Dy vite nga vdekja e romancierit Martin Amis

Martin Amis, një nga romancierët më të famshëm britanik të gjeneratës së tij, ka vdekur para dy vitesh në moshën 73-vjeçare.

Amis është më i njohur për romanin e tij të vitit 1984 “Money” dhe veprën e vitit 1989 “London Fields”.

Ai është autor i 14 romaneve dhe disa librave jo-fiction dhe konsiderohet gjerësisht si një nga shkrimtarët më me ndikim të epokës së tij.

I lindur në vitin 1949 në Oksford, ai ishte djali i romancierit dhe poetit Sir Kingsley Amis.

Amis ndoqi gjurmët e babait të tij pasi u diplomua në Universitetin e Oksfordit me romanin e tij të parë “The Rachel Papers”.

Amis ishte një bashkëkohës i shkrimtarëve të tjerë të famshëm si James Fenton, Salman Rushdie dhe Ian McEwan.

Rushdie nderoi Amis, duke i thënë New Yorker-it: “Ai thoshte se ajo që donte të bënte ishte të linte pas një raft librash – të ishte në gjendje të thoshte, ‘nga këtu në këtu, jam unë’. Zëri i tij është i heshtur tani. Miqve të tij do t’i mungojë tmerrësisht. Por ne e kemi raftin”./KultPlus.com

Të huaj jemi

Poezi nga Ismail Kadare

Të huaj jemi ne prej kohësh,
Ç’ish për t’u thënë është thënë,
Si gurët që zëne vend në tokë,
Në jetë vend ne kemi zënë.

Drejt njëri-tjetrit kemi mbyllur
Të gjitha rrugët edhe shtigjet,
Si dy qytete mesjetare
Me mure, heshta dhe me pirgje.

Por natën, kur i lodhuri truri,
Portat i mbyll me qetësi,
Ti gjen nje shteg dhe futesh brenda,
Një shteg që vetëm ti e di.

Pastaj si në rrugica parqesh,
Shetit mes cirkovolucionesh,
Hyn nëpër ëndrra e shkujdesur,
Fanitesh, qesh, ma bën me dorë.

Por, kur mëngjesi ze afrohet,
Nis shqetësohesh befas ti,
Dhe heshturazi del përjashta
Nga shtegu, qe del veç ti
E dita vjen. Rrjedh prapë jeta.

Dhe ne të dy si dhe më parë
Të ftohtë rrimë e të pamposhtur
Si dy qytete mesjetare. / KultPlus.com

Nathanaël Gouin me koncert në ‘Chopin Fest’, një udhëtim muzikor nën tingujve të Chopin, Ravel e Bizet

Flonja Haxhaj

Në një mbrëmje që do të mbetet gjatë në kujtesën e artdashësve prishtinas, festivali Chopin Piano Fest Prishtina mirëpriti mbrëmë një nga emrat më të spikatur të gjeneratës së re pianistike, pianistin francez Nathanaël Gouin. Ky koncert u shndërrua në një udhëtim emocional përmes tingujve të Ravel, Bizet dhe Chopin, nën interpretimin brilant të virtuozit francez, shkruan KultPlus.

Këtë mbrëmje fillimisht e hapi drejtoresha artistike e festivalit, Lejla Pula, e cila përshëndeti të pranishmit me fjalë mirëseardhjeje dhe falënderimi, duke theksuar rëndësinë e këtij festivali në skenën kulturore të Prishtinës dhe përkushtimin e tij ndaj cilësisë artistike.

“Sot ne e kemi vërtet një kënaqësi të veçantë, ta presim në skenën e “Chopin Piano Fest’ pianistin francez të gjeneratave të reja, Nathanaël Gouin, Ai ka një karrierë shumë të gjatë, edhe pse është shumë i ri, sepse ka filluar herët të të mësojë piano, dhe vërtet kemi qenë shumë të lumtur që e ka pranuar ftesën tonë që të vijë sonte këtu dhe të luajë një program të mrekullueshëm”, u shpreh Lejla Pula në hapje të festivalit.

Në një atmosferë të ngrohtë dhe plot emocion, edhe Ambasadori i Francës në Kosovë, z. Olivier Guerot, mbajti një fjalë përshëndetëse para të pranishmëve. Me theks të veçantë në rëndësinë e këtij festivali për jetën kulturore të Kosovës dhe në bashkëpunimin e vazhdueshëm franko-kosovar në fushën e artit, ambasadori shprehu mbështetjen dhe përkushtimin e Francës ndaj zhvillimit të skenës muzikore dhe kulturore në vend.

“Që nga fillimi, Ambasada Franceze ka mbështetur me krenari Festivalin Chopin, duke kontribuar çdo vit përmes sjelljes në këtë skenë të disa prej emrave më të shquar të muzikës klasike nga Franca. Kjo mbështetje e vazhdueshme pasqyron përkushtimin tonë të fortë për ndërtimin e urave kulturore mes dy vendeve tona dhe për mbështetjen e komunitetit artistik të gjallë në Kosovë, si dhe të Kosovës në tërësi. Jemi veçanërisht të kënaqur që mirëpresim në këtë skenë njërin nga pianistët më të jashtëzakonshëm të gjeneratës së tij, Nathanaël Gouin, karriera e të cilit tashmë është përmendur dhe rikujtuar”, u shpreh ambasadori francez në Kosovë.

Koncerti nisi me një homazh madhështor për 150-vjetorin e lindjes së Maurice Ravel, ku Gouin interpretoi me finesë dhe thellësi emocionale kryeveprën “Gaspard de la Nuit”, një nga veprat më sfiduese të repertorit pianistik. Publiku u përball me një përjetim të rrallë të tingullit dhe teknikës së përkryer, ku çdo notë u shpërfaq me një ndjeshmëri të rrallë muzikore.

Në vazhdim të koncertit, publiku pati rastin të përjetojë një homazh të ndjerë për kompozitorin e shquar francez Georges Bizet, në shënim të 150-vjetorit të ndarjes së tij nga jeta. Nocturna e zgjedhur për këtë rast, një vepër e rrallë dhe delikate, u interpretua me ndjeshmëri të veçantë, duke sjellë në sallë një atmosferë të mbushur me qetësi dhe melankoli.

