Qytetet në sytë e Rron Qenës prezantohen në ekspozitën “Udhët që më njohin”

Temperaturat e larta të ditës së mërkurë, 17 korrik, nuk ndaluan që oborri i Galerisë Kombëtare të mbushej plot me njerëz, për të parë 37 piktura, secila ndryshe prej tjetrës e me shumë ngjyra, nga ekspozita “Udhët që më njohin”, të artistit Rron Qena. Qena i cili ka lindur në vitin 1979, që tashmë jeton dhe vepron mes Prishtinës e Bremenit të Gjermanisë ka hapur mbrëmë ekspozitën e tij me piktura nga qytete të ndryshme.

Lidhja e tij me pikturën fillon nga marrëdhënia e ngushtë me babain e tij, Agim Qena, karikaturist i njohur në Kosovë. Një nga seritë e tij më të hershme në vitet e 90, e titulluar “Gjumi”, përfshinë skicimin dhe analizimin e anëtarëve më të afërte familjes së tij, derisa ata flinin.

Kapjet e momenteve plot jetë të pamjeve të lagjeve, të këndeve të qyteteve, portretet me dedikime të njerëzve të dashur, janë perceptime të potencialit frymëzues në ambientin që e rrethon deri sa të shkëndijë magjia e frymëzimit. Qasja me qëllim njohje dhe studimi më të thellë të gjuhës së ngjyrave, evoluon në mjeshtëri pikturimi dhe përbën sintaksën vizuele të pikturës së Qenës.

Cikli i Qenës “Behind the Walls” merr frymëzimi nga muret e larta dhe shumëngjyrëshe të shtëpive në Shkodër, që ngjajnë me pikturat e afreskut. Ky cikël thellohet në temat e izolimit, mbylljes dhe kuriozitetit për atë që fshihet mbrapa këtyre barrierave. Rron Qena i lidh këto vepra me historinë e Shkodrës dhe izolimin e Kosovës, shkruan KultPlus.

Të mërkurën, oborri i Galerisë Kombëtare u mbush plot me studiues të artit, fytyra të njohura të Republikës së Kosovës, gazetarë e artdashës. Në hapje të ekspozitës, kuratori Lulzim Zeqiri dhe piktori Rron Qena, përshendetën të pranishmit, duke iu uruar që të kalojnë sa më mirë.

“Street in Bremen”, “Dardania”, “Mbrapa mureve”, “Blue Road”, “Rrugës për shtëpi”, “My friends are Musicians”, “Almas House”, “Park in Berlin”, “View from Sunny Hill”, “Muret e Shkodrës”, “Në Muzg”, “Prishtina”, “Muharrem Qena”, “Armata”, “Melihate Qena”, “Hana Sleeping”, ishin disa prej emrave të pikturave të ekspozitës.

Kuratori Zeqiri tha për KultPlus se aplikimi për këtë projekt ka qenë në janar të këtij viti, ku është përzgjedhur Rron Qena dhe se prej janarit kanë biseduar se si do konceptohet dhe si do të përzgjedhen pikturat.

“Nuk ka qenë e vështirë sepse ideja ka qenë e bazuar në një periudhë të caktuar të jetës së Rronit, jo në krejt punimet specifikat janë se kur një artist e lë vendlindjen për një arsye të caktuar, shkon në një vend tjetër dhe vendoset të jetoje atje, se si e përjeton ndryshimin kultural dhe vendin ku jeton”, tha Zeqiri për KultPlus.

Ndërkaq, Qena tregoi se piktura e parë dhe më e veçanta ndër të gjitha që ishin të prezantuara në Galeri, ishte “Sleeping Hana” pasi ishte motra e tij, që ai e kishte pikturuar derisa ajo po flinte.

“Piktura e parë ka qenë “Sleeping Hana”, ajo është motra ime duke fjetur, kur isha më i vogël kam vizatu njerëz derisa kanë qenë në gjumë që kanë qenë si model për mua, pasi që nuk kanë lëviz shumë”, tha Qena për KultPlus.

Tutje, ai tha se nuk ka pasur vështirësi në realizimin e pikturave, pasi ka pasur motiv, duke shtuar se pikturat janë realizuar nga Berlini, Bremeni, Pogradeci, Shkodra e Prishtina.

“Jam shumë i lumtur sonte sepse është shumë nxehtë dhe njerëzit përsëri kanë ardhur, më vjen shumë mirë”, u shpreh ai në fund.

Ekspozita do të mbetet e hapur deri më 1 shtator të këtij viti/KultPlus.com

Rama: Pushuesit vendas e të huaj po shijojnë plazhet e kristalta në Sarandë e Ksamil

Kryeministri Edi Rama ka publikuar mëngjesin e sotëm një video nga plazhet e Ksamilit dhe Sarandës, të cilat janë të mbushura plot me turistë.

Në këtë video disa nga turistët e huaj kanë folur për eksperiencën e tyre në këto plazhe të kristalta, ku shprehen tepër të kënaqur dhe të lumtur.

“Vend i dashur, i bukur dhe i paqtë”, shprehet një turiste e huaj, e cila po pikturon në bregun e detit.

“Ka një pamje shumë të bukur, njerëzit janë shumë të sjellshëm dhe çmimet janë shumë të ulta. Më bukur s’ka në botë”, shprehet një turist shqiptar nga Kosova.

Një tjetër turiste e huaj shprehet se, “ky është udhëtimi i parë në Shqipëri dhe jam shumë e lumtur. Ky plazh është shumë i pastër dhe ata që shërbejnë janë shumë të sjellshëm”.

“Vijmë enkas sepse ky vend është 100 herë më i bukur dhe çmime janë shumë të arsyeshme”, tha një tjetër turist shqiptar.

Një turiste franceze vlerëson Ksamilin si një nga ishujt më të bukur që ka vizituar.

“Ksamili është një vend shumë i bukur, mori është shumë i mirë, njerëzit janë shumë të dashur dhe plazhet fantastike”, tha një tjetër turist i huaj.

Një turist nga Norvegjia vlerëson çmimet e ulëta. “Të qëndrosh këtu është thuajse falas”, shprehet ai.

Një pushuese nga Kosova shprehet se, ” Sarandën nuk e ndërrojmë me asgjë tjetër. Deti i pastër, uji i kthjellët, njerëzit të presin mirë. Pse duhet të shkosh diku tjetër? S’kemi nevojë të shkojmë nē Itali apo Francë, kur kemi vendin tonë, Rruga ishte super nga Kosova, 5 orë e gjysëm nga Ferizaj. Pastërtia nuk ka dallim prej Kroacisë”.

