Federata e Futbollit dhe Macron kanë prezantuar fanellat e reja që lojtarët e Kombëtares do të veshin në ndeshjet kualifikuese për Kampionatin Botëror FIFA 2026. Lojtarët e drejtuar nga Silvinjo do të veshin fanellat e reja që në ndeshjen e parë të fazës së kualifikimeve që do të zhvillohet më 21 mars kundër Anglisë.
Fanellat e reja (fanella e parë e kuqe, fanella e dytë e bardhë dhe fanella e tretë e zezë) përbëhen nga një grafikë e veçantë e stampuar, e cila, duke nisur nga simboli i shqiponjës dykrenore, përfshin një seri të pasur referencash të elementëve natyrorë dhe kulturorë karakteristikë të Shqipërisë.
Brenda dizajnit të shqiponjës, e cila është e pranishme në mëngë, në pjesën e përparme dhe të pasme të fanellës, janë përfshirë shumë simbole, secili me një kuptim specifik: Shqiponja jonë dykrenore, e ndërtuar nga detaje që pasqyrojnë bukurinë, natyrën dhe shpirtin e pasur shqiptar, mban në krahët e saj malin, lumin, diellin dhe detin, simbole të fuqisë dhe bukurisë së jetës sonë.
Kjo shqiponjë mban lart guximin historik të Skënderbeut, duke na kujtuar traditat tona më të thella, me kundërshtarin në mes, përballë syve të shqiponjës.
Një shqiponjë që simbolizon zemrën, bashkimin, krenarinë, pak dinakëri dhe një pasion të thellë për lojtarët tanë, heronjtë modernë që vijnë nga katër anët e botës për të përfaqësuar me krenari Shqipërinë në çdo sfidë në fushë.
Një skuadër e bashkuar fort, një shpirt i mbushur plot, një komb që mbetet gjithmonë krenar.
Fanella e parë për ndeshjet në shtëpi është në ngjyrën tradicionale të kuqe (ngjyrën e flamurit shqiptar) me një shirit kuq e zi në pjesën e qafës dhe skajet e mëngëve. Grafika karakteristike është e stampuar në pjesën e përparme dhe të pasme, duke formuar një shqiponjë të plotë, e përbërë nga elementë si Skënderbeu, mali, deti, anija, yjet, dhelpra etj., elementë të historisë dhe folklorit shqiptar ndër shekuj.
Në gjoks, të dyja të printuara në silikon, janë të pranishme në të djathtë Macron Hero dhe në të majtë logoja e FSHF-së. Në pjesën e pasme të qafës, brenda, është personalizuar me një etiketë me ngjyrë të kuqe dhe detajet në ngjyrën e grafikës së pranishme në fanellë, mbi të cilën është logoja e FSHF-së, shkrimi “Federata Shqiptare e Futbollit”, logoja e Macron dhe shkrimi “Designed in Bologna” që certifikon se çdo pjesë është projektuar, krijuar dhe zhvilluar në kampusin Macron.
Në pjesën e pasme të qafës, është shtypur në ngjyrë të zezë shkrimi “SHQIPËRI”. Një detaj tjetër personalizuar i fanellës së re të Kombëtares shqiptare është shiriti i brendshëm, i vendosur pas, me frazën “Ti Shqipëri, më jep nder” e ndjekur nga simboli i shqiponjës dykrenore. Fanella e parë përfshin gjithashtu pantallona të zeza, të cilat, për shkak të një grupi ngjyrash të kuqe dhe të zezë në fundin e kofshës dhe profilit të segmentuar në anë, i japin stil të dizajnit të pantallonave klasike të basketbollit. Çorapet janë gjithashtu të zeza me një vijë të kuqe lart dhe një vijë të zezë në mes.
Fanella e dytë dhe e tretë pasqyrojnë saktësisht grafikën e fanellës së parë dhe dallohen për ngjyrën dominuese: Fanella e dytë është e bardhë me detaje kuqezi (pantallona të bardha me vijë anësore të kuqe dhe të zeza, çorape të bardha me vijë anësore të zeza dhe një vijë horizontale të kuqe); Fanella e tretë është e zezë me detaje të kuqe (pantallona të zeza dhe çorape të zeza me vija anësore kuqezi).
Si të gjitha produktet e realizuara nga Macron, edhe ato të Kombëtares shqiptare janë prodhuar në Eco Fabric, një material poliestër 100% i krijuar nga riciklimi i plastikës pas konsumit. Në veçanti, materiali i përdorur është Eco Sirena (pjesa e përparme dhe mëngët) dhe prania e panelit të pasmë në Eco Micromesh dhe përbërjet në Eco Mesh sigurojnë lehtësi dhe frymëmarrje të lartë. Fanellat e reja të Kombëtares shqiptare mund t’i gjeni në dyqanin online në faqen e FSHF, faqen zyrtare të Macron dhe dyqanet e Intersport. /KultPlus.com
Shqipëria ka arritur të marrë dy medaljet e para të arta në Lojërat Olimpike Speciale Botërore Dimërore që po mbahen në Torino të Italisë.
Kryeministri Edi Rama e ka konsideruar fantastik këtë moment për Shqipërinë që tashmë ka marrë medaljet e para të arta në Lojërat Olimpike Speciale Dimërore.
“Në debutimin e saj në këtë turne prestigjioz në Torino të Italisë, Skuadra Olimpike Speciale e Shqipërisë ka shkëlqyer me paraqitjen e sportistëve tanë me aftësi të veçanta, duke siguruar dy medalje ari”, shkruan Kryeministri Rama në Facebook.
Me medalje të arta janë vlerësuar Elizon Kacanja në Ski Alpine dhe Stela Salla në Cross Country Skiing, një medalje Argjendi për Elizon Kacanja në Giant Slalom, dy medalje bronzi për Joanis Myrtollaris në Ski Alpine dhe Joel Gërmenji në Snowshoeing (50m).
Në këtë event Shqipëria po përfaqësohet me 6 atletë me aftësi të kufizuara intelektuale në 3 disiplina sportive dimërore, për herë të parë në historinë e sportit shqiptar.
Nga kompeticioni i Lojërave Olimpike Speciale Botërore Dimërore në Napoli./ KultPlus.com
Shqipëria merr medaljet e para të arta në Lojërat Olimpike Speciale Dimërore që po zhvillohen në Torino, Itali.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu njoftoi në një postim në rrjetet sociale se “në debutimin e saj në këtë kompeticion prestigjioz, Skuadra Olimpike Speciale e Shqipërisë ka shkëlqyer me paraqitjen e sportistëve tanë me aftësi të veçanta, duke siguruar dy medalje ari Elizon Kacanja në Ski Alpine dhe Stela Salla në Cross Country Skiing, një medalje Argjendi Elizon Kacanja në Giant Slalom dhe dy medalje bronzi Joanis Myrtollaris në Ski Alpine dhe Joel Gërmenji në Snowshoeing (50m)’.
“Kjo është një arritje e jashtëzakonshme e sportistëve tanë specialë”, tha Manastirliu.
Në këtë event Shqipëria po përfaqësohet me 6 atletë me aftësi të kufizuara intelektuale në 3 disiplina sportive dimërore, për herë të parë në historinë e sportit shqiptar./ KultPlus.com
Rritet çmimi i kafes në nivel global. Në vitin 2024 ka pësuar rritje prej 40% në krahasim me mesataren e vitit 2023. Shkaku kryesor janë kushtet meteorlogjike dhe problematikat e lidhura me to që kanë goditur vendet prodhuese.
Sipas FAO, Organizatës së Kombeve të Bashkuara për ushqimin dhe bujqësinë, pritet që rritja të vijojë edhe gjatë vitit 2025. Në nivel botëror industria e kafes gjeneron mbi 200 mld $ në vit dhe SHBA e BE janë importuesit më të mëdhenj.
Sipas raportit, në Dhjetor të 2024, kafja arabike që është edhe kualiteti më i mirë e më i preferuar, shënoi një rritje prej 58%, ndërkohë që kafeja që përdoret për kafet e makinetave dhe përzierjet, pësoi rritje prej 70%.
Për shkak të ndryshimeve të klimës dhe problemeve me motin, në Vietnam klima e thatë e tejzgjatur jashtë normales solli një reduktim të ekporteve me rreth 20% për të dytin vit rradhazi. Edhe Indonezia shënoi ulje të tregtisë së kafes si vend prodhues, me rreth 17% si pasojë e shirave të tepërt të muajve Prill-Maj, ndërsa Brazili nga rritje që regjistronte çdo vit, në 2024 shënoi rënie të prodhimit me 1.6%.
Aktualisht, Brazili dhe Vietnami mbulojnë 50% të prodhimit botëror të kafes, ndërsa fermerët e vegjël përbëjnë 80% të prodhimit global./ KultPlus.com
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) sot pritet t’i shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
Zëdhënësi i KQZ-së, Vlamir Elezi, ka thënë se KQZ pritet ta mbajë një mbledhje të shtunën, ku në rend dite është shpallja e rezultateve përfundimtare.
Shpallja e rezultateve përfundimtare u vonua për shkak të telasheve të numërimit të votave, si dhe për shkak të rinumërimit të dhjetëra kutive të votimit dhe ankesave.
Shpallja e rezultateve përfundimtare dhe certifikimi i tyre do t’i hapë rrugën formimit të institucioneve të reja të Kosovës.
