Kryeparlamentari Konjufca pranoi raportin njëvjeçar të Institutit të Krimeve nga shteti serb në Kosovë

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka takuar Drejtorin Ekzekutiv të institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, Atdhe Hetemi, nga i cili edhe e ka pranuar raportin njëvjeçar të punës së Institutit.

Gjatë këtij takimi, kryekuvendari Konjufca theksoi rëndësinë që ka puna e këtij instituti për të dokumentuar të vërtetën e krimeve të luftës së shtetit të Serbisë ndaj shqiptarëve në Kosovë, duke qenë se “kjo i shërben faktimit të historisë, përgjigjes ndaj mohimit dhe fshehjes që Serbia i bën krimeve të saj, si dhe hapjes së rrugës për vendosjen e drejtësisë”.

Hetemi nga ana e tij e ka njoftuar Konjufcën me punën e deritanishme të institutit, me sfidat dhe të arriturat që priten në vazhdim.

Siç njofton Zyra për Komunikim e Kuvendit, Konjufca e përgëzoi drejtorin Hetemi për punën e madhe të bërë deri tani nga ky institut në grumbullimin e materialeve dhe tha se “kjo shënon një hap domethënës e të domosdoshëm të faktimit të sistemuar”.

Hetemit, Konjufca i ofroi të gjithë mbështetjen e nevojshme “në mënyrë që të ketë rezultate sa më të mëdha në plotësimin e këtij synimi aq të rëndësishëm për Republikën e Kosovës dhe popullin tonë”.

Investim shtatë milionësh për TKK, Ministri Çeku: Teatri Kombëtar po transformohet në një hapësirë me kushte të dinjitetshme

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka njoftuar se punimet e restaurimit të tërësishëm të Teatrit Kombëtar po vazhdojnë me dinamikë të lartë.

Ministri Çeku ka thënë se përmes një investimi mbi shtatë milionë eurosh ndërtesa e TKK po transformohet në një hapësirë me kushte të dinjitetshme për artistin, stafin dhe publikun artdashës.

“Puna profesionale që është bërë në hartimin e projektit po vazhdon edhe në zbatimin e punimeve restauruese nga operatorë të licencuar për konservim. Profesorë nga gjashtë fakultete të Universitetit të Prishtinës janë angazhuar me përkushtim nga fillimi i këtij procesi delikat.

Po investojmë mbi shtatë milionë euro për modernizimin e hapësirës së Teatrit Kombëtar, duke u siguruar që vlerat e asetit do të mbrohen me përpikëri”, thuhet në njoftimin e Ministrit Çeku./ KultPlus.com

Botohet libri ‘Përvojë dhe Thagmë’ i autorit Arben Idrizi

Shtëpia botuese Bard Books ka botuar librin më të ri të shkrimtarit Arben Idrizi, me titullin “Përvojë dhe Thagmë”.

Librin “Përvojë dhe thagmë” shkrimtari dhe kritiku Ag Apolloni e ka vlerësuar si një libër të veçantë, duke thënë se: “Përvojë dhe thagmë është diçka mes eksperiencës dhe epifanisë. Këtu, nëpërmjet formave të ndryshme poetike, kemi përjetime dhe reflektime të thella. Duke e përdorur fokusin e fjalëve, Arben Idrizi, si subjekt vrojtues dhe përjetues, i afron gjërat me një zoom poetik, apo, siç thuhet, i bën gjërat me thagmë, për ta çuditur lexuesin edhe kur flet për gjërat e rëndomta. E, dihet se ç’rëndomtësimi është proces poetik për ta kthyer përvojën në art. Përvojë dhe thagmë na tregon sa i bukur është arti dhe sa e brishtë është jeta”.

Arben Idrizi, i njohur si poet, prozator dhe përkthyes, deri tani ka botuar përmbledhjet poetike: Heqakeq (Prishtinë, 2003), Libri i të qenit (Prishtinë, 2009), Zveri vole utadžbinu (Beograd, 2013), Fletore poezish ‘10-’15 (Prishtinë, 2016), Poezi, 2016 (Tiranë, 2017), Poezi, ’17-’18 (Prishtinë, 2019), Libri i dhunës (Tiranë, 2019), Poezi, ‘19-’20 (Prishtinë, 2021). Gjithashtu, ka përkthyer librat: “Hiçi që është nën” të Valerio Magrellit, “Dy drama” të Tino Caspanellos, “Martesa e Kadmit dhe Harmonisë” të Roberto Calassos dhe “Mendime” të Giacomo Leopardit.

Librin e gjeni në libraritë “Artini” dhe “Dukagjini”, në Prishtinë./ KultPlus.com

Hapet edicioni i 12-të i ‘Net/Rrjet’, synohet rrjetizimi i artistëve vendorë me artistët ndërkombëtarë

Vjollca Duraku

25 artistë nga vende të ndryshme të botës mbrëmë kanë hapur ekspozitën e edicionit të 12-të “Net/Rrjet” në qendrën “Barabar”, shkruan KultPlus. Koncepti i këtij viti i përketë artit bashkëkohor dhe ka të bëj me “FastArt”, që vjen si rrjedhojë e një arti të shpejtë nga dinamizmi i jetës i cili mundëson forma të ndryshme të prezantimit të artit. Video, instalacion, fotografi e pikturë janë paraqitur në ekspozitën e kuruar nga Zeni Ballazhi, që përveç tjerash synon rrjetizimin e artistëve vendorë e atyre ndërkombëtarë.

Prej eksponateve, i pari që bie në sy qysh në hyrje është “Instalacioni” i artistes Leonita Krasniqi. Dhjetëra punime nga alumini qëndrojnë të varura lartë në murin e galerisë me figura të ndryshme artistike. 

Përballë tyre qëndron krijimi artistik i Resul Jusufit “Surpassing himself”. Para një pikture që paraqet hijen e një burri janë të varura një palë këpucë të vjetra, prej të cilave njëra e ndarë në gjysmë.

Në kthinën e galerisë gjenden edhe eksponatet mjaft të veçanta të ukrainases Kateryna Repa. Veçantia e këtyre punimeve ka qenë teknika e punës, ku përmes shkronjave milimetrike që mezi shihen me sy të lirë janë vizatuar portrete me rrëfime nga lufta e Ukrainës.

Majlindja Kelmendi, drejtoresha e qendrës për art bashkëkohor “ExpoArt.40”, e cila është edhe organizatore e “Net/Rrjet” ka thënë se qëllimi i ekspozitës është rrjetizimi i artistëve vendorë me ata ndërkombëtar.

“Net/Rrjet ka filluar në vitin 2008, është rritur, qindra artistë ndër vite kanë marrë pjesë. Vet fjala Rrjet tregon rrjetëzimin, vendosjen e urave në mes të artistëve vendorë dhe atyre ndërkombëtar, për t’i ekspozuar pastaj së bashku në qytetin e Prishinës. NET/RRJET është një koncept bashkëkohor. Punimet që janë këtu janë të artistëve të cilët punojnë me një qëllim të caktuar, për të përcjellë një mesazh ose për të përcjellë vepra të mediave të ndryshme kemi: video, pikturë dhe instalacion”, ka thënë Kelmendi.

Piktorja Kelmendi ka thënë se ekspozita krijon një minibotë ku secili artist shpreh preukopimin e vet që e ka pasur gjatë kohës që e ka realizuar veprën.

