. Edhe Brian Acton, bashkëthemelues i WhatsApp, hyri në veprim duke u thënë 33000 ndjekësve të tij në Twitter: “Erdhi koha. Fshijeni Facebook-un”.

Perandoria e “like”-ve

Njerëzit që kanë fshirë llogarinë e Facebook dhe aplikacionin e tij në celular, mund të mendojnë që i kanë ikur dorës së zgjatur të kompanisë. Por edhe ata nuk kanë shpëtuar.

Si pjesë e objektivit të rrjetit social, për t’u bërë i domosdoshëm për zakonet e njerëzve online, rrjeti social vulosi marrëveshje me dhjetëra-miliona faqe interneti në të gjithë botën, për të përfshirë butonin e famshëm “like” të kompanisë në të gjithë Internetin.

Objektivi ishte t’ua bënte më të kollajtë njerëzve që të ndanin materiale me miqtë e tyre. Por shumë rregullatorë të privatësisë dhe gjykatës në BE kanë ngritur shqetësime, se këto marrëveshje i mundësojnë gjithashtu Facebook-ut që të mbledhë të dhëna për përdoruesit dhe jopërdoruesit, akuza që kompania i hedh poshtë.

Shtrirja e rrjetit social përtej aplikacioneve të veta, nuk merr fund këtu

Pothuaj 15 milionë faqe interneti gjithashtu i lejojnë njerëzit të regjistrohen në to përmes të dhënave të llogarive të tyre në Facebook, sipas SimilarTech, një kompani konsulence e marketingut digjital. Kjo e bën kompaninë një sistem identifikimi de facto për një pjesë të madhe të Rrjetit, ndërkohë që e ndihmon të mbledhë të dhëna për veprimtarinë e njerëzve në internet.

Dhe që nga 2014, rrjeti social ka krijuar një rrjet digjital shumë fitimprurës reklamash, që zgjeron edhe më tej fushatat ekzistuese të marketingut të kompanisë. Shumë prej reklamave që shihni sot online, janë të ofruara nga Facebook.

Afro 1 miliard njerëz në të gjithë botën shohin rregullisht këto reklama të gjeneruara nga Facebook, sa herë që hyjnë në internet, sipas të dhënave të vetë kompanisë. Kjo platformë globale e bën rrjetin social të dytin pas Google, për sasinë e parave që gjeneron çdo vite prej reklamave online.

Por kjo nuk do të totë se gjurma digjitale gjigande e rrjetit social do të zgjasë përgjithmonë.

Bota e korporatave është e mbushur me ata që dikur kanë qenë gjigandë, si kodak apo Nokia, që u shndërruan në hije të vetvetes. Dhe që kur zbulimet për të dhënat e njerëzve në Facebook u bënë publike, kompania ka humbur pothuaj 60 miliard dollarë në vlerë tregu, pasi investitorët nisën të shqetësohen për të ardhmen afatgjatë të saj.

Por për politikanët që shfryjnë zemërimin ndaj abuzimeve të Facebook-ut me të dhënat, do të jetë detyrë e vështirë që t’i vënë fre pozicionit të rrjetit social në të gjithë Rrjetin.

Ai kalë e ka nisur galopin tashmë. Ne sot jetojmë në botën e facebook-ut.

Mark Skot është kryekorrespondent për teknologjinë në POLITICO.eu. (Burimi: Bota.al)

“Kanuni” nuk është gjakmarrja, ai është një monument juridik i kohës së vet

Prezantimi i përkthimit në gjermanisht të “Kanunit të Lekë Dukagjinit”, të realizuar nga Bardhec Berisha, ishte shkas për një takim të organizuar nga Konsullata e Kosovës në Cyrih.

Kanuni i Lekë Dukagjinit është njëri ndër kodet zakonore që kanë rregulluar funksionimin e jetës në shoqëritë shqiptare, që nga lashtësia. Por ai është i vetmi që, ndonëse shumë më vonë, falë punës së atit françeskan nga Kosova, Shtjefën Gjeçovit është kodifikuar dhe është në dispozicion në formë të shkruar. Pra, ai është botuar si libër, në vitin 1933 në Shkodër. Si i tillë, “Kanuni i Lekë Dukagjinit” tashmë, veç origjinalit në gjuhën shqipe, është i botuar dhe i përkthyer në disa gjuhë të botës.
Së fundi, ai ka përjetuar edhe përkthimin e dytë në gjuhën gjermane, pas atij që ishte bërë që në vitet `30 të shekullit të kaluar.

Prezantimi i këtij përkthimi, të realizuar nga Bardhec Berisha, ishte shkas për një takim të organizuar nga Konsullata e Kosovës në Cyrih, në ambientet e Qendrës Kulturore të Kosovës, në Cyrih, shkruan albinfo.ch. Përveç përkthyesit Berisha, në prezantim ishte i pranishëm edhe botuesi, Martin Schällebaum, i cili ka pasur edhe rolin mbështetës në përkthimin në gjermanishte të kësaj lënde shumë komplekse.

Një vlerë e çmuar e kulturës shqiptare

Duke e konsideruar botimin e këtij libri në gjuhën gjermane si një kontribut për njohjen e një segmenti të rëndësishëm të kulturës shqiptare, konsulli i Kosovës në Cyrih, Islam Spahiu ka falënderuar përkthyesin dhe botuesin. “Dalja në gjuhën gjermane e librit për kodin e dokeve zakonore shqiptare, bën që të tjerët të kenë mundësi ta njohin traditën tonë zakonore në histori. Deshëm ne ose nuk deshëm, etnopsikologjia jonë kolektive, ka qenë e karakterizuar nga cilësi dhe elemnte që rrjedhin nga e drejta kanunore. Madje ajo as sot nuk është krejtësisht e liruar nga ajo”, ka thënë Spahija. Kjo sepse, sipas tij, “Kanuni si libër, si kod zakonor shqiptar, me shekuj ka sunduar etnopsikoilogjinë tonë duke zëvendësuar fuqinë e ndikimit të shtetit”.

Autori i përkthimit, Bardhec Berisha ka sqaruar rrethanat në të cilat është bërë ky përkthim. Ai është ndalur në shpjegimin e shkakut përse ky libër është përkthyer së dyti gjermanisht, në një kohë që një përkthim tashmë ekzistonte prej vitesh. Berisha ka theksuar në këtë kontekst se përkthimi i mëparshëm, i para rreth 80 viteve, ishte i fjalëpërfjalshëm dhe i shkruar në një gjuhë të vështirë sidomos për lexuesit e sotshëm. Për më tepër, ka nënvizuar Berisha, para procesit të përkthimit, atij fillimisht i është dashur që me ndihmesën e profesorit Prend Buzhala ta “përkthente” Kanunin në gjuhën e sotme, standarde shqipe. Kjo punë është paraqitur e nevojshme pasi që gjuha e përdorur nga Gjeçovi, para rreth njëqind viteve është e vështirë për t`u kuptuar dhe përjetuar nga lexuesit e sotëm. Puna bëhet edhe më e ndërlikuar nga fakti se shumë nga konceptet, nocionet dhe institucionet për të cilat bën fjalë kanuni, janë fare pak ose aspak të njohura për shqipfolësit e sotëm. Për t`ia dalë mbanë kësaj pune komplekse, ai ka pasur ndihmën edhe të ekspertëve të ndryshëm dhe në veçanti të profesorit nga Kosova, Prend Buzhala.

Kanuni nuk bën të reduktohet në gjakmarrjen

Bardhec Berisha ka përmendur po ashtu se ky përkthim është bërë me lejen gjegjësisht të drejtën autioriale që atij i ka dhënë Provinca Françeskane Shqiptare në Shkodër, e cila është trashëgimtare e kësaj të drejte. Ai ka tërhequr vërejtjen për gjykimet e padrejta që në publik i bëhen Kanunit, duke e reduktuar atë vetëm në gjakmarrjen ndërkohë që “Kanuni i Lekë Dukagjinit” ka qenë shumë më shumë se kaq. Ai ka rregulluar shumë fusha të jetesës ndër shqiptarët, në mungesë të shtetit, ka thënë veç tjerash Bardhec Berisha.

Ndërsa botuesi Martin Schällebaum ka shpalosur para të pranishmëve punën e madhe disavjeçare që është bërë në përkthimin dhe përgatitjen për botim të këtij libri. Ai gjatë këtij procesi ka mësuar shumë për të drejtën zakonore shqiptare dhe ka zbuluar dimensione të reja të kësaj të drejte.

Real dhe racional për kohën

Për më tepër, Schallebaum ka konstatuar se një kod i tillë zakonor, që vjen nga poshtë lart dhe jo nga lart-poshtë (siç do të ishte po të vinte nga pushtetmbajtësit) është më realist dhe më i drejtë për kohën. Ai si i tillë u referohet problemeve nga përditshmëria dhe ofron zgjidhje racionale për to, në përputhje me kohën kur ky kod është krijuar.

Në këtë pikë Schällebaum ka vënë re se kode zakonore të ndërtuara “nga poshtë-lart” ka pasur edhe ndër popujt tjerë, madje edhe ndër zviceranët. Si ilustrim ai ka përmendur rregullimin e mënyrës së shfrytëzimit të kanalave të ujitjes (vadave) në zonat malore e të thata të Valisit. Kishte rregulla të veçanta që e rregullonin këtë çështje, siç kishte edhe njerëz të veçantë që merreshin me mirëmbajtjen e kanaleve në fjalë. Ndërsa e veçanta e Kanunit të Lekë Dukagjinit, në krahasim me kodet e përmendura në Zvicër e gjetiu, sipas Schällebaum është se ai përfshin gjithë spektrin e të drejtës, pra veç të drejtës civile në kuptimin e sotëm, edhe të drejtën penale, shkruan albinfo.ch. Ai ka folur po ashtu edhe për vështirësitë që shpesh dukeshin të pakapërcyeshme, gjatë përkthimit dhe përgatitjes për botim të librit. Fjala është për kompleksitetin e materjes së Kanunit dhe për mospasjen e elementëve krahasues në gjuhën gjermane dhe në praktikat e këtushme.

Gjatë mbrëmjes së promovimit, përkthyesi Bardhec Berisha ka lexuar në gjuhën shqipe disa pjesë të zgjedhura nga kanuni, për të sjellë atmosferën e këtij kodi i cili tashmë përbën një thesar të kulturës shqiptare. Të njëjtat pasazhe i ka lexuar, të përkthyera në gjuhën gjermane, Angela Keel, duke ofruar kështu një shije të asaj se si tingëllon “Kanuni i Lekë Dukagjinit” i përkthyer gjermanisht./albinfo.ch

“Xixëllonjat e Lezhës” nuk lejohen në Medvegjë

Në kuadër të festimit të Vitit të Gjergj Kastriot Skënderbeut, Teatri i Kukullave “Xixëllonjat e Lezhës”, solli në Bujanoc dhe Preshevë shfaqjen për fëmijë “Skënderbeu”, por jo edhe në Medvegjë, meqë u ndalua nga autoritetet serbe të kësaj komune.

