Koleksioni prej 300 objektesh i shkodranit Palokë Laca, në Muzeun Etnografik të Budapestit

Në Muzeun Etnografik të Budapestit ekzistojnë rreth 300 objekte si bizhuteri dhe veshje shqiptare të cilat i janë shitur dikur këtij muzeu nga një tregtar me emrin Paolo Lazza. Për të mësuar më shumë rreth këtij personi, muzeu i Budapestit u vu në kontakt me Muzeun e Fotografisë “Marubi” dhe pas një hulumtimi në të cilin u përfshi personalisht drejtori Luçjan Bedeni, u arrit të zbulohet se bëhet fjalë për tregtarin shkodran Palokë Laca, pasardhësit e të cilit jetojnë në Shkodër dhe Itali.

Drejtori i “Marubit”, Bedeni, së bashku me kuratoren Kim Knoppers dhe dizajnerin e modës Jozef Martini (njëherësh kushëri i Palokë Lacës) zhvilluan një vizitë dyditore në Muzeun e Etnografisë së Budapestit, ku panë nga afër koleksionin e mrekullueshëm.

Gjatë vitit 2024 muzeologët hungarezë vizituan Shkodrën me qëllim hulumtimin më në detaje të figurës së tregtarit Palokë Laca. Me këtë rast diskutua rreth mundësisë konkrete të ekspozimit të këtyre objekteve edhe në Muzeun “Marubi”.

300 objektet e shitura dikur nga tregtari shkodran, mund të jenë pjesë e një ekspozite e cila do të hapet në qershor të këtij viti në “Marubi”.

Muzeu “Marubi” në një postim në rrjetet sociale thotë se, nxjerrja në pah e kësaj figure si dhe zbulimi i këtyre reperteve në Budapest, vjen në mesin e një pune të ngritur prej disa muajsh nga kuratorja Kim Knopper mbi një projekt që do të realizohet në Muzeun “Marubi”, me fokus etnografinë dhe artizanatin./atsh/KultPlus.com

Erich Fromm për dashurinë në ‘Arti i të dashuruarit’

Nga Albert Vataj

Erich Fromm, një psikolog dhe filozof social i njohur gjerman, hulumtoi thellësisht kompleksitetin e marrëdhënieve njerëzore dhe natyrën e dashurisë në veprat e tij me ndikim. Një nga njohuritë e tij më të thella mbi dashurinë erdhi në librin e tij “Arti i të dashuruarit” (1956), ku ai argumentoi se dashuria nuk është thjesht një reagim emocional ndaj një personi të caktuar, por një orientim më i gjerë i personazhit që formon të gjithë botëkuptimin e dikujt. Ai shkroi, “Dashuria nuk është kryesisht një marrëdhënie me një person specifik; është një qëndrim, një orientim i karakterit që përcakton lidhjen e një personi me botën në tërësi.” Për Fromm-in, dashuria nuk kufizohej në marrëdhënie romantike ose lidhje personale, por ishte një pjesë e brendshme e mënyrës se si dikush angazhohet me botën dhe qeniet njerëzore. Është një forcë aktive, një shprehje e shpirtit të dikujt, në vend të një reagimi pasiv ndaj një stimuli të jashtëm.

Fromm kritikoi gjithashtu keqkuptimin e zakonshëm se dashuria është thjesht akti i gjetjes së objektit “të duhur” për dashurinë. Shumë, sugjeroi ai, i afrohen dashurisë me idenë se ajo përcaktohet nga personi specifik që ata duan, duke besuar se intensiteti i emocioneve të tyre ndaj atij individi është një pasqyrim i aftësisë së tyre për dashuri. Megjithatë, Fromm e shikoi këtë perspektivë si problematike, duke e barazuar atë me një formë egoizmi ose lidhjeje simbiotike. Ai argumentoi se një qasje e tillë ndaj dashurisë, e cila përqendrohet në një individ dhe jo në një kapacitet më të gjerë, më universal për dashuri, nuk mund të konsiderohet dashuri e vërtetë. Ai tha: “Nëse një person do vetëm një person tjetër dhe është indiferent ndaj pjesës tjetër të bashkënjerëzve të tij, dashuria e tij nuk është dashuri, por një lidhje simbiotike, ose një egoizëm i zgjeruar.” Sipas Fromm-it, dashuria e vërtetë i kapërcen lidhjet individuale dhe duhet të jetë pjesë e qëndrimit të përgjithshëm ndaj njerëzimit.

