Ditën e nesërme, më 23 tetor që përkon me 153-vjetorin e lindjes së Atë Gjergj Fishtës, i konsideruar si figura madhore e letërsisë shqipe të gjysmës së parë të shekullit XX, do të ndahen Çmimet Letrare “At Gjergj Fishta” për vitin 2024.
E kthyer në një traditë të përvitshme nga Bashkia e Lezhës në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit, ditëlindja e poetit Kombëtar, At Gjergj Fishta, shënon edhe ndarjen e çmimeve në prozë, poezi dhe memuaristikë që mbajnë emrin e kolosit të letërsisë shqipe.
Fishta cilësohet edhe si Homeri shqiptar. Gjergj Fishta (23 tetor 1871 – 30 dhjetor 1940), ishte frat françeskan, piktor, arkitekt, deputet, anëtar i Akademisë Italiane të Shkencave, kandidati i parë shqiptar për Çmimin Nobel për Letërsi dhe mbrojtës i kauzës shqiptare në arenën ndërkombëtare.
Fishta ka dhënë kontribut të madh edhe në Kongresin e Manastirit, për alfabetin e sotëm, ndërsa ka qenë edhe sekretar i përgjithshëm i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris.
Tituj të veprave:
–Lahuta e Malcis,poeme 1937; -Anzat e Parnasit, satirë 1907; -Vallja e Parrizit, 1909; -Shqyptari i qytetnuem, melodramë 1911; -Shqyptarja e qytetnueme,melodrame 1929; -Shën Francesku i Asizit, 1912; -Juda Makabe, tragjedi 1914; -Gomari i Babatasit, satirë 1923; – Mrizi i Zanave, 1924; -Jerina ose mbretnesha e luleve, melodramë 1941.
Presidentja Vjosa Osmani e ka uruar Maia Sandu pasi është zgjedhur presidente e Moldavisë.
Në një postim në platformën X, ajo ka deklaruar se duke votuar për të përfshirë aspiratat e tyre evropiane në kushtetutën e tyre, populli i Moldavisë ka zgjedhur shpresën, unitetin dhe një të ardhme më të ndritur.
“Është një testament i fuqishëm për udhëheqjen dhe vizionin tuaj të guximshëm – një vizion i Moldavisë ku i përket: Në BE. Pavarësisht taktikave dhe operacioneve hibride të vazhdueshme të Rusisë dhe të përfaqësuesve të saj për të sabotuar votimin, demokracia ka triumfuar sërish”.
“Putini dhe përfaqësuesit e tij janë një kërcënim jo vetëm për Moldavinë, por për të gjithë Evropën. Megjithatë, demokracitë qëndrojnë të bashkuara, të forta dhe të gatshme për të mbrojtur lirinë dhe vlerat tona të përbashkëta”, ka thënë Osmani.
Ministria e Kulturës ka njoftuar se Festivali i Teatrit Shqiptar “Moisiu” pas Shkupit dhe Tiranës vjen në Prishtinë.
Në njoftimin e MKRS thuhet se edicioni i radhës do të mhahet nga data 20 deri më 27 nëntor, i cili do të sjellë përplot shfaqje, dhe një festë të teatrit në Kosovë.
Festivali “Moisiu” ka nisur si iniciativë e Teatrit Kombëtar të Kosovës, Teatrit Kombëtar të Shqipërisë, dhe Teatrit Shqiptar të Shkupit, që qytetarët e tri vendeve të kenë mundësi të shohin shfaqjet dhe prodhimet e tri teatrove./ KultPlus.com
Sot janë bërë tre vite nga vdekja e aktores së njohur shqiptare, Filika Dimo.
Filika Dimo u lind në Durrës me 1 gusht të vitit 1939. U diplomua në departamentin e aktrimit në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë. Pas studimit, ajo filloi të punojë në Teatrin Popullor në Tiranë. Pjesën më të madhe të aktivitetit e ka pasur në Teatrin “Aleksandër Moisiu” ku ka punuar si aktore e roleve kryesore në shumë verpa dramatike krahas aktorëve të tjerë durrsakë si Nikolin Xhoja, Spiro Urumi, Kadri Pirro, Marta Burda, Lazër Vlashi, Gaqo Spiro etj.
Ajo bëri debutimin e saj në kinematografi në vitin 1959 me rolin e vogël të Shpreses në filmin Furtuna. Ajo luajti në 4 filma të tjerë artistikë. Filmi qe e bëri më të njohur dhe më të vlerësuar atë si aktore, është filmi televiziv me 2 seri i RTSH-së “Koha nuk pret”, me rolin e Beatrice Shmid, një rol epokal nga më të realizuarit në kinematografinë shqiptare të roleve me spiunazh, rol i cili ka mbetur në kujtesë për interpretimin brilant. Bashkëshortja e skenografit të madh të Teatrit “A.Moisiu”, Zef Ujkaj./KultPlus.com
Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët bëri të ditur se autori i mirënjohur arbëresh, Karmine Abate sapo ka nisur në Itali, një tur prezantues për librin e tij të ri, “Ulliri i bardhë” (L’olivo bianco).
Libri i tij “Ulliri i Bardhë” sapo ka dalë nga shtypi, nga shtëpia botuese Aboca Edizioni. Libri tregon historinë e tre miqve që ndalojnë të bisedojnë për një zjarr në periferi të qytetit, por që sjellin brenda një Kalabri melankolike me spektrin e emigrimit dhe historinë e një të riu që u zhduk në mënyrë të mistershme.
Karmine Abate, lindur në Carfizzi, një qytet arbëresh në Kalabri, sot jeton në Trentino dhe konsiderohet si një nga shkrimtarët më të mirë të Kalabrisë bashkëkohore. Me “Kodra e erës” (Mondadori 2012) ai fitoi çmimin e 50-të Campiello. Librat e tij, fitues të çmimeve prestigjioze, janë përkthyer në shumë vende.
