Osmani takon presidentin e Malawit: Kosova është e bekuar me miq në çdo anë të botës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se është takuar me presidentin e Malawit, Lazarus Chakwera.

Ajo tha se përkundër distancës, ata kanë shprehur përkushtimin për thellim të marrëdhënieve.

“Në New York, takova edhe Presidentin e Malawit, Lazarus Chakwera. Pavarësisht distancës midis shteteve tona, përkushtimi për ta thelluar bashkëpunimin në të mirë të qytetarëve tanë, mbetet i palëkundur. Kosova është e bekuar me miq në çdo anë të botës”, tha Osmani.

Ka më shumë se një javë që Osmani po qëndron në SHBA në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të sesionit të 79-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara. Nga atje, ajo ka njoftuar për një sërë takimesh me liderë botërorë. / KultPlus.com

Vdes aktorja e famshme Maggie Smith

Aktorja Dame Maggie Smith, e njohur për filmat “Harry Potter” dhe “Downton Abbey”, ka vdekur në moshën 89-vjeçare, ka thënë familja e saj.

“Ajo ndërroi jetë paqësisht në spital herët në mëngjesin e sotëm, e premte 27 shtator. Një person privat, ajo ishte me miqtë dhe familjen deri në fund. Ka lënë dy djem e pesë nipa e mbesa që janë shkatërruar nga humbja e nënës dhe gjyshes së tyre të jashtëzakonshme”, thuhet në deklaratën e djemve Toby Stephens dhe Chris Larkin.

Djemtë e aktores kanë kërkuar mirëkuptim për privatësi, ndërsa kanë falënderuar të gjithë për mbështetjen./rtv21/KultPlus.com

“Përtej barrierave-Gjithëpërfshirja në Kulturë dhe Art”, panel premtues për përmirësimin e kushteve në institucionet kulturore

“Përtej barrierave-Gjithëpërfshirja në Kulturë dhe Art” ishte paneli në ditën e tretë të FEMART 12 ku diskutimi u përqendrua në mënyrat se si mund të krijohen hapësira artistike dhe kulturore më gjithëpërfshirëse, duke kapërcyer barrierat që shpesh pengojnë pjesëmarrjen e plotë.

Në këtë panel diskutimi morën pjesë: Jehona Shyti, drejtoreshë e Departamentit të Kulturës në MKRS, Kushtrim Sheremeti, drejtor i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Elvana Shala, Ambasadore e Vullnetit të Mirë dhe Mimozë Musliu, pjesë e ArtPolis, e cila prezantoi edhe manualin me udhëzimet për gjithëpërfshirje për personat me shikim të dobët dhe persona të verbër në aktivitete dhe institucione kulturore, panel që u moderua nga Ardianë Pajaziti, drejtoreshë e KultPlus.

Me një panel fantastik, të cilët kanë ndarë praktika të mira dhe strategji që promovojnë një qasje të hapur dhe të barabartë për të gjithë, ky diskutim është frymëzuar nga manuali për qasje të personave të verbër dhe me shikim të dobësuar në ngjarje kulturore.

Vëmendje të veçantë kishte rëndësia e përfshirjes së të gjithë individëve, pavarësisht prejardhjes, aftësive apo përvojave, në botën e kulturës dhe artit.

Dita III në FEMART 12 vazhdon edhe me shumë aktivitete të tjera/ KultPlus.com

Demo: 800 mijë vizitorë në këta 9 muaj në Berat

Qyteti i një mbi një dritareve ka shënuar një fluks të lartë turistësh vendas e të huaj në janar-shtator të këtij viti.

Kryetari i bashkisë së Beratit, Ervin Demo ndau sot në Ditën Ndërkombëtare të Turizmit, një video me pamje nga vizitat e turistëve në rrugicat dhe pikat turistike të qytetit.

“Dita Ndërkombëtare e Turizmit, ditë e cila kuptimin e plotë e merr pikërisht në Beratin e magjishëm, të turistëve të të gjitha moshave e kombësive e që përgjatë këtij viti, deri tani, ka mirëpritur plot dashuri në hotele, bujtina dhe shumë shtëpi që kanë hapur dyert për vizitorët e shumtë”, tha Demo.

Kryebashkiaku Demo bën të ditur se “vetëm në muzeun Onufri numri i vizitorëve deri më tani është 80 000, ndërsa numri i vizitorëve në territor është afër 800 000”.

Në videon e shpërndarë nga kryebashkiaku Demo një turiste tregon se ajo çfarë e tërhoqi të vizitonte Beratin ishte kalaja dhe shtëpitë e vogla të bardha.

Një tjetër turist u shpreh se “e kam vizituar Beratin në 2012 dhe tani jam rikthyer sërish për të parë të gjitha ndryshimet që qyteti ka pësuar sesi qyteti ka evoluar. Më pëlqeu shumë kalaja herën e parë. Tani do të fillojmë të vizitojmë gjithë qytetin.

“Ka rrugica të vogla shumë të këndshme, më pëlqeu qyteti i vjetër, ka shumë mundësi zgjedhjeje për të dalë për drekë apo darkë me ushqim të mrekullueshëm”, tha një turist.

Edhe pse jemi në ditët e fundit të shtatorit, rrugicat e kalldrëmta të lagjeve “Mangalem” dhe “Gorricë”, si dhe Kalaja janë të mbushura me turistë vendas e të huaj.

E veçanta është se turistët përveç vizitave në këto pika turistike këtë vit janë orientuar edhe ndaj sportit të aventurës dhe degustimit në kantina.

Turistët kanë preferuar këtë vit xhirot me kayak në liqenin e Qafë Dardhës, cooking class në disa prej restoranteve, kanoe e çdo lloj tjetër aktiviteti që është më shumë se material, por transmeton kulturën e qytetit 2400-vjeçar./atsh/KultPlus.com

TIFF, në program edhe prodhime kinematografike të vitit 2024

Në ditën e 5-të të Tirana International Film Festival, në seksionin PerspecTIFF u shfaq filmi Xoftex, prodhim i vitit 2024 nga regjisori argjentinas Noaz Deshe.

Filmi, një prodhim franko-gjerman, trajton temën e emigracionit, por në një mënyrë krejt të pazakontë nga sa kemi parë në filma të tjerë të së njëjtës tematikë.

“Xoftex” rrëfen historinë e Nasser-it dhe miqve të tij që nisën të xhirojnë skeçe satirike e të përgatisin një film horror me “zombie”, ndërsa presin të japin intervistë në zyrën e emigracionit.

Edhe realiteti i kampit i ngjan një skenari horror, me tension në rritje dhe konflikte që mjegullojnë ëndrrat dhe ankthet e protagonistëve.

Një tjetër takim i rëndësishëm me TIFF-in ishte ai i mbrëmjes, në kinema Agimi me filmin e Alessandro Blasetti-t, “Io, io, io…e gli altri”, ku interpreton i mirënjohuri Marcello Mastroianni. Filmi është pjesë e sesionit RetrospecTIFF që vjen në këtë festival si homazh në 100-vjetorin e lindjes së kolosit të kinematografisë italiane./atsh/KultPlus.com

Publikohet kënga “Aria” e Ertan Iliyaz, realizohet me ndihmën e inteligjencës artificiale

Artisti Ertan Iliyaz, ka publikuar videoklipin e tij më të ri të titulluar “Aria” i cili është krijuar me ndihmën e inteligjencës artificiale.

Ky projekt është një ndër realizimet e rralla në Kosovë, që janë përdorur mekanizmat e inteligjencës artificiale. Xhirimet janë zhvilluar në disa vende të Prishtinës si parku i Ulpianës dhe Parku i Qytetit, por që kanë marrë pamje tjetër nga përdorimi i animacionit.

“Muzikantët që kanë kontribuar në këtë projekt janë: Piano- Ertan Iliyaz, Kitare Elektrike- Teoman Globoder, Bass Kitare- Birol Urcan, Trumpet- Avni Krasniqi, Bateri Elektrike dhe Perkusione- Gent Gorani dhe Vokaliste- Fiona Shabani. Kompozimi është bërë nga Ertan Iliyaz, Regjia nga Alban Goranci, ndërsa aranzhimi nga Gent Gorani dhe Ertan Iliyaz”, thuhet në njoftimin për media nga aktori Alban Goranci.

Tutje, në njoftim thuhet se zëri i vokalistes e plotëson rrëfimin dhe evokon ndjesi të ndryshme emocionale.

“Konceptualisht, instrumentistët, vokalistja dhe vajza e cila vallëzon e shoqëruar nga muzika, prodhojnë një botë më të bukur dhe paqësore”, thuhet në njoftim.

