Immanuel Kant dhe paqja e mundur

Kur, në pranverën e vitit 1795, Prusia, Spanja dhe Holanda nënshkruan Paqen e Baselit me Republikën Franceze, ky akt shënoi një moment të rëndësishëm për stabilitetin e brishtë institucional që Franca kishte arritur pas Revolucionit të vitit 1789. Një mbështetës i zjarrtë i kësaj iniciative ishte Immanuel Kant, filozofi i madh gjerman dhe një nga figurat kryesore të Iluminizmit. I njohur për veprat e tij madhore si Kritika e Arsyes së Kulluar (1781) dhe Kritika e Gjykimit (1790), Kant-i kishte ndikim të jashtëzakonshëm në qarqet intelektuale të Evropës.

Revolucioni Francez dhe ndikimi mbi Kant-in

Kant e shihte Revolucionin Francez si një shenjë shprese për përparimin e njerëzimit, pavarësisht teprimeve dhe dhunës që e shoqëroi. Ai e admironte shpalljen e Deklaratës së të Drejtave të Njeriut dhe të Qytetarit të vitit 1789, e cila njohu barazinë e të gjithë njerëzve dhe lirinë e mendimit.

Ky ishte një moment historik që reflektonte aspiratat e Iluminizmit për emancipimin intelektual dhe shoqëror. Kant-i, ndonëse një “spektator për së largu” që nuk e kishte braktisur kurrë qytetin e tij të lindjes, Königsberg (sot Kaliningrad), ndjeu një lidhje të thellë me idealet që frymëzuan revolucionin.

Një propozim për paqen e përjetshme

Në vitin 1795, Kant botoi traktatin e tij të famshëm Për Paqen e Përjetshme, një vepër që fillimisht u konsiderua si jo madhore, por që sot vlerësohet si një prej punimeve të tij më me ndikim. Traktati nuk ishte thjesht një reflektim mbi konfliktet e kohës, por një propozim i guximshëm dhe i detajuar, se ç’mund të bëhej që të parandalohej lufta në të ardhmen.

Sipas Kant-it, njerëzimi mund të krijonte kushte për paqe të qëndrueshme duke përvetësuar një qasje racionale dhe morale në marrëdhëniet midis shteteve. Duke e krahasuar me kontratën sociale që i lejonte individët të bashkëjetonin, Kant argumentoi se, edhe shtetet mund të krijonin një “federatë” që të garantonte bashkëpunimin dhe shmangien e konflikteve.

Tre shtyllat e paqes sipas Kant-it

Për të arritur paqen e përjetshme, Kant identifikonte tri kushte kryesore:

Qeverisja republikane: Kant besonte se shtetet republikane, të bazuara në liri, ndarjen e pushteteve dhe sundimin e ligjit, ishin më të prirura për të shmangur luftërat. Ai e shihte republikën si një formë qeverisjeje që inkurajonte respektin ndaj individëve dhe paqen.

Një federatë e shteteve të lira: Kant propozoi krijimin e një federate midis shteteve të pavarura, të cilat do të bashkëpunonin për të zgjidhur konfliktet përmes dialogut dhe jo dhunës.

Të drejtat e mikpritjes: Kant theksoi rëndësinë e respektimit të të drejtave të të huajve dhe sigurimin e mikpritjes në territoret e shteteve. Ky parim ishte një hap i guximshëm drejt ndërtimit të një bashkëjetese globale.

Këto ide ishin thellësisht novatore për kohën dhe reflektuan ndikimin e Revolucionit Francez mbi mendimin e Kant-it. Ai i shihte republikat si mjedisin ideal për zhvillimin e një paqeje të qëndrueshme.

Një reflektim mbi luftën dhe paqen

Kant-i e konceptonte paqen jo si mungesë të përkohshme të luftës, por si një proces të vazhdueshëm që duhej të mbështetej në arsye dhe moral. Ai shkruante: “Vepro sikur paqja të ishte e mundur,” duke theksuar se, pavarësisht sfidave, njerëzimi duhet të vazhdojë të punojë drejt një bote më të drejtë dhe më të sigurt.

Për Kant-in, paqja nuk ishte një ideal utopik, por një qëllim i arritshëm përmes hapave të vegjël dhe të vazhdueshëm. Ky vizion ishte i lidhur me qasjen e tij racionale ndaj historisë dhe potencialit të njerëzimit për të përparuar drejt civilizimit.

Një trashëgimi e gjallë

Puna e Kant-it për paqen ka lënë një trashëgimi të thellë në mendimin filozofik dhe politik. Ndërkombëtarizmi, idetë për bashkëpunimin midis shteteve dhe respektimi i të drejtave të njeriut mbeten shtylla të rendit global sot. Në një botë që shpesh duket e zhytur në konflikte, vizioni i Kant-it vazhdon të frymëzojë ata që besojnë në fuqinë e arsyeve dhe dialogut.

Siç shkruan filozofi italian Antonio Gargano: “Paqja nuk është një triumf i plotë i arsyes mbi natyrën, por një udhërrëfyes që na drejton drejt moralitetit dhe racionalitetit.” / bota.al/ KultPlus.com

Edvard Kocbek: Nuk kam bërë lojë me fjalë

Edvard Kocbek (1904 – 1981), poet dhe partizan slloven.

NUK KAM BËRË LOJË ME FJALË

Nga Edvard Kocbek

Nuk kam bërë lojë me fjalë

që kanë kuptim, tash do të doja ta dorëzoj veten

në lojëra të rrezikshme fjalësh që nuk nënkuptojnë asgjë

dhe janë mister edhe për vetveten. Liria është

liria e tmerrshme e asgjësë. Cilën anë

do ta zgjedh tash që ka ardhur momenti

vendimtar? Deri tash kam luajtur, por tash e tutje,

i fshehur në tokë, do të shqiptoj

fjalë të panjohura përmes epokash, mbase

përmes përjetësisë…

Shënim biografik

Më 1951 Kocbek kishte botuar librin me novela ‘Strah in pogum’, e cila ishte sulmuar egërsisht nga establishmenti dhe përdorur si pretekst për përjashtimin e tij nga jeta publike. Rreth një decenie jeton i papunë dhe pa mundur të botojë asgjë. I bëhen presione të ndryshme psikologjike: shtëpia e tij e lindjes në Sveti Jurij demolohet pa asnjë shkak; gjatë një shëtitjeje me familjen ia zhdukin arkivin personal; iamzhet e tij zhduken nga fotografitë zyrtare të manifestimeve partizane dhe të pasluftës. Gjatë kësaj periudhe të heshtjes së detyruar përkthen autori si Balzac, Mauriac, Maupassant dhe Saint-Exupéry.

Në vitet e para të të gjshtëdhjetave, pas rënies së ndikimit të Edvard Kardelit, armikut kryesor të poetit në brendinë e establishmentit komunist slloven, i lejohet të botojë, madje edhe fiton çmime të rëndësishme letrare; sidoqoftë vazhdon të mbikëqyret dhe t’i bëhen presione psikologjike.

Përkthehet në shumë gjuhë të huaja.

