Fragment nga beteja te filmi Skënderbeu, muzika e kompozuar nga Çesk Zadeja (VIDEO)

Sot janë bërë 98 vjet nga lindja e kompozitorit të madh shqiptar Çesk Zadeja, shkruan KultPlus.

Zadeja gjatë veprimtarisë së tij artistike ka përpunuar mbi 100 këngë popullore, simfoni dhe muzikë filmash si:“Skënderbeu”, “Tana”,“Krevati i perandorit”, “Në kufi të dy legjendave”, “Flaka e maleve”; pjesë koreografike si: baleti “Delina”, “Shqiponja sypatrembur”, “Para stuhisë”, “Vajzat e qytetit të gurtë”, “Suita e Veriut”, “Suitë korale”, “Skica simfonike”, “Poema vokale”,“Rapsodi për violinë”, “Hej ju male”etj.

KultPlus ju sjell një fragment nga beteja e Filmit të Skënderbeut, muzika e së cilit është komponuar nga Çesk Zadeja./KultPlus.com

Spanja me rregulla të reja për turistët

Spanja, një ndër vendet më të vizituara në Europë, po vendos kufij të rinj për turizmin – jo për t’i mbyllur dyert vizitorëve, por për të mbrojtur vetveten.

Me rritjen e fluksit të turistëve dhe ndikimin që kjo sjell në jetën e përditshme të banorëve lokalë, autoritetet spanjolle kanë marrë masa konkrete për të vendosur rregull. Disa nga ndryshimet që tashmë kanë hyrë në fuqi përfshijnë:

-Kufizime për qiratë afatshkurtra për pushime

-Taksë turistike më e lartë

-Gjobë për ndotje, zhurmë të tepërt dhe konsumim të alkoolit në publik

Synimi? Një turizëm më i qetë, më i qëndrueshëm dhe më i respektueshëm ndaj komuniteteve që e mbajnë këtë industri gjallë.

Autoritetet theksojnë se këto masa nuk janë kundër turistëve, por janë në dobi të të gjithëve: banorëve që duan të jetojnë të qetë dhe vizitorëve që duan të shijojnë një Spanjë të pastër, autentike dhe të rregullt.

Ky është një hap i guximshëm drejt një ekuilibri mes mikpritjes dhe përgjegjësisë. Spanja nuk po e ndalon turizmin – po e drejton atë në rrugën e duhur./ KultPlus.com

Rusia pretendon se ka avancuar në rajonin e Dnjipropetrovskut

Rusia ka thënë se forcat e saj ushtarake kanë avancuar në rajonin lindor të Ukrainës, Dnjipropetrovsk, për herë të parë prej nisjes së luftës më 2022.

Më 8 qershor, Moska ka thënë se forcat e saj kanë hyrë në rajon, teksa Rusia dhe Ukraina janë grindur lidhur me kthimin e mijërave kufomave të luftëtarëve të vrarë në luftë.

Kremlini ka refuzuar me kryeneçësi thirrjet e presidentit amerikan, Donald Trump, Ukrainës dhe Bashkimit Evropian për armëpushim të plotë dhe pa asnjë kusht.

Në bisedimet për paqe me Kievin, të mbajtura në Stamboll javën e kaluar, Moska ka insistuar në kërkesat e kamotshme, përfshirë tërheqjen e trupave ukrainase nga vija e frontit, dhënien fund të mbështetjes ushtarake perëndimore për Ukrainën, dhe që Kievi të heqë dorë nga ambicia për anëtarësim në NATO.

Moska, e cila tashmë kontrollon rreth 20 për qind të territorit ukrainas, ka zaptuar më shumë se 190 kilometra katrorë të rajonit Sumi në lindje të Ukrainës vetëm në muajin e fundit, sipas monitoruesve pro-ukrainas.

Rajoni Dnjipropetrovsk është qendër e rëndësishme për Ukrainën për miniera dhe industri.

Analistët ushtarakë shqetësohen se avancimet e Moskës në thellësi të rajonit mund të krijojnë vështirësi të konsiderueshme për ekonominë dhe ushtrinë e Kievit.

Dnjipropetrovsku nuk është në mesin e pesë rajoneve ukrainase që Rusia pretendon zyrtarisht se janë pjesë e territorit të saj.

Zyrtarët ukrainas nuk i kanë komentuar pretendimet ruse. Për këtë pretendim nuk ka konfirmim as nga burime të pavarura.

Rusia i ka ashpërsuar sulmet edhe më në brendësi të Ukrainës. Të paktën 14 civilë janë vrarë dhe 68 të tjerë janë plagosur në Harkiv, Herson dhe Donjeck, për shkak të sulmeve ruse më 7 dhe 8 qershor, sipas Policisë Kombëtare.

Ndërkohë, një sulm ukrainas me dron ka shkaktuar zjarr në një fabrikë kimike në rajonin Tula të Rusisë, rreth 180 kilometra larg Moskës, sipas guvernatorit rajonal, Dmitry Milyaev.

Më 8 qershor, autoritetet ruse kanë thënë se aeroportet Vnukovo dhe Domodedovo, dy aeroporte ndërkombëtare të Moskës, i kanë pezulluar përkohësisht fluturimet për shkak të një sulmi ukrainas me dron. /REL/ KultPlus.com

Ka kohë që yjet s’ulen përmbi tokë

Poezi nga Robert Shvarc

Ka kohë që yjet s’ulen përmbi tokë,
ka kohë që njerëzit s’rrijnë me krye përpjetë
tue pritë me u ra ndër dhambë kafshat’e shkretë –
dhe vjershat janë lirue: pesë groshë një okë…

Me duer ndër xhepa poetët trokë
shetisin rrugve t’errta, krejt të qetë;
askush s’i nget, askush s’po don me i pyetë
ç’ka kanë në zemër e ç’ka kanë në kokë…

Urdhno, zotni, pak dritë n’mos daç errsinë!
Pesë groshë një okë . – Nji andërr e tanë rinije!
Tridhet vjet – e tridhet okë dashnije!
Urdhno, zotni, nji kangë për njerëzinë!
Pesë grosh nji okë – nji jetë e tanë dlirsije!
Tridhet vjet – e tridhet okë marrije!…/KultPlus.com

Katër vjet burg për ata që kryejnë krime kundër kafshëve

Senati italian ka miratuar përfundimisht një projektligj të përbërë nga 15 nene që prezanton dënime më të ashpra për ata që kryejnë krime kundër kafshëve, shkruan adnkronos.it.

Qëllimi është mbrojtja më e madhe e mirëqenies së kafshëve, duke njohur kafshët si kafshë që kanë një vlerë të caktuar ligjore dhe duke i caktuar detyrimin e shtetit për t’i mbrojtur ato.

Ndër risitë kryesore:

– Ndalimi i mbajtjes së qenve dhe kafshëve të tjera shtëpiake të lidhura me zinxhir, përveç për arsye të certifikuara shëndetësore ose sigurie.

