Pikëtakim i habitshëm mes Rimbaud dhe Migjenit

“Të thashë se poeti duhet të jetë një “profet”, pra duhet të bëhemi “profetë”… Poeti i kërkon të gjitha format e dashurisë, të dhimbjes, të çmendurisë. Ai i provon në vetvete të gjitha helmet për të ruajtur veçse thelbësoret…” A. Rimbaud.

Nga letra dërguar mikut të tij Paul Demeny, 15 maj, 1871.

Rimbaud, ky gjeni!…

Arthur Rimbaud (Rembo) u shfaq vonë në botën e poezisë dhe të kulturës shqiptare. Ai erdhi me vargje tronditëse, vezulluese e magjike. Por sapo u shfaq, e kuptuan se ky poet vinte nga universi i gjeniut. E përqafuan njëherësh. E kthyen në mit. Në vitet 20’-30’ të shekullit të kaluar, jo pak liceistë të Liceut Francez të Korçës, recitonin në shkollë vargjet e Rimbaud. “Anija e dehur” apo “Një stinë në ferr” i rrëmbente të rinjtë dhe i çonte larg, në detra të tjerë drite, magjie dhe tallazi. Rimbaud dhe Verlaine vinin bashkë; bashkë me idhullin e tyre Charles Baudelaire dhe poetët e tjerë simbolistë. Sa herë përkthehej Baudelaire, do të përktheheshin dhe poetët e “mallkuar”, Rimbaud e Verlaine; do të flisnin në shqip dhe poetët e rrugës e të jetës boheme, të dhimbjes dhe dramës njerëzore, të ngazëllimit dhe shpresës. Poetët e humbjes së madhe. Të gjithë donin ta dëgjonin sërish këngën e tyre, që edhe ata të përvijonin në botë të tjera, në një tjetër jetë, atë të pavdekësisë. Dhe nuk ishin pak ata që donin t’u përngjanin.
Migjeni, me “Vargjet e lira” dhe forcën e vargut të tij, ishte një lloj Rimbaudi shqiptar. Në një tjetër ndjesi, me mistiken dhe imazhin poetik. Në një tjetër rrafsh edhe Lasgushi kishte diçka nga vargu i poetit të madh. A nuk shkruante ai:

“Se s’dashuroja as unë as ti,
por dashuronte dashuria,
një dashuri, një fshehtësi,
më e fshehtë se fshehtësia”?

Alkimi e Verbit si te Rimbaud? Vargu mistik?… Ngjizmë e shpirtit, e agut me terrin, e plagës dhe dashurisë, e protestës së moskuptimit? E megjithatë, ai që i ngjante vërtet një Rimbaudi shqiptar ishte Migjeni, Millosh Gjergj Nikolla, i cili, ashtu si Rimbaud, vdiq tepër i ri, larg familjes së tij, në një spital, i vetmuar, i trishtuar, i rrethuar me dashurinë dhe përkujdesjen e një motre, si dhe ai; larg me vdekjen e paralajmëruar, nga e cila nuk mund të shpëtonte. Olga e tij ishte si një Vitalie e Rimbaud, si ajo vajza e përgjëruar e Ardennes, me fytyrën e paqtë, e cila i qëndroi pranë deri në çastet e fundit; ashtu si Rimbaud, edhe Migjeni u shua në një gjumë të thellë, të pafund, në një dhomë të sanatoriumit të Santa Peliçes. Madje dhe si krijimtari, edhe Migjeni shkroi poezi në pak vite. Edhe ai ishte një yll poetik, që u shua shpejt. Pak poezi, por tepër të fuqishme, tronditëse. Si Rimbaud edhe zemra e tij klithte: “Do ta godas me grusht malin!”… Ashtu si ai edhe Migjeni nuk e besonte perëndinë, Zotat. Ai ishte i dënuar nga Kisha, pasi në poezinë “Blasfemi”, djaloshi i ri kishte shkruar:

“Shkëlqen shejtnia mbi zhguna dhe mjekra të hoxhallarëve
O sa engjuj të bukur, përpara derës së ferrit…”

Dhe së fundi, ashtu si Migjeni, që u dëshpërua thellë me librin e tij të parë “Vargjet e lira”, i cili u censurua menjëherë, edhe Rimbaud do të vritej në shpirt me një dhimbje të pafund, meqë ia kthyen krahët librit të tij të parë “Një stinë në ferr”, të cilën e çoi në Paris.
Padyshim që Migjeni do jetë frymëzuar nga poezia e Rimbaud, e cila, atë kohë, sapo ishte bërë e njohur në Shqipëri. Letrarët e parë, veçanërisht ata të Liceut Francez të Korçës, tashmë botonin përkthime nga Baudelaire dhe Rimbaud. Studenti i Grenoble, Dhimitër Shuteriqi, përkundej atëherë me vargjet e “Anija e dehur”. Migjeni duhet t’i ketë lexuar ato edhe në italisht. Dhe nga vetë vargu i lirë që përdorte, Migjeni i përngjante Rimbaud, me dëshirën për t’u shkëputur nga tradita poetike dhe për të qenë modern. Modern për një kohë të re, për një njeri të ri. “Duhet të jesh modern!”, shkruante Rimbaud, “…duhet një shoqëri e re”. “Të lindet njeriu”, shkruante më vonë Migjeni: “Na të birtë e shekullit të ri”. E habitshme gjithashtu edhe përafërsia e ndjesive që gjejmë dhe në dorëshkrimin e fundit të Migjenit, të shkruar në 27 korrik të vitit 1938, datë pas së cilës ai nuk do të shkruante më:

“Ku janë orët dhe muzat?
Shtajzovallet dhe zanat ku janë?
S’po flitet ma për vallet e tyre,
as për sytë e tyne,
që të shitojnë ose të bajnë fatbardhë, s’po flitet…”

(Fragment nga libri: “Rrugëtimi i mbramë i Arthur Rimbaud”)

Kullat shekullore të Dibrës hapin dyert për turistët, ndërtesat e vjetra të preferuarat e aventurierëve

E dini që në fshat më shumë histori se askund tjetër, sepse këtu flasin gurët. Janë pikërisht gurët që tregojnë historinë, shqiptarët dikur, kalanë e madhe e shndërruan në një kala të vogël, pran në një kullë duke jetuar aty ne një komunitet prej dhjetëra anëtarësh deri në katër breza.

Pikërisht kjo formë jetese është kthyer në një destinacion turistik të cilët e pëlqejnë turistët e huaj.

Vetëm në Luginën e Matit dikur ka pas dymijë ndërsa sot në këmbë qëndrojnë dy të cilat disa banorë mbajnë çelësat e disa të tjerë kanë hapur dyert për të mirëpritur pushuesit.

Por që turizmi në fshat të zhvillohet jo vetëm në pika agroturistike duhet të kontribuojmë ne dhe si bëhet kjo duke ardhur në fshat.

Sofjlla Kotelli eksperte e turizmit rural thotë: “Në fakt zonat tona rurale kanë kaq shumë potencial, tradita, këngë, valle, produkte lokale, kullat elementë të pafund arkitekturorë të cilat përbëjnë kaq shumë mundësi ashtu siç e meritojnë. Këta njerëz punëtor kanë punuar prej vitesh për të ruajtur traditën dhe sot është momenti që t’iu kthehet pas ajo çka ata kanë investuar”./TopChannel/KultPlus.com

“Lojëra Popullore Fest” në Shkodër, promovim i traditave mes brezave

“Lojëra Popullore Fest” titullohej aktiviteti i organizuar në qytetin e Shkodrës me pjesëmarrjen e trupave nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Tirana dhe Shkodra.

Në këtë aktivitet të zhvilluar në sheshin para bashkisë Shkodër, pjesëmarrësit e 10 trupave, me këngë, valle, lojëra popullore dhe me kostumet tradicionale përcollën një atmosferë të veçantë.

Kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci tha se ky aktivitet synon promovimin e traditave brez pas brezi, në shërbim edhe të turizmit.

Në këtë aktivitet u ndanë edhe çmime, ku me vendin e parë u vlerësua Jahi Hasani nga Cegrani (Gostivar, Maqedonia e Veriut), të cilit iu dha kupa e festivalit nga Bekim Mema, drejtori i zyrës së Zhvillimit në Bashkinë Shkodër.

Me vendin e dytë u vlerësua Minatori i ri, Kishnicë (Kosovë) dhe me vendin e tretë Ansambli folklorik “Ana Morava”, nga Vitia e Kosovës.

Pjesë e këtij festivali ishin edhe shkolla “Luce Agraja” nga Dajçi, Qendra kulturore e Fëmijëve Kujtim Alia, Shkolla Speciale “3 Dhjetori”, Kopshti “Bep Tusha”, Shkolla “Liria”, etj”.

Me organizimin e këtij aktiviteti u shpalos fuqishëm mesazhi i përfshirjes sociale, pasurimi i jetës dhe rëndësia e angazhimit të rinisë në aktivitete të trashëgimisë kulturore.

Ky aktivitet u organizua nga “The Door” me mbështetjen e bashkisë Shkodër./KultPlus.com

Poezia e Andon Zako Çajupit për Naim Frashërin


Poezi nga Andon Zako Çajupi

Naim Frasheri

Vdiq Naimi, vdiq Naimi,
moj e mjera Shqiperi!
Mendjelarti, zemërtrimi,
vjershëtori si ai!

