68 vite nga rihapja e Kanalit të Suezit në Egjipt

Sot janë bërë 68 vite nga rihapja për qarkullim e Kanalit të Suezit, pas mbylljes së tij në vitin 1956, shkruan KultPlus.

Kanali i Suezit është një kanal artificial detar, i gjatë 163 km, ndërmjet Detit Mesdhe dhe Detit të Kuq, kanal i cili ndan kontinentin e Afrikës nga kontinenti i Azisë.  Kanali i Suezit është lidhja më e afërt detare e hemisferës perëndimore dhe hemisferës lindore të Tokës.

Ky kanal ka rëndësi të madhe gjeo-strategjike për arsye se është rruga më e rëndësishme e tankerëve detar për furnizimin e Evropës me naftën e Lindjes së Afërme.

Kanali i Suezit është hapur në vitin 1869, dhe gjendet në Gjirin e Egjiptit.

Në vitin 1956, kryetari i Egjiptit Gamal Abdel Naser e ka nacionalizuar Kanalin e Suezit dhe për këtë arsye Franca, Anglia dhe Izraeli  kryen një invazion ndaj Egjiptit në këtë vit.

Prej këtij konflikti shumë anije u fundosën, dhe kanali i Suezit u mbyll deri në prill të vitit 1957./KultPlus.com

88 vite nga botimi i kryeveprës së Gjergj Fishtës “Lahuta e Malcisë”

Më 8 prill 1937 u botua kryevepra letrare monumentale shqiptare e At Gjergj Fishtës, “Lahuta e Malcisë”.

Fishta filloi ta shkruante nga viti 1905, duke e përfunduar kështu në vitin 1937. Epopeja Lahuta e Malcisë përshkruan luftërat e dy brezave, mirëpo këngët e saj më tepër tregojnë ngjarje të veçanta. Ajo nuk është një poemë që ka një veprim kryesor dhe një hero kryesor, siç janë eposet e mëdha.

Heronjtë e Lahutës janë të shumtë: Oso Kuka, Marash Uci, Dedë Gjo Luli, Tringa, Abdyl Frashëri, Ali Pashë Gucia, që funksionalisht në vepër janë të ngjashëm, se kanë veçantitë e heroizmit shqiptar. Vepra nis me këndimin e heroizmave shqiptare për të mbrojtur tokat e veta nga sulmet malazeze, të përqendruara në Shqipërinë e Veriut, mirëpo vjen duke u zgjeruar në hapësirë dhe në kohë për të kapur ndodhitë e cilësitë shqiptare. Vepra nis me trajtimin e një krahine, për t’u zgjeruar në tërësinë etnike shqiptare; nis me trajtimin e burrnisë së një ambienti për të arritur te koncepti i kombit.

E ndikuar dendur nga këngët epike veriore, përmban elemente të besimeve popullore shqiptare dhe ndikime të letërsisë sllave të jugut. Ndikimin letrar e mori nga fretërit françeskanë gjatë studimeve në kuvendet françeskane në Bosnie. Më 1905 u botua në Zara te Kroacise “Bleni I” i veprës, me pesë këngë me të hollat që i kishte dërguar Faik Konica. Një vit më vonë u botua “Bleni II”, me katër këngë dhe kështu me radhë, deri në botimin përfundimtar me 30 këngë.

Autori në variantin përfundimtar krijoi një renditje të këngëve për të sugjeruar një kronologji të ngjarjeve që perfshijne ndodhitë shqiptare nga gjysma e shekullit 19 deri në pavarësinë e Shqipërisë dhe Konferencën e Londrës më 1913. Vepra mbështetet në tre lloje këngësh historike si: Vranina, Kongresi i Berlinit, Lufta e Ballkanit, Konferenca e Londrës – ku i referohet këngëve historike; kreshnike, me shpërthimet krijuese imagjinative që i referohen Ciklit të Kreshnikëve dhe te këngëve baladë, autoriale, si Patër Gjoni dhe Tringa, që japin me detaje imagjinatën e poetit edhe kur mbështeten në paratekstet e baladave, duke i transformuar në stilin vetjak./KultPlus.com

Si bëhet kënga rome

Poezi nga Kujtim Paçaku

Merre një grusht dhimbjeje
Shto ca pika loti!
E pak pluhur rrugësh të pasosura
Pak aromë stinësh të harruara
Në fund
I shton erëza djegëse dashurie
Dhe i hedh ca yje përsipër
Dhe e lë të piqet
Të piqet në zjarr të shpirtit
Deri në agim… / KultPlus.com

Sot, Dita Ndërkombëtare e Romëve

Dita Ndërkombëtare e Romëve është një kremtim i historisë, traditave dhe kulturës rome, ashtu si edhe thirrje për përfshirje sociale.

Kjo ditë synon gjithashtu të rrisë ndërgjegjësimin mbi sfidat me të cilat përballen komunitetet Rome në të gjithë botën. Kjo ditë është deklaruar zyrtarisht në vitin 1990 në Poloni gjatë Kongresit të katërt të Unionit Ndërkombëtar Rom, në nderim të takimit të parë ndërkombëtar të përfaqësuesve romë i mbajtur në prill të vitit 1971.

Romët kanë zhvilluar traditat e tyre në muzikë, poezi, kërcim dhe pikturë. Muzika tradicionale rome është ndoshta pjesa më e njohur e kulturës rome. Muzika e tyre ka influencuar kompozitorët e muzikës klasike të tillë si Franz Liszt dhe Johannes Brahams. Violina, kitara she klarineta janë instrumentet e preferuara të muzikantëve romë. Kërcimi tradicional është një tjetër element i rëndësishëm i kulturës rome, ka ruajtur elemente nga India, ashtu siç edhe ka përfshirë elemente nga kultura e vendeve në të cilat romët kanë jetuar. Kërcimi Flamengo përfaqëson shembullin më të dukshëm të kontributit të romëve në stilin e përgjithshëm të kërcimeve.

Gjuha rome është ruajtur mirë dhe flitet në të gjithë botën në dialekte të ndryshme. Vitet e fundit shumë studiues kanë punuar për ta standardizuar gjuhën rome duke prodhuar abetare dhe fjalorë. Analizat gjuhësore kanë treguar se ajo është shumë e ngjashme me gjuhët e folura në Indinë qendrore dhe veriore, dhe kjo lidhje gjuhësore besohet se dëshmon origjinën gjeografike të romëve.

Romët kanë shkëlqyer edhe në punimet artizanale si në punimin e metalit, qëndisjen dhe gdhendjen e bizhuterive. Shportat e kashtës të punuara me dorë janë një tjetër produkt tipik i romëve.Veshjet tradicionale përdoren akoma gjerësisht në komunitetin rom, ku gratë veshin fund të gjatë të lidhur në të majtë të belit, një bluzë dekolte, një jelek bolero, një përparëse dhe vathë me ngjyra.

Flamuri rom është flamuri ndërkombëtar i romëve. Ai është krijuar nga Unioni i Përgjithshëm i Romëve në Rumani në vitin 1933 dhe u miratua nga përfaqësuesit ndërkombëtar romë në vitin 1971. Ngjyra blu simbolizon qiellin, ndërsa jeshilja përfaqëson tokën dhe të korrat. Flamuri mban gjithashtu një rrotë të kuqe (chakra) në kujtim të origjinës indiane të romëve, e cila simbolizon zjarrin, lëvizjen dhe progresin. / KultPlus.com

52 vite nga vdekja e artistit të madh, Pablo Picasso

Sot janë bërë 52 vite nga vdekja e piktorit të njohur, Pablo Ruiz Picasso, i cili ka vdekur në Mougins të Francës.

Picasso ka qenë piktor, projektues grafik, skulptor spanjoll, dhe njihet si pioner i kubizmit. Ai konsiderohet si një nga artistët më të rëndësishëm të shekullit XX.

Gjatë veprimtarisë së tij, Picasso ka punuar rreth 15 mijë piktura, grafika, vizatime, plastika dhe qeramika. Ndër veprat e tij më të njohura janë “Zonjushat e Avinjonit” dhe “Guernika”.

Puna e tij ka qenë aq me peshë, aq sa ka edhe ndarje të periudhave kohore në bazë të asaj çka ka krijuar Picasso:

Periudha blu 1901-1904

Periudha rozë 1905-1907

Periudha e influencës afrikane 1908-1909

Periudha e kubizmit analitik 1909-1912

Periudha e  kubizmit sintetik 1912-1919

Picasso u martua dy herë dhe pati katër fëmijë me tre gra. Ai u lind më 25 tetor të vitit 1881 në Malaga./KultPlus.com

Dielli kalon minimumin e ciklit të tij 80-100 vjeçar

Dielli sapo ka kaluar minimumin e një prej cikleve të tij më të mëdha, të quajtur cikli Gleissberg, i cili zgjat afërsisht 80-100 vjet, dhe për këtë arsye mund të jetë duke shkuar drejt 50 viteve të aktivitetit intensiv: tregon studimi i botuar në revistën Space Weather i koordinuar nga Universiteti i Kolorados.

Aktiviteti diellor është jashtëzakonisht i paparashikueshëm dhe “është e rrezikshme të thuhet se në 50 vitet e ardhshme aktiviteti diellor do të rritet, ne ndoshta do ta dimë këtë vetëm në prapavijë”, thekson Mauro Messerotti, profesor i Meteorologjisë Hapësinore në Universitetin e Triestes.

“Ka shumë variante në lojë dhe aktiviteti i Diellit nuk mund të modelohet kaq saktë”, shton ai.

Përafërsisht dihet cikli 11-vjeçar që karakterizon yllin tonë: cikli aktual, i 25-ti që nga fillimi i regjistrimit të njollave diellore në vitin 1755, filloi në vitin 2019 dhe zyrtarisht arriti kulmin e tij në fund të vitit 2024.

Por aktiviteti diellor është shumë më kompleks: cikli njëmbëdhjetëvjeçar është i ndërthurur me ciklin tjetër shumë më të gjatë.

Studiuesit e udhëhequr nga Kalvyn Adams analizuan të dhënat e mbledhura nga disa satelitë të agjencisë amerikane Noaa (Administrata Kombëtare e Oqeanit dhe Atmosferës) që orbitonin në të ashtuquajturat rripa Van Allen: zona në formë donuti brenda magnetosferës së Tokës në të cilën grumbullohen grimcat e ngarkuara, të cilat përgjithësisht era e erës rrjedhin nga fusha magnetike e diellit.

Duket, në fakt, se një fluks më i madh i grimcave në këtë zonë është i lidhur me më pak aktivitet diellor dhe anasjelltas.

Rezultatet tregojnë se, duke nisur nga viti 2022, do të ketë një përmbysje të trendit me një rënie të qartë të fluksit të grimcave dhe kjo do të shënonte, sipas autorëve të studimit, kalimin e minimumit në ciklin Gleissberg./ atsh/ KultPlus.com

Studioja arkitekturore franceze L’AUC përzgjidhet për zhvillimin e zonës së Cirkut

Studioja arkitekturore franceze L’AUC u shpall fituesja për vizionin e zhvillimit të zonës qendrore të Tiranës, e njohur për qytetarët si zona e Cirkut.

L’AUC u përzgjodh nga gara ndërkombëtare ndërmjet 6 studiove prestigjioze të arkitekturës, të cilat prezantuan sot projektet, përkatësisht: COBE, Danimarkë; GO HASEGAWA & Assiciates, Japoni; GROUPWORK, Britani e Madhe; NIETO SOBEJANO, Spanjë; ARCHEA Associati, Itali.

“Jam shumë i kënaqur. Për nga hapësira vendi sillte vështirësi, ishte diçka vërtet delikate dhe u përpoqëm të bënim të pamundurën, besojmë se arritëm të bënim të pamundurën, bëmë më të mirën e mundshme. Jemi entuziastë për të vijuar projektin më tej, jemi të kënaqur të ndajmë vizionin tonë edhe me arkitektë të tjerë”, u shpreh një nga përfaqësuesit e studios L’AUC.

