MSh kufizon orarin e punës për gratë shtatzëna, ata me sëmundje kronike dhe ndërtimtarët

Për shkak të rritjes së konsiderueshme të temperaturave në ditët në vijim, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve, Ministria e Shëndetësisë njofton me rekomandim të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, ka marrë vendim që të kufizohet orari i punës nga data 13.07.2024 deri më 20.07.2024 për këto kategori:

  1. Nga data 13.07.2024 deri më 20.07.2024 lirohen nga puna gratë shtatzëna.
  2. Në rast të pamundësisë së lirimit nga puna sipas paragrafit 1 të këtij vendimi, gratë shtatzëna punojnë nga shtëpitë.
  3. Nga data 13.07.2024 deri më 20.07.2024 qytetarët me sëmundje kronike punojnë me orar të shkurtuar deri në 4 orë në ditë.
  4. Nga data 13.07.2024 deri më 20.07.2024 ndalohet puna në sektorin e ndërtimtarisë në ambiente të hapura gjatë orarit 11:00 – 17:00 në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
  5. Varësisht prej temperaturave që mbizotërojnë gjatë muajit korrik dhe gusht 2024, ndërmerren masa të tjera.

Tutje në njoftim MSh thekson se ky vendim është marrë duke pasur parasysh praktikat më të mira për mbrojtjen e shëndetit dhe sigurisë së punëtorëve gjatë periudhave me temperatura të larta.

Osmani takohen me kryeministrin e Kanadës: E falënderova për mbështetjen e palëkundur për vendin dhe popullin tonë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani po qëndron në Washington D.C ku është duke u mbajtur Samiti i NATO-s.

Gjatë kësaj vizite, presidentja Osmani është takuar edhe me kryeministrin e Kanadës, Justin Trudeau.

Në vijim, KultPlus ua sjell njotimin e plotë të presidentes Osmani:

Gjithnjë kënaqësi bashkëbisedimi me Kryeministrin e Kanadasë, Justin Trudeau.

Në Samitin e NATO-s, në Washington D.C., e falënderova për mbështetjen e palëkundur të Kanadasë për vendin dhe popullin tonë./KultPlus.com

Venecia dyfishon tarifën e hyrjes në qytet në kohën e pikut turistik

Venecia dëshiron të vazhdojë të aplikojë pagesën e një tarife hyrjeje për vizitorët ditorë, pas përfundimit të periudhës së provës, programi i parë i këtij lloji në botë, i cili përfundon këtë fundjavë.

”Qyteti planifikon të marrë parasysh kërkesën në çmimin e ri dhe të dyfishojë tarifën nga 5 euro në një maksimum prej 10 eurosh, kur qyteti lagunar të jetë veçanërisht i ngarkuar me turistë”, deklaroi Michele Zuin, një këshilltar bashkiak i qytetit.

Procesi i provës, i cili zgjati gati një muaj, arkëtoi më shumë se dy milionë euro (2,1 milionë dollarë) në arkat e qytetit.

Para së gjithash, të dhënat e mbledhura do të vlerësohen.

Gjatë periudhës së provës, një tarifë hyrjeje prej pesë eurosh, u vendos midis orës 08:30 dhe 16:00.

Vizitorët mund të skanojnë një kod QR nëpërmjet internetit dhe ta shkarkojnë atë në telefonat e tyre celularë për ta paguar.

Me rreth 15 milionë turistë në vit, Venecia është ndër qytetet më të vizituara në botë.

Turizmi masiv sjell shumë para në arkat e qytetit, por shkakton edhe dëme të konsiderueshme./KultPlus.com

‘Eksperienca është mësuesja e të gjithë gjërave’

Më 12 korrik të vitit 100 p.e.s ka lindur një nga figurat më të rëndësishme të antikitetit, Jul Cezari, shkruan KultPlus.

Ai ishte gjeneral romak,  i cili ka luajtur një rol të rëndësishëm në transformimin e Republikës Romake, në Perandorinë Romake.

Rrjidhte nga një familje aristokrate që pretendonte se e kishte prejardhjen nga Iulus, bir i princit legjendar trojan, Enea.

Në ditën e tj të lindjes KultPlus ju sjell disa prej thënieve të tij:

1- Erdha, pashë, fitova

(E përkthyer nga gjuha latine “Veni, vidi, vici” është shprehja që i atribuohet perandorit romak Jul Cezari, që e përdori këtë term për t’u mburrur në një farë mënyre me sukseset e tij ushtarake. Sipas legjendave historike, Cezari i tha këto tre fjalë si një mesazh drejtuar Romës për ta njoftuar për suksesin e tij në betejën e Zelas.)

