Presidentja Vjosa Osmani ka uruar presidenten e Parlamentit Europian, Roberta Metsola, për rizgjedhjen e saj në këtë post.
Osmani tha se mezi pret që të vazhdojë bashkëpunimin me të për rrugën e Kosovës drejt BE-së.
”Urime, e dashur Roberta Metsola në rizgjedhjen tuaj si Presidente e Parlamentit Europian. Ndërsa ju vazhdoni të udhëhiqni Shtëpinë e Demokracisë së Europës në këto kohë sfiduese, mezi pres të vazhdojmë bashkëpunimin tonë të shkëlqyer dhe të avancojmë rrugën e Kosovës drejt BE-së”, ka shkruar Osmani.
Metsola është rizgjedhur në krye të Parlamentit Evropian edhe për një mandat.
Pas rizgjedhjes, Metsola ka thënë se është mirënjohëse për përkrahjen e marrë nga deputetët e Parlamentit Europian./ KultPlus.com
Në Dervican të Dropullit është zhvilluar edicioni i parë i Festivalit të Valleve Tradicionale dhe të Polifonisë në Dropull.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës e Inovacionit, Blendi Gonxhja, ndau në rrjetet sociale një video nga ky aktivitet duke theksuar se “traditat e jashtëzakonshme të kostumeve, valleve e riteve janë një pasuri për t’u mbrojtur, trashëguar e zbuluar, edhe për turistët që kanë aq shumë për të shijuar në fshatrat e kësaj krahine”.
“Ky ishte vetëm edicioni i parë i Festivalit të Valleve Tradicionale dhe të Polifonisë në Dropull, me traditat më të bukura të zonës, të cilin do ta kthejmë në një event të përvitshëm”, u shpreh ministri Gonxhja.
Në këtë ngjarje ishte edhe ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, e cila u shpreh se “nuk mund të kishte vend më të bukur se sa ky shesh të cilin e kemi inauguruar së bashku, me miqtë nga Greqia dhe kryeministrin Rama, para disa muajsh, për të festuar një mbrëmje të veçantë të kulturës greke, që përfaqësohet kaq mrekullisht nga minoriteti grek”.
Duke theksuar bashkimin e dy kulturave, asaj e greke e shqiptare, në Dropull, ministrja premtoi mbështetjen edhe të ministrisë që ajo drejton që ky edicion i këtij festivali vallesh e polifonie, të pasohet nga të tjerë./ KultPlus.com
“Irpin është shtëpia ime” është libër për përjetime dhe ilustrime të fëmijëve ukrainas, të cilët shpërfaqin luftën nëpërmjet copëzave të rrëfimeve dhe ilustrimeve nga qyteti i tyre Irpin, qytet i cili ishtë pushtuar nga foract ruse qysh në fillim të luftës, shkruan KultPlus.
Libri vjen në shqip me të drejtë të botimit nga gazeta online për art dhe kulturë KultPlus dhe në bashkëpunim me OJQ kosovaro-ukrainase “Urat e Miqësisë”.
Fëmijët përshkruajnë qytetin e tyre të lindjes, duke kujtuar vendet e tyre të preferuara dhe përvojën e tyre para dhe pas pushtimit të 24 shkurtit 2022. Ata shkruajnë me admirim për qytetin e tyre të guximshëm Hero, ëndrrat e tyre për një të ardhme pa sirena dhe shpërthime dhe momente të tjera mjaftë prëkesë, por edhe inkurajuese. Libri në shqip është përkthyer nga Elvi Sidheri.
Në këtë promovim do të flasin organizatorët e këtij promovimi, sikurse që do të ketë edhe një ekspozitë nga studentët e Fakultetit të Arteve të UP-së, të cilët poashtu nëpërmjet punimeve të tyre do të prezantojnë luftën e Ukrainës.
Kurse të pranishmit do të kenë mundësi të blejnë edhe vepra të gazetarës Liudmyla Makey, mjete të cukat do të shkojnë për mbështetjen e fëmijëve ukrainas.
Mbrëmja do të mbahet më 17 korrik, në ora 19:00 në KultPlus Caffe Gallery dhe mbrëmja është e hapur për të gjithë./ KultPlus.com
Kompozimet e famshme të kompozitorit dhe dirigjentit të shquar Ennio Morricone, të njohura në të gjithë botën për kolonat zanore të mbi 500 filmave dhe serialeve televizive, do të vijnë magjishëm këtë 19 korrik në qytetin e Durrësit.
Do të jetë një pjesëmarrje masive e artistëve të TKOB: sopranove të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, Rovena Xhelili dhe Marina Kurti, të shoqëruara mjeshtërisht nga Orkestra Simfonike dhe Kori i TKOB-së, nën drejtimin e maestros Benedetto Montebello dhe Dritan Lumshi.
TKOB premton një natë magjike, buzë detit, me këtë koncert vokalo-simfonik i cili pritet të mbledhë qytetarë dhe turistë të shumtë.
Ky koncert vjen në kuadër të programit veror që TKOB zhvillon në turne, jashtë skenës së tij, duke e çuar muzikën në qytete të ndryshme të Shqipërisë./ KultPlus.com
Trajneri anglez ka vendosur të largohet nga bankina të cilën e mbajti qe 8 vjet, ndërsa arriti t’i dërgonte “Tre Luanët” dy herë deri në finale të Kampionatit Europian.
“Si një anglez krenar, ka qenë një nder i jetës që të luaja për Anglinë dhe që ta menaxhoja Anglinë për këto vite. Kjo do të thotë gjithçka për mua, kam dhënë gjithçka nga vetja”, deklaroi fillimisht Southgate.
“Por, është koha për të ndryshuar dhe për një kapitull të ri. Po e lë rolin tim si menaxher, vendimi është marrë”, përfundoi trajneri anglez.
Anglia ishte mposhtur nga Italia në finale të Euro 2020 pas penalltive dhe së fundmi nga Spanja në Euro 2024 me rezultat 1:2, në të dyja radhët në krye të Southgatet. /Express/ KultPlus.com
Disa pyetje të rëndësishme janë shfaqur, të cilave Shërbimi Sekret Amerikan duhet t’u përgjigjet pas atentatit ndaj Donald Trump në një tubim në Pensilvani, shkruan BBC në një artikull.
FBI ka marrë rolin e hetuesit kryesor në incidentin, gjatë të cilit një person mbeti i vrarë dhe dy të tjerë u plagosën rëndë – ndërsa Trump u plagos në vesh.
Ndërsa SHBA kërkon përgjigje, Shërbimi Sekret thotë se po punon për të zbuluar “çfarë ndodhi, si ndodhi dhe si mund të parandalojmë që një incident si ky të mos përsëritet”.