Videoklipi i është kushtuar vajzës së ideatorit dhe realiazorit të këtij projekti muzikor, Erta Iliyaz, ndërsa qëllimi kryesor i projektit është nxitja e pozitivitetit te njerëzit nëpërmjet artit muzikor, që në fokus e ka një fëmijë teksa vallëzon me çiltërsi, nën tingujt e instrumenteve, që bëhen bashkë dhe krijojnë një atmosferë të ngrohtë.

Ky projekt është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, si dhe Komuna e Prishtinës, për çka u jemi shumë mirënjohës./KultPlus.com

Mbrëmje letrare në Prishtinë, do të prezantohet romani “Shtëpia e verdhë” nga Bashkim Hoxha

“Shtëpia e verdhë” është romani më i fundit i shkrimtarit Bashkim Hoxha që do të prezantohet para audiencës së Prishtinës.

Romani “Shtëpia e verdhë” është botuar nga Shtëpia Botuese “Bard Books”, kurse promovimi i këtij romani do të bëhet më 1 tetor, në ora 17:00 në Librarinë “Dukagjini” në Prishtinë./ KultPlus.com

Muzeu i Mitrovicës me qasje për personat e komunitetit të verbër

Muzeu i Mitrovicës shënoi një ngjarje të rëndësishme duke lansuar qasjen për personat e verbër, me përkthim të narrativave të ekspozitave në alfabetin Braille, si dhe me përkthim të dy guidave në gjuhët shqipe dhe serbe, po ashtu në alfabetin Braille.

Drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Fahri Jashari, u shpreh se “kjo është një ditë historike për kulturën dhe gjithë qytetarët e Mitrovicës”, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes së komunitetit të verbër në muze. Ndërsa Kryetari i Shoqatës së të Verbërve të Kosovës,  Daut Tishaku, u shpreh i emocionuar, duke thënë se “jemi shumë të gëzuar që Muzeu i Mitrovicës është muzeu më i qasshëm për komunitetin e të verbërve në Kosovë.”

Drejtoresha e Muzeut, Nora Prekazi, falënderoi Rrjetin e Muzeve Ballkanik, Fondacionin Dhemetra, dhe Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport për mbështetjen e tyre në krijimin e kësaj qasjeje dhe për organizimin e këtij aktiviteti të rëndësishëm, që u mbajt në kuadër të Javës së Trashëgimisë Evropiane. Ajo u shpreh se “Muzeu i Mitrovicës është i gjithë komuniteteve të Kosovës.”

Në këtë aktivitet ishin të pranishëm Shoqata e të Verbërve të Prishtinës, Mitrovicës Jug dhe Mitrovicës Veri. Po ashtu, në kuadër të kësaj ngjarjeje, u organizua një punëtori së bashku me Qendrën Burimore “Xheladin Deda” nga Peja.

Ky aktivitet ishte pjesë e projektit “Touching Heritage of Museum of Mitrovica,” përkrahur nga Rrjeti i Muzeve Ballkanik, Fondacioni Dhemetra dhe Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport./ KultPlus.com

Ti po vjen që prej së largu

Poezi nga Lasgush Poradeci

Ti po vjen që prej së largu magji-plotë e dal-ngadalë.
Ti po vjen që prej së largu dyke shkitur mbi lendina.
Nën thëmbërzat e tua përgëzohet trendelina,
Shtrihet lulja mitare e zambakut qe t’ u fal.

E si shkon me hap te matur, më pushton një dhëmshuri:
Do të tretem të kullohem në kalim të këmbes s’ ate,
T’ i pushtoi i llaftaruar ato hapëza mëkate
Ndaj kalon mbi tufë lulesh madhërisht si yll i ri.

Dhe të qaj me mall të rëndë poshtë teje pa pushim,
Poshtë fillit të poleskës ku do shkeli kamba jote.
Të të shtroj nga dhëmbja ime një cudi prej pikash lote,
Një pluhurë të përvajshme vetëm dhëmbj’ e dëshirim.

Të m’ a shkelish hije- letë ! të m’ a shkelish mes për mes !
Të të shoh si më lekundesh me sy fjetur e fatuar,
Brënda lotëve të mija të të shoh të pasqyruar,
E pastaj le të venitem, le të hesht e le të vdes./ KultPlus.com

NATO fton në sfidë studentët e Ballkanit Perëndimor

Në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit është depozituar nga Ministria e Mbrojtjes dhe nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme iniciativa e lançuar nga NATO ACT, “Sfida studentore e NATO-s-Ballkani Perëndimor”.

Përmes kësaj iniciative synohet inkurajimi i studentëve për t’u njohur me rolin e NATO-s dhe sfidat strategjike në rajon.

Ky konkurs fton studentët nga i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor t’i përgjigjen pyetjes: “Sipas mendimit tuaj, cilat janë sfidat më të rëndësishme të sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe si duhet ta trajtojnë NATO-ja, aleatët dhe partnerët?”

Studentët e kualifikuar duhet të dorëzojnë përgjigjet e tyre në formën e një videoje treminutëshe përmes platformës “Award Force” deri më 6 tetor 2024.

Tre kandidatët më të mirë do të ftohen në Sarajevë, në datat 22-24 tetor. Përveç kësaj, fituesve do t’u jepet mundësia t’ua paraqesin idetë e tyre zyrtarëve të lartë të NATO-s./atsh/KultPlus.com

Shkodra shënon tjetër rekord vizitorësh

Në Ditën Ndërkombëtare të Turizmit, Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër njoftoi se Kalaja e Rozafës shënoi plot 127,538 vizitorë.

Ky tregues, mes të tjerash, tregon që ky sit mbetet një nga parqet arkeologjike më të vizituara në të gjithë Shqipërinë ndërsa shton përgjegjësitë për t’u kujdesur fort për mbrojtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore e për të vazhduar punë të bukura përpara për promovimin e turizmit në Shkodër përmes thesareve të trashëgimisë.

Kalaja e Shkodrës, apo siç njihet ndryshe me emrin Kalaja e Rozafës është një prej kështjellave më të rëndësishme të Shqipërisë, emri i së cilës vjen prej një legjende të lashtë. Kalaja është ngritur mbi një kodër shkëmbore në hyrje të qytetit të Shkodrës, nga ana jug-lindore e tij. Rezulton të jetë ndërtuar qysh nga antikiteti duke ju rezistuar shekujve e duke qëndruar krenare deri në ditët tona.

Kalaja ka një pozicion të fuqishëm strategjik duke kontrolluar të gjithë territorin e gjerë përreth. Ajo përbëhet prej tre oborreve kryesore që janë në formë të shkallëve duke u ngritur njëri pas tjetrit ku dhe ndahen me porta mes tyre. Një strukturë e tillë e bën më të thjeshtë orientimin e turistëve në hapësirat e objektit./atsh/KultPlus.com

80 vite nga vdekja e Petro Poga, një nga figurat e rëndësishme të Rilindjes Kombëtare Shqiptare

Përkujtojmë sot më 27 shtator 1944 ndarjen nga jeta të patriotit e burrit të shtetit Petro Poga, një nga figurat e Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe më pas ministër i shtetit shqiptar.

Mësimet e para i ndoqi në Erind të Gjirokastrës. Studimet e larta i kreu në Stamboll në shkollën e drejtësisë “Mestebi Sultan” më 1883. Njihte mirë disa gjuhë të huaja si frëngjisht, gjermanisht, greqisht dhe turqisht. Në Stamboll bashkëpunoi me vëllezërit Naim Frashëri, Sami Frashëri, Abdyl Frashëri, si dhe me Jani Vreton, Koto Hoxhin, Shahin Kolonjën, Hasan Tahsinin dhe Ismail Qemalin. Në vitin 1884 themeloi dhe botoi gazetën “Drita” të Stambollit, dhe të përkohshmen “Promitheu” në gjuhën greke. Më 1883-1885 vazhdoi rendin e dytë të shkollës së drejtësisë dhe në periudhën 1885-1886 punoi si avokat në kryeqytetin perandorak dhe dha mësim lëndën e historisë në liceun Stavrodhromit në Pera.

Në vitet 1886-1912, Poga punoi si avokat dhe këshilltar ligjor i Prefekturës së Gjirokastrës. Roli i tij qe i rëndësishëm në themelimin e Klubit Patriotik “Drita” të Gjirokastrës, të cilin me vonë e udhëhoqën atdhetarët Hasan Xhiku, Idriz Guri, Hysen Hoxha, Veli Hashorva dhe Elmaz Boçe. Më 1912 qe përfaqësues i Gjirokastrës në Kuvendin e Vlorës, ku nënshkroi Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912. Në mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të Vlorës, Poga u caktua Ministër i Drejtësisë, si pjesë e Qeverisë së Parë Shqiptare.