“Jam shumë e kënaqur që L’AUC është përzgjedhur, me shumë kënaqësi do ta përdorim imagjinatën tonë për të bërë diçka shumë të mirë për Tiranën dhe vizitorët”, u shpreh një tjetër përfaqësues i studios arkitekturore L’AUC.

Nga juria u vlerësua ideja dhe koncepti i propozuar, duke theksuar disa aspekte të rëndësishme të projektit dhe filozofisë që qëndron pas tij.

“L’AUC, hartoi një skemë që quhej shesh i përbashkët Tirana, kishte një lloj skulpturimi të nënthënë e një lloj ndjesie poetike. Gjithashtu u vërejt që ndjesia dhe pamja moderne e Tiranës është e përfshirë në skena, në shprehi të ndryshme, në ngjyra të ndryshme, në materiale të ndryshme, e po kështu në shkallë të ndryshme, ishte një koncept mjaft elastik, e siç u tha nga arkitektektët nuk është një masterplan apo vepër arkitekturore, por është një vizion që ka shkallë njerëzore, një peizazh mjaft të bukur dhe na pëlqeu po ashtu kati horizontal, që shërben si ndarje në shkallë të caktuar në pjesën e sipërme dhe të poshtme. Pastaj ishin katër kolonat që në fakt u konsiderua si shprehi shumë e fortë nga arkitekti dhe ishte e tillë dhe biem dakord me autorin për këtë propozim se ka një qartësi e forcë ikonike duke pasur këto katër ndërtesa rrethore. E gjitha kishte të bënte me krijimin e një qartësie në të gjithë kontekstin që u vlerësua nga juria. Vlerësuam shumë që arkitektët kishin shpenzuar kohë për të studiuar arkitekturën e mëparshme dhe traditën e historinë shqiptare”, u shpreh një nga anëtarët e jurisë.

Anëtari i jurisë dha disa sugjerime lidhur me projektin e paraqitur duke theksuar nevojën për ta bërë projektin më realist dhe të mundshëm për t’u realizuar në mënyrë efikase.

“Disa gjëra që duhen konsideruar, pozicioni i Teatrit, ne e kuptojmë tërësisht që ato gjëra që ju vendosni në anën tjetër janë bërë për të tërhequr njerëzit që të vijnë në këtë zonë, në mendojmë se pavarësisht strategjisë suaj do të gjeni mënyrën e duhur për ta ndërruar këtë situatë. Ky është një masterplan dhe për këtë arsye ju bëjmë thirrje që të punoni me arkitektë të tjerë në këtë vizion që na keni shpalosur sot. Siç u tha dhe nga anëtarët e jurisë thamë që është master plan dhe jo vepër arti në vetvete, një vizion për të gjithë hapësirën dhe ju, L’AUC, do të jeni ata që do të udhëhiqni punën që do të bëhet”, u shpreh anëtari i jurisë./ atsh/ KultPlus.com

Robert De Niro merr Palmën e Artë të Nderit

Robert De Niro, legjenda e kinemasë, do të marrë Palmën e Artë të Nderit për të gjithë karrierën e tij, gjatë ceremonisë së hapjes së Festivalit të Filmit në Kanë, më 13 maj.

14 vjet pasi ishte president i Jurisë në 2011, aktori, regjisori dhe producenti amerikan do të shpërblehet gjatë këtij edicioni të 78-të dhe do të takojë pjesëmarrësit e festivalit në skenën e ”Salle Debussy”.

Ndër aktorët më të mirë në historinë e kinemasë, De Niro vazhdon të përfaqësojë një pikë referimi për Hollywood-in.

10 interpretimet e tij që kanë hyrë në histori janë:

1 – Mean Streets (1973)
2 – Taxi Driver (1976)
3 – The Deer Hunter (1978)
4 – Ragging Bull (1980)
5 – Once Upon a Time in America (1984)
6 – The Untouchables – (1987)
7 – Good Fellas (1990)
8 – Heat (1995)
9 – Jackie Brown (1997)
10 – The Irishman (2019)./  atsh/ KultPlus.com

Kryeministri Kurti kujton 24 shqiptarët e zhdukur më 7 prill 1999: Serbia ende fsheh të vërtetën

26 vite pas zhdukjes me dhunë të 24 shqiptarëve, sot në fshatin Rashiq të Pejës, është zbuluar një pllakë përkujtimore për memorializimin e 11 civilëve dhe 13 ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të zhdukur me dhunë nga një grup ushtarësh serb në vitin 1999.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se të zhdukurit me dhunë të këtij rasti, si dhe të gjithë të rënët në rrugën e vështirë të popullit të Kosovës për liri, do të kujtohen përgjithmonë.

“Më 7 prill të vitit 1999, në një zonë afër fshatit Lybeniq të Pejës, një grup ushtarësh serbë i zhdukën me dhunë 24 shqiptarë, prej të cilëve 11 civilë dhe 13 ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. 26 vite pas zhdukjes së tyre me dhunë, sot në fshatin Rashiq të Pejës, u zbulua një pllakë përkujtimore për memorializimin e këtyre 24 shqiptarëve”, ka thënë Kryeministri Kurti.

Në këtë pllakë përkujtimore u memorializuan: Hazir Bezeraj (1948), Januz Bezeraj (1939), Muhamed Bezeraj (1952), Abedin Shala (1980), Jeton Shala (1971), Nazmi Shala (1955), Sejdi Shala (1965), Selim Shala (1958), Valdet Shala (1981), Demë Shala (1954), Kushtrim Shala (1979), Agim Gjocaj (1957), Arben Gjocaj (1970), Lulzim Gjocaj (1973), Nazmi Gjocaj (1955), Selvete Gjocaj (1972), Syl Gjocaj (1976), Deli Bricori (1962), Bajram Velijaj (1976), Hasan Morina (1950), Rexhep Berisha (1962), Nebih Berisha (1970), Hazir Berisha (1948) dhe Avdi Berisha (1964).

“Serbia vazhdon t’i mbajë të paqasshme arkivat e ushtrisë dhe të policisë së saj, si dhe të refuzojë të bashkëpunojë plotësisht e për çdo rast për të dhënë informacione për të zhdukurit gjatë luftës.

Të zhdukurit me dhunë të këtij rasti, si dhe të gjithë të rënët në rrugën e vështirë të popullit të Kosovës për liri, do të kujtohen përgjithmonë. Historia e tyre do të mbetetet trashëgimi e Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj. Lavdi”, ka thënë Kryeminisri Kurti./ KultPlus.com

Konkurs ndërkombëtar për zhvillimin e zonës së Cirkut, Rama: Tirana, ‘lokomotiva’ e një transformimi epokal

Një tjetër zonë qendrore e Tiranës, e mirënjohur për qytetarët si zona e Cirkut, do të rivitalizohet, falë një projekti bashkëkohor që do të përzgjidhet nga gara ndërkombëtare e 6 studiove të arkitekturës, nga të cilat, 5 janë të reja për publikun shqiptar, por me shumë eksperiencë në vendet e tyre dhe në botë.

Në praninë e Kryeministrit Edi Rama po prezantohen sot projektet nga përfaqësuesit e studiove, përkatësisht: COBE, Danimarkë; GO HASEGAWA & Assiciates, Japoni; GROUPWORK, Britani e Madhe; L’AUC, Francë; NIETO SOBEJANO, Spanjë; ARCHEA Associati, Itali, – ku në përfundim do të shpallet edhe projekti fitues.

Në nisje të prezantimeve, Kryeministri Rama vlerësoi se kjo është një tjetër maratonë arkitekture për vizionin e zhvillimit të një zone qendrore në Tiranë.

“Brenda një harku shumë të shkurtër kohe rikthehemi këtu për një tjetër konkurs ndërkombëtar, këtë herë një konkurs i organizuar nga vetë subjekti në kuptimin e kërkesës për të bërë një zhvillim shumë të rëndësishëm në qendër të Tiranës”, tha Rama.

Ashtu si është vepruar edhe në raste të tjera, Rama tha se “kemi kërkuar që ky zhvillim t’i nënshtrohet konkursit”.

“Jemi këtu bashkë me një juri, prestigji i së cilës vjen nga prania e disa arkitektëve vërtetë të jashtëzakonshëm që nuk janë thjesht të ftuar nga jashtë, por janë edhe protagonistë të transformimeve të rëndësishme të vendit në fushën e zhvillimit urban me projektet e tyre. Dëshiroj që duke i falënderuar anëtarët e jurisë që pranuan ftesën për të na ndihmuar në një gjykim sa më të mirarsyetuar, të falënderoj edhe të gjitha studiot që aplikuan”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se ishin një numër i konsiderueshëm studiosh që aplikuan.

Rama theksoi se “ky është një tjetër gur i rëndësishëm që ne synojmë të vëmë në rrugën e re të vendit, një rrugë ku Tirana është “lokomotiva” e një transformimi epokal, falë dhe pikërisht këtyre zhvillimeve që kanë përfshirë një numër të jashtëzakonshëm arkitektësh ndërkombëtarë”.

“Këto zhvillime kanë krijuar një hapësirë të jashtëzakonshme për arkitektët vendas, për të gjithë vajzat dhe djemtë që kanë pasion arkitekturën dhe që e ushtrojnë këtë profesion, që faktikisht të jetojnë në një vend që sot është një ‘universitet’ i hapur dhe që falë, jo vetëm këtyre konkurseve, por edhe partneriteteve me studiot e mëdha ndërkombëtare, të mund të përfitojë një dije shumë të çmuar, një dije përmes ndërveprimit me profesionistë shumë të spikatur të kësaj fushe mundësish edhe parafytyrimesh të pafundme”, shtoi Rama. /atsh/ KultPlus.com

Përurohet Konsullata e Përgjithshme e Shqipërisë në Ulqin, Hasani: E ardhme më e fortë mes dy vendeve

Një ditë historike sot në Ulqin, Mali i Zi, në qytetin e pasurive natyrore, historike dhe kulturore ku u përurua Konsullata e Përgjithshme e Shqipërisë.

Në këtë ceremoni ishte i pranishëm ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Ervin Ibrahimović, përfaqësues të qeverisë qendrore dhe vendore, trupit diplomatik, qytetarëve ulqinakë etj.

Përurimi i kësaj konsullate për ministrin Hasani është njëkohësisht dëshmi e raportit të veçantë dhe marrëdhënieve mes dy vendeve tona, por edhe një angazhimi të përbashkët për të ndërtuar një të ardhme më të fortë dhe më të lidhur mes Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Në fjalën përshëndetëse Hasani tha se “në një kohë kur Shqipëria dhe Mali i Zi janë aleate dhe ndajnë një vizion të përbashkët për paqe, stabilitet dhe integrim evropian, ky hap përfaqëson një shtyllë të rëndësishme për thellimin e bashkëpunimit në të gjitha nivelet – politik, ekonomik, kulturor dhe njerëzor. Do të jetë një nyje strategjike për të ndihmuar në forcimin e shkëmbimeve tregtare, promovimin e investimeve, dhe rritjen e mundësive për zhvillim të qëndrueshëm, veçanërisht në sektorë si turizmi, energjia dhe infrastruktura”.

Ministri Hasani theksoi ndër të tjera se qeveria shqiptare e ndjek gjithmonë me kujdes dhe përkushtim zhvillimin dhe mirëqenien e shqiptarëve kudo që ata jetojnë. Sipas tij, komuniteti shqiptar në Mal të Zi ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në rrugën demokratike dhe euroatlantike të vendit, dhe ka qenë gjithmonë një faktor i rëndësishëm stabiliteti dhe bashkëjetese.

“Do të vazhdojmë ta mbështesim këtë rol dhe të inkurajojmë përfaqësimin e tyre aktiv në të gjitha nivelet e jetës institucionale”, cilësoi Hasani.

