Super Hëna Blu ka ndriçuar qiellin e Tokës mbrëmjen e sotme, duke sjellë gjithashtu dhe foto magjepsëse të saj nga vende të ndryshme të botës.
Një Superhënë është kur Hëna e plotë është më afër Tokës, duke u shfaqur më e madhe dhe më e ndritshme se normalja.
Deri në 15% më e ndritshme dhe 30% më e madhe se Hëna e plotë e zakonshme.
Termi “superhëna” u krijua për herë të parë nga astrologu Richard Nolle në 1979, si “ose një hënë e re ose e plotë që ndodh kur hëna është brenda 90% të afrimit të saj më të afërt me Tokën”, sipas NASA-s.
Superhëna e gushtit do të jetë e para nga katër këtë vit, me të tjerat që do të ndodhin më 17 shtator, 17 tetor dhe 15 nëntor.
Ajo duket e ndryshme në vende të ndryshme të botës dhe shumë persona në rrjet nuk nguruan ta postonin si dukej ajo nga vendndodhja e tyre
Festa e Shenjtë e Bektashinjve, e organizuar çdo vit nga 20-25 gusht, mbledh në Teqenë e Kulmakut në malin e Tomorit pelegrinë nga e gjithë Shqipëria dhe jo vetëm.
Mijëra pelegrinë udhëtojnë drejt Teqesë së Kulmakut për të kremtuar festën e Baba Tomorit, nën ritmet fetare të bektashinjve, pavarësisht besimeve fetare që u përkasin. Të gjithë besimtarët dhe pelegrinët që i bashkohen kësaj feste të shenjtë, në shenjë mirësie bëjnë kurban një qengj për veten dhe familjen.
Kryegjyshi Botëror i bektashinjve Haxhi Dede Edmond Brahimaj tha sot në një dalje për mediet se janë marrë të gjitha masat në shërbim të qytetarëve.
“Kryegjyshata ka marrë masat e duhura këto ditë. Ne gjithë këto kohë të zhvillimit të pelegrinazhit kemi siguruar rrugë automobilistike, kemi siguruar ujë dhe gjëra sanitare për t’i ardhur në ndihmë popullit. Janë marrë masa për të pritur ata në restorante dhe bare, për të bërë çdo gjë që ata të ndjejnë veten si në shtëpinë e tyre”, tha Kryegjyshi Botëror i bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
Ai u bën thirrje besimtarëve të tregojnë kujdes të shtuar për masat në përhapjen e zjarrit, teksa ndizen qirinjtë duke pasur parasysh situatën e javës së kaluar ku për shkak të temperaturave të larta mali i Tomorit u përfshi nga flakët.
“Kryegjyshata Botërore ka marrë masa për t’i mbajtur gjallë këto ditë të gëzuara të Abaz Aliut. Lutemi të gjithë besimtarëve që të kenë kujdes me zjarret kur të ndezin qiri. Janë marrë masa edhe për pjekjen e mishit. Pra Kryegjyshata është në ndihmë të njerëzve. Kemi marrë masa që çdo gjë të shkojë me paqe dhe dashuri”, tha Kryegjyshi Botëror i bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
Sipas gojëdhënave thuhet se Abaz Aliu, nga Arabia, së bashku me vëllanë e tij të vogël, u vendosën në Berat, duke u bërë mbrojtës të nahijes. I vëllai mbronte qytetin e Beratit, ndërsa Abaz Aliu u vendos në Tomor, për të mbrojtur gjithë fiset dhe krahinat e Tomorit. Ditën e 25 gushtit shpirti i tij vjen nga Olimpi dhe kthehet përsëri për të çliruar viset e Beratit nga gjithë të këqijat. Populli ka respekt e nderim hyjnor për dy vëllezërit, sepse betohet “për Baba Tomor”, “për Abaz Ali”.
Legjendat e gojëdhënat popullore hedhin dritë mbi frikën, mbi forcën magjike të barnave që përdoreshin për shërimin e sëmundjeve, por shprehin njëkohësisht respekt dhe nderim për Baba Tomorin e për Abaz Alinë. Shenjtërimi i Tomorit nuk është rastësi, por është rrjedhojë e bukurive të rralla dhe e madhështisë së tij. Mbi këto bukuri të veçanta të tij u krijuan misteret, miti, legjenda, gojëdhëna. Këtë e vënë re hulumtuesit e ndryshëm./atsh/ KultPlus.com
Prezantuesi i talk shouit amerikan, Phil Donahue ka vdekur në moshën 88-vjeçare, ka konfirmuar familja e tij për mediat amerikane.
Prezantuesi vdiq në shtëpinë e tij të dielën pas një sëmundjeje të gjatë dhe i rrethuar nga familja, sipas një deklarate të lëshuar për emisionin Today të NBC, transmeton Klankosova.tv.
Donahue, i cili krijoi dhe drejtoi shfaqjen e Phil Donahue, u konsiderua “mbreti i bisedave gjatë ditës” në ShBA.
Gjatë karrierës së tij, Donahue intervistoi figura të njohura, duke përfshirë Nelson Mandela, Muhammad Ali, Sammy Davis Jr, Sir Elton John, Whoopi Goldberg, Robin Williams, Dolly Parton dhe Michael J Fox.
Mbrëmja e fundit e edicionit të 14-të të Festivalit të Artit dhe Kulturës, Etnofest, përmbylli një cikël të paharrueshëm të netëve artistike, ku çdo moment reflektoi pasionin dhe përkushtimin për artin dhe kulturën, duke risjellë copeza nga trashëgimia e popullit shqiptar, mënyra e vjetër e jetësës përmes veglave, muzeve, ekspozitave, vallëve e këngëve shqipe.
Në këto nëntë netë intensive, publiku pati mundësinë të ndjekë një program të pasur artistik, i cili u kurua me kujdes nga organizatorët e festivalit.