Me ligjet e Kosovës, brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve, presidentja e vendit duhet të thërrasë mbledhjen konstituive të Kuvendit të Kosovës. Nëse zgjidhen kryetari dhe nënkryetarët, atëherë Vjosa Osmani duhet të kërkojë nga partia fituese ta propozojë mandatarin për formimin e Qeverisë.
Lëvizja Vetëvendosje doli e para në këto zgjedhje me 40.90 %, PDK e dyta me 22.04 %, LDK e treta me 17.64 %, ndërsa koalicioni AAK-Nisma me 7.46 %./ KultPlus.com
I lindur në Oxford në vitin 1942, Stephen Hawking është një prej mendjeve më të ndritura në botë.
Bashkë me Roger Penrose ai tregoi se Teoria e Relativitetit e Ajnshtajnit konsideron se koha dhe hapësira kanë pasur pikënisjen në Big Bang ndërsa përfundojnë në vrimën e zezë. Hawking ka pranuar 12 diploma të fuqishme botërore ndërsa edhe ka shkruar disa libra gjatë jetës së tij, të cilët edhe sot lexohen për të kuptuar ideologjinë dhe pikëpamjet e tij.
Po i sjellim këtu tre libra të cilët mund ti lexoni nëse dëshironi të kuptoni më shumë për këtë fizikan dhe kozmolog të njohur. Disa prej librave mund ti gjeni edhe në gjuhën shqipe.
“A Brief History of Time”
Rreth 9 milion kopje të shitura të këtij libri të përkthyer në 40 gjuhë të botës tregojnë më shumë për rëndësinë dhe fuqinë e librit të botuar në vitin 1988. Libri është shkruar për fillestarët, për ata që nuk kanë njohuri për teoritë shkencore, ndërsa flet për universin, për kohën dhe për hapësirën, dhe për gravitetin si forcë . Në libër diskutohen relativiteti gjeneral dhe mekanika kuantike dhe për teorinë unifikuese, e cila përshkruan çdo gjë në hapësirë në mënyrë koherente. Hapësirat e zeza janë yjet që kanë kollapsuar në një pikë shumë të vogël.
“The Grand Design”
Si dhe kur nisi universi? Pse jetojmë? Pse jemi këtu në këtë botë? Cila është natyra e realitetit? Pse natyra na pranon dhe pse ligjet e saj janë kaq të pranuara nga ekzistenca jonë? Shkenca, apo Zoti? Pyetjet e shumta janë pjesë e këtij libri që konsiderohet si kryevepra e Hawking. Në libër, mes tjerash përshkruhet se si kozmosi nuk e ka vetëm një histori dhe ekzistencë, por se si çdo histori e mundshme e universit ekziston rastësisht. Një gjuhë brilante dhe shumë e thjeshtë e ka bashkuar Hawking dhe Mlodinow për të shkruar këtë libër.
“The Universe in a Nutshell”
Një mendimtar i denjë, Hawking në këtë libër ka përfshirë nocionet e librave të kaluar. Gati në secilin libër që ka shkruar, ai nuk ka lënë jashtë vrimat e zeza (black holes) apo gravitetin, apo mekanikën kuantike dhe Teorinë M. Në libër vjen edhe “Teoria e Gjithçkaje” – që shtrihet në zemër të universit. Në libër provohet të bashkohen Teoria e Ajnshtajnit dhe ajo e Feynman për të krijuar një teori e cila do të përshkruante gjithçka që ndodhë në kozmos. Libri është botuar në vitin 2001 ndërsa është vazhdimësi e librit të parë që propozuam sot. / KultPlus.com
Stephen Hawking ishte shumë më tepër se një fizikan teorik me një film fitues të çmimit Oscar dedikuar për të. Ai ka dhënë kontribute të çmuara jo vetëm për botën e shkencës, por edhe për vetë jetën për të gjithë ata që donin të mësonin diçka prej tij.
Përgjatë karrierës së tij, Hawking na ka ndihmuar të kuptojmë më mirë planetin, dhe në të njëjtën kohë, edhe veten tonë. Këto janë disa mendime që ai i ka ndarë me të gjithë dhe që kanë pasur një ndikim të madh tek unë. Ndoshta do të ndikojnë po aq fuqishëm edhe tek ty.
“Unë jam thjesht një fëmijë që nuk është rritur kurrë. Unë ende vazhdoj të pyes pyetje të tipit “si” apo “pse”. Ndonjëherë gjej përgjigje e ndonjëherë jo”.
Hawking na kujton se duhet të qëndrojmë po aq kuriozë sa ishim, kur ishim fëmijë. Ai na tregon se si të jemi guximtarë. Jo çdo gjë është e mundur dhe përgjatë gjithë pamundësive, ne mund të marrim përgjigje thjesht duke bërë pyetje. Ndonjëherë mund të mos marrim përgjigjen që duam, ose të mos marrim fare përgjigje, por kjo gjë nuk duhet të na pengojë që të mos bëjmë pyetje. Vetë jeta është një pikëpyetje e madhe, për të cilën asnjëherë nuk do të ndalesh së i pyeturi të tjerët dhe veten për të marrë përgjigje.
“Nëse do të duhet të zgjidhja të isha një superhero, do të zgjidhja Supermenin. Ai është gjithçka që unë nuk jam”.
Hawking, në mesin e më të suksesshmëve dhe më të zgjuarve në botë, sërish ka ëndrra si çdokush tjetër. Dëshira e tij për të bërë gjëra që nuk i ka bërë më aprë, apo për të qenë si dikush tjetër, e bën atë njësoj si të gjithë ne. Ne të gjithë jemi njerëz në fund të fundit, dhe si njerëz ne mund të bëjmë aq sa na lejojnë mendja dhe trupi ynë.
Hawking mund të mos kishte superfuqi për të fluturuar si Supermeni (ai vuante nga sëmundja e Lou Gehrig, ose e njohur ndryshe si ALS – skleroza amniotrofike laterale), por ai kishte një inteligjencë shumë më të madhe se çdo personazh superhero nëpër libra apo filma.
Ai arriti të tejkalonte barrierat dhe të mahniste botën me zbulimet e tij. Çdokush në gjendjen e tij do të ishte ndalur, nuk do të donte më të jetonte, por Hawking na tregon se njerëzimi i gjithë ka të bëjë me ëndrrat dhe synimet që i vendos vetes dhe për të cilat punon fort t’i arrish.
“E shkuara, ashtu si e ardhmja, është e pafundme dhe ekziston si një pasqyrë mundësish”.
Nga ky përfundim i shkencëtarit, unë arrij të kuptoj edhe një herë rëndësinë e të jetuarit në të tashmen. Ndërsa jetojmë ditë pas dite, ne vihemi përballë një numri të madh mundësish. Ne kemi fuqinë të bëjmë gjëra të mëdha, por të cilat mund t’i arrijmë në të tashmen.
Ne mund të shohim nga e shkuara duke menduar për mundësitë që na janë ofruar dhe të mendojmë për mundësitë që mund të na ofrohen në të ardhmen. Në këtë moment na është falur e tashmja dhe është detyrë e jona ta shfrytëzojmë në mënyrën e duhur”.
“Cilësia që dua të veçoj, është empatia. Ajo na mbledh së bashku dhe na jep një ndjesi më të paqtë, më të dashur”.
Hawking ka thënë: “Cilësia më e keqe e njeriut, të cilën do doja ta ndryshoja, është agresiviteti”. Ai vuri në dukje se agresioni ka qenë një cilësi që i lejonte njerëzit të mbijetonin në ditët e urisë, por që tashmë është një dëm për njerëzimin. Që në vitin 2015, ai ka mbështetur gjithmonë e më tepër rëndësinë e empatisë.
Shkencëtari ka shpjeguar se vetëm empatia mund ta luftojë siç duhet agresivitetin. Koncepti i empatisë është duket tepër i thjeshtë, por sërish mbetet një cilësi, për të cilën vënia në zbatim has tepër vështirësi. Empatia është ndjesia e mirëkuptimit dhe aftësisë për të ndarë me të tjerët eksperiencat dhe emocionet. Vetëm duke u vënë në praktikë, ajo mund të na çojë në ndryshime të mëdha dhe pozitive. /filozofia.al/ KultPlus.com
Einstein vdiq në Prill të vitit 1995, në Princeton.
Fotografi i njohur Ralph Morse, i cili në atë kohë punonte për revistën e mirënjohur ‘Life’, sapo u informua për vdekjen e gjeniut, u nis për në Princeton, ku hasi në shumë gazetarë e foto-reporterë dhe duke mos mundur të deportojë përmes turmës, u nis drejt Institutit të Studimeve të avancuara, aty ku edhe ishte zyra e Einstein-it.
Më vonë fotografi ka treguar për mediat amerikane se të hynte në zyrën e Einstein-it nuk kishte qenë edhe aq e vështirë, ai kishte korruptuar sigurimin me një shishe pije alkoolike.
Fotografia e shkrepur u publikua në revistë një ditë pas vdekjes së Einstein-it, ku vërehen dokumentet dhe gjërat personale ashtu siç edhe i kishte lënë ky i fundit. / KultPlus.com
Veprimtarinë e nisi si mësues në Kolegjin Arbëresh të Shën Dhimitër Koronës, për t’u kthyer më pas në Shqipëri, ku filloi të jepte mësim në Normalen e Elbasanit.
Aleksandër Xhuvani lindi në Elbasan më 14 mars 1880 në një familje të njohur për kontributin kombëtar e kulturor. Mësimet e para i kreu në vendlindje, të mesmet, në Çatillë të Maqedonisë. Më pas studioi filologji në Athinë, ku edhe u diplomua. Është një nga pionierët e arsimit dhe të gjuhësisë shqiptare.