Në kuadër të vizitës në Ulqin,  Hasani zhvilloi një takim me Kryetarin e Komunës së Ulqinit, Genc Nimanbegu, me të cilin diskutoi për çështje të rëndësishme të bashkëpunimit dypalësh, veçanërisht në fushat e kulturës, arsimit dhe turizmit.

Ai vizitoi edhe Qendrën e Librit dhe Promovimit të Kulturës Shqiptare – Libraria Ulqini, për të cilën vlen të theksohet se në fillim të këtij viti është bërë disbursimi i një shume prej 50 mijë eurosh për librarinë, ndërsa garantoi se do të vijojë mbështetja financiare për funksionimin e kësaj qendre.

Gjatë vizitës, Hasani u takua edhe me drejtues të partive politike shqiptare në Malin e Zi, për të shkëmbyer ide dhe diskutuar çështje të rëndësishme që lidhen me situatën politike dhe zhvillimet rajonale./atsh/ KultPlus.com

Dëborë në Korçë, dimri zbukuron qytetin me ‘dhuratën’ e fundit

Korça këtë mëngjes prilli u gdhi e bardhë. Dëbora e rënë gjatë natës ka krijuar pamje mbresëlënëse, duke ia shtuar bukurinë këtij qyteti.

Ulja e temperaturave në vend, riktheu reshjet e dëborës në zonën juglindore të vendit, kryesisht zonave të thella malore, por pati reshje të konsiderueshme edhe brenda qytetit të serenatave.

Korça ngjan si qytet i dalë nga ndonjë përrallë, me pemët e bardha jo nga lulet e pranverës por nga kristalet e dëborës.

Rrugët, sheshet, statujat gjithçka u mbulua nga dëbora brenda pak orëve, ndërsa qytetarët me gjithë vështirësitë e krijuara nga e papritura në qarkullim, mirëpritën “dhuratën” e fundit të dimrit.

Reshjet e dëborës me intensitet deri mesatar në të gjithë territorin të shoqëruara dhe me erë kanë bërë që trashësia e dëborës varion nga 10 deri 25 cm në zonat malore. /atsh/ KultPlus.com

Dalin në shitje biletat për Sunny Hill Festival 2025  

Biletat e para të Sunny Hill Festival 2025 tashmë janë në shitje. Believers janë lloji më i lirë i biletave të festivalit Sunny Hill i cili këtë vit mbahet prej 1 deri më 3 gusht. 

Prishtinë, 7 prill 2025 – Edicioni i ri i Sunny Hill Festival po vjen. Sunny Hill Festival tashmë i ka lëshuar në shitje biletat e para dhe më të lira për edicionin e ri të festivalit më të madh në rajon. 

“Bileta për dhjetëra artistë ndërkombëtar në tre skena dhe tre ditë rresh eksperiencë e papërsëritshme në Prishtinë momentalisht fillon prej 95 euro. Kjo është mundësia më e mirë për të qenë pjesë e një eksperience të paharrueshme – me muzikën, energjinë dhe atmosferën unike që vetëm Sunny Hill Festival mund të sjellë. Të gjitha llojet tjera të biletave pas grupit të parë të biletave Believers do të jenë me çmime tjera” thuhet në njoftimin e Sunny Hill Festival.

Sipas Shoqatës Evropiane të Festivaleve, Sunny Hill Festival për të dytin vit me radhë, është nominuar si njëri ndër Top 10 festivalet më të mira në Evropë në kategorinë e vet dhe një ndër 25 festivalet më të mira që nuk duhet humbur gjatë vitit. 

Ekipi organizues po punon me përkushtim për ta bërë këtë edicion të veçantë. Të rejat më të fundit po ndahen me komunitetin më besnik të festivalit përmes kanalit zyrtar në Instagram, ndërsa mijëra njerëz tashmë kanë siguruar biletat e tyre “Believers”.  

“Kjo është koha kur ne ia kushtojmë gjithë energjinë dhe përkushtimin tonë më të madh atyre që kanë qenë gjithmonë me ne – pjesëmarrësve më lojal të festivalit” kanë deklaruar organizatorët.  

Numri i biletave të kategorisë “Believers” pritet të shiten shumë shpejt pasi që kërkesa për to është shumë e madhe dhe numri i tyre i kufizuar.

Biletat mund të blihen në këtë link: https://ticketing.festtix.co.uk/events/sunny-hill-festival-2025  / KultPlus.com

Kadetët e FSK-së shpërblehen me medalje të artë në Itali

Kadetët e Qendrës për Studime Universitare (QSU) të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë shënuar sukses në arenën ndërkombëtare, duke u shpërblyer me medaljen e artë nga Instituti Ndërkombëtar i Ligjit Humanitar (IIHL) në Sanremo të Italisë.

Në njoftimin e FSK-së bëhet e ditur se ky institut është një organizatë e pavarur që promovon ligjin ndërkombëtar humanitar, të drejtat e njeriut dhe ligjin e refugjatëve, duke ofruar kurse dhe konferenca për profesionistë ushtarakë, diplomatë dhe juristë.

“IIHL organizon çdo vit një garë mbi Ligjin e Konfliktit të Armatosur (LOAC) për akademitë ushtarake nga e gjithë bota, ku kadetët mësojnë dhe zbatojnë ligjin në skenarë të simuluar ushtarakë. Gara përbëhet nga një fazë praktike, ku ekipet shumëkombëshe këshillojnë mbi çështje ligjore bazuar në situata të supozuara. Ky aktivitet, përveçse një garë, është edhe një ushtrim që përgatit udhëheqësit ushtarakë të ardhshëm për operacione të ndryshme brenda dhe jashtë vendit, duke promovuar bashkëpunimin ndërkombëtar dhe ndërgjegjësimin për çështjet humanitare”, thuhet në njoftimin e FSK-së.

Ndër të tjera theksohet se pjesëmarrja realizohet me ekipe të përbëra nga tre kadetë dhe një lider ekipi.

“Këtë herë, Qendra për Studime Universitare mori pjesë për herë të parë në këtë garë dhe u kthye me medalje të artë, duke dëshmuar avancimin që kjo qendër po arrin në përgatitjen e kadetëve të saj. Gara ishte gjithashtu një shembull i shkëlqyer i punës ekipore me kombet e tjera, ku kadetët tanë bashkëpunuan ngushtë me kolegë ndërkombëtarë në zbatimin e Ligjit të Konfliktit të Armatosur.

Ky triumf pasqyron progresin që Qendra për Studime Universitare po shënon në ngritjen e kapaciteteve të saj si një institucion akademik ushtarak. Ai reflekton përkushtimin dhe disiplinën e kadetëve, si dhe përparimin e Qendrës në skenën ushtarake ndërkombëtare”, thuhet tutje në njoftim.

Festivali Ndërkombëtar i Romanit Grafik mbahet në maj

Nga data 16 deri më 19 maj, në Bibliotekë Kombëtare të Kosovës, për katër ditë me radhë organizohet Festivali Ndërkombëtar i Romanit Grafik, në Prishtinë.

Edicioni i radhës GRAN Fest 2025 sjell artistët si: Loisel, Ruslan Pikhota, Bocquet, Catel, Jeroen Jannsen, Dav, Lucien Czuga, Dytun Yilmaz, Ula Rugeviciute, Nderim Duni, Enrique Flores, Frederik Peeters, Petrikanoviç, Murat Ahmeti, Jemi.

Në këtë festival do të ketë ekspozita, konferenca, botime, punëtori dhe filma.

No description available.

Bijtë

Poezi nga Khalil Gibran

Dhe një grua që
mbante një foshnjë në gji tha:
Na fol për bijtë
Dhe ai tha:
Fëmijët, janë përgjigjet që jeta i jep secilit prej nesh,
ata jane esenca e buzëqeshjes suaj
Janë gjaku dhe mishi i mishit tuaj,
por jo gjaku dhe mishi juaj
Janë bijtë e bijat e Etjes
që ka Jeta për veten
vijnë përmes jush, por jo nga ju e
megjithëse jetojnë me ju
nuk ju përkasin
Dhurojuni gjithë dashurinë tuaj
por jo tuajat mendime
Ata kanë mendimet e tyre
Mund t’u ofroni strehë trupave
por jo shpirtrave të tyre
sepse ata banojnë në shtëpinë e së nesërmes
ku nuk ju lejohet të hyni
as edhe në ëndërr
Mund të provoni të jeni të ngjashëm me
ta por jo ti bëni të ngjashëm me veten
Sepse Jeta, është një rrugë
që vazhdon gjithnjë përpara
e nuk ndalet në të shkuarën
Ju jeni Harqet nga të cilat
si shigjeta të gjalla
bijtë lëshohen përpara
Harkëtari shënon shtegun e pafundësisë
e ju mban fort
derisa shigjetat nisen shpejt e larg
Besojini Harkëtarit
sepse siç ka për zemër fluturimin e shigjetës,
ka dhe qëndrueshmërinë e harkut… /KultPlus.com

Sot, Dita Botërore e Shëndetit

Dita Botërore e Shëndetit është një ditë globale e ndërgjegjësimit shëndetësor që festohet për çdo vit më 7 prill, nën sponsorizimin e Organizatës Botërore të Shëndetit, si dhe të organizatave të tjera të ndërlidhura.

Në vitin 1948, OBSH organizoi Asamblenë e Parë Botërore të Shëndetit. Asambleja vendosi të caktojë 7 prillin si Ditën Botërore të Shëndetit. Dita Botërore e Shëndetit mbahet për të shënuar themelimin e OBSH-së, dhe shihet si një mundësi nga organizata të ndryshme për të tërhequr vëmendjen në mbarë botën për një subjekt me rëndësi të madhe për shëndetin global çdo vit. OBSH-ja në këtë datë organizon ngjarje ndërkombëtare, rajonale dhe lokale në lidhje me një temë të veçantë shëndetësore. Dita Botërore e Shëndetit pranohet nga qeveri të ndryshme dhe organizata joqeveritare me interes në çështjet e shëndetit publik, të cilët gjithashtu organizojnë aktivitete dhe theksojnë mbështetjen e tyre në raportet e mediave, siç është Këshilli Global i Shëndetësisë.

Dita Botërore e Shëndetit është një nga tetë fushatat zyrtare globale të shëndetit të shënuara nga OBSH, së bashku me Ditën Botërore të Tuberkulozit, Javën Botërore të Imunizimit, Ditën Botërore të Malaries, Ditën Botërore pa Duhan, Ditën Botërore kundër SIDA-s, Ditën Botërore të Donatorëve të Gjakut dhe Ditën Botërore të Hepatitit./ KultPlus.com

Muse-X kthen Tiranën në epiqendrën e muzikës, industrisë kreative dhe kulturës

Muse-X do të jetë Ekspofestivali i Parë i Muzikës & Arteve Kreative në Ballkan. Muse-X do të vijë nga 11 prilli, në Sheshin Italia në Tiranë, duke e shndërruar atë në epiqendrën e gjallë të muzikës, industrisë kreative dhe kulturës.

Gjatë ditës do të ketë konferenca, TED Talks, networking me mbi 100 liderë dhe kompani nga Mbretëria e Bashkuar, Evropa dhe Ballkani. Gjithashtu “Rap Battles” epike, Open Jam Sessions, “DJ Battles” dhe konkurse kreative.

Ndërsa gjatë natës, skena do të ndizet me tri netë festivalesh të mbushura me muzikë elektronike, hip-hop dhe rock. Performancat do të jenë të paharrueshme nga artistët më të mëdhenj dhe bashkëpunime ekskluzive të Muse-X.

Ky aktivitet mbështetet nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit./atsh/KultPlus.com

Kur Vaçe Zela erdhi në Prishtinë, njerëzit qanin

Njerëzit qanin dhe puthnin autobusin e pluhrosur, sepse brenda ishte këngëtarja e madhe shqiptare – Vaçe Zela, ishte vitit 1980.

Kujtime nga Hys Shkreli, moderator i koncertit të vetëm të Vaçe Zelës në Prishtinë para tri dekadash.