2- Frikacakët vdesin shumë herë, përpara se t’u vijë vdekja e vërtetë

3- Eksperienca është mësuesja e të gjithë gjërave

4- Është më mirë të krijosh, se sa të mësosh. Krijimi është esenca e jetës

5- Nëse duhet të shkelësh ligjin, bëje për të marrë pushtetin; në të gjitha rastet e tjera, zbatoje ligjin

6- Më mirë të jesh i pari në një fshat, se sa i dyti në Romë

7- Si rregull, njerëzit shqetësohen më shumë për atë që nuk munden ta shohin, se sa për atë që munden ta shohin

8- Burrat janë pothuaj gjithmonë të gatshëm të besojnë atë që dëshirojnë

9- E dashuroj emrin me nder, më shumë nga sa kam frikë vdekjen

10- Në luftë, ngjarjet me rëndësi, janë pasojë e shkaqeve të papërfillshëm./KultPlus.com

Kur Pablo Neruda i thurte vargje Shqipërisë

Poezi nga Pablo Neruda

S’kam qenë asnjëherë në Shqipëri,
në tokën e ashpër, plot dashuri,
peisazheve bjeshkatare me barinj trima.
S’kam qenë, po ja
që sot kam shpresë
të vij
ashtu si festat apo dasmat popullore,
për të pare i etur diellin e madh
që praron fuqishëm muskujt viganë
të vargmaleve të saj epikë!
Si zambaku i ri dhe i freskët që shpërthen mes shkrepave
shpërthen nga gjiri i saj kultura,
arti, librat, ndërsa përpara bujkut
e punëtorit ngrihet nderimi i epokës,
përmendorja e dashurisë
e virtuti lulëzon
viset e lashta!
O Shqipëri e vogël, por sa e fortë!
E vendosur e patundur e fjalëmbël.
Tingulli i kitarës tënde
është i gjallë e i çeliktë
e vjen e i shtohet me dinjitet melodive
të historisë,
këngës së epokës që s’ka të heshtur! Është një zë malesh,
ndërtimesh të pafundme e të bardha,
kjo është kënga e njerëzve dhe bjeshkëve
e zogjve të pranverës dhe drurëve të mollëve
plot lule të porsaçelura
e erërave e valëve të detit.
Qëndresa, pamposhtmëria dhe lulet e tua Shqipëri
janë dhurata që po i sjell
vetë ndërtimit të jetës së re mbi botë.

/Shqipëroi Moikom Zeqo / KultPlus.com

Presidentja Vjosa Osmani takohet me presidentin Macron: Diskutuam për të ardhmen euroatlantike të Kosovës.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, përmes rrjeteve sociale ka njoftuar se është takuar me presidentin e Francës, Emmaunel Macron, në Samitin e NATO-s në Washington D.C.

Ajo ka shkruar se me presidentin francez kanë pasur diskutim përmbajtësor lidhur me të ardhmen euroatlantike të Kosovës.

“Diskutim përmbajtësor me Presidentin Macron në Samitin e NATO-s në Washington D.C lidhur me të ardhmen euroatlantike të Kosovës, reformat në fushën e sundimit të ligjit dhe forcimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Francës”, ka shkruar Osmani./KultPlus.com

Blerina Rogova- Gaxha zgjedhet drejtoreshë e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës

Poetja dhe studiuesja Blerina Rogova- Gaxha do të jetë drejtoresha e re e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka bërë publik njoftimin për kandidatin e suksesshëm për pozitën e drejtorit të Bibliotekës Kombëtare.

Në njoftimin e publikuar nga Ministria, pikët e plota të kandidatit të suksesshëm janë si vijon: Pikët e testit me shkrim 51.8, pikët e intervistës 26, gjithsej 77.8.

Konkursi u hap në shkurt të këtij viti./KultPlus.com

Një vit nga vdekja e Milan Kundera

Shkrimtari me origjinë çeke Milan Kundera, autor i romanit “Lehtësia e padurueshme e qenies” ka vdekur më 12 korrik 2023. Ai ishte 94 vjeçar.

“Milan Kundera vdiq dje në Paris pas një sëmundjeje të gjatë”, kishte thënë Anna Mrazova, zëdhënëse e Bibliotekës Moraviane (MZK).

Kundera lindi në qytetin çek të Brno-s, por emigroi në Francë në 1975 pasi u përjashtua për kritikat e pushtimit sovjetik të Çekosllovakisë në vitin 1968.

Ai fitoi vlerësime për stilin e tij që përshkruante tema dhe personazhe që lundronin midis realitetit të zakonshëm të jetës së përditshme dhe botës së lartë të ideve, shkruan Reuters, transmeton KultPlus.

Ai rrallë jepte intervista, duke besuar se shkrimtarët duhet të flasin përmes punës së tyre.

Romani i tij i parë “Shakaja” u botua në vitin 1967 dhe ofroi një portret të ashpër të regjimit komunist Çekosllovak.