Kulmi emocional i mbrëmjes erdhi në pjesën e dytë, kur pianisti Nathanaël Gouin iu përkushtua plotësisht Frédéric Chopin-it, figurës që frymëzon vetë identitetin e festivalit. Me një interpretim të thellë dhe të rafinuar të ciklit 24 Preludëve, Gouin solli në jetë të gjitha nuancat shpirtërore dhe kompleksitetin emocional të kësaj vepre madhështore, duke krijuar një përjetim të paharrueshëm për publikun.

Pas një performance mbresëlënëse që u prit me duartrokitje të gjata nga publiku, pianisti Nathanaël Gouin ndau me KultPlus përshtypjet e tij për vizitën e parë në Kosovë. I ftuar në edicionin e 15-të të Festivalit Chopin, Gouin solli një program të pasur artistik që përfshinte vepra të Maurice Ravel dhe Frédéric Chopin, duke dëshmuar mjeshtërinë dhe ndjeshmërinë e tij interpretative.

“Është hera ime e parë në Prishtinë, në Kosovë, madje edhe në rajonin e Ballkanit. Ndjehem shumë i lumtur që pata mundësinë ta zbuloja këtë vend dhe që u mirëprita nga një organizim i tillë. Ishte vërtet mbresëlënëse. Atmosfera ishte shumë e ngrohtë dhe gjithçka ishte kënaqësi nga fillimi deri në fund. Jam vërtet i lumtur. Në këtë koncert recital, doja të bëja një homazh, para së gjithash, për një kompozitor francez, Maurice Ravel. Ndoshta vepra e tij kryesore, Gaspard de la Nuit, që është një triptik shumë poetik dhe shumë i vështirë për t’u interpretuar. Gjithashtu, desha të luaja pak Chopin, ku interpretova Preludet. Është një kryevepër” tha Gouin, duke shtuar më tutje se të 24 preludet janë disa nga veprat më të vështira që ka kompozuar Chopin, megjithatë për të ishte një përvojë e veçantë.

Përveç koncertit, Nathanaël Gouin një ditë përpara mbajto edhe një puntori me studentë të rinj të muzikës në Prishtinë, po ashtu në kuadër të Chopin Piano Fest. Përmes këtij bashkëpunimi të drejtpërdrejtë me të rinjtë, pianisti francez pati mundësinë të njohë nga afër potencialin, pasionin dhe përkushtimin e brezit të ri të muzikantëve në Kosovë.

“U mahnita nga kaq shumë njerëz të ndjeshëm dhe të përkushtuar ndaj muzikës. Qasja e tyre ishte shumë bujare dhe ata dëgjonin me vëmendje,  gjë që nuk ndodh gjithmonë në puntori të tilla. Më bëri shumë përshtypje që kishte profile të ndryshme muzikantësh, sepse zakonisht ndodh që të kesh studentë me prapavijë të ngjashme. Këtu ishte krejt ndryshe, me repertor, karaktere dhe personalitete të ndryshme. Jam shumë i lumtur për Kosovën që ka talente të tilla. Me padurim pres të shoh çfarë do të arrijnë në të ardhmen”, tha Gouin për KultPlus.

Ndërkaq, ju kujtojmë se festivali Chopin Piano Fest Prishtina do të zgjasë deri më 9 qershor, e përgjatë këtyre ditëve publiku do të ketë mundësi të shijojë performanca të artistëve të mirënjohur vendorë e ndërkombëtare./KultPlus.com

Sot, Dita Botërore e Meditimit

Kur bota përreth jush është e mbushur me çmenduri, dhe nuk mund të duket sikur të gjesh një çast paqeje në stuhinë e ditës, është koha për t’u kthyer prapa dhe për të kujtuar ato momente të lumtura si fëmijë, ku thjesht të shtrirë diku “e humbitnim veten” duke shikuar qiellin.

Ky është meditimi dhe sot shënohet Dita Botërore e Meditimit e cila shërben si një thirrje për njerëzit që të gjejnë kohë për këtë praktikë të vjetër mijëvjeçare.

Meditimi shërben si një mënyrë për lehtësimin e stresit dhe pastrimin e mendjes.

Dinamika e jetës së sotme e ka bërë meditimin një gjë shumë të nevojshme. Hulumtimet kanë treguar se meditimi ka efekte pozitive mendore dhe fizike kur praktikohet. / KultPlus.com

Malli

Poezi nga Dritëro Agolli

Hëna brirët lan në lumë, uji yllin e spërkat,
Unë sillem nëpër shelgje sonte natën fillikat.

Bulku fshehur pas një drize lumit iso po i mban,
Natë e viseve të mia mbushur plot me jargavan.

Si një rrahje flete molle një të puthur afër ndiej,
Sonte njerëz dashurohen tek ky mal nën këta qiej.

Edhe unë u dashurova dhe me jetën pata fat,
Ndofta edhe puthjen time e dëgjoi një fillikat.

Ndofta ndezi një cigare pranë shelgut tek ky vend,
Ndofta buzët i lëvizi dhe diç solli nëpër mend.

Ndofta, ndofta! …Lumi derdhet , flladi thinjat m’i shpërndan,

Natë e viseve të mia rreh në xham me jargavan/KultPlus.com

Rama ndan pamje nga Kanionet e Osumit

Sezoni turistik ka filluar dhe Kanionet e Osumit me madhështinë, lashtësinë dhe bukurinë e tyre janë përherë të lakmuar për t’u vizituar. Ato janë shndërruar tashmë në një destinacion turistik gjithmonë e më të pëlqyer edhe për aventurierët e sporteve të “adrenalinës”.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale foton e dy turistëve duke shijuar bukuritë e natyrës në Kanionet e Osumit në Skrapar.

Guidat e qarkut të Beratit tashmë janë përshtatur me kërkesat e turistëve të huaj dhe po e kthejnë natyrën e Kanioneve në një paketë të plotë turistike.

Sapo kalon qytetin e Çorovodës dhe merr sipër rrjedhën e lumit, të shfaqet pamja e mrekullueshme e Kanioneve të Osumit, rreth 13 kilometra të gjatë, nga 4 deri në 35 metra të gjerë, 70-80 metra të thellë, me shpate vertikale, përfund të cilave rrjedh lumi i Osumit.