Vaçe Zela! Kur degjova se ke shkuar, se ke ndërruar jetë, mu ngjall një Vaçe , të cilën e takova 34 më parë në kufirin qe ndante Kosovën më Shqipërinë… Ajo Vaçe, e kujtimeve te mia, po hynte në Kosovë për turnenë e sajë të parë e të fundit në këtë vend. Ajo Vaçe, atë ditë Maji , zbriti qetë si një flutur nga një kombi-bus i vjetër. Më përqafoi mua dhe të tjerët qe ishin tubuar për ta pritur… Në atë moment, mu bë sikur po takohëshin dy shekuj, dalë nga një popull. Sepse, aq e gjatë na ishte bërë ajo ndarje. Ne po prisnim në atë kufi afro dyzetë vjet Vaçe…
Kishim dalë në kufirin që atëherë quhej jugosllavo-shqiptar, për të takuar grupin më të madhe e më të njohur të artistëve nga Shqipëria, të cilët po vizitonin për herë të parë Kosovën. As qe kam mund të ëndërroj në atë moment që, një ditë do të lavdërohem pse isha unë ai që e pagëzova kufiri shqitaro- shqiptar, e të tjerët e shpërndanë këtë emër. Atë ditë, më ty Vaçe filloi shëmbja simbolike e kufirit shqiptaro-shqiptar. E vërteta, kënga jote e kishte kaluar e rrënuar atë kufi shumë vite më parë.

Ai kufi, at ditë pranvere të vitit 1980, dukej si “toke e vdekur”, tokë e askuj, pa jetë e gjallëri. Aty s’ kishte arrijtë pranvera kurr, shekujt ishin ndalur. Dhe kjo pamje dëshmonte se sa e thellë ishte kjo ndarje e imponuar midis Kosovës e Shqipërisë. Por, atë ditë, u ngjallë ai vend si asnjëherë më parë, më ty e të tjerët qe po e thyenit at mur duke na sjellur kengëtarët e ndaluar – në Kosovën e izoluar. Vendkalimin kufitar e kishin vërshuar banorë të fshatrave për rreth , të cilët kishin dëgjuar për arrijtjen tënde e të artistëve tjerë të këngës. U dorëzuam para emicioneve. Lulet qe sollem në kufi për ju , u përzien më lote dhe… sikur u rriten për disa minuta.
Ti po shkelje për herë të parë në Kosovë. Mbase nuk e dije, se ti kishe jetuar në Kosovë shumë vite – si këngë.Në atë karavan yjesh te kohës , pos teje, ishte edhe Limos Dizdari, Gaqo Çako, Luan Zhegu, Liliana Kondakçi, Zina Zdrava, Hysni Zela, e shumë të tjerë, më të cilët ne jetonim në Kosovë, por kurr nuk i kishim takuar.
Ato vite, pas disa dekadave te izolimit, muri i ndarjes – po plasaritej. Në këtë klimë të re politike, artistët më të njohur të kengës nga Shqiperia, po fillonin turnenë e tyre të parë në Kosovë e Maqedoni. Disa prej tyre, nuk kishin udhëtuar kurr më parë jashtë Shqipërisë. Për herë te parë po shkelnin në një tokë të dytë – shqiptare.Ishin këto, yje të Shqipërisë të cilët ndriçonin edhe në Kosove, mirëpo kurr nuk e kishin parë këtë vend…

Isha gazetar , por bëja edhe moderime spektaklesh publike të asaje kohe. Më zgjodhen të shoqeroja këtë grup dhe të drejtoi koncertet e tyre. Udhëtimi më artistët nga Shqipëria ishte udhëtim nepër kohe, dhëmbje e ngjarje. Mbushur më momente gëzimi e gazmendi, por gjithnjë të përshkuara më situata prekëse e emocionuese. Ishte ndjenjë e çuditshme të celebrojsh takimin e shqiptarëve – më shqiptarët, rilidhjën e rrenjëve të shpërndara, ngjalljen e urave të rrënuara, bashkimin e gjakut të shprishur.
Udhetonim më autobusa nga një qytet në tjeterin. Kudo që ndalëshim, rruga bëhej lum njerëzish, lagja ngjallej, qyteti zgjohej . Zejtarët para dyqaneve, plakat në dritare, të rinjte më lule – sikur takonin ëngjujt e ëndrruar. Mirëpo, në çdo turmë, kishte ndonjë nga “ata”, për të kontrolluar shprehjen e asajë, që politika e quante “manifestim i nacionalizmit”. Ndaj verehej së kishte edhe dashuri të kontrolluar, posacërisht kur njerëzit flisnin më fytyra e jo më goje. Kur goja heshte e sytë, mimika, e shpirti flisnin. E dinim se çdo eufori e tepruar, do te rezultonte më limite të reja nga pushteti jugosllav. Ndaj, edhe në këto emocione kishte vetëpermbajtje.
Në vendet e palestra ku kendonit ju Vaçe, njerëzit prisnin më lule, mall dhe zjarr. Të ekzaltuar, ata xhvishnin këmishat e xhaketat dhe u venin flakën. Digjëshin këmishat e zemrat nga malli. Digjëshin ndarjet e kufijt. Ato koncerte, ishin kremte dhe protestë. Simbolikisht, ata po digjnin kohën e politiken qe ndau kombin. Ndaj, ato tubime nuk ishin vetem muzikore. Ishte ai vit i çmalljes së madhe shqiptaro-shqiptare… Shoqëronte Orkestra e Madhe e Radiotelevizionit te Prishtinës. Me vjen keq qe s’mbaj mend drejtuesit e Orkestrës, por di se Severin Kajtazi, Isak Muqolli, Krist lekaj…ishin nder më të angazhuarit . Kjo Orkestër, për herë të parë po shoqëronte solistë nga Shqipëria, ndaj të gjitha orkestrimet duhej pregaditur, dhe luajtur drejtëpërdrejtë para publikut apo “live” siç do te thonim sot.

****

Në çdo qytet qe vizitonim shpërthenin vullkane admirimi e dashurie për ju.

Eprorët tu , më këshilluan që moderimin ta bëj sa më zyrtar . Ata kritikuan pse moderimi im, sipas tyre, dukej pakëz perendimor. Më këshilluan që të mos e ngrisë zërin, kur shqiptoj emrat e artistëve, sepse kjo ua kujtonte moderatorët italian, stil ky i vleresuar si modernist e borgjez në Shqipëri. Pastaj, unë mora kritika edhe nga ana tjetër, kosovare. Pasi që në atë kohë, dygjuhësia në Kosovë ishte e obliguar në tubime publike, më thanë së do te duhej pershendetur publikun më një fjali edhe në gjuhen serbokrate, ose do te angazhonin një serb Ishte ky nje provokim. Nëse publiku serb, vjen në koncerte të Vaçe Zelës, atvherë bisedojmë për çeshtje, sygjerova unë.
Vaçe Zela. A të kujtohet koncerti në Prishtinë? Na the, së as në Shqipëri nuk kishe përjetuar momente te tilla. Ishte ngjarja më e madhe skenike që kishte parë Prishtina në ato vite. Në Palestrën e Sportit, ku mbahej koncerti, po takohëshin të gjithë lumejtë shqiptarë. Njerëzit nga rajonet, kishin ardhur për të i lidhur dekadat e shkëputura nepërmjet zërit tënd. Ti e ndeze Prishtinvn dhe ua shkunde rrudhat atyre që kishin filluar të vjeshtohën e nuk shpresonin që një ditë do të t’kenë në skenën e qytetit të tyre. Këngët tua i dhanë një shpirt të ri atij qyteti. Sot, sikur i shoh imazhët e nënave që sjellnin edhe foshnjët e tyre për t’ u fotografuar më ty, të bindura së ato momente nuk vijnë më, por bëhen histori.. A to kujtohet gazetarja që nderpreu intervistën më ty, sepse nuk i permbante dot lotët…Njerëz që kurr nuk të kishin takuar, hynin më fëmijë, nëna, gjyshe… në dhomën tënde prapa skenës, dhe shtangoheshin kur të shihnin: Ata qanin – ti qaje. Kishte diçka te çuditshme, gadi hyjnore në ato përqafime. Herë herë, u ngjanin takimit më dikend që sapo da dal nga burgu. Disa, si të hipnotizuar qëndronin para teje e ti puthnin duart. Nuk flisnin shumë. Lotët u zenin vendin fjalëve.

*****

Vaçe Zela. A të kujtohet mbrëmja e fundit para se të ndahemi në Ohër? Nata e fundit në Hotelin “Metrpopol”, ku kënduam, festuam e qeshem deri në mengjes. E ne agim, si një këmbonë, na ngriti në këmbë Gaqo Çako me thirrjet e tij nga teraca e hotelit, më tërë zërin që kishte…”Ooo Selimoooo”…Kush është Selimi, pyetem ne? E dinim se Gaqo kishte pirë pakëz raki, por nuk ishte i dehur. Thërriste më tërë zërin. Pastaj sqaroi se, matanë liqenit, në Poradec, paska një kolegë ushtrije qe quhej Selim …” Dua ti them atij , ja ku jam unë e ku je ti”, shtoi ai.Për ne, kjo tinglloi si humor ,pasi s’dinim nëse nga Selimi kishte kujtime të mira apo të keçija.
Një orë më vonë, Gaqo Çako, dhe të tjerët, ishin pertej liqenit, në anën e Selimit… Ne që mbetem në këtë anë të liqenit, e veshem pikllimin. Të dy palët po kthëheshim në botërat e tyre të ndara. Shqipëria e Madhe e Këngës, të cilën e ndertuam gjatë atyre ditëve, përfundoi. Serish u nda në dysh…

Vaçe Zela. Pas tri dekadash,u ktheve për herë të dytë në Prishtinë. Herën e kaluar na solle këngën, kësaje radhe – pikllimin. Hyre për herë të fundit në Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë dhe nga aty shkove lartë në qiell. Yjet si ti – i takojnë qiellit. U bashkove më yjët tjera shqiptare, Elena Gjikën, Aleksander Moisiun, Gjon Bellushin, Elena Ciriqin, Ibrahim Kodrën, Bekim Fehmiun.Ti mbetesh Teuta jonë e këngës tonë . Të fala yjeve Vaçe. Pusho atje lartë të Dielli yt i Ri , dhe vazhdo te ndiçojsh… / KultPlus.com

Duke të pritur ty…

Poezi nga Ismail Kadare

Në orën pese duhet të vijsh
Ja rruga,
Ja shenjat e bardha ku do të kalosh,
Si re të bardha që notojnë mbi asfalt.

Tek xhamia,
Përballë sahatit unë rri
Akrepat, si vetulla
Në fytyrën e kohës,

Herë të qeshur, herë të ngrysur atje lart.
Pas pak do të bjerë pesë
Tani pëllumbat
Rrotull sahatit vërtiten, të bardhë, të bardhë./KultPlus.com

Presidentja Osmani priti në takim të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës Amerikane, znj. Anu Prattipati

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, znj. Anu Prattipati.

Në takim u diskutuan zhvillimet e fundit në vend, përfshirë situatën e sigurisë në Kosovë dhe në rajon.

Duke folur për situatën e sigurisë dhe zhvillimet në këtë sferë, Presidentja Osmani theksoi tendencat e vazhdueshme të Serbisë për destabilizimin e Kosovës dhe të të gjithë rajonit përmes veprimeve të mirëkoordinuara me struktura ilegale dhe banda kriminale serbe. Presidentja Osmani diskutoi me znj. Prattipati për arrestimin e djeshëm të qytetarëve serbë në Gjakovë dhe në Prizren, të cilët pretendonin se ndodheshin në pelegrinazh. Porse, hetimet e deritashme kanë treguar se këto grupe kishin ndërlidhje me strukturat e inteligjencës ushtarake serbe si dhe me anëtarë të grupit terrorist të Banjskës.