Në ilustrimin e kësaj pike, Fromm përdori analogjinë e pikturës. Ai tha: “Ky qëndrim mund të krahasohet me atë të një njeriu që dëshiron të pikturojë, por që në vend që të mësojë artin, pretendon se duhet vetëm të presë për objektin e duhur dhe se do të pikturojë bukur kur ta gjejë”. Kritika e Fromm-it këtu është e mprehtë dhe zbuluese: dashuria e vërtetë, si çdo art, kërkon praktikë, mësim dhe angazhim aktiv. Nuk ka të bëjë thjesht me gjetjen e personit të duhur apo të presësh për momentin e përsosur; është një përpjekje e vazhdueshme dhe e vetëdijshme që përfshin zhvillimin e aftësisë së dikujt për kujdes, respekt, përgjegjësi dhe njohuri. Nëpërmjet kësaj lente, dashuria bëhet një praktikë e vazhdueshme kultivimi dhe jo një rezultat i pashmangshëm i lidhur me gjetjen e objektit të përsosur të dashurisë. Filozofia e Fromm ofron një reflektim të thellë dhe të zhytur në mendime mbi dashurinë, duke i nxitur individët të zgjerojnë të kuptuarit e tyre për atë si një forcë që formëson jo vetëm marrëdhëniet personale, por edhe marrëdhëniet e tyre me botën në përgjithësi./ KultPlus.com

Themelohet Shoqata e Basketbollistëve të Kosovës

Basketbollistët janë bërë me shoqatë, ndërsa kryetar do të jetë Dardan Berisha.

Shoqata e Basketbollistëve të Kosovës është themeluar në një mbledhje të mbajtur në selinë e Federatës së Basketbollit të Kosovës, ku Berisha ka qenë kandidati i vetëm, duke marrë mbështetje maksimale, tridhjetë e pesë vota pro.

Në njoftimin e Federatës së Basketbollit të Kosovës thuhet se Shoqata do të ketë përfaqësuesit e saj në Bordin e FBK-së dhe është themeluar në përputhje me Ligjin e ri të Sportit.

Po ashtu, të hënën janë zgjedhur edhe anëtarët e Bordit të Shoqatës. Pjesë e Bordit janë Gëzim Morina, Arbnore Përquku, Aulona Muhadri, Erjon Kastrati dhe Drilon Hajrizi.

Në njoftim theksohet se Shoqata ka si synim mbrojtjen e të drejtave të basketbollistëve dhe do të jetë zëri i tyre në Kosovë.

Flamingot mbi ujërat e lagunës në Kune, Rama ndan pamjet

Flamingot janë rikthyer në lagunën e Kune Vainit në Lezhë dhe dhurojnë spektakël me fluturimet e tyre elegante dhe plot ngjyrime mbi sipërfaqen e ujit.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga fluturimi i flamingove mbi ujërat e lagunës.

Ndërsa vendi ka rritur sipërfaqen e zonave të mbrojtura që në pjesën më të madhe janë dhe habitatet e preferuara të shpendëve, prania e flamingove nuk është më habi.

Në lagunat e shumta që ndodhen nga jugu në veri, flamingot tashmë janë banorë të mirëpritur të këtyre ujërave.

Laguna e Kune-Vainit në Tale të Lezhës është zona e parë e mbrojtur në vend, e shpallur si e tillë gati 8 dekada më parë.

Laguna e Kune-Vainit ndodhet rreth 8 kilometra larg qytetit të Lezhës dhe shumë pranë Shëngjinit. Në përbërje të lagunës hyjnë mjedise detare, lagunore, ligatinore, pyje, shkurre dhe livadhe, që ndërthuren hijshëm midis tyre.

Laguna dallohet për larmi të madhe të botës së gjallë rreth 227 specie bimësh, 17 lloje molusqesh, 10 lloje amfibësh, 24 lloje zvarranikësh, disa lloje peshqish.

Veçanërisht e pasur është bota e shpendëve dhe 196 lloje migratore dhe të përhershëm, e cilësuar si “ornitologjia e Mesdheut”, dhe 23 specie gjitarësh./atsh/ KultPlus.com

Presidentja Osmani takoi Komandantin e KFOR-it: Bashkëpunimi i ngushtë i nevojshëm për ta siguruar paqen dhe stabilitetin në vend

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, takoi Komandantin e KFOR-it, Gjeneralmajor Enrico Barduani, në kuadër të angazhimit të vazhdueshëm për forcimin e partneritetit me NATO-n.