Mjafton të kujtojmë këtu fjalimin që Xhuvanit mbajti mbi varr të Atë Gjergj Fishtës, për të treguar qartë vlerësimin e e tij të thellë për kontributin e klerit katolik e personalisht të Kangëtarit të Lahutës:
“Si vetimë u përhap an’ e kand të Shqipnisë lajmi i hidhët i vdekjes së poetit t’onë Kombëtar, At Gjergj Fishtës dhe e mahniten mbeti sot mbarë bota shqiptare, tue kujtue emnin zamadh të autorit të “Lahutës së Malcisë” që ka këndue, si dikur Omeri, burrnin e besën e fisit tonë, që ka ndezë zemrat e Shqiptarëvet, si dikur Tirteu, i vjetërsisë. E me të drejtë i kan thënë Fishtës “Tirteu i Shqipnisë, se sikurse ai me elegjitë e tij ndezi zemrat e Spartanëve për luftë, njashtu dhe epopeja e “Lahutës”, odet dhe elegjitë e “Mrizit të Zanave” e të poezive të tjera kanë mbledhë në zemër të djelmnisë sonë dashuninë e pamasë për truellin e të parëve dhe për gjuhën amtare. Këto dy ideale: Atdhedashunia dhe rujetja e gjuhës si dritë e synit, lavrimi dhe përdorimi e saj kanë qenë polet rreth së cilave shtrihej vepra e çmueshme e Fishtës. E s’ka kush tjetër veçse ne arsimtarëve që kemi pasë e kemi nëpër duer edhe ua kemi mësue nxënësve poezitë e tij, që e çmon ma mirë veprën zamadhe të tij, e cila sot si një far i madh dritëdhanës ka ndriçue mendjen e djelmënisë sonë, si një Ungjill shkëndimadh morali ka zbutë e ka edukue zemrën e saj”.
Aleksandër Xhuvani vdiq më 22 nëntor 1961. / KultPlus.com
Isha fëmijë frikacak; por edhe kokëfortë, siç janë fëmijët. Padyshim, mamaja m’i plotësonte tekat, por nuk mund ta besoj se kam qenë aq i azdisur, s’mund ta besoj se një fjalë e ngrohtë, një vështrim i përdëllyer, duke më marrë qetësisht për dore, të mos e platitnin qenien time dhe të arrije çka dëshiroje. Dhe ti, në thelb, je njeri babaxhan dhe i dhembshur (ato çka po them nuk bien në kundërshti, flas për përshtypjen që kisha krijuar për ty në vogëli), por jo të gjithë fëmijët janë aq këmbëngulës dhe të guximshëm që të rendin kaq gjatë pas dashurisë, derisa të gjejnë atë. Ti di ta trajtosh një fëmijë vetëm sipas midesë sate, gjithë forcë, rrapëllimë e nerva të cingërisura dhe, në rastin tim, kjo të duket kaq e qëlluar, pasi doje të shihje tek unë një djalosh të fortë e guximplotë.
Sot, është e qartë, arrij t’i përshkruaj vetëm tërthorazi metodat edukative që përdorje në hapat e parë të jetës sime, por, sidoqoftë, arrij t’i ravijëzoj sërish në mendje, duke pasur parasysh periudhat e mëvonshme dhe mënyrën se si sillesh me Feliksin. Veç kësaj, duhet mbajtur parasysh se atëherë ishe mjaft më i ri, pra më i fuqishëm, më energjik, më i shpërqendruar, ishe më pak i kujdesshëm nga ç’je tani dhe i përpirë nga puna jote; mezi të shihja një herë në ditë dhe përshtypja që ngjallje tek unë ishte e thellë dhe kurrë nuk u nemit e s’u bë monotone. Nga vitet e para të jetës ndërmendësohej vetëm një ndodhi. Ndoshta e kujton edhe ti.
Një natë qarravitesha paprerë, sepse doja ujë, sigurisht jo për shkak të etjes, por ndoshta për të të bezdisur dhe për t’u zbavitur. Meqë kanosjet fjalërënda s’kishin bërë punë, më ngrite nga shtrati, më nxore në ballkon, mbylle derën dhe më le aty, për pak çaste, vetëm, në fill të këmishës. S’dua të them se nuk veprove drejt; ndoshta atë natë, me të vërtetë, s’ia dilje dot ndryshe që të preheshe në paqe; desha vetëm të të përshkruaj mënyrat e tua edukative dhe vragat që lan mbi mua.
Ai ndëshkim, sigurisht, më bëri më kokulur, por më trallisi në thellësi të shpirtit. Kurrë nuk arrita të vë në kandar ujin që kërkoja, kokëngjeshur si mushkë, dhe frikën pa anë e fund që ndieja teksa gjendesha jashtë. Edhe vite më vonë më kallte datën fantazia brejtëse sikur burri i stërmadh, im atë, vendi i fundit ku mund të përplasja kokën, mund të vinte natën, pa kufarrë shkaku dhe të më nxirrte vrikthi, nga shtrati në ballkon; pra, për të, s’isha veçse një zero me xhufkë.
„Nuk jam i pajisur me asgjë, nuk përmbledh në vetvete, për aq sa di unë, asgjë tjetër fituar nga jeta, absolutisht asgjë, duke përjashtuar dobësinë universale njerëzore. Por me këtë gjë, e në këtë kuptim, duhet të them se ajo është për mua një forcë kolosale. Unë kam thithur me forcë negativitetin e kohës që po jetoj dhe ai, negativiteti më rri aq afër, ngjitur fare, sa që unë nuk kam të drejtë ta luftoj, bile jo vetëm kaq, në një farë kuptimi e ndjej për detyrë ta përfaqësoj”. / KultPlus.com “Letër babait”, Franz Kafka
Kur Ajnshtajni lindi në 14 Mars 1879, prindërit e tij kishin frikë se ai mund të ishte me nevoja të veçanta sepse koka e tij ishte shumë e madhe.
Mjeku i tyre nuk ishte i shqetësuar dhe brenda disa javësh, koka e Ajnshtajnit u formua normalisht.
Më vonë, prindërit e Ajnshtajnit menduan se ai mund të ishte i vonuar sepse nuk foli derisa ishte katër vjeç.
Ai e theu heshtjen një natë në darkë duke thënë: “Supa është shumë e nxehtë”. Kur prindërit e tij e pyetën pse nuk kishte folur më parë, i riu Ajnshtajn u përgjigj: “Sepse deri tani gjithçka ishte në rregull”.
Në fotografi është Ajnshtajni me motrën e tij të vogel Maria. /KultPlus.com
“Gëzim të kulluar pastë në shtëpinë e çdo shqiptari!”
Është dita në të cilën stërgjyshit tanë, kur s’kish lindur edhe krishtërimi, kremtonin bashkë me romakët dhe me grekët e vjetër, perënditë e luleve, të shelgjevet.
Kur shkrin dimri, kur qaset vera buzëqeshur, e hollë dhe e gjatë si në pikturë të Boticelit, zemra e njeriut shkarkohet nga një barrë, shijon një qetësi, një lumtëri të ëmbël. Në këtë gëzim, stërgjyshërit tanë ndienin një detyrë t’u falen perëndivet që sjellin këto mirësira. Dhe ashtu leu festa hiroshe që e quajnë Dita e Verës.
Në pak ditë në Shqipëri, besnikët e fundmë të paganizmit, besnikët pa dashur dhe pa ditur, do të rrethojnë me verore degët e thanave, të dëllinjavet, të dafinavet, të gjitha shelgjevet të nderuara. Do të këputin degë të gjelbëra dhe do t’i vënë përmbi kryet e shtëpivet.
Të mos i lëmë të humbasin këto festa të vjetra të racës sonë. Nuk i bëjnë dëm njeriut. Sjellin një gëzim të kulluar në shtëpi. Një vend ku jeta e të vegjëlvet është aq e trishtuar, djelmuria dhe vajzat kanë një rasë të rrallë për të dëfryer. Për të mëdhenjtë, Dita e Verës ka një shije poetike të hollë e të rrallë”. / Albert Vataj / KultPlus.com
Autostrada Biennale ka njoftuar se është lansuar koncepti kuratorial i edicionit të 5-të, kuruar nga Erzen Shkololli, me titullin “Unfolding Currents: The Pulse of Time” (“Rrymat që Shpalosen: Pulsi i Kohës”).
Tema e këtij edicioni vë theksin te ndërthurja dinamike mes artistëve, veprave të artit, audiencës dhe kontekstit të pasur historik të Prizrenit. Si qytet me shtresa të shumta arkitekturore dhe kulturore, Prizreni shërben si visar i gjallë i trashëgimisë së Kosovës.
Fraza “Rrymat që Shpalosen” sjell ndër mend evoluimin e vazhdueshëm të narrativave historike dhe artistike, ndërsa “Pulsi i Kohës” ngërthen natyrën ritmike dhe të pareshtur të këtyre shndërrimeve. Titulli nxjerr në pah angazhimin aktiv te bienales me çastin shumështresësh në të cilin jetojmë.
Edicioni i pestë Autostrada Biennale do të mbahet nga data 5 korrik deri më 5 tetor 2025./KultPlus.com
Lamtumirë Pietro Genuardi. Aktori që u bë i famshëm me telenovelën ”Centovetrine” dhe ”Il Paradiso delle Signore” ka vdekur në moshën 62 vjeçare.
Aktori vitin e kaluar njoftoi se vuante nga një sëmundje e rëndë e gjakut.
