Eshtrat e një dinosauri gati të plotë 161 milionë vjeçar po dalin nën ankand në Nju Jork, si pjesë e serisë së tyre vjetore të shitjeve të Javës Geek.
‘Apex’, i cilësuar si Stegosaurus më i plotë i zbuluar ndonjëherë, ka një gjatësi prej 11 metrash dhe afërsisht 27 metra të gjatë nga maja e bishtit deri në hundë, sipas Cassandra Hatton, Shefja Globale e Shkencës dhe Kulturës Popullore në Sotheby’s.
“Për sa i përket Stegosaurus, kjo është një kafshë tepër e rrallë. Në botë njihen vetëm tetë ose nëntë, “thotë Hatton.
Sotheby’s bashkëpunoi ngushtë me pronarin për të dokumentuar të gjithë procesin, nga zbulimi dhe gërmimi deri te restaurimi, përgatitja dhe montimi.
“Është rreth 79% i përfunduar,” tha Hatton. “Kjo bazohet në atë se sa është në të vërtetë kocka fosile. Sa nga eshtrat u gjetën në të vërtetë?”
Stegosaurus është anëtari më i njohur i dinosaurëve të blinduar të quajtur Thyreophorans, i karakterizuar nga forma dhe rregullimi i veçantë i armaturës së lëkurës në shpinë, që shtrihet nga qafa në bisht.
“Apex” u zbulua në maj 2022 në Formacionin Morrison, i vendosur në Moffat County, Kolorado, pranë qytetit të Dinosaur. Gërmimi përfundoi në tetor 2023.
Stegosaurus nuk tregon shenja të lëndimeve luftarake ose të lidhura me grabitqarin. Megjithatë, dëshmitë e artritit tregojnë se ai ka jetuar në një moshë të shtyrë.
“Kafsha u gjet me bisht të përkulur poshtë trupit, që është një pozë e zakonshme vdekjeje për kafshët,” tha Hatton.
Dinozauri i periudhës Jurassic pritet të shitet nga 4 deri në 6 milionë dollarë (3,7 milionë dhe 5,5 milionë euro), megjithëse Hatton theksoi se “një Stegosaurus i këtij kalibri nuk është shitur kurrë më parë në ankand”.
Ankandi do të mbahet në Nju Jork më 17 korrik./euronews/KultPlus.com
Ministri i Ekonomisë, Kulturës e Inovacionit, Blendi Gonxhja, ndau sot në rrjetet sociale pamje filmike të artistit Agim Rada, i ndarë nga jeta një vit më parë.
“Në kujtim të Agim Radës, 1953-2023. Në përvjetorin e parë të ndarjes nga jeta të skulptorit të mirënjohur Agim Rada, kujtojmë dhe nderojmë një artist të madh që la pas një trashëgimi të pasur artistike dhe shpirtërore”, shkroi ministri Gonxhja.
Ministri thekson se Agimi nuk është më fizikisht mes nesh, por fryma e tij krijuese, veprat dhe vlerat që ai përfaqësonte do mbeten gjithmonë.
Agim Rada, artisti dhe skulptori i njohur shqiptar, u nda nga jeta më 11 korrik të 2023, në moshën 70-vjeçare.
Agim Rada lindi më 24 maj 1953 në Tiranë. Punimet i tij përfshijnë statuja të skalitura në bronz të figurave të kombit si Marin Barleti, Gjergj Elez Alia, Onufri, Petro Marko dhe shumë të tjerë./atsh/KultPlus.com
I cilësuar si “njeriu i rilindjes në botën e muzikës jazz”, Sam Jewison është këngëtar dhe pianist i njohur që interpreton për publikun anembanë botës baladat e pavdekshme të kompozitorëve legjendarë si Cole Porter, Leonard Bernstein, dhe George Gershwin.
Performancat e tij përfshijnë interpretime unike të këngëve të famshme të këngëtarëve ikonikë si Frank Sinatra, Ella Fitzgerald dhe Oscar Peterson.
Vokali dhe virtuoziteti pianistik e kanë çuar atë në ngjarje të rëndësishme muzikore si Festivali “ReGeneration” në Firence, “BBC Radio 3 Christmas Special” dhe “Nevill Holt Opera House”. Ai ka performuar në skena e vende madhështore në Londër, përfshirë “Jazz Café”, “Westminster Abbey” dhe “Royal Opera House”, ku bëri debutimin e tij recital me “The Composer on Broadway” në vitin 2022 dhe u rikthye në vitin 2024. I lindur në Scarborough, North Yorkshire, Jewison ka fituar disa çmime për kontributet e tij në muzikë.
Në koncertet e tij, ai shoqërohet në skenë nga Harry Evans në double bass dhe trumpetë, si dhe Joe Dessauer në bateri./KultPlus.com
Ketë të premte (nesër) me datë 12 korrik fillon Beerfest Kosova dhe do të zgjas deri me 15 korrik. Gjatë 4 netëve sa zgjatë festivali do të ketë program fantastik me organizim madhështor.
Burak Yeter, Stealth & Vinz (Hellbanianz), Yll Limani, Geasy, Sabri Fejzullahu, Sinan Vllasaliu, Kida, Buta, Ardi dhe Mirdoni, Diona Fiona, Grupi 403, Blerando, La Fazani, Gillepsie, Zwada dhe Haliband, janë artistët dhe bendet që do të performojnë në festival. Përveç këtyre emrave festivali është pasuruar edhe me promo artistët: Redon Berani, Young Arti, Leyla, Angler.
Biletat mund t’i blini edhe fizikisht në Sheshin “Ibrahim Rugova”
Blerjen e biletave mund ta bëni edhe fizikisht në sheshin “Ibrahim Rugova”, në Prishtinë. Ekipa e beerfest ju pret në kioskën e brenduar të beerfest prej orës 17:00 deri në ora 22:00.
Ndërsa rezervimin online të biletave, mund ta bëni këtu: Bli bileten
Birra vendore dhe ndërkombëtare dhe skenë madhështore
Festivali do të ketë laramani aktivitetesh për të gjithë vizitorët, duke përfshirë degustimin e birrave të shumta vendore dhe ndërkombëtare nga më shumë se 12 brende, një kënd ushqimi dhe pije jo alkoolike, si dhe surpriza tjera të shumta.
Madhështia e këtij edicioni është po ashtu skena gjigante më e madhja deri sot ne beerfest, rreth 30 metra me 16 metra lartësi, me një zërim me efekte.
Tashmë në shitje janë edhe biletat ditore, ku ju mund ta blini biletën tuaj ditore dhe ta shfrytëzoni në cilën ditë që ju e zgjidhni të shkoni.
Beerfest Kosova 2024, organizohet nga data 12 deri më 15 korrik 2024, prapa Pallatit të Rnisë në Prishtinë.
Për më shumë informacione rreth agjendës së aktiviteteve dhe për të rezervuar biletën tuaj në kohë, na ndiqni në rrjetet sociale Facebook dhe Instagram.
Bëhu pjesë e festës më të madhe n’vend!/KultPlus.com
Përflaken yjet dhe ju dua. Nata hap sytë dhe ju dua. Zemrat tona dy njerëz dhe ju dua dy njerëz prej nesh. Dhe sa ju ngjajnë dhe sa më ngjajnë. dhe pastaj sa nuk na ngjajnë. Nga ne më të mirë nga ne më të vegjël nga ne më të guximshëm. Ne jemi goxha më të shtruar se zemrat tona, më të matur ndaj rrëmujës më të prirur. Jemi ne që ushqejmë si dyshime si besëtytni, për në frikërat dhe ndodhitë për ne përmallimi. Dhe jemi sërish ne, në gaz e në dënesë. Ne pezmatojmë zemrat tona, tjetër s’dinë veç dashurisë, Dritë e syve të mi, jeta ime, sulltanesha ime Unë ju dua. zonja Pîrâye, afërmendsh ju dua. / KultPlus.com
Gjergj Basta, është një nga figurat më të njohura të praktikës ushtarake evropiane të fillimit të Rilindjes, nga ku kishte mbetur një emër i panjohur për shkencën dhe lexuesin shqiptar deri kur historiani Dhimitër Pilika, e nxori atë nga arkivat e Pragës dhe e publikoi në Revistën “ Ylli” më 1966 në numrin e 7 të saj.