Rritur në një familje arbëreshe, Abate është autor i shumë romaneve e tregimeve të suksesshme të vlerësuara me çmime të cilat konfirmojnë dashurinë dhe vëmendjen për rajonin e tij të origjinës./atsh/KultPlus.com
Biblioteka Kombëtare në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës kanë çelur ekspozitën me Koleksionet Veneciane që sjellin në dritë thesaret e fshehura të botimeve të Venedikut.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga kjo ekspozitë, ku botimet e Venedikut bëhen të njohura për herë të parë për publikun shqiptar.
“Në çdo libër dhe në çdo hartë qëndron një kapitull i pazbuluar i rrugëtimit tonë të përbashkët me Mesdheun. Jo vetëm fakte, por shpirti i një historie që bashkon brigjet, duke na kujtuar se deti ka qenë gjithnjë urë, jo ndarje”, u shpreh Rama.
Në këtë ekspozitë, që është njëkohësisht ndër më të mëdhatë e më të rëndësishmet të organizuara nga BKSH-ja, janë ekspozuar rreth 600 libra dhe harta origjinale të shtypura në Venecia, mes viteve 1400-1800.
Pjesa më e madhe e tyre ekspozohen për herë të parë në publik.
Ekspozita është kuruar nën kujdesin e kuratores shkencore Elisabetta Sciarra, drejtore e Bibliotekës Kombëtare Qendrore të Firences, një prej bibliotekave më prestigjioze dhe më të vjetra në Evropë.
Ekspozita e koleksioneve veneciane do të jetë e hapur çdo ditë për vizitorët nga 21 tetori, deri më 4 nëntor./atsh/KultPlus.com
Eshtë e vështirë të thuash me fjalët e një biri, atij të cilit në zemër fare pak i ngjasoj. Ti je e vetmja në botë që din, për zemrën time, atë që ish ngahera, përpara secilës tjetër dashuri.
Prandaj duhet të t’them çfarë është e tmerrshme të njohësh: është brënda hirësisë tënde që lind pikëllimi im. Je e pa-ndërrueshme, prandaj është e dënuar me vetmi jeta që më ke dhuruar. Dhe s’dua të jem vetëm. Kam një uri të pasosur dashurie, të dashurive prej trupave të pashpirt. Ngaqë shpirti është në ty, je ti, por ti je nëna ime dhe dashuria jote është skllavëria ime: kam kaluar një fëmijëri skllav i kësaj ndjenje të madhe e pa-shpëtueshme, të një detyrimi të pasosur. Ishte e vetmja mënyrë për të ndjerë jetën, e vetmja ngjyrë, e vetmja formë: tani ka mbaruar.
Mbijetojmë: dhe është çrregullsia e një jete të rilindur jashtë arsyes./KultPlus.com
Aktorja Catherine Deneuve, feston sot ditëlindjen e 81-të. Ajo ka fituar disa çmime gjatë karrierës së saj prej më shumë se gjashtë dekadash, duke përfshirë çmimin “César” në filmin “The Last Metro” të François Truffaut, një nominim për çmim “Oscar” si aktorja më e mirë në dramën e periudhës koloniale “Indochine”, dhe një sërë çmimesh në festivalet kryesore të filmit.
Deneuve, u bë e njohur në muzikalin romantik të vitit 1964, “The Umbrellas of Cherbourg”.
Ajo mori pjesë në filma shumë të vlerësuar, si “Belle de Jour”, në të cilin ajo luante rolin e një amvise të kthyer në prostitutë. Sot ajo mbushi 80 vjet. / KultPlus.com
Sot shënohen plot 213 vite nga lindja e kompozitorit të njohur, Franz Liszt.
“Është 170 vjet e vjetër, por tingëllon shumë moderne”, është përshkrimi që David Trippett, profesor i asociuar në Fakultetin e Muzikës në Universitetin Cambridge i bën operës së papërfunduar të Franz Liszt, “Sardanapalo”.
Dorëshkrimi i aktit të parë të operës që do të duhej të ishte triaktëshe ka qëndruar në Arkivin e Goethes dhe të Schillerit në Weimar për më shumë se 100 vjet para se Trippett ta rizbulonte duke planifikuar diçka debutuese për të cilën “askush nuk kishte dëgjuar më parë”. Nga viti 1843 deri më 1861, Liszt (1811-1886) ishte udhëheqës i orkestrës që tash njihet si “Staatskapelle” në Gjermaninë Qendrore, në qytetin Weimar. Do të jepet premierë të shtunën Teatrin Kombëtar të Gjermanisë në këtë qytet.
Para më shumë se 10 vjetësh, Trippett që asokohe ishte student në Akademinë e Muzikës në Leipzig, kishte udhëtuar me tren për në Weimar për të parë 111 faqet e operës në arkiv.
Opera e papërfunduar ka sfiduar aftësitë dhe dijen e Trippettit, ka thënë ai. Liszt e kishte shkruar operën në vitet ‘50 të shekullit XIX dhe ishte vështirë e lexueshme dhe e papërfunduar. Kishte punuar goxha shumë dhe e kishte përmirësuar atë, duke e vështirësuar edhe më leximin.
Opera për një kohë të gjatë ishte cilësuar si e pamundur për t’u interpretuar, por profesori i Cambridge thotë: “Muzika duhet të ruhet”.
Trippett ka shpenzuar më shumë se një dekadë duke bërë bashkë pjesët si një puzzle, tri prej të cilave i kanë shkuar vetëm për orkestrim, duke pasur parasysh instruksionet e kompozitorit.
“Orkestrimi është bërë nga unë, por ai është i Lisztit”, ka thënë Trippett. “Muzika është fantastike. Liszt ka provuar të kompozojë një operë moderne italiane”.
Libreto është bazuar në tragjedinë “Sardanapalus” të Lord Byronit për mbretin e fundit të Asirisë antike, një rajon ky që tash është midis Sirisë dhe Irakut.
