66 vite më parë filloi ceremonia për ndarjen e çmimeve Grammy

Sot 66 vite më parë, është mbajtur për herë të parë ceremonia e ndarjes së çmimeve muzikore Grammy Award, shkruan KultPlus.

Çmimet Grammy (të stilizuara si GRAMMY), ose thjesht të njohura si Grammy, janë çmime të paraqitura nga Akademia e Regjistrimit të Shteteve të Bashkuara për të njohur arritjet “të jashtëzakonshme” në industrinë e muzikës.

Grammy Award është një çmim muzike që nga viti 1957 jepet çdo vit në gjithsej 108 kategori për artistët më të dalluar, drejtues të prodhimit dhe teknikë akustik.

Këto konsiderohen si çmimet më prestigjioze dhe më të rëndësishme në industrinë e muzikës në mbarë botën. Ata u quajtën fillimisht Gramophone Awards, pasi trofeu përshkruan një gramafon të praruar. Grammy është i pari nga çmimet kryesore muzikore të tre rrjeteve të mëdha që mbahen çdo vit, dhe konsiderohen si një nga katër çmimet kryesore vjetore amerikane të argëtimit, së bashku me Çmimet e Akademisë (për filma), Çmimet Emmy (për televizionin) , dhe çmimet Tony (për teatër).

Ceremonia e parë e çmimeve Grammy u mbajt më 4 maj 1959, për të nderuar arritjet muzikore të interpretuesve për vitin 1958. /KultPlus.com

Pranvera në Prishtinë me koncertin ‘Kanga jonë’, homazh për muzikën e përjetshme të Musa Piperkut

Flonja Haxhaj

Nën ngrohtësinë e një mbrëmje pranvere, sheshi “Skënderbeu” në Prishtinë u shndërrua mbrëmë në një skenë të hapur nën yje, ku u dha koncerti madhështor “Kanga Jonë 2025”, një përjetim muzikor i mbushur me kujtim, emocion dhe respekt të thellë për trashëgiminë e njërit prej emrave më të shquar të muzikës së lehtë shqiptare, kompozitorit Musa Piperku, shkruan KultPlus

Nën patronatin e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ky koncert erdhi si një rrugëtim nëpër tingujt që për dekada kanë shënuar ndjeshmërinë për vendin e dashurinë në të gjitha trevat shqiptare.

Koncerti, i cili solli përpara publikut këngët që i kanë shoqëruar nëpër etapa të ndryshme të jetës, u moderua me finesë nga prezantuesja Dojna Mema dhe aktori i njohur kosovar Alban Ukaj, të cilët udhëhoqën me delikatesë rrjedhën e natës, duke ndërlidhur artistët dhe repertorin në shenjë respekti për veprën e Piperkut.

Mbrëmja nisi me interpretimin e Genc Salihut, i cili solli këngët “Kaltrina” dhe “Të fala nga Prishtina”, duke vendosur menjëherë tonin e një nate të mbushur me dashuri për qytetin dhe muzikën. Më pas, këngëtarja Eneda Tarifa i dha skenës një elegancë të veçantë me interpretimin emocional të këngëve “Malli për ty lotin ndjell” dhe “Kosovarja e bukur”, duke përçuar ndjeshmërinë e melodisë së Piperkut.

Shpat Deda solli atmosferën intime të këngës “Pranvera në vendin tim”, e pas tij ansambli “Zanat” sollën një interpretim të fuqishëm të “Kënga shpirtin ma rrëmben”.

Më tej, këngëtarja Fifi solli energji nëpërmjet këngëve“O bilbil” dhe “Qeshu rini”, dy këngë që reflektojnë gjallërinë dhe frymën rinore që karakterizon veprat e Piperkut. Ndërkohë, Vlashent Sata solli një emocion e një frymë romantike teksa interpretoi këngën“Buzëqesh prapë Suzi”. Pas tij, këngëtarja Jehona Sopi solli gjallëri në publik me këngën “Ku mbet hareja”.Kënga ikonike për fëmijë ‘Fidani’ erdhi më pas nëpëmjet zërit të dashur të Korit të Fëmijëve ‘Okarina’.

Ndërkaq, kulmi i mbrëmjes u arrit me performancën e sopranos së famshme Inva Mula, e cila interpretoi magjishëm këngën “Pranvera në Prishtinë”.Pas saj, Armend Rexhepagiqi solli një tjetër perlë shqiptare, këngën e tij “Dashurinë o ku e kam”, po ashtu kompozim nga Piperku. Ndërsa mbrëmja u kurorëzua me duetin e tij dhe të Invës në këngën “Këngë Moj”, si një himn të dashurisë për artin dhe jetën.

Përgjatë këtij koncerti, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ndau familjes së Piperkut, Medaljen Presidenciale të Meritës ‘Post Mortem’, për kompozitorin Musa Piperku, si vlerësim për jetën, krijimtarinë dhe ndikimin e tij të jashtëzakonshëm në kulturën muzikore shqiptare.

Pas një interpretimi brilant që u mirëprit me duartrokitje të zjarrta nga publiku i Prishtinës, sopranoja me famë ndërkombëtare Inva Mula, e cila solli emocione të thella me zërin dhe interpretimin e saj në skenën e koncertit “Kanga Jonë”, tha për KultPlus se është prekur nga fuqia artistike dhe vlera historike e këngëve të Musa Piperkut, duke vlerësuar këtë koncert si një nismë me rëndësi të madhe për ruajtjen e identitetit muzikor shqiptar.

“Këto janë këngë të mrekullueshme. Edhe unë i duke dëgjuar dhe gjatë provave, nuk e dija të gjitha këto këngë kanë qenë të Musa Piperkut, sepse nganjëherë këngët kur bëhen kaq popullore sikur bëhen edhe anonime. Prandaj ky rikthim, me të gjithë krijimtarinë e kompozitorit është me shumë vlera, sepse na kthen në identitetin e një njeriu, i cili ka lënë një krijimtari, një thesar për artin shqiptar të të pa çmuar dhe mendoj që kjo iniciativë për të krijuar ‘Kanga Jonë’ si produksion është një iniciativë shumë e bukur, për arsye se ka kompozitorë të mrekullueshëm, dhe unë u ndjeva kaq bukur, u ndjeva kaq mirë, me ato dy interpretime që ishin nga këngët më të bukura të kompozitorit”, tha Mula duke shtuar më tutje se këngë si këto janë AND-ja e muzikës shqiptare, prandaj edhe duhet të rikthehen.

Ajo më tutje shprehet e lumtur edhe për interpretimin e saj të parë me këngëtarin Armend Rexhepagiqi, duke shprehur se do të mbetet një kujtim shumë i bukur për të.

“Unë u ndjeva shumë e lumtur, se e kam adhuruar gjithmonë Armendin, por nuk kemi pas mundësi ndonjëherë të këndonim bashkë, një herë nuk bashkohen artistët për shumë arsye, por kur më thanë që do ta bësh duet, u gëzova shumë. Ne u takuam këtu, u takuam me shumë mall,  e përsëritëm  këngën, bile e përsëritëm shumë herë, si ata fëmijët e vegjël, vetëm se kishim dëshirë, domethënë që ta bënim këto duet. Jam shumë e lumtur dhe është një kujtim shumë i bukur për mua”, tha Mula.

Ndërkaq, pas koncertit, këngëtari Vlashent Sata tha për KultPlus se ndjehet i lumtur lumtur që ishte pjesë i një organizimi të tillë, ku kujtohet trasigimia që ka lënë pas një kompozitor.

“Gjëja më e bukur ishte me këndu në gjuhën shqipe dhe të këndoj shqip në formën e muzikës. Musa Piperkun nuk e njihja si emër por si muzikë dhe ishte shumë e rëndësishme për mua të jem pjesë e këtij koncerti. Është shumë e rëndësishme që po vlerësohet një artist për punën që ka lënë mrapa.Ajo që është e bukur është që të kuptojmë se shqiptarët kanë ditur të jetojnë, të krijojnë, të gëzojnë jetën dhe të mbijetojnë edhe në kushte shumë të vështira. Kjo tregon se ata kanë qenë brenda jetës me muzikën dhe artin ashtu siç kanë dashur jeta e tyre të jetë”, tha Sata, duke shtuar mes tjerash se shpreson se me versionin e tij të ‘Buzëqesh prapë Suzi’ ka sjellë ndjeshmërinë që do t’i afrohej botës së Piperkut.

Me paraqitje për herë të parë në rolin e moderatorit, aktori Alban Ukaj tha se i është përgjigjur pozitivisht kësaj ftese si nderim dhe respekt të jetës dhe veprës së kompozitorit Piperku, vepra që më nuk krijohen në ditët e sotme.