Pas veprimtarisë në Vlorë, shkoi në Durrës ku iu dha posti i Ministrit të Drejtësisë në qeverinë Përmeti nën Princ Vidin. Së bashku me avokatët e shquar Kristaq Tutulani dhe Feim Mezhgorani hartoi Statusin që shkëputi Gjykatën Shqiptare nga juridiksioni i Perandorisë Osmane. Mori pjesë në hartimin e Legjislacionit Shqiptar dhe ndërtimit të Kushtetutës së Mbretërisë më 1928. / KultPlus.com

Ditët Evropiane të Trashëgimisë, tur në monumentet kulturore të Elbasanit

Tema e këtij viti e Ditëve Evropiane të Trashëgimisë Kulturore është “Rrugë, Rrjete dhe Lidhje”.

Në kuadër të këtyre ditëve, Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Korçë, sektori i Elbasanit, ka organizuar një tur të veçantë që synon të ofrojë një përvojë të pasur kulturore për turistët vendas dhe të huaj.

Specialistët e DRTK Korçë shoqëruan vizitorët tek të gjitha atraksionet turistike dhe Monumentet e Kulturës të qytetit të Elbasanit, duke ofruar një shpjegim të detajuar mbi rëndësinë historike dhe kulturore të këtyre monumenteve.

Ky “udhëtim i shkurtër” u dha turistëve një mundësi unike për të kuptuar dhe vlerësuar trashëgiminë kulturore të Elbasanit, si dhe për të eksploruar rrjetet dhe lidhjet historike që e bëjnë këtë qytet një pikë të rëndësishme në historinë dhe kulturën e rajonit./atsh/KultPlus.com

Presidentja Osmani në pritjen e Presidentit Biden: Aleancë që qëndron në themelet e shtetit tonë!

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me Zotërinë e Parë, Prindon Sadriu, kanë marrë pjesë në pritjen zyrtare të organizuar nga Presidenti Biden dhe Zonja e Parë Dr. Biden.

“Aleancë që qëndron në themelet e shtetit tonë! Faleminderit Presidentit Biden dhe Zonjës së Parë Dr. Biden për mikpritjen dhe bashkëbisedimin!”, ka shkruar Presidentja Osmani./KultPlus.com

20 vjet në 27 fotografi, Fahredin Spahija do të prezantohet me ekspozitën personale “Shpirti Dervish”

Fotografi i njohur Fahredin Spahija do të prezantohet sonte me ekspozitën personale “Shpirti Dervish”, ekspozitë që për kurator ka Fahredin Shehun e që  përmbledhë punën 20 vjeçare të fotografit Spahija përgjatë ritualeve të dervishëve në Kosovë dhe Shqipëri, e që në këtë ekspozitë vijnë nëpërmjet portreteve, shkruan KultPlus.

Pas ceremonisë së hapjes së ekspozitës, mbrëmja do të vazhdojë me performancën e Petrit Çarkaxhiut, sikurse që do të lexohen poezi të poetit të famshëm Rumi, e që në këtë mbrëmje do të vijnë nëpërmjet aktorit Nik Istrefi.

“Për mua, këto rituale, përtej religjionit, kanë kuptimin e një kulture mbi 600 vjeçare që begaton trashëgiminë tonë kulturore gjithandej hapësirave gjeografike shqiptare”, ka thënë fotografi Spahija, për këtë ekspozitë që do të hapet sonte në KultPlus Caffe Gallery, në ora 19:00.

Kurse kuratori Fahredin Shehu për këtë ekspozitë ka shkruar se: Poetika e fotografisë artistike e Fahredin Spahisë, ndërshtresohet nga talenti, mjeshtëria dhe puna e përsosmërisë së zanatit që elevohet në art, ndërkaq arti transhendohet në Teurgji. Kjo krijon një arkitekturë eterike (të dukshme gjithsesi si një hologram në Qiell dhe matrix-in si foto-print në Tokë), e cila ngritet në nivele më të larta të krijimtarisë artistike. Prandaj, kjo është në përputhje të plotë me atë që kam shkruar më herët: “Poezia është dhunti e Krijuesit dhe vjen nga mëshira e Tij”. Fahredin Spahija, me ndërveprim, në plotësi krijon (Quantum Entanglement – implikim/ngatërrim shpirtëror apo kuantik, krejt një lloj), të artit të tij fotografik me një njohje/realizim timin për Poezinë e epokës sonë dhe më tej, e cila për t’u kuptuar duhet domosdoshmërisht të posedojë dije polymath-ike, respektivisht ato blloqe ndërtuese të një filozofie sintetike.

Ekspozita “Shpirti Dervish” që do të hapet sonte, më 27 shtator dhe do të rri e hapur për një javë në KultPlus Caffe Gallery, është mbështetë nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sporte dhe Komuna e Prishtinës/ KultPlus.com  

Dita Botërore, OKB: Turizmi si instrument për paqen

Sot është Dita Botërore e Turizmit.

Tema e këtij viti është “Turizmi dhe Paqja”, temë e cila dëshiron të nxjerrë në pah rolin jetik të këtij sektori në nxitjen e paqes dhe mirëkuptimit midis kombeve dhe kulturave dhe në mbështetjen e proceseve të pajtimit.

OKB shprehet se, në një nivel global, ku kombet janë të ndërlidhura dhe të ndërvarura, turizmi, një industri e krijuar nga njerëzit dhe për njerëzit, shfaqet si një forcë bindëse dhe dinamike për të sfiduar stereotipet dhe për të sfiduar paragjykimet.

Ky sektor mund të perceptohet si mishërimi i dialogut ndërkulturor: ai lejon të takojmë “tjetrin”, të mësojmë për kultura të ndryshme, të dëgjojmë gjuhë të huaja, të shijojmë shije ekzotike, të lidhemi me qeniet e tjera njerëzore dhe të krijojmë tolerancë. Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në thelb, turizmi është një përvojë edukative dhe shpirtërore që zgjeron mendjen.

Studimet kanë treguar se, vendet me një sektor turistik më të hapur dhe të qëndrueshëm priren të jenë më paqësore.

Turizmi përhap filantropinë dhe çon në bashkëpunim rajonal. Për shembull, disa vende afrikane po zbatojnë një politikë të hapur vizash për anëtarët e Bashkimit Afrikan për të inkurajuar lëvizjen e lirë të njerëzve dhe për të nxitur turizmin dhe tregtinë./atsh/KultPlus.com

Media gjermane “Merkur.de”: Alpet Shqiptare në krye të destinacioneve më interesante për t’u vizituar në 2025

Pas pushimeve verore, rifillon planifikimi. Por, cili është objektivi në listën e udhëtimeve për vitin e ardhshëm? Frymëzohuni nga vende më pak të njohura, shkruan Franziska Kaindl në një artikull të botuar në revistën gjermane “Merkur.de”.

Për shumë turistë, pushimet verore sapo kanë përfunduar – por pikërisht në këtë moment dëshira për të planifikuar udhëtimin e radhës është më e madhe. Në fund të fundit, pritjet janë gëzimi më i madh.

Viti i ardhshëm mund të jetë gjithashtu një mundësi për shumë turistë që të provojnë destinacione të reja udhëtimi.

Në funksion të protestave kundër turizmit masiv ose vapës së madhe në Mesdhe gjatë verës, turistët mund të jenë të etur për ajër të freskët kur planifikojnë pushimet e tyre.

Platforma online e udhëtimeve “Urlaubspiraten” ju sugjeron tre destinacione udhëtimi që deri më tani janë nën radar:  Alpet Shqiptare, Shqipëri; Laplanda, Finlandë; Galicia, Spanjë.

Jo vetëm bregdetin: vizitoni Alpet Shqiptare

Shqipëria është kthyer në një nga destinacionet më në trend të udhëtimeve gjatë viteve të fundit – dhe vendi mesdhetar konsiderohet si një alternativë më e lirë kundrejt Greqisë.

Përveç bregdetit, pushuesit mund të hedhin një vështrim më të afërt në Alpet Shqiptare, të quajtura Prokletije, ku ndodhen disa parqe kombëtare të rrethuara nga peizazhe mahnitëse.

Një nga parqet më të bukur është Parku Kombëtar i Thethit me ujëvarën e Grunasit.

Por, edhe lugina e Valbonit me lumin me të njëjtin emër, si dhe malet dhe formacionet shkëmbore mbresëlënëse ia vlen të vizitohen.

Gjithashtu, ju rekomandojmë të mos humbisni një vizitë në lumin e Shalës, i cili mund të arrihet me varkë pëmes liqenit të Komanit – shpesh i konsideruar nga ekspertët e udhëtimeve si “Tajlanda e Shqipërisë”./atsh/KultPlus.com

“Ti nuk je normal” nga Genc Salihu (VIDEO)

Është publikuar kënga më e re nga Genc Salihu, këngë që është paraqitë edhe nëpërmjet videoklipit.