Sipas Kirill Karabits, dirigjentit kryesor të “Staatskapelle” në Weimar, opera e Liszt hap një kapitull të ri sa i përket historisë së muzikës së shekullit XIX. “Nuk do ta gjeni këtë operë në katalogët a veprat tjera të kompozitorit”, ka thënë. Pas një pune tejet të lodhshme të Trippett, tashmë akti i parë është kompletuar. “Do të dirigjoj diçka që askush nuk e ka bërë më përpara”, ka thënë dirigjenti. “Bëhet fjalë për diçka joshëse, por që duhet të kesh shumë përgjegjësi”. / KultPlus.com
Ndër aktivitetet e shumta në kalendarin e Teatrit Kombëtar të Operas e Baletit është vënia në skenë e operës “Tosca” në dy versione, atë integral dhe përshtatjen për fëmijë e familje.
TKOB përmes një postimi në rrjetet sociale premton që edhe version i plotë i “Toskës” do të jetë një surprizë për publikun e kryeqytetit, pasi është punuar për ta sjellë këtë opera, siç nuk e kemi parë asnjëherë më parë.
Vepra, nga më të famshmet e kompozitorit Giacomo Puccini përveç Orkestrës Simfonike, solistëve e Korit të TKOB-së, do të përfshijë edhe Korin e Zërave të Bardhë, siç njihet ndryshe kori i fëmijëve.
Ndër solistët rezultojnë emra të njohur ndërkombëtarisht si Saimir Pirgu e Krassimira Stoyanova, Amadi Lagha i cili rikthehet në TKOB, baritone Carlos Almaguer që do të drejtohen nga regjisorja italiane Manu Lalli, e cila ka vënë në skenën e TKOB edhe operën “Madama Butterfly”. “Tosca” do të vijë me dy kaste mjeshtërore artistësh mes tyre dhe Eva Golemi, Bledar Domi, Artur Vera, Matias Xheli, Erlind Zeraliu, Genc Vozga, Erion Sheri, Rovena Xhelili etj.
Ndërsa për artdashësit e vegjël po përgatitet një përshtatje për ta sjellë në një version të lehtë dhe argëtues për të gjithë. TKOB fton të gjithë familjen, duke thënë se kjo është mënyra perfekte për të prezantuar fëmijët me botën e operës./atsh/KultPlus.com
Anibar dhe Institut français du Kosovo kanë kënaqësinë të njoftojnë për lansimin e projektit për të rinjtë kosovarë, projektin GENESIS.
I financuar nga Ministria Franceze për Evropën dhe Punët e Jashtme, GENESIS do të zbatohet bashkërisht nga Institut français du Kosovo dhe Anibar. Ky projekt ambicioz ka për synim të mbështesë deri në 65 të rinj kosovarë përmes trajnimeve intensive dhe të krijojë kushte për zhvillimin e sektorit të filmit të animuar në Kosovë.
Lansimi i projektit do të ndodhë më 25 tetor 2024, duke filluar nga ora 17:00, në kino Armata në Prishtinë. Ky event është i hapur për të gjithë të interesuarit dhe mirëpret të rinjtë, profesionistët e industrisë dhe dashamirësit e artit dhe animacionit.
● Programi i GENESIS do të zgjasë mbi tetë muaj, duke përfshirë: ● Trajnime në animacion 2D dhe 3D, ● Kurse në gjuhën frënge,
Trajnime të specializuara për fusha si shkrimi i skenarit, dizajni i zërit për animacion, postproduksioni, dhe të tjera.
Përveç kësaj, disa nga studentët e përzgjedhur do të kenë mundësinë për të bërë një ose dy udhëtime studimore në Francë, ku do të punojnë me profesionistë të njohur të industrisë. Ky bashkëpunim do t’u ofrojë atyre ekspertizë dhe njohuri nga të dy vendet, Franca dhe Kosova, për të nxitur zhvillimin e projekteve të tyre personale dhe për të kontribuar në fuqizimin e industrisë kreative në Kosovë.
Të rinjtë pjesëmarrës në këtë projekt, pas përfundimit të procesit të aplikimit dhe intervistave, tani janë gati të fillojnë me aktivitetet e projektit GENESIS. Projekti do të ndikojë pozitivisht në industrinë kreative dhe në sektorin e filmit në Kosovë, duke fuqizuar talentet e reja kosovare dhe duke i aftësuar ata me ndihmën e ekspertizës ndërkombëtare.
Për më shumë informata, kontaktoni në: [email protected]./KultPlus.com
Pas një hapjeje spektakolare të Javës së Kulturës Amerikane, me koncertin rock në Pazarin e Ri, kjo javë ka vijuar me dy aktivitete interesante. Njëri prej tyre dedikuar fëmijëve, titullohej Space Night dhe u zhvillua në Këndin Amerikan të Tiranës.
Fëmijët zbuluan mrekullitë e hapësirës në Space Night, një aktivitet argëtues dhe edukues për fëmijë dhe adoleshentë. Ata shijuan aktivitete praktike dhe ekspozitën mbi eksplorimin e hapësirës, duke mësuar më shumë rreth universit që na rrethon.
Space Night ishte një event që ka si objektiv ofrimin e një përvojë edukative dhe tërheqëse të përqendruar rreth eksplorimit të hapësirës dhe astronomisë, i përshtatshëm për fëmijët nga mosha 12-18 vjeç.
Njëkohësisht, në një mjedis tjetër në Tiranë, tek Destil Creative Hub, u zhvillua një seminar i mbështetur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës me Akademinë për Gratë Sipërmarrëse (AWE). Stilistja Noor Bchara zhvilloi një seminar me AWE, e ndjekur nga një festë e hapur e pesëvjetorit të programit AWE në Shqipëri.
Stilistja amerikane Noor Bchara u takua me gra sipërmarrëse të suksesshme që po transformojnë bizneset e tyre. Noor Bchara është stiliste e cila e bazon punën e saj tek riciklimi dhe rifutja në ciklin e modës e materialeve të përdorura më parë.
