Presidentja Osmani priti në takim lamtumirës ambasadoren e Sllovenisë, Minca Benedejčič

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim lamtumirës ambasadoren e Republikës së Sllovenisë në Kosovë, znj. Minca Benedejčič, me rastin e përfundimit të mandatit të saj diplomatik në vendin tonë.

Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen më të thellë për kontributin e çmuar të ambasadores Benedejčič në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Sllovenisë, si dhe për përkushtimin e saj në thellimin e bashkëpunimit bilateral në fusha të ndryshme.

Gjatë mandatit të Ambasadore Benedejčič, janë realizuar vizita të shumta të nivelit të lartë ndërmjet dy shteteve, të cilat kanë forcuar më tej raportet ndërshtetërore, duke reflektuar miqësinë dhe solidaritetin e ndërsjellë që karakterizon marrëdhëniet ndërmjet popullit të Kosovës dhe atij slloven.

Në këtë kontekst, Presidentja Osmani vlerësoi rolin e Sllovenisë në mbështetje të Kosovës, që nga periudhat më të vështira historike e deri sot përmes mbështetjes në përpjekjet e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, Bashkimin Evropian, NATO dhe organizata të tjera ndërkombëtare.

Duke e falënderuar për bashkëpunimin e shkëlqyer gjatë mandatit të saj, Presidentja Osmani i uroi znj. Benedejčič suksese në angazhimet e mëtejme./KultPlus.com

Parku i vetëm detar kombëtar, Sazan-Karaburun, tërheq vëmendjen e turistëve vendas dhe të huaj

Parku i vetëm detar kombëtar i Shqipërisë, Sazan-Karaburun, po shijon një sezon turistik të suksesshëm, duke tërhequr një numër të lartë turistësh vendas dhe të huaj. Udhëtimi me anije drejt këtij parku natyror ofron mundësinë për të kaluar një ditë të paharrueshme në gjirin e Vlorës, duke eksploruar bukuritë e natyrës dhe atraksionet e veçanta të këtij vendi unik.

Kapiteneria e portit të Vlorës ka njoftuar se për muajin qershor, 8876 turistë vizituan parkun Sazan-Karaburun, dhe numri i vizitorëve vijon të rritet edhe gjatë muajit korrik. Vizitorët vijnë nga vende të ndryshme të Evropës dhe botës, duke bërë që ky park të jetë një destinacion tërheqës për ata që kërkojnë eksperienca të veçanta natyrore dhe kulturore, transmeton atsh

Në portin e Vlorës operojnë 12 anije turistike të licencuara për të kryer udhëtime në këtë park. Sazan-Karaburuni është një atraksion kryesor për ata që duan të shijojnë peizazhe mahnitëse detare dhe të zbulojnë monumentet natyrore të këtij parku, i cili shtrihet në një sipërfaqe detare prej rreth 1,9 km.

Një nga atraksionet më të vizituara është Shpella e Haxhi Aliut, e njohur për bukurinë e saj natyrore dhe historinë që fshihet brenda saj. Po ashtu, Gjiri i Gramës, i njohur si skaji më i largët jugor i parkut detar, ofron një përvojë të paharrueshme për vizitorët që kërkojnë relaks dhe qetësi. Ishulli i Sazanit, një tjetër atraksion i njohur, është kthyer në një pikë tërheqëse për turistët që kërkojnë të zbulojnë bukuri të veçanta natyrore.

Parku ofron gjithashtu një eksperiencë të jashtëzakonshme natyrore në brigjet e tij të Shën Vasilit, Shën Janit dhe Gjirit të Djallit, duke ofruar mundësi për peshkim dhe relaks në një ambient natyror unikal.
Një tjetër arsye për të vizituar këtë park është biodiversiteti i tij i pasur. Breshka e detit, foka e Mesdheut, delfinët, dhe peshkaqenët janë disa nga speciet që e bëjnë këtë park të rëndësishëm për ruajtjen e ekosistemit detar.

Sazan-Karaburuni, si parku detar më i rëndësishëm i Shqipërisë, vazhdon të jetë një destinacion i preferuar për turistët, duke ofruar një përvojë të pasur dhe të veçantë në natyrën shqiptare./KultPlus.com

‘Gratë kurrë nuk janë më të forta se sa pas mposhtjes’

Thënie nga Alexander Dumas

“Unë nuk jam krenar por jam i lumtur, dhe lumturia mendoj që vërbon më shumë se krenaria.”

“Të gjitha përgjithësimet janë të rrezikshme, madje edhe ky.”

“Gratë kurrë nuk janë më të forta se sa pas mposhtjes.”

“Dashuria e vërtetë, një burrë gjithmonë e bënë më të mirë, pavarësisht se cila grua e inspiron atë.”

“Dashuria është më vetiakja nga të gjitha pasionet.”

“Unë jam i fortë ndaj çdo gjëje, përveç ndaj vdekjes së atyre që i dua. Ai që vdes fiton; ai që i sheh të tjerët duke vdekur humbet.”

“Dashuria e pastër dhe dyshimi nuk mund të rrojnë bashkë; përmes derës që e dyta hyn, e para del.”

“Zoti është plotë mëshirë për të gjithë. Ai fillimisht është një baba para se të bëhet një gjykatës.”

“Zinxhirët e martesës janë aq të rëndë sa që nevojiten dy persona për ti bartuar ata. Ndonjëherë edhe tre.”

“Kurrë mos i besoni një armiku që ju bën dhurata.”./ KultPlus.com

Presidenti i UNI- Universum, Alejtin Berisha, i ftuar në CNN Turk – “Kosova, destinacion i sigurt dhe cilësor për studime universitare”

Në një paraqitje të veçantë në emisionin “Tercih Zamanı” në CNN Türk, Alejtin Berisha, Kryetar i Bordit të UNI Universum International College, prezantoi mundësitë që ky institucion ofron për studentët ndërkombëtarë, me fokus të veçantë tek ata nga Turqia.

Ai theksoi se Kosova po kthehet në një destinacion atraktiv për studime universitare, falë sigurisë, mikpritjes dhe kostos së përballueshme të jetesës. Ndërkohë, Universiteti Universum është lider në ndërkombëtarizim dhe cilësi akademike, duke ofruar:

  •  Statusin e institucionit #1 në Kosovë për projekte Erasmus+
  •  Diploma të dyfishta me partnerë nga Gjermania dhe SHBA
  •  200+ partneritete për mobilitet ndërkombëtar
  •  Mijëra studentë nga rajoni dhe 1200+ studentë ndërkombëtarë

Universum ofron një përvojë gjithëpërfshirëse akademike dhe kulturore, duke kombinuar arsim cilësor, eksperiencë globale dhe mbështetje të plotë për studentët, përfshirë bursa deri në 50%.

Në fund të intervistës, Berisha u bëri thirrje prindërve dhe maturantëve që të mbështesin fëmijët në ndjekjen e pasioneve të tyre, duke zgjedhur një ambient modern dhe ndërkombëtar si Universum.

🎓 Krijo suksesin tënd me edukim amerikan. Fuqizohu nga Arizona State University – universiteti më i madh publik në SHBA.

📲 Apliko tani në: +383 44 144 062 

APLIKO: https://universum-ks.org/apliko/
📧 [email protected]
🌐 Ndiqni UNI në Facebook & Instagram

Një Dritare Ndaj Kujtesës – Ekspozita: “Shot / Reverse Shot” – Barry Lewis

Në Galerinë e Artit Bashkëkohor GOCAT, ekspozita “Shot / Reverse Shot” sjell më shumë sesa një përzgjedhje fotografish, ajo ndërton një dialog të thellë vizual mes të kaluarës dhe të tashmes, një përballje intime me kujtesën kolektive të Shqipërisë. Kjo ekspozitë hap një fushë reflektimi ku imazhi bëhet formë rrëfimi dhe rikujtimi, e ku historia e afërt merr formë përmes dritës dhe hijes.