Më 1975 revista letrare sllovene e Triestes, ‘Zaliv’, boton një intervistë, të redaktuar nga shkrimtarët me origjinë nga pakica sllovene në Itali, Boris Pahor dhe Alojz Rebula, ku e dënon në mënyrë eksplicite masakrën e ‘domobrancëve’, pra vrasjen e rreth 12.000 milicianëve sllovenë në fund të LIIB. Intervista shkakton tërmet në Jugosllavinë komuniste dhe një fushatë sistematike të përgojimit kundër poetit. Kecbek do të ndihet më i sigurt vetëm pas intervenimit të fituesit të çmimit Nobel Heinrich Böll, mik i poetit, i cili e denoncon publikisht keqtrajtimin psikologjik që po i bëhej poetit.

Ndikimi i Kecbekut në letërsinë sllovene është tejet i madh. Fillimisht ndër ta edhe Boris Pahor. Por Kocbek bëhet figurë qendrore vetëm në vitet gjashtëdhjetë dhe shtatëdhjetë, duke u bërë referenca kryesore letrare dhe morale e gjeneratës së re të shkrimtarëve si Drago Jančar, Tomaž Šalamun, Dane Zajc, Jože Snoj, Dominik Smole, Gregor Strniša. (Wikipedia).

***

Poezi që kemi sjellë këtu është një papërfunduar, në të cilën poeti kishte qenë duke punuar në ditët e fundit të jetës së tij.

Megjithëse tingëllon si një poezi fatthënëse, e përforcuar sigurisht nga pjesa e parë e vargut të tetë «i fshehur në tokë», që do të sugjeronte se poeti tash e tutje do ta bëjë atë lojë fjalësh, të dëshiruar me aq zjarr, nga varri, është thjesht një zgjerim, ose rirrëfim, rikonfirmim, i domethënies së vërtetë të poezisë: kumbim «përmes epokave», «mbase përjetësisë».

Në të vërtetë, do të mund të lexohej edhe si referencë në të kaluarën e tij të dhimbshme, ku ishte heshtur, keqtrajtuar përndjekur dhe për rrjedhojë, në vetminë e tij, do të ketë bluar (po bluan dhe do të bluajë) në mendje fjalët më të panjohura, që do ta mposhtin sistemin keqdashës dhe do të ushtojnë në përjetësi.

/Marrë nga: Nothing Is Lost: Selected Poems (Princeton, Oxford: Princeton University Press, 2004) /Gazeta Express/ KultPlus.com

Sonte artistët risjellin këngët që bënë histori, zgjidhen 15 finalistët

Një festë e madhe pritet të jetë edhe Nata e Nostalgjisë në Festivalin e Këngës në Radio Televizionin Shqiptar. Këngët që kanë bërë historinë e festivalit ndër vite do të vijnë të interpretuara në duet nga artistët pjesëmarrës të Fest 63.

Vota e jurisë do të përcaktojë sonte 15 finalistët, të cilët do të performojnë në natën e 4-tërt finale të Fest 63, ndërsa në natën finale, gjykimit të jurisë do t’i bashkohet edhe vota e publikut.

Në këtë edicion do të ketë vetëm një këngë fituese, e cila do të përfaqësojë Shqipërinë edhe në Eurovizion.

Për herë të parë në këtë edicion të 63 të Festivalit të Këngës do të llogaritet edhe vota e diasporës.

Në natën e 3-të e cila përkon me mbrëmjen e nostalgjisë nuk do të mungojnë dhe të ftuarit special.

Parashqevi Simaku do të përshëndesë me zë dhe figurë Festivalin e 63-të të Këngës në RTSH

Ikona e muzikës së lehtë shqipe, Parashqevi Simaku do të përshëndesë me zë dhe figurë Festivalin e 63-të të Këngës në RTSH, shkruan KultPlus.

Biznesmeni Elton Ilirjani në një paraqitje mediale e ka konfirmuar rikthimin në muzikë të këngëtares Simaku më 24 dhjetor, teksa sonte përmes një video lidhjeje në ora 21:00 ajo do të përshëndes edhe artistët dhe publikun e Fest 63.

Këto ditë artistja Simaku ka qenë një ndër top temat më të shtjelluara në mediat shqiptare, vëmjendje kjo e cila ka nxjerrë në pah një dashuri tejet të madhe të popullit shqiptar ndaj saj./ KultPlus.com

Komuna e Prishtinës merr masa para festave të fundvitit

Komuna e Prishtinës përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se ka marrë masa para festave të fundvitit. Në komunikatë thuhet që është e rëndësishme që secili prej nesh të tregojë kujdes të shtuar për sigurinë dhe mirëqenien e përgjithshme.

Komuna e Prishtinës ka bërë apel për qytetarët për vigjilencë dhe bashkëpunim nga të gjithë qytetarët.

“Në njërën nga pikat kërkohet që qytetarët të vëzhgojnë rrethinën dhe të lajmërojnë menjëherë autoritetet për çdo rast të dyshimtë, situatë apo individ që mund të paraqesë rrezik për rendin e sigurinë”, thuhet në komunikatë.

Cirku Kombëtar feston 65-vjetorin me një shfaqje të veçantë

“Kartolinë për 65-vjetor” titullohej premiera e shfaqjes së Cirkut Kombatër ku morën pjesë prindër e fëmijë.

E organizuar me rastin e 65-vjetorit të krijimit të Cirkut Kombëtar, artistët performuan për të pranishmit një sërë numrash akrobacie, shpejtësie, kënge, balet, etj.

Ministri i Ekonomisë, kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ndau në rrjetet sociale momente nga kjo shfaqje, teksa theksoi se “kjo shfaqje erdhi si një përshëndetje për të gjithë ata që ndër vite kanë duartrokitur, ëndërruar dhe ndarë magjinë e cirkut me ne”.

“Kartolinë për 65-vjetor” do të shfaqet sot dhe nesër në orën 11:00 për të gjithë fëmijët dhe prindërit.

Nëntori i vitit 1959 me realizimin e një shfaqje të plotë cirku, që u titullua ‘‘Shkopi Magjik’’, do të shënonte momentin e lindjes së Cirkut Shqiptar.

Pionierët e parë të këtij arti në vendin tonë u shfaqën gjatë viteve 1932-’35, kryesisht në fushën e iluzionit dhe të ekuilibrit mbi tel. Në vazhdimësi numri i tyre u rrit dhe profilet ku ata luanin u zgjeruan, duke u pasuruar me numrat akrobatikë, numrat ajrorë, ato me kafshë, kllounatë e xhongleristikë. Në vitin 1959 ata artistë kurajozë e të talentuar realizuan një shfaqje të plotë cirku të titulluar “Shkopi Magjik” Ky moment i rëndësishëm shënon krijimin e Cirkut Shqiptar, një pjesë e rëndësishme dhe me vlerë e kulturës dhe artit tonë kombëtar.

Cirku Kombëtar përfshin në repertorin e tij vlera nga cirku botëror, por gjithashtu edhe vlera tradicionale. Këto vlera pasqyrohen në ilustrimet muzikore, ritmet, veshjet dhe në një masë më të madhe në idetë dhe skenografitë e shfaqjeve./ KultPlus.com

Barcelona e synon fitoren e pestë rresht ndaj Atleticos

Barcelona dhe Atletico Madridi do të luajnë në stadiumin “Lluis Comanys Olympic” të shtunën nga ora 21:00, në ndeshjen që e shënon xhiron e 18-të në La Liga.

