Rekordi i kalasë në Gjirokastër, më shumë vizitorë dhe turistë se një vit më parë

Vazhdon rritja e numrit të vizitorëve në Kalanë e Gjirokastrës, e cila arrin sërish një rekord për periudhën 1 korrik-31 korrik 2024.

Vizitat turistike në Kalanë e Gjirokastrës kanë ardhur duke u rritur krahasuar me të njëjtën periudhë të dy viteve më parë. Rritja e muajit që lamë pas llogaritet në 13.78%, krahasuar me vitin 2023, ndërsa shifrat arrijnë në 116,35% nëse krahasohen me dy vjet më parë.

Turistët dhe vizitorët, thonë se e zgjedhin ta vizitojnë kalanë e  “qytetit të gurtë” për vetë historinë dhe veçantinë që mbart.

Që në hyrje të kështjellës gjendet galeria e topave dhe një koleksion i armëve që janë mbledhur që nga lashtësia e deri në Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore. Me vlerat që posedon, ajo është tejet atraktive për turistë nga mbarë bota.

Krahasuar me kalatë mesjetare të tjera të vendit, kjo kala është më e vogël nga sipërfaqja por ruhet në gjendje më të mirë. Gjerësia e saj është 75 m dhe gjatësia 500 m. Për t’u shtuar rezistencën mureve të kalasë janë ngritur pesë kulla të fuqishme. Gjirokastra është ndër qytetet më të bukura në jug të Shqipërisë, pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Simboli kryesor i qytetit është kalaja, e lidhur ngushtë me vetë qytetin. Ajo është e vendosur mbi një kodër, rreth 370 m mbi nivelin e detit./TopChannel/KultPlus.com

Letra

Poezi e shkruar nga Miguel Hernandes.

Nga një tryezë poste që kurrë s’mbetet shkretë
ku rrinë kujtimi, brenga zemra dhe heshtja vetë,
posi pëllumba letrat degdisen që me natë.
I ndiej tek flatrojnë për në shtegtim të gjatë.

Dhe ja, ku jam rrethuar me burra e me gra,
plagosur nga mungesat, nga ndarjet e mëdha.

Letra, pusulla, fjalë: që nisen në hapësirë, ëndrra ende pa çelur,
mendime ende pa gdhirë, të gjitha marrin rrugën drejt vatrës e drejt pragut,
si ndjenjë dërguar ndjenjës, si gjak dërguar gjakut.

Dhe po të jem nën tokë, që vdiqa ti mos thuaj, më shkruaj dhe nën tokë, se unë do të të shkruaj.
Një shtresë e trashë pluhuri mbulon letrat që s’duhen,
aty u zverdhën faqet, aty germat u shuhen,
aty humbasin radhët.

Ku mallet derdhur qenë, aty jep shpirt gëzimi.
Pasi cepat u brenë,aty rropaten thellë
(ç’varrezë e llahtarshme!)
hem ndjenjat e kaluara, hem dashuritë e tashme

Dhe po të jem nën tokë, që vdiqa ti mos thuaj, më shkruaj dhe nën tokë,
se unë do të të shkruaj.

Po kur të shkruaj unë do dridhet kallamari:
do skuqet bojë e zezë, me flakërima zjarri.
Se kur të shkruaj unë, do shkruajnë eshtrat e mia:
do shkruaj gjaku im gjithë gulç nga dashuria

Do marrë letra udhë, si shpend në zjarr kalitur,
me dy flatra të forta dhe një adresë të ndritur.
Si zog që për fole qiell- ajër do të ketë,
mishin, gishtërinjtë e tu dhe frymëmarrjen vetë.
Do mbetesh ti e zhveshur tek dridhesh me ngadalë,
e gatshme ta ndiesh letrën pas gjoksit tënd të valë.

Dhe po të jem nën tokë, që vdiqa ti mos thuaj, më shkruaj dhe nën tokë,
se unë do të të shkruaj.

Një letër dje kam parë sesi mbeti pa zot,
mbi sy tek i flatëronte dikujt që s’ngrihej dot.
Letrat që mbesin gjallë dhe për të rënë tregojnë:
që regëtijnë si njerëz, veç sy s’kanë të shikojnë.

Kur dhëmbëqenzit rriten, unë ndiej pranë veshit tim
ërmimn’ e letrës sate tamam si një gjëmim.
Dhe mos e marsha zgjuar, në gjumë do e marr atë letër.

SHBA akuzon TikTok për shkelje të privatësisë së fëmijëve

Aplikacioni për ndarjen e videove Tiktok dhe kompania e tij mëmë kineze ”ByteDance” nuk arritën t’i ndalonin fëmijët të bashkoheshin me platformën dhe mblodhën në mënyrë të paligjshme të dhënat e tyre personale, pretendon Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së në një padi të ngritur dje.

Departamenti, me Komisionin Federal të Tregtisë (FTC), ngriti një padi civile duke pretenduar shkelje të Ligjit për Mbrojtjen e Privatësisë në internet të Fëmijëve.

Akti i ndalon operatorët e faqeve të internetit që me vetëdije të mbledhin, përdorin ose zbulojnë informacione personale nga fëmijët nën moshën 13 vjeç, përveç nëse ata marrin pëlqimin nga prindërit e atyre fëmijëve.

Ai gjithashtu kërkon që operatorët e faqeve të internetit të fshijnë informacionin personal të mbledhur nga fëmijët me kërkesën e prindërve të tyre.

“Departamenti i Drejtësisë është i përkushtuar të mbështesë aftësinë e prindërve për të mbrojtur privatësinë e fëmijëve të tyre”, tha zëvendësndihmës Prokurori i Përgjithshëm, Brian Boynton, kreu i Divizionit Civil të Departamentit të Drejtësisë.

“Ky veprim është i nevojshëm për të parandaluar të pandehurit, të cilët janë autorë të përsëritur dhe veprojnë në një shkallë masive, nga mbledhja dhe përdorimi i informacionit privat të fëmijëve të vegjël pa asnjë pëlqim apo kontroll prindëror”, shtoi ai.

Tiktok tha në një deklaratë se nuk pajtohej me akuzat, duke deklaruar shumë të lidhura me ngjarjet dhe praktikat e kaluara që ishin faktikisht të pasakta ose ishin adresuar.

“Ne jemi krenarë për përpjekjet tona për të mbrojtur fëmijët dhe ne do të vazhdojmë të përditësojmë dhe përmirësojmë platformën”, thuhet në deklaratë.

Në vitin 2019, TikTok ra dakord të paguante 5,7 milionë dollarë për të zgjidhur akuzat e FTC kundër kompanisë paraardhëse të saj, ”Musical.ly”, në lidhje me mbledhjen e të dhënave nga fëmijët nën moshën 13 vjeç pa pëlqimin e prindërve.