“Është hera e parë që po e bëj moderatorin. E kam prauar për një arsye, për të madhin Musa Piperku. Jemi rritë me këto këngë. Ka qenë një nder dhe përgjegjësi të madhe, që të prezantoj koncertin që i kushtohet një njeriu aq të madh dhe një prej kompozitorëve tonë më të mirë. Kur i dëgjon atë melodi, atë ritëm, e sheh që diçka është ndryshe në krahasim me atë që po prodhohet sot. Unë shpresoj që dikush do të ketë veshë dhe do të ketë vetëdije, që merr kthy atë që e kanë sjellë Randobrava, Piperku e kompozitorë të ndryshëm”, tha Ukaj për KultPlus.

Ndërkaq, ju kujtojmë se koncerti ‘Kanga Jonë’ e cila më shumë se sa një mbrëmje artistike, ishte një akt përulje për një trashëgimi që vazhon të jetojë nëpërmjet notave, është organizuar nga Dardan Selimaj dhe Jehona Sopi./KultPlus.com

Screenshot

Dashunia âsht shoqni e rrallë

Poezi nga Fernando Pessoa

Përktheu Halil Matoshi

Shoqni e rrallë asht dashunia
Me ecë udhëve i vetëm nuk di ma,
Se vetëm nuk mundem.
Një mendim i dukshëm më nxit me shpejtue hapin
Shoh gjithnji e ma pak dhe njikohesisht zjarmishëm lakmoj me pa  çdo gja.
Madje edhe mungesa e saj asht me mue,
Dhe e puth aq sa nuk di si me e dishirue…
Nuk e shoh mbase, e përfytryroj, dhe i fortë jam përballë lisave të gjatë
N’tuebamësi, dridhem dhe nuk e di  çka ndodh në njat heshtje në mungesën e saj.
Me tanë qenien time ndjej diqysh fuqinë që po më lë
E tanë vërtetësia vështon  si luledielli me fytyrën e saj midisdisi…/ KultPlus.com

Kuturu

Poezi nga Timo Flloko

Eci rrugëve kot, kuturu
dhe s’di ku shkoj,
xurxull jam prapë unë- se ajo,
një bohem nuk e do.

Sa të desha, shpirt s’mund ta dish,
të vodhën ty – pabesisht,
me pije mbys dhimbjen pa fund…

Sa e lumtur je, unë s’e di,
me atë që jeton,
mund ta blejë ai për ty dhe botën,
vetëm zemrën, jo!

Mbeti shkretë tani streha jonë,
në luks je ngrirë, në kyç trishton,
si në muze, si një Xhokondë.

Unë në jetë i pasur s’jam vërtet,
por në ëndërr e shoh veten mbret,
nëpër pube tok me miqtë harxhoj,
unë hënën si monedhë.

Ti po fle tani, Xhokonda ime,
shiu si det mbi mua zbrazet,
as rrufetë s’më vrasin dot.
se ka një Zot! / KultPlus.com

‘Njerëzit thonë që je duke ndjekur rrugën e gabuar, por ajo është thjeshtë rruga yte’

1. “Jeta vjen me shumë sfida. Ato që nuk do të duhej të na frikësonin, janë ato që mund ti kontrollojmë.”

2. “Pa dhimbje, nuk do të kishte vuajtje. Pa vuajtje kurrë nuk do të mësonim nga gabimet tona. Për të bërë gjënë e duhur, dhimbja dhe vuajtja janë çelësat e të gjitha dyerve.”

3. “Nëse nuk dilni nga kutia në të cilën jeni rritur, kurrë nuk do ta kuptoni se sa e madhe është bota.”

4. “Ne nuk dashurojmë kur gjejmë njeriun perfekt, por kur mësojë të shohim një njeri jo perfekt në mënyrë perfekte.”

5. “Nëse pyetni njerëzit, shumica nuk kanë bërë atë që kanë dashur. Kjo më dhemb në zemër. “

6. “Nëse mendoj për vdekjen më shumë se të tjerët, është për shkak se unë vlerësoj jetën më shumë se ta.”

7. “Unë do të mundohem të bëj më të mirën time të mundshme në këtë botë.”

8. “Ti mendon, “çfarë nëse do ta bëj një gabim sot dhe do të pendohem’. Por unë nuk besoj në pendim, unë besoj që çdo vendim çon tek të kuptuarit se kush jemi, dhe thjesht duhet të hedhim një hap para, të përkushtohemi dhe të shohim se çfarë do të ndodhë.”

9. “Sa herë që ndihem e humbur, marr një hartë dhe e vështroj deri sa ti kujtoj vetës sime se jeta është një aventurë e gjatë, sa shumë për të bërë e sa shumë për të parë!”

10. “Njerëzit thonë që je duke ndjekur rrugën e gabuar, por ajo është thjeshtë rruga yte.”/KultPlus.com

Rama: “Turi i Kullave”, shtysë të re zhvillimit të turizmit të traditës në Shqipëri

“Turi i Kullave’’, një model inovativ për të eksploruar atraksionet shqiptare në kullat e gurta të veriut të vendit tonë vijon të zgjerohet si pjesë e ofertës turistike që ofron Shqipëria.

Këtë herë “Turi i Kullave” zgjerohet në Kukës, Has dhe  Tropojë, me nëntë kulla karakteristike që i shtohen kësaj eksperience autentike në zemër të veriut shqiptar.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale foto nga këto kulla, që sipas tij i japin “një shtysë të re zhvillimit të turizmit të traditës në Shqipëri”.

Rama nënvizoi rëndësinë e këtij turi “me kullat tipike, bujtinat e kuzhinën tradicionale që promovojnë prodhimet cilësore ‘Made in Albania’”.

“Turi i Kullave” vjen si një ide inovative e mbështetur nga GIZ Albania, për të përjetuar Shqipërinë nga një kënd i paeksploruar më parë.

Ky tur është një udhëtim në zemrën e trashëgimisë kulturore dhe arkitekturore të Shqipërisë së Veriut. Ky itinerar përfshin eksplorimin e pasurive historike të kullave shqiptare, duke kombinuar përvoja autentike kulturore, historike dhe agroturistike.

Pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të takohen me banorët e këtyre kullave, të njihen me historinë dhe traditat, të shijojnë gatimet tradicionale dhe të njohin përpjekjet për ruajtjen e kësaj trashëgimie të veçantë.

“Turi i Kullave” përçon mesazhin e jetës dhe historive të skalitura në muret e tyre shekullore, duke dëshmuar kulturën dhe traditat që këto kulla kanë ruajtur ndër vite./atsh/KultPlus.com

Letrat më të famshme të dashurisë: Nga Tolstoy deri te mbreti Henry VIII i Anglisë

Vincent Van Gogh, artisti i famshëm holandez i shkruan Theos, vëllait të tij, duke i përshkruar dashurinë për kushërirën e tij Kee, e cila nuk e pranoi kurrë, 1881.

I dashur Theo. Jeta është bërë shumë e dashur për mua, dhe jam shumë i lumtur që kam rënë në dashuri. Jeta ime dhe dashuria ime tani janë një. “Por ti je përballur me një ‘kurrën e kurrës’, më përgjigjesh ti. Përgjigjja ime për ty është: “Çunak i vjetër, tani për tani unë shikoj në ‘kurrën e kurrës’ një bllok akulli, të cilën zemra ime mund ta shkrijë.

Mark Twain, letër për Olivia Langdonin – bashkëshorten e tij të ardhshme, 1869

Përtej thellësive të zemrës sime të lumtur rrjedh një rrymë dashurie dhe lutjeje për këtë thesar të paçmuar që i është lënë në mirëbesim gjithë jetës sime. Ti nuk mund t’i shohësh valët e saj të pakapshme që rrjedhin drejt teje, e dashur, por në këto rreshta ti do ta dëgjosh valëzimin e largët të sipërfaqes.

***

Shkrimtari rus, Leo Tolstoy,, për të fejuarën e tij Valeria Arsenev, 1856

Tashmë unë dashuroj bukurinë tënde, por ky është vetëm fillimi i dashurisë në ty në atë çfarë është e përjetshme në zemrën dhe shpirtin tënd. Për bukurinë, njerëzit mund të bien në dashuri brenda një ore, dhe po aq shpejt kjo dashuri mund të mbarojë. Por shpirtin, njerëzit duhet të mësojnë ta njohin.
Besomë, asgjë në botë nuk fitohet pa punë, madje as dashuria, ndjenja më e bukur dhe më e natyrshme.