Për të qenë më të saktë, Gjergj Basta për literaturën shqiptare ishte një rizbulim. Për të ishte shkruar e folur para 1944-ës në diasporë dhe ishte përmendur sadopak emri edhe në ndonjë botim në Shqipëri. Por aq pak, sa pas 1944-ës ishte harruar fare. Ndoshta Basta u gjykua ashpër si “pushtues” e si komandant forcash perandorake.
Në fakt Gjergj Basta kishte jetuar gjithnjë në kujtesën e shqiptarëve. Në një letër të vitit 1759 himariotët, pas emrit të Pirros e të Skënderbeut, shënonin emrin e Gjergj Bastës. Në vitin 1907 shqiptarët e SHBA në një letër që i drejtonin Konferencës së Hagës, përmendnin krahas figurave të shquara të popullit tonë edhe gjeneralin Gjergj Basta.
Pas Dhimitër Pilikës, Koco Bozhori me 1985 sa e përmend emrin e Gjergj Bastës në zërin e stratiotëve në Fjalorin Enciklopedik shqiptar dhe më 1990, historiani ushtarak, dr. Riza Drishti do të botonte në Revistën “Për mbrojtjen e Atdheut“ një studim të shkurtër për jetën dhe veprën e Bastës.
Por viti 1996 do të shënonte një arritje të veçantë në këtë njohje: Shtëpia Botuese e Ushtrisë do të botonte në një vëllim, të përkthyera nga Ejana Paco, të dy veprat e Gjergj Bastës: “Mjeshtri i përgjithshëm i kampit” dhe “Drejtimi i kalorësisë së lehtë.” Në vitet 2000 ka pasur në shqip edhe botime të tjera rreth emrit dhe veprës së Gjergj Bastës.Revista “ Mbrojtja” ,më 2003 botoi jetëshkrimin e Gjergj Bastës sipas “Dizionario biografico degli italiani” të vitit 1995, përkthyer nga Ermal Onuzi. Më 2006 u botua në shqip, e përkthyer nga Pëllumb Xhufi, vepra e Paolo Petës “ Stradiotët” në të cilën në tri faqe jepet edhe një jetëshkrim i Gjergj Bastës .
Më 2008 Fjalori enciklopedik shqiptar botoi një zë për Gjergj Bastën, shkruar po nga dr. Riza Drishti. Vitet e fundit kanë filluar të shkruajnë e botojnë për Bastën “ krahinarët” e tij të Bastjas mesjetare, nga Nivicë –Bubari dhe Senica e Sarandës.
Më 2010, Theodhori Miho botoi “Gjergj Basta dhe kapedanët e Senicës”, dhe më 2014, Fatmir Minguli në “Triptik historik” ,pjesën e parë, ia kushton pikërisht gjeneral Bastës, ndërkohë që Fotaq Andrea e përmend general Bastën në një studim te tij për stratiotët shqiptarë botuar në Revistën Ushtarake të Akademise se FA. Veprat e Gjergj Bastës , të ribotuara më 1641 nga Shtëpia Botuese “ Xhunti” e Venedikut, i ruajnë edhe Bibliotekat tona, “ Marin Barleti’”e Shkodrës dhe Biblioteka Kombëtare në Tiranë. Gjergj Basta vdiq më 20 nëntor 1607(ose 1612)dhe u varros në Vjenë.
Nga Sali Onuzi – “Prej shekullit XIV, kur ushtritë feudale në Evropën perëndimore e humbën rëndësinë, fituan peshë repartet e ushtarëve rrogëtarë, që vinin nga Anglia, Zvicra, Gjermania. Në kushtet e vështira të jetesës nën pushtimin osman, shumë fshatarë të trevave malore, si të Labërisë, Himarës, të Veriut , po edhe nga Greqia, Dalmacia u rekrutuan në reparte të tilla, duke marrë emrin “ stratiotë”. Stratiotët shqiptarë shërbyen në zotërimet venedikase, në shtetet italiane, në ushtritë e perandorisë gjermane, në Francë, Flandër etj” ( FESH, 1985 dhe 2008) /diasporashqiptare/ KultPlus.com
Muzeu Historik Kombëtar përkujtoi sot, albanologun më të njohur të shekullit XIX, diplomatin austriak Johann von Hahn, në ditën e tij të lindjes ( 11 korrik 1811).
Von Hahn punoi në konsullatën e Austrisë në Janinë, ku ra në kontakt me shqiptarët e madje mësoi edhe gjuhën shqipe. Ndërkaq, bëri tri udhëtime në Shqipëri. Mblodhi të dhëna për historinë, filologjinë dhe folklorin shqiptar dhe ishte tejet i interesuar për botën shpirtërore dhe historinë e shqiptarëve dhe të arbëreshëve të Greqisë.
Hahn-i kërkoi nëpër Shqipëri edhe lëndën për veprën e tij madhore në tri vëllime “Albanesische Studien” (Studime shqiptare), që u botua në vitin 1854. Aty ai argumentoi për herë të parë, nga një pikëpamje shumëdisiplinare (historike, gjuhësore, etnografike, etj.), autoktoninë e shqiptarëve, prejardhjen e tyre ilire dhe prejardhjen e shqipes nga ilirishtja, duke dëshmuar përkatësinë e shqipes si gjuhë e familjes indoevropjane.
Në anën tjetër, teza e tij u shfrytëzua nga ideologët e Rilindjes Kombëtare Shqiptare për vetëdijesimin kombëtar të popullit dhe për argumentimin e së drejtës historike për autonomi e shtet të pavarur, që do të përfshinte të gjitha territoret e banuara nga shqiptarët.
Përveç veprës “Studime shqiptare” ai u bë i njohur edhe me veprat studimore “Udhëtim nëpër viset e Drinit dhe të Vardarit”, “Udhëtim prej Beogradit në Selanik”, etj.
Hahn-i ishte albanologu i parë që kishte vënë re dhe kishte konfirmuar shkencërisht se motivet shqiptare në këngë, etnologji, kulturë, art dhe leksik ishin më të vjetra se ato të popujve të tjerë të Ballkanit.
Profesor Eqrem Çabej e vlerësonte Hahn-in si themeluesin e albanologjisë në kuptimin e vërtetë shkencor të kësaj fjale./atsh/KultPlus.com
“Velipoja ka përmirësime, çdo vit shikoj që ka ndryshime për mirë”.
Kështu u shpreh një qytetar në një video të publikuar nga kryeministri Edi Rama në rrjetet sociale.
Rama tha se “pushuesit e Velipojës janë dëshmitarët më të drejtpërdrejtë të asaj që ka ndodhur me transformimin e hapësirave, sistemimin, pastërtinë dhe të gjithë punën e bërë nga institucionet publike e bizneset private për t’u garantuar një sezon me standarde, të sigurt dhe mikpritës të gjithëve atyre që zgjedhin këtë bregdet”.
Një pushues tha se “jemi shumë të kënaqur për moshën time është mrekulli, vijmë për rërën dhe diellin të dyja i ka Velipoja”.
Një tjetër pushues u shpreh se “kam shëtitur gjithë Shqipërinë, por Velipoja ëstë hapësirë”.
“Velipoja është shumë mirë, puna ka filluar mirë dhe ka shumë turistë të huaj kanë ardhur, italianë janë shumë”, tha një menaxher biznesi në Velipojë.
Një turist italian theksoi se “ndihemi shumë mirë, është një vend mikpritës , falënderojmë komunitetin e Velipojës për gjithçka që ka bërë për ne, i ftoj të gjithëve të vijnë ta vizitojnë, të kalojnë kohën, të njohin njerëz të rinj. Është një ambient shumë mikpritës, një aventurë e bukur”.
Velipoja, rreth 30 minuta nga qyteti i Shkodrës edhe këtë sezon veror po tërheq një numër të lartë pushuesish. Për të gjithë të pasionuarit pas shëtitjeve në natyrë, kjo perlë e zonës ju ofron një aventurë interesante në ajrin e pastër, ku do ta gjeni veten të zhytur në një oaz të gjelbër./atsh/KultPlus.com
As lufte s’bej dhe askund s’gjej paqe’ dhe frike dhe shprese: kam zjarr dhe akullohem, ne qiell nxitoj, ne toke prap rrezohem, askend s’takoj dhe boten kam perqafe.