Me ftesë të gjeneralmajor Barduani, dreka e punës u mbajt në selinë e KFOR-it.

Në emër të qytetarëve të Kosovës, Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen për misionin e NATO-s në Kosovë, i cili ka luajtur rol të rëndësishëm prej më tepër se dy dekada për paqen dhe stabilitetin.

Në këtë takim, Presidentja Osmani theksoi se duke pasur parasysh sfidat e sigurisë, bashkëpunimi i ngushtë dhe partneriteti ndërkombëtar janë të nevojshme për ta siguruar paqen dhe stabilitetin në vend, rajon dhe më gjerë.

Presidentja Osmani potencoi rëndësinë e angazhimit të përbashkët për mbrojtjen e vlerave të paqes dhe sigurisë, duke theksuar se kohezioni ndërkombëtar është kyç në trajtimin e sfidave globale.

Takimi me Gjeneralmajor Barduani është pjesë e angazhimit të përhershëm të Presidentes Osmani për forcimin e marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë dhe për promovimin e sigurisë dhe stabilitetit si parakusht për zhvillimin e Kosovës dhe rajonit./ KultPlus.com

Presidenti Begaj uron Trump: Shqipëria, krenare për aleancën dhe miqësinë e fortë me SHBA-në

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj uroi sot Presidentin e 47-të të SHBA-ve, Donald Trump për marrjen e detyrës.

Begaj u shpreh se, Shqipëria është krenare për aleancën dhe miqësinë e saj të fortë me SHBA-në.

“Urimet më të përzemërta në ditën tuaj të inagurimit si Presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump”, theksoi Begaj në një postim në rrjetin “X”

“SHBA mbetet dëshmi e patjetërsueshme e vlerave të demokracisë dhe burim paqeje dhe sigurie”, u shpreh Begaj.

“Shqipëria është krenare për aleancën dhe miqësinë e saj të fortë me SHBA-në dhe mbetet e përkushtuar për të forcuar më tej partneritetin tone”, shtoi Presidenti Begaj./atsh/ KultPlus.com

‘Ani mori nuse’, nga e papërsëritshmja Nexhmije Pagarusha (VIDEO)

7 shkurti i vitit 2020 mori me vete ikonën e muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarushën, mirëpo këngët e saj vazhdojnë të dëgjohen e këndohen, pasiqë Pagarusha pas vetes la kryevepra artistike që nuk do të zhduken asnjëherë, shkruan KultPlus.

Kur flitet për Nexhmije Pagarushën, përdoren në një frymë shumë epitete si, Bilbili i Kosovës, Mbretëresha e Këngës Shqipe, Primadona e Melosit Popullor, e shumë epitete të tjera.

Repertori i saj interpretues është tejet i gjerë dhe i larmishëm. Veçohen këngët “Kur më del në derë”, “Metelikun ta kam fal”, “Po të pres te dega e fikut”, “Mora testin”, “Kënga e Rexhës” etj.

Sonte, KultPlus ju sjell një këngën e saj “Ani mori nuse”:

‘Mbi kulturën e lumit’, ligjëratë në Kino Lumbardhi

Më 23 janar prej orës 19:00, në Kino Lumbardhi mbahet ligjërata “Mbi kulturën e lumit” të antropologut e studiuesit Nebi Bardhoshi. Tri lumenj: Valbona, Zall-Gjoçaj dhe Vjosa, e ndërtojnë një jetë krejt të vetën duke renduar mënyrën se si ndërtohen raportet shoqërore e kulturore përreth tyre, qoftë mes mitologjisë apo mes fenomeneve natyrore që jetësojnë apo se si njerëzit ndërveprojnë.

Analiza e z. Bardhoshi vendos në komunikim këta tre lumenj e së bashku sjellin një panoramë të asaj çfarë mund të quajmë kulturë të lumit.

Bardhoshi është kërkues i shkencor me interesa specifike kërkimore në antropologjinë juridike dhe politike, antropologjinë e natyrës dhe historinë e mendimit antropologjik. Ai është autor i disa librave, përfshirë: “Gurët e Kufirit: Kanuni, Pronësia, Struktura Shoqërore” (2011), “Antropologjia e Kanunit” (2015) dhe “Etnografia në Diktaturë: Njohja, Shteti, Holokausti Ynë” (2018), bashkautor.