Shefja e Shërbimit Sekret, Kimberly Cheatle, është thirrur për të dëshmuar përpara një komisioni të Dhomës së Përfaqësuesve më 22 korrik.
Pse çatia e personit të armatosur nuk ishte siguruar paraprakisht?
Mbetet e paqartë se si i armatosuri i dyshuar Thomas Matthew Crooks u ngjit në çatinë e një ndërtese pranë tubimit që ishte pak më shumë se 130 metra nga Trump.
Tavani ishte një dobësi e njohur përpara ngjarjes, sipas NBC News, i cili citoi dy burime të njohura me operacionet e Shërbimit Sekret.
“Dikush duhet të ishte në çati ose të kishte siguruar ndërtesën në mënyrë që askush të mos mund të ngjitej në çati”, citoi NBC një nga burimet e saj.
Përveç pyetjes së qasjes, është sugjeruar që linja e pamjes nga çatia deri në zonën e podiumit të Trump duhet të ishte bllokuar.
Crooks nuk duhet të kishte qenë në gjendje ta shihte drejtpërdrejt Trumpin, tha të hënën për ABC News Sekretari i Sigurisë Kombëtare, Alejandro Mayorkas.
A u transmetuan paralajmërimet për personin e armatosur?
Një dëshmitar okular i të shtënave i tha BBC-së se ai dhe të tjerët e kishin parë “qartë” Crooks duke u zvarritur në çati me një pushkë. Ata e lajmëruan policinë, por i dyshuari vazhdoi të lëvizte për disa minuta përpara se të qëllonte dhe më pas u qëllua për vdekje vetë, tha dëshmitari okular.
Agjenti special i FBI-së Kevin Rojek pranoi se kishte qenë “e habitshme” që sulmuesi kishte mundur të hapte zjarr.
Sherifi i qarkut ka konfirmuar se Crooks u pikas nga një oficer i policisë lokale, i cili nuk ishte në gjendje ta ndalonte në kohë. Diçka që mbetet e paqartë është nëse ky informacion ka arritur te agjentët rreth Trump.
Crooks ishte tashmë në radarin e zyrtarëve, sipas një zyrtari të lartë të zbatimit të ligjit. Ata i thanë në mënyrë anonime CNN-it se oficerët mendonin se ai do të vepronte në mënyrë të dyshimtë pranë magnetometrave të ngjarjes. Ky informacion dyshohet se i është transmetuar Shërbimit Sekret.
A ishte Shërbimi Sekret shumë i varur nga policia lokale?
Personi i armatosur shtiu nga ajo që policia e përshkruan si një “unazë dytësore”, e cila patrullohej jo nga Shërbimi Sekret, por nga oficerë lokalë dhe shtetërorë.
Një ish-agjent i Shërbimit Sekret tha se kjo lloj marrëveshje funksiononte vetëm kur kishte një plan të qartë se çfarë të bëhej kur vihej re një rrezik.
“Kur mbështeteni te partnerët vendas të zbatimit të ligjit, më mirë t’i keni planifikuar me kujdes dhe t’u keni thënë atyre se çfarë prisni të bëjnë për një kërcënim”, tha Jonathan Wackrow për Washington Post.
Sherifi i qarkut ka pranuar se kishte pasur “një dështim”, por tha se nuk kishte asnjë palë të vetme për t’u fajësuar.
A ishte ngjarja me burime të duhura?
Një ish-kryetar i Komitetit të Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve ka sugjeruar se Shërbimi Sekret ishte “i shpërndarë shumë hollë”, gjë që e komplikoi çështjen, se policia lokale nuk do të ishte “trajnuar” për të siguruar një ngjarje si tubimi i së shtunës.
Jason Chaffetz, i cili ka raportuar më parë për dështimet e Shërbimit Sekret, i tha Washington Post se nuk kishte “profil më të madh kërcënimi” sesa për Trump ose Presidentin Biden, por se kjo nuk u reflektua në praninë e sigurisë në Pensilvani.
Shërbimi Sekret ka mohuar sugjerimet se një kërkesë nga ekipi Trump për ta rritur stafin ishte refuzuar përpara tubimit.
Por WP raportoi se kishte parë një shkëmbim mesazhesh në të cilat një ish oficer i Shërbimit Sekret i pyeste kolegët se si i fyshuari e kishte marrë armën kaq afër Trump. Ai u raportua se kishte marrë përgjigjen: “Burimet”.
Në një deklaratë të hënën, Cheatle tha se ndryshimet ishin bërë në detajet e Shërbimit Sekret të Trump përpara fillimit të Konventës Kombëtare Republikane, e cila fillon në Milwaukee të hënën. Ajo tha se ishte “e sigurt” në planin e përgjithshëm.
A u largua Trump nga skena mjaft shpejt?
Agjentët që e mbronin Trumpin kanë marrë lëvdata, përfshirë nga ish-agjenti Robert McDonald, i cili tha se ata bënë “punë mjaft të mirë” pavarësisht se nuk kishte “libër” të saktë se çfarë duhet bërë në një situatë të tillë.
Por është shtruar edhe pyetja nëse ata ishin mjaft të shpejtë për ta çuar ish-presidentin në automjet.
Pamjet e incidentit tregojnë se ata formuan me shpejtësi një mburojë rreth tij menjëherë pas të shtënave, por më pas duken të pushojnë ndërsa Trump kërkon t’i marrë këpucët e tij. Më pas ai iu drejtohet me pjesëmarrësve me grushtin e ngritur.
Një veteran i Shërbimit Sekret tha për New York Times se nuk do të kishte pritur. “Nëse jam unë atje, jo. Ne do të shkojmë dhe do të shkojmë tani”, tha Jeffrey James.
“Nëse jam unë, do t’ia blej një palë këpucë të reja”./ KultPlus.com
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka pritur në takim ambasadorin suedez, Jonas Westerlund, shefin e SIDA’s në Kosovë Henrik Riby dhe përfaqësuesin e organizatës Grupi Ballkanik për Hulumtim të Politikave, Naim Rashiti.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, e priti sot në takim Ambasadorin e Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, shefin e SIDA-s në Kosovë, Henrik Riby, dhe përfaqësuesin e organizatës Grupi Ballkanik për Hulumtim të Politikave, Naim Rashiti.”
ZKM njofton se Kurti e uroi ambasadorin Westerlund “për fillimin e mbarë të anëtarësisë së Suedisë në NATO, ndërkohë që theksoi se anëtarësimi i Kosovës në po këtë organizatë mbetet synim i qartë dhe angazhim i vazhdueshëm i institucioneve të Republikës së Kosovës”.