Johann Wolfgang von Goethe u njoh me Charlotte von Steinin, në vitin 1775, teksa jetonte në Vajmar. Ajo u bë frymëzimi për shumë heroina të veprave të tij, si dhe bashkëshortja e tij, 1784

Letrat e mia duhet të kenë treguar se sa i dashuruar jam. Nuk drekoj, takoj pak njerëz dhe për shëtitje dal vetëm dhe çdo vend i bukur që shoh ma shton dëshirën që ti të ishe aty. Nuk mund të mos të të dashuroj më shumë se sa duhet. Do të ndjej gjithë lumturinë kur të të shoh sërish. Jam gjithmonë i ndërgjegjshëm për afërsinë ndaj teje, prezenca jote nuk largohet asnjëherë.

Në ty, unë kam masën e çdo gruaje, për çdo njeri. Në dashurinë tënde, kam masën e gjithçkaje. Jo në kuptimin që pjesa tjetër e botës është një libër i madh e i mugët, përkundrazi, dashuria jote ma qartëson. Kuptoj qartë se si janë burrat dhe çfarë planifikojnë, dëshirojnë, bëjnë dhe çfarë i kënaq ata. S’i kam zili për çfarë kanë dhe duke i krahasuar me veten, është një gëzim i fshehtë për mua që kam një thesar aq të madh. Ti, në shtëpinë tënde, duhet të ndjehesh ashtu siç ndihem unë në punët e mia. Ne shpesh nuk i vëmë re disa sende, sepse nuk zgjedhim t’i shikojmë ato.

Por gjërat marrin kuptim, sa më shpejt të kuptojmë qartë mënyrën se si janë të lidhura me njëra-tjetrën. Ne na pëlqen gjithmonë t’i bashkohemi një grupi, dhe një burrë i mirë ka kënaqësi kur rregullon, përshtat të drejtën dhe drejtimin e tij të paqtë. Mirupafshim, ty të cilën të dashuroj me mijëra herë.

***

James Joyce i shkruan të dashurës që do të bëhet gruaja e tij, disa muaj takimit, 1904

E dashura ime Nora. Thjesht, më ka goditur. Erdha në 11 e gjysmë. Që atëherë jam i ulur në një karrige të thjeshtë si i budallepsur. S’mund të bëj asgjë. Nuk dëgjoj asgjë tjetër, përveç zërit tënd. Jam si një budalla duke të dëgjuar ty që më thua “i dashur”. Ofendova dy burra sot, duke i lënë në të ftohtë.

Doja të dëgjoja zërin tënd, jo të tyrin. Kur jam me ty e lë mënjanë natyrën time përçmuese dhe dyshuese. Do të doja të ndjeja kokën tënde në shpatullat e mia. Besoj tani do shkoj në krevat. Kam gjysmë ore duke shkruar këtë letër. Do të më shkruash diçka? Shpresoj që po. Si do ta nënshkruaj emrin tim? Nuk do ta nënshkruaj fare, sepse nuk di çfarë të nënshkruaj.

***

Shkrimtari francez Honore de Balzac, letër për konteshën polake Ewelina Hanska, 1836

Engjëlli im i dashur. Po çmendem për ty, aq sa një njeri mund të çmendet. Nuk mund t’i bëj bashkë dy ide pa qenë ti në mes të tyre. Tashmë s’mendoj dot asgjë për ty. Pavarësisht nga dëshira ime, imagjinata më sjell tek ty. Të shtrëngoj, të puth, kujdesem për ty, një mijë përkujdesje dashurie më kapin. Sa për zemrën time, aty do jesh gjithmonë. Kam një ndjesi të këndshme të të pasurit ty atje.

Por, Zot, çfarë do të bëhet me mua, tani që ti më ke privuar nga arsyeja? Kjo është mania që më ka terrorizuar këtë mëngjes. Çohem çdo moment duke i thënë vetes: “Hajde të shkojmë atje”. Më pas, ulem përsëri nga detyrimet e mia. Është një konflikt i frikshëm. Kjo s’është jetë. S’kam qenë kurrë më parë kështu. Ti ke gllabëruar gjithçka. Ndjehem i budallepsur dhe i lumtur sapo mendoj për ty. Sillem vërdallë në një ëndërr të këndshme në të cilën në një moment jetoj mijëra vjet. Çfarë situate e tmerrshme!

I mbuluar me dashuri, duke ndjerë dashuri në çdo gjë, por, duke jetuar vetëm për dashurinë, duke parë veten të konsumuar nga brengat, e gjej veten të kapur në njëmijë rrjeta merimangash. O, Evë e dashur, ti nuk e di. E mora kartolinën tënde. Është këtu para meje dhe unë flas me ty sikur t’i të ishe aty. Të pashë ty, si dje, të bukur, mahnitërisht të bukur. Dje, gjatë gjithë mbrëmjes i thashë vetes sime “ajo është e imja!” Ah! Engjëjt nuk janë aq të lumtur në parajsë, siç isha unë dje!

***

Mbreti Henry VIII i Anglisë u divorcua nga bashkëshortja e tij Chatherine, për t’u martuar me Anne Boleyn, 1528

E dashura dhe shoqja ime. Unë dhe zemra ime e vendosim veten tonë në duart e tua, duke t’u lutur që ti të kujdesesh për ne me mirësinë tënde dhe të mos lesh mungesën të zvogëlojë dashurinë tënde për ne. Për mua sëmbimi që më shkakton mungesa është shumë i madh, dhe kur mendoj për rritjen e asaj që më bën të vuaj, do të ishte krejt e patolerueshme nëse s’do ishte shpresa ime e vazhdueshme për të pandryshueshmen dashurinë tënde.

***

Shkrimtari i famshëm francez, Gustave Flaubert. i shkruan bashkëshortes së tij, Louise Colet, 1846

Do të të mbuloj me dashuri kur të të shoh herën tjetër. Me përkujdesje, me ekstazë. Dua të të mbush me gjithë gëzimet e mishit, aq sa ty të të bjerë të fikët e të vdesësh. Dua që ti të mahnitesh nga unë, dhe t’i thuash vetes tënde që as nuk i ke ëndërruar ngazëllime të tilla… Kur të plakesh, dua që ti t’i kujtosh ato pak orë. Dua që kockat e tua të thata të mbushen me gëzim kur të mendosh për to.

***

Dramaturgu irlandez, George Bernard Shaw, aktores Beatrice Campbell së cilës i drejtohet me pseudonimin “Stella”, 1913

Për Stelën,
Dua vagabondin zuzar brenda meje,
Dua zonjën time të errët
Dua engjëllin tim, joshjen time
Dua dritën e shtatë llambave: të bukurisë, të nderit, të qeshurës, të muzikës, të dashurisë, të jetës dhe të pavdekshmes…
Dua frymëzimin tim, marrëzinë time, gëzimin tim
hyjninë brenda meje, çmendurinë time, egoizmin tim
mendjen time të shëndoshë, shenjtërimin tim,
shpërfytyrimin tim, purfifikimin tim,
dritën time në mes të detit,
palmën time në mes të shkretëtirës
kopshtin tim me lulet e dashura
një mijë gëzimet e mia të paemërta
dërdëllitjet e mia të ditës,
ëndrrat e mia të natës
të dashurën time dhe yllin tim… / KultPlus.com

64 vite nga vdekja e Carl Gustav Jung, psikanalisti i shquar zviceran

Carl Gustav Jung lindi në Kesswil në Liqenin e Konstancës (Zvicër) më 26 korrik 1875. Biri i një pastori protestant, mori një diplomë në Mjekësi dhe në vitin 1900 u bashkua me spitalin psikiatrik të Zyrihut. Përmes studimeve mjekësore ai i afrohet psikiatrisë.

Për disa vite ai është një nga nxënësit e preferuar të Sigmund Freud, e cila e afron atë me psikoanalizën. Jung bëhet një përkrahës i fuqishëm i teorive të mjeshtrit, megjithatë shumë shpejt shfaqen dallime midis dy personave, thellësisht të ndryshëm në karakter.

Në vitin 1912 – me botimin e librit të tij “Transformimet dhe simbolet e dëshirës seksuale” – marrëdhënia mes Jung dhe Freud ndërpritet. Zvicra filloi të elaboronte një teori të re, më vonë të quajtur psikologji analitike, e cila në krahasim me teoritë frojdiane karakterizohet nga një hapje më e madhe ndaj elementeve joracionalë të psikikës.

Jung është një person me një kulturë të madhe: ai studion thellësisht temat mitologjike, letrare dhe fetare të të gjitha kohërave dhe të të gjitha vendeve. Ai udhëton shumë: që nga viti 1920 ai ka vizituar Afrikën, Indinë dhe Amerikën e Veriut. Në 1921 ai botoi ese “llojet psikologjike”. Gjatë udhëtimeve të tij ai erdhi në kontakt me popullsi të shumta, mitet, ritualet, zakonet dhe traditat e të cilit ai studioi. Përveç vetëdijes personale të individit, Jung është i bindur se ka edhe një pavetëdijë të përbashkët të njerëzve të të gjitha kohërave. Përmbajtja e kësaj pavetëdije kolektive, gjatë shekujve do të shprehej në imazhe, mite dhe besime fetare që ai gjen, në mënyrë identike, në kulturat e njerëzve nga periudha dhe vende të ndryshme.