“Mirëmëngjesi dhe me entuziazmin e pushuesve vendas e të huaj nga Saranda dhe Ksamili, të cilët po shijojnë plazhet e kristalta, klimën fantastike të bregdetit dhe gjithë ofertën turistike duke ndarë këto përjetime të sinqerta, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama./atsh/KultPlus.com

25 vite nga nga vdekja e Pandi Raidhit, aktori i mbi 200 roleve në teatër dhe filma

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave përkujtoi sot aktorin Pandi Raidhi.

Lindi në 14 prill 1921 në Korçë, aty ku fare i ri interpretoi për herë të parë dhe fitoi menjëherë simpatinë e publikut.

Mori pjesë në luftën Nacional-Çlirimtare në radhët e Rinisë Antifashiste. Në vitin 1948 pas mbarimit të shkollës së mesme filloi punën në Teatrin Popullor (sot Teatri Kombëtar), ndërsa në 1950 u kthye në teatrin “A.Z.Çajupi” të Korçës.

Është konsideruar si “talent i lindur” pasi që në moshë fare të re spikati tek shfaqja “Dasma korçare”. Ai ishte një nga themeluesit e Estradës Profesioniste të Korçës si dhe aktor themelues i Teatrit “Andon Zako Çajupi”.

Debutimin kinematografik e bëri në filmin e parë shqiptar “Tana”, në vitin 1958. Mjeshtri i madh i karaktereve Pandi Raidhi, realizoi 200 role në teatër dhe 36 në filma. Shumë personazhe kanë ngelur në mendje të publikut, ndër të cilët mund të përmendim rolet tek filmat “Yje të netëve të gjata”, “Nëntori i Dytë “, “Tokë e përgjakur”, “Zonja nga qyteti”, etj. Më tej interpretoi në dhjetëra filma shqiptarë.

Pandi Raidhi u kthye shpejt në një figurë të dashur për artdashësit dhe shumë popullore. Shumëkush i njeh rolet dhe batutat e xha Bakos në filmat “Zonja nga qyteti” e “Shoqja nga fshati”, të Pllaton Bubuqit te “Përballimi”, partizanit Meke te “Krevati i Perandorit’, lojën e tij te “Liri a vdekje”, “Familja ime”, “Rrethimi i vogël”, “Nëntori i dytë”, apo “Njerëz në rrymë”, që ishte filmi i tij i fundit.

Në vitin 1975 iu dha titulli i lartë “Artist i Popullit”. Po ashtu Bashkia Tiranë i ka dhënë një prej rrugëve të kryeqytetit emrin e tij.

Aktori i mirënjohur Pandi Raidhi u nda nga jeta në 18 korrik të vitit 1999./atsh/KultPlus.com

OKB: Sot, Dita Ndërkombëtare e Nelson Mandelës

“Është e lehtë për t’u thyer dhe për të shkatërruar. Heronjtë janë ata që bëjnë paqe dhe ndërtojnë”. OKB zgjodhi këto fjalë të Nelson Mandelës për ta kujtuar në ditën e tij të lindjes e njëkohësisht në Ditën Ndërkombëtare të Nelson Mandelës, luftëtarit të të drejtave të njeriut, e nobelistit të paqes.

Nelson Mandela ka lindur më 18 korrik të vitit 1918. Ditëlindja u shpall si Dita Ndërkombëtare e Nelson Mandelës, nga OKB-ja, si shenjë mirënjohjeje për kontributin e fituesit të çmimit Nobel për Paqe e pajtimin e arritur në Afrikën e Jugut.

Në këtë ditë, jugafrikanët zakonisht e kremtojnë ditëlindjen e liderit të tyre kundër aparteidit, me 67 minuta punë për komunitetin, duke qenë se Mandela qëndroi 67 vjet në shërbim të atij komuniteti.

Fillimisht, Mandela zgjodhi rrugën paqësore për qëllimet e tij dhe të shokëve të tij.Në vitin 1956 ai u akuzua për “tradhti të lartë” nga regjimi i atëhershëm, bashkë me 155 shokë të tjerë. Procesi zgjati deri më 1961 dhe të gjithë u liruan. Pas lirimit ai u bë lideri i grupit të armatosur së ANC-së.

Në vitin 1962 u burgos dhe u dënua me 5 vjet heqje lirie. Në vitin 1964 u dënua me burg të përjetshëm, sepse kishte planifikuar luftë të armatosur. Në vitin 1985 atij iu afrua mundësia e lirimit, në qoftë se do të pranonte ndalimin e aktivitetit të armatosur, por ai refuzoi.

Në vitin 1990 mbas një fushate të ANC dhe presionit ndërkombëtar, ai u lirua pa kushte, pas 28 vitesh burg. Në vitin 1993 fitoi çmimin Nobel. Në vitin 1994 u zgjodh president i parë me ngjyrë i Afrikës së Jugut.

Mandela vdiq pas një sëmundjeje të gjatë më 5 dhjetor 2013 në shtëpinë e tij në Johannesburg.

Nelson Mandela, simbol i përhershëm i rezistencës kundër padrejtësisë

Sot, festohet 105 vjetori i lindjes së një prej figurave më të shquara dhe frymëzuese të shekullit të kaluar – Nelson Mandela. Ai ishte një luftëtar për të drejtat civile dhe lider i dalluar i Afrikës së Jugut, i cili bëri të pamundurën për të fituar lirinë dhe barazinë për popullin e tij. Kujtimi i tij ende gjallëron në zemrat e njerëzve të gjithë botës si një ikonë e paepur e luftës për drejtësi dhe paqe.

Nelson Rolihlahla Mandela u lind më 18 korrik të vitit 1918 në qytetin e Mvezo, në rrënojat e një shoqërie të ndarë prej apartheidit. Nëpërmjet arsimit të tij të lartë dhe përkushtimit të pashoqëruar ndaj shërbesës së të tjerëve, ai u bë një avokat i të drejtave të njeriut dhe një zë i fuqishëm i luftës kundër ndarjes së races.

Mandela shkëlqeu për herë të parë në skenën botërore gjatë viteve të 1940, kur filloi të drejtojë organizata kundër apartheidit dhe të ngrinte zërin për një Afrikë të Jugut të bashkuar dhe të lirë. Këto përpjekje i sollën atij burgun në vitin 1962, ku ai do të qëndronte për 27 vjet. Në këto vite, ai vazhdoi të mbajë flakët e shpresës dhe të rezistencës, duke u bërë një simbol i përhershëm i rezistencës kundër padrejtësisë.

Me rrëzimin e apartheidit në vitin 1994, Nelson Mandela u shpall Presidenti i parë i një Afrike të Jugut të bashkuar, duke i dhënë fund një periudhe të errët dhe të dhimbshme të historisë së këtij vendi. Ndërsa në pushtet, ai mbrojti vlerat e demokracisë, paqes dhe bashkëpunimit, duke ndihmuar vendin të shërbejë si shembull i frymëzimit për kombet e tjera të kërkojnë barazi dhe paqe.