– Ndalimi i luftimeve klandestine me kafshë dhe garave të paligjshme me kuaj.

– Ndalimi i shitjes së lëkurave dhe gëzofëve të maceve shtëpiake.

– Rritje e dënimeve për ata që vrasin ose keqtrajtojnë kafshët, me burgim deri në 4 vjet për ata që shkaktojnë vdekjen e një kafshe përmes mizorisë.

– Sekuestrimi dhe konfiskimi i kafshëve të përfshira në krim, me caktim përfundimtar te shoqatat e autorizuara.

– Zgjerimi i përgjegjësisë administrative për kompanitë e përfshira në krime kundër kafshëve, me gjoba të majme dhe ndalime të aktiviteteve. / KultPlus.com

Përfundon ‘Defender 2025’, Vengu vlerëson përkushtimin e FA

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, zhvilloi një vizitë në rajonin stërvitor të Bizës, me rastin e përmbylljes së stërvitjes shumëkombëshe “Defender 2025”.

Ministri Vengu u shoqërua nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjenerallejtënant Arben Kingji, Komandanti i Forcës Tokësore, gjeneralmajor Ilir Xhebexhia, Komandanti i Forcës Ajrore, gjeneralmajor Ferdinant Dimo, si dhe Drejtori i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralbrigade Ardian Lilo.

Gjatë vizitës, ministri i Mbrojtjes dhe drejtuesit e tjerë të lartë të FA-së ndoqën nga afër demonstrimet taktike dhe angazhimin e trupave të përqendruara në terren, në kuadër të fazës përmbyllëse të stërvitjes.

Në vijim, gjeneralbrigade Lilo informoi ministrin përmes një prezantimi gjithëpërfshirës mbi të gjitha aspektet e “Defender 25”, duke përfshirë fazën përgatitore, konferencat planifikuese, pjesëmarrjen ndërkombëtare, objektivat strategjike, kapacitetet e angazhuara si dhe mësimet e nxjerra nga zhvillimi i saj.

Vengu shprehu mirënjohjen dhe falënderimet e tij për të gjithë efektivët pjesëmarrës, duke vlerësuar lart përkushtimin, profesionalizmin dhe nivelin e lartë të bashkëpunimit të treguar gjatë të gjitha fazave të stërvitjes.

Gjatë vizitës, u prezantuan rezultatet dhe mësimet e nxjerra nga stërvitja, ndërsa përmbyllja u shoqërua me një drekë të përbashkët, si shenjë respekti efetivët e angazhuar./ KultPlus.com

Rama ndan foto nga Velipoja

Zona turistike e Velipojës në Shkodër, falë investimeve në infrastrukturën rrugore dhe veprave të tjera publike është kthyer në një nga destinacionet më të frekuentuara nga pushuesit vendas dhe turistët e huaj.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga peizazhi mbresëlënës i plazhit të Velipojës.

Velipoja, me plazhet ranore që kanë shtrirjen më të gjerë në Shqipëri, tërheq çdo vit mijëra turistë vendas e të huaj.

Me një shtrirje prej mbi 14 km, plazhi i Velipojës ndodhet rreth 30 minuta nga qyteti i Shkodrës.

Velipoja njihet edhe për rërën me efektet e saj kurative, ndërthurjen me hijeshi të detit, lumit, delta me ishuj, kodrat, pylli, laguna e fusha, që bëjnë për vete çdo vit pushues.

Ndërsa për të gjithë të pasionuarit pas shëtitjeve në natyrë, kjo zonë ofron një aventurë interesante në ajrin e pastër, ku do ta gjeni veten të zhytur në një oaz të gjelbër./ KultPlus.com

Starton nga Shkodra edicioni i 21-të i “Rally Albania”

Nga Shkodra startoi sot edicioni i 21-të i “Rally Albania”, eventi më i madh i garave motorike në Shqipëri dhe një nga më të njohurit në Ballkan.

Për 7 ditë me radhë, dhjetëra pilotë nga mbarë bota do të përshkojnë terrenet më sfiduese dhe panoramat më të bukura të vendit në kuadër të kësaj gare.

Shkodra bëhet kështu mikpritëse dhe simbol i aventurës, në një sfidë plot adrenalinë.

Me dhjetëra automjete dhe motorë të përshtatur për gara në terrene të thyera do të jene pjesë e garës se “Rally Albania”, e cila ka zgjedhur pikërisht Shkodrën si pikënisje simbolike të këtij udhëtimi sfidues, duke promovuar jo vetëm sportin ekstrem, por edhe turizmin në rajonin verior te vendit.

Pjesëmarrësit do të kalojnë nëpër qytete, male dhe zona të thella të vendit, përpara se ta përmbyllin garën në Tiranë.

Organizatorët theksojnë se ky edicion do të ketë më shumë etapa, më shumë kilometra dhe një rritje të konsiderueshme të pjesëmarrësve nga jashtë.

“Rally Albania” nuk është vetëm një garë, por një aktivitet që gjallëron jetën ekonomike dhe turistike të zonave ku kalon, duke promovuar Shqipërinë si destinacion për sportet motorike dhe aventurat ekstreme./ KultPlus.com

Java Kulturore Italiane, shfaqja ‘Faust’ në skenën e ArtTurbina

Shqipëria po mirëpret Javën Kulturore Italiane nga data 1 deri më 8 qershor. 17 aktivitete në një javë në qytete të ndryshme të vendit, po sjellin në qendër të vëmendjes artin, muzikën, teatrin, modën dhe dizajnin italian, duke përforcuar lidhjet e ngushta kulturore dhe historike mes dy vendeve.

Shfaqja “Faust” nga Davide Iodice u ngjit në skenën e ArtTurbina mbrëmjen e djeshme, si një interpretim modern i kryeveprës së Gëtes, një udhëtim shpirtëror mes tundimit dhe përjetësisë, i ndërtuar me ndjeshmëri nga një kast shqiptarësh dhe muzika magjepsëse e Lino Cannavacciuolo.

Protagonisti i “Faust” personifikon njeriun modern i gatshëm të shesë shpirtin për një çast përjetësie.

Fausti është rimishërimi i njeriut modern, për të cilin Djalli nuk përfaqëson më tundimin apo mëkatin, por vetëm të keqen e pranishme në jetë. Përmes shtatë mëkateve vdekjeprurëse dhe, mbi të gjitha, përmes takimit dhe dashurisë për Margaritën, Fausti do të jetojë mundimet e tij dhe vuajtjet e njeriut modern, duke mishëruar simbolin dhe, në të njëjtën kohë, sakrificën ekzemplare të luftës së vazhdueshme e të pafundme mes të mirës dhe të keqes.

Në role të “Faust” janë aktorët Hervin Çuli, Ema Andrea, Niada Saliasi, Gert Ferra, Indrit Çobani, Lulzim Zeqja, Besmir Bitraku, Ina Gjonçi, Krist Lleshi dhe Genti Deçka.