Barcelona e synon edhe fitoren e pestë rresht në ligë ndaj skuadrës së drejtuar nga Diego Simeone, që po kalon formë shumë të mirë së fundmi.

Barça dhe Atletico aktualisht janë skuadrat më të mira në ligë me nga 38 pikë.

Por Barcelona e ka një ndeshje më shumë të luajtur sesa Atletico e Real Madridi. Klubi mbretëror, Real Madridi, i ka 37 pikë. Kampioni i La Ligas takohet me Sevillan, që vlerësohet ndeshje shumë e fortë po ashtu e që luhet të dielën nga ora 16:15.

Reali e humbi mundësinë që të dalë në vendin e parë pasi barazoi 3:3 me Rayo Vallecanon në xhiron e kaluar. Por në këtë ndeshje futet pas triumfit në Kupën Interkontinentale të FIFA-s.

Reali është i pamposhtur nga skuadra andaluziane që prej vitit 2019. Sevilla e zë vendin e 11 me 22 pikë./ KultPlus.com

Shqipëria mbyll TikTokun

Qeveria shqiptare ka vendosur ta bllokojë platformën TikTok në Shqipëri, ka thënë ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, gjatë prezantimit të Planit të Ri të Veprimit, një nismë e Ministrisë së Arsimit për të rritur sigurinë në shkolla. 

Manastirliu theksoi se ky hap është pjesë e një pakete masash të cilat janë në zhvillim e sipër nga Autoriteti Kombëtar i Sigurisë Kibernetike dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit. Ajo theksoi se ndalimi i TikTokut është një masë që lidhet me përpjekjet për të rritur sigurinë fizike dhe digjitale në shkolla dhe për të mbrojtur fëmijët nga ndikimet negative të rrjeteve sociale.

“Për rritjen e sigurisë fizike dhe digjitale në shkolla dhe impaktin që sjellin rrjetet sociale, si dhe angazhimin e fëmijëve, kemi vendosur bllokimin e platformës TikTok, bazuar në një paketë masash që po punojnë autoritetet përkatëse,” tha Manastirliu.

“Jemi të ndërgjegjshëm se tek nxënësit po rritet nevoja për mbështetje multidisiplinare, sidomos për sa i përket mbështetjes psiko-emocionale dhe adresimit të shqetësimeve të moshës. Për këtë arsye, kemi planifikuar shtimin e 350 punonjësve psikosocialë, duke arritur në 1,200 brenda dy viteve të ardhshme. Bashkë me partnerët tanë të shoqërisë civile dhe institucioneve akademike, do të ngremë një Rrjet Kombëtar për Sigurinë Online, që do të ndihmojë në mbrojtjen digjitale të nxënësve”, shtoi ministrja./ euronews/ KultPlus.com

Hapet konkurs i ri për specializime, 268 vende në 37 lëmi specialistike për mjekët, stomatologët dhe farmacistët

Janë hapur 268 vende në 37 lëmi specialistike për mjekët, stomatologët dhe farmacistët.

Këtë e bëri të ditur ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili tha se ky është konkursi i katër brenda 21 muajve.

“E nënshkrova vendimin për hapjen e konkursit të ri për specializime. Janë të hapura 268 vende në 37 lëmi specialistike për mjekët, stomatologët dhe farmacistët. Ky është konkursi i 4 brenda 21 muajve. Kemi shpallë mbi 820 vende të reja për specializime për nevojat e të gjithë sektorit shëndetësor”, ka shkruar Vitia.

“Me organizim e planifikim arritëm të mbulojmë mungesat në lëmitë specialistike, sidomos në Anesteziologji, Mjekësi Emergjente, lëmitë e shëndetit publik e Nefrologji për shërbimet e reja në rajone”, shtoi ai./ KultPlus.com

Accusoft Corporation

Solstic dimëror

Poezi nga Alex Dimitrov

Mbërriti sërish nata më e gjatë e vitit.
Qyteti gati si kur po xhirohej një film.
Rrugët e tij të vrasin sytë—njoftojnë
atë që s’është e mundur të matet: heshtinë,
cilët qemë ndër pasqyra, neon në ngjyrë hi.
Tri pëllumba bëhen tufë nën dritën e lokalit.
Një çift grindet darkës ndërsa një shërbyes
iu sjell pagesën. Nuk merret vesh se ç’iu
ka shkaktuar e shkuara, qoftë dhe këto pesë minutat e fundit.
Pos kësaj, kush di se ç’mund të bëjë me dashurinë?
Mund të mos i mbijetojë një cigareje.
Dhe për kaq mund të të vrasë, medet ç’zymtësi
sa të akullt ngjajmë qoftë dhe në mjerimin tonë
duke ditur se për këtë do t’na djegë malli.
Do t’na djegë malli kur t’i ketë ardhur fundi.

Përktheu: Edon Qesari / KultPlus.com

Sot mbahet bashkëbisedimi i rrallë me aktoren Meli Qena

Fotografia: Fahredin Spahija

Aktorja e njohur Meli Qena është figura e radhës që do të prezantohet në kuadër të projektit “Njihuni me artin e viteve 1970-1980”, projekt ky i ideuar nga Vlora Merovci e që është mbështetë nga Komuna e Prishtinës.

Është ndër të paktat raste ku Meli Qena do të prezantohet me rrëfimin e saj për rrugëtimin e saj artistik, bashkëbisedim që do të realizohet në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, sot, duke filluar nga ora 18:00.

Të gjithë të interesuarit mund të vijnë dhe ta dëgjojnë nga afër rrëfimin dhe rrugëtimin artistik të aktores Meli Qena, e cila ka një bagazh të madh artistik./ KultPlus.com

Nis restaurimi i “Kishës së Manastirit të Shpërfytyrimit” në Dropull

Në “Kishën e Manastirit të Shpërfytyrimit” në fshatin Çatisë bashkia Dropull, monument kulture, kategori I ka nisur puna për restaurimin e saj.

Ky restaurim do të kryhet nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore të Gjirokastrës në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore dhe me mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

DRTK Gjirokastër bëri të ditur se “ndërhyrja do të konsistojë në restaurimin e këmbanares, të një pjese të çatisë, pastrimi i bimësisë dhe rrethimi i Kishës si dhe punime për zëvendësimin apo restaurimin e pllakave të brendshme të sheshit në naos apo narteks”.

Naosi është ndërtuar në vitin 1584 dhe është pikturuar në vitin 1622 nga piktor Mihali nga Linotopi.

Është njënefeshe, triapsidal me përmasa të brendshme 8,50 x3,20 m. Hapësira e naosit ndahet në tri pjesë nga të cilat dy anësoret lindore dhe perëndimore janë të mbuluara me qemere cilindrike me formuese paralele me aksin gjatësor, ndërsa pjesa qendrore mbulohet me qemer cilindrik në drejtimin tërthor, i cili ngrihet mbi qemeret gjatësorë.

Struktura e brendshme pasqyrohet dhe në kompozimin volumor të jashtëm. Pjesa qendrore ngrihet në formë volume prizmatik të mbuluar me çati dy ujëshe dhe e përshkon çatinë në drejtimin tërthor, duke krijuar edhe në mbulesë formën e kryqit.

