4 shkurti, 81 vjet nga raprezaljet ndaj qytetarëve të Tiranës

Muzeu Historik Kombëtar kujtoi sot Masakrën e 4 shkurtit 1944.

81 vjet më parë, nëpër shtëpitë dhe familjet e Tiranës u kryen bastisje të befasishme nga pushtuesi nazist gjerman dhe bashkëpunëtorët e tij. Dhuna e përgjakshme i kushtoi popullit të Tiranës rreth 84 të vrarë, si dhe arrestimin e mbi 300 të tjerëve.

Qëllimi i masakrës ishte të frikësohej populli e të detyrohej të hiqte dorë nga lufta e nisur, të sigurohej qetësia e rendi që kërkonte pushtuesi gjerman.

Organizatorë dhe drejtues të kësaj masakre ishin bashkëpunëtorët e pushtuesit gjerman Xhaferr Deva, ministër i brendshëm dhe Xhelal Staravecka, komandant i xhandarmërisë së Tiranës. Masakra nuk arriti të ndalte luftën e qëndresën antifashiste të Shqiptarëve./atsh/KultPlus.com

11 vite nga vdekja e Ibrahim Madhit, virtuozit të violinës shqiptare

Ibrahim Madhi, gjatë rrugëtimit të tij artistik u bë pjesë e institucioneve më të rëndësishme të vendit, si Orkestra e Radio Televizionit Shqiptar, Teatrit të Operës dhe Baletit, Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve, si dhe të Institutit të Lartë të Arteve duke qenë mbamëndje e pashlyeshme e memories së tyne, si një virtuoz që ka rrëmbyer ovacionet dhe afrinë e publikut, shqiptar dhe atij të huaj, duke qenë njëheras dhe ambasadori i vlerave shpirtërore shqiptare në skenat konceptore n vende të ndryshme të votës.

Violinisti i tingullit të bukur, elegant dhe shprehës, ka treguar individualitetin e tij të spikatur artistik në skenat e Shqipërise, Kosovës, Turqisë, Rumanisë, Kinës, Greqisë, Italisë, Austisë, Francës, Gjermanisë, Zvicrës etj. duke marrë vlerësime dhe duartokitje frenetike. Me përgjegjësi dhe kualitet të lartë artistik ka interpretuar pothuajse të gjithë repertorin violinistik shqiptar, duke i bërë premierën shumicës së tyre. Ai ka shumë or inçizime e regjistrime në studio apo direkt nga sallat e koncerteve me Radio Tiranën, Televizionin Shqiptar, Radio Prishtinën, Radion e Pekinit (Kinë), Radion e Gracit (Austri) etj., të cilat vazhdojnë të jenë në transmetim.

Ibrahim Madhi është nderuar në vite me çmime dhe Mirënjohje të veçanta, si dhe i janë akorduar çmimet: Artist i Merituar në vitin 1976 dhe Artist i Popullit në vitin 1990.

Mungesa e tij ka nëntë vite në mes. Por kurrsesi nuk ka të fundit kurrçka tjetër që e lidh me atë; violinist virtuoz, njeri të mirë, bashkëshort të dashur, prind të përkushtuar, profesor korrekt dhe mik të pashoq. /Albert Vataj / KultPlus.com

Sot, dita ndërkombëtare e luftës kundër kancerit

E njohur si dita ndërkombëtare e vetëdijesimit në agjendën globale të shëndetit, “Dita e Kancerit” është me 4 shkurt. Kjo ditë është bërë për të bashkuar njerëzit që të luftojnë kundër kancerit, dhe për të ndihmuar e për të shpëtuar miliona jetë nga vdekja e parandaluese duke rritur edukimin dhe vetëdijen dhe duke përfshirë njerëzit, komunitete dhe qeveritë për të marrë vendime të nevojshme.

Çka e shkakton kancerin?

Shpesh përshkruhet si një betejë që dikush duhet të luftojë për të mbijetuar, rreziku nga kanceri është rritur shumë.

Me ndryshimet në jetën social-ekonomike që janë shfaqur ne glob, mënyra e jetesës dhe zakonet për dieta kanë bërë një ndryshim të madh. Pirja e duhanit, dieta me shumë yndyrë dhe kimikatet toksike janë disa shembuj që mund të jenë faktorë rreziku për disa kancere të të rriturve.

Ndërsa një faktor rreziku nuk është domosdoshmërish përgjegjës për sëmundjen, ai mund ta bëjë trupin më pak rezistent ndaj tij. Prandaj, është thelbësore të familjarizohesh me rreziqet dhe shkaktarët dhe të marrësh masat e duhura në përputhje me to.

Mënyra e shëndetshme e jetesës dhe kujdesi

Llojet më të zakonshme të kancereve, d.m.th., Oral, mushkëri dhe kolorektal, janë shkaktuar kryesisht nga konsumi i lartë i duhanit dhe shëndeti i dobët i përgjithshëm trupor duke e bërë edhe më të rëndësishme që duhet bërë ndryshime të vetëdijshme të jetesës që sigurojnë parandalimin në kohë. Mbajtja e një peshe të shëndetshme mund të ulë rrezikun e llojeve të ndryshme të kancerit, duke përfshirë Kancerin e gjirit, prostatës, mushkërive, zorrës së trashë dhe veshkave.

Prandaj është e rëndësishme të përfshihen lloje të caktuara të ushqimit, veçanërisht perime kryesuese si brokoli, lakër, në dietë, ndërsa gjithashtu të ndaloni konsumin e duhanit dhe të mbeteni të vetëdijshëm për ruajtjen e shëndetit të mirë me Yoga dhe ushtrime të rregullta. Një kombinim kolektiv i këtyre është provuar të thyejë grupe të qelizave që kanë pësuar mutacion në përbërje biologjikisht aktive duke zvogëluar rrezikun e kancerit në një masë më të madhe.

Për më tepër, duhet bërë edhe një shqyrtim i rregullt mjekësor një përparësi që ndihmon në zbulimin e hershëm të sëmundjes, duke ndihmuar në rritjen e shanseve të trajtimit dhe shërimit.

E rëndësishme është edhe sigurimi i mbrojtjes së duhur financiare për kancer, sepse bazuar në llojet e kësaj sëmundje trajtimet për kancer kanë kosto të lartë. / KultPlus.com

Edicioni i pestë i Festivalit të Letërsisë ‘ZaNa’, hapet thirrja për poezi

“Zana Literature Festival” ka njoftuar se është hapur thirrja për poezi, në edicionin e pestë të këtij festivali.

“Festivali i Letërsisë ZaNa ka kënaqësinë të shpallë thirrjen e hapur për dorëzimin e poezive për edicioni i 5-të, me temën “Udhëtimi”. Qoftë një udhëtim nëpër vende, kujtime, emocione apo zbulime të vetvetes, ju ftojmë të eksploroni dhe ndani interpretimet tuaja poetike”, thuhet në njoftim.

Afati për dorëzim është hapur me datë 25 janar dhe do të mbyllet më 25 shkurt të këtij viti.

“Veprat e përzgjedhura do të kenë mundësinë të ndriçojnë skenën e festivalit, duke festuar fuqinë e fjalëve për të lidhur dhe frymëzuar”, thuhet tutje në njoftim.

Poezitë mund t’i dërgoni dhe të gjeni më shumë detaje në [email protected] ose në www.zanaliteraturefestival.org./KultPlus.com

Konkursi Ndërkombëtar i Letërshkrimit për të Rinjtë

Universal Postal Union, agjenci e specializuar e OKB-së me seli në Zvicër, sjell edicionin e 54-të të Konkursit Ndërkombëtar të Letërshkrimit për të Rinjtë.

Tema e këtij viti është: “Imagjinoni se jeni oqeani. Shkruajini dikujt një letër, duke i shpjeguar pse dhe si duhet të kujdeset mirë për ju”.

Aktiviteti do të realizohet në kontekstin e Konferencës së Oqeanit të OKB-së 2025, që do të zhvillohet në muajin qershor.

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit (QKLL) tha se kjo garë ndërkombëtare e letërshkrimit synon përmirësimin e letraritetit përmes artit të të shkruarit. Në këtë garë shkrimi mund të marrin pjesë fëmijët nga 9 deri në 15 vjeç.

Garimi synon të inkurajojë pjesëmarrësit që të shprehin kreativitetin dhe aftësitë e tyre gjuhësore.