Në teoritë e tij archetypes – të cilat ai e quan “imazhe origjinale” – luajnë një rol themelor. Arketipet janë përmbajtje të pandërgjegjshme që veprojnë si prodhuesit dhe organizatorët e përfaqësimeve: një lloj modeli i pranishëm në një mënyrë të lindur në psikikën e qenies njerëzore.

Në vitin 1930 ai u emërua president nderi i “Shoqërisë Gjermane të Psikoterapisë”; pas ardhjes së nazizmit (1933) ai nuk dha dorëheqjen, por punoi me Hermann Göring, deri në vitin 1940, për të riorganizuar kompaninë.

Për të udhëtuar dhe për të zhvilluar psikologji analitike, Jung kombinon një aktivitet terapeutik intensiv, i cili zhvillohet pranë Zyrihut. Këtu themeloi një institut që mban emrin e tij (Carl Gustav Jung Institut): ai ndërtoi një kullë, një simbol të strehimit dhe meditimit. Ai mëson teorinë dhe metodat e asaj që, për ta dalluar atë nga psikoanalizmi frojdian, tani përkufizohet si “psikologji analitike”.

Në vitin 1944 ai botoi “Psikologji dhe alkiminë”, por në të njëjtin vit ai pësoi një aksident, frakturë dhe një sulm të mëvonshëm në zemër. Në koma, ai ka një përvojë para vdekjes, të cilën pastaj do ta përshkruajë në tekstin autobiografik “Kujtime, ëndrra dhe reflektime”. Më 1952 ai botoi shkrime të rëndësishme mbi “teorinë e sinkronizmit”.

Duke filluar nga vitet 1940, ai po ashtu merrej me një fenomen të ri, i cili po intensifikohej gjithnjë e më shumë, veçanërisht pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore: ufologjia.

Pas një sëmundje të shkurtër, ai vdiq më 6 qershor 1961, në shtëpinë e tij të liqenit në Bollingen. / KultPlus.com

Bregdeti i Shëngjinit gati për festivalin muzikor UNUM

Nga data 5 deri më 10 qershor, në Shëngjin, Lezhë, do të zhvillohet festivali muzikor UNUM, një prej ngjarjeve më të pritura verore në bregdetin shqiptar.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot pamje nga përgatitjet intensive për këtë aktivitet, duke e cilësuar festivalin si një “pikëtakim të përvitshëm për mijëra turistë dhe artdashës nga e gjithë Europa”.

“5 ditë e netë fantastike të festivalit muzikor që është pikëtakimi i përvitshëm për mijëra turistë e artdashës nga gjithë Europa me skenografi rërën, pishat dhe detin, por edhe një pasaportë prezantuese e aktiviteteve verore në bregdetin shqiptar”, u shpreh Rama.

Festivali UNUM për të gjashtin vit radhazi pritet të sjellë një atmosferë unike dhe të nxisë turizmin në zonën e Shëngjinit gjatë sezonit veror.

Mbi 90 artistë është parashikuar të performojnë gjatë këtyre 5 ditëve./ KultPlus.com

Botimi i ri “Në emër të gjakut” i Ahmet Prençit

Ish-drejtuesi i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, një emër i njohur gjerësisht si një profesionist dhe garant i zbatimit të ligjit, tashmë vjen edhe si botues.

Pas dy botimeve me dy romane e fundit “Anja” dhe “Prenga e Prokurorit”, nga sot autori vjen me një tjetër botim të tij.

Ka qenë fillimisht shtëpia botuese “Mediaprint” e cila ka njoftuar librin më të ri të Prençit e me pas autori në rrjetin social Facebook shkruan  se “sapo doli nga shtypi vëllimi im i ri me tregime e novela “Në emër të gjakut”.

Një falënderim zemre për Shtëpinë Botuese Mediaprint dhe Elda Vela, redaktoren Silvana Farruku dhe mjeshtrin e grafikës Elsi Kongo për punën e bukur me shumë përkushtim. Mirënjohje pa kufi  poetit, përkthyesit, studiuesit dhe shkrimtarit të dashur Rudolf Marku që lexoi në dorëshkrim librin dhe e përcolli atë drejt lexuesit me një parathënie brilante”./atsh/KultPlus.com

Shpallen studiot fituese për modernizimin e rezidencave qeveritare në Velipojë dhe Vlorë

Dy studiot arkitekturore, “Saunders Architecture” dhe “Practica”, janë shpallur fituese në konkursin ndërkombëtar për riparimin dhe modernizimin e rezidencave qeveritare në Velipojë dhe Vlorë, në kuadër të projektit strategjik “Hospitality Albania”.

Qëllimi i kësaj nisme është transformimi i këtyre rezidencave të amortizuara në struktura moderne dhe ekskluzive, duke rritur potencialin turistik të destinacioneve përkatëse dhe duke i kthyer ato në hapësira për mikpritjen e personaliteteve të nivelit të lartë nga politika, kultura, arti dhe sipërmarrja ndërkombëtare, pa cënuar pronësinë shtetërore.

Projekti fitues për rezidencën e Velipojës, propozuar nga “Saunders Studio”, u vlerësua për qasjen e tij ndaj ruajtjes së identitetit dhe natyrës përreth, përmes një ndërtimi që ndërthur të vjetrën me të renë. Veçanërisht u theksua ideja e kullës vertikale dhe hapja e rezidencës ndaj komunitetit për funksione publike.

Për rezidencën e Vlorës, ku u paraqitën katër projektide, propozimi i studios “Practica” u vlerësua për integrimin harmonik të peizazhit me arkitekturën përmes tarracave që ndërlidhnin strukturën me mjedisin përreth. Juria theksoi kërkimin e kujdesshëm dhe qasjen kreative ndaj vendndodhjes.

“Hospitality Albania”, është një iniciativë qeveritare që synon kthimin e aseteve shtetërore me potencial të lartë në qendra elitare mikpritjeje dhe turizmi, duke kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe promovimin ndërkombëtar të Shqipërisë si destinacion turistik luksoz.

Prezantimi i projektideve të finalistëve të fazës së dytë u zhvillua në një event të veçantë me praninë e Kryeministrit Edi Rama dhe një jurie ndërkombëtare të specializuar në fushën e arkitekturës./ KultPlus.com

Takimi i Polifonisë në Gjirokastër, mozaik i gjallë i traditave vokale

Edukimi i brezit të ri përmes këngës polifonike, nën drejtimin artistik të “Mjeshtrit të Madh” Roland Çenko, solli në sheshin “Çerçiz Topulli” në Gjirokastër takimin e polifonisë, një mbrëmje emocionesh, tradite dhe krenarie kombëtare, me pjesëmarrjen e të rinjve, grupeve polifonike dhe artistëve të apasionuar.

Ky projekt i mbështetur nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit mblodhi në skenën e hapur grupe polifonike nga trevat e ndryshme të vendit, duke krijuar një mozaik të gjallë të traditave vokale, këngëve isopolifonike dhe valles popullore shqiptare.

Rreth 150 nxënës nga tre shkolla të Gjirokastrës dhe shkolla e Libohovës performuan këngë polifonike dhe valle tradicionale, një dëshmi e angazhimit të të rinjve për të mbajtur gjallë isopolifoninë, një nga format më të veçanta të trashëgimisë muzikore shqiptare. Në vitin 2005, isopolifonia shqiptare u njoh nga UNESCO si kryevepër e trashëgimisë gojore të njerëzimit, një status që vlerëson jo vetëm bukurinë artistike të saj, por edhe forcën me të cilën vijon të përcillet përmes brezave./atsh/KultPlus.com

‘Dhe për të të gjetur duhet të mos jetoj më brenda teje’

Pedro Salinas. Sjellë në shqip nga Elona Caslli.

Po, përtej njerëzve
të kërkoj.
Nuk të kërkoj në emrin tënd, po ta thërrasin,
as në imazhin tënd, po ta pikturojnë.
Më larg, më tutje, përtej të kërkoj.

Përtej vetes tënde të kërkoj.
Nuk të kërkoj në pasqyrën tënde,
as në shkrimin tënd
dhe madje as në shpirtin tënd.
Më tutje, më larg, përtej të kërkoj.

Më tutje, më larg
përtej vetes time të kërkoj.
Ti nuk je veçse
ajo çka ndiej.
Nuk je veçse
ajo çka rreh bashkë me gjakun
në venat e mia.
Nuk je brenda meje.