Në qendër të ekspozitës janë fotografitë arkivore të artistit britanik Barry Lewis, të realizuara në vitet 1990 dhe1991, në një Shqipëri të izoluar dhe periudhë tranzicioni. Këto nuk janë vetëm dokumente të një realiteti të vështirë, por sinjale të mbushura me tension, pasiguri dhe ndjeshmëri. Përballë tyre qëndrojnë veprat e disa artistëve shqiptarë bashkëkohorë, sikurse Koloreto Cukalli,Kristanja Çene, Roland Tasho dhe Ervin Bërxolli,  të cilët poashtu dialogojnë me të shkuarën përmes gjuhës së artit.

Elton Koritari dhe Burim Myftiu, kuratorë të ekspozitës, e shohin fotografinë si një medium unik që kapërcen kohën dhe bëhet gjithmonë aktual. Puna klasike që bëhet, me kalimin e kohës merr edhe dimension bashkëkohor sepse fotografia si medium është një nga format më të përhapura.

Vetë Barry Lewis, i cili u rikthye në Shqipëri pas më shumë se tri dekadash, shpreh habinë e tij për ndryshimet, por edhe për vazhdimësinë emocionale që vendi mban me të kaluarën. “Më shumë se 30 vjet më vonë dhe isha thjesht i mrekulluar. Njerëzit gjithmonë kanë qenë mikpritës, por në vitin 1990 ishte një tjetër realitet,” kujton ai.

“Shot / Reverse Shot” është një përpjekje për të rindërtuar fijet e kujtesës ndërbrezore dhe për të ofruar një reflektim të ri mbi një periudhë që, edhe pse historike, është ende thellësisht e pranishme. Ajo fton vizitorin të mendojë jo vetëm për atë çfarë kemi qenë, por edhe për atë çfarë jemi sot dhe mund të bëhemi nesër.

Ekspozita është organizuar nga GOCAT, me mbështetjen e Fondacionit MANE, si pjesë e angazhimit të vazhdueshëm për të mbështetur artin, dialogun dhe ruajtjen e kujtesës kolektive. E hapur për publikun deri më 7 shtator, hyrja është pa pagesë./KultPlus.com

Frika e Princ Harry: A do ta shpallë William “non grata” kur të bëhet mbret?

Drama në familjen mbretërore britanike nuk ndalet, dhe sërish në qendër të vëmendjes është princi Harry. Sipas raportimeve nga mediat britanike, burime pranë pallatit thonë se Harry është thellësisht i shqetësuar për të ardhmen e tij në Mbretërinë e Bashkuar, posaçërisht në rastin kur princi William të bëhet mbret. Fjala që përshkruan frikën e tij: “banish”, që nënkupton përjashtim të plotë nga vendi dhe oborri mbretëror.

Biografi mbretëror Tom Bower i tha gazetës The Mirror se Harry ka frikë se William do ta shpallë persona non grata, duke e larguar përfundimisht nga jeta publike britanike:
“Harry është i dëshpëruar. Ai ka frikë reale se nuk do të ketë më asnjë rol kur Charles të mos jetë më në fron.”

Përpjekje të fshehta për pajtim me Mbretin
Për të shmangur një të ardhme të tillë, Harry po përpiqet të rindërtojë marrëdhëniet me babanë e tij, Mbretin Charles. Një takim jozyrtar dhe i mbajtur në fshehtësi është zhvilluar së fundmi në Londër, në ambientet e klubit Royal Over-Seas League, mes përfaqësuesve të Harry-t dhe ekipit të ngushtë të mbretit. Mediat e përshkruajnë si një përpjekje të vogël për pajtim.

Megjithatë, jo të gjithë në pallat janë entuziastë. Burime mbretërore kanë shprehur shqetësimin se çdo kontakt me mbretin mund të përdoret nga Harry për përfitime mediatike. Dyshimi mbizotëron dhe besimi mungon.

William dhe Kate qëndrojnë larg
Princi William dhe Princesha Kate nuk ishin pjesë e këtij takimi “sekret”, as nuk dërguan ndonjë përfaqësues. Sipas burimeve nga Daily Mail, mungesa e tyre nuk ishte e rastësishme dhe fakti që takimi u bë publik konsiderohet si dëshmi e mungesës së besimit të plotë:

“Nuk është rastësi që nuk ishin të përfshirë. Publikimi i takimit flet vetë.”

Kjo tregon se, ndërsa mbreti Charles mund të jetë i gatshëm për një farë afrimi, William dhe Kate preferojnë të mbeten jashtë çdo përpjekjeje që zhvillohet nën vëmendjen e publikut.

Reagimi i ashpër i ekipit të Harry-t
Pas shpërndarjes së lajmit për frikën e Harry-t nga përjashtimi, ekipi i tij komunikues reagoi menjëherë duke mohuar zërat për panik apo ndjesi paranoje:

“Është qesharake se si më shumë flasin ata që dinë më pak.”

Pavarësisht mohimeve, zërat për tensionet nuk po shuajnë. Klima në oborrin mbretëror mbetet e trazuar dhe e mbushur me mosbesim.

Çfarë pritet më tej?
Ngjarja madhore Invictus Games që do të mbahet në Birmingham në vitin 2027, shihet si një mundësi e re për bashkim. Harry thuhet se dëshiron të ftojë publikisht të atin dhe vëllain. Por, deri më tani, nuk ka asnjë sinjal që William do të pranojë.

Deri atëherë, pyetja mbetet: a është ky fundi i dramës mbretërore apo vetëm një kapitull tjetër në një sagë që s’ka ndërmend të mbarojë? Në Buckingham, një gjë është e sigurt asgjë nuk ndodh rastësisht./vizionplus

“Shtëpia e Evropës” në Tiranë, fituesit e ekspozitës lëvizëse

Në “Shtëpinë e Evropës” në Tiranë u ekspozuan dje 18 fotografi në kuadër të ekspozitës lëvizëse “Your Lens. Your Story. Our Europe!”.

“Zbuloni 18 gurët e çmuar të fotografive nga Ballkani Perëndimor!”, ishte ftesa drejtuar publikut nga “Shtëpia e Evropës”.

Këto 18 foto ishin fotot fituese të Konkursit të Fotove të WeBalkans, për të cilin u paraqitën 180 fotografi të jashtëzakonshme nga të rinj në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Juria tha se, këto foto të spikatura kapën zemrën e tyre. Ato paraqesin fuqinë që ka sporti për të bashkuar evropianët përtej kufijve, për të promovuar vlerat e përbashkëta dhe për të festuar identitete të ndryshme.

3 fotografët e rinj që u përzgjodhën nga Shqipëria janë: Klevisa Kapo, Fiqiri Mejdani dhe Nerion Bino, ndërsa nga Kosova fitues deri në këtë fazë janë Fillojetë Maloku dhe Nevron Skënderi.

Çdo foto tregon një histori unike të lëvizjes, pasionit dhe perspektivës duke reflektuar energjinë krijuese të rinisë në rajon. Pas përzgjedhjes së fotografive nisi rrugëtimi i ekspozitës, nga Beogradi më 10 qershor, Podgorica, Tirana dhe do të vijojë me Maglaj, Prishtinë dhe Strugë.

BE njoftoi se publiku do të votojë online në muajin gusht dhe çdokush do të ketë mundësinë të zgjedhë të preferuarit e tij, duke dërguar 6 fotografë të rinj në një udhëtim në njërin prej kryeqyteteve të BE-së, shkruan atsh.

E konceptuar nga programi WeBalkans dhe financuar nga BE, ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun, në Tiranë deri më 29 korrik.

“Populli i pandaluar” i shkrimtarit Agim Vinca do të përurohet në Strugë 

Shkrimtari i njohur Agim Vinca do të përurojë librin e tij “Populli i pandaluar” në Strugë, përurim që do të mbahet më 26 korrik, në ora 19:00 në mjediset e Hotelit Drin, përkatësisht në sallën nr.1. 

Rreth librit, botuesi Emin Azemi ka vlerësuar se libri “Populli i pandalur” i prof. Agim Vincës është shumë më tepër se një koleksion shkrimesh polemike. “Ai është një dokument i ndërgjegjes së gjallë kombëtare, një akt proteste ndaj dhunës politike, kulturore dhe shpirtërore që shqiptarët përjetuan në hapësirën e ish-Jugosllavisë gjatë dekadës së fundit të shekullit XX”, thuhet mes tjerash, i cili për ribotimin e këtij libri pas 33 vjetësh e cilëson si  një veprim jo të zakonshëm editorial. 