Presidentja theksoi se ky veprim është pjesë e një përpjekjeje të vazhdueshme nga Serbia për destabilizimin e Kosovës, përmes kërcënimeve dhe dhunës. Sipas Presidentes, kjo përbën një ndërhyrje të papranueshme në sovranitetin shtetëror të Republikës së Kosovës.

Më tej, Presidentja Osmani dënoi me vendosmëri këto veprime desabilizuese dhe të papranueshme, duke theksuar se Kosova nuk do të tolerojë asnjë ndërhyrje që rrezikon paqen, rendin kushtetues dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve të saj, pa dallim përkatësie. Ajo falenderoi të gjitha institucionet e sigurisë për punën në mbrojtje të vendit dhe diskutoi me znj. Prattipati rreth bashkëpunimit të vazhdueshëm me SHBA në këtë drejtim.

Presidentja poashtu e njoftoi znj.Prattipati edhe për hapa të tjerë konkret që do të ndërmarrë, brenda kompetencave të saj kushtetuese, për ta thelluar aleancën strategjike me SHBA-të, dhe për ta mbrojtur interesin e Republikës së Kosovës./KultPlus.com

Pikënisje

(Një syzim i shkurtër krahasues mes dy sivëllezërish krejt të ndryshëm: Martin Camaj dhe Thomas Mann) 

Ky vit përkon me 100 vjetorin e lindjes së Martin Camajt, por njëkohësisht dhe me 150 vjetorin e lindjes së Tomas Manit. Përveç shifrave që përputhen rastësisht dhe faktit që në kohë të ndryshme të dy e kanë zhvilluar veprimtarinë letrare dhe intelektuale në pjesën më të madhe të jetës së tyre në Mynih, dy shkrimtarët në fjalë është vështirë t’i krahasosh me njëri-tjetrin. Dy sivëllezër tepër të ndryshëm. Ose duke përdorur gjuhën e Camajt nga syzimi i tij krahasues mes Skiroit dhe Pirandelos (Pirandello): “ma tepër të ndryshëm se të ngjashëm.”[1] Në rastin konkret, tërheqja në një syzim krahasues e figurës së Tomas Manit i shërben më shumë zgjerimit të perspektivës se sa krahasimit në vetvete, duke marrë si pikënisje mërgimin e detyruar, fat i përbashkët për të dy shkrimtarët.

Si Camaj, ashtu dhe Tomas Man, u detyruan të largohen në mërgim (edhe pse në kushte krejt të ndryshme) për shkak të një regjimi totalitar që erdhi në fuqi. Tomas Man u largua nga atdheu në moshën 58 vjeçare si nobelist, si shkrimtar dhe intelektual tashmë i formuar dhe me botime dinjitoze, duke përmendur këtu shkurt jo vetëm Budenbrokët (Buddenbrooks 1901), Vdekjen në Venedik (Tod in Venedig 1912) apo Malin magjik (Zauberberg 1924), por edhe esetë me karakter letrar dhe politik si Vëzhgimet e një të paangazhuari politikisht (Betrachtungen eines Unpolitischen 1918), Gëte dhe Tolstoi (Goethe und Tolstoi 1921) apo Nga republika gjermane (Von deutscher Republik 1923). Kurse Camaj arratiset nga atdheu në moshën 23 vjeçare pa kurrfarë “bagazhi” (!) veç arsimimit të papërfunduar në kolegjin jezuit Xaverianum për shkak të mbylljes së shkollave fetare në vitin 1946, arsimim që për Shqipërinë e kohës nuk ishte aspak i vetëkuptueshëm, dhe asaj pak përvoje pune si mësues deri në vitin 1948 në Prekal. Shkrimtari dhe intelektuali Camaj do të formohej dhe bëhej ai që njohim në 40 vitet e kaluara në mërgim.

Më 10 shkurt 1933 Tomas Man mban në Mynih një ligjëratë me rastin e 50 vjetorit të vdekjes së Vagnerit (Wagner) dhe menjëherë të nesërmen largohet nga Gjermania për t’iu përgjigjur disa ftesave që i ishin bërë lidhur me këtë ngjarje. Dhjetë ditë më parë Hitleri ishte shpallur kancelar gjerman. Djegia e rajhstagut më 27 shkurt dhe miratimi i ligjeve autorizuese më 23 mars u pasuan nga unifikimi politik i institucioneve brenda vendit, duke siguruar kësisoj kontrollin e plotë të nazistëve mbi shtetin. Kthimi bëhet i pamundur. Tomas Man emigron për një kohë të shkurtër në Francë, pastaj në Zvicër (1933-1938), për t’u larguar më pas në Amerikë, pa pasur asnjë ide që nuk do të mund të kthehej për 16 vjet me radhë në atdhe, duke përtypur kësisoj me mundim të vërtetën e hidhur të krijuar nga dhuna e fakteve, për të cilën ai kishte folur me guxim intelektual qysh në vitin 1930.[2]

Vendosja e regjimit komunist në Shqipërinë e viteve 1945-1949 shkon krahas luftës sistematike për zhdukjen e kundërshtarëve realë dhe të supozuar. Varësisë nga ish-Jugosllavia pas vitit 1948 ia zë vendin ajo nga Bashkimi Sovjetik, ndërkohë që vendi shndërrohet në një diktaturë komuniste dhe Enver Hoxha konsolidon pushtetin e tij absolut. Camaj pozicionohet kundër këtij regjimi dhe pasi kalon disa muaj i fshehur në male[3], në dimrin e vitit 1949 arratiset në ish-Jugosllavi, ku qëndron deri në vitin 1956. Kjo fazë e parë e emigracionit ravijëzon formimin e tij si filolog përmes studimeve në Universitetin e Beogradit, por njëkohësisht dhe prezantimin si poet me poezitë e para (1951) në revistën Jeta e re të Esad Mekulit dhe me botimin e dy vëllimeve poetike Një fyell ndër male (1953) dhe Kanga e vërrinit (1954) në Prishtinë. Ky ravijëzim intelektual si filolog dhe poet (sepse edhe në prozë Camaj mbetet poet) do të thellohet më tej gjatë qëndrimit katërvjeçar (1956-1960) në Itali, për të arritur pjekurinë në vendosjen përfundimtare prej vitit 1960 e deri në fund të jetës në Gjermani.

Në periudhën korrik-gusht të vitit 1949, pas 16 viteve të kaluara në emigracion të detyruar, Tomas Man viziton për herë të parë Gjermaninë. Gjashtë javë më parë në zonën perëndimore është themeluar Republika Federale Gjermane, ndërsa lindja ka akoma statusin e një zone të okupuar nga sovjetikët. Ndërkaq kampet politike lindje-perëndim janë përvijuar qartë. Pyetjes se cilën Gjermani do të vizitojë, shkrimtari i përgjigjet se po viziton Gjermaninë si të tillë dhe nuk i njeh zonat e ndara. Arsyeja e vizitës së shkrimtarit të mërguar, të cilit megjithë famën që gëzonte dhe prestigjin e të qenit nobelist nazistët në vitin 1936 i hoqën nënshtetësinë, është 200 vjetori i lindjes së Gëtes (Goethe). Viti 1949 ishte shpallur viti i Gëtes, si në zonën perëndimore, ashtu dhe në atë lindore. Nëse Frankfurti në zonën perëndimore është qyteti i lindjes dhe i rinisë së hershme, Vajmari në zonën lindore lidhet ngushtë me veprimtarinë e jetës së gjatë të gjeniut të letrave. Tomas Man ftohet në të dyja zonat dhe, duke dashur të vërë theksin në përbashkësinë e kulturës gjermane jashtë politikave lindje-perëndim, i mban fjalimet e rastit në dy institucione me rëndësi simbolikisht historike për kulturën demokratike të Gjermanisë: në Kishën e Shën Palit (Frankfurt) dhe në Teatrin Kombëtar Gjerman (Vajmar).[4] Gëte bashkon përtej ideologjive, zonave, politikave, luftës së nxehtë me shkatërrimin që la pas, dhe luftës së ftohtë, e cila po bëhet përherë e më shumë e pranishme përmes ankthit dhe pasigurisë, jo vetëm në Gjermaninë e ndarë. Eseja e botuar me këtë rast titullohet Fjalimi në vitin e Gëtes 1949 (Ansprache im Goethejahr 1949).[5]

Camaj nuk arrin ta vizitojë më Shqipërinë pas rënies së komunizmit. Dyndjet në ambasadat perëndimore në verën e vitit 1990 pasohen nga emigrimi masiv, protestat e fuqishme, legalizimi i partive opozitare, rrëzimi i statujës së Enver Hoxhës (shkurt 1991), zgjedhjet e para pluraliste një muaj më pas dhe kriza e mëtejshme ekonomike dhe politike e vendit. Fitoren e partisë opozitare në zgjedhjet e marsit të vitit 1992 Camaj nuk e përjetoi më. I ftuar nga Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës në fund të gushtit 1990 ai merr pjesë në Seminarin për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Universitetin e Prishtinës. Në intervistën dhënë Zërit të Amerikës[6] me rastin e kësaj vizite, megjithë gëzimin që ndodhet përsëri në Kosovë, Camaj vëren me keqardhje, se ashtu si para 36 vjetësh gjatë aksionit famëkeq të mbledhjes së armëve, rrugët janë të mbushura plot me njerëz të armatosur. Është koha kur politikës së ashpër të shtypjes nga ana e regjimit të Millosheviçit, shqiptarët e Kosovës i kundërvihen përmes një lëvizjeje paqësore për pavarësi. Disa ditë pas përfundimit të Seminarit (më 7 shtator) delegatët e kuvendit të atëhershëm të mbledhur në Kaçanik e shpallin Kosovën republikë në kuadër të ish-federatës jugosllave. Rezultati i referendumit për pavarësinë që mbahet një vit më pas nuk njihet ndërkombëtarisht. Zgjedhjet parlamentare në maj të vitit 1992 Camaj nuk i përjetoi më. Përmes pranimit të shkrimtarit emigrant (deri më atëherë të shpallur persona non grata në ish-Jugosllavi) si anëtar nderi të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës (pas vendimit të marrë prej saj për të pezulluar çdo ndalim autorësh shqiptarë) dhe tematikës së seminarit për ndërlidhjet e kulturës shqiptare me atë europiane, Kosova që vizitoi Camaj me rrugët e mbushura plot ushtarë, ofronte simbolikën e rëndësishme të tanësisë së letërsisë shqipe dhe posaçe të përkatësisë së saj në kontekstin europian. Brenda kësaj simbolike duhet vendosur dhe kumtesa që Camaj mban në Seminar me titull Letërsia arbëreshe në kontekstin evropian[7]. Nuk është hera e parë që perspektiva gjithëpërfshirëse në studimin e letërsisë arbëreshe është objekt i studimit filologjik nga ana e tij.[8]

Në esenë për Gëten Tomas Man shkoklit raportet e dijetarit të madh me politikën, demokracinë dhe kulturën gjermane në tërësi dhe i qaset para së gjithash në mënyrë kritike historisë së Gjermanisë, koncepteve të kulturës dhe identitetit, veçanërisht në kontekstin e së shkuarës naziste, gërmadhat e së cilës, gërmadhat e gurëve dhe të shpirtrave siç i quan ai, shihen me sy dhe preken me dorë ngado që shkon. Madje edhe dy shtëpitë e Gëtes në Frankfurt dhe Vajmar, të bombarduara gjatë luftës, u desh të ndërtoheshin njëfarësoj me rastin e festimeve të 200 vjetorit. Çoroditjes së shkaktuar nga ndjesia e largimit pa kthim, shkëputjes, çrrënjosjes, Tomas Man i përballëvë besnikërinë karshi gjuhës gjermane, atdheut të marrë me vete në mërgim, “atdheut të vërtetë dhe të pabjerrshëm nga i cili nuk kishte mundur ta dëbonte dot asnjë pushtetar”[9] si dhe arratisjen në botën e fantazisë, të fabulimit, të trillimit, të artit, arratisje pa të cilën, siç thotë ai, nuk do të dinte si të jetonte.[10] E megjithatë, si të gjithë shkrimtarët gjermanë të asaj kohe që u larguan në mërgim të detyruar, edhe atë e bren frika nga tëhuajëzimi, nga moskuptimi në të njëjtën gjuhë me lexuesin, shkëputja e dhunshme me të cilin shkrimtarët emigrantë i vuri përpara një dileme hamletiane. Nëse ai apo Lion Fojtvanger (Feuchtwanger) mundën të jetonin nga letërsia e tyre edhe në mërgim, Breht (Bertolt Brecht) apo Franc Verfel (Franz Werfel) pjesërisht, shumica e shkrimtarëve emigrantë, për shembull Jozef Rot (Joseph Roth), Ernst Toler (Ernst Toller), Klaus Man (Klaus Mann) apo Ana Zegers (Anna Seghers), nuk e patën më këtë mundësi, megjithë veprat e rëndësishme që shkruan në mërgim. Për më tepër çrrënjosja e dhunshme, frika e tëhuajëzimit dhe shkëputja nga lexuesi i çoi një pjesë të tyre jo vetëm në depresion, por deri në vetëvrasje, edhe kur kishin arritur të krijonin një farë stabiliteti ekonomik, siç ishte rasti i Cvajgut (Stefan Zweig).