Në anën perëndimore naosi i bashkëngjitet narteksit, ndërtim i vitit 1627. Narteksi ka planimetri në formë katrori me përmasa të brendshme 3,40 x3,20 m. Në katër qoshet dalin pilastra, të cilat lidhen ndërmjet tyre me harqe duke krijuar një bërthamë katrore të mbuluar me kupolë që ngrihet mbi një tambur të lartë./ KultPlus.com

Kurti për sulmin në Gjermani: Populli i Kosovës solidarizohet me ju

Kryeministri Albin Kurti ka ngushëlluar viktimat e sulmit të mbrëmshëm me veturë në një treg krishtlindjesh në Gjermani.

“Ngushëllimet e mia më të thella për viktimat dhe familjet e prekura nga sulmi në Magdeburg. Mendimet tona janë me popullin gjerman në këtë kohë të dhimbshme. Populli i Kosovës solidarizohet me ju”, ka shkruar Kurti.

Për këtë sulm ka ngushëlluar mbrëmë edhe presidentja Vjosa Osmani.

Deri më tani u raportua për katër të vdekur, përfshirë edhe një fëmijë nga një sulm me veturë që u përplas me turmën në një treg të Krishtlindjeve në Magdeburg të Gjermanisë.

I dyshuari, një mjek saudit, u arrestua dhe rasti po hetohet nga autoritetet gjermane./ KultPlus.com

Muzeu “Kadare” në Gjirokastër, qendër e aktiviteteve kulturore në stinën e Dimrit

Përgjatë stinës së Dimrit muzeu “Kadare” në qytetin e Gjirokastrës vazhdon të mirëpresë vizitorë. Kjo qendër shërben edhe për organizimin e aktiviteteve kulturore dhe artistike.

Tashmë shtëpia e lindjes së korifeut të letrave shqipe është pikë referimi jo vetëm për turistët por edhe shkrimtarët, studiuesit, etj. të cilët promovojnë libra dhe botime të ndryshme.

“Edhe pse jemi në sezonin e Dimrit, banesa “Kadare” vazhdon të ketë jo vetëm turistë, por edhe aktivitete të shumta kulturore, sot kemi fatin që të kemi promovimin e dy shkrimtarëve të njohur Shpëtim Emiri dhe Ksenofon Krisafi , gjatë gjithë kohës këtu janë bërë aktivitete sidomos sezonin e Dimrit  dhe do të vazhdojnë të bëhen aktivitete të tilla ku në bazë të tyre kanë kulturën”, thotë Alban Matushi, përgjegjësi i muzeut.

Studiuesi Ksenofon Krisafi ka përmbledhur në një libër kujtimet e ish-mësuesve dhe ish-nxënësve të gjimnazit “Asim Zeneli” në 100-vjetorin e çeljes së kësaj shkolle botim që u promovua në mjediset e Muzeut “Kadare”.

“Unë kam patur rastin të jem marrë me disa funksione të caktuara dhe kam takuar njerëz të ndryshëm nga të gjitha vendet e botës dhe sa ju thoja që jam shqiptar nga Ismail Kadreja më thonin kështu që të vish tek shtëpia e Ismail Kadaresë, të vish tek ky tempull i veçantë që përfaqëson një vatër të rëndësishme kulture, qytetarie, emancipimi, jo vetëm për Gjirokastrën por për tërë Shqipërinë, ndoshta edhe më gjerë, është një privilegj, është një nder. kjo është arsyeja që ne sot jemi tek shtëpia e Kadaresë dhe që e zgjodhëm  këtë për të promovuar  këtë libër”.

Aktivitete kulturore që zhvillohen në Muzeun “Kadare” promovojnë jetën dhe aktivitetin e shkrimtarit të njohur por shërbejnë edhe për gjallërimin e jetës kulturore në qytetin e gurta në stinën e dimrit.

“Mendoj se këto aktivitete i shërbejnë të gjithëve, i shërbejnë edhe banesës Kadare që është në funksion të turizmit, promovimit të tij por edhe vetë autorëve që kjo banesë e Kadaresë ju krijon mundësinë e një aktiviteti sa më të mirë dhe sa më të pranueshëm për gjithë letrarët”, shton Matushi.

Shkrimtari Ismail Kadare, një pjesë të rëndësishme të veprës letrare ja ka dedikuar vendlindjes, qytetit të Gjirokastrës./klanhd/ KultPlus.com

“Dexit”?, AfD do që Gjermania të dalë nga BE

AfD, në pjesë të saj ekstremiste e djathtë ka deklaruar në manifestin e saj elektoral se dëshiron që vendi të dalë nga Bashkimi Europian dhe të ndjekë modelin e Brexit.

Partia gjermane e ekstremit të djathtë AfD (Alternativa për Gjermaninë) e ka dyfishuar zotimin e saj se në rast se do të marrë pushtetin, do ta nxjerrë vendin jashtë BE-së dhe do të ndalojë përdorimin e monedhës së përbashkët europiane, Euro.

Në një manifest elektoral dërguar anëtarëve të saj para votimit brenda partisë, i parashikuar që të realizohet në fillim të janarit të ardhshëm, partia anti-migracion përsëriti premtimin e bërë gjatë zgjedhjeve europiane në verën e këtij viti, duke thënë se: “Ne mendojmë se është e nevojshme që Gjermania të dalë nga Bashkimi Europian dhe të krijojë një komunitet të ri europian”.

Si e përfytyron AfD Europën?

Në vend të BE-së, AfD dëshiron të paraqesë të ashtuquajturën platformë “Europa për atdheun” – një bashkim shtetesh që përfshin tregun e përbashkët dhe “komunitetin ekonomik dhe të interesave të përbashkëta”. Ekstremistët e djathtë kërkojnë gjithashtu të nxjerrin Gjermaninë nga zona e përbashkët monetare që hyri në fuqi në vitin 2002 dhe ta zëvendësojë atë me “union transfertash”. Partia pranon përmes këtij manifesti se një “ndryshim kaq radikal” s’do të ishte frytdhënës, prandaj propozon të rinegociojë marrëdhëniet me të gjitha shtetet anëtare të BE-së por dhe shtetet e tjera europiane.

Për këto çështje AfD kërkon mbajtjen e një referendumi, edhe pse dalja e vendit nga BE-ja s’do të ishte aq e thjeshtë pasi anëtarësia e Gjermanisë është “e vulosur” në Kushtetutë.

Edhe nëse në të ardhmen AfD do të qeveriste vendin dhe ta kërkonte zyrtarisht daljen e Gjermanisë nga Unioni, kjo lëvizje do të ishte anti-kushtetuese, pasi “Dexit” do të kërkonte 2/3 e shumicës parlamentare.

Tepër vonë për “Dexit”?

Plani i AFD-së përfaqëson një përforcim të pozicionit të partisë rreth temës së BE: në shkurt të këtij viti, bashkë-udhëheqësi i partisë Tino Chrupalla, tha se ishte “shumë vonë” që Gjermania të dilte nga BE-ja.

Bashkë-udhëheqësja tjetër e partisë, njëkohësisht kandidatja për Kancelare, Alice Weidel, e përkufizoi “Dexit” më tepër si një “Plan B”, në një intervistë dhënë britanikes “Financial Times” disa kohë më parë.