Dhe për të të gjetur
duhet të mos jetoj më
brenda teje,
brenda vetes time
dhe brenda njerëzve.
Duhet të jetoj përtej gjithçkaje,
në bregun tjetër të gjithçkasë,
për të të gjetur ty
njëlloj sikur të vdisja./ KultPlus.com

Rama: ‘WaterBike’ në Kukës, lëvizja mbi ujë drejt qetësisë, natyrës dhe aventurës

Në Liqenin e Kallabakut në Novesej të Kukësit ofrohet një eksperiencë ndryshe për vizitorët dhe dashamirësit e natyrës së paprekur.

Biçikletat e ujit (WaterBike) janë tashmë një mënyrë unike për të shijuar panoramën dhe emocionet e aventurës mbi ujë.

Kryeministri Edi Rama ndau një video në rrjetet sociale nga pedalimi i disa turistëve mbi sipërfaqen e qetë të liqenit.

“WaterBike në Kukës! Një trend i ri po lëviz mbi ujë, drejt qetësisë, natyrës, dhe aventurës”, shkruan Rama.

Liqeni i Kallabakut është një ujëmbledhës me sipërfaqe rreth 7 ha, i pozicionuar mes pyjeve të përbërë nga ahu, bredhi, mështekna etj./atsh/KultPlus.com

Zëri i nostalgjisë: Armend Rexhepagiqi publikon albumin e ri “Dashni e vjetër” (VIDEO)

Artisti i njohur kosovar, Armend Rexhepagiqi, është rikthyer fuqishëm në skenën muzikore vendore me albumin e tij më të ri, “Dashni e vjetër”. Ky rikthim është pritur me shumë emocion nga publiku, pasi Rexhepagiqi është një nga emrat më të dashur dhe më të respektuar të muzikës shqiptare. Albumi i ri sjell një ndjesi nostalgjie, por njëkohësisht pasqyron maturimin artistik të këngëtarit, i cili prej dekadash ka qenë një zë i rëndësishëm në skenën muzikore.

Armend Rexhepagiqi njihet për zërin e tij karakteristik dhe për mënyrën autentike me të cilën arrin të përcjellë emocione të forta. Ai është i njohur jo vetëm si interpretues, por edhe si autor i shumë këngëve që janë bërë hite dhe që kanë lënë gjurmë në memorien kolektive të dëgjuesve shqiptarë. Muzika e tij është përplot ndjenjë, tekstet shpeshherë të thella dhe meloditë të paharrueshme, çka e bën Rexhepagiqin një artist të kompletuar.

Albumi “Dashni e vjetër” vjen pas një periudhe të gjatë mungese në skenën vendore, duke e bërë këtë projekt edhe më të veçantë. Titulli i albumit sugjeron rikthimin te ndjenjat e dikurshme, dashuritë që nuk harrohen, dhe meloditë që kanë shoqëruar breza të tërë. Ky projekt i ri pritet të jetë një përzierje mes tingujve klasikë që kanë karakterizuar stilin e tij dhe elementeve moderne që e bëjnë të afërt edhe për publikun e ri.

Në repertorin e tij të pasur përfshihen këngë të paharrueshme si “Qaforja”, “Ajo”, “Në radio”, “Kaçurrele”, “Shko”, “Te furra e Qerimit”, dhe shumë të tjera që kanë mbetur si pjesë e rëndësishme e historisë muzikore shqiptare.

Me rikthimin e tij dhe albumin “Dashni e vjetër”, Armend Rexhepagiqi jo vetëm që rigjen lidhjen me publikun e tij besnik, por njëkohësisht prezanton veten si një artist që di të ecë me kohën, duke ruajtur thelbin e tij artistik./ KultPlus.com

Sot dështoi përpjekja e 26’të, Kuvendi lëshon njoftim për seancën e re që mbahet nesër

Kuvendi i Kosovës ka lëshuar njoftimin për vazhdimin e seancës për konstituimin e përbërjes së re parlamentare të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

Pas një varg tentimesh, për herë të parë seanca u shtye për 24 orë, e jo si zakonisht 48 sosh. Kjo për shkak që të premten është festa e Kurban Bajramit.

Nesër do të jetë hera e 27’të që deputetët e zgjedhur mblidhen për ta konstituar kuvendin.

Ky proces ka ngecur te zgjedhja e kryetarit të kuvendit./ KultPlus.com

110 vite nga lindja e skulptores së parë shqiptare

Më 4 qershor 1915, në Kavajë lindi Kristina Koljaka-Hoshi, skulptorja e parë shqiptare.


Sot 110, vite nga lindja e skulptores Kristina Koljaka-Hoshi. Kristina ishte skulptorja e parë shqiptare e diplomuar në Akademinë e Romës, në atelienë e prof. D’Angelo Xaneli.

Ajo vdiq më 21 tetor të viti 2005, në moshën 90-vjeçare në Çikago./ KultPlus.com

Zbulime arkeologjike në zonën e Divjakës

Në kodrat e Bishçukasit në Divjakë po kryhen gërmime arkeologjike që konsiderohen ndër më të rëndësishmet për periudhën ilire.

Punimet zhvillohen prej disa javësh nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore në bashkëpunim me Departamentin e Arkeologjisë në Universitetin e Tiranës dhe Muzeun Historik të Lushnjës.

Këto janë gërmimet e para në këtë zonë dhe deri tani janë zbuluar një bazilikë, disa monedha të hershme, një kolonë graniti dhe mbetje skeletesh, që mendohet t’u përkasin periudhave të ndryshme, nga Helenistike deri te Mesjeta e vonë.
Sipas specialistëve, zbulimi nisi pas informacioneve nga banorët, të cilët gjatë punës në tokat bujqësore kishin hasur objekte me vlerë historike, të cilat iu dorëzuan muzeut të Lushnjës.

Në gërmime janë të përfshirë edhe studentë të arkeologjisë, të cilët përmes praktikës dokumentojnë historinë në terren. Gërmimet janë ndarë në dy sondazhe dhe zona e “Shën Gjergjit” shihet si një prej pikave më të rëndësishme për zbulime arkeologjike në vend./atsh/KultPlus.com

64 mijë vizitorë në Kalanë e Gjirokastrës nga janari në maj

Kalaja e Gjirokastrës vazhdon të jetë një nga destinacionet më tërheqëse për turistët vendas dhe të huaj.

Për periudhën janar-maj 2025, Kalaja e Gjirokastrës priti më shumë se 64,000 vizitorë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, numri i vizitorëve është rritur me 10%, duke dëshmuar edhe një herë interesin e lartë për këtë trashëgimi unike kulturore dhe historike.

Kalaja e Gjirokastrës ishte siti më i vizituar edhe gjatë vitit 2024. Sipas shifrave të publikuara nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, gjatë vitit 2024, kjo kala u vizitua nga 263,048 persona.

Të mrekulluar nga çfarë ofron Gjirokastra, turistët vijnë nga vende të ndryshme të botës për të prekur nga afër bukuritë, historinë, traditat e qytetit muze.

Në çdo stinë të vitit kalaja tërheq mijëra vizitorë duke e kthyer atë ne objektin më të vizituar të Gjirokastres por edhe në rang vendi.

Kalaja e Gjirokastrës, një nga monumentet më të rralla të këtij lloji, ka pësuar ndryshime dhe zgjerime. Pas pushtimit osman, në fund të shekullit XIV, u bënë përmirësime të gjera nga sulltan Bajaziti II rreth vitit 1490. Nga viti 1811, Ali pashë Tepelena shtoi shumë elemente, duke përfshirë Kullën e Sahatit në anën lindore. Ai përfundoi fortifikimin e zonës së greminës dhe ndërtoi ujësjellësin e Sopotit, që sillte ujin në kala rreth 12 kilometra larg. /atsh/ KultPlus.com

Më 15 qershor jepet premiera e shfaqjes ‘HOTEL GRAND’

Më 15 qershor do të jepet premierë shfaqja “HOTEL GRAND” nga Armend Smajli dhe Rebeka Qena në Qendrën Barabar, shkruan KultPlus.

HOTEL GRAND është një lojë – një histori imagjinare, absurde, e tensionuar dhe poetike për kujtesën, ikjen, pushtetin dhe mbijetesën.

Drama është shkruar dhe konceptuar nga dy aktorët e shfaqjes: Armend Smajli dhe Rebeka Qena.

Shfaqja do të luhet më 15 dhe 16 qershor 2025, në Qendrën Barabar, në katin e 4-të të Hotelit Grand, Prishtinë./ KultPlus.com

Butrinti, 67% vizitorë më shumë se në majin e 2024-ës

Parku Kombëtar i Butrintit publikoi statistikat e vizitueshmërisë sa i përket muajit maj i cili rezulton të ketë pasur 67% më shumë vizitorë se maji i vitit 2024.