Kurti e ka falënderuar Westerlund për përkrahjen ndaj Kosovës në procesin e integrimeve evropiane dhe ndihmën e dhënë në shumë projekte zhvillimore.
“Kryeministri Kurti e falënderoi ambasadorin Westerlund për përkrahjen ndaj Kosovës në procesin e integrimeve evropiane dhe për ndihmën e dhënë për shumë projekte zhvillimore, e përfshirë këtu projektin ‘Ndërtimi i Paqes dhe Avancimi i Agjendës Evropiane’, që menaxhohet nga Grupi Ballkanik për Hulumtim të Politikave/BPRG, e i cili mbështet një numër ekspertësh ndërkombëtarë e vendorë.”/ KultPlus.com
Të dua në dhjetë të mëngjesit, edhe në njëmbëdhjetë dhe në dymbëdhjetë të ditës. Të dua me gjithë shpirt dhe me gjithë trup, ndonjëherë në mbasditet me shi. Por në orën dy të mbasdites, ose në tre, kur mendoj për ne të dy dhe ti mendon për ushqimin ose për punët e përditshme, ose për zbavitjet që të mungojnë, ia nis të të urrej shurdhërisht, me gjysmën e urrejtjes që ruaj për veten.
Pastaj të dua sërish, kur shtrihemi dhe ndjej se je bërë për mua, që në njëfarë mënyre ma thonë gjuri dhe barku yt, që duart e mia më bindin për atë dhe nuk është asnjë vend tjetër ku unë të vij, apo ku unë të shkoj, më i mirë se trupi yt. Ti vjen e plotë në takimin me mua dhe të dy zhdukemi për një çast, i bindemi Urdhrit të Zotit deri kur unë të të them se kam uri, apo më vjen gjumë.
Të gjitha ditët të dua dhe të urrej pandreqshëm. Dhe gjithashtu, ka ditë, ka orë në të cilat nuk të njoh, kur më je e largët si gruaja e tjetrit. Më shqetësojnë njerëzit, shqetësohem unë, më shpërqendrojnë dhimbjet e mia. Ka mundësi që shpesh nuk mendoj për ty. Tashmë e sheh. Kush mund të të dojë më pak se unë, e dashura ime?
Ambasada e Francës në Kosovë dhe Anibari sot do të nënshkruhet për projektin “Génésis”.
I financuar nga Ministria Franceze për Evropën dhe Punët e Jashtme, projekti Génésis e lidh Institutin Francez të Kosovës me Anibar dhe Akademinë e animacionit.
Ceremonia e nënshkrimit do të mbahet në ora 18:00.
“Ai synon të zhvillojë ndêrmarrjen kulturore dhe ekonomike, kinemanë, filmat e animuar dhe industrinë kulturore dhe krijuese në mbarë Kosovën, duke u mbështetur në partneritetet dypalëshe ndërmjet Francës dhe Kosovës.”, thuhet në njoftimin e ambasadës./ KultPlus.com
Gjenerali i pensionuar amerikan, Wesley Clark, është emëruar anëtar nderi i Odës Ekonomike Amerikane të Kosovë dhe anëtar nderi i Bordit të Guvernatorëve të saj.
Bordi i Guvernatorëve e ka miratuar propozimin e Drejtorit Ekzekutiv, Arian Zekës, që Clarku të nderohet nga kjo odë.
“Ndihemi jashtëzakonisht të nderuar dhe të privilegjuar që një personalitet i shquar si gjenerali Clark, i cili ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për Kosovën, e ka pranuar këtë rol në përvjetorin e njëzetë të organizatës sonë”, u tha nga OEAK.
Ky vendim pritet të forcojë marrëdhëniet ekonomike midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës, si dhe të promovojë investimet në të dyja vendet.
“Jemi të bindur se ky vendim do të ndihmojë Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë të forcojë më tej marrëdhëniet ekonomike ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës, si dhe të promovojë mundësitë për investime në të dyja vendet. Kjo do të kontribuojë ndjeshëm në përmbushjen e misionit të organizatës sonë”, theksojnë më tej nga Oda Amerikane.
Gjithashtu, kjo do të kontribuojë ndjeshëm në përmbushjen e misionit të Odës Ekonomike Amerikane.
Ish-gjenerali i NATO-s, Wesley Clark e kishte udhëhequr fushatën ajrore kundër caqeve ushtarake serbe në vitin 1999./ KultPlus.com
Rembrandti apo me emrin e plotë Rembrandt Harmenszoon van Rijn, i lindur më 15 korrik 1606 në Leiden, Holandë, ishte piktor holandez, i konsideruar si një nga tregimtarët më të mëdhenj në historinë e artit, me aftësi të jashtëzakonshme për t’i paraqitur njerëzit në disponimet e tyre të ndryshme, sipas Enciklopedisë Britanike.
Rembrandt njihet gjithashtu si një piktor i dritës dhe hijes dhe si një artist që favorizonte një realizëm të pakompromis që do t’i shtynte disa kritikë të pretendonin se ai preferonte më shumë të shëmtuarën sesa të bukurën.
Në fillim të karrierës së tij, Rembrandti pikturoi kryesisht portrete. Përafërsisht një e dhjeta e veprës së tij të pikturuar dhe të gdhendur përbëhet nga studime të fytyrës së tij, si dhe autoportrete më formale, një fakt që ka çuar në shumë spekulime.
Thelbi i veprës së Rembrandt-it, megjithatë, përbëhet nga pjesë historie biblike dhe në një masë shumë më të vogël historike, mitologjike dhe alegorike, të cilat ai i pikturoi, gdhendi ose skicoi me laps, bojë ose shkumës.
Ndryshimet në stilin e Rembrandt janë të jashtëzakonshme.
Qasja e tij ndaj kompozicionit dhe përkthimi i tij i hapësirës dhe dritës, formës dhe ngjyrës, penelata dhe trajtimi i vijës dhe tonit i nënshtrohen gradualisht transformimit, qoftë edhe brenda një vepre të vetme.
Gravurat e tij të pazakonta i sollën famë ndërkombëtare gjatë jetës dhe vizatimet, që në fakt u bënë si ushtrime praktike ose si studime për vepra të tjera, u mblodhën gjithashtu nga artdashësit bashkëkohorë.
Sipas mitit që evoluoi pas vdekjes së tij, Rembrandt vdiq i varfër dhe i keqkuptuar.
Është e vërtetë se në fund të jetës së tij realizmi i tij ishte zëvendësuar nga klasicizmi.