Të cilësuara edhe si “Koloradoja e Shqipërisë”, pamjet që të ofrojnë Kanionet e Osumit janë mahnitëse, gjithë lartësi, kontraste për sa i përket dritës, bimësi e larmishme, një atraksion i vërtetë për turistët vendas dhe të huaj.

Rafting në Kanionet e Osumit është tashmë një nga guidat më të preferuara pothuajse nga të gjitha grup-moshat.

Në këto kanione, nga fundi i muajit prill deri në mesin e muajit qershor, zhvillohet sezoni i sportit të rafting. Sportistë nga Italia, Anglia, Çekia, Gjermania dhe gjithë bota vijnë jo vetëm për të ushtruar në ujërat e tij sportin e bukur të rafting, por edhe për të eksploruar magjinë e natyrës shqiptare./atsh/KultPlus.com

Ndahet nga jeta sopranoja Redrina Kokona

Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor njoftoi sot për ndarjen e parakohshme nga jeta të sopranos së njohur Redrina Kokona.

Një ndër zërat më të bukur të Korit të TKOB, Redrina kishte një karrierë të spikatur që shtrihet në pothuajse tri dekada dhe ishte një artiste që të frymëzonte me përkushtimin dhe shpirtin e saj operistik.

E diplomuar me rezultate të shkëlqyera në Universitetin e Arteve në Tiranë, në vitin 1998, ajo e nisi rrugëtimin e saj artistik me një pasion të palëkundur për muzikën klasike dhe një zë që spikati që në hapat e parë.

Në vitin 2000, ajo iu bashkua Trupës së Korit të TKOB-së dhe që atëherë nuk iu nda më skenës.

Ishte gjithmonë aty, në çdo koncert, në çdo premierë, në çdo përgatitje e provë, jo vetëm si pjesë e korit, por edhe si një zë që shpesh dallohej në role solistike, me një interpretim plot finesë e ndjeshmëri.

Publiku do ta mbajë mend si Fiordiligi në operën Così fan tutte, Frasquita në Carmen, Kate Pinkerton në Madama Butterfly, Musetta në La Bohème, Anina në La Traviata dhe Una novizia në Suor Angelica.

Sot, Trupa e Korit të Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor është më e heshtur. Ka humbur një nga zërat e saj më të bukur, sopranon Redrina Kokona. Me një karrierë që shtrihet në pothuajse tri dekada, Redrina ishte një artiste që të frymëzonte me përkushtimin dhe shpirtin e saj operistik.

Në këtë moment dhimbjeje të thellë, shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta familjes, fëmijëve, kolegëve dhe të gjithë atyre që e duan dhe e çmojnë Redrinën si artiste dhe si njeri. Humbja e saj lë një boshllëk të pazëvendësueshëm në zemrat dhe skenën tonë. Qoftë i paharruar kujtimi i saj!”, thuhet në mesazhin e ngushëllimit të TKOBAP./atsh/KultPlus.com

Presidentja Osmani në Zvicër: Mirënjohje për pritjen madhështore dhe thellim të partneritetit mes dy vendeve

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës së saj të parë shtetërore në Zvicër, u prit me nderime të larta nga Presidentja e Zvicrës, Karin Keller-Sutter, dhe anëtarët e Këshillit Federal. Në një njoftim zyrtar, Osmani shprehu mirënjohjen e saj për mikpritjen dhe theksoi rëndësinë e kësaj vizite për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe.

Gjatë takimit bilateral, u diskutua për thellimin e bashkëpunimit politik, ekonomik dhe në fusha të tjera me interes të përbashkët. Presidentja Osmani vuri në pah edhe rolin kyç të mërgatës shqiptare në Zvicër, të cilën e cilësoi si motor të zhvillimit të shoqërisë zvicerane.

“Kosova dhe Zvicra ndajnë vlera të përbashkëta: lirinë, demokracinë dhe solidaritetin. Populli i Kosovës është thellësisht mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme të Zvicrës në përpjekjet tona për forcimin e pozitës ndërkombëtare.”, theksoi Osmani, duke falënderuar shtetin zviceran për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës në arenën ndërkombëtare./KultPlus.com

Gonxhja: Shqipëria, zë i fuqishëm në mbrojtje të trashëgimisë kulturore

Një delegacion shqiptar mori pjesë në takimin e 8-të të Shteteve Palë të Konventës së UNESCO-s 1970.

Në këtë takim, ku delegacioni shqiptar përbëhej nga Delegacioni i Përhershëm i Shqipërisë në UNESCO, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Gjykata e Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, u nda përvoja dhe angazhimi në luftën kundër trafikimit të paligjshëm të objekteve kulturore.

Ambasadorja pranë UNESCO, Besiana Kadare theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe solli në vëmendje rastin e suksesshëm të rikthimit të 20 ikonave të trafikuara, mënyrë të paligjshme, dhe të rikthyera në dhjetor 2023 në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Në një postim në rrjetet sociale, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja theksoi se “Shqipëria është një zë i fuqishëm në mbrojtje të trashëgimisë kulturore”.

Gjatë këtij takimi, Shqipëria kontribuoi edhe në hartimin e një rezolute të re, me fokus në forcimin e kapaciteteve dhe parandalimin e këtij fenomeni global./atsh/KultPlus.com

113 vite nga Kuvendi i Junikut

Kuvendi i Junikut u mbajt më 21-25 maj 1912 në Junik.

Udhëheqësit e forcave kryengritëse ndien nevojën e bashkërendimit dhe organizimit të kryengritjes në shkallë kombëtare, prandaj i drejtuan një thirrje popullit shqiptar për tu bashkuar nën drejtimin e një komiteti të vetëm kombëtar.

Ministri i brendshëm turk deklaroi në parlament se ” kryengritësit shqiptarë po u krijonin udhëheqësve të tyre mundësinë për të mbajtur lirisht kuvendin në Junik”. Kuvendi u mblodh në Junik më 21-25 maj 1912 me nismën e Hasan Prishtinës dhe në të morën pjesë 250 delegatë nga Vilajeti i Kosovës, sanxhakët e Dibrës, të Shkodrës dhe të Elbasanit.