Kjo shfaqje teatrore është prodhim i Teatrit Kombëtar në bashkëpunim me Sardegna Teatro dhe me mbështetjen e Institutit Italian të Kulturës në Tiranë./atsh/ KultPlus.com

Kryeministri Kurti për barazimin: Të pakënaqur me rezultatin, por jo me kombëtaren

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka komentuar barazimin pa gola të Shqipërisë me Serbinë të shtunën mbrëma në “Air Albania” në ndeshjen eliminatore për Botërorin 2026.

Kurti ka thënë se Shqipëria luajti më mirë dhe me pak më tepër fat ka mundur t’i fitojë tri pikë. 

“Pritjet ishin të mëdha, vëmendja gjithashtu! Me pak më shumë fat në fund të pjesës së parë, mund të kishim marrë të tri pikët nga ndeshja. Andaj, barazimi na la të pakënaqur me rezultatin, por jo me kombëtaren, e cila luajti më mirë se kundërshtari i saj. Në fund të këtyre kualifikimeve jemi të bindur se Shqipëria do të triumfojë”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Muzeu i Artit Mesjetar në Korçë, thesar unik me një nga koleksionet më të mëdha të ikonave në Ballkan

Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë është një nga institucionet më të rëndësishme për artin bizantin dhe post-bizantin në rajon dhe një destinacion i rëndësishëm për studiuesit dhe dashamirësit e artit mesjetar.

Po ashtu ky muze mbetet një destinacion tërheqës për turizmin e kulturës, ndërsa në 4 muajt e parë të vitit ka pritur mbi 3900 vizitorë.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ndau sot pamje nga muze, të cilin e konsideroi një thesar unik me një nga koleksionet më të mëdha të ikonave në Ballkan.

Që prej vitit 1980 ky muze ruan një trashëgimi të vyer duke reflektuar një pasuri të jashtëzakonshme kulturore.

Këtu gjenden mbi 5 mijë objekte nga periudha mesjetare, përfshirë ikona, dorëshkrime dhe artefaktet të tjera që datojnë nga shekulli i XIII deri në shekullin e XIX.

Shumë ikona të krijuara nga mjeshtra të njohur si Onufri, Konstandin Shpataraku dhe Nikolla janë shpirti i këtij muzeu dhe mbajnë brenda tyre shumë histori.

Teknikat e avancuara të përdorura për krijimin e këtyre ikonave tregojnë aftësitë dhe kreativitetin e artistëve mesjetarë shqiptarë.

Ky muze është një qendër e rëndësishme për restaurimin dhe ruajtjen e ikonave duke siguruar që këto thesare të çmuara të mbeten të paprekura për brezat e ardhshëm.

Gjithashtu në këto hapësira organizohen ekspozita speciale dhe evente kulturore të cilat e  kthejnë në një platformë për artistët bashkëkohorë duke promovuar artin mesjetar në një kontekst modern si një pikë kyçe e turizmit kulturor. Ky muze në Korçë gjatë vitit 2023 u vizitua nga 30 mijë njerëz./atsh/ KultPlus.com

“Mbrëmja e Solistëve Kosovarë” – jehona shqipe në Chopin Piano Fest

Era Berisha

Në skenën ku pianoja është mbretëreshë dhe heshtja pret me durim tingullin, “Chopin Piano Festi” më 5 qershor vazhdoi rrugëtimin e tij si një udhëtim shpirtëror nëpër peizazhet e muzikës klasike. Si çdo vit, edhe këtë herë, festivali nuk i mbyll portat pa i lënë vend shpirtit vendor – një mirënjohje ndaj rrënjës që lind tingullin, shkruan KultPlus.

Në mesin e veprave nga kolosët e muzikës botërore, një melodi shqiptare ngrihet në skenë si një lutje e përbashkët: “Fuga nr. 3” për piano me katër duar nga Rauf Dhomi, premierë e një misteri që përsëritet si një jehonë nëpër kohë. Loja në piano shfaqej si dritë që flaket e zbehet duke sjell një gjuhë që flet për tensionin dhe harmoninë e të njëjtës zemër. Në atë lojë, ngulitej një ndjesi e dualitetit — një shpirt i ndarë më dysh, një frymë që kërkon bashkim.

Që nga nata e parë e 8 majit në “Chopin Piano Fest” gjithçka mbetet njësoj – veçse nxehtësia e verës vjen si një instrument i padukshëm që i jep koncertit një intensitet tjetër. Temperaturat rriten, por edhe emocionet. Muzika nuk e njeh kufirin e klimës, ajo djeg e freskon me të njëjtën fuqi. Publiku, ndonëse në nxehtësi, nuk lëviz – është i ngujuar në ndjesinë që ngjall çdo notë, çdo frymëmarrje e interpretuesit.

Hapjen e kësaj mbrëmjeje të festivalit ‘Chopin Piano Fest’ e nisi drejtoresha artistike e festivalit, Lejla Pula.

“Të nderuar të pranishëm, mirë se erdhët në natën e trembëdhjetë të edicionit të 15-të të ‘Chopin Piano Fest’. Jemi të lumtur dhe mirënjohës që, deri më tani, keni qenë me ne – me praninë tuaj, me dashurinë për artin dhe me energjinë që i keni dhënë çdo mbrëmjeje. Sonte, në këtë natë të veçantë, dua t’ju uroj nga zemra Fitër Bajramin, por edhe në skenën tonë sonte kemi një festë tjetër – një festë muzike dhe krenarie. Si çdo vit, kjo mbrëmje i kushtohet solistëve tanë të jashtëzakonshëm shqiptarë, të cilët me përkushtim, mjeshtëri dhe punë të palodhshme, kanë zënë një vend të rëndësishëm në peizazhin e muzikës klasike të vendit tonë. Është nder t’i kemi këtu.”

Ajo tutje ka prezantuar tri dyshet që kapluan mbrëmjen bukur.

Mbrëmja fillon me zërin e kadifenjtë të Ardiana Bytyqi-Ismailit, mexosopranoja që fton dëgjuesin në botën e Brahms, ku çdo notë është si një ëndërr e pamundur që përpiqet të bëhet reale. Andi Duraku në piano është krahu i saj i padukshëm. Së bashku, sjellin “Zigeunerlieder op.103”, këngë me ritme që fluturojnë si flutura mes zjarrit dhe freskisë. Në çdo fjalë të shqiptuar, ndjehet një histori e pashkruar – një shpirt që gjallon në melodinë e vet.

Kur Duraku mbetet vetëm me etydin e Skriabinit, është si një duel i brendshëm me heshtjen. Çdo notë është një nxitje për zemrën të shkojë më shpejt. Tensioni i veprës ndjehet jo vetëm në lojën teknike, por në tensionin e vet trupit që shtyhet deri në kufijtë e qëndrueshmërisë. Publiku nuk duartroket menjëherë – ka një çast reflektimi, sikur duhet të zhbirojnë kuptimin e asaj që sapo dëgjuan.