Nelson Mandela u nderua me Çmimin Nobel për Paqe në vitin 1993, një tërheqje e përkushtimit të tij ndaj pajtimit dhe harmonisë ndërkombëtare. Ai e la këtë botë në vitin 2013, por trashëgimia e tij jetojë me të madhe nëpërmjet institucioneve të paqes dhe të drejtave të njeriut që mbajnë emrin e tij.

Edhe pas vdekjes, Mandela mbetet një udhërrëfyes i thellë për më shumë barazi, paqe dhe mirëkuptim mes njerëzve. Përvjetori i lindjes së tij shënohet me respekt dhe nderim nga miliona njerëz në të gjithë botën. Kujtimi i tij na inkurajon të kërkojmë vlera të larta, të mos dorëzohemi përpara sfidave dhe të punojmë nëpër bashkëpunim për një botë më të drejtë dhe më të qëndrueshme.

Në këtë ditë të veçantë, kujtojmë dhe nderojmë jetën e Nelson Mandela, një shembull i rrallë i humanizmit dhe sakrificës për të mirën e të gjithë njerëzve. Le të marrim frymëzim nga jeta dhe veprat e tij, për të vazhduar të ndërtojmë një botë më të përbashkët dhe më të drejtë për të gjithë. / KultPlus.com

Muzeu “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, rreth 80 mijë vizitorë prej fillimit të vitit

Muzeu “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë ka pasur rritje të numrit të vizorëve. Shifrat i bëri publike vetë muzeu që shprehet se numrin më të madh të vizitorëve e përbëjnë polakët, italianët dhe spanjollët.

Rreth 80 mijë vizorë nga fillimi i vitit kanë hyrë në muzeun e Krujës. Ky është një dyfishim i numrit të vizitorëve krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Muzeu ka ndarë dhe një video në faqen e tij me pamje të vizorëve, shumicën e të cilëve e përbëjnë polakët.

Nga janari deri në dhjetor të vitit 2023 muzeu “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” u vizitua nga 110,162 vizitorë, ku 50 % ishin vizitorë të huaj, 30 % vendas dhe 20 % nxënës dhe studentë. Por duke parë trendin, duket se këto shifra do tejkalohen në 2024-ën.

Në muzeun “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” janë të ekspozuara mjaft objekte, dokumente dhe bibliografi origjinale apo riprodhime autentike, që flasin qartë për historinë e popullit shqiptar në shek. XV e më gjerë./atsh/KultPlus.com

“La Nacion”: Shqipëria – destinacioni evropian me plazhe spektakolare dhe përvojë autentike kulturore

Me brigjet e lagura nga detet Adriatik dhe Jon, ky vend i vogël ofron plazhe që rivalizojnë për nga bukuria ato të Karaibeve, shkruan Alejandro Rapetti në një artikull të botuar në revistën argjentinase “La Nacion”.

Rëra e bardhë dhe ujërat e pastra kristal, të rrethuara nga malet dhe vendet historike, po tërheqin një numër në rritje turistësh që kërkojnë diellin dhe detin dhe një histori të pasur kulturore.

Agjencitë turistike kanë filluar ta përfshijnë Shqipërinë si një nga destinacionet e preferuara në ofertat e tyre.

Arsyeja është e thjeshtë: ky vend ofron plazhe spektakolare dhe një përvojë autentike kulturore – me një kosto relativisht të ulët në krahasim me destinacionet e tjera evropiane.

Bumi i verës

Koha më e mirë për të vizituar Shqipërinë është midis majit dhe shtatorit, kur moti është i përsosur për të eksploruar plazhet dhe vendet historike.

Sipas të dhënave të kiwi.com, rezervimet për Tiranën, kryeqytetin e Shqipërisë, janë rritur ndjeshëm për verën e vitit 2024 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.

Kjo rritje nuk është e re; Që nga pandemia, Shqipëria ka përjetuar një rritje vjetore të turizmit me 20-30%.

Në vitin 2023, Shqipëria ishte vendi i katërt me rritjen më të lartë të ardhjeve të turistëve ndërkombëtarë – me një rritje prej 56% krahasuar me vitin 2019.

Atraksioni kryesor turistik i Shqipërisë janë plazhet e saj, të krahasueshme me ato të Karaibeve.

Në jug të vendit, bregdeti i detit Jon ofron peizazhe ëndrrash.

Ksamili, një qytet i vogël bregdetar, është i famshëm për ishujt e tij të aksesueshëm me not ose varkë, ujërat bruz dhe rërën e bardhë.

Një tjetër destinacion i njohur është Plazhi i Dhërmiut, i njohur për ujërat e tij blu dhe rrethinat malore, ideal si për relaks ashtu edhe për aktivitete ujore.

Një vend plot histori dhe natyrë të pacënuar

Përtej plazheve të saj, Shqipëria ka vende të shumta historike dhe natyrore që ia vlen të eksplorohen.

Tirana, kryeqyteti, ofron një larmi atraksionesh turistike, nga sheshi Skënderbej deri në zonën e Bllokut, i njohur për jetën e gjallë të natës.

Berati, i njohur si “qyteti i një mbi një dritareve”, është një nga qytetet më të vjetra në Shqipëri dhe njihet nga UNESCO për arkitekturën e tij unike.

Këtu mund të vizitoni Kalanë e Beratit, Muzeun e Onufrit dhe disa xhami historike.

Parku Kombëtar i Llogorasë është destinacioni ideal për adhuruesit e ecjes dhe natyrës, duke ofruar pamje panoramike të detit Jon dhe Rivierës Shqiptare.

Në qytetin e Butrintit, adhuruesit e historisë mund të eksplorojnë rrënoja nga epokat greke, romake dhe bizantine.

Histori

Pas rënies së Perandorisë Osmane në Evropë, Shqipëria shpalli pavarësinë e saj në 1912 dhe u njoh në 1913.

Vendi iu nënshtrua disa ndryshimeve të qeverisë përpara se të pushtohej nga Italia në 1939 dhe më vonë nga Gjermania në 1943.

Në vitin 1944 u krijua një republikë socialiste nën udhëheqjen e Enver Hoxhës, e cila zgjati deri në krijimin e Republikës së Shqipërisë aktuale në 1991.

Sot Shqipëria është një demokraci parlamentare me një ekonomi në tranzicion. Tirana, kryeqyteti i saj, është qendra ekonomike, politike dhe kulturore e vendit.