Falë përpjekjeve të Hasan Prishtinës, Bajram Currit dhe Isa Boletinit u paralizuan veprimet e elementëve turkomanë në radhët e lëvizjes. Shumica e pjesëmarrësve të Kuvendit vendosën të vazhdohej kryengritja e armatosur, kësodore u lidh besa dhe u vendos të ndërmerrej një kryengritje e përgjithshme.

Kuvendi miratoi programin politik i cili përmbante kërkesa për autonominë e Shqipërisë, vendosjen e administratës shqiptare, caktimin e gjuhës shqipe me alfabet kombëtar si gjuhë zyrtare, ngritjen e flamurit shqiptar në gjithë vendin dhe garancinë e Fuqive të Mëdha për plotësimin e këtyre kërkesave./ KultPlus.com

Samvega: Të kuptosh nevojën urgjente për një jetë më kuptimplotë

Saṃvega është një term budist që përshkruan një ndjesi të përgjithshme pakënaqësie ekzistenciale me botën — ndjesinë se jeta është pa kuptim dhe se po humbet diçka më të thellë. Saṃvega shfaqet në thuajse të gjithë literaturën filozofike dhe njihet me shumë emra. Për Marksin është “huajësimi”, për Kamynë po ashtu, dhe për ekzistencialistët është “ankthi”. Duke qenë se saṃvega është koncept i përbashkët për shumë tradita, nuk është çudi që ekzistojnë edhe shumë zgjidhje për të — të njohura si pasada

Carlos kthehet nga puna dhe është vonë — aq vonë sa, kur parkon makinën përpara shtëpisë, sheh që çdo dhomë është në errësirë. Puna po e shkatërron. Ai ndjen se nuk po e sheh më familjen e vet. Javën e kaluar i bleu vajzës një lodër nga seriali i saj i preferuar. Ajo qeshi. Por më vonë gruaja i tha se vajza kishte disa muaj që nuk e ndiqte më atë serial. Carlos ndjen se gjërat e rëndësishme në jetën e tij po i rrëshqasin nga duart.

Larg, në një shtëpi tjetër, Jess po heq flokët e thinjura përpara pasqyrës. Është bërë ritual. Ndërsa mundohet për të parë më mirë, sheh veten. Jo thjesht fytyrën. Sheh veten. Sheh një grua në moshë me më shumë rrudha se dje dhe më shumë thinja se ç’ka mundësi të heqë. Psherëtin. “Ç’kuptim ka?”, mendon. “Gjithsesi, të gjithë plakemi”. Dhe heq një fije tjetër floku.

Ka diçka të njohur tek Carlos dhe Jess. Tregimet e tyre do të tingëllojnë të njohura për shumë njerëz. Ajo që i lidh Carlosin dhe Jessin, ashtu si edhe thuajse të gjithë dijetarët e historisë, është diçka që quhet saṃvega: një fjalë budiste për një emocion tronditës dhe trazues. Është një ndjenjë që shumica prej nesh e kanë përjetuar në një moment të jetës, por ndoshta nuk ia kemi ditur emrin. Po çfarë do të thotë saṃvega?

Kështu foli Zoti i Marksit që priste Godonë

Saṃvega është e vështirë për t’u përkufizuar, por del gjithmonë në sipërfaqe në literaturën filozofike. Mund të quhet ankth, absurditet, mërzi, pakënaqësi, huajësim, apo tmerr ekzistencial. Saṃvega është ajo ndjesi parehatie që të pushton kur mendon se gjithçka është e kotë. Është kur ndihesh si budalla — duke bërë budallallëqe, në mënyra budallaqe — përpara një turme që po të tall. Saṃvega është kur ndjen se ekziston diçka më shumë në Univers me të cilën s’je i lidhur — si një e vërtetë e thellë që gjithmonë të rrëshqet nga duart.

A të ka ndodhur ndonjëherë të punosh shumë për një qëllim, për një kohë të gjatë, dhe kur e arrin, të ndihesh bosh? Kjo është saṃvega. A je gjendur ndonjëherë pas një etape të jetës tënde dhe të mendosh: “Çfarë humbje kohe!”? Kjo është saṃvega. A ke ndjesinë se të gjithë po shtiren dhe ti thjesht po bën sikur? Saṃvega!

Saṃvega është një mal me shumë faqe. E gjen tek Karl Marksi që flet për armiqësimin e punëtorëve. Është në zemërimin e Nietzsche-s ndaj normave sociale dhe morale të kohës. Është në dramën “Duke pritur Godonë” të Samuel Beckett, ku dy burra enden dhe bisedojnë kot ndërsa presin Zotin që s’vjen kurrë. Është në idetë e Sartre-it për “besimin e keq”, në Mitin e Sizifit të Kamysë, në “Qytetin e Zotit” të Augustinit dhe në momentin kur Buda sheh përtej murit të kopshtit të kënaqësisë. Saṃvega është etja për diçka më shumë.

Sëmundja me shumë mjekë

Tek “Vdekja e Ivan Iliçit” nga Tolstoy, personazhi kryesor është mishërimi i saṃvega-s. Ivan Iliç ndodhet në shtratin e vdekjes, i rrethuar vetëm nga dhimbja dhe pendesat. Ai sheh pas një jete të përbërë nga etiketa dhe rregulla — ku çdo hap i madh ishte për të ruajtur fasadën dhe për të përmbushur pritshmëritë. Teksa mjekët vijnë njëri pas tjetrit, secili me zgjidhjen e vet, ai kupton se nuk ka shpëtim.

Ashtu si Ivani, edhe saṃvega është një sëmundje me shumë kura. Zgjidhjet ose kurat për saṃvega-n njihen si pasada. Në mënyrë të përgjithshme, ato ndahen në katër kategori:

  1. Fetarja

Duke qenë se është një fjalë budiste, nuk është çudi që Budizmi ofron një përgjigje. Për budistët, saṃvega nuk është gjë e keqe. Përkundrazi, është pika fillestare drejt urtësisë. Ajo ndjenjë pakënaqësie me botën kalimtare dhe të përkohshme është një sinjal. Është një mesazh i shpirtit dhe zgjidhja e saj qëndron tek Katër të Vërtetat Fisnike. Por s’ka nevojë të jesh budist. Të gjitha fetë e njohin saṃvega-n dhe ofrojnë rrugëdalje. Nëse nuk jemi kurrë të kënaqur në botën materiale, ndoshta kuptimi i vërtetë ndodhet diku tjetër?