“Përkundrazi, është një mundësi rifreskimi i kujtesës kolektive, një rikujtim i nevojës për të mos harruar se rrugëtimi i shqiptarëve drejt barazisë, lirisë dhe dinjitetit nuk ka qenë asnjëherë i lehtë. Ky libër paraqet kredon e një artikulimi qytetar e patriotik për të kuptuar jo vetëm të kaluarën, por edhe për të reflektuar mbi sfidat e tashme dhe të ardhshme”, ka shkruar Azemi. Ndërkohë, përuruimi i këtij libri në Strugë vlerësohet të jetë një monument i ndërgjegjes intelektuale dhe njerëzore./ KultPlus.com 

Andrra e Jetës (Trina)

Molla t’kputuna nji deget,
dy qershia lidhë n’nji rrfanë,
ku fillojnë kufijt’ e Geget,
rrijnë dy çika me nji nanë.

Kreskë e bre perzie me lisa
rriten rrotull, me çetinë,
plepa t’but’ e qiparisa
mbëlojnë e veshin at’ ledinë.
S’ushton mali prej baktie,
s’fryn murrlani me duhi;
paq i kthelltë prej perendie,
paq prej njerit e qeti.

Gurra e lugut veç ushtonte
si lahutë me kangë kreshnike;
e ndër pemë bylbyli këndonte
valle dasmet e fisnike.

Ngreh, bylbyl, n’at’ hije valle,
ushto, gurrë trimneshë, n’shkambije;
bulk i natës kungallë, qi talle
nëpër gemba e për lamie,

këndoni, këndoni. Veç prej stanit
t’ardhmen Trina mbramje n’shpi,
tue blegrue nji kij mbas zanit
t’deles nanë keni me ndi.

Veç prej plehut gjel-kokoti
me njat za që s’nd’rron kurr-herë,
ka me gjegjë se a tue ndërrue moti
se a tue çue nji tjetër erë.

II

U ndie nji za te shtegu;
Cice! del se erdh murgjina,
e mbrapa po vjen Trina
me ‘j qingj të sykës ngryk.

E duel me mjelcë te burgu
Lokja, nxuer viçin jashtë,
e Shega, e lehtë si kashtë
tue kcyemun u bërlyk.

Iu suell oborrit rrotull
tu’ u hjedhë me bisht përpjetë;
derisa plaka vetë
rrshanë tu murgjina e çoj.

Moli tue këndue, lopën,
tue pritur viçin prorë;
e tambli, bardh si borë
përmbrenda mjelcës gufoj.

Mandej muer kijin pezull
e u vu me sykën n’sanë,
sa çote tamblin anë
Zoga me nxe do pak.

Muer edhe krande e cokla,
e Trinkën muer për bri:
ish lodhë: i dhimbte nd’ijë,
e kishte mollzat gjak.

Vuni do krande n’votër
e fryni n’zjerm qi ish ndalë;
thej pshesh me tambël valë,
e mbushi kupat plot.

Pshesha me kollomoqe,
t’mirë edhe për zotni,
kur don për rob e shpi,
me i fal’ i madhi zot.

E hangri Zoga shishëm,
por Tringa s’hangri gja,
as Lokja, qi ishte vra
mbas çikës, nuk hangri dot.

Por tirte ndejë te votra,
tue kqyrë me zemër t’plasun,
tue nduk’ at’ shllugë të rrasun
iu mbushnin sytë me lot.

Kur nji mbas nji pranë zjermit
u mblodhën gjumit fëmija,
u çue, e t’dy, si kija,
mbi t’shtruemen i vendoj.

E tirte prap te votra;
penj tirte për xhubleta,
e i dukej se tu këneta,
se n’shpella me dragoj,

tirshin dhe shtojzovallet
tue luejtë pa mejun gishtat;
siellshin me pleq ferishtat
ndoshta edhe fëmin’ e vet?

E shloj me pa tue pritun
dritën e pishës me dorë;
ngrykas, si dy qiellorë,
me krahë pa pupla i gjet.

III

Cice, shka ka sot Trinka
qi po priton m’u çue?
Zgjoje me dalë me mue,
me lëshue bag’tin’ e vet.

Bij’, mos e prek, se njomja
tash a tue folë me Zojën;
len zan’ e mos çil gojën
se e lumja Zojë t’bërtet.

Qe prifti, nanë, qe dajat
mbas tij, me qiri n’dorë;
katundca me malcorë
sa shpia nuk i xe.

Rri, bij’ se sonte Trinka
po shkon me bujtë te Zoja;
merri këto lule e çoja
së lumës dhunti për të.

Rihanna rrëfen si i rrit fëmijët: “Duhet të jenë jashtë, jo para ekranit”

Në një intervistë të fundit për Entertainment Tonight, Rihanna ka ndarë më shumë mbi përvojën e saj si nënë, duke theksuar ndikimin që ka pasur babai i saj, Ronald Fenty, në stilin e saj të prindërimit. Ajo ka dy djem, RZA (3 vjeç) dhe Riot (1 vjeç), dhe është aktualisht shtatzënë me fëmijën e tretë.

Sipas këngëtares, babai i saj ishte gjithmonë një shembull i fuqishëm për të si prind, duke i mësuar asaj dashurinë për natyrën dhe aventurat jashtë. Rihanna ka përshkruar se babai e kishte përgatitur për të rritur fëmijët e saj në një ambient ku ata do të ishin të lirë, duke u angazhuar jashtë dhe duke e shmangur teknologjinë. Ajo ka theksuar se dëshiron që fëmijët e saj të mos rriten si fëmijë të varur nga tabletët, por të kenë mundësi të kalojnë kohë të çmuar jashtë dhe të zhvillohen në mënyrë të natyrshme.

“Gjithmonë kam ëndërruar se çfarë lloj gjyshi do të ishte për ta, dhe më përgatiti për këtë rol,” tha Rihanna, duke shtuar se babai i saj ishte gjithashtu pjesa më argëtuese e fëmijërisë së saj, që përfshinte aktivitete si vrapimi zbathur në natyrë dhe të tjera që i jepnin një ndjenjë lirie.

Përkundër mesazhit të saj pozitive dhe të shëndetshëm, komentet e Rihanna kanë shkaktuar një valë reagimesh në rrjetet sociale. Disa prindër kanë shfaqur kundërshtime ndaj qasjes së saj dhe e kanë akuzuar për gjykim, duke theksuar se është e lehtë për një miliardere si Rihanna të flasë për prindërimin kur ka staf dhe mundësi të pakufizuara. Disa përdorues në Reddit shprehën shqetësimin se komente të tilla mund të nënvlerësojnë vështirësitë e prindërve të zakonshëm, të cilët nuk mund të përballojnë angazhimin e plotë ndaj fëmijëve siç bën Rihanna.

Një përdorues shkruajti:
“Rihanna është miliardere. Nuk dua të më japë leksione për prindërimin dikush që ndoshta ka një dhomë lodrash në një vilë me staf që i shikon fëmijët tek vrapojnë ‘të lirë’, ndoshta në një plazh privat.”

Megjithatë, shumë përdorues e përkrahën Rihanna-n dhe shprehën mbështetje për mënyrën si ajo po rrit fëmijët e saj. Disa komentues ndanë përvojat e tyre dhe theksuan rëndësinë e aktivitetet jashtë dhe zhvillimit të natyrshëm të fëmijëve, përmes të cilëve ata mësojnë durimin, zgjidhjen e problemeve, dhe ndërveprimin social.

Një përdorues komentoi:
“Fëmijët kanë nevojë të mësojnë durimin, zgjidhjen e problemeve dhe ndërveprimin me të tjerët. Kjo humbet tek ata që përdorin tableta pa kufij.”

Përkundër kritikave, Rihanna ka mbetur besnike ndaj filozofisë së saj të prindërimit dhe ka shprehur se është e gatshme të vazhdojë me këtë qasje natyrale dhe të balancuar për fëmijët e saj./KultPlus.com

Një foto e Geraldinës në kopshtin zoologjik të Stokholmit në 1939

Nga Aurenc Bebja

“Ce soir” ka botuar, të hënën e 24 korrikut 1939, në faqen n°8, fotografinë e rrallë të mbretëreshës Geraldinë dhe motrave të mbretit Zog në kopshtin zoologjik të Stokholmit.