TikTok është aktualisht i përfshirë në një betejë të veçantë ligjore në SHBA mbi një ligj të propozuar që do të detyronte një ndryshim të pronësisë./KultPlus.com

Dren Abazi Brand shfaqet në revisten prestigjioze ‘Vogue’

Në industrinë e ashpër konkurruese të modës, ku vëmendja është e kufizuar, shfaqja në një revistë prestigjioze si Vogue është një arritje e jashtëzakonshme. Këtë vit, Dren Abazi Brand, një label në rritje, ka zbukuruar faqet e këtij publikimi të njohur, duke shënuar një hap të rëndësishëm në skenën ndërkombëtare të modës, transmeton KultPlus.

Me një karrierë mbi 15-vjeçare, Dren Abazi është një artist i njohur për performancat e tij magjepsëse dhe personalitetin bindës. Gjatë gjithë rrugëtimit të tij artistik, një tipar i vazhdueshëm dhe në rritje ka qenë stili i tij i patëmetë, si në skenë ashtu edhe jashtë saj.

Rrugëtimi i Dren Abazi Brand filloi me pasionin për të krijuar dhe shijuar veshje të bukura. Me stilin unik të Drenit dhe kërkesën për veshje të gjithanshme që rezonojnë mirë, ajo u pa si një mundësi për të dizajnuar veshje që kalojnë pa mundim nga veshja e përditshme në raste të veçanta, duke përmbushur nevojat e ndryshme të komunitetit. Ky vizion i Dren Abazit për dizajnin dhe përkushtimi i tij për të ofruar veshje që ndërthurin elegancën dhe funksionalitetin kanë kontribuar në rritjen dhe njohjen e markës së tij në skenën ndërkombëtare.

Siç përshkruhet nga Vogue, Dren Abazi Brand ka arritur të spikasë në skenën botërore të modës. Pikat kryesore të Vogue:

“Brendi Dren Abazi, i krijuar nga këngëtari dhe kantautori Dren Abazi, ofron veshje sipas porosisë, të përshtatshme si për veshjet e përditshme ashtu edhe për raste të veçanta. E frymëzuar nga performanca dhe personaliteti i artistit, marka sjell një stil natyral dhe të gjithanshëm që ndërthur elegancën dhe funksionalitetin. Të gjitha pjesët janë 100% të prodhuara në Evropë.”

Pjesëmarrja në Vogue është një njohje e rëndësishme dhe një dëshmi e talentit të jashtëzakonshëm të Dren Abazi Brand. Ky sukses është një moment historik i madh për industrinë shqiptare të modës dhe një shembull frymëzues për markat e tjera që synojnë të depërtojnë në tregjet ndërkombëtare. Është një tregues i forcës dhe krijimtarisë që mund të dalë nga Shqipëria.
Për këtë markë evropiane, me qendër në Shqipëri, ka shkruar më parë edhe media britanike GQ Magazine./Albaniatech/KultPlus.com

Screenshot

Më fal trëndafil


Poezi nga Rifat Kukaj

Ç’po të buzqëshin petalet
Trëndafil bukurosh,
Si re të buta mbi male
Petalet që më shohin prore
Më ngjyrën rozë
Si npër qepallat qumështore

Më fal o mik për ngrysjen
Time dhe drithërime…
Unë do të t’shoh dhe verën tjetër
Po kurrë me sytë e nënës sime. / KultPlus.com

Inva Mula, Genc Tukiçi dhe Olen Cesari, koncert në kalanë e Porto Palermos

3 artistë nga më të njohurit e skenës shqiptare e botërore, performuan mbrëmjen e së dielës në kalanë e Porto Palermos.

Inva Mula, Genc Tukiçi e Olen Cesari ishin artistët që sollën koncertin e titulluar “The paths of love” (Shtigjet e dashurisë), në kuadër të Porto Palermo Festival.

Publiku duartrokiti gjatë dhe këndoi bashkë me artistët e mëdhenj.

Më herët pjesë e këtij edicioni të katërt të Porto Palermo Festival, u bënë artistët Marsela Çibukaj, Vitmar Basha, pop-artisti i mirënjohur Matthew Marston, i cili performoi nën shoqërinë e bass-istit shqiptar Ron Gjura, bateristit italian Stefano Corrias. Të gjithë artistët janë shoqëruar edhe prej ideatorit të këtij festivali, violinistit Olen Cesari.

Shumë prej artistëve, rikthehen për të disatën herë në PPF.

Edicioni i katërt i PPF nisi me një thirrje domethënëse të artit për mjedisin.

Olen Cesari bëri bashkë studentë dhe pedagogë, organiziata, grupe vullnetare, biznese por edhe pushuesit e plazhit të Porto Palermos që iu përgjigjën mesazhit “Preseving Our Sea 2” me shumë përkushtim, për të na kujtuar se plazhet, objektet e trashëgimisë historike e kulturore duhet t’i mbrojmë me përgjegjësi qytetare./atsh/ KultPlus.com

Energjia e BLLA BLLA BLLA dhe magjia e Asgjë Sikur Dielli në Prishtina Gastronomy Festival

Me një mbrëmje të mbushur me energji, Prishtina Gastronomy Festival u transformua në një skenë rock-u, duke mirëpritur dy nga grupet më të njohura të kësaj skene. Nata rock filloi me degustimet e produkteve të shijshme të HEINZ dhe shijimin e verës THERANDA wine.

Pjesa muzikore e mbrëmjes u hap me grupin “Asgjë Sikur Dielli” nga Prishtina. Ky grup i njohur për stilin e tyre të veçantë dhe performancat e gjalla, ngriti atmosferën me hitet e tyre të njohura, duke i bërë të gjithë të pranishmit të kërcenin dhe të këndonin së bashku.

Pas tyre, skena u pushtua nga grupin BLLA BLLA BLLA nga Shkupi. Këngët e tyre, të ndikuara nga realiteti dhe përjetimet e përditshme, krijuan një lidhje të veçantë me audiencën, duke bërë që mbrëmja të mbetet kujtim i vecantë. Energjia dhe pasioni i tyre për muzikën e bënë këtë performance unike.

Prishtina Gastronomy Festival vazhdon të ofrojë netë të veçanta dhe plot surpriza deri më 9 gusht në sheshin “Adem Jashari”. Bashkohuni me ne për më shumë muzikë, shije dhe argëtim!

Shpallet projekti fitues për konservimin dhe restaurimin e Shtëpisë së Kulturës në Runik

Fondacioni Hajde, Ministria e Kulturës dhe Komuna Skenderajt, kanë shpallur projektin fitues për konservimin dhe restaurimin e  Shtëpisë së Kulturës në Runik.

Ky projekt është cilësuar si një hap i rëndësishëm drejt rikthimit të Shtëpisë së Kulturës në Runik si një qendër bashkëkohore kulturore dhe një simbol i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore në vend.

Sipas një njoftimi ky vendim është marrë pas një pune disa mujore, projekt ky që paraqet një shembull të shkëlqyer të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve publike dhe komunitetit të pavarur.