Vdiq Naimi, po vajtoni
shqipetarka, shqipetare!
Naimne kur ta kujtoni,
mos pushoni duke qare!

Vdiq Naimi, gjithè thone,
qani turq, qani kaure!
Bilbil’ i gjuhese tone
s’do te degjohet me kurre!

Vdiq Naimi, qe këndoi
trimërinë, Skënderbenë,
vdiq Naimi, qe lëvdoi
dhe nderoi mëmedhënë!

Vdiq Naimi, po ç’të gjeti,
o moj Shqipëri e mjerë!
Vdiq Naimi, po kush mbeti?
Si Naimi s’ka të tjeve.

Vdiq Naimi! Vdekj’ e shkrete,
pse more të tillë burrë?
I ndritë shpirti për jetë,
mos i vdektë nami kurrë! / KultPlus.com

Tym cigaresh


Poezi nga Sibilla Aleramo

Tym cigaresh.
Buzëqeshje të lehta.
E sërish tym,
fjolla të lehta,
nga buzët e mia,
çdo mbrëmje
pak minuta,
nga ballkoni i tij,
nga dritarja ime,
fjolla të lehta,
çelin buzëqeshje
dhe zërin s’ma njeh
dhe zërin s’ia njoh,
vetëm,
përmes fjollave të tymit
më pëlqejnë sytë e tij,
i pëlqejnë sytë e mi,
çdo mbrëmje
pak minuta,
një përshëndetje
fjollash tymi
lehtësi e hijshme gjestesh,
pikë e heshtur zjarri
ngrihet mbi kopshtin e përgjumur,
dhe asgjë tjetër,
ja kështu,
ndërsa pranë abazhurit
puna pret,
pak minuta,
çdo mbrëmje
për ca mbrëmje,
fjolla të lehta
fjolla të lehta./KultPlus.com

Ura e Mesit, një destinacion pas të cilit po dashurohen turistët

Ura e Mesit, e gjendur mbi lumin Kir në Shkodër, pas restaurimit të kohëve të fundit është kthyer në destinacion turistik.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga Ura e Mesit, e cila sipas tij, është kthyer në një destinacion “që po i bën edhe turistët e huaj të dashurohen me thesaret e trashëgimisë së Shkodrës, duke u shndërruar në pikën e preferuar për të ruajtur kujtimet nga Shqipëria”.

Në videon e sjellë nga kryeministri flet edhe një turist italian, që shprehet i mahnituar nga bukuritë e këtij vendi, të cilin e viziton për herë të parë.

“Kjo është spektaklore! Erdhëm me qëllim që ta shohim. Po kalojmë disa ditë në Shqipëri dhe u dashuruam me vendin”, thotë turisti italian.

Ndërkohë, në pamjet e publikuara shfaqen turistë, por dhe vendas që bëjnë foto dhe video mbi urë, fëmijë që luajnë pranë ujit të lumit dhe plot pamje mbresëlënëse të një prej pikave më piktoreske në Shkodër, që po kthehet në një atraksion absolut për turizmin në veri të Shqipërisë.

E ndërtuar në vitin 1768, Ura e Mesit është një nga perlat e arkitekturës dhe trashëgimisë sonë kulturore, që pret çdo ditë qindra vizitorë.

Me gjatësi 108 metra, gjerësi 3.40 metra dhe me 13 harqe josimetrike, për ndërtimin e saj janë përdorur gurë të latuar, ndërsa traseja është bërë me pllaka guri. Vlerat e kësaj ure shtohen dhe nga terreni piktoresk pranë saj me shkëmbinj dhe ujin e pastër./atsh/KultPlus.com

124 vjet pa Naim Frashërin, figura qendrore e Rilindjes Kombëtareqë u pagëzua për së gjalli si “Apostull i Shqiptarizmës”

Naim Frashëri lindi në Frashër të Dangëllisë më 25 maj 1846. Mësimet e para i mori në vendlindje, ku nisi të mësonte persishten pranë teqesë bektashiane. Më 1865 familja e tij u shpërngul në Janinë, ku ndoqi gjimnazin “Zosimea”. Mbas kthimit në vendlindje, ai bëri provat e para të vjershërimit shqip nën ndikimin e bejtexhinjve, por edhe persisht, në përmbledhjen “Tehajylat” (Ëndërrime) që e botoi në vitit 1885.

Naim Frashëri mori pjesë në ngjarjet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në mbledhjen e degëve të Jugut të Lidhjes Shqiptare në Frashër (1878). Ai iu kushtua punës për zgjimin kombëtar përmes lëvrimit të gjuhës shqipe e të letërsisë kombëtare dhe për ngritjen e shkollës shqipe e pajisjen e saj me tekste mësimore në gjuhën amtare. Më 1882 u vendos përfundimisht në Stamboll. Me përkushtimin dhe veprimtarinë e tij të dendur atdhetare e kulturore Naim Frashëri u bë figura qendrore e Rilindjes Kombëtare dhe u pagëzua për së gjalli si “Apostull i Shqiptarizmës”.

Për më pak se 20 vjet botoi një krijimtari të gjerë në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të tjera, poema, përmbledhje lirikash, prozë artistike, si dhe vjersha e tekste për shkollat dhe përkthime. Veprat e tij më të shquara janë “Bagëti e Bujqësija” (1886), përmbledhja me lirika atdhetare e filozofike “Luletë e verësë” (1890), poema epike “Istori e Skënderbeut” (1898), lirikat në persisht “Ëndërrime” si dhe poemat në gjuhën greke “O alithis pothos ton Skyperaton” (Dëshira e vërtetë e shqiptarëve, 1886), etj..

Vepra e Naim Frashërit është botuar dhe vazhdon të botohet gjerësisht dhe është bërë objekt studimesh shkencore. Naim Frashëri vdiq në Stamboll më 20 Tetor 1900. Eshtrat e tij u sollën në atdhe më 1937 dhe prehen në Memorialin e Rilindësve në Tiranë./ atsh / KultPlus.com

Shëtitje me kanoe e gondola veneciane: Mbi 200 mijë vizitorë në liqenin e Shkodrës deri në shtator

Liqeni i Shkodrës këtë sezon turistik ka shënuar një fluks të lartë vizitorësh.

Ky liqen, i cilësuar si një ndër potencialet e rëndësishme turistike në Shkodër, ofron mundësi për larmishmëri aktivitetesh.

Drejtori i Administratës së Zonave të Mbrojtura Shkodër, Agim Dardha bëri të ditur sot për ATSH-në se “liqeni i Shkodrës gjatë muajve janar-shtator u vizitua nga 203 550 vizitorë, nga të cilët 118 300 vendas dhe 85 250 të huaj”.

“Ky vit ka shënuar një rritje të konsiderueshme të vizitorëve si pasojë edhe të vendosjes së dy varkave turistike pranë molit të Shirokës, të mundësuara nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe qeveria shqiptare”, tha Dardha.

Këto varka, me kapacitet 33 vende secila, janë një mundësi për vizitorët në Shirokë për të shijuar magjinë e ujërave dhe peizazhit të liqenit më të madh në Ballkan.

Varkat i shtohen një rrjeti ndërhyrjesh që ka nisur me krijimin e tre moleve përgjatë liqenit dhe lumit Buna.

Një tjetër atraksion turistik që ka sjellë edhe shtimin e vizitorëve janë edhe sportet ujore.

“Shëtitjet me kanoe, varkat dhe gondolat veneciane kanë qenë të preferuarat e turistëve në liqenin e Shkodrës”, tha Dardha.

Udhëtimi me kanoe zgjat rreth 7 orë dhe përshkon rreth 18 km vijë lumore dhe liqenore, me peizazhe magjepsëse të natyrës si dhe shpendëve të shumtë në këtë zonë.

Sipas tij, një tjetër atraksion që vijon të tërheqë vizitorët është edhe vrojtimi i shpendëve.

“Liqeni i Shkodrës ka një faunë të pasur me 45 lloje peshqish e 270 lloje shpendësh. Këto shpendë përbëjnë 87% të gjithë Ornitofaunës së Shqipërisë”, tha Dardha.

Liqeni i Shkodrës ofron mundësi argëtimi dhe kënaqësie për të gjithë turistët që dëshirojnë të shijojnë turizmin aktiv. Ai është liqeni më i madh në Gadishullin e Ballkanit dhe shtrihet në kufirin ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi. Ekosistemi i liqenit ushqen faunën dhe florën e pasur dhe unike, duke e shndërruar atë në një qendër të rëndësishme biodiversiteti në Evropë./ atsh/ KultPlus.com

‘Mu zu një mall’

Poezi nga Lasgush Poradeci

Më zu një mall dhe sot,
E s’mund t’a shuaj.
Ri vasha largë-o Zot,
Që kaq po vuaj.

Kalojnë kot më kot
Muaj me muaj.
S’vjen vasha sot as mot,
Pa heq e vuaj.

Nuk vjen, e më s’di dot
Ç’t’i them t’i shkruaj!
Ah! mëndja po më lot
Që s’plas e vuaj!

Në vëndin t’im o Zot,
Jam vetë i huaj.
M’a sill ti vashën sot,
Që kaq po vuaj.