Kënga e titulluar “Ti nuk je normal” është realizuar me tekst dhe muzikë të Genc Salihut, përderisa kjo këngë ka një tekst shumë të veçantë.

KultPlus ju sjell edhe tekstin dhe videoklilin e këtij projekti muzikor.

Lamsh e ke gjetë, lamsh e ke lanë
Duhet me ecë veç për me mbetë n’kambë
Frikë në sytë e tu, ka
Frikë në sytë e tu.


Lotë për t’kaluemen asnji pikë
Re të përçarta përmbi Prishtinë
Nesër vijnë me t’marrë n’krahë
Leji le t’vijnë me t’marrë.

Ti nuk je normal, bre çike
Gojën mjaltë e fjalën thikë
Ti nuk je normal, bre çikë
Ti nuk je normal.

Ti nuk je normal, bre çikë
Tu’e mshele gojën ke përbi
Kalle kejt, tash, mos ta ndinë
Ti nuk je normal.

Me qenë i ambël sikur ti
Isha nisë luleve pa mend
M’e pasë nji andërr sikur ti
Kishin me m’vra kurrë pa m’përmend.

Lavd e nam
Kokën naltë dhe lavd e nam
Kupat mbrapa që i lamë
Shkrihen sikur ar
Posedime n’varr.

O, a t’nxen në kto kpucë t’ngushta që i ke mbathë?
Për me lëvizë shpejt e larg duhet
Me u drejtu e mos me ecë në rrathë
Kurrë mos u dorëzofsh
Kurrë mos u dorëzofsh.

Ti nuk je normal, bre çike
Gojën mjaltë e fjalën thikë
Ti nuk je normal, bre çikë
Ti nuk je normal.

Ti nuk je normal, bre çikë
Tu’e mshele gojën ke përbi
Kalle kejt, tash, mos ta ndinë
Ti nuk je normal.

Me qenë i ambël sikur ti
Isha nisë luleve pa mend
M’e pasë nji andërr sikur ti
Kishin me m’vra kurrë pa m’përmend./ KultPlus.com

Arena “Circus Maximus” e Romës e rezervuar për gjashtë koncertet e ish-kitaristit të “Pink Floyd”

Të gjitha vendet në stadiumin e lashtë romak “Circus Maximus” janë shitur për të gjashtë koncertet e David Gilmour, ish-kitaristi i grupit muzikor anglez “Pink Floyd”, duke filluar që të premten dhe 80% të biletave janë blerë nga artdashës jashtë Romës, 33% nga jashtë Italisë dhe 47% nga pjesë të tjera të vendit, bëri të ditur sot një anëtar i këshillit bashkiak të kryeqytetit italian.

“Nëntëdhjetë mijë spektatorë në arenën ‘Circus Maximus’ për gjashtë datat e vetme të koncerteve të David Gilmour në Evropën kontinentale”, tha Alessandro Onorato, këshilltari për ngjarjet kryesore në kryeqytetin italian.

“Jemi shumë të lumtur që duke nisur nga e premtja e 27 shtatorit, artisti i madh do të jetë në Romë për të dhënë shfaqjet e tij të papërsëritshme,” shtoi ai.

“Vendet e rezervuara janë shitur plotësisht dhe 20% e spektatorëve janë nga Roma, 33% vijnë nga jashtë vendit, veçanërisht nga Gjermania, Franca and Mbretëria e Bashkuar, 47% janë nga pjesë të tjera të Italisë,” tha Onorato.

Sipas tij, “vendimi i ish-kitaristit të ‘Pink Floyd’ për të ardhur në Romë për prezantimin e albumit të tij më të ri, ‘Luck and Strange’, duke e preferuar në vend të qyteteve të tjera evropiane, është provë objektive se si ky qytet është bërë gjithnjë e më tërheqës dhe më i vizitueshëm”./ KultPlus.com

Hapet edicioni i 12-të i FemArt, shfaqja ‘Carmen’ trajton dukurinë e femicidit në hapje të festivalit si reflektim për barazi gjinore

Vjollca Duraku
Foto: Esad Duraki

Festivali Ndërkombëtar i Artisteve dhe Aktivisteve- FemArt mbrëmë ka nisur rrugëtimin e tij me edicionin e 12-të me shfaqjen “Carmen”, nga Barcelona Flamenco Ballet. E përshtatur për një skenë më minimaliste nga opera “Carmen” e kompozitorit francez Georges Bizet, kjo shfaqje ndërthur flamenkon me baletin klasik, ku përmes balerinëve nxjerrë në skenë mesazhe për identifikim të simbolikave si thirrje universale për të drejta të barabarta.

“Carmen” paraqet historinë e një gruaje magjepsëse, jeta e së cilës përshkohet njëkohësisht nga një pasion dhe dhimbje e madhe, rol të cilin në mënyrë fenomenale para audiencës e solli balerina Orts Romero.

Skena në të cilën u dhurua kjo shfaqje përmbante kashtë, thasë, stola dhe një tavolinë, fare pranë së cilës interpretoheshin këngë me ritme të ndryshme spanjolle nga Joel Luque Muñoz nën përcjelljen e dy kitaristëve Iban Perez Gomez dhe Jordi Centeno Alfaro. Të gjitha këto elemente krijonin një aurë magnetike e cila tërhiqte audiencën në çdo moment.

Kurse vallëzimi dinamik i balerinëve i dha shfaqjes tjetër nivel. Ishte veshja e veçantë ajo që binte në sy fillimisht. Vajzat me fustane të gjera joshnin djemtë me veshje ushtarake, Goditjet mjeshtërore në dysheme përmes këpucëve të tyre, duartrokitjet plotë takt, si dhe këndimi shpërfaqnin lojën, pasionin dhe artin e mbrëmjes. Lëvizjet milimetrike të tyre tregonin precizitetin dhe mjeshtërinë e balerinëve, kurse shpeshtësia e goditjes së tyre tregonte atmosferën e çastit, duke zbërthyer emocionet e personazheve të ndërthurura mes gëzimit, dashurisë, guximit, frikës dhe xhelozisë.

Personazhi kryesor i shfaqjes “Carmen” paraqitet me lëvizje sensuale e magjepsëse, që herë tregonte një vajzë plot hir e bukuri, herë një vajzë plotë vuajtje brenda vetes, duke shpërthyer në guxim të kohë pas kohëshëm në përballje me gjininë e kundërt. Ajo në fund vritet nga një ushtar, si shkak i xhelozisë për të cilën ai e ndiente pasi “Carmen” magjepsej nga një djalë tjetër.

Shfaqja “Carmen” e cila në hapje të FemArt ka paraqitur simbolikën mbi ndërgjegjësimin e dukurisë së femicidit në shoqëri, u dha nga trupa e baletit në përbërje me: Gutiérrez Molina, Ruiz Morales, Martin Gonzalez, Orts Romero, Amaya Bergue.

Krejt në fund të shfaqjes, balerina Orts Romero, e cila luajti rolin e “Carmen” ka treguar “çelësin” e interpretimit të saj të jashtëzakonshëm në këtë shfaqje.

“Kur unë luaj “Carmen” jam në një botë krejt tjetër. Ndonjëherë jam e guximshme, ndonjëherë jam e trishtuar dhe ndonjëherë jam e lumtur. Carmen është si unë. Ajo ndonjëherë është e trishtuar, ndonjëherë është duke luftuar për dashurinë, dhe për çdo gjë tjetër. Unë ndihem si unë, por në një botë tjetër”, ka thënë balerina e cila ngërtheu vëmendjen e publikut me paraqitjen e saj të mahnitshme.

Ndërsa balerini Gutiérrez Molina, i cili e ka përshtatur këtë shfaqje me tematikën e FemArt tha se fokusi i shfaqjes nga vallja si art skenik është zhvendosur te trajtimi i qështjeve në baza gjinore.

 “Shaqja “Carmen” është një krijim i ri, ku fokusi është vendosur te gratë sepse mendoj që tema e ‘Carmen” është shumë aktuale edhe sot. Nuk është se u jep fuqi grafe në valle dhe në artin skenik. Qëllimi i shfaqjes është për t’u dhënë zë shumë grave që vuajnë shumë gjëra si dhuna gjinore, abuzimi dhe pabarazia”, ka bërë të ditur balerini Molina.

Kurse drejtoresha e FemArt-it, Zana Hoxha, në një prononcim për media ka treguar arsyet përse shfaqja “Carmen” është përzgjedhur për të shënuar hapjen e edicionit të 12-të të FemArt-it.