“Procesi i punës për detyrën projektuese për ShKR ka nisur me organizimin e punëtorisë me komunitetin e fshatit të Runikut përmes të cilit janë identifikuar nevojat dhe dëshirat e komunitetit rreth së ardhmes së Shtëpisë së Kulturës. Më pas, janë organizuar takime të shumta me grupin tonë punues për finalizimin e detyrës projektuese bazuar në rekomandimet e nxjerra nga punëtoritë. Në përfundim, është hapur thirrja publike për projek-propozime përmes së cilës kemi pranuar tri projekte të cilat janë vlerësuar me kujdes nga juria profesionale. Sot, kemi kënaqësinë të shpallim vendimin unanim të jurisë: Vendi i parë-“ARS ATELIE” dhe vendi i dytë-“DIEFORM””, thuhet në njoftim.

Juria për përzgjedhjen e këtij projekti është përbërë nga ekspertë lokalë dhe ndërkombëtarë në fushën e Trashëgimisë Kulturore, Arkitekturës, Artit dhe Kulturës:

Donjetë Murati – Sociologe, Florina Jerliu – Prof. Asoc. Dr. në Fakultetin e Arteve, Universiteti i Prishtinës, Jürgen Mayer – Arkitekt dhe Artist, Petrit Halilaj – Artist dhe Themelues i Fondacionit Hajde, Merita Augustini – Udhëheqëse e Divizionit për Trashëgimi Arkeologjike dhe Arkitekturale dhe Sali Shoshi – Drejtor i CHWB.

Me këtë rast juria profesionale ka konklduar:

-Projekti fitues përputhet më së miri me ambicien e Fondacionit Hajde! për të krijuar një qendër ​​të hapur dhe dinamike për angazhim dhe shprehje kulturore dhe shoqërore në Runik.

-Propozimi respekton kujtesën kolektive dhe strukturën origjinale historike që ka mbetur nga Shtëpia e Kulturës së Runikut, duke e plotësuar me dimensione të reja që lehtësojnë mënyra bashkëkohore të ndërveprimit.

-Projekti është në harmoni me kushtet materiale në dispozicion, duke ftuar artikulime dhe përshtatje të reja përmes dialogut të ngushtë me komunitetet e Runikut.

-Projekti fitues ka potencialin të rrezatojë përtej Runikut, duke zgjeruar kuptimet kolektive se çfarë dhe për kë mund të jetë një hapësirë ​​publike./ KultPlus.com

Minatorët e `Trepçës`,vazhdojnë grevën, humbjet ditore minimum 40 mijë euro

Minatorët e ‘Trepçës’, vazhdojnë grevën për shkak se nuk i kanë marrë ende pagat e muajit qershor dhe korrik. E një ditë mos pune në Trepçë, sjell humbje minimum 40 mijë euro, thonë zyrtarët.

Minatorët e Trepçës kanë hyrë në javën e katër të grevës, me kërkesën për ekzekutimin e pagave, të cilat nuk i kanë marrë tash e dy muaj.

Humbjet nga mospuna në minierë, janë të mëdha, thotë drejtori i Minierës së Stantërgut, Shyqëri Sadiku. Duke folur për Radio Kosovën, Sadiku shpreson që shumë shpejt do të gjendet një zgjidhje për të filluar operimin dhe punën minatorët.

“Nuk ka ndonjë ndryshim deri në këto moment. Është një plan i veprimit që e kemi dërguar në qeveri, janë duke e shqyrtuar Ministria e Ekonomisë dhe ajo e Financave që sa më shpejt të miratohet ai plan i veprimit, ta quajmë plan emergjent dhe të dalim nga kjo situatë. Minimumi është diku 40 mijë euro humbje ditore brenda 24 orëve””, tha ai.

Ditë më parë, ekzekutivi është zotuar për angazhim në gjetjen e një zgjidhjeje, por duke theksuar se përkrahja financiare varet nga zotimi se do të ulen shpenzimet dhe do të rifillojë rritja e prodhimit.

Sidoqoftë, kjo nuk është hera e parë që minatorët mbesin pa paga për disa muaj dhe sindikata e punëtorëve kërkon një zgjidhje të menjëhershme. 

Media franceze ‘Easy Voyage’: Vendet më të bukura në Shqipëri që ia vlen të vizitohen

Shqipëria – destinacioni i ri nën radar – ofron një ndërthurje të vendeve arkeologjike, maleve dhe fshatrave tradicionale plot hijeshi, sipas një artikulli të botuar në revistën franceze të udhëtimeve “Easy Voyage”.

Vitet e fundit, turizmi në Shqipëri ka ardhur gjithnjë e më në rritje – dhe ky vend ballkanik është kthyer shpejt në destinacionin kryesor evropian.

I pasur në trashëgiminë e tij – historike dhe natyrore – Shqipëria kryeson mes vendeve të lashta arkeologjike.

Vendi mesdhetar është gjithashtu shtëpia e liqeneve dhe plazheve ku mund të pushoni këtë verë!

Liqeni i Ohrit

Liqeni i Ohrit – është një nga liqenet më të mëdha në Gadishullin Ballkanik dhe një nga liqenet më të vjetra në botë.

Pika më e thellë e liqenit është 289 metra. Liqeni i Ohrit furnizohet nga Liqeni i Prespës – i vendosur në juglindje – dhe derdhet në drejtim të veriut nëpërmjet lumit Drini i Zi.

Midis dy liqeneve ndodhet Parku Kombëtar i Galiçicës – i krijuar në vitin 1958 dhe i vendosur në masivin me të njëjtin emër.

Për t’u freskuar, nuk ka asgjë më të mirë se një nga plazhet e liqenit!

Plazhi i Progradecit – ndodhet në mes të qytetit dhe maleve që e rrethojnë atë në lindje dhe perëndim – dhe që shtrihen drejt horizontit – në të dy anët e brigjeve të liqenit.

Shijoni relaksin pranë liqenit me ujëra të pastra bruz.

Krahas ujërave të liqenit, do të keni mundësi të vizitoni edhe sitin arkeologjik të Linit.

Plazhet e Ksamilit

Ksamili, një fshat i vogël në jug të vendit, ndodhet mbi një istëm në zonën e mbrojtur të Parkut Kombëtar të Butrintit.

Ksamili është një vendpushim i njohur bregdetar – i cili ofron shumë plazhe ku mund të pushoni. Përreth zonës ndodhen disa ishuj të vegjël të pabanuar.

Në këto plazhe – ju mund të shijoni diellin në një shezlong, të pushoni nën hijen e çadrave të kashtës ose të notoni në ujërat e pastra bruz.

Në jug të istmit ndodhen rrënojat e bazilikës antike të Butrintit, ndërsa një nga ishujt strehon mbetjet e Kalasë së Ali Pashës.

Syri i Kaltër

Duke lënë Ksamilin në veri – dhe duke u ngjitur drejt maleve, rruga të çon në Syrin e Kaltër.

I vendosur në fund të luginës së Delvinës dhe Sarandës, liqeni njihet si një zonë e mbrojtur që nga viti 1996 – që përfshin 180 hektarë pyll përreth.

Për të shijuar plotësisht liqenin, vizitoni pjesën veriperëndimore – ku dominojnë ujërat e kristalta dhe bimësia e dendur.

