Gjendet në Botsvana një nga diamantet më të mëdhenj në botë

Një nga diamantet më të mëdhenj në botë të zbuluar ndonjëherë, një gur prej 2 492 karatësh, është gjetur në Botsvana, njoftoi sot ‘’Lucara Diamond Corp’’, kompania kanadeze e minierave që zbuloi këtë perlë.

Diamanti u gjet në minierën Karowe, në verilindje të Botsvanës, rreth 430 kilometra nga kryeqyteti Gaborone.

Kompania nuk e bëri të ditur vlerën e diamantit dhe as nuk dha detaje për cilësinë e tij.

Për sa i përket karatëve, guri është një rival i denjë i diamantit më të madh të nxjerrë ndonjëherë, Cullinan prej 3 016 karatësh, i zbuluar në Afrikën e Jugut në 1905.

“Ne jemi të emocionuar me rikuperimin e këtij diamanti të jashtëzakonshëm 2 492 karatësh”, tha presidenti i kompanisë, William Lamb.

“Një nga diamantet më të mëdha të zbuluar ndonjëherë dhe u zbulua falë teknologjisë me rreze X të kompanisë ‘Mega Diamond Recovery’’, shtoi ai./KultPlus.com

Nuk mbyllem dot

Poezi nga Fatos Arapi

S’kam fuqi më as të trishtohem
Jemi anije pa spirancë
Mes erërave të egra të kundërta.
Peshqit Ilafazanë shurdhojnë qiellin
Më jepni ju një copë ironie,
Se nuk e gjej dot në veten time,-
Një copëz ironie
Sa gjysmëz e krahut të zogut,-
Të mbrohem nga shirat e verdhë
Të predikimeve të apostujve të lajthitur.

Të gjithë na kanë faj dhe askush:
Deshëm të krijohemi në asgjësimin tonë
Tani gjithë dritaret e shpirtit
Janë hapur, bymyer e kalbur
Nga shirat e lotëve,-
Dhe s’mbyllen më dot.
Mund të hyjë kush të dojë./KultPlus.com

Shitet për 630 000 dollarë kapela e Harrison Ford nga filmi ”Temple of Doom”

Kapela e mbajtur nga ylli i Hollivudit, Harrison Ford në filmin e  Indiana Jone’s ”Temple of Doom” është shitur në ankand për më shumë se gjysmë milioni dollarë, sipas BBC.

Kapela ngjyrë kafe, që u shfaq në filmin e parë të Indiana Jone’s, ”Raiders of the Lost Ark”, u shit për 630 000 dollarë.

Kapela u prodhua nga kompania ”Herbert Johnson Hat” e Londrës dhe astari i brendshëm përmbante inicialet me monogram ari “IJ” (Indiana Jones)./KultPlus.com

Kryeveprat letrare, të urryera nga shkrimtarët e mëdhenj

Përgatiti: Armin Tirana

Nuk është e lehtë të thuash se diçka nuk na pëlqen kur të gjithë e pëlqejnë. Rreziku është se mos akuzohemi se nuk kuptojmë apo deri për mendjemadhësi: si guxon ta shprehësh opinionin tënd mjeran kur është e qartë se do të përplaset me murin e përjetësisë që mbron kryeveprat? Dhe, mbi të gjitha, kush guxon se je? Në Literary Hub, Emily Temple ka hartuar një prej listave të saj fantastike. Ka listuar 14 kryeveprat më të urryera nga kush që në fakt kishte plotësisht të drejtën për t’u shprehur: gjenitë e padiskuteshëm të letërisisë.

Kryeveprat: shpesh shfaqen menjëherë, nganjëherë kalojnë pa u vënë re për një farë kohe, të tjera e kalojnë provimin e elitës, por jo të masës. Gjithsesi, herë a vonë, zbulohen dhe forcohen mbi piedestalin e tyre dhe qëndrojnë aty, të palëvizur. Do të jetë edhe për këtë, pasi nuk ka asnjë rrezik për t’i gërvishtur, se do të ishte e bukur që herëpashere të bëhej ushtrimi i vëzhgimit me shikimin e paturpshëm e shkrimtarëve të renditur këtu, duke u stërvitur për të zvilluar një mendim kritik më kurajoz. Por fjalët e këtyre autorëve na kujtojnë edhe sa është e rëndësishme të mos kihet frikë për të gjykuar bashkëkohësit tanë dhe shprehur pa frikë opinionet tona. Më e keqja që mund të na ndodhë? Nëqoftëse do të bëhemi gjeni, Emily Temple do të na fusë në ndonjë prej listave të saj. Në rast të kundërt, askush nuk do të kujtohet.

Virginia Woolf, Uliksi

Kështu shprehet shkrimtarja më e madhe e të gjitha kohërave kur vjen puna për kryeveprën e James Joyce: «Më është dukur një libër i pakulturuar, i trashë. Libri i një punëtori autodidakt dhe të gjithë e dimë sesa mund të jenë stresues, egocentrikë, këmbëngulës, të jashtëzakonshëm dhe, në analizë të fundit, të shpifur».

Dorothy Parker, Winnie the Pooh

Në kolumnen e saj të 20 tetorit 1928 tek New Yorker, Parker përcjell dialogë të tërë nga libri i A. A. Milne, duke ju përqeshur personazhet dhe të folmen e tyre.

Charlotte Brontë, Krenari dhe paragjykim, Ema

Brontë e kishte për vdekje me Jane Austen dhe i kritikoi si Krenari e paragjykim, ashtu edhe Emën. Në vitin 1848 i shkruante e dëshpëruar G.H. Lewes: «Pse ju pëlqen kaq shumë Mis Austen? Gjëja më le vërtet pafjalë».

Mark Twain, Krenari dhe paragjykim

Duhet thënë se e kishte me të edhe Mark Twain: «Nuk kam asnjë të drejtë t’i kritikoj librat, e bëj vetëm kur i urrej. Shpesh kam dëshirë të kritikoj Jane Austen, por librat e saj më tërbojnë aq shumë, sa që nuk arrij as ta kamufloj tërbimin dhe kështu që e lë fare më përpara akoma sesa të filloj».

Aldous Huxley, Në rrugë

Duke folur pë klasikun e shkruar nga Jack Kerouac, autori i një prej kryeveprave më të mëdha të fantashkencës (Bota e re) fiton çmimin për shprehjen më lezetshme: «Pak më vonë kam filluar të mërzitem. Dua të them, rruga më është dukur tmerrësisht e gjatë».