Mbështetur nga Google, një nga projektet më të mëdha diellore në SHBA hapet në Teksas

Një nga projektet më të mëdha diellore në SHBA u hap në Teksas të premten, i mbështetur nga ajo që Google tha se është blerja më e madhe e energjisë elektrike diellore që ka bërë ndonjëherë.

Ekzekutivi i Google, Ben Sloss, tha në prerjen e shiritit, rreth dy orë në jug të Dallasit, se korporata ka përgjegjësinë të sjellë në internet energjinë elektrike të rinovueshme, pa karbon, në të njëjtën kohë që hap operacione që do ta përdorin atë energji. Google pret të shpenzojë 16 miliardë dollarë deri në vitin 2040 globalisht për të blerë energji të pastër, tha ai.

Sekretarja e Energjisë e SHBA-së, Jennifer Granholm, e cila mori pjesë, tha se projekti diellor është një pasardhës për përpjekjet e administratës për të nxitur prodhuesit dhe zhvilluesit për të gjetur projektet e energjisë në SHBA

“Ndonjëherë kur je në mes të historisë, është e vështirë të thuash, sepse je në mes të saj,” tha ajo. “Por unë po ju them tani se ne jemi në mes të historisë që po krijohet.”SB Energy ndërtoi tre ferma diellore krah për krah, “Orion Solar Belt”, në Buckholts, Teksas. Të kombinuara, ato do të jenë në gjendje të sigurojnë 875 megavat energji të pastër. Kjo është pothuajse madhësia e një objekti tipik bërthamor. Në total, Google ka kontraktuar me zhvilluesit e energjisë së pastër për të sjellë më shumë se 2800 megavat projekte të reja me erë dhe diell në shtet, për të cilat thotë se tejkalojnë sasinë e energjisë së kërkuar për operacionet e tij atje.Google, Amazon dhe Microsoft kanë njoftuar së fundmi investime në energjinë bërthamore për të fuqizuar qendrat e të dhënave, pasi gjigantët e teknologjisë kërkojnë burime të reja të energjisë elektrike pa karbon për të përmbushur kërkesën në rritje nga qendrat e të dhënave dhe inteligjenca artificiale. Google ka një angazhim për të marrë të gjithë energjinë e tij elektrike pa kontribuar në ndryshimet klimatike, pavarësisht nga koha e ditës ose nëse dielli po lind, por as ajo dhe as kompanitë e tjera të mëdha nuk po i përmbushin këto angazhime me rritjen e inteligjencës artificiale .

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë parashikon që konsumi total i energjisë elektrike i qendrave të të dhënave mund të arrijë më shumë se 1000 teravat-orë në vitin 2026, më shumë se dyfishuar nga viti 2022. Vlerësimet sugjerojnë se një terawat-orë mund të furnizojë 70,000 shtëpi për një vit.Kërkesa për energji po rritet gjithashtu globalisht ndërsa ndërtesat dhe automjetet elektrizohen. Njerëzit përdorën më shumë energji elektrike se kurrë vitin e kaluar, duke vendosur tendosje në rrjetet elektrike në mbarë botën.

Në gusht, Google tha se planifikonte të investonte më shumë se 1 miliard dollarë në Teksas këtë vit për të mbështetur infrastrukturën e saj cloud dhe qendrave të të dhënave.

Google do të përdorë rreth 85% të energjisë diellore të projektit për qendrat e të dhënave në kontenë Ellis dhe për kompjuterin cloud në rajonin e Dallasit. Në Ellis County, Google operon një kampus të qendrës së të dhënave në Midlothian dhe po ndërton një kampus të ri në Red Oak. Pjesa tjetër e energjisë diellore do të shkojë në rrjetin elektrik të shtetit. Mijëra dele kullosin në zonë, duke ruajtur bimësinë rreth rrjeteve diellore.

“Ky projekt ishte një spreadsheet dhe një grup emailesh që unë kisha shkëmbyer dhe një mori miratimesh e kështu me radhë. Dhe pastaj vini mbi ngritjen atje dhe e shihni atë të shtrirë para jush dhe ju merr frymën disi, apo jo? Sepse ka një fushë të madhe të grupeve diellore, “tha Sloss gjatë ceremonisë. “Dhe ne në fakt kolektivisht e kemi bërë këtë. Kjo është e mahnitshme.”

SB Energy tha se shumica e komponentëve të fermave diellore prodhohen në Shtetet e Bashkuara dhe kjo është e mundur vetëm sepse ligji i klimës i njohur zyrtarisht si Akti i Reduktimit të Inflacionit nxiti prodhimin e energjisë së pastër. Kompania pret që projektet të jenë të parët që kualifikohen për një kredi shtesë tatimore që ligji ofron për përdorimin e përmbajtjes vendase./ AP – Syri.Net/ KultPlus.com

‘Askush s’do ta besojë’ nga e paharrueshmja Anita Bitri (VIDEO)

Në Festivalin e 29-të te Këngës në RTSH, në dhjetor të vitit 1990, Anita Bitri vlerësohet me çmimin e parë, me këngën ”Askush s’do ta besoj”, kompozim i Flamur Shehut dhe teksti Jorgo Papingji.

Dashurinë e parë kush nuk e provoi
Dhimbjen që la pas kush nuk e këndoi,
E këndoi, e këndoi…

Ku shkuan fjalët që mi thoshe me aq zjarr,
Ku shkuan lulet që m’i sillje plot me vesë
Ku fluturoi dashuria jonë e parë,
Ku shkoi motivi që më zgjonte çdo mëngjes?
Një këngë e vetme jo nuk është rinia
Por veç një dhimbje kam e do ta them,
Se një prej këngëve është dhe dashuria
Dhe këngë e saj ushton si një refren.

Jo nuk e besoj nuk është e lehte që ta mohoj
Kur dashurinë e parë, jo nuk e harroj
Mos me thuaj s’ më ndihmon,
Asnjëri s’do ta besojë.
Kur t’vijë nata do të vije vet’ të takoj.
Të takoj,të takoj..

Dashurinë e parë kush nuk e provoi
Dhimbjen që la pas kush nuk e këndoi,
E këndoi, e këndoi…/ KultPlus.com

Alkimisti: Pse thesarin e vërtetë e kemi brenda nesh

“Alkimisti” nga Paulo Coelho është një roman filozofik që ndjek udhëtimin e Santiagos, një bari i ri në moshë nga Spanja, që ëndërron të zbulojë një thesar të fshehur pranë piramidave të Egjiptit. Nëpërmjet aventurave të tij, Santiago nxjerr mësime të thella për jetën, fatin dhe rëndësinë e ndjekjes së ëndrrave të tua. Ja dhjetë mësime nga libri:

1. Ndiqni legjendën tuaj personale: Tema qendrore e “Alkimistit” është ideja e ndjekjes së “Legjendës personale” ose qëllimit të vërtetë që njeriu ka në jetë. Santiago mëson se të gjithë kanë një fat unik dhe është thelbësore ta ndjekim atë me pasion dhe vendosmëri. Zbulimi dhe ndjekja e ëndrrave të çon në përmbushje dhe lumturi.

2. Dëgjoni zemrën tuaj: Gjatë gjithë udhëtimit të tij, Santiago mëson të dëgjojë zemrën e tij, e cila e shpie drejt dëshirave të tij të vërteta. Romani thekson se zemrat tona shpesh e dinë atë që duam dhe duke u përshtatur me zërin tonë të brendshëm, ne mund të bëjmë zgjedhje që përputhen me veten tonë të vërtetë.

3. Udhëtimi është po aq i rëndësishëm sa destinacioni: Kërkimi i Santiagos për thesar i mëson atij se vetë udhëtimi ka vlerë të jashtëzakonshme. Çdo përvojë, sfidë dhe mësim që ai ndesh gjatë rrugës kontribuon në rritjen dhe zbulimin e tij. Romani ilustron se procesi i ndjekjes së ëndrrave është po aq kuptimplotë sa edhe realizimi i tyre.

4. Tejkalimi i frikës: Frika është një faktor që pengon shumë njerëz të ndjekin ëndrrat e tyre. Santiago mëson se tejkalimi i frikës është thelbësor për të arritur qëllimet e tij. Libri inkurajon lexuesit të përballen me frikën e tyre dhe të ndërmarrin rreziqe, pasi kjo është shpesh e nevojshme për rritjen dhe përmbushjen personale.

5. Përqafoni ndryshimin dhe përshtatuni: Udhëtimi i Santiagos është i mbushur me kthesa dhe ngjarje të papritura. Ai mëson se përshtatshmëria dhe hapja ndaj ndryshimit janë jetike për arritjen e qëllimeve të njeriut. Historia sugjeron se të qenit fleksibël dhe të gatshëm për të ndryshuar drejtimin mund të çojë në mundësi dhe njohuri të reja.

6. Rëndësia e besimit: Besimi luan një rol vendimtar në udhëtimin e Santiagos. Ai mëson t’i besojë procesit dhe të ketë besim në planin që universi ka për të. Romani ilustron se kur njerëzit kanë besim te vetja dhe ëndrrat e tyre, ata kanë më shumë gjasa të tërheqin burimet dhe mbështetjen që u nevojiten për të pasur sukses.