Për deri sa në Bujanoc dhe Preshevë ,,Xixëllonjat e Lezhës” u mirëpritën jo vetëm nga nxënësit e shkollave, por edhe nga përfaqësuesit e jetës kulturore dhe autoritetet e pushteteve lokale, në Medvegjë, fatkeqësisht, mbyllet dera e sallës së Pallatit të kulturës për të mos u paraqitur teatri i kukullave me pjesën teatrale kushtuar 550 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, transmeton Koha Jonë.

Lidhur me këtë skandal vijnë reagimet e para nga Bujanoci dhe Presheva, drejtorët e Lezhepallateve të kulturës: Jetmir Ismaili dhe Gani Veseli, kanë kërkuar nga Këshilli Kombëtar Shqiptar dhe deputeti popullor Fatmir Hasani, të reagojnë në instanca më të larta dhe te faktorët ndërkombëtarë për këto dukuri joqytetëruese të pushtetit centralist në Medvegjë. Ngjashëm ka ndodhur edhe para disa ditësh, kur policia e Medvegjës, ndaloi shkrimtarët nga Presheva, të cilët kishin disa libra shqip me vete për të organizuar një orë letrare me rastin e Ditës së Mësuesit.

Në këtë drejtim po e japim të plotë edhe reagimin prof. Rexhep Abazit nga Medvegja.

“E pabesueshme, por edhe kjo ndodhi në Medvegjë.

Pas paraqitjes me skenën programore në Preshevë dhe Bujanoc, më 23 mars 2018, TQKF nga Lezha erdhi qē tē njëjtin program ta paraqes edhe nē shtëpinē e kulturës në Medvegjë, më 24 mars 2018. Mirēpo, dyert e këtij institucioni ishin të mbyllura për shqiptarēt dhe pas një pritjeje prej orës 9.oo-10.oo, tē paraditēs, nē dēborē dhe të ftohët, tē trupēs artistike dhe të shqiptarëve të Medvegjēs, ata u detyruan tē kthehen të brengosur skajshmërisht për njē veprim tē tillē jo njrēzor, jo kulturor, jo demokratik dhe jo civilizues pēr fillimshekullin e njëzet e një.

Të cekim se TQKF e Lezhës në mënyrë zyrtare iu kishte drejtuar kryetarit tē komunës së Medvegjës, mē 5 mars 2018, për këtë aktivitet e duke u bazuar në deklarimin e Presidentit tē R. së Shqipērisë në vizitēn e 27 nëntorit 2017 në Bajë të Siarinës, se duhet filluar me kontakte e aktivitete të kulturēs për zhvillimin e bashkëpunimit ndërshtetëror…

Falënderojmë vëllazërisht anētarët e TQKF nga Lezha, 8 nxënësit e kl. V-XII, 2 profesoreshat, inxhinierin, kompozitorin dhe në veçanti vozitësin e autobusit, i cili në natën e akullt të së premtes, me shkathtësinë e veçantë, me në krye drejtorin e madh z. Marçelo Lacajn, i solli nē Medvegjë këta misionarë të kulturës shqiptare.

Le të na mbaj shpresa se edhe ky primitivizēm mesjetar i shtetit të Serbisë dhe kjo shkelje e rëndë e të drejtave të shqiptarëve së shpejti do t’i takoj një të kaluare jocivilizuese”, thuhet në reagimin e prof. Rexhep Abazit nga Medvegja.

Nesër ndahen çmimet për teatër, Myrvete Kurtishit Çmimi për vepër jetësore

Ministria e Kulturës, Rinisë e Sportit bën të ditur se nesër do të ndahen çmimet vjetore për teatër.

Në njoftimin e kësaj ministrie theksohet se ceremonia e ndarjes së këtyre çmimeve do të zhvillohet nga ora 11:00, në kabinetin e ministrit, Kujtim Gashi, transmeton Koha.net.

Merret vesh se Çmimi për vepër jetësore sivjet do t’i ndahet aktores Myrvete Kurtishi, ndërsa Çmimi për shfaqjen më të mirë Teatrit të Qytetit të Prizrenit “Bekim Fehmiu”, për shfaqjen “Armiku i Popullit” të Fatos Berishës. Çmimi për regjisorin më të mirë do t’i ndahet Kushtrim Bekteshit për shfaqjen “Ata që ikin”./KultPlus.com

Shemsi Krasniqi sjellë libër e ekspozitë për trashëgiminë kulturore dhe natyrore

Gili Hoxhaj

Në mesin e shumë të pranishmëve në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, Shemsi Krasniqi promovoi sot librin e tij më titull “EKOKULTURA. Natyra në kulturën popullore shqiptare”. Po ashtu në hollin e kësaj biblioteke për ta vizualizuar më së miri për mbajtjen e këtij libri, u prezantua edhe ekspozita me titull “Aterren”.

Libri “EKOKULTURA. Natyra në kulturën popullore shqiptare”, është libër i shtrirë në dhjetë kapituj ndërsa sjellë jetën reale nga terreni, ndonjëherë edhe nga zonat më të thella. Për këtë libër, folën miqtë dhe koleget e tij. I pari fjalën e mori sociologu Anton Berisha i cili tha se lexuesi i këtij libri do të ketë mundësi zbardhjen e rrethanave objektive të cilat e kanë promovuar një objekt apo kafshë me kultin. Ai tutje shtoi se autori objektiv studimor e ka gjetjen e kuptimit, e jo përshkrimin sipërfaqësor të objektit.


“Autori në mënyrë brilante e ka treguar lidhjen e vizualitetit më të panjohurën. Ai niset nga objekti konkret, nga ajo që shihet por në vazhdimësi e gjurmon, i gjen esencën dhe substancën në zbardhjen e lidhjes nëpërmes shkakut dhe pasojës”, u shpreh sociologu Berisha. Antropologu, Arsim Canolli e cilësoi Krasniqin si studiues ndërmjetës mes sociologjisë dhe antorpologjisë. Ai tha se edhe libri edhe ekspozita jehojnë si një kumtesë e përvojës antropologjike për njohjen e jetës dhe veprës së shqiptarit të Kosovës.

“Ai është i trajnuar fillimisht si sociolog, por i trajnuar në pjekurinë e tij akademike si antropolog, ndonëse i sprovuar në aspektin pedagogjik si sociolog. Ky libër e kjo ekspozitë, vijnë si ftesë fort e sinqertë për ta njohur, studiuar e promovuar edhe tutje trashëgiminë kulturore e natyrore të Kosovës”, u shpreh antrolopolgu Canolli.

“Për njerëzit e mirë, natyrën e bukur dhe gjërat me vlerë”, shkruhet në katalogun e ekspozitës që solli 100 fotografi nga pjesë të ndryshme të Kosovës. Këto fotografi pasqyrojnë më së miri studimin e përkushtimin artistik të autorit ndaj trashëgimisë dhe relikteve të vjetra, të vendeve dhe objekteve të shenjta, simboleve, miteve e legjendave, festave popullore e praktikave rituale, duke shkuar nxjerrë në pah edhe aktet spirtuale, momentet e veçanta e shumë intime që burojnë nga traditat e komunitetit. “Arterren” është bashkëdyzim fjalësh që flet më së miri për aspektin artistik dhe atë empirik të kësaj ekspozite.

Për katalogun dhe ekspozitën e titulluar “Arterren”, foli profesori Ibrahim Berisha i cili tha se kjo përmban një gërshetim kreativ të artit human dhe natyror, i informacionit kulturor dhe historik dhe një fije e zbulimit të shkëlqyeshme akademik dhe kreativ. “Fërkamat dhe shenjat e kohëve të cilat kanë mbijetuar nëpër pjesë të Kosovës janë me fakte, relikte dhe simbole që kanë qenë sheshazi të dukshme, që janë lënë mënjanë duke pritur këtë dorë dhe mendje të studiuesit dhe artistit për tu bërë pjesë e komunikimit publik, artistik dhe akademik, jo vetëm në Kosovë por edhe në shumë qendra akademike ndërkombëtare”, tha në fjalën e tij profesori Berisha.

Më pas fjalën e mori antropologia, Zanita Halimi e cila tha se të gjitha fotografitë e autorit janë të ndikuara nga ndjenja e fortë e profesorit Krasniqi për njohjen, ruajtjen e trashëgimisë kulturore e natyrore. Ajo tha se fotografitë ne ekspozitën e tij vijnë si dialog mes natyrës dhe njeriut, trupit dhe shpirtit, kohës dhe hapësirës.

“Fotografia është histori e shkruar me dritë, përmes shkrepjes autori Krasniqi na mëson për segmentet e ndryshme të shoqërisë tonë në kohë dhe hapësirë. Autori nuk e trajton vetëm pamjen e jashtme të realitetit por edhe të brendshme që përbehet nga ndjenjat, shpirti, kulti, besimi dhe praktika të ndryshme të njeriut”, u shpreh antropologia Halimi.

Autori Shemsi Krasniqi kishte shkrepur me mijëra fotografi në terren, prej të cilave 400 kishin qenë në përzgjedhjen e ngushtë për t’i dhënë formë ekspozitës që u prezantua sot. Në mesin e tyre, publiku shijoi 100 fotografi të cilat preknin imazhe e pamje të vendeve më të bukura të Kosovës. Për t’i sjellë këto autori shpesh është dashur të shpenzoj shumë ditë në terren. Vet Autori Krasniqi mori fjalën krejt në fund për të falënderuar të pranishmit dhe ata që nuk ishin të pranishëm por që kanë kontribuar në krijimin e këtij libri e kësaj ekspozite. Në veçanti, ai falënderoi me qindra bashkëbisedues të cilit i ka njohur gjatë punës në terren dhe të cilat i kishin dhënë njohuri që autori as që i kishte imagjinuar.

“Kam shkuar në skajet më të larta të Kosovës, në pikat më ekstreme, më ekstreme edhe vertikalisht, jo vetëm horizontalisht. Jam futur edhe në shpella edhe siç kam bërë shëtitje në terren, kam bërë edhe në fushat disiplinore”, u shpreh Krasniqi.Ai tutje tha se një qëllim i tij ka qenë që në kulturën shqiptare, të gjej hap pista të reja të studimit. Ekspozita është rezultat i punës së doktoratës, punë të cilën Krasniqi e kishte vazhduar edhe pasi e kishte marrë këtë titull./ KultPlus.com


“South Outdoor Festival“ ju fton për një përvojë të paharruar

Hajrulla Çeku, zëvendësministër i Ministrisë së Turizmit në Shqipëri, përfaqësues të GIZ-it në Shqipëri dhe operatorë të turizmit, në mëngjesin e së hënës kanë zbritur deri në Prishtinë, me qëllim që të prezantojnë edicionin e dytë të South Outdoor Festival që do të mbahet në fshatin turistik Vunoi të Himarës, festival që ngërthen shumë aktivitete sportive, kreative dhe kulturore, shkruan KultPlus.

