Mesditë gushti

Poezi nga Rozafa Shpuza

Mesditë gushti

Vjen nji çast
kur askush s’e vëren gjethnajen bri trotuarit
teksa kërcen nji valle absurde
pa krye e pa fund…
Asht zheg i pabojë
e kur hija zgjatet pertej rrugicës
kryet ma shkel trafiku zaçjerrë i qytetit
me trumë shterpe në vend të semaforit
destinue me sjellë fat,
si patkoi që nana pat varë sipër derës
ditën kur kumonët lajmëruen shiun.
Gjurmët e mirazheve ngujue n’asfaltin e përzhitun,
ju përgjasin tatuve ndër krahë ushtarësh vetmitarë
kurse patkoi i ndryshkun n’oborr
rreket me risjelle ritnim e jareve
që nana na i këndonte si ninullë netve
kur gjinkalla plaste prej lakmisë…/KultPlus.com

Përkujtohet akademiku i shquar Eqrem Çabej

Më 6 gusht 1908 lindi në Turqi, akademiku i shquar shqiptar, Eqrem Çabej.

Studimet fillore i kreu në Gjirokastër. Më pas kreu shkollën e mesme në Klagenfurt dhe pasi braktisi fakultetin e mjekësisë në Romë, u regjistrua në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Gracit, e më pas në Universitetin e Vjenës, në Austri, ku dhe përfundoi studimet.

Me kthimin e tij në Shqipëri dha mësim në gjimnazin e Shkodrës, në Shkollën Normale të Elbasanit, në Liceun e Tiranës, si dhe punoi për një kohë të shkurtër në Ministrinë e Arsimit.

Më 1940 filloi punën ambicioze për hartimin e Atlasit Gjuhësor të Shqipes. Pas Luftës II Botërore ishte anëtar i Institutit të Shkencave e më pas pedagog në Universitetin e Tiranës dhe anëtar themelues e akademik në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.

Çabej u specializua në gjuhësinë krahasuese indo-evropiane. Veprimtarinë shkencore e shtjelloi në gjuhësi, por edhe jashtë saj, në folklor, etnografi dhe histori të letërsisë. Vend zënë studimet etimologjike dhe leksikologjike historike, dialektologjia e onomastikës si edhe kodifikimi i gjuhës letrare. Çabej ka dhënë një ndihmë të çmuar me një varg sqarimesh etimologjike gjatë hartimit të Fjalorit të Gjuhës Shqipe të botuar në Tiranë, më 1980. Eqrem Çabej është dekoruar me urdhrin “Nderi i Kombit”.  Ai ndërroi jetë pak ditë pas ditëlindjes së tij të shtatëdhjetë e dytë, më 13 gusht të vitit 1980, në një klinikë të Romës./atsh/KultPlus.com

31 vjet nga vdekja e poetit Esad Mekuli

Sot mbushen plot 31 vite nga vdekja e poetit Esad Mekuli, shkruan KultPlus.

Esad Mekuli lindi ne Plavë më 17 dhjetor të vitit 1916. Ishte poet dhe përkthyes shqiptar. Më 1949 themeloi revistën letrare “Jeta e re”, kryeredaktor i së cilës ishte deri më 1971. Ai kreu doktoraturën në Beograd më 1959.

Si student përparimtar ai u burgos në vitin 1940 dhe qëndroi në burgun famëkeq “Gllavinjaqa”, prej nga u amnistua me 2 prill të vitit 1941.

Pas daljes nga burgu u paraqit vullnetar dhe punoi si veterinar ushtarak në Pejë. Këtu në vitin 1942 e burgosën për shkak të punës ilegale dhe bashkëpunimit me lëvizjet çlirimtare.

Ka qëndruar i burgosur në Kullën e Sheremetit. Pas lirimit, ai u gjend herë në Zagreb, herë në Tiranë, madje edhe në Itali. Esad Mekuli ishte kryetari i parë i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, nismëtar, themelues dhe kryetar i parë i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

Esad Mekuli vdiq në Prishtinë me 6 gusht 1993./ KultPlus.com

Masterplani për Kompleksin “Adem Jashari”, Kurti: Veprën e familjes Jashari do ta shndërrojë në përjetësi botëror

Sot u prezantua propozimi fitues për zhvillimin e master planit të Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Me këtë rast, i ftuar si folës kryesor ishte Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

Në fjalën e tij hyrëse, kryeministri Kurti cilësoi se Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz është vendi më i rëndësishëm i kujtesës kombëtare, e konceptuar si Oda e Kombit ku ne rikthehemi që të kujtojmë çmimin dhe rrënjët e lirisë të cilën e gëzojmë sot.

“Jemi shumë të lumtur, që ky Master Plan do të hartohet nga një ekip ekspertësh ndërkombëtar me përvojë shumë dekadëshe. Me padurim pres të përcjellë së bashku me të gjithë ju, prezantimin e propozimit fitues, me bindjen që ky propozim do të ofrojë një interpretim dinjitoz e gjithëpërfshirës, për rrëfimin e historisë së familjes Jashari” tha ai, para se të shtonte se rrëfim i cili do të tejkalojë barrierat kohore të brezit tonë dhe ato hapësinore të vendit tonë, dhe kujtimin për veprën heroike të familjes Jashari, do ta shndërrojë në përjetësi botërisht.

Sipas këtij propozimi, Kompleksi Memorial “Adem Jashari”, i shtrirë në një hapësirë prej 450 hektarë, do të marrë pamjen dhe trajtën e një peizazhi historik kompleks, në të cilin vizitat do të jenë udhëtime në tërë historinë e Jasharëve të Prekazit: nga gjenealogjia te strukturat e familjeve; nga tradita e rezistencës te kultura e patriotizmit; nga stërvitjet ushtarake në Shqipëri dhe rrethimi i parë i familjes së Shaban Jasharit më 1991 te themelimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës; nga aksionet e para të armatosura te vetë organizimet e grupeve të armatosura; nga betejat e para të UÇK-së në Klysyrë dhe te Gjashtë Lisat deri te rrethimi i dytë i 22 janarit 1998; dhe veçanërisht nga rrethimi i tretë dhe qëndresa e 5, 6 dhe 7 marsit 1998 që shënoi vetë Epopenë e UÇK-së te trashëgimia e gjithë çfarë përfaqëson Adem Jashari, familja Jashari dhe historia e tyre deri sot, për çlirim dhe shtetndërtim të vendit tonë nga populli ynë, përshkroi kryeministri.

“Nuk do të kursejmë asgjë për të ndërtuar një kompleks memorial të rëndësishëm ndërkombëtarisht, i cili do të pasqyrojë dinjitetshëm dhe me një nivel të lartë artistik, qëndresën dhe luftën e popullit për liri dhe drejtësi, pavarësi dhe bashkim, ashtu siç e meriton figura e Adem Jasharit dhe e familjes Jashari”, tha në fund të fjalës së tij kryeministri.

Në këtë ngjarje të pranishëm ishin edhe pjesëtarë të familjes Jashari, Baca Rifat e Bekim Jashari, krahas anëtarëve të shumtë të kabinetit, Kryetarit të Komunës Skenderajt, deputetëve të Kuvendit, përfaqësuese të Universitetit të Prishtinës, anëtarëve të Komitetit ndërministror dhe të Komisionit të Ekspertëve të Kompleksit Memorial “Adem Jashari”.