7. Ndërlidhja e të gjitha gjërave: “Alkimisti” thekson ndërlidhjen e të gjitha qenieve dhe universit. Santiago zbulon se gjithçka në jetë është e lidhur dhe duke e njohur këtë unitet, individët mund të kuptojnë më mirë vendin e tyre në botë. Kjo perspektivë nxit dhembshurinë dhe ndjeshmërinë ndaj të tjerëve.

8. Gjuha e botës: Gjatë gjithë udhëtimit të tij, Santiago mëson të komunikojë me botën përreth tij përmes shenjave dhe intuitës. Romani sugjeron që universi komunikon me individë, duke i udhëhequr ata drejt ëndrrave të tyre. Duke u përshtatur me këto mesazhe, individët mund të lundrojnë në rrugët e tyre në mënyrë më efektive.

9. Vlera e këmbënguljes: Santiago përballet me sfida dhe pengesa të shumta në kërkimin e tij, por këmbëngulja dhe vendosmëria e tij i mundësojnë të vazhdojë. Libri mëson se këmbëngulja është thelbësore për të kapërcyer pengesat dhe për të realizuar ëndrrat. Suksesi shpesh kërkon përpjekje dhe përkushtim të vazhdueshëm.

10. Thesari i vërtetë qëndron brenda: Në fund të fundit, Santiago zbulon se thesari i vërtetë nuk është vetëm pasuri materiale, por njohuritë, përvojat dhe mençuria e fituar gjatë udhëtimit të tij. Romani përcjell idenë se rritja personale dhe vetë-zbulimi janë rezultatet më të vlefshme të ndjekjes së ëndrrave të njeriut. Thesari i vërtetë qëndron në vetë udhëtimin dhe mësimet e nxjerra gjatë rrugës.

“Alkimisti” shërben si një kujtesë e fuqishme e rëndësisë së ndjekjes së ëndrrave, përqafimit të rrugëtimit të jetës dhe besimit në proces. Mendimet e përjetshme të Paulo Coelhos inkurajojnë lexuesit të kërkojnë qëllimin e tyre të vërtetë, të dëgjojnë zemrat e tyre dhe të njohin ndërlidhjen e të gjitha aspekteve të ekzistencës. Romani frymëzon një ndjenjë aventure, zbulimi të vetvetes dhe të kuptuarit se secili ka potencialin për të arritur Legjendën e tij Personale. / bota.al/ KultPlus.com

Epikteti: Domosdoshmëria e standardit

Epikteti (55-135), filozof greko-romak. Skllav nga Hierapolisi, kishte jetuar për një kohë në zotërimin e një skllavi të emancipuar në oborrin e Neronit. Pasi që e kishte fituar lirinë, ishte vendosur në Nikopolis, ku kishte hapur një shkollë të filozofisë. Mësimet e tij ishin transkpriptuar dhe botuar nga studenti i tij, Arriani. Në moshë të vonë Epikteti ishte tërhequr nga mësimdhënia, e kishte adoptuar një fëmijë jetim dhe i kishte jetuar vitet e mbetura në vetminë shtëpiake.

(Teksti në vijim është diskursi i njëmbëdhjetë nga libri i dytë, me titull, sipas botimit në anglisht, Starting philosophy).

DOMOSDOSHMËRIA E STANDARDIT

Nga Epikteti

Njerëzit që vijnë te filozofia nga rruga e duhur – nga dera e hyrjes, siç duhet të jetë – e fillojnë duke i njohur gabimet dhe kufizimet e veta në zonat e urgjencave më të mëdha. Trekëndëshi parakrahësh dhe shkalla gjysmë toni ose çerek toni – ne nuk kemi njohje relevante për këto tema kur vijmë në këtë botë. Na duhet të mësojmë për to më vonë përmes trajnimeve specialistike; me rezultatin se askush që nuk është i trajnuar në këto tema nuk pretendon se i njeh.

Situata është e kundërt në rastin e ideve tona mbi të mirë dhe të keqen, të drejtën dhe të gabuarën, të përshtatshmen dhe të papërshtatshmen, lumturinë, detyrën dhe obligimin. Ne vijmë në dritë me një kuptim të lindur se cila është domethënia e këtyre fjalëve. Kështu, secili i përdor ato, që do të thotë, secili përpiqet t’ia apikojë prekonceptin përkatës gjësë së caktuar.

‘Veprimi i saj qe i mirë, ishte detyra e saj, nuk ishte detyra e saj, ajo ishte me fat, ajo nuk ishte me fat, ajo është e ndershme, ajo është e pandershme…’. Dëgjojmë fraza të tilla gjithë kohës, ngase askush nuk ka asnjë fije dyshimi se si t’i përdorë fjalët. Askush nuk ndihet se i duhet të presë t’ia tregojnë kuptimin e tyre, në mënyrën se si dikur kemi qenë të detyruar të mësojmë shkronjat, apo të na mësojnë se si shqiptohen. Arsyeja është se ne vijmë në këtë botë duke i ditur disa gjëra që natyra, mund të thoni, veç na i kishte mësuar; dhe, duke e ndërtuar këtë njohje, ne i formojmë opinionet tona.

‘Mirë pra, çkado që të thuash, unë di ta dalloj të mirën nga e keqja dhe e kam një ide mbi të mirën’.

Ti e ke një, e pranoj.

‘Dhe e praktikoj atë’.

Ti e përdor atë në raste të caktuara.

‘Dhe e përdor në mënyrë korrekte’.

Epo, kjo është pika kruciale, ngase pikërisht këtu opinionet bëhen çështje. Duke filluar me idenë që e marrim për të mirëqenë, ne futemi në diskutime kurdo herë që i aplikojmë ato në mënyrë jokorrekte. Nëse, tok me idetë e lindura, ne vijmë në këtë botë me dijen se si do të aplikohen ato, atëherë do të jemi njerëz të mençur të përsosur që nga momenti i lindjes.

Tash, a mendon se ti e posedon atë njohje ekstra se si t’i aplikosh prekonceptet në raste të caktuara. Si e ke gjetur?

‘Është opinioni im’.

Por dikush tjetër e ka një opinion tjetër dhe po ashtu beson se ai është i vetmi që i aplikon në mënyrë korrekte prekonceptet. A kam të drejtë?

‘Ma ha mendja se po’.

Dhe nëse ju përplaseni rreth aplikimit të prekoncepteve, nuk mund të ndodhë që të dy t’i përdorni ato në mënyrë korrekte.

‘Sdo mend’.

Mirë pra, a mund të dalësh me ndonjë qëllim më të mirë të aplikimit të tyre se sa me opinionin tënd? Dua të them, një person i përhanur vepron në harmoni me opinionin e tij mbi atë çka është mirë; por në rastin e tij a mund të funksionojë si një udhërrëfyes adekuat?

‘Jo’.

Atëherë të lëvizim përtej opinioneve; a kemi ndonjë gjë më të mirë?

Ta marrim pikënisjen e filozofisë: ne dimë se njerëzit nuk mund të pajtohen me veten e tyre dhe jemi në kërkim të burimit të mospajtimeve të tyre. Me kohë, ne përbuzim dhe largojmë opinionet e thjeshta, dhe kërkojmë një mënyrë për të përcaktuar nëse një opinion është i drejtë ose i gabuar. Në fund, përqendrohemi të gjejmë një standard të cilin mund ta evokojmë, ashtu siç peshorja është sajuar për të matur peshat dhe vizorja e zdrukthëtarit që është ideuar për ta dalluar të drejtën nga e shtrembëra. Kjo është pikënisja e filozofisë.

A janë opinionet e çdonjërit të korrekte? Po si mund të jenë, kur disa sosh janë në konflikt me njëra-tjetrën?

Mirë pra, jo të gjitha janë korrekte. Por, të tonat janë.

Epo mirë, pse tonat në vend se ato të sirianëve apo egjiptianëve – pse i imi më parë se sa ato të cilido person që mund ta zgjedhim kuturu?

‘Nuk ka asnjë arsye’.

Prandaj, fakti se dikush i përmbahet këtij a atij opinioni nuk është i mjaftueshëm për ta bërë të vërtetë atë, për më tepër kur ne jemi të prirë të besojmë fjalën e një personi gjatë pazarllëkut tonë me peshimin dhe matjen. Në të dy rastet, pra, kemi zhvilluar një standard objektiv. Atëherë, a ka ndonjë standard për rastin tonë përtej opinionit? A janë vetëm vlerat njerëzore më të rëndësishme ato që do të mbesin të vagullta dhe subjektive? Duhet të ketë ndonjë. Pra, eja të shkojmë në kërkim të tij; dhe pasi ta kemi gjetur, le ta marrim përsipër që kurrë të mos bëjmë as edhe lëvizjen më të vogël pa iu referuar atij. E konceptoj këtë zbulim si një antidot të marrëzisë që rezulton nga mbështetja ekskluzive tek opinioni si kriter i së vërtetës. Dhe nga këtu, duke filluar me prekonceptet familjare, të përcaktuara qartë, do të vazhdojmë t’i aplikojmë ato te ngjarjet dhe te gjërat e veçanta në një mënyrë metodike.

Ma jep tash një temë për diskutim.

‘Kënaqësia’.

Mirë, le ta testojmë, le ta peshojmë. Që diçka të jetë e mirë, duhet të jetë diçka tek e cila varim shpresat dhe i besojmë.