“Qëllimi është edhe reklamimi i vendit tonë në vendet e artistëve ndërkombëtarë. Miqtë e tyre artistë na kanë shkruar për të qenë si kontingjent për edicionin tjetër. Kjo nuk na shërben vetëm ne si artistë por i shërben edhe vetë Kosovës për ta bërë sa më të njohur. Kur kemi filluar në 2008 na është dashur të përballemi me pyetjen ku i bjen Kosova, gjë e cila nuk  ka ndodhur këto dy-tre vitet e fundit. Kjo është një gjë shumë e bukur. Artistët nga vendet e ndryshme ofrojnë botën e tyre dhe problematikën e tyre në lidhje me temën që trajtojmë. Këtu krijojmë një minibotë, ku secili artist shfaq preukopimin e vet që e ka pasur gjatë kohës kur e ka realizuar atë vepër, prandaj edhe është interesante që ka botë të ndryshme brenda një bote të madhe”, ka thënë Kelmendi.

Ndërsa, kuratori Zeni Ballazhi ka thënë se koncepti i këtij edicioni është i bazuar në “FastArt”.

“Sivjet koncepti është i bazuar te kjo pjesa aktuale “FastArt” për shkak se arti i shpejtë ose dinamizmi i jetës së përditshme të shpejtë na mundëson forma të ndryshme të prezantimit të artit, sidomos të pjesës ndërkombëtare për shkak se artistët nuk kanë mundësi të ekspozojnë veprat e tyre brenda një jave në disa shtete. Një mundësi e mirë sot është edhe prezantimi i ekspozitave të shpejta ose ekspozitave të cilat kanë të bëjnë me ekspozitat online. Është prezantim aktual, më i miri i mundshëm për bashkëpuniin edhe me rtistë edhe me vende të ndryshme të botës”, ka thënë Ballazhi.

Kuratori më tutje ka uruar që në të ardhmen të krijohen mundësi më të mëdha për artistët pasi sipas tij Kosova ka potencial jashtëzakonisht të madh për organizimin e ekspozitave të tilla.

“Mundësi tjetër e mirë është për shkak që artistët vendorë kanë mundësi që të krijojnë këtë lloj rrjetëzimi dhe t’i bashkohen këtyre lloj artistëve të cilët sot prezantohen në mënyra të ndryshme dhe të shpejta në vende të ndryshme. Në këtë ekspozitë marrin pjesë 25 artistë dhe pjesa më e madhe janë artistë ndërkombëtar. Kosovës i kemi sjellë sivjet prurje të reja të vendeve të ndryshme këtu. Kemi edhe vende të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, kjo për faktin që Kosova të njihet edhe në arenën ndërkombëtare”, ka përfunduar kuratori Ballazhi.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur nga 11 deri më 17 nëntor 2024, nga ora 12:00 deri në 17:00, në Barabar Centre (Grand Hotel, kati i katërt), Prishtinë./ KultPlus.com

37 vite pa Lasgush Poradecin, mungon shtëpia muze në qytetin e lindjes për poetin

Banesa që shihni mbrapa meje është shtëpia ku ka jetuar poeti i madh lirik Lasgush Poradeci. Përpara 37 viteve ai do të largohej nga kjo jetë e sot, ai nuk nderohet me një shtëpi muze, ashtu siç është premtuar për dhjetëra vite nga Bashkia e Pogradecit.

Më 12 Nëntor 1987 Lasgushi do të mbyllte sytë përgjithmonë, duke lënë mbrapa një pasuri të madhe letrare për poezitë e letrat shqipe.

Poeti i madh pogradecar ende nuk ka një shtëpi muze, ku të vihen në pah për turistët e vizitorët vendi ku ka jetuar apo sende personale të tij.

Budjon Xhelo është njeri nga njerëzit që pati mundësinë ta njihte nga afër poetin, dhe sot e cilëson flagrante mungesën e një shtëpie muze.

“Është një turp i madh për gjithë qytetarët e Pogradecit por edhe me gjerë, ministrinë e kulturës që ende nuk kemi shtëpinë e poetit kombëtar Lasgush Poradeci. Është një mallkim komunist, kam 50 vite në këtë qytet, e kam njohur Lasgushi të gjallë, e kam nderuar të vdekur. Duhet ndërtuar shtëpia e Lasgushit, duhet rindërtuar nga themelet, jo si sot. E hapur për të gjithë, ku ka gjë më të mirë. Poeti që i këndoi atdhedashurisë është lënë pa shtëpi, ka më turp?” tha Xhelo.

Për nënkryetarin e Bashkisë Pogradec, ky premtim pritet të jetësohet së shpejti, me investimet që do të marrin lagjet historike të këtij qyteti.

“Nuk e quaj premtim të pambajtur, ka qenë një nga projektet që bashkia Pogradec ta bëjë e me pare. Ajo është godine private e dikujt tjetër, jo pronë publike apo e familjes së poetit. Në bashkëpunim me institutin e monumenteve është financuar projekti për rikonstruksionin e dy lagjeve. Brenda këtij viti fillon puna për rehabilitimin. Edhe shtëpia e Lasgush Poradecit përfshihet. Në bashkëpunim me pronarët ekzistues do transformohet për turistët vendas e të huaj”, u shpreh Paskalino Ziko, nënkryetar i Bashkisë Pogradec.

Sot, në përvjetorin e ndarjes nga jeta të Lasgush Poradecit nuk pati asnjë aktivitet në qytetin ku ai lindi e u rrit, për të cilin shkroi deri në frymën e fundit./euronews/ KultPlus.com

Shega shqiptare, Lezha feston me traditë shijen e frutit të kuq

Në Lezhë është rikthyer festa e shegës.

Si çdo vit tashmë në traditë, festa e shegës vjen me një panair në qendër të qytetit të Lezhës, transmeton klankosova.tv.

Aty prezantohet jo vetëm tradita e këtij qyteti, por edhe përfshirja e këtij fruti me gatime ku vitet e fundit ka marrë një rëndësi të veçantë.

Në panair pjesëmarrësit ekspozuan produkte të ndryshme, gatime tradicionale që kanë në përbërje shegën.

”Të gjitha ushqimet pothuajse e kanë përbërësin e shegës, siç kam përgatitur rizoton me lëngun e shegës, copëza ftoi e boronice”.

”Tani dihet që shega në Lezhë përdoret dhe përveçse konsumohet si frut, si lëng, unë tani kam menduar që ta sjellë edhe me pasta të freskëta”.

”Kemi sjellë në vend të shurupeve të huaj kemi kthyer shijen e shegës si oramatizues dhe shijet e kokteileve”.

Pjesë e panairit ishin edhe nxënës të shkollës profesionale.

”Kemi sjellë lakror dhe byrek nga zona jonë po ashtu edhe ravani që përfaqëson zonën tonë”.

Sipas tvklan.al, një aktivitet i tillë synon promovimin e këtij fruti.

”Sollën frutin e shegës të përpunuar në ushqime dhe gatime të ndryshme. Kishim në panair edhe trashëgiminë kulturore të cilat të gjitha së bashku shpalosen për t’i dhënë diçka ndryshe Lezhës”.

Festa e shegës është kthyer në traditë në Lezhë, pasi organizohet prej vitesh.

Kurti në ushtrimin fushor “Ujku i Çeliktë”: Ju jeni garanci e pathyeshme se e ardhmja e Kosovës është në duar të sigurta

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vizitoi sot pjesëtarët e FSK-së në Poligonin Ushtarak në Babaj të Bokës, në Gjakovë, në kuadër të shënimit të realizimit të ushtrimit fushor “Ujku i Çeliktë”, në të cilin morën pjesë njësi të Forcës së Sigurisë së Kosovës, njoftojnë nga kryeministria.

Po sot, Forca e Sigurisë e Kosovës, po organizon edhe Ditën e Vizitorëve.

Bëhet e ditur se gjatë kësaj vizite, ku ishte e pranishme dhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani-Sadriu,  Kurti pa nga afër demonstrimin e aktiviteteve si dhe operacionet e shumta të pjesëtarëve të FSK-së, përfshirë ato ofensive, defansive dhe të stabilitetit.