Sheqerie Bucaj, bashkëorganizatore e festivalit, shprehu kënaqësinë për suksesin e arritur gjatë këtij edicioni. Ajo theksoi rëndësinë e programit artistik që u prezantua në këto nëntë netë, duke nënvizuar veçanërisht laboratorin praktik me teoritë e Jerzy Grotowskit, i përcjellur nga regjisori italian Mario Biagini, i cili kishte zënë vend në këtë edicion. Publiku pati mundësinë të ndjekë çdo ditë nga afër provat e shfaqjes së përgatitur duke u bazuar dhe frymëzuar në këto teori teatrale.
Një qasje inovative që i dha një dimension të ri festivalit.
Qendrat e kulturës nga e gjithë Kosova po ashtu i dhanë një atmosferë feste këtij festivali. Ansamble të ndryshme performuan para një publiku që duartrokiti vazhdimisht në nder të kryesuesve dhe valltarëve, për risjelljen e valleve që tashmë ruhen si një vlerë kombëtare anembanë botës. Ata gjithashtu prezentuan dallimet rajonale përmes veshjeve të veçanta, kostumeve tradicionale që simbolizuan bukurinë unike të përcjellur ndër shekuj.
Në natën përmbyllëse prezent ishte qendra e kulturës ‘Kaqaniku’ e cila nën ritmin e këngës ‘xhamadani vija vija’, dasma kosovare etj., përcolli bashkëndjenjen me publikun, gjallërinë dhe dashurinë ndaj vlerave artistike që mbizotëruan në skenën e amfiteatrit kryesor në Kukaj.
Ajo që e karakterizon këtë festival padyshim është edhe programi i cili çdo natë solli para spektatorëve nga një shfaqje të re, produkt i krijuesve vendor nga fusha e teatrit. Në këtë edicion u dhanë rreth 7 shfaqje artistike, secila e punuar dhe e paraqitur në skenat e etno-kompleksit, përmes aktorëve të shquar nga komuniteti artistik.
Në përmbylljen e Etnofestit 2024, sipas programit ishte planifikuar edhe një shfaqje tjetër.
Megjithatë, jo gjithçka shkoi sipas planit. Shfaqja “Të Bardhët” e regjisorit Besim Ugzmajili, e cila trajton diskurset racore dhe gjinore, nuk u realizua për shkak të reshjeve të shiut, të cilat pamundësuan realizimin e kësaj paraqitjeje.
Prapeseprape, Etnofesti mbetet një adresë e njohur për spontanitetin, riformësimin dhe dinamikën për t’u ambientuar në skena të hapura, gjë kjo e thënë edhe nga aktorët performues të cilët gjatë këtij edicioni theksuan ndjenjën që t’a japin skenat nën ndriçimin e natyrshëm të hënës, në amfiteatrot e krijuar atë-lloj që publiku ta ndjejë sa më afër shfaqjes.
Një moment tjetër, e ashtu krijuar për të qenë simbol i angazhimit, vlerave të përcjellura dhe pjesëmarrjes, ishte edhe ai i ndarjes së çmimeve nga ky festival.
Çmimet e edicionit të 14-të u dhanë nga juria profesionale e përbërë nga:
Çmimet u ndanë në dy sfera kryesore atë të Muzikës dhe etnoperformancës dhe Teatrit.
MUZIKË DHE ETNOPERFORMANCA:
VALLTARI MË I MIRË: Fiona Konxheli, gjimnaste ritmike
VALLTARI MË I MIRË: Furkan Rrahmani, QK Kaqanik
KËNGËTARJA MË E MIRË: Adelina Paloja, soprano
KËNGËTARI MË I MIRË: Nuredin Bendaj, Vlorë
INSTRUMENTISTI MË I MIRË: Sihana Badivuku, violinë
KOSTUMOGRAFIA MË E MIRË: « Konaku i Rajcës » Prenjas, Shqipëri
ETNOKOREOGRAFIA MË E MIRË: Ansambli « Zëri i Kamenicës » Kamenicë
ETNOANSAMBLII MË I MIRË: Ansambli « Deçani » Deçan
TEATRI:
AKTORJA MË E MIRË: Anisa Ismajli në shfaqjen « Jepi ngjyra jetës »
AKTORI MË I MIRË: Ernest Malazogu në shfaqjen « Audienca »
SKENOGRAFIA MË E MIRË: Burim Arifi në shfaqjen « Audienca »
REGJIA MË E MIRË: Bashkim Ramadani në shfaqjen « Audienca »
SHFAQJA MË E MIRË: shfaqja « Audienca »
ÇMIMI I KARIERËS: Luiza Xhuvani, Tiranë
ÇMIMI SPECIAL I ETNO FESTIT: Mario Biagini, Itali
Një komponent tjetër përmes të cilit u dhanë shumë mesazhe, u pasqyruan vlera historike si dhe u gërshtuan forma të ndryshme artistike ishin edhe ekspozitat e hapura që zunë vend në këtë edicion.
Që nga dita e parë, e cila shënoi hapjen me performancën ‘Ten ten’ e sjellë nga Yllka Brada bashkë me Jakup Ferrin, nga e cila u prezantua një stil i veçantë i kostumografisë i frymëzuar nga ndjenja e identitetit nga arti e tradita, e deri tek çdo ekspozitë tjetër, ky Etnofest mund të cilësohet shtëpi artistike dhe derë e hapur për krijuesit e pikturës e skulpturës.