Ajo me futi ne burg, hapsan e laqe, as nuk me mban,as nuk me le te iki, dhe me largon dhe hallke me ve tek shpirti, as rroj, as vdes, as dhimbjet s’kane cae.
Pa sy dhe shoh, pa gjuhe dhe nxjerr klithme, kerkoj te vdes, therras qe te shpetoj, perbuz vetveten, ju jap ju lumturine.
Mes lotesh qesh, ju jap ju dhembshurine, dhe jet’, dhe vdekje i ve ne barazi, po per keto, o grua,faj ke ti./ KultPlus.com
Në Apolloni u zhvillua edicioni i XV i “Takimeve Muzikore të dy Botëve”, ku shoqata Argjiro, mbështetur nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit në bashkëpunim me Ambasadën Franceze dhe atë Greke sollën një atmosferë të magjishme.
Mbrëmja nisi me një podkast mbi Lojërat Olimpike i cili u transmetua në një program maratonë në Parkun Arkeologjik të Apollonisë.
Më pas, me koncertin “Tingujt e Lirës Antike” ku artistët Nikos Xanthoulis, Sophia Karakouta dhe Evangelia Kopsalidou me interpretimin e lirës antike e zhvendosën publikun në Greqinë e lashtë.
Në këtë edicion të ri, u synua edukimi përmes artit, ku përveçse muzikës, podkasteve, ndërthurjes së miteve dhe legjendave u ofrua një qasje e re këndvështrimi ndaj historisë./atsh/KultPlus.com
Sot janë bërë 94 vite nga vdekja e patriotit, veprimtarit të Rilindjes Kombëtare, poetit dhe dramaturgut Andon Zako Çajupi.
Andon Zako Çajupi u lind më 26 mars të vitit 1866 në Sheper të Zagorisë. I ati, Harito Zako, ishte një tregtari duhani i cili punonte në Kavallë dhe në Egjipt. Andon Zako, i njohur më vonë me emrin letrar, Çajupi, nga emri i një mali në krahinën e Zagorisë. Mësimet fillore i mori në shkollën greke në Nivan të Zagorisë. Më 1882 u vendos në Aleksandri, ku studioi frëngjisht për pesë vite. Gjatë qëndrimit të tij në Aleksandri u takua me mjaft avoketër të huaj, që i dhanë bindjen të vazhdonte studimet për jurisprudencë në Zvicër, ku Çajupi shkoi më 1887 dhe vazhdoi studimet për pesë vite në këtë disiplinë.
Në historinë e letërsisë shqiptare Çajupi zuri vend edhe si dramaturg. Rëndësi të veçantë kanë sidomos komeditë e tij: “14 vjeç dhëndër” dhe “Pas vdekjes”, shkruar më 1910, botuar më 1937. “Pas vdekjes” është një komedi politike.
Penës së Çajupi i përket edhe tragjedia “Burri i dheut” (botuar më 1937), pastaj poema epope “Baba Musa Lakuriq”, si dhe shumë vepra të tjera. / KultPlus.com
Ekziston një vend i vogël në Gadishullin Ballkanik që quhet Shqipëri. Nuk është shumë i njohur në mesin e turistëve evropianë, por mund t’i ofrojë çdo vizitori gjithçka të ngjashme si Kroacia, Italia apo Spanja, sipas një artikulli të botuar në “Breaking Travel News”.
Shqipëria konsiderohet si një nga destinacionet më të lira në Evropë, ndaj edhe turistët me burime të kufizuara financiare mund të kalojnë pushime perfekte në territorin e saj.
Le ta njohim më mirë këtë vend të mrekullueshëm dhe të zbulojmë se si mund të na befasojë.
Duke zbuluar Evropën, shumë vizitorë shkojnë në vende të njohura, ku gjithçka është krijuar për të zbrazur kuletat e tyre.
Megjithatë, nëse zgjeroni pak gjeografinë e udhëtimeve tuaja dhe shkoni në Shqipëri, mund të përjetoni të njëjtën gjë, por me më pak para.
Vendet që duhet të vizitoni
Shqipëria mund të jetë një vend i vogël, por ajo ofron shumë vende unike në territorin e saj.
Parku Kombëtar Arkeologjik i Butrintit
Një nga krenaritë kryesore të Shqipërisë është Butrinti. Ky park kombëtar arkeologjik është i mbushur me një sërë vendesh të krijuara nga njeriu.
Shumë prej tyre janë ruajtur që nga kohërat e lashta kur territori modern i vendit ishte nën sundimin e Perandorisë Romake.
Në Butrint, të gjithë mund të shohin një ngjashmëri të Koloseut të famshëm dhe pjesë të ndërtesave të tjera të mbijetuara, të ndërtuara në të njëjtën mënyrë si monumentet arkitekturore të kryeqytetit modern italian.
Butrinti ka gjithashtu shumë vende unike natyrore. Shumica ndodhen përgjatë ngushticës së Vivarit dhe në ishullin e pazakontë të Ksamilit.
Kalaja e Beratit
Ky objekt unik arkitekturor ndodhet në qytetin e Beratit. Është ndërtuar mbi 700 vjet më parë në një kodër të lartë shkëmbore, ku shihet zona përreth.
Kalaja e Beratit është një simbol i Shqipërisë për shumë qytetarë të vendit. Ajo përmban një histori dhe tregon se sa i fortë ishte ndikimi i pushtuesve në arkitekturë.
Për të arritur në Kala, duhet të bëni një shëtitje relativisht të gjatë, e cila do t’ju çojë në një lartësi prej 214 metrash.
Sapo të mbërrini në destinacionin tuaj, mund të admironi peizazhin fantastik dhe të shikoni qytetin e Beratit nga një kënd i lartë.
Riviera Shqiptare
Jugperëndimi i vendit ka një tokë unike të quajtur Riviera Shqiptare. Përgjatë një siperfaqeje prej 130 kilometrash, do të gjeni dhjetëra plazhe ideale me rërë të bardhë të pastër ku mund të relaksoheni, të notoni dhe të shijoni diellin.
Përgjatë bregdetit, ka shumë kafene dhe restorante të vogla ku mund të provoni gatimet kombëtare shqiptare dhe ushqimet e freskëta të detit me çmime te lira.
Vizitorët nuk do të kenë probleme as me argëtimin. Riviera Shqiptare ofron një sërë sportesh ujore, zhytje, ecje dhe shumë të tjera.
Syri i Kaltër, Theth
Shumë njerëz e quajnë Syrin e Kaltër – perlën natyrale të Shqipërisë. Është një burim përrallor i rrethuar nga të gjitha anët me shkëmbinj.
Uji i tij ka një ngjyrë smeraldi, në kontrast me sfondin e gurëve gri dhe krijon një pamje perfekte.
Për shkak të popullaritetit masiv të Syrit të Kaltër, është e lehtë për ta aksesuar.
Është më mirë të shkoni me makinë në vendbanimin e vogël, Ndërlysaj – dhe më pas të shkoni në atraksionet e famshme të vendit në këmbë.
Një shëtitje e tillë do të marrë vetëm disa dhjetëra minuta në mënyrë që të mos ju lodhë.
Teleferiku Dajti Ekspres
Të gjithë turistët duhet të vizitojnë Tiranën. Kryeqyteti i Shqipërisë është një qytet i çuditshëm me gjithmonë diçka për të parë dhe bërë.
Megjithatë, gjëja e parë që duhet të bëni është të vraponi për të blerë një biletë për te Dajti Ekspres.
Ky teleferik do t’ju ofrojë një udhëtim 15-minutësh që nuk do ta harroni kurrë në jetën tuaj.
Në një kohë të shkurtër do të shihni Tiranën dhe bukurinë e saj dhe formacionet e shumta shkëmbore, vendbanimet malore, fermat e vogla dhe natyrën lokale./atsh/KultPlus.com
Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor në Tiranë, do të mbajë koncert madhështor të premtën, duke filluar nga ora 19:00, koncert ky që do të jetë përmbyllës i Orkestrës Simfonike të RTSH-së. Në koncert do të prezantohen emra të mëdhenj të muzikës klasike.
Gjatë mbrëmjes do të përformojë edhe violinisti me famë botërore, Tedi Papavrami. Poashtu, ky koncert do të shënojë edhe rikthimin e sopranos së njohur shqiptare në Shqipëri, Adelina Paloja.