“U zhduka nga radari. Fatkeqësisht, jam viktimë e një sëmundjeje të rëndë gjaku që do të kërkojë një periudhë shumë të gjatë trajtimi dhe në fund do të kërkojë një transplant të palcës kockore. Unë jam duke kaluar ciklin e dytë të protokollit të kimioterapisë, por së shpejti nuk do të më shihni më në transmetim”, kishte deklaruar ai një vit më parë.
Lajmin e ka bërë të ditur bashkëshortja Linda, djali Jacopo, nëna Gabriella dhe babai i tij Pippo./KultPlus.com
Në ndër të 80-vjetorit të lindjes së shkrimtarit dhe poetit të shquar Xhevahir Spahiu, në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë është çelur ekspozita me titull “Ngjyrat e fjalës së Xhevahir Spahiut”.
Fjalën e hapjes në këtë aktivitet, e mbajti drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Piro Misha, i cili vlerësoi kontributin e Xhevahir Spahiut në poezinë shqipe, qofshin krijime të tij, apo përkthime e redaktime.
Shkrimtari Besnik Mustafaj ndau me të ftuarit kujtimet e tij vetjake me poetin, ndërsa prof. Bashkim Kuçuku ofroi një panoramë kritike të poetikës së Xhevahir Spahiut në kontekstin historik të krijimtarisë së tij.
Pas çeljes së ekspozitës, të ftuarit patën mundësinë të shohin nga afër krijimtarinë e shkrimtarit të botuar në libra dhe periodikët e kohës, qysh prej vitit 1963.
Tashmë, pjesë e fondit të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë janë dhe librat që autori i dhuroi me mbishkrimin e tij, një thesar i shtuar i këtij institucioni./atsh/KultPlus.com
Veprimtarinë e nisi si mësues në Kolegjin Arbëresh të Shën Dhimitër Koronës, për t’u kthyer më pas në Shqipëri, ku filloi të jepte mësim në Normalen e Elbasanit.
Aleksandër Xhuvani lindi në Elbasan më 14 mars 1880 në një familje të njohur për kontributin kombëtar e kulturor. Mësimet e para i kreu në vendlindje, të mesmet, në Çatillë të Maqedonisë. Më pas studioi filologji në Athinë, ku edhe u diplomua. Është një nga pionierët e arsimit dhe të gjuhësisë shqiptare.
Mjafton të kujtojmë këtu fjalimin që Xhuvanit mbajti mbi varr të Atë Gjergj Fishtës, për të treguar qartë vlerësimin e e tij të thellë për kontributin e klerit katolik e personalisht të Kangëtarit të Lahutës:
“Si vetimë u përhap an’ e kand të Shqipnisë lajmi i hidhët i vdekjes së poetit t’onë Kombëtar, At Gjergj Fishtës dhe e mahniten mbeti sot mbarë bota shqiptare, tue kujtue emnin zamadh të autorit të “Lahutës së Malcisë” që ka këndue, si dikur Omeri, burrnin e besën e fisit tonë, që ka ndezë zemrat e Shqiptarëvet, si dikur Tirteu, i vjetërsisë. E me të drejtë i kan thënë Fishtës “Tirteu i Shqipnisë, se sikurse ai me elegjitë e tij ndezi zemrat e Spartanëve për luftë, njashtu dhe epopeja e “Lahutës”, odet dhe elegjitë e “Mrizit të Zanave” e të poezive të tjera kanë mbledhë në zemër të djelmnisë sonë dashuninë e pamasë për truellin e të parëve dhe për gjuhën amtare. Këto dy ideale: Atdhedashunia dhe rujetja e gjuhës si dritë e synit, lavrimi dhe përdorimi e saj kanë qenë polet rreth së cilave shtrihej vepra e çmueshme e Fishtës. E s’ka kush tjetër veçse ne arsimtarëve që kemi pasë e kemi nëpër duer edhe ua kemi mësue nxënësve poezitë e tij, që e çmon ma mirë veprën zamadhe të tij, e cila sot si një far i madh dritëdhanës ka ndriçue mendjen e djelmënisë sonë, si një Ungjill shkëndimadh morali ka zbutë e ka edukue zemrën e saj”.
Aleksandër Xhuvani vdiq më 22 nëntor 1961. / KultPlus.com
Teatri Kombëtar i Kosovës ka njoftuar se shfaqja “Të turpëruarit” do të jetë premierë musafire në Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar, me datë 17 dhe 18 mars, duke filluar nga ora 20:00.
“Te turpëruarit”, premierë musafire ne Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës, një bashkëpunim i artistëve teatror nga Prishtina dhe Tirana, trajton identitetin, kulturën dhe konfliktet ndërkulturore në shoqërinë moderne”, thuhet në njoftim.
Tutje, në njoftim thuhet se përmes dilemave të personazheve, shfaqja sfidon stereotipet, diskriminimin dhe paragjykimet, duke nxjerrë në pah sfidat e një shoqërie të diversifikuar dhe nevojën për dialog e reflektim mbi marrëdhëniet ndërkulturore.
Regjisor i shfaqjes është Altin Basha ndërsa aktorët që luajnë janë Adrian Morina, Blerta Syla Surroi, Kushtrim Sheremeti, Aurita Agushi dhe Endrit Ahmetaj./KultPlus.com
Presidenti Bajram Begaj, uroi sot qytetarët për Ditën e Verës, një festë tradicionale me origjinë të hershme në Elbasan, që shënon ardhjen e stinës së pranverës.
Begaj përcolli në rrjetet sociale foton e shportës së Elbasanit me elementet simbol të Ditës së Verës: ballakumen, ëmbëlsirën tradicionale, lulet dhe degën e ullirit, të cilat, gjithashtu, përcjellin dëshirën për ardhjen e një stine të gëzueshme, të mbarë e të begatë.
“Gëzuar Ditën e Verës me këtë shportë të përgatitur nga amvisat e Elbasanit, kryeqytetit shqiptar të festimit të kësaj dite!”, uroi Presidenti i Republikës./ KultPlus.com
Elbasani konsiderohet si epiqendra e Ditës së Verës, festës pagane që vjen nga thellësia e shekujve dhe ky qytet ka një traditë të veçantë në festimin e saj.
Gjithashtu kjo festë simbolizohet me ëmbëlsirën tradicionale që është ballakumja.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale një video me mënyrën e përgatitjes së ballakumes nga zonjat elbasanase.
“Receta tradicionale e ballakumeve, përgatitur nga zonjat duararta të agroturizmit “Ura e Sulovës”, Cërrik, ku Marjeta dhe Nikita, vijojnë të ruajnë traditën”, shkruan Rama.
Marjeta dhe Nikita shpjegojnë në detaje të gjitha proceset që ndiqen për ballakumen duke zbuluar formulën e veçantë të përgatitjes së saj.
“Me përgatitjen e ballokumeve fillojmë një javë përpara sepse bëjmë 250-300 copë. E kemi si traditë dhe nuk e humbasim”, thekson Marjeta.
Ballakumet janë ëmbëlsira tradicionale e Ditës së Verës. Në Elbasan gatuhen vetëm për këtë festë, kjo i bën ato edhe më të veçanta. Ballakumet janë ëmbëlsirat që gatuhen me miell misri të situr mirë, gjalpë dhe sheqer të imët./ KultPlus.com
Justin Trudeau do të japë sot dorëheqjen si kryeministri i 23-të i Kanadasë.
Pas gati një dekade në pushtet, Trudeau do ta bëjë zyrtare dorëheqjen që e shpalli për herë të parë në janar, gjatë një takimi në Rideau Hall.
Aty, njeriu që solli Përfitimin për Fëmijët në Kanada, legalizoi mariuanën, drejtoi vendin gjatë pandemisë së COVID-19 dhe u përball me kritika të ashpra në vitet pasuese për çështje të përballueshmërisë – nga taksa e karbonit te strehimi – do të tërhiqet nga detyra.
Sipas një burimi të lartë qeveritar, Trudeau do të takohet privatisht me Guvernatoren e Përgjithshme, Mary Simon. Gjatë këtij takimi, ai do të japë dorëheqjen zyrtarisht dhe do t’i rekomandojë asaj të ftojë Mark Carney për të formuar qeverinë dhe për të prezantuar kabinetin e ri.
Në vend të tij do të vijë kryeministri i sapoemëruar, Mark Carney. Pesë ditë pas një fitoreje dërrmuese në garën për lidershipin e Partisë Liberale, Carney do të betohet për detyrën dhe besnikërinë, si dhe do t’i paraqesë Simon-it kabinetin e tij të ri, në një ceremoni që pritet të jetë më e thjeshtë krahasuar me ardhjen madhështore të Trudeau në pushtet në vitin 2015.
Mediat lokale kanë konfirmuar disa ndryshime të mëdha që Carney do të bëjë në ekipin e tij të parë, ndërsa synon të zvogëlojë ndjeshëm përmasat e përgjithshme të kabinetit, i cili shihet kryesisht si një kabinet para-zgjedhor./ KultPlus.com
Albert Ajnshtajn është shkencëtari më i zgjuar që ka jetuar ndonjëherë. Një prej arritjeve që ktheu faqen e historisë së shkencës ishte ekuacioni E=mc2. Ai fitoi çmimin “Nobel” në vitin 1921 për punën në lidhje me efektin fotoelektrik.
Ai zhvilloi Teorinë e Relativitetit, të cilën e kishte përfunduar me kohë, por u deshën 25 vite që të tjerët ta kuptonin. Siç ndodhi së fundmi edhe me valët gravitacionale që u pranuan sot zyrtarisht nga shkenca, dhe që u konsiderua si “zbulimi më i madh shkencor i shekullit”.