Uji është aq i pastër sa mund të shihni florën që rritet në fund të lagunës. Për t’u relaksuar vizitoni restorantin “Syri i Kaltër” – i cili mban të njëjtin emër. 

‘Që ta kemi kujtim nga vendi juaj’: Të huajt të interesuar për suvenire në Gjirokastër

Në tregun e Gjirokastrës turistët të cilët janë nga vende të ndryshme, nuk eksplorojnë vetëm zonën historike, ata gjithashtu ndalen në dyqane të shumta që janë në atë zonë, dhe kryesisht blejnë suvenire.

“Unë jam nga Barcelona në Spanjë. Jam për herë të parë në Shqipëri. Nga ky vend veç suveniereve kam marrë edhe ëmbëlsira të ndryshme dhe gliko”, tha një turiste.

“Kemi ndaluar këtu për të marrë diçka që ta kemi kujtim nga vendi juaj”, u shpreh një tjetër, raporton Tvklan.al, transmeton Klankosova.tv.

Geraldina Canaj e cila tash e disa vitesh ka hapur dyqanin e saj me suvenire, ajo thotë se turistët më shumë tërhiqen nga prodhimet vendase.

“Turistët më shumë tërhiqen nga këto prodhime vendase, prodhimet e qeramikës, punimet me qëndisje, pra punime tradicionale gjirokastrite, këto i tërheqin më shumë”.

Gjirokastra është një nga qytetet më të vizituara të vendit dhe zgjidhet kryesisht për historinë dhe kulturën.

Gonxhja: 6 milion euro për Bylisin e Klosin, granti më i madh për sitet arkeologjike

Lajm të shkëlqyer e ka konsideruar ministri Blendi Gonxhja, miratimin e një granti për Bylisin, që siç e quan ai, është qyteti ilir par excellence. Ky është granti më i madh për një sit arkeologjik. Ministri i Ekonomisë, Kulturës e Inovacionit bëri të ditur se ditën e djeshme, në mbledhjen e Qeverisë, u miratua vendimi i Këshillit të Ministrave për miratimin e Planit të Menaxhimit të Parkut Arkeologjik të Bylisit dhe Klosit (2024-2029), 6 milionë euro, qendër vizitorësh, muze, vende të reja pune, infrastrukturë prezantimi, konservimi trashëgimie dhe mjedisi.

“Vëmendja dhe përkushtimi i MEKI-t, këtë rradhë, u fokusua tek Parku Arkeologjik i Bylisit dhe Klosit, në zëmër të Mallakastrës”, shkroi Gonxhja në rrjetet sociale.

Parku arkeologjik dhe plani i tij i menaxhimit, miratuar tashmë zyrtarisht, mbështetet nga projekti “BE për Zhvillimin Ekonomik – Zhvillim Ekonomik Lokal i Udhëhequr nga Turizmi me Fokus në Trashëgiminë Kulturore”.

Të shumta do të jenë aktivitetet e parashikuara në këtë plan menaxhimi në funksion të ruajtjes dhe restaurimit të pasurisë arkeologjike por edhe të nxitjes së ekonomisë lokale në dobi të komunitetit dhe turizmit kulturor. Plani përfshin vijimin e hulumtimeve dhe gërmimeve arkeologjike si edhe investime në punime civile e rrugë aksesi. Ky plan veprimi i drejtuar nga MEKI dhe institucionet e specializuara të tij, do të mbështetet në partneritetin e financimet e BE-së dhe zbatimin e Agjencisë Italiane për Bashkëpunim e Zhvillim (AICS).

Vizioni dhe qëllimi i planit të menaxhimit janë hartuar si vazhdimësi e punës shkencore dhe gërmimeve arkeologjike shumëvjeçare të realizuara nga Instituti i Arkeologjisë (IA) si dhe të punimeve konservuese e restauruese të kryera nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK) dhe institucioneve të tjera të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

Ministri i MEKI-t e konsideroi si, një tjetër vendim vizionar të qeverisë shqiptare me prioritet ruajtjen, menaxhimin dhe integrimin e trashëgimisë kulturore. Bylis, gjithashtu ka potencial të jashtëzakonshëm të kthehet në një promotor të zhvillimit ekonomik të vendit.

Ministri Gonxhja ka premtuar se Parku Arkeologjik i Bylis nuk është as i pari dhe s’do të jetë as i fundit. MEKI po harton planet e menaxhimit për parqet, sitet arkeologjike dhe qendrat historike, në zbatim të ligjit 27/2018 “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë” dhe në funksion të përmbushjes së Objektivave për Zhvillimin e Qëndrueshëm në fushën e trashëgimisë kulturore.

Kamala Harris nuk humb kohë, nis intervistimin e tre kandidatëve të mundshëm për nënpresident

Kandidatja demokrate për presidente Kamala Harris do të bëjë intervista të dielën në rezidencën e saj me tre kandidatët kryesorë për nënpresident: guvernatorin e Minesotas, Tim Walz, senatorin Mark Kelly nga Arizona, si dhe guvernatorin e Pensilvanisë, Josh Shapiro.

Zonja Harris pritet ta njoftojë ndoshta që të hënën përzgjedhjen e saj, përpara se të bëjë paraqitjen e parë publike së bashku me kandidatin për nënpresident gjatë një aktiviteti elektoral që pritet të mbahet të martën në Filadelfia. Ekipi i saj elektoral po planifikon gjithashtu një njoftim nëpërmjet mediave sociale, i thanë agjencisë së lajmeve Reuters zyrtarë në dijeni të çështjes.

Zonja Harris u takua të shtunën me grupin e punës që ka marrë në shqyrtim kandidaturat. Ndër anëtarët e grupit të punës është edhe ish-prokurori i përgjithshëm Eric Holder, firma ligjore e të cilit, “Covington & Burling LLP”, analizoi gjendjen financiare dhe historikun e kandidatëve. Zoti Holder dhe kolegët e tij paraqitën një përshkrim të detajuar të secilit prej kandidatëve, thanë persona në dijeni të procesit.

Zonja Harris bëri gjithashtu një takim 90-minutësh të premten me sekretarin e Transporteve, Pete Buttigieg. Kandidatët do të informohen ndoshta të hënën në mbrëmje, ose të martën në mëngjes nëse janë përzgjedhur.

Përzgjedhja e personit që do të kandidojë së bashku me të, është një ndër vendimet më të rëndësishme për karrierën politike të zonjës Harris, ndërsa po përpiqet të ngrejë me shpejtësi një fushatë elektorale për ta sfiduar ish-Presidentin Donald Trump në zgjedhjet e 5 nëntorit, pasi Presidenti Joe Biden u tërhoq nga kandidimi muajin e kaluar.

Kandidatët në listë janë të gjithë burra të bardhë, të cilët kanë tërhequr historikisht në zgjedhje votuesit në zonat rurale, të bardhët apo të pavarurit.

Vendimi që do të marrë zonja Harris do të ndikojë gjithashtu drejtimin e ardhshëm të Partisë Demokrate, duke fuqizuar edhe për zgjedhjet e tjera në të ardhmen, kandidatin që do të përzgjidhet tani.