Vetë Hajrulla Çeku këtë prezantim e vlerësoi shumë të rëndësishëm, në mënyrë që të bëhet ndërlidhja e këtij festivali edhe me të interesuarit në Kosovë, që të marrin pjesë me aktivitete të ndryshme, si: climbing, jeep safari, hiking, yoga dhe shumë aktivitete të tjera.
Çeku ka thënë se nëpërmjet këtij festivali, kosovarët kanë mundësi që të njohin për së afërmi edhe turizmin e kësaj zone, pasi që, në një rast tjetër vështirë të njihen me bukuritë e fshatrave që ka Shqipëria, sikurse është rasti me fshatin Vunoi.

Kurse Dhurata Gazulli nga GIZ, organizues të këtij festivali, në këtë prezantim ka thënë se qëllimi i tyre është që të bëjnë promovimin e fshatrave, duke iu referuar këtij festivali që ka tashmë edicionin e dytë, dhe është i lëvizshëm, pikërisht për njohje të sa më shumë zonave.

“Këtë vit është zgjedhe fshati Vunoi”, ka thënë Gazulli, e cila ka theksuar se shtëpitë e këtij fshati janë në një pozitë mahnitëse që ofron një pamje të rrallë.
“Festa do të ndodhë në Vunoi, por në këtë festival do të përfitojnë edhe fshatrat përreth, ku operatorët e Shqipërisë do të ofrojnë aktivitete të ndryshme sportive”, ka thënë Gazulli.
Ajo ka shpjeguar se për dallim nga edicioni i parë, këtë vit, këtij festivali i janë shtuar edhe dy aktivitete, ai i tureve kulturore ku do të vizitohen fshatrat Himara dhe Vunoi, sikurse edhe turi i degustimit të vajit të ullirit.

Kurse përfaqësues të operatorëve që janë pjesë e këtij festivali kanë thënë me këtë rast se të gjithë pjesëmarrësit do të kenë mundësi të provojnë pak nga të gjitha, pasi që, krejt këto oferta në sezonin e verës kanë një kosto shumë të lartë, kurse përgjatë këtij festivali çmimet do të jenë shumë të volitshme.

Organizatorët në fund kanë bërë të ditur se ky festival do të zgjasë për tre ditë, prej 27 deri më 29 prill, dhe këto tre ditë janë të mbushura me aktivitete të ndryshme sportive, kreative e kulturore.
Të gjithë ata që duan të jenë pjesë e këtij festivali që ofron shumë, mund ta bëjnë rezervimin online në faqen zyrtare të këtij festivali, që do të jetë aktive prej 1 prillit. /KultPlus.com
KultPlus ju sjellë videon e edicionit të parë të këtij festivali.

Aleksandër Moisiu, burri me kombësi të përbotshme

(Një vështrim në jetën e karrierën e aktorit Aleksandër Moisiu)
Nga Pjeter Logoreci

Duke i bërë një analizë të shpejtë shkrimeve që janë publikuar për aktorin me origjinë shqiptare Aleksandër Moisiun, kuptohet, që ai ka qenë një yll i skenës teatrore botërore me përmasat e një gjeniut në fushën e aktrimit. Është një fat i madh për ne shqiptaret që ai e zhvilloj karrierën e tij në vendet me tradita kulturore si Gjermania , Austria, Italia, Çekia… të cilat kanë të ruajtur dhe arkivuar historikun e teatrove të tyre kombëtar, ku karriera e Aleksandër Moisiut ishte për disa dekada dominante. Për rrjedhoje ekzistojnë në këto arkiva, dokumente që pasqyrojnë karrierën me fillime të vështira, por brilante të aktorit të përbotshëm Aleksandër Moisiu. Shtetet ku ai punoj dhe jetoj, u përpoqën ti japin Moisiut identitetet e tyre kombëtarë.

Për kritiken italiane, Alessandro është një triestin i lindur (pa përmendur prejardhjen e prindërve emigrante), përfaqësues i denje i shkollës italiane të aktrimit. Në të vërtetë ai kaloj në Trieste një periudhë të vështirë të fëmijërisë së tij, me shume probleme familjare dhe ekonomike për të cilat familja e tij u detyrua të largohet për një jetë më të mirë, drejtë Austrisë.

Për teatrin Austriak, Moisiu u „zbulua dhe u formua“ në Vjenë, edhe pse aty u përball me probleme të mëdha të integrimit, u nënvleftësua dhe ju mbyllen dyert e skenës si i paafte dhe i patalentuar në fushën e kantos e të teatrit. Teatri gjerman i Pragës ishte vendi ku Moisiu gjeti përkrahje dhe ju hapen mundësitë për të filluar karrierën e tij si aktor. Në themel të karrierës së tij qëndron këmbëngulja e superaktorit austriak Kainz, i cili zbuloi tek djaloshi Moisi të ardhmen e teatrit modern dhe e drejtoj atë drejt Pragës ku punonin miqtë e tij.

Fillimi i tij në teatrin e Pragës me eksperiencat që krijoj, ishte shkolla e vërtetë për artin skenik të Moisiut. Por talenti i pakufi i Moisiut me sukseset e njëpasnjëshme kërkonte një ambient me të gjerë, e të përmasave botërore siç ishte skena e teatrit ne Berlin. Mbas dyvjetesh e gjysmë debutimi në Pragë, ku mundësitë ishin të kufizuara, më 17-të dhjetor 1903 emri i Aleksandër Moisiut shfaqet në afishet e teatrit të Reinhardt – it në Berlin me rolin e aktorit në dramën me temë shoqërore “Na dne” të Maksim Gorkit (të shkruar në 1902).

Në arkivin e muzeut të teatrit Austriak në Vjenë që është pjesë e Muzeut Historik të Artit, gjendet fondi i Alexander Moissi. Fondi është i ndarë në disa sektorë, në atë të FOTOGRAFISE ku gjinden dhjetëra foto origjinale të aktorit. Sektor tjetër shumë i rëndësishëm është ai i LETRAVE DHE DORËSHKRIMEVE ku gjendet korrespondenca e Moisiut me familjen, miqtë, kolegët apo telegramet e posta e tij. Këtu gjej rastin të falënderoj të gjithë personelin e arkivës së teatrit për gatishmërinë e përkrahjen në kërkimet e mija. Bashkëshortja e Aleksandrit, aktorja Johanna Terwin i dhuroj këtij fondi një pjesë të madhe nga dokumentacioni ekzistues, në mes tyre edhe kujtimet e saj për momentet më të spikatura të jetës së tyre artistike e bashkëshortorë.

Duke shfletuar pjesë nga kujtimet e pjesëtareve të familjes mësohet që Moisi Moisiu (1)dhe Amalia De Rada(2) u martuan ne Trieste por erdhën në Shqipëri për të jetuar. Baba Moisiu (i besimit Kristjan Ortodoks) erdhi në Trieste,që atëherë ishte nën Perandorinë Austriake, në 1862-shin. Ai ishte tregtar vaji, drithërash e lëkurash. Familja pati dhjetë fëmijë. Nga këta dy vdiqën pak mbas lindjes. Tetë të tjerët ishin pesë vajza: Irena, Sofia, Melania dhe dy binjaket Epifania e Elvira, kurse tre djemtë ishin: Konstantini, Dante e Aleksandri. Fëmija i pare i familjes ishte Konstantini që lindi më 1864 e mbas dy vjetësh në jetë erdhi Dante. Aleksandri lindi më 2 prill 1879 në Casa Rolli (Riva Grumula) pranë portit në Trieste. Ai u pagëzua në kishën e Shën Kolit të Triestes sipas ritit Kristian Ortodoks grek.

SONY DSC

Foto 1: Dëshmia e pagëzimit të Aleksandër Moisiut (foto Pjeter Logoreci)
Duhet shikuar që nga shkrimet e botuara, po ashtu edhe nga dokumentet që gjenden, nuk ka asnjë pikë që të vërtetohet teoria e shumë përfolur e të qenit Jude gjë e cila vërtetohet nga vet familjarët dhe të njohurit e tij (Irmgard Rohracher ne librin Alexander Moissi, faqe 3, Wien 1951).


Foto 2: Vërtetimi i lëshuar nga kisha ortodokse autoqefale shqiptare (1932)

Sipas shënimeve, mbas humbjes së 12 anijeve plot me mall të babait (1883) të cilat u mbyten nga stuhia në det, familja jetoj e ndarë.
Nëna Amalia që ishte e krishterë nuk ambientohej dot në jetën e vështirë plot orientalizma të asaj kohë në Shqipërinë e Osmanizuar nga turqit, u shpërngul tëjetonte në Trieste se bashku me vajzat Irena, Sofia dhe me të voglën Melaninë. Kurse në Durrës, me babain Moisi jetonin të shkujdesur Konstantini, Dante, Aleksandri dhe dy vajzat binjake. Aleksandri 4 vjeçar, i cili ishte fëmija i fundit, më i vogli, ishte i zgjedhuri i babait i cili nuk kursehej për të plotësuar dëshirat e fëmijëve që jetonin në ambientin mbytës të qytetit. Në moshën 6 vjeçare Aleksandri mori si dhurate nga babai një kalë i cili i mbushi me gëzim jetën e botën e tij fëminore. Shkolla e kohës që preferonin fëmijët ishte për të dëshiruar, por edhe Sandri (siç e thërrisnin të afërmit) ishte nxënës i dobët. Në shkollë mësimet ishin në gjuhën greke, por në shtëpinë e Moisiut flitej gjithmonë shqip. Sandri ishte mengash (shkruante e punonte me dorë të majtë). Në kujtimet e motrave ai përshkruhet si fëmijë i lëvizshëm, shumë i shkujdesur dhe me plot fantazi.

Motra Melani kujton: Aleksandri bënte kudo rrëmuje dhe ishte i shkujdesur. Ai humbte gjithmonë gjerat e tija personale. Ne kemi fjetur në një dhomë me Sandrin dhe ai mundohej të kujdesej për mua dhe të më gëzonte. Kuzhinierja jonë e vjetër me emër Gigia, kujdesej për ne gjatë ditës. Kur Aleksandri nuk shoqërohej nga të tjerët nga shkolla deri në shtëpi, ndodhnin gjithmonë gjëra të papëlqyeshme: p.sh. një here ra në kanalin e madh të ujit, një herë tjetër rrëzoj një shitës ëmbëlsirash dhe një grua me vezë…. e babai duhej të paguante dëmin….një herë bashke me binjaket dhe Melaninë hëngrën dhe dëmtuan vreshtin me rrush të një verëpunuesi e babai përsëri duhej të paguante…një herë në dimër ai rrezoi në det vëllain e madh i cili ishte i ftohur …

Mbas 4 vitesh në tokën shqiptare në vitin 1887 i jati e lejon të shkojë tek e ëma në Trieste. Kjo ishte një periudhë e vështirë për Aleksandërin fëmijë. Në Shqipëri ai shihej nga bashkëmoshatarët si “italiani” kurse në Trieste si “albanese” dhe kjo ndikoj që ai të mbyllej dhe të mos shkonte mirë me mësime. Si më i vogli ndër fëmijë, Sandri ishte gjithmonë nën diktatin e motrave. Ai ishte “fëmija i prapë i familjes” dhe shpesh e ndëshkonin. Shkolla nuk i pëlqente e aq më pak detyrat e shtëpisë. Në shkollën fillore u detyrua të përsërisë disa herë klasën për arsye të rezultateve të dobëta.