Gjatë 9 ditëve, vizitorët patën rastin të shihnin këto ekspozita: ‘Vallezime ngjyrash’ nga Nusret Salimaxhiqi; ‘Peisazhe me diell, kulla dhe lule’ nga Kaqusha Jashari; ‘Frymë antike’ nga Diella Valla; ‘Vibracione shpirtërore’ nga Albulen Neziri; ‘Bukuroshja e fjetur’ e Haxhi Gjonit; ‘Avatarja me plis’ e sjellë nga Eremira Belegu-Deçan dhe Fatos Kabashi; ‘Gjurme lumturie’ Teuta Ibriqaj; ‘Trashëgimia e Krajes dhe Ulqinit’ Korab Kraja; ‘Vallezime dheu dhe zjarri’ prej Laura Sllamniku-Kryeziu; ‘Art i poqerisë’ nga Luan Kuqani si dhe ‘Eksponate etnografike’ nga muzeu etnografik në Kukaj.
Po ashtu, festivalin e pasuruan performancat gastronomike dhe artizanale, të cilat u shtrinë në të gjitha hapësirat e destinuara për gatimin e ushqimeve tradicionale të cilat u servirën vazhdimisht për vizitorët e Etnofestit.
Performanca e këngëtares Edona Reshitaj në përmbylljen e ciklit të etno-netëve në kuadër të Festivalit të Artit dhe Kulturës, Etnofest, la një përshtypje të pashlyeshme tek publiku. Me sharmin e saj skenik, Reshitaj arriti të ngrinte në këmbë të gjithë të pranishmit, të cilët iu bashkuan këngëve të vjetra të interpretuara prej saj në një stil krejtësisht unik, që ndërthurte elemente të zhanrit pop dhe jazz. Interpretimi i saj, i ngrohtë dhe i veçantë, krijoi një atmosferë magjepsëse, duke i dhënë një fund të shkëlqyer festivalit dhe duke emocionuar publikun me një përvojë të paharrueshme gazmore.
E si risi këtë vit në Kukaj, ishin edhe DJ-të e njohur nga zhanret e reja muzikore, që elektrizuan çdo natë adhuruesit e muzikës moderne, rrymave të reja të ritmit. Mes nostalgjisë për këngë të kënduara ndër breza e deri tek rikrijimi i tyre për kënaqësinë e gjeneratave të reja, Ardian Berisha i dha vulë diversitetit, pranimit dhe shijes së re muzikore.
Me një publik të shumefishuar që u pa të jetë prezent këtë vit, e po ashtu mes miqeve nga komuniteti artistik, diasporës që patën destinacion Kukaj, e deri tek vizitat nga krerët qeveritarë, ky edicion përmbylli programin e vitit 2024. Vlen të përmendet që prezent gjatë kësaj nate përmbyllëse ishte edhe Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, bashkë me drejtoreshën e kulturës në komunën e Prishtinës, Sibel Halimi, prej të cilëve, Etnofesti pati mbështetje gjatë këtij edicioni.
E në fund, Fadil Hysaj tha se ky edicion ka arritur ta përmbushë konceptin e tij, sepse sipas tij, njerëzit kanë përjetuar atë pulsin e lumturisë, nga energjia e festivalit, art-terapia që përcjell ky festival përmes të gjitha vlerave tradicionale që ringjallin nostalgji, dhe ndjenja dashurie e lirie.
Për vitin e ardhshëm, Hysaj zbuloi se koncepti do të fokusohet në temën e identitetit, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes dhe forcimit të identitetit tonë kombëtar përmes artit, kulturës dhe traditës.
Etnofesti përfundoi me një premtim për më shumë, duke lënë gjurmë të thella në avancimin, projektimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të kulturës artistike në Kosovë, si një burim i rinjohjes dhe përjetimeve të mishëruara me artin./ KultPlus.com
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, sot ka pritur një grup albanologësh nga mbarë bota, të cilët po marrin pjesë në Seminarin për Gjuhën, Letërsinë e Kulturën Shqipe.
Presidentja Osmani ka thënë se në këtë takim kanë biseduar për kontributin e shumë brezave dhe gatishmërinë e tyre për themelimin e një institucioni të kultivimit të dijeve për gjuhën shqipe.
“Në 50 vjetorin e Seminarit për Gjuhën, Letërsinë e Kulturën Shqiptare, prita një grup albanologësh nga mbarë bota, me të cilët diskutuam për kontributin e shumë brezave, gatishmërinë dhe vendosmërinë e tyre për ta themeluar një institucion të kultivimit të dijeve për gjuhën shqipe, letërsinë e kulturën shqiptare”, ka shkruar Presidentja Osmani./ KultPlus.com
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova në hapjen e Urës së Ibrit është e vonuar trefish, dhe se qëllimi qarkullimit është në të mirë të të gjithë qytetarëve të vendit.
Ai, në një intervistë gjatë qëndrimit të tij në ShBA, ka theksuar se nuk mund të thuhet se lëvizja e lirë vlen gjithandej vendit, por urës kryesore mbi lumin Ibër.
“Ura mbi lumin Ibër është dashtë të hapet kur u çliruar Kosova para 25-vjetëve. Ajo nuk është dashtë të jetë e mbyllur, kur Kosova e ka shpallur pavarësinë para 16-vjetëve, ajo është dashtë të jetë e hapur edhe para 8 vitesh në bazë të marrëveshjes së Brukselit dhe planit të zbatimit. Kësisoj, ne jemi trefish të vonuar për shumë vite”.
“Ajo çka duam të bëjmë është veçse lëvizje e lirë për të gjithë qytetarët, mallrat dhe kapitalin në të dy anët e lumit ibër, të ketë sundim të ligjit që nuk e përjashton askënd dhe kjo paraqet vet frymëmarrjen e shtetit demokratik. Duhet të na mirëkuptoni se ne nuk mund të themi që sundimi i ligjit e lëvizja e lirë vlen gjithandej Kosovës për të gjithë tërë kohës, përveçse në urën kryesore mbi lumin Ibër”, theksoi Kurti.
Ndër tjera, i pari i ekzekutivit ka pohuar se janë duke i marrë parasysh të gjitha vërejtjet dhe sugjerimet nga partnerët amerikanë dhe evropianë për çështjen e hapjes së urës.