Zoti Shapiro, një ndër kandidatët kryesorë, është përballur me kritika të ashpra nga e majta, në veçanti nga grupet progresiste dhe aktivistët pro-palestinezë, për mbështetjen që i jep Izraelit dhe për mënyrën se si menaxhoi protestat që u bënë në universitete për shkak të luftës në Gazë.

“Duhet korrigjuar politika për Gazën dhe duhet një axhendë politikash në favor të klasës punëtore, përfshirë një axhendë pro afrikano-amerikanëve”, tha Nina Turner, e cila ka qenë bashkëkryetare e fushatës elektorale të Bernie Sandersit në vitin 2020 dhe është gjithashtu studiuese në Institutin për Racën, Pushtetin dhe Ekonominë Politike, një organizatë kërkimore progresive. “Përzgjedhja e guvernatorit Shapiro do ta hiqte këtë mundësi”.

Ka patur gjithashtu pikëpyetje rreth mënyrës se si ai pati menaxhuar një ankesë për ngacmim seksual ndaj një ndihmësi të tij të hershëm. Gjithashtu, sindikata e Punëtorëve të Bashkuar të Automobilëve (UAW), e cila dha rishtazi mbështetjen për kandidimin për presidente të zonjës Harris, e ka kritikuar zotin Shapiro për thirrjet për të zgjeruar programet që mundësojnë kanalizimin e më shumë parave të taksapaguesve drejt shkollave private.

Disa organizma të tjera sindikale e kanë akuzuar zotin Kelly se ka kundërshtuar projektligje që ata thonë se do të fuqizonin sindikatat.

Shawn Fain, president i sindikatës UAW, tha se megjithë mbështetjen për kandidimin për presidente të zonjës Harris, sindikata e tij me 370 mijë anëtarë nuk mbështet kandidaturat e zotërinjve Kelly dhe Shapiro.

Zoti Walz është bërë ndër të preferuarit e progresistëve dhe grupeve të të rinjve, të cilëve u pëlqejnë kritikat që ai bën ndaj ish-Presidentit Trump.

Në moshën 60-vjeçare, zoti Walz është vetëm një vit më i moshuar se zonja Harris, por kritikët thonë se ai duket shumë më i moshuar, një disavantazh i mundshëm për fushatën elektorale, që po përpiqet të tejkalojë tërheqjen nga gara të Presidentit Biden për shkak të shqetësimeve për moshën e tij të madhe.

Zoti Walz iu përgjigj këtyre kritikave në rrjetin X, duke thënë se pamja e tij është e atillë për shkak se ka qenë mësues në shkollën e mesme dhe se ka “mbikqyrur mencën për 20 vite. Nuk largohesh nga ajo punë me flokë në kokë. Besomëni”, shkruajti ai./VOA/ KultPlus.com

Festa e Peshkatarëve, Rama ndan pamje nga Pogradeci

Qyteti liqenor i Pogradecit për 3 ditë me radhë u kthye në kryeqendrën e argëtimit dhe kulinarisë së peshkimit.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje live nga nata e tretë e edicionit të parë të Festivalit të Peshkatarëve Shqiptarë, që bëri bashkë aktorë të sekorit, po jo vetëm,  nga veriu në jug, për të ndarë eksperiencën e peshkimit, në një festë të madhe në qytetin liqenor.

“Pogradeci Live”  shkroi Rama.

Nata tretë e këtij eventi solli shumë emocione jo vetëm për pogradecarët por edhe turistët e huaj të cilët kishin mbushur odeonin plot dhe u përfshinë në valle duke kërcyer dhe kënduar me grupet artistike që performuan në këtë festë.

Për herë të parë Pogradeci u bë mikpritësi i këtij aktiviteti të veçantë.

Ky evenimet i mbështetur nga Shoqata e Peshkatarëve, bëri bashkë për tre netë në Odeonin e qytetit, jo vetëm profesionistët dhe të apasionuarit pas peshkimit, por edhe kuzhinierë, artistë të botës së muzikës dhe pikturës si dhe të ftuar specialë.

Festivali krijoi një atmosferë ndryshe për turistët dhe vizitorët që po frekuentojnë qytetin e bukur liqenor në këtë sezon vere.

Në Festivalin e Peshkatarëve Shqiptarë, muzika e mirë shkoi bashkë me degustimin e disa prej pjatave më tradicionale, ku korani i famshëm ishte kryefjala.

Festivali u zhvillua në datat 2, 3 e 4 gusht duke nisur kësisoj një traditë të bukur për qytetin e Pogradecit./atsh/ KultPlus.com

Ellen Tucker për Emersonin

Emersoni u takua me Ellen Louisa Tucker më 1927, kur ishte dukë dhënë mësim në Concord, N.H. Ellen ishte shtatëmbëdhjetë vjeçe, shëndetligë dhe shumë e bukur. U martuan dy vjet më vonë, ndërsa ajo vdiq më 8 shkurt 1831.

Dhjetor 1828

I dashur Waldo,

Jam e vendosur sonte të të lë të shikosh vjedhurazi në thellësinë e zemrës sime që është fluskon me një mori mendimesh të reja të sapoardhrua secili duke bërë presion për një çlirim, por disa sosh më këmbëngulës se të tjerët do të më lodhin me ardhjen e tyre të vazhdueshme para se të mund t’i shpreh me kohë. Ah sa i prapë që je ti – s’do të më kursesh nga skuqja. A do të më bësh të rrëfej me aq shumë fjalë se të dua? Nëse po, a duhej ta bëja atë rrëfim pa ma kërkuar dhe pa u fshehur? Më mërzit fort fakti se ti mund të mendosh se unë jam e zonja ta shkurajoj vëmendjen tënde dashurore ndaj meje pa ndonjë arsye – do të ishte tallje e pandershme me ndjenjat më të thella të zemrës tënde. – Prapëseprapë, nëse ti ma kërkon dhe je i vendosur ta përulësh këtë shpirt krenar – atëherë unë do të pëshpëris diçka në veshin e zemrës tënde që do të të sigurojë se gjithçka është në rregull – Se ka ndodhur shumë kohë më parë teksa i lutesha Zotit në emër të mikut tim më të afërt dhe më të dashur që nuk mund të ndalesha derisa të kërkoja një bekim për t’u prehur në “atë që e doja”.