‘Pajtohem’.

A mund të kemi besim në gjithçka që vjen e shkon.

‘Jo’.

A është kënaqësia konstante?

‘Jo’.

Atëherë hiqe nga peshorja dhe dëboje nga mbretëria e të mirave.

Por nëse ti nuk je aq mendjemprehtë dhe s’e kap herën e parë, le ta provojmë një test tjetër. Diçka e mirë duhet të jetë burim krenarie, e saktë?

‘Po’.

A mundet dikush të krenohet me një kënaqësi momentale? Të lutem, mos thuaj po, ose atëherë do të mendoj se ti mezi e meriton të konsiderohesh në të njëjtin nivel me kafshët e barrës.

Kjo është mënyra se si gjërat maten dhe mospajtimet zgjidhen – kur vendosen standardet. Filozofia mëton të testojë dhe të vërë standardet e tilla. Dhe njeriu i urtë këshillohet t’i përdorë gjetjet e tyre menjëherë.

/Marrë nga Epictetus, “Discourses and Selected Writings” (me përkthim të Robert Dubbin), Penguin, 2008 /Përkthimi Gazeta Express/ KultPlus.com

‘Asnjë njeri nuk ka qenë ndonjëherë rastësisht i mencur’

Thënie nga Seneka

Një prej cilësive më të bukura të miqësisë së vërtetë është të kuptosh dhe të të kuptojnë.

Eshtë rrugë e vështirë ajo që të shpie në lartësitë e madhështisë.

Lumturia e vërtetë është… të shijosh të tashmen, pa varësinë plot ankth prej të nesërmes.

Asnjë njeri nuk ka qenë ndonjëherë rastësisht i mencur.

Eshtë cilësia, jo sasia, ajo që ka rëndësi.

Feja shihet nga njerëzit e zakonshëm si e vërtetë, nga të mencurit si e pavërtetë, dhe nga sundimtarët si e dobishme.

Shpata nuk vret asnjëherë askënd; ajo është një mjet në duart e vrasësit.

Jeta është si një dramë: nuk është gjatësia, por shkëlqimi i aktorëve që kanë rëndësi.

Nëse nuk e di në cilin port po shkon, atëherë asnjë erë nuk është e favorshme.

Për babëzinë, e gjithë natyra është shumë pak.

E gjithë mizoria buron prej dobësië.

Sa më pak e meritojmë fatin e mirë, aq më shumë shpresojmë për të.

Ne jemi më shpesh të trembur, se sa të lënduar; dhe ne vuajmë më shumë nga imagjinata, se sa nga realiteti.

Nuk është se, për shkak se gjërat janë të vështira, ne nuk guxojmë; është për shkak se ne nuk guxojmë, që gjërat janë të vështira.

I shkon më shumë një burri që të qeshë me jetën, se sa të qahet prej saj.

Zemërimi është si ato rrënojat që shemben dhe përplasen me gjithcka që gjejnë poshtë.

Ne shpesh herë duam një gjë dhe lutemi për një tjetër, duke mos ua thënë të vërtetën as Perëndive.

Dita të cilës i trembemi si dita jonë e fundit, është në fakt lindja e përjetësisë.

Injorantët e shohin jetën ose si ekzistencë, ose si joekzistencë, por të mencurit e shohin si përtej ekzistencës dhe joekzistencës, dicka që shkon përtej të dyjave; ky është një vëzhgim i Rrugës së Mesme.

Nuk ka asgjë në botë që të admirohet aq shumë, sa një burrë që di si të përballojë palumturinë me kurajë.

Për shumë njerëz, rritja e pasurisë nuk u jep fund telasheve të tyre, vetëm sa ua ndryshon.

Vdekja është dëshira e disave, clirimi i të shumtëve, dhe fundi i të gjithëve.

Edhe pas një të korre të keqe, duhet të ketë sërish mbjellje. /Bota.al/ KultPlus.com

Kryeministri Kurti viziton kompanitë kosovare në panairin ‘Sial 2024’ në Paris

Në përvjetorin e 60 jubilar të panairit ndërkombëtar ‘Sial 2024’, kryeministri Albin Kurti bashkë me vartësit e tij Rozeta Hajdari e Faton Peci e Ambasadorin e Kosovës në Francë, Mehdi Halimi vizituan shtandin e Kosovës.

Tetë kompani nga Kosova janë në mesin e 750 ekspozuesve aty e të cilët janë nga 125 shtete të botës.

“Sivjet, në këtë panair, me mbështetjen e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë po marrin pjesë tetë kompani prodhuese vendore me potencial për rritje të eksportit, të cilat po prezantojnë produktet e tyre nga industria e përpunimit të produkteve bujqësore, industria e pemëve dhe perimeve, produkte konditorike, fruta të imta e të ngrira industriale, pije energjike dhe lëngje frutash”, thuhet në njoftimin që zyra e kryeministrisë u përcolli medieve për këtë ngjarje.

Pritjet janë që këtë vit pritet që panairi Sial të mbledhë mbi 256 mijë vizitorë, ndaj të cilëve do të ekspozohen produkte dhe makineri të sektorëve të ndryshëm ushqimor.

 “Kryeministri Kurti, së bashku me delegacionin e tij, në bashkëbisedim me përfaqësuesit e kompanive theksoi rëndësinë e krijimit të mundësive për prodhuesit nga Kosova dhe mbështetjen e tyre përballë sfidave dhe në rritjet e kapaciteteve eksportuese. Kjo mbështetje e mëtejshme për sektorin privat në Kosovë, së shpejti do të ofrohet edhe përmes Agjencisë për Investime dhe Eksporte në kuadër të Zyrës së Kryeministrit. Gjatë vizitës në panair, delegacioni i Qeverisë së Republikës së Kosovës, vizitoi edhe dy kompanitë nga Shqipëria pjesëmarrëse në këtë panair”. 

 Ndër të tjera thuhet se është e rëndësishme që promovimi i kompanive të Kosovës në panaire ndërkombëtare

Nga qeveria thuhet se promovimi i kompanive kosovare në panaire të tilla ndërkombëtare, sikur SIAL 2024, që njihet si panairi më i madh ndërkombëtar për industrinë ushqimore, është e rëndësishme për afirmimin e produkteve nga Kosova në tregjet ndërkombëtare.

“Kështu ndihmojmë rritjen e eksportit dhe përmirësimin e imazhit të vendit tonë si një vend me potencial të madh për zhvillim ekonomik dhe inovacion”, thuhet në komunikatë.

20 vite nga vdekja e këngëtares Anita Bitri

Anita Bitri (8 janar 1968 – 19 tetor 2004) është këngëtare shqiptare dhe fituese e Festivalit i 29-të i Këngës në RTSH.

Anita Bitri u lind në Sarandë, më 8 janar 1968 në një familje intelektuale. Që në moshë shumë të vogël recitonte poezi të njohura dhe imitonte këngë të festivaleve. Me pjesëmarrjen e saj në Festivalin e Fatosave të rrethit të Vlorës, ku paraqitet si valltare në rolin e “bletës punëtore”, tërhoqi vëmendjen e pjesëtarëve të jurisë, të cilët e vlerësuan si kërcimtaren dhe këngëtaren më të mirë të këtij Festivali.

Prej moshës 8–14 vjeç, Anita ishte pjesëmarrëse e rregullt e Festivaleve të Pionierëve të rrethit të Vlorës, duke u vlerësuar edhe me çmime nderi.

Në vitet 1980-1986 prezantohet para publikut vlonjat si violiniste në orkestrinën e shkollës së muzikës “Naim Frashëri”.

Gjatë një koncerti ku ajo merrte pjesë si violiniste, një nga këngëtaret u sëmur dhe kështu, lindi domosdoshmëria të zëvendësohej. Shokët e orkestrës, që e kishin dëgjuar të këndonte, propozuan atë dhe efekti ishte i mahnitshëm. Prezantimi i parë u prit me duartrokitje pa fund nga publiku i sallës i elektrizuar nga zëri i mahnitshëm i saj. Ky ishte fillimi i një karriere të gjatë dhe të suksesshme artistike, që ka vetëm një protagoniste: Të madhen dhe të paharruarën ANITA BITRI.

Kënga e parë e Anitës në shkallë kombëtare titullohet “Hartimi dhe Dëbora”. Në anketën muzikore të Radio Tiranës për këtë këngë, vlerësohet për interpretimin e saj brilant. Më pas, sukseset e saj vazhduan me këngën shumë të njohur, “Mos u nxito” kompozuar nga Aleksandër Vezuli.

Talenti i Anitës nuk mund të mos tërhiqte vëmendjen e kompozitorëve të njohur të asaj kohe. Flamur Shehu ishte i pari që do të besonte tek ajo dhe do të fillonte të bashkëpunonte me të në disa festivale me radhë të Radio Televizionit Shqiptar. Vlen për t’u përmendur interpretimi i këngëve “Lulet e majit i çel në janar”, “S’ka formulë në dashuri”, “Abrakadabra” etj. Në këto vite triumfi Bitri pranohet si këngëtare profesioniste në trupën e Teatrit të Estradës Vlorë. Më pas ajo korr një sukses të jashtëzakonshëm në shkallë kombëtare me koncertet e saj recitale të titulluara “Anita”.

