Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë në inaugurimin e tij se po i kthehet presidencës me optimizëm, dhe se bota po sheh dritë me rizgjedhjen e tij.
“Prioritet ynë kryesor do të jetë që të krijojmë një komb që është krenar, prosperitare dhe i lirë”, ka thënë Trumpi.
“Amerika së shpejti do të jetë më e mirë, më e fuqishme, dhe shumë më e jashtëzakonshme se që ka qenë ndonjëherë”.
“I kthehem presidencës me optimizëm dhe vetëbesim që jemi në një fillim të një epoke ngazëllyese kombëtare”.
“Një dallgë ndryshimin po e merr me vete vendin dhe drita e diellit po bie mbi krejt botën dhe Amerika e ka mundësinë që ta shfrytëzojë këtë rast si asnjëherë më parë, por fillimisht duhet të jemi të sinqertë sa u përket sfidave të cilat i kemi përballë, të cilat ndonëse janë shumë në numër, do të shkatërrohen nga ky momentum shumë i mirë të cilin tani po e sheh bota në Shtetet e Bashkuara”.
Në të gjithë Shqipërinë u zhvillua në 18-19 janar Censi Ndërkombëtar i Shpendëve Ujorë Dimërues, një ngjarje e rëndësishme për vlerësimin dhe monitorimin e popullatave të këtyre shpendëve gjatë dimrit.
Ky aktivitet madhor u realizua nga specialistë të Administratave Rajonale të Zonave të Mbrojtura, ekspertë ornitologë dhe vullnetarë, të cilët u vendosën në 34 pika të përcaktuara për numërimin e shpendëve, për të realizuar një studim të jashtëzakonshëm që ka përfshirë Shqipërinë për 32 vjet me radhë.
Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, Daniel Pirushi, theksoi për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se “ky census ka një rëndësi të jashtëzakonshme për menaxhimin dhe mbrojtjen e habitateve natyrore dhe biodiversitetit të Shqipërisë”.
Ajo sqaroi se realizimi i këtij censi është një proces i rregullt dhe i mirorganizuar, që ka përfshirë më shumë se 120 specialistë nga 12 Administrata të Zonave të Mbrojtura, duke siguruar një vlerësim të plotë të popullatave të shpendëve ujorë.
Censi i Shpendëve Ujorë Dimërues është një aktivitet shkencor që ndikon drejtpërdrejt në menaxhimin e qëndrueshëm të habitateve natyrore dhe kontribuon në ruajtjen e biodiversitetit të pasur të Shqipërisë.
Sipas Pirushit, çdo vit vërehet një rritje e numrit të shpendëve ujorë dimërorë, një përmirësim që është ndikuar pozitivisht edhe nga moratoriumi i gjuetisë, i cili ka krijuar kushte më të favorshme për shtimin e këtyre shpendëve dhe ka forcuar ekosistemet natyrore të vendit.
Për dy ditë, specialistët dhe ekspertët zhvilluan një monitorim të detajuar të popullatave të shpendëve në 34 vendnumërime, duke mbledhur të dhëna të rëndësishme për vlerësimin e situatës në nivel kombëtar. Të dhënat, të cilat janë ende në proces organizimi, pritet të bëhen publike brenda 7 deri në 10 ditë.
Drejtoresha Pirushi theksoi gjithashtu se këto shpendë, të cilët popullojnë habitatet e zonave të mbrojtura dhe të tjera habitate natyrore të Shqipërisë, jo vetëm që kontribuojnë në ruajtjen e ekosistemeve, por luajnë një rol të jashtëzakonshëm në mirëmbajtjen e ekuilibrave ekologjikë dhe përmirësimin e kushteve mjedisore në nivel kombëtar.
Censi Ndërkombëtar i Shpendëve Ujorë është pjesë e një programi global monitorimi që zhvillohet në 143 shtete të botës për të grumbulluar të dhëna mbi popullatën e shpendëve ujorë në zonat ligatinore.
Shqipëria është angazhuar në këtë nismë që prej vitit 1993 dhe ka kontribuar vazhdimisht në realizimin e censit që nga fillimi. Ky aktivitet ka një metodologji të detajuar që përfshin mbulimin e zonave gjeografike, vendnumërimet dhe poligonet e monitorimit, duke mundësuar një mbledhje shkencore të të dhënave mbi popullatën e shpendëve ujorë, e cila më pas vlerësohet në nivel ndërkombëtar.
Ky census, që është realizuar për herë të parë në vitin 1967, përbën një element kyç për menaxhimin e qëndrueshëm të zonave të mbrojtura dhe për forcimin e kapaciteteve të Shqipërisë në mbrojtjen e biodiversitetit të saj.