Albert Ajnshtajni foli për ekzistencën e valëve gravitacionale 100 vjet më parë. Ajnshtajni parashikoi se nëse graviteti apo forca e rëndesës në një zonë të universit ndryshon befas si pasojë e një evenimenti të dhunshëm kozmik, si shpërthimi i një ylli, apo në këtë rast përplasja e dy vrimave të zeza, krijohen valë gravitacionale që përhapen me shpejtësinë e dritës në të gjithë universin duke deformuar kohën dhe hapësirën gjatë lëvizjes së tyre.
Kontributi i tij ndryshoi radikalisht pikëpamjen e botës. Para Ajnshtajnit, disa gjëra besoheshin si të vërteta. Mes tyre ishin dhe ligjet e gravitetit dhe trupave në rënie, të përmendur më parë nga Isak Njutoni.
Gjithashtu në atë kohë besohej se “koha” në vetvete ishte një konstante fizike: Të gjithë dhe gjithçka përjetonte kalimin e kohës ashtu si kushdo dhe gjithçka tjetër. Teoria e tij e Relativitetit special parashikonte se kjo s’ishte e vërtetë dhe më vonë u vërtetua nga eksperimentet me orën bërthamore.
Emri Ajnshtajn sot është sinonim me fjalën gjeni. Albert Ajnshtajn është një prej mendjeve më të mëdha të shekullit të 20-të. Disa prej ideve të tij për shkencën, natyrën dhe besimi mund t’ju habisin. Jo më kot është zgjedhur “Personi i Shekullit” nga revista “Time”.
Por, a e dinit se Ajnshtajni ka lindur me një kokë kaq të madhe sa mamaja e tij mendonte se mos kishte lindur i deformuar? Apo se kishte një fëmijë sekret që para se të martohej? Apo që u përjashtua nga shkolla? Apo që fizikanti i madh ka shkelur tokën shqiptare? 1- Ajnshtajni ishte një bebe e shëndoshë me një kokë të madhe
Kur nëna e Albertit, Pauline, e lindi, koka e tij ishte kaq e madhe dhe e shtrembëruar, sa ajo kujtonte se mos ishte i deformuar. Ngaqë fundin e kokës e kishte shumë të madhe, familja mendoi mos ishte monstër. Megjithatë, ndërsa javët kalonin ata e kuptuan se ishte një fëmijë gati normal me të tjerët. Thuhet se gjyshja e tij ka klithur “është i shëndoshë, është i shëndoshë”, kur e ka pritur të lindte. Ndryshe nga përshtypja e parë, Alberti u rrit normalisht, vetëm se ishte pak i ngadaltë.
2- Ajnshtajni kishte vështirësi në të folur
Kur ishte fëmijë, Ajnshtajni fliste rrallë. Kur e bënte, fliste shumë ngadalë. E mendonte të gjithë fjalinë në kokë dhe e pëshpëriste para se ta thoshte. Këtë e bëri rregullisht deri në moshën 9-vjeçare. Prindërit trembeshin mos ishte i vonuar, por sigurisht më vonë doli se frika e tyre ishte pa baza. Kjo është quajtur sindroma e Ajnshtajnit.
3- Kur Ajnshtajni foli për herë të parë
Një historian ka krijuar një barsoletë. Prindërit e tij ishin të shqetësuar se nuk fliste fare. Kur një mbrëmje foli dhe tha “Supa është e nxehtë”, prindërit e pyetën pse nuk kishte folur më parë. Ai i përgjigjet: Sepse deri tani gjithçka ishte në rregull.
4- Ajnshtajni është frymëzuar nga një busull
Kur Ajnshtajni ishte pesë vjeç dhe i sëmurë në shtrat, babai i tregoi diçka që i ndezi interesin në shkencë: Një busull. Ndërsa qëndronte i shtirë, babai i nxori një busull të thjeshtë xhepi. Ajo që i interesonte Ajnshtajnit të ri ishte se sa herë që kutia ndërronte pozicion, gjilpëra kthehej në të njëjtin drejtim.
Ai mendoi se duhet të kishte ndonjë forcë në atë që konsiderohej si hapësirë boshe që e bënte gjilpërën të lëvizte. Ky incident i zakonshëm në shumë “fëmijëria të famshme”, është përmendur shpesh në shumë rrëfime të jetës së tij.
5- Ajnshtajni ngeli në provimin e hyrjes për në kolegj
Në vitin 1895, në moshën 17-vjeçare, Albert Ajnshtajn aplikoi për të hyrë në Shkollën Politeknike Federale Zvicerane (Eidgenössische Technische Hochschule). Ai kaloi provimin e matematikës dhe të shkencës tek provimi i hyrjes, por ngeli tek të tjerat.
Ndër lëndët ku nuk shkonte mirë ishte historia, gjuhët e huaja, gjeografia dhe të tjera. Ajnshtajni duhet të regjistrohej në një shkollë tregtare para se ta ribënte provimin dhe më në fund u pranua tek i njëjti universitet një vit më vonë.
6- Ajnshtajni kishte një fëmijë të paligjshëm
Në vitin 1980, letrat private të Ajnshtajnit kanë zbuluar diçka të re për gjeniun. Kishte një vajzë të paligjshme me ish-studenten Mileva Mariç, të cilën më vonë u martua. Në vitin 1902, një vit para martesës, Mileva lindi në familjen e prindërve në Berne, një vajzë me emrin Lieserl, të cilën Ajnshtajni kurrë nuk e pa dhe për të cilën nuk dihet gjë.
Ajo është pagëzuar dhe jetoi me familjen e Milevës. Më vonë ajo thotë se vdiq nga ethet në shtator, 1903. Në korrespondencën e çiftit shkruhet se është dhënë për birësim pasi ka lindur. Në letrën e 19 shtatorit, 1903, Lieserl Einstein-Maric përmendet për herë të fundit.
7- Kur përjashtohej nga shkolla
Ajnshtajni ishte i ngadaltë në procesin e të folurit. Madje prindërit e tij janë konsultuar dhe me një doktor. Ai madje ka patur një rebelim “të paturp” ndaj autoriteteve, që bëri që drejtori i shkollës ku ai studionte ta përjashtonte nga shkolla dhe të shprehej rreth tij se ai nuk do të mund të arrinte shumë në jetë.
Por këto karakteristika bënë që ai të bëhej një gjeni. Mospërfillja dhe përbuzja e tij ndaj autoritetit bënë që ai të vinte në dyshim njohuritë tradicionale. Zhvillimi i tij i ngadaltë verbal, bëri që ai të bëhej kurioz për gjërat e zakonshme – si koha dhe hapësira – që pjesa më e madhe e të rriturve i marrin për të mirëqena.
I ati i dhuroi një busull në moshën pesë vjeçare, dhe hetoi mbi natyrën e fushës magnetike gjatë gjithë jetës së tij. Ai kishte prirjen të mendonte në bazë të imazheve dhe jo me fjalë.
8- Kishte Ajnshtajni probleme të në mësuar?
Disa shkencëtarë kanë pretenduar se kanë zbuluar se në fëmijëri Ajnshtajni ka shfaqur shenja të lehta të autizmit ose të sindromës së Aspergerit. Simon Baron Kohen, drejtor i qendrës kërkimore të autizmit në Universitetin e Kembrixhit, është një prej tyre. Ai shkruan se autizmi është i lidhur “me një përpjekje intensive për të kontrolluar dhe një përpjekje të vogël të pazakontë për të qenë empatik”.
Ai gjithashtu vë në dukje se kjo gjë “shpjegon ‘kufijtë e aftësisë’ që njerëzit me autizëm shfaqin në lëndë të tilla si matematika, muzika ose vizatimi – të gjitha aftësi që përfitohen nga kontrolli”’. Kjo nuk duket një diagnozë bindëse.
Edhe si adoleshent, Ajnshtajni kishte miq të ngushtë, kishte marrëdhënie intime, bëhej pjesë e debateve skolastike, komunikonte mjaft mirë verbalisht dhe ishte empatik ndaj miqve dhe njerëzimit në përgjithësi.
9- A ngeli Ajnshtajni në Matematikë?
Një besim mjaft i përhapur rreth Ajnshtajnit është se ai kishte ngelur në lëndën e matematikës. Një kërkim në Google rreth kësaj nxjerr më shumë se 500 mijë rezultate. Ky lajm madje është bërë pjesë e titujve të gazetave “besoje ose jo”.
Por historia e tij është shumë ironike: Në 1935, një lajm u botua rreth Ajnshtajnit “Matematikani më i madh i kohës, ngel në matematikë”. Duke qeshur ai është përgjigjur se nuk ka ngelur asnjëherë në matematikë, dhe se në moshën 15 vjeçare ai kishte zgjidhur ekuacione të vështira matematikore.
Në shkollë fillore ai ka qenë më i miri i klasës dhe shumë më lart rezultateve të pritshme në matematikë. Në moshën 12 vjeçare, motra e tij u shpreh se ai “gjithmonë kishte preferuar të zgjidhte probleme të vështira aritmetike”, dhe vendosi të zbulonte nëse mund të progresonte duke mësuar gjeometrinë dhe algjebrën vetë.
Prindërit i blenë libra të avancuar që ai të përgatitej gjatë verës. Ai jo vetëm që mësoi fakte në këto libra, por identifikoi disa teori në një përpjekje që t’i testonte personalisht. Ai madje pati idenë e tij personale se si mund të provonte teorinë e Pitagorës.