  1. Ekzistencializmi

Kur Nietzsche shkatërroi të gjitha vlerat, normat dhe traditat që na robërojnë, ai nuk u kthye thjesht në shpellën e vet i kënaqur. Përkundrazi, ai argumentoi se secili duhet të rishpikë vlerat e veta. Vetëm pasi të kemi shembur ndërtimet e vjetra shtypëse, mund të rindërtojmë një botë sipas vullnetit tonë. Për ekzistencialistët që erdhën pas tij, saṃvega është një lloj shkundjeje krijuese — një shtytje për të krijuar kuptimin tonë personal dhe për të jetuar sipas vetes sonë.

  1. Absurdi

Nëse të pëlqen saṃvega me aromë cigareje franceze, Kamy është njeriu yt. Në librat e tij, ai analizon problemin e saṃvega-s. Gjithçka është pa kuptim. Të gjithë vdesin. Asgjë që bëjmë, themi apo mendojmë nuk ka rëndësi në rrjedhën e pafundme të historisë së universit. Zgjidhja e tij? Kryengritja tallëse. Kur bota të rrëzon, përgjigjja më e mirë është të qeshësh dhe të vazhdosh përpara. Nuk ka shpresë, nuk ka jetë tjetër, nuk ka kuptim. Por mund të qeshim rrugës.

  1. Nihilizmi

Nihilistët janë ata që jo vetëm përjetojnë saṃvega-n, por e thithin si ajër. Ata e pranojnë kotësinë e gjithçkaje dhe nuk i japin vlerë asgjëje. Nuk ofrojnë zgjidhje për saṃvega-n. Do të të thonë të mbarosh punë me të. Është e vështirë të imagjinosh dikë që është realisht nihilist dhe ende i gjallë. Shumica e njerëzve kanë diçka për të cilën ia vlen të jetosh. / big think/ KultPlus.com

‘Ktheva të të shoh, që ta vras harrimin’

Poezi nga Rrahman Dedaj

Ktheva të të shoh
Që ta vras harrimin
Me një fjalë

Mos më pyet
Ku isha njëqind vjet

Jeta na qenka matematikë e thjeshtë
Asnjë e panjohur
Asnjë e njohur krejt
Asnjë plus
Asnjë minus
Baraz me zero

Desha të të shoh
Dhe të kujtojmë
Tërë të pavdekurën

T`u shtrydhim fjalëve heshtjen
E t`i thërrasim
Me emra të thjeshtë
Miqtë e vjetër

Krejt çka nuk plaku koha
Mbetet e vejë
Ujët që nuk e pimë
Nuk e pranoi burimi

Ma jep dorën
Dhe mos më pyet
Ku isha njëqind vjet
Se jeta na qenka
Matematikë e thjeshtë

Në të ç`do gjë
Është e kuptueshme
Si e vërteta – ose
Lotari e pakuptim
Që fsheh numrin e Fatit./ KultPlus.com

“Travel and Tour World”: Shqipëria, destinacioni më i mirë evropian për vitin 2025

Shqipëria ka tërhequr vëmendjen e vizitorëve globalë duke ofruar një ndërthurje të jashtëzakonshme të peizazheve natyrore marramendëse, trashëgimisë së pasur kulturore dhe përballueshmërisë së pakrahasueshme, sipas “Travel and Tour World”.

Plazhet e saj të pastra, vendet historike dhe qytetet plot jetë ofrojnë një përvojë autentike që rrallë gjendet në destinacione të tjera.

Së bashku me aksesin e saj nga vendet kryesore evropiane, Shqipëria shquhet si zgjedhja ideale për ata që kërkojnë aventura, zbulime dhe vlera të jashtëzakonshme në një arratisje të paharrueshme.

Shqipëria, një vend magjepsës i vendosur në Evropën Juglindore, është kurorëzuar si destinacioni më i mirë i udhëtimeve në të gjithë botën – për këtë vit.

Peizazhet e saj mahnitëse, historia e pasur, përballueshmëria dhe afërsia me Britaninë e Madhe e kanë bërë atë një zgjedhje gjithnjë e më popullore për turistët që kërkojnë përvoja autentike larg turmave.

E shtrirë përgjatë një vije bregdetare që arrin gati 210 milje, Shqipëria ofron një gamë mbresëlënëse plazhesh të pastra të karakterizuara nga rëra e artë dhe ujëra të pastra bruz.

Kjo vijë bregdetare e gjerë është e mbushur me vendpushime të qeta që ofrojnë peizazhin perfekt për relaks dhe eksplorim.

Përtej bregdetit, terreni i larmishëm i vendit përfshin vargmale spektakolare dhe një mori vendesh historike, duke krijuar një ndërthurje unike të bukurisë natyrore dhe trashëgimisë kulturore.

Së fundmi, u publikua një renditje e vendeve më të mira për t’u vizituar – duke marrë në konsideratë faktorë të shumtë vendimtarë – duke u përqendruar në përballueshmërinë e përgjithshme të udhëtimit, destinacionet më pak të prekura nga turizmi masiv, në cilësinë dhe shumëllojshmërinë e përvojave të disponueshme, si dhe pozicionin e vendeve në aspektin e popullaritetit të vizitorëve dhe perceptimit pozitiv.

Shqipëria doli në krye te renditjes – duke theksuar rëndësinë në rritje të vendit në hartën botërore të turizmit.

Një nga arsyet kryesore pse Shqipëria ka kryesuar është kostoja e saj jashtëzakonisht efektive.

Krahasuar me shumë destinacione të tjera të njohura evropiane, vendi ofron vlera të jashtëzakonshme pa bërë kompromis në cilësinë e përvojës së vizitorit.

