Ismail Kadare ishte shkrimtari shqiptar më i njohur botërisht. Ai ka arritur të fitoi shumë nderime anekënd botës, madje u kandidua disa herë edhe për “Nobel”. Romancier, poet, eseist, përkthyes. Letërsia e Kadaresë vazhdon të lexohet me ëndje nga shumë lexues gjihtkund në botë.
KultPlus ju sjell disa nga thëniet e tij të vlefshme.
Më poshtë mund t’i lexoni dhjetë thënie të Kadaresë që kanë mbetur gjatë në mendjen e shumë lexuesve dhe adhuruesve të tij.
– Popujt, librat e tyre të mëdhenj, me gjak zakonisht i kanë larë. – Ata që shpikën shpejtësinë reaktive, larg Atdheut sigurisht do kenë qenë ndonjëherë!
– Armiku mbetet armik, edhe i vdekur qoftë.
– Ka gjithmonë kohë që njerëzit të bëjnë diçka për popullin e tyre.
– Gjuha më e mirë se gjithçka tjetër jep shpesh dritën ose mjerimin e një kohe.
– Të falësh nuk do të thotë të harrosh.
– Ne mund të jemi gjithçka, veç një gjë nuk jemi: ajo që kujtoni ju.
– Dëgjo… Është shumë e vështirë të diskutosh në mbretërinë e idiotëve.
– Letërsia autentike nuk përputhet me diktaturat. Shkrimtari është armiku natyror i diktaturave. /KultPlus.com
Pak ditë më parë është publikuar nga shtëpia botuese e njohur vjeneze “Universal Edition” katalogu i kompozitorëve të botuar këtë vit nga kjo shtëpi botuese i quajtur “Katalogu i Dimrit” (Winter 2024) dhe veprat të cilat promovohen nëpërmjet tij.
Në katalog zbulohen dymbëdhjetë kompozitorë mes të cilëve përfshihet dhe violinistja shqiptare, krijuese dhe interpretuese, Ina Kosturi, e pranuar unanimisht nga Këshilli Artistik në prill 2024 dhe ka publikuar krijmtarinë me këtë shtëpi të famshme vjeneze.
Kosturi promovohet si kompozitore me veprat “Concerto” për violinë e orkestër, “7 Capriccio” për violinë solo, “Duo Capriccio” për violinë dhe violonçel, “Improvisation” për violinë solo.
Suksesit të botimit i bashkohet dhe përzgjedhja në këtë katalog me 11 emra të tjerë kompozitorësh nga mbarë bota të niveleve tejet të larta me vepra të interpretuara në institucionet e orkestrat prestigjioze. Kosturi është e vetmja shqiptare që publikon në Universal Edition, ndërsa zyrat e shtëpisë botuese dhe katalogu gjenden në Musicverein, Vjenë./atsh/KultPlus.com
“Arrëthyesi”, baleti magjik i Krishtlindjes, vjen në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga kjo kryevepër e baletit botëror, teksa ftoi qytetarët të ndjekin këtë eksperiencë të paharrueshme në TKOBAP deri më 30 dhjetor.
“Falë solistëve dhe trupës së baletit që dhurojnë perfeksion në çdo hap, nën koreografinë e Edi Blloshmit, nxënësve të shkollës së baletit, korit femëror dhe korit të zërave të bardhë, orkestrës simfonike të TKOBAP-së, nën dirigjimin magjik të Sergio Alapont dhe kostumografisë vezulluese të Edlira Qyshkës, Përralla e preferuar e Krishtlindjes vjen në skenën e TKOBAP-së. Ju presim për këtë eksperiencë të paharrueshme deri më 30 dhjetor. Ora 19:00”, shkroi kryeministri Rama.
Baleti me muzikë të Çajkovskit është kthyer tashmë në simbol të periudhës festive të fundvitit, në të gjitha teatrot anembanë botës dhe prej vitesh kjo traditë ka përfshirë edhe Tiranën./atsh/KultPlus.com
Profesori Agim Vinca, përmes rrjeteve sociale ka shënuar një datë të rëndësishme të jetëshkrimit të tij.
“Nuk bën të kalojë ky vit pa e shënuar një datë të rëndësishme të jetëshkrimit tim: 50-vjetorin e mbrojtjes së temës së magjistaturës (1974-2024). Më kishte dalë mendsh, por ma kujtoi këto ditë një ish-student imi i gjeneratave të hershme, i cili e kishte ruajtur shkrimin e botuar si lajm në gazetën “Flaka e vëllazërimit” të Shkupit, e kishte fotokopjuar dhe ma dhuroi në një takim letrar në prani të publikut”, ka shkruar Vinca.