Puna ishte një hap i parë në rrugën e Kunderës nga anëtar partie në disident në ekzil.

Ai i tha të përditshmes franceze Le Monde në vitin 1976 se t’i quash veprat e tij politike do të thoshte thjeshtim i tepërt, dhe për rrjedhojë errësimi i rëndësisë së tyre të vërtetë./ KultPlus.com

Arkeologët trajnohen në teknikat e vëzhgimit arkeologjik nënujor

Qendra Ndërkombëtare e Arkeologjisë Nënujore në Zadar të Kroacisë (ICUA-Zadar) mbështetur nga UNESCO, organizoi kursin bazë të Arkeologjisë Nënujore 2024, në të cilin mori pjesë dhe përfaqësuesi i Institutit Kombëtar te Trashëgimisë Kulturore.

Kjo eksperiencë do të shërbejë për zhvillimin e Arkeologjisë Nënujore në Shqipëri.

Kursi kishte për qëllim trajnimin e arkeologëve në teknikat e gërmimit, dokumentimit, përdorimin e pajisjeve për mbarëvajtjen e gërmimit nënujë, vëzhgimin arkeologjik nënujor, përdorimin e pajisjeve të zhytjes. Po ashtu u mbajtën leksione mbi konservimin dhe restaurimin e gjetjeve të dala nga thellësia e detit, hapat që ndiqen në përgatitjen e një gërmimi arkeologjik nënujor, metodat e ndryshme të kërkimit si dhe mënyrave të mbrojtjes dhe promovimit të gjetjeve kaq unike.

Gjatë kursit u zhvillua dhe një gërmim i mirëfilltë nënujor në të cilin sipas të dhënave paraprake rezultoi të ishte struktura e një porti të periudhës romake.

Në përfundim të trajnimit pjesëmarrësit u certifikuan për njohuritë bazë të Arkeologjisë Nënujore./atsh/KultPlus.com

Teatri Shqiptar në Shkup shënon 74-vjetorin e shfaqjes së parë “Martesa”

I njohur atë kohë si Teatri Popullor i Pakicave të Qytetit të Shkupit – Grupi Shqiptar më 12 korrik të vitit 1950 prezantoi dramën “Martesa” të shkrimtarit Nikollai Gogol.

Teatri Shqiptar Shkup mbush sot 74 vjet nga prezantimi i shfaqjes së parë teatrale para publikut shqiptar në Shkup. I njohur atë kohë si Teatri Popullor i Pakicave të Qytetit të Shkupit – Grupi Shqiptar më 12 korrik të vitit 1950 prezantoi dramën “Martesa” të shkrimtarit Nikollai Gogol.

Teatri Shqiptar i sotëm është themeluar më 20 janar të vitit 1950 si pjesë e atëhershme e Teatrit Popullor të Pakicave.

Më 1968, ky emërtim ndryshohet në Teatri Shqiptaro-Turk-Shkup dhe mban këtë emër deri në vitin 1974, kur formohen (Organizata Themelore e Punës së Bashkuar) Drama Shqipe, (Organizata Themelore e Punës së Bashkuar) Drama Turke, si dhe Shërbimet e Përbashkëta pranë Teatrit të Kombësive. Emërtimi i sotëm i Institucionit, Institucioni Nacional Teatri Shqiptar Shkup, daton prej 25.02.2005.

“Komunikojmë me gjuhën e artit”, COD projekt për të rinjtë e Qarkut Korçë

Qendra për Hapje dhe Dialog dhe Qendra e Arteve dhe Kulturës  Korçë, në oborrin e “Mësonjëtores” nisën një cikël bashkëpunimesh mbi praktikimin dhe përjetimin e artit dhe emocioneve që e pasojnë atë tek brezat e rinj.

Në moderimin e Katerina Çifligut të rinjtë pjesëmarrës, pjesë e projektit “Teatri i të Rinjve”, patën mundësinë që të shpalosin angazhimin e tyre që do të kenë përgjatë muajve korrik-gusht ku do të zhvillojnë praktikën të ndarë në dy faza: atë të provës dhe të premierës me titull “Funny Money”.

Të rinjtë folën për përvojën e re dhe emocionet e të qenurit pjesë e botës së teatrit, ku për të pranishmit treguan disa pjesë nga skenat që presim t’i shohim në fund të muajit gusht, pjesë teatrale që vjen në kujdesin e regjisorit të ri Ergis Dervishi.