Shtimi i numrit të vizitorëve është reflektuar edhe tek të ardhurat të cilat janë rritur me 190% krahasuar me majin e një viti më parë.

Numri i vizitorëve në Parkun Kombëtar të Butrintit ka ardhur gjithnjë e në rritje, duke dëshmuar edhe një herë vlerat e rralla kulturore dhe natyrore që ky vend i Trashëgimisë Botërore te UNESCO-s mbart.

Parku Kombëtar i Butrintit është një nga zonat më të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore, arkeologjike, mjedisore dhe turistike të vendit. Ai ndodhet 25 km larg qytetit të Sarandës dhe shtrihet nga brigjet e detit Jon në fushëgropën e Delvinës, ku historia dhe natyra gërshetohen në një harmoni të papërsëritshme.

Në brendësi të parkut gjendet qendra kryesore arkeologjike e Butrintit, ndërsa përreth saj ka edhe monumente të tjera që dëshmojnë për qytetërim mbi 3000-vjeçar. Gjithashtu në brendësi të tij dhe afër tij ka disa monumente natyre me vlera shkencore, didaktike dhe turistike.

Një kombinim fantastik i mjediseve detare, lumore, lagunore, fushor e kodrinor, ku janë mjaft të pranishme edhe elementet historike, të tillë si Kalaja mesjetare e Ali Pashë Tepelenës, e sidomos rrënojat arkeologjike të qytetit të Butrintit, me fillesat që në sh.IV p.e.s. Për këtë arsye, pjesa arkeologjike e saj, në Gadishullin e Butrintit, është shpallur pjesë e UNESCO-s, që më 1999, gjë që rrit më tej atraksionin ekoturistik. / atsh/ KultPlus.com

‘Neri per caso’, grupi italian feston në Vlorë 30-vjetorin e fitores në Sanremo

Në kuadër të Javës Kulturore Italiane u organizua një mbrëmje e veçantë në Lungomare-n e Vlorës.

Grupi i mirënjohur italian “Neri per caso” kremtuan 30-vjetorin e fitores së tyre në Sanremo, me një koncert në qytetin bregdetar. Koncerti u ndoq nga qindra të pranishëm në shesh, mes të cilëve edhe shumë italianë të cilët gjenden si vizitorë apo edhe rezidentë në vendin tonë.

Të pranishmit u zhytën në hitet e paharrueshme të “Neri per caso”, duke përjetuar një koncert plot emocion dhe magji, ku nostalgjia u bashkua me vokalin e jashtëzakonshëm të këngëtarëve italianë.

6 djemtë nga Salerno, u bënë pjesë e skenës italiane pas fitores në seksionin e të rinjve, në festivalin e Sanremos 1995, ku kënduan a cappella, hit-in e tyre “Le ragazze”.

Edhe në Vlorë ata kënduan a cappella disa prej këngëve më të dashura të muzikës italiane dhe u shoqëruan nga publiku. Në fund të koncertit ata u shprehën për mediet se ndiheshin si në shtëpinë e tyre duke qenë se këtu ka plot italianë, ashtu siç ka plot shqiptarë në qytetin e tyre Salerno. Koncerti i “Neri per caso” ashtu si edhe Java Kulturore Italiane përkoi me festën e Republikës Italiane. /atsh/ KultPlus.com

Urd (1931) / Gazetarja ruso-norvegjeze Nina Arkina: Intervista ime ekskluzive me Nënën mbretëreshë Sadije dhe princeshat shqiptare

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 4 Qershor 2025

Revista norvegjeze “URD” ka botuar, me 13 qershor 1931, në faqet n°322 — 324, intervistën ekskluzive asokohe të gazetares ruso-norvegjeze Nina Arkina me Nënën mbretëreshë Sadije Zogu dhe princeshat shqiptare (zhvilluar me 2 qershor 1930 sipas fotografive), të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

VIZITA TE NËNA MBRETËRESHË DHE PRINCESHAT E SHQIPËRISË

Nga Nina Arkina

Burimi : Revista norvegjeze “URD”, 13 qershor 1931, faqe n°322 — 324
Burimi : Revista norvegjeze “URD”, 13 qershor 1931, faqe n°322 — 324

Mbreti i ri i Shqipërisë është beqar, dhe ana e pashoqe e oborrit përfaqësohet nga nëna e tij, e cila mban titullin “Nëna Mbretëreshë”, dhe motrat e tij, gjashtë Lartmadhëritë Mbretërore, Princeshat Adile, Nafije, Senije, Myzejen, Ruhije dhe Maxhide. Familja mbretërore shqiptare është myslimane nga përkatësia fetare, prandaj edhe këto emra që tingëllojnë të huaj, shqiptohen me një fortësi dhe ëmbëlsi të papërmbajtshme.

Pallati ku jetojnë Nëna Mbretëreshë dhe princeshat është një ndërtesë e gjatë dykatëshe me një kopsht me hije nga pas dhe roje të rrepta në dy hyrje. Tashmë jashtë pallatit më përshëndet princi i kurorës — duket se ndjej hijen e një drame mbretërore, por fëmija i bukur me tipare të bukura dhe flokë të errët bjondë, i cili përshëndet me një përkulje të çuditshme, është djali i Princeshës Nafije. Ajo ishte martuar me ministrin (ambasadorin) shqiptar në Pragë, Cen bej Kryeziun, i cili u vra në një atentat. Më vonë, ndërsa gjyqi ishte ende në vazhdim, vetë shërbëtori i ministrit shpalli dhe zbatoi dënimin me vdekje për vrasësin e zotit të tij : e qëlloi në përputhje me ligjin e pashkruar shqiptar të gjakmarrjes. Fëmija me flokë të verdhë, i cili është princi i kurorës së vendit derisa vetë mbreti të ketë një trashëgimtar, na ndjek me një vështrim serioz, ndërsa unë dhe oborrtari kryesor i mbretit, Shkëlqesia e Tij Ekrem Libohova, ngjitemi shkallëve të pakta.

Brenda derës hyjmë në një korridor të gjerë të shtruar me gurë me një rresht të gjatë qilimash dhe një rresht dritaresh të hapura, të cilat zhduken në distancë. Këtu më bie në sy edhe një kolltuk i ndërtuar çuditërisht, por nuk e kuptoj menjëherë qëllimin e tij. Një zonjë e moshuar në pritje, e veshur me të zeza, na mirëpret dhe hap derën e një salloni të kuq “Empire” me kolltuqe të mëdha e të rehatshme, qilima orientalë në dysheme dhe një kurorë veneciane mrekullisht të bukur në tavan. Dritaret e shumta në dhomën e madhe kanë perde të kuqe mëndafshi, dhe në murin e veshur me letër-muri, i cili është i motivuar me shqiponja gri në një sfond të kuq të errët, varet portreti i mbretit : një fytyrë bjonde nordike me sy të qetë blu dhe profil shqiponje. Gjatë pak minutave të pritjes, ndërsa shikoj përreth dhomës, Shkëlqesia e Saj më thotë se Nëna Mbretëreshë flet vetëm shqip dhe se ai do të veprojë si përkthyes. Një çast më vonë dera hapet menjëherë dhe një zonjë e vogël, me sy dhe flokë të zinj dhe me një fytyrë të këndshme e të re, hyn brenda.

Kjo është Madhëria e Saj Zonja Sadije, e lindur në vitin 1873 në kryeqytetin e sotëm, Tiranë, bijë e familjes së lashtë udhëheqëse shqiptare Toptani, që nga viti 1908 vejushë me 7 fëmijë pas guvernatorit të Shqipërisë, Xhemal pashë Zogu, dhe që nga viti 1928 — nënë mbretëreshë !

Pas prezantimit, Madhëria e Saj më kërkoi të ulesha përballë saj, ndërsa Kryemarshalli qëndroi në këmbë gjatë gjithë bisedës. Mbretëresha foli dhe tha diçka me një gjuhë të ëmbël dhe të këndshme, asnjë fjalë e së cilës nuk mund të kuptohej. Dhe menjëherë, Shkëlqësia e Tij përktheu në frëngjishten e harlisur :

— Madhëria e Saj ju uron mirëseardhjen në Shqipëri dhe shpreh kënaqësinë e saj që ju ishit kaq e interesuar dhe e guximshme për të ardhur vetëm nga pjesa më veriore e Evropës në Tiranë. Madhëria e Saj shpreson që të mos pendoheni për udhëtimin tuaj dhe që të jeni pritur mirë në Shqipëri.