Vizita e Camajt në Kosovë përcillet nga Zëri i Amerikës, konkretisht nga gazetari Idriz Lamaj, me njoftime për aktivitetin e tij gjatë qëndrimit të atjeshëm dhe me një intervistë të shkurtër.[11] Në intervistëne gjerë që vijon pas kthimit në Gjermani[12], në intervistën dhënë Anton Berishës në të njëjtin vit[13] si dhe në intervistën e bërë nga Alfonso Sarno një vit më pas[14], Camaj i qaset ndër të tjera raportit të shkrimtarit në mërgim me gjuhën, shkëputjes së dhunshme nga lexuesi, rolit të intelektualit në proceset demokratike dhe veçanërisht perspektivës gjithëpërfshirëse lidhur me letërsinë shqipe, duke pasur parasysh këtu inkuadrimin e autorëve të ndaluar për arsye politike. Edhe për Camajn atdheu i vërtetë mbetet gjuha, fjala shqip, duke theksuar se poeti mërgimtar, nëse “don me mbetë ashtu si ashtë, merr frymë përmes gjuhës amtare dhe sheh dita ditës si fjalët e saj shtyhen në nënvetëdije e harrohen. Gjysma e jetës kalon në kërkimin e fjalës së vet të humbun. Ai bie në një vorbull e sillet rrethas dhe del andej kur kujtohet se bashkë me të, me poetin, ka mërgue edhe fjala.“[15] Në këto kushte, “shkrimi bahet terapi psikologjike”[16] dhe Camaj e quan fat të madh posedimin e kësaj mundësie për t’u shprehur. Në një letër drejtuar Idriz Lamajt ai thekson se nga letërsia “ka pasë gjithçka, edhe vullnetin për me jetue.”[17] Shkëputja e dhunshme  nga lexuesi është brenga që e shoqëron Camajn gjithë jetën. Ndalimin e veprës letrare, “pa gjygj”, ai e cilëson si “dënimin ma të madh që mund t’i bahet një autori që shkruen në gjuhën e popullit të vet”[18]. Edhe pranimin si anëtar nderi në Shoqatën e Shkrimtarëve të Kosovës e shikon si një hap logjik për ribotimin e veprave letrare të botuara në mërgim, gjë që do t’i sjellë kontaktin aq të dëshiruar me lexuesin. Në një letër që i dërgon mikut të tij Gjon Sinishtës, një muaj para vizitës në Kosovë, Camaj shprehet se nuk e interesojnë asfare lëvdatat, por kryekreje ky kontakt.[19]

Zgjedhjen e diktuar nga dhuna e fakteve për të mos u kthyer në vitin 1933 nga udhëtimi i punës në Gjermaninë e Hitlerit, por pa dyshuar asnjëherë në fundin e regjimit nazist, Tomas Man e shpjegon jo vetëm si kusht për t’i shpëtuar përndjekjes politike, të cilën e kishte të garantuar, por dhe si një vendim të ndërgjegjshëm për të ruajtur integritetin e tij moral dhe artistik, duke i krijuar vetes kësisoj mundësinë t’i kundërvihet intelektualisht ideologjisë naziste. Këtë kundërvënie ai e bëri jo vetëm me letërsinë që shkroi, por në mënyrë aktive dhe me publicistikën e tij, konkretisht me fjalimet e mbajtura në BBC. Për këdo që kishte sy të shikonte, regjimit nazist i lexohej lufta në ballë, do të shprehej autori qysh në krye të herës në këto fjalime. Akuzës se e kundroi luftën nga lozha komode e Amerikës, shkrimtari i përgjigjet në fjalimin për Gëten, se asnjëherë nuk e ka parë veten jashtë fajit të madh të popullit të tij dhe tragjedisë që erdhi nga pakti me djallin, duke theksuar, se edhe pse jo çdo gjerman është fajtor, përgjegjësia është e të gjithëve. Nga kjo perspektivë si bashkëfajtor, ai nuk përpiqet aspak ta anashkalojë të vërtetën e hidhur dhe të dhimbshme të katastrofës gjermane, mjerimin gjerman. Madje duke bërë një hap më tej, ai vë gishtin mbi plagë dhe thekson se përballimi me shkaqet që çuan në këtë katastrofë do të jetë po kaq i dhimbshëm sa lufta e humbur dhe duhet bërë pa kompromise. Në kësi rastesh, shprehet ai, duhet t’i vësh gjoksin fatit. “Dhe unë po i dal përballë miqësisë dhe urrejtjes. Miqve, për të mos i lënë në baltë, armiqve, për të mos zgjuar ndjesinë se po u fshihem”.[20] Thënia e së vërtetës nuk të bën medoemos mik me bashkëkohësit. Aq më tepër në një kohë fill pas katastrofës, kur gjermanët donin gjithqysh ta harronin, ta kapërdinin, mundësisht pa e copëtuar dhe aq më pak tretur të kaluarën e tyre poshtëruese. Qasja historike me të shkuarën në Gjermani në të vërtetë filloi vetëm në vitet 1986-87 me debatin publik të historianëve[21], kurse “mysafiri nga Kalifornia”, siç thirrej me qesëndi Tomas Man në Gjermaninë e pasluftës u akuzua nga një pjesë e madhe e bashkëkohësve të tij si i ftohtë dhe pa zemër.

Vendimi i Camajt 23 vjeçar për t’u arratisur nga atdheu nuk ka si të kuptohet tjetërlloj përveçse si një zgjedhje kundër sistemit komunist. Në të tri intervistat e sipërpërmendura, kur komenton rënien e komunizmit dhe fundin e diktaturës, Camaj thekson në mënyrë të përsëritur se nuk është njeri i politikës, por kjo nuk do të thotë aspak që nuk është njeri politik[22]. Këtë dallim ai e shpjegon me faktin se nuk është vënë në shërbim të politikës së një rryme apo ideologjie, por është interesuar për fatet e njeriut dhe në veprën e tij letrare “instinktivisht, pa paragjykime ideologjike, ka marrë anën e individit, e njeriut kall i vetëm”[23], duke mos i pranuar heronjtë, as në poezi, as në jetë, por duke i mëshuar faktit njerëzor se është më se e natyrshme, që dhe heronjtë të kenë frikë.[24] Ndonëse ka qenë i bindur për fundin e diktaturës komuniste, Camaj pohon megjithatë se nuk e ka besuar që do ta përjetonte personalisht këtë kohë.[25] Proceset e demokratizimit në Shqipëri pas rënies së komunizmit ai i vendos në një perspektivë gjithëpërfshirëse në kuadër të zhvillimeve që janë duke ndodhur në të gjithë Europën Lindore, duke theksuar rolin e intelektualëve si në proceset e demokratizimit në Shqipëri, ashtu dhe në luftën paqësore të shqiptarëve në Kosovë.[26] Konkretisht për rolin e tij si intelektual në situatën aktuale, përveçse përmes letërsisë, Camaj shprehet, se i ftuar të japë shpjegime për çështje politike që nuk i përkasin lëmit të tij, është i detyruar të merret edhe me to, “të dalë nga lëvozhga”, por duke u kufizuar në informimin për realitetin.[27] Lidhur me të kaluarën ai pozicionohet fare qartë për ta kujtuar dhe për t’u ballafaquar me të, për të falur, por jo për të harruar.[28]

Pesë vitet e para pas luftës shkrimtarëve emigrantë në Gjermani pothuajse nuk iu kushtua asnjë vëmendje. Tomas Man, së bashku me të vëllanë Hajnrih Man (Heinrich Mann), apo Bertold Breht dhe Ana Zegers ishin raste të rralla të një pranimi të pjesshëm. Shumë nga emigrantët, edhe ata që u kthyen, mbetën në hije duke mos mundur asesi të integrohen në skenën letrare. Rimarrja dhe integrimi i tyre në letërsinë gjermane vijoi ngadalë dhe në mënyrë individuale, në lidhje me përkatësitë e tyre politike dhe krahas debatit për të kaluarën naziste dhe shkaqet që çuan në katastrofën kombëtare. Gjermania e ndarë politikisht ishte truall shumë i përshtatshëm për ta ushqyer artificialisht pranimin me etiketa ideologjike, gjë që pengonte dhe vononte trupëzimin e kësaj pjese të rëndësishme të letërsisë gjermane në kuadrin e tërësishëm të saj. Në vitet 60 filloi rizbulimi dhe ribotimi i shkrimtarëve emigrantë, kurse në periudhën 1970-1980 përmes punimeve dhe monografive të veçanta shkencore u mundësua institucionalizimi i letërsisë së mërgimit (në gjermanisht: Exilliteratur). Kanonizimi në historinë e letërsisë gjermane duke i inkuadruar shkrimtarët emigrantë në tekstet shkollore dhe në literaturën universitare u arrit vetëm në vitet 90, ndërsa sot kjo letërsi e mërgimit, me autorët e saj të vegjël dhe të mëdhenj, trajtohet si rryma letrare qendrore e shekullit të 20-të.