Katherine Mansfield, Shtëpia Howard

Në vitin 1917, e mbrojtur nga faqet e ditarit të saj, Mansfield ia lejon vetes që ta kritikojë librin e E. M. Forster nëpërmjet përdorjes së një metafore të veçantë. «Nuk arrin të shkojë më tej, kufizohet duke ringrohur çajnikun. Është shumë i zoti në këtë. Dëgjoje këtë çajnik: A nuk është i ngrohur shkëlqyeshëm? Po, por nuk do të ketë asnjë çaj».

Martin Amis, Don Kishoti

Sipas Amis, leximi i kryeveprës së Miguel Cervantes mund të krahasohet me një vizitë të papërcaktuar të «kushëririt më tw pamundur të moshuar, me të gjitha difektet e tij, zakonet e pështira, remineshencat e pandalshme dhe shokët e tmerrshëm të fëmijërisë».

David Foster Wallace, American Psycho

Në një intervistë me Larry McCaffery të botuar në revistën Review of Contemporary Fiction në vitin 1993, Wallace kapet keq me Ellis: «Për pak e nxjerr në plan të dytë në mënyrë të pacipë sadizmin e publikut, por në fund është e qartë se objekti i vërtetë i sadizmit është vetë lexuesi». Kur intervistuesi e mbron, ai i përvishet më keq: «Po demonstron pikërisht llojin e cinizmit që u mundëson lexuesve të manipulohen nga të shkruarit e keq». Është fillimi i një debati letrar midis të dyve që ka vazhduar edhe pas vdekjes së Wallace.

Elizabeth Bishop, Seymour – Një hyrje

Bishop nuk ia përton ta thotë: «E kam urryer historinë e Salinger», shkruan në një letër. «Më janë dashur ditë ta lexoj dhe më është dashur ta bëj me maturi, nga një faqe, nga një faqe, duke u skuqur nga sikleti për secilën prej shprehjeve të tij qesharake».

Mary McCarthy, Franny dhe Zooey

Vështirë të mos e çmosh këtë kryeveprën tjetër e Salinger. Megjithatë, dikush ia ka arritur. Kështu, McCarthy, që i kritikon praktikisht çdo gjë dhe nuk arrin të përtypë as vetëvrasjen finale: «Pse vret veten Seymour? (…) Ndoshta sepse ka gënjyer, ndoshta autori i tij ka gënjyer, gjithçka ishte e tmerrshme, bile edhe ai ishte mashtrim?».

H.L. Mencken, Gatsby i madh Gatsby

Debuton kështu në reçensionin e tij për romanin e mrekullueshëm të F. S. Fitzgerald në Chicago Sunday Tribune e vitit 1925: «Në formë, libri i ri i Fitzgerald nuk është asgjë më shumë se një anekdotë e glorifikuar. (…) Natyrisht, kjo histori është e parëndësishme».

Vladimir Nabokov, Doktor Zhivago, Vëllezërit Karamazov, Krim dhe ndëshkim, Finnegans Wake

Por urryesi më i flaktë dhe më i zellshëm i të gjithëve është i madhi Nabokov: jepini një klasik dhe ai do t’ua çmontojë copa copa. Pasternakut i lavdëron poezinë, por i kritikon prozën: Doktor Zhivago nuk i pëlqen aspak (një roman me një banalitet provincial), konsideron si librat më të rëndësishëm të Dostoevskij veprat e tij më të këqija (të mërzitshme, konfuze), dhe shprehet lidhur me eksperimentin e Joyce me këtë shprehje, që në vetvete është kryevepër: «E urrej Finnegans Wake, në të cilën rritja kanceroze e indeve të fjalëve fantastike nuk arrin pikërisht që të ngjallë harenë e tmerrshme e folklorit dhe alegorinë e lehtë, tejet të lehtë». /KultPlus.com

Diskutimi i Sislej Xhafës në Seminar: Një reflektim filozofik mbi artin dhe lirinë

Nga: Ilir Muharremi, kritik i artit

Arti, shpesh herë, shfaqet si një enigmë e thellë që i shpëton kuptimit të zakonshëm dhe ngërthen më shumë përjetim sesa analizë intelektuale. Nëse përpiqemi të kapim esencën e tij, kuptimin dhe arsyen, ndonjëherë përfundimi është i njëjtë me marrëzinë. Njerëzit zakonisht i shprehin mendimet e tyre përmes fjalëve, për të konkretizuar dhe sistematizuar botën e tyre të brendshme, ndërsa artistët, si udhëtarë të shpirtit, lundrojnë në thellësitë e pafundme të përjetimeve dhe emocioneve, të ndriçuar nga drita e së bukurës.

Sislej Xhafa, artist, mendimtar dhe filozof i thellë, në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, sjell një reflektim të thellë mbi natyrën e artit dhe rolit të filozofisë në krijimin e tij. Në këtë kontekst, arti nuk është thjesht një formë estetike, por një mjet për të kapur nuancat e së bukurës që i japin shpirtit një përvojë të thellë dhe intime. Xhafa e sheh poezinë si një lëndë që ndihmon në ndërtimin e mendimeve dhe ndjenjave, ndërsa estetika e tij krijon një lidhje të ngushtë me filozofinë, ku çdo krijim është një reflektim i një lirie shpirtërore të robëruar, por ende të pranishme në gjendjen e vetvetes.

Në këtë kumtesë, Xhafa fillon me një poezi enigmatike të Velimir Khlebnikov: “boh, be o, bi” kënduan buzët, “veh, eh, oh mi”, kënduan shikimet”. Ky tekst është një përpjekje për të kapur thelbin e artit përmes një lloj të komunikimit të paqartë dhe të fshehtë, që ndihmon në nxitjen e një ndjenje të thellë dhe të çmendurisë në përjetimin e tij. Arti ka fuqinë të bëjë të ekzistojë atë që përndryshe do të mbetej në errësirë, duke e bërë këtë mundësi të mbijetojë nëpërmjet një ndërgjegjeje kolektive që i mbështet këto përvoja.