“Është përzgjedhur pikërisht për shkak të mesazhit të dashurisë dhe pasionit që lidhet me temën, por natyrisht edhe për femicidin, i cili është problem fatkeqësisht shumë i madh në Kosovë. Ndonjëherë gjërat duken pasiononte, të bukura në shikim të parë, por jo gjithmonë përfundojnë ashtu. Kështu që jemi munduar që ta paraqesim shfaqjen me këtë mesazh. Kemi shprehur dëshirë që të shënojmë hapjen me këtë shfaqje për të kthyer edhe një lloj energjie të mirë sepse momentalisht siç e dini bota është në një gjendje jo të mirë”, ka thënë drejtoresha Hoxha, duke potencuar që një pjesë të programit i është dedikuar luftës, konfliktetve por edhe paqes, ndërtimit të besimi të ndërsjellë, pa marrë parasysh diferencave si qenie njerëzore.

Drejtoresha Hoxha më tej ka thënë se qëllimi i edicionit të 12-të të FemArt-it paraqet thirrje për paqe dhe motërzim.

“Qëllimi i këtij edicioni është pikërisht thirrja për paqe, dhe nevoja për të pasur një lloj stabiliteti më të madh. Është thirrja për tejkalimin e barrierave qoftë të brendshme, qoftë atyre të jashtme. Një thirrje për frymë pozitive e cila na bën njerëz më të mirë. Baza e feminizmit është  te solidariteti dhe motërzimi. Kështu që kemi dashur të thirremi në këtë, në mënyrë që të vazhdojmë të reflektojmë, të ngjallim më shumë dashuri e mirëkuptim. Të mos bashkëveprojmë me konfliktin, por të bashkë ndjejmë me paqen dhe të bashkëveprojmë me paqen”, është shprehur në fund drejtoresha Hoxha.

Festivali Ndërkombëtar i Artisteve dhe Aktivisteve- FemArt me moton “Motërzimi: n’Kohë Lufte Dhe Paqe” ka filluar mbrëmë më 25 Shtator, dhe do të zgjasë deri më 30 Shtator./ KultPlus.com

Promovohet libri “Arti i bashkëbisedimit”- një bashkëbisedim midis Sali Bashotës dhe Avni Spahiut

Në mesditën e së enjtes, në ambientet e Bibliotekës “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë, u bë promovimi i librit “Arti i bashkëbisedimit” (Avni Spahiu publicist, diplomat, përkthyes), i autorit Sali Bashota, organizuar nga Biblioteka “Hivzi Sulejmani” dhe Botimet REA.

Në këtë ngjarje morën pjesë personalitete të shquara shqiptare si ish-presidenti i Republikës së Kosovës z. Fatmir Sejdiu, drejtoresha e Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës znj. Sibel Halimi, Don Lush Gjergji, gazetarë, shkrimtarë, profesorë, ish-deputetë të Parlamentit të Kosovës, studentë e dashamirës të librit.

Fjalën e rastit e mbajti, Naime Beqiraj, drejtoreshë e Bibliotekës “Hivzi Sulejmani”, në Prishtinë, e cila ndër të tjera, tha: “Azem Shkreli e kishte thënë në një intervistë e disa herë edhe në mesin e miqve se botimi i një libri të mirë është festë për autorin e për lexuesit. Edhe libri të cilin po e përurojmë sot para jush, ne si institucion, është festë sepse është libër i rrallë, ashtu siç është i rrallë edhe protagonisti i veprës. Ende pa u publikuar libri “Arti i bashkëbisedimit”, ne si bibliotekë kishim menduar se si ta organizojmë promovimin e këtij libri, botuar nga shtëpia botuese REA që udhëhiqet nga një vajzë e re – Rozafa Bashota. Me auditorë të zgjedhur, siç jeni ju, secili autor do të ndjehej i nderuar, Avni Spahiu apo Sir Avni, siç e quaj prej kur e njoh autorin, brezi ynë i gjimnazistëve mezi priste ta lexonte në “Rilindje” me tekstet e tij nga New Yorku e që në mbamendjen rinore na dukej shkrim ndryshe. Spahiu, lexuesin, botën intelektuale, të përkthimit e të diplomacisë e pasuroi me mendim të thellë, tekst interesant, shqipërim fantastik e urti të rrallë dhe sot po vjen në shtëpinë e tij – në bibliotekë, ku e ka vendin e nderit.”

Më tutje, drejtoresha e Bibliotekës “Hivzi Sulejmani”, shtoi: “Sir Avni, tash që në këtë libër për artin e bashkëbisedimit, të prirë nga poeti Sali Bashota, po e shpalosni jetën tuaj, mendimet tuaja, idetë e sfidat, ky libër po iu bashkohet librave tuaj të shkëlqyer që i kemi ne si bibliotekë.”

Shkrimtari Ibrahim Berisha, i cili është edhe mik i Avni Spahiut, foli për personalitetin e Avniut si publicist, diplomat dhe përkthyes, duke spikatur individualitetin e tij në shumë fusha. Berisha, ndër të tjera, konstatoi: “Pas leximit kam menduar nëse mund të jap një përgjigje përafërt të saktë: Cilit zhanër letrar- publicistik i përket libri “Arti i bashkëbisedimit”. Mbase edhe nuk është krejt e thjeshtë të përcaktohet plotësisht. Por së pari, kjo është bisedë shumështresore intelektuale, kritike, origjinale, e shkrimtarit Sali Bashota me studiuesin, përkthyesin, publicistin, diplomatin, Avni Spahiu. Është minienciklopedi. Për këtë dilemë kam gjetur prehje përgjigjeje në fjalinë e Ralph Waldo Emersonit: “Miku është një person para të cilit mund të jem i sinqertë dhe të mendoj me zë të lartë.” Në këtë rast, të sinqertë dhe me zë të lartë bashkëbisedojnë dy miq, duke shpalosur faqe të arta të jetës dhe veprës së njërit nga intelektualët më kreativ shqiptar që zë të krijojë emër që nga fundi i viteve 1970 në gazetën Rilindja dhe njëherësh edhe me përkthimet e letërsisë angleze në gjuhën shqipe dhe të letërsisë së gjuhës shqipe në gjuhë angleze në revista e libra.”

Në vijim të fjalës së tij, Ibrahim Berisha, foli për kontributin e pakursyer të Avni Spahiut në fushën e publicistikës, duke evokuar shumë kujtime nga kjo periudhë: “Nuk e thotë në libër, por dua të tregoj edhe një përgjegjësi dhe sakrificë që Avniu mori kur u bë nga kryeredaktor i “Rilindjes” – “Bujkut”, pra në Prishtinë, jo në Zvicër a Shqipëri ku kishte kushte pune komode. Pse do të pyesni? Në objektin e uzurpuar të Rilindjes, nga regjimi serb, aty ku punonin punonjësit e gazetës, nga kryeredaktori deri te punëtorët e shërbimeve, nuk kishte ngrohje. Është punuar edhe në minus 20 gradë celsius, në beton vetëm për të dalë çdo ditë gazeta, së cilës iu kishte mbyllë edhe xhirollogaria. Ishte një vuajtje e tmerrshme e të gjithë punonjësve për të nxjerrë gazetën në krye të së cilës ishte Avniu.”

Në përfundim të fjalës së tij, Berisha duke trajtuar përmbajtjen e librit “Arti i bashkëbisedimit” të autorit Sali Bashota, tha: “Ky libër tregon sa shumë ka punuar ai për të mirën e njerëzve të këtij vendi, për të gjithë ne dhe për ata që do të vijnë pas nesh. Prandaj nuk ishte rastësi që ishte nxënësi më i mirë që fitoi bursë të ndjekë shkollën në SHBA, pastaj të jetë korrespondent i gazetës “Rilindja” po në SHBA, të jetë ndër përkthyesit më të mirë të anglishtes në shqip, të jetë ndër eseistët dhe reporterët e pakrahasueshëm, kujtoj Skicat Amerikane, bartës i shumë punëve të para në QIK dhe në KMLDNJ dhe në lëvizjen për liri dhe pavarësi, kryeredaktor i gazetës nacionale “Rilindja”-“Bujku” në kohët më të vështira në vitet 1990, drejtor i RTK-së, nuk është rastësi ambasadori i parë i akredituar i shtetit të Kosovës në një vend, në SHBA. Edhe nuk është rastësi që Avniu vjen nga shpirti i njerëzve të Republikës së Kosovës, nga Drenica. Dmth, asgjë e rastësishme.”

Në vazhdim, fjalën e mori Sali Bashota, autor i librit “Arti i bashkëbisedimit”, i cili tregoi për motivin inicial për realizimin e këtij projekti. Bashota në fillim të fjalës së tij, tha: “Një ditë pranvere e javës së fundit të prillit të vitit 2022, në një takim miqësor me Avni Spahiun në restorantin “Symphony” në Prishtinë, biseduam për shumë tema, ngjarje, situata, përjetime, kujtime, por edhe për shumë çështje, fenomene e dukuri të pranishme në realitetin tonë e më gjerë. Po atë ditë, sikur m’u ngulit në mendje që të bëja një intervistë të gjatë me të dhe që të botohet si libër i veçantë nga Botimet REA.”

