Ferdinand Deda, Mjeshtri i Madh përkujtohet në ditën e lindjes

Më 5 shkurt të vitit 1941 u lind kompozitori, dirigjenti dhe instrumentisti, Ferdinand Deda.

Gjithë jetën e tij, gjersa u shua më 24 gusht 2003, Ferdinand Deda ia dedikoi pentagramit. Me të mbaruar liceun artistik të Tiranës në vitin 1960, iu drejtua konservatorit të muzikës së Pragës për të ndjekur studimet në disiplinën e dirigjimit.

Në klimën e pezmatimit të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe ish-Bashkimit Sovjetik, Deda ndërpreu studimet për t’i rimarrë ato në konservatorin e Tiranës. Atij iu besua të udhëhiqte orkestrën e Radio Televizionit Shqiptar (RTSH).

Duke nisur nga viti 1964, Ferdinand Deda ka realizuar mbi 300 koncerte brenda dhe jashtë vendit. Kolonat zanore të shumë filmave shqiptarë, mbajnë autorësinë e Dedës dhe të orkestrës simfonike të RTSH-së. Në tagrin e kompozitorit, ka lënë pas një trashëgimi tejet të pasur muzikore, prej së cilës veçohen 3 valle simfonike, katër skica për piano, trio për violinë, violonçel dhe piano, prelud të kënduar, impropt për piano dhe orkestër harqesh, fantazi për ksilofon dhe orkestër, koncertino për korn dhe orkestër, koncertino për fagot, klarinetë dhe flaut etj.

Në vlerësim të kësaj vepre të ngjeshur, në vitin 1997 Deda u shpall fitues i “Diskut të artë”, si edhe është nderuar me titullin “Artist i merituar” dhe “Mjeshtër i Madh”./atsh/KultPlus.com

Shkodra i jep lamtumirën ‘Mjeshtrit të madh’

I është dhënë lamtumira e fundit shkrimtarit dhe dramaturgut të shquar shqiptar, Fadil Kraja, i cili u nda nga jeta në moshën 91-vjeçare.

Në homazhet e mbajtura në teatrin “Migjeni” të qytetit të Shkodrës ishin të pranishëm familjarë dhe miq të Krajës, por edhe artistë të njohur.

Për ta Fadil Kraja ishte një artist i madh dhe kjo është një humbje e pazevendësueshme. Kontributi i Fadil Krajës është i çmuar, teksa ka shkruar mbi 50 drama dhe komedi të suksesshme te shfaqura në të gjithë teatrot profesioniste të Shqipërisë, si dhe në Kosovë, Mal i Zi, Maqedoni dhe në diasporë.

Nga ana tjetër, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, e ka dekoruar shkrimtarin dhe dramaturgun Fadil Kraja me “Urdhrin e Kalorësit të Flamurit.”./KultPlus.com