Megjithatë, reputacioni i tij ndërkombëtar midis njohësve dhe koleksionistëve vetëm sa vazhdoi të rritet.
Disa artistë në Gjermani dhe Venecia, gjatë shekullit XVIII, adoptuan stilin e tij.
Ai u nderua gjatë epokës romantike dhe u konsiderua si një pararendës i lëvizjes romantike.
Që nga ajo pikë ai u konsiderua si një nga figurat më të mëdha në historinë e artit./KultPlus.com
Duaje jetën ashtu siç është duaje plotësisht, pa pretendime; duaje kur të duan apo kur të urrejnë, duaje kur askush nuk të kupton, apo kur të kuptojnë të gjithë.
Duaje kur të gjithë të braktisin, apo kur në qiell të ngrenë si mbret. Duaje kur të vjedhin gjithçka, apo kur të dhurojnë. Duaje kur ka kuptim apo kur ngjan se nuk ka një fije.
Duaje në lumturi të plotë apo në vetminë absolute. Duaje kur je i fortë, apo kur ndihesh i pafuqishëm. Duaje kur ke frikë, apo kur ke një mal guximi. Duaje jo vetëm për kënaqësitë e mëdha e sukseset e mrekullueshme; duaje edhe për gëzimet e vogla.
Duaje edhe pse nuk të jep çka mundet, duaje edhe pse nuk është siç do ta dëshiroje. Duaje sa herë që lindesh e sa herë që je duke vdekur. Por mos duaj kurrë pa dashuri. /KultPlus.com
Anija kozmike ”Apollo 11” u nis para 55 viteve (1969) për të transportuar njerëzit e parë, që u ulën në Hënë.
Në muajt para ngritjes historike, NASA e vuri ekuipazhin në simulime rraskapitëse dhe të pamëshirshme për t’i përgatitur ata për në Hënë, sipas BBC.
“Nuk ka shumë vend këtu dhe këta kolltukë janë shumë të pakëndshëm”, tha John Parry i BBC-së teksa u ul i varur me kokë poshtë, përkrah James Burke, në simulatorin e kapsulës hapësinore ”Apollo”, në qendrën kërkimore hapësinore NASA në Kaliforni në gusht 1968.
“Por, kjo nuk ka shumë rëndësi, sepse kur jeni në hapësirë trupi juaj nuk peshon fare”, pranoi ai.
”BBC Tomorrow’s World” kishte shkuar për të parë se si NASA po harxhonte shuma të mëdha parash dhe përpjekjesh duke u përpjekur të imitonte atë që astronautët e ”Apollo 11” do të shihnin, dëgjonin dhe përjetonin në hapësirë.
Në vitin 1962, presidenti John F Kennedy kishte angazhuar SHBA-në për qëllimin ambicioz për të zbritur një njeri në Hënë dhe për ta sjellë atë të sigurt përsëri në Tokë.
Që atëherë, agjencia hapësinore kishte angazhuar një sasi të jashtëzakonshme njerëzish dhe teknologjie, për të mos përmendur zgjuarsinë dhe këmbënguljen, në një projekt që përfundimisht, në korrik 1969, do të shtynte astronautët Neil Armstrong, Buzz Aldrin dhe Michael Collins në hapësirë.
Për t’i përgatitur ata astronautë për këtë udhëtim në të panjohurën, NASA kishte ndërtuar një sistem kompleks simulatorësh tepër të detajuar. Këto i mundësuan ekuipazhit të zotëronte ndërlikimet e anijes kozmike ”Apollo” dhe që Misioni i Kontrollit të provonte me përpikëri çdo fazë të misionit, nga nisja deri tek ulja në Hënë deri tek rihyrja.
Konstruksioni Parry dhe Burke e gjetën veten të lidhur me rripa, rikrijuan se si do të ishte të ishe brenda dhe të fluturonin me modulin e komandës që quhej ”Columbia”.
E pajisur me të njëjtat kontrolle dhe ekrane fluturimi si kapsula hapësinore, ajo mund të gjenerojë të gjitha përgjigjet dhe leximet që mund të ndodhin në një mision.
Ai u krijua gjithashtu që të kishte saktësisht të njëjtën “ndjesi” si ato që do të përdornin përfundimisht astronautët, në mënyrë që ata të mund të zhvillonin lëvizjen e tyre të muskujve.
“Astronautët që do të jenë këtu brenda mund të duhet të kalojnë deri në 14 ditë të mbyllur dhe për të gjithë atë kohë, ata do të bëjnë me radhë ndërrime tetë orëshe në këtë panel kontrolli, duke parë numrat, instrumentet dhe kontrollin e çelësave”, tha Parry.
Për të krijuar ndjenjën e të qenit në hapësirë, NASA kishte krijuar me përpikëri një model në shkallë 3D të Tokës dhe një sistem optik të përpunuar që projektonte pamje realiste nga dritarja ndërsa planeti dhe anija kozmike ”Apollo” rrotulloheshin për secilën fazë të misionit.
Anija kozmike do të duhet të rrotullohet ngadalë në mënyrë që të ndalojë mbinxehjen e anës së drejtuar nga Dielli dhe ngrirjen e anës tjetër nga temperaturat e ftohta në hapësirë.
Astronautët e quajtën këtë manovër “modaliteti i barbecue”.
“Çdo minutë lëvizje e anijes reflektohet këtu dhe ndërsa prizmat rrotullohen dhe rrotullohen, astronauti merr një përshtypje të gjallë të Tokës qindra milje poshtë tij. Spanja dhe vija bregdetare e Afrikës së Veriut – iu deshën gjashtë artistëve gjashtë muaj për të pikturuar të gjithë detajet me dorë, duke punuar kryesisht nga fotot satelitore dhe disa nga zonat në këtë hartë janë të sakta deri në gjysmë milje”, tha Burke.
Për të lejuar ekuipazhin të përcaktojë pozicionin e anijes kozmike dhe të lundrojë në udhëtimin e tyre të parë, një tjetër aparat televiziv projektoi fotografi realiste të yjeve në qiell që do të ishin në fushën e tyre të shikimit.
Anija kozmike që ata planifikonin të nisnin ishte jashtëzakonisht komplekse, me një sërë sistemesh të ndërlikuara, që rregullonin të gjitha aspektet e fluturimit në Hënë, nga shtytja dhe navigimi, tek komunikimi, elektriciteti dhe mbështetja e jetës së astronautëve.
NASA kishte mbledhur një ushtri kontrollorësh fluturimi, të cilët u ulën në tastierë duke menaxhuar dhe monitoruar sisteme të ndryshme gjatë çdo sekonde fluturimi.