“Gjithmonë e kam pyetur veten se çka është liria. Ideja e lirisë është më e rëndësishme”, tha Xhafa. Ai trajton një pyetje të thellë mbi lirinë, një koncept që shpesh është i paqartë dhe kompleks. Ai ngre dyshime mbi natyrën e lirisë dhe vëren se, përmes kontaktit me botën, njeriu shpesh ndjehet i robëruar, një ndjenjë që pasqyron absurditetin e lidhjeve tona me realitetin. Nietzsche, në mënyrë provokative, sugjeron se vetëm i çmenduri mund të përjetojë lirinë e vërtetë, ndërsa Xhafa e shikon lirinë në ëndrrat dhe dashurinë, duke e konsideruar atë si një aspiratë shpirtërore që shpesh është e paqartë në përvojën tonë të përditshme.

Artistët, përmes veprave të tyre dhe përvojave të tyre unike, tentojnë të përkthejnë këtë ndjenjë të lirisë në forma të artit. Siç shkruan Sandor Petofi, “Për dashurinë jap jetën, për lirinë jap dashurinë”, duke theksuar se liria dhe dashuria janë të ndërlidhura dhe përfaqësojnë një formë të lirisë shpirtërore dhe personale. Gabriel Garcia Marquez, nga ana tjetër, e shikon lirinë si një koncept që shpesh është i lidhur me realitetin dhe mënyrat tona të interpretimit të tij, duke na bërë gjithnjë e më të panjohur dhe më të vetmuar.

Në reflektimet e tij, Xhafa shqyrton vlerën e veprës artistike si një proces të vazhdueshëm dhe dinamik, duke theksuar se një vepër artistike është një reflektim i estetikës dhe filozofisë së artistit. Sipas Nietzsche, “Sensualiteti i artistit vendos në një objekt të vetëm të gjitha gjërat e tjera që ai nderon e vlerëson dhe në këtë mënyrë e përsos një objekt, apo e ‘idealizon’ atë.” Ky proces është një ndërthurje e ndjeshmërisë dhe perceptimit që mund të prekë, shijohet dhe ndjehet në mënyra që shpesh janë më të thella se sa mund të kuptohen ose përjetohen.

Xhafa vazhdoj me një reflektim të thellë për momentet e përsosura të ekzistencës njerëzore: “Dy momente perfektë, kur njeriu lind dhe kur vdes.” Ky pohim e nxit mendimin për natyrën e jetës dhe artit, duke sugjeruar se këto janë momentet kur individi është më i përqendruar në thelbin e ekzistencës dhe ndjeshmërisë njerëzore, duke ofruar një perspektivë filozofike që i lidh këto eksperienca me thelbin e artit dhe jetës.

Veprat artistike të Sislej Xhafës shpesh janë të njohura për përzierjen e elementeve të artit vizual dhe refleksionet filozofike, duke krijuar një ndërthurje të thellë mes estetikës dhe mendimit kritik. U diskutua edhe për veprën provokatore stalla e lopëve e Xhafës. “Stalla e Lopëve” është një instalacion që imiton një stallë të zakonshme për lopë, një strukturë që në aparencë është një pjesë e përditshme dhe e zakonshme e jetës rurale. Megjithatë, përmes këtij ambienti të dukshëm të thjeshtë, Sislej Xhafa hap një portal për në një reflektim më të thellë mbi raportet e njeriut me natyrën dhe vetë natyrën e ekzistencës. Në këtë vepër, Xhafa përdor stallën si një metaforë për të shqyrtuar lidhjen e thellë dhe shpesh të ndërlikuar midis individëve dhe mjedisit të tyre. Ai e pozicionon këtë ambient të zakonshëm në qendër të reflektimit për të nxitur pyetje mbi marrëdhëniet që ndodhin përtej sipërfaqes së perceptimit të përditshëm. Ky instalacion bëhet një arenë ku ndodhin ndërveprime të përditshme që shpesh kalojnë pa u vërejtur, duke kërkuar që shikuesi të meditojë mbi mënyrat e përmbushjes dhe pasivitetit që ekzistojnë në sistemet e natyrshme dhe shoqërore. Përdorimi i stallës si objekt artistik është një akt i reflektuar që pasqyron një kritikë ndaj sistemit të shfrytëzimit dhe konsumizmit që mbizotëron në marrëdhëniet njerëzore me natyrën. Në këtë kontekst, stallë është më shumë se një strukturë funksionale; ajo bëhet një simbol i formave të ndryshme të shfrytëzimit dhe alienimit që ndodhin në sistemet ekologjike dhe ekonomike. Xhafa e përdor këtë strukturë për të ndihmuar në shpërbërjen e iluzioneve të natyrës si një resurs i pafund dhe për të hedhur dritë mbi ndikimet e shoqërisë mbi ekosistemet natyrore./KultPlus.com

TIFF, 211 filma në garë në edicionin e 22-të nga 22 deri në 28 shtator

Tirana International Film Festival shpalli sot përzgjedhjen zyrtare të filmave për edicionin e 22-të të TIFF 2024, që do të mbahet në periudhën 22-28 shtator.

Puna për përzgjedhjen e filmave në garë sipas organizatorëve ka nisur që prej tetorit 2023.

Mes 3700 aplikimeve nga 110 vende të botës, sot u paraqit lista zyrtare me 211 filma, nga të cilët 25 të metrazhit të gjatë dhe 186 filma të shkurtër.

Të gjithë filmat e përzgjedhur janë prodhuar në vitin 2023-24 dhe do të jenë premiera kombëtare, duke përfshirë shumë premiera botërore, ndërkombëtare, europiane dhe rajonale.

Filmat do të shfaqen në Kinema Millennium, Qendra e Artit AGIMI dhe Liceu Artistik.

Edicioni i 21-të i Tirana International Film Festival (TIFF) shpalli fitues duke i dorëzuar edhe “Bufin e artë” regjisorin Abbaz Amini, për filmin “Endless Borders”.

Tirana International Film Festival është një festival indipendent, prej të cilit promovohen filma autor, jo komercialë, të cilët ndryshe do ta kishin të vështirë të çanin tregun e kinemasë e distribucionit./KultPlus.com

“Folk On Tour”, koncerti shëtitës i Ansamblit Kombëtar të këngëve dhe valleve popullore

“Folk on Tour” koncerti shëtitës i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore është ndalur në Gjirokastër me një kombinim motivesh të këngëve e valleve nga i gjithë vendi.

Dinamika e eventit krijoi një atmosferë të veçantë dhe festive në zonën muzeale të qytetit.Koreografia dhe motivet e kostumeve tërhoqën më së shumti vëmendjen.