Universal Postal Union (UPU) nuk pranon shkrime të cilat dërgohen nga shkollat apo individët. Të interesuarit që duan të jenë pjesëmarrës duhet të kontaktojnë Operatorin Kombëtar Postar ose organizatën, e cila merret me këtë kompeticion ([email protected]). Afati i dorëzimit të shkrimeve është deri më 5 maj 2025.

Ky aktivitet organizohet në partneritet me Organizatën Ndërkombëtare Detare (IMO) dhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO)./atsh/KultPlus.com

Tano Banushi, figura emblematike e humorit shqiptar

Athanas Banushi, njohur si Tano Banushi (Shkodër, 4 Shkurt 1927 – 7 gusht 1993) ka qenë një nga aktorët më në zë i humorit shqiptar, ku spikati në gjininë e estradës. Për meritat e tij në këtë lëmë është dekoruar me titullin Artist i Popullit.

Në qershor të 1945 Banushi kreu klasën e shtatë të gjimnazit të shtetit dhe u përfshi në veprimtarinë e Shtëpisë së Artit dhe Kulturës, krijuar pas hyrjes së komunistëve, më 18 janar 1945. Në ditët e fundvitit shkollor, Kompleksi Filarmonik i BRASH-it pranë Liceut Shtetnor paraqitet me dramën “Dje dhe sot” të shkruar nga prof. Filip Ndocaj.

Në këtë dramë, Banushi luajti rolin e Gjinit, shërbëtor i një familjeje shkodrane. Shfaqjet e tjera që u zhvilluan në sallonin e shoqërisë “Vllaznia” ishin si “Klasa e shtatë” dhe “Jak, o Jak”, ku Tanoja u prezantua si humorist, ishin mbase paroditë e para të përdorura për shfaqje variete. Më 1946 luajti rolin e një të dehuri në dramën “Armiku i Popullit” i Ibsenit.

Po atë vit interpretoi në komedinë “Pashuku” të Ndocajt dhe më pas vijoi të përfshihej në veprimtaritë e shumta të klubit “Vasil Shanto” dhe të grupeve artistike të Shtëpisë së Artit e të Kulturës (më vonë Shtëpia e Kulturës dhe e Krijimtarisë Popullore). 

Pas një transferimi në Vlorë, u aktivizua edhe në grupet artistike që i drejtonte miku i tij Tish Daija. Pas gati tre vitesh shërbimi ushtarak, në fund të 1949 u emërua korrespondent i Shkodrës për gazetën “Zëri i Popullit”. Pas një kohe kaloi instruktor në Komitetin e Rinisë në sektorin e agjitacion-propagandës dhe u emërua drejtor i Klubit të rinisë “Herojtë e Vigut”, ku ishte organizator kryesor i mbrëmjeve rinore. Aktivizohej si konferencier në shfaqet e estradës së Klubit të punëtorëve “Vasil Shanto” dhe nuk ndërpreu veprimtarinë artistike, qoftë në korin e Shtëpisë së Kulturës, si instrumentist e humorist në Radio-Shkodra dhe si aktor ndër shfaqet teatrale.

Në korrik të 1958 u krijua në Shkodër estrada profesioniste, e përfshirë në kuadrin e teatrit “Migjeni” të porsandërtuar, ku Banushi u emërua aktor profesionist. Më 14 nëntor të po atij viti doli premiera e parë e Estradës së Shkodrës me titullin “Reparti i operacionit të zemrës”, ku Tanoja ishte edhe inspektor skene.

Më 19 shkurt 1959 u shfaq premiera e dytë “Po ta këndoj kangën me saze”, sipas titullit të një kënge shkodrane, libreti u shkrua nga Paulin Sekuj dhe Banushi. Premiera e tretë u dha më 4 qershor të po atij viti, e titulluar “Pastro kopshtin, bahçevan!” Më 1962 estrada nisi turnetë në mbarë Shqipërinë, u dekorua me Urdhërin e Punës të klasit I dhe në njëzet vjetorin e saj më 1978 u dekorua me Urdhërin “Naim Frashëri” të klasit I

Më 5 shkurt 1986 doli në pension, 4 vjet pasi kishte mbushur moshën e pensionit. Megjithatë, e vijoi veprimtarinë artistike, duke shkruar e botuar edhe skeçe, tregime humoristike e anekdota.

Ndërroi jetë më 7 gusht 1993./KultPlus.com

Shtim vizitorësh në kalatë e Shkodrës dhe Lezhës

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër bëri publike statistikat e muajit të parë të vitit 2025 sa i përket vizitueshmërisë së dy parqeve arkeologjike, kalasë së Shkodrës dhe asaj të Lezhës.

“Me kënaqësi konstatojmë trendin rritës të vitit të kaluar, të ruhet dhe në muajin e parë të vitit 2025. Shifra që na bëjnë optimistë për një vit edhe më të suksesshëm se ai që lamë pas,” shkroi DRTK Shkodër në rrjetet sociale.

Në Parkun Arkeologjik Shkodër (Kalaja Rozafa) gjatë janarit 2025 pati 3 836 vizitorë, me një rritje prej 8% krahasuar me janarin e vitit 2024.

Ndërsa në Parkun Arkeologjik Lezhë (Kalaja e Lezhës) pati 275 vizitorë, një rritje me 45 % krahasuar me janarin e 2024-ës.

Gjatë vitit 2024 Kalaja e Rozafës, një prej atraksioneve kryesore turistike të qytetit, u vizitua nga 157 827 vizitorë. Ndërsa Kalaja e Lezhës priti 7771 vizitorë gjatë vitit 2024. Të dyja këto kala po bëhen gjithnjë e më të njohura si destinacione turistike të rëndësishme./atsh/KultPlus.com

381 vite nga lindja e fizikanit Isak Njuton

Isak Njutoni ka qenë një fizikan, astronom, filozof, teolog dhe matematicien anglez i cili konsiderohet si një nga shkenctarët më me influencë i të gjitha kohërave dhe figura kyqe në revolucionin shkencor, shkruan KultPlus.

Njutoni ka formuluar tri ligjet kryesore të matematikës:

Ligjin e inercisë

Ligjin e veprimit dhe kundëveprimit

Ligji i forcës

Njutoni formuloi ligjet e lëvizjes dhe të gravitetit universal që dominoi pikëpamjen e shkencëtarëve të universit fizik.

Ai ka ndërtuar teleskopin e parë praktik reflektues dhe zhvilloi teorinë e ngjyrës në bazë të vëzhgimit se një prizëm zbërthen dritën e bardhë në shumë ngjyra të spektrit të dukshëm. Po ashtu ai ka zbuluar edhe një ligj empirik të ftohjes dhe ka studiuar shpejtësinë e zërit.

Ndërsa në fushën e matematikës, Njutoni në bashkëpunim me Gotfrid Lajbnicin kanë zbuluar njehsimin diferencial dhe integral. Ai gjithashtu e demonstroi  teoremën e binomit, dhe zhvilloi ‘metodën e Njutonit’ për gjetjen e zerove të një funksioni dhe kontribuoi në zbërthimin e funksioneve në seri potenciale të pafundme.

Së bashku me Gaussin dhe Arkimedin i takojnë ‘treshes së artë’ të matematikës.

Ai, ndër të tjera zbuloi se ndërmjet Tokës dhe Hënës vepron forca e gravitetit dhe se është njësoj me atë të Tokës. Forca e gravitetit vepron edhe ndërmjet Tokës dhe disa qindra satelitëve artificialë që sillen rreth saj.

Isak Njuton kishte lindur më  25 dhjetor 1642, në Woolsthorpe Manor, një fshat i vogël në qarkun e Lincolnshire./KultPlus.com

Ermonela Jaho-Kryeministrit Kurti: Nëse e ndërtoni Teatrin e Operas, premtoj se do lë aty një pjesë të zemrës time

Sopranoja shqiptare e njohur ndërkombëtarisht, Ermonela Jaho ka uruar Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti pas prezantimit të projektit fitues për ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit  të Kosovës, shkruan KultPlus.

Sopranoja e shquar Jaho ka premtuar se nëse do të bëhet realizimi i Teatrit të Operës dhe Baletit edhe ajo do të jetë pjesë e pashmangshme e tij.

“Urime për projektin z. Kryeministër. Le të punojmë që të realizohet sa më shpejt që të jetë e mundur. Arti nuk është opsional. Njeriu nuk ka nevojë vetëm për bukë. Ne jetojmë dhe arrijmë sublimen përmes Artit.