Duke e portretizuar shëmbëlltyrën krijuese të Avni Spahiut, Bashota ceku disa nga vlerat e personalitetit të Avni Spahiut, ku tha: “Qetësia, modestia, thjeshtësia, mendjemprehtësia e Avni Spahiut e shpërfaqnin guximin e nismës time për të shpalosur Ditarin e Jetës së tij në kohë dhe rrethana të ndryshme. Por, ishte përpjekja ime e vazhdueshme për ta realizuar idenë e komunikimit në rrugëtimin e tij nëpër vitet e lumtura, por edhe nëpër vitet e vështira, të cilat i kemi përjetuar si popull. Por, përvoja e tij e jashtëzakonshme në shumë segmente të jetës më vuri në “siklet”, për ta mbrojtur qëllimin e këtij bashkëbisedimi, se cilat pyetje do të ishin më të qëlluara që do ta shpalosnin më së miri realitetin tonë, kuptohet përbrenda rrethanave të caktuara politike, diplomatike e kulturore apo cilat pyetje do ta “ngacmonin” më shumë Avniun, për të arritur deri te njëra ndër porositë kryesore të bashkëbisedimit, duke i shpalosur një nga një ato faqe miqësie, siç thoshte Avniu, për t’i evidentuar dhe karakterizuar, sidomos marrëdhëniet me shumë vende mike të Kosovës, në mënyrë të veçantë marrëdhëniet shqiptaro-angloamerikane.”

Autor i librit “Arti i bashkëbisedimit” (Avni Spahiu publicist, diplomat dhe përkthyes), e përmbylli fjalën e tij, duke thënë: “Bashkëbisedimi me Avni Spahiun e ka magjinë e vet të frymëzimit edhe për veprimtarinë e tij në shumë drejtime. Përmbajtja dhe mesazhi i përgjigjeve të tij paraqesin sintezën e informacioneve të sistemuara me origjinalitet dhe me një invencion të rrallë kreativ, që do të ishte model për publicistët shqiptarë.

Libri “Arti i bashkëbisedimit”, i sajuar përmes pyetjeve të mia dhe përgjigjeve të tij është njëri ndër artikulimet më pasionante të Avni Spahiut që ka të bëjë me kulturën, letërsinë, diplomacinë, përkthimin, publicistikën etj. Për më tepër, ky libër me përmbajtjen dhe informacionin që ofron, gjithsesi, i ka shenjat e veta të përveçme, pikërisht me stilin, gjuhën, mjeshtërinë e rrëfimit, por edhe me përbërës të tjerë të shumtë që dëshmojnë për vlerën e mendimeve autentike dhe për pikëpamjet shumëdimensionale të Avni Spahiut. Një cilësi dhe një pasurim i mendimit shqiptar sot.”

Në fjalën e tij përshëndetëse, Fatmir Sejdiu, ish-presidenti i Republikës së Kosovës, foli për personalitetin e Avni Spahiut si diplomat, të cilin e kishte dekretuar si Ambasadorin e parë të Republikës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndër të tjera, Sejdiu e karakterizoi personalitetin e Avni Spahiut me këto fjalë: “Avniu është një personalitet unikat, i urtë me fjalë të fortë, i qetë me dinamizëm në punë dhe elemente të tjera të cilat praktikisht e bëjnë personalitetin e tij të pandalur në misionin që ka pasë”. Gjithashtu, tregoi edhe për bashkëpunimin me Avni Spahiu në periudhën kur të dy ishin gazetarë.

Në vazhdim, në fjalën e tij përshëndetëse Don Lush Gjergji foli për kontributin e Avni Spahiut në shumë fusha duke filluar nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, pastaj si diplomat, përkthyes, humanist dhe njeri që ka kontribuar në periudha të ndryshmë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Në këtë aktivitet promovues, drejtoresha e Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës, Sibel Halimi, tha: “Jam e privilegjuar që në cilësinë e Drejtoreshës së Kulturës së kryeqytetit të Kosovës të mund të ndajë këtë mirënjohje për z. Avni Spahiun në këtë ditë përurimi të librit “Arti i bashkëbisedimit”, me motivacion: “Avni Spahiut për punën e tij të shkëlqyer si përkthyes letrar, si publicist dhe diplomat”.

Në vazhdim të fjalës së saj, drejtoresha Halimi, theksoi se: “Avni Spahiun, e kemi shembull të shkëlqyer të publicistit kreativ, të përkthyesit të mrekullueshëm nga gjuha angleze në gjuhën shqipe dhe anasjelltas me rreth 30 libra të shquara. Z. Spahiu letërsinë angleze dhe amerikane na e ka kthyer në shqip aq bukur, ashtu siç na ka përfaqësuar si Kosovë aq denjësisht si diplomat nga Uashingtoni, në Azi e Europë. Si korrespondent i “Rilindjes” nga SHBA, si ambasador i parë i Republikës së Kosovës në shtetin amerikan, Avniu ka dhënë kontribut të pakrahasueshëm për miqësinë e përjetshme shqiptaro-amerikane. Si publicist e drejtues mediash, Avni Spahiu është shquar me mendimin eksplicit e vazhdon të drejtojë edhe sot revistën letrare “PEN Kosova” – njëra nga më të mirat në hapësirën letrare dhe kulturore shqiptare.”

Në fund, protagonisti i këtij promovimi Avni Spahiu falënderoi të gjithë pjesëmarrësit, panelistët, botuesen dhe te gjithë ata që kanë kontribuar për realizimin e këtij libri, ku ndër të tjera, e vlerësoi në mënyrë të veçantë autorin e librit Sali Bashota.

Promovimi i këtij libri ishte një ngjarje e veçantë kulturore në kryeqytetin e Republikës së Kosovës./ KultPlus.com

Vashë Athine

Poezi nga George Gordon Byron

Para nisjes, vashë Athine,
Kthema ti at’ zemrën time!
A, meqë u shkul nga gjiri’ vet
Mbaje pra e merr atë çka mbet’.
Besën, para nisjes, ma dëgjo,
Ζωή μου, σᾶς ἀγαπῶ.

Për ato gërsheta pa të sosur,
Erëra t’Egjeut q’u vijn’ rrotull;
Për ato qepalla shkruar në të zi,
Puth faqkat që çelin plot butësi;
Për syçka si kaprollë, t’ashprat ato,
Ζωή μου, σᾶς ἀγαπῶ.

Për ato buzë që digjem gjithnjë;
Për atë bel që aq dua ta zë;
Për lulet e mbledhura që thonë
Çka asnjë fjalë dot s’e sqaron;
Për hare a breng’ dashurie, cilëndo,
Ζωή μου, σᾶς ἀγαπῶ.

Vashë Athine! Unë kam shkuar.
Mendo mua, e shtrenjtë! i vetmuar.
Paçka se për Stamboll mora flatrim
N’Athinë kam zemrën, kam shpirtin tim:
A mund të të mos dua më? Jo!
Ζωή μου, σᾶς ἀγαπῶ.

Shënim: Ζωή μου, σᾶς ἀγαπῶ (Zoí mu, sas agapó), nga greq. “Jeta ime, të dua.”

Përktheu: Edon Qesari / KultPlus.com

Osmani: Kosova të ketë më shumë bashkërendim dhe bashkëpunim me SHBA

Në një intervistë për Zërin e Amerikës Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani theksoi rëndësinë e koordinimit dhe bashkëpunimit të vendit të saj me Shtetet e Bashkuara jo vetëm për çështje që lidhen me dialogun me Serbinë.

Ajo tha se historia e ka treguar se sa herë Kosova ka punuar ngushtë me Uashingtonin ka patur sukses, çka i ka shërbyer vendit dhe banorëve të tij.

Ndërsa i konsideroi tërësish të ligjshme veprimet e qeverisë së Kosovës për shtrirje të sovranitetit në veri, Presidentja Osmani shtoi se bashkëpunimi me aleatët do t’i bënte këto përpjekje të qëndrueshme, duke u reflektuar edhe në politikën e jashtme, nëpërmjet anëtarësimit të Kosovës në institucione ndërkombëtarë.

Komentet zonja Osmani i bëri nga Nju Jorku, ku këto ditë ka zhvilluar një sërë takimesh në kuadër të aktiviteteve që mbahen paralel me Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Zëri i Amerikës: Zonja Presidente, Shtetet e Bashkuara ritheksuan këto ditë “nevojën urgjente” që Kosova dhe Serbia të ripërkushtohen në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. A ka ndonjë të ardhme ky dialog?