“Kurrë nuk ka pasë më shumë koordinim dhe konsultime dhe jam opotimist se do ta kemi edhe sundimin e ligjit dhe lirin e lëvizjes, paqen, sigurinë dhe qetësinë në anën tjetër. Hapja e urës nuk është kundër askujt, është për komunitetin serb, për shqiptarët, për të gjitha pakicat, pra për të gjithë qytetarët e Republikës sonë demokratike. Evropa i ka shembur të gjitha muret, ne jemi në Evropë dhe duhet të hapim edhe këtë urë”.
Kurti u deklarua edhe rreth mundësisë së shtyrjes së afatit për hapjen e urës në fjalë, ai tha se kjo çështje nuk do të lejohet të zgjatet pafundësisht.
“Ne jemi të interesuar që hapjen ta bëjmë në bazë të planit që e kemi ndarë së bashku me partnerë amerikanë dhe evropianë. Kemi zhvilluar konsultime me komunitetin serb në veri, me shqiptarët në dy komunat, kemi testuar qëndrueshmërinë teknike të urës, duhet të kujdesemi për dizajnim e zbukurimin, për pamjen vizuele të kësaj ure, këtë duhet ta bëjmë sa më parë”.
“As nuk do të befasojmë partnerët dhe aleatët amerikanë e evropian, dhe as nuk do të lejojmë që kjo çështje të zvarritet pafundësisht. Vullnetin dhe qëllimin e kemi të mirë, besojmë se është e nevojshme e mirë e dobishme për të gjithë hapja e kësaj ure”, ka thënë Kurti. /Klankosova.tv/ KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë tha se hapja e urës së Ibrit në Mitrovicë duhet të bëhet në bazë të një plani me partnerët ndërkombëtarë.
“Duhet, siç e parasheh edhe vetë plani i zbatimit të marrëveshjes së arritur në gushtin e vitit 2016, të kemi vlerësime të përbashkëta të sigurisë me partnerët tanë, dhe pas atyre vlerësimeve dhe planit të përbashkët, ajo do të përcaktojë pastaj datën”, deklaroi presidentja Osmani.
Rihapja e urës për qarkullim edhe të automjeteve, e cila ndan Mitrovicën në jug me shumicë shqiptare dhe në veri me shumicë serbe, është kundërshtuar nga bashkësia ndërkombëtare dhe nga serbët lokalë. Ushtarët italianë të KFOR-it ndodhen në urën mbi lumin Ibër, ndërsa pjesëtarët e Policisë së Kosovës ndodhen afër saj gjithashtu.
Vendet e QUINT-it, SHBA, Britania, Franca, Gjermania dhe Italia, e kanë quajtur të njëanshëm synimin e Qeverisë së Albin Kurtit për rihapjen në këtë kohë. Bashkimi Evropian ka bërë thirrje që çështja e urës të diskutohet në dialog me Serbinë.
Ajo tha se “ura mbi lumin Ibër duhet të hapet dhe hapja e saj është vonuar për tetë vjet me radhë”.
“Çdo herë kur Kosova, në historinë e saj, ka bashkëpunuar me partnerët, çdo herë ka pasur sukses”, theksoi Osmani.
Ajo tha se lidhur me këtë çështje ka folur me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, para një muaji.
Kori i Filharmonisë së Kosovës ka njoftuar se kanë filluar përgatitjet për sezonin 2024-2025.
Kori ka nisur punën nën drejtimin e dirigjentit Hajrulla Syla për një prezantim të përbashkët me Orkestrën Shtetërore të Selanikut dhe Korin e Përzier të Selanikut, të drejtuar nga dirigjentja Mary Konstantinidou.
Ky koncert do të mbahet në Sallën e Koncerteve të Selanikut “Megaron” më 27 shtator 2024 dhe pjesa qendrore e programit është oratoriumi “Krijimi” nga Joseph Haydn. Koncerti do të drejtohet nga dirigjenti i mirënjohur grek Kornilios Michailidis me pjesëmarrjen e solistëve Siranous Tsalikian (soprano), Electra Manousi (mezosoprano), Mihail Mihaylov (tenor) dhe Tassos Apostolou (bas).
Për informacione të tjera rreth përgatitjeve të sezonit të ri, Filharmonia jep detaje ditët në vijim.
Fondacioni i aktorit amerikan George Clooney dhe bashkëshortes së tij, avokates për të drejtat e njeriut Amal Clooney, i cili kryesisht lufton për drejtësi dhe barazi, është shpallur një organizatë “e padëshirueshme” dhe për këtë arsye është ndaluar të operojë në Rusi, njoftoi sot Prokuroria e Përgjithshme Ruse.
Fondacioni Clooney për Drejtësi, një organizatë jofitimprurëse amerikane, “mbështet në mënyrë aktive patriotët e rremë dhe anëtarët e organizatave të ndaluara ekstremiste dhe terroriste”, tha zyra e prokurorit në një deklaratë.
“Nën maskën e ideve humanitare, këta ‘luftëtarë për drejtësi’ (…) promovojnë iniciativa për ndjekje penale kundër autoriteteve më të larta ruse”, denoncon Prokuroria e Përgjithshme Ruse.
“Aktivitetet e organizatës joqeveritare Clooney Foundation for Justice u shpallën të padëshiruara në territorin e vendit tonë”, përfundon deklarata e saj, e cila titullohet: “Prokuroria e Përgjithshme Ruse vlerësoi talentin e aktrimit të aktivistëve të Hollivudit”.
Autoritetet ruse nuk kanë reshtur së shtuari goditjen e tyre ndaj zërave të opozitës që nga shkurti i vitit 2022 kur forcat ruse pushtuan Ukrainën.