Ajo mori diplomën e saj të Arteve të Bukura në Dizajn Mode nga Instituti i Teknologjisë së Modës në Nju Jork dhe Polimoda në Firence, Itali. Praktikën e parë të punës e bëri në Marc by Marc Jacobs dhe gjithashtu ka dizajnuar për Zac Posen, TAHARI ASL, Ellen Tracy dhe aktualisht për Kate Spade.
Noor Bchara themeloi NOORISM në 2015 që është një markë veshjesh për femra me bazë në Bruklin që prodhon veshje dhe aksesorë duke përdorur xhinse të ripërdorura, të gjitha të prodhuara në Nju Jork./atsh/KultPlus.com
Aktiviteti letrar “Ora e Shkrimtarit”, i teti më radhë, u mbajt të hënën, më 21 tetor 2024, në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”. Protagonist i këtij aktiviteti ishte shkrimtari, publicisti dhe profesori universitar, Milazim Krasniqi.
Në praninë e numrit të madh të pjesëmarrësve, mësimdhënësve, shkrimtarëve, veçanërisht të studentëve të Degës së Gazetarisë dhe të Degës së Letërsisë Shqipe të Fakultetit të Filologjisë, por edhe të interesuarve të tjerë, shkrimtari Milazim Krasniqi, foli për përvojën e tij krijuese mbi gjysmëshekullore përmes një kumtese për artin e të shkruarit, me titullin “Letërsia si udhëtim në imagjinatë e në realitet”.
Në fillim të Orës, shkrimtari Ibrahim Berisha, i cili e moderoi këtë aktivitet, bëri një portretizim letrar Milazim Krasniqit, duke e dalluar veprimtarinë e tij letrare dhe kulturore në shumë fusha, veçmas në fushën e letërsisë. Berisha, në pika të përgjithshme e veçoi profilin krijues të Krasniqit, në radhë të parë, si poet, dramaturg, studiues i letërsisë, publicist etj., duke thënë se kontributi i tij në letërsinë shqipe, e bëri më të dallueshmin nga shkrimtarët e brezit të viteve tetëdhjetë të shekullit të kaluar, por edhe më gjerë.
Në fillim të fjalës së tij, Krasniqi theksoi se “kur flet shkrimtari për veten është mision i vështirë, duplifikim i rrëfimit, sepse në instancë të fundit çdo fjalë e veprës së tij flet pikërisht për të. Ndërsa kur shkrimtari flet për veprën e vet, ajo paraqet një lloj përsëritjeje, ngase vepra flet për vetveten. Megjithatë, shkrimtari mund të flasë e duhet të flasë për veten e veprën e vet, sepse ai e njeh më së miri veten dhe veprën e vet. Shembull ilustrues janë autobiografitë e shkrimtarëve dhe gjithsesi edhe fjalët e shkrimtarëve në raste aktivitetesh e solemnitetesh”.
Pastaj, Krasniqi tha se është një moment i veçantë kur flitet për përvojën letrare dhe për procesin krijues, duke shtuar se “në këtë orë diskutimi do t’ua shpalos një pjesë të raportit tim me letërsinë, që nga fëmijëria e deri në kohën tonë, kur letërsia po u ekspozohet ndryshimeve nën presionin e medieve të reja, rrjeteve sociale, post-truuthit, intelegjencës artificiale. Por po ia nis nga fillimi, nga takimi im me letërsinë në vitet 60 të shekullit XX, gjë që mund të fillojë edhe në stilin e përrallës, “na ishte njëherë…”
Në fjalën e tij, Milazim Krasniqi, shpalosi kujtime dhe përjetime për periudha, kohë e rrethana të ndryshme, duke u përqendruar te fillimet e tij krijuese, për momentet e botimit të poezisë së parë në gazetën për fëmijë, si dhe për botimin e librit të tij të parë me poezi “Imazhi gri” (1982). Më tutje, foli për rëndësinë dhe vlerën e shkrimit që e rritë vetëbesimin, për lidhjet emocionale me librin dhe leximin, në fakt për mesazhin që mund të jap poezia, pastaj për ardhjen e tij në Prishtinë, për jetën letrare në Kosovë në vitet 70 dhe 80, për t’u ndërlidhur me periudhën e studimeve ku disa prej shkrimtarëve të njohur i kishte profesorë, si Hasan Mekuli, Latif Berisha, Enver Gjerqeku, Rexhep Qosja.
Gjithashtu, evokoi kujtime nga bashkëpunimi i tij me Ibrahim Rugovën në periudhën e viteve 1988-1999, në kohën kur Rugova ishte kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, ndërsa Krasniqi ishte sekretar i saj.
Në vijim të paraqitjes së tij, në esenë “Letërsia si udhëtim në imagjinatë e në realitet”, pas shpalosjes së përvojës së tij si poet dhe studiues i letërsisë, Krasniqi foli për procesin e të shkruarit të dramës. Ndër të tjera, theksoi se “drama kërkon kulturë letrare, përvojë jetësore dhe energji për të shkruar. Për të shkruar dramë më janë dashur disa njohuri themelore teorike. I kam gjetur te Platoni, Aristoteli, Nikolla Boalo, Bertolt Brehti. Platoni gjithë artin e cilëson si imitim (mimesis). Edhe drama e teatri janë imitime të realitetit jetësor. Bashkë me kulturën letrare, përvojën jetësore dhe energjinë për të shkruar, është i domosdoshëm edhe frymëzimi”.
Në esenë e tij, Milazim Krasniqi, përmendi edhe zhvillimin teknologjik në raport me sfidat e librit përbrenda këtij pikëshikimi, duke thënë se “në kohën e tashme letërsia është nën presionin e teknologjive të reja dhe të komunkimimeve të reja. Libri i epokës së Gutenbergut po zëvendësohet me librin elektronik, komunikimi i kulturuar po zëvendësohet nga komunikimi vulgar. Në këto rrethana edhe letërsia do të detyrohet të përshtatet, të ndryshojë në disa parametra”.