Shumë nga këta kontrollorë fluturimi ishin të rinj dhe ishin rekrutuar të sapodiplomuar – mosha mesatare ishte vetëm 27 vjeç.
“Gjithçka që ndodh në kapsulë në këtë fluturim të simuluar vëzhgohet në këtë dhomë kryesore të kontrollit dhe një tjetër në selinë e administratës hapësinore në Hjuston, Teksas, 1 500 milje larg”, tha Burke.
“E gjitha është regjistruar për studim më pas nga stafi i dhomës së kontrollit si dhe nga astronautët që po provojnë pajisjet. Pa riprodhimin e stresit aktual fizik dhe psikologjik të fluturimit në hapësirë, ata janë përpjekur të sjellin realizëm në gjithçka tjetër këtu”, shton ai.
Pas uljes dhe kthimit të sigurt të ”Apollo 11”, programi hënor i NASA-s vazhdoi deri në vitin 1972, duke zbritur në Hënë edhe pesë herë të tjera.
Tani, gara për të dërguar njerëz në Hënë po nxehet sërish – këtë herë me teknologji shumë më të zhvilluar.
Astronautët e NASA-s të ”Artemis” po synojnë një ulje në vitin 2026 dhe Kina po thotë se do të dërgojë njerëz në Hënë deri në vitin 2030.
”Sot, 50 vjet më vonë, mendoj se rëndësia historike ka më shumë ndikim tek unë tani sesa atëherë”, tha Griffin.
“A e kuptoni se çfarë bëmë dhe me teknologjinë e vjetër dhe kjo disi më mahnit. Më mahnit akoma që ne ishim në gjendje të bënim atë që bëmë”, thekson ai./atsh/ KultPlus.com
Në Shkodër, objekti në sfond njihet si “Shtëpia e Abatit” ose selia e shoqërisë “Bashkimi” (sot në Rrugën Justin Godard, pranë Katedrales së Shën Shtjefnit).
Shoqëria letraro-politike “Bashkimi” u themelua në vitin 1899 nga abati i Mirditës, Imzot Preng Doçi – në fotografi i ulur në qendër- dhe personalitete të tjera fetare dhe laike të kohës ndër të cilët si At Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Dodë Koleci, Dom Ndoc Nikaj, Anton Xanoni, Imzot Jak Serreqi, Imzot Lazër Mjeda, Atë Ambroz Marlaskaj, Nikollë Sheldija.
Programi i shoqërisë ishte përhapja e gjuhës së shkruar shqipe përmes botimeve. Shoqëria hartoi “Alfabetin e Bashkimit” i cili hodhi bazat e alfabetit të sotëm shqip që u miratua në Kongresin e Manastirit, si dhe botoi “Fjaluer i ri i i shqypes përbam prej shoqnijet Bashkimi” (1908).
Foto e Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi”./TemA/ KultPlus.com
Qyteti antik i Apolonisë po tërheq turistë nga e gjithë bota për trashëgiminë e tij të pasur historike dhe kulturore.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale opinionet e dy turistëve të huaj, të cilët kanë zgjedhur të vizitojnë Shqipërinë, jo vetëm për plazhet dhe turizmin e natyrës, por edhe për sitet historike.
“Ne e dimë që Shqipëria është një vend në zhvillim për turistët dhe e pamë në internet . Ne duam të vizitojmë çdo vit një vend, ndaj vendosëm këtë vit për Shqipërinë. Na pëlqejnë fotot dhe gjërat që keni dhe planifikojmë të bëjmë një udhëtim në të gjithë Shqipërinë. Filluam në Tiranë, shkuam në jug, pastaj shkuam në plazh dy-tre ditë. Tani kemi në plan të shkojmë në veri”, u shpreh një turist spanjoll.
Ai theksoi se gjatë udhëtimit në Shqipëri zbuluan se Apolonia është një nga vendet më interesante për t’u vizituar në këtë vend.
“Është një vend që patjetër duhet vizituar nëse ju pëlqejnë vendet historike. I duam gjërat tipike turistike, por duam gjithashtu edhe ndërtesat e lashta dhe historinë. Dhe ju keni shumë histori mbresëlënëse”, vijoi ai.
“Na pëlqejnë muzetë dhe historia dhe erdhëm këtu për të parë se si është. Duket shumë në formë dhe shumë interesante. Mendoj se do t’i sugjeroja familjes time Shqipërinë. Ndoshta do të kthehemi se kemi vetëm një javë kohë, kështu që do të bëjmë vetëm pjesën jugore. Ndoshta vitin e ardhshëm do të kthehemi të bëjmë edhe pjesën veriore”, u shpreh një tjetër turist.
Apolonia në Fier është një nga sitet më të mëdhenj të Shqipërisë, por edhe një nga qytetet më të mëdhenj në botën antike. Si një nga 27 Apolonitë e pellgut të Mesdheut, ajo është një nga vlerat e perlat e trashëgimisë tonë arkeologjike.
Arkeologët e quajnë Apoloninë “Pompei i Shqipërisë”, pasi vetëm 10% e territorit të qytetit të dikurshëm është zbuluar deri më sot.
Përvoja e Medina Berishës si studente dhe prind shpreh ndikimin që ka pasur UNI në përvojën e saj akademike. Duke diplomuar në Departamentin e Infermierisë, e fuqizuar nga Universiteti i Arizona State, ajo tregon për ndryshimet dhe mundësitë që ofron UNI.
Medina është një shembull frymëzues i bashkimit të rolit të prindit dhe studentit, duke shfrytëzuar mundësitë unike që UNIka ofruar për të avancuar jo vetëm në studimete saj, por edhe në zhvillimin personal dhe profesional.
Medina ndan përvojën e saj si studente dhe prind, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes së institucionit të arsimit të lartë për të lehtësuar këtë rrugë akademike.
“Të jesh student dhe prind në të njëjten kohë nuk është aspak e lehtë, e sidomos në fusha mjekësore. UNI për prindërit të cilët janë studentë ka shumë mundësi të mira, si kordinimi i orareve të ligjëratave, praktikave. ” thotë Medina.
UNI ka qenë i përkushtuar në sigurimin e një mjedisi të përshtatshëm për studentët me familje, duke ofruar shërbime dhe mbështetje të personalizuara që ndihmojnë në menaxhimin e kohës dhe të detyrave të shkollës.
Përpos kësaj, UNI ofron ambiente moderne dhe burime teknologjike të avancuara për të përmirësuar përvojën e mësimit dhe zhvillimin e aftësive praktike të studentëve.