Në fillim të gushtit, zyra e Prokurorit të Përgjithshëm shpalli “të padëshirueshëm” fondacionin gjerman Konrad Adenauer, i cili kryesisht synon të promovojë demokracinë. Në korrik, media ruse The Moscow Times u ndalua.
Këtë vit shënohet edicioni i 54-të i Festivalit të Teatrove në Ferizaj që do të mbahet nga 1 deri më 6 shtator.
Si çdo vit tjetër në Teatrin ‘Adriana’ do të vijnë shfaqje nga jashtë e brenda vendit, në ditën hapëse luhet shfaqja “Mishi i Eger” nga Groan Stefanovski me regji të Martin Koçovski, nga Teatri i Shkupit.
Programi vazhdon për 6 ditë me radhë me shfaqjet ‘Audienca’, ‘Charles III’, ‘Kamarja e Turpit’, ‘Tartufi’, ‘Cifti i hapur’, ‘Turjela’ për ta përmbyllur programin me shfaqjen ‘Togeri i Nishmorit’ nga Martin Mcdonough me regji të Rizeski, nga produksioni i Teatrit ‘Adriana’.
Festivali i Teatrove në Ferizaj filloj rrugëtimin në vitin 1970 duke sjell në Kosovë vazhdimisht aktorë e regjisor nga vendet tjera.
Kryeministri Edi Rama ka përgëzuar avokaten Eva Buzo e cila ia doli që të përshkojë me not Itali-Shqipëri.
“Një histori mbresëlënëse ajo e Eva Buzos, avokatja shqiptare, e cila ka shënuar një rekord në not duke përshkruar 92 km nga brigjet e Italisë deri në Vlorë.
Një udhëtim në ujë prej 34 orësh për Evën, e cila sfidën e lënë në mes vitin e kaluar, u rikthye për ta përfunduar këtë vit, me një forcë fizike dhe psikologjike të jashtëzakonshme”, shkruan Rama.
Studentët e regjistruar në këto programe do të ketë mundësinë të përfitojnë nga një edukim të klasit botëror dhe të zhvillojë aftësi të specializuara për sukses në këto fusha profesionale.
Regjistrimet kanë filluar! Mos e humbisni mundësinë për të krijuar suksesin tuaj me edukim amerikan, të fuqizuar nga Arizona State University, universiteti më i madh publik dhe nr. #1 në SHBA për inovacion. Studio në UNI duke aplikuar këtu! Për më shumë informata, kontaktoni në: +38344144062, [email protected] ose ndiqni UNI në Facebookdhe Instagram./ KultPlus.com
Kryeministri Albin Kurti ka vlerësuar lartë fotografët shqiptarë, sot me rastin e shënimit të ditës ndërkombëtare e fotografisë.
Përmes një postimi në Facebook, Kryeministri Kurti thotë se fuqia e fotografisë është e madhe.
“Ishin fotografët që përmes fotografive dëshmuan para botës vuajtjet e maltretimet, vrasjet e masakrat mbi popullin shqiptar nga shteti i Serbisë”, shkruan Kurti.
“Po ashtu, ishin fotografët ata që kapën shumë momente gëzimi e fytyra të qeshura në Kosovën tonë të lirë”.
John Aprea është ndarë nga jeta në moshën 83-vjeçare.
Ylli i “Godfather” vdiq i rrethuar nga familja në fillim të këtij muaji, sipas TMZ-së.
Aktori i lindur në New Jersey u transferua na New York në vitin 1960 për të ndjekur ëndrrat e tij pasi luajti futboll në shkollë dhe jetoi në Itali për disa vjet me familjen e tij.
Më pas ai u transferua në Los Angeles dhe luajti një vrasës me pagesë në filmin “Bullitt” të Steve McQueen dhe luajti si një bos mafioz në mini-serialin NBC të vitit 1981, “The Gangster Chronicles”.
Gjatë karrierës së tij, ai luajti gjithashtu si patriarku i një familjeje italiano-amerikane me shumë breza në NBC’s “The Montefuscos” në vitet 1970, si dhe interpretoi në shfaqjen televizive “Knots Landing” në 1988.
Aprea fillimisht bëri audicionin për rolin e Michael Corleone në “The Godfather” pasi u takua me regjisorin Francis Ford Coppola ndërsa ai ishte duke banuar në Los Angeles.
Roli përfundimisht i shkoi Al Pacinos, por Aprea u rrëmbye për vazhdimin e filmit. Të gjitha vargjet e Apreas si Tessio i ri në film u folën në italisht./KultPlus.com
Parku natyror “Syri i kaltër” në Sarandë vijon të jetë ndalesa e një numri të lartë turistësh edhe gjatë këtij sezoni veror.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro bëri të ditur se Parku Natyror i Syrit të Kaltër, ndër destinacionet më të vizituara, ka mirëpritur plot 4220 vizitorë vetëm në një ditë përgjatë muajit gusht.
“Specialistët e zonave të mbrojtura kujdesen përherë për të ofruar një eksperiencë sa më të plotë për kureshtarët e turistët”, vlerësoi Kumbaro.
“Syri i kaltër” ndodhet pranë fshatit Muzinë, pranë rrugës nacionale Delvinë-Gjirokastër, rreth 30 minuta larg nga Saranda.
Ai është një pasuri natyrore e Shqipërisë, i cili me vendimet e muajit janar 2022 ka marrë një status më të lartë mbrojtjeje, atë të “Parkut Natyror”, me një sipërfaqe të rritur në 293 hektarë, për të mbrojtur më mirë Monumentin e Natyrës me të njëjtin emër që mban brenda parkut.
Vitet e fundit “Syri i Kaltër” ka tërhequr shumë vizitorë nga vende të ndryshme të botës./atsh/KultPlus.com
“Ti nuk mund t’i kontrollosh gjithë ngjarjet që të ndodhin, por mund të vendosësh të mos prekesh prej tyre”.