10- A mendonte Ajnshtajni më shumë bazuar në imazhe se sa në fjalë?
Të gjitha zbulimet e tij të mëdha ishin rezultat i eksperimenteve vizuale që ai i zhvillonte në mendjen e tij më tepër se sa në laborator. Për këtë arsye, ata u quajtën Gedankenexperiment – eksperimentet e mendimit. Në moshën 16 vjeçare, ai u mundua të përfytyronte se si mund të ishte të ecje përkrah një rreze drite. Nëse arrihej shpejtësia e dritës, a nuk do të dukeshin valët e saj të palëvizshme? Por ekuacionet e famshme të Maksuellit që përshkonin valët elektromagnetike nuk e lejonin një gjë të tillë. Ai e dinte se matematika ishte mënyra që natyra përdorte për të përshkruar mrekullitë e saj, kështu ai mund të përfytyronte në mënyrë vizuale se si ekuacionet reflektoheshin në realitet. Kështu për dhjetë vitet e ardhshme të jetës së tij, ai mendoi rreth këtij eksperimenti deri sa erdhi momenti që ai nxori teorinë e famshme të relativitetit.
11- Cilat ishin mendimet – imazhe që Ajnshtajni përdori për teorinë e relativitetit?
Ndër shumë gjëra të tjera, ai imagjinoi goditje rrezatuese në dy anët fundore të një treni në lëvizje. Një person që është në rrugë mund t’i shohë këto ndriçime në një moment të vetëm, por dikujt që është në një tren lëvizës ato do t’i shfaqen në momente të ndryshme. Për shkak se treni ecën përpara, drita rrezatuese në pjesën e përparme të trenit do të arrijë më përpara tek personi një moment përpara dritës që vjen nga fundi i trenit. Nga kjo gjë Ajnshtajni kuptoi se “njëkohshmëria” është relative me gjendjen fizike në hapësirë. Dhe prej kësaj ai hodhi idenë se nuk ekzistonte koncepti i kohës absolute. Ky ëshët relativiteti i Ajnshtajnit, dhe sigurisht teoria e relativitetit.
12- Cili ishte eksperimenti i menduar, që çoi Ajnshtajnin drejt teorisë së relativitetit?
Ai imagjinoi një njeri në rënie të lirë. Për të kuptuar atë që ai pa, mendoni një njeri të mbyllur në një ashensor që ulet në drejtim të tokës. Ai do të lëvizte në ashensor duke u ngritur lart, dhe çdo gjë që do të dilte dhe binte nga xhepat e tij do të lëviznin lirshëm rreth tij – njësoj si të ishte i mbyllur në një dhomë, në një zonë pa gravitet të hapësirës. Në anën tjetër, mendoni një grua të mbyllur në një ashensor që po ngjitet lart në hapësirë, larg çdo lloj graviteti. Ajo do të ndihej sikur po binte në tokë, njësoj sikur të ishte duke u tërhequr nga graviteti. Nga ekuivalenca e gravitetit dhe nxitimit, ai ndërtoi teorinë e përgjithshme të relativitetit.
13 – Çdo gjë është relative
Ai zbuloi se graviteti ishte një “deformim” i hapësirës dhe kohës. Ai mund të përshkruhet duke përdorur një tjetër eksperiment të menduar. Imagjinoni si do të mund të ishte hedhja e një topi bouling – u në një sipërfaqe dy dimensionale të një trampoline. Ai i jep formë strukturës ndërkohë që lëviz. Më pas rrotulloni disa topa bilardoje. Ata lëvizin drejt topit të bouling–ut jo sepse ai i tërheq ata në mënyrë të panjohur (Siç thotë teoria e Njutonit), por për shkak të formës që ai i ka dhënë strukturës së trampolinës. Tani imagjinoni gjithë këtë në një strukturë katër dimensione të hapësirës dhe kohës. Nuk është e lehtë, ndaj ne nuk jemi Ajnshtajni dhe ai ishte. Ai ishte i aftë të nxirrte ekuacionin e fushës së gravitetit që tregonte se si materia formëson hapësirën dhe si forma e hapësirës i tregon materies si të lëvizë.
14-Cila ishte mrekullia e vitit e Ajnshtajnit?
Në 1905, Ajnshtajni u diplomua, por nuk ju dha mundësia që tema e tij e doktoraturës të pranohej; as të merrte një post akademik. Kështu ai filloi të punonte me orar të zgjatur, gjashtë herë në javë, si një ekzaminues i nivelit të tretë në zyrat zviceriane të inovacionit shkencor. Gjatë kohës së lirë, ai shkruajti katër teza që lidheshin me fizikën. E para tregonte se drita mund të prodhohej si në formë valësh ashtu dhe si grimca të quajtura fotone. E dyta provonte ekzistencën e atomeve dhe molekulave. E treta, teoria e relativitetit, që thonte se nuk kishte hapësirë apo kohë absolute. Dhe e katërta tregonte një ekuivalencë ndërmjet energjisë dhe masës, që përshkruhet nga ekuacioni i famshëm i fizikës, E=mc2.
15-Si ishte jeta personale e Ajnshtajnit në atë kohë?
Ndihma që ju dha në matematikë, ishte ajo e serbes, Mileva Mari, që ishte e vetmja femër në klasën e tij të fizikës, në universitet. Ata kishin rënë marrëzisht në dashuri me njëri – tjetrin, dhe patën një vajzë të jashtëligjshme, të cilën lejoi ta jepnin për birësim para se ta shihte. Më pas ata u martuan dhe patën dy djem. Eventualisht marrëdhënia e tyre u komplikua dhe Ajnshtajni kërkoi divorcin. Ai i ofroi asaj një marrëveshje: Një nga tezat e tij të 1905, sipas tij, do të fitonin Çmimim Nobel, dhe nëse ajo i jepte divorcin, Ajnshtajni do t’i jepte paratë e fituara nga ky çmim. Pasi u mendua për një javë, ajo pranoi. Për shkak se teoritë e tij ishin mjaft radikale, ai e fitoi këtë çmim vetëm në 1922.
16- Teoria: Si u krijua relativiteti?
Shkencëtarët nuk ishin të sigurtë që herën e parë nëse teoria e relativitetit ishte e saktë. Por Ajnshtajni propozoi një eksperiment dramatik. Gjatë eklipsit të ardhshëm, në 1919, shkencëtarët mund të masnin se si drita e yjeve që kalonte në afërsi të diellit, drejtohej nga graviteti. Lajmet që pasuan ishin: “Dritat që lëvizin shtrembër në Parajsë / Njerëzit e shkencës Më shumë apo më pak të etur për rezultatet e Vëzhgimeve të Eklipsit / Teoria e Ajnshtajnit triumfon”. Dhe e gjithë kjo është shkruar në një kohë kur të paktë ishin ata që dinin të shkruanin mirë. Ajnshtajni u bë i famshëm për kontributin që dha në lindjen e një epoke të re. Ai u bë një shkencëtar i famshëm dhe një ikonë e humanizmit; një nga emrat më të njohur në planet.
17- Ajnshtajni propozon një “kontratë” të çuditshme
Pasi ai dhe Mileva u martuan, patën dy djem, Hans Albert dhe Eduard. Suksesi akademik dhe udhëtimet nëpër botë kishin çmimin e tyre. Ai u distancua nga gruaja e tij dhe për disa kohë çifti u përpoq të merrej me problemet. Ajnshtajni propozoi një “kontratë” të çuditshme për të jetuar me Milevën. Kushtet ishin që rrobat të ishin të pastra dhe të hekurosura, që t’i çonte tre vakte të ngrohta në dhomë, që dhoma dhe studioja të ishin të pastra, përveç tavolinës së punës, që ajo të pushonte së foluri kur ai t’ia kërkonte. Ajo pranoi dhe ai i premtoi se do ta konsideronte të huaj çdo grua tjetër. Pas divorcit, marrëdhënia e Ajnshtajnit me djalin e madh u lëkund. Hansi fajësonte të atin për ndarjen nga Mileva dhe pasi Ajnshtajni fitoi çmimin “Nobel” dhe paratë. Ai i dha asaj vetëm interesat dhe jo shumën e madhe të çmimit. Grindjet mes tyre u shtuan kur Ajnshtajni kundërshtoi martesën e djalit me Frieda Knecht, sepse ajo ishte “më e madhe dhe e shëmtuar”. Kur ata u martuan, Ajnshtajni i kërkoi djalit të mos bënin fëmijë, pasi kjo do ta bënte divorcin edhe më të vështirë. Edhe mamaja e Ajnshtajnit e kishte kundërshtuar martesën me Milevën. Kur i biri emigroi në Amerikë, ata mbetën të ndarë.
18- Ajnshtajni, i preferuari i grave
Kur Ajnshtajni u divorcua me Milevën në vitin 1919 (tradhtia cilësohet si një nga shkaqet), ai u martua me kushërirën, Elsa Loëenthal. Në të vërtetë ai donte të martohej edhe me vajzën e Elsës nga një martesë e mëparshme, Ilse, 18 vjet më e re se ai, por ajo e kundërshtoi. Ndryshe nga Mileva, shqetësimi kryesor i Elsës ishte të kujdesej për burrin e saj të famshëm. Ajo i dinte dhe i toleronte tradhtitë dhe lidhjet dashurore të tij, të cilat zbulohen më vonë tek letrat e tij. Fillimisht e tradhtoi me sekretaren, Betty Neumann. Korrespondenca e tij tregon se ishte i lidhur me gjashtë gra, mes tyre dhe një spiune ruse.