Në adresimin e tij, ai tha se ndjehet shumë krenar sa herë që ndodhet së bashku me ta dhe në mesin e tyre, sikur sot në këtë ushtrim, i cili si i tillë është më i madhi dhe më i sofistikuari i realizuar ndonjëherë nga Forca e Sigurisë së Kosovës, me pjesëmarrjen e mbi 1000 ushtarakëve.

Ky ushtrim, siç tha kryeministri, përfaqëson më shumë se një testim të kapaciteteve tona mbrojtëse, është një tregues i qartë i përkushtimit, guximit dhe profesionalizimit të ushtrisë sonë.

“E veçanta e këtij ushtrimi është se pikërisht këtu, bëhet validimi i regjimentit të dytë të këmbësorisë të FSK-së, duke konfirmuar zhvillimin dhe forcimin e vazhdueshëm të ushtrisë sonë drejt standardeve më të larta ndërkombëtare”, tha Kurti, duke shtuar se një element tjetër i rëndësishëm i këtij ushtrimi është përdorimi i pajisjeve dhe armatimit modern, të cilat janë blerë dhe integruar në flotën tonë në këto vitet e fundit. Këto pajisje dhe ky armatim i blerë sipas standardeve të NATO-s janë produkt i një strategjie të detajuar të investimeve tona në fushën e mbrojtjes.

Ky ushtrim tregon se Forca e Sigurisë së Kosovës është mburojë e vendit tonë, por edhe një partner i besueshëm për paqen dhe sigurinë rajonale, për aleatët e Kosovës, tha kryeministri, teksa shtoi se ushtria jonë ka treguar bashkëpunim dhe bashkërendim të shkëlqyeshëm me partnerët tanë strategjikë, duke dëshmuar aftësitë tona për ndërveprueshmëri, dhe duke përmbushur detyrat komplekse me efikasitet të plotë.

Në adresimin e tij, ai po ashtu u tha pjesëtarëve të FSK-së se ata janë frymëzim për të gjithë ne, e gjithashtu janë garanci e pathyeshme se e ardhmja e Kosovës është në duar të sigurta. Po ashtu shprehu mirënjohjen e tij të thellë dhe përgëzoi çdo ushtar dhe të çdo oficer që është angazhuar në përgatitjen dhe realizmin e këtij ushtrimi.

“Ju falënderoj që mbani lart nderin dhe krenarinë e vendit tonë me angazhimin tuaj edhe të përhershëm edhe të sinqertë. Ju jeni dalzotësit e atdheut dhe mburoja më e mirë e më e fuqishme për Republikën e Kosovës”, përfundoi kryeministri.

Një vit nga vdekja e ish-kryediplomatit çek që njohu pavarësinë e Kosovës

Ish-ministri i Jashtëm i Republikës Çeke, Karel Schwarzenberg, është ndarë nga jeta një vit më parë, në moshën 85-vjeçare.

Schwarzenberg në vitin 2008 kur ishte në krye të këtij posti, vetëm dy ditë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, kishte treguar vullnet për ta njohur, njofton Klankosova.tv.

Ndonëse kishte kundërshti të fuqishme nga një pjesë e skenës politike në vendin e tij, veçanërisht nga presidenti i atëhershëm çek, Vaclav Klaus, ai vendosi që ta njohë pavarësinë e Kosovës./KultPlus.com

Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore me udhëheqje të re, Artan Krasniqi në krye të këtij Këshilli

Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore me udhëheqje të re, Artan Krasniqi në krye të këtij Këshilli

Sot është mbajtur mbledhja e pare e Bordit të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, që është zgjedhur me datë 30 tetor nga Kuvendi i Kosovës.

Gjatë mbledhjes, kryetar i Këshillit është zgjedhur Artan Krasniqi.

“Anëtarët e bordit diskutuan në përgjithësi për rëndësinë e bashkëpunimeve institucionale, planet e punës dhe sfidat për mandatin e ardhshëm të KKTK-së”,  thuhet në njoftim.

Tutje, është bërë e ditur se diskutimet janë përqendruar në disa fusha që do të konribuonin në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore promovimin, legjislacionin dhe rregulloret./KultPlus.com

Ekspozita Kartografike e Boka Kotorska, në Qendrën “Sotir Kolea”

Në qendrën “Sotir Kolea” u ekspozuan pamjet kartografike të Boka Kotorska, nga fundi i shekullit të 15-të deri në fillimin e shekullit të 20-të.

Ekspozita erdhi si një udhëtim përmes hartave historike dhe kartografike që tregonin Gjirin e Kotorit dhe zonën rreth tij.

Materiali kartografik nga Muzeu Detar në Kotor bëri së bashku burime të digjitalizuara nga arkivat dhe bibliotekat kombëtare në të gjithë Evropën dhe SHBA.

185 harta të digjitalizuara nga Muzeu Detar në Kotor, arkivat dhe bibliotekat kombëtare të Evropës dhe SHBA-së, që përfshinin harta gjeografike, detare, topografike, ushtarake, historike, politike, etnografike, dhe shumë më tepër. Ekspozita ishte një mundësi e shkëlqyer për të zbuluar pasurinë kulturore dhe historike të këtij rajoni të mrekullueshëm./atsh/KultPlus.com

COD, promovohet libri fitues i “Fondit të krijimtarisë letrare për fëmijë”

Biblioteka e kryeministrisë ka pritur miqtë e vegjël të librit në një aktivitet promovues, kushtuar librit “Hana, vajza që kapi Diellin”.

Libri është shkruar nga Rovena Rrozhani dhe është libri më i ri në letërsinë shqipe për fëmijë. Pasditja e mbrëmshme i shtoi gjallërinë COD-it, me zërat e fëmijëve dhe panelin e përbërë nga prof. dr. Persida Asllani, botuesja Irena Toçi, autorja Rovena Rrozhani dhe ilustruesja Mirjana Madhi.

Të pranishmit bashkëbiseduan rreth librit si dhe për autoren Rrozhani, e shpallur si fituese e “Fondit të krijimtarisë letrare për fëmijë”./atsh/KultPlus.com

Rita Ora lanson koleksionin e saj të fundit në bashkëpunim me nënën e saj, Vera Ora

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, ka lansuar koleksionin e saj të fundit në Primark, kësaj radhe bashkë me nënën e saj, Vera Ora.

Rita ka shkruar se ky koleksion i dedikohet sezonit festiv.

“Nga rrobaqepësia elegante deri te dukjet e mbrëmjes që bien në sy, po sjell të gjithë glamin e frymëzuar nga Java e Modës në Paris dhe festat”, ka shkruar ajo.

Tutje, këngëtarja u shpreh se ndjehet e lumtur që i është bashkuar edhe nëna e saj për të modeluar dhe ka treguar se mosha e saj është vetëm një numër.

Ndërsa, nëna e saj u shpreh se është shumë e emocionuar për të ndarë këtë koleksion.

“Jam shumë e emocionuar të ndaj këtë koleksion me të gjithë ju. Sezoni i festave ka të bëjë me bashkimin dhe thellimin e marrëdhënieve tona me të afërmit, ndërkohë që kalojmë kohë të mirë dhe ‘Primarku’ e ka bërë pikërisht këtë”, tha ajo./KultPlus.com

“Meksika në Tiranë”, aktivitetet e Javës Kulturore Meksikane

Për herë të parë në vendin tonë do të organizohet Java Kulturore Meksikane. Nga datat 13 deri me 16 nëntor, kjo javë do jetë e mbushur plot me evente artistiko-kulturore. Kjo javë do të kremtojë edhe me 50-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-Meksikë.