Nën kujdesin e drejtueses së Qendrës së Artit dhe Kulturës Korçë, Blerta Belliu, ky aktivitet synon përfshirjen e një sërë disiplinash artistike dhe çështjesh me impakt kulturor dhe social të Qarkut Korçë./atsh/KultPlus.com

Erdh Hana mramë te unë

Poezi nga Hafiz Shirazi

Shqipëroi: Pupëza

Erdh Hana mramë te unë
me nji pytje shumë simpatike. M’tha:
Dielli u kanë dashnori jem besnik për miliona vjet.
Sa herë ia dho trupin,
drita t’mrekullushme rrjedhin prej zemrës ‘tij…
O Hafiz, a asht e saktë që na krejt kena me u ba Dritë?

I thashë:
E dashtun Hanë,
tash që dashnia jote o’ ka pjekët,
na duhet me u ulë bashkë qishtu pak ma shpesh
që me mujt me t’kshillu qysh me u ba
qajo çka je. / KultPlus.com

Atë Shtjefën Gjeçovi, njeriu që hapi shkollat e para shqipe pas pavarësisë

Shkruan: Andreas Dushi

Poliedrija, apo ndryshe gjithëdija e personaliteteve shqiptare, kufizon ndjeshëm dëshirën e atyre që duan të shkruajnë për to, pasi sikurse thonin grekët e lashtë, është e vështirë që të vdekshmit të shkruajnë për të pavdekshmit. Çfarë sot po marr guximin të bëj, në përvjetorin e lindjes së figurës së shquar të shqiptarisë Atë Shtjefën Gjeçovit, është pikërisht kjo: Një i vdekshëm po shkruan për një të pavdekshëm.

Kur pata fatin të vizitoja disa prej trevave të zonës së Dukagjinit, më bëri shumë përshtypje që në çdo shkollë apo godinë që dikur përdorej si shkollë kishte pllaka të mermerta ku shkruhej emri i një njeriu që nuk ishte edhe emri i shkollës. Në Prekal, fjala bie, ishte emri i Atë Shtjefën Gjeçovit si i pari që çeli një shkollë shqipe atje.

Duke vijuar më tej, këtë emër e shoh të shkruar edhe sa e sa herë, ndër sa e sa pllaka çka pa frikë më bëri të kuptoj diçka: Dukagjini, një trevë e quajtur “e prapambetur” nga dashakeqësit e saj, ka një fat që shumë krahina të tjera të Shqipërisë nuk e kanë: Prej 100 vjetëve ka arsim.

Ky fat, i cili buron nga prania e etërve françeskanë si të vendosur të përhershëm apo vizitues të herë pas hershëm falë programeve të misioneve shëtitëse (të përmendura nga Atë Zef Valentini apo Atë Domenico Pasi në librat e tyre “Misionet Shëtitëse” botuar nga “Plejad”), akoma edhe sot vazhdon të tregojë të mirat që ka sjellë.

Atë Shtjefën Gjeçovi, figura e jashtëzakonshme e kulturës së shqiptarisë, i lindur në Janjevë të Kosovës është ai i cili meriton jo respektin e gjithkujt, pasi me sa e njoh mes shkrimeve të të tjerëve ai nuk synonte të ishte i “gjithëdashur”, por të paktën njohjen nga gjithkush pasi ai qe i pari në shumëçka dhe, për fat të keq, edhe i fundit si punues serioz në thuajse çdo fushë që lëvroi./ KultPlus.com

Interes i shtuar për Muzeun “Marubi”, Bedeni: Rreth 9 mijë vizitorë në 6 muaj

Interesi i turistëve për të vizituar Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” në Shkodër është tepër lartë. Sipas Drejtorit Luçjan Bedeni 6-mujorin e parë të këtij, viti muzeu është vizituar nga 9000 turistë, rreth 3000 më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

“Këtë vit statistikat janë gjithnjë e në rritje, me rreth 9 mijë vizitorë”, tha Luçjan Bedeni, drejtor i Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi”.

Në muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, prej vitesh kryesojnë turistët nga Evropa Qendrore. “Muzeu Marubi gjatë këtyre viteve, eshte vizituar më së shumti nga të huaj që vijnë nga Evropa Qendrore, por vërehet një numër në rritje i vizitorëve spanjollë”, u shpreh Bedeni.

Në vitin 1970 u themelua Fototeka Marubi dhe në maj të vitit 2016, me koleksionet e fototekës u inaugurua Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi”, i cili sot konsiderohet si një nga muzetë unik në Evropë.

Muzeu sot përmban një koleksion të rrallë me fotografi me rreth 500 mijë negativë në teknika dhe formate të ndryshme, si dhe aparate fotografikë, dokumente të ndryshme dhe portrete të fotografëve shqiptarë./atsh/KultPlus.com

“Mësojmë nga e kaluara”, klubet e librit që do të njohin të rinjtë me historinë

Krijimi i një kolane të letërsisë së kujtesës, për të rritur dhe fëmijë është në planet e bashkëpunimit mes AIDSSH dhe Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit.