Reformat për krijimin e një tregu të lirë kanë tërhequr investime të huaja në sektorë si energjia dhe infrastruktura e transportit dhe vitet e fundit edhe në turizëm./atsh/KultPlus.com

Ditëlindja

Poezi nga Agim Vinca

Në Paris, rastësisht, i mbusha pesëdhjetë e sa vjet.
Tani jam një vit më i madh se Naimi,
dyfish më i moshuar se Migjeni
dhe – mjekërbardhë si Lasgushi.
Për ditëlindjen time
pimë nga një gotë verë
me Veronikën nga Kili
dhe Mihain nga Bukureshti.
Ç’rastësi !
Të tre kemi njohur nga një diktaturë
(unë dy a tri)
dhe kemi ëndërruar botën e lirë.
I cakërrojmë gotat dhe themi:
Gëzuar!
Secili në gjuhë të vet;
në Paris, në botën e lirë
(A thua, vërtet?)
Në ditëlindjen time të njëqindepesëdhjetë !

(Paris, 22 maj 2002)/ KultPlus.com

Roboti japonez ‘Archax’ vihet në ankand

Vitin e kaluar në qershor, kompania japoneze Tsubame Industries përfundoi prodhimin e një roboti të quajtur Archax, i modeluar sipas serisë popullore Transformers. Tani i njëjti robot është në ankand në faqen e internetit SBX Cars.

Në kohën e shkrimit, ankandi është parë nga afro 19,000 njerëz dhe deri më tani janë vendosur katër oferta. Oferta fillestare ishte 23,000 dollarë, ofertuesi i dytë e ngriti atë në 25,000 dollarë, i treti në 199,000 dollarë dhe tani ky numër është rritur në 333,333 dollarë.

Ankandi përfundon më 19 korrik në orën 03:00, por çmimi është paksa befasues, pasi kompania, siç raportohet nga Reuters, planifikoi të shesë pesë robotë me një çmim prej tre milionë dollarësh secili, që është dukshëm më i lartë. çmimi në krahasim me ankandin aktual.

Funksionohet me levë, brenda kabinës ka katër ekrane, përmes të cilëve mund të vëzhgoni lëvizjen dhe mjedisin, dhe për të gjitha këto janë përgjegjëse nëntë kamera që ofrojnë një pamje 360 ​​gradë të hapësirës. I ndërtuar nga metali dhe plastika, Archax mund të ngrejë krahët, të tundë dhe të kalojë nga modaliteti i automjetit në modalitetin e robotit dhe anasjelltas.

Ka katër këmbë gome, të ngjashme me ato të përdorura nga pirunët. Mund të drejtohet me këmbët e përparme, ndërsa është me rrota të pasme. Vjen në pesë ngjyra: blu, e bardhë, e kuqe, jeshile dhe vjollcë.

CEO i kompanisë që prodhoi këtë prototip, Ryo Yoshida, tha se donte të bënte diçka të re dhe të ndryshme.

“Gjithashtu, Japonia është shumë e fortë në animacion, lojëra dhe robotikë, si dhe makina, kështu që mendova se do të ishte mirë nëse mund të krijoja një produkt që ka të gjitha këto elemente në të – kjo është Japonia,” i tha ai Reuters.

Bujar Hudhri zbulon detaje nga raportet me Kadarenë: Kur i dhashë honorarin e parë u emocionua

Botuesi Bujar Hudhri, duke folur në emisionin “Open” në News24, për raportet dhe bashkëpunimet që ka pasur me gjeniun e letrave shqipe, Ismail Kadare, ka zbuluar edhe një detaj të pathënë më parë.

“Kur Kadare më ka dhënë librin e parë, unë i kam dhënë një honorar. U emocionua shumë, ishte një shumë e konsiderueshme. Fytyra e Kadaresë mori një ngjyrë të purpurt, kështu i bëhej kur emocionohej shumë. Më pas më foli për shpenzimet që i ishin shtuar etj etj”, rrëfeu Hudhri.

Ai tha se për të demonstruar se kush është njeriu Ismail Kadare kam arritur që për 15 vitesh ta ulja në një kafene (lokal) ku ai takohej me njerëz pafund, bënte fotografi, dhe mendoj se këto ishin ndoshta momentet më të bukura për jetën e Kadaresë në Tiranë.

Duke folur për momentet më të vështira në marrëdhënien 30-vjeçare me Kadarenë, Hudhri tha se “para dy-tre vjetësh, kishte botuar një shkrim për 25 vjetorin e marrëdhënieve me shkrimtarin e madh, dhe isha në siklet. Titulli i shkrimit ishte “Terren i vështirë dhe vazhdimisht binin rrufe”. Ua sa titull i bukur qenka, më tha Kadare, dhe e lexoi të gjithë shkrimin”.

Hudhri tha se me Kadarenë kishte debate, përplasje, por që ndjehej rehat në atë gjallërinë e tij. Ai e konsideroi Kadarenë një gjeni, por gjithmonë pyeste “e, si tu duk. Ndoshta edhe për të provuar se si do të ishte reagimi”.

“Kadare punonte 90 minuta në ditë, aq ka punuar gjithë jetën”, tha Hudhri./ balkanweb/ KultPlus.com

‘Zare trëndafile’, nga zëri i paharruar i Tefta Tashko-Koços (VIDEO)

Tefta Tashko-Koço, artistja që më zërin e saj të veçantë dhe tejet emocionues bëri për vete zemrat e publikut shqiptarë, njihet si një këngëtare e shquar lirike në interpretimin e këngës popullore qytetare mbarëshqiptare, shkruan KultPlus.

Interpretimet e saj janë vlerësuar gjithmonë dhe ende gjeneratat e kaluara e kujtojnë me mall dhe nostalgji kohën kur ajo interpretonte dhe vazhdojnë t’i dëgjojnë këngët e saj me shumë dashuri.

Tefta Tashko-Koço ishte sopranoja, që për herë të parë në repertorin e koncerteve të saj, krahas arieve të klasikëve botërore, futi dhe kënge popullore qytetare shqiptare. Janë të paktën 89 këngë nga të gjitha trevat e Shqipërisë që ajo i këndoi. Madje 36 prej tyre i regjistroi në pllaka gramafoni në Itali dhe Francë.

Tefta ishte vajza e patriotit të shquar shqiptar nga Frashëri i Përmetit, Thanas Tashkos i cili prej vitit 1910 qe vendosur familjarisht në Egjipt. Me vdekjen e Thanas Tashkos më 1915, familja e tij kthehet në Korçë në vitin 1921. Në Korçë kemi aktivizimet e para të Teftës si këngëtare dhe data 26 qershor 1926 mbahet si koncerti i saj i parë në publik. Në shtator të vitit 1927, Tefta me gjithë familjen vendosen në Montpellier, Francë, ku ajo filloi edhe studimet muzikore, për t’i vazhduar ato me sukses në Konservatorin Superior të Parisit. Në vitin 1930, Tefta bën incizimet e para muzikore pranë shoqërisë diskografike “Pathe”-Paris, si pjesëmarrëse në grupin e këngëtarit të shquar të polifonisë himariote Neço Mukon.