Institucionet ekonomike dhe shoqatat industriale më të rëndësishme në Gjermani e kanë dënuar këtë propozim. Instituti ekonomik gjerman IW, me bazë në Këln, ka përllogaritur se dalja nga BE-ja do t’i kushtonte vendit 690 miliardë Euro (725 miliardë Dollarë), sepse Prodhimi i Brendshëm Bruto do të tkurrej në 5.6%, që përkthehet në 2.5 milionë vende pune më pak. “Dëmi do të ishte njësoj sa kriza e pandemisë dhe ajo e energjisë të marra së bashku” – thuhet në studimin e IW-së.

Shoqata Gjermane e Biznesit të Vogël dhe të Mesëm (BVMW) ishte edhe më e ashpër, pasi e përshkroi planin e AfD-së si “mision kamikaz”.

Në një deklaratë të lëshuar para zgjedhjeve të BE-së në qershorin e këtij viti, BVMW-ja theksoi të gjithë elementët pozitivë që sjell monedha e përbashkët për bizneset e vogla dhe të mesme: “Bashkimi monetar është plotësimi i duhur i tregut të përbashkët të BE-së. Ky treg krijon lehtësira të konsiderueshme për shitjen e mallrave dhe shërbimeve në vendet e tjera të Unionit. Euro eleminon rreziqet e pallogaritura për kompanitë tregtare”.

Ronald Gläser, zëdhënës i AfD-së në Berlin, i hedh poshtë këto shqetësime.

“Po, Gjermania përfiton nga BE-ja, por ne besojmë se do të kishim përparësi edhe nga marrëveshje të tjera” – tha Gläser për DW. “Dhe kur dëgjoj ekonomistët që pretendojnë se dalja do të sillte katastrofë ekonomike, atëherë unë ngre pyetjen: A janë të njëjtët që thanë se Europa dhe Anglia do të ndikoheshin në mënyrë të tmerrshme nga Brexit? I mbaj mend të gjithë skenarët e frikshëm asokohe, por në fakt gjithçka shkoi pak a shumë normalisht”.

Një raport i publikuar nga “Cambridge Econometrics” në janarin e këtij viti evidentoi se Brexit bllokoi rritjen ekonomike dhe punësimin në Mbretërinë e Bashkuar duke parashikuar se vendi do të shënojë 3 milionë vende pune më pak deri në vitin 2035.

Mësimet që nxirren nga Brexit

Studimi i IW-së u mbështet tek ndikimet që Brexit pati në rajonet britanike që kanë ekonomi të ngjashme me rajonet gjermane.

“Ne mund të kemi lehtësisht pasoja shumë herë më të mëdha, sepse jemi më të ndërlidhur me BE-në sesa britanikët. Ne kemi Euron, që do të thotë se do të kishim më shumë ndërlikime se britanikët” – tha drejtori ekzekutiv i IW-së, Hubertus Bardt, njëkohësisht bashkëautor i raportit.

“Dexit” nënkupton se ne do të ishim 5,5% më të varfër në 5 vitet e ardhshme” – tha Bardt për DW.  Sipas tij, “kjo do të ishte një krizë e rëndë ekonomike, e paralajmëruar shumë kohë më parë”. “Sigurisht që do të ishte veçanërisht e dëmshme për kompanitë që varen nga tregjet dhe furnizuesit e shteteve të tjera të BE-së” – shtoi ai.

Zëdhënësi Gläser beson se një zgjidhje e ngjashme do të mund ta ruante tregtinë e lirë. “Përse mendoni se kompanitë dhe konsumatorët në Itali, Francë, Suedi apo kudoqoftë, s’do t’i donin më produktet gjermane nëse vendi s’është më pjesë e BE-së? – thotë ai. “As Zvicra nuk është në BE, por eksporton në të gjitha shtetet”.

“E konsideroj këtë ide jorealiste, të pakuptimtë dhe tymnajë të kotë” – thotë Berdt. “Shkatërrimi i BE-sënuk do të sillte një model të ri më të mirë se aktuali”.

“Rrënjët” anti-BE

Por ideja për “Dexit” nuk është e mirëpritur mes popullatës gjermane. Një anketim i publikuar këtë vit, nga Fondacioni “Konrad Adenauer” (KAS), i cili është afër partisë konservatore Unioni Kristian-Demokrat (CDU) arriti në përfundimin se 87% e gjermanëve do të votonin pro BE-së nëse do të duhej të votonin në referendum.

Por përse AfD vendosi që ta përfshinte një masë të tillë drastike dhe jopopullore në manifestin e saj elektoral? Gläser këmbëngul se dalja nga BE-ja do të ishte e duhura për gjermanët, u pëlqen ose jo atyre. “Ne nuk i hartojmë politikat në bazë të anketimeve. Ne duam të vëmë në zbatim idetë që i mendojmë të nevojshme dhe të rëndësishme”.

Wolfgang Schroeder, ekspert i shkencave politike në universitetin e Kassel, theksoi se qëndrimi i AfD-së është në përputhje me parimet mbi të cilat u krijua: në vitin 2013 ata u krijuan si parti ekonomistësh, kritikë pas krizës së Euros. Më pas nisën të vinin theksin tek politikat anti-migracion, por euro-skepticizmi i tyre ishte ende aty, edhe pse jo aq i dukshëm sa në fillimet e tij.

“AfD, parti nacionaliste”

“Në thelb, AfD është parti nacionaliste” – tha Schroeder për DW. “Ajo është kundërshtare e globalizmit, i cili ka sjellë gjithnjë me vete një sjellje skeptike ndaj autoriteteve ndërkombëtare. Për ta, të gjitha organizatat ndërkombëtare si BE apo OKB kanë qëllimet dhe vlerat e tyre, dhe për këtë arsye janë rrezik për vullnetin e vërtetë të njerëzve”.

Por a është AfD serioze në propozimin e saj për ta zëvendësuar BE-në me një tjetër lloj komuniteti ndërkombëtar, edhe pse kjo do shkaktonte “dhimbje koke” për ekonominë dhe kushtetutën? “Mund t’i përgjigjemi kësaj pyetje në dy mënyra” – thotë Schroeder. “Nga njëra anë, themi që ata nuk e kanë seriozisht për aq kohë sa përfaqësojnë pakicën dhe mund të thonë ç’të duan për të treguar panoramën e një bote ndryshe.

Personalisht, Schroeder mendon se pozicioni i AfD është një “bast që kushton shumë pak, por në plan afatgjatë”. “Ata po vënë bast se shumë shtete do të bien dakord me Euro-skepticizmin e tyre dhe në të ardhmen do të jetë që zhvillim i ri që shkon në drejtimin e Eurazisë, me perspektiva të reja ekonomike dhe politike”./DW/ KultPlus.com

Mbi 200 aktivitete në qendrën kulturore “Maison d’ Albanie” në Paris

Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën,Taulant Balla solli sot përmes një postimi në rrjetet sociale, rrëfimin e Anila Smorgrav, një shqiptare që jeton prej shumë vitesh në Paris dhe që njëherësh është anëtare e Këshillit Koordinues për Diasporën.

Balla u shpreh se, Anila Smorgrav është pjesë e komunitetit shqiptar në Paris të Francës, por edhe e Qendrës Kulturore “Maison d’Albanie” që organizon aktivitete të ndryshme për Diasporën.

Smorgrav, foli gjithashtu për këtë qendër kulturore, duke e cilësuar si të veçantë qasjen “Maison d’ Albanie”, për sa më shumë aktivitete dhe organizime ku mblidhen qindra shqiptarë.