Programi i Javës Kulturore Meksikane do të nisë më 13 nëntor, në ambientet e COD, në Kryeministri, me aktivitetin “Diplomacia dhe Kultura”, ku pjesëmarrës do të jetë edhe Ambasadori i Meksikës në Itali, Carlos Eugenio Garcia de Alba Zepeda. Ky i fundit, do të mbajë edhe një konferencë me temë “Diaspora Meksikane, politikat publike” si dhe do të nënshkruajë një Memorandum Mirëkuptimi midis AIIS dhe COMEXI.

Po më 13 nëntor, tek holli i Teatrit të Operas dhe Baletit në Tiranë, do të inaugurohet skulptura alebrije  “Fëmija Monarka”. Kjo vepër arti përfaqëson një dhi shqiptare dhe një flutur shtegtuese monarke, duke simbolizuar miqësinë mes dy vendeve përmes dy elementëve të faunës së tyre.

Gdhendjet në dru Oaxacan, të njohura më mirë si alebrijes, janë bërë një nga format më të njohura të artit në Meksikë. Pedro Linares, një krijues i aftë figurative dhe mik i Frida Khalo dhe Diego Rivera, ishte personi i parë që filloi të bënte alebrije të cilat ishin produkt i imagjinatës së tij. Ai ëndërronte për kafshë fantastike imagjinare dhe shumëngjyrëshe në ëndrrat e tij, të cilat të gjitha përsërisnin një fjalë pa pushim. Ajo fjalë ishte “alebrije”. Që atëherë, Pedro dhe familja e tij filluan të krijonin krijesa me dizajne dhe modele të ndërlikuara.

Ndërsa më 14 nëntor tek akademia e filmit Marubi në Tiranë, një ndër regjisorët  më ndikues në Evropë dhe jo vetëm, Jesus Garcés Lambert, do të mbajë masterclass me temë “Between fiction and documentary, find your own voice”.

Për të gjithë ata që duan të shijojnë ushqimet dhe pijet meksikane, më 14 nëntor, do të organizohet një event degustimi pjatash meksikane dhe tequilash. Nga ushqimi i ngushëllimit (tamales) apo ushqimi i rrugës (tacos), deri tek chile relleno, që është një pjatë festive, ato mund të shijohen në ora 20:00, tek Destil Creative Hub në Tiranë.

Java Kulturore Meksikane do të mbyllet me një koncert më 16 nëntor, tek Katedralja Ortodokse, të artistit Israel Varela, ku do të prezantojë një pjesë nga albumi i tij i 10-të “Frida en Silencio”./atsh/KultPlus.com

Festivali i Aktrimit “Apollon” në edicionin e tij të 15-të

Festivali Mbarëkombëtar i Aktrimit “Apollon” nisi me një atmosferë të jashtëzakonshme, në teatrin “Bylis” të qytetit të Fierit. Kryebashkiaku Armando Subashi u shpreh se, shfaqja dramatike “7 Minuta”, me të cilën nisi ky festival, përcolli mesazhe të fuqishme sociale, duke emocionuar publikun.

“Një fillim mbresëlënës për një festival të pasur me art dhe emocion”, u shpreh Subashi.

Drama “7 Minuta”, me regji të Driada Dervishit, pati një kast prej 11 aktoresh, mes të cilave emra të njohur të skenës shqiptare si Yllka Mujo, Luiza Xhuvani, Zamira Kita, Olta Daku, Anila Bisha.

Shfaqja teatrale trajtoi dinjitetin dhe të drejtat e punëtoreve të një fabrike tekstilesh. Shfaqja rrëfen një ditë pune dhe përpjekjet heroike të grave për të mos humbur të drejtat e tyre.

Në shtatë netë të Festivalit mbarëkombëtar të aktrimit do të interpretojnë trupa profesioniste nga Shqipëria dhe Kosova. Ky festival në edicionin e tij të 15-të i dedikohet aktorit. Risi do të jenë çmimet “In Memoriam” për dy artistët simbol të teatrit Fatos Sela dhe Hajrie Rondo si dhe dy çmimet e karrierës./atsh/KultPlus.com

94 vite nga lindja e Besim Bokshit, një nga gjuhëtarët më të shquar të Kosovës

Besim Bokshi, një nga gjuhëtarët më të shquar të Kosovës dhe të shkencës së albanologjisë në përgjithësi, shkruan KultPlus.com.

Ishte edhe poet me ndjesi të hollë për harmoninë e vargut dhe mesazhin e shprehjes.Besim Bokshi lindi në Gjakovë më 1930.

Mësimin fillor e kreu në Tiranë dhe në Gjakovë, ndërsa atë të mesëm në Gjimnazin e Prishtinës. Studimet e larta i kreu në Katedrën e Albanologjisë në Beograd, për t’u kthyer në vendlindje ku për vite me radhë punoi si profesor në gjimnazin dhe në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Gjakovës.

Ka punuar në Institutin Albanologjik dhe në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës. Ka marrë pjesë në të gjitha ngjarjet gjuhësore me rëndësi, përfshirë edhe Kongresin e Drejtshkrimit në Tiranë më 1972, ndërsa gjatë viteve nëntëdhjetë ka qenë i përfshirë në zhvillimet politike të asaj kohe në Kosovë.

Në vitin 1991 është zgjedhur anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ndërsa në vitet 2008-2011 ishte kryetar i saj.

Vepra shkencore e Besim Bokshit përbëhet nga disa studime monografike nga fusha e morfologjisë historike të gjuhës shqipe, ku veçmas shquhen studimet e tij për fleksionin nominal, për nyjet, për pjesoren etj. / KultPlus.com

Letra e rrallë e Lasgush Poradecit për vajzën e tij

Poeti dhe shkrimtari i madh shqiptar Lasgush Poradeci, i cili vdiq në vitin 1987, la pas vetës një trashëgimi të madhe të veprave të tij.

Ai ishte mjaft i veçantë në krijimet e tij dhe jo vetëm. Edhe në letrat që ua shkruante më të dashurve të tij i shkruante me mjaft përkushtim shkruan kultplus. Kësisoj sjellim një letër ku Lasgush Poradeci ia kishte shkruar vajzës së tij të madhe Kostandina, në vitin 1974.

Sjellim një pjesë nga kjo letër e shkruar nga Lasgush Poradeci:

“… që të jetë njeriu vetëm duhet fuqi e madhe e zemrës, si dhe fuqi e madhe e shpirtit, them që e kam atë fuqi durimtare aq të madhe, d.m.th.aq sa më duhet për valët e jetës. Shumë herë dëshpërohem me një dëshpërim humbas kurajën, kurajën e madhe, shumë herë më ka lëshuar kurajo po prapëseprapë kam mundur t’a marr veten, t’i kaloj valët, t’a kaloj ujin, edhe kështu, bijë e babit, jam si një gur në lumë, që uji shkon, po guri mbetet. Kjo është filozofija e babkës tënd, tjetër filozofi nuk gjeta dot, tjetër filozofi nuk kishte si të qëndroj të mos rrëzohem dhe të kaloj një çikë më tej”, kishte shkruar Poradeci. /KultPlus.com

Rikonstruksioni i monumenteve të trashëgimisë kulturore në Gjirokastër, Kumbaro: Projekte që ta bëjnë zemrën mal

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro përmes një postimi në rrjetet sociale renditi një pjesë të punëve të shumta që po kryhen mbi monumente të trashëgimisë kulturore të cilat kanë nevojë për restaurim, konservim e mirëmbajtje.

Ministrja Kumbaro tha se këto janë projekte që ta bëjnë zemrën mal dhe më tutje renditi punimet në gjithë qarkun e Gjirokastrës, nga Koshtani i Memaliajt ku do të restaurohet Teqeja e Baba Muharremit, në Përmet ku ka nisur puna për restaurimin e Kishës së Shën e Premtes e deri te Ura e Zerzebilit, te Kisha e Shën Mërisë Spilesë pranë Antigonesë, te Hamami i Meçites apo në Dropull ku po ndërhyhet në Manastirin e Ungjillizimit në Vanistër.

