Ka vdekur nëna e Sylvester Stallones në moshën 98-vjeçare

Ylli i filmavce “Rocky”, Sylvester Stallone, e ka humbur personin e dashur të jetës.

Vëllai i vogël i aktorit, Frank Stallone, e bëri të ditur lajmin se nëna e tyre Jackie ka vdekur në moshën 98-vjeçare.

Në një postim në Facebook, ai kishte shkruar: “Ajo ishte një grua e jashtëzakonshme, e cila ka punuar çdo ditë të jetës me plot energji dhe guxim. Ajo vdiq në gjumë ashtu siç ka dashur. Jeta e saj ishte e mbushur me histori të cilat na i rrëfente gjatë gjithë kohës nga vitet ’20, ’30 dhe ’40. Mendja e saj ishte e kthjellët deri më ditën që vdiq.”

Jackie, e cila po ashtu ishte nënë e aktores së ndjerë Toni D’Alto, njihej për botimin e disa librave të astrologjisë. Ajo kishte deklaruar se gjatë karrierës së saj ka këshilluar persona të ndryshëm duke filluar nga mbretër, kryeministra, politikanë, yje filmash, bixhozgjinj, gangsterë, gjeneralë, policë dhe të tjerë.

Ndër vite Jackie po ashtu i ka bërë disa paraqitje televizive në emisione të tilla si: “The Howard Stern Show”, “Oprah”, “The Late Show With David Letterman”, “Larry King Live’ dhe “The Graham Norton Show”.

Jacqueline Stallone prapa vetes e ka lënë bashkëshortin Stephen Levine, si dhe djemtë Sylvester dhe Frank./ KultPlus.com

Sylvester Stallone do të luajë në një projekt të ri me superheronj

Sylvester Stallone ka vendosur të futet në zhanrin e superheronjve për filmin “Samaritan”.

Një ditë pasi që filmi i tij më i ri “Rambo: Last Blood” debutoi në vendin e tretë në arkat kinematografike amerikane me një hapje mbresëlënëse prej 19 milionë dollarësh, 73-vjeçari e ka konfirmuar projektin e tij të radhës i cili bën fjalë për një djalë të ri të vendosur për të zbuluar nëse një “superhero mitik” është gjallë.

Regjisori Julius Avery foli për kastin e tij për Deadline, duke shkruar: “Sly është hero i imi dhe jam jashtëzakonisht i entuziazmuar që do të punoj me një aktor aq ikonik në këtë projekt shumë të veçantë”.

Roli i Stallone në projekt nuk është njoftuar ende, por raportet sugjerojnë se ai do ta portretizojë një superhero të humbur i cili mendohej të ishte i vdekur, shkruan KOHA Ditore.

Filmi do të jetë i pari për Balboa Productions, kompania e Stallone e lansuar me partnerin e tij afarist Braden Aftergood.

Ndërkohë, jo të gjithë e kanë mirëpritur filmin më të ri të Rambos nga Stallone – autori David Morrell, i cili e krijoi personazhin e veteranit-mercenarit të kthyer nga Vietnami në romanin e tij të parë First Blood në vitin 1972, e ka quajtur filmin “një rrëmujë”.

“Jam dakord me vlerësimet për Rambo: Last Blood”, shkruan ai në Twitter. “Filmi është një rrëmujë. Është e turpshme që emri im lidhet me të”.

“U ndjeva i degraduar dhe çnjerëzuar pasi u largova nga kinemaja. Në vend që të ketë shpirt, këtij filmi të ri i mungon shpirti. U ndjeva se isha më pak një qenie njerëzore, sepse e pashë atë film, dhe për ditën e sotme ky është një mesazh fatkeq”, tha David për Newsweek. / KultPlus.com

Stallone tërhiqet nga Roky Balboa pas 40 vitesh

Sylvester Stallone tërhiqet dhe nuk do të interpretojë më Rocky Balboa. Këtë herë s’ka më kthim, pas 40 vjetësh dhe tetë filma.

Përmes një video të publikuar në faqen e tij në “Instagram”, aktori 72-vjeçar komunikoi se nuk do ta interpretojë më personazhin, për t’i lënë hapësirë gjeneratës së re, mishëruar nga Adonis Johnson, heroi i sagës “Creed”.

“Edhe pse me zemër të thyer, duhet të them se gjithçka ka një fund. Por, Rocky nuk do të vdesë kurrë, sepse do të jetojë bashkë me ju”.

“Tërhiqem sot sepse historia ime është treguar, një botë e re hapet për publikun me këtë gjeneratë”, -tha Stallone gjatë videos, e regjistruar në një plazh gjatë xhirimeve të “Creed II”, film i cili doli në kinematë amerikane më 21 nëntor.

Prej vitit 1976, aktori e ka interpretuar personazhin tetë herë, roli që e bëri të njohur dhe i ka dhënë disa nominime për “Oscar”./ KultPlus.com