Paloja, ka njoftuar se do të merr pjesë nën dirigjimin e Zhani Ciko, ku do të ndajë skenën me mjeshtrit e interpretimit, Tedi Papavrami, Suela Piciri, Fatos Qerimaj dhe Jonela Golemi.
“Në këtë koncert të veçantë kam privilegjin të nterpretoj dy vepra të jashtëzakonshme perla të kompozimeve për vokal nga Nikolla Zoraqi: 1.”Mall Dashurije” Romancë dhe 2. “Monologu i Marës” nga Opera “Fundi i Golemeve”, ka shkruar Paloja.
Skena do të ndriçohet edhe nga performanca e shkëlqyer e Suela Picirit, e cila vjen nga tempulli i artit, La Scala Milano.
Profesor Fatos Qerimaj, një gjeni i klarinetës, do të sjellë interpretimin e tij të pakrahasueshëm, ndërsa flautistja e mrekullueshme Jonela Golemi do të na transportojë në një botë tjetër me tingujt e saj të magjishëm./KultPlus.com
Sot është Dita Botërore e Popullsisë. Në këtë ditë, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara tha se kjo ditë është gjithashtu një moment për të gjithë ne që të angazhohemi për të bërë më shumë për të siguruar që sistemet tona të të dhënave të kapin gamën e plotë të diversitetit njerëzor, në mënyrë që të gjithë të jenë të dukshëm, të mund të ushtrojnë të drejtat dhe të arrijnë potencialin e tyre të plotë.
Gjatë tre dekadave të fundit, shoqëritë në mbarë botën kanë bërë përparim të jashtëzakonshëm në përmirësimin e mbledhjes, analizës dhe përdorimit të të dhënave të popullsisë. Këto përparime kanë përmirësuar ndjeshëm ofrimin e kujdesit shëndetësor në nivel global, duke çuar në përmirësime thelbësore në shëndetin seksual dhe riprodhues dhe në aftësinë për të ushtruar të drejta dhe zgjedhje.
Megjithatë, komunitetet më të margjinalizuara nuk përfaqësohen si duhet në të dhëna, duke ndikuar thellësisht në jetën dhe mirëqenien e tyre.
Sipas të dhënave të OKB-së, u deshën qindra mijëra vjet që popullsia e botës të arrinte në 1 miliard dhe pastaj në vetëm 200 vite të tjera, popullsia u shtatëfishua.
Popullsia globale pritet të arrijë në rreth 8.5 miliardë në vitin 2030 dhe 10.9 miliardë në 2100.
E kaluara e afërt ka parë ndryshime të mëdha në normat e lindshmërisë dhe jetëgjatësisë. Në fillim të viteve 1970, gratë kishin mesatarisht 4.5 fëmijë secila; deri në vitin 2015, lindshmëria totale në botë kishte rënë nën 2.5 fëmijë për grua. Ndërkohë, jetëgjatësia mesatare globale është rritur, nga 64.6 vjet në fillim të viteve 1990 në 72.6 vjet në 2019.
Përveç kësaj, bota po sheh nivele të larta urbanizimi dhe përshpejtim të migrimit. 2007 ishte viti i parë në të cilin më shumë njerëz jetonin në zonat urbane sesa në zonat rurale, dhe deri në vitin 2050 rreth 66 për qind e popullsisë së botës do të jetojnë në qytete.
Këto megatendenca kanë implikime të gjera. Ato ndikojnë në zhvillimin ekonomik, punësimin, shpërndarjen e të ardhurave, varfërinë dhe mbrojtjen sociale. Ato gjithashtu ndikojnë në përpjekjet për të siguruar akses universal në kujdesin shëndetësor, arsim, strehim, kanalizime, ujë, ushqim dhe energji. Për të adresuar në mënyrë më të qëndrueshme nevojat e individëve, politikëbërësit duhet të kuptojnë se sa njerëz jetojnë në planet, ku janë, sa vjeç janë dhe sa njerëz do të vijnë pas tyre./atsh/KultPlus.com
Kalendari zyrtar i OKB-së e rendit 11 Korrikun si “Ditën Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të 1995 në Srebrenicë”. Rezoluta i referohet fakteve nga aktgjykimet e Gjykatës Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë, Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe gjykatave vendase.
Lufta që pasoi shpërbërjen e ish-Jugosllavisë mori më shumë se 100,000 jetë në Bosnje dhe Hercegovinë midis 1992 dhe 1995, kryesisht të myslimanëve boshnjakë dhe zhvendosi më shumë se dy milionë të tjerë.
Masakra në Srebrenicë shënoi një nga kapitujt më të errët të asaj lufte.
Në korrik 1995, ushtria serbe e Bosnjës pushtoi Srebrenicën, e shpallur më parë një zonë e sigurt, duke vrarë brutalisht mijëra burra dhe adoleshentë atje. Pjesa e mbetur e popullsisë muslimane boshnjake e pranishme në Srebrenicë, rreth 25,000 gra, fëmijë dhe të moshuar, u transferuan me forcë jashtë enklavës.
Kjo ishte masakra më e madhe në Evropë që nga Holokausti.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) dhe Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (ICTY) njohën masakrën e myslimanëve boshnjakë në Srebrenicë nga ushtria e Republikës Srpska si një akt gjenocidi.
Gjenocidi la plagë të thella emocionale te të mbijetuarit, familjet e viktimave dhe shoqërinë boshnjake dhe hercegovinase në përgjithësi, duke krijuar pengesa të qëndrueshme për pajtimin midis grupeve të ndryshme etnike të vendit.
Këshilltarja Speciale e Kombeve të Bashkuara për Parandalimin e Gjenocidit, Alice Wairimu Nderitu ka shprehur shqetësimin e saj për incidentet e vazhdueshme të revizionizmit në lidhje me krimet mizore të kryera gjatë konfliktit të viteve 1992-1995, duke përfshirë mohimin e pandërprerë të gjenocidit të Srebrenicës dhe glorifikimin e kriminelëve të dënuar të luftës.
Në maj 2024, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, në një rezolutë të sponsorizuar nga Gjermania dhe Ruanda, caktoi 11 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të 1995 në Srebrenicë.
Asambleja i kërkoi gjithashtu Sekretarit të Përgjithshëm të krijojë një program informimi mbi gjenocidin e Srebrenicës në përgatitje për 30 vjetorin.
OKB dënoi më tej çdo mohim të gjenocidit të Srebrenicës si një ngjarje historike dhe u bëri thirrje shteteve anëtare që të ruajnë faktet e vërtetuara, duke përfshirë përmes sistemeve të tyre arsimore, drejt parandalimit të mohimit dhe shtrembërimit, si dhe çdo dukuri të gjenocidit në të ardhmen./atsh/KultPlus.com
Përse moj hënë argjendore, ti larg nga retë pa pushim, përmbi kanatet e dritores, vërshon të mekurin shkëlqim?
Sa herë që më shfaqesh ti, në shpirt më zgjohen shqetësime, dhe brenga plot me dhembshuri, dëshirë plot me flakërime.
Oh, ikni, ikni o kujtime! o dashuri fatkeqe fli! O, le të mos më shfaqet më, të perdja e errët në dritore, nën dritën tënde argjendore, fytyr’ e dashur si gjithnjë, fytyr’ e ëmbël engjëllore e vashës që s’do ta shoh më.
O ëmbëlsi e dashurisë, plot ledhatime, plot me gaz, plot me shkëlqim të lumturisë, a mund të kthehesh rishmez pas?
I shpejtë porsi një vegim, me ndritë ti në fluturim; U zhdukën hijet krejt papritur, se erdh agimi menjëherë, dhe ti moj hën’e ndritur në qiell u mbyte atëherë! Agimi dritën pse shpërndau? Nga vash’ e shtrenjtë pse me ndau?
Shkrimtarja shqiptare, Iliriana Rama-Allajbegu, ka botuar librin e saj “The Reunion”, si një përkushtim të fuqishëm dhe emocional për gratë e Kosovës, jetët e të cilave u shkatërruan nga lufta e fundit.
Ky roman kornizon fatet e ndërthurura të katër shoqeve të fëmijërisë – Besës, Arianës, Suzit dhe Fatimes – të cilave befas iu shkatërrohen ëndrrat dhe aspiratat nga lufta.