Në fjalët e Medinës: “Kështu që nëse edhe ti je prind dhe nuk e din ende se ku dëshiron t’i vazhdosh studimet, eja në UNI sepse UNI ka shumë mundësi për ty..”
Në një periudhë kur universitetet po përshtaten me nevojat e një popullate studentore të ndryshme, përvojat e Medina Berishës në UNI tregon se si një nstitucion i arsimit të lartë mund të ndihmoj në përsosmërinë akademike dhe personale të studentëve.
Duke integruar mbështetjen e përshtatur dhe mundësitë për zhvillim profesional, UNI vazhdon të jetë një lider në ofrimin e një edukimi të lartë cilësor, që ndihmon studentët të arrijnë suksesin në të gjitha aspektet e jetës së tyre.
TI JE UNIK! Krijo suksesin tënd, me edukim amerikan. Fuqizohu nga Arizona State University, Universiteti më i madh publik në SHBA. Studio në UNI duke aplikuar këtu!
Nëntë sportistëve që do ta përfaqësojnë Kosovën në Lojërat Olimpike “Parisi 2024” iu është dorëzuar flamuri i shtetit nga presidentja Vjosa Osmani.
Në këtë ceremoni mori pjesë edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i cili iu drejtua të pranishmëve me një fjalë rast.
Pjesëmarrjes për herë të tretë të Kosovës në këto lojëra, shefi i qeverisë e ka quajtur moment historik, i cili ka ardhur si rezultat i një pune dhe pasioni të pashoq të sportistëve, por edhe të trajnerit të xhudos Driton Kuka.
Ai tha se rruga drejt Parisit nuk është e lehtë, por që deri më tani është dëshmuar se me përkushtim e punë të përbashkët arrihen rezultate të mëdha.
“Mos harroni që çdo hap që bëni e çdo fitore që arrini është një fitore për të gjithë ne”, tha Kurti.
Gara e LO “Paris 2024” do të mbahen nga 26 korrik e deri më 11 gusht.
Kosovën do ta përfaqësojnë pesë sportistë nga xhudoja, të prira nga medalistet e arta të “Tokyo 2020”, Nora Gjakova e Distria Krasniqi, një nga boksi (Donjeta Sadiku), një nga atletika dhe dy nga noti.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, organizoi sot ceremoninë e dorëzimit të flamurit për ekipin olimpik të Kosovës. Ajo tha se Lojërat Olimpike kapërcejnë kufijtë e sportit dhe i shërbejnë unitetit e paqes dhe respektit të ndërsjellë.
Osmani tutje shtoi se në prag të ‘Lojërave Olimpike Paris 2024’, të gjithë së bashku, ashtu siç është sentimenti i popullit në raport me kampionët e vendit tonë, janë tubuar për t’ia dorëzuar garuesve tanë flamurin e Republikë së Kosovës, si bekim për sukses në Paris.
“Lojërat Olimpike kapërcejnë kufijtë e sportit dhe i shërbejnë unitetit e paqes dhe respektit të ndërsjellë. Në një botë sikur kjo e sotmja e cila shpesh ndahet nga parimet, lojërat olimpike nxjerrin në pah të përbashkëtat tona, respektivisht aftësitë tona për të bashkuar nëpërmjet konkurrencës miqësore dhe respektit të ndërsjellë”, deklaroi Osmani në ceremoninë e dorëzimit të flamurit ekipit olimpik të Kosovës.
Ekipi olimpik do të udhëtojë këtë muaj në Paris të Francës, ku do të zhvillohet edicioni i radhës i Lojërave Olimpike. Këto lojëra do të fillojnë më 26 korrik dhe do të vijojnë deri më 11 gusht.
Gjirokastra, 19 vjet më parë, u bë pjesë e listës së Trashëgimive Kulturore Botërore të UNESCO-s.
Për të festuar përvjetorin, u zhvilluan një sërë aktivitetesh, raporton Euronews.al.
Ekspozta pikture, botime të ndryshme si dhe “Java e Filmit Shqiptar” ishin disa nga këto aktivitete të cilat promovuan vlerat e trashëguara në breza të Gjirokastrës.
“Bashkia Gjirokastër ka ndërmarrë një sërë aktivitetesh me rastin e 19-vjetorit të Gjirokastrës në UNESCO, çeljen e aktiviteteve e realizuam me Qendrën Kulturore të Fëmijëve ‘Fato Berberi’ me ekspozitën e pikturave” – u shpreh Violeta Panajoti, Drejtore e Aktiviteteve në Gjirokastër.
Anastas Lako, përgjegjës i kinemasë “Gjirokastër” bëri të ditur se filmat shqiptarë të restauruar do të shfaqen me titra anglisht për të afruar kështu edhe turistë, të cilët kanë vendosur të vizitojnë këtë qytet.
“Këtë javë do të shfaqen filma shqiptarë, filma të restauruar dhe kanë një veçori të gjithë filmat e restauruar do të jenë edhe me titra anglisht duke iu përshtatur fluksit të madh të vizitorëve që ka qyteti i Gjirokastrës në këtë stinë të verës atëherë do të jenë edhe shumë turistë, të cilët do ti ndjekin filmat shqiptarë”, deklaroi ai.
Alban Metushi, përgjegjësi i biblotekës “Apostol Meksi” tha se është bërë i mundur organizimi i një ekspozite ku pasqyrohen kultura, tradita, arkitektura e qytetit të Gjirokastrës, por edhe rrethinave të saj.
Synimi i programit të aktiviteteve të zhvilluara ishte edhe promovimi i resurseve turistike të qytetit dhe rrethinave.
Data 15 korrik e vitit 2005 shënoi momentin kur Gjirokastra muzeale u klasifikua si pasuri me vlera unike, pjesë e UNESCO-s .
Këshilli Europian miratoi sot një masë ndihme në kuadër të Mekanizmit Evropian të Paqes me vlerë 13 milionë euro, me qëllim rritjen e efektivitetit operacional të Forcave të Armatosura Shqiptare, veçanërisht në drejtim të lëvizshmërisë, manovrimit dhe mbrojtjes.
Ndihma do të forcojë gjithashtu kapacitetet e Shqipërisë në lidhje me pjesëmarrjen e saj në operacionet dhe misionet e Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes të BE-së, si dhe në çdo koalicion ndërkombëtar.