Në emër të familjes Jashari, Bekim Jashari tha se hartimi i projektit të Kompleksit Memorial “Adem Jashari”, është një hap i shumëpritur për të parandaluar dëmtimin edhe më të madh të kullave, që dikur ishin të babës Shaban, por siç tha ai sot janë të gjithë shqiptarëve. Ai u shpreh se ndërtimi i Kompleksit Memorial “Adem Jashari” është obligim ndaj mijëra vizitorëve nga trojet shqiptare që e vizitojnë Prekazin dhe kthehen të mbushur me krenari por nuk e fshehin as dëshirën e madhe që të shohin një kompleks të konservuar, një muze funksional dhe modern dhe me hapësira më të mëdha për të kaluar kohë me familjet e tyre. Bekim Jashari shtoi se me këtë kompleks le t’i tregojmë botës për historinë tonë të lavdishme, t’i dëshmojmë për luftën e drejt dhe jetën e re që kemi ndërtuar si një shoqëri demokratike, shembull për shtetet dhe shoqërinë në rajon.

Konsorciumi fitues përbëhet nga ndërmarrje ndërkombëtare Gerber Architekten Internacional nga Gjermania, Donald Insall Associates nga Mbretëria e Bashkuar, dhe Barker Langham nga Mbretëria e Bashkuar, të cilat kanë një përvojë të gjatë në zhvillimin e projekteve anembanë botës: në fushën e projektimit të arkitekturës dhe inxhinierisë, të konservimit, planifikimit hapësinor, kurimit e muzealizimit, ndër të tjera.

Kontrata e nënshkruar parasheh hartimin e projekteve e planeve, ideore e zbatuese, gjithsej 21 produkte, ku përfshihen Master Plani për tërë Kompleksin Memorial; Projektet e Konservimit dhe Interpretimit të Kullave të Rezistencës, dhe monumenteve tjera në kuadër të kompleksit; Programin kuratorial; Planet e hollësishme rregulluese; Projektet për Fabrikën e Municionit dhe Gardën Ceremoniale të Forcave të Sigurisë së Kosovës.

Puna në hartimin e këtyre planeve e projekteve, është parashikuar të realizohet brenda 22 muajve. Paralelisht me hartim të planeve, do të nisë edhe zbatimi i projekteve të përfunduara.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

E nderuara Familje Jashari,

I dashuri Baca Rifat,

I nderuari Bekim Jashari,

Të nderuar Zëvendëskryeministra, Donika Gërvalla-Schwarz dhe Emilija Redzepi,

I nderuar z. Hajrulla Çeku, Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit,

Të nderuar ministra e anëtarë të Kabinetit tonë Qeveritar,

I nderuar, z. Ardian Gola, Kryetari i Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport,

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës,

I nderuari Ambasador Jörn Rohde, Ambasadori i Republikës Federale Gjermane në Republikën e Kosovës,

I nderuari z.Fadil Nura, Kryetar i Komunës së Skenderajt,

Të nderuar përfaqësues të Institucioneve publike,

Të nderuar zëvendësministra,

Të nderuar përfaqësues të Universitetit të Prishtinës e profesionistë të tjerë,

Të nderuar anëtarë të Komitetit ndërministror dhe të Komisionit të Ekspertëve të Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz,

Të nderuar drejtues dhe profesionistë të kompanive nga konsorciumi fitues i konkursit ndërkombëtar,

Të nderuar punonjës të medieve,

Të nderuar mysafirë të pranishëm,

zonja dhe zotërinj,

Jemi mbledhur sot për një nga proceset më të rëndësishme dhe më delikate të Republikës sonë, atë të Ruajtjes dhe Prezantimit të Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Në Kompleksin Memorial, në Prekazin historik, aty ku ruhen gjurmët e veprës historike e heroike të familjes Jashari, ne kthehemi e rikthehemi që të kujtojmë dhe përkujtojmë çmimin dhe rrënjët e lirisë të cilën e gëzojmë sot. Prekazin historik e vizitojmë për të mësuar dhe evokuar me krenari historinë e familjes Jashari, e cila mund të përmbledhet në një simbolikë të thjeshtë patriotike, atë të deklaratës së Shaban Jasharit në janar të vitit 1998: “Unë kam vetëm një shtëpi dhe nuk kam ku shkoj prej saj.” “Shtëpia” në traditën tonë nuk nënkupton vetëm ndërtesën, por bashkësinë e lidhur nëpërmjet farefisnisë, dhe në një kuptim më të gjerë “shtëpia” ka domethënien e vatrës ose të atdheut. E mu për këtë, Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz është vendi më i rëndësishëm i kujtesës kombëtare, e konceptuar si Oda e Kombit.

Vetëflijimi, sakrifica, vetëmohimi i familjes Jashari janë gurthemel i çlirimit të vendit tonë, dhe për më tepër janë shembull botëror i flijimit për liri.

Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është ngjarja historike si konkretësi universale.

Duke marrë parasysh rëndësinë e detyrës, me përgjegjësinë më të madhe, kemi ndërmarrë të gjitha hapat që ky projekt, i ruajtjes dhe i prezantimit të kujtesës së familjes Jashari, të trajtohet me ndjeshmëri dhe përgjegjësi të lartë, me një qasje profesionale e multi-diciplinare, nga historia, monumentaliteti, peizazhi kulturor e natyror, deri te vlerësimi profesional teknik dhe institucionalizimi i memories kolektive.

Komiteti Ndërministror ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm drejt zbatimit të Ligjit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, që siguron mbrojtjen e vlerave që i përfaqëson ky vend, duke filluar nga:

– Vlerësimi i gjendjes fizike dhe qëndrueshmërisë së ndërtesave brenda kompleksit memorial, nga inxhinierët më të mirë të Kosovës, profesorët e nderuar të Fakultetit të Ndërtimtarisë në Universitetin e Prishtinës; tutje

– Zbatimi i ndërhyrjeve konsoliduese në strukturat e rrezikuara brenda kompleksit, nga institucionet përgjegjëse të Ministrisë së Kulturës, Rinisë, Sportit, dhe Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale; mandej,

– Përmes vlerësimit profesional dhe ndërhyrjeve emergjente të realizuara në kompleks, gjendja e sigurisë së ndërtesave të rrezikuara brenda kompleksit është përmirësuar; pastaj, –

Kemi themeluar Komisionin e Ekspertëve, të përbërë nga ekspertët kombëtar e ndërkombëtar, të cilët kanë përgatitur hulumtimin shumë-sektorial dhe vizionin për master planin e kompleksit; më tutje, –

Në bazë të detyrës projektuese të hartuar nga Komisioni i Ekspertëve, dhe të miratuar në Qeverinë e Republikës së Kosovës, në maj të vitit të kaluar kemi shpallur konkursin ndërkombëtar për hartimin e Master Planit të Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz; –

Pas një periudhe të vlerësimit, ku kemi përfshirë profesionistë nga institucionet tona publike e nga Universiteti i Prishtinës, sot kemi propozimin fitues të master planit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, që zë një hapësirë të gjithmbarshme prej 450 hektarësh në fshatin Prekaz.