Autorja Iliriana Rama-Allajbegu në njoftimin e saj për daljen në treg të librit, ka thënë se është shumë e lumtur meqë ka punuar shumë për të .
“Romani është një tentim i imi i sinqertë që të shkruaj një homazh për vajzat dhe gratë e Kosovës që kanë përjetuar dhe mbijetuar luftën në Kosovë”, ka shkruar autorja në profilin e saj në ‘facebook”.
Ajo ka treguar se romanin e ka shkruar në gjuhën angleze, meqë s’ka hasur romane që janë botuar jashtë Kosovës e që e trajtojnë temën e dhimbshme të asaj se çfarë ka ndodhur në Kosovë. Iliriana Rama Allajbegu thotë se libri i saj do të jetë një mundësi edhe për të rinjtë shqiptarë që janë lindur e rritur në vende të ndryshme të botës.
Autorja e librit shpreson në përkthimin e tij në gjuhën shqipe së shpejti dhe në plasimin e librit edhe në tregun e Kosovës. Librin mund ta gjeni ne formë elektronike në Amazon.com, Barnes & Noble, Apple Books App, etj.
“Société des nations” ka botuar, me 1 janar 1923, në faqet n°46 – 47, fjalimin e mbajtur asokohe nga atdhetari, shkrimtari, diplomati dhe politikani i shquar shqiptar, z. Mit’hat Frashëri, në selinë e Lidhjes së Kombeve në Gjenevë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar.
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Zoti President. — Fjalën e ka z. Frashëri, Delegat i Parë i Shqipërisë.
Z. Midhat Frashëri (Shqipëri). – Zoti President, zonja dhe zotërinj, po ngjitem në foltore për të përmbushur një detyrë. Unë vij t’i jap llogari Shoqërisë së madhe për mirënjohjen e vendit të vogël që kam nderin ta përfaqësoj dhe që në fakt e konsideroj të lidhur me Lidhjen e Kombeve nëpërmjet lidhjeve të njohjes.
Shqipëria, zotërinj, mund të quhet ndrikull e Lidhjes së Kombeve. Ishte Lidhja e Kombeve që e ndihmoi në rilindjen e saj, e pranoi në mesin e saj dhe i mundësoi të vendoste marrëdhënie diplomatike me shtetet e tjera. Rruga që i kishte hapur Lidhja e Kombeve ishte më e lehtë më vonë, pasi ky kumbar, ose më mirë kjo kumbarë, nuk pushoi së interesuari për shtetin e vogël.
Që atëherë – mund ta pohoj këtë pa frikë se të përgënjeshtrohet – Shqipëria ka bërë çdo përpjekje për të merituar përkushtimin e Lidhjes së Kombeve. Gjendja e brendshme e saj është përmirësuar gjithnjë e më shumë, marrëdhëniet me fqinjët kanë hyrë në një fazë normale; Marrëdhëniet diplomatike janë vendosur dhe rruga që ajo duhet të kalojë i është lehtësuar kështu.
Edhe pse një nga kombet më të rinj që ka hyrë në Lidhjen e Kombeve, Shqipëria është një nga vendet më demokratike për nga kushtetuta dhe administrata e saj.Këtu mund të dëshmoj se idetë e përfaqësuara nga Lidhja e Kombeve gjejnë te shqiptarët partizanët më të bindur.Nuk janë vetëm parimet, por është pikërisht ideali që përfaqëson kjo Shoqëri, është kjo vëllazëri, ky solidaritet midis popujve që ne vijmë të konfirmojmë çdo vit këtu përsëri, të cilët gjejnë ndër shqiptarët më të bindurit.
Unë i përkas një rajoni të Evropës që ka vuajtur shumë, ndoshta ai që ka vuajtur më shumë gjatë dy dekadave të fundit.
Është ky rajon i Evropës që kishte më shumë nevojë për paqe, pajtim dhe harmoni midis elementëve të ndryshëm të tij.Popujt ballkanikë kanë filluar të kuptojnë se ka vetëm një mënyrë për të arritur prosperitetin, vetëm një mënyrë për të shkëputur zakonet e këqija të së kaluarës, sipas të cilave çdo popull përtej kufirit konsiderohej armik.Ata tashmë e kuptojnë se një solidaritet interesash të përbashkëta, materiale dhe ekonomike, madje edhe morale e intelektuale, duhet t’i bashkojë popujt dhe jo t’i ndajë ata.
Kjo ide e popujve ballkanikë mbështetet fuqishëm nga ndikimi i qeverive të tyre përkatëse. Besoj se jam interpretuesi besnik i kësaj ndjenje kur them se perspektiva e një lufte, natyrisht mjaft të largët, tmerron popujt e Ballkanit, që aspirojnë paqen. Megjithatë, të gjitha përpjekjet e tyre nuk mundën të çonin në një rezultat të shpejtë dhe të menjëhershëm.
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Ata përhapin një energji të madhe për këtë qëllim dhe atmosfera e Gjenevës, jo vetëm e këtij qyteti ku njerëzit vijnë për të shijuar lirinë fetare dhe politike, por edhe atmosferën e kësaj Shoqërie të madhe ku ne vijmë çdo vit për të rizhytur veten në idetë e vëllazërisë, bashkëpunimit dhe solidaritetit, kontribuon shumë në këtë.Kjo atmosferë e dobishme kontribuon në masë të madhe në përmirësimin e marrëdhënieve që theksohet dita-ditës.
Mirëpo, a mjafton të kufizohemi vetëm në ardhjen këtu për t’u mbushur me frymë në atmosferën e Lidhjes së Kombeve, apo nuk është ende e nevojshme të mbështesim përpjekjet e lindura nga nevojat imperative të vendeve të Ballkanit ?Dje, delegati i shquar i Greqisë foli për punën e mirë të një delegati të Lidhjes së Kombeve, i cili aktualisht kryeson zgjidhjen e vështirësive të vogla, të cilat, për fat të keq, ende ekzistojnë midis disa elementeve ballkanike.
Ky është një shembull i mirë që ilustron qartë punën e dobishme që Lidhja e Kombeve po kryen dhe do të vazhdojë të kryejë në të ardhmen.Ndërhyrja e drejtpërdrejtë e një delegati të caktuar nga Lidhja e Kombeve mund të arrijë më shumë në dy javë sesa tre vjet përpjekje të vetë popujve. Nëse shtetet ballkanike do t’i drejtoheshin Lidhjes së Kombeve, përfaqësuesit e së cilës shfaqin një frymë të madhe pavarësie dhe paanshmërie, çdo herë që do të lindte një vështirësi e vogël, për të kërkuar mbështetjen morale dhe ofiqet e mira mjaft të paanshme, ato do t’i bënin një shërbim çështjes së paqes.
Sigurisht, zona e rajonit të Ballkanit nuk është shumë e madhe, por idetë që mbretërojnë brenda Lidhjes së Kombeve janë të frymëzuara nga solidariteti i ngushtë që ekziston midis të gjitha vendeve, midis të gjitha rajoneve, të mëdha e të vogla.Kështu, të gjitha shtetet formojnë një tërësi, një trup harmonik.Sëmundja më e vogël, lëndimi më i padukshëm mund të prekë të gjithë trupin;po kështu vështirësitë e vogla, mosmarrëveshjet e vogla ndërmjet elementëve përbërës të një vendi apo rajoni mund të prekin të gjitha kombet.
Nëse hyj në këto konsiderata, është sepse duhet t’i jap llogari Lidhjes së Kombeve, si një shoqëri aksionerësh.Lidhja e Kombeve na ka investuar me kapital moral të destinuar të japë fryte. Ky kapital moral, në fakt, shpërblehet çdo vit e më shumë.
Progresi i arritur në një vend të vogël vetëm sa mund të rrisë numrin e mbështetësve të Shoqërisë sonë të madhe dhe të konsolidojë besimin që duhet të kemi në të ardhmen e saj dhe në shërbimet që ajo është thirrur të bëjë.
Të nderuar delegatë, Lidhja e Kombeve nuk lindi vetëm nga vullneti i pak njerëzve; nuk lindi vetëm nga një Pakt; përfaqëson, në sytë e popujve të vegjël që kanë filluar të ndërgjegjësohen për të drejtat e tyre, manifestimin e një ideali të ri, atë të vëllazërisë dhe mbi të gjitha të solidaritetit midis vendeve të ndryshme. (Duartrokitje.)