Tingëllimën e parë të zemrës për teatrin e pat në Trieste kur pa në skene aktorin e madh italian Ermete Novelli, i cili luante pjesë nga “Papa Lebonnard” dhe nga “Luigji i IX”. Se bashku me një teze të tij plake, Sandri pati mundësi të ulej në një nga lozhat e fundit të teatrit që të shikonte humoristet veneziane “Zago”“e “Benini”. Me pas ndodhi ajo… që do ti ndërronte jetën princit të vogël Moisi. Asnjëherë me përpara i vogli nuk kishte menduar që, dikush pa mjete muzikore, këngë apo muzikë do te mund të argëtonte një sallë plot me spektator që qeshnin si të çmendur. Nëpërmjet artit të Novell-it Sandri futet në botën magjike të skenës e me fantazinë e tij fëmijnore arrin të shoh të ardhmen e tij në këtë fushë….. Momentet e kësaj dite lanë gjurmë të pashlyeshme në jetën e tij.

Në këtë kohë situata ekonomike në familje u rëndua shumë. Nëna vendosi ta dërgonte Sandron tek një kushëri i saj prift në Graz të Austrisë. Prifti premtoi ta ushqente dhe ta shkollonte atë. Kur çdo gjë po shkonte siç duhej, priftit u transferua e Sandros ju deshtë të kthehej në Trieste.
Dy nga motrat, me ndërmjetësinë e një kushërire me influence në Vjenë arritën të punësohen si nënpunëse ministrie e kështu të siguronin të ardhura të mjaftueshme për të jetuar të gjithë. Familja u shpërngul në Vjenë. Aleksandri këndonte shumë bukur dhe ishte dëshira e nënës që ta dërgonte në konservatorin e Milanos, por pamundësia ekonomike e detyroi atë të ndiqte familjen në Vjenë.

Në vitin 1896 Moisiu zbret nga treni në Südbahnhof në Vjenë, ndërkohë që familja kishte në qira një hymje me dy dhoma të vogla në Hiessgasse /Landstrasse në bashkinë e trete, ku ishte sistemuar nëna me dy motrat. Për të ndihmuar sadopak ekonominë e familjes ai fillon të japë mësime të italishtes. Edhe pse ishte i veshur keq, trupvogël dhe i pa eksperience për veten e tij, edhe pse nuk zotëronte për vete gjuhën gjermane, ai arrin të ketë disa nxënës dhe të sjell në shtëpi drekën e ngrohtë për familjen.
Për Alessandron ëndrra e konservatorit jetonte. Me ndihmën e kushërirës së tij me influencë, të drejtorit italian të konservatorit Ferrucio Busoni e të profesorit të kantos Mancio arrin të futet në konservatorin e Vjenës. Fatkeqësisht mbas fillimit të mësimeve profesori Mancio vdes dhe zëvendësohet nga Prof. Forsten, i cili kishte një metodë të ashpër mësimore. Si student i konservatorit Moisiu kishte mundësinë të frekuentonte gratis koncertet e operat. Edhe në konservator ai nuk arrin të bëjë hapa përpara. Nuk merr pjesë rregullisht në prova, në leksionet e kantos e të teknikës së frymëmarrjes. Në mësimin e harmonisë e të gjuhës gjermane nuk merr pjesë pothuajse aspak, gjë që Profesori Forsten nuk e toleron e në fund të semestrit të parë i heq Aleksandërit të drejtën e studimit.

Në gjendje shpirtërore të dëshpëruar, me këpucë të grisura, gjysmë i zbathur, me trupin e vogël që dridhej nga të ftohtit e dimrit të egër Vjenezen leckat që mbante veshur, ai endej rrugëve të qytetit për të kërkuar punë. Kjo situate e ndoshta ndonjë ftohje e mëparshme bëhet shkas për një sëmundje të rëndë të mushkërive e cila me vonë do ti marre dhe jetën.

Duke shfrytëzuar njohjet nga konservatori, fillon të punoje si Claquere (person që paguhet të duartrokas gjatë një shfaqje) në Hofoper ku shkonte çdo natë. Gjate ditës ai punon si ndihmës-varrimesh në Zentralfriedhof (varrezat qendrore), ku asistonte në ceremonitë e varrimeve që në Vjenë janë shumë klasike, që më vonë i shërben në krijimin e figurave artistike ku vdekja ishte pjesë në atmosferën e rolit, si të princi Hamlet.

Në këto ditë të vështira rastësia i solli një punë si figurant në teatrin e qytetit. Me 19 shkurt 1899 ai nënshkruan kontratën me drejtorin e teatrit të qytetit Paul Schlenther, ku punësohej si figurant i përhershëm.

Foto 3 :Aleksandër Moisiu figurant në Burgtheater
Moisiu tregon: “Në rinin time të hershme kur erdha në Vjenë, nuk u prita me tuba lulesh, por punoja shumë. Fillova si mësues i gjuhës italiane dhe fitoja vetëm për 30 Kreuzern për një leksion gjë që nuk më lejonte të bëja një jetë normale. Dëshira ime ishte të bëhesha këngëtar dhe arrita të hyj në konservator. Mësoja të këndoj, por që të bëhesh këngëtar duhej të kishe një stad mesatar, për ketë me duhej të këndoja nga mëngjesi deri në darkë….isha shumë i mbingarkuar e ndodhi që nuk me eci mirë…… që të përmirësoja situatën time materiale e ekonomike mora përsipër punën e ndihmësfigurantit në Teatrin e Qytetit. Dielli me shndriti më fat e më mëshirë dhe me ndërhyrjen e një djalit të Krachers, arrita të bëhem figurant. Kjo ishte punë shumë më e mire se ndihmësfiguranti. Honorari im për çdo natë ishte 80 Kreuzer (1, 35 Mark) që më mjaftonte për të shuar oreksin rinor të ditës, por vetëm me Würstel (Salsiçe)e bukë…., por e rëndësishmja ishte se isha në Burgtheater…E fillova punën me “Meister von Palmyra” (Mjeshtri nga Palmira). Mundohesha të isha në lartësinë e duhur; isha njëri nga turma e popullit grek…por krejt në fund të skenës…sa që kisha ndjesinë se regjisori nuk kishte besim tek unë ose turpërohej nga prezenca ime…krejt në fund të skenës …..që të mos me shihte kush, e kështu herë pas herë me duhej të dilja dhe të hyja prapë, në çdo akt, por përsëri në fund të skenës, krejt afër derës… E kjo gjë ndodhi në shumë pjesë teatrore… O Zot, sa herë jam rrezuar së bashku me heshtën që mbaja në dorë….Pastaj erdhi kthesa: në “Cyrano de Bergerac” isha në skenë si kadet. Në aktin e katërt “Gascogne” përfshihej nga stuhia dhe kadetët duhej të prekeshin nga era e të dilnin…., e këtu unë u ndjeva shumë i shqetësuar e nuk dola…, për këtë mbas disa ditësh u thirra nga drejtori Schlenther që të sqaroja shqetësimin tim….dhe kaq ishte… unë që kisha menduar deri në atë kohë, që atje ne fund ku isha nuk do të me vërente askush, me besoni, mbeta shumë i befasuar…..”, Fragmenti është marre nga disa shënime, kujtime të tij, të depozituara në Theatermuseum / Wien

Në shkrimin e tij “Debutimi im në Burgtheater” ai kujton: Isha në Vjenë. Isha shumë i ri e shumë i varfër, jepja mësime private gjuhë pak personave të cilët patën besim tek unë. Në të vërtetë në atë kohë nuk kisha as idenë me të vogël se çka dëshiroja të bëhesha…Isha në kërkim të bukës, kisha uri të madhe e zorrët me këndonin në bark, kur rastësia e madhe më solli në Burgtheater si Komparse (Figurant)….

Uni- i brendshëm i artistit filloj të zgjohej tek ai. Pasioni i tij për teatrin jep frytet e para. Në skenë si figurant ai mundohet të krijoje figura sa më të besueshme për publikun. Një here kur të gjithë figurantët duhej të dilnin nga skena, ai mbet në skene i rrëmbyer nga interpretimi i aktorit Ernst Hartmann që interpretonte Cyrano-n. – Dil jashtë, thërret shefi nga prapa skenës, por ai i mahnitur mbeti aty deri në fund të aktit…. Një herë tjetër ndodh qe ai i prekur nga skena që luhej, filloi të qajë më dënesë, gjë që tërhoqi vëmendjen e publikut. Njerëzit filluan të flasin me tallje për të “riun e apasionuar” që rrëmbehej shpejt….. por ai arriti të ketë vëmendjen e të gjithëve.

Është zakon i Burgtheatrit të Vjenës që herë pas herë t’ua japë mundësin talenteve të rinj të paraqiten para regjisorëve me pjesë të ndryshme, për të siguruar një vend pune “me rastin e shtesës së personelit” si aktor. Aleksandri me ndihmën e aktores Maria Urfus (që më 1910 u martua me Moisiun dhe me 1911 patën një vajzë të quajtur Beate),mëson pjesë nga “Uriel Acosta”, nga e famshmja “Narziss” dhe “Rikardi III”. Mikja e tij përpiqet shumë qe krahas artit skenik të përmirësoje të folurit e tij në gjermanisht.

Kështu me 1 dhjetor 1899 paraqitet me interpretimet e tija para komisionit të regjisoreve të Burgtheatrit. Ai e ndjen veten të kënaqur e të sigurt gjatë lojës së tij. Plot zell dhe furishëm fillon Aleksandri duke shpërthyer zjarrin që i vlon në shpirtin e tij prej artisti, në frazat që reciton. Fraza, rreshta, monologje në gjermanisht, të cilave nganjëherë nuk ua dinte kuptimin.

Aleksandri kujton: gjatë Uriel Acosta, drejtori Schlenther qeshte me gjithë zemër, por vetëm Narziss i pëlqej atij; tete dite mbrapa unë qëndroja në skenën e Burgtheatrit para kolegjit të regjisoreve. Kurrë nuk i mësova përshtypjet e tyre për pjesët e mia, e me sa di unë: mendimet e Sonnenthal-it, Krastel-it, Lewinsky-it dhe Hartmann-it nuk kishin asgjë të mirë. Por drejtori Schlechter besonte tek unë, e kjo ishte gjëja më e bukur që më kënaqte në atë kohë: që drejtori Schlechter më shikonte mua si një aktor të ardhshëm….. ky ishte parashikimi i tij… Unë fillova të studioj e të mësoj gjermanisht nga gruaja ime që ishte aktore, Maria Urfus…..gjermanishtja për mua si i lindur në Itali ishte shumë e papërshtatshme dhe e vështirë.