Me kujdes të shtuar e durim, i kemi përcjellë të gjithë hapat deri tani, dhe pas nënshkrimit të Kontratës për Hartim të Master Planit, do të vazhdojmë me veprimet përkatëse për realizimin e Planeve e Projekteve përbërëse të Master Planit. Kemi ndarë burime financiare dhe kemi angazhuar ekip të profesionistëve, në mënyrë që të sigurohemi që Hartimi i Master Planit të zhvillohet me efikasitet e sipas dinamikës së paraparë brenda afatit kohor.

Jemi shumë të lumtur, që ky Master Plan do të hartohet nga një ekip ekspertësh ndërkombëtar me përvojë shumë dekadëshe. Me padurim pres të përcjellë së bashku me të gjithë ju, prezantimin e propozimit fitues, me bindjen që ky propozim do të ofrojë një interpretim dinjitoz e gjithëpërfshirës, për rrëfimin e historisë së familjes Jashari. Rrëfim i cili do të tejkalojë barrierat kohore të brezit tonë dhe ato hapësinore të vendit tonë, dhe kujtimin për veprën heroike të familjes Jashari, do ta shndërrojë në përjetësi botërisht.

Synimi sipëror i këtij projekti është që kur ai të ketë përfunduar, Kompleksi Memorial “Adem Jashari” të ketë marrë pamjen dhe trajtën e një peizazhi historik kompleks, në të cilin vizitat do të jenë udhëtime në tërë historinë e Jasharëve të Prekazit: nga gjenealogjia te strukturat e familjeve; nga tradita e rezistencës te kultura e patriotizmit; nga stërvitjet ushtarake në Shqipëri dhe rrethimi i parë i familjes së Shaban Jasharit më 1991 te themelimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës; nga aksionet e para të armatosura te vetë organizimet e grupeve të armatosura; nga betejat e para të UÇK-së në Klysyrë dhe te Gjashtë Lisat deri te rrethimi i dytë i 22 janarit 1998; dhe veçanërisht nga rrethimi i tretë dhe qëndresa e 5, 6 dhe 7 marsit 1998 që shënoi vetë Epopenë e UÇK-së te trashëgimia e gjithë çfarë përfaqëson Adem Jashari, familja Jashari dhe historia e tyre deri sot, për çlirim dhe shtetndërtim të vendit tonë nga populli ynë.

Sepse gjithë çfarë kishte të shenjtë njeriu i kombit tonë, dhe kombi ynë prej njeriut, kishte zbritur mbi supet e Adem Jasharit, për t’u ruajtur dhe bartur deri në ditët e sotme dhe te gjeneratat e ardhshme që do të vijnë pas nesh.

Nuk do të kursejmë asgjë për të ndërtuar një kompleks memorial të rëndësishëm ndërkombëtarisht, i cili do të pasqyrojë dinjitetshëm dhe me një nivel të lartë artistik, qëndresën dhe luftën e popullit për liri dhe drejtësi, pavarësi dhe bashkim, ashtu siç e meriton figura e Adem Jasharit dhe e familjes Jashari.

Ju faleminderit!

Gonxhja: Një trio perfekte në natën e katërt të “Porto Palermo Festival”

Nata e katërt e “Porto Palermo Festival” u përmbyll magjishëm në Kalanë e Ali Pashë Tepelenës me një performancë artistike të papërsëritshme nga sopranoja lirike Inva Mula, pianisti dhe kompozitori i mirënjohur Genc Tukiçi dhe violinisti virtuoz Olen Cesari.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ndau në rrjetet sociale foto nga ky event i cili mbështetet nga MEKI.

“Një trio perfekte, një harmonizim i një shpirti të vetëm. Alkimia e tyre në skenë, e kultivuar me vite bashkëpunimi dhe përkushtimi të thellë, i fali publikut një përvojë drithëruese dhe të mbushur me tinguj që prekin shpirtin”, vlerësoi Gonxhja.

Ministri bëri të ditur se programi muzikor, mjeshtërisht i përgatitur nga artistët, përfshiu interpretime të këngëve shqiptare dhe të huaja në gjuhë të ndryshme.

“Siç shprehen edhe vetë artistët, ‘muzika nuk ka pasaportë, është ndërkombëtare’”, tha Gonxhja, ndërsa ftoi qytetarët që të bashkohen në netët e ardhshme për të përjetuar këtë magji muzikore.

Organizohet për të tretin vit radhazi Festivali i peshkatarëve, sjell në vëmendje këtë sektor të ekonomisë

Festivali i Peshkatarëve i organizuar për herë të parë në qytetin e Pogradecit solli për 3 ditë radhazi në vëmendje këtë sektor të rëndësishëm të ekonomisë.

Puna e peshkatarëve shqiptarë e parë në shumë dimensione është sjellë përgjatë 3 ditëve përmes ekspozitave të fotografisë, stendave të peshkut, gatimeve tradicionale duke u ndërthurur edhe me mbrëmje muzikore ku këngëtarë të njohur të skenës shqiptare performuan për pjesëmarrësit. Me një shumëllojshmëri të prodhimeve të detit por edhe liqeneve peshkatarët e Pogradecit, Prespës dhe Shkodrës u bënë bashkë në këtë organizim që për ta konsiderohet mjaft i rëndësishëm sepse sjell punën e tyre në vëmendje jo vetëm të banorëve por edhe turistëve

Për Organizatorët synimi është që ky festival të kthehet në një traditë të përvitshme duke sjellë një ndërthurje të artit, kulturës, dhe traditës së peshkimit vendas.

Si rrallëherë mbrëmjet muzikore mbushën qendrën e Pogradecit me qytetarë e turiste duke sjellë edhe shumë emocione për artistët pjesëmarrës

Pogradeci mbetet një prej destinacioneve më të veçanta të turizmit shqiptar ku gjithkush mund ta gjejë veten duke pushuar buzë liqenit të Ohrit, duke shijuar natyrën, mikpritjen dhe gatimet e larmishme./KultPlus.com

Poshtë makeup-it dhe pas buzëqeshjes sime, unë jam thjesht një vajzë që lufton për botën

Marilyn Monroe, lindi në Los Anxhelos, më 1 qershor 1926. Ajo mposhti një fëmijëri të trazuar për t’u bërë një nga yjet më të famshëm të filmit dhe ikonat e kulturës pop të shekullit të 20-të. Ajo ishte një yll në ngjitje që na la shumë shpejt, por për kohën që shkëlqeu, Marilyn shkëlqeu më shumë se çdo kush.

Më poshtë janë 20 thëniet më të bukura të Marilyn Monroe për të ju frymëzuar edhe ju që të shkëlqeni.

Marilyn Monroe:

“Buzëqesh, jeta është e bukur dhe në të ka shumë arsye për të buzëqeshur.”

“E papërsosura është e bukur, çmenduria është gjeniale dhe është më mirë të jesh qesharak sesa i mërzitshëm.”

“Po të kisha zbatuar të gjitha rregullat, nuk do të kisha marrë asgjë.”

“Fakti se ju dështuat një herë nuk do të thotë që ju do të dështoni në çdo gjë.”

“Ne të gjithë jemi yje, dhe meritojmë të ndizemi.”

“Për të gjitha vajzat që mendojnë se jeni mbi peshë. Ju jeni të bukura. Shoqëria është e shëmtuar.”

“Karriera është e mrekullueshme, por ti nuk mund të puthesh me të në një natë të ftohtë.”

“Një vajze nuk i duhet askush që nuk ka nevojë për të.”

“Kur vjen puna për ta, le të mendojnë çfarë të duan. Nëse ata shqetësohen aq sa të mërziten për atë që bëj unë, atëherë unë jam më mirë se ata.”