Drejtoresha e QKLL, Alda Bardhyli dhe Gentiana Sula, kryetarja e Autoritetit të Dosjeve, zhvilluan një takim për bashkëpunimet dhe për realizimin e aktiviteteve të përbashkëta promovuese në fushën e njohjes së të kaluarës, përmes librit dhe leximit, pjesëmarrjes së librit të AIDSSH-së në panaire kombëtare dhe ndërkombëtare.

Drejtoresha e QKLL, Ada Bardhyli tha se janë aktivitete që do t’i shërbejnë librit dhe leximit. “Krijimi i një kolane për letërsinë e kujtesës dhe mbështetja e AIDSSH me botime të kësaj tematike, si për të rritur dhe për fëmijë përmes programeve tona, promovimi dhe shpërndarja e tyre, do të nxisë prurje serioze që do të ndihmojnë jo vetëm në ndriçimin e jetës së figurave të rëndësishme dhe ngjarjeve të së shkruarës, por do t’i shërbejë dhe librit e leximit”, tha Bardhyli.

Ndërsa kryetarja e Autoritetit Gentiana Sula tha se përmes klubeve të librit “Mësojmë nga e kaluara”, AIDSSH e kthen një ditar në fakt historik. Bashkëpunimi do të vijojë me realizimin e klubit të librit “Mësojmë nga e kaluara” në Porto Palermo, një kamp improvizuar internimi në vitet 1949-1950, ku do të sillen dëshmitë dhe vizatimet e Lek Pervizit, dëshmia e Lek Mirakajt, bashkëvuajtës në këtë kamp internimi.

Rreth 240 vetë u mbajtën në kushte çnjerëzore në burgun e bodrumit të kalasë së famshme të Ali Pashë Tepelenë, që sot vizohet nga mijëra turistë. Autoriteti synon të afrojë lexuesit e rinj me autorë të cilët përmes letërsisë rrëfejnë anën e panjohur dhe të pajetuar të një periudhe të errët të historisë.

Kolana e librit të kujtesës do të mundësohet të jetë pjesë edhe e muzeve historike të vendit që vizitohen aq shumë nga shqiptarët dhe fëmijët e tyre që jetojnë jashtë vendit./atsh/KultPlus.com

150 vjet nga lindja e At Shtjefën Gjeçovit, ‘babai’ i studimeve folklorike shqiptare

Më 12 korrik 1874, në Janjevë të Kosovës, lindi Shtjefën Mëhill Konstantin Gjeçi-Kryeziu, i njohur si At Shtjefën Gjeçovi, prifti katolik, etnologu dhe folkloristi shqiptar, i cili konsiderohet si babai i studimeve folklorike shqiptare.

Ai u shkollua nga françeskanët në Bosnje (nën kontrollin e Austro-Hungarisë) dhe u shpërngul në Shqipëri në vitin 1896, pasi u bë prift, dhe kaloi vitet midis 1905 dhe 1920 midis fiseve malësore shqiptare, duke mbledhur literaturë gojore, ligj fisnor, arkeologji dhe folklori.

Kryevepra e tij, Kanuni i Lekë Dukagjinit, është përmbledhja e ligjit zakonor shqiptar, e cila u botua pas vdekjes së tij, në vitin 1933.

Atdhetar shqiptar dhe studiues i zellshëm i gjithçkaje që lidhet me të kaluarën shqiptare, ai ishte i urryer nga popullata serbe dhe autoritetet lokale. Ai u vra nga nacionalistët serbë më 14 tetor 1929, në fshatin Zym afër Prizrenit, Kosovë (në atë kohë pjesë e Mbretërisë Jugosllave), ndërsa shërbente si prift dhe mësues vendas.

Për nder të tij ka monumente si në Zym ashtu edhe në Janjevë, ndërsa shtëpia ku ai lindi u bë muze. Varri i tij ndodhet në fshatin Karashëngjergj jo shumë larg Zymit. Emrin e tij e mbajnë disa shkolla në Kosovë dhe Shqipëri.

“Gjurmët e Gjeçovit” është një aktivitet vjetor që mbahet në vendlindjen e tij Janjevë që nga viti 2000, për të përkujtuar dhe promovuar veprën dhe trashëgiminë e tij. / KultPlus.com

Restaurimi i Galerisë Kombëtare të Arteve, Rama: Hapësira të reja të ekspozimit dhe laboratorë

Galeria Kombëtare e Arteve në Tiranë, një tjetër monument kulture po i nënshtrohet restaurimit për të krijuar hapësira të denja për veprat e artit dhe artistët.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga puna në kantierin e Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë.

“Galeria Kombëtare të Arteve në Tiranë po rilind me hapësira të reja të ekspozimit, bibliotekë, laboratorë dhe koncept të ri të sallave”, shprehet Rama.