Pastaj, zëri i Ardianës kthehet për të përshkuar ndjenjat më të buta të Dvořákut – këngë popullore hungareze që tingëllojnë si lutje të shenjta. Ato janë më të qeta, më intime. Një mbrëmje që zbret si hije mbi shpirtin e ditës. Zëri i saj del si një përshpëritje në mes të zemrës dhe të mendjes. Ndjehet një frymë që tund kornizat e shpirtit, e jo vetëm të sallës.

Pastaj, dora-dorës, në skenë ngjiten dy pianiste që flasin me të njëjtën gjuhë – Alba Muçolli-Dehiri dhe Syzana Jakupi. Katër duar, një frymë, një shpërthim tingujsh që bëjnë vend për Mel Bonis dhe Mozartin. Në lojën e tyre ka një ndjeshmëri që shkon përtej notave. Ka momente kur njëra ndalon për të dëgjuar tjetrën, sikur muzika kërkonte leje për të marrë frymë. E vetë fryma është tingull.

Në mesin e dialogut të katër duarve, një pikë kulmore ishte “Fuga nr. 3” e Rauf Dhomit. Një pjesë hyrëse që rikthehet si një jehonë e përhershme, një kujtim që nuk shlyhet. Loja e dy pianisteve krijon një tension dramatik – njërës i zhvillohet fryma, tjetra tretet në hije. Tingujt ndahen në dy rrugë: njëra më harmonike, e qetë si një pëshpërimë mbi ujë, tjetra më e trazuar, si një zemër që kërkon dalje nga kafazi i partiturës. Aty, vendi gjen zë. Aty, heshtja flet shqip.

Pastaj vjen një dritë klasike, e përjetshme: “Sonata nr.3, d-dur” nga Mozart. E thjeshtë në pamje të parë, por e pasur në thellësi, vepra është një festë e balancës mes seriozitetit dhe gazit. Meloditë ngrihen si petale dhe kthehen si rreze. Temat gëzimore dhe ato dramatike nuk garojnë, por vallëzojnë së bashku – një mozaik që ngjall buzëqeshje të buta e përhumbje të thella. Virtuoze, por me shpirt të ndjeshëm – si vetë gjenialiteti i Mozarit.

Në “Suite en forme de valses” të Bonis-it, emocionet janë të shumëfishta: fillon me një buzëqeshje dhe përfundon me një ngashërim të heshtur. Ka melankoli që nuk të mbyt, por të përqafon. Nëse një ndjenjë mund të kishte formë, ajo do të ishte kjo vepër – e zgjatur, e hijshme dhe me një ngjyrë të lehtë orientale që të fton të harrohesh brenda saj.

Në përmbyllje, një frymë si erë mali del nga flauti i Lejla Beqiri-Vulës. E mbështetur nga Melos Buza në piano, sjell “Sonatën op.94” të Prokofievit. Flauti ngjitet, zbret, endet si një zë që kërkon rrugë përmes pyllit të notave. Herë-herë duket sikur flauti i flet pianos në një dialog sekret, i padukshëm për syrin, por i ndjeshëm për shpirtin. Eleganca e kësaj vepre e bën kohën të zhduket për një çast, të gjitha orët ndalen.

Pianisti Andi Duraku e ka konsideruar veprën e Skriabinit si jashtëzakonisht kërkuese, si në aspektin teknik, ashtu edhe në atë muzikor.

“Është një vepër me kërkesa të mëdha, si në aspektin teknik ashtu edhe në atë muzikor. Harmonitë janë jashtëzakonisht të ndërlikuara, ndërsa pjesa teknike kërkon një vëmendje të veçantë – veçanërisht për shkak të dorës së majtë, e cila qëndron në lëvizje të pandërprerë në oktava. Megjithatë, është një vepër që e dua thellësisht dhe për të cilën kam punuar me shumë pasion, me qëllim që ta sjell në skenë ashtu siç e meriton” ka theksuar ai.

Me interpretimin e tij, pianoja u vendos jo vetëm si qendër e shprehjes muzikore, por edhe si partner i ndjeshëm dhe i palëkundur në shoqërim. Duraku ka shtuar se përvoja e interpretimit të këtyre pjesëve në bashkëpunim me solisten ka qenë veçanërisht e veçantë.

“Ky ishte një program që, veçanërisht pjesën e shoqërimit po e interpretoja për herë të parë. Ishte një përvojë shumë e veçantë dhe e kënaqshme të punoja me Ardianën — si gjatë provave, ashtu edhe në koncertin e mbrëmjes. Bashkëpunimi ynë ka qenë i natyrshëm dhe frymëzues.”

Ndërsa, pianistja Alba Muçolli-Dehiri është ndalur te rëndësia e përfshirjes së një vepre shqiptare në repertor, si dhe përzgjedhjen e kompozitores Mel Bonis me vetëdije të plotë artistike e sociale.

“Jemi paraqitur me një program të larmishëm që përfshinte vepra të kompozitorëve shqiptarë dhe të huaj. Ndër to ishte edhe një vepër premierë nga kompozitori ynë Rauf Dhomi, si dhe një sonatë nga Mozarti dhe dy pjesë nga kompozitorja franceze Mel Bonis. Përfshirja e saj në program nuk ishte rastësore – e kemi zgjedhur me vetëdije, pikërisht sepse është një kompozitore femër, në përkrahje të çështjes së përfaqësimit të grave në muzikën klasike dhe më gjerë, si një formë e vogël rezistence dhe kujtese artistike”, ka thënë ajo.

“Mbrëmja e Solistëve Kosovarë” është një koncert i veçantë që tradicionalisht i kushtohet instrumentistëve të njohur nga Kosova, të cilët me aktivitetin e tyre koncertal dëshmohen si interpretë të shquar të muzikës klasike, në kuadër të Chopin Piano Fest Prishtina.

Këtë herë, publiku artdashës pati mundësinë të përjetojë një program të pasur dhe të larmishëm, interpretuar me ndjeshmëri, virtuozitet dhe elegancë nga Ardiana Bytyqi Ismaili, mezzosoprano, dhe Andi Duraku, piano; Syzana Jakupi dhe Alba Muçolli, Piano Duo; si dhe Lejla Beqiri Vula, flaut, dhe Melos Buza, piano.

‘Chopin Piano Fest’ gjatë këtij edicioni do të prezantojë edhe 1 koncert të fundit në vazhdim. Nata e 15-të e këtij festivali vjen më datë 9 qershor (nesër) ku do të interpretojë pianisti anglez, Peter Donohoe në një mbrëmje “Piano Recital” në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare, duke filluar nga ora 20:00./ KultPlus.com

‘Mua besoj më shpëtoi portreti’ nominohet si kandidat për Çmimet Evropiane të Filmit në Hamburg

Festivali i Filmit të Shkurtër në Hamburg e ka nominuar filmin ‘I Believe the Portrait Saved Me’ me regji nga Alban Muja dhe producent Edon Rizvanolli, si kandidat për Çmimet Evropiane të Filmit (Europan Film Awards).