Përvoja e tij në artin e shkruarit, kohëve të fundit është orientuar në një lloj tjetër të shkrimit. Krasniqi tha se “ka disa vite që e kam përshtatë shkrimin me mediet e reja dhe me rrjetet sociale. Shkruaj tvit-tregime, pra tregime të vogla me 140 shenja, aq sa është teksti në tviter, në platformën X. Arsyeja është se njerëzit tash lexojnë pak, duan tekste të shkurtëra.
Një formë tjetër të tekstit e kam përshtatur portretin, duke marrë nga portalet disa personazhe reale dhe i kam portretuar si personazhe letrare. Në librin tim me titullin “Rruga për në shtëpinë e shpëtimit” i kam bërë këto eksperimente. Në momentin që po flasim në gjuhën shqipe tritregimin
e shkruaj vetëm unë. Shpresoj se ndokush nga ju do të më bashkoheni së shpejti”, tha ndër të tjera, Milazim Krasniqi në Orën e Shkrimtarit, organizuar nga PEN Qendra e Kosovës
Në fund të aktivitetit u zhvillua një bashkëbisedim i shkrimtarit me pjesëmarrësit, me ç’rast u diskutua për shumë çështje, dukuri dhe fenomene të letërsisë shqipe në përgjithësi, për rëndësinë që ka leximi sot, për vlerën që ka puna në çdo dimension të jetës, pastaj për edukimin e gjeneratave të reja etj.
Projekti Ora e Shkrimtarit është përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës./KultPlus.com
Kori Siparantum, një nga formacionet më të njohura dhe të suksesshme në Kosovë, do të përfaqësojë vendin tonë në Kupën Botërore të KoreveThe World Choral Cup, që do të mbahet në Barcelonë nga data 23 deri më 28 Tetor 2024. Ky event prestigjioz mbledh koralet më të mira nga e gjithë bota dhe përfaqëson një platformë unike për të prezantuar muzikën dhe traditat tona kulturore në skenën ndërkombëtare.
Nën drejtimin e dirigjentit Memli Kelmendi, Kori Siparantum ka realizuar suksese të shumta në skenën ndërkombëtare, duke fituar disa çmime të rëndësishme dhe duke promovuar artin koral kosovar në gara të ndryshme botërore. Pjesëmarrja në këtë garë të nivelit të lartë është një tjetër mundësi e jashtëzakonshme për korin tonë që të dëshmojë përkushtimin artistik dhe profesionalizmin e tij.
Kori Siparantum do të konkurrojë në kategorinë “Adult Choir”, duke interpretuar vepra nga periudha të ndryshme stilistike të kompozitorëve si Jashari, Van der Roost, Runestad, Vovk dhe të tjerë. Kori Siparantum është fitues i 14 çmimeve ndërkombëtare dhe aktualisht renditet ndër 25 koret më të mira në botë në kategorinë “Chamber Choirs & Vocal Ensembles”, sipas World Ranking List të Interkultur. Përveç konkurrimit, korit i është dhënë mundësia të shfaqë një koncert shtesë në kuadër të “Midnight Sounds”, ku dirigjenti ka përzgjedhur vepra nga kompozitorë shqiptarë. Ky koncert do të mbahet në Santa Maria i Sant Nicolau.
Dirigjenti Memli Kelmendi shprehet me entuziazëm për këtë pjesëmarrje: “Kupa Botërore e Korit është një nga platformat më të rëndësishme në botë për muzikën korale, dhe ne jemi të nderuar që kemi mundësinë të përfaqësojmë Kosovën në këtë event. Kemi punuar me një përkushtim të madh për të sjellë një performancë të nivelit më të lartë dhe shpresojmë që edhe kësaj radhe do të jemi të suksesshëm”
Pjesëmarrja në Kupën Botërore të Korit në mesin e 34 shteteve pjesëmarrëse nga e gjithë bota, është një tjetër hap drejt kontributit të tij në promovimin e kulturës dhe identitetit muzikor të Kosovës në botë.
Për më shumë informacione rreth ngjarjes dhe përditësimeve nga Barcelona, ju lutem ndiqni faqet zyrtare të Kori Siparantum. www.siparantumchoir.com./KultPlus.com
Më 22 tetor të vitit 1946 ndodhi incidenti i Kanalit të Korfuzit. Incidenti pati një jehonë të paprecedentë për nga rrjedhojat e mundshme politike në marrëdhënien mes Shqipërisë e Britanisë së Madhe. Lidhur me këtë episod historik, palët e përfshira mbajtën qëndrime diametralisht të kundërta.
2 luftanije britanike pasi ndeshën në mina, u dëmtuan rëndë, teksa kishin depërtuar në ujërat territoriale shqiptare, rreth 1200 metra larg brigjeve të Sarandës. Për pasojë gjetën vdekjen 45 oficerë të Marinës Britanike ndërsa 42 të tjerë pësuan dëmtime të rënda.
Britania e Madhe e çoi çështjen në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Ky organ ia delegoi Gjykatës së Hagës dhe secila pas një procesi 2-vjeçar vendosi të shpallë Shqipërinë fajtore për minimin e kanalit lundrues ndërkombëtar.
Ky verdikt nuk u pranua nga Shqipëria dhe si kundërpërgjigje, Britania e Madhe konfiskoi arin e Rezervës Shtetërore. Për një periudhë 40-vjeçare, marrëdhëniet diplomatike bilaterale u pezulluan. Pas rënies së regjimit komunist, qeveria shqiptare u prapësua nga qëndrimi i mëhershëm duke pranuar verdiktin e Hagës./atsh/KultPlus.com
Një vit më parë, ka vdekur skulptori Luan Mulliqi në moshën 70-vjeçare, i cili ishte sekretar shkencor në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, shkruan KultPlus.