“Ndonjëherë gjërat e mira largohen që gjëra më të mira të mund të bashkohen.”

“Ne duhet të fillojmë të jetojmë para se të plakemi. Frika është budallallëk. Po ashtu dhe pendimi.”

“Gjërat shkojnë edhe keq kështu që çmojini kur janë mirë.”

“Ndonjëherë ju duhet të vendosni kurorën për t’i kujtuar ata se me kë kanë të bëjnë.”

“Gjithmonë, gjithmonë, gjithmonë besoni te vetja. Sepse në qoftë se nuk e bëni ju, atëherë kush do ta bëjë, e dashur?”

“Dëshira për tu bërë dikush tjetër është humbja e asaj që je.”

“Poshtë makeup-it dhe pas buzëqeshjes sime, unë jam thjesht një vajzë që lufton për botën.”

“Sa gabim është që një grua të presë njeriun që do t’i ndërtojë botën që ajo dëshiron, në vend që ta krijojë vetë atë.”

“Unë jetoj për të fituar sukses, jo për t’ju kënaqur ju e as të tjerët.”

“Unë nuk ndalem kur lodhem. Ndalem kur realizohem.”

“Një nga gjërat më të mira që më ka ndodhur në jetë është fakti që jam femër. Kështu duhet të ndihen gjithë femrat.” / KultPlus.com

Muzeu “Gjergj Kastrioti”, 90 % vizitorë më shumë se një vit më parë

Muzeu “Gjergj Kastrioti” në Krujë, me një trashëgimi kulturore të pasur, është një nga atraksionet më të mëdha të turistëve që janë kuriozë për të njohur historinë e kombit tonë dhe në veçanti atë të heroit kombëtar, duke e bërë atë sot muzeun më të vizituar në Shqipëri, me plot 86,708 vizitorë vetëm në 7-mujorin e parë të vitit.

Shifrat i bëri publike sot, ministri i Ekonomisë, Kulturës e Inovacionit, Blendi Gonxhja, i cili përmes rrjeteve sociale ndau lajmin se vizitueshmëria e këtij muzeu, krahasuar me vitin 2023, është rritur me më shumë se 90%.

Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti” qëndron madhështor në një nga kalatë më epike të historisë shqiptare. Që në hyrje vizitorët prezantohen me skulpturën “Skënderbeu dhe Populli”, një vepër artistike që nderon unitetin e popullit në kohën e heroit tonë kombëtar. Trashëgimia e pasur e këtij muzeu tregohet duke nisur nga antikiteti me artefakte të 4 mijë viteve më parë, të cilat përfshijnë armë ilire, qeramika e monedha antike. Muzeu përmban materiale shpjeguese edhe të kohës së principatave arbërore, e historisë madhështore të Skënderbeut që tërheq gjithnjë e më shumë turistët, kuriozë për të njohur historinë./KultPlus.com

Helena

Poezi e shkruar nga Hajnrih Hajne

Më je betuar, deri në varr,
Me magjinë tënde më ke folur
Se do më duash tërë zjarr,
Po prapë mbetem i pangopur.
Gojën, te fytyra ime e ver,
Fryma jonë s’ka të sosur
Shpirtin tënd, do ta pi krejt
Të vdekshmit janë të pangopur./KultPlus.com

David Lynch zbulon se vuan nga emfizema, heq dorë nga sheshxhirimi

Regjisori David Lynch ka thënë që më nuk mund ta kryejë zanaitn e regjisë në sheshxhirim për shkak të problemeve të tij shëndetësore.

“Kam marrë emfizemë për shkak që kam tymosur duhan shumë gjatë, prandaj jam lidhur për shtëpie desha apo s’desha”, ka thënë Lynch për revistën Sight and Sound.

“Tani më nuk mund të dal, për shkak të COVID-it, do të ishte shumë keq për mua nëse do të sëmuresha”.

Sidoqoftë, ikona e filmit është shprehur i hapur të bëjë regjinë nga distanca nëse një gjë e tillë i mundësohet./KultPlus.com

Rekordi i kalasë në Gjirokastër, më shumë vizitorë dhe turistë se një vit më parë

Vazhdon rritja e numrit të vizitorëve në Kalanë e Gjirokastrës, e cila arrin sërish një rekord për periudhën 1 korrik-31 korrik 2024.

Vizitat turistike në Kalanë e Gjirokastrës kanë ardhur duke u rritur krahasuar me të njëjtën periudhë të dy viteve më parë. Rritja e muajit që lamë pas llogaritet në 13.78%, krahasuar me vitin 2023, ndërsa shifrat arrijnë në 116,35% nëse krahasohen me dy vjet më parë.

Turistët dhe vizitorët, thonë se e zgjedhin ta vizitojnë kalanë e  “qytetit të gurtë” për vetë historinë dhe veçantinë që mbart.

Që në hyrje të kështjellës gjendet galeria e topave dhe një koleksion i armëve që janë mbledhur që nga lashtësia e deri në Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore. Me vlerat që posedon, ajo është tejet atraktive për turistë nga mbarë bota.

Krahasuar me kalatë mesjetare të tjera të vendit, kjo kala është më e vogël nga sipërfaqja por ruhet në gjendje më të mirë. Gjerësia e saj është 75 m dhe gjatësia 500 m. Për t’u shtuar rezistencën mureve të kalasë janë ngritur pesë kulla të fuqishme. Gjirokastra është ndër qytetet më të bukura në jug të Shqipërisë, pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Simboli kryesor i qytetit është kalaja, e lidhur ngushtë me vetë qytetin. Ajo është e vendosur mbi një kodër, rreth 370 m mbi nivelin e detit./TopChannel/KultPlus.com

Letra

Poezi e shkruar nga Miguel Hernandes.

Nga një tryezë poste që kurrë s’mbetet shkretë
ku rrinë kujtimi, brenga zemra dhe heshtja vetë,
posi pëllumba letrat degdisen që me natë.
I ndiej tek flatrojnë për në shtegtim të gjatë.

Dhe ja, ku jam rrethuar me burra e me gra,
plagosur nga mungesat, nga ndarjet e mëdha.

Letra, pusulla, fjalë: që nisen në hapësirë, ëndrra ende pa çelur,
mendime ende pa gdhirë, të gjitha marrin rrugën drejt vatrës e drejt pragut,
si ndjenjë dërguar ndjenjës, si gjak dërguar gjakut.

Dhe po të jem nën tokë, që vdiqa ti mos thuaj, më shkruaj dhe nën tokë, se unë do të të shkruaj.
Një shtresë e trashë pluhuri mbulon letrat që s’duhen,
aty u zverdhën faqet, aty germat u shuhen,
aty humbasin radhët.

Ku mallet derdhur qenë, aty jep shpirt gëzimi.
Pasi cepat u brenë,aty rropaten thellë
(ç’varrezë e llahtarshme!)
hem ndjenjat e kaluara, hem dashuritë e tashme

Dhe po të jem nën tokë, që vdiqa ti mos thuaj, më shkruaj dhe nën tokë,
se unë do të të shkruaj.