“Shqipëria është një partner i besueshëm për sigurinë dhe një vend kandidat për në BE. Vendimi i sotëm është një arritje e rëndësishme në bashkëpunimin tonë për sigurinë dhe mbrojtjen. Gjithashtu, ai pasqyron vlerësimin tonë për qëndrimin e Shqipërisë në linjë të plotë me Politikën e Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes të BE-së, një shprehje shumë e qartë e zgjedhjes strategjike të Shqipërisë për një të ardhme brenda BE-së”, u shpreh Josep Borrell, Komisioner i Lartë për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë
Ky vendim është rezultat konkret i angazhimit në rritje me Shqipërinë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, duke reflektuar përafrimin e plotë të Shqipërisë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së.
Mekanizmi Evropian i Paqes do të sigurojë pajisje që nuk janë projektuar për të prodhuar forcë eliminimi fizik dhe, aty ku nevojitet, furnizime dhe shërbime të tjera, përfshirë trajnim teknik. Forca Tokësore Shqiptare do të marrë mjete të lehta të blinduara shumëfunksionale. Këto mjete janë të pajisura për të siguruar lëvizshmëri dhe manovrim të lartë në të gjitha llojet e terrenit dhe kushteve të motit, si dhe për të siguruar mbrojtjen e personelit ndaj armëve të lehta dhe eksplozivëve.
Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë e cilësoi kë masë si një tjetër arritje historike.
“Sot Këshilli i BE-së miratoi një paketë ndihme prej 13 milionë eurosh për të mbështetur Forcat e Armatosura Shqiptare në kuadër të Mekanizmit Evropian të Paqes. Kjo nismë synon të forcojë aftësitë ushtarake të Shqipërisë dhe të rrisë sigurinë rajonale”, thekson Delegacioni i BE.
Mekanizmi Evropian i Paqes u krijua në mars 2021 për financimin e veprimeve në kuadër të Politikës së Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë për parandalimin e konflikteve, për ruajtjen e paqes dhe për forcimin e sigurisë dhe stabilitetit ndërkombëtar. Në veçanti, Mekanizmi Evropian i Paqes i mundëson BE-së të financojë veprime të projektuara për të forcuar kapacitetet e shteteve të treta dhe organizatave rajonale e ndërkombëtare në lidhje me çështjet ushtarake dhe të mbrojtjes.
Xherdan Shaqiri njoftoi pensionimin e tij nga futbolli ndërkombëtar të hënën pas 125 paraqitjeve me Zvicrën dhe u bë lojtari i vetëm që ka shënuar në secilën nga tre Kupat e fundit të Botës dhe Kampionatet Evropiane.
Mesfushori Shaqiri, 32 vjeç, i cili tani luan me Chicago Fire në Shtetet e Bashkuara, është lojtari i dytë i Zvicrës me më shumë paraqitje pas bashkëlojtarit Granit Xhaka me 130 paraqitje.
Ish-anësori i Bayern Munichut dhe i Liverpoolit bëri debutimin e tij ndërkombëtar në mars 2010 në moshën 18-vjeçare. Ai përfaqësoi vendin e tij në katër Kupa Botërore dhe tre Kampionate Evropiane.
Në atë që ishte ndeshja e tij e fundit për Nati-n, Shaqiri shënoi në penallti teksa Anglia mundi Zvicrën 5-3 me penallti pas barazimit 1-1 në çerekfinalen e Euro 2024 në Duseldorf më 6 korrik.
“Shtatë turne, shumë gola, 14 vite me kombëtaren e Zvicrës dhe momente të paharrueshme. Është koha për t’i thënë lamtumirë kombëtares. Mbeten kujtimet e mrekullueshme dhe ju them të gjithëve: faleminderit”, ka thënë ai në rrjetet sociale.
Shaqiri tërhiqet si golashënuesi i katërt më i mirë i Zvicrës me 32 gola, pas Alexander Frei me 42 dhe Kubilay Turkyilmaz dhe Max Abegglen me nga 34 gola.
Federata Zvicerane e Futbollit (SFV) tha se shumica e golave të tij ishin “bangers”.
Shaqiri shënoi për herë të parë për Zvicrën në humbjen 3-1 nga Anglia në Basel në vitin 2010, në paraqitjen e tij të shtatë.
Ai i shënoi të tre golat teksa Zvicra mundi Hondurasin 3-0 në Kupën e Botës 2014 në Brazil.
Goli i tij i fundit ndërkombëtar erdhi në Euro 2024, duke realizuar një super-gol jashtë 16-shit që çoi në barazimin 1-1 të Zvicrës me Skocinë në fazën e grupeve.
Ky gol do të thotë se ai u bë lojtari i vetëm që shënon në tre Kupat e fundit të Botës dhe në tre Eurot e fundit.
“Momente të veçanta”
Organi drejtues i SFV-së thuri lavde për gjurmët e Shaqirit në ekipin kombëtar të futbollit.
“Me Shaqirin, shkon edhe një pjesë e madhe e historisë së Natit. Vitet e fundit, mesfushori sulmues ishte njeriu për momente të veçanta”, tha SFV.
“Ju falënderojmë me gjithë zemër për angazhimet e shumta të paharrueshme dhe golat e asistimet e mrekullueshme në ekipin kombëtar dhe ju urojmë më të mirën për të ardhmen tuaj dhe shumë suksese”.
“Ju keni prekur dhe pushtuar zemrat tona me lojën dhe golat tuaja”.
Askush nuk ka shënuar më shumë gola për Zvicrën në turne finale sesa Shaqiri me 10: pesë në Euro dhe pesë në Kupat e Botës.
“Vetëm gjashtë lojtarë të tjerë kanë shënuar pesë ose më shumë gola në Euro dhe në Kupën e Botës: Michel Platini, Jurgen Klinsmann, Zinedine Zidane, Thierry Henry, Cristiano Ronaldo dhe Romelu Lukaku”, tha SFV.
I lindur në vitin 1991 në Kosovë, e cila atëherë ishte pjesë e Jugosllavisë, familja e tij emigroi në Zvicër në vitin 1992.
Përveç të bëmave të tij ndërkombëtare, Shaqiri fitoi Ligën e Kampionëve dhe Kupën e Botës për Klube me Bayern Munich dhe Liverpool, plus tre tituj të Bundesligës dhe Premier League.
Ai gjithashtu fitoi tre tituj të ligës zvicerane në vitet e tij të hershme me Baselin, në një karrierë që e ka çuar edhe në Inter Milan, Stoke City dhe Lyon. /Klankosova.tv/ KultPlus.com
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka njoftuar se kanë nisur gërmimet arkeologjike në lokalitetin arkeologjik, në Cernicë të Gjilanit.
Ministri Çeku tha se Gradina e Cernicës, bazuar në materialin e zbuluar arkeologjik, përfaqëson njërin nga vendbanimet kryesore të periudhës së hekurit dhe asaj helenistike – periudha e Mbretërisë Dardane, në territorin e Republikës së Kosovës.