Ai kontribuon gjithashtu në bashkëpunimin ndërkombëtar për ruajtjen e shpendëve ujorë dhe mbrojtjen e mjedisit, duke siguruar një ekosistem të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm për brezat e ardhshëm.
Donald Trump u betua për herë të dytë si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ai po kthehet në Shtëpinë e Bardhë pas fitores bindëse në zgjedhje.
Presidenti Joe Biden dhe zonja e parë Jill Biden mirëpritën presidentin e zgjedhur Donald Trump dhe Melania Trump në Shtëpinë e Bardhë.
“Mirë se erdhët në shtëpi”, i tha Biden Trumpit.
Pas një takimi të shkurtër, ata shkuan së bashku në Kongres për ceremoninë e betimit.
Trump pritet të mblidhet me stafin dhe anëtarët e Kongresit në dhomën e Presidentit pranë dhomës së Senatit. Aty do t’i bëjë nominimet dhe do t’i nënshkruajë urdhrat e tij të parë ekzekutiv si president.
Ish-presidentët amerikanë, Barack Obama, Bill Clinton dhe George Bush kanë mbërritur në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të zgjedhur të ShBA-ve, Donald Trump.
Barack Obama u pa gruan e tij, Michelle. Javën e kaluar, zyra e saj konfirmoi se ajo nuk do të ishte e pranishme sot.
Ndërkohë, Bill Clinton dhe George Bush u panë të shoqëruar nga bashkëshortet e tyre, njofton Klankosova.tv.
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, në 90-vjetorin e lindjes ka përkujtuar pedagogun, kompozitorin e dirigjentin e shquar, Mark Kaçinari.
Ministri Çeku ka thënë se Kaçinari si kompozitor shquhet për përpunimin e këngëve popullore dhe përdorimin kreativ të motiveve të folklorit muzikor shqiptar në veprat e tij, dhe se këto vepra zënë vend të rëndësishëm në opusin e literaturës së muzikës klasike shqiptare.
“Kaçinari i përket brezit të parë të studentëve shqiptarë nga Kosova, të cilët kanë kryer Akademinë e Muzikës, për tu bërë më vonë ndër pedagogët e parë të Shkollës së Lartë Pedagogjike në Prishtinë, e më pas Dekan i Akademisë së Arteve të Prishtinës, ku dha kontribut të jashtëzakonshëm në edukim të brezave të tërë muzicientësh”, është shprehur Ministri Çeku.
Kaçinari drejtoi disa ansamble të shquara, veçanërisht ato korale, si Korin e SHKA “Agimi” në Prizren dhe Korin “Collegium Cantorum” në Prishtinë, të cilin e themeloi vetë, kor ky që arriti suksese të jashtëzakonshme.
“Krijimet e tij, si “Shamikuqja”, “Zogu i Ohrit” dhe “Bijtë e shqipes”, mbeten pjesë e çmuar e kulturës sonë muzikore. Kujtojmë dhe nderojmë kontributin e tij të pashlyeshëm, që frymëzon breza të tërë artistësh e dashamirësish të muzikës.
Lavdi veprës dhe trashëgimisë së tij”, është shprehur Ministri Çeku!/ KultPlus.com
Presidenti Joe Biden konfirmoi se ka lënë një letër në Zyrën Ovale për paraardhësin dhe pasardhësin e tij, presidentin e zgjedhur Donald Trump, raporton CNN.
I pyetur nga gazetarët jashtë Shtëpisë së Bardhë nëse ai ka shkruar një letër, Biden tha, “Po”, megjithëse nuk pranoi të jepte më shumë detaje.
“Kjo është mes meje dhe Trump”, tha ai.
Trump e kishte lënë një letër në vitin 2021 që Biden e përshkroi më vonë si “shumë bujare”.
Biden e mirëpriti Trumpin në Shtëpinë e Bardhë dhe pas një takimi të dy udhëtuan bashkë drejt Kongresit për ceremoninë e betimit.
“Mirë se erdhe në shtëpi”, i tha presidenti amerikan, Joe Biden, pasardhësit të tij, presidentit të sapozgjedhur Donald Trump, teksa e përshëndeti atë në Portikun Verior të Shtëpisë së Bardhë.
Kthimi i Trumpit në Shtëpinë e Bardhë përbën një ‘zhgënjim’ për Bidenin, i cili dikur e shihte veten si personin që parandalonte rikthimin e rivalit të tij në pushtet.
Ai përgënjeshtroi çdo ndjenjë ndërsa shtrëngoi dorën me Trumpin të hënën, duke e mirëpritur atë për çajin dhe kafen tradicionale përpara betimit.
Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë të njohur me planifikimin thonë se nuk ka pasur kurrë ndonjë debat nëse presidenti në largim do të merrte pjesë në hapat ceremonialë, pavarësisht nga fakti se katër vjet më parë, Trumpi nuk i dha të njëjtat mirësjellje ndaj Bidenit, transmeton Klankosova.tv./ KultPlus.com
Berati vijon të jetë ndër destinacionet kryesore që vizitohet nga mijëra turistë në të gjitha stinët e vitit.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale disa të dhëna mbi sitet kryesore turistike në qytetin e “një mbi një dritareve”.
Sipas kryeministrit, “viti 2024 shënoi një rekord turistik në qytetin e Beratit”.
“Vetëm Kalaja është vizituar nga 500 mijë vizitorë, ku 85% e tyre ishin të huaj, ndjekur nga Muzeu ‘Onufri’, krenaria e Beratit dhe thesar i çmuar i gjithë Shqipërisë, i cili u vizitua nga 100 mijë vizitorë përgjatë vitit që shkoi”, u shpreh Rama.
Berati ka një sërë pikash turistike që zgjojnë interesin e turistëve, disa prej të cilave janë Qendra Historike e qytetit, Kalaja, Gorica, Mangalemi që janë pasuri e UNESCO-s, Muzeu Ikonografik “Onufri”, Qendra Mesjetare, objektet e kultit bizantin dhe xhamitë e vjetra të periudhës otomane.
Turistët vlerësojnë jo vetëm historinë e kulturën, por edhe ushqimin e mikpritjen vendase.
Vitet e fundit turistët kanë treguar interes edhe për atraksionet e ekoturizmit, fshatrat turistike Roshnik, Sinjë, Drobonik, kantinat e verës, aktivitetet rafting në lumin Osum, ngjitje në malin e Tomorit, hedhje me parashuta nga mali Shpirag, kanoe në liqenet e Tomorit, ecje me biçikletat malore në rrethinat e Beratit, vizitë në Kanionet e Osumit, pjesëmarrje në turet e gastronomisë në agrobizneset në fshatrat turistikë etj./atsh/KultPlus.com
Sa ju kam dashur! Ndofta dashuria Nuk është shuar krejt në shpirtin tim! Po s’dua që prej dhembjeve të mia Të ngryseni sërish në dëshperim.
I heshtur e pa shpresë u përvelova Me ndrojtje, xhelozi e mall për ju Po kaq me dliresi ju dashurova, Sa, zot!ju dashtë tjetër kush kështu!/KultPlus.com
Në mjediset e Bibliotekës së Kryeministrisë (COD) u promovua “Epoka e Inteligjencës Artificiale”, një libër i shkruar nga ish-sekretari amerikan i shtetit, Henry Kissinger, ish-CEO i Google, Eric Schmidt dhe Daniel Huttenlocher, një shkencëtar kompjuterik amerikan.
Paneli i ftuar përbëhej nga botuesi, Rexhep Hida, përkthyesi, Krenar Hadëri si dhe përfaqësues nga Autoriteti Kombëtar i Sigurisë Kibernetike dhe instituti i edukimit “Harry Fultz”.
Libri “Epoka e Inteligjencës Artificiale” shqyrton mënyrën se si Inteligjenca Artificiale po transformon shoqërinë njerëzore në mënyrë të thellë dhe rrënjësore. Tre mendimtarët e shquar amerikanë eksplorojnë ndikimin e IA në fusha si siguria, ekonomia, rendi shoqëror dhe vetëdija njerëzore.
Ky libër paraqet një analizë të thellë mbi mënyrën si Inteligjenca Artificiale po revolucionarizon sektorë si mjekësia, arsimi dhe shumë të tjerë, duke shënuar një epokë të re dhe të veçantë në zhvillimin e teknologjisë.
Aktiviteti u ndoq me interes edhe nga nxënësit e shkollës profesionale “Harry Fultz” në profilin IT dhe Informatikë./atsh/KultPlus.com
Duke shikuar dallgët rrokullisur në oqeanin blu Me një buzëqeshje në fytyrën time vetëm duke menduar për ty Kujtimet e ëmbla, momentet e ëmbla që kemi ndarë Më përkëdhelin si fllad i butë që mbush ajrin Ndjenja e dashurisë që kam kur mbaj dorën tënde Natë vere kur ecë në rërë Valët që derdhen mbi shkëmbinjtë përgjatë vijës bregdetare Më sjellë lot në sytë e mi duke e ditur që je imja Ndarja e një dashurie si e jona, zemra ime e lumtur psherëtin Duke shikuar retë vjollcë që lundrojnë shkujdesshëm./ KultPlus.com
Kjo e hënë shënon një moment të rëndësishëm për Orkestrën Simfonike të Shkodrës, e cila ka nisur konkursin për instrumentistët e kësaj orkestre, simbol i traditës muzikore të qytetit.
Komisioni i përzgjedhur nga bashkia Shkodër, i kryesuar nga dirigjenti Jetmir Barbullushi, ka dëgjuar të gjithë aplikantët, të cilët do të përzgjidhen bazuar në vlerësimet e këtij komisioni.