Jeta dhe vepra e Luan Mulliqit:
Luan Mulliqi lindi në Gjakovë në vitin 1953. Kreu studimet për skulpturë në Akademinë e Arteve Figurative në Prishtinë (1977), ndërsa studimet pasuniversitare në Beograd (1979). Ishte anëtar i Shoqatës së Artistëve Figurativë të Kosovës që nga viti 1977 dhe më pas i disa asociacioneve të artistëve dhe të skulptorëve në SHBA.
Mori pjesë në shumë simpoziume të skulpturës me karakter ndërkombëtar dhe botoi një sërë shkrimesh për skulpturë, për artet figurative dhe zhvillimet kulturore në Kosovë. Është autor i dy monografive për artin pamor në Kosovë. Krijimtaria e tij artistike përfshin skulpturën monumentale bashkëkohore dhe atë kombëtare, duke e transformuar në një stil modern. Hapi disa ekspozita personale (Beograd 1979, Çikago 1992, Dallas 1994, Nju-Jork 1995, Prishtinë 2008, Vjenë 2012, Timihoara 2014, Prishtinë 2016 etj.) dhe mori pjesë në shumë ekspozita kolektive jashtë vendit (Shqipëri, Kroaci, Holandë, Kanada, Japoni, Itali, SHBA, Gjermani, Indi, Maqedoni, Francë etj).
Ishte fitues i disa çmimeve në konkurse të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare: çmimi për skulpturë në Fakultetin e Arteve në Beograd (1978), çmimet “Mosha Pijade” (1979), “40 vjet revolucion” (1981), Bienalja e Vizatimit (1983), Salloni Pranveror (1985), shtatorja e “Nënë Terezës” (2000), “Skënderbeu, strateg dhe diplomat” (2004), të gjitha në Prishtinë, pastaj për monumentin e Nënë Terezës në Tiranë (2005), shtatoren e Fehmi Aganit në Prishtinë (2006) etj.
Veprat e tij gjenden në disa galeri dhe muze të ndryshëm. Disa prej tyre janë pjesë e koleksioneve private si dhe të personaliteteve të njohura. Për disa vjet ishte ligjërues në Universitetin e Tetovës dhe në Universitetin e Prishtinës. Ishte drejtor i Galerisë Kombëtare të Kosovës, ndërsa nga viti 2012 ishte anëtar korrespondent në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, sekretar i Seksionit të Arteve dhe sekretar shkencor i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës./KultPlus.com
Edhe pse jemi në fund të muajit tetor, turistët vijojnë që të vizitojnë atraksione turistike në bregdetin shqiptar, favorizuar edhe nga temperaturat e larta dhe ditët me diell.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau sot në rrjetet sociale pamje ku grupe turistësh po eksplorojnë atraksionet detare në Shëngjin.
“Nga Shëngjini grupet e turistëve nisen për të eksploruar atraksionet detare”, shkroi Kumbaro.
Në Lezhë turistët mund të shijojnë jo vetëm bregdetin, por edhe historinë, natyrën si dhe kulinarinë e pasur në zonë, duke e bërë një destinacion për turizëm gjithëvjetor.
Turistët kanë mundësi zgjedhjeje të larmishme në Lezhë, pasi jan♪7 të shumta aktivitetet ditore.
Vizitorët mund të zgjedhin peshkim në det apo në grykëderdhjen e lumit Drin, vrojtim zogjsh në lagunat e Kune–Vainit. Për vizitorët janë ndërtuar tre kulla vrojtimi, një në Kune dhe dy në zonën e Vainit. Ato shërbejnë për të eksploruar zonën si dhe për të vrojtuar shpendët e shumtë.
Të eksplorosh lagunat e Kune–Vainit për biodiversitetin e tyre, natyrën tërheqëse e çlodhëse është mundësi e mirë edhe për piknik apo për të shijuar kuzhinën e zonës.
Turistët mund të udhëtojnë me skafe drejt “Ranës së Hedhun” për të parë një eksperiencë ndryshe të një prej plazheve më të bukur shqiptarë./atsh/KultPlus.com
Franz Liszt (22 tetor 1811) ishte një kompozitor Hungarez i shekullit XIX, pianist virtuoz, dirigjent, mësues i muzikës, organist, filantrop, autor, nacionalist dhe një terciar françeskan gjatë epokës Romantike.
Liszt fitoi famë në Europë gjatë shekullit nëntëmbëdhjetë për aftësitë e tij virtuoze të jashtëzakonshme si pianist. Ai ishte një mik dhe një muzikant pronotor për shumë kompozitorë të kohës së tij, përfshirë Frédéric Chopin, Richard Wagner, Hector Berlioz, Robert Schumann, Camille Saint-Saëns, Edvard Grieg, Ole Bull, Joachim Raff, Mikhail Glinka dhe Aleksandër Borodin.
Si kompozitor, Liszt ishte një nga përfaqësuesit më të shquar të Shkollës së Re Gjermane (Neudeutsche Schule). Ai la pas një punë të gjerë dhe të larmishme, në të cilën ndikoi te bashkëkohësit e tij dhe parashikonte shumë ide dhe tendenca të shekullit XX. Disa nga kontributet muzikore të tij më të shquara ishin shpikja e poemës simfonike, zhvillimi i konceptit të transformimit tematik si pjesë e eksperimenteve të tij në formë muzikore dhe bërja e nisjeve radikale në harmoni.
Listi vdiq më 1886, gati 75 vjeçar gjatë lojnave festive të Rihar Vagnerit në Bejrojt (Bayreuth)/KultPlus.com
Libri ‘Hyrje në Psikolinguistikë’ në aspektin shkencor i përket një fushe të re të studimit, ndërsa është trajtuar nga profesor Rrahman Paçarizi, e që për qëllim ka aspektin psikik individual dhe shoqëror e social për ruajtjen dhe fuqizimin e gjuhës shqipe, jo vetëm në aspektin individual, por edhe institucional.