Në qoftë se do ta ndërtoni, unë premtoj se do jem aty të lë një pjesë të zemres time”, është shprehur sopranoja Jaho.

Sot është prezantur projekti fitues i ndërtimit të Teatrit të Operës dhe Baletit me vlerë 2 milionë e 450 mijë euro, i cili pasqyron siluetën e veshjes së xhubletës i ideuar nga arkitekti Bjarke Ingels. Ky projekt përmban katër auditoriume me kapacitet prej 300 deri në 1200 ulëse dhe zbatimi i tij pritet të fillojë në vitin 2026./ KultPlus.com

Presidenti amerikan, Woodrow Wilson, burrështetasi, të cilit i detyrohemi kaq shumë

Nga Albert Vataj

Woodrow Wilson fitoi zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara tri javë para se Shqipëria të shpallte pavarësinë në nëntor të vitit 1912. Por duhet të kalonin disa vjet para se refuzimi prej tij i planeve për ndarjen e Shqipërisë t’i siguronte ish-Presidentit amerikan një vend nderi në historinë shqiptare. Vizioni i presidentit Wilson për botën, roli i shqiptaro-amerikanëve dhe rrethanat historike kontribuan në vendimin që do të rikonfirmonte pavarësinë e Shqipërisë. Kur i hedh një vështrim botës së pas Luftës së Parë Botërore, në vitet 1919-1920, dhe vendimit të Woodrow Wilsonit për të mos lejuar copëtimin e Shqipërisë, nuk mund t’i shpëtosh mendimit se sikur rrjedha e ngjarjeve të kishte shkuar vetëm pak më ndryshe, harta e Shqipërisë nuk do të ishte kjo që njohim sot. Ndoshta  një pjesë e fatit të Shqipërisë u mbrujt kur presidenti Wilson paraqiti parimin e vetëvendosjes së popujve, që, sipas historianit Bernd Fischer, ishte ndër më të rëndësishmit në planin e tij  prej 14 pikash, sipas të cilit kufijtë nuk mundet të caktoheshin më mbi bazën e politikës së Fuqive të Mëdha.

Por mendoj se ai ishte gjithashtu i interesuar për të mirën e popujve më të vegjël në Europë, të cilët nuk ishin marrë parasysh në politikën e Fuqive të Mëdha. Pra, ishte një politikë vizionare përsa i takon botëkuptimit, por ishte edhe një shqetësim shumë konkret për popuj të caktuar dhe shqiptarët përfituan nga kjo.

Në dhjetor të vitit 1918 presidenti Wilson u nis për në Europë ku  kaloi pjesën më të madhe të gjashtë muajve të ardhshëm, i përfshirë në negociatat e Konferencës së Paqes në Paris. Negociatat për fatin e Shqipërisë kishin të bënin me synimet për kontrollin e Adriatikut. Territoret shqiptare ishin copëtuar një herë nga Fuqitë e Mëdha në vitin 1913. Por synimet e fqinjëve nuk ishin ndalur aty. Shqipëria, nëse do të kishte qenë në dorën e Italisë dhe Jugosllavisë, që mbështeteshin nga Britania dhe Franca, me siguri që do të ishte ndarë në bazë të Traktatit të Fshehtë të Londrës, që italianët e negociuan në vitin 1915.

Preambula e filozofisë së fshehtë shfaqet më 29 mars 1915, ministri i Punëve të Jashtme të Italisë, baroni Sonnino, i paraqiti kolegut të tij britanik, Edward Grey-t, një memorandum që përmbante planin italian për copëtimin e Shqipërisë. Duke qenë se ky plan në vija të përgjithshme pajtohej më atë të Rusisë, Franca dhe Britania nuk patën arsye për ta kundërshtuar. Kësisoj platforma e bisedimeve për arritjen e marrëveshjes midis Italisë dhe Antantës ishte krijuar.

Bisedimet zgjatën disa javë, por më në fund marrëveshja u arrit, dhe traktati i fshehtë i Londrës, që përmbante copëtimin e Shqipërisë , u nënshkrua nga Italia dhe fuqitë e Antantës më 26 prill 1915. Pikat nyje të traktatit që arritën të cenonin territorin shqiptar përmblidheshin në nenin 6, i cili përcakton të drejtën e Italisë për të marrë sovranitetin e plotë mbi qytetin e Vlorës dhe distriktin e saj, mbi ishullin e Sazanit dhe një territor të gjerë për të siguruar mbrojtjen e këtyre pikave, që nga Vjosa në veri dhe në lindje dhe afërsisht gjer në kufirin verior të Himarës, në jug. Ndërsa nenin 7 niste me idenë se, nëse pjesa qendrore e Shqipërisë rezervohet për të formuar një shtet të vogël autonom të neutralizuar, ajo nuk do të kishte kundërshtim, për pjesët veriore dhe jugore, të cilat mund të ndaheshin midis Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë, nëse për këtë paqëtohet edhe Franca, Britania dhe Rusia. Italia do të ngarkohet të përfaqësoj Shqipërinë në marrëdhëniet e saj më politikën e jashtme. Përfaqësuesit e tre fuqive të Antantës e pranuan traktatin dhe u morën vesh që kjo marrëveshje të mbahet e fshehtë, e cila sanksionohej nëpërmjet nenit 16. Një muaj pas nënshkrimit të marrëveshjes, ashtu siç e kishte përcaktuar neni 2, Italia i shpallte luftë Austro-Hungarisë dhe Gjermanisë. Në bazë të kërkesës së ish–kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm të Jugosllavisë Milan Stojadinovic, shkrimtari serb Ivica Andric, që më vonë fitoi çmimin Nobel për Letërsi, kishte bërë një program për ndarjen e Shqipërisë. Programi ishte hartuar në vitet 1937-1939 derisa Andriq kishte qenë përfaqësues i MPJ-së së asaj kohe. Pas rënies së Stojadinoviqit, Andriq u bë ministër i Punëve të Jashtme i Jugosllavisë. Por çfarë vërente politika shqiptare e kohës e viteve 1920: së pari, ashtu si ishte zbatuar edhe për Poloninë, Trentinon, Alzasën e Lorenën, të shfuqizoheshin klauzolat e Traktatit të Fshehtë të Londrës të 26 prillit 1915, që kishin të bënin me Shqipërinë, të përcaktoheshin kufijtë e Shqipërisë dhe vendeve të tjera ballkanike në bazë të parimit etnik.

Fuqitë europiane donin të vazhdonin diplomacinë tradicionale. Presidenti Wilson e hodhi poshtë idenë e aleancave sekrete në diskutimet e tij në Paris. Një nga këto marrëveshje të fshehta ishte e ashtuquajtura Tittoni-Venizelos, e vitit 1919, kur Italia dhe Greqia kishin rënë dakord për marrjen e pjesëve të Shqipërisë. ”Disa nga Fuqitë e Mëdha kishin rënë dakord fshehtas, pa dijeninë apo angazhimin e Shteteve të Bashkuara, që ta ndanin Shqipërinë dhe presidenti Wilson kur e mori vesh një gjë të tillë tha se nuk do ta mbështeste”, thotë Robert Enholm, drejtor Ekzekutiv i Shtëpisë së Woodrow Wilsonit në Uashington, ku ish-Presidenti kaloi vitet pas largimit nga posti. Për historianin Nikolla Pano, rreziku që i kanosej Shqipërisë ishte synimi i fqinjëve, por edhe dobësia e qeverisjes së vendit. Profesor Pano thotë se në fillim të negociatave presidenti Wilson kishte prirjen të bënte disa lëshime. Por ajo që filloi ta bënte Wilsonin të mbështeste gjithnjë e më shumë Shqipërinë, ishte fakti që Greqia dhe sidomos Italia u bënë gjithnjë e më kërkuese. Më 9 dhjetor 1919 Franca dhe Anglia – pa praninë e Shteteve të Bashkuara – arritën një marrëveshje që i jepte Italisë mandatin ta shkëpuste Vlorën dhe që Greqia të merrte territorin përreth Gjirokastrës, por jo Korçën. Profesor Pano thotë se presidenti Wilson u befasua që italianët dhe grekët ishin të pakënaqur dhe donin më shumë pjesë territori nga Shqipëria dhe kur u ngrit pyetja e kufijve veriorë, ai u zhgënjye plotësisht, duke kuptuar se ajo që po propozohej do të sillte zhdukjen e Shqipërisë. Më 6 mars, presidenti Wilson me forcë i hodhi poshtë këto kërkesa dhe nga këndvështrimi i tij çështja e Shqipërisë nuk ishte e hapur për diskutim dhe fati i Shqipërisë do të përcaktohej në një sërë takimesh pas Konferencës së Paqes. Meqë amerikanët luajtën një rol të rëndësishëm në fazat e fundit të luftës, fjala e Woodrow Wilsonit kishte peshë të madhe. Shtetet e Bashkuara nuk e kishin njohur shumë Shqipërinë, para një misioni për mbledhje faktesh në vitin 1914 nga ministri amerikan në Greqi, George Frederick Williams. Por historianët bien dakord se kishte edhe një faktor tjetër thelbësor në qëndrimin amerikan.