Kjo iniciativë, e cila përfaqëson një proces të ri për këtë formacion muzikor, ka marrë mbështetjen e kryebashkiakut Benet Beci. Beci i ka shprehur dirigjentit Barbullushi mbështetjen e institucionit të bashkisë Shkodër në fuqizimin e këtij formacioni, që është një trashëgimi e rëndësishme për Shkodrën.
Sipas dirigjentit Jetmir Barbullushi, konkurrimet janë një mundësi për të evidentuar talente të reja që mund të bëhen pjesë e Orkestrës Simfonike të Shkodrës. Ai thekson se procesi bazohet mbi transparencë dhe profesionalizëm, duke hedhur poshtë çdo aludim lidhur me konkursin.
Formacioni i Orkestrës Frymore është një prej vlerave të veçanta artistike dhe unikale të Shkodrës, me fillesa që datojnë në vitin 1876. Për një periudhë të gjatë, ky formacion ka qenë nën drejtimin mjeshtëror të Kujtim Alisë dhe ka qenë pjesë e eventeve kryesore kulturore të bashkisë.
Formacioni i Orkestrës Simfonike të Shkodrës, i themeluar në vitin 1952, prej 32 vitesh vazhdon të jetë një pjesë integrale e eventeve kulturore të nivelit më të lartë që zhvillohen në qytet. Ky formacion mbetet një pasuri e çmuar për trashëgiminë artistike të Shkodrës./atsh/KultPlus.com
Veterani amerikan i rokut, Dejvid Krozbi ka vdekur në moshën 81-vjeçare, para dy vitesh.
Këngëtari i rokut, kitarist dhe tekstshkrues ishte pjesë e bendeve “Bërds dhe Krozbi”, dhe “Stills dhe Nesh”.
Karrierën e filloi në vitin 1964, si anëtar i bendit “Bërds”, i njohur për përpunimin e hitit të këngëtarit Bob Dillan – “Tambourine Man”. Krozbi dy herë ishte pranuar në Shtëpinë e të famshmëve të rokenrollit./ KultPlus.com
Trashëgimia kulturore përballet me kërcënime të vazhdueshme nga trafikimi i paligjshëm, vjedhja dhe eksportet ilegale të objekteve të trashëgimisë kulturore.
BE dhe UNESCO, me mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, adresuan këtë sfidë përmes një trajnimi të specializuar për profesionistë nga sektori gjyqësor dhe prokuroria.
Nisma është pjesë e projektit të financuar nga BE, “Lufta kundër trafikimit të paligjshëm të pronës kulturore në Ballkanin Perëndimor”, që u trajtua gjithashtu në vitin e kaluar. Kjo nismë në mënyrë të dedikuar me të gjithë sektorin dhe infrastrukturën kulturore, synon rritjen e kapaciteteve institucionale, forcimin e kuadrit ligjor si dhe nxitjen e bashkëpunimit rajonal për të mbrojtur thesaret kulturore shqiptare.
MEKI së bashku me organizmat evropiane u angazhuan për mbrojtjen e trashëgimisë sonë kulturore, një pasuri e paçmuar që përcakton historinë, identitetin dhe kujtesën kolektive./atsh/KultPlus.com
Njerëzit as e marrin vesh si ndahen s‘gjalli aq e lëmueshme di me qenë ndamja si fillimi vdekjes që s‘pari zverdh hundë e gojë e rrëshqet trupit si gjarpën i ftohtë Në fakt, vdekja fillon para lindjes qeliza që kryejne detyrën e tyne e më pas vdesin algoritme që me plan ndizen e fiken
Ndamja asht si vdekja lundron atij lumi t’vdekjes me dy monedha mbi sy për ma t‘mbramen pagesë
Njerëzit as e marrin vesh si ndahen s‘gjalli si miqësi e dashuri rastisin, bijnë në agoni paçka lidhur për direk anije edhe genin tand dijnë ta mposhtin Circet
Më 20 janar 2010 u nda nga jeta shqipëruesi i “Komedisë Hyjnore”, Pashk Gjeçi.
Lindi në Shkodër më 7 shtator 1918. Ndoqi gjimnazin jezuit në vendlindje, ku mësoi italishten, greqishten e vjetër dhe latinishten. Që kur ishte nxënës, Gjeçi sprovoi penën duke përkthyer disa poezi të poetit italian Xhakomo Leopardi. Në vitin 1938, me gjysmë burse të mbuluar nga qeveria e kohës, nisi studimet e larta në Fakultetin e Letërsisë dhe të Filozofisë në Romë. Më 15 korrik të vitit 1942, mori titullin “doktor” në letërsi.