Gjithashtu, Bardhoshi ka botuar artikuj të shumtë akademikë dhe ka shërbyer si redaktor shkencor i disa vëllimeve mbi shoqërinë shqiptare, si dhe për rajonin e Ballkanit dhe Mesdheut.

Ky është prezantimi i katërt prej serisë së ligjëratave të organizuara për projektin “Permanent Transition” mbështetur prej European Cultural Foundation.

Ky program sjell një mori hulumtuesish dhe profesionistësh e praktikues të fushës së artit, linguistikës, aktivizmit, ekonomisë dhe fushave të tjera, me synimin për të propozuar mënyra të ndryshme të të kuptuarit të krizës klimatike dhe se si mund të reagojmë në të ardhmen.

Presidentja Osmani uron Trumpin: Kosova e gatshme të punojë me ju për të forcuar marrëdhëniet mes dyja vendeve

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, i ka dërguar një letër urimi presidentit të 47-të të ShBA-së Donald Trump, për marrjen e detyrës.

Ajo u shpreh se Kosova është e gatshme të punojë edhe me zëvendëspresidentin JD Vance dhe administratën amerikane, për të forcuar marrëdhëniet mes dyja vendeve.

“Për të promovuar vlerat tona të përbashkëta të lirisë dhe për të adresuar sfidat e kohës sonë”, u shpreh ajo.

“Në emër të popullit të Kosovës ju uroj suksese të mëdha”, theksoi Osmani.

Trump pas inaugurimit: Drita e diellit po bie mbi krejt botën

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë në inaugurimin e tij se po i kthehet presidencës me optimizëm, dhe se bota po sheh dritë me rizgjedhjen e tij.

“Prioritet ynë kryesor do të jetë që të krijojmë një komb që është krenar, prosperitare dhe i lirë”, ka thënë Trumpi.

“Amerika së shpejti do të jetë më e mirë, më e fuqishme, dhe shumë më e jashtëzakonshme se që ka qenë ndonjëherë”.

“I kthehem presidencës me optimizëm dhe vetëbesim që jemi në një fillim të një epoke ngazëllyese kombëtare”.

“Një dallgë ndryshimin po e merr me vete vendin dhe drita e diellit po bie mbi krejt botën dhe Amerika e ka mundësinë që ta shfrytëzojë këtë rast si asnjëherë më parë, por fillimisht duhet të jemi të sinqertë sa u përket sfidave të cilat i kemi përballë, të cilat ndonëse janë shumë në numër, do të shkatërrohen nga ky momentum shumë i mirë të cilin tani po e sheh bota në Shtetet e Bashkuara”.

Censi Ndërkombëtar i Shpendëve Ujorë Dimërues, Pirushi: Mbrojtje habitateve natyrore dhe biodiversitetit

Në të gjithë Shqipërinë u zhvillua në 18-19 janar Censi Ndërkombëtar i Shpendëve Ujorë Dimërues, një ngjarje e rëndësishme për vlerësimin dhe monitorimin e popullatave të këtyre shpendëve gjatë dimrit.

Ky aktivitet madhor u realizua nga specialistë të Administratave Rajonale të Zonave të Mbrojtura, ekspertë ornitologë dhe vullnetarë, të cilët u vendosën në 34 pika të përcaktuara për numërimin e shpendëve, për të realizuar një studim të jashtëzakonshëm që ka përfshirë Shqipërinë për 32 vjet me radhë.

Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, Daniel Pirushi, theksoi për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se “ky census ka një rëndësi të jashtëzakonshme për menaxhimin dhe mbrojtjen e habitateve natyrore dhe biodiversitetit të Shqipërisë”.

Ajo sqaroi se realizimi i këtij censi është një proces i rregullt dhe i mirorganizuar, që ka përfshirë më shumë se 120 specialistë nga 12 Administrata të Zonave të Mbrojtura, duke siguruar një vlerësim të plotë të popullatave të shpendëve ujorë.

Censi i Shpendëve Ujorë Dimërues është një aktivitet shkencor që ndikon drejtpërdrejt në menaxhimin e qëndrueshëm të habitateve natyrore dhe kontribuon në ruajtjen e biodiversitetit të pasur të Shqipërisë.