Ish-sovranët e Shqipërisë kishin nisur një udhëtim të gjatë në Evropë. Gjatë qëndrimit të tyre në Suedi, Mbretëresha Geraldinë dhe motrat e Mbretit Zog përfituan të bënin një vizitë të gjatë në kopshtin zoologjik të Stokholmit./ KultPlus.com

Burimi: https://www.darsiani.com/la-gazette/ce-soir-1939-vizita-e-mbretereshes-geraldine-dhe-motrave-te-mbretit-zog-ne-kopshtin-zoologjik-te-stokholmit-foto-ekskluzive/

Pasuria e lënë pas nga “Princi i Errësirës”, Ozzy Osbourne

Ozzy Osbourne, ikona e skenës së heavy metal dhe protagonisti i kulturës globale pop, vdiq më 22 korrik 2025, në moshën 76 vjeç, pas një beteje të gjatë me sëmundjen e Parkinsonit.

Vdekja e tij u konfirmua në një deklaratë për gazetën The Sun: “Me trishtim të patreguar njoftojmë se Ozzy ynë i dashur ndërroi jetë këtë mëngjes, i rrethuar nga familja e tij. Kërkojmë që privatësia jonë të respektohet.”

Trashëgimia e Osbourne, si kulturore ashtu edhe financiare, është e pamatshme. Pasuria e tij vlerësohet në 220 milionë dollarë, fryt i një karriere që zgjati pesë dekada dhe që ndikoi jo vetëm në muzikë, por edhe në televizion dhe në prodhimet live.

Karriera e tij filloi me Black Sabbath dhe vazhdoi me një karrierë të suksesshme solo, duke shitur miliona disqe. Ozzfest , turneu muzikor që ai themeloi në vitin 1996, fitoi mbi 100 milionë dollarë dhe shiti pesë milionë bileta.

Televizioni e katapultoi atë edhe më lart. Reality show “The Osbournes” (MTV, 2002) ndryshoi peizazhin televiziv dhe i dha atij një brez të ri fansash. Familja fitoi 800,000 dollarë në sezonin e parë dhe 5 milionë dollarë për anëtar në të dytin.

Gruaja e tij Sharon, fëmijët Jack dhe Kelly, si dhe marrëveshjet e tij për miratim, reklamim dhe botim kontribuan në një perandori biznesi me vlerë 251 milionë dollarë. Pavarësisht shëndetit të tij në përkeqësim, Ozzy ruajti një ndikim global deri në fund./KultPlus.com

Alexandre Dumas, shkrimtari që na magjepsi me romanet aventureske dhe historike

Nga Albert Vataj

Ka autorë që nuk lexohen thjesht: ata përthithen, mbeten në lëkurë dhe në gjak, bëhen pjesë e rritjes dhe e ëndrrës sonë të hershme. Për shumë prej nesh, Alexandre Dumas është kjo trashëgimi e papërsëritshme: orë të gjata leximi të fshehtë pas mureve të fëmijërisë, aventura që frymojnë edhe sot, emocione të paharrueshme që na ndezën pasionin për letërsinë. Nuk është çudi që presidenti francez Jacques Chirac, në vitin 2002, kur eshtrat e tij u zhvendosën në Panteon, aty ku prehen korifejt e Francës, e përmblodhi kështu këtë ndjesi universale:

“Me ty është fëmijëria, orët e leximit të shijuar në fshehtësi, emocionet, pasioni, aventura dhe ndjesia që hyjnë në Panteon. Me ty ëndërruam. Me ty ende ëndërrojmë.”

Një jetë e gdhendur në fjalë dhe në aventura
Alexandre Dumas, shkrimtari legjendar i romaneve historike dhe aventureske, mbetet një nga autorët më të lexuar e më të përkthyer të të gjitha kohërave. I lindur më 24 korrik 1802 në Villers-Cotterêts, Francë, ai u pagëzua me emrin Alexandre Dumas Davy de la Pailleterie. Babai i tij, gjenerali Thomas-Alexandre Davy de la Pailleterie, një figurë e jashtëzakonshme me origjinë nga Haiti, kishte marrë mbiemrin Dumas në nder të së ëmës, Marie-Césette Dumas, një grua e skllavëruar që mbartte në gjak një histori tjetër bote. Kështu, në damarët e shkrimtarit do të rridhnin bashkë gjaku aristokrat dhe kujtesa e një populli të robëruar. Gjenerali Thomas-Alexandre, që do të quhej nga bashkëluftëtarët “Djalli i Zi”, i përcolli të birit historitë e trimërisë dhe idealet që e shoqëruan gjithë jetën. Por ai vdiq kur Alexandre ishte vetëm katër vjeç, duke lënë familjen në varfëri dhe pa mbështetje.

Nga leximi i fshehtë te gjuha e artit
Dumas u rrit me një uri të pashuar për libra. Ai lexonte gjithçka që i binte në dorë dhe, me një vullnet të jashtëzakonshëm autodidakt, mësoi edhe spanjisht. Kjo etje për dije dhe tregime do ta çonte drejt një karriere që nisi me drama, por që do të gjente shpërthimin e madh në romanet e serializuara. Në bashkëpunim me Auguste Maquet dhe të tjerë, ai krijoi vepra që e kthyen në një fenomen kulturor.
Një univers i pandërprerë aventuresk

Në rrëfimet e tij gërshetohen heroizmi, intriga, skandali dhe romantizmi. Tetë vëllimet me ese mbi raste të famshme historike – nga Lucrezia dhe Cesare Borgia te Karl Ludwig Sand – tregojnë një mendje kureshtare dhe të paepur. Por fama e tij do të merrte dritë të pakonkurueshme me romanet “Tre Musketierët”, “Konti i Monte Kristo” dhe kapitujt e paharruar mbi “Njeriun me maskë të hekurt”. Përmes tyre, Dumas nuk thjesht krijoi personazhe, por ndërtoi mite që i rezistuan kohës.

Ai gjithashtu botoi cikle të tjera madhështore, si romanet e Marie Antoinette, seria Valois, dhe përfshiu edhe fantazinë në romanin “The Wolf Leader”, një pararendës i temave mbi ujqërit e mitit dhe natyrës së egër. Këto krijime u përhapën në të gjithë Europën dhe përtej saj, duke e bërë emrin e Dumas një sinonim të aventurës dhe të imagjinatës.

Mes shkëlqimit dhe rrëzimit
Me të ardhurat e mëdha që fitoi, Dumas bleu dhe ndërtoi Château de Monte Cristo në Port-Marly – një strehë e krijimit dhe mikpritjes, e mbushur me festa dhe net të gjata rrëfimesh. Por shpenzimet marramendëse dhe një jetë e shpenguar e çuan në borxhe të rënda. Për t’i shpëtuar kreditorëve, ai u largua në Belgjikë dhe më pas në Rusi, ku vazhdoi të botojë, të udhëtojë dhe të krijojë.

Nga varri në Panteon
Dumas u nda nga jeta më 5 dhjetor 1870 në Puys, në shtëpinë e të birit, Alexandre Dumas (i biri), gjithashtu shkrimtar i njohur. Fillimisht u varros në qytetin e lindjes, por historia do t’i rezervonte një nderim të vonuar: në vitin 2002, eshtrat e tij u zhvendosën në Panteonin e Parisit, aty ku prehen figurat më të ndritura të kulturës franceze – mes tyre Victor Hugo, Émile Zola dhe Jean-Jacques Rousseau. “Alexandre Dumas më në fund do të zërë vendin e tij pranë Victor Hugo, Émile Zola dhe vëllezërve të tij në letërsi,” u shpreh atë ditë Jacques Chirac.

Një trashëgimi që nuk shuhet
Dumas mbetet një autor që lexuesit e ndjejnë si të tyrin, pavarësisht brezit. Veprat e tij janë përkthyer në rreth 100 gjuhë dhe kanë frymëzuar mbi 200 filma, duke e kthyer atë në një prej shkrimtarëve më të dashur të shekullit XIX dhe më gjerë. Edhe sot, dorëshkrime të pabotuara – si “Kalorësi i fundit”, i botuar në vitin 2008 – na kujtojnë se zëri i tij ende ka rrëfime për të ndarë.