Tutje, ai është shprehur se punimi i tij “Mendimi kritik i Mitrush Kutelit” është tema e parë e magjistraturës e mbrojtur në Universitetin e Prishtinës, me të cilën unë mora gradën shkencore “Magjistër i shkencave filologjike”.
“Do thënë se studimet pasuniversitare në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe u hapën për herë të parë në vitin akademik 1970/71, gjë që u bë e mundur vetëm pas themelimit të Universitetit”, ka shtuar tutje profesori.
Poashtu, ai ka falënderuar ish-studentin e tij Sherif Paci për kujdesin.
“Po atë ditë nga ish-drejtori i Institutit Albanologjik, dr. Hysen Matoshi, mora këtë mesazh: “Suksesi Juaj nuk ishte vetëm personal, por edhe i përgjithshëm, sepse ishte magjistratura e parë e mbrojtur në Fakultetin Filozofik”. Besoj se e vlen të shënohet ky “jubile”, qoftë edhe në këtë mënyrë”, është shprehur në fund ai./KultPlus.com
“Arrëthyesi” është ndoshta baleti më i njohur gjatë periudhës së fundvitit, por po ashtu personazhi i dashur është pjesë e qindra filmave dhe zbukurimeve të Krishtlindjeve.
Por pse arrëthyesit e vegjël janë shndërruar në një dekor të preferuar gjatë festave të fundvitit? Sipas folklorit gjerman, arrëthyesit dhuroheshin si hajmali për t’i sjellë fat familjes dhe për të mbrojtur shtëpinë. Thuhet se përfaqësojnë forcën, fuqinë, kujdeset për familjen dhe mban larg shpirtrat e ligj.
Origjina e tyre vjen nga traditat e lashta të gostive ku arrëthyes fisnikë ishin pjesë të tyre si argëtim gjatë ëmbëlsirës. Kjo sillte biseda të gëzueshme teksa të ftuarit shijonin pjatën e fundit të shoqëruar me arra e lajthi.
Shumë nga dizajnet e mëparshme të arrëthyesve ngjasonin me kafshët, shpendët dhe njerëzit. Forma klasike që njohim sot e cila ngjason me mbretër apo ushtarë nuk u duk deri nga vitet 1600-1700.
Arrëthyesit ishin të famshëm fillimisht në Gjermani dhe krijoheshin në malet Erzgebirge. Në vitin 1892 ata u bënë të njohur në mbarë botën falë debutimit të baletit “Arrëthyesi” që u kompozua nga Çajkovski dhe u vendos në skenën e teatrit të Shën Petërburgut. Ky është edhe momenti nga ne e njohim më së shumti versionin e Krishtlindjeve të arrëthyesit, i cili është kthyer në një simbol të festës./KultPlus.com
E humbëm edhe këtë mbrëmje. Askush nuk na pa të zënë për dore kur muzgu i kaltër binte mbi botë.
Nga dritarja unë pash’ lodrimin e perëndimit mbi kodrat e largëta.
E pastaj, si një monedhë, një copëz dielli u përndez në duart e mia.
Të kujtova ty me shpirtin e ndrydhur, me atë trishtimin që ti ke njohur tek unë.
Ku ishe ti në atë kohë? Me ç’njerëz? Çfarë fjalësh u thoshe? Oh, pse më ndodh kështu: dashuria shpërthen përnjëherësh, kur jam i trishtuar dhe kur ti je larg?
Libri që marr të lexoj mbrëmjeve më ra nga duart dhe te këmbët e mia, si një qen i plagosur, u rrotullua perëndia.
Gjithnjë, gjithnjë sapo vjen mbrëmja ti ikën, deri ku muzgu bredh duke tretur statujat. /KultPlus.com
Mbrëmja e Krishtlindjes më 24 dhjetor nis një sërë traditash festash. Disa janë praktika të lashta me një rrotullim modern, ndërsa të tjera datojnë qindra vjet më parë.
Nata e Krishtlindjeve është e mbushur me tradita fetare dhe jofetare. Traditat fetare përqendrohen rreth lindjes së Jezusit.
Emërtime të ndryshme kanë traditat e tyre. Në prag të Krishtlindjes, katolikët romakë dhe anglikanët mbajnë meshën e mesnatës. Luteranët festojnë me shërbimet e qirinjve dhe këngët e Krishtlindjeve. Shumë kisha ungjillore mbajnë shërbesat e mbrëmjes ku familjet kremtojnë Kungimin e Shenjtë.