“Gjirokastra është një mikpritëse shumë e mirë e kulturës, e traditës, absolutisht jo vetëm për turistët e huaj por mbi të gjitha dhe për vendasit dhe qytetarët e Gjirokastrës. Është një kënaqësi e veçantë, këtu ndjejmë vërtet atë aromën e traditës, kulturës, mikpritjes dhe jo më kot shumë evente si FFK i Gjirokastrës organizohen në mënyrën më perfekte këtu, për ne është kënaqësi të ndajmë mbrëmjen me gjirokastritët dhe me turistët”, tha Helga Saraçi artiste.

“Ky qytet i gurtë mban me vete shumë emocion , shumë gjëra karakteristike, dhe ne ndihemi si në shtëpinë tonë për të performuar sa më mirë aq më shumë që ka edhe shumë turistë të cilëve iu pëlqen shumë folklori dhe do mundohem sado pak tja tregojmë këtë folklor”, u shpreh artistja, Emiljana Baja.

Eventet me natyrë folkun dhe traditën kanë qenë të shumta këtë verë pasi kanë qenë edhe performancat më të pëlqyera nga vizitorët. Pritet që të paktën 5 evente të ngjashme të sillen në zonën muzeale përgjatë kohës së mbetur të sezonit të lartë.

“Aktivitetet do të vazhdojnë përgjatë gushtit ndërsa shumë surpriza na presin në shtator”, tha Kristina Gushi nënkryetare e bashkisë.

Elementë të folkut të tillë si kostumografia, eksperincat e qëndisjes, isopolifonia kanë përfshirë qindra vizitorë këtë verë të cilët kanë mësuar të mbajnë iso mbi kalldrëm, të qëndisin apo gdhendin një kujtim ose të vishen si vendas./TopChannel/KultPlus.com

Baleti Kombëtar i Kosovës sjell në Prishtinë premierën “Tango Nights”

Baleti Kombëtar i Kosovës sjell në Prishtinë premierën e shfaqjes ‘Tango Nights’ të koreografës Chiara Ajkun, përcjell KultPlus.

Në vjim KultPlus  ua sjell postimin e plotë të Baletit Kombëtar të Kosovës:

Baleti Kombëtar i Kosovës, sjell në Prishtinë premierën “Tango Nights” me koreografi nga Chiara Ajkun.

“Tango Nights”, u shfaq si premierë në Neë York në maj të këtij viti në bashkëpunim me trupën amerikane Ajkun Ballet Company dhe e njëjta shfaqje, do të vihet në skenë edhe për publikun tonë.

Koreografia/Choreography: Chiara Ajkun

Asistente/Assistant: Luljeta Ademi

Kostumografia/Chosumography: Elva Bella

Balerinët/Dancers: Mërgime Morina, Jeta Musolli, Vjollca Llugiqi, Leonora Rexhepi, Besarta Shaljani, Fatmir Smani, Sead Vuniqi, Fisnik Smani, Muhamet Bikliqi, Kreshnik Musolli

Amfiteatri i Pallatit të Rinisë / Teatri Kombëtar

 Datat 03 dhe 04.09.2024

 Ora 20:00./KultPlus.com

Zbulohet në gardërobë pas 112 vitesh gazeta që tregoi për herë të parë tragjedinë e “Titanik”

Një gazetë që përshkruan pritjen e mundimshme me të cilën u përballën familjet në bordin e Titanikut është zbuluar në pjesën e pasme të një gardërobë në Angli pas më shumë se një shekulli.

Pasojat e tragjedisë, në të cilën më shumë se 1500 njerëz humbën jetën kur anija u mbyt në prill 1912, janë kapur në mënyrë tronditëse në imazhet e paraqitura në gazetën 112-vjeçare.

E datës 20 prill 1912, faqja e parë e gazetës britanike The Daily Mirror tregon dy gra në Southampton, porti anglez nga ku nisi Titaniku, në pritje të dërgimit të listës së të mbijetuarve.

Titulli i gazetës shkruan: “Një nga mijëra tragjeditë që e bëri fundosjen e Titanikut më të tmerrshmen në historinë botërore”.

Kur Titaniku nisi lundrimin më 10 prill 1912, ajo ishte anija më e madhe e pasagjerëve në shërbim dhe e konsideruar “e pathyeshme”. Vetëm katër ditë më vonë, udhëtimi i parë i Titanikut u shndërrua në një tragjedi ndërkombëtare kur anija goditi një ajsberg në Atlantikun e Veriut në orën 23:40 të 14 prillit. Anija, e cila u mbyt në më pak se tre orë, nuk kishte mjaft varka shpëtimi për rreth 2220 personat në bord.

Gazeta u zbulua në një dollap gjatë një pastrimi të shtëpisë nga ankandi Hansons, ku besohet se është mbajtur për më shumë se një shekull.

Në faqen e parë shkruhet: “Nga 903 anëtarët e ekuipazhit të Titanikut, vetëm 210 kanë mbijetuar. Kjo do të thotë tragjedi pas tragjedie për Southampton, ku jetonin shumica e burrave, sepse në këtë fatkeqësi të tmerrshme nënat humbën djemtë e tyre, gratë burrat e tyre dhe vajzat e reja të dashurit e tyre”.

Brenda, gazeta hapet në një faqe të dyfishtë me një galeri fotografish të atyre që ishin në bord.

Charles Hanson, pronar i shtëpisë së ankandeve Hansons Auctioneers, tha në një deklaratë në faqen e internetit të kompanisë se gazeta u zbulua gjatë një “pastrimi të shtëpisë” në një pronë në Lichfield, Staffordshire.

“Gazeta u gjet falë gjyshes së klientit tonë të moshuar”, tha Hanson. Ajo mbante gazeta që shënonin ngjarje të rëndësishme si kurorëzimi i mbretit George V në 1911, si dhe fundosja e Titanikut./KultPlus.com

Në beben e syve të mi

Poezi nga Rafael Alberti. 

Do t’ i mbart të pashlyer
në dy sytë e mi.
Në beben e syve të mi.

Kur të mbërrij do t’i shohin
e do thonë:
– Ka lumenj,
edhe kuaj në dy sytë e tij. 

Shpirti i peizazheve të tjerë
më ka mbetur në sy,
i përgjumur.

S’e ndieni? Ç’ujëra të largëta
e ç’kuaj të shastisur
kalojnë lehtë-lehtë në dy sytë e mi. 