Libri ‘Hyrje në Psikolinguistikë’ vjen në momente të domosdoshme të studimit të kësaj fushe në gërshetim të katër shtyllave esenciale të trajtuara nga profesor Paçarizi, si prodhimi, të kuptuarit, nxënia dhe rregullimi i gjuhës, thotë Shkumbin Munishi, linguist.
Nuk ishte e lehtë për t’u trajtuar kjo fushë por megjithatë me bashkëpunëtorë, profesorë dhe studentët të cilët kontribuuan, ia arritëm qëllimit, thotë profesori universitar, Rrahaman Paçarizi.
Libri ‘Hyrje në Psikolinguistikë’ i kontribuon jo vetëm atyre të cilët merren me gjuhën shqipe, pa dallim individ apo grupe institucionale, por edhe atyre të cilët aplikojnë dygjuhësinë dhe shumë gjuhësinë, u tha me rastin e promovimit të librit./rtk/ KultPlus.com
600 libra dhe harta origjinale të shtypura nga shtëpitë e para botuese, të krijuara më 1400 deri në 1800 në Venecia, ekspozohen për herë të parë në Bibliotekën Kombëtare.
Botime dedikuar historisë, letërësisë, e të tjera që shkojnë deri në 624 vjet të vjetra, nuk lënë jashtë foksut vendet fqinje, në këtë rast as Shqipërinë. Por pikërisht në Venecia që në atë kohë ishte kryeqendra e botës, mendohet të jetë shkruar, Meshari i Gjon Buzukut, historia e Skëndërbeut nga Marin Barleti, vepra të Bogdanit e Dhimitër Frangut.
Për drejtuesin e Bibliotekës së Kombëtare, Piro Misha, thotë se këto koleksione të vyera tregojnë që Shqipëria nuk ishte një vend i shkpëutur nga qytetërimi në atë periudhë, por krejt e kundërta.
Ekspozita “Koleksione Veneciane” vjen në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Firences, Institutin Italian të Kulturës dhe do të qëndrojë e hapur deri më 4 Nëntor./tvklan/ KultPlus.com
Me koncertin “12 Months” të Korit PRO ARS Choir, i cili u udhëhoq nga dirigjenti Sasho Tatarchevski, u shënua mbrëmja përmbyllëse e edicionit të shtatë të Prishtina Internatonal Vocal Festival, shkruan KultPlus.
Amfiteatri i Bibliotekës Universitare mbrëmë në përmbyllje të PriVocal Fest mblodhi adhurues të muzikës vokale, për t’u dhënë program me muzikë tradicionale maqedone. Kombinimi i ritmeve tradicionale me një formë moderne interpretimi ishte elementi kryesor i mbrëmjes, e cila erdh me një përzgjedhje tejet të veçantë veprash.
Kënga e parë interpretuese që u dha nga 18 pjesëtarët e Korit PRO ARS ishte “Liljano Mome”. Ishte një harmoni zërash që emetoheshin në sallë duke përcjellë një muzikë, kulturë dhe traditë të re te publiku i PriVocal Fest. Ndërsa “Kiten Nakiten” ishte një interpretim me tinguj interesantë, ritmikë që krijonin gjallëri brenda hapësirës.
Interpretimi në gjuhën maqedone, megjithëse nuk kuptohej për nga gjuha, arrinte qëllimin e tij përmes zërave dhe jehonave të profesionistëve të cilët kishin zënë gjithë hapësirën e skenës. Pikat tjera interpretuese qenë: “Zoshto mi se srdish libe”, “Koce Berberot”, “Po Drum Odam Majche”, “Potrchano”, “Ni Prela Gora, Ni Tkala”, “Dervishko Mome”, “Kinisa Da Oda”, “Cvetinite Ochi”, “Da Vaj Me Mila Mamo”, “Kalajdzhisko”.
Pas koncertit, dirigjenti Sasho Tatarchevski ka thënë se përgatitja e një programi të tillë ka qenë mjaftë sfidues, pasi kishin të bënin me vepra nga folklori maqedon.
“Është quajtur “12 Months” sepse janë 12 këngë dhe të gjitha janë të bazuara në këngët ekzistuese popullore maqedonase. Disa janë shumë të vjetra, nga traditat e vjetra, disa janë më të reja. Këtë e ka bërë një kompozitor shumë i famshëm maqedonas, Zhivolin Glishikj, në bashkëpunim me PRO ARS Choir. Ai e dinte që do të ishte shumë e vështirë për të kënduar këto pjesë sepse ato janë instrumentale në mënyrën e të menduarit, por ne thjesht donim të bënim diçka që nuk e kishim bërë më parë. Kështu që ne e pranuam këtë sfidë. U desh pak më shumë kohë të përgatiteshim se sa në programet tjera. Në fund është shumë kënaqësi t’i japësh jetë këtij lloj zhanri që nuk është shumë i zakonshëm për rajonin tonë”, ka thënë dirigjenti Tatarchevski.
Ndërsa pjesëtarja e Korit PRO ARS, Elena Vasola, tha se me këto këngë të vjetra në PriVocal Fest është prezantuar Maqedonia.
“Ishte shumë kënaqësi të përgatisnim një program të tillë. Në fillim ishim pak të frikësuar sepse janë pjesë origjinale. Por ja dolëm mirë. Hera e dytë e performancës ishte edhe më mirë dhe sot mendoj se ishte versioni më i mirë që ne kemi performuar ndonjëherë. Shpresojmë që në të ardhmen do të jemi gjithnjë e më të mirë, sepse e dini që me praktikë vjen madhështia që kemi”, ka thënë Vasola.
Ndërsa drejtori i PriVocal Fest, Hajrullah Syla, tha se programi mbrëmjes kishte kërkesa të mëdha artistike, i cili përfundoi me sukses falë nivelit të lartë profesional të PRO ARS Choir.