Lexuesit tanë ju njohin kryesisht si historian, albanolog, përkthyes dhe shkrimtar. Kush është në të vërtetë Kurt Gostentschnigg dhe cila ka qenë rruga juaj jetësore?
Për një përgjigje të kënaqshme nuk ka mjaft vend në këtë format. Prandaj u rekomandoj lexuesve që të informohen lidhur me këtë pyetje në intervistën time për revistën “Jeta e Re” (viti 2005; e botuar në internet: Zemra Shqiptare, 2012) dhe në artikullin tim “Shtegtime në malësinë shqiptare. Refleksione kontemplative të një albanologu”, të botuar në 15 gazeta dhe revista shqiptare në vitin 2018 (“Tema”, “Gazeta Shqiptare”, “Voice of Albanians”, “Dielli Demokristian” etj.). Ndryshe – pa kontekstin e mendësisë spirituale dhe të terminologjisë së përdorur nga ana ime – do të ketë vetëm keqkuptime të panevojshme. Siç ka thënë shkrimtari francez Antoine de Saint-Exupéry: gjuha është burimi i të gjitha keqkuptimeve. Dhe gjuha lidhet me mendësinë.
Studiuesit gjermanishtfolës kanë qenë më të përkushtuar për të hulumtuar gjenezën e gjuhës shqipe. Cili ka qenë kontakti juaj i parë me këtë gjuhë dhe çfarë ju ka shtyrë që ta mësoni dhe të merreni me të edhe profesionalisht?
E kam dëgjuar gjuhën shqipe për herë të parë gjatë ekskursionit të Institutit të Historisë së Evropës Juglindore të Universitetit të Graz-it në Shqipëri dhe Kosovë në vitin 1989 dhe kam rënë që në çastin e parë në dashuri me këtë gjuhë të mrekullueshme, e cila deri më sot ka mbetur e dashura ime. Në verë të vitit 1990 kam filluar të mësoj gjuhën shqipe në mënyrë autodidakte pa pasur mundësi të pyesja dikë për paqartësitë e metodës. Vështirësitë nuk i kam ndierë si të tilla, sepse kur je i dashuruar, je njëkohësisht i verbër për tekat e së dashurës.
Pas ndryshimeve demokratike në Shqipëri ju keni jetuar dhe punuar gjithsej 11 vite midis 1993 dhe 2011 si lektor në universitetet e Tiranës dhe Shkodrës. Cilat janë përshtypjet tuaja nga kjo kohë?
Shqiptarët – dhe këtu hyjnë për mua edhe shqiptarët e Kosovës – janë mikpritës, familjarë dhe emocionalë. Në Shqipëri unë kam njohur shumë njerëz me zemër të madhe. Por është medalje me dy anë: aq sa të dashurojnë po aq dhe të urrejnë. Unë që kam nevojë për qetësi për punën time, ndihesha shpesh i bezdisur nga zhurma, spontaniteti dhe mungesa e organizimit dhe disiplinës. Sipas përvojës dhe mendimit tim, Shqipëria dhe Kosova kanë këto probleme kryesore: dallimi në rritje midis të pasurve dhe të varfërve, korrupsioni në të gjitha nivelet e shoqërisë, krimi i organizuar, emigracioni i të rinjve dhe armiqësia e betuar me serbët dhe grekët. Kështu të dy shtetet mbeten në vend numero. Qeveria nuk është në shërbim të popullit, por në shërbim të dikujt tjetër. Ndiqe gjurmën e parasë … Për mënjanimin e problemeve – ku ka vullnet, ka rrugë – ka shembuj suksesi dhe zgjidhjeje. Le të marrim krimin e organizuar dhe korrupsionin me anë të sistemit partiak. Kështu presidenti i ri i El Salvadorit, Nayib Bukele, ka bërë vendin e tij brenda pak viteve pa ndihmë të jashtme nga vendi më i rrezikshëm në botë në vendin më të sigurtë në hemisferën perëndimore, duke eliminuar MS-13 satanik në një operacion ushtarak me ndihmën e Zotit. Shteti i Thellë, i cili kontrollon shumicën e qeverive të botës, ka frikë tani që vende të tjera e ndjekin këtë shembull. Saksonët e Lirë në Gjermani, fillimisht një lëvizje popullore në landin Saksoni, kanë themeluar një parti, e cila kërkon heqjen e sistemit partiak, sepse ky u shërben më shumë pushtuesve sesa qytetarëve. Përtej skemës partiako-politike të pozicioneve ekstreme majtas-djathas duhet të qëndrojnë interesat e njeriut në mes. Pse jo përfaqësim direkt i këtyre interesave njerëzore pa ndërmjetësim partiak? Ende nuk ka një lëvizje të fortë patriotike as në Shqipëri as në Kosovë, siç ka me partinë AfD në Gjermani dhe me partinë FPÖ në Austri. Për mendimin tim, kjo ka të bëjë me emigracionin prej dekadash dhe me refuzimin e kthimit në atdhe për shkak të mungesës së perspektivave në vendlindje.
Punimi juaj i doktoratës ka të bëjë me gërshetimin e politikes me shkencën në shembullin e albanologjisë austro-hungareze. Çfarë ju motivoi që të shkruani pikërisht për këtë temë?
Këtë temë e kisha marrë në vitin 1988 nga udhëheqësi im i diplomës dhe më vonë i doktoratës Karl Kaser. Vetëm me kalimin e kërkimeve të mia shumëvjeçare në këtë fushë realizova rëndësinë dhe aktualitetin e kësaj teme. Shihni shembullin e plandemisë së koronës dhe të luftës në Ukrainë. Narrativat e ndryshme shkencore dhe publicistike ndikohen nga interesat politike dhe ushtarake. Rrallkush guxon të ofrojë të dyja anët e medaljes, sepse duhet të llogarisë pasojat negative.
Në vitin 2018 ju keni botuar librin voluminoz me titull ‘‘Shkenca në fushën tensionuese të politikës dhe ushtrisë. Albanologjia austro-hungareze 1867-1918’’. A mund të na tregoni shkurt përmbajtjen e tij?
Monografia ime ofron për herë të parë një paraqitje përmbledhëse të të gjitha marrëdhënieve austro-hungaro-shqiptare në shkencë, politikë, ekonomi, ushtri dhe kulturë si dhe një përpjekje të rikonstruksionit të fushave “shkencë/albanologji”, “politikë”, “ushtri” dhe “austrofilë” sipas teorisë së fushës të Pierre Bourdieu-s. Ky studim i përgjigjet pyetjes së lidhjes së shkencës, politikës dhe ushtrisë në këto marrëdhënie bilaterale duke zbatuar teorinë e imperializmit kulturor të Johan Galtung-ut, emërton aktorët individualë dhe kolektivë të fushave të lartpërmendura, tematizon perspektivat e tyre, tipizon aktorët individualë si dhe përmban një tematizim të ndërveprimit të fushave dhe një rikonstruksion të së ashtuquajturës „fushe të pushtetit“.
Ju jeni edhe anëtar nderi i Lidhjes se Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri ‘‘Aleksandër Moisiu’’, si dhe keni marrë pjesë dhe keni lexuar në disa orë letrare të organizuara nga kjo shoqatë. Cili është mendimi juaj për letërsinë shqipe të shkruar në mërgatë në përgjithësi dhe në Austri në veçanti?
Në dekadat e fundit kam lexuar kryesisht vepra historiko-albanologjike dhe vepra letraro-spirituale. Prandaj, për sa i përket letërsisë shqipe, unë njoh vetëm veprat, të cilat i kam përkthyer. Gëzohem gjithmonë, kur mund të përkthej poezi me rima. E adhuroj Lasgush Poradecin, sepse vetë preferoj të shkruaj poezi me rima.
Ju keni përkthyer një numër të madh librash, qoftë romane apo përmbledhje me poezi, nga gjuha shqipe në atë gjermane. Cilat janë sfidat e përkthimit të teksteve letrare sot dhe cili është mendimi juaj për inteligjencën artificiale (AI)? A mund ta zë ajo në të ardhmen rolin e përkthyesit?