“Arkeologjia po trajtohet me prioritet. Përmes zbulimeve arkeologjike tregohet historia e lashtë e vendit tonë”, thuhet në shkrimin e Ministrit Çeku në facebook./ KultPlus.com
Federata e Futbollit e Zvicrës ka dalë me njoftim pas tërheqjes së Xherdan Shaqirit nga përfaqësuesja helvetike e futbollit. Federata e Futbollit e Zvicrës ka falënderuar Shaqirin për kontributin e dhënë për fanellën e Zvicrës.
“Dëshirojmë t’u falënderojmë shumë për paraqitjet e shumta të paharrueshme, për golat dhe asistimet e mrekullueshme në përfaqësuese dhe ju dëshirojmë të gjitha të mirat dhe shumë suksese në të ardhmen. Ju me lojën dhe golat tuaj keni prekur dhe pushtuar zemrat tonë dhe të tifozëve”, shkruan në njoftimin e Federatës së Futbollit të Zvicrës.
Shaqiri bëri debutimin e tij për Zvicrën në mars të vitit 2010 në miqësoren kundër Uruguait në St. Gallen. Ai shënoi golin e tij të parë gjashtë muaj më vonë në St. Jakob-Park të Baselit në humbjen 3:1 kundër Anglisë. Kundër të njëjtës përfaqësuese, ai dha një emocion të jashtëzakonshëm gati dhjetë ditë më parë, kur si zëvendësues në çerekfinale të “Euro 2024”, në minutën e 118-të goditi traversën nga gjuajtje e lirë.
Shaqiri luajti për Zvicrën në Evropianin e Gjermanisë dhe ka shënuar golin e barazimit 1:1 në ndeshjen e fazës grupore kundër Skocisë.
Ky gol e bëri Shaqirin lojtarin e vetëm që ka shënuar të paktën një gol në çdo Botëror dhe Evropian që nga viti 2014.
“Një pjesë e madhe e historisë së Zvicrës shoqërohet me Shaqirin. Mesfushori sules ka qenë njeriu i momenteve të veçanta në vitet e fundit”, shkruan në shkrimin e federatës zvicerane të futbollit. Me 123 ndeshjet e tij, Shaqiri është lojtari i dytë i Zvicrës me më së shumti paraqitje pas Granit Xhakës. Por Shaqiri është i pakrahasueshëm kur bëhet fjalë për golat e Zvicrës në finale. Ai shënoi dhjetë herë në Kampionatin Botëror dhe Evropian.
Pasuria natyrore e kulturore e liqenit të Ohrit, pjesë e Pasurisë botërore të Unescos, mund të shpallet zonë në rrezik! Në një raport të përgatitur për mbledhjen e përvitshme që mbahet në datat 21-31 korrik në Indi, UNESCO vëren se nevoja urgjente për adresimin e problemeve të gjetura nga vizita e tyre, kërkon mobilizim për të ruajtur Vlerat e jashtëzakonshme Universale, përndryshe vitin e ardhshëm duket se shpallja në rrezik është e pashmangshme.
Pasuria natyrore e kulturore e liqenit të Ohrit, pjesë e Pasurisë botërore të Unescos, mund të shpallet zonë në rrezik! Në një raport të përgatitur për mbledhjen e përvitshme që mbahet në datat 21-31 korrik në Indi, UNESCO- Organizata e Kombeve te Bashkuara për Edukim, Shkencë e kulturë, vëren se nevoja urgjente për adresimin e problemeve të gjetura nga vizita e tyre, kërkon mobilizim për të ruajtur Vlerat e jashtëzakonshme Universale, përndryshe vitin e ardhshëm duket se shpallja në rrezik është e pashmangshme. Unesco ka lënë si afat datën 1 shkurt 2025 për një raport të përditësuar mbi gjendjen e Pasurisë natyrore e kulturore te liqenit të Ohrit. Por çfarë po e rrezikon dëmtimin e vlerave për të cilat kjo pasuri u shpall e mbrojtur nga UNESCO? Plani I menaxhimit, ndërtimet, zhvillimi dhe infrastruktura e transportit tokësor përmenden që në krye. Më tej, raporti detajon problematikat e hasura, duke nisur që nga studimi i fizibilitetit për rrugën alternative të Korridorit VIII.
Në Shqipëri, zhvillimet e reja në shkallë të gjerë duket se po vazhdojnë. Ndikimet e zgjerimit të rrugës mes Qafthanës dhe Pogradecit duhet të rishikohen. Bypass-i mes Pogradecit, Tushemishtit dhe kufirit mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut është planifikuar pranë daljes së Burimeve të Drilonit, me rrezik për dëmtimin e tij. Masterplani për Parkun Ujor Drilon-Tushemisht përfshin zhvillimin në tokë bujqësore për çka, misioni I vitit 2020 rekomandoi ndalimin e tij, ndërsa nuk është përjashtuar ende zhvillimi I infrastrukturës rrugore dhe ndërtimet në zonën e Burimeve të Drilonit. ndërkaq, parashikimet për zhvillimin urban në Planin e Përgjithshëm Vendor të Pogradecit, të rekomanduara si të papranueshme nga misioni i UNESCO në vitin 2020 mbeten në fuqi, megjithëse projekt propozimet do të duhet t’i dorëzohen në Qendrën e Trashëgimisë Botërore paraprakisht.
Masat urgjente për adresimin e rreziqeve ekzistuese dhe parandalimin e rreziqeve të reja, siç kërkohen nga Komiteti, nuk janë marrë ende, thuhet në raport. Ndërhyrjet zhvillimore në shkallë të gjerë rreth liqenit, veçanërisht pranë qendrave kryesore urbane, kanë cënuar sipas UNESCOS, cilësitë e jashtëzakonshme të zonës së mbrojtur, duke zvogëluar vlerat që mbështetën zhvillimin e gjatë të jetës kishtare përgjatë brigjeve të liqenit. E megjithatë, thuhet në raport, niveli i lartë i cenueshmërisë së pronës nuk njihet nga vendimmarrësit kryesorë. Sipas raportit, gjendja e konservimit të pronës nuk po përmirësohet dhe nuk ka tendencë pozitive për rikthimin e integritetit të saj. në mesin e sugjerimeve Unesco i kërkon Shtetit Palë, Shqipërisë, të dorëzojë në Qendrën e Trashëgimisë Botërore për shqyrtim nga ICOMOS të gjithë dokumentacionin në lidhje me projekt propozimin për ruajtjen dhe përmirësimin e kishës në Lin./ Balkanweb/ KultPlus.com