Kolegji i regjisoreve nuk reagon aspak nga pasioni e temperamenti i veçante i këtij djaloshi 19 vjeçar. Njëzëri ato marrin vendimin: Alexander Moissi ist zum Schauspieler ungeignet.
Aleksander Moisi është i paaftë që të bëhet aktor…. megjithatë komisioni e lejon atë të vazhdojë të punojë si figurant, por që mund të thotë ndonjë fjalë nganjëherë…. megjithë theksin e keq të gjermanishtes që ka…, por tashmë shpirti i tij nuk gjente më paqe dhe digjej për skenën… Më 31 Mars 1900 ai këndon në skenën e Shoqërisë Tregtare të Vjenës në pjesën “Ehemann vor der Tür” (Bashkëshorti tek porta) më shumë sukses. Sukses tjetër për tu përmendur ishte roli “Kusofkin”, ku interpretoj vargjet e Turgenjevit në pjesën “Gnadenbrot” (Bamirësia). Në një gazetë të kohës shkruhej: i riu Moisi dëshmoi për një talent të padiskutueshëm…zëri i tij i shumëngjyrshëm, loja në pantomime, sikurse edhe siguria e tij në skenë bëri përshtypje shumë të mirë….

Kjo shërbeu që të Moisiu i ri të rritej besimi në vetvete. Guximi i tij triumfoi mbi pasigurinë e mungesën e eksperiencës.


Foto 4 : Aleksander Moisiu në fillimet e tij…(1906)

Fati e solli që në nëntor 1900, në një teatër të vogël në Vjene (Nußdorf) do të shfaqej nga një trupë e huaj pjesa “Die Räuber”. Dy dite përpara shfaqjes Aleksandri mori përsipër një nga rolet kryesore, për të zëvendësuar aktorin që për arsye personale mungonte. Një ditë tjetër ai mori më shumë iniciative mbi vete rolin e “Kosinsky-t” prapë si zëvendësues, sa që në grupin e figurantëve të Burgtheatrit, filluan ta quajnë “Aleksandri Shpetuesi”. Për këto dy ndërhyrje ai mori shpërblim nga kolegu i tij, figuranti më i vjetër i Teatrit Moncza, një palë këpucë.

Më pas ndodhi që në komedinë Tartufi, ku ai luante shërbëtorin Lorenzo, emri Aleksandër Moisi do të shtypej për të parën herë në afishet e shfaqjes. Aktori i madh Josef Kainz dhe Moisiu qëndrojnë bashkë në skene, por ndodhi ajo që nuk pritej…
…..duke u futur në skenë Kainz fillon të interpretojë : …. Lorenzo, o shërbëtori im, a është gati veshja ime…?? e pas një shikim të shpejtë pyetës Lorenzos…..
Kainz shtanget i befasuar nga sytë e shërbëtorit, Moisiu nuk arrin të lëviz më, ai nuk mundet të flasë….. vakum…edhe pse dëgjonte sugjerimet e suflerit ….. Sy me sy vështroheshin të dy, kolosi Kainz që ishte legjenda e teatrit në të gjitha trevat gjermano folëse dhe figuranti “i panjohur” Moisi…

Kainz arrin të shoh në shprehjen e syve të Moisiut – Lorenzo, ndjenjën e nënshtrimit e të fatkeqit, e po ashtu zbulon të figuranti i panjohur, forcën, madhështinë e talentin e një aktori të ardhshëm….
Ai keshillon Moisiun në qarqet më të larta të hierarkisë teatrore. Drejtori Schlenther e sugjeron Aleksandërin të Angelo Neumann që ishte drejtues i Teatrit gjerman të Pragës, i cili i beson instinktit të Kanz-it. Me ndihmën e motrës së tij, Moisiu blen nga një tregtar rrobash të përdorura në Judengasse një kostum, një kapele (të cilën më pas e harron në tren) për 3 Gulden dhe udhëton për në Pragë. Një kontratë 6-të vjeçare e pret në Neues Deutsche Theater ku ai për katër vjet rresht (1901 – 1904) aktron. Filloj me rolin e Elias në “Über unsere Kraft nga Björnson “, ku la gjurmë të paharrueshme. Më pas vazhdon me Franc Moor, Cyrano von Bergerac dhe Coupeau të Zolas në “L´Assomoir”. Jehona e interpretimeve të tij e ndau publikun në dy grupe kontradiktore, populli dhe shtypi. Njëra pale kritikonte mënyrën e tij gjuhësore të të folurit, theksin e tij të huaj si dhe mënyrën jo tradicionale të interpretimit, kurse grupi tjetër: admironte tingëllimin e zërit të tij kumbues dhe temperamentin e tij të zjarrte që e pasqyronte në rolet e interpretuara. Erdhën më pas rolet e Gaspard në “die Glocken von Cornville”, Bonifazi në “Brüder Staubinger”, “La Main” një pantomime franceze… Vitet e Pragës e ndihmuan atë të kuptonte sekretin e magjinë e lojës aktoriale.

“ Kur fillova punën, kujton Moisiu, në të vërtetë nuk dija ku qëndron sekreti i interpretimit të një roli, mendoja thjeshtë me fantazinë rinore që arti i krijimit të rolit është të ngjitesh një mjekër fals në fytyrë. Isha i bindur që sa më shumë në skenë aq me i spikatur do të isha, që unë nuk isha vetvetja por një tjetër të cilin e përcaktonte autori i tekstit. Sa më shumë që njihja botën, aq më shumë bëhesha i vetëdijshëm në personin tim. Më vonë kuptova që artin tim duhej ta ndërtoja thjesht mbi personalitetin tim. Jo me “maskim”, por me “demaskim”. Kërkoja lirinë time në çdo rol, për ta interpretuar atë në mënyrë të natyrshme dhe arrita ta zotëroj këtë. Kjo bëri që kur zgjidhja rolet, mundohesha ti shihja personazhet brenda vetes sime…“

Në Prag ai bëri një jetë të c´thurur që i kujtonte fëmijërinë në Durrës e Trieste. Net të tëra frekuentonte klubet “jo më zë të mirë”, pinte shumë, flirtonte me gratë…., që të njihte mirë JETËN e NJERËZIT –thoshte ai. Një nga biografet e tij (Paul Leppin), për këtë periudhë tregon që Moisiu ishte i palodhur dhe i rezistonte natës. Në kohën kur të tjerët fillonin të braktisnin lokalin, ai niste të këndonte meloditë “Die Stretta” italiane që përkëdhelnin zemrat femërore, deklamonte Shekspirin ose tregonte ndodhitë e fëmijërisë së tij në Shqipërinë e pushtuar nga turqit. Vitaliteti i tij ishte i papershkrushem. Të gjitha sa fitonte i harxhonte për qejfet e tij mbasi ndjehej shume i vetmuar. Gjendja shpirtërore e tij në këtë periudhe ishte shume e trazuar gjë që pasqyrohet edhe në rolet e tij: i tronditur, i ndjeshëm, pasiv, i mbyllur në vetvete, i përmalluar… Thuhet që në rolin e Faustit, ai nuk luante gjendjen që përshkruante autori, por vetveten. Shpirti i tij i trazuar shpërthente ndër emocione të fuqishme, që i bënte rolet e tij të famshme e të paharrueshme.

Në shumë role ai arriti përsosmëri dhe sukses dhe filloi të mendonte të ndërtonte një karrierë të vërtetë, por në një teatër të njohur si ai i Berlinit. Për këtë në vitin 1903 vendos lidhje me Max Reinhardt i cili i premtoi atij një rol në zezonën 1904 – 1904 në një pjesë të Gorkit. Më 22 nëntor 1903, Moisiu ndahet nga Neue Deutschen Theater në Pragë, ku për të fundit herë luajti rolin e Kozakut Beitler të Hugo Müller dhe Franc Roth tek “ Von Stufe zu Stufe”.
Thuhet që për të udhëtuar për në Berlin ai mori nga miqtë e vet para hua të cilat i harxhoj të gjitha në festën e ndarjes me miqtë. Në Berlin u gjend më 26 nëntor i shoqëruar nga gruaja e tij, aktorja Maria Urfus.

Zotërinj, po ju paraqes aktorin e ri – kështu e prezantoj Max Reinhardt në ansamblin e tij Moisiun. Më pas ai përshkroi me fjalë të tjera, besimin e palëkundur që ishte të aktori i madh, por jo shumë i njohur. Në fillim edhe pse Reinhardt i kishte premtuar një rol tek Bernard Show “Der Schlachtenlenker” të cilin Moisiu e kishte përgatitur, ai nuk ja dha atë pasi pat presion nga trupa e aktorëve. Kështu më 24 prill 1904, Moisiu u ngjit në skenën e teatrit të Reinhard-it në “Kabale und Liebe”, por nuk arriti që të bënte për vete dhe të integrohej në grupin e aktorëve. Ai vendosi të provonte në Osterndtheater të sapo formuar më 3 shtator 1904, i cili ishte nën drejtimin e Viktor Laverrenz dhe quhej Carl Weißtheater. Më vonë ky teatër u emërua si skena popullore gjermane.

Në këtë teatër Moisiu mori pjesë në tri premiera: si Franz Moor ne “Räubern”, si Golo në pjesën e Habbel-it “Genoveva” dhe si Mortimer në “Maria Stuart”, të cilat i dhanë mundësi që të bëhej i njohur në qytet. Pas pak muajve Reinhardt-i e mori Aleksandërin përsëri në teatrin e vet për të luajtur rolin e Philipp-it në “Grafen von Charolais” të Beer – Hoffmann, të cilin nuk ishte në gjendje ta bënte asnjë nga grupi i Reinhard-it. Kritika dhe publiku e priten në mënyra të ndryshme aktorin e ri. Një pjese e publikut u “tremb” nga e folura e tij dhe mënyra moderne e interpretimit, ndërsa pjesa tjetër (ajo më e shumta) u pasionua pas tij. Kritika njëzëri nuk e pranoj Moisiun për një kohë të gjatë deri sa puna, talenti e arti i tij me rolet e Kreon-it të “Ödipus und die Sphinx”, me Oswaldin të “Gespenstern” dhe Moritz Stiefel në “ Frühlings Erwachen” e bindi. Pas kësaj diagrami i ngjitjes së karrierës së tij ishte e papërmbajtur. Luajti Romeon, Franc Moor, Claudion në Der Tor und der Tod, Lolon të Mbreti Lir. Në 1909 luajti Faustin dhe neëfestivalin e teatrit gjerman në Münich për herë të parë Hamletin, i cili u cilësua më vone si një nga rolet më të famshme të tij, por më 1910 ky hov i madh suksesesh u ndërpre nga një sëmundje e mushkërive që e detyroi atë të pushojë aktivitetin. Atij ju desh të shkojë në Davos të Svicres, që është një vend kurash për sëmundjet e tuberkulozit. Pas një periudhe të gjatë ndërprerje ai ju bashkëngjit trupës së Reinhardt-it gjatë turneut në Petersburg në maj 1911, duke marrë përsipër rolin e Edipit me të cilin korri një sukses të papare aty, por edhe me pas në Berlin, Hamburg, Wien… Më 7 shkurt 1913 ai luajti në premiere Fedja-n nga drama e Tolstoit – “Kufoma e gjallë”, që është një ndër rolet më të arrira të tij.