Me përfundimin e studimeve, Tefta kthehet në atdhe ku më 26 nëntor 1935 shënohet edhe koncerti i saj i parë si këngëtare profesioniste në Shqipëri koncerte të cilat ajo i dha në shumicën e qyteteve shqiptare. Pikërisht në këto vite, Tefta futi në programet e saj krahas arieve lirike të autorëve të shquar botërorë si Moxart, Guno, Shubert, Verdi, Donixeti, Pergolezi, Belini, Puçini, Rosini, etj, dhe këngët popullore shqiptare, si pjesë integrale e kulturës muzikore popullore shqiptare. Janë rreth 89 këngë popullore të të gjithë qyteteve të Shqipërisë që Tefta i kishte në repertor dhe rreth 36 prej tyre ajo i regjistroi në pllaka gramafoni në vitet 1930, 1937 dhe 1942 në Paris, Francë dhe Milano, Itali. Ndër to po përmend: “Zare trëndafile”, Të dua, moj goc’ e vogël”, Bilbil çapkëni”, Qante lulja lulen”, “Kenke nur i bukurisë”,”As aman, moj lule” etj. Sipas Hysen Files: Tefta diti të nxirrte nga kënga popullore ndjenjën e thellë që populli kishte shkrirë në të. Njihet tanimë faktet se Tefta Tashko i ka mbledhur një shumicë këngësh direkt nga goja e muziktarëve të shuar popullore të vendit tonë. Një gjë të tillë e provon edhe pjesëmarrja e Teftës së bashku me këngëtaren tjetër të shquar Marie Kraja në festivalin e folklorit të mbajtur në Firence, Itali më 30 Maj 1939 krahas këngëtarëve dhe muziktarëve të shquar popullorë të atyre viteve si Adem Mani, Xhevat Boriçi, Kolë Vjerdha, Taip Kraja, Karlo Pali etj.

Në listën e gjatë të këngëve popullore të kënduara nga Tefta do të bashkëngjisnim edhe këngët popullore të përpunuara nga kompozitori Kristo Kono me poezi të Lasgush Poradecit si p.sh “Kroi i fshatit tonë”, apo “Kur më vjen burri nga stani”. Krahas Teftës, do të përmendim edhe dy këngëtare të tjera të shquara në interpretimin e këngës popullore qytetare: Jorgjia Filçe Truja dhe Maria Paluca (Kraja). Në vitin 1945, Tefta këndon në operën e Beogradit me shumë sukses rolin e Mimisë nga opera “Bohemë” e Puçinit dhe atë të Rozinës nga opera “Berberi i Seviljes” e Rosinit. Në vitin e fundit të jetës ka qenë vazhdimisht e sëmurë. Vdiq në moshën 37-vjeçare. / KultPlus.com

Nisin punimet restauruese në objektin e Burgut të Gurakocit në Istog

Ka nisur faza e parë e punimeve për restaurimin e objektit të Burgut të Gurakocit në Istog.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, përmes një shkrimi në facebook ka thënë se ky objekt ka rëndësi të madhe për popullin e Kosovës pasi sipas tij prezanton dëshminë materiale të shtypjes sistematike të regjimit serb ndaj shqiptarëve.

“Po bëhet pastrimi, për të vazhduar më pas me hartimin e projektit për restaurim të ndërtesës. Ky objekt ka rëndësi të madhe për banorët e kësaj ane dhe prezanton dëshminë materiale të shtypjes sistematike të regjimit serb ndaj shqiptarëve për më shumë se gjysmë shekulli”, ka thënë Ministri Çeku./ KultPlus.com

Kurti për Betejën e Korrikut ’98 në Rahovec: Krimet e Serbisë s’do të mund të zhduken e harrohen

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, e ka kujtuar Betejën e Korrikut të vitit 1998, për të cilën tha se filloi më 17 korrik brenda qytetit të Rahovecit dhe në fshatin Fortesë.

Sipas Kurtit, UÇK-ja po mbronte popullatën civile nga depërtimi i forcave ushtarake dhe policore serbe në Rahovec, teksa forcat serbe vranë 150 civilë shqiptarë.

“’Gjatë luftimeve në rrugë, civilët shqiptarë ishin lidhur në shtylla elektrike si mburoja njerëzore për forcat serbe. Dy persona raportohet se u panë të varur në shtylla elektrike, disa të tjerë u masakruan duke ua prerë fytin dhe hequr sytë, ndërsa disa të tjerë raportohet se u shkelën nga automjetet e blinduara dhe tanket’, thuhet mes tjerash në Opinionin e miratuar nga Komiteti për Çështje Ligjore dhe të Drejta të Njeriut, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, më 23 shtator 1998. Në këtë opinion, flitet edhe për ekzekutime brenda dhe rreth teqes dhe xhamisë në Rahovec, ku forcat policore serbe kishin shtënë në një grup refugjatësh, përfshirë gra dhe fëmijë, duke vrarë shumë prej tyre”, shkroi Kurti, transmeton Klankosova.tv.

Më tej, Kurti përmendi edhe rastin e vrasjes së prijësit fetar 78-vjeçar, Sheh Myhedinin, për të cilin tha se u kishte ofruar civilëve strehim në teqe, teksa policia serbe e qëlloi nga afër për vdekje.

“Forcat policore e ushtarake serbe vranë 150 civilë shqiptarë. Shumë nga ta u varrosën në dy gropa të mëdha, në përpjekje të zhdukjes së gjurmëve të krimeve. Krimet e Serbisë në Kosovë nuk mund të zhduken e as të harrohen”.

“Qoftë i përjetshëm kujtimi për të gjithë martirët dhe dëshmorët e rënë në betejën e lavdishme të Rahovecit”, tha ai.

Seriali ‘Shogun’ kryeson Emmy Awards me 25 nominime

Seriali “Shogun”, një film epik rreth betejave për pushtet në Japoninë feudale të shekullit XVII, kryesoi garën e çmimeve Emmy Awards, me 25 nominime, për këtë ekuivalent televiziv të Oscars.

Ai do të përballet veçanërisht me sezonin e fundit të sagës “The Crown”, për familjen mbretërore britanike, për çmimin për serialin më të mirë dramatik, si dhe aventurat e çiftit spiun “Mr & Mrs Smith” dhe telenovelën shkencore “Le problems a troi corps”.

Për komedinë, sezoni i dytë i “The Bear: Eat in or Take Away” vazhdon të shkaktojë bujë, duke grumbulluar 23 nominime, një rekord në këto kategori.

Kjo zhytje rraskapitëse në prapaskenat e një restoranti në Çikago do të përballet me “Hacks”, “Abbott Elementary”, “Only Murders in the Building” dhe “Larry and His Navel”.