Investimi i buxhetit të shtetit nuk synon tjetërsim e godinës aktuale, por ruajtjen edhe zgjerimin e hapësirave ekzistuese duke dyfishuar edhe vëllimin nga pjesa e pasme e godinës. Nga 4.600 m2 që është sot, muzeu do të shtrihet në 10.100 m2.

GKA i ka fillimet e saj me përpjekjet e një grupi artistësh shqiptarë dhe  të Komitetit të Arteve të vitit 1946.

Pinakoteka ishte institucioni i pare i arteve figurative ne Shqipëri. Pas një pune të mirëfilltë dhe përpjekjesh të shumta në 11 janar 1954 u hap zyrtarisht për publikun Galeria e Arteve në Tiranë.

Në vitin 1956, si rrjedhojë e pasurimit të fondit të veprave të artit, prej lulëzimit të krijimtarisë dhe blerjeve të kohës, Galeria u zhvendos në një godinë më të përshtatshme, me tre kate në rrugën “Fortuzi” dhe me hapësira ekspozuese të shumta, si brenda ashtu edhe jashtë saj.

Vizionet e reja rreth zhvillimit dhe ekspozimit të arteve figurative si dhe blerjet rritën numrin e veprave të artit dhe sollën kërkesën për një ndërtesë më funksionale, e cila u inaugurua më 29 nëntor 1974, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ndërtesë, ku ndodhet edhe sot. Ky është dhe momenti i riorganizimit dhe rikonstruktimit të parë, i cili konsistoi në ngritjen e një strukture administrative, që përbëhej nga disa sektorë përkatës dhe në funksion të veprimtarive artistike.

GKA, ka mision grumbullimin, koleksionimin, konservimin, dokumentimin, studimin, restaurimin, ekspozimin dhe zhvillimin e vlerave të trashëgimisë kulturore, duke promovuar veprat më të mira të artit pamor shqiptar të traditës dhe atij bashkëkohor kombëtar e ndërkombëtar./atsh/KultPlus.com

120 vite nga lindja e nobelistit Pablo Neruda

12 Korriku i vitit 1904 është data e lindjes së njërit prej poetëve më të famshëm të shekullit të 20-të, Pablo Nerudës, karriera e të cilit nuk u shua me vdekjen e tij, por vazhdon jehonën edhe në kohën e sotme.

Në një moshë shumë të re hyri në botën e shkrimit, për të vazhduar atë gjer në frymën e fundit. Si një 13 vjeçar, miksoi një sërë stilesh, duke përfshirë poema surrealiste, manifesta politike, epika historike si dhe poema dashurie.

Neruda u shqua si poet, diplomat, politikan si dhe përkthyes në shumë gjuhë të botës, me qëllim të promovimit të gjuhës së tij kiliane.

Veprimtaria e tij poetike u përmblodh në 19 vëllime, shumica prej të cilave u përkthyen në gjuhë të ndryshme të botës, përfshirë edhe gjuhën shqipe.

Disa nga këto vëllime poetike janë: ‘100 sonete për dashurinë’, ‘Fundi i botës’, ‘Mirëseardhja në atdhe’, ‘Unazat’,  “Oda elementare’ dhe ‘Duart e ditës’.

‘20 poezi dashurie dhe një këngë dëshpërimi’ është libri i Neradës i publikuar në moshën 20 vjeçare, me anë të se cilit u konsiderua si një ndër poetët më premtues të rinj të asaj periudhe.

 Ndërkaq, kohë me vonë doli në pah edhe libri ‘Deti dhe këmbana’, e njohur ndryshe edhe si kryevepra e Nerudës, brenda së cilës autori krijon një kontradiktë mes së bukurës dhe së keqes, të butës dhe të egrës, vdekjes dhe pathyeshmërisë.

Kujtojmë që viti 1971 e gjeti Neruden si fitues të çmimit Nobel për Letërsi. / KultPlus.com

Media britanike “Liverpool Echo”: Vizitoni Shqipërinë – destinacionin e bukur evropian me plazhe të mrekullueshme

Nëse dëshironi të përjetoni pushime të stilit të Maldiveve pa shpenzuar shumë, vizitoni Shqipërinë, një destinacion i bukur evropian me fluturime të përballueshme dhe plazhe të mrekullueshme, shkruan Danielle Kate Wroe në të përditshmen britanike “Liverpool Echo”.

Udhëtimi nuk do të ndikojë në buxhetin tuaj – veçanërisht nëse rezervoni fluturime të lira. Nëse dëshironi të përjetoni pushime të stilit të Maldiveve me çmime te lira, ne ju rekomadojmë Ksamilin, në Shqipëri.

Ksamili ofron të njëjtin mot me diell dhe plazhe ëndërrimtare me një kosto të përballueshme.