Problemi kryesor – veçanërisht për përkthimin e teksteve profesionale – është mungesa e fjalorëve profesionalë me terminologjinë e duhur. Fjalorët ekzistues shqip-gjermanisht dhe gjermanisht-shqip janë të vjetëruar dhe nuk përfaqësojnë gjendjen aktuale të fjalëve. Inteligjenca artificiale më e mirë, e cila ende fshihet nga publiku, mund të zëvendësojë përkthyesin nga ana sipërfaqësore, por jo nga ana e thellësisë shpirtërore. Njerëz të ndjeshëm dhe të zhvilluar spiritualisht dinë se cili përkthim është kryer nga inteligjenca artificiale dhe cili nga një njeri. Varet nga ajo çfarë kërkon.
Kohëve të fundit ju keni botuar një manifest për një ‘‘albanologji te re’’ ku keni hedhur idenë e themelimit të një shoqate shkencore, e cila me kalimin e kohës do të transformohej në një institut të mirëfilltë albanologjik. Në lidhje me këtë keni përpiluar edhe statutin e saj. Përse konsideroni se kjo është e nevojshme dhe cila do të ishte fushë-veprimtaria i këtij instituti?
Gjithçka shpjegohet në artikullin tim “Manifest për një albanologji të re”, të botuar në mediat shqiptare Tema, Kultplus dhe Albinfo. Në sistemin e vjetër, në të cilin ende jetojmë, nuk ka liri të vërtetë për shkencën. Prandaj ne duhet të krijojmë një sistem të ri, ku shkenca është e pavarur nga ndikimet politike dhe ideologjike dhe mbi drejtimin, temën dhe metodën e kërkimit nuk vendos paradhënësi – qeveria, banka, fondacioni, organizata joqeveritare –, por paramarrësi – instituti kërkimor, kërkuesi. Fusha e veprimit e një instituti të tillë albanologjik do të ishte e gjithanshme, d.m.th. jo vetëm gjuha dhe letërsia, por historia, gjuhësia, etnografia, gjeografia, arkeologjia, filozofia etj.. Ka pasur një nismë shqiptare në Graz, në të cilën kam marrë pjesë dhe për të cilën kam hartuar statutet. Por vizioni im lidhur me këtë nuk ka gjetur resonancë, kështu që jam tërhequr nga ky projekt. Për arritjen e idealit duhen bërë nganjëherë sakrifica personale, për të cilat askush nuk di. Por çdo gjë ka një kufi, derisa realiteti është ashtu si është. Kush digjet nga qumështi, i fryn kosit. Me njerëzit e duhur, me financimin e duhur dhe me përkushtimin e duhur ndaj qëllimit të lartë të përbashkët do të isha i gatshëm të jepja kontributin tim sipas mundësive të mia, qoftë vetëm si këshilltar, botues dhe kumtues. Ndoshta vizioni im realizohet në një vend tjetër në një kohë tjetër nga një brez tjetër me një koshiencë më të hapur …
Cilat janë projektet tuaja aktuale, sidomos ato letrare, dhe çfarë mund të presin lexuesit në një të ardhme të afërt nga ju?
Punoj si përkthyes dhe mësues për gjuhën gjermane për të huajt, prandaj nuk kam shumë kohë në dispozicion për gjëra të tjera. Por kur gjej kohë, shkruaj poezi me rima, punoj në vëllimin e dytë të trilogjisë “Dielli Një-Shumë i Dashurisë. Shpalosja e Hyjnores në kohë dhe hapësirë” dhe që prej katër vitesh në librin tim “Fëmijëve tanë. Lufta e narrativave rrugës drejt jetës hyjnore”. Përveç kësaj botoj herë pas here artikuj publicistikë në gjermanisht dhe shqip mbi tema aktuale.
Cila do të ishte porosia juaj për lexuesit tanë, duke pasur parasysh se gazeta jonë (Albinfo) është e vetmja e këtij lloji në Austri, dhe e cila lexohet dhe komentohet nga mijëra bashkatdhetarë tanë në këtë shtet mik, sidomos nga gjeneratat e reja, me synim integrimin e tyre sa më të mirë në shoqërinë vendase?
Gjenerata e re shqiptare dhe kosovaro-shqiptare në Austri dhe kudo në diasporë duhet të marrë një vendim personal: ose integrim i plotë në shoqërinë e vendit ku jetojnë, ose ruajtje e identitetit shqiptar dhe kontribut patriotik në zhvillimin e atdheut, mundësisht me anë të kthimit në vendlindje. Fjalë të bukura nuk mjaftojnë, duhen vepra dhe sakrifica personale. Atdheu dhe kombi janë në rrezik të madh. Këtu unë nuk e kam fjalën vetëm për Shqipërinë dhe Kosovën, por edhe për Austrinë, Gjermaninë dhe Zvicrën. Rreziku ekzistencial për kombin austriak dhe kombin gjerman është imigracioni i shfrenuar i të huajve dhe sidomos i ilegalëve kriminelë dhe fetaro-fanatikë, të cilët janë kundër kulturës, zakonit dhe fesë vendase dhe nuk duan të integrohen, por të shkatërrojnë shoqërinë e vendit. Rreziku ekzistencial për kombin shqiptar (dhe kombin kosovar, në qoftë se ekziston tashmë një koshiencë e tillë ndër brezat e rinj të Kosovës; unë personalisht ndihem si patriot austriak shumë i afërm me kombin gjerman) është emigracioni i tepruar prej dekadash i të rinjve, të cilët nuk duan të kthehen më në atdhe për shkak të mosbesimit në mundësinë e zhvillimit të vendlindjes. Kështu të dy fenomenet – imigracioni dhe emigracioni – mund të shkatërrojnë një komb në afat të gjatë. Unë nuk e dua këtë për kombin tim. A e duan këtë shqiptarët për kombin e tyre? Duhet hedhur në veprim, duke emërtuar shkaqet dhe marrë masat./ KultPlus.com
Presidentja Vjosa Osmani aktualisht ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku po merr pjesë në Forumin për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, në kuadër të Samitit të NATO-s. Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, e pyetur për dialogun me Serbinë, presidentja tha se duhet të zbatohet paralelisht nga dy shtetet Marrëveshja Bazike, në të kundërtën për tërheqjen e Serbisë tha se Kosova nuk mundet të zbatojë marrëveshjen si vullnetare pa marrë garanci nga shtetet partnere.
“Nëse jemi të bindur që Serbia nuk do të zbatojë pjesën e saj të marrëveshjes, duhet t’i rikthehemi strategjisë së viteve 2007-2008 në kohën kur bëhej marrëveshje për statusin e Kosovës. Marrëveshja jonë ka qenë dakordimi me partnerët jo me Serbinë, sepse Sebia nuk e donte Ahtisarin. Neve na duhet një dakordim i tillë, na duhen garancat e sigurisë, mbështetjen ndërkombëtare, anëtarësim në organizata ndërkombëtare, si projekt që sjell më shumë paqe dhe siguri në Rajon”, tha Osmani për Zërin e Amerikës, transmeton Gazeta Express.
Ajo shtoi se Kosova insiston të ketë zbatim paralel të Marrëveshjes Bazike.
“Sa më shumë të ketë suksese në Dialog aq më shpejtë Kosova do të bëjë hapa drejt BE-së dhe NATO-s, por duhet ta bëjmë një gjë të qartë në çdo marrëveshje janë dy palë dhe është parim bazik i të drejtës ndërkombëtare që nëse një palë tërhiqet nga marrëveshja atëherë pala tjetër nuk ka asnjë detyrim që të zbatojë pjesën e saj të marrëveshjes. Ajo çfarë po inistojmë ne është që jo të ikim nga obligimet tona, por të ketë zbatim paralel të marrëveshjes së arritur në Bruksel e njohur si Marrëveshja Bazike ku ka obligime për Kosovën disa prej të cilave kanë qenë konsecione të vështira, por ka edhe obligime të qarta për Serbinë, që nëse merren në tërësinë e saj konstituojnë njohje defacto të Republikës së Kosovës, siç është potencuar qartë edhe nga liderët evropianë. Pra nuk mundet Serbia të tërhiqet dhe nuk po e zbatojnë marrëveshjen dhe ne të ofrohemi si vullnetarë që gjithçka të zbatojmë pa marrë siguresa në anën tjetër”, u shpreh Osmani.