Qendra Kinematografike e Kosovës këtë nominim e ka cilësuar një arritje tjetër për filmin ‘I Believe the Portrait Saved Me’ i cili premieren boterore pati ne Berlinale.

“Jemi shumë të lumtur të ju njoftojmë që juria e Festivalit të Filmit të Shkurtër në Hamburg e ka nominuar filmin tonë ‘I Believe the Portrait Saved Me’ me regji nga Alban Muja dhe producent Edon Rizvanolli, si kandidat për Çmimet Evropiane të Filmit (Europan Film Awards).

Kjo është një arritje tjeter për filmin ‘I Believe the Portrait Saved Me’ i cili premieren boterore pati ne Berlinale”, thuhet në shkrimin e QKK-së.

Ky film prekës 10-minutësh trajton tema të mbijetesës, qëndresës dhe fuqisë transformuese të artit gjatë Luftës së Kosovës.

Njëzet e pesë vjet pas rrëmbimit të tij gjatë Luftës së Kosovës, piktori Skender Muja rrëfen një histori mbijetese të jashtëzakonshme. Në muajt e fundit kaotikë të luftës, Muja dhe shumë qytetarë shqiptarë nga Mitrovica u kapën ndërsa përpiqeshin të largoheshin nga Kosova. Të ndaluar në një shkollë të përshtatur si qendër ndalimi, ata u përballën me frikë, izolim dhe një fat të pasigurt.

I rrëfyer nga vetë Muja, filmi ndërthur reflektimet e tij mbi fuqinë transformuese të artit me rikrijime dramatike të përvojës së tij. “Mua besoj më shpëtoi portreti” është një dëshmi e qëndrueshmërisë, duke ilustruar se si krijimtaria mund të shfaqet si një mjet mbijetese edhe në kushtet më shtypëse.

Filmi është prodhuar nga 038STUDIO në Prishtinë, në bashkëprodhim me AsfaltFilms nga Amsterdami. / KultPlus.com

Sonte, Opera & Filharmonia e Kosovës sjellin koncertin e shumëpritur me Ermonela Jahon

Sonte, në Prishtinë do të mbahet koncerti organizuar nga Opera e Kosovës dhe Filharmonia e Kosovës, ku do të performojë soprano e mirënjohur shqiptare, Ermonela Jaho, përcjell KultPlus.

Ermonela Jaho, një ndër sopranot më të vlerësuara të kohës sonë, ka fituar çmime prestigjioze që dëshmojnë talentin dhe pasionin e saj të jashtëzakonshëm, si:

🏆 Këngëtarja më e Mirë – OPER! AWARDS

🏆 Premios Ópera XXI

🏆 Artistja e Vitit – ICMA

Dhe shumë çmime të tjera që e bëjnë një nga zërat më të çmuar të skenës operistike botërore, duke i dhënë artit një emocion të rrallë e të paharrueshëm.

Koncerti Gala nga Opera e Filharmonia e Kosovës me sopranon Ermonela Jaho, me dirigjimin e maestros Jakopo Sipari di Pescasseroli do të mbahet sonte në ora 20:30,  në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë./ KultPlus.com

Festivali Ndërkombëtar i Karnavaleve çeli sezonin turistik në Korçë

Korça çeli mbrëmë sezonin veror me edicionin e 18-të të Festivalit Ndërkombëtar të Karnavaleve, një festë e vërtetë në rrugët e qytetit.

Ngjyra, muzikë, maska dhe një energji e jashtëzakonshme përcolli kjo festë në qytetin e Korçës, i cili ishte bërë mbrëmë destinacion i shumë vizitorëve.

Trupa të shumta nga Bullgaria, Polonia, Greqia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Shqipëria sollën performanca fantastike dhe maska që e kthyen bulevardin në një skenë të hapur, ku çdo hap ishte ritëm dhe çdo fytyrë një vepër arti.

Qindra qytetarë dhe turistë u bashkuan në këtë atmosferë unike, ku festa dhe kultura u ndërthurën në mënyrën më të bukur.

Kryetari i bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo u shpreh se “Korça e nisi verën me energji dhe gjallëri, duke treguar edhe një herë se është një qytet me plot arsye për t’u vizituar”.

“Faleminderit të gjithëve që ishin pjesë e kësaj mbrëmjeje të veçantë. Do të vazhdojmë të punojmë për një qytet gjithnjë e më të gjallë dhe mikpritës”, tha Filo.

Dita Botërore e Oqeaneve

Dita Botërore e Oqeaneve, e cila shënohet çdo vit në 8 qershor, është caktuar nga Kombet e Bashkuara për të mbrojtur oqeanet.

Njerëzit në mbarë planetin organizojnë festime për të mbështetur çdo aksion që mbron ujërat. Kjo ditë është caktuar që nga viti 2009 dhe është një rast për të nderuar oqeanet, për të kremtuar produktet që ofron oqeani, për ta çmuar vlerën e brendshme të oqeanit.

Oqeani ofron rrugët detare botërore të rëndësishme për tregtinë botërore. Ndotja e ujërave dhe shfrytëzimi i tepërt i peshqve ka rezultuar me rënien drastike të numrit të specieve në oqean.

Projekti i Oqeanit, në bashkëpunim me Rrjetin Ndërkombëtar të Oqeaneve, janë duke punuar në ngritjen e vetëdijes njerëzore për rolin e oqeanit në jetën tonë, si dhe mënyrat të cilat njeriu mund të ndihmojë.

Dita Ndërkombëtare e Oqeaneve ofron mundësi që të kyçemi drejtpërdrejtë në mbrojtjen e të ardhmes sonë, përmes iniciativave qytetare – pastrimi i plazheve, programet edukuese, gara, festivale, si dhe ngjarjet e aktivitetet e ndryshme, ndihmojnë në ngritjen e vetëdijes se sa i rëndësishëm është oqeani për jetën tonë./atsh/ KultPlus.com

98 vjet nga lindja e kompozitorit Çesk Zadeja, një nga themeluesit e muzikës klasike shqiptare

Çesk Zadeja lindi më 8 qershor të vitit 1927 në Shkodër, në një familje qytetare, shkruan KultPlus.

Mësimet e para i mori në vendin e lindjes, në shkollën françeskane, ku krahas mësimit të përgjithshëm, merr dhe njohuritë e para të muzikës.

Ka qenë anëtar i korit të Kishës Françeskane që drejtohej nga kompozitori i shquar patër Martin Gjoka dhe më vonë nga Filip Mazreku e Prenk Jakova.

Që në vegjëli, në qytetin e lindjes u angazhua në grupet amatore. Shfaqi që herët talentin e tij dhe si nxënës 14-vjeçar studion në Accademia di Santa Cecilia në Romë, Itali, me kompozitorin Umberto Semproni.

Ai ishte i njohur për kompozimet e tij, sikurse “Suita e Veriut”, “Suitë korale”, “Skica simfonike”, Poema vokale” etj, derisa ishte dekoruar edhe me “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta.