Prindërit e autores së njohur u divorcuan kur ajo ishte vetëm 3 vjeçe. Për 4 vitet në vazhdim, Maya dhe fëmijët e tjerë u rritën nga gjyshja dhe prindërit nuk i vizituan asnjëherë. Më pas një ditë, e ëma i detyroi fëmijët të zhvendoseshin në qytet për të jetuar me të.
Disa muaj pas zhvendosjes, kur Maya ishte vetëm 7 vjeçe, abuzohej fizikisht dhe përdhunohej nga i dashuri i nënës së saj. Pas këtyre ngjarjeve, ajo informoi fillimisht vëllanë dhe ai më pas i tregoi gjithëfamiljes. I dashuri i nënës së tyre u shpall fajtor, por u dënua vetëm me një ditë burg. Katër ditë pas lirimit, ai u gjend i vdekur dhe shumë veta dyshuan se xhaxhai i Mayas mund ta kishte vrarë.
E shokuar nga çfarë ndodhi, Maya nuk foli për 5 vite me radhë dhe u kthye të jetonte sërish me gjyshen e saj. Gjatë kësaj periudhe heshtjeje, ajo zbuloi botën e mrekullueshme të letërsisë dhe për vite të tëra u përfshi në librat magjikë të Shakespeare dhe Dickens.
Maya ndoqi shkollën në heshtje të plotë, por me mbështetjen e mësuesve dhe vëllait të saj, i dha fund heshtjes. Më vonë ajo u zhvendos në New York, ku studioi kërcimet afrikane. Shumë shpejt e gjeti veten duke kërcyer dhe duke kënduar në klubet e natës. Realizoi edhe një tur në Europë, si dhe nxori albumin e saj të parë muzikor “Miss Calypso”.
Kur dëgjoi Martin Luther King Jr. të fliste, Maya u frymëzua të bëhej një aktiviste. U angazhua nëmbledhjen e fondeve për të siguruar të drejtat e njerëzve dhe udhëtoi nëpër botë si shkrimtare dhe prezantuese në radio. Organizoi gjithashtu marshime dhe protestoi për të garantuar të drejtat e njerëzve. Pas atentatit të Martin Luther King Jr. Maya ra në depresion të thellë.
Sërish ajo u përfshi në botën e librave, por këtë herë, në vend të rolit si lexuese, filloi të shkruante për dhimbjen dhe fëmijërinë e saj. Maya realizoi një sërë skenash, kompozoi muzikë dhe shkruajti mjaft vepra që u bënë edhe filma, duke u bërë kështu femra e parë me ngjyrë që realizonte filma me veprat e saj.
Edhe pse nuk ndoqi një shkollë të lartë, ajo sërish fitoi çmime të shumta nderimi, nga të cilat edhe tre çmime Granny për albumin e saj muzikor. Me veprat e saj, Maya frymëzoi miliona njerëz në botë, duke përfshirë Bill Clinton, Oprah Winfrey, J. K. Rowling, Kanya West dhe plot të tjerë.
Maya Angelou ndërroi jetë në 28 maj 2014. Në funeralin e saj, ajo u nderua si “mësuese e jashtëzakonshme”./KultPlus.com
Ditën e sotme ka nisur edicioni i 42-të i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Kulturën dhe Letërsinë Shqiptare, me ç’rast është shënuar edhe përvjetori i 50-të i Seminarit të Albanologjisë.
Përgjatë këtij seminari, do të zhvillohen aktivitete të shumta, ku përveç tryezave shkencore, janë organizuar edhe vizita në Prekaz, ekskurzione, shfaqje të filmave e shumë ngjarje të tjera, për të gjithë pjesëmarrësit.
Në hapjen e kësaj ngjarje, drejtori i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja, tregoi për sfidat që ka kaluar organizimi i seminarit ndër vite.
“Më lejoni të iu them se është seminari me traditën më të gjatë në hapësirat shqiptare. Para 50 vitesh, në fillim kur qendra e studimeve për të huaj mori këtë emër që ka edhe sot, ishin shumë burra hijerëndë që ishin ulur në radhë të pare të amfiteatrit të Fakultetit Filozofik, aspak të lumtur që ndiqnin fjaët e rektorit Idriz Ajeti dhe kërkonin ndonjë gabim që të sulmonin në ndonjë mbledhje partie”, u shpreh Kraja për fillimet e Seminarit.
Ndërsa, drejtori i Seminarit, profesori Bardh Rugova ka çmuar kontributin e akademikut Rexhep Ismajli si themeluesi i Seminarit, duke thënë se ai ka bërë të hapen dyert e albanologjisë në piedestal botëror.
Kurse, Qerim Qerimi, i cili është rektor i Universitetit të Prishtinës, tha se në Kosovë e në Shqipëri na duhet një frymë e përbashkët zhvillimi dhe vizioni për dijen në përgjithësi, e sidomos për albanologjinë. Ndaj në pesë dekadat e ardhshme e më tutje, ky bashkëpunim duhet forcuar.
I pranishëm ishte edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.
“I nisur me nisma si hartimi i tekstit të mësimit të gjuhës shqipe për të huaj, sot ky seminar nën ombrellën e tij trajton jo vetëm gjuhën shqipe, por edhe letërsinë dhe gjithë kulturën shqiptare. Kjo përgjegjësi e zgjeruar dhe shumë e nevojshme vjen edhe si testament i rrugëtimit të vështirë që seminari pati ndër vite e dekada”, ka deklaruar Çeku.
Tutje, ai tha se që kur Idriz Ajeti ka themeluar Seminarin, tash për 50 vite dhe 22 edicione, Seminari ka afirmuar gjuhën shqipe. Ai tregoi se në vitin 1981 u pamundësua mbajtja e Seminarit për shkak të përgjigjes së regjimit serb ndaj demostratave të atij viti, kur u mbyll edhe Universiteti.