Në mbarë botën natën e Krishtlindjeve festojnë me ushqime të ndryshme. Në Itali festojnë festën e shtatë peshqve. Rusët tradicionalisht shërbejnë një darkë me 12 pjata të Krishtlindjeve përpara se të hapin dhuratat. Ndërkohë, në Bullgari, vakti i Krishtlindjes përbëhet nga një numër tek i pjatat pa mish.
Përveç ushqimit dhe shërbimeve fetare, festa është kur Santa Clause ngrihet në qiell me sajën e tij për të shpërndarë dhuratat e Krishtlindjeve në mbarë botën. Emra të tjerë për burrin me mjekërbardhë me një kostum të kuq përfshijnë Father Christmas, Kris Kringle dhe Saint Nicholas.
Pavarësisht se si quhet ai, legjenda e Santa bazohet në një njeri të vërtetë të quajtur Shën Nikolla i Myra.
Peshkopi i hershëm i krishterë ishte i njohur për dhënien e dhuratave të fshehta, si dhe për shumë mrekulli. Me kalimin e viteve, legjenda e Santa u rrit duke përfshirë Polin e Veriut, një sajë të drejtuar nga renë, një listë të keqe ose të këndshme dhe të qeshurën e tij gazmore, “ho, ho, ho”. /KultPlus.com
Shpirti im mbylli sytë avash avash siç fundosesh në ujë zhytu në gjumë lakuriq dhe veshur me të bardha më e bukura ëndërr do të të presë shpirti im mbylli sytë avash avash përhumbu, si në harkun e krahëve të mi në gjumin tënd mos më harro mbylli sytë dalëngadalë sytë e tu të kaftë ku digjet një flakë e gjelbër shpirti im./ KultPlus.com
85 vjet më parë, më 24 dhjetor të vitit 1939 u përurua Kisha e Etërve Jezuitë në Tiranë.
Ndërtimi i këtij objekti kulti që i kushtohej zemrës së shenjtë të Krishtit, nisi që në vitin 1938, sipas projektit të arkitektit italian Giovanni Santi. Ndërsa mesha e parë në këtë kishë jezuite të ndërtuar sipas stilit katolik romak, u mbajt në vigjjilje të festës së Krishtlindjes të vitit pasardhës.
Në vitin 1976, pasi Shqipëria ishte shpallur i pari vend ateist në rruzullin tokësor dhe nisi fushatën e përndjekjes ndaj klerit, kjo ndërtesë u kthye në kino-teatrin me emrin “Rinia”. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujton se, në këto rrethana u ndërhy në strukturën e fasadës së kishës, me qëllim që ndërtesa t’i përshtatej funksionit të ri.
Me rënien e regjimit diktatorial, kisha rihapi dyert për besimtarët në vitin 1991 dhe iu rikthye pamja e mëparshme.
Në vitin 1997, pikërisht në këtë kishë u mbajt një meshë përshpirtjeje për Nënë Terezën./atsh/KultPlus.com
“Jeta e çdo njeriu përfundon në të njëjtën mënyrë. Janë detajet se si ai njeri jetoi dhe se si vdiq që dallojnë njërin person nga tjetri”.
“Mënyra më e mirë për të kuptuar, nëse e beson dikë, është duke i besuar atij/asaj”.
“Përpara se të flasësh për jetën, së pari duhet ta jetosh atë”.
“Gjëja më e dhimbshme është të humbasësh veten në procesin e të dashurit shumë të dikujt dhe të harrosh se edhe ti vetë je special/e”.
“Asnjë mik nuk është aq besnik sa një libër”
“Lumturia tek njerëzit inteligjentë është gjëja më e rrallë që njoh”.
“Përpara se të flasësh, dëgjo. Përpara se të reagosh, mendo. Përpara se të shpenzosh, kurse. Përpara se të lutesh, fal. Përpara se të heqesh dorë, përpiqu”.
“Mjaft ndoqe nga pas personin e gabuar. Personi i duhur nuk ka për ikur kurrë nga ty”.
“Është me rëndësi që të arrish në fund të një udhëtimi, por gjëja më me rëndësi, është vetë udhëtimi”.
“Vetëm ata që janë të përgatitur për të shkuar shumë larg, mund ta kuptojnë më mirë se sa larg mund të shkojnë”. / KultPlus.com
Ndonjëherë s’ke kohë as ta vësh re. Në pak sekonda ndodh gjithçka. Gjërat ndryshojnë. Mbetesh gjallë. Vdes. Bota vazhdon, ecën. Të brishtë jemi, si fije letër. Jetojme në zgrip të përqindjeve, me kohë të kufizuar. Dhe kjo është e mira dhe e keqja e kësaj, i thonë “faktori kohë”. Dhe nuk ke ç’bën. Mund të shkosh e të rrish në majë të malit, të rrish atje duke përsiatur dhjetëra vjet dhe të mos ndryshosh gjë. Mund të ndryshosh vetveten në një farë mënyre, por dhe kjo mund të të dalë për keq. Ndoshta shumë e vrasim mendjen. Ndje më shumë, mendo më pak./KultPlus.com
Mimika Luca (24 dhjetor 1937 – 21 shkurt 2023) lindi në Gjirokastër.