Faktori tjetër që duhet mbajtur parasysh në fillimin e skenarit të mbrojtjes së Shqipërisë, është roli i diasporës shqiptare, sidomos asaj në Shtetet e Bashkuara dhe udhëheqësit e saj, si Faik Konica e sidomos Fan Noli. Faik Konica ishte jashtë vendit gjatë pjesës më të madhe të luftës, por Fan Noli ishte në këtë kohë në Shtetet e Bashkuara, po ashtu edhe njerëz të tjerë të njohur, si Kostë Çekrezi dhe Kristo Dako. Pano thotë se shqiptarët ndërmorën një fushatë masive propagande për ruajtjen e pavarësisë së Shqipërisë dhe tërësisë së saj territoriale. Dy ditë pas qëndrimit të shprehur nga Amerika në vitin 1920, gazeta ‘Dielli’ vlerësoi rolin e Shteteve të Bashkuara dhe Kostë Çekrezi e bëri të qartë që Shtetet e Bashkuara e kishin shpëtuar Shqipërinë, në një intervistë në gazetën New York Times. Më pas atë vit Shqipëria u bë anëtare e Lidhjes së Kombeve.

***

Woodrow Wilson ishte presidenti i 28-të i Shteteve të Bashkuara. Ai shërbeu për dy mandate, nga viti 1913 deri në vitin 1921. Ai udhëhoqi Amerikën gjatë ‘Luftës së Parë Botërore’ dhe luajti një rol të madh në përfundimin e ‘Traktatit të Versajës’. Ai ishte gjithashtu i rëndësishëm në formimin e ‘Lidhjes së Kombeve’, e cila shërbeu si pararendëse e ‘Organizatës së Kombeve të Bashkuara’. Për rolin e tij kryesor në formimin e ‘Lidhjes së Kombeve’, Wilson iu dha ‘Çmimi Nobel i Paqes’ në vitin 1919. I lindur në një familje të devotshme presbiteriane, Wilson kishte një rekord të zakonshëm akademik në shkollë dhe ishte i prekur nga disleksia. Por ai i kapërceu problemet e tij dhe u bë një dijetar i përkushtuar. Ai vazhdoi studimet për drejtësi dhe fitoi doktoraturën në shkenca politike dhe histori. Ai filloi të jepte mësim në ‘Princeton University’ në 1890 dhe shërbeu si president i ‘Princeton University’ nga viti 1902 deri në 1910. Ai hyri në politikë në vitin 1910, duke u bërë guvernator i Nju Xhersit me biletën e Partisë Demokratike. Wilson u zgjodh si kandidat presidencial i Partisë Demokratike për zgjedhjet e vitit 1912 dhe ai i fitoi zgjedhjet mjaft lehtë. Kur shpërtheu ‘Lufta e Parë Botërore’, ai fillimisht adoptoi politikën e neutralitetit, por më vonë u detyrua të hynte në luftë për shkak të përplasjes së pakufizuar të nëndetëseve të Gjermanisë. Si president, ai ndërmori disa reforma progresive. Ai mbështeti Amendamentin e 19-të, duke i lejuar gratë të votojnë. Për udhëheqjen e tij të aftë, Woodrow Wilson renditet në mesin e dhjetë presidentëve më të mirë të SHBA.

Woodrow Wilson vdiq më 3 shkurt 1924, në moshën 67-vjeçare.

Trupi i tij u varros në një sarkofag në “Katedralen Kombëtare të Uashingtonit”. Ai është i vetmi president trupi i të cilit u varros në kryeqytetin e vendit./ KultPlus.com

EU4Culture në fazën përfundimtare, rritje e vlerës së siteve të trashëgimisë kulturore

Mbledhja e shtatë e Komitetit Drejtues të programit EU4Culture mblodhi së bashku përfaqësues të lartë nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri dhe UNOPS-it.

Në këtë takim u diskutuan çështje kyçe dhe u dakordësuan hapat e ardhshëm, teksa programi EU4Culture hyn në fazën e tij përfundimtare.

Takimi u hap me fjalë përshëndetëse nga Silvio Gonzato, ambasador i BE-së në Shqipëri;  Lira Pipa, zëvendësministre e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Sabine Kania, drejtuese e Zyrës së UNOPS për Shqipërinë dhe Kosovën.

Komiteti vlerësoi arritjet kryesore të programit, duke përfshirë progresin e restaurimeve, krijimin e produkteve multimediale dhe zbatimin e komponentit të granteve.

Ndërsa diskutimet vazhduan duke u fokusuar në aktivitetet e mbetura të programit EU4Culture, siç janë restaurimi dhe rigjallërimi i siteve të trashëgimisë kulturore, duke përfshirë Muzeun Historik Kombëtar, Muzeun Arkeologjik të Durrësit, Kalanë e Bashtovës dhe Muzeun Etnografik të Durrësit.

Gjithashtu, anëtarët e Komitetit Drejtues ranë dakord mbi rëndësinë e ruajtjes e rritjes së vlerës së siteve përtej kohëzgjatjes së programit si dhe mbi hapat e mëtejshëm për të siguruar progres të qëndrueshëm në muajt në vazhdim. /atsh/ KultPlus.com

Drejtori Ferizi pas prezantimit të projektit për Teatrin e Operës dhe Baletit: T’a gëzojnë dinjitetshëm artistët e së ardhmes

Drejtori i Operës së Kosovës, Meriton Ferizi, pas prezantimit të projektit fitues për ndërtimin e Teatrit, Operës dhe Baletit  të Kosovës ka thënë se 3 shkurti paraqet një ditë historike e cila do t’i jap jetë ëndrrave të artistëve të gjeneratave të ndryshme.

Drejtori Ferizi përmes një shkrimi në rrjetin social “Facebook”, objektin e katër institucioneve qëndrore elitare të shtetit e ka cilësuar si pasuri kombëtare, në të cilin dinjitetshëm do të paraqiten artistët e së ardhmes.

“Një ditë historike, shprese dhe ëndërr e shumë gjeneratave artistësh dhe artdashësish për shumë dekada, ku sot u bë prezantimi i projektit ideor fitues të TOB-it, për katër institucionet qëndrore e elitare të shtetit si: Opera e Kosovës, Baleti Kombëtar i Kosovës – The National Ballet of Kosova, Filharmonia e Kosovës dhe Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe i Valleve “Shota”.

Shpresojmë dhe besojmë të realizohet e jetësohet sa më shpejt dhe me profesionalizëm ky aset kombëtar, simbol i Kryeqytetit e Kosovës, dhe t’a gëzojnë dinjitetshëm artistët e së ardhmes”, ka thënë Drejtori Ferizi.

Projekti fitues i ndërtimit të Teatrit, Operës dhe Baletit me vlerë 2 milionë e 450 mijë euro, i cili pasqyron siluetën e veshjes së xhubletës është ideuar nga arkitekti Bjarke Ingels, dhe përmban katër auditoriume me kapacitet prej 300 deri në 1200 ulëse. Ky objekt pritet të përfundojë për 15 muaj, ndërsa zbatimi fillon në vitin 2026./ KultPlus.com

Botohet libri ‘Lufta e Drenicës dhe Shaban Polluzha’ i autorit Muhamet Mjeku

Botimet REA këto ditë botoi librin “Lufta e Drenicës dhe Shaban Polluzha”, i shkruar nga publicisti i njohur Muhamet Mjeku, mbështetur nga biznesmeni, Harry Bajraktari, veprimtar i njohur i komunitetit shqiptaro-amerikan.