“Qendra kulturore ka bërë 10-vjetorin dhe numërohen mbi 200 aktivitete, ku janë promovuar artistë të ndryshëm, qoftë në art, pikturë, muzikë, literaturë. Kjo qendër është bërë një vatër dhe dritare e ngrohtë e Shqipërisë, por edhe e rajonit, pasi Diaspora në Paris nuk dallon nga shqiptarët e Shqipërisë, të Kosovës, Malit të Zi apo Maqedonisë së Veriut”, tha ajo./ KultPlus.com

Restaurohet banesa e Ramiz Bekteshit, pasuri kulturore e Shkodrës

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër ndau pamjet e banesës së Ramiz Bekteshit, pas përfundimit të restaurimit të fasadës. Kjo banesë është pasuri kulturore e kategorisë së parë.

Banesa e Ramiz Bekteshit, e shpallur pasuri kulturore në vitin 1977, iu nënshtrua një ndërhyrjeje të kujdesshme restauruese, për të ruajtur autenticitetin dhe vlerat historike.

Banesa kaloi nëpër këto faza ndërhyrjeje:

  • Heqja e suvasë së vjetër në të gjithë sipërfaqen.
  • Pastrimi dhe heqja e gurëve të rrezikshëm, si dhe pastrimi i zgavrave nga suvaja ekzistuese.
  • Heqja e çapave të drurit nën trarët e çatisë dhe zëvendësimi i tyre me të rinj.
  • Larja e të gjithë sipërfaqes me ujë të bollshëm për të pastruar pluhurin dhe përgatitur fasadën për llaçin e ri.
  • Suvatimi me llaç gëlqereje, pas mbushjes së zgavrave ku mungonin gurët.
  • Lyerja finale e fasadës me gëlqere dhe e trarëve mbështetës me broninë.

Ky restaurim përfaqëson një përpjekje të përbashkët për të ruajtur trashëgiminë kulturore dhe për ta përcjellë atë si një vlerë të çmuar për brezat e ardhshëm. Ruajtja e këtij objekti kulturor ka rëndësi të veçantë, duke qenë se është një dëshmi e gjallë e artit dhe arkitekturës tradicionale shqiptare./ KultPlus.com

SHBA, Dhoma e Përfaqësuesve miraton planin për buxhetin e qeverisë 

Disa orë përpara skadimit të afatit të mbylljes së pjesshme të qeverisë në mesnatë, Dhoma e Përfaqësuesve miratoi një plan të ri të propozuar nga Kryetari Mike Johnson të premten në mbrëmje, që tani kalon për votë në Senat dhe më pas duhet të nënshkruhet nga Presidenti Joe Biden për t’u kthyer në ligj.

Paketa do të financonte përkohësisht operacionet federale dhe ndihmat për fatkeqësitë, por nuk përfshin kërkesën e Presidentit të zgjedhur Donald Trump për një rritje të kufirit të borxhit në vitin 2025.

Zoti Johnson kishte këmbëngulur se Kongresi do t’i “përmbushte detyrimet” dhe nuk do të lejonte mbylljen e operacioneve federale përpara sezonit të festave të Krishtlindjes.

Por fati i planit të tij ishte i pasigurt pasi zoti Trump përsëriti se një rritje e tavanit të borxhit duhet të ishte pjesë e çdo marrëveshjeje, duke thënë në një postim herët në mëngjes se nëse kjo nuk ndodhte le të “fillojnë tani” mbylljet.

Projektligji u miratua me 366 vota pro dhe 34 kundër dhe tani kalon në Senat që pritet ta miratojë së shpejti.

“Jemi entuziastë me këtë rezultat,” tha zoti Johnson pas votimit, duke shtuar se ai kishte folur me zotin Trump dhe presidenti i zgjedhur “ishte gjithashtu i kënaqur me rezultatin”.

“Nuk do të kemi një mbyllje të qeverisë,” kishte thënë ai përpara votimit.

Ishte përpjekja e tretë nga Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, për të plotësuar një nga detyrimet bazë të qeverisë federale – që të vazhdojë të funksionojë.

Zhvillimet ngrenë pikëpyetje të forta lidhur me fatin e zotit Johnson në pozicionin e kreut të Dhomës së Përfaqësuesve përballë zemërimit të kolegëve të tij republikanë si edhe për shanset e marrëdhënies së tij me zotin Trump dhe aleatin e tij miliarder Elon Musk, të cilët e kishin kundërshtuar planin e parë të zotit Johnson.

Kërkesa e minutës së fundit e zotit Trump ishte pothuajse e pamundur për t’u plotësuar dhe zoti Johnson nuk kishte asnjë zgjidhje tjetër veçse të punonte për një alternativë që nuk parashikonte rritjen e tavanit të borxhit.

Ai e dinte se nuk do të kishte mbështetje të mjaftueshme brenda shumicës së republikanëve për të miratuar paketën e financimit të qeverisë, pasi shumë republikanë preferojnë të bëjnë shkurtime të shpenzimeve të qeverisë federale dhe është e sigurt se do të ishin kundër rritjes së borxhit.

Republikanët, të cilët do të kenë kontrollin e plotë të Shtëpisë së Bardhë, Shtëpisë dhe Senatit vitin e ardhshëm dhe që kanë plane të mëdha për shkurtim taksash dhe përparësi të tjera, po tregojnë se u duhet të mbështeten vazhdimisht tek demokratët për votat e nevojshme për të plotësuar detyrimet për funksionimin rutinë të qeverisjes.

“A është ky një projekt-ligj i republikanëve apo i demokratëve?” ironizoi zoti Musk në rrjetet sociale përpara votimit.

Projekt-ligji i ri prej 118 faqesh parashikon buxhetin në nivelet aktuale të qeverisë deri në mars dhe shton 100 miliardë dollarë ndihmë për fatkeqësitë dhe 10 miliardë dollarë ndihmë bujqësore për fermerët.

Kërkesa e zotit Trump për të hequr tavanin e borxhit, për të cilën udhëheqësit republikanë u thanë ligjvënësve se do të debatohej si pjesë e paketave të tyre për taksat dhe kufirin në vitin e ardhshëm, nuk u përfshi.

Republikanët premtuar se do ta rrisin kufirin e borxhit në vitin 2025 dhe se do të shkurtojnë gjithashtu 2.5 trilion dollarë në shpenzime për 10 vjet.

Është në thelb e njëjta marrëveshje që dështoi një natë më parë– e kundërshtuar nga shumica e demokratëve dhe disa prej republikanëve më konservatorë – me përjashtim të kërkesës për tavanin të borxhit të zotit Trump.

Demokratët nuk ishin entuziastë ndaj përpjekjeve të fundit pasi kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve që ishte një tërheqje nga kompromisin i tyre fillestar dypartiak.

Mirë se vini përsëri në kënetën MAGA“, shkruante sot në një postim në median sociale udhëheqësi i pakicës demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve Hakeem Jeffries.

Megjithatë, shumica e demokratëve ishin pro miratimit të projektligjit.

Zoti Trump, që ende nuk e ka marrë detyrën, po tregon forcën, por edhe kufijtë e ndikimit të tij ndaj Kongresit, ndërsa ndërhyn nga Mar-a-Lago së bashku me zotin Musk, i cili do të drejtojë Departamentin e ri të administratës së ardhshme për Efikasitetin e Qeverisë.