Çelësi i suksesit të Moisiut, do të shkruante kritika, është zëri i tij tingëllues, mënyra e shkëlqyer e të folurit, arti i artikulimit të fjalëve, për të cilat më vone ai u bë i njohur në të gjithë botën. Ai arriti të bëhej aktori i parë e më i famshmi në të gjithë botën gjermano-folëse. Më fillimin e Luftës së Parë Botërore ai u angazhua vullnetarisht si ushtar dhe u dërgua në frontin perëndimor si aviator, ku për merita ushtarake u gradua Leutnant dhe u dekorua me “Kryqin e Artë”, dekoratë e lartë ushtarake. Më 26 shtator 1915 pas rrëzimit të avionit të tij në France, ai u kap rob nga francezët së bashku me bashkëluftëtarin e tij. Më 2 mars 1916, gjatë një transporti nga kampi ku mbahej i burgosur bashkë me një grup ushtaresh u arratisën, por u kapen dhe u dërguan në burgun ushtarak në Toulouse. Kur një komision mjekesh vizituan burgun, ndërhynë pranë autoriteteve franceze dhe arritën ta dërgojnë për kurim të mushkërive në Arosa të Zvicrës.

Gjatë jetës së tij Moisiu pati shumë histori dashurie. Ai ishte “hyjnori” i grave të cilat prisnin në radhë pas çdo shfaqje të dera e kabinës për një autograf apo për ta takuar. Thuhet nga biografet: gratë që gjate shfaqjeve të tija uleshin në rresht të parë, nuk gjenin dot qetësi nga shikimet e tij këmbëngulëse e lakmitare, por njëkohësisht ishte dhe xheloz kur gruaja e tij vishte fustane që i zbulonin pjesët e trupit. Ai u martua dy here. Pas gruas së parë Maria Urfus (1910), me të cilën pati vajzën Beatrice (Moisi) von Molo të lindur më 1911, ai u martua me kolegen e tij nga teatri i Reinhard-it, gjermanen Johanna Terwin e nuk patën fëmijë. Historia e dashurisë se tij me Terwin filloi kur luajtën pjesën “Kufoma e gjallë” ku Terwin ishte cigania Mascha. Më vonë të dy luajtën shumë duete së bashku: Romeo e Zhuljeta , Hamleti dhe Ofelia, Othello e Desdemona.
Moisiu gjatë periudhës së tij në Berlin pati një lidhje jashtëmartesore me Hertha Hambach nga e cila u lindi një vajzë (1922) që quhej Bettina (Moisi ) Berggruen.

Foto5 – Pema e familjes së Moisi Moisiut nga arkivi i Teatrit në Vjene (Foto P. Logoreci)

Foto 6 – Beatrice (Moisiu) von Molo (1911), vajza e Aleksandër Moisiut me gruan e parë Maria Urfus

Foto 7 – Moisiu me Beatricen (Beaten) 1912

Foto 8 – Bettina (Moisiu) Berggruen, vajza e dytë (jashtë martesë) e Aleksandër Moisiut me Hertha Hambach
Të dy vajzat ishin artiste. E para ishte aktore, valltare e këngëtare kabareje që paraqitej me emrin e artit Beate von Molo, kurse e dyta Bettina Berggruen ishte aktore filmash. Një nga pasardhësit e vajzës Beate është dhe aktori austriak Gedeon Burkhard.

65 vjet mbas vdekjes së Moisiut, vajza e tij Bettina e cila në atë kohe ishte 9 vjeçe kujton: unë nuk mund të harroj kurrë shprehjen e syve të tij, ato i kam parë disa vjet më vonë përsëri, e ju nuk do ta besoni se ku….. të Picaso. Edhe Picaso si babai im kishte sy me vështrim hipnotizues e luftarak si ato të një Toreadorit që lufton me demat.. Sytë e babait tim ishin “të butë, të qetë, sy të vdekur si ato të statujave greke prej mermerit”…

Ndërsa Kafka e kishte vrojtuar kështu artistin tone: një artist të cilit i rrjedhin vargjet nga koka e tij…(goja me zërin e mrekullueshëm, sytë që flisnin)
Duket sikur në thellësinë e syve të tij lëvizin arkiva fotosh bardhë e zi me lëvizje të ngadaltë fantazmash….Mumiet egjiptiane 2000 vjeçare kanë sy të tillë…të fiksuar e të thelle, pa shprehje, të trishtuar, por të pa ankesë, të rezervuar por prezent….vetëm në pikturat e Lorenzo Lottos mund të gjesh sy të tillë melankolik mesdhetar..Moisiu i rrëmben menjëherë njerëzit me sytë e tij, me zërin e tij…

Në skenën e teatrit ai bëri VDEKJËN “Profesion”. Gjatë karrierës së tij ai vdiq mbi 1500 herë në skenë, gjithmonë në mënyra të ndryshme….Ai përjetonte vdekjen dhe “ashtu siç vdes në skene Moisiu” nuk gjendet një aktor i dytë ta bëjë… Vetëvrasja e tij tek Fedja, që është roli i tij i jetës, ka mbetur firma e tij në art – sikurse personifikimi i Tramp-i të Chaplin-i ose kostumi i bananeve tek Josephine Baker. Moisiu, i pavdekshmi ylli i vdekjes … Ekspertet e teatrit shprehin keqardhjen që nuk u arrit të filmoheshin skena nga rolet e Moisiut. Një herë në vitin 1998 gjatë kërkimeve arkivore në Vjenë u gjend i mbyllur në një kuti llamarine një Film-Dokument: Moisi – Fedja në celuloid. Janë 55 sekonda xhirim, autori i panjohur…..segment filmi që sot duket se vjen si një mesazh i Moisiut nga bota e përtejme…

Sipas një thënie klasike: Të zgjedhurit e “Qiellit” dhe gjenitë vdesin herët, të rinj… Ashtu edhe Aleksandër Moisiu, vdiq ku ishte 56 vjeç, në kulmin e prodhimtarisë e të gjenialitetit të tij skenik.
Është interesante për tu treguar: Një here në ditët e para të vitit 1935, kur Moisiu gjendej në turne në Itali, dy gazetarë e vizitojnë në gardërobën e tij aktorin e madh i cili përgatitej të luante në skenë rolin e piktorit Luis Dubedat të “Il dilemma del dottore”. Për rastësi në këtë pjesë ka një skenë ku një gazetar pyet piktorin artist që vuan nga tuberkulozi: Ju lutem shkurt më pak fjalë na thoni diçka për sëmundjen tuaj dhe planet tuaja në të ardhmen?? Piktori Louis Dubedat – Moisi duhet sipas tekstit të përgjigjet: Planet e mija në të ardhmen janë shumë të thjeshta. Unë do të vdes….E kështu ndodhi në realitet, pak javë më vone ai vdiq. Fjalët e fundit ai i foli në skenen e Sanremos më 12 mars 1935, gjatë një turneu në Itali. Në rolin e Fedja-s tek “Kufoma e gjallë” shfaqja mbyllej me batutën: ….ndjehem shumë mirë… ndjehem me të vërtetë mirë…. e më pas personazhi mbyt veten…

Në mars 1935 Moisiu vendos të kthehet në Vjenë ku do të takohej me mikun e tij Stefan Cvajg i cili po përkthente në gjermanisht një komedi, që mbajtësi i çmimit Nobel, i madhi Luigji Pirandelo e kishte shkruar posaçërisht për të. Pritej që të vendoste për zgjedhjen e ansamblit e fillimin e provave. Natën gjatë udhëtimit në tren, e pushton një temperaturë e lartë dhe dhimbje gjoksi. Askush nuk ishte në kabinën e tij që të ia shuante etjen dhe ta ngrinte nga dyshemeja ku kishte rënë. Vuan shumë deri në mëngjes pa pasur ndihmën e njerëzve në tren, të cilët flinin në atë orë. Me 14 Mars 1935 treni futet në stacionin e Vjenës ku e shoqja e priste. Ajo kishte më së dy muaj që nuk e kishte parë burrin e dashur. …..Ai po vonohet? Pse nuk po vjen, ai duhej të zbriste tani….. përse nuk është në mesi e udhëtarëve si gjithmonë?…. Seç ka një parandjenje…dhe ja tek shihen dy punëtorë hekurudhash që mbajnë në krahë Aleksandërin. Ai dridhej nga dhimbjet dhe ethet. E dërgojnë në hotel duke menduar se ishte vetëm një grip i rëndë. Mjeku i urgjencës konstaton një ftohje në mushkëri dhe e dërgon më 16 mars në sanatoriumin Cottage, ku specialistet më të mirë të mushkërive, Dr. Bauer dhe Dr. Jagic përpiqen ta ngrenë përsëri në këmbe. Edhe në këtë gjendje ai ka kurajo të ironizojë situatën e vështirë ku gjendej: Kësaj herë është një skenë vdekje e keqe, do të zgjasë shumë….I lutet së shoqes që ta ktheje në hotel. Duke parë situatën e vështirë ajo i ndalon çdo kontakt, me fansat dhe gazetarët të cilët vërshuan aty, me përjashtim të mikut Bassermann dhe shkrimtarit Beer – Hoffmann. Fillon agonia, diagrami i temperaturës lëvizë si i çmendur. Terwin i gjendet pranë, i lagë buzët e thara, i lëmon ballin e djersitur, i mban dorën e lëshuar e të pafuqishme…

Foto 9. Tabela e matjes së temperaturës gjatë agonisë së Aleksander Moisiut (foto P. Logoreci)
Në ditën e shtatë temperatura i lëviz nga 40° në 35 °, i bëjnë një morfinë që të ia lehtësojnë dhimbjet e mëdha të gjoksit. Ai vete, Aleksandri i jep zemër së shoqes e cila nuk kishte me shpresë për jetën e tij. Atë dite më 22 mars 1935 rreth orës 14.00, nën veprimin e morfinës ishte i qetë, por i heshtur dhe i pafuqishëm. I kërkon së shoqes me shenja, në mënyrë të pakuptueshme diçka për të shkruar. Dora e tij në këto minuta të fundit të jetës arrin me shume mundim të shkruaj tri fjalë te palexueshme: Liebe….alles Liebe… dhe lëshohet në prehrin e gruas Terwin..