Në mars 1996 mbërrin në “tokën e premtuar”, ne SHBA. Gjatë qëndrimit në Amerikë aktiviteti artistik i Anitës ka qënë në rritje. Ajo po ashtu e dha kontributin e saj edhe në koncertet e bamirësisë dhe aktivitete të ndryshme të Diasporës për mbledhjen e ndihmave për luftën në Kosovë.

Në 2004, pati një vdekje aksidentale, në moshën 38 vjeçare, për shkak të një bllokimi të ventilimit të kaldajës, në shtëpinë ku banonte./ KultPlus.com

Roald Dahl: Dje ishte bukur

Roald Dahl (1916 – 1990), shkrimtar britanik, i njohur sidomos për librat për fëmijë dhe tregimet e shkurtra; po ashtu edhe si skenarist. Gjatë Luftës së Dytë Botërore kishte shërbyer në Royal Air Force. Më 1983 është shpërblyer me World Fantasy Award for Life Achievement dhe më 1990 me British Book Awards’ Children’s Author of the Year. Veprat e tij më të njohura: ‘James and the Giant Peach’, ‘Charlie and the Chocolate Factory’, ‘Matilda’, ‘The Witches’, ‘Fantastic Mr Fox’, ‘The BFG’, ‘The Twits’, ‘George’s Marvellous Medicine’ dhe ‘Danny, the Champion of the World’.

DJE ISHTE BUKUR

Nga Roald Dahl

Ai u kërrus dhe e kroi zogun e këmbës që e kishte përdredhur gjatë ecjes, aq sa nuk mund ta shihte ashtin e kyçit. Pastaj u ngrit pip në këmbë dhe shikoi përreth vetes. Rrëmoi në xhep për një pako cigaresh, e nxori një dhe e ndezi. E fshiu djersën nga balli me shpinën e dorës dhe u ndal në mes të rrugës të shikonte përreth vetes.

‘Ta hajë dreqi, duhet të jetë ndokush këtej pari’, tha me zë të lartë dhe u ndje më mirë kur e dëgjoi kumbimin e zërit të vet.

Eci, duke çaluar, duke rënduar mbi majën e këmbës së lënduar dhe kur mori kthesën në qoshkun e radhës pa detin dhe se si rruga gjarpëronte përmes shtëpive të rrënuara, pastaj zbriti teposhtë kodrës deri buzë ujit. Deti ishte i qetë dhe i zi. Mund ta dallonte qartë vijen e kodrave në brendi të tokës në distancë dhe vlerësoi se ishte nja tetë milje tej. U kërrus sërish ta kruante kyqin e këmbës. ‘Në dreq të mallkuar’, tha ai. ‘Duhet të jetë ndokush prej tyre ende gjallë’. Por asgjë nuk pipëtinte andej pari dhe nëpër shtëpi dhe kudo nëpër fshat nuk kishte asnjë lëvizje të vetme, çka linte të dukej thua se ai vend kishte qenë i shkretë që një mijë vjet.

Papritur dëgjoi një zhurmë të vockël sikurse dikush t’i kishte lëvizur këmbët e tij në zallishte dhe kur shikoi përreth e pa burrin e moshuar. Ishte ulur nën hijen e një guri mbrapa një postafi dhe iu duk e çuditshme si s’e kishte parë më herët.

‘Qofshi me shëndet’, tha piloti. ‘Ghia sou’.

 Kishte mësuar greqisht nga banorët në Larisa dhe Janinë.

Burri në moshë shikoi lart ngadalë, duke e kthyer kokën, por pa i lëvizur supet. Kishte një mjekër të bardhë të hirtë. Mbante një kapele stofi mbi kokë dhe një këmishë që nuk kishte jakë. Ishte një këmishë e hirtë me vija të holla të zeza. E shikoi pilotin dhe dukej si një burrë i verbër që shikon drejt diçkaje, por nuk e sheh.

‘O burrë i moshuar, më vjen mirë që po të takoj. A ka banorë të tjerë në fshat?’.

 Nuk pati përgjigje.

Piloti u ul buzë postafit që ta pushonte kyçin e këmbës.

‘Unë jam anglez’, tha ai. ‘Jam një aviator që është qëlluar dhe është hedhur poshtë me parashutë. Jam anglez’.

Burri i moshuar e luajti kokën ngadalë poshtë-lart. ‘Inglesus’, tha qetësisht. ‘Ti je inglesus’.

‘Po, jam duke e kërkuar dikë që ka barkë. Më duhet të kthehem mbrapa në kontinent’.

Mbretëroi një pauzë dhe kur pastaj foli, burri i moshuar, dukej sikur po fliste në gjumë. ‘Ata vinin tërë kohës sipër nesh’, tha ai. ‘Gjermanët, vinin gjithë kohës mbi ne’. Zëri nuk kishte shprehje. Shikoi lart në qiell, pastaj u kthye dhe shikoi mbrapa tij në qiell. ‘Do të vijnë prapë sot, inglese. Do të vijnë prapë së shpejti’. Nuk kishte ankth në zërin e tij. ‘S’e marr vesh dot pse vijnë te ne ‘, shtoi ai.

Piloti tha, ‘Mbase jo sot. Është vonë tani. Ma merr mendja se kanë mbaruar për sot’.

‘Nuk e marr vesh pse vijnë te ne, inglese. Nuk ka njeri të gjallë këtu’.

‘Jam duke e kërkuar një burrë që e ka një barkë që mund të më çojë deri në kontinent. A ka ndonjë zot barke tash këtu në fshat?’.

‘Barkë?’.

‘Po’. Pati një pauzë derisa pyetja po merrej në shqyrtim.

‘Paj, është njëri që e ka’.

‘A mund ta gjej atë? Ku jeton ai?’.

‘Po është njëri në fshat që zotëron një barkë’.

‘Të lutem, ma thuaj emrin e tij’.

Burri i moshuar shikoi prapë lart në qiell. ‘Janisi është njëri këtu që e ka një barkë’.

‘Janis, kush?’.

‘Janis Spirakisi’, dhe buzëqeshi. Dukej se emri kishte një domethënie për burrin e moshuar dhe buzëqeshi.

‘Ku jeton ai?’, pyeti piloti. ‘Më vjen shumë keq që po të bezdis kaq shumë’.

‘Ku jeton ai?’.

‘Po’.

Burri i moshuar e mori në shqyrtim edhe këtë. Pastaj u kthye dhe shikoi poshtë rrugës përballë detit. ‘Janisi jetonte në atë shtëpinë krejt afër ujit. Por, shtëpia e tij nuk ekziston më. Germanoi e rrëzuan sot në mëngjes. Ishte shumë herët dhe ishte ende terr. Mund ta shohësh, pra, shtëpia nuk ekziston më. Nuk ekziston më’.

‘Po ku është ai tash?’.

‘Po jeton në shtëpinë e Antonina Angelout. Ajo shtëpia atje me ngjyrë të kuqe në dritare’. Tregoi me gisht poshtë në rrugë.

‘Faleminderit shumë. Do të shkoj ta thërras të zotin e barkës’.

‘Prej se ka qenë fëmijë’, ia dha burri i moshuar, ‘Janisi ka pasur barkë. Barka e tij është e bardhë me një vijë të kaltër përreth pjesës së sipërme’, dhe buzëqeshi prapë. ‘Po për momentin s’ma merr mendja se do të jetë në shtëpi. Gruaja e tij do të jetë aty. Ana do të jetë aty, me Antonian Angeloun. Ato do të jenë në shtëpi’.

‘Faleminderit prapë. Do të shkoj të flas me gruan e tij’.

Piloti u çua dhe u nis teposhtë rrugës, por pothuajse menjëherë burri e thirri nga pas, “Inglese’.

Piloti u kthye.

‘Kur të flasësh me gruan e Janisit – kur të flasësh me Anën… duhet të mbash në mend diçka’. Pushoi pak, në kërkim të fjalëve. Zëri i tij nuk ishte i pashprehje më dhe po e shikonte pilotin.

‘Vajza e saj ishte në shtëpi kur erdhën germanoi. Është thjesht diçka që duhet ta mbash në mend’.

Piloti qëndroi në këmbë në rrugë, në pritje.

‘Maria. Emri i saj ishte Maria’.

‘Do ta mbaj në mend’, u përgjigj piloti. ‘Më vjen keq’.

U kthye dhe eci teposhtë kodrës drejt shtëpisë me dritare të kuqe. Trokiti dhe priti. Trokiti prapë më fort dhe priti. U dëgjua një zhurmë hapash dhe dera u hap.

Brenda në shtëpi ishte terr dhe e gjitha që mund të shihte ishte se gruaja kishte flokë të zeza dhe se sytë e saj ishin të zinj si flokët e saj. Ajo shikoi pilotin që po rrinte në këmbë jashtë në dritën e diellit.

‘Qofshi më shëndet’, tha ai. ‘Unë jam ingelse’.

Ajo nuk lëvizi vendit.

‘Po e kërkoj Janis Spirakisin. Më kanë thënë se zotëron një barkë’.

Përsëri ajo nuk lëvizi vendit.

‘A është në shtëpi?’.

‘Jo’.

‘Mbase gruaja e tij është këtu. Ajo mund ta dijë ku është ai’.