Vjosa Osmani: Në radhë të parë duhet ta potencoj se marrëdhëniet mes Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shumë më të thella, shumë më të gjera sesa thjesht çështja e dialogut Kosovë-Serbi. Natyrisht që dialogu Kosovë-Serbi është një prej temave që ne vazhdimisht e diskutojmë me aleatët tanë në SHBA, mirëpo kjo nuk është e tëra, dhe të reduktohet i gjithë raporti ynë vetëm në këtë temë, mendoj që nuk i bën mirë farë Kosovës. Prandaj edhe gjatë kësaj jave si Presidente e Republikës së Kosovës dhe udhëheqëse e delegacionit të Kosovës në javën e nivelit të lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, vazhdimisht kam potencuar këtë fakt në të gjitha takimet me zyrtarët më të lartë të Shteteve të Bashkuara, përfshirë dy biseda të shkurta që kisha me Presidentin (Joe) Biden gjatë ditës së djeshme, i cili siç e dini, ia ka kushtuar më shumë se 30 vite të karrierës së tij në mbështetje të Kosovës nga fillimi i viteve të 90-ta, kur ne me të vërtetë si Kosovë na duheshin zëra pro shtetit tonë dhe aspiratave tona për liri dhe pavarësi. Në procesin e dialogut Kosovë-Serbi ka shumë sfida mirëpo, asnjëherë nuk ka munguar përkushtimi i plotë i Kosovës për të adresuar çështje që janë në interes të qytetarëve tanë dhe të paqes e stabilitetit rajonal. Kosova e ka pranuar marrëveshjen bazike dhe aneksin e Ohrit të propozuar nga Bashkimi Evropian dhe mbështetur nga SHBA-të dhe tani e tëra që Kosova kërkon është që të ketë zbatim të plotë të marrëveshjes dhe jo vetëm të copëzave të saj, sepse marrëveshja e ndarë në copëza nuk ka asnjë kuptim, dhe nuk ka asnjë kuptim që ajo të zbatohet në mënyrë unilaterale nga Kosova, ndërsa pala tjetër që është Serbia në këtë rast, të ikë plotësisht nga obligimet e saj, siç edhe e ka bërë në këto 12-13 vite dialog. Pra, Kosova është e përkushtuar dhe natyrisht si presidente insistoj që çdo ditë të ketë më shumë koordinim dhe bashkëpunim me SHBA-të sepse historia ka dëshmuar se sa herë Kosova ka punuar ngushtë me Shtetet e Bashkuara edhe sa i përket qëndrimeve tona në dialog, por në përgjithësi në sukseset tona në fuqizimin subjektivitetit tonë ndërkombëtar, çdo herë kemi pasur sukses, pra sa më shumë afërsi, sa më shumë bashkëpunim me SHBA-të, aq më mirë për Kosovën, aq më shumë suksese për popullin tonë.

Zëri i Amerikës: Zonja Presidente ju keni thënë që veprimet e qeverisë së Kosovës për shtrirje të sovranitetit në veri janë të ligjshme. Por a do të ishin ato më të qëndrueshme nëse do të kishin mbështetjen perëndimore? A po e humb Kosova përkrahjen e aleatëve për shkak të mungesës së bashkërendimit. Ju e përmendët nevojën për këtë gjë.

Vjosa Osmani: Veprimet jo vetëm që janë të ligjshme, por edhe legjitime. Kanë legjitimitet të plotë sepse Kosova si shtet i pavarur dhe sovran duhet ta shtrijë sovranitetin e saj të plotë në çdo cep të territorit. Mirëpo, siç e thatë edhe ju, dhe e kam përsëritur në çdo deklarim publik dhe në takimet me institucionet tona në çdo rast përgjatë kësaj historie 25 vjeçare, por në veçanti në 16 vitet tona si shtet i pavarur, në çdo rast kur kemi punuar afër me shtetet perëndimore e në veçanti me aleatët tanë në SHBA dhe shtete të caktuara të BE-së dhe kemi koordinuar hapat, në ato raste këto hapa kanë qenë shumë më të qëndrueshme, sukseset kanë qenë më afatgjata dhe vet akti i shpalljes së pavarësisë ka qenë i tillë. Nuk është që populli i Kosovës nuk ka pasur vullnet ta shpallë pavarësinë edhe më herët mirëpo, sikur ta bënim në mënyrë më të pakoordinuar atëherë Kosova as nuk do të njihej. Fakti që e kemi bërë në koordinim të plotë me shtetet tona aleate na ka sjellë më shumë njohje, na ka sjellë anëtarësim në organizata ndërkombëtare, mbështetje ekonomike, prosperitet për qytetarët tanë dhe hapa tutje drejt integrimit euro-atlantik. Edhe tani natyrisht që sovraniteti duhet të shtrihet në çdo cep të Kosovës dhe institucionet tona të sigurisë janë duke bërë një punë të shkëlqyeshme në këtë drejtim, por sa më shumë që të koordinohemi dhe të bashkëpunojmë me aleatët tonë aq më shumë ky sovranitet do të jetë i qëndrueshëm, afatgjatë dhe rrjedhimisht edhe më i suksesshëm për shtetin tonë dhe do të hap më shumë rrugë pastaj për Kosovën që ky sovranitet të mos jetë vetëm i brendshëm, por të reflektohet edhe në politikën tonë të jashtme, pra nëpërmjet anëtarësimit të Kosovës në mekanizma ndërkombëtarë ku vendi ynë e ka vendin dhe e meriton të jetë.

Zëri i Amerikës: Zonja Presidente, a mjafton të thuhet se po ndodh shtrirja e sovranitetit në veri me dërgimin e forcave të posaçme të policisë për sa kohë që nuk ka një integrim të qytetarëve serbë që përbëjnë shumicën atje?

Vjosa Osmani: Unë nuk do ta quaja dërgim sepse dërgim mund të thuhet vetëm nëse ne dërgojmë forca në një shtet tjetër. Policia e Kosovës ka të drejtë të jetë në çdo kohë dhe në çdo cep të territorit të Kosovës, e ka detyrim kushtetues dhe ligjor, e ka këtë mandat që të jetë prezente kudo. Pra, ne nuk dërgojmë polici, policia është atje sepse e ka detyrë të jetë në çdo cep të Kosovës. Është sikur të themi Shtëpia e Bardhë dërgoi forca policore në Nju Jork, natyrisht se nuk i dërgon sepse NYPD (Departamenti i Policisë së Nju Jorkut) është këtu, rrjedhimisht edhe policia e Kosovës është aty ku e ka mandat që të jetë, ku e ka detyrë që të jetë dhe është aty mbi të gjitha për të mbrojtur qytetarët, përfshirë qytetarët serbë që jetojnë në veri, për t’i mbrojtur nga bandat serbe, bandat kriminale që udhëhiqen nga kriminelë që janë në listën e SHBA-së, të Mbretërisë së Bashkuar dhe shteteve tjera, nga banda kriminale të cilat kanë vrarë edhe serbë, të cilat djegin shtëpitë dhe makinat e serbëve. Në fakt, sa më shumë që të ketë siguri, aq më të lirshëm janë qytetarët serbë që jetojnë në veri të vendit tonë që pastaj lirshëm ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës, t’i zgjedhin përfaqësuesit e tyre politik, të ushtrojnë të drejtat e tyre dhe po ashtu që të përfitojnë nga të drejtat që Kushtetuta e Kosovës dhe ligjet e saj ua japin atyre, si kushtetuta më progresive në gjithë kontinentin evropian sa i përket të drejtave të pakicave. Megjithatë unë mendoj që akoma ne mund të bëjmë edhe më shumë që komunikimi ynë me komunitetin serb që jeton në Kosovë të jetë më i mirë, që të ketë edhe më shumë zhvillim ekonomik, që krijon vende të reja të punës, të ketë më shumë prosperitet, sepse sa më shumë që ka zhvillim ekonomik aq më shumë edhe integrimi është i mundshëm. Por, nuk mund të ndodh integrimi duke i ndarë komunitetet, duke mos i lënë që të bashkëpunojnë, duke mos i lënë që të flasin me njëri-tjetrin. Pra, sa më shumë që ka bashkëpunim, sa më shumë që ka qasje te njëri-tjetri, sa më shumë që krijohen vende të punës ku edhe shqiptarët edhe serbët edhe turqit dhe të tjerët punojnë në një vend, aq më i lehtë është integrimi dhe aq më shumë të gjithë do ta kuptojnë se Kosova është shtet sovran dhe i pavarur, është projekt i përhershëm, projekt që do të mbetet aty përgjithmonë dhe nuk është diçka që vetëm do zgjasë disa vite dhe pastaj zhduket. Pra është shtëpia e përhershme e të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallim etnie.