Inspektorati Sanitar mbyll pishinën e Gërmisë pasi IKSHPK njoftoi se uji nuk i plotëson standardet

Inspektorati Sanitar i Ministrisë së Shëndetësisë ka mbyllur Pishinën e Gërmisë në Prishtinë, pasi Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë njoftoi se uji nuk plotëson standartet për pishinë.

Inspektorët tashmë kanë vendosur shenjën ku tregohet për mbylljen e pishinës, pikërisht në dyert e kësaj pishine.

Telegrafi ka dërguar pyetje në Inspektoratin Sanitar të Shëndetësisë, por deri në publikimin e lajmit nuk ka pranuar ndonjë përgjigje./ KultPlus.com

Clive Christian Imperial Majesty: Parfumi që kushton sa një apartament luksoz

Në botën e luksit dhe ekskluzivitetit, Clive Christian ka hedhur një hap tjetër përpara me krijimin e Imperial Majesty No.1, një parfum që ka një çmim të jashtëzakonshëm, duke e bërë atë një prej produkteve më të shtrenjta në botë. Ky parfum mund të merret për mbi 400,000 euro për një shishe gjysmë litri, një shumë që mund të blinte një apartament luksoz në disa nga qytetet më të shtrenjta të botës.

Detaje të jashtëzakonshme:

Shishja: Prej kristali Baccarat, e punuar me dorë për të ofruar një estetikë të jashtëzakonshme dhe të veçantë.

Qafa e shishes: E zbukuruar me ari 18 karatësh, duke theksuar gjithashtu pasurinë dhe traditën e këtij produkti.

Diamanti: Në vend të një tufe zakonshme, shishja ka një diamant 5 karatësh, duke i shtuar një element të jashtëzakonshëm luksit.

Prodhimi: Vetëm 10 shishe janë prodhuar në botë, dhe shumica e tyre janë dorëzuar me Bentley privat, duke e bërë këtë parfum edhe më të ekskluzivizuar dhe të vështirë për t’u gjetur.

Tradita Historike:
Clive Christian ka lidhje të ngushta me familjen mbretërore britanike, pasi shtëpia e parfumeve ka marrë lejen nga Mbretëresha Viktoria për të përdorur kurorën mbretërore në produktet e saj. Kjo traditë u trashëgua dhe vazhdoi me një nga krijimet më të njohura të markës: Imperial Majesty – një edicion special i parfumit të njohur No.1.

Aroma:
Imperial Majesty ka një aromë të pasur dhe aristokratike, që përmban nota të bergamotit, mandarinës siciliane, vaniljes, sandalit dhe vetiverit. Ky parfum është i përshkruar si “parfumi i zemrës së Clive Christian”, një kompozim që sjell elegancë dhe rafinim të papërshkrueshëm.
Ky parfum është një simbol i luksit të pakufizuar, një mundësi për ata që mund të përballojnë shpenzime të jashtëzakonshme dhe që kërkojnë diçka të veçantë, që shkon përtej aromës së zakonshme dhe bëhet një investim në artin e parfumerisë./KultPlus.com

E pazakontë: Bizoni shfaqet rrugëve të një fshati të Prishtinës (VIDEO)

Në një ngjarje të pazakontë për vendin tonë, raportohet se është parë një bizon që ka tërhequr vëmendjen e banorëve dhe rrjeteve sociale.

Kjo kafshë e egër, që zakonisht gjendet në zona më të largëta të Evropës, ka bërë shfaqjen e saj të papritur në afërsi të kryeqytetit të Kosovës.

Derisa nuk ka ende konfirmime zyrtare, sipas komentuesve, kafsha është parë në fshatin Prapashticë të komunës së Prishtinës.

Ndryshe, bizoni, i njohur si një prej kafshëve më të mëdha të egra në Evropë, ka qenë i zhdukur në shumë pjesë të kontinentit, por në vitet e fundit ka pasur përpjekje për ringjalljen e popullatave të tij në rezervate natyrore. /Telegrafi/

https://www.tiktok.com/@qwerty.uup/video/7530324193754320134?is_from_webapp=1&sender_device=pc&web_id=7530601688764384774

Një natë, katër shfaqje në Prizren Fest

Mbrëmja e 23 korrikut në kuadër të Prizren Fest 2025, solli një përvojë të veçantë kulturore, ku katër shfaqje të ndryshme u shpalosën si një mozaik emocionesh të thella, ngjyrash artistike dhe zërash që sfidojnë kohën. Nga përrallat mitologjike, te humori edukativ, nga heshtjet e dhimbshme të abuzimit, tek hakmarrja e përgjakshme e tragjedisë antike.

Mbrëmja nisi me një magji vizuale nga kompania turke “Ucaneller Kuklaevi”, e cila përmes kukullave  solli histori mitologjike.Përmes personazheve të njohura si Perëndësha e Dashurisë dhe Bukurisë Afërdita, kutia e pandorës dhe fija e Ariadës krijuan një atmosferë shprese dhe ëndërrimtare që preku imagjinatën e të rriturve po aq sa të fëmijëve.

Pas saj, në një tjetër skenë, “Libri Magjik”  e cila dhuroi humor, energji dhe një mesazh edukativ mbi rëndësinë e librit.

Ndërkohë, në teatrin “Bekim Fehmiu”, zëri i artit mori një ton më të errët, më të thellë, heshtja fliste me pesë fytyra të ndryshme , një dramë rrënqethëse nga Shqipëria që tronditi publikun, me të vërtetën e dhimbshme për dhunën në familje dhe trashëgiminë e saj psikologjike.

Në fundin e kësaj mbrëmje, publiku u zhvendos në Katedralen Katolike, ku tragjedia antike “Elektra” e Sofokliut u kthye në jetë përmes një regjie të fuqishme dhe interpretimesh tronditëse. – “Elektra” e Sofokliut na kujtoi se tragjedia nuk plaket kurrë, dhe se hakmarrja mbetet një plagë e hapur që pikon gjak edhe në heshtje!

PRIZREN FEST do të vazhdoj deri më 28.07.2025 me shumë shfaqje tjera./ KultPlus.com

Filmi biografik për Michael Jackson “Michael” shtyhet për në 24 Prill 2026

Filmi biografik i shumëpritur i Michael Jacksonit, “Michael”, do të zhvendoset për një shfaqje botërore më 24 prill, si në kinematë e rregullta ashtu edhe në Imax, duke hequr dorë nga data e mëparshme e tetorit.

Lionsgate ka marrë përsipër shpërndarjen në Shtetet e Bashkuara, ndërsa Universal do të shpërndajë në të gjithë botën – me përjashtim të Japonisë. Kino Films është përgjegjëse në Japoni. Filmi është drejtuar nga Antoine Fuqua, ndërsa skenari është nga John Logan. Roli i Jackson luhet nga Jafar Jackson, nipi i Mbretit të Popit. Graham King, i cili fitoi një Oscar për The Departed, është producent.

Sipas sinopsisit zyrtar të filmit: “Michael” kronikon udhëtimin e superyllit global për t’u bërë i njohur në botë si Mbreti i Popit, duke ofruar një vështrim intim në jetën dhe trashëgiminë e qëndrueshme të njërit prej artistëve më me ndikim dhe më të shquar që njerëzimi ka njohur ndonjëherë .”

Në maj, CEO i Lionsgate, John Feltheimer, kishte deklaruar se filmi “ka të ngjarë” të zhvendosej në vitin 2026. Edhe pse xhirimet përfunduan në maj 2024, projekti kaloi nëpër rixhirime dhe montazhi fillestar ishte i gjatë. Madje kishte mendime për ta ndarë atë në dy pjesë. Informacionet e fundit sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, buxheti i prodhimit është 155 milionë dollarë. Filmi do të publikohet nga FX në Ditën e Shën Valentinit 2026.

Amelia Earhart: Fluturimi i parë që shënjoi fillimin e një karriere historike

Më 24 korrik 1920, Amelia Earhart, aviatorja e famshme amerikane, bëri fluturimin e saj të parë si pasagjere, një moment kyç që do të ndryshonte rrjedhën e jetës së saj dhe do të shënonte fillimin e një karriere historike.