Vendin e shkrimtarëve emigrantë Camaj e shikon në kuadrin gjithëpërfshirës të letërsisë shqipe. Ai problematizon ndarjen tash 45 vjet të letërsisë shqipe në Shqipëri, Kosovë dhe Perëndim, duke i mëshuar faktit që sistemi stalinist në Shqipëri arriti të pengojë kontaktin e natyrshëm të këtyre tri grupeve.[29] Zhvillimi i realizmit socialist në një situatë të izoluar në Shqipëri (ai e quan madje shtet-rrethim) dhe burokratizimi i autorëve sjell sipas tij “një stagnacion kronik”, dhe kështu “qet krye diletantizmi, mosdallimi i talentit nga autorë të patalentuem, numri i të cilëve shtohet nga pesëvjeçari në pesëvjeçar.”[30] Për letërsinë kosovare Camaj vë në dukje kushtet jonormale të lindjes së saj dhe zhvillimin jashtëzakonisht specifik, duke theksuar, se “iu desht të çohet në kambë me fuqi të veta fill mbas lindjes”[31]. Duke folur për letërsinë shqipe në Perëndim, ai shprehet se letërsia shqipe si e tillë, “tue nisë te ajo ma e vjetra”, ka lindur në Perëndim. Letërsia e mërgatës për të është në vijim të një pjese të madhe të veprave të Rilindjes të shtypura në mërgim, si dhe të krijimit poetik arbëresh, i cili pas vdekjes së Skiroit (1930), u ringjall me letërsinë e mërgatës (përmes Dushko Vetmos nga fundi i viteve 50) në “tribunën e përbashkët”[32] të Shêjzave. Tri apo një letërsi, shtron pyetjen Camaj në përfundim të analizës së tij. Kësaj pyetje ai i përgjigjet shumë qartë: “natyrisht një” [33], duke i mëshuar faktit se kusht për kapërcimin e “ndasive apo dallimeve përçase ka me qenë ‘harmonizimi’ i ndryshmënisë në përmbajtje e forma edhe në letërsi.”[34] Në kuadrin e këtij harmonizimi ai shikon dhe lidhjen e “fillit të këputun të traditës letrare”[35] në rastin e receptimit të autorëve të ndaluar. Në mënyrë shumë largpamëse, në një artikull të botuar në vitin 1967 tek Shêjzat, Camaj kishte vënë në dukje vështirësitë për periodizimin e letërsisë shqipe, pikërisht për shkak të tytësisë së krijuar nga ky fill i këputun, nga përjashtimi artificialisht i disa autorëve. [36]

Opinioni publik lidhur me personalitetin e Tomas Manit për vizitën e tij të parë në Gjermaninë e ndarë ishte tepër kontrovers[37], duke mos ia kursyer cilësimet në të dy kahet, nga emigranti, tradhtari, amerikani, spiuni, mysafiri nga Kalifornia, deri tek komunisti, interesaxhiu, i shituri. Me sa duket jo vetëm Gëte kishte aftësinë të bashkonte. Mediokriteti dhe mendjengushtësia ngjajnë të jenë gjithashtu një emërues i përbashkët në Gjermaninë e pasluftës, pavarësisht nga drejtimi politik. Lidhur me opinionet e skajshme për veprën dhe personalitetin e tij, Tomas Man shprehet në esenë për Gëten, se në këtë rast nuk është më fjala për kritikë letrare. Luftën kundër tij në mënyrë tejet largpamëse ai e quan një mollë sherri ndërmjet dy ideve të Gjermanisë, duke i mëshuar faktit se debati rreth personit të tij në fakt është debati për të ardhmen e vendit[38]. Në një anketim me titullin domethënës Thomas Mann and others[39], organizuar në vitin 1947 nga autoritetet ushtarake amerikane në Bavari lidhur me kthimin e intelektualëve emigrantë për të kontribuar në procesin e denazifikimit dhe në rindërtimin e vendit, shumica e të anketuarve shprehen kundër kthimit të tyre. Në krye të radhës Tomas Man cilësohet si i padëshiruar.

Duke folur për diskutimet me shkrimtarët shqiptarë në Kosovë gjatë vizitës atje, në intervistën e dhënë fill pas mbërritjes në Gjermani, Camaj shpreh drojën nga moskuptimi dhe tëhuajësimi, sepse “nuk ashtë e lehtë të jesh i kuptuem kur vjen prej një bote tjetër, me përvoja fare të ndryshme jetësore e kulturore.”[40] Po të kemi parasysh faktin që edhe sot pas 35 vjetësh krijimtaria letrare e Camajt dhe e atyre që u ndaluan për arsye politike megjithatë nuk është përcjellë denjësisht dhe thellësisht nga kritika (!) dhe rrjedhimisht as përtypur nga lexuesi, të cilit pak ose aspak i është ndërmjetësuar, frika e moskuptimit dhe tëhuajtjes, e shprehur nga Camaj, është më se e përligjur.

Lexuesi i kësaj reviste me siguri e kujton debatin e hapur pesë vite më parë për dosjen Camaj.[41] Edhe tek Camaj, ashtu si në rastin e Tomas Manit, nuk është fjala vetëm për veprën letrare (ajo zuri vend pak ose aspak në debat), por më gjerë për personalitetin e një shkrimtari. Emocionaliteti i fryrë dhe realisht pa përmbajtje, nuk bën gjë tjetër veçse fsheh mosnjohjen dhe nxjerr në pah paaftësinë për t’u përballur edhe me kundërshti dhe ambivalenca, nëse vërtet janë të tilla, në jetën e një personaliteti intelektual. Qasja e diferencuar karshi tij, lyp jo vetëm një perspektivë më të gjerë në analizë, por në të njëjtën kohë kushtëzohet dhe nga emancipimi, në kuptimin më të gjerë të këtij koncepti, i shoqërisë shqiptare. Për t’iu përmbajtur zgjerimit të perspektivës së synuar në krye të këtij syzimi, botimi i ditarëve të Tomas Manit, 20 vjet pas vdekjes së tij (1975), qe një sfidë për shoqërinë gjermane. Prirjet homoseksuale, ambivalencat dhe kontradiktat në jetën private dhe politike e lëkundën ndjeshëm imazhin e nobelistit, por përballja me kufijtë e zgjeruar të qasjes ndikoi në ravijëzimin e një perceptimi të ri dhe më të nuancuar të shkrimtarit në fjalë, i cili absolutisht nuk çmohet më pak në këtë perceptim të ri, përkundrazi.

Në përmbyllje të këtij syzimi të shkurtër le t’i vëmë përballë njëri-tjetrit dy mjeshtrit e fjalës për t’i shijuar në zejen e tyre. Në faqet e fundit të romanit Rrathë Camaj përshkruan vdekjen nga infarkti të Bacit apo Folkloristit. Një vdekje e beftë, detajet e së cilës shtrihen të ndërkallura në tri-katër faqe[42].

Ndonëse ngjitja ishte mjaft e vutë, Folkloristi ecte mundshëm. Tha me vete se aq mundshëm nuk paskej ecë në jetë dhe u ndal në çdo kthesë për t’u shlirue prej frymës që po i plaste dërrasën e krahnorit dhe brijët. […] Shi në ato fjalë krisën në katund një rresht shtimjesh me armë zjarrmi, pa rregull, ashtu si plasin gështenjat e njoma në prush. Folkloristi u zbe si ta kishin marrë dikund në trup ata plumba dhe puçërriza djersësh ia rinë ballin. […] Zemra i rrahte pa rregull në parzëm dhe kumbonte si me dashë të gjejë një shteg për të dalë. – Edhe unë gjithë ditën qëndrova pranë kronit …edhe ndoj plumb mund të më ketë marrë … Dhe shtrëngonte në grusht anën e majtë. – Si kafshim bishe … tmerr! – Fshani i mbytun në djersë dhe pyeti: – Kush do të jetë dorasi? […] Shtrëngoi me duer kryet e leshtë të ujkut që thellë e ma thellë ia ngulte dhambët në parzëm e sndjeu ma gja. U ba gurë e krejt sy pau fare qartë se heroi i qëlluem me shtizë në parzëm, me shtizë druni, u rrëzue e ra përdhe në gjakun e vet.

Një vdekje e beftë është dhe ajo e Tomas Budenbrokut në sagën familjare me të njëjtin emër, sagë që i dha famë autorit të saj qysh në moshën 25 vjeçare. Diagnoza në këtë rast është goditje në tru dhe fillon me një heqje dhëmbi, dhimbja e të cilit në fakt fsheh shkakun e vërtetë (e ashtuquajtura sindroma Budenbrok në hapësirën gjermanishtfolëse). Përshkrimi është tepër lakonik, por me një simptomatikë të qëlluar. Edhe më vonë, veçanërisht përmes figurës së dr. Berensit (Behrens) në Malin magjik, Tomas Man do të ofrojë njohuri terminologjike dhe një procedurë diagnostikimi çarmatosëse për nga thellësia dhe saktësia.

Të shkonte në shtëpi dhe të prehej, të përpiqej të flinte. Dhimbja e vërtetë e nervit me sa duket ishte mpirë, duke i lënë pas në gojë një pelte të errët djegëse. Drejt e në shtëpi… Ai filloi të ecë ngadalë përgjatë rrugëve, duke iu përgjigjur mekanikisht përshëndetjeve që i drejtoheshin, me një vështrim përsiatës dhe të pasigurt, sikur të ishte duke u menduar se si ndjehej në të vërtetë. Mbërriti në rrugën Gropa e Peshkatarëve dhe filloi të ecë më tej. Pas njëzet hapash ndjeu t’i përzihej. Do të hyj në lokalin përballë për të pirë patjetër një konjak, mendoi duke përshkuar rrugën e shtruar. Kur arriti në mes të saj, i ndodhi sa vijon. Iu duk sikur një forcë e parezistueshme ia ngërtheu trurin dhe me një shpejtësi gjithnjë e më të madhe, marramendëse, filloi t’ia rrotullonte në rrathë bashkëqendrorë të mëdhenj që erdhën duke u zvogëluar, dhe së fundmi ajo forcë ia përplasi atë me një egërsi të pamasë, brutale dhe të pamëshirshme kundër bashkëqendrës së ngurtë të atyre rrathëve… Ai bëri një gjysmërrotullimi dhe u përplas me krahët e hapur mbi kalldrëmin e lagësht.[43]

Një malësor dhe një aristokrat përshkruar me një kolorit të pashoq në drithërimën e fundit. Pikënisja e përbashkët është pikërisht regëtima e mbrame e jetës. I pari shuhet siç ka jetuar, në botën e heronjve të tij, i dyti përçon edhe në frymën e fundme një akullsi, që të bën të rrëqethesh duke ndjerë gati fizikisht lagështinë e plloçave të kalldrëmit. Ajo që mbetet në të dy rastet (për fat!) është gjurma e patjetërsueshme e stilit, në fakt pikënisja e vërtetë.

(c) 2025 Jonida Xhyra-Entorf. Të gjitha të drejtat janë të autores.


[1] Camaj, Martin (1991): Schirò dhe Pirandello. Në: Klosi, Ardian (botues): Shqipëria zgjim i dhimbshëm. Tiranë, f. 78.

[2] Në vitin 1930 Tomas Man mban në Berlin Fjalimin gjerman. Një thirrje arsyes (Deutsche Ansprache. Ein Appell an die Vernunft), si reaksion kundrejt shtatëfishimit të prezencës parlamentare të nazistëve në zgjedhjet e atij viti.

[3] Këtë përvojë Camaj do ta shtjellojë artistikisht në figurën e cubit apo ilegalit te romani Rrathë (1978), si dhe në atë të Vonit te Karpa (1987). Në një letër drejtuar Camajt, pasi ka marrë manuskriptin e romanit Karpa nga ky i fundit, Arshi Pipa shprehet: “I dashuni Martin, Karpa mbërrini shëndosh e mirë, lidhë e shtrëngue si i karposuni në shpellë (në mos gabohem, nga nji sy që i hodha poshshkrimit, romani asht storja e atij ilegalit të mshehun në shpellën e Drinit, që më ke pas kallzue” (Arkivi Monacensia në Mynih, letër e datës 30.09.1985).

[4] Në vitin 1848 në Kishën e Shën Palit u mblodh Asambleja e Parë Kombëtare Gjermane në përpjekje për të krijuar një kushtetutë dhe një demokraci të unifikuar, kurse themelimi i Republikës së Vajmarit në vitin 1919 në Teatrin Kombëtar Gjerman hodhi themelet e demokracisë parlamentare gjermane.

[5] Mann, Thomas (2011): Ansprache im Goethejahr 1949. Fischer e-books.

[6] https://telegraf.al/kulture/martin-camaj-pishtar-i-kultures-tone-kombetare/ (së fundi më 31.03.25, 12:34).

[7] Camaj, Martin (1995): Letërsia arbëreshe në kontekstin evropian. Në: Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Përmbledhje e ligjëratave dhe kumtesave të lexuara në seminaret XV e XVI – 1989 e 1990. Botuar nga Fakulteti i Filologjisë Prishtinë, f. 139–147.

[8] Për shembull në artikujt e mëposhtëm:

  • (1985): La letteratura arbëreshe nel quadro generale della letteratura albanese. Në: Le minoranze etniche e linguistiche. Atti del I. Congresso Internazionale. Palermo, f. 201–209.
  • (1991): Kontinuität von altererbten Motiven und Formen in der Arbëresh–Literatur. Në: Atti del Congresso Internazionale di Studi sulla Lingua, la Storia e la Cultura degli Albanesi d’Italia (Mannheim, 25-26 giugno 1987). Celuc–Rende, f. 67–73.
  • (1992): Il contributo degli italo–albanesi alla cultura europea. Në: Albanica 3-4, f. 45-49.