Po kur të shkruaj unë do dridhet kallamari:
do skuqet bojë e zezë, me flakërima zjarri.
Se kur të shkruaj unë, do shkruajnë eshtrat e mia:
do shkruaj gjaku im gjithë gulç nga dashuria

Do marrë letra udhë, si shpend në zjarr kalitur,
me dy flatra të forta dhe një adresë të ndritur.
Si zog që për fole qiell- ajër do të ketë,
mishin, gishtërinjtë e tu dhe frymëmarrjen vetë.
Do mbetesh ti e zhveshur tek dridhesh me ngadalë,
e gatshme ta ndiesh letrën pas gjoksit tënd të valë.

Dhe po të jem nën tokë, që vdiqa ti mos thuaj, më shkruaj dhe nën tokë,
se unë do të të shkruaj.

Një letër dje kam parë sesi mbeti pa zot,
mbi sy tek i flatëronte dikujt që s’ngrihej dot.
Letrat që mbesin gjallë dhe për të rënë tregojnë:
që regëtijnë si njerëz, veç sy s’kanë të shikojnë.

Kur dhëmbëqenzit rriten, unë ndiej pranë veshit tim
ërmimn’ e letrës sate tamam si një gjëmim.
Dhe mos e marsha zgjuar, në gjumë do e marr atë letër.

SHBA akuzon TikTok për shkelje të privatësisë së fëmijëve

Aplikacioni për ndarjen e videove Tiktok dhe kompania e tij mëmë kineze ”ByteDance” nuk arritën t’i ndalonin fëmijët të bashkoheshin me platformën dhe mblodhën në mënyrë të paligjshme të dhënat e tyre personale, pretendon Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së në një padi të ngritur dje.

Departamenti, me Komisionin Federal të Tregtisë (FTC), ngriti një padi civile duke pretenduar shkelje të Ligjit për Mbrojtjen e Privatësisë në internet të Fëmijëve.

Akti i ndalon operatorët e faqeve të internetit që me vetëdije të mbledhin, përdorin ose zbulojnë informacione personale nga fëmijët nën moshën 13 vjeç, përveç nëse ata marrin pëlqimin nga prindërit e atyre fëmijëve.

Ai gjithashtu kërkon që operatorët e faqeve të internetit të fshijnë informacionin personal të mbledhur nga fëmijët me kërkesën e prindërve të tyre.

“Departamenti i Drejtësisë është i përkushtuar të mbështesë aftësinë e prindërve për të mbrojtur privatësinë e fëmijëve të tyre”, tha zëvendësndihmës Prokurori i Përgjithshëm, Brian Boynton, kreu i Divizionit Civil të Departamentit të Drejtësisë.

“Ky veprim është i nevojshëm për të parandaluar të pandehurit, të cilët janë autorë të përsëritur dhe veprojnë në një shkallë masive, nga mbledhja dhe përdorimi i informacionit privat të fëmijëve të vegjël pa asnjë pëlqim apo kontroll prindëror”, shtoi ai.

Tiktok tha në një deklaratë se nuk pajtohej me akuzat, duke deklaruar shumë të lidhura me ngjarjet dhe praktikat e kaluara që ishin faktikisht të pasakta ose ishin adresuar.

“Ne jemi krenarë për përpjekjet tona për të mbrojtur fëmijët dhe ne do të vazhdojmë të përditësojmë dhe përmirësojmë platformën”, thuhet në deklaratë.

Në vitin 2019, TikTok ra dakord të paguante 5,7 milionë dollarë për të zgjidhur akuzat e FTC kundër kompanisë paraardhëse të saj, ”Musical.ly”, në lidhje me mbledhjen e të dhënave nga fëmijët nën moshën 13 vjeç pa pëlqimin e prindërve.

TikTok është aktualisht i përfshirë në një betejë të veçantë ligjore në SHBA mbi një ligj të propozuar që do të detyronte një ndryshim të pronësisë./KultPlus.com

Dren Abazi Brand shfaqet në revisten prestigjioze ‘Vogue’

Në industrinë e ashpër konkurruese të modës, ku vëmendja është e kufizuar, shfaqja në një revistë prestigjioze si Vogue është një arritje e jashtëzakonshme. Këtë vit, Dren Abazi Brand, një label në rritje, ka zbukuruar faqet e këtij publikimi të njohur, duke shënuar një hap të rëndësishëm në skenën ndërkombëtare të modës, transmeton KultPlus.

Me një karrierë mbi 15-vjeçare, Dren Abazi është një artist i njohur për performancat e tij magjepsëse dhe personalitetin bindës. Gjatë gjithë rrugëtimit të tij artistik, një tipar i vazhdueshëm dhe në rritje ka qenë stili i tij i patëmetë, si në skenë ashtu edhe jashtë saj.

Rrugëtimi i Dren Abazi Brand filloi me pasionin për të krijuar dhe shijuar veshje të bukura. Me stilin unik të Drenit dhe kërkesën për veshje të gjithanshme që rezonojnë mirë, ajo u pa si një mundësi për të dizajnuar veshje që kalojnë pa mundim nga veshja e përditshme në raste të veçanta, duke përmbushur nevojat e ndryshme të komunitetit. Ky vizion i Dren Abazit për dizajnin dhe përkushtimi i tij për të ofruar veshje që ndërthurin elegancën dhe funksionalitetin kanë kontribuar në rritjen dhe njohjen e markës së tij në skenën ndërkombëtare.

Siç përshkruhet nga Vogue, Dren Abazi Brand ka arritur të spikasë në skenën botërore të modës. Pikat kryesore të Vogue:

“Brendi Dren Abazi, i krijuar nga këngëtari dhe kantautori Dren Abazi, ofron veshje sipas porosisë, të përshtatshme si për veshjet e përditshme ashtu edhe për raste të veçanta. E frymëzuar nga performanca dhe personaliteti i artistit, marka sjell një stil natyral dhe të gjithanshëm që ndërthur elegancën dhe funksionalitetin. Të gjitha pjesët janë 100% të prodhuara në Evropë.”

Pjesëmarrja në Vogue është një njohje e rëndësishme dhe një dëshmi e talentit të jashtëzakonshëm të Dren Abazi Brand. Ky sukses është një moment historik i madh për industrinë shqiptare të modës dhe një shembull frymëzues për markat e tjera që synojnë të depërtojnë në tregjet ndërkombëtare. Është një tregues i forcës dhe krijimtarisë që mund të dalë nga Shqipëria.
Për këtë markë evropiane, me qendër në Shqipëri, ka shkruar më parë edhe media britanike GQ Magazine./Albaniatech/KultPlus.com

Screenshot

Më fal trëndafil


Poezi nga Rifat Kukaj

Ç’po të buzqëshin petalet
Trëndafil bukurosh,
Si re të buta mbi male
Petalet që më shohin prore
Më ngjyrën rozë
Si npër qepallat qumështore

Më fal o mik për ngrysjen
Time dhe drithërime…
Unë do të t’shoh dhe verën tjetër
Po kurrë me sytë e nënës sime. / KultPlus.com

Inva Mula, Genc Tukiçi dhe Olen Cesari, koncert në kalanë e Porto Palermos

3 artistë nga më të njohurit e skenës shqiptare e botërore, performuan mbrëmjen e së dielës në kalanë e Porto Palermos.

Inva Mula, Genc Tukiçi e Olen Cesari ishin artistët që sollën koncertin e titulluar “The paths of love” (Shtigjet e dashurisë), në kuadër të Porto Palermo Festival.

Publiku duartrokiti gjatë dhe këndoi bashkë me artistët e mëdhenj.