Ky fluturim, i bërë me një avion të vogël, i dha asaj një dashuri të thellë për aviacionin dhe një dëshirë të pakundërshtueshme për t’u bërë pilote. Përvoja e saj e parë në qiell do të frymëzonte Earhart të ndiqte pasionin për aviacionin dhe të bëhej një nga gratë më të njohura dhe më të respektuara në historinë e aviacionit.

Amelia Earhart do të bëhej një simbol i guximit dhe i shkëlqimit për gratë në aviacion, duke bërë arritje të pabesueshme, përfshirë kalimin e Atlantikut në vitin 1932 si pilotja e parë femër. Ajo ishte gjithashtu një simbol i lirisë dhe i mundësive të pafundme që mund të ofronte fluturimi, dhe shërbeu si një model për gratë dhe të rinjtë që ëndërronin të thyheshin kufijtë e mundësive.

Sot, ajo mbahet mend si një pionere e guximshme dhe një figurë e pashlyeshme në historinë e aviacionit./KultPlus.com

Cardi B përballet me probleme ligjore: Paditet për hedhjen e mikrofonit në koncert

Një grua nga Ohio po padit Cardi B, duke pretenduar se është goditur “me forcë” nga një mikrofon i hedhur nga reperja gjatë një performance në Drai’s Beachclub në Las Vegas në vitin 2023.

Sipas një padie të paraqitur në Gjykatën e Tetë Gjyqësore në Qarkun Clark, Nevada, gruaja, e identifikuar si Jane Doe, ishte në udhëtimin e saj të parë solo në Las Vegas dhe mori pjesë në performancën kryesore të Cardi-t në Drai’s Beachclub më 29 korrik 2023.

Padia pretendon se gjatë performancës së saj, Cardi, 32 vjeç, “u shfaq në skenë në kushte të temperaturës dukshëm të lartë dhe, ndërsa mbante një mikrofon, kërkoi verbalisht që publiku të spërkatte ujë mbi të”.

Në atë kohë, një klip nga koncerti u bë viral ku shfaqej krijuesja e hitit “Bodak Yellow” duke i kërkuar turmës ta “spërkatnin me ujë” me një kusht .

Padia pretendon se Cardi “bëri gjeste dhe deklarata të përsëritura duke i inkurajuar pjesëmarrësit në koncert të hidhnin ujë, duke autorizuar dhe ftuar në mënyrë implicite spërkatjen e lehtë nga pijet”.

Doe pretendon se Cardi “e demonstroi më tej pëlqimin dhe pjesëmarrjen e saj duke derdhur ujë nga një shishe mbi trupin e saj ndërsa ishte në skenë” dhe se ajo “reagoi fizikisht ndaj spërkatjeve duke e goditur të pasmet ndërsa lëngjet e hedhura nga publiku binin në kontakt me të”.

Sipas padisë, Doe, në një përpjekje për të vepruar “në përputhje me mjedisin” dhe “në një mënyrë të pajtueshme me të pranishmit e tjerë, spërkati një pjesë të vogël të pijes së saj në drejtim të Cardi B”.

Mirëpo më pas Cardi B hodhi mikrofonin në drejtim të saj./KultPlus.com

Muzeu “Shtëpia me gjethe”, projekt të ri dedikuar fëmijëve

Vizitat e fëmijëve në Muzeun Kombëtar të Përgjimit “Shtëpia me gjethe”, janë të shpeshta. Këto vizita edukative shpesh organizohen nga shkollat apo kampet verore.

Në kuadër të edukimit të fëmijëve, ky muze organizoi një workshop dhe punëtori didaktike dedikuar të vegjëlve.

“Shtëpia me gjethe” ka përgatitur gjithashtu edhe “Guidën e Artit të Familjes” që është një udhëtim interaktiv dhe tërheqës i projektuar për fëmijë dhe familje për të eksploruar muzeun, historinë e diktaturës shqiptare dhe për të reflektuar së bashku mbi të drejtat e njeriut.

Projekti ka si personazh qendror Mian, një vajzë nga e tashmja që udhëton prapa në vitin 1983 dhe takon dy bashkëmoshatarë shumë të ndryshëm: Arbërin, të frikësuar por të vetëdijshëm dhe Besnikun, një mbështetës të vendosur të regjimit, të formësuar nga propaganda.

Përmes lojërave, videove të animuara, pyetjeve të drejtuara dhe një shtegu reflektimi në natyrë, vizitorët e vegjël ftohen të zbulojnë historinë, propagandën dhe viktimat e regjimit, për të kuptuar se sa të rëndësishme janë të drejtat themelore, edhe sot.

Ky projekt dedikuar fëmijëve do të jetë në dispozicion në Muzeun e Gjetheve duke filluar nga tetori 2025.  Projekti mbështetet nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe është i përshtatshëm për fëmijë të moshës mbi 6 vjeç./atsh/KultPlus.com

Kush ishte Simone Veil? Një luftëtare për të drejtat e grave dhe paqen

Simone Veil ishte një nga figurat më të shquara të historisë moderne të Francës, një grua që la pas një trashëgimi të pazëvendësueshme në fushën e të drejtave të njeriut, barazisë gjinore dhe angazhimit për të ruajtur kujtesën historike të Holokaustit.

E lindur më 13 korrik 1927 në Paris, ajo përjetoi dramën e Luftës së Dytë Botërore kur familja e saj u deportua në kampet e përqendrimit nazist. Veil dhe familja e saj u dërguan në kampin e Auschwitz-it, dhe ajo humbi nënën dhe vëllain gjatë asaj periudhe të tmerrshme. Pas luftës, ajo bëri një karrierë të shkëlqyer dhe u angazhua si një avokate e zëshme për të drejtat e njeriut, veçanërisht për të drejtat e grave, shkruan KultPlus.

Veil është më e njohur për ligjin që ajo promovoi dhe miratoi në vitin 1975, i cili legalizoi abortin në Francë. Ky ligj, i njohur si “Loi Veil”, ishte një fitore e madhe për lirinë e grave dhe shënoi një hap të rëndësishëm në avancimin e të drejtave të grave në Francë dhe më gjerë. Ajo u bë një simbol i luftës për të drejtat e grave dhe barazinë gjinore, duke pranuar kritika dhe kundërshti të forta, por duke qëndruar e palëkundur në besimin e saj se çdo grua ka të drejtën për të bërë zgjedhje për trupin e saj.

Pas përfundimit të mandatit si ministre e Shëndetësisë, Simone Veil u angazhua në politikën ndërkombëtare, duke u bërë presidentja e Parlamentit Evropian nga viti 1979 deri në 1982. Në këtë rol, ajo promovoi integrimin e Evropës dhe mbrojti vlerat e barazisë dhe të drejtësisë në kuadër të Bashkimit Europian. Angazhimi i saj për paqen dhe barazinë bëri që ajo të njihej si një grua që mbrojti një ideologji të fortë dhe të drejtë për të drejtat e njeriut dhe për lirinë. Në vitin 2008, ajo u nderua me titullin e “Presidentes e Shoqatës Franceze të Bashkisë për të Drejtat e Grave” për kontributet e saj të mëdha dhe për angazhimin në avancimin e barazisë gjinore në Francë.

Pas vdekjes së saj më 2017, Simone Veil u varros me nderime në Panthéon, një vend që nderon personalitete të shquara të historisë franceze, duke i njohur kështu trashëgiminë dhe kontributin e saj të jashtëzakonshëm në historinë e shoqërisë moderne.

Veil ka mbetur një nga figurat më të respektuara dhe të dashura në Francë dhe në mbarë botën, duke lënë një trashëgimi të pashlyeshme në fushën e të drejtave të njeriut, paqes dhe barazisë gjinore. Ajo është një shembull i fuqisë dhe guximit, që tregon se përpjekjet e një individi mund të ndihmojnë në ndryshimin e historisë dhe në përmirësimin e jetës së miliona njerëzve./KultPlus.com

Artisti që kultivon “Cross over” dhe rrënon getot kulturore  

Prishtina ishte me fat që prej 17 deri më 20 korrik, qëndroi për katër ditë e katër net pianisti me famë botërore Marino Formenti, në Burgun e Idealit, duke performuar nën moton “WHAT IS LIGHT FOR”?  