Sipas Pirushit, çdo vit vërehet një rritje e numrit të shpendëve ujorë dimërorë, një përmirësim që është ndikuar pozitivisht edhe nga moratoriumi i gjuetisë, i cili ka krijuar kushte më të favorshme për shtimin e këtyre shpendëve dhe ka forcuar ekosistemet natyrore të vendit.

Për dy ditë, specialistët dhe ekspertët zhvilluan një monitorim të detajuar të popullatave të shpendëve në 34 vendnumërime, duke mbledhur të dhëna të rëndësishme për vlerësimin e situatës në nivel kombëtar. Të dhënat, të cilat janë ende në proces organizimi, pritet të bëhen publike brenda 7 deri në 10 ditë.

Drejtoresha Pirushi theksoi gjithashtu se këto shpendë, të cilët popullojnë habitatet e zonave të mbrojtura dhe të tjera habitate natyrore të Shqipërisë, jo vetëm që kontribuojnë në ruajtjen e ekosistemeve, por luajnë një rol të jashtëzakonshëm në mirëmbajtjen e ekuilibrave ekologjikë dhe përmirësimin e kushteve mjedisore në nivel kombëtar.

Censi Ndërkombëtar i Shpendëve Ujorë është pjesë e një programi global monitorimi që zhvillohet në 143 shtete të botës për të grumbulluar të dhëna mbi popullatën e shpendëve ujorë në zonat ligatinore.

Shqipëria është angazhuar në këtë nismë që prej vitit 1993 dhe ka kontribuar vazhdimisht në realizimin e censit që nga fillimi. Ky aktivitet ka një metodologji të detajuar që përfshin mbulimin e zonave gjeografike, vendnumërimet dhe poligonet e monitorimit, duke mundësuar një mbledhje shkencore të të dhënave mbi popullatën e shpendëve ujorë, e cila më pas vlerësohet në nivel ndërkombëtar.

Ky census, që është realizuar për herë të parë në vitin 1967, përbën një element kyç për menaxhimin e qëndrueshëm të zonave të mbrojtura dhe për forcimin e kapaciteteve të Shqipërisë në mbrojtjen e biodiversitetit të saj.

Ai kontribuon gjithashtu në bashkëpunimin ndërkombëtar për ruajtjen e shpendëve ujorë dhe mbrojtjen e mjedisit, duke siguruar një ekosistem të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm për brezat e ardhshëm.

Trump betohet si presidenti i 47-të i Amerikës

Donald Trump u betua për herë të dytë si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ai po kthehet në Shtëpinë e Bardhë pas fitores bindëse në zgjedhje.

Presidenti Joe Biden dhe zonja e parë Jill Biden mirëpritën presidentin e zgjedhur Donald Trump dhe Melania Trump në Shtëpinë e Bardhë.

“Mirë se erdhët në shtëpi”, i tha Biden Trumpit.

Pas një takimi të shkurtër, ata shkuan së bashku në Kongres për ceremoninë e betimit.

Trump pritet të mblidhet me stafin dhe anëtarët e Kongresit në dhomën e Presidentit pranë dhomës së Senatit. Aty do t’i bëjë nominimet dhe do t’i nënshkruajë urdhrat e tij të parë ekzekutiv si president.

Ish-presidentët mbërrijnë në Kongres për inaugurimin e Trumpit

Ish-presidentët amerikanë, Barack Obama, Bill Clinton dhe George Bush kanë mbërritur në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të zgjedhur të ShBA-ve, Donald Trump.

Barack Obama u pa gruan e tij, Michelle. Javën e kaluar, zyra e saj konfirmoi se ajo nuk do të ishte e pranishme sot.

Ndërkohë, Bill Clinton dhe George Bush u panë të shoqëruar nga bashkëshortet e tyre, njofton Klankosova.tv.

Barack Obama pa Michelle 

Barack Obama walking

Bill Clinton dhe Hillary 

Bill and Hillary Clinton

George Bush dhe Laura

George and Laura Bush

90-të vjetori i lindjes së Mark Kaçinarit, Ministri Çeku: Vepra e tij zë vend të rëndësishëm në opusin e literaturës së muzikës klasike shqiptare

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, në 90-vjetorin e lindjes ka përkujtuar pedagogun, kompozitorin e dirigjentin e shquar, Mark Kaçinari.