Ishte aktore e mirënjohur shqiptare. Interpretoi në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit, si balerinë, nga 1951 – 1962. Më 1962 pranohet aktore në Teatrin Popullor, ku ka interpretuar rreth 30 role në 15 vjet, si: Suzana, Luçia, Tjen Ny te “Muri i madh”, Dila te drama Cuca e maleve, Sonja, Nica te filmi Gjenerali i ushtrisë së vdekur, Laja te Kur hidheshin themelet, etj.
Ka interpretuar edhe në 12 filma artistikë. U martua me aktorin e shquar Ndrekë Luca. Shkroi edhe disa drama, të cilat u vunë në Teatrin Popullor, më e njohura “Drita”, etj. Në vitin 1977 kalon pedagoge në Institutin e Lartë të Arteve, dega dramë.
Krishtlindja është një nga festat më të njohura dhe madhështore që festohet në të gjithë botën.
Pavarësisht vendndodhjes gjeografike, çdo kulturë ka mënyrën e saj të veçantë për të festuar këtë festë të fundvitit dhe për ta bërë festën unike.
Por, ja si festohet Krishlindja në të gjithë botën:
Itali
Në Itali, në kisha, sheshet e qytetit apo në çdo shtëpi, ekziston ky zakon i shfaqjes së skenës së lindjes së Krishtit, një “presepe” gjatë Krishtlindjeve.
Babbo Natale apo ai i cili atje njihet si Babai i Krishtlindjes u shpërndan dhurata fëmijëve dhe të gjithë njerëzit urojnë njëri-tjetrin.
Poloni
Në Poloni, festimi fillon me darkën e Krishtlindjes. Është një gjë para darkës e cila ka formë të hollë letre dhe është katrore. Ajo është e bërë me miell dhe uji si dhe ka një imazh të Lindjes së Krishtit.
Njerëzit thyejnë një copë dhe e hanë atë.
Gjermani
Në Gjermani, tregjet festive të Krishtlindjes mund të shihen në sheshet kryesore në shumë qytete dhe pemët e Krishtlindjes ngrihen qysh më 24 dhjetor.
Angli
Anglia fillon përgatitjet për Krishtlindje që nga mesi i nëntorit. Njerëzit dekorojnë dhe mbledhin donacione nga vizitorët për bamirësi.
Islandë
Në Islandë, fëmijët mbajnë këpucë në dritare për ta mbushur me dhurata.
Indi, Britani dhe SHBA
India, Britania dhe SHBA ndjekin traditën e ngjashme të mbajtjes së çorape pranë shtratit në natën e 24 dhjetorit për Babadimrin.
Australi
Në Australi, njerëzit shkojnë në plazh për të bërë grill, gjithashtu bëjnë një lojë emocionuese të kriketit në oborrin e shtëpisë dhe këndojnë këngën “White Christmas”.
Greqi
Në Greqi, njerëzit dekorojnë edhe varkat, përveç pemëve të Krishtlindjeve, si një festë e praktikës detare.
Ajo që mbetet e zakonshme, pavarësisht nga vendet e ndryshme në të gjithë globin, është se njerëzit presin me padurim eksitimin e shpirtit të gëzueshëm./klankosova/KultPlus.com
Me një vijë bregdetare me pamje nga detet Adriatik dhe Jon, Shipëria ofron një Rivierë mahnitëse me plazhe dhe limane të bukura, që mund të rivalizojnë lehtësisht vendet fqinje që gjenden në brigjet e saj, shkruan Lucy Skoulding në të përditshmen britanike “Mirror”.
Adhuruesit e diellit në kërkim të një parajse ‘miqësore me buxhetin’ me më pak turma vizitorësh se Spanja apo Kroacia, tani po e kthejnë shikimin drejt xhevahireve të fshehura të Shqipërisë.
E vendosur midis deteve Adriatik dhe Jon, Shqipëria krenohet me një Rivierë që të lë pa frymë, të kompletuar me plazhe idilike dhe limane të izoluar.
Turistët aventurierë e kanë krahasuar këtë destinacion nën radar me vendpushimet më të shtrenjta dhe të populluara.
Ekspertja e udhëtimeve, Laura Hewson, e cila eksploroi Shqipërinë vjeshtën e kaluar, ndau përvojën e saj.