Kumbaro i cilësoi këto monumente kulture si krenari kombëtare.

“Si gjirokastrite, por edhe si ish-ministre e Kulturës s’mund ta fsheh kënaqësinë dhe vlerësimin për punën e sotme të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, të kolegëve të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, për stafin e përkushtuar të DRTK Gjirokastër, me të cilët kam pasur nderin të punoj për projekte që sot janë krenari kombëtare dhe sigurisht mirënjohje për kolegun Blendi Gonxhja e besimplotë për sukseset e tij”, shkroi ministrja Kumbaro./atsh/KultPlus.com

37 vite nga vdekja e shkrimtarit të madh, Lasgush Poradeci

Llazar Gusho i njohur me pseudonimin Lasgush Poradeci, lindi në Pogradec më 27 dhjetor 1899 dhe u shua në Tiranë më 12 nëntor 1987. Veprimtaria e tij krijuese e cek atë si poet, shkrimtar dhe përkthyes.

Pseudonimi letrar me të cilin njihet, vjen nga rrudhja e emrit të tij përfshirë atësinë, Llazar Sotir Gusho (La-S-Gush) dhe si mbiemër ka përdorur endonimin e vendlindjes, Poradeci.

Lasgush Poradeci u lind në një familje me tradita atdhetare. Në moshën 10-vjeçare prindërit e dërguan për të vazhduar studimet në Manastir dhe më vonë në Athinë, ku mbaroi liceun.

Më 1921 ai shkoi në Rumani, për të ndjekur studimet e larta. Duke qenë pa bursë dhe pa asnjë ndihmë, ai u detyrua të punonte dhe njëkohësisht të studionte. Në Bukuresht ai u lidh me Lëvizjen Atdhetare të Kolonisë Shqiptare, u miqësua me Asdrenin e atdhetarë të tjerë shqiptarë dhe u zgjodh edhe sekretar i përgjithshëm i Kolonisë. Në verën e vitit 1924 Qeveria e Fan Nolit i dha bursë dhe kështu arriti t’i përfundojë studimet e larta në Grac (Austri) në Fakultetin e Filologjisë Romano-Gjermane.

Për dallim nga poetët e Rilindjes, që me gjithë origjinalitetin e tyre kishin tipare të përbashkëta, poetët e shquar të periudhës së Pavarësisë Noli, Fishta, Poradeci, Migjeni, janë krejtësisht të ndryshëm nga njëri-tjetri si nga formimi, nga prirja e tyre, ashtu edhe nga interesat e synimet.

Lasgush Poradeci e jetoi Rilindjen ne periudhën e shpërthimit të kryengritjeve të mëdha për liri. Në veprën e këtij liriku të madh të letërsisë sonë jetoi shqetësimi atdhetar i mbrojtjes së kombit dhe të traditës së Rilindjes, ashtu sikurse edhe dëshira për triumfin e pikëpamjeve demokratike, shqetësimi për një emancipim të përgjithshëm kulturor e shpirtëror të shoqërisë shqiptare.
Ai është nga lirikët tanë më të mëdhenj, i cili u shqua për sensibilitetin dhe ëmbëlsinë poetike me të cilën i këndoi Shqipërisë dhe dashurisë.

Në vitin 1933, u botua vëllimi i tij i parë “Vallja e yjeve”, dhe më 1937 u botua vëllimi i dytë “Ylli i zemrës”.

Pas Luftës së Dytë Botërore Lasgush Poradeci e vazhdoi veprimtarinë krijuese, por u mor edhe me përkthime. Ai shkroi, veç të tjerash, poemat “Eksursioni teologjik i Sokratit”, “Mbi ta”, “Kamadeva”, baladat për Muharrem e Reshit Çollakun. Gjithashtu, përktheu disa nga kryeveprat e letërsisë botërore si “Eugjen Onjegin” të Pushkinit, lirikat e Lermontovit, të Bllokut, Poemat e Hajnes, të Majakovskit e Mickieviçit, lirikat e Gëtes dhe Hajnes, poezi të Lanaut, Brehtit; Hygos, Mysesë, Bajronit; Shellit, Bërnsit, të Emineskut etj.

Më 12 nëntor të vitit 1987, Lasgush Poradeci, vdiq, duke lënë pas një krijimtari të bukur, e cila kishte fituar zemrën e lexuesit dhe kishte tërhequr vëmendjen e disa studiuesve të shquar të kulturës sonë si Eqrem Çabej, Skënder Luarasi, Mitrush Kuteli, Sabri Hamiti, Ismail Kadare etj./ KultPlus.com

CNN: Shqipëria po përjeton një Rilindje Turistike

Shtëpia e ish-diktatorit komunist të Shqipërisë, Enver Hoxha ndodhet në qendër të Tiranës, shkruan Justin Calderón në një artikull të botuar në CNN.

Rezidenca dykatëshe me dritaret e saj të gjera – e ndërtuar sipas standardeve të diktatorit – po rimodelohet. Shtëpia u hap për publikun vetëm një herë në vitin 2018.

Gjendja aktuale e rezidencës së Hoxhës përmbledh se çfarë ndjejnë shumë shqiptarë për vitet e komunizmit.

Duke pësuar një traumë kolektive të mizorisë, shumë prej tyre do të preferonin të harronin se ai ka ekzistuar ndonjëherë.

Gjatë kulmit të sundimit komunist, Hoxha famëkeq paranojak dhe izolues mbylli kufijtë e Shqipërisë, goditi ata që u përpoqën të largoheshin dhe ndërtoi bunkerë të mjaftueshëm për të strehuar çdo familje në vend.

Mosbesimi i regjimit të tij ndaj aleatëve komunistë, përdorimi i mbikëqyrjes shtetërore dhe brutaliteti i stilit stalinist i dhanë Shqipërisë pseudonimin e papërshtatshëm “Koreja e Veriut të Evropës”.

Pas përfundimit të drejtimit 44-vjeçar të Hoxhës në vitin 1985 – dhe përfundimit të sundimit komunist në vitet 1990 – Shqipëria trashëgoi rreth 221 143 bunkerë dhe objekte ushtarake, të cilat për disa dekada kanë shërbyer si kujtime solemne të ditëve të errëta –  deri vonë.

Sot, Shqipëria po përjeton një Rilindje Turistike, e mbështetur nga sipërmarrës dhe emigrantë të kthyer që po i japin një jetë të dytë strukturave ushtarake komuniste që dikur përdoreshin për të vendosur armët e luftës.

Për të risjellë historinë dhe traditat e tyre, Shqiptarët tani po ripërdorin bunkerët dhe ish-kazermat ushtarake si restorante që shërbejnë ushqim dhe verë tradicionale – ambiente interesante unike për bujtina, muzetë e artit dhe historisë, madje edhe studiot e tatuazheve.

Ndërsa Shqipëria është ende duke u shëruar nga pasojat e epokës komuniste – ajo mbetet e vendosur për të rimarre kontrollin e narrativës dhe të mos lejojë që e kaluara e errët e vendit ta përcaktojë.

“E vjetra është flori”

Ecni me makinë 16 minuta në kodrat malore jashtë Tiranës, duke kaluar tokën bujqësore – me delet që kullosin në disa rrugë të ngushta zigzage – dhe përpara do iu shfaqet një tabelë “Mirë se vini në Kazermën e Cerenit”, një ish-kazermë dhe kompleks ushtarak i kthyer në një nga restorantet dhe destinacionet më të reja të agroturizmit të qytetit.

Kjo ishte ideja e Ismet Shehut, një kuzhinier shqiptar i trajnuar në Britaninë e Madhe, i cili dikur i shërbeu drekën mbretëreshës së ndjerë Elizabeth II, tani është kthyer në vendin e tij – për të ndërtuar një perandori restorantesh në rritje.