Vetë zoti Trump shkaktoi mbylljen më të gjatë të qeverisë në histori gjatë mandatit të tij të parë në Shtëpinë e Bardhë, kur qeveria u mbyll në mënyrë të pjesshme për një muaj duke filluar rreth fundit të dhjetorit 2018, deri rreth mesit të janarit 2019./VOA/ KultPlus.com

Kur bora mbulonte Prishtinën në vitin 1981 (FOTO)

Ato që na bëjnë të ndjehemi nostlagjik për kohërat e mëhershme janë fotografitë, shkruan KultPlus.

Fotografitë janë dëshmi të periudhave të ndryshme kohore si dhe njëherit na ndihmojnë që të dallojmë ndryshimet e qyteteve.

Kjo vërehet edhe në kryeqytetin kosovar, në Prishtinë. Fotografia e cila ishte pjesë e një artikulli të një gazete të vjetër për dimrin e acartë e tregon këtë.

Kjo fotografi e qytetit pa lum është realizuar në vitin 1981./ KultPlus.com

86 vjet nga lindja e shkrimtarit dhe publicistit, Bedri Myftari

Shkrimtari dhe publicisti Bedri Myftari lindi më 21 dhjetor 1938 dhe vdiq më 08 nëntor 2013.

Bedri Myftari lindi në Filat të Çamërisë, më 21 dhjetor të vitit 1938. Në moshën 6-vjeçare, u dëbua nga vendlindja me gjithë familjen dhe u vendos në Shqipëri. Shkollën 7-vjeçare e kreu në Fier, ndërsa të mesmen, Teknikumin Financiar, në Tiranë.

Në fillim të viteve ’60 punoi në gazetën “Zëri i Rinisë”. Më 1971 u arrestua si kryetar i të ashtuquajturit “Grupi i të rinjve kundër vijës së partisë, në art dhe në letërsi” dhe si shumica e anëtarëve, u dënua për agjitacion e propagandë. Për 20 vite iu hoq e drejta e botimit. Pas lirimit nga burgu punoi si punëtor në disa ndërmarrje në Tiranë. Pas rënies së diktaturës iu kthye shkrimeve dhe gazetarisë. Vdiq në Tiranë, më 8 nëntor 2013.

Ndër veprat e tij mund të përmendim: “Fluturzat e borës”(tregime, 1967),  “Mbrëmjet e qytetit tim” (tregime, 1969), “Ti je Eva” (poezi, 1996), “Bardh e zi” (publicistikë, 2000), “Vajza e rojtarit të pyllit” (përralla, 2003), “Pas Kastadivës”(roman, 2007). / KultPlus.com

Nata e dytë e Fest 63, 15 artistë në skenën e Festivalit të këngës dhe të ftuar specialë

U mbyll sot në mbrëmje, nata e dytë e Festivalit të 63-të të Këngës (Fest 63) në RTSH, në Pallatin e Kongreseve. 15 artistë të njohur, debutues besnikë të festivalit të Këngës e të rinj u ngjitën në skenën elektrizuese të Fest 63 duke ndjerë magjinë e vërtetë të “rrënjëve”, motoja e së cilës është edhe festivali i këtij viti.

Edhe gjatë kësaj nate, publiku shijoi krijimet e shumta muzikore, me tematika të ndryshme, por edhe performancat energjike duke ndezur kështu atmosferën jo vetëm në Pallatin e Kongreseve, por edhe të publikut që e ndoqi këtë mbrëmje përmes ekranit të RTSH.

Nata e dytë solli në skenën e Fest 63 këngëtarin e mirënjohur Aleksandër Gjoka dhe balerinën Klaudia Pepa, si të ftuar specialë. Sikurse edhe natën e parë, në këtë mbrëmje, emocionet e artistëve dhe surprizat e prapaskenës u përcollën përmes moderatorëve Andri Xhahu dhe Alesia Brunazi.

15 artistët që performuan në natën e dytë të Fest 63:

1.   Algert Sala
2.    Devis Xherahu
3.    Elvana Gjata
4.    Endrik Beba
5.    Epos
6.    Frensi Revania
7.    Gjergj Kaçinari
8.    Gresa Gjocera
9.    Klea Dina
10.   Laorjan Ejlli & Adelina Correj
11.   Mal
12.   Rea Nuhu
13.   Santino de Bartolo
14.   Stine
15.   Vesa Smolica

Juria

E veçanta në këtë mbrëmje ishte dhe prezantimi i jurisë së Festivalit, e cila përbëhej nga disa personalitete në fushën e muzikës, të letrave dhe të pedagogjisë.

Kryetare e jurisë është artistja e njohur, Zana Çela, ndërsa anëtarë që plotësojnë të gjithë trupën e jurisë janë: Alma Bektashi, Ylljet Aliçka, Merita Rexha Tërshana, Florent Boshnjaku, Jonida Maliqi, Ramona Tullumani.

Vota e jurisë do të përcaktojë 15 finalistët, të cilët do të performojnë në natën e 4-t finale të Fest 63, ndërsa në natën finale, gjykimit të jurisë do t’i bashkohet edhe vota e publikut. Në këtë edicion do të ketë vetëm një këngë fituese, e cila do të përfaqësojë Shqipërinë edhe në Eurovizion./atsh/KultPlus.com

Këshilla e Steinbeck për djalin e dashuruar: Asgjë e mirë nuk ikën

Shkrimtari amerikan John Steinbeck mësoi se i biri, adoleshent, kishte rënë në dashuri me një shoqe klase. Letra e Steinbeck për të birin mbart disa leksione të mëdha mbi prindërimin dhe dashurinë dhe kjo letër me pak paragrafë është bërë një klasik në letërsi.

Letra,

Nju Jork,

10 nëntor 1958

I dashur Tom:

Ne morëm letrën tënde sot në mëngjes. Unë do të përgjigjen nga këndvështrimi im dhe natyrisht Elena nga i saji.

E para – nëse ti je në dashuri – kjo është një gjë e mirë – kjo është gjëja më e mirë që mund t’i ndodhë çdokujt. Mos lejo askënd ta bëjë atë të vogël apo të parëndësishme për ty.

E dyta – Ka shumë lloje dashurie. Njëra është fodulle, dorështrënguar, makute, një gjë egoiste që përdor dashurinë për t’i dhënë rëndësi vetes. Kjo është ajo e llojit më të ulët. Tjetra është e tillë që shpërthen çdo gjë të mirë te ty – të qenit i këndshëm dhe me konsideratë dhe respektues – jo vetëm respekti shoqëror i sjelljeve të mira por respekti më i madh i cili njeh dhe pranon personin tjetër si unik dhe të paçmuar. Lloji i parë mund të të bëjë ty të sëmurë dhe të vogël dhe të dobët por e dyta mund të çlirojë fuqinë tënde, dhe kurajën dhe mirësinë e madje edhe mençurinë që ti nuk e dije se e kishe.

Ti thua se kjo është dashuri rinore. Nëse ndjehesh kështu kaq shumë – natyrisht ajo nuk është dashuri rinore.