Kryeqyteti, Tirana, e ilustron në mënyrë të përkryer këtë ekuilibër.

Kohët e fundit, revista britanike “TimeOut” e shpalli atë si një nga qytetet më të përballueshme për një pushim të shkurtër, dhe veçanërisht tërheqës për vizitorët që kërkonin një arratisje urbane me buxhet të përballueshëm, por të pasur me kulturë.

Vizitorët në Tiranë mund të përfitojnë nga çmimet e ulëta ; si për ushqimin ashtu edhe për argëtimin.

Tarifa e hyrjes në dy muzetë kryesore të qytetit, të cilat ofrojnë një pasqyrë të historisë dhe artit magjepsës të Shqipërisë, kushton 3-5 pesë paund.

Për ata që shijojnë kulturën e gjallë të kafeneve të qytetit, një krikëll birrë zakonisht kushton më pak se 3 paund. Ndërkohë, opsionet e akomodimit janë po aq të arsyeshme.

Një apartament me një dhomë gjumi i listuar në platforma të tilla si “Airbnb” kushton mesatarisht rreth 40 paund nata – duke tërhequr edhe turistët me buxhet të kufizuar.

Ushiqmi në Tiranë është një tjetër pikë e veçantë për vizitorët që kërkojnë porcione bujare me çmime të përballueshme.

Një vakt për dy persona në një restorant tipik lokal – zakonisht kushton midis 21-25 paund, duke ofruar sshije të shkëlqyer.

Përballueshmëria – e kombinuar me mikpritjen e ngrohtë të qytetit, artin shumëngjyrësh të rrugës dhe jetën e gjallë të natës, e bën Tiranën një destinacion joshës në vetvete.

Përtej kryeqytetit, atraksionet e Shqipërisë shtrihen në vijën e saj të mrekullueshme bregdetare dhe thesaret në brendësi të vendit.

Plazhet përgjatë deteve Adriatik dhe Jon mbeten relativisht të pazbuluara, duke ofruar ambiente të qeta – larg vendpushimeve të zhurmshme që gjenden në vendet më turistike.

Qoftë duke pushuar në rërën e artë, duke notuar në ujërat e kristalta apo duke eksploruar fshatrat mahnitëse të peshkimit – vizitorët mund të shijojnë një përvojë të qetë bregdetare që ndihet sa ekskluzive po aq edhe autentike.

Më në brendësi, vendi krenohet me peizazhet madhështore malore që tërheqin adhuruesit e aktiviteteve në natyrë.

Majat e thepisura, luginat e thella dhe pyjet e pacënuara krijojnë kushte ideale për ecje në natyrë.

Vendet historike dhe arkeologjike janë një tjetër vlerë e përvojës së udhëtimit në Shqipëri.

Apollonia, e vendosur rreth 12 kilometra nga qyteti jugor i Fierit, është një nga monumentet më të rëndësishme antike të vendit.

Dikur një qytet i zhvilluar ilir, sot rrënojat e Apolonisë ofrojnë një pamje të një bote me arkitekturë klasike, me tempuj dhe ndërtesa të lashta qytetare, të rrethuara nga fshatra të qetë.

Në mënyrë të ngjashme, qyteti i Beratit i magjeps vizitorët me sharmin e tij mesjetar dhe arkitekturën e ruajtur mirë.

I njohur si “Qyteti i një mbi një dritareve”, Berati përmban një Kala të fortifikuar në majë të kodrës që daton në shekullin XIII.

Rrugët e tij me kalldrëm dhe shtëpitë e bardha të epokës osmane me dritare të mëdha krijojnë një kontrast vizual të mrekullueshëm, duke i dhënë qytetit statusin e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Ndërthurja e Beratit – me rëndësi historike dhe peizazhe piktoreske – e bën atë destinacionin ideal për adhuruesit e kulturës.

Aksesueshmëria është një tjetër faktor kyç që kontribuon në tërheqjen e turistëve britanike në Shqipëri.

Vendi ndodhet më pak se tre orë larg me avion nga aeroportet kryesore të BM-së – duke lejuar udhëtime të përshtatshme në fundjavë ose pushime më të gjata.

Vizitorët mund të kombinojnë lehtësisht një pushim në qytet në Tiranë me ekskursione bregdetare ose malore, duke përjetuar një gamë të gjerë atraksionesh brenda një afati kohor relativisht të shkurtër.

Statusi në zhvillim i Shqipërisë – si një destinacion kryesor udhëtimi – lidhet gjithashtu me përmirësimin e vazhdueshëm të infrastrukturës dhe shërbimeve të mikpritjes.

Investimet në rrjetet rrugore, aeroportet dhe strukturat e akomodimit kanë rritur vazhdimisht gatishmërinë e vendit për turizëm, duke ruajtur karakterin e tij unik dhe mjedisin natyror.

Komunitetet lokale përqafojnë gjithnjë e më shumë praktikat e turizmit të qëndrueshëm, duke siguruar që rritja e vizitorëve të mbështesë zhvillimin ekonomik pa dëmtua asetet që tërheqin vizitorët – në radhë të parë.

Për më tepër, trashëgimia kulturore e vendit dhe njerëzit mikpritës luajnë një rol thelbësor në pasurimin e përvojës së udhëtimit.

Traditat, muzika, kuzhina dhe festivalet shqiptare u ofrojnë turistëve një pamje gjithëpërfshirëse në një shoqëri të gjallë dhe të larmishme.

Ndërthurja e ndikimeve mesdhetare dhe ballkanike krijon një peizazh dinamik kulturor.

Shqipëria i magjeps turistët me peizazhet e saj mahnitëse, kulturën e pasur dhe përballueshmërinë e jashtëzakonshme.

Ndërthurja unike e bukurisë natyrore dhe trashëgimisë e bën atë destinacionin perfekt për aventura të paharrueshme.Shqipëria ka tërhequr vëmendjen e vizitorëve globalë duke ofruar një ndërthurje të jashtëzakonshme të peizazheve natyrore marramendëse, trashëgimisë së pasur kulturore dhe përballueshmërisë së pakrahasueshme, sipas “Travel and Tour World”.

Plazhet e saj të pastra, vendet historike dhe qytetet plot jetë ofrojnë një përvojë autentike që rrallë gjendet në destinacione të tjera.