Në fillim s’pati asnjë përgjigje. Pastaj gruaja bëri një hap mbrapa dhe e mbajti derën hapur. ‘Eja, inglesus’, tha ajo.

Ai e ndoqi atë drejt një dhome në terr. Dhoma ishte në terr ngase nuk kishte xhama në dritare – vetëm copa kartoni. Por ai mundi të shihte gruan e moshuar që rrinte ulur në bankë me krahët e saj të mbështetur në tavolinë. Ishte e hajthme. Ishte e vockël si një fëmijë dhe fytyra e saj ishte si një top i vockël i zhubrosur prej letre të kafenjtë.

‘Kush është?’, pyeti ajo me zë të lartë.

Gruaja e parë tha, ‘Ky është një inglesus. Po e kërkon burrin tënd, ngase ka nevojë për një barkë’.

‘Qofshi me shëndet, inglesus’, tha gruaja në moshë.

Piloti qëndronte në këmbë te dera, fare pak brenda në dhomë. Gruaja e parë qëndronte në këmbë te dritarja dhe duart e vendosura në ije.

Gruaja e moshuar tha, ‘Ku janë germanoi?’. Zëri i saj dukej më i madh se sa trupi i saj.

‘Tani janë diku te Lamia’.

‘Lamia’. Pohoi me kokë ajo. ‘Së shpejti do të mbërrijnë këtu. Me gjasë nesër do të mbërrijnë këtu. Por s’e çaj kokën unë’. Po anohej pakëz përpara në karrigen e saj dhe vrazhdësia e zërit të saj po rritej. ‘Kur të vijnë, s’do të ketë asgjë të re. Tashmë kanë qenë këtu. Kanë qenë këtu për çdo ditë. Për çdo ditë vijnë sipër nesh dhe bom bom bom dhe ti i mbyll sytë dhe i hap prapë dhe çohesh dhe del jashtë dhe shtëpitë janë veç pluhur – dhe njerëzit’. Zëri i saj ngritej dhe ulej.

Ajo pushoi, duke marrë frymë shpejt, pastaj foli më qetësisht. ‘Sa veta i ke vrarë, inglesus?’.

Piloti nxori njërën dorë dhe u anua kah dera që të pushonte kyçin e këmbës.

‘I kam vrarë disa’, tha qetësisht.

‘Sa?’.

‘Aq sa kam mundur, moj grua. Nuk mund t’i numërojmë burrat e vrarë’.

‘Vriti të gjithë’, tha ajo butësisht. ‘Shko dhe vriti çdo burrë dhe çdo grua dhe çdo fëmijë. A po më dëgjon, inglesus? Duhet t’i vrasësh të gjithë’. Topi i vockël i kafenjtë i letrës u bë edhe më i vogël dhe më i zhubravitur. ‘Të parin që do ta has do ta vras’. Pushoi. ‘Pastaj, inglesus, paskëtaj familja e tij do ta marrë vesh se ai ka vdekur’.

Piloti nuk tha gjë. Ajo e shikoi atë dhe zëri i saj ishte indiferent. ‘Po çfarë po kërkoje ti, inglesus?’.

Ai tha, ‘Përkitazi me germanoi, më vjen keq. Po nuk është se mund të bëjmë kush e di se çka’.

‘Jo’, u përgjigj ajo, ‘nuk ka ç’të bëhet. Po ti?’.

‘Po e kërkoj Janisin. Do të doja ta përdorja barkën e tij’.

‘Janisi’, tha ajo qetësisht, ‘ai nuk është këtu. Është jashtë’.

Befas shtyu mbrapa bankën, u ngrit në këmbë dhe doli jashtë dhomës. ‘Eja’, tha ajo. E ndoqi pas drejt derës kryesore. Dukej edhe më e vogël kur ishte në këmbë se sa kur rrinte ulur, eci me hapa të shpejtë drejt derës dhe e hapi. U ndal jashtë nën dritën e diellit dhe për herë të parë ai e pa se sa e moshuar ishte.

Nuk kishte buzë. Goja e saj ishte thjesht një lëkurë e rrudhur si pjesa tjetër e fytyrës së saj dhe ajo i rrudhi sytë e saj në diell dhe shikoi drejt rrugës.

‘Ja ku është’, tha ajo. ‘Ai është’. Ajo tregoi me gisht burrin e moshuar që e kishte parë mbrapa postafit.

Piloti e shikoi burrin. Pastaj u kthye t’i fliste gruas së moshuar, por ajo ishte zhdukur brenda shtëpisë.

/Marrë nga: Roald Dahl, ‘Collected Stories’, Everyman’s Library, 2006 /Përktheu: Gazeta Express/ KultPlus.com

‘Maratona Fun Run’, Veliaj ndan çmimet e para: Mirëpresim nesër 4000 vrapues nga e gjithë bota

Një ditë para aktivitetit të madh sportiv “Maratona e Tiranës”, në kryeqytet u zhvillua sot gara e vrapimit “Fun Run Tirana” që mblodhi së bashku 2000 nxënës nga shkollat 9-vjeçare dhe të mesme të cilët vrapuan në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, me mesazhin sensibilizues për edukimin e të rinjve përmes sportit.

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndau edhe çmimet e para dha mesazhin e tij për të rinjtë se ngjarje të tilla sportive, përveçse promovojnë aktivitetin fizik dhe shëndetin, janë një mundësi e mirë për t’u socializuar më tepër.

“Të gjithë garuesit fitues që morën çmime na dhanë një super shembull që gara dhe vrapi patjetër që është konkurrencë por është dhe një mundësi e jashtëzakonshme për të takuar njëri – tjetrin për të krijuar shoqëri të reja dhe për të pasur një jetë të shëndetshme”, tha kreu i Bashkisë.

Veliaj tha se kryeqyteti mirëpret nesër në Maratonën e Tiranës, 4000 vrapues nga disa vende të botës.

“Mbi të gjitha shpresoj shumë që ashtu siç menaxhuam sot maratonën e të rinjve ashtu ta menaxhojmë nesër maratonën e profesionistëve. Dua të falenderoj të gjithë qytetarët që kanë treguar durim, që kanë spostuar makinat, që kanë evituar të dalin dhe të shtojnë trafik sidomos në këtë ditë, që këtë fundjavë qytetin ia kemi dedikuar totalisht sportistëve, 4000 turistë që na kanë ardhur dhe që janë vrapues profesionistë”, shtoi ai.

Fituesit e tre vendeve të para për kategorinë e vajzave janë si më poshtë:

-Çmimi I parë, Elisabeta Marku nga shkolla Qemal Stafa; Rezultati: 2.25, 32
-Çmimi I dytë, Antonita Çuni, shkolla Siri Kodra; Rezultati: 2.56.20
-Çmimi I tretë, Darsia Vathi, shkolla Fan Noli; 3.05.06

Fituesit e tre vendeve të para për kategorinë e djemve janë si më poshtë:

Leonel Mesi, shkolla Partizani; Rezultati: 1.59.00
Arbi Toti, shkolla Ismail Qemali; Rezultati: 1.59.09
Marjol Hoxhaj, shkolla Lidhja e Prizrenit; Rezultati: 2.04. 87/atsh/ KultPlus.com

Presidentja Osmani takohet me përfaqësues nga Google dhe Amazon: Synimi është përfshirja e Kosovës në platformat më të mëdha digjitale

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka njoftuar se është takuar me lidershipin e American Chamber of Commerce, si dhe me përfaqësuesit nga Google dhe Amazon, me të cilët ka diskutuar për bashkëpunim ekonomik, investimet strategjike dhe zhvillimin digjital.

Këtë njoftim e ka bërë Presidentja Osmani përmes një shkrimi në facebook.

“Diskutuam për perspektivën ekonomike të vendit tonë dhe rëndësinë strategjike të bashkëpunimit të vazhdueshëm. Synimi ynë është përfshirja e plotë dhe e saktë Kosovës në platformat më të mëdha digjitale globale, për të fuqizuar sektorin privat në vend, për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve digjitale për qytetarët dhe për të avancuar më tej marrëdhëniet tona bilaterale”, ka shkruar Presidentja Osmani.

Papa Françesku: Nuk duhet t’ua mbyllim derën emigrantëve

Papa Françesku në një video dërguar shoqatës katolike Acione Catholicos tha se dera nuk duhet të mbyllet për emigrantët dhe se është e nevojshme t’u jepet ndihmë.

“I ushqeni, jepini një dorë që të mos mbyten”, apeloi Papa, shkruan Reuters.

Ai theksoi se “ne nuk mund t’ia mbyllim derën një emigranti”, i cili duhet “të mirëpritet dhe të pranohet”.

Gjatë kësaj të shtune, një anije e Rojës Bregdetare italiane ka marrë nën kontroll një grup emigrantësh të mbajtur në qendrat e pritjes në vendin tonë për t’i kthyer në Itali, pas një vendimi të gjykatës në Romë.