Siç thuhet, në parathënie “botimi i vitit 1991 u shtyp në 10.000 ekzemplarë në një kohë të rrezikshme kur okupatori fashist serb, mbylli të gjitha mediet në gjuhën shqipe dhe institucione të tjera shtetërore në Kosovë”.

Botimi i dytë është i plotësuar me të dhëna të reja për Luftën e Drenicës dhe për figurën e Shaban Polluzhës dhe bashkëluftëtarëve të tij. Gjithsesi, janë me interes rrëfimet autentike të dëshmitarëve të shumtë, të cilët i shpalosin kujtimet e tyre, si dhe kërkimet sistematike të autorit për të zbuluar dokumente të rëndësishme që ndërlidhen me këtë periudhë.

Libri “Lufta e Drenicës dhe Shaban Polluzha” me gjithsej 300 faqe është një monografi historike dhe dokumentare për Drenicën në periudhën e viteve dyzet të shekullit të kaluar.

Gjithashtu në këtë libër bëhet fjalë për personalitete të tjera që lidhen me veprimtarinë atdhetare të Shaban Polluzhës dhe Luftën e Drenicës, në periudha dhe kohë të ndryshme, si: Ymer Berisha, Marie Shllaku, Sadik Lutani, Hysen Lutani, Isuf Gjilani, Ukë Sadiku, Hazir Gjaka, Mulla Ilaz Broja, Ndue Përlleshi, Nuhi Gashi, Feriz Boja etj.

Muhamet Mjeku ka një përvojë krijuese të dëshmuar në fushën e gazetarisë, duke filluar në gazetën “Rilindja, por edhe në realizimin e shumë emisioneve dokumentare në mediet e Kosovës”, sidomos në Televizionin e Prishtinës. Për më tepër, Mjeku pos që ka botuar mjaft artikuj publicistikë dhe fejtone me karakter politik-historik në gazeta shqiptare në Kosovë, kontributi i tij i pakursyer është dëshmuar edhe me botimin e gazetës “Illyria” në New York.

Muhamet Mjeku deri më tani ka botuar këto vepra: “Lufta e Drenicës dhe Shaban Polluzha” (1991, botimi i dytë i plotësuar 2024), “Vdekja në Bunker” (1996), “Shqiptarët 120 vjet pas Lidhjes së Prizrenit” (1997), “Pse sulmohet Drenica” (1998),”Një copëz Shqipëri në Manhattan”(2001), “Kosova në dimrin e vitit 1945” (2003), “Një jetë në mes Kosovës dhe Amerikës” (2008), “Familja Mjeku, rrugëtimi historik” (2019), “Nga larg dhe afër” (2023).

Librin “Lufta e Drenicës dhe Shaban Polluzha”, të Muhamet Mjekut, mund ta gjeni në libraritë “Artini” dhe “Dukagjini” në Prishtinë./ KultPlus.com

Kryeministri Kurti i drejtohet me letër përfaqësueses Kallas për viktimat e 3 dhe 4 shkurtit të veriut të Mitrovicës: Kërkojmë hetim të plotë për të ndjekur penalisht përgjegjësit e krimeve

Në 25-të vjetorin e ngjarjeve tragjike të natës mes 3 dhe 4 shkurtit 2000 në veri të Mitrovicës, Kryeministri Albin Kurti i ka drejtuar një letër përfaqësueses së lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, znj.Kaja Kallas, duke kërkuar hetim të plotë dhe gjithëpërfshirës për të identifikuar dhe ndjekur penalisht përgjegjësit e këtyre krimeve.

Kryeministri Kurti ka thënë se drejtësia për viktimat dhe familjet e tyre është detyrim moral dhe hap i domosdoshëm drejt paqes së qëndrueshme në Republikën e Kosovës dhe në rajon.

Në një sulm të koordinuar nga grupe të armatosura të Serbisë, janë vrarë 10 qytetarë shqiptarë, përfshirë fëmijë, gra dhe të moshuar, dhe u plagosën 25 të tjerë. Kurse janë dëbuar me dhunë nga shtëpitë e tyre 1.664 familje shqiptare, rreth 12.000 qytetarë të Mitrovicës.

“Pas një çerek shekulli, disa prej të dëbuarve po kthehen në shtëpitë e tyre. Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar të sigurojë që të gjithë ata që dëshirojnë, të kthehen në mënyrë të sigurt dhe në shtëpitë e tyre të rindërtuara.

Por shumë ende nuk janë kthyer, ndërsa autorët e këtyre krimeve të rënda nuk janë përballur ende me drejtësinë”, ka thënë Kryeministri Kurti.

Nelson Algren – Simone de Beauvoir: Një histori dashurie me 300 letra

Një të premte në mbrëmje, një të premte si sot, Nelson Algren hyn në barin “EL” bri lumit Çikago. Shquan me sy një sallë pritje ku shkruan “El Petit Cafe” dhe zë vend në një tavolinë bosh, duke menduar me bezdi nëse duhej ta kërkonte gruan franceze apo jo. Një orë më parë, ai po gatuante darkën kur kishte rënë telefoni dhe nga ana tjetër, dëgjonte një zë gruaje, me një anglishte me theks frëng. E kishte mbyllur tri herë telefonin më herët, derisa zëri iu lut ta dëgjonte. Ju kujtuan sërish frazat prezantuese të gruas parisiene, kur dalloi siluetën e saj, pallton e bardhë, flokët e mbledhur, e shallin jeshil. Dy orë më vonë, ata po shëtisnin të dy bri lumit Çikago ndërsa 2 orë pas mesnate ata shkonin drejt shtëpisë së tij. Hoteli për Simonën qe fort i trishtë, ndërsa Algreni ishte për të shembulli i vetmisë së madhe intelektuale në të cilën shkrimtarët amerikanë jetonin.

***

“Ne nuk do të kalojmë 30 vjet pa u parë, apo jo? Jo. Nuk do kalojmë”. Më 1954, Simone de Beauvoir i shkruante Nelson Algrenit nga Parisi me dyshimin e trishtë nëse ata do të takoheshin një ditë. Ngjante se ata nuk do të takoheshin kurrë më, pos në letra. “I burgosuri i Amerikës”, siç nënshkruhej Nelsoni dhe mbajtësja e brengave të tij, qenë takuar për herë të parë më 1947. Kishte qenë dashuri me shikim të parë dhe 8 vjet më vonë ajo i fliste edhe për vdekjen “Dua të fle në varr me ty dhe të shpresojmë se do të pimë skoç bashkë! Zemrën e kam plot me ty, Nelson”.

Asaj nuk i pëlqente të mblidhte brenga, por brengat e tij kishin shumë rëndësi për të dhe ishte shumë domethënëse që ia tregonte asaj. “E di, i thoshte Simona, – që ke brenga në lidhje me mua, ashtu si unë për ty, sepse ti do të mbetesh gjithmonë pranë zemrës sime. Do të doja të mblidhja brengat e tua gjithë jetën time. Por, kjo nuk të ndihmon, as unë, askush nuk të ndihmon dot. Është histori e trishtë”.

Marrëdhënia e tyre pasionante zgjati njëzet vjet dhe u shtri në katër kontinente. Parisi, Londra, Algjeri, Vjena, Venecia, Spanja, Zvicra, Medina, Marseja dhe Kina, janë vendet nga ku nisen a shkruhen letrat e Simonës që udhëtojnë mandej drejt Amerikës, ku Algreni jetonte. I tregojnë çdo gjë njëri-tjetrit, si të ishin takuar veçse dje. Flasin për veprat që po shkruajnë dhe e nxisin shkrimtarin matanë oqeanit, për libra të rinj. Letrat mes tyre flasin edhe për debatet intelektuale të kohës, çështjet e lirisë, bindjet politike dhe letërsinë e mirë. Në një prej letrave, Simona i rrëfente atij mes të tjerash se historinë e tyre të dashurisë e kishte përdorur në një nga veprat e saj, “American love story”, duke i thënë se “për ta bërë sa më origjinale një dashuri midis një burri që ngjan me ty dhe një gruaje që ngjan me mua, i shtova pak nga jona”.