Në kategorinë e miniserialeve, ku përfshihen edhe antologjitë, kryeson sezoni i fundit i “True Detective” me 19 nominime.

Jodi Foster, e cila luan një police që heton natën polare të Alaskës, është nominuar veçanërisht për aktoren më të mirë në një miniserial.

Ceremonia e 76-të do të mbahet më 15 shtator në Los Anxheles./atsh/ KultPlus.com

Thahet ujëvara 22 metra e lartë në Kroaci

Ujëvara e Krçiqit në Kovaçiq afër Kninit në Kroaci është tharë, raporton agjencia kroate e lajmeve, Index.hr.

Ujëvara 22 metra e lartë është e fundit e lumit Krçiq, shkruan mediumi kroat.

Nga ajo ujëvarë, uji pas një udhëtimi të gjatë prej rreth dhjetë kilometrash derdhet në lumin Krka poshtë ujëvarës.

‘Things take time’, në COD vjen ekspozita që dëshmon tranzicionin

Në COD u inaugurua mbrëmë ekspozita me vepra të 5 fotografëve të Magnum Photos, një nga organizatat ndërkombëtare fotografike më të njohura në botë.

“Things  time” vjen në COD si një pasqyrë e dy dekadave: fundi i një marrëzie dhe fillimi i një shekulli të ri, u shpreh drejtoresha e përgjithshme e Agjencisë për Dialog e Bashkëqeverisje, Eridana Çano.

Çano tha se, momentet kyçe pas ndërrimit të sistemeve, vijnë si një dëshmi e një kronologjie që kemi lënë pas dhe pas do të jetë historia e shkruar e këtij vendi, duke na treguar një Shqipëri të varfër, të rrënuar ekonomikisht, njerëzit që shkuan drejt dyerve të ambasadave, të cilat u hapën atyre portën drejt botës së lirë.

Veprat e kësaj ekspozite janë realizuar në vitet 1991-2010. Pas rënies së komunizmit, fotografëve iu mundësua dokumentimi i lirë dhe i paanshëm i Shqipërisë, pasi më parë vendi ishte në gjendje të izoluar dhe të shkëputur nga bota. Këto vepra janë të një rëndësie të madhe, pasi shërbejnë si dëshmi historike dhe çojnë në një kuptim më të thellë të Shqipërisë së sotme dhe të vendeve të tjera të Ballkanit, historia e të cilave ka qenë gjithmonë e ndërlidhur dhe e ndërvarur.

Ekspozita përbën një përpjekje për të pasqyruar këtë periudhë, një gjendje tranzicioni të dokumentuar nga artistë me prejardhje të ndryshme, ku secili përshkruan vizualisht situatën, nxitur nga përvojat personale dhe origjina e tij, por me një temë të përbashkët.

Në ceremoninë e inaugurimit, në COD ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, artistë të fushave të ndryshme e dashamirës të artit. Prej sot ekspozita do të jetë e hapur edhe për publikun e thjeshtë, deri më datën 17 gusht 2024.

Rama: Mbi 95 evente në të gjithë Shqipërinë deri në fund të korrikut

Kryeministri Edi Rama sërish solli në vëmendjen e të gjithë atyre që do të eksplorojnë këtë verë Shqipërinë që të përdorin aplikacionin TEA.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama informoi se prej datës 15 korrik deri në 31 korrik ka mbi 95 evente fantastike në të gjithë Shqipërinë.

“Shkarko aplikacionin udhërrëfyes TEA dhe do të gjesh evente plot gëzim, kulturë dhe adrenalinë për të gjitha grupmoshat. TEA guida juaj digjitale”, u shpreh Rama.

Në aplikacion gjenden jo vetëm eventet kulturore dhe artistike, por edhe çdo shërbim rreth vendpushimit të secilit.

TEA është një risi teknologjike për turizmin shqiptar. U hodh në treg nga Agjencia Kombëtare e Turizmit, një kalendar digjital, i cili ofrohet përmes një aplikacioni miqësor për çdo përdorues brenda Shqipërisë dhe anembanë botës.

Aplikacioni TEA është i aksesueshëm falas në të gjithë telefonat. Në aplikacion mund të gjenden aktivitetet që do të ndodhin gjatë sezonit turistik në çdo kohë dhe në çdo vend. Mjafton të vendosësh vendndodhjen dhe aplikacioni do të nxjerrë rezultatet ku veprimtaritë do të jenë të dedikuara për të gjitha grupmoshat.

Ky aplikacion shërben edhe për orientimin e turistëve, të cilët përveç bukurive natyrore të mund të shijojnë dhe mësojnë më shumë rreth traditës, si dhe të marrin informacion për vendndodhjet.

Adam Smith: Humaniteti është virtyti i një gruaje, bujaria e një burri

Disa nga aforizmat më brilante të ekonomistit të shquar janë:

– Paratë janë çështje besimi.

– Prirja për shkëmbimin e një gjëje për një tjetër është e zakonshme për të gjithë njerëzit dhe nuk gjendet në asnjë racë tjetër të kafshëve.

– Asnjë shoqëri nuk mund të lulëzojë , kur pjesa më e madhe e popullit është e varfër .

– Shkenca është ilaç për helmin e entuziazmit dhe supersticionit.

– Njeriu është një kafshë që bën pazar.

– Të gjitha për vete, asgjë për të tjerët, duket se ka qenë në çdo epokë , parimi i ndyrë e zotërinjve të njerëzimit.

– Çfarë mund të kërkojë më tepër për të qenë i lumtur njeriu që është mire me shëndet, nuk ka borxhe dhe ka ndërgjegje të pastër.

– Virtyti është më shumë për t’u frikësuar se vesi, sepse tejkalimet e tij nuk i nënshtrohen rregullimit të ndërgjegjes.

– Ankesa më e shpeshtë është ajo për mungesën e parave.

– Humaniteti është virtyti i një gruaje, bujaria e një burri.

– Çmimi i vërtetë i gjithçkaje, është mundësia dhe vështirësia e fitimit të saj. /KultPlus.com

Turizmi në Shqipëri u rrit me 86%! Raporti i Komisionit Europian analizon shifrat: Ndikoi klima dhe çmimet

Shqipëria renditet e para në rritjen e turizmit duke lënë pas vende të tjera si Greqia.

Përqindja e rritjes së turizmit në Shqipëri është 86 për qind, ndërsa Greqia e ka rritjen 25 për qind në krahasim me vitin 2019. Sigurisht numri i turistëve në Greqi është shumë herë më i madh. Të dhënat e raportit të Komisionit Europian tregojnë se vende të vogla si Shqipëria dhe Mali i Zi kanë parë rritjen më të fortë të tregut në 6 muajt e parë të vitit 2024. Komisioni Europian për udhëtimet thotë se Shqipëria është tërheqëse për turistët e huaj, teksa kohët e fundit është shfaqur një tendencë rritëse e vizitorëve aziatikë.