Në fillim të javës, këta emigrantë u transportuan drejt vendit tonë me një anije të marinës italiane./abcnews.al/ KultPlus.com

“Young Generation”: zërat e të rinjve të talentuar dhe premtues përmbyllin natën e tretë të “PriVocalFest” 

Era Berisha 

Nata e tretë e festivalit “Prishtina International Vocal Fest” u karakterizua nga veçantia e të rinjve si: sopranoja Aurela Murtezaj, mezosopranoja Blenda Kelmendi, sopranoja Despina Krango, sopranoja Edina Pllana, sopranoja Elita Hoxha, sopranoja Egzona Hoxha, baritoni Harris Bajraktari, sopranoja Martina Lekaj, sopranoja Syarta Mehmeti dhe sopranoja Teuta Morina, të udhëhequr nga trajneri i zërit Raúl Giménez, derisa për të për përçuar edhe më shumë emocione tek publiku, u përkujdes pianisti Melos Buza, shkruan KultPlus. 

Në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës së Kosovës u bënë bashkë një numër i konsiderueshëm njerëzish që përcillnin nga afër edhe natën e tretë të festivalit “PriVocalFest”. Me padurim po prisnin daljen në skenë të artistëve të rinj, që të ardhmen duket se e kanë të shtruar bukur. Me perde të zeza, e reflektorë në ngjyrë portokalli, që i ngjajnë edhe logos së vetë festivalit, ishte mbushur këndshëm hapësira para syve të audiencës. 

Koncerti i cili filloi fiks në orën 19:13, portretizoi një program të veçantë, për zërat e veçantë të artistëve në skenë. Gjatë gjithë kësaj nate, publiku u shpreh shumë i kënaqur me performuesit, duke dhënë duartrokitje të panumërta për të gjithë ata që u ngjitën në skenë. Ishin të njëpasnjëshme veprat që u interpretuan, mirëpo secila pati diçka unike më vete, njashtu si vetë interpretuesit.  

Në këtë natë u interpretuan vepra të zgjedhura nga punëtoria e mbajtur për disa ditë me radhë nën instruksionet e Giménez, i cili me punën dhe këshillat e tij ka “fuqizuar” këta të rinj që të eksplorojnë teknika të reja dhe thellësi emocionale në interpretimet e tyre. 

Ndërkohë, loja aktoreske e këtyre artistëve ishte diçka që i shkonte shumë programit të përzgjedhur. Herë duke qeshë, herë duke lëvizë në skenë majtas e djathtas, herë në dyshe, e herë solo, u interpretuan veprat serioze, për një orë të plotë. Veshjet e tyre elegante i shtonin hijeshi zërit të tyre buçues, që jehonte brenda katër mureve, me ç’rast jepnin emocione të pafundme. 

Kjo u dëshmua edhe nga duartrokitjet e publikut, që pati rastin ta përjetojë një koncert më ndryshe, mbushur me ndjenja të larmishme. Ajo që mbizotëronte ishte krenaria në sytë e të afërmve të tyre, që shihnin fëmijët e tyre në skenë, tashmë nisur drejt një rruge që nuk ka kthim, por një fund dukshëm të suksesshëm. 

Për të folur më shumë rreth këtij koncerti, trajneri i zërit me prejardhje spanjolle, Raúl Giménez për KultPlus është shprehur tejet i kënaqur me performancën e artistëve të rinj. 

“Kam kaluar një periudhë shumë të mirë me këta djem e vajza këtu, me këta të rinj të talentuar dhe dua ta falënderoj festivalin për ftesën. Ka qenë një javë intensive, dhe mendoj se kemi bërë një punë shumë të mirë. Jam shumë i lumtur që i kam ndihmuar këta të rinj dhe dëshiroj që ata gjithmonë të këndojnë kështu bukur si në këtë festival. E di që është hera e parë që si maestro po e bëj këtë kurs dhe dua shumë që festivali ta vazhdojë misionin tutje, me këta të rinj të talentuar.” 

Ndërsa, drejtori i “PriVocalFest” Hajrullah Syla për KultPlus ka potencuar se maestro Giménez, është njëri ndër emrat më eminent si trajner zëri. 

“Përzgjedhjen e programit e ka bërë maestro Giménez, pasi që ka filluar punën me të rinjtë, të cilët kanë propozuar veprat e tyre për t’i punuar me maestron. Gjatë punës, ai ka bërë përzgjedhjen e programit. Për të rinjtë është hapur një thirrje ku janë ftuar që të aplikojnë dhe me pas janë përzgjedhur nga komisioni profesional për të qenë pjesë e këtij masterklasi me maestro Giménez, i cili është njëri ndër emrat më eminent si trajner zëri, i cili punon pothuajse në të gjitha studiot operistike më të njohura në botë dhe ishte mjaft e rëndësishme që ta sjellim edhe në Kosovë. Bashkëpunimi më të ishte mjaft i mirë dhe tejet i lehtë, kishim mirëkuptim nga të dy anët dhe çdo gjë ishte mjaft mirë e realizuar. Shpresojmë që do të vazhdojmë edhe në edicionet e radhës që të sjellim emra të mëdhenj të këndimit, që të rinjtë tanë të punojnë me ta dhe të kenë eksperienca të tilla.” 

Koncerti i radhës në “PriVocalFest”, ‘There is someone on earth’ me mezosopranon Albane Carrère, shoqëruar në piano nga Andi Duraku dhe violonçelistja Donjeta Cërmjani, mbahet më 19 tetor nga ora 19:00 në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare.

Fotografitë: Rrahman Osmani / KultPlus.com

‘Kur Peshqit Fillojnë të Zvarriten’, filmi fitues i Travel Fest Albania

Edicioni i tretë i Travel Fest Albania u përmbyll me ceremoninw e ndarjes së çmimeve, ku morën pjesë dashamirës të filmit dhe artit nga e gjithë bota. Për tri ditë me radhë, u shfaqën 30 filma dhe u ekspozuan 20 fotografi, që sollën rrëfime frymëzuese mbi traditën, trashëgiminë dhe natyrën e egër.

Ceremonia kulmoi me shpalljen e 12 filmave më të mirë në kategori të ndryshme. Çmimi për filmin më të mirë në kategorinë “Mjedisi & Ekologjia” shkoi për regjisoren italiane Raffaella Lorusso me filmin “Neverland”.

Ndërkohë, në kategorinë “Shqip”, triumfoi regjisori Adrian Guri me filmin e tij “Shpëtimi i Lumit Vjosa – Përtej Historisë”.

Cmimin kryesor të festivalit, Filmi më i Mirë i Edicionit, e rrëmbeu produksioni britanik “Kur Peshqit Fillojnë të Zvarriten” me regjisor dhe kompozitor Jim Sutherland (Xhim Satherlend) dhe skenariste fituesen e disa çmimeve Bafta, Morag McKinnon (Morag MekKinon) nga
Mbretëria e Bashkuar.

Ky triptik impresionues 65-minutësh, me një kolonë zanore simfonike të interpretuar nga Orkestra Kombëtare e Skocisë, rrëfen një histori universale për lidhjen e thellë të njerëzimit me natyrën dhe kohën.

Travel Fest Albania synon të nxisë krijimtarinë dhe ndërgjegjësimin për çështje mjedisore, duke ofruar një platformë të fuqishme për artistët nga e gjithë bota.

Festivali jo vetëm që vlerësoi talentin e regjisorëve dhe fotografëve, por dha edhe një mesazh të rëndësishëm për ruajtjen e trashëgimisë natyrore dhe kulturore./balkanweb/ KultPlus.com

‘Njerëz dhe Fate2’ nga 1 Nëntori në të gjitha kinematë në Shqiperi

Filmi “Njerëz dhe Fate 2” është gati të shfaqet për publikun. Telenovela e parë shqiptare e përbërë nga një kast i mrekullueshëm aktorësh, ka mbajtur Shqipërinë pezull, netëve të transmetimit në televizion.

Arben Derhemi, i njohur si Flori, ka sjellë realizimin e dytë të telenovelës si një film dhe pritet të transmetohet në të gjitha kinematë në Shqipëri nga data 1 nëntor.

Nuk dihet se si do të vijojë historia tragjike e familjes shqiptare, që përballej me vështirësitë e kohës; dhuna në familje, trafiku dhe droga. Ajo që dihet me siguri është interesi i madh i publikut, i cili 20 vjet më vonë e pret me të njëjtin interes.

Koleksioni i bizhuterive të Shirley Bassey thyen rekordin botëror me çmimin në ankand

Koleksioni i bizhuterive të Shirley Bassey theu një rekord botëror në ankand në Paris, me të gjitha krijimet në pronësi të këngëtares që shiten për një çmim kolektiv prej 2.2 milionë euro.

Koleksioni u shit në një ankand të Sotheby’s më 10 tetor, dhe të ardhurat do të shkojnë për bamirësi sipas vetë këngëtares.

Një unazë diamanti Van Cleef dhe Arpels e viteve 1960 me diamante me prerje të shkëlqyeshme, dhënë asaj nga Elton John, u shit për 48,000 euro, më shumë se trefishi i vlerësimit fillestar prej 10,000 deri në 15,000 euro.

Një gjerdan smeraldi dhe diamanti Van Cleef dhe Arpels, i blerë nga këngëtarja për të shënuar performancën e saj të parë të Varieteteve Mbretërore përpara Mbretëreshës Elizabeth II, u shit për 174,000 €, më shumë se dyfishi i vlerësimit fillestar prej 50,000 deri në 70,000 €.

Një karficë diamanti e vjetër nga viti 1905 u shit për 162,000 €, gati pesë herë më shumë se vlerësimi i saj fillestar prej 26,000 € dhe 35,000 €./KultPlus.com