Botimi “Një dashuri transatlantike” nga “Shtëpia e librit” me përkthimin e Alda Bardhylit, përmbledh më shumë se 300 letra dashurie, të shkruara nga De Beauvoir-i për Algrenin, duke krijuar kështu një pikëtakim unik midis kujtimeve personale të dy shkrimtarëve dhe historisë së botës intelektuale të krahut të majtë në Parisin e pasluftës. Të shkruara ndërsa ajo punonte për librat: “Les Mandarines”, “Amerika ditë pas dite” dhe “Seksi i dytë”, letrat përcjellin prapaskenat e këtyre veprave klasike, ndërsa i japin formë portretit të pazakontë të ‘Simonës së Dytë’. Ne që patëm njohur veprat e shkrimtarëve, përmes këtyre letrave njohim zemrën e tyre të brishtë, fundet e palumtura e dashuritë e pamundura. Mbase me to, edhe shtratin e një letërsie të mirë që ngjizej në jetë të palumtura, bri lumit Çikago e në pritje të një vize.

LARG DHE AFËR

Mes mallit dhe problemeve të jetës së përditshme, dyshja intelektuale kishte një marrëdhënie krejt të hapur e të qartë. Në shkurtin e 1954-ës, Simona pranonte së kishte kohë që nuk i fliste për jetën e saj sepse “ashtu siç thua ti, të thuash të vërtetën është gjithnjë e vështirë. Po, na duhen shëtitje të gjata përgjatë Senës dhe lumenjve të rinj, për të treguar gjithçka në mënyrën e duhur. Por, do ta provoj ashtu siç bëre ti. Në fakt, ‘magjia’ ka kaluar tashmë. Ka qenë, por nuk do të jetë më. Së pari, ose mbase së dyti, nuk ka rëndësi, sepse po mplakem dhe bota rreth meje po bëhet gjithnjë e më e pranishme tek unë dhe nuk ka shumë magji. Në fakt, pastaj dhe kryesisht sepse me siguri që nuk mundem dhe nuk dashuroj dot më ashtu si të kam dashur ty. Diçka ka marrë fund, përgjithmonë”.

Ritmi i letrave është i ndryshëm, humori i të dyve po ashtu. Me një oqean në mes, raporti i tyre bëhej i vështirë. Ata nuk e dinin se çfarë u sillte e nesërmja. “E sheh sa ndryshe është kur e mbaroj librin: të përgjigjem sapo marr letrën tënde!”, shkruan Simona. Pranon se i shkaktoi brengë në zemër kur i tha: “javët pa letra janë të gjata”. Gruaja me shallin jeshil i premtonte se “mes nesh nuk mundet e nuk do të humbasë kurrë. Ajo është dhe do ta mbaj gjithnjë në zemër, ashtu si ti”.

A ËSHTË KY FUNDI?

Qe një farë kohe në mesin e viteve 1950, kur Algreni ndihej i humbur dhe i pafuqishëm dhe ngjante se do prekte fundin. Botuesi, divorci, e ardhmja, pamundësia ekonomik e kishin vënë përfund. I dukej se e kishte humbur forcën nxitëse, shkëndijën që ndizte dëshirën për të shkruar dhe për të gjithë qenien e tij. Kuptoi edhe se po humbiste Simonën përgjithmonë dhe në këtë gjendje të tmerrshme shpirtërore, nuk kishte frikë të pranonte se e merrte malli tmerrësisht. Ditët më të mira të tij i kishte kaluar me të. Pse e kishte lënë të ikte aq larg? “Brengat dhe ndjenja e humbjes nuk kanë ndonjë domethënie të madhe, i shkruan Simona. “Duan vetëm të thonë se ndjenjat duhet t’i shkëputje në mënyrë të panatyrshme, sepse nuk kishin vdekur ende brenda teje. Dhe tani do ta kenë të vështirë të vdesin, sepse do të mbeten diçka nga e kaluara, diçka që nuk është jetuar deri në fund. Besoj se idenë e humbjes dhe mallin për të kaluarën do t’i ruash për një kohë të gjatë – mbase më gjatë se sa do të kishte zgjatur dashuria në zemrën tënde, sikur ta kishte përmbushur veten. Mundohu të mendosh edhe në këtë mënyrë; është e vërtetë, edhe pse e hidhur”, e këshillon ajo Simona.

Muajt kalojnë dhe ata janë sërish larg. Më 31 dhjetor 1953, letra e saj e fundit shkëmbehet me të tijën. Ai dukej pak i inatosur me të, ndërsa ajo ndihej fajtore kur Nelsoni i thoshte se po bëhej një lloj fantazme. “Tani nuk më pëlqen të shkruaj letra dhe nuk do të thotë se kam zemër prej fantazme, kurrsesi”, shkruan ajo.

Mandej, pak radhë më vonë, shton. “I dashur, ti bën një pyetje, që ndonjëherë ia drejtoj vetes pak me frikë: kur do të shihemi sërish? Pa dyshim, do të jetë çuditshëm. Zbulova që miqësia nuk është aq e lehtë kur njerëzit e donin njëri-tjetrin aq sa ne. Ti jeton me dikë, po ashtu edhe unë dhe jam e sigurt që të dyve do të na duket e çuditshme. Sidoqoftë, unë jam e bindur se nuk do të dështojë. Do të jem thellësisht e lumtur të të shoh e të të dëgjoj përsëri. Gjithsesi, ta provojmë sa më shpejt; nuk kemi shumë për të humbur edhe një dështim nuk do të prishte asgjë, as në të shkuarën tonë, as midis nesh dhe kemi shumë për të fituar. Prandaj, të lutem i dashur, mos më mbaj më inat! Të jesh i sigurt që nuk jam fantazmë”.

SËRISH E PREMTE

Ka shumë të premte mes Simonës dhe Nelsonit, veç të premtes së parë, kur u takuan në një bar buzë lumit. Të premten 25 korrik 1953, ajo rrëfen se letra e tij e fundit i ka shkaktuar brengë. “Kur mora letrat e tua të hënën, sidomos atë ku ndonjëherë thua se në mëngjes ndjen sikur te ty zë vend njëfarë vdekjeje – vdekje mes meje e teje, duke qenë larg e më larg, për një kohë tepër të gjatë – më shkaktoi brengë, jo ankesë, brengë e vërtetë”. Ajo kishte dalë për të pirë dhe kishte pirë dhe befas, kur në orën 2 të mëngjesit grupi i xhazit luajti një melodi amerikane që e dëgjuan të gjithë, asaj i shkaktoi të tillë brengë në zemër, sa hera e parë në jetë që gati e humbi vetëdijen. “I kam ruajtur të gjitha kujtimet tona dhe nuk i humbas kurrë, edhe ty të mbaj në zemër. Mes meje e teje nuk do të ketë vdekje kurrë”.

Kjo ishte dashuria e pamundur e dy njerëzve të lirë, që nëse do të ishin dashur ndryshe, mbase më shumë, mbase më me guxim, nuk do të ishte një dashuri veçse ne letra. Ata e mohuan dashurinë e tyre duke e pranuar me gjithë mangësitë e saj./ GazetaExpress/ KultPlus.com

‘Grammy’ pas vdekjes për Jimmy Carter për fjalimet fetare

Ish-presidenti amerikan, Jimmy Carter ka marrë një çmim ”Grammy” pas vdekjes – i katërti – për versionin audio të një koleksioni të fjalimeve të tij të së dielave në komunitetin e tij fetar në Xhiorxhia.

Presidenti demokrat vdiq në moshën 100-vjeçare më 29 dhjetor, por në gusht ai botoi “Të dielat e fundit në Plains: Një festë 100-vjeçare”, një libër për dashurinë, mirësinë, faljen dhe jetën e përtejme në Kishën Baptiste në Maranatha në Plains, vendlindja e tij.

Jason Carter, një nga nipërit e tij, mori pjesë në ceremoninë gala’ në Los Anxheles për të marrë çmimin në emër të ish-presidentit./atsh/ KultPlus.com

Kërcimtarët vdesin dy herë/ Balerina e ‘Liqenit të Mjellmave’ rrëfen fundin e karrierës

Kërcimtarët vdesin dy herë, dhe hera e parë është kur pushojnë së kërcyeri. Vetëm ata që e kanë provuar, e kuptojnë këtë ndjesi.

Këto janë emocione që balerinët i përshkruajnë mes njëri-tjetrit kur vjen fjala për këtë pasion, që siç thonë është në shumicën e rasteve një talent me të cilin lind.

Një nga më të njohurat, Lauren Cuthbertson e mbështet fuqimisht këtë teori.