Vdiq në Romë, më 15 gusht 1997. /KultPlus.com

Media britanike “Times”: Zbuloni pikat sekrete dhe piktoreske të jugut të Shqipërisë

Plazhet në Rivierën Shqiptare po bëhen gjithnjë e më të populluara, por nëse shkoni më në brendësi të vendit, do të zbuloni fshatra të qetë, lumenj të egër dhe aventura të pazakonta, shkruan Laura Sanders në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “The Times”.

Pothuajse 12 milionë njerëz vizituan Shqipërinë vitin e kaluar, shumë prej të cilëve u drejtuan drejt Rivierës me premtimin e një pushimi të përballueshëm në plazh.

“Undiscovered Balkans”, një kompani e vogël britanike udhëtimesh e specializuar në aventura të pazakonta, rekomandon ture në grupe të vogla – për të zbuluar disa nga thesaret më pak të njohura të jugut të Shqipërisë.

Laura Sanders – së bashku me “Undiscovered Balkans”, mori pjesë në një tur shtatëditor në jug të Shqipërisë (1,195 paund për person).

U bashkova me turin në maj dhe kalova një javë duke eksploruar qytetet bregdetare – përpara se të zhytesha në brendësi të vendit – ku vizitova vendet e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, notova në ujëvarat e fshehura, qëndrova me fermerë në male dhe lundrova me rafting në një nga lumenjtë e fundit të egër të Evropës.

Ne përfunduam udhëtimin në plazhet me guralecë pa turma vizitorësh, 200 metra mbi nivelin e detit, në një fshat në brigjet e Liqenit të Ohrit.

Mbërrita në Qeparo, një nga fshatrat më të qetë bregdetarë në qarkun e Vlorës, ​​pas një udhëtimi tre-orësh me makinë nga Tirana.

U zgjova me pamje nga Qeparoja e Vjetër, fshati bujqësor në shpatin e kodrës, që zbriste nga mali për të takuar Qeparoin e Ri në bregdet, ku baret e plazhit dhe qendrat e marrjes me qira të varkave po përgatiteshin për sezonin.

Mikpritësja jonë ishte Mirela Kokëdhima – e cila drejtonte bujtinën në fermën e saj në majë të kodrës, diku midis dy Qeparove.

Ajo na shërbeu vezë, djathë dhie, kos, sallatë, ëmbëlsira me çokollatë të bëra në shtëpi, salçiçe dhe kafe turke.

Në këtë fillim sezoni, deti ishte shumë i trazuar për të lundruar me kajak, kështu që e kaluam ditën e parë duke ecur përgjatë bregdetit.

Grupi ynë prej tetë britanikësh, me moshë nga 30-50 vjeç, eci përgjatë shkëmbinjve gëlqerorë karstikë me pamje epike të fshatrave tradicionalë dhe ujërave të kristalta.

Aroma e luleve të egra ndihej kudo dhe zogjtë cicëronin nga degët aty pranë.

Nëntë milje më vonë zbritëm në plazhin e Borshit dhe i zhytëm këmbët e lodhura në ujin e freskët të Jonit, duke shijuar një birrë në dorë.

Të nesërmen iu bashkuam guidës sonë, Alfi Pepaj, për një aventurë piktoreske drejt Gjirokastrës, një qytet i epokës osmane i përfshirë në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.

Pamja ishte e gjitha fantastike, maja të mbuluara me gjelbërim dhe livadhe të gjera – pa askënd përreth për kilometra të tëra.

Gjatë rrugës, ndaluam në një ujëvarë. Një orë më vonë mbërritëm në Gjirokastër dhe u magjepsëm menjëherë.

Ne u akomoduam në një hotel të stilit osman. Në ditët e sotme, shumica do ta njohin Gjirokastrën për qytetin e saj të vjetër tradicional dhe pazarin, i cili ngjan me Mostarin e Bosnjë-Hercegovinës ose Krujën e Shqipërisë veriore.

Por, qyteti ishte gjithashtu vendlindja e Enver Hoxhës, diktatorit komunist që sundoi Shqipërinë për 40 vjet – deri në vdekjen e tij në vitin 1985.

Kalaja e shekullit XIII, e ruajtur në mënyrë të mrekullueshme, e Gjirokastrës ofron pamje të gjera të rajonit dhe muret e saj të ftohta prej guri – ofrojnë pushim nga nxehtësia e verës.

Qyteti është shumë i popullarizuar në mesin e turistëve, por çmimet ishin të arsyeshme.

Të nesërmen në mëngjes u nisëm sërish drejt maleve – në një tjetër turne ku na priste një peizazh spektakolar karstik.

Ne udhëtuam përgjatë shtigjeve marramendëse drejt fshatit Hoshtevë në Zagoria, qarku fqinj.

Bëmë disa ndalesa për foto – dhe më pas zbritëm kodrën drejt një kishe fshati të shekullit XII, e cila strehon disa nga afresket dhe ikonat më të ruajtura të Shqipërisë – të cilat i kanë mbijetuar disa luftërave, Perandorisë Osmane dhe diktaturës së Hoxhës.

U kthyem në shtëpinë e mysafirëve – Kristinës dhe Ladi Telos – për një tjetër pushim.

Hëngrëm në verandën e tyre, e cila ishte e zbukuruar me lule, pemë agrume dhe fole dallëndyshesh, asnjë zë nuk dëgjohej në horizont për kilometra të tëra.

Kristina e kishte shndërruar shtëpinë e saj në një shtëpi mysafirësh 12 vjet më parë.

Qëndrimi ynë i radhës ishte në një shtëpi fshati 120-vjeçare të restauruar me pamje nga lugina e Vjosës, ku rrjedh Vjosa, një nga lumenjtë e fundit të egër të Evropës.

Për të arritur atje, udhëtuam me makinë në një shteg shkëmbor, vetëm disa centimetra larg një pjerrësie të pjerrët në disa pika, por ia vlente mundi.

Shtëpia e familjes së Kristaq Cullufe – tani është shndërruar në një Monumet Kulture të kategorise së I.

Pas rënies së komunizmit në vitin 1991, familja e Cullufes u kthye nga qyteti i afërt i Përmetit dhe nisi restaurimin e shtëpisë fshatare.

Në dhomën e gjumit në katin e parë ndodhej – një arkë prej druri që nuset shqiptare e mbushnin me gjëra për t’i marrë me vete në shtëpinë e tyre martesore.

Të nesërmen, udhëtuam drejt Liqenit të Ohrit, ndalesa jonë e fundit. Por jo para se të argëtoheshim në Vjosë, duke bërë rafting në ujërat e kristalta dhe duke notuar në natyrë.

I shtrirë në kufirin me Maqedoninë e Veriut, Ohri i mbrojtur nga UNESCO është një nga liqenet më të vjetra të Evropës.

Ne qëndruam në fshatin e qetë të Linit, i cili është një destinacion turistik.