Ministri Çeku ka thënë se Kaçinari si kompozitor shquhet për përpunimin e këngëve popullore dhe përdorimin kreativ të motiveve të folklorit muzikor shqiptar në veprat e tij, dhe se këto vepra zënë vend të rëndësishëm në opusin e literaturës së muzikës klasike shqiptare.

“Kaçinari i përket brezit të parë të studentëve shqiptarë nga Kosova, të cilët kanë kryer Akademinë e Muzikës, për tu bërë më vonë ndër pedagogët e parë të Shkollës së Lartë Pedagogjike në Prishtinë, e më pas Dekan i Akademisë së Arteve të Prishtinës, ku dha kontribut të jashtëzakonshëm në edukim të brezave të tërë muzicientësh”, është shprehur Ministri Çeku.

Kaçinari drejtoi disa ansamble të shquara, veçanërisht ato korale, si Korin e SHKA “Agimi” në Prizren dhe Korin “Collegium Cantorum” në Prishtinë, të cilin e themeloi vetë, kor ky që arriti suksese të jashtëzakonshme.

“Krijimet e tij, si “Shamikuqja”, “Zogu i Ohrit” dhe “Bijtë e shqipes”, mbeten pjesë e çmuar e kulturës sonë muzikore. Kujtojmë dhe nderojmë kontributin e tij të pashlyeshëm, që frymëzon breza të tërë artistësh e dashamirësish të muzikës.

Lavdi veprës dhe trashëgimisë së tij”, është shprehur Ministri Çeku!/ KultPlus.com

Biden konfirmon se ia ka lënë Trumpit një letër në Zyrën Ovale

Presidenti Joe Biden konfirmoi se ka lënë një letër në Zyrën Ovale për paraardhësin dhe pasardhësin e tij, presidentin e zgjedhur Donald Trump, raporton CNN.

I pyetur nga gazetarët jashtë Shtëpisë së Bardhë nëse ai ka shkruar një letër, Biden tha, “Po”, megjithëse nuk pranoi të jepte më shumë detaje.

“Kjo është mes meje dhe Trump”, tha ai.

Trump e kishte lënë një letër në vitin 2021 që Biden e përshkroi më vonë si “shumë bujare”.

Biden e mirëpriti Trumpin në Shtëpinë e Bardhë dhe pas një takimi të dy udhëtuan bashkë drejt Kongresit për ceremoninë e betimit.

‘Mirë se erdhe në shtëpi’, i tha Bideni, Trumpit kur mbërriti në Shtëpinë e Bardhë

“Mirë se erdhe në shtëpi”, i tha presidenti amerikan, Joe Biden, pasardhësit të tij, presidentit të sapozgjedhur Donald Trump, teksa e përshëndeti atë në Portikun Verior të Shtëpisë së Bardhë.

Kthimi i Trumpit në Shtëpinë e Bardhë përbën një ‘zhgënjim’ për Bidenin, i cili dikur e shihte veten si personin që parandalonte rikthimin e rivalit të tij në pushtet.

Ai përgënjeshtroi çdo ndjenjë ndërsa shtrëngoi dorën me Trumpin të hënën, duke e mirëpritur atë për çajin dhe kafen tradicionale përpara betimit.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë të njohur me planifikimin thonë se nuk ka pasur kurrë ndonjë debat nëse presidenti në largim do të merrte pjesë në hapat ceremonialë, pavarësisht nga fakti se katër vjet më parë, Trumpi nuk i dha të njëjtat mirësjellje ndaj Bidenit, transmeton Klankosova.tv./ KultPlus.com

Rekord turistësh në vitin 2024, Rama: 500 mijë vizitorë në Kalanë e Beratit, 85% ishin të huaj

Berati vijon të jetë ndër destinacionet kryesore që vizitohet nga mijëra turistë në të gjitha stinët e vitit.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale disa të dhëna mbi sitet kryesore turistike në qytetin e “një mbi një dritareve”.

Sipas kryeministrit, “viti 2024 shënoi një rekord turistik në qytetin e Beratit”.

“Vetëm Kalaja është vizituar nga 500 mijë vizitorë, ku 85% e tyre ishin të huaj, ndjekur nga Muzeu ‘Onufri’, krenaria e Beratit dhe thesar i çmuar i gjithë Shqipërisë, i cili u vizitua nga 100 mijë vizitorë përgjatë vitit që shkoi”, u shpreh Rama.