Në beben e syve të mi./KultPlus.com

Tregim nga Teodor Keko

Një vit pas asaj bisede pa kokë e këmbë te bar AMERIKA, ku Fredi iu përgjërua plot afsh e passion Olianës, nën një nur indifference, por duke ndjerë diçka t’i forcohej mes këmbëve, që ajo ta mbante më në konsideratë figurën e tij dhe tjetra e nxori jashtë orbite me një përgjigje qej-mos-prishëse të huazuar nga akejtë e lashtë “këtu jemi, punë që pret…” Fredit iu shfaq në ëndërr Oliana.

Kishte shumë mistere e gjithë kjo histori. E para, sepse Fredi nuk shihte ëndrra qysh prej 30 vjetësh. E dyta, sepse ai ishte mendjembledhur dhe nuk i kthehej historirave, të cilat i konsideronte një kapitull i mbyllur. Dhe e treta, sepse ai e pati harruar Olianën fill pas asaj bisede, ku saçmet e çiftes së tij seksuale fluturuan në hava, pa e kapur gjahun.
Pse e pashë, pyeti veten, duke ndezur një cigare, si për të shtuar më tej hidhësinë e gojës, aty nga ora pesë e mëngjesit, kur ia kishte filluar lehurimës qeni i parë.

Merret vesh, s’kish kush i përgjigjej dhe, teksa u nis për në banjë, u mundua ta rikujtonte atë ëndërr të çuditshme. Iu kujtua fillimi i ëndrrës, me Olianën duke u ngjitur nëpër ca shkallina dredhore, të cilat nuk mbaronin kurrë dhe shfaqjen e saj të menjëhershme ne dhomën e tij me këmbët e bukura nën fundin e shkurtër, vithet e kërcyera lart dhe pastaj ai kthim i vrullshëm I Olianës drejt tij, me gjinjtë si dy dardha të hapur paksa buzët e shpërveshura, si t’i kishte çarë një kalim i vrullshëm thike. Ishte ironike e po e këshillonte të mos ecte më mbas femrave të veshura me minifund, kur këto ngjiteshin nëpër shkallë…

Fredi pati murmuritur i mahnitur një si biçim “nuk më bëjnë këmbët të dal para teje” dhe, si kishte zgjatur dorën, e kishte future pëllëmbën mes kofshëve të saj të ngohta e dridhëruese, duke prekur diçka të mëndafshtë. Kaq ishte dashur dhe Oliana pat rënkuar thellë e i qe futur në trup, e xhveshur në të qintën e sekondës….
Nuk mbante më asgjë, përveç atyre lëvizjeve të vrullshme, deri sa kishte përjetuar një orgazëm që e kishte zgjuar nga gjumi, si një kënaqësi e skajshme.
Pse e pashë, pyeti sërish veten i habitur dhe këtë pyetje e përsëriti deri në mëngjes, duke u përpjekur të rikujtojë copëra detajesh nga ajo skenë e fortë, deri sa arriti në një mozaik, ku gjinjtë rrinin drejt, paksa të hapur,me thithat e vogla të kuqerremë e të puprruara….

Fredi kundroi me sytë e mendjes gjithë atë mëngjes belin e ngushtë prej topmodeleje, që vinte nga ajo masa nja 96 e vitheve te jo më shumë se 60-ta, shpatullat e gjera prej notareje dhe kërthizën fare të vogël, gati të padukshme në sheshtësinë e barkut të Olianës dhe më në fund, i lodhur nga pabesia intime ëndërrore, vendosi t’i shkruajë një copë pusullë Olianës së ringjallur tashmë.

Oliana
Po të shkruaj këtë letër për të të vënë në dijeni, se sot rreth orës 5 pa 5 minuta të mëngjesit m’u shfaqe në ëndërr dhe gjatë saj bëra dashuri të pavullnetshme me ty. Ishe tmerrësisht seksi, por unë pot ë përshkruaj për të të kërkuar falje, që shfrytëzova imazhin tënd për arsye seksuale pa dijeninë tënde. Të falenderoj për kënaqësinë e afruar nga seksi yt, kënaqësi kjo e paprovuar prej vitesh. Me shumë respekt, Fredi!

Ai e la letrën për Olianën te kafe AMERIKA, ku ajo pinte kafen gjithmonë dhe harroi përsëri tjetrën, mirëpo dy ditë më pas banakieri bullafiq i AMERIKËS i zgjati pa shumë ceremoni një zarf.
-Eshtë për ty!, – i tha.
Fredi ndjeu një ankth të menjëhershëm, tek po hapte zarfin. Letra ishte shkruajtur në kompiuter me një alamet gërme, a thua Fredi ishte një kokërr qorri, që s’kishte shok, dhe në të shkruhej:

Fredi,
Mos u mërzit, pasi këto gjëra janë gjëra që ndodhin. Situatën tënde të pardjeshme unë e kalova para gjashtë muajsh dhe ndjeva gjithashtu, si ty, një kënaqësi sublime të paprovuar më parë. Kur u zgjova e tronditur, pyeta veten PSE? PSE duhej të ndodhte ky bashkim në ëndërr dhe jo në jetë?! Gjeta një përgjigje: unë jam guximtare vetëm në ëndërr! Kurse në jetë … një femër e realizmit socialist! Unë të shkruajta edhe për të kërkuar falje, jo vetëm për shfrytëzim pa dijeninë tënde të imazhit tënd, por edhe diçka tjetër: mbathjet e tua atë natë ishin shumë pis, kurse çorapet i kishe të grisura, gjë që unë besoj se nuk qëndron në realitet. Por, të siguroj, në seks ishe një profesionist I vërtetë! Oliana.

Nga ajo ditë, urat e komunikimit mes tyre janë ndërprerë sërish, por Fredi tani e shikon gjithmonë e më dendur Olianën në ëndërr. Tani janë mbushur plot dy vjet që ndodh kjo histori. Njerëzit transformohen drejt plakjes me kalimin e viteve, ndërsa ajo në ëndërr sa vjen e bëhet më e re e më e bukur. Bile, edhe më e paturpshme e më naïve….
(Shkëputur nga libri “Hollësira fatale”)/KultPlus.com

‘Mëmëdhe quhet toka, ku më ka rënë koka’

Poezi nga Andon Zako Çajupi

Mëmëdhe quhet toka
ku më ka rënë koka,
ku kam dashur mëm’e atë,
ku më njeh dhe gur’ i thatë
ku kam pasurë shtëpinë,
ku kam njohur perëndinë,
stërgjyshët ku kanë qënë
dhe varret q’i kanë vënë,
ku jam rritur me thërrime
ku kam folur gjuhën time,
ku kam fis e ku kam farë,
ku kam qeshur, ku kam qarë,
ku rroj me gas e me shpres,
ku kam dëshirë të vdes./KultPlus.com

Torra Veneciane, atraksion turistik i Durrësit më i vizituar nga turistët

Pas Amfiteatrit, Torra Veneciane, mbetet një nga atraksionet kryesore për vizitorët në qytetin e Durrësit.