Pas kthimit në atdhe, më 4 shtator 1947, u ndalua me akuzën “pjesëmarrje në grup kundër pushtetit”. Shoqërimi me Ernest Koliqin i la gjurmë të pashlyeshme në kujtesë, edhe pse do t’i kushtonte 5 vjet burg.
Pas lirimit, u transferua në Fushë-Krujë, ku punoi i përkushtuar për përkthimin e kryeveprës “Komedia Hyjnore”. Menjëherë pas botimit të “Komedisë Hyjnore” të Dantes, nisi të përkthente një tjetër klasik të letërsisë botërore, “Odisenë” e Homerit. Shqipërimin e përsosi edhe më shumë me “Faustin” e Gëtes dhe “Hamletin” e Shekspirit.
Shoqata italiane “Dante Alighieri” në vitet ’70 e vlerësoi ndërkombëtarisht shqipërimin e Gjeçit, si njërin ndër tre përkthimet më të mira në botë të “Komedisë Hyjnore”. Për përkthimin e Dantes, Gjeçi u dekorua nga presidenti Italian, Çampi më 2004 me titullin “Ordine della stella, della solidarietà italiana”./atsh/KultPlus.com
20 janari është data e lindjes së njërit prej regjisorëve më të shquar të kinematografisë italiane dhe asaj botërore.
I vlerësuar me titullin “Kalorës i Kryqit të Madh OMRI”, Fellini u bë i njohur për stilin e tij të dallueshëm, i cili përmblidhte fantazinë, imazhet baroke dhe ato tokësore. Filmat e tij vazhdojnë të frymëzojnë dhe të influencojnë kineastët anembanë botës. Disa nga filmat e tij më të njohur janë “La Strada”, “Le Notti di Cabiria”, “La Dolce Vita”, “8½”, “Roma”, “Amarcord” e të tjerë.
Fellini pati 16 kandidatura për çmimet Oscar përgjatë karrierës së tij, duke arritur të fitonte 4 në kategorinë “Filmi më i mirë i huaj”, (më shumë se çdo regjisor tjetër në këtë kategori në historinë e Academy Awards).
Fellini lindi në 20 janar të 1920, në një familje të shtresës së mesme, në Rimini të Italisë. U pagëzua me emrin Federico Domenico Marcello Fellini.
Ngjarje të fëmijërisë e rinisë së hershme kanë lënë gjurmë dhe në filmat e tij, megjithatë Fellini insistonte se nuk ishte kujtesa ajo që dominonte në filmat e tij, por kënaqësia e të shpikurit të personazheve e ngjarjeve, e rishkrimit të fëmijërisë e ëndrrave. Vdiq në moshën 73-vjeçare, në Romë. / KultPlus.com
Me 20 janar 1732 u hap kolegji arbëresh i Shën Adrianit, që i dha personalitete të mëdha Kishës e kulturës shqiptare.
Pra, më 20 janar 1732 Kisha Arbëreshe hapii në Kalabri kolegjin e Shën Adrianit, njoftoi Radio Vatikani, institucion i rëndësishëm për ruajtjen e identitetit dhe kultivimin e vlerave shpirtërore, kulturore dhe etnike të Arbëreshëve.
Në këtë kolegj studiuan dhe u formuan personalitete të ndryshme kishtare e kulturore shqiptare si Jeronim De Rada, Markianò, Luigj Gurakuqi, Aleksandër Xhuvani, Kolë Kamsi e shumë të tjerë. Po mbi rëndësinë, rolin e kontributin e kësaj vatre shpirtërore, kulturore dhe atdhetare që e ruajti ndër shekuj shpirtin arbëresh. / KultPlus.com
Muzeu Ikonografik “Onufri” në Berat gjatë vitit 2024 ka mirëpritur 106.303 vizitorë, 40% më shumë krahasuar me vitin 2023.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, publikoi në rrjetet sociale një material filmik nga ky muze, së bashku me ftesën për ta vizituar atë.
Interesi i vizitorëve, e veçanërisht i turistëve të huaj, ka ardhur gjithnjë në rritje për këtë objekt kulturor që mbart në fondin e tij, objekte të rralla. Gjatë vitit 2024, vizitorët e huaj që shfaqën më shumë interes për këtë muze qenë kryesisht nga Polonia, Spanja, Italia, Franca etj.
Por fluksi i vizitorëve në Muzeun “Onufri” nuk u ndërpre as në ditët e para të këtij viti.