Oh kurrë s’e kisha menduar se do të më duhej ta tërhiqja kështu velin nga vendet e shenjta të shpirtit tim – por jam e lumtur që mund ta shkruaj këtë – dhe ti s’ke pse të shkosh me mendjen tash se jam skuqur, ngase faqet e mia janë të zbehta si letra mbi të cilën po shkruaj. Deri më tash në jetën time kam qenë kështu e vetmuar, po mendoj dikush që e respekton ndërveprimin me ata të moshës dhe gjendjes sime shoqërore – andaj nuk kam pasur gjë për të rrëfyer. Babai dhe nëna ime nuk hyjnë në shoqërinë time rinore dhe as te dashuritë e mia. Acari i moshës (Oh shkarravitjet e një vajze në adoleshencën e saj) e ka ftohur burimin që rrjedh rrëmbyeshëm e pasionit rinor – dhe ka lëshuar pe para rrjedhës më të ngadaltë të përkujdesjes prindërore. Vëllai dhe motra e kanë në zemrat e tyre atë që do t’iu përgjigjet secilit, një lloj ujdie simpatike. Motrat e mia kanë qenë gjithmonë larg meje – gjersa i injoronin gjërat të cilat nuk i hidhja në letër – dhe ato s’kanë qenë edhe aq – Pra ti e di tash sa fort ta vësh veten tënde në pushtetin tim dhe të mos besosh se një grua nuk është e zonja të mbajë sekrete. A mendon ndonjëherë për llojin e çuditshëm të përmbajtjes që ekziston mes nesh kur ti ishe këtu? Apo a ishe ti i vetëdijshëm për këtë – Sapo isha duke e bluar në mendje se vetëm për mua do të kishte qenë e sikletshme. Vetëm mund të llogaris në të në mënyrën si llogarisja në patundshmërinë e gjuhës sime në praninë tënde. Mendimet e mia, për shkak të veçimit të gjatë, janë bërë të druajtura – dhe sado që shpesh fluturojnë deri te buzët e mia, prapëseprapë kur hapet dera janë aq të alarmuara sa ia mbathin me të katra ta fshehin veten. Po ta kishe shikuar Waldon, do të kishe parë shpesh ato mendime të fluturojnë nga dera te dritarja, ose do të kishe kapur në befasi derisa përbironin jashtë (të shprehura shumë qartë).

Nëna jote – sa kohë që s’e kam parë. Do të jem krenare të them asaj se çfarë nëne të mirë më ka dhënë Zoti tashmë dhe lutem t’i pëlqej dhe të më dojë siç kam ndarë mendjen se duhet ta bëjë – sa e lumtur që do të isha. Ngase frymëmarrjet e zemrave kaq të afeksionuara nuk mund të dështojnë t’i largojnë të gjitha retë e jetës apo të paktën t’i prarojë nëse janë të palëvizshme – Shpresoj t’u përgjigjem pritjeve dhe dëshirave të saj – Jam e lumtur që i ke takuar motrat e mia – dhe s’kam frikë fare se do të të pëlqejnë edhe më shumë pasi t’i njohësh më mirë. Çfarë letre do të të tregojë Margaret? Dhe ai shënimi i shkurtër që nuk ishte paraparë për sytë e tu – Jam e lumtur që fola aq pak për ty se ti pate paturpësinë ta vjedhësh me sy.

Çdo ditë lexoj Charles e 5-të dhe më pëlqen shumë – është mundim për mua se ma ke rekomanduar ti – se sapo e marr në dorë dhe i ngul sytë në faqet e tij të gjata sa një hundë e gjatë e madhe (në të vërtetë si hija ime kur dielli është poshtë) paraqitet dhe e zbeh çdo përpjekje që bëj të mendoj vetëm për Charlesin e 5-të. I kam rikthyer në mendje disa fjalë të vjetra frënge. E kuptoj se nevoja për praktikë i ka vënë në gjumë, por prapë ecin përgjumshëm dhe dyshoj se do të arrij të kap idenë e çfarëdo gjëje që do të zgjedhësh të shkruash. Nëse kjo të merr më shumë nga koha jote e çmuar të shkruash në këtë mënyrë, atëherë s’do ta kërkoj më. Kyçet dhe çelësat formojnë një barrierë të padepërtueshme si veli galik – ende të pabesë – shkruaj dhe pasi ta kem gdhendur në tavoletën e gurtë të memories do ta hedh kopjen në flakë. Të tuat “rima tingëlluese” më pëlqen t’i lexoj – m’i shkruaj ca më shumë kur të mundesh. Muza ime është një zonjë e pabindur dhe s’ia ka ëndja të ftohtin, kështu që para një jave të mërkurën e fundit ajo buzëqeshi lehtë mbi mua – mbase një ditë do të shohësh rezultatin.

Gjithë ditën e lume e kam dëgjuar z.Cole – dhe kam ndier një kënaqësi të paparë në vetminë e dhomës sime të vogël. – Zoti ka qenë i mëshirshëm dhe i mirë me mua gjatë viteve të kaluara. Sa të prirur jemi, sado që vazhdimisht na e dhuron mirësinë e tij, të harrojmë dorën e matur dhe kujdesin e madh të Bariut të Mirë të shpirtrave tonë për t’i gëzuar kullosat e tij të ëmbla pa kurrfarë mirënjohjeje. Sa pak kemi duruar sa të pakëta kanë qenë vështirësitë tona në krahasim me disa që kanë qenë të detyruar të pijnë nga fundi i kupës së hidhërimit pa pasur asgjë për t’i gëzuar përveçse shkëndijes të herpashershme të “perlës së çmimit të madh” në fund (reflektime hijerënda). Me gjasë je lodhur nga mendimet e mia të shprehura në mënyrë të dobët – për çka kam frikë se po e humbin bukur fort butësinë e tyre.

Një gjë duhet të ta them – se shpirti pulsues i znj.Birch, i cili për një kohë aq të gjatë ka qenë në flatrat e tij, në fund ka ikur përgjithmonë. Westoni i shkretë po tretet përditë. Natën e mirë – po më thërrasin.

E hënë në mëngj – Mirëduita – mbrëmë më thirrën të shihja John Williamsin e vogël, i cili më ka shkaktuar brerje ndërgjegjeje të fortë duke më dhuruar një koka litografike të bukur të Pres Kirklandit, të cilin me gjasë ti e ke parë – njeriu i vogël grumbullon thëngjij të gjallë mbi kokën time – duke ma dhuruar vëmendjen e tij pas neglizhimit tim.

Njp javë pas të premtes së ardhshme është dita e caktuar për udhëtimin për në qytet – po shkoj me herët me shumë kënaqësi – dhe shpresoj se ajri i Bostonit dhe buzëqeshjet e urta të Bostonit do të bëjnë ndonjë mrekulli për nënën – e cila është pak më mirë se atëherë kur ti ishe këtu.

A do të më kujtosh ti vëllai i yt, Edwardi, dhe t’i thuash se do t’i marr mësimet e para të patinazhit të nesërmen që Dielli i Vjetër do ta tregojë fytyrën e tij të buzëqeshur me Mis Sparhawkun – mos u habit nëse dëgjon për ndonjë kokë të thyer.

Vëllai Edward, gruaj dhe loçka e tij tashmë janë me ne – Edwardi po ankohet se ka ardhur shumë vonë të të shoh dhe ma ka thënë shumë fjalë të mëdha për ty – talentin tënd poetik, gatishmërinë tënde të madhe, etj.

Më vjen keq që kam bërë aq shumë lëshime e gabime në këtë letër, se kështu do të të marrë më shumë kohë ta lexosh – e di se ishin të pashmangshme dhe nuk do të ishte në karakterin tim të të shkruaj një letër të patësharë.