E kthyer në qendrën e parë të interpretimit të trashëgimisë kulturore përmes një programi teknologjik, objekti është vizituar përgjatë muajve Janar-Korrik nga të paktën 8 mijë e 500 turistë.

Turistët vlerësojnë Durrësin dhe bukuritë e tij.

“Jemi këtu për herë të parë në Shqipëri. Donim të shihnim diçka të re. Ju jeni në Evropë dhe tani Shqipëria është një vend i hapur, me njerëz modernë”.

“Është dita jonë e parë në Durrës. Jemi nga Italia dhe na pëlqen bregdeti. Jemi një grup shoqesh, do të qëndrojmë një javë dhe kemi planifikuar të bëjmë një turne në disa qytete të Shqipërisë”.

“Vij për vitin e dytë radhazi dhe më pëlqen shumë plazhi. Më pëlqen qyteti i Durrësit, kam qenë edhe në Sazan. Më pëlqen historia e Durrësit, historia e tij e lashtë dhe kjo kulla këtu. Do të qëndrojmë gjithsej 10 ditë”.

“Ne vendosëm të vizitojmë Durrësin sepse është një qytet i vogël dhe i këndshëm, me njerëz miqësorë. Ne kishim dëgjuar për Durrësin nga njerëz të tjerë që banojnë në Tiranë. Para se të vinim në Durrës, pamë disa video në YouTube dhe kështu nisëm të kërkonim një vend të përshtatshëm dhe kështu morëm një apartament me qira. Kemi 8 muaj këtu dhe mendojmë të qëndrojmë edhe një vit tjetër. Kjo është një përvojë shumë e mirë për ne. Jemi nga Shtetet e Bashkuara, nga Teksasi”.

Durrësi tashmë është kthyer në një pikë referimi për turistët që dëshirojnë të kombinojnë plazhin me eksplorimin e historisë së pasur të Shqipërisë.

Me një rritje të vazhdueshme të numrit të vizitorëve, qyteti po konsolidohet si një nga destinacionet më të rëndësishme turistike në vend./atsh/KultPlus.com

Arkivat, ekspozitë fotografike me veshje popullore në Krumë

Ekspozita fotografike “Rikthim në traditë, veshjet popullore të shqiptarëve” u paraqit sot në Krumë, si pjesë e një turi nisur nga Gjirokastra.

Ekspozita vjen në përgjigje të interesit të lartë të publikut nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA).

Ekspozita fotografike “Rikthim në traditë, veshjet popullore të shqiptarëve” u paraqit në bashkëpunim me Bashkinë e Hasit.

DPA bëri të ditur në rrjetet sociale se në ekspozitë shfaqi për qytetarët një sërë imazhesh që diktojnë veçoritë dhe shumëllojshmërinë e kostumografisë popullore të trojeve shqiptare.
 
Kjo ekspozitë e ka patur premierën në Gjirokastër, me rastin e edicionit të XI-të të Festivalit Folklorik Kombëtar. Ndërkaq, është shfaqur edhe në Tepelenë, në Shkodër, në Korçë, në Krujë, në Durrës, në Kallarat, në Tropojë dhe do të vijojë këtë tur shëtitës në qytete të tjera. /atsh/KultPlus.com

Zbulohet një portë e fshehur drejt së kaluarës së Shekspirit në teatrin 600-vjeçar në Angli

Harku u zbulua gjatë hetimeve arkeologjike dhe besohet se daton që nga koha kur Shekspiri dhe kompania e tij interpretonin atje.

Një portë e mrekullueshme 600-vjeçare, që mund të çojë në dhomën e veshjes së dramaturgut legjendar anglez Uilliam Shekspir, është zbuluar në teatrin më të vjetër në Mbretërinë e Bashkuar.

Harku u zbulua në “St George’s Guildhall” në “King’s Lynn” në Norfolk, gjatë hetimeve arkeologjike të nxitura nga kurioziteti për një “formë të çuditshme” në një mur.

Kur u hoqën dy tabela njoftimesh, u shfaq një mur i shekullit të 18-të. Dhe kur u hoqën edhe tullat nga ky mur, u shfaq një hark edhe më i vjetër akoma.

Tim FitzHigham, drejtori kreativ i “St George’s Guildhall” e përshkroi zbulimin e bërë pas gipsit si “magjepsës”.

“Ne kemi një derë që patjetër do të kishte qenë këtu në vitet kur mendojmë se Shekspiri luante këtu dhe, sipas të gjitha gjasave, ishte dera e një dhome ku lojtarët ndërroheshin dhe ruanin rekuizita,” tha FitzHigham për The Guardian.

Guildhall i Shën Gjergjit, ku u mbajtën  shfaqjet e para të regjistruara në 1445, para lindjes së Shekspirit, luajti një rol jetësor në skenën teatrale të asaj kohe.

Guildhall ishte një vend i njohur për kompanitë turistike, duke përfshirë “Queen Elizabeth’s Men”, një trupë e krijuar nga komanda mbretërore në 1583, e cila interpretoi atje dhjetë herë në fund të viteve

Hulumtimet e fundit nga profesori Mattheë Ëoodcock nga Universiteti i Anglisë Lindore kanë mbështetur besimin vendas se Shekspiri luajti në Guildhall me “Earl of Pembroke’s Men” në 1593, gjatë mbylljes së teatrove në Londër për shkak të murtajës.

Sot, Guildhall, i renditur në klasin I, reparti më i madh i paprekur mesjetar në Angli, është i vetmi teatër në Angli ku Shekspiri dihet se ka interpretuar.

Pjesa e jashtme e St George’s Guildhall.  Maja e harkut të shekullit të 15-të e zbuluar pas një muri në St George’s Guildhall, King’s Lynn./tema/KultPlus.com

Dukagjin Lipa uron Duan për ditëlindje: Ti më jep një miliard arsye për të buzëqeshur çdo ditë

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, sot feston ditëlindjen e 29-të.

Babai i saj, Dukagjin Lipa, e ka uruar me fjalët më të ëmbla dhe më të bukura, duke u shprehur se e ka vështirë të gjej fjalët që t’ia shprehë se sa shumë e do.