Afrim DEMIRI  

Të rralla janë ngjarjet që një qyteti i japin  epitetin e Qytetit të kulturës, pa qenë e shpallur kjo nga ndonjë organizatë si UNESCO, apo BE-ja, që praktikojnë këto nisma për të promovuar diversitetet kulturore si pasuri e përbashkët e qytetërimeve. Mirëpo Prishtina ishte me fat që prej 17 deri më 21 korrik, qëndroi për katër ditë e katër net pianisti me famë botërore Marino Flormenti, në Burgun e Idealit, duke performuar nën moton “WHAT IS LIGHT FOR”? Formenti ishte i ftuar nga Molla e Kuqe NGO, në kuadër të projektit për funksionalizimin e hapësirës së muzeut, të mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për vitin 2025.

Prania e tij fizike dhe artistike e krijoi një përmasë të denj për një epitet të tillë. Kur gjithë kësaj i shtojmë që krejtësisht në një koiçidencë artistike ngjau të ndodhnin, në të njëjtën kohë edhe EtnoFesti në Kukaj si dhe koncerti i Armend Rexhepagit, në sheshin e kryeqytetit, atëherë korriku për Prishtinën ishte më se i begatshëm artistikisht përkundër thatësisë së vapës përvëluese.  

Formenti: Unë jam medalion me tri fytyra  

U dashtë të kalojnë katër ditë, që të mund ta shikoj qëndrimin katërditor të pianistit Marino Formenti në Burgun e idealit, nga një distancë emocionale dhe të mund të reflektoj për botën e tij krijuese aq të thellë të përcjellur me një filozofi jetësore, me një psikologji të rrallë dhe para se gjithash me një frymëzim artistik përtej klisheve.

E takova në shetitorën e burgut derisa dialogonin me organizatorët Alban Beqirajn dhe Mentor Berishën, për kontekstualizimin artistik të performancës së tij, derisa kishte ardhur nga Vjena, që të identifikohej me fatin e mijra të burgosurëve politikë shqiptarë, që kishin vuajtur me dekada në këtë burg. Dhe ja që një artist italian synonte që hapësirën e burgut të shndërronte, ta transformonte nga burgu sa në një rrëfimtore, në një sallë ushtrimesh të një kryeartisti me amatotë, me studentë apo me kolegë, sa në një medium debatues me gazetarë, sa në një sallë kocentrale!

Ia kujtova se më kishte pëlqyer një thënie të tij se “nëpërmjet notave i shoh portretet e kompozitorëve”.  “Po, kam dëshirë që nëpërmjet emocioneve t’i përceptoj vijat e karaktereve”, pohoi ai duke vendosur një bashkëbisedim të çiltër. Në pyetjen se si kanë dëshirë të të shohin ty të tjerët, duke përjetuar artin tënd, Flormenti pa hamendësim tha: “si një medalion me tri fytyra”, duke nxjerr në pah shumëdimensionalitetin e fuqisë së tij krijuese. Gjithçka në botën e tij e kishte hapësirën e vet, nota për të ishte më shumë se medium, kërkonte qasje filozofike, ai dallohej nga të tjerët se notën muzikore apo hapësirën artistike donte që ta shihte përtej kornizës edhe si ndjenjë edhe si përceptim. “Nuk ka qendër, Qendra është aty ku jam, aty ku krijoj, psh., tash Qendra është këtu, ne jemi Qendra”. Unë shikohem me Mentorin dhe me Albanin dhe sikur marrim forcë nga graviteti i Qendrës.

Për gërshetimin e muzikës serioze me atë alternative, avangarde Formenti pohon se duhet gjetur edhe hapësirat aleternative. Prandaj koncepti i tij “Nowhere”, një performancë ku ai jeton për ditë të tëra në një hapësirë publike, duke luajtur muzikë, biseduar me njerëz, dhe reflektuar mbi marrëdhënien mes artistit dhe publikut, tingëllonte mëse i natyrshëm në burgun e Prishtinës. Po ashtu përvoja e tij ishte kalitur edhe nëpërmjet koceptit tjetër “On To One”,dmth. Një shikues para tij është një botë, nuk është një biletë e shitur! Edhe pse pianist me famë botërore në muzikën klasike dhe bashkëkohore, Marino Formenti (“Best of New York Times”, “Best of The New Yorker”), ai kishte ngritur shtratin e gjumit në hapësirat e Burgu të Idealit”. “Kam vizituar shumë burgje nëpër botë, kam qenë edhe në Buhenwlt, ku jam njohur me Holokaustin ndaj hebrenjëve. Kam vizituar edhe të burgosur komunistë, muzikën time e shoh si shpagim për robërinë e të burgosurëve, dhembshuri të cilin dua ta kthej në lumturi”, humbet në rrëfimin e tij, pikërisht ashtu sikur edhe kur ekzekutonte dukej se merrte një trajtë jashtëtokësore. Nuk di pse më erdhi ta pyes se kush e ka vizituar deri më tash? A e kanë vizituar kompozitorët prishtinas? Ai me një nënqeshje sikur nuk ka dëshirë të thotë jo, por vazhdon të flet për aspektet margjinale të jetës, të cilat i bartë në art duke krijuar një humanizëm të rrallë. “Tash do ta takosh Marigona Hamitin, një të verbërt që studion për piano, do të ekzekutojmë së bashku, po kam dëshirë ta barti tek ajo një frymë alterantive të ekzekutimit”, sqaron Formenti, derisa Marigona përgatitet të ulet pranë pianos, e cila kishte zënë vend në ish-shetitoren e burgut. Veprat muzikore nga: J. S.Bach, Philip Glass, Nirvana, Brian Eno, Morton Feldman, Frédéric Chopin, Erik Satie, John Lennon, Franz Schubert, Galina Ustvolskaya, janë ato që  e ndjekin Formentin. Fillon ekzekutimi! Marino ulet majtas, Marigona djathtas. Kumbon hapësira e burgut. Aty ku ishte mbytur fjala e lirë ndër dekada, jehonin tingujt nga një ekzekutim i Bach-Benedito! Marigona ndjehej e lumtur. “Të them të drejtën kur jam vet edhe eksperimentoj, por në publik asnjëherë, por ja Marino më mësoi si të kapërcej nga nota në notë duke ruajtur harmoninë, por duke krijuar tone të reja, dhe si t’i kapërcej kufinjtë e partiturës”, shprehej Marigona që ndiqte mësimet në vitin e tretë, në Akademinë e Arteve në Prishtinë. Në një atmosferë spontane atyre iu bashkangjitej edhe Belina Sadiku studente e arkitekturës, e cila këndoi “back to black” si dhe “when a blind man cries” e përcellur nga dy “Mari-not”. “Kam mbaruar shkollën e mesme të muzikës dhe tash jam duke e shkolluar zërin  vullnetarisht, Formenti po na mëson atë që nuk e kemi dëgjuar deri më tash”, pohoi ajo, derisa kujdesej më Marigonën. Aty ishte edhe Aniset Cej, violiniste, studente e Akademisë së Arteve. “Një eksperiencë në vete, violina si instrument jashtë muzikë serioze po ma sjell një hapësirë të re muzikore”, pohoi Cej.

Muzikën shqiptare nuk e njoh, përpos disa këngëve popullore Formenti nuk kishte ra në kontakt me veprat e kompozitorqëve shqiptarë as andej dhe as kendëj kufirit. Për habi as muzika e arbëreshve tanë në Itali, nuk ishte e njohur për të. “Vetëm disa këngë popullore shqipe, kam arritë t’i veçoj”, thotë ai.  Kënga shkodrane “Luleborë”, që e kishte interpretuar aktori Afrim Muçaj nën përcjellje e Marinos, kishte tingëlluar shumë bukur.