Më herët pjesë e këtij edicioni të katërt të Porto Palermo Festival, u bënë artistët Marsela Çibukaj, Vitmar Basha, pop-artisti i mirënjohur Matthew Marston, i cili performoi nën shoqërinë e bass-istit shqiptar Ron Gjura, bateristit italian Stefano Corrias. Të gjithë artistët janë shoqëruar edhe prej ideatorit të këtij festivali, violinistit Olen Cesari.

Shumë prej artistëve, rikthehen për të disatën herë në PPF.

Edicioni i katërt i PPF nisi me një thirrje domethënëse të artit për mjedisin.

Olen Cesari bëri bashkë studentë dhe pedagogë, organiziata, grupe vullnetare, biznese por edhe pushuesit e plazhit të Porto Palermos që iu përgjigjën mesazhit “Preseving Our Sea 2” me shumë përkushtim, për të na kujtuar se plazhet, objektet e trashëgimisë historike e kulturore duhet t’i mbrojmë me përgjegjësi qytetare./atsh/ KultPlus.com

Energjia e BLLA BLLA BLLA dhe magjia e Asgjë Sikur Dielli në Prishtina Gastronomy Festival

Me një mbrëmje të mbushur me energji, Prishtina Gastronomy Festival u transformua në një skenë rock-u, duke mirëpritur dy nga grupet më të njohura të kësaj skene. Nata rock filloi me degustimet e produkteve të shijshme të HEINZ dhe shijimin e verës THERANDA wine.

Pjesa muzikore e mbrëmjes u hap me grupin “Asgjë Sikur Dielli” nga Prishtina. Ky grup i njohur për stilin e tyre të veçantë dhe performancat e gjalla, ngriti atmosferën me hitet e tyre të njohura, duke i bërë të gjithë të pranishmit të kërcenin dhe të këndonin së bashku.

Pas tyre, skena u pushtua nga grupin BLLA BLLA BLLA nga Shkupi. Këngët e tyre, të ndikuara nga realiteti dhe përjetimet e përditshme, krijuan një lidhje të veçantë me audiencën, duke bërë që mbrëmja të mbetet kujtim i vecantë. Energjia dhe pasioni i tyre për muzikën e bënë këtë performance unike.

Prishtina Gastronomy Festival vazhdon të ofrojë netë të veçanta dhe plot surpriza deri më 9 gusht në sheshin “Adem Jashari”. Bashkohuni me ne për më shumë muzikë, shije dhe argëtim!

Shpallet projekti fitues për konservimin dhe restaurimin e Shtëpisë së Kulturës në Runik

Fondacioni Hajde, Ministria e Kulturës dhe Komuna Skenderajt, kanë shpallur projektin fitues për konservimin dhe restaurimin e  Shtëpisë së Kulturës në Runik.

Ky projekt është cilësuar si një hap i rëndësishëm drejt rikthimit të Shtëpisë së Kulturës në Runik si një qendër bashkëkohore kulturore dhe një simbol i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore në vend.

Sipas një njoftimi ky vendim është marrë pas një pune disa mujore, projekt ky që paraqet një shembull të shkëlqyer të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve publike dhe komunitetit të pavarur.

“Procesi i punës për detyrën projektuese për ShKR ka nisur me organizimin e punëtorisë me komunitetin e fshatit të Runikut përmes të cilit janë identifikuar nevojat dhe dëshirat e komunitetit rreth së ardhmes së Shtëpisë së Kulturës. Më pas, janë organizuar takime të shumta me grupin tonë punues për finalizimin e detyrës projektuese bazuar në rekomandimet e nxjerra nga punëtoritë. Në përfundim, është hapur thirrja publike për projek-propozime përmes së cilës kemi pranuar tri projekte të cilat janë vlerësuar me kujdes nga juria profesionale. Sot, kemi kënaqësinë të shpallim vendimin unanim të jurisë: Vendi i parë-“ARS ATELIE” dhe vendi i dytë-“DIEFORM””, thuhet në njoftim.

Juria për përzgjedhjen e këtij projekti është përbërë nga ekspertë lokalë dhe ndërkombëtarë në fushën e Trashëgimisë Kulturore, Arkitekturës, Artit dhe Kulturës:

Donjetë Murati – Sociologe, Florina Jerliu – Prof. Asoc. Dr. në Fakultetin e Arteve, Universiteti i Prishtinës, Jürgen Mayer – Arkitekt dhe Artist, Petrit Halilaj – Artist dhe Themelues i Fondacionit Hajde, Merita Augustini – Udhëheqëse e Divizionit për Trashëgimi Arkeologjike dhe Arkitekturale dhe Sali Shoshi – Drejtor i CHWB.

Me këtë rast juria profesionale ka konklduar:

-Projekti fitues përputhet më së miri me ambicien e Fondacionit Hajde! për të krijuar një qendër ​​të hapur dhe dinamike për angazhim dhe shprehje kulturore dhe shoqërore në Runik.

-Propozimi respekton kujtesën kolektive dhe strukturën origjinale historike që ka mbetur nga Shtëpia e Kulturës së Runikut, duke e plotësuar me dimensione të reja që lehtësojnë mënyra bashkëkohore të ndërveprimit.

-Projekti është në harmoni me kushtet materiale në dispozicion, duke ftuar artikulime dhe përshtatje të reja përmes dialogut të ngushtë me komunitetet e Runikut.

-Projekti fitues ka potencialin të rrezatojë përtej Runikut, duke zgjeruar kuptimet kolektive se çfarë dhe për kë mund të jetë një hapësirë ​​publike./ KultPlus.com

Minatorët e `Trepçës`,vazhdojnë grevën, humbjet ditore minimum 40 mijë euro

Minatorët e ‘Trepçës’, vazhdojnë grevën për shkak se nuk i kanë marrë ende pagat e muajit qershor dhe korrik. E një ditë mos pune në Trepçë, sjell humbje minimum 40 mijë euro, thonë zyrtarët.

Minatorët e Trepçës kanë hyrë në javën e katër të grevës, me kërkesën për ekzekutimin e pagave, të cilat nuk i kanë marrë tash e dy muaj.

Humbjet nga mospuna në minierë, janë të mëdha, thotë drejtori i Minierës së Stantërgut, Shyqëri Sadiku. Duke folur për Radio Kosovën, Sadiku shpreson që shumë shpejt do të gjendet një zgjidhje për të filluar operimin dhe punën minatorët.

“Nuk ka ndonjë ndryshim deri në këto moment. Është një plan i veprimit që e kemi dërguar në qeveri, janë duke e shqyrtuar Ministria e Ekonomisë dhe ajo e Financave që sa më shpejt të miratohet ai plan i veprimit, ta quajmë plan emergjent dhe të dalim nga kjo situatë. Minimumi është diku 40 mijë euro humbje ditore brenda 24 orëve””, tha ai.

Ditë më parë, ekzekutivi është zotuar për angazhim në gjetjen e një zgjidhjeje, por duke theksuar se përkrahja financiare varet nga zotimi se do të ulen shpenzimet dhe do të rifillojë rritja e prodhimit.

Sidoqoftë, kjo nuk është hera e parë që minatorët mbesin pa paga për disa muaj dhe sindikata e punëtorëve kërkon një zgjidhje të menjëhershme. 