Zëri i Amerikës: Presidentit serb Aleksandar Vuçiç ka kërkuar ditët e fundit kthimin e gjendjes së mëparshme në veri, duke përfshirë mbajtjen e zgjedhjeve të reja, kthimin në punë të policëve, gjykatësve e prokurorëve serbë. Ju keni thënë se Vuçiçi nuk duhet marrë seriozisht, pasi nuk e dëshiron rikthimin e serbëve në institucione. Por, cila është rruga, sipas jush për të zgjidhur problemin e kthimit të tyre në institucione?

Vjosa Osmani: Unë jam e bindur sepse ai ka gënjyer në të kaluarën dhe të njëjtën gjë bën edhe tani. Jam e bindur se ai nuk e dëshiron pjesëmarrjen e serbëve në institucionet e Republikës së Kosovës, sipas të drejtave që atyre u takojnë edhe me Kushtetutën e Kosovës, sepse është pikërisht Vuçiçi arsyeja pse ata i bojkotuan, u larguan nga këto institucione. Ishte pikërisht ai që nëpërmjet intimidimit, forcës, dhunës, i bllokoi serbët që të mos marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme që u organizuan në komunat e veriut të Kosovës. Tani, natyrisht që do të ketë zgjedhje të reja lokale, sipas afateve ligjore ato ndodhin vitin që vjen. Pra në vend që të marrim parasysh gjërat që ai i thotë, sepse asnjëherë nuk e thotë atë që mendon, paralel me këto fjalë veprimet i ka krejt të kundërta në terren; vazhdon që t’i trajnojë terroristët dhe grupet paramilitare, vazhdon që t’i mbajë nën mbrojtje ata që e kanë kryer (sulmin në) Banjskë, vazhdon që të destabilizojë jo vetëm Kosovën, por edhe Bosnjës dhe gjithë rajonin. Dhe vazhdon të mbijetojë me logjikën e shekullit të 19-të duke folur për “botën serbe” e koncepte tjera që rrezikojnë paqen e stabilitetin në tërë Ballkanin Perëndimor dhe jo vetëm në Kosovë. Pra, Vuçiçi flet, por në fakt veprimet e tij asnjëherë nuk përshtaten me gjuhën e tij dhe në këtë rast nuk duhet t’i marrim seriozisht fare ato që flet, por ta shohim se si po vepron. Veprat e tij e rrezikojnë stabilitetin tonë, pra ne duhet të fuqizojmë mbrojtjen e Kosovës, ta ruajmë edhe më mirë kufirin në bashkëpunim me aleatët tanë, e në të njëjtën kohë të ndërmarrim masa afirmative që vazhdimisht të fuqizohen qytetarët e të gjitha komuniteteve jo shumicë, të ndihen që mund të japin kontribut në institucionet e Kosovës dhe të riintegrohen. Pra, natyrisht që zgjedhje të reja do të ketë në përputhje me kalendarin zgjedhor. Ajo që është me rëndësi është që komuniteti ndërkombëtar t’i bëjë presion Vuçiçit që të mos përdorë dhunë dhe kërcënime ndaj serbëve që jetojnë në Kosovë dhe t’i lërë ata të lirë që t’i shfrytëzojnë të drejtat e tyre, t’i zgjedhin përfaqësuesit e tyre edhe në nivel lokal edhe në nivel kombëtar dhe nëpërmjet këtyre përfaqësuesve pastaj t’i shtyjnë përpara të drejtat e tyre, zhvillimin, progresin dhe të gjitha ato që u janë akorduar edhe me Kushtetutën tonë edhe me ligje, por edhe më shumë marrëveshjen e Brukselit. Pra kjo është rruga përpara. Rruga është që ta ndalim presionin e Serbisë dhe të Vuçiçit konkretisht mbi serbët në Kosovë. Dhe jo ta fuqizojmë apo ta faktorizojmë atë edhe më shumë që ai të vendosë për ta. Kushtetuta e Kosovës ua jep të drejtën serbëve që të vendosin për veten e tyre nëpërmjet të drejtave që i kanë në Kushtetutë. Siç e dini, kanë edhe mbivotim që nuk është në përputhje me përqindjen në popullsi. Pra 3-4 për qind të popullatës në Kosovë, që janë serbët, mund ta bllokojnë çdo amendament kushtetues, çdo ligj me interes vital. Kanë të drejta që nuk i ka asnjë pakicë në Evropë.

Zëri i Amerikës: Zonja Presidente, sipas Kushtetutës së Kosovës, presidenti udhëheq politikën e jashtme. A ia keni përcjellë ju hapur shqetësimet ndërkombëtare Kryeministrit Kurti dhe a bashkërendoheni me njëri-tjetrin? Sa e lehtë apo sa e vështirë është kjo për ju, se siç ju jeni shprehur, marrëdhëniet me kryeministrin nuk janë më ato që kanë qenë dikur?

Vjosa Osmani: Natyrisht që jo vetëm këto shqetësime, por të gjitha çështjet i diskutojmë shumë hapur. Rolet tona në Kushtetutë janë të caktuar dhe të ndara, por megjithatë ekziston sistemi i “kontrollit dhe balancës”, sipas parimeve që vet Kushtetuta jonë i ka përqafuar. Mirëpo, është në interes të Republikës së Kosovës që ne të bashkëpunojmë, që ne të bashkërendohemi, gjithnjë duke e vënë si pikë udhërrëfyese interesin e qytetarëve tanë dhe interesin e Republikës së Kosovës, parime këto që edhe na kanë bërë bashkë në vitin 2021. Jo domosdoshmërisht e kemi qasjen e njëjtë, megjithatë sa i përket interesave afatgjata të shtetit tonë, sa i përket synimit final, ne nuk dallojmë. E duam një Kosovë të fuqishme, sovrane në çdo cep të territorit, një Kosovë të integruar në familjen euro-atlantike, në mekanizmat nga të cilat përfitojnë qytetarët tanë, një Kosovë të zhvilluar ekonomikisht. Mbi të gjitha, një Kosovë ku sundon ligji e jo kriminelët. Prandaj në këtë aspekt jemi të pakompromis. Por, insistimi im i vazhdueshëm është që në mënyrë që të gjitha këto veprime që janë plotësisht legjitime dhe në përputhje me Kushtetutën të jenë me sukses më afatgjatë dhe më të qëndrueshme, duhet vazhdimisht të punojmë bashkë me aleatët tanë. Mos të harrojmë që aleanca me Shtetet e Bashkuara është ndër themelet e shtetit tonë. Është ndër shtyllat më të forta të shtetit tonë dhe e tillë është dëshmuar çdo herë kur ne kemi pasur probleme apo sfida me Serbinë, përfshirë edhe sfidën që kishim vitin e kaluar nëpërmjet aktit të agresionit. Ishin SHBA që u siguruan që forcat e shumta ushtarake e policore rreth kufirit me Kosovën të largohen dhe të mos e rrezikojnë Kosovën, siç e bënin.

Zëri i Amerikës: Zonja Presidente, ju objektivin e keni të njëjtë por mënyra se si do shkoni deri atje, mund edhe ta ngadalësojë procesin…apo jo?

Vjosa Osmani: Ne duhet të bëjmë atë që në Shtetet e Bashkuara dhe në ushtri e quajnë “regroup and reorganize”. Të bëhemi sërish bashkë, t’i bashkojmë forcat sepse interesi i Kosovës është përtej dallimeve që mund t’i kemi. Dhe ne e shohim që në këtë moment kur ka shumë luftëra nëpër vende të ndryshme të botës, përfshirë kontinentin tonë, Kosova natyrisht që nuk është prioriteti kryesor i liderëve botërorë. Pra Kosova dhe si shqiptarë në përgjithësi, ne jemi pak për të qenë të ndarë, siç e kam thënë gjithmonë. Sa i përket interesit të vendit tonë, duhet të punojmë pavarësisht a jemi sot në pushtet apo dikush është në opozitë. Interesi i Kosovës duhet të jetë mbi të gjitha dhe janë disa tema që duhet të na bashkojnë. Mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial, integrimi euro-atlantik i vendit tonë, janë prioritete kombëtare dhe ato duhet t’i vendosim para gjitha të tjerash. Nganjëherë shkon më ngadalë, nganjëherë shkon me shpejt, por me rëndësi është që koordinohemi, të bashkëpunojmë dhe që Kosova të ecën përpara duke mos mbetur prapa, sepse nganjëherë kjo dritarja e mundësive hapet për një periudhë, por pastaj mbyllet për një periudhë të gjatë. Duhet ta shfrytëzojmë momentumin dhe unë dje kam marrë një konfirmim të fuqishëm nga Presidenti Biden se do të jetë përkrah Kosovës dhe se Shtetet e Bashkuara vërtet e konsiderojnë Kosovën si ndër sukseset më të mëdha në historinë e vet dhe duhet ta mbajmë si të tillë./ KultPlus.com