“Pa asnjë dyshim një përvojë artistike e paharrueshme në Burgun e Idealit. Pata kënaqësin e madhe të marr pjesë si aktor në performancën muziko-poetike “What Is Light For?”, një udhëtim i thellë artistik që ndërthurte fjalën poetike me tingujt magjepsës të pianos”, pohon Muçaj. Muçaj edhe kishte recituar poezi të të burgosurëve edhe në mbrëmjen e fundit e emërtuar simbolikishte si “Hiri i Gramshit”. “Për katër ditë me radhë pata nderin të bashkëpunoj me një nga emrat më të njohur të muzikës bashkëkohore, kompozitorin italian Marino Formenti, i cili me mjeshtërinë dhe ndjeshmërinë e tij krijoi një atmosferë unike, ku muzika dhe poezia u bënë një”, tregon Muçaj.  Krahas Muçajt edhe aktorja Rajmonda Ahmetaj kishte recituar vargje të poetëve të burgosur si Visar Zhiti, Martin Çuni, Merxhan Avdyli etj. Ndërkaq mureve të burgut ishin vendosur portrete të artistëve botëror të cilët gjithashtu jeta i kishte përballur me burgjet. Formenti, po  mësonte shumë për të kaluarën tonë, gjatë procesit të bashkëbisedimet ai dëgjoi rrëfimin jetësor- dokumentar të ish të burgosurit politik pikërishtë në këtë burg dhe ish- ushtarit të lirisë Martin Çunit. “Një rast interesant, veç një krijues i madh si Marino identifikohet me ne, muzikën e tij po e përjetoj  si shërim të plagëve të vjetra”, thoshte Çuni që  për vite ia kishin ndalue fjalën e lirë, për ta hapur gjatë luftës së fundit  Radion Kosova e lirë dhe dhe për të pasur mundësinë të ipte  kushtrimin për liri.

Ndërkaq Qazim Namani, doktor  i shkencave të historisë,  foli për historikun e Kosovës që nga antika. Ai foli edhe për kompozitorët tanë Niket Dardani dhe Jan Kukuzeli, të cilët kanë krijuar vepra të mëdha në muzikën e krishterë. Formenti kërkonte që t’ia sigurojmë këto kompozime.

Marino dëgjonte dhe ekzekutonte! Mbi qiellin e shetitorës së të burgosurve fluturonin sorrat. Krokamat e tyre ngatërroheshin me notat duke krijuar një pamje surealiste. Marino premtonte se pas një viti do të kthehet në Kosovë me vepër të krijuar mbi rrëfimet e dëgjuara. ”Nuk i duroj getot as getoizimin qofshin politike apo kulturore, dua t’i rrënoj ato, jam multikulturor, i çmoj karakteristikat individuale, por synoj një humanizim kulturor”, pohonte Formenti.  

Okarina shqiptare dhe pianoja e italianit Formenti  Emin Sallahu, ish i burgosur politik, filloi ekzekutimin me okarinë.  Melodia e këngës “Vijnë vaporat, bregut të detit” filloi të formësohej. Pianisti Marino përpiqej të ” hynte” në okarinë me mjeshtrinë e tij në piano. Krijohej një kombinim  i çuditshëm. “Jam i lumtur që Okarina e jonë, si më e veçanta nga familjet e okarinave të zbuluara deri më tash u harmonizua me pianon e italianit Formenti”, shprehej Sallahu, Kurse Flormenti sqaronte për të pranishmit se “Cross over është koncepti im i parapëlqyer, pak folk, xhez pak apo pak pop. Unë jam për një koncept, miksimi me qenë përtej zhanreve, jo artificialisht, por shpirtërisht” .

Ai vazhdoi duke thënë se “Ashtu siç unë i besoj një Karte për të drejtën njerëzore, duhet të ekzistoj edhe një Kartë muzikore kulturore”. I lindur më 1965 në Itali, kjo nuk ishte vizita tij e parë në Kosovë. Më 2021 në Teatrin Kombëtar, Alban Beqiraj kishte vuar në skenë dramën e Beketit, “Pa mua”, ndërkaq muzikën e kishte kompozuar pikërisht Marino Formenti. Një ngjarje katërditore që do të mbahet në mend gjatë. Një perfomancë e pianistit Italian Marino Formenti që e nderoi kulturën tonë. Burgu i Idealit prej muajit në muaj po bëhet një vend i krijimit të artit alternativ, po tubon gjenerata të ndryshme  dhe po e vendos dialogun soc-kulturor në një rrafsh të komunikimit reciprok, në mes qindra pjesëmarrësve./KultPlus.com

Përkujtojmë sot 95-vjetorin e ndarjes nga jeta të atdhetarit dhe patriotit Bajo Topulli

Bajo Topulli u arsimua në Stamboll që në moshën 11 vjeçare, ku brumoset me idetë përparimtare dhe patriotike të vëllezërve Frashëri, Samiut dhe Naimit, por edhe Jani Vretos.

Sipas këshillave të tyre ai shkon në Selanik, ku fillon një aktivitet të gjerë si propagandues i gjuhës shqipe. Më pas, në vjeshtën e vitit 1904, Bajon do ta shohim në Manastir, ku bëhet pedagog dhe nëndrejtor i gjimnazit të Manastirit. Bashkë me lëndët mësimore, nisi t’iu mësonte edhe gjuhën shqipe djemve të gjimnazit e të shpërndante libra në gjuhën shqipe, edhe pse ishte gjithnjë në shënjestër. Gjatë qëndrimit të tij në Manastir u ngrit “Komiteti për Lirinë e Shqipërisë”(1905), ku mblodhën patriotë shqiptarë. Disa muaj pas krijimit të komitetit, do të ishte vullnetari i parë, në të parën çetë çlirimtare, duke u quajtur “Garibaldi i Shqipërisë”.

Pas aktivitetit në Jug të Shqipërisë dhe vrasjes së Dhespotit të Korçës, për të larë gjakun e Papa Kristo Negovanit, Bajo Topulli e pati shumë të vështirë qëndrimin në Shqipëri, ndaj dhe në fund të nëntorit, Bajo i shoqëruar nga Çerçizi dhe Zeman Haskua udhëtojnë drejt Sofjes, ku e priti një grup shqiptarësh me në krye Shahin Kolonjën. Aty gjejnë një situatë po aq të ndezur patriotike, në Sofje e Bukuresht u njohën me figura të njohura, mes të cilëve dhe Mihal Gramenon (kronikanin e betejave). Ai ndikoi në formimin dhe idetë e veprimtarit Çerçiz Topulli deri në fund. Bajo ndërmerr një udhëtim të gjatë në kryeqendra të Evropës dhe në Amerikë (ku u shoqërua nga Fan Noli), për të gjetur mbështetje për çështjen shqiptare.

Mori pjesë në Kongresin e Manastirit, madje ai u zgjodh në komisionin e ngushtë të Alfabetit, prej 11 vjetësh, ku ndër të tjerë bënin pjesë edhe At Fishta, Dom Mjeda, Mit’hat Frashëri, Sotir Peci, etj. Bajo Topulli ishte përkrahës i variantit të alfabetit me gërma latine, i cili u pranua si një nga dy variantet, bashkë me alfabetin e Stambollit, që të përdoreshin mes shqiptarëve. Kjo ngjarje e madhe u pasua me hapjen e shkollave dhe klubeve të gjuhës shqipe.

Pas Shpalljes së Pavarësisë për 15 vjet jetoi e punoi në Turqi, ku pati poste të larta drejtuese në kohën e Mustafa Qemal Ataturkut. Në vitin 1925 ai kthehet në Gjirokastër, ku e propozojnë për kryetar bashkie, të cilën edhe pse i sëmurë e drejtoi për tri vjet radhë. Gjatë kohës së drejtimit ndërmori një sërë reformash, të cilat lanë gjurmë dhe u bënë traditë dhe pjesë e bashkëjetesës qytetare në Gjirokastër.

I sëmurë rëndë, Bajo Topulli u nda nga jeta në 24 korrik të vitit 1930, në shtëpinë e të vëllait në Sarandë. Një ceremoni lamtumire madhështore u organizua që nga Saranda deri në Gjirokastër. Fjalën e lamtumirës e ka mbajtur Eqrem Çabej, i cili ndër të tjera ka thënë: “Në emër të djalërisë vijnë t’i them Bajo Topullit lamtumirën e fundit. Jo me lot grarie do ta varrosim, se sot nuk është ditë për zi. Ne do ta varrosim si burra, sepse edhe ti, o shpirt bujar, derdhe tërë gazin e jetës për këtë Shqipëri dhe tani, hero re dhe do flesh në këtë tokë që t’i e deshe gjithë jetën më tepër sesa shpirtin”!… / KultPlus.com