Muzeu i Ikonografisë Onufri është organizuar në ambientet e kishës “Fjetja e Shën Marisë”, në Kalanë e Beratit, prej 27 shkurtit të vitit 1986. Muzeu mban emrin “Onufri”, kushtuar kryemjeshtrit të pikturës ikonografike shqiptare në shekullin XVI. Katedralja sipas mbishkrimeve që mbart rezulton të jetë rindërtuar në vitin 1797 mbi themelet e një kishe më të vjetër të periudhës bizantine. Ajo përfaqëson një nga arkitekturat më tipike pas-bizantine në qytetin e Beratit. Koleksioni i muzeut përbëhet nga 196 ikona dhe objekte liturgjike./atsh/KultPlus.com
Audrey Hepburn (4 maj 1929 – 20 janar 1993 ), ishte aktore e filmit dhe e teatrit e shpërblyer me Oscar. Ajo ishte gjithashtu e njohur si një ikonë mode, modele, kërcimtare dhe humanitare.
E lindur si Audrey Kathleen Ruston në Belgjikë dhe ishte fëmija i vetëm i Josepha Anthonya Rustona, bankier irlandez, dhe i baroneshës Elle van Heemstra, anëtare e aristokracisë holandeze ku paraardhësit ishin mbretër francez dhe mbretër anglez. Ajo e kaloi fëmijërinë e saj midis Belgjikës, Anglisë dhe Hollandës.
Hepburn i kushtoi një kujdes të vecantë shtresave në nevojë, kryesisht fëmijëve. Deri në fund të jetës së saj, ajo iu përkushtua punës së saj vullnetare në UNICEF, ku u njoh edhe si ambasadore e vullnetit të mirë.
Ishte po ashtu fituese e Çmimit Academy Award, më 1953.
Disa nga filmat në të cilët mori pjesë janë: Monte Carlo Baby, Laughter in Paradise, One Wild Oat, The Lavender Hill Mob, Young Wives’ Tale, The Secret People, We Will Go to Monte Carlo, Roman holiday, Sabrina, War and peace, Love in the Afternoon, Green Mansions, The Nun’s Story, The Unforgiven, Breakfast at Tiffany’s, The Children’s Hour, Charade, Paris, When It Sizzles, My Fair Lady, How to Steal a Million, Two for the Road, Wait Until Dark, Robin i Marian, Bloodline, They All Laughed, Love Among Thieves (TV), Always etj.
Ajo vdiq më 20 janar 1993 në Zvicër./ KultPlus.com
Sot janë bërë 16 vjet nga shndërrimi i TMK-së në FSK.
Forca e Sigurisë së Kosovës, u formua me 21 janar 2009, pas shpërbërjes se TMK-se (Trupave Mbrojtëse te Kosovës).
Më 4 mars të vitit 2014, Qeveria e Kosovës mori vendimin që të formohen Forcat e Armatosura të Kosovës, si ushtri e Kosovës.
Më 14 dhjetor 2018, Parlamenti i Kosovës me 106 vota pro dhe një abstenim, miratoi tri ligjet që e ndryshojnë mandatin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri të Kosovës, por pa iu ndërruar emri.
Ligjet e miratuara ishin Projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes, Projektligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Projektligji për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Deputetët serbë në Parlamentin e Kosovës nuk morën pjesë në seancë, pasi ata ishin kundër formimit të Ushtrisë së Kosovës./KlanKosova/KultPlus.com
Me rastin e 90 vjetorit të lindjes, KultPlus përkujton Mark Kaçinarin, emrin e shquar të muzikës shqiptare.
Mark Kaçinari (Prizren, 1935 – Prishtinë, 1985) ishte kompozitor, pedagog, dirigjent, hartues i teksteve shkollore. Ai muzikën korale shqipe e vuri në skenë edhe kur mungonte në Prishtinë. Ai krijoi korin më të njohur të Kosovës “Collegium Cantorum”, një çerdhe e cila tuboi talentet më të zgjedhur të muzikës të viteve 1970-’80. Asokohe, Prishtina nuk kishte Akademi të Muzikës, mirëpo, Lorenc Antoni, Rexho Mulliqi, Mark Kaçinari, ishin vetë Akademia e Muzikës.
U lind më 20 Janar të vitit 1935 në Prizren dhe vdiq më 19 Nëntor të vitit 1985 në Prishtinë. Ai i përket brezit të parë të studentëve shqiptarë nga Kosova, të cilët kanë kryer Akademinë e Muzikes. Studimet e para për muzikë i kreu në qytetin e tij të lindjes në shkollën e Mesme të Muzikës në vitin 1949 – 1953. Pasi punon një vit (1953 – 1954) si mësues në gjimnazin e ulët të Gjilanit, në vitin 1954 fillon studimet e larta pranë Akademisë së Muzikës në Beograd në degën e Teorisë dhe Pedagogjisë Muzikore, të cilat i përfundon në vitin 1961. Gjatë viteve 1956 -1961 ishte anëtar i rregullt i korit profesionist të Radio Beogradit. Në vitet 1973 – 1975 studioi kompozim pranë Fakultetit të Muzikës në Shkup në klasën e T.Proshev, ndërsa studimet postuniversitare (Shkallën e III) për dirigjim i ndoqi gjatë viteve 1977 – 1979 në klasën e prof. V. Ilic në Beograd.