Tani, ndërsa Shkëlqesia e Tij po merr frymë thellë, është radha ime të flas frëngjisht, dhe ju siguroj se në Shqipëri kam hasur mikpritjen dhe mirësinë më të madhe, si nga Madhëria e Tij Mbreti, ashtu edhe nga të gjithë ata me të cilët kam rënë në kontakt, dhe se Shqipëria, për mua — si një banore e veriut — është një vend mjaft i ri dhe shumë interesant.

Mbretëresha flet sërish dhe marshalli i oborrit përkthen.

— Çfarë përshtypjeje ju ka lënë vendi ynë ?

— Përshtypjet personale që mora, thashë, janë ato të një vendi në zhvillim, me mundësi të mëdha për iniciativë dhe kreativitet personal, dhe një gjë tjetër që më la një përshtypje të fortë : mendoj, nga ajo që pashë me sytë e mi, se këtu në Shqipëri gjenden burrat më mashkullorë, më të pashëm dhe gratë më femërore dhe më simpatike.

Ndërsa Shkëlqesia e Tij përkthen në shqip, unë shikoj Madhërinë e Saj. Ajo është kontrasti më i madh me djalin e saj të gjatë, bjond, mbret. Mbretëresha është e vogël, e ulur në kolltukun e kuq të thellë. Ajo ka veshur një kostum mëndafshi blu të errët me pika të bardha, me fund dhe xhaketë dhe një bluzë mëndafshi të bardhë, të qëndisur me dorë. Ajo ka këpucë të zeza dhe çorape gri mëndafshi. Flokët e saj të zinj janë të mbledhur prapa dhe të lidhur në një nyjë në qafë. Fytyra e saj është e lëmuar dhe me ngjyrë të çelët si në rininë e saj, me tipare të holla e të vogla, dhe sytë e saj — sipas “bon ton” femëror oriental — nuk e shikojnë personin me të cilin po flet, por shikojnë me edukatë anash. Nëna Mbretëreshë konsiderohet një grua shumë e mençur dhe kompetente, si dhe një diplomate e shkëlqyer, siç e konfirmojnë të afërmit e saj personalë. Madhëria e Saj tani e ka urdhëruar Marshallin e Oborrit të thotë :

— Shpresojmë që do të qëndroni në vendin tonë për një kohë të gjatë, në mënyrë që të shihni me sytë tuaj si avantazhet që kemi, ashtu edhe vështirësitë tona. Djali im, Madhëria e Tij Mbreti, po punon shumë dhe me sukses për ndërtimin e vendit, dhe unë besoj se po bëjmë përparim të mirë, por duhet kohë për të ndërtuar një vend, dhe kemi shumë për të përballuar, një klimë të vështirë, shumë pak shkolla, spitale e të ngjashme. Por tani gjithçka po ecën pak nga pak, madje edhe emancipimi i grave po fillon të ndihet.

Mbretëresha buzëqesh dhe i kërkoj Shkëlqesisë sê Tij të pyesë se çfarë mendon Madhëria e Saj për emancipimin e grave dhe “avantazhet dhe bekimet” e tij. Pas disa minutash bisede në shqip, kam përshtypjen se Mbretëresha ngurron ta përdorë gjuhën. Më në fund, Marshalli i Oborrit thotë :

— Madhëria e Saj është e mendimit se emancipimi i grave është i mirë dhe i dobishëm, por se ai ka, si shumë gjëra të tjera në jetë, anët e tij të ndritshme dhe të errëta. Madhëria e Saj beson më tej se edhe nëse emancipimi nxit gra të guximshme si ju, të cilat as nuk kanë frikë nga malaria tepër famëkeqe shqiptare, por që vijnë tek ne si udhëtare nga Veriu, gratë e paemancipuara gjithashtu tregojnë guxim dhe aftësi të mëdha. Madhëria e Saj beson se duhet gjithashtu guxim dhe aftësi për t’iu nënshtruar burrit, për të lindur dhe për të rritur fëmijë në kushte të vështira, ku as klima dhe as uji i pijshëm nuk janë të sigurt, dhe fëmijët duhet të shkëputen nga shtëpia në moshë të re dhe të dërgohen jashtë vendit nëse duan të kenë një arsim të duhur. Madhëria e Saj beson se është guximi dhe aftësia që gratë e paemancipuara shqiptare kanë treguar gjithmonë.

Kur marshalli i oborrit mbaroi përkthimin, shpreh dakordësinë time të plotë me mendimet e Madhërisë së Saj. I kërkoj Shkëlqesisë së Tij të pyesë nëse e kam lodhur shumë Madhërinë e Saj. Gjithashtu ndiej keqardhje të thellë për Marshallin e dashur të Oborrit, i cili ka qëndruar në mes të dhomës për më shumë se gjysmë ore. Mbretëresha e kupton pyetjen time, siç ka gjithashtu shumë të drejtë, se tani kam pasur mjaft shkëmbime shqip-frengjisht dhe thotë se tani marshalli i oborrit do të më çojë te princeshat.

E falënderoj me fjalë mirësjelljeje për “lumturinë dhe gëzimin” që kisha marrë, dhe Madhëria e Saj më përshëndeti duke më uruar një qëndrim të këndshëm në Shqipëri.

Nën përkuljen time të thellë dhe atë, po aq të thellë, të Marshallit të Oborrit, Nëna Mbretëreshë Shqiptare del nga dhoma dhe hapet dera e sallonit anësor — ku janë mbledhur gjashtë Lartmadhëritë Mbretërore.

Marshalli i oborrit prezanton princeshat, dhe unë shtrëngoj duart e tyre, një nga një. Princesha Adile, nënë e fëmijëve gjysmë të rritur, të cilët studiojnë në Gjenevë, ka një fytyrë zemërmirë me sy të ngrohtë. Princesha Nafije, nëna e princit të vogël të kurorës, e veshur me një zi të thellë, jep imazhin në miniaturë të një “Niobe” të pikëlluar. Ajo është shumë e vogël dhe sytë e saj të mëdhenj ngjyrë kafe e ruajnë shprehjen e tyre të trishtuar edhe nën buzëqeshjen zyrtare të mirëseardhjes.

Por Princesha Senije, 27 vjeç, është e gjallë dhe bisedon me të gjithë të tjerët. Ajo e fton të huajin të ulet, i ofron kafe dhe cigare dhe sillet si një mikpritëse e sjellshme. Ajo e zhvillon bisedën me qetësinë e saj të zakonshme. Princesha Senije është motra e preferuar e mbretit, ajo është presidente e Kryqit të Kuq Shqiptar dhe është ajo që është përgjegjëse për përfaqësimin e grave në oborr.

Princesha Senije është 27 vjeç dhe presidente e Kryqit të Kuq Shqiptar. — Burimi : Revista norvegjeze “URD”, 13 qershor 1931, faqe n°322 — 324.
Princesha Senije është 27 vjeç dhe presidente e Kryqit të Kuq Shqiptar. — Burimi : Revista norvegjeze “URD”, 13 qershor 1931, faqe n°322 — 324.

Tri princeshat e tjera, Myzejen, Ruhije dhe Maxhide, janë vajza të reja e të adhurueshme të moshës 25, 24 dhe 23 vjeç, të gjitha me flokë kafe dhe bjonde të errët, ndoshta një model flokësh i veçantë “mbretëror shqiptar”, pasi të katër princeshat e pamartuara mbajnë këto flokë me gjatësi mesatare, të cilat u bien butësisht në qafë. Princeshat janë të veshura me fustane të lehta verore dhe mbajnë si bizhuteri një gjerdan me perla rreth qafës dhe një ose dy unaza diamanti. Këto janë — më thanë më vonë — dhurata nga vëllai, Mbreti. Në përgjithësi, mbreti i ri, ende i pamartuar, supozohet t’i dojë nënën dhe motrat e tij me gjithë zemër.

Princesha Myzejen 25-vjeçare — Burimi : Revista norvegjeze “URD”, 13 qershor 1931, faqe n°322 — 324.
Princesha Myzejen 25-vjeçare — Burimi : Revista norvegjeze “URD”, 13 qershor 1931, faqe n°322 — 324.
Princesha Ruhije 24-vjeçare — Burimi : Revista norvegjeze “URD”, 13 qershor 1931, faqe n°322 — 324.
Princesha Ruhije 24-vjeçare — Burimi : Revista norvegjeze “URD”, 13 qershor 1931, faqe n°322 — 324.
Më e vogla nga princeshat shqiptare, Maxhidja, është një vajzë e adhurueshme 23-vjeçare. — Burimi : Revista norvegjeze “URD”, 13 qershor 1931, faqe n°322 — 324.
Më e vogla nga princeshat shqiptare, Maxhidja, është një vajzë e adhurueshme 23-vjeçare. — Burimi : Revista norvegjeze “URD”, 13 qershor 1931, faqe n°322 — 324.