Foto 10. Fjalët e shkruara nga Moisiu 5 orë para vdekjes (Foto nga origjinali P. Logoreci)
Aleksandër Moisiu vdiq po atë dite rreth orës 19.10 minuta. Arkivoli me trupin e tij u dogj ne Krematorin e Vjenës i shoqërur nga muzika Adagio e Beethovenit, luajtur nga dy miqtë e tij, muzikantët e famshëm Bruno Walter (në piano) dhe Alfred Rosé (në violinë). Ishte hera e parë që në një ceremoni varrimi luhej një pjesë muzikore.
Asnjë përfaqësues i Austrisë nuk mori pjesë në ceremoninë e vdekjes. Sargu me hirin e tij ishte i mbështjellën me flamurin italian dhe ndërsa një grup i vogël nga miqtë dhe familjarët qëndronin në heshtje në kujtim të tij.

Foto 11. Arkivoli me trupin e Aleksandër Moisiut në Vjenë, 1935.

Foto 12. Sargu me hirin e Aleksandër Moisiut në Vjene, 1935.

Foto 13. Ceremonia funerale për Aleksandër Moisiun, Vjenë 1935
Gjate ceremonisë funerale, aktori me famë Albert Bassermann nxori nga gishti unazën Iffland (4)të cilën tradicionalisht e mban aktori më i mirë i kohës, dhe e vendosi mbi gjoksin e Moisiut të vdekur duke i thëne: ….ty të përket unaza Iffland-it…
Sargun me hirin e Moisiut, Johanna Terwin e varrosi në Tessin të Zvicrës, në varrezën e Morcote-s pranë viles së tij mbi liqenin e Luganos. Aty gjendet një pllake mermeri me mbishkrimin Alessandro MOISSI, 1879 – 1935,po në këtë vend (1962) do varroset edhe bashkëshortja Terwin.
Dëshiroj të mbyllë shkrimin me një thënie të vet Moisiut në vëren e vitit 1927, në Wansee të Berlinit në fjalimin që mbajti në varrimin e kolegës Agnes Sorma, fjalë të cilat më vonë do të kishin të njëjtën pasojë edhe për të: AKTORI I TEATRIT NUK ARRIN TA SHOHË KURRË PUNËN E TIJ. AI NUK MUNDET TA SHFLETOJË ATË SI NJË LIBER APO NUK MUNDET TË SHIKOJË ATË NË KANAVACË E NË GURË…..
Vjenë, 17 shkurt 2013.
Shënime
Në shumë shkrime nga autorë të huaj mbi Aleksandër Moisiun, shkruhet që babai i tij quhej Konstantin Moisiu. Babai i dha emrin e tij djalit të parë Konstantinit. Por në dëshminë origjinale të lindjes së Aleksandërit ai shënohet Moisi Moisiu. Emrin Moisi Moisiu të babait e vërtetojnë edhe pasardhësit nga familja Moisi.
Po ashtu edhe prejardhja e Familjes Moisiu nga disa autor të huaj shënohet: ato vijnë nga Golemi, një vend në afërsi të Shkodrës…
Amalia de Rada vjen nga familja arbëreshë De Rada. I ati i saj ishte një mjek i njohur në Firence, por nga autorët e huaj, shikohet më dyshim ky fakt. Ajo quhet një italiane në origjinë.
Të gjitha referencat (foto, letra, dokumentet, pjesë gazetash) janë marrë në arkivin e Teatrit Kombëtar në Vjenë.
Unaza e Ifflandit – unaze e rrethuar me diamante dhe me gdhendje e portretin të aktorit August Wilhelm Iffland i vdekur më 1814. Është si vlerësim dhe e mban aktori me i mire në boten e Teatrit – gjermano folës. Bassermann – i e ka mbajtur që nga viti 1911 deri në ditën që e vendosi mbi trupin e Moisiut.

Sikur të isha vajzë

Një përgjigje për Dijen, personazhin e librit emblëmatik “Sikur të isha djalë” të Haki Stërmillit. Një himn krijuar nga unë në mbështetje të çdo femre në jetën tonë.

Liridon Mulaj

Sikur të isha vajzë
Nuk do rrija duke mermeritur në pëshpërima dëshpëruese,
fatin tim të keq, paracaktuar
nga paraardhës dogmatikë.
Zhytur në vorbulla dokesh absurde.

Sikur të isha vajzë!
Nuk do strukesha në cepin e kuzhinës.
Me shkopin e petave në duar , e fytyrën me miell.
Për të treguar se është e vetmja gjë që di te bëj më mirë,
post bindjes për seks edhe pa epsh e dëshirë.
Nësë do të isha vajzë!
Do i buzëqeshja në fytyrë babait.
Me sytë e ngrirë akull
Për ti thënë se unë , mallkimi yt
Do jem bekimi yt
nëse do më shohësh si të tillë.
E përsëri do e vështroja me sytë akull
Çdo ditë, çdo javë , muaj e vite të tëra
Deri sa ndjenja e fajit, t’ja kërruste ndërgjegjen
Kur ta shikoja të dorëzuar, ta përqafoja e ta falja
Se jam vajzë !

Nëse do të isha vajzë!
Do zgjidhja fustanin më të bukur nga garderoba.
Atë të verdhin me lule të kuqe
që nëna ma bleu ditën kur mbusha vitin e tetëmbëdhjetë në jetë.
Do pluskoja me palët e tij mbi pluhurin e rrugëve gri.
E në çdo hap, të më ndiqnin xixëllonjat
për të marrë dritë nga unë.

Nësë Zoti do vendoste që unë të kisha lindur vajzë.
Do përbuzja çdo përbuzje!
Do ja ftohja ballin me peshqirin e lagur,
atij që vjell alkolin e pirë me të tjerë meshkuj të paskrupullt.
Do e gdhija mbi kokën e tij duke i lëmuar flokët.
Edhe pse do isha ndezur e flakë nga temperatura e lartë.
Nga gjunjët e këputur në lodhje sfilitëse.
Për ti treguar , se e vetmja forcë e madhe në botë
Jemi ne…

Sikur të isha vajzë!
Do ja bëja të ditur botës se shtatë mrekullitë janë thjesht masive të ngurta.
E se unë jam mrekullia e vërtetë
prej mishi e gjaku.
Që mbijetoj ditë pas dite, që ec , rrëzohem e ngrihem prapë në pangopje dashurie.
Edhe kur jam e degdisur kapanonëve të fasonerisë.
Si një robot në të ftohtë.
Prapë jam mrekullia e parë dhe e vetme e botës.

Ah sikur të isha vajzë!
Mbi këtë masë gjigande dheu e njerëzish
Do qëndroja krenare…/ KultPlus.com

29 vjet nga suprimimi i autonomisë së Kosovës

Sot me 23 mars, bëhen 29 vjet, që nga votimi i dhunshëm në Parlamentin e atëhershëm të Kosovës për heqjen e autonomisë së Kosovës.

Këtij akti i paraprinë disa protesta e greva gjithë popullore të shqiptarëve.

Në fund të vitit 1988, dhe në fillim të vitit 1989, greva e minatorëve dhe e studentëve shqiptarë nga data 19 deri me 29 shkurt 1989, shënuan kulmin e një rezistence të fuqishme kundër fushatës shoviniste të Milosheviqit për rrënimin e autonomisë së Kosovës.

Mirëpo, Qeveria serbe nuk përfilli vullnetin e shqiptarëve dhe në vend të kësaj edhe njëherë vendosi gjendjen e jashtëzakonshme, që i përngjante një shtetrrethimi ushtarak.

Ndërsa, më 23 të vitit 1989, nën rrethimin policor e ushtarak të Parlamentit të Kosovës u imponua votimi dhe numërimi i votave u bë në mënyrë jokorrekte dhe transparente, ku Kosova humbi autonominë e saj.

Më 28 mars 1989, në Beograd festohej me pompozitet shfuqizimi i autonomisë së Kosovës dhe shpallej “unifikimi” i Serbisë, derisa në Kosovë vazhdonte edhe më tej torturimi, burgosja dhe vrasja e shqiptarëve, të cilët atëbotë manifestonin në mënyrë paqësore kundër shfuqizimit të të drejtave të tyre nga regjimi neofashist i Milosheviqit.

Sipas skenarit më herët të përgatitur në Beograd, në krye të piramidës për burgosje u gjetën Azem Vllasi dhe udhëheqësit e “Trepçës” dhe disa minatorë (Aziz Abrashi, Burhan Kavaja, Avdi Uka, Veli Osmani). Pastaj Lazër Krasniqi, drejtor i KEK-ut etj. Ata u akuzuan për vepër penale, të dënueshme sipas ligjit penal edhe me vdekje.

Albina Kelmendi and Band performojnë sonte në Rockuzinë

Albina, një këngëtare e dalluar nga Talent Show “The Voice Of Albania” performon sonte në Rockuzinë, lokal ky tani më i njohuri për shprehjen e talenteve dhe performancave muzikore të rrymës Rock.

Karriera e Albinës si këngëtare filloi nga Talent Show i njohur “The Voice Of Albania”, ajo nuk u ndal me kaq, pasi që në fillimet e saj u ngjit suksesëshëm edhe në skenën e finales së “Top Fest” me këngën “Nuk ka ma mirë”.
Nga ajo kohë, Albina realizoi edhe dy videoklipe duke filluar me = “Ëndrrën mos ma merr” dhe “Hera e parë”.


Ajo performon në shumë lokale të vendit tonë pasi talenti dhe zëri i saj çdo ditë e më shumë po pëlqehet nga publiku shqiptar.

Të gjithë ata që e duan rokun dhe zërin e Albinës kanë mundësinë ta shijojnë në një nga lokalet më të mira të vendit tonë ku performohet live, sonte në Rockuzinë./KultPlus.com

Artistë nga Kanadaja dhe Zvicra i dhuruan një natë përplot magji Prishtinës (FOTO)

Javët e Frankofonisë që po vazhdojnë të mbahen këtë muaj në Kosovë, po i sjellin publikut kosovar shumë nga kultura e pasur e gjuhës frënge. Një mbrëmje për t’u mos u harruar, ishte ajo mbrëmë në Hamam Bar, ku dritat e zbehta të këtij ambienti, të përqendronin më shumë tek interpretimi i këngëtarëve që kishin ardhur nga Kanadaja dhe Zvicra.

Gili Hoxhaj

Joseph Edgar Trio ishte grupi që për më shumë se një orë e mbajti publikun në vallëzim të lehtë. Zëri i veçantë i Joseph Edgar që i këndoi mbrëmë publikut në Prishtinë, kishte dhënë mjaft shumë koncerte në vende të ndryshme të botës. Para se ata të fillojnë këngët e tyre, në skenë të pranishmit i përshëndeti ambasadori i Kanadasë në Kroaci dhe njëherësh jorezident për Kosovën, Daniel Maksymiuk, ku ai në fjalën e tij tha se Kosova gjithnjë do ta ketë mbështetjen e Kanadasë.

“Rëndësia e të qenit këtu sonte është sepse Kanada e mbështet Kosovën si një anëtare e komunitetit ndërkombëtar dhe Kosova tashmë është anëtare e Frankofonisë, dhe këtë muaj ne jemi duke e festuar Frankofoninë dhe që është arsyeja që Kanadaja ka vendosur që me miqtë tanë në Ambasadën e Zvicrës të sjellim grupin francez të Kanadasë në Prishtinë”, ishin fjalët e ambasadorit Maksymiuk, të cilat ngjallën shumë duartrokitje tek publiku.