Media franceze ‘Easy Voyage’: Vendet më të bukura në Shqipëri që ia vlen të vizitohen

Shqipëria – destinacioni i ri nën radar – ofron një ndërthurje të vendeve arkeologjike, maleve dhe fshatrave tradicionale plot hijeshi, sipas një artikulli të botuar në revistën franceze të udhëtimeve “Easy Voyage”.

Vitet e fundit, turizmi në Shqipëri ka ardhur gjithnjë e më në rritje – dhe ky vend ballkanik është kthyer shpejt në destinacionin kryesor evropian.

I pasur në trashëgiminë e tij – historike dhe natyrore – Shqipëria kryeson mes vendeve të lashta arkeologjike.

Vendi mesdhetar është gjithashtu shtëpia e liqeneve dhe plazheve ku mund të pushoni këtë verë!

Liqeni i Ohrit

Liqeni i Ohrit – është një nga liqenet më të mëdha në Gadishullin Ballkanik dhe një nga liqenet më të vjetra në botë.

Pika më e thellë e liqenit është 289 metra. Liqeni i Ohrit furnizohet nga Liqeni i Prespës – i vendosur në juglindje – dhe derdhet në drejtim të veriut nëpërmjet lumit Drini i Zi.

Midis dy liqeneve ndodhet Parku Kombëtar i Galiçicës – i krijuar në vitin 1958 dhe i vendosur në masivin me të njëjtin emër.

Për t’u freskuar, nuk ka asgjë më të mirë se një nga plazhet e liqenit!

Plazhi i Progradecit – ndodhet në mes të qytetit dhe maleve që e rrethojnë atë në lindje dhe perëndim – dhe që shtrihen drejt horizontit – në të dy anët e brigjeve të liqenit.

Shijoni relaksin pranë liqenit me ujëra të pastra bruz.

Krahas ujërave të liqenit, do të keni mundësi të vizitoni edhe sitin arkeologjik të Linit.

Plazhet e Ksamilit

Ksamili, një fshat i vogël në jug të vendit, ndodhet mbi një istëm në zonën e mbrojtur të Parkut Kombëtar të Butrintit.

Ksamili është një vendpushim i njohur bregdetar – i cili ofron shumë plazhe ku mund të pushoni. Përreth zonës ndodhen disa ishuj të vegjël të pabanuar.

Në këto plazhe – ju mund të shijoni diellin në një shezlong, të pushoni nën hijen e çadrave të kashtës ose të notoni në ujërat e pastra bruz.

Në jug të istmit ndodhen rrënojat e bazilikës antike të Butrintit, ndërsa një nga ishujt strehon mbetjet e Kalasë së Ali Pashës.

Syri i Kaltër

Duke lënë Ksamilin në veri – dhe duke u ngjitur drejt maleve, rruga të çon në Syrin e Kaltër.

I vendosur në fund të luginës së Delvinës dhe Sarandës, liqeni njihet si një zonë e mbrojtur që nga viti 1996 – që përfshin 180 hektarë pyll përreth.

Për të shijuar plotësisht liqenin, vizitoni pjesën veriperëndimore – ku dominojnë ujërat e kristalta dhe bimësia e dendur.

Uji është aq i pastër sa mund të shihni florën që rritet në fund të lagunës. Për t’u relaksuar vizitoni restorantin “Syri i Kaltër” – i cili mban të njëjtin emër. 

‘Që ta kemi kujtim nga vendi juaj’: Të huajt të interesuar për suvenire në Gjirokastër

Në tregun e Gjirokastrës turistët të cilët janë nga vende të ndryshme, nuk eksplorojnë vetëm zonën historike, ata gjithashtu ndalen në dyqane të shumta që janë në atë zonë, dhe kryesisht blejnë suvenire.

“Unë jam nga Barcelona në Spanjë. Jam për herë të parë në Shqipëri. Nga ky vend veç suveniereve kam marrë edhe ëmbëlsira të ndryshme dhe gliko”, tha një turiste.

“Kemi ndaluar këtu për të marrë diçka që ta kemi kujtim nga vendi juaj”, u shpreh një tjetër, raporton Tvklan.al, transmeton Klankosova.tv.

Geraldina Canaj e cila tash e disa vitesh ka hapur dyqanin e saj me suvenire, ajo thotë se turistët më shumë tërhiqen nga prodhimet vendase.

“Turistët më shumë tërhiqen nga këto prodhime vendase, prodhimet e qeramikës, punimet me qëndisje, pra punime tradicionale gjirokastrite, këto i tërheqin më shumë”.

Gjirokastra është një nga qytetet më të vizituara të vendit dhe zgjidhet kryesisht për historinë dhe kulturën.

Gonxhja: 6 milion euro për Bylisin e Klosin, granti më i madh për sitet arkeologjike

Lajm të shkëlqyer e ka konsideruar ministri Blendi Gonxhja, miratimin e një granti për Bylisin, që siç e quan ai, është qyteti ilir par excellence. Ky është granti më i madh për një sit arkeologjik. Ministri i Ekonomisë, Kulturës e Inovacionit bëri të ditur se ditën e djeshme, në mbledhjen e Qeverisë, u miratua vendimi i Këshillit të Ministrave për miratimin e Planit të Menaxhimit të Parkut Arkeologjik të Bylisit dhe Klosit (2024-2029), 6 milionë euro, qendër vizitorësh, muze, vende të reja pune, infrastrukturë prezantimi, konservimi trashëgimie dhe mjedisi.

“Vëmendja dhe përkushtimi i MEKI-t, këtë rradhë, u fokusua tek Parku Arkeologjik i Bylisit dhe Klosit, në zëmër të Mallakastrës”, shkroi Gonxhja në rrjetet sociale.

Parku arkeologjik dhe plani i tij i menaxhimit, miratuar tashmë zyrtarisht, mbështetet nga projekti “BE për Zhvillimin Ekonomik – Zhvillim Ekonomik Lokal i Udhëhequr nga Turizmi me Fokus në Trashëgiminë Kulturore”.

Të shumta do të jenë aktivitetet e parashikuara në këtë plan menaxhimi në funksion të ruajtjes dhe restaurimit të pasurisë arkeologjike por edhe të nxitjes së ekonomisë lokale në dobi të komunitetit dhe turizmit kulturor. Plani përfshin vijimin e hulumtimeve dhe gërmimeve arkeologjike si edhe investime në punime civile e rrugë aksesi. Ky plan veprimi i drejtuar nga MEKI dhe institucionet e specializuara të tij, do të mbështetet në partneritetin e financimet e BE-së dhe zbatimin e Agjencisë Italiane për Bashkëpunim e Zhvillim (AICS).

Vizioni dhe qëllimi i planit të menaxhimit janë hartuar si vazhdimësi e punës shkencore dhe gërmimeve arkeologjike shumëvjeçare të realizuara nga Instituti i Arkeologjisë (IA) si dhe të punimeve konservuese e restauruese të kryera nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK) dhe institucioneve të tjera të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

Ministri i MEKI-t e konsideroi si, një tjetër vendim vizionar të qeverisë shqiptare me prioritet ruajtjen, menaxhimin dhe integrimin e trashëgimisë kulturore. Bylis, gjithashtu ka potencial të jashtëzakonshëm të kthehet në një promotor të zhvillimit ekonomik të vendit.