“Në atë kohë, se bashku me shoqen time, Farrell Modd po planifikonim të shkonim në Kroaci. Por, një nga miqtë tanë që kishte qenë në Shqipëri tha se duhej të shkonim atje. Ai tha se ishte si Greqia dhe Kroacia, por më e lirë dhe shumë më e bukur pasi nuk kishte dyndje turistësh”, tha Laura Hewson.
Ajo shtoi se në Shqipëri, mund të përballonin një hotel me katër yje – me mëngjesin e përfshirë – me të njëjtin çmim që kishin paguar për qëndrimet në hostele në Itali dhe Spanjë.
Farrell Modd, zbuloi se rrjetet sociale kishin luajtur një rol në zgjedhjen e Shqipërisë si destinacionin e tyre – duke shtuar se ishte mahnitur nga videot ku shfaqeshin peizazhe magjepsëse nga vendi.
Farrell ishte e entuziazmuar kur zbuloi se vendi i vogël mesdhetar ofronte ujëra të pastra kristal dhe vendpushime të shumta për not – të gjitha me çmime miqësore me buxhetin për turistët.
Gjatë një vizite në qytetin turistik të Vlorës në nëntor 2023, dy turistet britanike vlerësuan motin e butë 19 gradë Celsius.
Brezi i plazhit me palma ishte praktikisht i zbrazët, duke i lejuar turistet të shijonin plotësisht vendin – qytetit nuk i mungonin komoditetet për pushuesit që kërkonin argëtim – me çmime të përballueshme.
Në Shqipëri, një vakt kushton 10 deri në 15 paund për person – ndërkohë që turistët me buxhet të kufizuar mund të shijojnë picat e sapobëra për më pak se 5 paund.
Në qytetin bregdetar, Vlorë, birrat kushtojnë vetëm 2 paund, ndërsa pijet alkoolike dhe koktejet rreth 4 paund.
Fluturimet nga Britania e Madhe janë gjithashtu të përballueshme, me fluturime direkte nga Londra në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, të disponueshme për vetëm 28 paund./atsh/KultPlus.com
Komedia “Darka e të marrëve” e dramaturgut francez Francis Verber është shfaqur për herë të parë në Lezhë.
Kjo vepër e realizuar nga aktorë jo profesionistë percolli mbresa tek publiku në skenën e Pallatit të Kulturës.
Shkrimtari Primo Shllaku, tha pas shfaqjes se suksesi i saj ishte rezultat i lojës së aktorëve dhe regjisurës mbresëlënëse të Alket Bushit.
Aktorët ndan mendimin se me dëshirë dhe pasion mund të ngjiten në skenë vepra të tilla.
Komedia “Darka e të marrëve” përcjell mesazhin për nevojën e rikthimit të njeriut tek personaliteti i tij, por duket se ajo prek aktualitetin, duke shfaqur mënyrën se si pushteti mbi të tjerët shpesh kthehet si hakmarrje për padrejtësitë që ata kanë përjetuar./oranews/ KultPlus.com
Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u ka bërë ftesë sot, përmes një postimi në rrjetet sociale, të gjithë qytetarëve të Tiranës që t’i bashkohen festës që nis nesër në sheshin “Skënderbej” me rastin e Krishtlindjes.
Sheshi “Skënderbej” pritet të shndërrohet në një arenë festive të mbushur me muzikë, drita dhe atmosferë magjike.
Në këtë mbrëmje të paharrueshme, kryebashkiaku Erion Veliaj fton të gjithë të jenë pjesë e një feste që do të ndezë zemrat.
“Në mbrëmjen magjike të 24 Dhjetorit, sheshi “Skënderbej” shndërrohet në zemrën e festës! Një koncert i veçantë Krishtlindjeje me këngë festive, drita magjike dhe plot surpriza. Eja ta festojmë bashkë këtë mbrëmje magjike, ashtu siç i ka hije Tiranës”, shkruan Veliaj.
Pjesë e kësaj magjie janë grupi “Harlem Gospel Choir” dhe artistët e dashur shqiptarë Enxhi Nasufi, Sardi Strugaj, Semi Jaupaj, Tiri Gjoci, që do të sjellin këngë të mrekullueshme dhe atmosferë festive./atsh/ KultPlus.com
Sonte, në Katedralen “Nënë Tereza” është mbajtur koncerti festiv “Eja festo me ne” nga Kori i fëmijëve “Okarina” në bashkëpunim me Korin & Orkestrën e Fëmijëve të Prishtinës “Amadeus”, nën organizimin e “Rame Lahaj International Opera Festival” , shkruan KultPlus.