Dita jonë e fundit ishte aktive, duke ecur dhe duke lundruar me kajak në plazhe të izoluara me guralecë në mëngjes dhe pasdite duke përshkuar me biçikletë zonën e liqenit që i takon Shqipërisë.

Udhëtimi i këndshëm prej 12 miljesh na çoi pranë tokave të mbjella dhe bunkerëve të mbuluar me bimësi.

Ndaluam në qytetin e Pogradecit, i cili ka një ndjesi të vërtetë bregdetare britanike: fëmijët qeshnin duke luajtur, aroma e karameleve dhe petullave përhapej në ajër dhe të moshuarit pinin cigare ndërsa luanin shah në shëtitore.

Pogradeci është një qytet turistik që ka gjetur ekuilibrin e duhur në turizëm – i gjallë, por i tejmbushur me vizitorë.

Nëse po kërkoni të përjetoni pushime autentike – me aventura në natyrë dhe trashëgimi kulturore – Shqipëria është vendi ideal. /atsh/ KultPlus.com

‘Jeta e vërtetë e njeriut është e lumtur, kryesisht për shkak se ai është gjithnjë në pritje që ajo së shpejti do të jetë kështu’

I lindur në vitin 1809, Edgar Allan Poe ishte fëmija i dytë i dy aktorëve Elizabet dhe David Poe. Në vitin 1810, babai i tij braktis familjen. Në vitin 1811, mamaja e tij vdes nga tuberkulozi i mushkërive, duke e lënë jetim. Ky do të jetë fillimi i jetës së tij mizore. Gjatë jetës së tij ai shkroi disa vepra, prozë dhe poezi të cilat edhe sot lexohen me endje, shkruan KultPlus.

Më poshtë po listojmë disa thënie nga veprat e tij:

Beso vetëm gjysmën e asaj që sheh dhe asgjë nga ajo që dëgjon.

E gjithë feja ka dalë thjesht nga mashtrimi, frika, lakmia, imagjinata, dhe poezia.

Gjithçka që ne shohim apo duket është një ëndërr, por brenda një ëndrre.

Bukuria e çfarëdo lloji, në zhvillimin e saj suprem, pa ndryshim e prek shpirtin ndjeshëm deri në lot.

Do të vërtetohet, në fakt, se të zgjuarit janë gjithmonë të çuditshëm, dhe me të vërtetë përfytyrues shumë me tepër se analitikë.

Jeta e vërtetë e njeriut është e lumtur, kryesisht për shkak se ai është gjithnjë në pritje që ajo së shpejti do të jetë kështu.

Shkenca nuk ka mësuar ende nëse çmenduria është apo nuk është madhështi e inteligjencës.

Kufijtë që ndajnë Jetën nga Vdekja janë të paqartë dhe të vagullt. Kush do të thotë se ku e mbaron njëra dhe ku fillon tjetra?

Të përgojuarit e një njeriu të madh është mënyra në të cilën një njeri i vogël mund të arrijë madhështinë.

Ata që ëndërrojnë ditën njohin shumë gjëra që iu shpëtojnë atyre që ëndërrojnë vetëm natën./KultPlus.com

Çelja e sezonit turistik, Filo: Korça mirëpret 15 agjenci turistike

Kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo tha sot se Korça mirëpriti 15 agjencitë turistike më aktive në vend.

Në aktivitetin e organizuar me rastin e çeljes së sezonit veror, ku i pranishëm ishte edhe drejtuesi politik i PS për Korçën, Niko Peleshi, si edhe Prefekti i qytetit, Nertil Jole, kryebashkiaku Filo u shpreh se kjo është një mundësi e vyer për të prezantuar nga afër ofertën e pasur të Korçës.

“Natyrë e mrekullueshme, trashëgimi kulturore, gastronomi autentike dhe një kalendar ngjarjesh që e bëjnë Korçën destinacionin e preferuar të verës”, tha ai.

Sipas Filos, bashkëpunimi me profesionistët e turizmit është çelësi për të forcuar promocionin e Korçës dhe për të ndërtuar një zhvillim sa më të qëndrueshëm e gjithëpërfshirës.

“Korça është gati për një sezon veror të jashtëzakonshëm”, u shpreh Filo.

Korça çeli sot sezonin turistik me Festivalin Ndërkombëtar të Karnavaleve, një paradë plot ngjyra e aktivitete që dhurojnë një atmosferë të veçantë për të gjithë qytetarët.

E njohur për Karnavalet e famshme Korça, e ka shndërruar këtë traditë në një nga festat më të bukura të qytetit. Muzika dhe alegria, i bëjnë karnavalet, ftesën unike korçare për turistët vendas e të huaj.

Nga aktiviteti për mikpritjen e 15 agjencive turistike në Korçë./ KultPlus.com

Barazim pa gola në “Air Albania” në ndeshjen Shqipëri-Serbi

Shqipëria ka marrë vetëm një pikë përballë Serbisë, pasi ndeshja që u zhvillua në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror 2026 përfundoi pa gola.

Ndeshja nisi shumë mirë për Shqipërinë, që lëvizte topin rrjedhshëm dhe sigurt.

Shqipëria tentoi nga të gjitha anët, por serbët ishin shumë të mbyllur në defanzivë.

Shqipëria është e dyta në Grupin K me katër pikë, pasi Anglisë që ka nëntë, Letonia me tri, Serbia me një dhe Andorra ende pa pikë. / KultPlus.com

“SHBA 2026” – Nis sfida Shqipëri – Serbi

Ka nisur sfida mes Kombëtares shqiptare të futbollit kundër Serbisë në “Arenën Kombëtare” të Tiranës, sfidë kjo e vlefshme për Grupin K kualifikues të Kupës së Botës 2026.

Kjo është ndeshja e tretë për Kombëtaren në Grupin K, me kuqezinjtë që pas humbjes me Anglinë dhe fitores me Andorrën mbajnë vendin e dytë me tre pikë.

Nga ana tjetër Serbia ka qenë e impenjuar në Ligën e Kombeve dhe sfida e sotme është debutuese për ta në këtë grup.

Grupi K kryesohet nga Anglia me 9 pikë pas 3 fitoreve, ndërsa Letonia është e treta me 3 pikë.

Pak minuta para fillimit të sfidës, janë zbuluar formacionet zyrtare, me trajnerët që kanë zgjedhur titullarët e kësaj përballje. Trajneri Silvinjo i ka shtangur të gjithë me titullarët. Surpriza është Shehu në mesfushë, i cili merr vendin e Ramadanit. Në të djathtë të sulmit, luan Broja, Hoxha në të majtë dhe Manaj në qendër.

FORMACIONET ZYRTARE:
SHQIPËRIA: Strakosha; Hysaj, Ajeti, Gjimshiti, Mitaj; Shehu, Asllani, Laçi; Hoxha, Broja, Manaj.