Në sallonin e princeshave, biseda zhvillohet në gjermanisht, ndërsa ne pimë kafenë aromatike turke dhe cigare të mira shqiptare. Me cigaret, gjithçka shkon bashkë, kështu që krijohet përshtypja se princeshat janë mësuar të pinë duhan. Biseda sillet rreth qytetit të bukur të Vjenës, ku princeshat kanë jetuar gjatë. Ato kanë qëndruar gjithashtu në Gjermani, Hungari dhe Jugosllavi dhe kanë shumë komente për të bërë nga udhëtimet e tyre, por “Vjena është qyteti më i bukur dhe elegant”, thotë më e reja, Princesha 23-vjeçare Maxhide. Ajo ka tipare të veçanta të fytyrës, është e gjatë dhe e hollë dhe është e vetmja që i ngjan vëllait të saj mbretëror.

Princesha Senije flet për punën e saj si Presidente e Kryqit të Kuq dhe për jetën në oborrin mbretëror në Tiranë.

— Ne jetojmë, thotë Madhëria e mençur mbretërore, ashtu siç mund të jetojnë princeshat shqiptare, domethënë shumë të tërhequra. Motra ime më e madhe ka fëmijë për t’u kujdesur, sepse ata po studiojnë në Gjenevë, dhe të gjithë kemi princin e vogël të çmuar të kurorës për t’u kujdesur dhe për t’u siguruar që ai të mos jetë i llastuar midis kaq shumë tezeve tepër të sjellshme.

Fjalët e fundit thuhen me një vështrim plot dashuri ndaj princit të vogël, i cili ka hyrë me disa lule dhe është ulur me nënën e tij. Shoh gishtat e hollë të nënës-princeshë që kalojnë nëpër flokët e tij të çrregullt e të verdhë.

— Përndryshe, ne do të kujdesemi për çdo bamirësi që mundemi dhe mund të përballojmë, vazhdoi princesha. Duke folur për këtë, duhet të vizitoni ekspozitën tonë të refugjatëve. Atje do të gjeni punime artizanale dhe tapiceri kombëtare shqiptare. Ka një angleze, zonjusha Pennington, e cila është shpirti i kësaj organizate. Është një ekspozitë interesante. Ne ishim në hapje dje, dhe duhet ta shfrytëzoni rastin për ta parë.

Sigurisht që përgjigjem se absolutisht do ta bëj dhe pyes me kujdes se çfarë lloj refugjatësh janë në të vërtetë. Ato më shikojnë me sy të zgurdulluar :

— Çfarë lloj refugjatësh ? Popullsia jonë fshatare shqiptare nga Jugosllavia dhe Greqia. A keni qenë në këto vende ?

— Po, Madhëria Juaj, përgjigjem unë, dhe kam parë turma refugjatësh grekë nga Turqia në Greqi. Edhe atje, organizata bamirëse publike organizon ekspozita të punimeve artizanale të refugjatëve.

Princeshat e reja dëgjojnë me interes dhe në sytë e tyre shprehës, dhimbja e thjeshtë e gruas pasqyrohet për një moment ndaj rendit të pandjeshëm botëror.

Megjithatë, meqenëse dua të di më shumë rreth jetës së oborrit mbretëror në Tiranë, bëj një pyetje të kujdesshme dhe Madhëria e Saj Mbretërore raporton :

— Ne bëjmë një jetë familjare më private, lexojmë shumë, marrim libra të rinj gjermanë, francezë dhe italianë dhe kemi një bibliotekë të madhe. Luajmë shumë muzikë dhe bëjmë ekskursione me makinë. Në verë jetojmë buzë detit në Durrës dhe notojmë.

— A jetojnë madhëritë e tyre mbretërore krejtësisht pa shoqëri ? — i lejoj vetes këtë pyetje.

— Jo tamam, përgjigjet princesha e mençur me një buzëqeshje. Gjatë festivalit “Romasson”, i cili zgjat një muaj të tërë, ne kemi shoqëri dhe argëtohemi pothuajse çdo natë.

— Çdo natë, e përsëris, pak e çorientuar.

— Epo, po, — buzëqeshi princesha. — Agjërojmë gjithë ditën, si myslimanë të mirë që jemi, dhe flemë gjithë ditën. Vishemi vetëm në mbrëmje dhe hamë vaktin e parë kur shfaqet ylli i mbrëmjes. Në orën tetë, gjithmonë kemi një darkë të madhe, me qengj të pjekur në hell dhe gjithmonë me disa të ftuar. Ndonjëherë vjen vëllai ynë, mbreti, kur ka kohë të lirë. Janë edhe ndihmësit e mbretit, gratë e tyre dhe të afërm të tjerë të oborrit. Pas darkës, rrimë zgjuar deri vonë natën duke folur, duke luajtur muzikë dhe duke kënduar… Duhet të vish ti më pas në “Romasson”, — tha princesha duke qeshur, — dhe të hash një qengj në hell me ne.

Gjatë lamtumirës, ndërsa princeshat shënonin emrat e tyre poshtë fotografive që unë do t’i mbaj si kujtim, Madhëria e Saj Mbretërore Ruhije më pyet nëse erdha vërtet në Shqipëri pa njohur asnjë person; a nuk ishte kjo shumë emocionuese ?

E kënaqa kuriozitetin e princeshës së re duke i thënë se e njihja tashmë Ministrin e Punëve të Jashtme, Rauf Fico, se ai e kishte mbrojtur çështjen time tek mbreti dhe më kishte ndihmuar shumë, si me këshillat ashtu edhe me veprimet e tij. Menjëherë, nxora një fotografi amatore të Shkëlqesisë së Tij Fico dhe gruas së tij me kostum kombëtar shqiptar, të cilën e mora si suvenir, dhe deklarova me bindje :

— Shikoni këtë fotografi, Madhëria Juaj Mbretërore, ajo vetëm sa konfirmon faktin se askund tjetër nuk ka burra kaq burrërorë dhe të pashëm dhe gra kaq të adhurueshme femërore, dhe madhëria e re mbretërore e shikon ministrin e jashtëm me kostum dhe fustanellë të bardhë dhe pyet me habi :

— Vërtet mendoni se meshkujt shqiptarë janë kaq të bukur ?

— Po, Madhëria Juaj Mbretërore, unë them se burrat shqiptarë janë raca më e bukur e burrave dhe mendoj se mund të më besoni, sepse kam udhëtuar nëpër katër kontinente dhe tërësisht më janë dashur gjashtë vjet.

— Ju duhet të jeni me fat që jeni në gjendje të udhëtoni kaq shumë, — tha një princeshë e re ëndërrimtare.

Po, Madhëria Juaj Mbretërore, jam shumë e lumtur, por ai që është i lumtur në shtëpi është edhe më i lumtur ! Dhe në gëzimin e përgjithshëm dhe me një “tunjatjeta” të përzemërt, një fjalë që është një nga perlat e leksikut tim të varfër shqip dhe që do të thotë diçka si “jetë të gjatë dhe Zoti qoftë me ju”, i jap lamtumirën Madhërive Mbretërore dhe më shoqëron Marshalli i Oborrit.

Në korridor, shoh sërish kolltukun e çuditshëm, dhe fenomeni shpjegohet : është një karrige dentisti. Lartmadhëritë e tyre Mbretërore nuk shkojnë te dentisti, por e lënë atë të vijë tek ato, dhe kanë instaluar një kabinet dentar të improvizuar në korridor.

Rikthimi i shumëpritur i Armend Rexhepagiqit, sot lansohet albumi ‘Dashni e vjetër’

Artisti i njohur Armend Rexhepagiqi sot do të bëj rikthimin e tij të shumëpritur në skenën vendore përmes albumit më të ri muzikor “Dashni e vjetër”, shkruan KultPlus.

Armend Rexhepagiqi është një nga figurat më të rëndësishme të skenës muzikore. Ai njihet për zërin karakteristik, origjinalitetin dhe aftësinë për të përcjellë emocione të fuqishme te publiku. Rexhepagiqi ka shkruar dhe kompozuar shumë këngë siç janë : Qaforja, Edhe një herë, Ajo, Dashurinë ku e kam, Nasht, Në radio, Kaçurrele, Te furra e Qerimit, Kujt do t’ia shpreh pikëllimin tim, Dude dudie, Ti nuk më meriton, Dugi, Dam dam dam, Harrova, Betohem në këngë, Shko, Qëndresa etj.

Lansimi i albumit “Dashni e vjetër” i cili po shënon edhe rikthimin e tij në skenën muzikore do të bëhet sot në ora 18:00. / KultPlus.com

Screenshot