“Programi i natës së sotme ishte një program me kërkesa të mëdha, e i cili u realizua në një mënyrë mjaftë të mirë nga kori, për të cilën gjë e përgëzoj korin PRO ARS dhe dirigjentin Sasho Tatarchevski, i cili e ka bërë një punë shumë të mirë me ta. Këtë kor e njoh personalisht sepse në të kauarën kam pasur rastin të punoj pjesëtarët e tij në Shkup. Janë në një nivel mjaftë të lartë profesional dhe kjo është dëshmuar edhe sonte në performancën e tyre”, ka thënë drejtori i festivalit Hajrullah Syla.
Më tej, drejtori Syla tha se mbarëvajtja e festivalit ka shkuar ashtu siç edhe është planifikuar, përveç aspektit prezencës së audiencës në ditët e fundjavës.
“Edicioni i shtatë i PriVocal Fest u përmbyll me mjaft sukses, pavarësisht që nuk kemi qenë mjaft të kujdesshëm me aspektin e ditëve të javës. Kjo ka ndikuar pak te dy koncertet e fundit, që ishin gjatë fundjavës në aspektin e prezencës së publikut, pra nuk ka rezultuar ashtu siç e kam pritur. Megjithatë të gjithë ata që kanë qenë besoj që e kanë shijuar shumë”, ka përfunduar drejtori Syla.
Edicioni i shtatë i Prishtina International Vocal Festival u mbajt nga data 14 deri më 20 tetor, në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare./ KultPlus.com
Piktori i njohur shqiptar Alush Shima feston sot 82-vjetorin e lindjes.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja uroi sot Shimën me rastin e ditëlindjes, të cilin e cilësoi si “mjeshtri i madh i artit shqiptar”.
“Me një karrierë të mbushur me vepra që sfiduan kufijtë e artit gjatë regjimit komunist, Shima pikturoi fshehurazi për dy dekada, duke mbetur një zë i fuqishëm i artit të lirë. Pas vitit 1990, veprat e tij dolën në dritë në Galerinë Kombëtare të Arteve, ku u shfaqën për publikun. Nderuar me titullin “Mjeshtër i Madh” në vitin 2012, ai vazhdon të kontribuojë në artin shqiptar me krijimet e tij unike”, shkruan Gonxhja.
Piktori Alush Shima lindi më 21 tetor 1942, në një familje me origjinë nga Kuçi i Vlorës, por e ardhur në Tiranë, në vitin 1927. Ishte vetëm 8 vjeç kur Alush Shima nisi të vizatonte. Piktura ishte një pasion i madh edhe për babain e tij, i cili shpesh për të nxitur të voglin e tij drejt këtij rrugëtimi organizonte konkurse mes tyre. Arsimin fillor, Shima e kreu në shkollën “Kosova” (1948), Tiranë. Në vitin 1955, mori pjesë në kursin e vizatimit të Pallatit të Kulturës “Ali Kelmendi” me pedagogë, piktorin Sadik Kaceli dhe më vonë Ndoc Kodhelin.
Shima vazhdoi studimet e mesme në Liceun Artistik “Jordan Misja” (1955-1962). Kreu studimet për pikturë në Institutin e Lartë të Arteve (1962-1966), që kishte vetëm dy vjet që ishte hapur në Shqipëri. Ateljeja ku ai studiojë drejtohej nga piktorët Sali Shijaku dhe Nexhmedin Zajmi.
Shima i ri punoi si piktor modelist në byronë e modeleve të ndërmarrjes artistike “Migjeni” në Tiranë. Gjatë kësaj kohe ai realizoi disa tablo me temë historiko-sociale dhe ishte pjesëmarrës vetëm në pak ekspozita kombëtare. Ai ekspozoi për publikun disa tablo kompozicionale, por pas refuzimit dhe kritikave të tablove si: “Skënderbeu”(1968), “Studentja” (1973).
Emri i piktorit Shima është i njohur për artdashësit shqiptarë, së pari si autor i shumë filmave artistikë (piktor filmi dhe kostumesh) të realizuar nga ish-Kinostudioja “Shqipëria e Re” gjatë viteve 1967-90. Mund të kujtojmë filmat “Gjeneral gramafoni”, “Kohë e largët”, “Në shtëpinë tonë”, “Në çdo stinë”, etj.
Në vitin 1999 Shima u nominua për çmimin “Njeri i vitit” (Man of the year) nga Instituti Biografik Amerikan. Më 31 dhjetor 2012, iu dha urdhri “Mjeshtër i Madh” nga ish-presidenti Bujar Nishani./atsh/ KultPlus.com
Virgjili ishte një poet romak, i famshëm për shkrimin e Eneidas, dhe për prezencen e tij tek operat e Dante Alighierit. Në shkrimet e tij ai flet edhe për Ilirët dhe Ilirinë.
Virgjili lindi afër Mantovës në vitin 70. Virgjili studioi për retoriken dhe filozofinë në Romë. Vitet e fundit të jetës së tij i kaloi në Napoli ndërsa vdiq në Brundisi gjatë kthimit të tij nga Greqia. Ndër veprat më të hershme të Virgjilit, më e rëndësishmja është “Bucolica” (Këngë baritore). Vepra të tjera të rëndësishme të këtij autori janë edhe “Eclogae” (Vjersha të zgjedhura), “Georgica” (Poem mbi bujqësin), dhe poema epike kushtuar Oktavian Augustit “Aeneis”
Virgjili në veprën e tij “Bacolica” shpesh përdor realizma të kohës në të cilën jetoi ndërsa në poemën “Georgica” mund të shihet dashuria e sinqertë e tij për natyrën dhe bujqësinë dhe bën përpjekje për të përgjithësuar njohuritë mbi ekonominë fshatare.
Në vepren e tij “Eneiden” (“Iliada” e “Odiseja” romake) tregon për peripecitë e udhëtimit të heroit trojan Eneas, i cili përpara se të arrinte në Lat për të formuar gjoja mbretërinë e tij në tokën latine qëndroi për pak ditë edhe në Butrint. Kjo poemë mbeti e papërfunduar dhe u botua vetëm pas vdekjes së autorit./KultPlus.com