Pas studimeve në Beograd (1961), kthehet në Kosovë, ku në fillim punon si profesor pranë shkollës së Mesme të Muzikës në Prizren. Krahas punës pedagogjike angazhohet dhe si dirigjent i korit SHKA “Agimi”, me të cilin pati një aktivitet shumë të sukseseshëm. Kaçinari është një ndër pedagogët e parë të Shkollës së Lartë Pedagogjike në Prishtinë, që dha mësim në degën e edukatës muzikore. Me themelimin e degës së muzikës, në vitin 1975, pranë Akademisë së Arteve në Prishtinë, Kaçinari kalon pranë këtij institucioni ku jep lëndën e Solfezhit. Kaçinari u emërua si Dekan i Akademisë së Arteve të Prishtinës ku shërbeu prej vitit 1984 deri në vitin 1985 kur vdiq.
Si dirigjent, Kaçinari ka zhvilluar një aktivitet të shquar. Që në vitin 1969, kur themeloi korin “Collegium Cantorum” e deri në ditët e fundit të jetës së tij, ai realizoi një numër të madh koncertesh, jo vetëm në Kosovë, por edhe në vende të tjera të botës. Kori i drejtuar prej Mark Kaçinarit ia shtoi famën jo vetëm zhvillimeve muzikore shqiptare në Kosovë, por përmes aktivitetit të larmishëm e të vazhdueshëm i rriti dhe famën vetë Kosovës. Përfaqësimi i Kosovës me këtë kor në veprimtari kombëtare e ndërkombëtare muzikore është vlerësuar me çmime të lakmueshme.
Në vitin 1972 fiton me “Collegium Cantorum” çmimin e III në Festivalin Botëror të koreve në Langolen të Anglisë. Në të njëjtin festival, pjesa “Vjeshta” e kompozitorit Rexho Mulliqi vlerësohet me çmimin e parë si “Kënga më e mirë”. Ky kor u bë gjithashtu një nxitje e vërtetë për kompozitorët e tjerë, si dhe një mbështetje serioze në realizimin e shumë veprave të mëdha të muzikës shqiptare të Kosovës. Përpos veprave të mëdha të kompozitorëve botëror, si “Requiem” e W. A. Mozart, fragmente nga opera “Trubadur” e G.Verdit, etj., në bashkëpunim me Orkestrën Simfonike te RTP, kori “Collegium Cantorum” ka ekzekutuar edhe veprat e autorëve shqiptare dhe kroatë. Kori “Collegium Cantorum” në drejtimin e Kaçinarit, brenda një periudhe relativisht të shkurtër, arriti të hedhë baza të shëndosha të një tradite të sukseseshme të kulturës së këndimit vokalo-koral në Kosovë. Kaçinari ishte njohës i shkëlqyer i teknikës së të kënduarit koral dhe krijoi një standard të tingëllimit dhe interpretimit të korit të tij të një niveli shumë të lartë dhe ndërkombëtar.
Edhe si kompozitor, aktiviteti i Kaçinarit është i lidhur ngushtë me aktivitetin e tij si dirigjent. Që në vitin 1962, kur përpunoi të parën këngë popullore “Zogu i Ohrit”, ai do të shkruajë një numër të konsiderueshëm veprash korale, gjuha e të cilave shpesh është mjaft e përparuar, megjithëse krijimtaria e tij shtrihet edhe në gjinitë e muzikës instrumentale dhe asaj simfonike.
Për punën e palodhur pedagogjike, organizative, udhëheqëse dhe krijuese, Kaçinari është shpërblyer me shumë diploma dhe mirënjohje. Së fundi, në vitin 2015, Kaçinari dekorohet nga Presidentja e Republikës së Kosovës znj.Jahjaga me “Medalje Presidenciale të Meritave”, për kontributin e tij të veçantë në fushën e arsimit dhe kulturës./ KultPlus.com
1- Kurajoja është të dish se çfarë mos të kesh frikë.
2 – Një prej dënimeve për refuzimin e pjesëmarrjes në politikë është se përfundon e qeverisesh nga inferiorët.
3- -Ky qytet është ai që është sepse qytetarët tanë janë ata që janë.
4 – Vlera e një burri është ajo që bën me pushtetin.
5 – Vëmendja ndaj shëndetit është pengesa më e madhe në jetë.
6 – Mund të zbulosh më shumë për atë person në një orë lojë se në një vit bisedash.
7- Mund ta falim një fëmijë që është i frikësuar nga errësira, tragjedi e vërtetë është kur të rriturit kanë frikë nga drita
8- Studimi më fisnik ndër të gjitha është studimi i njeriut dhe jetës që duhet të jetojë.