“Ky grup ka kaluar në shumë vështirësi që të vijnë në Prishtinë dhe kjo është edhe një arsye më shumë që të ju dhurojnë një mbrëmje të veçante sonte”, u shpreh ambasadori Maksymiuk, i cili ia la fjalën grupit që të shpjegojë për rrugëtimin e tyre në Kosovë dhe vështirësitë e tyre, pasi që njëri anëtar i bendit kishte harruar pasaportën.

Kosova dhe Kanadaja pikërisht këtë muaj shënojnë dhjetë vite të relacioneve diplomatike që nga njohja e Pavarësisë së shtetit të Kosovës nga Kroacia (më 18 mars të vitit 2008). Ambadadori Maksymiuk në një intervistë të shkurtër për KultPlus kujton rrugëtimin e Kosovës edhe para dy dekadash.
“Njëzetë vite me parë situata ishte e tillë që populli i Kosovës ishte nën kërcenim dhe populli kanadez ishte njëri nga ata që iu përgjigj këtij kërcënimi për ta mbrojtur popullin e Kosovës. Jam krenar që kemi qenë pjesë e këtij operacioni që ishte fillimi i një Kosove të pavarur”, tregoi Maksymiuk.
Ai tutje shtoi se në këtë javë kanë dashur që të organizojnë diçka tëveçantë në Kosovë andaj edhe kanë sjellë grupin rok and roll, të cilët këndojnë në frëngjisht, kjo edhe për të dëshmuar që Kanadaja është një shoqëri e hapur ndaj diversitetit.

“Unë besoj që edhe Kosova është një shoqëri e njëjtë dhe nuk ka rëndësi përkatësia fetare, një qytetar i Kosovës është një qytetar i Kosovës. Për të dëshmuar që Kosova dhe Kanadaja janë partner të Frankofonisë, ne edhe kemi zgjedhur grupin francezo-kanadez që të këndojnë sonte këtu”, tha tutje ambasadori Maksymiuk.

Përvec vallëzimit në cdo këngë të grupit që performuan mbrëmë, ambasador Masymiuk këtë natë e bëri edhe më të vecantë, e që u konsiderua si befasi për të pranishmit. Ai mori kitarën dhe iu bashkua grupit duke bërë publikun që të këndojë bashkë me ta.
Joseph Edgarkëndoi mbrëmë me mjaft emocione që dëshmonin se po e shijonte praninë e publikut kosovar. Një nga këngët e tij më të dëgjuara është “Espionnerusse” që ka mbledhur mbi 3 miliardë klikime në You Tube. Joseph Edgar tregoi se kishte dëgjuar edhe më parë për Kosovën, posaçërisht gjatë viteve të 90’ta, ndërsa tha se ardhja këtu është një bekim për të, që të shoh gjërat që kanë ndodhur jo shumë kohë më parë.

“Ne fillimisht ishim në Kroaci dhe fillimisht ardhja këtu ishte e pabesueshme por është një bekim, unë jam me fat që kam ardhur në këtë vend ku do të mund të vija edhe si turist, por të vij këtu dhe të këndoj këngët e mija është një gjë shumë e mirë që më ka ndodhur mua”, tha këngëtari Edgar për KultPlus.
Ai për KultPlus tha se bota ka nevojë për më shumë shkëmbime të tilla dhe nuk është gjithnjë e nevojshme të kuptohen fjalët e këngës, sepse muzika mund të dhurojë emocione dhe të përjetohet edhe pa e kuptuar.
“Njerëzit shkëmbejnë shumë në aspektin ekonomik dhe politik, por nëse njerëzit të shkëmbenin më shumë art dhe kulturë, njerëzit do të ndjenin më shumë dashuri dhe paqe, më pak konflikt dhe luftë”, u shpreh ai.

Pas grupit francezo-kanadez në skenë erdhi grupi zviceran nga Gjeneva. Përmes këngëve ata prekin temat e shoqërisë e përcjellin mesazhe unifikuese. Pas interpretimit të grupit nga Kanadaja, të pranishmit vallëzuan ritmin e vallëzimit me këtë grup.
Anita Schluechter nga Ambasada Zvicerane tha se ky koncert është shumë i rendësishem për shkak të lidhjeve te ngushta mes Kosovës dhe Zvicres, ndëra përmes këtyre aktiviteteve mund t’i sjellim më afër edhe lidhjet kulturore.

“Ne kemi lidhje ekonomike, politike ne kemi lidhje të ndryshme mes vete, duke përfshirë edhe lidhjet e shumta familjare prandaj është e rëndësishme që të jemi më afër edhe në aspektin kulturor. Është shumë e rëndësishme për artistët zviceran që të vijnë këtu në Kosovë”, u shpreh për KultPlus, Anita Schluechter.
“Javët e Frankofonisë” po vazhdojnë aktivitetet e tyre të shumta krahas Prishtinës edhe në qytete të tjera të Kosovës. Ky edicion do të zgjas deri në fund të këtij muaji./ KultPlus.com

Porsi një gur që ka marrë tatëpjetën

KultPlus ju sjellë një poezi nga Bob Dylan të përkthyer nga Edvin Shvarc.

Njëherë e një kohë aq bukur visheshe
nga një kacidhe lypsave u hidhje kur kaluar ishe, apo jo?
Njerëzit të paralajmëronin: “Kujdes kukull se qafën do thyesh”!
Kurse ti mendoje se ata po talleshin
dhe së qeshurës ia plasje
me të gjithë ata që pranë i qasje,
por tani s’flet më me zë aq të lartë.
Tani nuk ngjan edhe aq krenare
kur për vaktin tjetër të duhet të rropatesh.
Si të duket?
Si ndihesh?
Kur je pa një strehë mbi krye?
Krejtësisht e panjohur,
porsi një gur që ka marrë tatëpjetën?
Vërtet ke shkuar në shkollën më të mirë, zonjushë vetmitare,
por e di fort mirë që vetëm deheshe në të
dhe askush s’të mësoi se si t’ia dilje mbanë në rrugë,
ndërsa tani po zbulon që duhet të mësohesh me këtë gjë.
Pate thënë dikur që kurrë nuk do të bëje kompromis
me endacakun misterioz, por tani po e kupton
që ai nuk po të shet dëngla
teksa e vështron drejt e në boshllëkun e syve të tij
dhe i kërkon të bëni një pazar?
Si të duket?
Si ndihesh?
Kur duhet t’ia dalësh mbanë vetë?
Pa asnjë ide se ku e ke shtëpinë?
Krejtësisht e panjohur,
porsi një gur që ka marrë tatëpjetën?
S’e ktheve kokën kurrë të shihje mrroljet e xhonglerëve dhe karagjozëve
kur mblidheshin të tërë për të të zbavitur me numra.
Asnjëherë s’e more vesh që nuk ia vlen,
nuk duhet t’i lësh të tjerët të bëjnë qejf me ty.
Dikur bridhje mbi kalin e kromuar me diplomatin tënd,
të cilit i varej në sup një mace siameze,
por sa idhët të vjen kur zbulon
se ai s’qe aty kur duhej vërtetë të ishte
pasi prej teje mori çdo gjë që mundi të vidhte!
Si të duket?
Si ndihesh?
Kur duhet t’ia dalësh mbanë vetë?
Pa asnjë ide se ku e ke shtëpinë?
Krejtësisht e panjohur,
porsi një gur që ka marrë tatëpjetën?
Princesha në prag të derës dhe gjithë njerëzit e bukur
po pinë duke menduar se të tëra i kanë të shtruara
po shkëmbejnë lloj-lloj dhuratash e gjërash të çmuara,
por moj kukull, më mirë peng lëre unazën me diamant!
Dikur nga mahnitja pa frymë të linte
Napoleoni me rrecka dhe gjuha që përdorte.
Pse s’shkon tek ai tani, po të thërret, s’mund t’ia prishësh dot
tani që nuk ke asgjë, askurrfarë gjëje për të humbur?
Tashmë je e padukshme, nuk ke më sekrete për të ruajtur!
Si të duket?
Si ndihesh?
Kur duhet t’ia dalësh mbanë vetë?
Pa asnjë ide se ku e ke shtëpinë?
Krejtësisht e panjohur,
porsi një gur që ka marrë tatëpjetën?/KultPlus.com

Nëna Terezë në emisionin e Raffaella Carrà: Një fëmijë është dhurata më e madhe e Perëndisë (VIDEO)

Për herë të parë pesë vite pas marrjes së Çmimit Nobel për Paqen bamirësja shqiptare Nënë Tereza jep një intervistë më datë 13 prill 1984, për emisionit e famshëm italian të atyre viteve, “Pronto… Raffaella?”.

Tereza e Kalkutës u shpall Shenjtore në vitin 2003 nga Giovanni Paolo i II-të, si dhe mbajtëse e Çmimit Nobel për Paqen në vitin 1979. Pesë vite pas marrjes së Çmimit Nobel, ajo ftohet në emisionin e drejtuar nga Raffaella Carrà “Pronto … Raffaella?”; në një intervistë historike duke u përqendruar së shumti në temën shumë të dashur të Saj: të paqes, të varfërisë, të plagës së abortit dhe dashurisë.
Ky emision i Raffaella Carrà me Nënë Terezën transformohet menjëherë në një mesazh të paqes nga Fondacioni i Misionaries. Nga fjalët e Nënë Terezës duket se Ajo kishte përjetuar ndër vite mbi lëkurën e Saj, midis shumë vështirësive, dhimbjeve e sakrificave, por edhe përmes fuqisë së besimit të atyre që besojnë në Zot.

“Unë jam duke luftuar me abortin. Sepse një fëmijë është dhurata më e madhe e Perëndisë, e është krijuar për t’u dashur e për t’u dashuruar. Ajo nënë që vret fëmijën e saj, quhet një vrasëse. Për këtë, aborti është fenomeni më shkatërrimtar i njerëzimit, pasi shkatërron paqen e familjes. Dashuria fillon brenda shtëpisë, e pikërisht ky shkatërrim ashtusoj fillon, nga shtëpia. E kështu, është e tmerrshme që një nënë të vrasë fëmijën e vet”. Këto qenë ndër të tjera, fjalët e Nënë Terezës në emisionin e Raffaella Carrà, që drejtuesja i ka rikujtuar edhe vite më pas, gjatë intervistave të shumta.

Një temë tjetër e prekur nga Nënë Tereza, ishte edhe varfëria. “Midis tyre, ka individë që nuk kanë asgjë; që nuk kanë askënd të padashur dhe të larguar nga shoqëria. Dhe këto persona janë krijuar nga një dorë që na ka krijuar të gjithëve ne, me dashuri. Pra, ne jemi vëllezër; ku edhe Jezusi dha jetën për ta i kryqëzuar”…

Video nga: www.raffaelacarra.tv
Përshtati nga italishtja: Edmond Prifti/Konica.al