Berati ka një sërë pikash turistike që zgjojnë interesin e turistëve, disa prej të cilave janë Qendra Historike e qytetit, Kalaja, Gorica, Mangalemi që janë pasuri e UNESCO-s, Muzeu Ikonografik “Onufri”, Qendra Mesjetare, objektet e kultit bizantin dhe xhamitë e vjetra të periudhës otomane.

Turistët vlerësojnë jo vetëm historinë e kulturën, por edhe ushqimin e mikpritjen vendase.

Vitet e fundit turistët kanë treguar interes edhe për atraksionet e ekoturizmit, fshatrat turistike Roshnik, Sinjë, Drobonik, kantinat e verës, aktivitetet rafting në lumin Osum, ngjitje në malin e Tomorit, hedhje me parashuta nga mali Shpirag, kanoe në liqenet e Tomorit, ecje me biçikletat malore në rrethinat e Beratit, vizitë në Kanionet e Osumit, pjesëmarrje në turet e gastronomisë në agrobizneset në fshatrat turistikë etj./atsh/KultPlus.com

Sa ju kam dashur

Poezi nga Aleksander Pushkin

Sa ju kam dashur! Ndofta dashuria
Nuk është shuar krejt në shpirtin tim!
Po s’dua që prej dhembjeve të mia
Të ngryseni sërish në dëshperim.

I heshtur e pa shpresë u përvelova
Me ndrojtje, xhelozi e mall për ju
Po kaq me dliresi ju dashurova,
Sa, zot!ju dashtë tjetër kush kështu!/KultPlus.com

“Epoka e Inteligjencës Artificiale”, libri i tre mendimtarëve të shquar amerikanë mbi IA

Në mjediset e Bibliotekës së Kryeministrisë (COD) u promovua “Epoka e Inteligjencës Artificiale”, një libër i shkruar nga ish-sekretari amerikan i shtetit, Henry Kissinger, ish-CEO i Google, Eric Schmidt dhe Daniel Huttenlocher, një shkencëtar kompjuterik amerikan.

Paneli i ftuar përbëhej nga botuesi, Rexhep Hida, përkthyesi, Krenar Hadëri si dhe përfaqësues nga Autoriteti Kombëtar i Sigurisë Kibernetike dhe instituti i edukimit “Harry Fultz”.

Libri “Epoka e Inteligjencës Artificiale” shqyrton mënyrën se si Inteligjenca Artificiale po transformon shoqërinë njerëzore në mënyrë të thellë dhe rrënjësore. Tre mendimtarët e shquar amerikanë eksplorojnë ndikimin e IA në fusha si siguria, ekonomia, rendi shoqëror dhe vetëdija njerëzore.

Ky libër paraqet një analizë të thellë mbi mënyrën si Inteligjenca Artificiale po revolucionarizon sektorë si mjekësia, arsimi dhe shumë të tjerë, duke shënuar një epokë të re dhe të veçantë në zhvillimin e teknologjisë.

Aktiviteti u ndoq me interes edhe nga nxënësit e shkollës profesionale “Harry Fultz” në profilin IT dhe Informatikë./atsh/KultPlus.com

‘Me një buzëqeshje në fytyrën time vetëm duke menduar për ty’

Poezi nga Jim Morrison

Duke shikuar dallgët rrokullisur në oqeanin blu
Me një buzëqeshje në fytyrën time vetëm duke menduar për ty
Kujtimet e ëmbla, momentet e ëmbla që kemi ndarë
Më përkëdhelin si fllad i butë që mbush ajrin
Ndjenja e dashurisë që kam kur mbaj dorën tënde
Natë vere kur ecë në rërë
Valët që derdhen mbi shkëmbinjtë përgjatë vijës bregdetare
Më sjellë lot në sytë e mi duke e ditur që je imja
Ndarja e një dashurie si e jona, zemra ime e lumtur psherëtin
Duke shikuar retë vjollcë që lundrojnë shkujdesshëm./ KultPlus.com

Orkestra Simfonike e Shkodrës nis përzgjedhjen e instrumentistëve të rinj

Kjo e hënë shënon një moment të rëndësishëm për Orkestrën Simfonike të Shkodrës, e cila ka nisur konkursin për instrumentistët e kësaj orkestre, simbol i traditës muzikore të qytetit.

Komisioni i përzgjedhur nga bashkia Shkodër, i kryesuar nga dirigjenti Jetmir Barbullushi, ka dëgjuar të gjithë aplikantët, të cilët do të përzgjidhen bazuar në vlerësimet e këtij komisioni.