Por siç shprehet në një intervistë për ndjekësit e saj, sportistët si në rastin e balerinëve por edhe sporteve të tjera kanë një kohë të caktuar ku karriera e tyre për shkak të moshës detyrimisht mbaron.

“Më dukej si fati im. Unë jam në skenë që në moshën katër vjeçare. Vajza ime Peggy nuk do që unë të ndaloj së kërcyeri. Por nuk e shoh si një gjë të trishtueshme ndërprerjen graduale të performancës, ndoshta sepse jam ende duke kërcyer,” shprehet ajo.

Ajo ka kërcyer role kryesore në të gjitha baletet e mëdha klasike, duke përfshirë Liqenin e Mjellmave dhe Bukuroshja e Fjetur, ka interpretuar në vepra të Kenneth MacMillan dhe Frederick Ashton./oranews/ KultPlus.com

‘Pact of Free Cities’, më 5 shkurt Tirana do të mirëpresë një prej ngjarjeve më të rëndësishme ndërkombëtare të vitit

Tirana do të mirëpresë më 5 shkurt një prej ngjarjeve më të rëndësishme ndërkombëtare të vitit: Pact of Free Cities (Pakti i Qyteteve të Lira). Ky rrjet global qytetesh, i themeluar nga kryebashkiakët e kryeqyteteve të Vishegradit ka si mision mbrojtjen e demokracisë, lirisë dhe vlerave progresive.

Tirana do të presë jo vetëm kryebashkiakët më të rëndësishëm në botë si Anne Hidalgo e Parisit apo Jaume Collboni Cuadrado i Barcelonës, por do të firmoset edhe një deklaratë e përbashkët për angazhimet e reja. Do të ketë dhe disa panele diskutimi ku kryetarët e bashkive do të prekin tema si siguria e qyteteve në kohë krizash, qëndrueshmërinë e qyteteve dhe migracionin. I pranishëm pritet të jetë edhe kryeministri Edi Rama.

Në këtë rrjet bëjnë pjesë metropole të mëdha si: Athina, Amsterdami, Barcelona, Budapesti, Berlini, Bratislava, Brukseli, Firence, Frankfurti, Gdansk, Hamburgu, Kievi, Lisbona, Lviv, Ljubljana, Londra, Los Angeles, Mannheim, Milano, Mynihu, Parisi, Podgorica, Praga, Rijeka, Riga, Roma, Stuttgarti, Taipei, Taoyuan, Timisoara, Tirana, Ulm, Neu-Ulm, Vjena, Vilnius, Varshava, Zagrebi, Sofja, Reykjavik, Kharkiv, si dhe Association of German Cities.

Ky samit vjen në një moment kur qytetet po kthehen në qendra të rëndësishme të politikave progresive dhe po pozicionohen si zgjidhës të problemeve globale përballë ngurrimit ose ngadalësisë së qeverive kombëtare. “Pact of Free Cities” synon të forcojë bashkëpunimin mes qyteteve, të ndajë praktikat më të mira dhe të sigurojë fonde direkte nga BE-ja për zhvillimin urban.

Me organizimin e këtij eventi, Tirana forcon rolin e saj si një aktor i rëndësishëm në arenën ndërkombëtare, duke u rreshtuar krah qyteteve që mbështesin një shoqëri të hapur, të lirë dhe të barabartë./atsh/ KultPlus.com

Prezantohet projekti fitues për ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit, Ministri Çeku: Kryevepër arkitektonike që lartëson kryeqytetin

Sot, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka prezantuar projektin fitues për ndërtimin e Teatrit, Operës dhe Baletit  të Kosovës, shkruan KultPlus.

Projekti fitues i ndërtimit të Teatrit, Operës dhe Baletit me vlerë 2 milionë e 450 mijë euro, i cili pasqyron siluetën e veshjes së xhubletës është ideuar nga arkitekti Bjarke Ingels, dhe përmban katër auditoriume me kapacitet prej 300 deri në 1200 ulëse.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku  në ceremoninë e nënshkrimit të projektit fitues për Teatrin e Operës dhe Baletit ka thënë se kjo ditë shënon një ditë historike për artin dhe kulturën në vend.

“Unë ndjehem jashtëzakonisht i nderuar dhe kam kënaqësinë të shpalos para jush një nga arritjet kulmore të Qeverisë së Republikës së Kosovës në vitet e fundit, prezantimin e projektit fitues të Teatrit, Operës dhe Baletit të Republikës së Kosovës, një kryevepër arkitektonike që lartëson kryeqytetin tonë, Prishtinën, në peisazhin global të Arkitekturës dhe të Kulturës. Kjo ndërtesë do të jetë shtëpia e të paktën katër institucioneve me rëndësi të veçantë në ekosistemin tonë kulturor dhe njëherit dëshmi e përkushtimit shtetëror për përkushtimin e kulturës në vendin tonë”, ka thënë Ministri Çeku.

Ai më tej ka shtuar se ky projekt vjen në një moment shumë të veçantë për institucionet e Kulturës, pikërisht në kohën kur po ndërmerren hapat e parë transformues që synim kanë ndëtimin e institucioneve të forta kulturore me kapacitete të fuqizuara njerëzore, e me programe artistike në linjë me trendet bashkëkohore.

“Teatri do të përmbajë katër auditoriume me kapacitet nga 300 deri në 1200 ulëse, ndërsa në spektrin urban krijon një faqe të re spektaklare të qendrës së qytetit. Po ashtu do të ofroj parkingun nëntokësor në funksion të unazës së brendshme të qytetit me kapacitet me mbi 400 vendparkime. Ndërsa gjithashtu do të pasurojë brezin kulturor që bashkon qendrën e qytetit me lagjen Arbëria.

Ky është një hap shumë i rëndësishëm drejt të ardhmes së ndritur për fushën e kulturës me një vizion që do ta shëndrrojë Prishtinën në Qendër të Artit Skenik. Pres me padurim hapjen e parë të perdeve të këtij teatri për të shënuar dekada të rezistencës dhe përkushtimin e pakompromis për të shkëlqyer e shërbyer audiencës së vendit tonë. Urime të gjithëve dhe suksese në këtë rrugëtim sfidues por edhe shumë të veçantë për të gjithë ne” ka thënë Ministri Çeku.

Ndërsa Arkitekti, Bjarke Ingels derisa prezantoi projektin në detaje, ka thënë se ndihet i nderuar që i është besuar krijimi i këtij projekti me rëndësi të madhe për artin e Kosovës.

“Jam shumë i nderuar që më është besuar përgjegjësia që t’i jap formë të ardhmes së artit në Kosovë. Në fakt Kosova dhe shqiptarët e Kosovës janë njerëz që kanë ndikim të madh kulturor në artet perfomuese, shumë përtej kufinjve të vendit të tyre. Në fakt nuk është hera e parë që punoj për shqiptarët e Kosovës”, ka thënë ai.

Sfidë për të ka qenë krijimi i një shenje dalluese për artet perfomuese në Prishtinë, ku ridefinohet identiteti kulturor i Kosovës, me qëllim të ngris praninë artit shqipar në skenën ndërkombëtare.

“Do të jetë e hapur me pamje të tillë, duke e paraqitur shëmbëlltyrën e xhubletës, veshjes kombëtare. Kemi shikuar një familje të xhubletave ta kombiojmë me pamjen e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në këtë ftesë, këtë thirrje të hapur. Xhubleta edhe ashtu ka një pamje shumë arkitektonike, me këto shtresa horizontale që paraqesin perimetrin duke krijuar këtë gjest elegant pa përpjekje fare. Kemi meduar se si mund të kombinojmë krijimin e një simboli të ri kombëtar me ndërtimin e shtëpisë për artet performuese të klasit botëror. Pra të jetë një shenjë dalluese akitektonike, por edhe të jetë një ambient vibrant përfshirës dhe në fund të jetë e rrënjosur në trashëgiminë arkitektonike me pamje të xhubletës të kombinuar me teknologji dhe inovacion”, ka thënë arkitekti Ingels.

Objekti i Teatrit të Operës dhe Baletit pritet të përfundojë për 15 muaj, ndërsa zbatimi fillon në vitin 2026./ KultPlus .com

Ritualet arbëreshe në Javën e Përkujtimit të të Vdekurve

Në rajonet arbëreshe të ritit greko-bizantin, sot përfundon Java e Përkujtimit të të Vdekurve.