Sipas raportit, aktiviteti turistik në Evropë ka ndjekur kryesisht një prirje të ngjashme gjatë dy tremujorëve të parë të vitit 2024. Udhëtimet ndërkombëtare kanë ardhur në rritje në të gjithë kontinentin krahasuar me vitin e kaluar. Krahasuar me nivelet para pandemisë, rritjet janë përkatësisht 6% dhe 7%. Destinacionet e Evropës Jugore, përfshi edhe Shqipërinë kanë nxitur rritjen e turizmit evropian dhe mbeten vazhdimisht e preferuar për kushtet e favorshme klimatike në prag të sezonit të verës, si dhe për kostot e përballueshme.

Në vitin 2024, kostot operacionale për bizneset turistike dhe, rrjedhimisht, kostot e udhëtimit për konsumatorët mbeten një nga temat më të spikatura për industrinë globale. Përveç kësaj, tërheqja e vlerës për paranë në destinacionet jotradicionale, së bashku me kthimin e udhëtarëve nga Azia-Paqësori, dhe disponueshmëria në rritje e udhëtimeve hekurudhore po formësojnë gjithnjë e më shumë peizazhin turistik të Evropës. Raporti i Komisionit Europian që rendit në krye Shqipërinë në fakt konfirmon trendin rritës që vendi ynë ka marrë prej disa vitesh në turizëm. Viti 2023 u mbyll me 10 milionë vizitorë ndërsa parashikimet flasin për një rritje domethënëse edhe gjatë vitit 2024./tch / KultPlus.com

Thesari im

Charles BAUDELAIRE

Nëse dhomat e shpirtit tim do vizitoje
Çfarë pretendon se do shikoje?
Cilin përbindësh mendon se fsheh?
Po të zhgënjej, por nuk më njeh.
Nuk ka nevojë për të trokitur
Hyr, shih, kërko, mbet’ e habitur.
Mure të zbrazët lyer pa ngjyra
Fotografi, por pa fytyra.
Diku e hedhur afër shtratit
Është nje kuti e tersit, e fatit.
E mbushur plot është me kujtime.
Brenda gjithë historia ime.
Janë fjalët që kam thënë aty,
gjithkush që njoha, përfshi ty.
Gjithçka që bëra, e që vetëm i ëndërrova
Vendet ku shkela, ku jetova.
Janë zënkat tona dhe mëritë
Janë puthjet netëve pa dritë.
Veset e mia që aq urreve
Mërgimi i ngadaltë i reve.
Dënimet që vuajta për ty
Herët kur s’të pash në sy.
Jetët që pa ty jetova
Të tjera femra që dashurova.
Janë dhe sekretet që s’të kam thënë
E amanetet që të kam lënë.
Fëmijët që kurrë nuk më lindën
Epshet që vrava se nuk mu bindën.
Ka letra, që për ty i shkrova
Në zarfet që kurrë s’ti dërgova.
E nëse gjithçka përmbys do kthesh
Sekretin më të madh do gjesh.
E kam fshehur në fund fare
Po s’e zbulove, s’ke pare gjë fare.
Nxirre mes duarsh në shtrëngim
Atë më të shtrenjtin sendin tim.
Balsamin që plagët shëronte
kur kjo djall jete më kafshonte.
Para fytyrës ngadalë afroje
Dhe mbylli sytë, pastaj zbuloje.
E kur ngadalë ta kesh zbuluar.
Veç një pasqyrë do gjesh në duar.
Do shohësh veten, reflektim
Se ti , ishe thesari im!

Presidentja Osmani niset për në Britani për takimin e Komunitetit Politik Evropian

Presidentja Vjosa Osmani ka bërë të ditur se është nisur për të shkuar në Britani të Madhe, për të marrë pjesë në takimin e katër të Komunitetit Politik Evropian.

Në platformën X, ajo ka theksuar se  do të rikonfirmojë devotshmërinë e Kosovës për rrugën euroatlantike.

“Në emër të Republikës së Kosovës, do të takohem me kolegë liderë nga i gjithë kontinenti për të diskutuar zgjidhjet e çështjeve urgjente që ndikojnë në sigurinë dhe prosperitetin e të gjithë qytetarëve tanë”.

“Ne gjithashtu do të riafirmojmë përkushtimin tonë për forcimin dhe rritjen e aleancave të Kosovës, dhe për ta sjellë vendin tonë më afër institucioneve euroatlantike”, ka shkruar Osmani.

Fitore Syla gërsheton traditën me modernen, lekat i shndërron në llampa ndriçuese

Artistja dhe dizajnerja nga Prishtina ka sjell së fundi një prurje të re sa i përket interierit, dhe pikërisht lekat që janë përdorë më herët në familjet shqiptare i ka sjell në një format krejt tjetër, ato i ka shndërruar në llampa ndriçuese, shkruan KultPlus.

Ajo në njoftim ka treguar për këtë prurje artistike, e cila poashtu këtë projekt e ka sjell edhe nëpërmjet fotografive. KultPlus ju sjell më poshtë njoftimin e saj të plotë.

Fitore Syla Të gjithë i njohim “Lekat”! Ndër vite, i kemi përdorë në shtëpitë tona si ornamente, dhe në një kohë me kushte më të vështira, ato kanë shërbyer si mjet për t’u larë, duke u bërë për ne simbol i pastërtisë.

Duke jetuar në një familje ku assesi s’ke mundë t’i ikësh traditës për të dekoruar shtëpinë me leka, vendosa t’i rifunksionalizoj me një rol krejt ndryshe nga e kaluara. Po bëhen gati dy vjet që kemi filluar t’i testojmë në pemishten e babit në fshat, i cili me shumë dëshirë po kujdeset për to. I kemi mbjellë, i kemi lënë të thahen për 6 muaj dhe në fund u kemi dhënë frymë.

Ato tash i kemi shndërruar në llamba ndriçuese, me plot ngjyra, duke ia ruajtur plotësisht formën organike e vetëm duke u dhënë jetë edhe më shumë përmes rikrijimit.

Kam zgjedhur eco – design sepse dua të kujdesem sado pak për planetin dhe ndjehem më mirë duke bërë art me një qasje më të menduar!/ KultPlus.com

Avion me bateri për 90 pasagjerë: Një startup holandez po punon në një aeroplan elektrik

Avion me bateri për 90 pasagjerë: Një startup holandez po punon në një aeroplan elektrik për një të ardhme më të gjelbër

Aviacioni komercial lë një gjurmë të madhe mjedisore dhe nëse tendencat aktuale vazhdojnë, ai do të dështojë të përmbushë objektivin për të reduktuar gazrat e dëmshëm në zero deri në vitin 2050. Karburanti i qëndrueshëm ende nuk po prodhohet mjaft shpejt dhe një alternativë nuk është ende në horizont.