Kjo iniciativë, e cila përfaqëson një proces të ri për këtë formacion muzikor, ka marrë mbështetjen e kryebashkiakut Benet Beci. Beci i ka shprehur dirigjentit Barbullushi mbështetjen e institucionit të bashkisë Shkodër në fuqizimin e këtij formacioni, që është një trashëgimi e rëndësishme për Shkodrën.

Sipas dirigjentit Jetmir Barbullushi, konkurrimet janë një mundësi për të evidentuar talente të reja që mund të bëhen pjesë e Orkestrës Simfonike të Shkodrës. Ai thekson se procesi bazohet mbi transparencë dhe profesionalizëm, duke hedhur poshtë çdo aludim lidhur me konkursin.

Formacioni i Orkestrës Frymore është një prej vlerave të veçanta artistike dhe unikale të Shkodrës, me fillesa që datojnë në vitin 1876. Për një periudhë të gjatë, ky formacion ka qenë nën drejtimin mjeshtëror të Kujtim Alisë dhe ka qenë pjesë e eventeve kryesore kulturore të bashkisë.

Formacioni i Orkestrës Simfonike të Shkodrës, i themeluar në vitin 1952, prej 32 vitesh vazhdon të jetë një pjesë integrale e eventeve kulturore të nivelit më të lartë që zhvillohen në qytet. Ky formacion mbetet një pasuri e çmuar për trashëgiminë artistike të Shkodrës./atsh/KultPlus.com

Dy vite nga vdekja e legjendës së rokut, Dejvid Krozbi

Veterani amerikan i rokut, Dejvid Krozbi ka vdekur në moshën 81-vjeçare, para dy vitesh.

Këngëtari i rokut, kitarist dhe tekstshkrues ishte pjesë e bendeve “Bërds dhe Krozbi”, dhe “Stills dhe Nesh”.

Karrierën e filloi në vitin 1964, si anëtar i bendit “Bërds”, i njohur për përpunimin e hitit të këngëtarit Bob Dillan – “Tambourine Man”. Krozbi dy herë ishte pranuar në Shtëpinë e të famshmëve të rokenrollit./ KultPlus.com

Rritja e kapaciteteve institucionale kundër trafikut të objekteve të trashëgimisë kulturore

Trashëgimia kulturore përballet me kërcënime të vazhdueshme nga trafikimi i paligjshëm, vjedhja dhe eksportet ilegale të objekteve të trashëgimisë kulturore.

BE dhe UNESCO, me mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, adresuan këtë sfidë përmes një trajnimi të specializuar për profesionistë nga sektori gjyqësor dhe prokuroria.

Nisma është pjesë e projektit të financuar nga BE, “Lufta kundër trafikimit të paligjshëm të pronës kulturore në Ballkanin Perëndimor”, që u trajtua gjithashtu në vitin e kaluar. Kjo nismë në mënyrë të dedikuar me të gjithë sektorin dhe infrastrukturën kulturore, synon rritjen e kapaciteteve institucionale, forcimin e kuadrit ligjor si dhe nxitjen e bashkëpunimit rajonal për të mbrojtur thesaret kulturore shqiptare.

MEKI së bashku me organizmat evropiane u angazhuan për mbrojtjen e trashëgimisë sonë kulturore, një pasuri e paçmuar që përcakton historinë, identitetin dhe kujtesën kolektive./atsh/KultPlus.com

Ndamja

Shqipe Bytyqi

Njerëzit as e marrin vesh
si ndahen s‘gjalli
aq e lëmueshme di me qenë ndamja
si fillimi vdekjes
që s‘pari zverdh hundë e gojë
e rrëshqet trupit si gjarpën i ftohtë
Në fakt, vdekja fillon para lindjes
qeliza që kryejne detyrën e tyne
e më pas vdesin
algoritme që me plan
ndizen e fiken

Ndamja asht si vdekja
lundron atij lumi t’vdekjes
me dy monedha mbi sy
për ma t‘mbramen pagesë

Njerëzit as e marrin vesh
si ndahen s‘gjalli
si miqësi e dashuri
rastisin, bijnë në agoni
paçka lidhur për direk anije
edhe genin tand
dijnë ta mposhtin Circet

Njerëzit
as e marrin vesh…/ KultPlus.com