Projekti i tij i fundit është Kazerma – e cila u hap vetëm një vit e gjysmë më parë.

“E vjetra është flori”, tha ai ndërsa tregonte mjedisin që e rrethonte – muret me tulla, kolonat origjinale të betonit me datat ‘82 dhe ‘76 – të gdhendura në to – dhe arkat e granatave që tani mbanin gota vere.

Ajo që aktualisht është një sallë ngrënieje dykatëshe, dikur ishte një garazh spartan, shpellë për kamionët ushtarakë.

Është pothuajse e panjohur nga mishërimi i saj i mëparshëm, përveç shinave origjinale të hekurit që mbështesin çatinë prej druri dhe vrimave të hapura në tullat që kanë mbetur të paprekura.

“Kazerma ka të bëjë me ushqimin e freskët të rritur dhe prodhuar në vend”, shpjegoi Shehu.

“Ka të bëjë me ndihmën e shqiptarëve dhe fqinjëve tanë. Kur njerëzit vijnë këtu, thonë: “Uau!”, ky vend ka qenë për ushtarët, dikur ka qenë për tanke, tritol dhe granata. Tani është një vend paqeje – me njerëz që shërbejnë me një buzëqeshje; ushqim të mirë dhe ëmbëlsira shumë të këndshme. Dhe ky është një ndryshim i madh, apo jo?”, tha ai.

Shehu eci drejt një korridori ku kishte inkuadruar fotografi – se si dukej kompleksi i braktisur përpara se ai ta merrte me qira ambjentin 100-vjeçar nga qeveria për ta reformuar atë.

Një nga kujtimet e kornizuara ishte një listë e vjetër e racioneve të ushtarëve në një copë letër, e rrudhur e cila lexonte: “120 gram mish, 200 gram bukë, 100 gram makarona…”

Në frymën e ushtarëve të stacionuar dikur këtu, Shehu ka ruajtur një dekorim të sallës ushtarake, duke u shërbyer mysafirëve dhallin tradicional shqiptar në gota alumini të mensës – dhe duke përdorur tabaka dhe tigane nga kompletet ushtarake të fushës për të shërbyer pjata me rosë; makarona dhe fli, një pjatë tradicionale shqiptare e përbërë nga shtresa të panumërta krepash, të bëra zakonisht ngadalë mbi një zjarr prej druri.

Kamarierët vishen me veshje ushtarake, ndonjëherë me shami të kuqe të partisë komuniste.

“Stafi ka veshje ushtarake dhe ata e bëjnë shërbimin me një buzëqeshje – dhe ndonjëherë edhe armë false”, tha Shehu.

Instalimi ushtarak në Kazerma është i gjerë – duke përfshirë serra, një fermë rosash, ish-bunkerë ushtarakë që tani përdoren për shijimin e verës dhe djathit; një muze i vogël kujtimesh ushtarake dhe disa shtëpi pritjeje ku njerëzit mund të kalojnë natën.

Është një përvojë unike hoteli.  Në dhoma, Shehu ka vendosur blloqe të mëdha cilindrike prej betoni për të kujtuar dushet e kazermave.

Dekorimi shtesë përfshin radiot e vjetra ushtarake, kondakët e pushkëve prej druri dhe mensat e përdorura si vazo me lule.

Ndërsa Shehu pranon se vitet e komunizmit ishin të dhimbshme, qëllimi i tij është që njerëzit të mos kenë frikë nga e shkuara, por të ecin përpara.

“Në kohën e komunizmit isha shumë i ri”, thotë 35-vjeçari.

“Por e di që babai im ka luftuar shumë. Nuk dua të harroj kurrë atë që ishte më parë, por tani historia ka ndryshuar. Ne po bëjmë gjëra të reja, kjo është Shqipëria e re”, shtoi ai.

“Pragu i urisë”

Pak hapa larg xhamisë së Et’hem Beut të epokës osmane, në Sheshin qendror Skënderbej të Tiranës është një tjetër bunker ushtarak i epokës së Hoxhës.

Bunk’Art 2 është muzeu më i rëndësishëm i vendit që pasqyron mizoritë e kryera nën sundimin komunist në Shqipëri – dhe ndodhet në një bunker të ruajtur të shkallës bërthamore që dikur lidhte zyrat politike të qeverisë qendrore.

Hyrja me kube në bunkerin nëntokësor shërben si një njoftim i zymtë i asaj që do të vijë.

Të gjitha kupolat gri janë të mbuluara me fotot që përkujtojnë viktimat e vrarë me urdhër të liderit paranojak dhe mizor.

Bunk’Art 2 ka verifikuar se rreth 5 500 njerëz u vranë nga ekzekutimet politike gjatë viteve të Hoxhës, por vlerësimet jozyrtare tregojnë se deri në 100 000 janë zhdukur nën kujdestarinë e qeverisë.

Kjo do të thotë se trupa të panumërt nuk janë gjetur kurrë, duke i lënë shqiptarët të presin zbulimin përfundimtar të varreve masive.

“Shqipëria kishte një nga regjimet më të ashpra komuniste në botë”, kujtoi Eni Koço, 50 vjeç, themeluesja e grupit turistik “Albania My Way”.

“Ne u krahasuam me Korenë e Veriut sepse qeveria krijoi një kult personaliteti, duke na thënë se ata ishin perëndi dhe ne duhej t’i adhuronim ata, duke krijuar një sistem për të kontrolluar kufijtë dhe duke vrarë këdo që përpiqej të arratisej ose të hynte në vend”, tha ajo.

Thellë në tunelet e mbrojtura nga bombat bërthamore, ekspozitat shpjegojnë se çfarë ndodhi aty gjatë gjithë atyre viteve që Shqipëria ishte e shkëputur nga bota.

“Sigurimi, ose policia lokale e mbikëqyrjes, kontrollonte çdo gjë dhe përgatiste njerëz për të spiunuar familjen dhe miqtë”, tha Koço.

“Na ushqehej një propagandë e vazhdueshme që thoshte se ne ishim i vetmi vend në botë që po ndërtonim komunizmin e vërtetë dhe se ne ishim ylli i ndritshëm”, shtoi ajo.

“Kjo ishte në kontrast të thellë me atë që po jetonim çdo ditë dhe kjo krijoi një sindromë të caktuar të gënjeshtrës dhe maskimit të realitetit. Në ditët e sotme ne ende kemi shumë frikë të shprehim ndjenjat tona të vërteta”, tha ajo.

Qyteti i Gjirokastrës së epokës osmane në Shqipërinë jugore ka lidhjen e vet me trashëgiminë e Hoxhës, duke qenë vendlindja e diktatorit.

Sot, ndërtesa ku ai lindi njihet zyrtarisht si “Muzeu Etnografik i Gjirokastrës”.

Vetëm një pllakë mermeri e vetme në dyshemenë e një dhome të dekoruar rrallë përkujton ardhjen e Hoxhës në botë më 16 tetor 1908.

Pikërisht në qendër të Gjirokastrës, Manushaqe Zhuli, 65 vjeç, ka ngritur një koleksion privat të antikiteteve shqiptare në një tunel të ngushtë bunkeri.

Ajo ekspozon artikuj që datojnë nga koha bizantine deri në vitet komuniste – dhe kërkon një tarifë të vogël për njerëzit për t’i vizituar.

“Opinioni i botës për ne u dëmtua nga ngjarjet e viteve ’90 kur vendi ynë u hap”, tha Koço.

“Ne ishim krejtësisht të pavetëdijshëm për vlerat që mbartnim dhe ndiheshim inferiorë ndaj vendeve të tjera”, tha ajo.