Në arkivin privat të Camajt gjenden dhe manuskriptet e dy ligjëratave të mbajtura në vitin 1988 po me këtë tematikë:

  • (maj 1988): Die Literatur der Italo-Albaner Kalabriens und Siziliens (ligjëratë e mbajtur në Universität Heidelberg, shënimi J. Xhyra-Entorf).
  • (dhjetor1988): Die Literatur der albanischen Minderheiten in Italien (ligjëratë e mbajtur në Italienisches Kulturinstitut München, shënimi J. Xhyra-Entorf).

[9] Mann, Thomas (2011): “dieser wahren und unverlierbaren Heimat […], aus der kein Machthaber mich vertreiben konnte.”

[10] Po aty.

[11] https://telegraf.al/kulture/martin-camaj-pishtar-i-kultures-tone-kombetare/ (së fundi më 31.03.25, 15:14)

[12] https://gazetashqiptare.al/2017/12/03/zbulohet-dokumenti-martin-camajt-vitit-1990-pse-nuk-pelqehet-letersia-ime-ne-shqiperi-cfare-duhet-vendit-tone/ (së fundi më 31.03.25, 15:25). Intervista gjendet dhe në arkivin privat të Camajt me titullin: Letërsia shqiptare dhe autorët e saj (Nga shënimet për një intervistë dhanë Zërit të Amerikës).

[13] Berisha, Nikë Anton (2021): Martin Camaj: “Letërsia ashtë jeta ime e vërtetë”. – 40 letra të tij – dhe teksti i bisedës i vitit 1990. Shkup, f. 115-130.

[14] Sarno Alfonso (1996): Por edhe heroi ka frike (nga Il giornale di Napoli. 11, VI.1991). Në: Jeta e re. Nr. 1, viti XL VII, f. 145-150.

[15] Camaj, Martin (1996): Jeta e re. Nr. 1, viti XL VII, f. 92.

[16] Sarno, Alfonso (1996), f.149.

[17] Arkivi Monacensia në Mynih, letër e datës 22.08.1989 drejtuar Idriz Lamajt.

[18] Berisha, Nikë Anton (2021), f. 118.

[19] Arkivi Monacensia në Mynih, letër e datës 27.06.1990 drejtuar Gjon Sinishtës.

[20] Mann, Thomas (2011): “Nun also ich stelle mich, der Freundschaft, dem Haß. Den Freunden, um sie nicht im Stich zu lassen, den Feinden, um den Anschein zu meiden, als verberge ich mich vor ihnen.“

[21] Vendimtar në këtë debat ishte botimi në vitin 1986 i librit të historianit Ernst Nolte E kaluara që nuk do të kalojë (Die Vergangenheit, die nicht vergehen will), në të cilin autori argumentonte se Holokausti ishte një reagim ndaj stalinizmit. Intelektualë si Jürgen Habermas, Hans Mommsen dhe Saul Friedländer e kundërshtuan ashpër këtë relativizim duke i mëshuar kulturës së kujtesës për atë çka ndodhi nga një perspektivë morale dhe politike.

[22] Berisha, Nikë Anton (2021), f. 119.

[23] https://gazetashqiptare.al/2017/12/03/zbulohet-dokumenti-martin-camajt-vitit-1990-pse-nuk-pelqehet-letersia-ime-ne-shqiperi-cfare-duhet-vendit-tone/ (së fundi më 31.03.25, 15:34).

[24] Sarno, Alfonso (1996), f. 149.

[25] https://gazetashqiptare.al/2017/12/03/zbulohet-dokumenti-martin-camajt-vitit-1990-pse-nuk-pelqehet-letersia-ime-ne-shqiperi-cfare-duhet-vendit-tone/ (së fundi më 31.03.25, 15:39).

[26] Sarno, Alfonso (1996), f. 147.

[27] Po aty, f. 147.

[28] Po aty, f. 149.

[29] https://gazetashqiptare.al/2017/12/03/zbulohet-dokumenti-martin-camajt-vitit-1990-pse-nuk-pelqehet-letersia-ime-ne-shqiperi-cfare-duhet-vendit-tone/ (së fundi më 31.03.25, 15:45).

[30] Po aty, së fundi më 31.03.25, 15:50.

[31] Po aty, së fundi më 31.03.25, 15:55.

[32] Për mërgatën Camaj shprehet konkretisht, se një pjesë e shkrimtarëve të saj gjeti strehim në universitetet e Europës dhe Amerikës Veriore, duke kontribuar kësisoj në letërsi (nën ndikimin edhe të rrymave moderne të kohës) dhe njëkohësisht në fushën e kërkimit filologjik (Martin Camaj, Ernest Koliqi, Arshi Pipa, Bardhyl Pogoni) ose vetëm në fushën e kërkimit filologjik (Namik Resuli, Stavro Skëndi, Jakob Marlekaj).

[33] https://gazetashqiptare.al/2017/12/03/zbulohet-dokumenti-martin-camajt-vitit-1990-pse-nuk-pelqehet-letersia-ime-ne-shqiperi-cfare-duhet-vendit-tone/ (së fundi më 31.03.25, 16:01).

[34] Po aty, së fundi më 31.03.25, 16:06.

[35] Arkivi privat i Camajt: Aktualizimi i poezisë fishtiane. Kumtesë e përgatitun për t’u lexue para Shoqatës „At Gjergj Fishta“ më 23 tetor 1991 në Shkodër.

[36] Camaj, Martin (1967): Pikpamje rreth periodizimit të letërsisë shqipe. Në: Shêjzat 5-8, f. 269.

[37] Vaget, Hans Rudolf (2014): Der Unerwünschte. Thomas Mann in Nachkriegsdeutschland. Në: Klostermann, Vittorio: Thomas Mann Jahrbuch, 2014, vëll. 27, f. 17-31.

[38] Mann, Thomas (2011).

[39] Jost, Hermand & Wigand, Lange (1999): Wollt ihr Thomas Mann wiederhaben? Deutschland

und die Emigranten. Europäische Verlagsanstalt, Hamburg.

[40] https://gazetashqiptare.al/2017/12/03/zbulohet-dokumenti-martin-camajt-vitit-1990-pse-nuk-pelqehet-letersia-ime-ne-shqiperi-cfare-duhet-vendit-tone/ (31.03.25, 16:16).

[41] Shih më gjerë arkivin e revistës Pejzazhe të fjalës, korrik 2020.

[42] Camaj, Martin (1978): Rrathë (=Biblioteka shqipe 1). Selbstverlag. München, f. 266-270.

[43] Mann, Thomas (2002): Buddenbrooks. Verfall einer Familie. Roman. Fischer. Frankfurt a.M., f. 749: „Nach Hause und ruhen, zu schlafen versuchen. Der eigentliche Nervenschmerz schien betäubt, es war nur ein dunkles schweres Brennen in seinem Munde. Nach Hause also … Und er ging langsam durch die Straßen, mechanisch Grüße erwidernd, die ihm dargebracht wurden mit sinnenden und ungewissen Augen, als dächte er darüber nach, wie ihm eigentlich zu Mute sei. Er gelangte zur Fischergrube und begann zu gehen. Nach zwanzig Schritten befiel ihn eine Übelkeit. Ich werde dort drüben in die Schänke treten und einen Cognac trinken müssen, dachte er und beschritt den Fahrdamm. Als er etwas die Mitte derselben erreicht hatte, geschah ihm Folgendes. Es war genau als würde sein Gehirn ergriffen und von einer unwiderstehlichen Kraft mit wachsender, fürchterlich wachsender Geschwindigkeit in großen, kleineren und immer kleineren konzentrischen Kreisen herumgeschwungen und schließlich mit einer unmäßigen, brutalen und erbarmungslosen Wucht gegen den steinharten Mittelpunkt dieser Kreise geschmettert … Er vollführte eine halbe Drehung und schlug mit ausgeschreckten Armen auf das nasse Pflaster.“/ (Përkthimi: Jonida Xhyra-Entorf)/KultPlus.com.

‘Mënyra më e sigurt për të kuptuar nëse mund t’i zësh besë dikujt është t’i japësh besim’

Thënie të mençura nga Ernest Hemingway

Të gjithë njerëzit që mendojnë janë ateistë.

Burrëria është një mjeshtëri e vështirë, vetëm pak veta ia dalin.

Mënyra më e sigurt për të kuptuar nëse mund t’i zësh besë dikujt është t’i japësh besim.

E nis duke kërkuar një borxh e përfundon duke kërkuar lëmoshë.

Bota është një vend i mirë, për të cilin ia vlen të luftosh.

Preferoj një armik të vërtetë në vend të shumë miqve që kam njohur.

Njeriu nuk është bërë për t’u mposhtur. Një njeri mund të vritet, por jo të mposhtet.

Nëse ti nuk më do, s’prish punë, unë jam i aftë të dua për dy.

Sot është vetëm një ditë për të gjitha ditët që do të vijnë. Por ajo që do të ndodhë në të gjitha ditët që do të vijnë, mund të varet nga ajo që do të bësh sot.

Jemi të gjithë çirakë në këtë zanat ku nuk bëhemi dot kurrë mjeshtra.

Për shkak të shkujdesjes sonë, të gjitha fjalët e kanë humbur mprehtësinë e tyre.

Kur fjalët janë tepër, asgjë nuk ka më shije.

Të gjithë librat e mirë ngjasojnë në faktin se janë më të vërtetë se ç’mund të ishte realiteti.

Të mos mendohet kurrë që lufta, ndonëse e nevojshme apo e justifikueshme, nuk është krim.

Është më e thjeshtë të jetosh nën një regjim sesa ta luftosh atë.

Të moshuarit nuk bëhen të urtë, bëhen të kujdesshëm.

Nuk është koha të mendosh për gjërat që nuk ke. Mendo se ç’mund të bësh me ato që ke.

Nuk e tha me zë të lartë, pasi e dinte që nëse i thua, gjërat e mira nuk ndodhin.

Femrat mund të jenë mikesha të mrekullueshme, por që miqësia të ketë një bazë, para së gjithash, duhet që të jesh i dashuruar me një femër tjetër./KultPlus.com

Hasan Tahsini, shkencëtari dhe veprimtari i çështjes kombëtare

Më 7 prill të vitit 1811 lindi Hasan Tahsini (1811-1881), filozof, astronom, matematicien e psikolog, një ndër personalitetet më të shquara të Rilindjes Kombëtare.

Tahsini ka qenë rektori i parë i Universitetit të Stambollit dhe njëri nga themeluesit e Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare. Tahsini mbahet si njëri nga mendimtarët më të mëdhenj të Perandorisë Osmane në shekullin e 19-të.

Lindi në fshatin Ninat të Konispolit, ku mori mësimet e para. Vijoi shkollimin në një nga medresetë më të njohura të Stambollit. U caktua rektori i parë i Universitetit të porsahapur të Stambollit (1870). Veprimtaria e Hasan Tahsinit për përhapjen e diturive shkencore, që ishin në kundërshtim me qëndrimin e autoriteteve shtetërore e fetare të kohës, ra në sy; ai u shkarkua nga detyra e rektorit dhe u përzu nga Universiteti.

Hasan Tahsini qe një ndër veprimtarët më aktiv të Rilindjes Kombëtare. Qysh në vitin ’60, në bashkëpunim dhe me atdhetarë të tjerë, si Kostandin Kristoforidhi, filloi të mendojë dhe të veprojë për krijimin e shoqërive që do të punonin për përhapjen e diturisë midis Shqiptarëve dhe për hartimin e një alfabeti të ri të gjuhës shqipe.

Hasan Tahsini u përndoq e u burgos për veprimtarinë e tij atdhetare nga fanatikët e njerëzit mendjembyllur, por ai nuk u largua nga bindjet shkencore dhe nga rruga e tij për zhvillimin e kulturës dhe për afirmimin e kërkesave kombëtare të shqiptarëve./atsh/KultPlus.com