“Adhuruesi i udhëtimeve @kieranbrowntravel, së fundmi zbuloi në TikTok pushimet e tij në Shqipëri.

Në një video, e cila mori më shumë se 437,000 klikime, ai tha: “Rezervova nje fluturim në Shqipëri dhe tani jam duke kampuar vetëm në malet shqiptare, duke notuar në ujin më të bukur”.

Ndjekësit u mahnitën nga destinacioni – dhe komentuan në TikTok duke ndarë mendimet e tyre. Njëri prej tyre e quajti Shqipërinë një “parajsë të fshehur”.

“Shqipëria është një magji. Vend i mrekullueshëm”, komentoi një ndjekës tjetër.

Ksamili është i njohur për plazhet e tij të bukura me rërë dhe ujërat e kristalta të detit Jon.

Zona ofron një sërë gjiresh të vegjël me plazhe të bardha me rërë që shpesh krahasohen me ato të destinacioneve tropikale.

Pikërisht në brigjet e Ksamilit ndodhen disa ishuj të vegjël që mund të arrihen lehtësisht me varkë apo edhe me not, në varësi të distancës së tyre nga bregu.

Këta ishuj ofrojnë plazhe shtesë të izoluara dhe janë një atraksion për vizitorët.

Ksamili është afër zonës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s të Butrintit, i cili është i pasur me rrënoja arkeologjike që datojne mijëra vjet më parë – nga koha greke dhe romake deri në periudhën bizantine.

Atëherë pse të mos e përfundoni ditën tuaj me një vakt të mirë në një vend që të lë pa frymë.

Zona është e njohur për ushqimet e shijshme të detit të freskëta dhe kuzhinën tradicionale shqiptare – dhe ka një mori restorantesh me pamje nga deti dhe ishujt.

Sipas “Skyscanner”, ju mund të rezervoni fluturime nga Liverpuli në Tiranë për vetëm 56 euro në shtator.

Aeroporti i Tiranës është rreth katër orë me makinë larg Ksamilit, por aeroporti më i afërt ndërkombëtar është në fakt Korfuzi, Greqi.

Pra, do ta shtoni Ksamilin në listën tuaj të destinacioneve për pushime?/atsh/KultPlus.com

‘Gjithë njerztë faje kanë, për ne si pasqyrë janë’, poezi e Çajupit me mezazh tejet të fuqishëm

Poezi nga Andon Zako Çajupi

Një njeri pa mënd në kokë,
mburrej e lëvdohej vetë,
pandehte me të vërtetë
q’ish i bukur e s’kish shokë,
ndaj ishte shum’ i gëzuar.
Vërtet pasqyra s’kishte mëshirë
ta tregonte të shëmtuar.
Po thosh: pasqyra nuk’ është e mirë.
Nga kjo lajthitje që ta kërrejnë
dhe të duket e vërteta,
gjithë pasqyrat e shkreta
kur i shikon, e rrëfejnë
me një fytyrë
shumë të ndyrë.
Që të mos shohë kurrë pasqyrë,
ç’punoi miku?
U ngre dhe iku
lark, ndëpër ara
Për fat të keq, sheh përpara
një liqen të pashënuar,
me ujë fort të kulluar.
Ndë këta ujë kur u shikua
u zemërua,
se prap ju duk fytyra
si te pasqyra,
Domethënë, me një fjalë,
kjo përrallë
Eshtë bërë
për të tërë:
për veten tonë, të gjithë ç’jemi
këtë mendje kemi.
Gjithë njerztë faje kanë,
për ne si pasqyrë janë:
ky njeriu
faqeziu
që qesh o mburr vetëhenë,
është shpirti yne vetë,
Sa për liqenë
ndë vënd të shkrete,
me ujëkulluar,
tregon librat qe ke shkruar./ KultPlus.com

Kampingu “Hestia” në Dibër, trend i pushimeve plot aventurë

Dibra është shndërruar gjithnjë e më shumë në një destinacion të preferuar për turistët.

Kampingu “Hestia” është një vend ideal në Dibër për të kaluar momente të këndshme në natyrë.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga ky kamping, teksa theksoi se është ideuar nga një grup shokësh për të promovuar turizmin veror në Dibër

Mes maleve të Dibrës, buzë lumit Drin, ndodhet një kamping i vogël, nën emrin “Hestia”, ideuar nga një grup shokësh për të promovuar turizmin veror në Dibër, shprehet kryeministri Rama.