 “U deshën mbi 20 vjet që një numër i konsiderueshëm turistësh ta shikonin Shqipërinë si një destinacion që ia vlen të vizitohet”, shtoi ajo.

“Rilidhja me rrënjët tona”

 Fshati i izoluar bujqësor Fishtë është një vend që shumë shqiptarë më parë nuk mund ta gjenin as në hartë.

Kështu ndodhi derisa lindi destinacioni i agroturizmit “Mrizi i Zanave”, duke transformuar jo vetëm këto toka bujqësore, por edhe trajektoren historike gastronomike të Shqipërisë.

Kodrat e rrotulluara që tani ofrojnë perime të freskëta për mysafirët e restorantit janë të përqendruara në një kompleks që dikur ishte një burg i kohës komuniste.

Sot, në vend të burgosjes së njerëzve, dhomat e ndryshme të kompleksit presin grupe vizitorësh, duke shfaqur traditat e dikurshme shqiptare në prodhimin e djathit, vreshtari dhe madje edhe shurupin e pishës – një përbërës, i përdorur zakonisht në përhapjen e djathit – që ka shije si ajri i thellë në një pyll pishe.

“Ideja këtu është të rilidhemi me rrënjët tona”, tha Altin Prenga, një inxhinier bujqësor, i cili së bashku me vëllain e tij është kryekuzhinier te “Mrizi i Zanave”.

“Ne u shkëputëm për shkak të komunizmit. Ne punonim në fshat, por ishim punonjës të shtetit, jo fermerë. Ne humbëm të gjitha traditat tona dhe në vend të kësaj përdorëm teknikat komuniste”, tha ai.

Në një kodër sipër restorantit, nga ku mund të shihen tokat bujqësore përreth, Prenga tregoi bujtinat kryesore të pronës.

Këto paraqesin një veçori të pazakontë arkitekturore – një copë muri me tulla që mungon. Prenga tha me krenari se këto boshllëqe përfaqësonin pjesën e munguar të traditave shqiptare – që ishte misioni i tij jetësor për t’i ringjallur.

“Ne e hapëm këtë restorant me ëndrrën për të rindërtuar traditat tona”, tha Prenga.

“Hap pas hapi, ne kemi rizbuluar atë që kemi humbur nga komunizmi”, theksoi ai./atsh/KultPlus.com

Një foto e mahnitshme e planetit Tokë dhe dritave të qytetit, marrë nga Stacioni Ndërkombëtar i Hapësirës

Astronauti i NASA-s, Don Pettit, i cili njihet për fotot e tij me ekspozim të gjatë nga Stacioni Ndërkombëtar i Hapësirës, ​​së fundmi ka bërë një foto mahnitëse mbi Meksikë dhe Shtetet e Bashkuara, me dritat e tij shumëngjyrëshe të qytetit.

Petit gjithashtu arriti të kapte aurora borealis në horizont. Ky fenomen mahnitës ndodh kur grimcat energjike nga Dielli ndërveprojnë me atmosferën e sipërme të Tokës.

nasa
Foto: NASA/Don Petit

Pettit, i cili është në misionin e tij të katërt në stacionin hapësinor, është i njohur për fotografitë e tij./alstm/KultPlus.com

Taylor Swift fituesja e madhe e MTV European Music Awards

 Ylli amerikan i muzikës country dhe pop, Taylor Swift, e cila së fundi bëri turne në Evropë, fitoi dje tre çmime në MTV European Music Awards (EMA).

Një video-mesazh i regjistruar nga Swift u transmetua, pasi ajo u shpall fituese e kategorive më të mira live, video më e mirë dhe artistja më e mirë.

Këngëtarja, e cila gjithashtu fitoi për Best US Act tha se ”kjo është kaq emocionuese dhe kaq e mrekullueshme. Kam kaluar kohën më të mirë në turne në Evropë këtë verë”.

Ariana Grande fitoi në kategorinë më të mirë të pop-it dhe bashkëpunimi më i mirë shkoi për Lisa me Rosalia për ”New Woman”.

Këtë vit, ikona globale e EMA-s iu dha reperit amerikan Busta Rhymes, i prezantuar nga ylli britanik i muzikës dhe fituesi i çmimit ”Mercury”, Little Simz.

Ai i tha spektatorëve se ishte hera e parë në karrierën e tij që ai fitonte një çmim MTV dhe tha se “ishte e pabesueshme.”

Ai u shoqërua në skenë nga kërcimtarë të veshur me maska ​​dragoi për të performuar një përzierje të këngëve të tij të mëdha, duke përfshirë ”I Know What You Want” dhe ”Pass The Courvoisier”.

Artisti Tyla, i cili performoi në natë, fitoi çmime për afrobeat-et më të mira, R&B më të mirë dhe aktin më të mirë afrikan.

Shfaqja, në arenën ”Co-op Live” të Mançesterit, u hap nga këngëtari amerikan Benson Boone.

Nata shënoi 30-vjetorin e ndarjes së çmimeve, të cilat mbahen çdo vit në një qytet të ndryshëm evropian.

Këngëtarja Mabel komplimentoi nënën e saj, Neneh Cherry, teksa u shfaqën së bashku në skenë për të dorëzuar çmimin për hip hopin më të mirë, të fituar nga Eminem.

Shfaqja u mbyll me performancën e ”Pet Shop Boys”.

Dyshja Neil Tennant dhe Chris Lowe performuan së bashku me anëtarët e orkestrës së ”Manchester Camerata” dhe kënduan “All The Young Dudes” të David Bowie, e ndjekur nga “West End Girls”.

Teddy Swims, Shawn Mendes dhe grupi K-pop ”Le Sseraffim” gjithashtu performuan.

Më herët në mbrëmje, yjet e muzikës nga e gjithë bota dolën në tapetin e kuq, duke përfshirë prezantuesen televizive Maya Jama, aktoren Jodie Turner-Smith dhe grupin rock ”Blossoms”.

Tapeti i kuq ishte në një tendë të mbuluar, që do të thotë se të pranishmit ishin të sigurt nga shiu tipik i Mançesterit.

Rita Ora kujtoi ish-këngëtarin e ”One Direction”, Liam Payne me një homazh në ceremoninë e ndarjes së çmimeve.

Këngëtari vdiq në moshën 31-vjeçare pasi ra nga ballkoni i katit të tretë të hotelit Casa Sur në Buenos Aires, Argjentinë, muajin e kaluar.

Ora, 33 vjeçe, mikpritëse e ceremonisë në Mançester, ishte mikeshë e Payne dhe kishte bashkëpunuar me këngëtarin në këngën “For You”, e cila u shfaq në kolonën zanore të “Fifty Shades Freed”.

“Liam Payne ishte një nga njerëzit më të sjellshëm që kam njohur”, tha Ora.

Ora shtoi se ”ai e kishte zemrën të madhe dhe ishte gjithmonë personi i parë që ofronte ndihmë në çfarëdo mënyre që mundej”./ atsh/ KultPlus.com

‘Sa për arritjet, unë thjesht bëra atë që duhej të bëja ndërsa përballesha me gjërat’

Anna Eleanor Roosevelt ishte një figurë, diplomate dhe aktiviste politike Amerikane.

Ajo shërbeu si zonja e parë e Shteteve të Bashkuara nga 4 mars 1933, deri në 12 prill 1945, gjatë katër mandateve të burrit të saj Presidentit Franklin D. Roosevelt në detyrë.

Roosevelt shërbeu si Delegate e Shteteve të Bashkuara në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Presidenti Harry S. Truman më vonë e quajti atë “Zonja e Parë e Botës” në shenjë nderimi për arritjet e saj të të drejtave të njeriut.

Për lexuesit tanë kemi sjellë një koleksion me thëniet më të mira të kësaj gruaje të madhe:

Një grua është si një qese çaji; nuk e dini kurrë se sa e fortë është derisa të jetë në ujë të nxehtë.