Ministri Gonxhja ka premtuar se Parku Arkeologjik i Bylis nuk është as i pari dhe s’do të jetë as i fundit. MEKI po harton planet e menaxhimit për parqet, sitet arkeologjike dhe qendrat historike, në zbatim të ligjit 27/2018 “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë” dhe në funksion të përmbushjes së Objektivave për Zhvillimin e Qëndrueshëm në fushën e trashëgimisë kulturore.

Kamala Harris nuk humb kohë, nis intervistimin e tre kandidatëve të mundshëm për nënpresident

Kandidatja demokrate për presidente Kamala Harris do të bëjë intervista të dielën në rezidencën e saj me tre kandidatët kryesorë për nënpresident: guvernatorin e Minesotas, Tim Walz, senatorin Mark Kelly nga Arizona, si dhe guvernatorin e Pensilvanisë, Josh Shapiro.

Zonja Harris pritet ta njoftojë ndoshta që të hënën përzgjedhjen e saj, përpara se të bëjë paraqitjen e parë publike së bashku me kandidatin për nënpresident gjatë një aktiviteti elektoral që pritet të mbahet të martën në Filadelfia. Ekipi i saj elektoral po planifikon gjithashtu një njoftim nëpërmjet mediave sociale, i thanë agjencisë së lajmeve Reuters zyrtarë në dijeni të çështjes.

Zonja Harris u takua të shtunën me grupin e punës që ka marrë në shqyrtim kandidaturat. Ndër anëtarët e grupit të punës është edhe ish-prokurori i përgjithshëm Eric Holder, firma ligjore e të cilit, “Covington & Burling LLP”, analizoi gjendjen financiare dhe historikun e kandidatëve. Zoti Holder dhe kolegët e tij paraqitën një përshkrim të detajuar të secilit prej kandidatëve, thanë persona në dijeni të procesit.

Zonja Harris bëri gjithashtu një takim 90-minutësh të premten me sekretarin e Transporteve, Pete Buttigieg. Kandidatët do të informohen ndoshta të hënën në mbrëmje, ose të martën në mëngjes nëse janë përzgjedhur.

Përzgjedhja e personit që do të kandidojë së bashku me të, është një ndër vendimet më të rëndësishme për karrierën politike të zonjës Harris, ndërsa po përpiqet të ngrejë me shpejtësi një fushatë elektorale për ta sfiduar ish-Presidentin Donald Trump në zgjedhjet e 5 nëntorit, pasi Presidenti Joe Biden u tërhoq nga kandidimi muajin e kaluar.

Kandidatët në listë janë të gjithë burra të bardhë, të cilët kanë tërhequr historikisht në zgjedhje votuesit në zonat rurale, të bardhët apo të pavarurit.

Vendimi që do të marrë zonja Harris do të ndikojë gjithashtu drejtimin e ardhshëm të Partisë Demokrate, duke fuqizuar edhe për zgjedhjet e tjera në të ardhmen, kandidatin që do të përzgjidhet tani.

Zoti Shapiro, një ndër kandidatët kryesorë, është përballur me kritika të ashpra nga e majta, në veçanti nga grupet progresiste dhe aktivistët pro-palestinezë, për mbështetjen që i jep Izraelit dhe për mënyrën se si menaxhoi protestat që u bënë në universitete për shkak të luftës në Gazë.

“Duhet korrigjuar politika për Gazën dhe duhet një axhendë politikash në favor të klasës punëtore, përfshirë një axhendë pro afrikano-amerikanëve”, tha Nina Turner, e cila ka qenë bashkëkryetare e fushatës elektorale të Bernie Sandersit në vitin 2020 dhe është gjithashtu studiuese në Institutin për Racën, Pushtetin dhe Ekonominë Politike, një organizatë kërkimore progresive. “Përzgjedhja e guvernatorit Shapiro do ta hiqte këtë mundësi”.

Ka patur gjithashtu pikëpyetje rreth mënyrës se si ai pati menaxhuar një ankesë për ngacmim seksual ndaj një ndihmësi të tij të hershëm. Gjithashtu, sindikata e Punëtorëve të Bashkuar të Automobilëve (UAW), e cila dha rishtazi mbështetjen për kandidimin për presidente të zonjës Harris, e ka kritikuar zotin Shapiro për thirrjet për të zgjeruar programet që mundësojnë kanalizimin e më shumë parave të taksapaguesve drejt shkollave private.

Disa organizma të tjera sindikale e kanë akuzuar zotin Kelly se ka kundërshtuar projektligje që ata thonë se do të fuqizonin sindikatat.

Shawn Fain, president i sindikatës UAW, tha se megjithë mbështetjen për kandidimin për presidente të zonjës Harris, sindikata e tij me 370 mijë anëtarë nuk mbështet kandidaturat e zotërinjve Kelly dhe Shapiro.

Zoti Walz është bërë ndër të preferuarit e progresistëve dhe grupeve të të rinjve, të cilëve u pëlqejnë kritikat që ai bën ndaj ish-Presidentit Trump.

Në moshën 60-vjeçare, zoti Walz është vetëm një vit më i moshuar se zonja Harris, por kritikët thonë se ai duket shumë më i moshuar, një disavantazh i mundshëm për fushatën elektorale, që po përpiqet të tejkalojë tërheqjen nga gara të Presidentit Biden për shkak të shqetësimeve për moshën e tij të madhe.

Zoti Walz iu përgjigj këtyre kritikave në rrjetin X, duke thënë se pamja e tij është e atillë për shkak se ka qenë mësues në shkollën e mesme dhe se ka “mbikqyrur mencën për 20 vite. Nuk largohesh nga ajo punë me flokë në kokë. Besomëni”, shkruajti ai./VOA/ KultPlus.com

Festa e Peshkatarëve, Rama ndan pamje nga Pogradeci

Qyteti liqenor i Pogradecit për 3 ditë me radhë u kthye në kryeqendrën e argëtimit dhe kulinarisë së peshkimit.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje live nga nata e tretë e edicionit të parë të Festivalit të Peshkatarëve Shqiptarë, që bëri bashkë aktorë të sekorit, po jo vetëm,  nga veriu në jug, për të ndarë eksperiencën e peshkimit, në një festë të madhe në qytetin liqenor.

“Pogradeci Live”  shkroi Rama.

Nata tretë e këtij eventi solli shumë emocione jo vetëm për pogradecarët por edhe turistët e huaj të cilët kishin mbushur odeonin plot dhe u përfshinë në valle duke kërcyer dhe kënduar me grupet artistike që performuan në këtë festë.

Për herë të parë Pogradeci u bë mikpritësi i këtij aktiviteti të veçantë.

Ky evenimet i mbështetur nga Shoqata e Peshkatarëve, bëri bashkë për tre netë në Odeonin e qytetit, jo vetëm profesionistët dhe të apasionuarit pas peshkimit, por edhe kuzhinierë, artistë të botës së muzikës dhe pikturës si dhe të ftuar specialë.

Festivali krijoi një atmosferë ndryshe për turistët dhe vizitorët që po frekuentojnë qytetin e bukur liqenor në këtë sezon vere.

Në Festivalin e Peshkatarëve Shqiptarë, muzika e mirë shkoi bashkë me degustimin e disa prej pjatave më tradicionale, ku korani i famshëm ishte kryefjala.

Festivali u zhvillua në datat 2, 3 e 4 gusht duke nisur kësisoj një traditë të bukur për qytetin e Pogradecit./atsh/ KultPlus.com