Përveç muzikës, gëzimit dhe atmosferës festive sonte në qendër të vëmendjes ishin edhe fëmijët e mrekullueshëm të koreve dhe orkestrës që përveç emocioneve të shumta që dhuruan në sallë, me vete morën edhe një përvojë jashtëzakonisht të bukur, që padyshim do t’u shërbejë për karrierën e tyre artistike.
Ky koncert në të cilin u interpretuan vepra të autorëve të njohur botërorë dhe vendorë është organizuar me qëllim të edukimit të brezave të rinj, dhe për të kontribuar në krijimin e një publiku artdashës, pasi edukimi përmes artit konsiderohet themel i zhvillimit të tyre.
Një iniciativë e tillë kishte zgjuar interesimin e një publiku jashtëzakonisht të madh në numër, të vendosur cep më cep të sallës, të cilët e shijonin thuajse çdo notë të emetuar nga talentët e vegjël. Ishte vepra “Radetzky March” nga J. Strauss ajo që publikut i zgjoi pafund emocione. Duartrokitjet e tyre me ritëm herë më të shpeshtë e herë më të ngadalshëm përshtateshin mrekullisht me tingujt e orkestrantëve.
Kurse, interpretimi i përbashkët i të dyja koreve dhe orkestrës me veprën “Silent Night” nga F. X. Gruber dha kulminacionin e mbrëmjes. Veprat të cilat u interpretuan në koncert janë: “La sui monti dell’est nga opera Turandot”- G. Puccini, “Valsi- Pjesa korale nga baleti arrëthyesi”- P.I tchaikovsky, “Shchedryck”-M. Leontovyč, “Revolting Children- nga musical Matilda”- T. Minchin, “Eja me mua”- A. Hila, “Love Theme nga Romeo and Juliet”- N. Rota, “Gramophone Waltz”- E. Doga, “Radetzky March”- J. Strauss, “And the WaltzGoes On”- A. Hopkins, “All i want for Christmas”- M. Carey & W. Afanasieff, “Malësorja”- L. Antoni.
Pas koncertit të mrekullueshëm, i cili u organizua në prag të festave të fundvitit, pasuan edhe befasitë e mbrëmjes, ku sponzorët e koncertit u kujdesën që të gjithë fëmijëve në sallë t’u jepeshin dhurata dhe të bënin fotografi me Babadimrin. Një nur që iu shëndrriste fëmijëve ishte trofeu i festave të fundvitit për të gjithë prindërit në sallën e katedrales “Nëna Terezë”.
Krejt në fund të ngjarjes, në një prononcim për KultPlus, drejtoresha e shkollës “Amadeus”, Hana Petrovci ka thënë se është jashtëzakonisht e kënaqur me performancën e nxënësve dhe me mbarëvajtjen e koncertit.
“Orkestra dhe Kori nuk janë mësuar të koncertojnë në një ambient siç është ky i Katedrales, megjithtë sot ka qenë një koncert mrekullisht i bukur sepse gjithçka pati hijeshinë e vet, edhe ambienti por edhe instrumentet që u akorduan shumë mirë. Edhe kori intonoi shumë bukur. Ka qenë një koncert me të vërtetë i mrekullueshëm, si për nga ambienti po ashtu edhe nga veprat që nxënësit i interpretuan, jemi jashtëzakonisht të kënaqur”, ka thënë ajo.
Petrovci më tej ka thënë se shkolla “Amadeus” me kënaqësi e ka pritur ftesën për të mbështetur qëllimin fisnik të fondacionit “Rame Lahaj”.
“Ne u ftuam nga zoti Ramë Lahaj dhe fondacioni i tij për të përmbyllur vitin 2024 me një koncert dhe me program të cilin veçse e kemi pasur gati, e për të cilin kemi punuar që nga shtatori. Ideja ka qenë të bashkëpunojnë dy koret në mes veti për të shfaqur art dhe kulturës përmes fëmijëve, sepse fondacioni Rame Lahaj e ka mision edukimin e brezave të rinj për të rritur një publik artdashës”, ka thënë gjithashtu Petrovci.
Ndërkaq, dirigjenti Vehbi Shosholli ka thënë se ndihej jashtëzakonisht i lumtur që ky koncert në të cilin u interpretuan me vepra të përzgjedhura vendore dhe botërore përfundoi ashtu siç është planifikuar.