Por unë nuk mendoj se ti po më pyet mua se si ndjehesh ti vetë. Ti e di më mirë se çdokush tjetër. Ajo që ti kërkohe nga unë është që të të ndihmoj mbi atë se çfarë duhet të bësh – dhe unë këtë mund të ta tregoj.

Para së gjithash shijoje atë dhe ji shumë i lumtur dhe falënderues për të.

Objekti i dashurisë është më i miri dhe më i bukuri. Përpiqu të jetosh në lartësinë e saj.

Nëse ti do dikë – nuk ka asnjë dëm që ta thuash këtë – ti vetëm duhet të mbash mend se disa njerëz janë shumë të turpshëm dhe në disa raste ta thuash këtë duhet të marrësh atë siklet parasysh.

Vajzat kanë një mënyrë për të ditur ndjenjat që ti ke, por zakonisht pëlqejnë ta dëgjojnë prej teje.

Në disa herë ndodh që ajo që ti ndjen nuk është e njëjtë nga ana tjetër për një arsye apo një tjetër – por kjo nujk e bën atë që ti ndjen më pak të çmuar dhe më pak të mirë.

E fundit, unë e di ndjenjën tënde sepse unë e kam atë dhe jam i lumtur që ti e ke atë.

Ne do të jemi të lumtur të takojmë Suzanën. Ajo është shumë e mikpritur. Por Elena do të bëjë organizimet për të gjithë këtë sepse është roli i saj dhe ajo është e lumtur që ta bëjë gjithashtu. Edhe ajo di shumë për dashurinë dhe ndoshta mund të të japë më shumë ndihmë nga unë.

Dhe mos u shqetëso se mund ta humbësh. Nëse është e mirë, ajo ndodh – gjëja kryesore është të mos nxitosh. Asgjë e mirë nuk ikën.

Dashuri,

Bá/ KultPlus.com

Dialog midis Ernesto Sabato dhe Jorge Borges

Fotografitë : Eduardo Forte/Juan José Pérez

Sabato: E vërtet, kam pasur njëfarë prirje vetëvrasëse… Sidomos si djalosh dikur.

Borges: Kurse unë, dikur i pata vënë vetes një afat. Pata menduar: “Epo, do të pres shtatëdhjetë ditë. Nëse ndërkohë nuk ndodh asgjë për t’u shënuar, dhe kjo situatë nuk ndryshon, kam për ta vrarë veten. Ndërkaq, po të ndodhë diçka mirëfilli, aq më mirë fundja. Sidoqoftë do theksuar se dikush që ka vendosur të vetëvritet, ndihet si një hero i vërtetë, ndihet tepër i fuqishëm.

Sabato: Sigurisht, ngaqë ka për ta hequr qafe universin…

Borges: Ishim duke kuvenduar me Macedonio Fernández, cili po më shpjegonte se shpirti ishte i pavdekshëm, ndërkohë që diku ngjitur nisën të bënin muzikë nën ritmet marroqe të një kënge që kam përshtypjen se quhet La Cumparsita. Menjëherë i thashë mikut tim Macedonio, “Si thua, ta vrasim vallë veten për të shpëtuar nga kjo muzikë kaq e dobët?”… Këtë ngjarje më vonë ia pata treguar edhe Xul Solar, i cili dukej cazë skeptik, ngaqë më foli vëngër: “Sidoqoftë nuk u vetëvratë”. Flakë për flakë iu përgjigja, në frymën e qesëndisë së tij: “Nuk e di nëse e vramë veten mirëfilli, sepse nuk më kujtohet!”. Gjithsesi, më patën treguar për një ngjarje që thuhet se kish ndodhur në një kafene në rrugën Bolívar, në lagjen Monserrat. Ishte një skutë ku mblidheshin tërë faqezinjtë. Në banak gjendej një tip që po llomotiste se kish një grua, e cila ia kishte vënë brirët të gjorit, arsye për të ciën ai ndihej tejet i vetmuar dhe çoç po mendonte ta vriste veten. Sakaq, dikush tjetër që po e dëgjonte, i tha: “Shiko more mik, kush flet kaq shumë për vetëvrasjen, nuk e bën kurrë vërtet. Të vrasësh veten është tepër e lehtë!” Kur i pati shqiptuar këto fjalë sfiduese, folësi kish nxjerrë befas revolverin dhe ia ngjeshi vetes plumbin në lule të ballit. Nuk e di nëse kjo ngjarje është ndopak e mirëfilltë, ndonëse kam njëfarë bindje se burri me revolver, mbase vërtet kish ndërmend ta vriste veten.

Sabato: Sikur mos të ishte vetëvrarë, do të bënte figurën e palaços. Sepse qëkur e pati nxjerrë revolverin, e dinte fort mirë se nuk i mbeteshin gjasa të tjera veç vdekjes… Gjithmonë kam menduar që burrit xheloz i ofrohen dy mundësi syresh: të blejë një revolver, ose të bëhet si Shekspiri…

Borges: Më kujtohet rasti i atij shkrimtarit japonez që pati bërë harakiri para gjithkujt. M’u duk veprim i mençur. Ia doli mbanë të vdiste si samurai i fundit.

Sabato: Mua seç më duket ca si tepër përdëllyese si shfaqje, ndaj nuk meriton lëvdata. Duket më tepër si diç arrogante. Dua të theksoj, Borges, se nuk flas kështu ngaqë ndihem ndopak më i zoti. Përkundrazi, edhe unë pata menduar të bëj vetëvrasje plot herë në jetën time.

Borges: Edhe unë gjithashtu. Janë mbushur shtatëdhjetë e pesë vite që vazhdoj të vetëvritem. Kam më tepër përvojë se ti, Sabato.

Sabato: (duke buzëqeshur): Gjithsesi nuk ke pasur shumë sukses në këtë aspekt, siç duken bathët.

Borges: E pranoj këtë vërejtje, por sidoqoftë e kam pasur me përkushtim të mirëfilltë.

Përktheu nga bashkëbisedimi origjinal në spanjisht:

ELVI SIDHERI./ KultPlus.com

‘Kaq shumë kisha për të të thënë, por mbeta larg e larg mërguar’

Poezi nga Hermann Hesse

Kaq shumë kisha për të të thënë
Po mbeta larg e larg mërguar
Në këto ditë, e dashur Nënë,
Më mirë ti më ke kuptuar.

Për ty dhuratën kam menduar
Edhe punuar gjat’ e gjatë,
Porse më mbet këtu, në duar.
Ti mbylle sytë këtë natë.

Por ndjej se, duke e lexuar,
Më zbutet dhimbje e kësaj zije.
Mirësia jote e patreguar
Më lidh me ty me mija fije.
Edhe çdo natë e njëjta ëndërr

Në ëndërr ti më rri kaq larg
Si më rreh zemra, ta dish!
O Nënë, Nënë, vallë s’di
Tek unë si të vish?
E njëjta ëndërr net për net!
Si më rreh zemra, ta dish!
O Nënë, Nënë, përse nuk do
Këtu, tek unë, të vish?
Në fushat

Në qiell enden retë pafund,
Në fushat fryjnë e fryjnë thëllime,
Në fushat endet e endet gjithkund
Fëmia i humbur i nënës sime.
Në rrugë era fryn gjethet e thata,
Në pemë zogu klith me vajtim,
Atje, matanë malesh të larta,
Ndodhet, diku, atdheu im./ KultPlus.com