SERBIA: Petrovic, Pavlovic, Milenkovic, Erakovic, Lukic, Maksimovic, Zivkovic, Terzic, Samardzic, Mitrovic, Vlahovic./ KultPlus.com

Shqipëri – Serbi, publikohen formacionet e ndeshjes

Kombëtarja shqiptare e futbollit luan sot në orën 20:45 kundër Serbisë në “Arenën Kombëtare” të Tiranës, sfidë kjo e vlefshme për Grupin K kualifikues të Kupës së Botës 2026.

Kjo do jetë ndeshja e tretë për Kombëtaren në Grupin K, me kuqezinjtë që pas humbjes me Anglinë dhe fitores me Andorrën mbajnë vendin e dytë.

Nga ana tjetër Serbia ka qenë e impenjuar në Ligën e Kombeve dhe sfida e sotme është debutuese për ta në këtë grup.

Grupi K kryesohet nga Anglia me 6 pikë pas 2 fitoreve, ndërsa letonia është e treta me 3 pikë.

Pak minuta para fillimit të sfidës, janë zbuluar formacionet zyrtare, me trajnerët që kanë zgjedhur titullarët e kësaj përballje. Trajneri Silvinjo i ka shtangur të gjithë me titullarët. Surpriza është Shehu në mesfushë, i cili merr vendin e Ramadanit. Në të djathtë të sulmit, luan Broja, Hoxha në të majtë dhe Manaj në qendër.

FORMACIONET ZYRTARE:
SHQIPËRIA: Strakosha; Hysaj, Ajeti, Gjimshiti, Mitaj; Shehu, Asllani, Laçi; Hoxha, Broja, Manaj.

SERBIA: Petrovic, Pavlovic, Milenkovic, Erakovic, Lukic, Maksimovic, Zivkovic, Terzic, Samardzic, Mitrovic, Vlahovic./ KultPlus.com

DORTMUND, GERMANY – JUNE 15: Players of Albania pose for a team photograph prior to the UEFA EURO 2024 group stage match between Italy and Albania at Football Stadium Dortmund on June 15, 2024 in Dortmund, Germany. (Photo by Michael Regan – UEFA/UEFA via Getty Images)

Shqipëri – Serbi, sfida e zjarrtë për Botërorin, Tirana ‘ndizet’ nga tifozët kuq e zi

Kombëtarja shqiptare e futbollit luan sot në orën 20:45 kundër Serbisë në “Arenën Kombëtare” të Tiranës, sfidë kjo e vlefshme për Grupin K kualifikues të Kupës së Botës 2026.

Kjo do jetë ndeshja e tretë për Kombëtaren në Grupin K, me kuqezinjtë që pas humbjes me Anglinë dhe fitores me Andorrën mbajnë vendin e dytë.

Nga ana tjetër Serbia ka qenë e impenjuar në Ligën e Kombeve dhe sfida e sotme është debutuese për ta në këtë grup.

Me Anglinë që shihet si favorite për vendin e parë, Shqipëria dhe Serbia duhet të garojnë për vendin e dytë që të dërgon në play-off për një shans bilete në finalet e Botërorit 2026, që zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.

Kuqezinjtë do të duhet patjetër të marrin një fitore kundër Serbisë nëse duam të jemi për herë të parë në një Kupë Bote dhe sot është shansi i madh.

108.55 milionë euro vlejnë në treg futbollistët e Shqipërisë që Sylvinho ka të gatshëm në këtë grumbullim. Më i shtrenjti është Asllani, i cili luan me Interin në Itali me 15 milionë euro në ‘Transfermarkt’, ndjekur nga Broja me 12 milionë euro, Muçi me 11 milionë euro, Gjimshitit me 8 milionë euro dhe Ismajli dhe Nedim Bajrami me 6 milionë euro.

Nga ana tjetër Serbia vlen 245.9 milionë euro sipas ‘Transfermarkt’, pra më shumë se dyfishi i vlerës së Shqipërisë. Emra si Milenkoviҫ, Pavloviҫ, Samardziҫ, Mitroviҫ apo edhe Vlahoviҫ janë yje në Serie A dhe jo vetëm.

Në përditësimin e fundit, Shqipëria mban renditjen e 66-të në FIFA, ndërsa Serbia ndodhet në pozitën e 31-të.

Për këtë sfidë, janë marrë të gjitha masat e e sigurisë me 2 mijë forca policore, anti-dronë, qen kontrollues, kamera inteligjente, patrullime; si edhe bileta të personalizuara.

Skuadra serbe mbërriti në Tiranë pas mesditës më 6 qershor dhe gjatë gjthë qëndrimit në Tiranë do të ketë një trupë sigurie nga Policia e Shtetit dhe forcat speciale RENEA, për të shmangur çdo incident të mundshëm apo shfaqje të pakëndshme jashtë futbollit.

UEFA ka vlerësuar maksimalisht këtë duel duke ia besuar gjykimin një trupe nga Italia me kryesor arbitrin Davide Massa. Si një ndër më të vlerësuarit në Serie A, Massa do ketë ndihmën e Filippo Melit dhe Ciro Carbones, ndërsa arbitër i katërt do jetë Fabio Maresca. Në VAR do jenë Aleandro Di Paolo me ndihmës Daniele Doveri.

Kryesori Massa e ka gjykuar vetëm në një rast Kombëtaren shqiptare. Në datën 16 nëntor 2015 ai vendosi drejtësi në miqësoren midis Shqipërisë dhe Gjeorgjisë, e cila përfundoi me rezultatin 2-2 në stadiumin “Qemal Stafa” në Tiranë.

22 mijë zemra kuqezi do të jenë sot në ‘Arenën Kombëtare’ dhe miliona të tjerë kudo ku ka shqiptarë, teksa tifozët kuqezinj kanë mbushur Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’.

Më shumë se 200 mijë ishte numri i kërkesave për të hyrë në stadium, ndërsa në rast të një tri pikëshi për tanët, e sigurt është se Tirana dhe jo vetëm do e gdhijë me festë.

FIFA ka dënuar ekipin tonë pas ndeshjen kundër Moldavisë dhe një pjesë e tribunave pas porte (20 përqind) do mbushet me tifozë të përzgjedhur në luftën kundër diskriminimit. Kujtojmë se në këtë përballje nuk do ketë tifozë serbë në stadium, kjo pasi ata janë të dënuar nga FIFA për ndeshjen e radhës në udhëtim, duel që përkoi ky i Tiranës.

Portieri Mario Dajsinani, Medon Berisha, Adrian Bajrami dhe Adrion Pajaziti do e ndjekin sfidën kundër Serbisë nga shkallët e stadiumit “Arena Kombëtare”.

Në bazë të rregullave të UEFA-s, trajneri Sylvinho do ketë të gatshëm 23 futbollistë për sfidën e sotme, teksa emrat më sipër janë të sakrifikuarit, duke qenë se braziliani grumbulloi 27 futbollistë për dy sfidat e qershorit, atë sot kundër Serbisë në Tiranë dhe pas tri ditësh përballjen në Letoni.

Atmosfera kuqezi në Tiranë, Foto: Florian Abazaj/ KultPlus.com