Bëni një gjë që ju frikëson, çdo ditë.

Bëni atë që ndjeni në zemrën tuaj se është e drejtë – sepse gjithsesi do të kritikoheni.

Ju fitoni forcë, guxim dhe besim nga çdo përvojë në të cilën ju me të vërtetë ndaloni dhe e shihni frikën në fytyrë. Ju jeni në gjendje të thoni me vete: ‘Unë e kam jetuar këtë tmerr. Unë mund ta përballoj edhe gjënë tjetër që vjen pas kësaj. ‘ Ju duhet të bëni atë që mendoni se nuk mund ta bëni.

E ardhmja u përket atyre që besojnë në bukurinë e ëndrrave të tyre.

Qëllimi i jetës është ta jetojmë atë, ta shijojmë përvojën deri në maksimum, të arrijmë me padurim dhe pa frikë për përvojën më të re dhe më të pasur.

Shumë njerëz do të ecin brenda dhe jashtë jetës tuaj, por vetëm miqtë e vërtetë do të lënë gjurmë në zemrën tuaj.

Pavarësisht sa e thjeshtë mund të jetë një grua, nëse e vërteta dhe ndershmëria i shkruhen në fytyrë, ajo do të jetë e bukur.

Kemi frikë të kujdesemi shumë, nga frika se personi tjetër nuk kujdeset aspak.

Për të trajtuar veten, përdorni kokën; për të trajtuar të tjerët, përdor zemrën tënde.

Ju shpesh mund të ndryshoni rrethanat tuaja duke ndryshuar qëndrimin tuaj.

Të rinjtë e bukur janë rastësi të natyrës, por të moshuarit e bukur janë vepra arti.

Nëse dikush ju tradhton një herë, është faji i tyre; nëse ata ju tradhtojnë dy herë, është faji juaj.

Arsyeja që trillimi është më interesant se çdo formë tjetër e letërsisë, për ata që me të vërtetë duan të studiojnë, është se në trillim autori me të vërtetë mund të thotë të vërtetën pa e poshtëruar veten e tij.

Me ditën e re vjen forcë e re dhe mendime të reja.

Lumturia nuk është një qëllim … është një nënprodukt i një jete të jetuar mirë.

Jeta është ajo që vetë ti e krijon. Gjithmonë ka qenë, gjithmonë do të jetë.

Jeta është menduar të jetohet, dhe kureshtja duhet të mbahet gjallë. Askush nuk duhet kurrë, për çfarëdo arsye, t’i kthejë shpinën jetës.

Nuk është e drejtë të kërkoni nga të tjerët atë që nuk jeni të gatshëm të bëni vetë.

Ju duhet të pranoni çdo gjë që vjen, dhe e vetmja gjë e rëndësishme është që ta përmbushni atë me më të mirën që keni për të dhënë.

Çfarë mund të arrinim nëse do ta dinim se nuk mund të dështonim?

Në planin afatgjatë, ne formojmë jetën tonë dhe formojmë vetveten. Procesi nuk mbaron kurrë derisa të vdesim. Dhe zgjedhjet që ne bëjmë në fund të fundit janë përgjegjësia jonë.

Miqësia me veten është e gjitha e rëndësishme, sepse pa të nuk mund të jesh shok me askënd tjetër në botë.

Kurrë mos lejoni që një person t’ju thotë jo, i cili nuk ka fuqinë të thotë po.

Kurrë mos e gaboni njohurinë me mençurinë. Njëra të ndihmon të sigurosh jetesën; tjetri ju ndihmon të jetosh jetën.

Unë mendoj se, në lindjen e një fëmije, nëse një nënë mund t’i kërkonte një zane dhuratën më të bukur, kjo dhuratë do të ishte kurioziteti.

Një gjë më ka mësuar jeta: nëse interesohesh, nuk ke pse të kërkosh kurrë interesa të reja. Ata vijnë tek ju. Kur jeni vërtet i interesuar për një gjë, ajo gjithmonë do të çojë në diçka tjetër.

Besoj se çdokush mund ta mposhtë frikën duke bërë gjërat që ka frikë të bëjë …

Mos harroni gjithmonë që ju keni jo vetëm të drejtën për të qenë një individ; ju keni një detyrim të jeni një i tillë. Ju nuk mund të jepni ndonjë kontribut të dobishëm në jetë, nëse nuk e bëni këtë.

Njerëzit rriten përmes përvojës nëse e takojnë jetën me ndershmëri dhe guxim. Kështu ndërtohet karakteri.

Ndizni një qiri në vend që të mallkoni errësirën.

Eshtë jeta jote – por vetëm nëse ti e bën atë të tillë.

Unë mendoj se disi, ne mësojmë se kush jemi në të vërtetë dhe pastaj jetojmë me atë vendim.

One’s philosophy is not best expressed in words; it is expressed in the choices one makes. In the long run, we shape our lives, and we shape ourselves. The process never ends until we die. And the choices we make are ultimately our own responsibility.
Filozofia e dikujt nuk shprehet më mirë me fjalë; shprehet në zgjedhjet që bën. Në planin afatgjatë, ne formojmë jetën tonë dhe formojmë vetveten. Procesi nuk mbaron kurrë derisa të vdesim. Dhe zgjedhjet që ne bëjmë në fund të fundit janë përgjegjësia jonë.

Një pengesë për pesimistin është një gur themeli për optimistin.

Nuk mjafton të flasësh për paqe. Duhet besuar në të. Dhe nuk mjafton të besosh në të. Duhet punuar për të.

Liria bën një kërkesë të madhe për çdo qenie njerëzore. Me lirinë vjen përgjegjësia. Për personin që nuk dëshiron të rritet, personi që nuk dëshiron të mbajë peshën e tij, kjo është një perspektivë e frikshme.

Kur pushoni të jepni një kontribut, ju filloni të vdisni.

Guximi është ngazëllyes.

E gjithë jeta është një edukim i vazhdueshëm.

Nuk ka qenie njerëzore nga e cila nuk mund të mësojmë diçka nëse jemi mjaft të interesuar për të gërmuar thellë.

Sot je më i moshuar se ç’ke qenë ndonjëherë, dhe më i ri se ç’do të bëhesh.

Sa për arritjet, unë thjesht bëra atë që duhej të bëja ndërsa përballesha me gjërat.

Unë jam ai që jam sot për shkak të zgjedhjeve që bëra dje.

Ne duhet të përballemi me faktin se ose të gjithë ne do të vdesim së bashku ose do të mësojmë të jetojmë së bashku, dhe nëse do të jetojmë së bashku duhet të flasim.

Ju kurrë nuk mund të jetoni në të vërtetë jetën e askujt tjetër, madje as të fëmijës tuaj. Ndikimi që ju ushtroni është përmes jetës suaj, dhe asaj që ju jeni bërë vetë.

Të vetmet gjëra që dikush mund të admirojë për një kohë të gjatë janë ato që admiron pa ditur pse.

Ju gjithmonë duhet të keni një fustan të zi sepse askush nuk e mban mend kurrë një fustan të zi.

Ndërtimi i personazheve fillon që në foshnjërinë tonë dhe vazhdon deri në vdekje.

Nuk ka nevoja, vetëm zgjedhje.

Në të gjitha kontaktet tona është ndoshta kuptimi i të qenit vërtet i nevojshëm dhe i dëshiruar që na jep kënaqësinë më të madhe dhe krijon lidhjen më të qëndrueshme.

Kurrë mos u mërzit, dhe nuk do të jesh kurrë i mërzitshëm.

Mësoni nga gabimet e të tjerëve. Ju nuk mund të jetoni aq gjatë sa t’i bëni të gjitha vetë./ KultPlus.com