“Ti më jep një miliard arsye për të buzëqeshur çdo ditë. Të jem në gjendje të jetoj këtë jetë me ty, është ajo që kam dashur gjithmonë”, ka shkruar ai./KultPlus.com

Televizioni i njohur gjerman realizon dokumentar për restorantin “Mrizi i Zanave”

“Mrizi i Zanave”, një prej restoranteve më të bukura dhe mahnitëse shqiptare, tashmë ka arritur të bëhet i njohur edhe jashtë kufirit shqiptar.

Përmes rrjeteve sociale, ata kanë bërë të ditur se televizioni gjerman WDR, kanë realizuar një dokumentar kushtuar këtij restoranti.

“Pjesë nga dokumentari i televizionit gjerman WDR, të lumtur që kontribojmë në promovim të Shqipërisë autentike. Këto emisione na ndihmojnë të jemi të qëndrueshëm dhe garant për komunitetin”, është shkruar mbi videon e postuar nga “Mrizi i Zanave./KultPlus.com

‘Nëse rrugët për në zemër dot s’i gjen, më thuaj të t’i zgjas gishtërinjtë e mi’

Poezi nga Teodor Keko

Ndjenjë e pathënë…

Më mundon kjo ndjenjë e pathënë,
fjalët ti m’i ktheve në harrim,
në qiell është hëna, s’i them dot hënë
s’të flas dot për mjegullën në agim.

Më mundon kjo ndjenjë e pathënë,
në gjoks ti vër çdo fjalë në vend të saj.
Pastaj do të përkund në një djep-këngë,
me hënën flokëve si karficë e bardhë.

Dhe nëse rrugët për në zemër dot s’i gjen,
më thuaj të t’i zgjas gishtërinjtë e mi.
Mbi ta mbështete kokën,
dhe për një çast ti pendë do të kthehesh,
brenda meje do të vërtitesh, shpirt!

Më mundon kjo ndjenjë e pathënë,
kur ti je kaq pranë dhe kaq e thjeshtë,
u këput një gjethe nga një pemë,
e verdhë si harresa … ishte vjeshtë. / KultPlus.com

Ministri Çeku pret shkrimtarin Buxhovi, zhvilluan bisedë rreth aktualitetit kulturor

Shkrimtari dhe historiani i njohur, Jusuf Buxhovi, gjatë ditës së sotme është pritur nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.

Buxhovi përmes rrjeteve sociale ka njoftuar se gjatë takimit kanë zhvilluar një bisetë të dobishme rreth aktualitetit kulturor.

“Me këtë rast ia dhurova disa nga botimet hitoriografike: “Kosova” në tri vëllime në gjuhën angleze, “Dardania”, “Maqedonia” dhe “Kongresi i Berlinit dhe Lidhja Shqiptare 1878” si dhe romanet: “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, “Dosja B”, “Mona”, “Rrushja” dhe “Mendim Drini”, ka shkruar Buxhovi./KultPlus.com

Dorëshkrimet e Kadaresë dorëzohen në DPA

Fondi i vyer i veprimtarisë letrare të shkrimtarit të madh Ismail Kadare do të ruhet në një pavijon të veçantë të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave.

Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se familjarët e shkrimtarit të madh kanë dorëzuar për ruajtje, administrim, restaurim dhe digjitalizim të gjithë koleksionin e tij letrar përfshirë dorëshkrime, skicë idesh, dorëshkrime të veprave të pabotuara si dhe drafte fillestare të punimeve të tij.

Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido dhe vajza e shkrimtarit të madh Gresa Kadare folën sot mbi rëndësinë e ruajtjes së këtij arkivi pranë DPA-së.

Bido u shpreh se është “nder dhe kënaqësi për DPA që tashmë është pasuruar me një fond të veçantë të Ismail Kadaresë, dorëshkrime të rralla të cilat shkrimtari ynë i madh kombëtar i ruante në shtëpinë e tij dhe e kanë shoqëruar kudo që ka shkuar në Francë, në Durrës apo në Tiranë”.

“Dua të falëndeorj veçanërisht familjen e shkrimtarit të madh Gresën, Helenën dhe Besianën që vendosën t’ia besonin DPA-së ruajtjen e kësaj pasurie deri në çastin që do të vendosin se çfarë do të bëjnë”, u shpreh Bido.

Sipas tij, “të gjitha këto dorëshkrime tashmë janë pjesë e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave për ruajtje, restaurim dhe digjitalizim, si një hap i rëndësishëm për të mos pasur ansjë lloj problematike me humbjen e pasurive të mëdha kombëtare”.

Bido theksoi se në këto vite DPA ka pasur dhurime të personaliteteve të mëdha të historisë sonë që nga Lasgush Poradeci e me radhë.

“Dokumente të cilat përndryshe do të ishin të struktura në sëndukë që ruhen me më shumë dashuri sesa këtu, por që ruhen me më pak profesionalizëm sesa këtu. Dokumente që ruhen me nostalgji, por që mbesin deri diku të panjohura për publikun dhe studiuesin”, shtoi ai.

Bido falënderoi veçanërisht Gresa Kadarenë, e cila ishte nismëtare për dorëzimin e arkivës për procedurën e ruajtjes, restaurimit dhe digjitalizimit të këtyre dokumenteve në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave.

“Me këtë rast i bëj thirrje të gjithë personaliteteve që kanë dokumente të paraardhësve të tyre se ne i ruajmë me profesionalizmin dhe garancinë që këto dokumente do të mbeten përjetë. Kjo ka një rëndësi madhore kur vjen fjala për figura që jetojnë përjetë, sa ekziston memoria kolektive kombëtare”, shtoi ai.

Nga ana e saj Gresa Kadare foli mbi arsyet që e shtynë drejt vendimit për të dorëzuar pranë DPA-së arkivën e Ismail Kadaresë, ndërsa shtoi se më herët interes për këtë arkiv ka pasur nga institucione të huaja.

“Desha t’ju falënderoj juve personalisht për mirëkuptimin që gjetëm dhe mirëbesimin recioprok, sepse nuk është gjë e lehtë të marrësh një iniciativë të tillë. Ismailit në Paris para disa viteve i janë ofruar plot institucione të huaja, qofshin franceze si Universiteti i Sorbonës, Akademia e Francës, Biblioteka “François Miteran”. Ata donin të merrnin plotësisht ose pjesërisht, një pjesë të arkivave, sigurisht me mendimin e Ismailit. Erdhi edhe një propozim shumë interesant nga Universiteti Princeton në Nju-Jork”, tha ajo.