Në vendet italo-shqiptare të ritit greko-bizantin, të vdekurit përkujtohen në fillim të pranverës, në muajin që grekët e lashtë e cilësojnë “Antesterione”. Referenca historike vjen prej festës së luleve që festohet në Athinë në nder të Dionisit (Anesterie).

Siç shprehet Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët, këto ditë janë “mes së shenjtës dhe profanes”, mes riteve fetare dhe traditave të jetës së përditshme. Kjo javë përkujtimore që këtë vit përkoi me datat 29 janar deri më 3 shkurt, paraqet karakteristikat e një feste popullore, gjatë së cilës të vdekurit gjenden mes të gjallëve.

E njohur në gjuhën arbëreshe edhe si Java e Prigatorëvet, kjo është një nga festat fetare më të rëndësishme për komunitetin italo-shqiptar në Itali dhe natyrisht edhe në Kalabri. E pasur me kuptime dhe tradita të lashta të ritit greko-bizantin, Java e Prigatorëvet është fjalë për fjalë koha e vitit kur të vdekurit mendohet të lënë varret e tyre për t’u kthyer dhe për të vizituar të gjallët.

Rituali fillon në agim, me fëmijët që trokasin shtëpi më shtëpi dhe thërrasin “Ndje Zot!” duke kërkuar bukë, vaj, grurë të zier dhe pak ushqim.

Më tej vazhdohet me liturgjinë fetare dhe kortezhin e shumëpritur me papët (priftërinjtë) drejt varrezave të fshatit për bekimin e varreve. Pikërisht këtu riti shqiptar përfshin një zakon shumë emocionues: ndarja e ushqimit me të ndjerin, gruri i zier dhe buka e gatuar në shtëpi dhe e bekuar më parë, që u ofrohet të pranishmëve si simbol i pavdekësisë së shpirtit dhe ringjalljes së trupit./atsh/ KultPlus.com

Nesër, në Ditën Botërore Kundër Kancerit BKK shfaq premierën ‘Hope’

Baleti Kombëtar i Kosovës, nesër në Ditën Botërore Kundër Kancerit jep premierë shfaqjen “HOPE”, shkruan KultPlus.

Sipas BKK “HOPE” është një udhëtim emocional që trajton sfidën më të madhe të jetës – përballjen me një sëmundje të rëndë dhe luftën për të ruajtur shpresën. Duke eksploruar kufijtë e forcës njerëzore, dashurisë dhe solidaritetit, baleti na fton të ndjekim një histori që fillon në një moment të brishtë dhe të pasigurt, por që përfundon me triumfin e shpirtit njerëzor.

“ Në terrin e frikës, një dritë lind ngadalë,
një shpirt që lëkundet, mes dhimbjes dhe mall.
E vetme qëndron, mes heshtjes së ftohtë,
por duar të ngrohta e ngritin sërish lart.
Mes dhimbjes dhe forcës, mes humbjes dhe shpresës,
një zemër që rreh, nuk dorëzohet lehtë.
Në dashuri gjen dritën e humbur,
në krahët e tjetrit, guximin e fshehur.
Dhe fundi sjell lulëzimin e saj,
një pemë që rritet nga loti dhe sharmi.
Sepse shpresa mbetet, s’ka frikë që e shuan,
në zemrat që duan, ajo kurrë s’fundoset “.

Premiera jepet më 04.02.2025, në Atelienë e Pallatit të Rinisë, në ora 19:30./ KultPlus.com

Shfaqjet në Teatrin Kombëtar javën e parë të shkurtit

Kjo javë e muajit shkurt do të sjellë në skenën e Teatrit Kombëtar (Tiranë) disa aktivitete. Përveç shfaqjeve teatrale, “ArTurbina” gjatë kësaj jave do të vihet në dispozicion edhe të një shfaqjeje të artistëve të Cirkut Kombëtar.

Komedia “Fundjava”, me regji nga Elma Dorezi është shkruar nga Norm Foster, do të rikthehet në Teatrin Kombëtar.

Gjatë një vizite në fundjavë mes dy çifteve, natyra e vërtetë e marrëdhënieve të tyre del në sipërfaqe ndërsa katër të ashtuquajturit “miqtë më të mirë” zbulojnë ngadalë se si ndihen vërtetë dhe çfarë mendojnë për njëri-tjetrin.

“Fundjava” është një ndërthurje e të qeshurës dhe të vërtetës, mashtrimit dhe surprizave, që e lë audiencën të hamendësojë dhe të qeshë deri në fjalën e fundit. Tek “Fundjava” interpretojnë: Helidon Fino, Monika Lubonja, Arjola Demiri, Klodian Hoxha. Komedia do të shfaqet nga data 6 deri më 9 shkurt.

Më 8 dhe 9 shkurt, orari i paradites në “ArTurbina” i është rezervuar publikut të Cirkut Kombëtar.

Ndërkohë që ka edhe një rikthim tjetër në skenën e TK të shfaqjes “Fausti”, me regji të Davide Iodice.

“Fausti” u shfaq edhe gjatë vitit 2024 dhe mori vlerësime. Regjisori italian Iodice veç regjisë së “Faustit”, ka marrë përsipër edhe përshtatjen, skenografinë e kostumet./atsh/ KultPlus.com

Mbi 4500 vizitorë në Qendrën Muzeore Krujë në janar, kryesojnë turistët nga Kina

Muaji janar i këtij viti shënoi një rritje prej më shumë se 28% të vizitorëve në Muzeun “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Drejtori i Muzeut Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe Muzeut Etnografik Krujë, Mehdi Hafizi tha për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se “gjatë janarit, 3994 vizitorë vizituan Muzeun ‘Gjergj Kastrioti Skënderbeu’ në Krujë”.

“Në total numri i vizitorëve në Qendrën Muzeore Krujë (Muzeu ‘Gjergj Kastrioti’ dhe Muzeu Etnografik Krujë) arriti në shifrën 4519 vizitorë”, tha Hafizi.

Sipas tij, numrin më të lartë të turistëve të huaj gjatë muajit janar 2025 e përbëjnë vizitorët nga Kina.

Një turiste nga Kina shprehet se “ne vijmë nga Kina dhe jemi 20 turistë. Qëndruam në Shqipëri dy ditë, ditën e parë vizituam kalanë e Rozafës dhe sheshin ‘Skënderbej’. Sot po vizitojmë këtë kala në Krujë. Jemi shumë të mahnitur me pamjen, kalanë, me gjithçka, dhe veçanërisht me historinë. Historia ishte shumë frymëzuese, inkurajuar nga Skënderbeu, i cili mori shumë fitore. Është një vend shumë i bukur për t’u vizituar”.

Kalaja e Krujës e ndërtuar në shekujt V-VI, së bashku me Muzeun Kombëtar që ndodhet brenda saj, përfaqëson një nga monumentet arkitekturore më të çmuara në Shqipëri.

Muzeu përkujton jetën dhe luftërat e heroit kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut. Ndërsa  Pazari karakteristik i Krujës është ndër më të njohurit në vend, me rrugicat e ngushta me kalldrëm, ku ofrohen punime artizanale tradicionale./atsh/KultPlus.com

‘Mos ma kujto’, një ndër poezitë më të bukura të Dritëro Agollit

Poezi nga Dritëro Agolli

E shkuara ka çaste dhe orë të hidhura, mos ma kujto
për shembull, më pe me duar të lidhura, mos ma kujto!

Për shembull, më pe në rruge të pire, mos ma kujto,
Të pirë e të humbur, të sharë e të grirë, mos ma kujto!

Për shembull, më rrahën dy-tre vagabondë, mos ma kujto,
Tek shihja një grerëz tek rrinte mbi gonxhe, mos ma kujto!

Për shembull, pësova diku një disfate, mos ma kujto,
Dhe gjumi s’më zinte me ditë e me natë, mos ma kujto!

Për shembull, më pe duke ecur e qarë, mos ma kujto,
Mbështetur pas murit me zemër të vrarë, mos ma kujto!

Për shembull, me pe duke ngrënë e genjyer, mos ma kujto,
Të prishur, të shturur, të rënë e të thyer, mos ma kujto!

Për shembull, në shtrat s’u bëra për burrë, mos ma kujto,
I turpshëm i drodha si qengj nën lëkurë, mos ma kujto!

E shkuara ka orë dhe çaste të hidhura, mos ma kujto,
Ka drojtje dhe heshtje kur lipsen të thirrura, mos ma kujto! / KultPlus.com