Nuk e ke një libër të vogël me koprtinë të fortë të të them “Mos më harro”, por pastaj e ke një “Zhiton” dhe një “Hajmeli” në dashurinë e një zemre të besueshme.

Ellen T – ah fati nuk mundet, etj.

/The Letters of Ellen Louisa Tucker and Ralph Waldo Emerson”, Harward University Press, 1962

/Gazeta Express/ KultPlus.com

‘Kapiten i ri m’difto se ka po vjen, ti që ke qenë n’ushtri a ke pa burrin tem’

Këngëtarja e shquar Nexhmije Pagarusha do të kujtohet gjithmonë për zërin e saj të fuqishëm dhe këngët të cilat lanë gjurmë të mëdha në historinë e muzikës shqipe.

Sot, KultPlus ju sjell këngën korçare ‘Kapiten o i ri’, nën interpretimin e jashtëzakonshëm të Nexhmije Pagrushës.

Bashkangjitur gjeni videon dhe tekstin e këngës:

Kapiten i ri
m’difto se ka po vjen?
Ti që ke qenë n’ushtri
a ke pa burrin tem?

Burrin tand unë e kam pa,
bashkë me të kam luftu.
Burri yt ka ndrru jetë
dhe ti ke m’marrë mu.

Kapiten i ri
porsi bora në mal.
Unë dashninë nuk e ndrroj’
as për nji gjeneral.

O moj ti zonjushë
që m’ke dal në ketë fushë.
Të puthsha faqe e gushë
dashnori yt vetë unë jam. / KultPlus.com

‘Verë dhe Portokalle’! Spektakli më i madh i humorit ka mbërritur në qytetin e gurtë, Gjirokastër

“Verë dhe Portokalle” kësaj here është ndalur në qytetin e Gjirokastrës, me një spektakël fantastik ku ata që e shijuan nuk ishin vetëm vendasit por edhe turistët.

Aktorët më të dashur të publikut performuan duke dhuruar dhe marrë emocione pafund. Tashmë ky spektakël është kthyer në traditë ku për çdo verë trupa e “Portokallisë” ndalon në çdo qytet të vendit për të përformuar.

Verë dhe Portokalle stacionin e radhës e ka në qytetin e Sarandës, ku edhe aty pritet që numri i qytetarëve që duan të shohin nga afër një shfaqje të “Portokallisë” dhe numri i njerëzve që duan të takojnë aktorët e tyre të preferuar, pritet të jetë i lartë./ tch/ KultPlus.com

Kryeministri Kurti pritet nga Mickoski në Shkup, nis takimi bilateral

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është pritur në takim nga homologu i tij nga Maqedonia e Veriut, Hristijan Mickoski.

Sipas zyrës së Kryeministrit pas takimit Kurti dhe Mickoski do të deklarohen për media.

Kryeministri Kurti ë këtë vizitë po shoqërohet nga ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ajo e Drejtësisë Albulena Haxhiu si dhe i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.

John Lennon: Jeta është e lehtë, kur e jeton me sy të mbyllur

“Ti mund të thuash se jam një ëndërrimtar, por unë nuk jam i vetmi. Shpresoj se një ditë do të na bashkohesh. Dhe bota do të jetojë pastaj si një e vetme.”

“Llogarite kohën tënde përmes miqve që i ke dhe jo përmes viteve. Llogarite jetën përmes qeshjeve dhe jo përmes lotëve.”

“Janë dy forca bazike motivuese: dashuria dhe frika. Kur kemi frikë, ne tërhiqemi nga jeta. Kur jemi të dashuruar, me pasion, ngazëllim dhe miratim hapemi përballë gjithçkaje që na e ofron jeta. Kemi nevojë që fillimisht të mësojm ta duam veten, me të gjithë lavdinë dhe papërsosmërinë tonë. Nëse nuk mund ta duam veten, nuk mund të hapemi plotësisht ndaj aftësisë sonë për t’i dashur të tjerët ose ndaj potencialit tonë për të krijuar. Evolucioni dhe të gjitha shpresat për një botë më të mirë, qëndrojnë mbi guximin dhe vizionin zemër-hapur të njerëzve që e përqafojnë jetën.”

“Kur isha 5 vjeçar, nëna gjithmonë më thoshte se lumturia është çelësi i jetës. Kur shkova në shkollë, ata më pyetën se çfarë dëshiroja të bëhesha kur të rritesha. Unë e shkrova: “I lumtur”. Ata më thanë se nuk e kisha kuptuar detyrën dhe unë ju tregova se ata nuk e kuptonin jetën.”

“Një ëndërr që e ëndërroni i vetëm, është thjeshtë një ëndërr. Një ëndërr që e ëndërroni bashkë me të tjerët është realitet.”

“Jeta është e lehtë, kur e jeton me sy të mbyllur.”

“Në fund gjithçka do të jetë në rregull. Nëse nuk është në rregull, atëherë nuk është fundi.”

“Kur bëni diçka fisnike dhe të bukur dhe askush nuk e vë re, mos u mërzit. Edhe dielli çdo mëngjes e ofron një spektakël të bukur mirëpo prap pjesa më e madhe e audiencë është në gjumë.”

“Zoti është një koncept përmes së cilit ne e masim dhimbjen tonë.”

“Dashuria është një lule që duhet ta lësh të rritet.”

“Jetojmë në një botë në të cilën për të bërë dashuri duhet të fshihemi, përderisa dhuna manifestohet përgjatë gjithë ditës.”

“Ndershmëria ndoshta nuk do të u’a sjell miqt më të mirë, po gjithmonë do t’i sjell ata të duhurit.”

“Nuk ka rëndësi se kë e dashuron, ku e dashuron, pse e dashuron, kur apo si e dashuron. Rëndësi ka që dashuron.”

“Roli im në shoqëri, apo roli i artistit apo poetit në shoqëri është të provojë ta shpreh atë që ne të gjithë e ndjejm. Jo për tu treguar njerëzve se çfarë të ndjejn. Jo si një predikues, jo si një lider, por si një reflektim i gjithë neve.”

“Nëse e dëshiron paqe, nuk do ta marrësh atë me dhunë.”

– John Lennon

Kopshti i kujtimeve

Poezi e shkruar nga Nermin Vlora – Falaschi.

(Nënës sime Belkis dhe të gjitha nënave që pushojnë në varrezat “Kopshti i kujtimeve” në Bogota të Kolumbisë).

Kur s’isha, ti ishe.
Kur Linda, ti më buzëqeshe.
Kur u rrita, ti më udhëhoqe.
Kur gabova, ti më qortove
Pse ti më deshe.

Dashurinë për gjithësinë Ti ma mësove.
Bukurinë e ndjenjave Ti m`këshillove
Me Universin n`harmoni t`jetoj, ti m`urdhërove
Dritën e vërtetë ti ma tregove
Pse Ti më deshe.

Ti, nënë, vëlla, motër, shoqe.
Ti, n`lundrimet e vështira t`kësaj bote,
Ti, eksperiencën e flokëve t`bardhë ma dorëzove
Ti, n`heshtje për gjithmonë u largove.
Pse ti më deshe.