Së bashku me aksesin e saj nga vendet kryesore evropiane, Shqipëria shquhet si zgjedhja ideale për ata që kërkojnë aventura, zbulime dhe vlera të jashtëzakonshme në një arratisje të paharrueshme.

Shqipëria, një vend magjepsës i vendosur në Evropën Juglindore, është kurorëzuar si destinacioni më i mirë i udhëtimeve në të gjithë botën – për këtë vit.

Peizazhet e saj mahnitëse, historia e pasur, përballueshmëria dhe afërsia me Britaninë e Madhe e kanë bërë atë një zgjedhje gjithnjë e më popullore për turistët që kërkojnë përvoja autentike larg turmave.

E shtrirë përgjatë një vije bregdetare që arrin gati 210 milje, Shqipëria ofron një gamë mbresëlënëse plazhesh të pastra të karakterizuara nga rëra e artë dhe ujëra të pastra bruz.

Kjo vijë bregdetare e gjerë është e mbushur me vendpushime të qeta që ofrojnë peizazhin perfekt për relaks dhe eksplorim.

Përtej bregdetit, terreni i larmishëm i vendit përfshin vargmale spektakolare dhe një mori vendesh historike, duke krijuar një ndërthurje unike të bukurisë natyrore dhe trashëgimisë kulturore.

Së fundmi, u publikua një renditje e vendeve më të mira për t’u vizituar – duke marrë në konsideratë faktorë të shumtë vendimtarë – duke u përqendruar në përballueshmërinë e përgjithshme të udhëtimit, destinacionet më pak të prekura nga turizmi masiv, në cilësinë dhe shumëllojshmërinë e përvojave të disponueshme, si dhe pozicionin e vendeve në aspektin e popullaritetit të vizitorëve dhe perceptimit pozitiv.

Shqipëria doli në krye te renditjes – duke theksuar rëndësinë në rritje të vendit në hartën botërore të turizmit.

Një nga arsyet kryesore pse Shqipëria ka kryesuar është kostoja e saj jashtëzakonisht efektive.

Krahasuar me shumë destinacione të tjera të njohura evropiane, vendi ofron vlera të jashtëzakonshme pa bërë kompromis në cilësinë e përvojës së vizitorit.

Kryeqyteti, Tirana, e ilustron në mënyrë të përkryer këtë ekuilibër.

Kohët e fundit, revista britanike “TimeOut” e shpalli atë si një nga qytetet më të përballueshme për një pushim të shkurtër, dhe veçanërisht tërheqës për vizitorët që kërkonin një arratisje urbane me buxhet të përballueshëm, por të pasur me kulturë.

Vizitorët në Tiranë mund të përfitojnë nga çmimet e ulëta ; si për ushqimin ashtu edhe për argëtimin.

Tarifa e hyrjes në dy muzetë kryesore të qytetit, të cilat ofrojnë një pasqyrë të historisë dhe artit magjepsës të Shqipërisë, kushton 3-5 pesë paund.

Për ata që shijojnë kulturën e gjallë të kafeneve të qytetit, një krikëll birrë zakonisht kushton më pak se 3 paund. Ndërkohë, opsionet e akomodimit janë po aq të arsyeshme.

Një apartament me një dhomë gjumi i listuar në platforma të tilla si “Airbnb” kushton mesatarisht rreth 40 paund nata – duke tërhequr edhe turistët me buxhet të kufizuar.

Ushiqmi në Tiranë është një tjetër pikë e veçantë për vizitorët që kërkojnë porcione bujare me çmime të përballueshme.

Një vakt për dy persona në një restorant tipik lokal – zakonisht kushton midis 21-25 paund, duke ofruar sshije të shkëlqyer.

Përballueshmëria – e kombinuar me mikpritjen e ngrohtë të qytetit, artin shumëngjyrësh të rrugës dhe jetën e gjallë të natës, e bën Tiranën një destinacion joshës në vetvete.

Përtej kryeqytetit, atraksionet e Shqipërisë shtrihen në vijën e saj të mrekullueshme bregdetare dhe thesaret në brendësi të vendit.

Plazhet përgjatë deteve Adriatik dhe Jon mbeten relativisht të pazbuluara, duke ofruar ambiente të qeta – larg vendpushimeve të zhurmshme që gjenden në vendet më turistike.

Qoftë duke pushuar në rërën e artë, duke notuar në ujërat e kristalta apo duke eksploruar fshatrat mahnitëse të peshkimit – vizitorët mund të shijojnë një përvojë të qetë bregdetare që ndihet sa ekskluzive po aq edhe autentike.

Më në brendësi, vendi krenohet me peizazhet madhështore malore që tërheqin adhuruesit e aktiviteteve në natyrë.

Majat e thepisura, luginat e thella dhe pyjet e pacënuara krijojnë kushte ideale për ecje në natyrë.

Vendet historike dhe arkeologjike janë një tjetër vlerë e përvojës së udhëtimit në Shqipëri.

Apollonia, e vendosur rreth 12 kilometra nga qyteti jugor i Fierit, është një nga monumentet më të rëndësishme antike të vendit.

Dikur një qytet i zhvilluar ilir, sot rrënojat e Apolonisë ofrojnë një pamje të një bote me arkitekturë klasike, me tempuj dhe ndërtesa të lashta qytetare, të rrethuara nga fshatra të qetë.

Në mënyrë të ngjashme, qyteti i Beratit i magjeps vizitorët me sharmin e tij mesjetar dhe arkitekturën e ruajtur mirë.

I njohur si “Qyteti i një mbi një dritareve”, Berati përmban një Kala të fortifikuar në majë të kodrës që daton në shekullin XIII.

Rrugët e tij me kalldrëm dhe shtëpitë e bardha të epokës osmane me dritare të mëdha krijojnë një kontrast vizual të mrekullueshëm, duke i dhënë qytetit statusin e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Ndërthurja e Beratit – me rëndësi historike dhe peizazhe piktoreske – e bën atë destinacionin ideal për adhuruesit e kulturës.

Aksesueshmëria është një tjetër faktor kyç që kontribuon në tërheqjen e turistëve britanike në Shqipëri.