9- Tregohu i mirë, sepse kushdo që takon, po përballet me një betejë të vështirë.
10- Injoranca është rrënja e të gjitha të këqijave.
11- Nevoja është nëna e të gjitha shpikjeve.
12- Kurrë mos e dekurajo dikë që bën përparime të vazhdueshme,sado të ngadalshme qofshin.
13- Fillimi është pjesa më e rëndësishme e çdo pune.
14- I mençuri flet se ka diçka për të thënë, budallai sa për të thënë diçka çfarëdo.
15- Ekzistojnë 3 kategori njerëzish: Ata që janë të dashuruar me Dijen; të dashuruarit me nderin dhe të dashuruarit me përfitimin.
16- Sjellja njerëzore rrjedh si pasojë e 3 shkaqeve: Dëshira, Emocionet ose Dija.
17- Që një njeri të arrijë të zotërojë vetveten është nga fitoret më fisnike dhe më parësore.
18- Pasuria më e madhe është të jetosh i kënaqur me pak.
19- Opinioni është shkalla mes injorancës dhe dijes.
20 Guxim është të dish se çfarë mos të kesh frikë.
21- Filozofia nis me kureshtje.
22- Një hero lind mes qindrave; një i mençur mund të gjendet mes mijrave, por një njeri i vetërealizuar mund të mos gjendet as mes qindra mijëra njerëzve.
23- Ata që janë të aftë të shohin përtej hijeve dhe gënjeshtrave të kulturave të tyre, nuk do kuptohen kurrë nga masat e jo më të besohen nga to.
24- Ajo që quajmë mësim është thjesht një proçes rikujtimi.
25- Njerëzit e mirë nuk kanë nevojë për ligje që të jenë të përgjegjshëm, ndërsa njerëzit e këqinj do gjejnë gjithnjë një rrugëdalje nga ligjet.
26- Një vendim i mirë është bazuar në njohuritë dhe jo në numrat.
27- Të gjithë njerëzit janë nga natyra të barabartë, janë bërë nga e njëjta baltë, nga i njëjti Punëtor; dhe megjithatë ne mashtrojmë veten, ndaj Perëndisë janë të shtrenjtë si fshatari i varfër, si princi.
29- Gjithë ari i cili është nën apo mbi tokë nuk është i mjaftueshëm për ta dhënë në këmbim të Virtytit.
30- Dhe çfarë, Sokrat, është ushqimi i shpirtit? Vërtet, thashë unë, dituria është ushqim i shpirtit.
31- Çdo njeri mund t’i bëjë dëm fare lehtë, por jo çdo njeri mund t’i bëjë mirë tjetrit.
32- Sikurse ndërtuesit thonë, gurët më të mëdhenj nuk qëndrojnë mirë pa më të vegjlit.
33- Në prekjen e dashurisë gjithkush bëhet poet.
34- Kujdesi për shëndetin është pengesë e madhe e jetës.
35- Më mirë diçka e vogël e bërë mirë, se një e madhe e pa përkryer.
36- Dinaku nuk është tjetër veçse imitatori më i ulët i zgjuarsisë.
37- Vdekja nuk është më e keqja që mund t’iu ndodhë burrave.
38- Injoranca në vetvete nuk është aq e tmerrshme apo ekstremisht e keqe, dhe nuk është aspak më e keqja e të këqijave; zgjuarsia e tepërt dhe të mësuarit e tepërt, shoqëruar me ligësinë, janë fatale për manaferra.
39- Teprimi në përgjithësi shkakton reaksion, dhe prodhon një ndryshim në drejtim të kundërt, qoftë ai në stinët, në individët apo në qeveritë.
40- Ishte një njeri i mençur ai që shpiku birrën.
41- Ai që kryen padrejtësi është gjithmonë më fatkeq se ai që vuan atë.
42- Ai i cili nuk është një shërbëtor i mirë nuk do të jetë një mjeshtër të mirë.
43- Ai që vjedh pak, vjedh me të njëjtën dëshirë si që vjedh shumë, por me më pak fuqi.
44- Ndershmëria është për pjesën më të madhe më pak fitimprurëse se sa pandershmëria.
45- Vështirë të kem njohur ndonjëherë një matematikan i cili të ishte në gjendje të arsyetonte.
46- Do marr heshtjen tuaj si dhënie pëlqimi.
47- Nëse një njeri e neglizhon edukimin, ai ecën çalë në fund të jetës së tij.
49- Askush nuk e di nëse vdekja, për të cilën njerëzit kanë frikë se është e keqja më e madhe, nuk mund të jetë e mira më e madhe.
50- Prindërit duhet t’u lënë trashëgim fëmijëve të tyre jo pasurinë, por frymën e nderimit./KultPlus.com