Një nga problemet është se elektrifikimi i avionëve nuk është aq i lehtë sa për automjetet rrugore, dhe ka konsensus të industrisë që teknologjia e baterive duhet të evoluojë përpara se avionët elektrikë të bëhen realitet.


Megjithatë, një startup holandez, Elysian, tashmë po planifikon të ndërtojë një aeroplan tërësisht elektrik me një distancë prej 805 kilometrash dhe ndenjëse për 90 pasagjerë, i cili mund të zvogëlojë emetimet deri në 90 për qind, me qëllim që të ketë fluturimin e parë komercial. në dhjetë vitet e ardhshme.



Lehtësia e padurueshme e postmodernizmit (pjesa e katërt)

Bernard Çobaj

Me sa duket, ekziston në tru një zonë krejt specifike që mund të quhet kujtesa poetike dhe që regjistron atë çka na magjeps, na mallëngjen, i jep bukuri jetës sonë.  Dashuria fillon me një metaforë. E thënë ndryshe dashuria fillon në çastin kur një grua regjistron fjalën e saj të parë në kujtesën tonë poetike.

Titulli enigmatik, tërheqës i romanit shpjegohet me çelësin interpretativë të tezes të Niçes mbi kthimin e përhershëm, me vërejtje se kjo tezë e trajtuar në mënyrë të drejtëpërdrejtë (fjalëpërfjalë), do nënkuptonte ripërsëritjen e jetëve tona dhe konform asaj do na zhveshte nga rethana lehtësusese e përkohësisë.

Në botën e kthimit të përjetshëm, çdo gjest mban peshën e një përgjegjësie të papërballueshme. Kjo e bënte Niçen ta quante idenë e kthimit të përjetshëm barren më të rëndë (das schwerste Gewicht).

Nëse kthimi i përjetshëm është barra më e rëndë, jetët tona, në këtë sfond, mund të shfaqen në krejt lehtësinë e tyre të mrekullueshme”.

Një qëndrim i tillë që duket se shpjegon titullin e romanit, vazhdon me pyetjen, si koment ndaj filozofisë të Parmenidit ku lehtësia është pozitive dhe rëndesa negative: 

Por a është vërtet e tmerrshme rëndesa dhe e mrekullueshme lehtësia?“

Vazhdon me lavdërimin e rëndesës dhe thënien se nuk mund të thuhet se lehtësia është pozitive kurse rëndesa negative, apo e kundërta.

Vetëm një gjë është e sigurt, kundërtia i rëndë-i-lehtë është më e mistershmja dhe më e paqarta e kundërtive. Nëse i kuptojmë këto konsiderata të paktën si një lloj udhëzimi për interpretim, romani në tërësi nuk është në të vërtetë as trajtim i rëndesës dhe as lehtësisë së jetës, por është tërësisht i ndërtuar mbi antiteza.

Te romani “Mjeshtri dhe Margarita” të Bulgakovit, motivi i dënimit të Jezusit që Pilati nuk mund ta korrigjojë më, megjithëse është i bindur se ishte gabim, kthehet përsëri këtu, por tani në ndjenjën se paradoksi është i hapur, se ai është vazhdimisht i pranishëm në jetën e përditshme dhe se as letërsia dhe as jeta nuk mund ta zgjidhin atë nyjen gordiane të problematikës ekzistenciale.

Heronjtë e Kunderës mbeten në dyshim: kundërvënia midis lehtësisë dhe rëndesës, përgjegjësisë dhe papërgjegjshmërisë, mbetet e hapur.

Njeriu nuk mund të dijë kurrë çfarë duhet të dojë, sepse ai ka vetëm një jetë dhe atë nuk mund as ta krahasojë me jetët e mëparshme as ta ndreqë në jetët e mëpasshme. Është më mirë të jetë me Terezën apo të rrijë vetëm?

Nuk ka asnjë mënyrë që ta provojë se cili është vendimi  i duhur, ngaqë nuk ekziston asnjë krahasim. Gjithçka jetohet menjëherë për herë të parë dhe pa parapërgatitje. Si një aktor që hyn në skenë pa bërë kurrë një provë. Po ç vlerë mund të ketë jeta, nëse prova e parë e jetës është  jeta vetë?

Prandaj jeta i ngjan gjithmonë një skice. Por edhe skicë nuk është tamam fjala e duhur, sepse skica është gjithmonë dora e parë e diçkaje, përgatitja e një tabloje, ndërsa skica e jetës sonë është një skicë e asgjëse, bocet pa tablo. Tomasi përsërit me vete proverbin gjerman Einmal ist keinmal një herë nuk quhet, një herë është si asnjëherë. Të jetosh vetëm një jetë, është njësoj si të mos jetosh fare”.

Sabina është mishërim i lehtësisë së padurueshme të qenies dhe titulli i librit disa herë përdoret në vepër si referencë ndaj saj.  Raportet e saja që nga fëmijëria nuk kanë ankorim dhe lidhja e saj me Tomasin, pastaj Francin, nuk ka thellësin e duhur – përkujton në artin socrealist që e urrente. Sikur autori Milan Kundera në jetën e tij reale, as ajo nuk kthehet në vendlindje më pas ikjes.

Tomasi, Tereza dhe Franci testojnë kufijt e konteksteve të ndryshme jetësore të lehtësisë dhe rëndesës me theks te rëndesa – vetëm ato gjëra që kanë peshë, sjellin vlerë në jetë. 

A mund të lihet shporta që mban një fëmijë, ta marrin ujërat e rrëmbyera të një lumi! Nëse vajza e Faraonit nuk do ta kishte nxjerrë nga ujërat shportën e Moisiut të vogël, nuk do të kishte ekzistuar Dhiata e Vjetër dhe as krejt qytetërimi ynë! Shumë mite të lashta zënë fill me një njeri që shpëton një fëmijë të braktisur! Nëse Polibi nuk do ta kishte marrë në shtëpi Edipin e vogël, Sofokliu nuk do të kishte shkruar tragjedinë e tij më të bukur!

Tomasi nuk e dinte, asokohe, se metaforat janë një gjë e rrezikshme. Nuk bëhet shaka me metaforat. Edhe nga një metaforë e vetme, mund të lindë dashuria.

Ne të gjithë e quajmë të paimagjinueshme që dashuria e jetës sonë të jetë diçka e lehtë, diçka pa peshë; kujtojmë se dashuria jonë është diçka që duhet patjetër të jetë: se pa të jeta jonë nuk do të ishte më jeta jonë.  Na duket se vetë Bethoveni, i ngrysur e me krifën e tij të tmerrshme, luan për dashurinë tonë të madhe ‘Es muss sein-in’ e vet.”  (vazhdon)  / KultPlus.com