“Ka qenë një ftesë e spikatur nga Rame Lahaj International Opera Festival, ku ne Kori dhe Orkestra e Fëmijëve të Prishtinës “Amadeus” në bashkëpunim me korin “Okarina” kemi organizuar këtë koncert. Mendoj që koncerti ka shkuar shumë mirë, publiku janë kënaqur, veprat kanë qenë të përzgjedhura, një program me kolorit përmbajtjesh. Besoj që kemi dhuruar një koncert të mirë”, ka përfunduar Shosholli./ KultPlus.com
Në ambientet e Muzeut të Pavarësisë “Ibrahim Rugova” sot u promovua libri “Vitet e Gjermanisë” i Jusuf Buxhovit, vepër kjo që në formë kujtimesh dhe analizash, përfshinë proceset më të rëdësishme të shtetndërtimit tonë, nga fillet e pluralizmit politik, epiqendër e të cilave është “Lidhja Demokratike e Kosovës”, e themeluar më 23 dhjetor 1989.
Duke bërë fjalë për librin, Fadil Kajtazi, theksoi se si ishte zhvilluar procesi kompleks për çlirimin e Kosovës, do të mësoni në librin “Vitet e Gjermanisë”, ku Jusuf Buxhovi është akter i rëndësishëm dhe do të ju shfaqet si: gazetar, shkrimtar, historian, publicist, diplomat dhe mbi të gjitha si intelektual parekselancë, i cili pa problem e me dashamirësi, komunikonte me nivele më të larta të shtetit gjerman, me ata të cilët e bënin jetën politike e publike të Gjermanisë Perëndimore gjatë Luftës së Ftohët si dhe pas saj:
– Me ata të cilët e bënë historinë e këtij shteti dhe të Evropës në kohën e konfrontimit bllokist;
– Me ata të cilët kishin hise në vendosjen e konturave gjeopolitike të botës së pas Luftës së Ftohtë;
– Me ata të cilët ndikuan që ne sot të lirë, në këtë vend, të promovojmë këtë libër me vlera të veçanta historike, politike, diplomatike e gazetareske;. (Vili Brand, Helmut Shmit, Helmut Kol, Gerhard Sherder, Hanc Ditrih Gensher, Angele Merkel).
Sipas Kajtazit, “Vitet e Gjermanisë”, është njëri ndër dokumentet më autentike të biografisë së shtetndërtimit tonë. Nëpërmes kujtimesh, bisedash dhe analizash, autori ia doli të paraqesë kohën e kthesave të mëdha historike si dhe rolin e akterëve në të, me ç’rast, ai i Ibrahim Rugovës, shfaqet me pamjen e intelektualit të devotshëm që koha, atë dhe brezin e tij, e ngarkon me përgjegjsësi politike në rrethanat ndër më kritiket kur duhej përcaktuar strategjikisht në anën e perëndimit, në mënyrë që lëvizjea insitutcionale paqësore me shtetin paralel, të shfrytëzohej për t’u shkëputur nga pushtimi serb.
Në këtë rrugëtim Dr. Rugova shfaqet edhe me sfidat tepër të rënda, me të cilat u ballafaqua gjatë kohës sa ishte peng i Millosheviqit (24 mars – 5 maj) gjatë bombardimeve të NATO-s. Vlerë e veçantë e librit, për referuesin, paraqesin bisedat me dr Rugovën, në Bon, nga kjo kohë si dhe letërkëmbimi me autorin. Ato janë rrëfime tronditëse, që flasin për gjendjen e një intelektuali përballë kurthave politike ndër më të rëndat kur i mvishet edhe anatema e “tradhtarit”!
Autori, tha se promovimi i librit ditën që themelohet LDK-ja, ka për qëllim që të paraqesi një pjesë të biografisë së kësaj kthese të madhe historike nga brenda, në mënyrë që të dalë në pah edhe ana njerëzore e ballafaqimit me sfidat që intelektualin e ngarkon politika.
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku tha se gjatë luftës në mënyrë të qëllimshme Serbia ka shkatërruar afër 1800 monumente të trashëgimisë kulturore, ka grabitur mbi 3700 artefakte, objekte muzeale nga koleksioni publik nga Muzeu i Kosovës, ka grabitur dokumentacionin zyrtarë të monumenteve me qindra mijëra dosje, sikurse që ka shkatërruar 175 biblioteka publike me rreth 1. 7 milion libra shqip si dhe ka dëmtuar e grabitur qindra vepra arti.
Këto fakte, tregoi ai janë nxjerrë nga raporti që ka bërë Grupi Punues që u themelua për dokumentimin e shkatërrimin e qëllimshëm të trashëgimisë kulturore të Kosovës gjatë viteve 1998 e 1999, raport i cili i është dorëzuar Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë.
Tutje ministri tha se janë në fazën e hartimit të master-planit të projektit të madh për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” që tha se ka për synim shndërrimin e gjithë asaj hapësire në një muze të hapur ku dokumentohet një ndër betejat më të lavdishme të UÇK-së.