19- Pacifisti që shpiku bombën atomike
Në vitin 1939, i alarmuar nga shumimi i Gjermanisë naziste, Leo Szilard e bindi Ajnshtajnin t’i shkruante një letër presidentit amerikan, Franklin Roosevelt, ku e paralajmëronte se Gjermania naziste po ndërtonte një bombë atomike dhe i sugjeronte Shteteve të Bashkuara të zhvillonin bombën e tyre. Letra e Ajnshtajnit dhe Szilardit konsiderohet si një nga arsyet që Roosevelti filloi “Projektin Manhattan” për të zhvilluar bombën, edhe pse më vonë u zbulua se bombardimi i Pearl Harbor në vitin 1941 e bindi më shumë qeverinë se sa letra e tyre. Edhe pse ishte fizikant i shkëlqyer, ushtria e konsideronte si rrezik sigurie dhe nuk e ftuan në projekt.
20- Ajnshtajni në Shqipëri
E kush mund ta mendonte se fizikanti i madh ka shkelur tokën shqiptare? Dhe jo vetëm kaq. Ai u pajis me pasaportë shqiptare nga mbreti Zog, si një mbrojtje që ai i dha hebreut më të famshëm të shekullit të 20-të. Edhe pse për shumë pak orë, Ajshtajni në vitin 1931 ka qëndruar në portin e Durrësit, në pritje të anijes.
21- Truri shëtiti në kavanoz për 43 vjet
Pas vdekjes në vitin 1955, truri i Ajnshtajnit u hoq pa lejen e familjes nga Thomas Harvey që kreu autopsinë. Ai e mori trurin në shtëpi dhe më vonë u pushua nga puna për shkak se refuzoi ta dorëzonte organin. Shumë vite më vonë, kur Harvey mori leje nga Hansi ta studionte trurin, i dërgoi copëza disa shkencëtarëve në të gjithë botën. Njëra prej tyre ishte Marian Diamond nga Universiteti Berkeley, e cila zbuloi se ai kishte më shumë qeliza në atë pjesë të trurit që ishte përgjegjëse për sintetizimin e informacionit. Neuronet e trurit të tij, që ishte më i madh se normalja, komunikonin më mirë me njëri-tjetrin, për shkak se mungonte një “rrudhë” e quajtur prerja silviane. Studime të tjera sugjerojnë se truri i Ajnshtajnit ishte i dendur dhe se lobi inferior, që ka të bëjë me aftësitë për matematikë, ishte më i madh se truri normal.
22- Saga e trurit të Ajnshtajnit
Në fillim të viteve 1990, shkrimtari Michael Paterniti udhëtoi për në Kaliforni bashkë me doktorin Harvey për të takuar stërmbesën e Ajnshtajnit. Ata udhëtuan nga Neë Jersey me makinë të madhe familjare, ndërkohë që truri i Ajnshtajnit tundej brenda një kavanozi në bagazh. Paterniti disa vite më vonë shkroi për eksperiencën e tij në librin “Në makinë me zotin Albert: Një udhëtim nëpër Amerikë me trurin e Ajnshtajnit”. Në vitin 1998, 85-vjeçari Harvey ia dha trurin doktor Elliot Krauss, patologu i stafit në universitetin “Priceton”, pozicioni që Harvey kishte më parë. Ai thotë: “Pasi e ruajta trurin për dekada sikur të ishte një relike e shenjtë, dhe për shumë ashtu ishte, e lashë më në fund të lirë. Ia dhashë departamentit të patologjisë në qendrën mjekësore të “Princeton”, aty ku Ajnshtajni kaloi 2 dekadat e fundit. U lodha nga përgjegjësia që kisha. Tani jam më i qetë”.
23- S’donte ta lodhte mendjen më shumë nga sa nevojitej dhe pëlqente të rrinte zbathur
Përveç sportit të preferuar, lundrimit (sporti që kërkon më pak energji), Ajnshtajni i shmangej çdo aktiviteti çlodhjeje që kërkonte shkathtësi mendjeje. Siç tha ai për “Neë York Times”, “Sapo përfundoj projektet që kam në dorë, nuk dua të merrem me asgjë tjetër që kërkon punë mendjeje”. “Kur isha i ri, zbulova se gishti i madh i këmbës gjithmonë bënte një vrimë në çorape”, tha ai dikur. “Prandaj nuk vesha më çorape”, vazhdon ai.
24- Nuk e ndiqte asnjëherë modën dhe s’ka mësuar kurrë të shkruajë anglisht
Ajnshtajni ishte një kokëfortë fanatik. Ai refuzoi të vishej ashtu siç e këshillonin, kushdo të ishte ai apo ajo. Njerëzit ose e njihnin mirë, ose nuk e njihnin fare, arsyetonte ai, kështu që nuk kishte rëndësi në e shihni me të njëjtin kostum një vit të tërë. Edhe pse jetoi për shumë vite në Shtetet e Bashkuara dhe i fliste mirë të dyja gjuhët, Ajnshtajni thotë se kurrë nuk ka mundur të shkruajë në anglisht, për shkak të “shqiptimit të pabesë”. Kurrë nuk e humbi theksin dallues gjerman “I vill a little t’ink” (I ëill a little think”)
25- Tymoste si oxhak
Një anëtar për jetë i “Klubit të duhanxhinjve me llullë”, në Montreale, Ajnshtajni citohet të ketë thënë: “Duhani me llullë kontribuon në gjykimin më të qetë dhe objektiv të çështjeve njerëzore”. Një herë ra në ujë gjatë një ekspedite me barkë, por arriti heroikisht të mos lëshojë nga dora llullën e tij.
26- E kishte zët letërsinë fantastiko-shkencore
Në mënyrë që mos ta ngatërronte me shkencën e pastër dhe t’u jepte njerëzve iluzione false në lidhje me arsyetimin shkencor, ai rekomandoi abstinencë të plotë nga çfarëdolloj letërsie fantastiko-shkencore. Ai gjithashtu sugjeroi se njerëzit që kanë parë disqe fluturuese duhet t’i mbajnë ato për veten e tyre. Ajnshtajni qetësohej në kuzhinën e tij me violinën besnike, duke u munduar me kokëfortësi të improvizonte diçka që të ngjasonte si vijë melodike. Kur nuk ia arrinte, ai rikthehej tek Mozarti.
27- Alkooli nuk ishte droga e preferuar
Në një konferencë për shtyp me mbërritjen e tij në Nju Jork në vitin 1930, ai tha duke bërë shaka për ndalimin me ligj të alkoolit: “Unë s’pi, prandaj për mua njësoj është”. Në të vërtetë, Ajnshtajni ka qenë kritik i hapur ndaj “ligjeve që nuk mund të imponohen”.
28- E barazonte monogaminë me monotoninë
“Të gjitha martesat janë të rrezikshme”, një herë i tha intervistuesit. “Martesa është përpjekja e pasuksesshme për ta bërë diçka të zgjasë nga një incident”. Njihej botërisht se ishte burrë jobesnik, që prirej të binte në dashuri me dikë tjetër pasi sapo kishte shkëmbyer premtimet.
29- Nuk mbante mend ditëlindjet
Me besimin se datëlindjet ishin për fëmijët, qëndrimi i tij përmblidhet në një letër që i shkroi të dashurës Mileva Maric: “E dashur zemra ime e vogël …, së pari urimet e mia të përzemërta për ditëlindjen tënde dje, të cilën e harrova përsëri”.
30- Nuk kishte shtetësi për 5 vite
Ai nuk ishte shtetas i asnjë vendi për gati 5 vite! Që nga viti 1896 (kur refuzoi shtetësinë gjermane në moshën 15-vjeçare) deri në vitin 1901 (kur u bë zviceran).
31- Pse nxori gjuhën në foton e famshme
Ishte ditëlindja e Ajnshtajnit dhe i mbytur nga një mori fotografësh. I lodhur prej tyre, ai nxori gjuhën me shpresën se do t’ia prishte foton. (Sikur të ishte aktor në ditët e sotme do t’ia kishte tërhequr aparatin nga duart). Sigurisht që plani i tij doli huq. Meqë shkencëtari kishte një reputacion si njeri i çuditshëm, fotoja u konsiderua si një shembull tjetër i sharmit të tij gjaknxehtë dhe u bë një prej fotove të tij më të bukura.
32- Sa ishte kapaciteti i inteligjencës?
Kapaciteti i inteligjencës së Ajnshtajnit ishte 160. Njerëzit e konsideronin të zgjuar. Bill Clinton e ka më të lartë këtë shifër. E vërteta është se kuizet në internet për të vlerësuar inteligjentët u shpikën më vonë, kështu që Ajnshtajni kurrë s’e bëri. Është mirë të themi se ishte shumë më i zgjuar se ne të gjithë bashkë.
33- A besonte Ajnshtajni në Zot?
Ajnshtajni ishte hebre; hebre nga populli i Perëndisë. Ai kundërshtoi natyrën e rastësishme të mekanikës kuantike dhe tha “Perëndia nuk luan me zare”. Ndër frazat më të njohura të tij janë: “Para Zotit jemi të barabartë në zgjuarsi dhe të barabartë në budadallëk”, “Perëndia gjithmonë zgjedh mënyrën më të thjeshtë”, “Dua të di gjithë mendimet e Perëndisë; të gjitha të tjerat janë detaje”. Rregulli i universit ishte provë për të që Perëndia ekzistonte.
34- Pse nuk ishte prezent në çmimin “Nobel”?