Një tryezë e veçantë gjatë ditëve të Seminarit do t’i kushtohet veprës letrare të kolosit shqiptar, tashmë të ndjerë, Ismail Kadare.
Organizatorët kanë bërë të ditur se sivjet të ftuar janë disa prej figurave më eminente të albanologjisë e gjuhës në botë, si gjuhëtari Brian Joseph, akademiku Ranko Matasoviq, profesori Jose Manuel Floristan Imizcoz, ligjëruesi Phil Hubbard, që kthehet në ngjarje pas 47 vjetësh, albanologu Rexhep Ismajli e historiani Oliver Jens Schmitt./KultPlus.com
Shkodra po kthehet gjithnjë e më tërheqëse në sytë e turistëve vendas e të huaj jo vetëm për atraksionet historike, por tashmë edhe për sportet e aventurës me varka.
Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale, teksa ndau pamje nga sportet ujore që turistët po zhvillojnë në këto ditë gushti në liqenin e Shkodrës dhe lumin Buna.
Rama tha se turistët po ushtrojnë sportet e aventurës me varka, kanoe, paddle boards, mbi lumin Buna dhe liqen, që pak e nga pak do të rijetësohet me mjete lundruese të të gjitha llojeve.
Drini Xhafa, themelues i “Drini Times”, tha se ky aktivitet zhvillohet në Shirokë që në vitin 2020. Kjo nuk është thjesht një mënyrë për të bërë sport, por për të bërë një eksplorim shumë të magjishëm në liqenin e Shkodrës dhe lumin Buna”.
“Fillon në Shirokë dhe bëhet në një trajktore mbi 26 km, ku turistët mund të eksplorojnë pjesë të liqenit të Shkodrës, pjesën e zambakëve në liqenin e Shkodrës, të ligatinës që është e mbushur me vegjetacion të dendur me zogj të ndryshëm dhe peshq”, tha Xhafa.
Lumi Buna, vijon Xhafa, përbën një risi për turizmin e paeksploruar të Shqipërisë, ku çdo pjesëmarrës që kemi pasur deri tani është ndier i privilegjuar dhe i habitur se përse nuk eksplorohet një destinacion i tillë.
“Është një perlë, shumë shpesh e krahasuar me lumin Amazona”, tha Xhafa.
Një turist tha se “jam këtu prej 7 ditësh, kemi vizituar Kalanë, liqenin këtu, do të shkojmë në liqenin e Komanit dhe më pas do të kthehemi në Holandë”.
“Është shumë këndshëm, shumë mikpritje, sidomos nëse shkon në restorante. Çmimet? Nëse i krahason me Gjermaninë janë shumë të lira”, tha ai.
Tashmë Shkodrës me bukuri të shumta natyrore dhe historike i është shtuar dhe lundrimi me kanoe, varka, padle boards duke u kthyer në turizmin e aventurës për turistët që e vizitojnë çdo vit.
Në lundrimin me kanoe në lumin Buna mund të vëzhgosh shpendët të cilët ndodhen anës lumit. Në kallamishte ka disa lloje: çafka e vogël të bardhë (Egretta garzetta); pula e ujit (Gallinula chloropus); kllinza e zallit (Tringa glareola) apo shumë baltakë të tjerë që mund të vrojtohen lehtësisht me sy ose me mjete optike, teleskop apo dylbi.
Liqeni i Shkodrës ofron mundësi argëtimi dhe kënaqësie për të gjithë turistët që dëshirojnë të shijojnë turizmin aktiv. Ai është liqeni më i madh në Gadishullin e Ballkanit dhe shtrihet në kufirin ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi. Ekosistemi i liqenit ushqen faunën dhe florën e pasur dhe unike, duke e shndërruar atë në një qendër të rëndësishme biodiversiteti në Evropë./atsh/KultPlus.com
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja shprehu sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të zërit ikonik të Radio Tiranës, Vera Zheji.
“Në kujtim të Vera Zhejit, zërit ikonë të Radio Tiranës, Teto Sandrës tek “Shi në Plazh” dhe pedagoges së fjalës artistike në degën e teatrit që ka nxjerrë artistë të mëdhenj nga Instituti i Lartë i Arteve (sot UAB)! Lamtumirë mjeshtre”, shkruan Gonxhja në një postim në rrjetet sociale.
Vera Zheji u nda nga jeta dy ditë më parë në moshën 91-vjeçare. Vera Zheji krijoi emisione të ndryshme e mjaft të ndjekura në radio, si “Bota e përrallave”, “Universiteti popullor i radios”, “Enciklopedia e radios e disa të tjera”, të cilët u identifikuan me mënyrën e saj unikale të të lexuarit e të folurit.
Vera Zheji tregoi edhe talentin e saj në aktrim, kur mori pjesë në komedinë “Shi në plazh” e pjesë të tjera teatrore./atsh/KultPlus.com
Dita Botërore e Fotografisë festohet çdo vit më 19 gusht, me synimin për të bërë homazhe për fotografët që kontribuan në fushët e fotografisë, dhe për të inkurajuar njerëzit që të merren me artin, sipas “The Economic Times”.
Fotografët gjithashtu bëjnë homazhe për pionierët e këtij arti që i frymëzuan ata të merren me fotografinë.
Francezët, Louis Daguerre dhe Joseph Nicephore Niepce zhvilluan procesin e parë fotografik në vitin 1837 që u quajt ‘Daguerreotype’.
Muzeu “Marubi”, si çdo vit më datë 19 gusht, feston celebrimin e artit të fotografisë përmes organizimit të ngjarjeve të ndryshme në Ditën Botërore të Fotografisë.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja bëri të ditur se këtë vitit celebrimit të kësaj date i paraprin hapja e ekspozitës “Vëllezërit Kodheli dhe Kolë Idromeno”.
Ekspozita hapet sot në orën 19:00.