Gresa kujton se Ismaili hezitonte, ishte në mëdyshje dhe diçka e pengonte.

“Nuk ka dhënë një përgjigje të qartë. I thashë në diskutim mes nesh: Po si e ke menduar, çfarë do tamam të bëhet me arkivën tënde, pse nuk shprehesh dhe pse nuk merr një vendim, se për arsye të ndryshme humbasin gjërat? ‘Nuk di se çfarë dua të bëj, sepse unë dua që arkivi të kthehet në Shqipëri, por nuk di cilit institucion t’ia besoj’, tha Ismaili. Dhe kjo ngeli kështu. Ai nuk dha përgjigje të prerë, por unë me iniciativën time vendosa t’ia plotësoj këtë amanet duke ju dhënë juve besimin total”, tha ajo.

Gresa theksoi se është shumë e vështirë t’i besohen, qoftë një institucioni serioz, gjëra kaq të vyera.

“Unë jam shumë e prekur personalisht kur pashë se Kodikët e Beratit prehen këtu gjithashtu. Më emocionon ideja që dorëshkrimet e Ismailit do të jenë në shoqëri të mirë pranë Kodikëve të Beratit e në njëfarë mënyre, ndoshta e ekzagjeroj, por më duket sikur janë këto kolonat e një tempulli tonë të përbashkët që është trashëgimia kulturore shqiptare, që duhet ruajtur. Dhe jo vetëm ruajtur si një qenie e balsamosur. Unë shpresoj që në një kohë të dytë, Arkivi do të lejojë aksesin e studiuesve, kritikëve letrarë, studentëve, të vijnë ta konsultojnë, ta studiojnë dhe ta mbajnë gjallë arkivin”, theksoi Gresa Kadare./atsh/KultPlus.com

22 vite nga vdekja e shkrimtarit dhe publicistit, Teodor Keko

Sot shënohet 22 vjetori i ndarjes nga jeta të shkrimtarit dhe publicistit, Teodor Keko, shkruan KultPlus.

Teodor Keko ka qenë shkrimtar dhe publicist shqiptar. U lind në Tiranë, i biri i regjisorëve të kinematografisë Endri dhe Xhanfize Keko.

Ndoqi studimet e larta në Universitetin e Tiranës në degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Në fillimet e tij punoi si gazetar në gazetën letrare “Drita”, dhe në gazetën e përditshme “Koha jonë”, më vonë ka punuar në gazetën “Aleanca” si redaktor.

Për një periudhë kohe ka qenë pjestar i Parlamentit shqiptar. Teodor Keko i filloi publikimet e tij në vitin 1980 dhe është autor i 15 volumeve në zhanre të ndryshme si, poezi, dramë, novelë si dhe tregimeve të shkrutra.

Krijimtaria

Në mes të tjerash publikime të Teodor Kekos janë:

“Loja” 1990

“Lajmëtarja e vdekjeve” 1991

“Pretenca”1994

“Shënimet e një gruaje” 1995

“12 Shenjtore një profet dhe disa njerëz” 1997

“Made in Albania” 1998

“Hollësira fa tale” 2001.

Poezi – 2013 / KultPlus.com

Dua Lipa feston ditëlindjen sot

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, sot feston 29-vjetorin e saj të lindjes.

Dua ka fituar çmime prestigjioze, ku përfshihen shtatë “Brit Awards” dhe tre “Grammy Awards”. Revista Time e përfshiu atë në listën e 100 njerëzve më me ndikim në botë në vitin 2024.

Në vitin 2019, ajo fitoi çmimin Grammy për Artistin më të Mirë të Ri dhe për regjistrimin më të mirë të kërcimit për “Electricity”, këngën e saj bashkëpunuese me Silk City./KultPlus.com

85 vite më parë, në Shqipëri, u hodhën për të fundit herë në qarkullim monedha prej argjendi

Si sot, 85 vite më parë, në Shqipëri, u hodhën për të fundit herë në qarkullim, monedha prej argjendi.

Më 22 gusht 1939, Banka Kombëtare e Shqipnis (1925-1945), hodhi për të fundit herë në qarkullim, monedha prej argjendi. Ato ishin të prerjeve prej 5 dhe 10 lekë. Në bazë të Dekretit të Mëkëmbësit dhe Ligjit të ri për rregullimin monetar të vitit 1939, ato zëvendësuan monedhat e argjendit 1 dhe dy franga ar, emetime të viteve 1926, 1927, 1935 dhe 1937. Më pas, monedhat e qarkullimit u shtypën vetëm në metal të thjeshtë.

Faqja e këtyre monedhave, siç përshkruhet në ligj, mban bustin në profil të Mbretit Viktor Emanueli III me mbishkrimet “VITT•EM•III RE E IMP•MBRET E PER•”. Shpina mban shqiponjën dykrenare të Skënderbeut dhe dy fasha liktoriane anash saj, si dhe mbishkrimet: “SHQIPNI 1939 XVII 5 LEK/ 10 LEK ALBANIA” dhe emrin e gdhendësit G. Romagnoli. Buzët e monedhës kanë mbishkrimin “MBRETNIA SHQIPTARE”. Atsh / KultPlus.com

Gjergji Canco, kolosi i arsimit profesional shqiptar

Më 22 gusht 1971, ndërroi jetë një nga themeluesit e arsimit profesional shqiptar, Gjergji Canco.

Canco, studenti i Liceut të Korçës, qytetit të tij të lindjes dhe profesor në shumë shkolla, do të spikaste më shumë për themelimin dhe drejtimin për shumë vite me radhë të institucionit arsimor “Politeknikumi 7 Nëntori”. Canco është pasues i denjtë i meritave të padiskutuara të shkollës së ndërtuar nga Harry Fultz, ku Canco punoi që prej vitit 1932.

Canco do të fitonte bursë studimi nga qeveria e Zogut dhe do të vazhdonte studimet në Fakultetin e Shkencave në degën e Matematikës në Montpelier. Për punën e shkëlqyer ndër vite, ai dekorohet me titullin “Mësues i Popullit”.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave sjell foto të tij si dhe një kërkesë të Cancos drejtuar qeverisë së kohës për dekorimin e stafit pedagogjik të “Politeknikumi 7 Nëntori”./atsh/KultPlus.com