“Angazhimi në këtë projekt ka filluar në vitin 2021 dhe janë ndërmarrë disa veprime përfshirë edhe themelimin e komisionit të ekspertëve, angazhimin e profesorëve të UP-së për të konstatuar qëndrueshmërinë e strukturave brenda kompleksit, etj”, tha ai.
Tregoi se përfundimisht në gusht të këtij viti u nënshkrua kontrata me një konsorcium të operatorëve serioz nga Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar e ekspertë nga vende të tjera të botës që brenda 22 muajsh nga nënshkrimi i kontratës kanë për detyrë hartimin e 22 produkteve në tërësi.
Ai foli edhe për themelimin e Muzeut të Gjenocidit. “Me këtë vendim i kemi të gjitha autorizimet e nevojshme për ta themeluar këtë institucion të rëndësishëm muzeal që dokumenton më shumë se një shekull krime të ish -Jugosllavisë dhe Serbisë ndaj shqiptarëve dhe të tjerëve në Kosovë”.
Në Galerinë e Fakultetit të Arteve nesër do të hapet “Ekspozita e Tetorit – Çmimi Profesor Muslim Mulliqi”, me përmbledhjen vjetore të punimeve artistike të studentëve të Fakultetit të Arteve në Universititin e Prishtinës.
Ekspozita është kuruar nga komisioni në përbërje të: Prof. Adem Rusinovcit, Prof. Ismet Jonuzit dhe Prof. Guri Çavdarbasha, Komesare e Ekspozitës prof. Valboba Rexhepi, të cilët kan përzgjedhur punimet më reprezentative të studentëve nga viti akademik 2023/24.
Ekspozita do të hapet në praninë e Rektorit të Univeritetit të Prishtinës Prof. dr. Arben Hajrullahu dhe Dekanit të F. Arteve Prof.Dr. Hazir Haziri me ç’rast ndahet edhe çmimi “Prof. Muslim Mulliqi” për student më të dalluar.
Ekspozita shpallet e hapur më 24 dhjetor, ora 10:00./ KultPlus.com
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka njoftuar se është restauruar një nga shtëpitë tradicionale të Janjevës, shkruan KultPlus.
“Përmes projektit për revitalizimin e qytetit të vjetër të Janjevës, shtëpitë po restaurohen dhe po u ruhen karakteristikat, ndërsa me funksionalizimin e tyre mund të shndërrohen në bujtina për vizitorë, punëtori artizanale, të përdoren si shtëpi banimi apo hapësira për aktivitete kulturore”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Ministria shton se me natyrën e mrekullueshme dhe pasurinë kulturore që ka, ky vend do të shndërrohet në atraksion turistik të Kosovës.
Ministria e Arsimit dhe Sportit ka iniciuar zbatimin e programit për pasurimin e të gjitha bibliotekave të shkollave me libra artistikë.
Kryeministri Edi Rama shprehet në një postim në rrjetet sociale se në këtë prag festash, nuk ka dhuratë më të bukur sesa libri.
Rama thekson se “nga shkolla “Ardian Klosi”, ka nisur shpërndarja e mbi 20 mijë librave artistikë për bibliotekat shkollore në të gjithë vendin, në kuadër të programit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për nxitjen e dashurisë për leximin tek nxënësit”.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu është shprehur se ky program ka për qëllim promovimin e leximit dhe kultivimin e dashurisë për librin tek nxënësit.
“Janë më shumë se 20 mijë librat që po ndahen në bibliotekat shkollore për të pasuruar, por mbi të gjitha për të nxitur pasionin për leximin dhe për të dhënë ato mesazhe që ne duam të transmetojmë, sidomos në këtë kohë ku kemi një përpjekje të madhe për të nxitur fëmijët dhe nxënësit drejt leximit. Përpos gjithë asaj që na ofron teknologjia, ne jemi këtu për të bërë më të mirën për sa i përket rritjes së dijes, por gjithashtu dhe hapjes së mendjes përmes leximit”, ka nënvizuar Manastirliu./atsh/ KultPlus.com
Ja kështu, ti erdhe, ndenje, ike Dhe sikur këtu nuk ishe kurrë S’erdhe si e dashur, por si mike Thjesht si vizitore tek një burrë.
Për takimin, tjetër ëndërr kisha, Tjetër doli, siç u ndodh në botë Ëndërrova në kulm të trëndafilta Si një verë a trëndafil në gotë.
Dhe megjithatë them, faleminderit! Ti më dhe një fluturim mbi një ëndërr, Nëpër portën hapur prej ylberit Dhe s’ka gjë se ëndrra ishte zhgjëndërr. /KultPlus