Sipas Osmanit, “Dialogu Kosovë-Serbi, nuk është e tërë marrëdhënia Kosovë-Amerikë, mos ta reduktojmë raportin special ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së vetëm në atë se çfarë ngjanë në dialogun Kosovë-Serbi. Natyrisht është aspekt i rëndësishëm për sigurinë në rajon dhe të ardhmen tonë Euroatlantike që të ketë sukses në procesin e dialogut dhe kjo është arsyeja e insistimit të vazhdueshëm të SHBA-së dhe aleatëve tonë tjerë”.
Osmani foli edhe për aktivitetet që po i mban në kuadër të Samitit të NATO-s.
“Në këtë 75-vjetor të NATO-s që padyshim është ngjarje historike për të gjitha shtetet anëtare dhe shtetet që kanë përfituar sa i përket paqes dhe sigurisë. Për Kosovën është dyfish përvjetor i veçantë për shkak se është edhe 25 vjetori i hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë të udhëhequra nga SHBA…”, u shpreh Osmani.
“Ka qenë kaq me rëndësi që për herë të parë në histori Kosova të ftohet në aktivitete në kuadër të Samitit të NATO-s dhe jemi shumë mirënjohës për punën e bërë nga zyra e sekretarit Blinken dhe në përgjithësi Qeveria amerikane që Kosova të jetë në qendër të vëmendjes së këtyre të arriturave sidomos për “Gratë, Paqen dhe Sigurinë”, u shpreh presidentja, transmeton Express.
“Me Blinken diskutuam për të arriturat e Kosovës, pata mundësinë t’iu shpreh falënderimet e popullit të Kosovës për të gjitha që ka bërë Amerika dhe për sfidat që i kemi përpara që duhet t’i zgjedhim bashkërisht”.
Po ashtu Osmani tha se pati takime me numër të madh senatorësh dhe kongresistë që e kanë përkrahur Kosovën.
“Diskutuam për rrugën përpara”, tha Osmani duke iu referuar takimeve me senatorët. /Gazeta Express/ KultPlus.com
Kryeministri Albin Kurti, masakrën e Srebrenicës e ka cilësuar si paralajmërim të projektit gjenocidal serb në Kosovë.
“Çdo përvjetor është dhimbje që ripërtërihet jo vetëm për popullin boshnjak por edhe për ne popullin e Kosovës, që 25 vjet më parë kemi përjetuar tmerrin e luftës. Masakra në Srebrenicë krahas së qeni dëshmi e terrorit të regjimit të Millosheviqit në Bosnje e Hercegovinë, ishte edhe paralajmërim i projektit gjenocidal të Serbisë në Kosovë”, ka thënë Kurti gjatë ceremonisë përkujtimore të Srebrenicës, e cila u mbajt në Institutin e Historisë në Prishtinë.
Ai ka thënë se kjo masakër ka lënë plagë të hapura në ndërgjegjen e njerëzimit, teksa ka thënë se regjimin e Millosheviqit e ka përjetuar edhe Kosova. Njësoj si në Bosnje e Hercegovinë, Kurti ka thënë se edhe në vendin tonë ka familje të cilët ende e ndjejnë dhimbjen e luftës, duke përmendur masakrën e familjes Bogujevci, ku mbetën të vrarë 14 anëtarë të familjes, ndërkaq nënkryetarja e tanishme e Kuvendit, Saranda Bogujevci i mbijetoi masakrës.
“Serbia nuk u mbajt përgjegjëse asnjëherë. Derisa familjet kërkojnë ende eshtrat e të dashurve të tyre, Serbia refuzon të kërkojë falje ose madje të pranojë të kaluarën e saj gjenocidale…Teksa vazhdon mohimin e gjenocidit dhe glorifikimin e luftës, pasardhësit politik të Millosheviqit që udhëheqin me Serbinë, ringjallin ambiciet e saj ekspansioniste ndaj Bosnje e Hercegovinës e ndaj Kosovës”, ka deklaruar kryeministri.
Zëvendëskryeministrja nga radhët e komunitetit boshnjak, Emilja Rexhepi, ka thënë se gjenocidi ndaj popullit boshnjak ka ndodhur sepse Serbisë nuk i ka pëlqyer përkatësia e tyre kombëtare ose fetare.
“Srebrenica është bërë simbol i dhimbjes njerëzore. Jetët e pafajshme janë shuar dhe kanë lënë zbrazëti të cilat asnjëherë nuk mund të plotësohen. Fëmijët kanë mbetur pa baballarët e tyre, nënat kanë humbur djemtë, bashkëshortet kanë mbetur pa bashkëshortët. I tërë komuniteti ka qenë i thyer”, ka thënë ajo.
Festivalit Ndërkombëtar i Filmit të Animuar, “Anibar” ka njoftuar se pjesë e edicionit të 15-të të festivalit do të jetë animatori i famshëm amerikan, Mike Hollingsworth.
“Mike Hollingsworth do të ndajë me audiencën e Anibar rrugëtimin e tij të jashtëzakonshëm, nga krijimi i animacioneve të shkurtra për festivale, ashtu si Anibar, deri te ndihma për të krijuar serialin e parë të animuar të Netflix, “BoJack Horseman”. Gjatë prezantimit të tij, “From Animation Festivals to Hollywood AND THEN BACK TO FESTIVALS!”, Mike do të tregojë sesi aftësitë që ai mësoi duke krijuar animacione të pavarura e ndihmuan të ngrihej shpejt në industrinë e animacionit” thuhet në njoftim.
Mike Hollingsworth u bë animatori i parë i punësuar nga Netflix kur drejtoi episodin pilot të “BoJack Horseman” në vitin 2013. Ai mbikëqyri prodhimin e të gjitha gjashtë sezoneve si regjisor mbikëqyrës dhe më vonë si bashkë-producent ekzekutiv.
“BoJack Horseman” arriti një sukses të madh kritik, duke u renditur si seriali më i mirë origjinal i Netflix të të gjitha kohërave nga Thrillist dhe Uproxx, ndërsa IndieWire e quajti “BoJack Horseman” serialin më të mirë të animuar të të gjitha kohërave. BBC e deklaroi “BoJack Horseman” si “animacionin më të mirë të shekullit 21”.
Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Animuar Anibar do të mbahet nga data 15 deri më 21 korrik në qytetin e Pejës, dhe pritet të sjellë një përvojë të veçantë për të gjithë dashamirësit e animacionit. / KultPlus.com
Një tjetër varr monumental është zbuluar në hyrje të Parkut Arkeologjik të Amantias.
Lajmin e dha kryeministri Edi Rama, i cili u shpreh se kjo është një dëshmi e gjallë e ekzistencës së qytetërimeve të lashta ilire dhe një vlerë e shtuar e trashëgimisë e historisë sonë, që shumë shpejt do të jetë pjesë e tureve dhe guidave turistike.
Rama shtoi se, gërmimi arkeologjik u bë nga një ekip arkeologësh dhe restauratorësh të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Vlorë, të cilët zbuluan dhe dokumentuan edhe varre të tjera me tjegulla, të së njëjtës periudhë, ndërkohë që po hartojnë edhe një projekt restaurimi dhe muzealizimi për monumentin e gjetur.
Varret monumentale kanë një arkitekturë të veçantë dhe histori mijëravjeçare.
Ekzistenca e këtij varri është pretenduar gjatë gërmimeve arkeologjike të shpëtimit të realizuara në vitin 2020, kur u zbulua varri i parë monumental në atë territor.
Brenda hapsirës së varrit monumental me blloqe guri, është ndërtuar një varr me muraturë tulle. Nga elementet e tjerë të zbuluar, tërheq vëmendjen suvatimi i hapësirës së brendshme të dhomës së varrimit.
Objektet e zbuluara janë kryesisht enë qeramike të fragmentuara, pak enë të plota, enë qelqi të fragmentuara, si dhe objekte metalike, ku një pjesë e madhe përbëhet nga gozhdë.
Përreth varrit monumental, u gjetën dhe dokumentuan edhe varre të tjera me tjegulla, të së njëjtës periudhë. Krahas masave paraprake të konservimit, specialistët e DRTK Vlorë po hartojnë edhe një projekt restaurimi dhe muzealizimi për monumentin./atsh/ KultPlus.com