Kryeministri fton tursitët të vizitojnë këtë kamping, teksa nënvizon se, “një kombinim magjepsës mes natyrës përrallore të këtyre viseve dhe kampingut, si një trend i pushimeve plot aventurë, por dhe ekonomike, ju pret ta shijoni në pjesën e mbetur të verës”./KultPlus.com

Aktorja amerikane Shelley Duvall vdes në moshën 75-vjeçare

Aktorja amerikane Shelley Duvall, e njohur në filmat si “The Shining”, “Annie Hall” dhe “Nashville” ka vdekur në moshën 75-vjeçare, sipas BBC.

Partneri i saj Dan Gilroy konfirmoi lajmin për “The Hollywood Reporter”.

“Shelley vdiq në shtëpinë e saj në Teksas pas komplikacioneve të shkaktuara nga diabeti”, tha Gilroy.

Gjithashtu, Duvall luajti në dramën “Three Women” të vitit 1977, me regji të Robert Altman, për të cilën ajo fitoi si aktorja më e mirë në Festivalin e Filmit në Kanë dhe u nominua për një çmim “Bafta”.

Tre vjet më vonë, ajo luajti në rolin e Olive Oyl përballë Robin Williams në komedinë “Popeye” me regji të Altman.

Por, Hollivudi humbi interesin ndaj Duvall dhe ajo qëndroi larg ekranit për dy dekada, përpara se të kthehej në “The Forest Hills” të vitit 2023.

Me sytë e saj të mëdhenj kafe dhe karizmën e çuditshme, Duvall ishte një prani e veçantë dhe bindëse.

Ajo filloi karrierën e saj dhe marrëdhënien e saj me Altman, në komedinë e errët të vitit 1970, “Brewster McCloud”, dhe dyshja u ribashkuan në “McCabe” dhe “Mrs. Miller” në 1971.

Pasi filmoi performancën e saj si një grua që bie në dashuri me një grabitës bankash të viteve 1930 në filmin e tyre të radhës, “Thieves Like Us”, Altman i tha asaj: “E dija që ishe e mirë, por nuk e dija që ishe kaq e shkëlqyer”.

Duvall tha se ky koment ishte arsyeja që ajo kishte “mbërthyer” aktrimin.

Altman e bëri sërish Duvall pjesë të filmit “Nashville” në 1975, satira e tij për shoqërinë, politikën dhe muzikën amerikane “Country”.

Bashkëpunimi i tyre i radhës ishte “Three Women”, ku Duvall të luante rolin e një shoqëruese të spa shëndetësore llafazane, që ndiqte trendet.

Anne Billson e “The Guardian” e renditi rolin e saj si më të mirin dhe si një nga performancat më të mëdha të viteve 1970.

Gjithashtu në vitin 1977, Duvall luajti rolin e paharrueshëm të Pam, një reportere e “Rolling Stone” në filmin “Annie Hall” me regji të Woody Allen.

Roli i saj më i njohur ishte ndoshta Wendy, bashkëshortja e kujdestarit të tmerrshëm të hotelit – qe luhej nga Jack Nicholson – në klasikun horror të vitit 1980, “The Shining”. /KultPlus.com

Letrat

Poezi nga Dritëro Agolli.

Kur dashuroheshim në kohën tonë,
Kur tretesha dhe digjesha për ty,
Nga njëri-tjetri letrat vinin vonë,
… Kalonte dhe një muaj apo dy.

Po ndofta dashuria mbahej gjallë,
Se zjarrin mbanin letrat në udhëtim
Me biçikletë a mushkë apo me kalë
Në vapë e shi, dëborë dhe thëllim.

Kur dashuroheshim në kohën tonë
Me zor na vinin letrat fshat-qytet
Nuk kishim nëpër dhomë telefon
Dhe në ëndërr s’kishte faks dhe internet.

Megjithatë më mirë që nuk kishte
As telefon, as internet, as faks,
Se fjalë e nisur shpejt dhe mund ta vriste
Një dashuri të vjetër për një çast.

Paul Mescal lufton Pedro Pascalin dhe një rinoceront në trailerin e parë të “Gladiator II” 

Përgatituni për një betejë epike, ka mbërritur traileri i parë i “Gladiator II”.

Në vazhdimin e filmit të ri të Ridley Scottit të vitit 2000 luan Paul Mescal në rolin e Luciusit.

Një Lucius i rritur jeton në rajonin e Afrikës veriore të Numidias, ku u dërgua si fëmijë nga nëna e tij. Ai kthehet në Romë si gladiator dhe ribashkohet me nënën e tij.

Filmi është gjithashtu titullar nga Pedro Pascal si Marcus Acacius – një gjeneral romak, dhe Denzel Washington si Macrinus si njeri mizor dhe i pasur që mban gladiatorët për sport.

Xhirimet filluan qershorin e kaluar, por u detyruan të ndalonin dhe të rifillonin në dhjetor për shkak të grevave të industrisë së argëtimit verën e kaluar.

Filmi ptritet të dalë më 22 nëntor./KultPlus.com