Nuk ishte i pranishëm në dhjetor të vitit 1922 për të marrë çmimin “Nobel” në fizikë, sepse ishte në një udhëtim në Japoni. Gjatë kësaj kohe bëri shumë vizita ndërkombëtare. Kishte vizituar Parisin para dhjetorit dhe një vit më vonë vizitoi Palestinën. Pas zbulimit të fundit shkencor, në lidhje me valët dhe materien, në vitin 1924 ai bëri vizita të tjera, por këtë herë në Amerikën e Jugut.
35- Prejardhja e përulur
Ajnshtajni ka lindur në Ulm, Gjermani, më 14 mars të vitit 1879, në adresën “135 Bahnhofstrasse”, e cila më vonë u bombardua nga forcat aleate në vitin 1944. Prindërit e tij ishin hebrenj të shtresës së mesme. Ata quheshin Hermann dhe Pauline.
36- Gjeometria dhe filozofia
Lëndët e preferuara në shkollë ishin gjeometria dhe filozofia. Ai e pëlqente kaq shumë gjeometrinë sa filloi ta studionte në moshën 12-vjeçare. Edhe filozofia ishte e rëndësishme për të, pasi ishte studimi i universit dhe kuptimit të jetës. Kjo e inkurajoi të kërkonte përgjigje. Ai studionte filozofi çdo të enjte me një student mjekësie me emrin Max Talemy, i cili bashkohej me familje e tij për darkë.
37- Puna e parë që bëri
Albertit kurrë nuk i është dashur të punojë derisa familja e tij u zhvendos në Milano, Itali. Atje gjeti punën e parë në një zyrë patentash zvicerane në Bern dhe qëndroi për shtatë vite, duke e përdorur kohën e lirë për të studiuar fizikë dhe për të shkruar artikuj për universitetet lokale.
38-Aspekte të jetës që pëlqente
Natyra dhe muzika zinin vendin e parë. Ajnshtajni pëlqente të shëtiste në natyrë. Shëtitjet e tij ishin koha kur mendohej dhe harronte gjithë botën. Dashurinë për muzikën e mori nga e ëma. Ai kurrë nuk hoqi dorë nga violina. Kur u bë shumë plak për të luajtur me të, ai ulej dhe dëgjonte muzikën e tij të regjistruar.
39- Ajnshtajni refuzon paratë dhe çfarë urrente
Universiteti “Princeton” i caktoi një shumë për rrogë. Atij i kërkuan ta vendoste vetë këtë shumë. Universiteti kishte vendosur për 10 mijë dollarë në muaj, por Ajnshtajni kërkoi vetëm 3 mijë dollarë. Ai gjithashtu refuzoi pensionin prej 7500 dollarësh në vit, duke e cilësuar si “shumë bujar”. Pensioni u reduktua në 6 mijë dollarë. Me to bleu një shtëpi modeste, ecte për në punë dhe kurrë nuk pati ndonjë makinë. Çfarë urrente? Të vetmet gjëra që nuk donte dot ishin berberi dhe çorapet. Ajnshtajni kurrë nuk e vizitonte berberin se nuk kishte nevojë për model të ri flokësh, i vjetri i pëlqente më shumë. Ai shkruan në vitin 1934: “Jam plotësisht i bindur se asnjë pasuri në botë nuk e ndihmon njerëzimin të përparojë, madje dhe në duart e punëtorit më të devotshëm për këtë punë” dhe “Paratë joshin vetëm egoizmin dhe ftojnë abuzimin”.
40- Shënimet e Teorisë së Relativitetit shiten 6 milionë dollarë
Në vitin 1944, letra e tij ku kishte shkruar Teorinë e Relativitetit, herët në vitin 1905, u nxor në ankand. Ajo mblodhi 6 milionë dollarë dhe sot manuskripti ndodhet në Librarinë e Kongresit. Në ditët e sotme me siguri do ishte shitur për më shumë, por në atë kohë kjo ishte një shifër rekord.
41- Njeriu më miqësor i kohës
Ai lindi në Ulm të Gjermanisë edhe pse familja u zhvendos në disa shtete të ndryshme për të jetuar, ai pëlqente më shumë qytetin e lindjes. Gjatë shëtitjeve të tij në qytet përshëndeste dhe u jepte dorën kujtdo që shihte.
42- Jetëgjatësia
Albert ndërroi jetë në moshën 76-vjeçare. Ai u largua më 18 prill të vitit 1955. 22 vitet e fundit të jetës i kaloi në Institutin e Studimeve të Avancuara në Princeton, Neë Jersey. Në atë qytezë të vogël të kolegjit, Alberti ishte një fytyrë e njohur. Çdo ditë, zotëria i sjellshëm me flokët gri dilte nga zyra për në shtëpi dhe gjithmonë ndalej t’u fliste kalimtarëve.
43- Pamja karakteristike
Ai njihej për mjekrën e bardhë si dëborë dhe flokët e çmendura. Por si ishin flokët natyralë? Ato ishin të zeza, ashtu siç dalin në fotografitë e moshës më të re. Duke qenë se në ato kohë të gjitha fotot ishin bardhë e zi, shumë kureshtarë e kanë vënë në dyshim këtë fakt, por ishin të zeza, tipike për hebrenjtë.
44- Pas Gjermanisë në “Oksford”
Në vitin 1921 mori çmimin “Nobel”, por me rritjen e nazizmit ai shkoi në Angli. Atje mësoi në universitetet “Oxford” dhe “Cambridge”, para se të zhvendosej për në SHBA. Me mbërritjen në SHBA Ajnshtajni lëvizi për në Kaliforni, vendi i plazheve dhe dimrave me diell. Atje u bë profesor në Institutin e Teknologjisë në Pasadena, Kaliforni. Gjithashtu dha mësim edhe në universitetin “Princeton”.
45- Kërkoi të largojë bombën atomike
Ajnshtajnit nuk ia priste mendja se ç’do të ndodhte në të ardhmen me bombat bërthamore. Në numrin e nëntorit të vitit 1945, ia adresoi këtë çështje revistës “Atlantic Monthly”; kërkesën e përsëriti në nëntor të vitit 1947. Në lidhje me bombën atomike sugjeroi që t’i dorëzohej një qeverie botërore të themeluar nga Rusia, SHBA-ja dhe Britania. Në kohën kur e shkroi, armët bërthamore nuk ishin kaq të fuqishme sa edhe sot.
46- Sa fëmijë pati dhe ku ndërroi jetë
Gjithsej Ajnshtajni pati tre fëmijë. Një vajzë, Lieserl, dhe dy djem, Eduard dhe Albert. Alberti i ri më vonë u bë profesor inxhinierie në universitetin “Berkley”. Djali i tij Eduart ishte skizofrenik. Gruaja e dytë kishte dy fëmijë, Ilse dhe Margot. Ajnshtajni vdiq në vitin 1955 në spitalin e “Princeton”. Truri iu hoq për studim dhe iu ruajt në Wichita, Kansas. Atje u vendos në laboratorin e doktor Thomas Harvey, ish-shefi patolog i universitetit “Princeton”.
47- Ç’do të thotë E=mc2 dhe çfarë tregon ekuacioni
Ajnshtajni e përmblodhi teorinë speciale të relativitetit në një revistë disa vite më vonë me ekuacionin legjendar E=mc2. Ky ekuacion përkthehet, Energjia=masa e shumëzuar me shpejtësinë e dritës në katror. Masa përmban sasi të mëdha energjie. Çfarë tregon ekuacioni? Marie Curie zbuloi se një ons (28,35 gramë) radiumi nxirrte 4 mijë kalori/në orë në mënyrë të papërcaktuar. E=mc2 është baza e zbulimit se si dielli dhe yjet kanë rrezatuar dritë dhe nxehtësi gjatë mijëvjeçarëve, dhe për tmerrin e Ajnshtajnit, ky ekuacion sjell edhe prodhimin e bombës atomike.
48- Çmimet e tjera “Nobel”
17 vite pas botimit të Relativitetit, në vitin 1922 Ajnshtajni fitoi çmimin “Nobel” për Shërbimin ndaj Fizikës Teorike. Kishte disa arsye pse çmimin “Nobel” nuk iu dha aq shpesh. Relativiteti në atë kohë ishte mjaft kontroversal dhe teorik. Nuk mund të provohej. Fakti që gjykatësit nuk mund ta kuptonin ishte problem më vete.
49- I ndjekur nga “FBI”-ja
Edgar Hoover dyshonte se Ajnshtajni ishte komunist. Ai shpenzoi mijëra orë për ta bindur “FBI”-në ta dënonte Ajnshtajnin, por pa sukses. Edhe pse Hoover dyshonte se ai ishte komunist, ai kurrë s’do të miratonte përgjimin e telefonave apo të postës. Pas shumë orëve kërkimi, Hoover e braktisi çështjen kundër tij dhe sekretares së Ajnshtajnit, Helen Dukas. Ata kishin mbledhur aq shumë dosje sa preknin tavanin, por asnjëra nuk provonte gjë. Më vonë, miqtë thonë se Ajnshtajni qeshte me këtë histori.
50- “Njeriu i Shekullit”, nga “Time”
Revista amerikane “Time”, në vitin 1999 e emëroi si “Personi i Shekullit”. Në kulturën e gjerë emri Ajnshtajn është bërë sinonimi i gjeniut. Përveç trurit të tij nuk ka mbetur asgjë e prekshme, pasi hiri u hodh në një lumë në SHBA./Tirana Observer / KultPlus.com