Në historinë e fotografisë shqiptare përmendet fototeka “Marubi” në Shkodër, e cila përfshin fotografi të vjetra mbi 150 vjet, e të cilat ruhen ende edhe sot./atsh/KultPlus.com
Më 19 gusht “Times “, raporton se kryengritësit shqiptarë me 12.000 burra kishin çliruar Shkupin të enjten e kaluar, kishin marshuar në Selanik.
Nga Shkupi grupe kryengritësish marshuan drejt Tetovës, Kumanovës e Preshevës dhe i çliruan edhe këto qytete, duke liruar gjithashtu të burgosurit.
Një grup kryengritësish u drejtua për në Velesh. Udhëheqësit kryesorë të kryengritjes të cilët hynë në Shkup ishin, Hasan Prishtina, Bajram Curri, Isa Boletini, Zefi i Vogël, dhe Bajram Daklani.
Hasan Prishtina kishte deklaruar: “Kush qëllon një plumb vetëm për kënaqësi do të varet: ruani ata për TURQIT. Ky është urdhër”./BW / KultPlus.com
Fotografia i ka fillimet te shpikja e Dagerrotipit (Daguerreotype), një proces fotografik i zhvilluar nga Joseph Nicephore Niepce dhe Louis Daguerre në vitin 1837, që më vonë u patentua nga qeveria franceze dhe shpikja u prezantua si “dhuratë për botën”, më 19 gusht të 1839, ndaj kjo ditë sot njihet si Dita Botërore e Fotografisë.
Me kalimin e viteve dhe me ndihmën e jashtëzakonshme të teknologjisë, fotografia ka evoluar shumë dhe sot pothuajse të gjithë janë të pajisur me një kamerë përmes të cilës mund t’i ‘ngrijnë’ momentet.
Në historinë e fotografisë shqiptare vlen të përmendet fototeka “Marubi”, e cila përfshinë fotografi të vjetra 150 vjet, e të cilat ruhen në Shkodër.
Arti i fotografisë është padyshim i veçantë. Në hisotrinë e popullit shqiptar, ka hyrë fotografia e cila u shkrep na Bllacë të Maqedonisë dhe u bë simbol i refugjatëve të Kosovës, gjatë vitit 1999. Në kolonën e mijëra njerëzve, që u detyruan të largoheshin me dhunë nga vendlindjet e tyre, ndër ta ishte edhe Sherife Luta, nga fshati Ivajë i Kaçanikut, fotoja e së cilës kishte goditur botën. /KultPlus.com
Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara së bashku me ish-sekretaren Madeleine Albright, kishin festuar para disa viteve, më 21 qershor, së bashku me kosovarët “Ditën e Çlirimit”, shkruan KultPlus.
Albright në fjalimin e saj, kishte treguar sa rëndë e kishte përjetuar robërimin e kosovarëve, më 1999.
“Një djalë i vogël aty mbante një letër në të cilën shkruante unë e dua Amerikën dhe unë dua të kthehem në Kosovë. U ndala dhe bisedova me nënën e tij e cila më tregoi se gjyshi i djaloshit kishte vdekur derisa gjyshja nuk dihet nëse është e gjallë ka ngelur në Prishtinë. Pastaj hyra edhe në një tend kishte fëmijë e gra dhe iu thashë keni durim sepse do të ktheheni në Kosovë dhe se NATO do iu ndihmojë të bëni jetë normale.Falë burrave dhe grave në KFOR ne e mbajtëm premtimin”, kishte deklaruar Albright.
E ndjera e kishte pranuar se liria nuk do të ishte e mundur pa shefin e saj, presidentin Clinton. Në natën më kritike, ky e kishtë marr në telefon.
“Presidenti Clinton donte të sigurohej që Kosova do jetë e sigurtë.Në natën kur nisën bombardimet më thirri në mes të natës dhe më tha Medllin avionët u nisën ne po e bëjmë veprimin e duhur. Unë ia ktheva po Zotëri President pajtohem plotësisht me ju”.
Në skenën që ishte bërë në formë të shenjës së NATO-s, për të nderuar intervenimin e aleancës në Kosovë, fjalën e kishte marrë edhe Clinton që më 1999 ishte presidenti 42 i SHBA-së.
“Faleminderit që na u bashkëngjitët. Falenderoj popullin e Kosovës për mikpritjen e mrekullueshme që më bëtë mua dhe Hillarit. E dua këtë vend dhe gjithnjë do e dua këtë vend, është nderi më i madh në jetën time që kam qendruar me ju për liri dhe kundër spastrimit etnik. Jam krenar që jam këtu me Madelaine dhe gjeneralin. Faleminderit që jeni me mua këto. Kam një poster të vogël në zyrën time në New York, është një pamje e Prishtinës pas luftës. Kam një fotot të Madaleine të Westler dhe Tony Bleir. Çdo ditë e shoh atë foto për t’i kujtuar vetes cili ka qenë qëllimi kryesor i politik. Më kujtohen fytyrat e qytetarëve që takova para 20 vitesh në shkollën filler në Ferizaj. 79 ditë të bombardimeve nga NATO e kanë fituar luftën, por vetëm qytetarët e Kosovës e kanë fituar Paqen. Pas 20 vitesh mund t’ju them se ju e keni fituar paqen. Në kohët e paqes, ne nuk dimë çfarë të vlerësojmë. Themi çfarë duhet të kishim bërë më parë. Por shikoni, kujtohuni pak për Murin e Berlinit. Shumë mendojnë se do të jemi miq, e shumë menduan se do të ndodhte ashtu, por ka shumë pak humbje dhe fitore në kohë paqeje. S’doja që shekulli i 20-të të përfundonte ashtu, prandaj u munduam të ndalnim dhunën në Bosnje”, ka thënë mes tjerash në fjalimin e tij Clinton. /KultPlus.com