N`gjirin e Universit Ti u ktheve
Por prej meje Ti kurrë s`u ndave:
Në yjet e qiellit xixëllojnë sytë e Tu,
Kudo n`ajër marr frymë shpirtin Tënd,
Sa shumë unë t`paskam dashur!

IRN: 19 për qind e qytetarëve do të largoheshin nga Kosova për një periudhë më të gjatë

Sipas Institutit Republikan Ndërkombëtar (IRI), 19 për qind e qytetarëve të anketuar janë përgjigjur me “definitivisht po”, në pyetjen se a do të dilnin jashtë vendit për një përiudhë më të gjatë.

33 për qind ndoshta po, 15 për qind ndoshta jo dhe 29 për qind definitivisht jo.

Ndërkaq në muajin mars 2023, në pytjen e njëjtë ishin këto të dhëna:

33 për qind e të anketuarve kishin thënë definitivisht po, 26 për qind ndoshta po, 17 për qind ndoshta jo dhe 22 për qind definitivisht jo.

Kryeministri Kurti sot në Maqedoninë e Veriut, takohet me Mickoskin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrat e kabinetit qeveritar, sot do të zhvillojnë një vizitë pune në Maqedoninë e Veriut.

Ai do të ketë një takim bilateral me kryeministrin të Maqedonisë së Veriut, Hristjan Mickoski.

Kështu kishte deklaruar dje për Klankosova.tv zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

“Kryeministri Kurti, i shoqëruar nga ministra të kabinetit qeveritar, të hënën do të zhvillojë një vizitë pune në Maqedoninë e Veriut. Atje do të ketë një takim bilateral me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut me të cilin do të diskutojnë rreth raporteve bilaterale, bashkëpunimit rajonal dhe projektet infrastrukturore me interes për dy shtetet. Realizimi i kësaj vizite është dakorduar me 20 korrik”, kishte thënë Kryeziu.

Vizita e Kurtit, vjen pak ditë pas incidentit ndaj presidentes Vjosa Osmani, në aeroportin e Shkupit.

Lidhur me rastin, Presidenca pati deklaruar se Osmanit iu kërkua të skanohej telefoni i saj nga stafi i aeroportit.

Sot shpaloset plani i Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz

Sot nga ora 18:00 mbahet në ceremonia e shpalosjes së propozimit fitues për zhvillimin e Master Planit të Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Në këtë ceremoni do të flasin kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe përfaqësuesi i Familjes Jashari.

Ndryshe Kompleksi Memorial “Adem Jashari” gjendet në Prekaz – Skënderaj dhe ky vend i veçantë historik është ndërtuar për nder të Dëshmorëve të Betejës së Jasharajve më 5,6 dhe 7 mars të vitit 1998.

Duke marrë parasysh domosdoshmërinë e vënies në mbrojtje të kësaj zone me interes të veçantë, e cila ka rëndësi ontologjike, antropologjike, historike dhe kulturore për qytetarët e Kosovës, Kuvendi i Kosovës gjithashtu e miratoi Ligjin për shpalljen e Kompleksit Përkujtimor “Adem Jashari” zonë me interes të veçantë kombëtar.

111 nga lindja e Vedat Kokonës, autorit të fjalorit 35 mijë fjalësh shqip-frëngjisht

Ashtu si sot, 111 vite më parë, lindi publicisti, poeti dhe përkthyesi shqiptar Vedat Kokona. Jo rrallë herë gjatë shekujve të historisë, vende të vogla kanë rritur njerëz të mëdhenj që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në histori. I tillë ishte Vedat Kokona.

Kokona u lind në Izmir, nga një familje qytetare gjirokastrite. I ati, Elmazi, ishte avokat. Më 1920 kthehet në Tiranë, ku kreu shkollën fillore dhe më pas vijoi mësimet në Liceun e Korçës. Gjatë studimeve në këtë shkollë, më 1935, Kokona fitoi çmim në një konkurs letrar. Çmimi ishte një aparat fotografik Kodak, që e ëndërronte, dhe një botim i bukur poezish të Lamartinit. Po atë vit nisi studimet e larta në Paris për drejtësi, ku qëndroi deri në fillim të 1939-s. Pas përfundimit të universitetit, u emërua në gjykatën e Krujës, ku nuk shkoi të merrte detyrën. Ai punoi si mësues i gjuhës frënge, në po Liceun e Korçës, ku kishte qenë nxënës. Aty u dallua si një nga mësuesit më të mirë. Gjatë invazionit fashist, kur Kokona punoi si profesor, udhëzimi ishte që të spiunonte nxënësit gjë që ai nuk mund ta pranonte për arsye të parimeve dhe të karakterit të tij. Për shkak të trysnisë politike, dha dorëheqjen më 1942 dhe i hyri profesionit të tij të fillimit, avokatisë. Në shkurt 1944, së bashku me Mitrush Kutelin, Nexhat Hakiun dhe Sterjo Spassen, themeloi dhe kryesoi redaksinë e së përdyjavshmes Revista letrare, jetëshkurtër, por me ndikim në jetën kulturore.

Ai solli si trashëgimi për ditët e sotme vepra të rilindësve tanë. Përkthimin e parë e bëri që në vitet ’30 kur botoi në të përkohshmen “Illyria” me kryeredaktor Ernest Koliqin, poezinë “Njerëz të varfër” të Hygoit, për të cilën e përgëzuan Koliqi dhe diplomati Fico. Vedat Kokona përktheu shumë klasikë të letërsisë së përbotshme, si Pier Kornejin, Zhan Rasinin, Shekspirin dhe Tolstoin “Ana Karenina”, Gorkin “Fundërrinat”, Xhon Gollsuorthin “Saga e Forsajtëve”, Dikensin “David Koperfildin”, Aleksandër Beku “ Udha e Volokolamksut”, Rabindranat Tagoran “Stuhi në Gang” , Ernest Heminguejin “Lamtumirë armë”, La Fonten “Fabula të zgjedhura” , Stefan Cvaig “Letra e një të panjohure” etj.

Vedat Kokona ka sjellë në shqip rreth 15 mijë vargje nga poezia botërore. Ai ishte një nga përkthyesit kryesorë nga frëngjishtja, italishtja, anglishtja dhe rusishtja. Ai mbetet një figurë akademike me shumë kontribute në jetën e vendit, i cilësuar shpesh edhe si ati shpirtëror i frankofonisë.

Vedat Kokona u largua nga ne, por me kujtimin më të mirë të një njeriu zemërmirë, me pasion për jetën, për gjuhën, për frëngjishten që aq mirë e zotëronte, duke na lënë, ndër të tjera, një dhuratë të çmuar për gjuhën: fjalorin 35 mijë fjalësh shqip-frëngjisht.

Kokona mban titullin doktor “Honoris Causa” i Universitetit të Tiranës, dhe është nderuar me titujt e dhënë nga Republika Franceze “Kalorës i Urdhrit të Arteve dhe të Letërsisë” më 1995 dhe “Oficeri i Urdhrit të Palmave” më 1996. / KultPlus.com