Vendi ndodhet më pak se tre orë larg me avion nga aeroportet kryesore të BM-së – duke lejuar udhëtime të përshtatshme në fundjavë ose pushime më të gjata.

Vizitorët mund të kombinojnë lehtësisht një pushim në qytet në Tiranë me ekskursione bregdetare ose malore, duke përjetuar një gamë të gjerë atraksionesh brenda një afati kohor relativisht të shkurtër.

Statusi në zhvillim i Shqipërisë – si një destinacion kryesor udhëtimi – lidhet gjithashtu me përmirësimin e vazhdueshëm të infrastrukturës dhe shërbimeve të mikpritjes.

Investimet në rrjetet rrugore, aeroportet dhe strukturat e akomodimit kanë rritur vazhdimisht gatishmërinë e vendit për turizëm, duke ruajtur karakterin e tij unik dhe mjedisin natyror.

Komunitetet lokale përqafojnë gjithnjë e më shumë praktikat e turizmit të qëndrueshëm, duke siguruar që rritja e vizitorëve të mbështesë zhvillimin ekonomik pa dëmtua asetet që tërheqin vizitorët – në radhë të parë.

Për më tepër, trashëgimia kulturore e vendit dhe njerëzit mikpritës luajnë një rol thelbësor në pasurimin e përvojës së udhëtimit.

Traditat, muzika, kuzhina dhe festivalet shqiptare u ofrojnë turistëve një pamje gjithëpërfshirëse në një shoqëri të gjallë dhe të larmishme.

Ndërthurja e ndikimeve mesdhetare dhe ballkanike krijon një peizazh dinamik kulturor.

Shqipëria i magjeps turistët me peizazhet e saj mahnitëse, kulturën e pasur dhe përballueshmërinë e jashtëzakonshme.

Ndërthurja unike e bukurisë natyrore dhe trashëgimisë e bën atë destinacionin perfekt për aventura të paharrueshme./atsh/KultPlus.com

‘Kam frikë të plakem, por sidomos kam frikë të vdes, pa pasur afër një dorë gruaje’

Zija Çela 

Isha njëzet vjeç dhe pyeta: “Kur do ta njoh?”
Në njëzet e pesë thashë: “Kur ta kem njohur, do të jemi gjithmonë bashkë.” 
U bëra tridhjetë dhe ne ishim bashkë. Në tridhjetë e pesë ishim përsëri bashkë.

Po mbushja dyzet, kur bëmë udhëtimin e madh. Nuk mbaj mend se ku vajtëm, por kthimi ishte njëlloj si prej botës së përtejme: njëri prej nesh u tjetërsua aq shumë, sa e humbi toruan edhe tjetri.

Në dyzet e pesë u ndamë.
Pesëdhjetë vjeç i trokita në derë. Doli dikush dhe më tha:
“Ajo po fle. Ke ndonjë porosi?”
“Jo”, thashë, “vetëm desha të dija nëse është mirë.”
“Ajo është mirë”, tha.
Ende s’jam pesëdhjetë e pesë që ta di nëse është zgjuar nga gjumi dhe vazhdon të jetë mirë. Ndoshta kur të bëhem gjashtëdhjetë, do të pyes veten: “A do ta shoh përsëri?” Nëse në gjashtëdhjetë e pesë nuk do të jetë ajo që do të trokasë tek unë, shtatëdhjetë vjeç do të martohem me një tjetër.
Kam frikë të plakem, por sidomos kam frikë të vdes, pa pasur afër një dorë gruaje./ KultPlus.com

“Tash po nisemi” – poezi nga Jusuf Gërvalla

Poezi nga Jusuf Gërvalla

Tash po nisemi në mundshim të heshtim pak
E të flemë. Po jemi lodhur. Këmbët të ënjtura
Nën tryezë. Koka që rëndon. Aspirinë?
Tash po nisemi? U bë vonë. Edhe ylli i fundit
Ra përmbi tryezë.

Jemi bërë si planeti që kërkon ta pranojnë
Si palaço të punojë
Në cirkun e verdhë.

Unë hënë e zbehtë ai diell i zjarrtë
-që të dy prej letrës së verdhë-
Që me nesër na pret takim’ i ri, bisedat për shëndetin
Dashurinë, poezinë.
E mbaruam bisedën mbi sëmundjen e poetit shëndetlig
-të ngrihemi, u bë vonë në këtë tavernë
Vetëm tym duhani e fjalë që shkëlqejnë
Prej fjalësh të pathëna
Dhe prej mëlçisë së zezë.

Shtrati i madh nën një çati diku do të ftohet
Në pritjen e vet
Rrugicat e përgjumura ritmin e mugën dritareve
Të fikura derdhin kot
Si një pikë në det
Jemi si yje
Në qiell.
Tash po nisemi në mundshim të heshtim pak
Dashuria s’është ilaç as helm.
Me kokën time e krijoj
Me duart e mia dhe eci nëpër planet.
Natën e mirë:
Mua më duhet të shkoj atje prej nga mund t’ju gjej./KultPlus.com

Angelin Preljocaj, anëtar i Akademisë së Arteve të Bukura të Francës

Sot është një ditë e jashtëzakonshme për koreografin e famshëm me origjinë shqiptare, Angelin Preljocaj, i cili u pranua zyrtarisht si anëtar i Akademisë së Arteve të Bukura të Francës.

“Ky është gjithashtu një moment i madh krenarie edhe për Shqipërinë dhe për kulturën shqiptare”, shkruan Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme në rrjetet sociale.

Ceremonia speciale u zhvillua nën kupolën madhështore dhe historike të Institutit të Francës (Institut de France).

Fjalën e tij Angelin Preljocaj e nisi me një homazh për të gjithë ata balerinë që në më shumë se 40 vjet kanë dhënë kontribut me pasion dhe bënë historinë e kompanisë së tij dhe më tej përmendi një numër të madh bashkëpunëtorësh te të cilët ka gjetur mbështetje gjatë karrierës së tij të gjatë.

Angelin Preljocaj lindi në Francë, më 19 janar 1957 dhe filloi të studionte baletin klasik përpara se t’i përkushtohej kërcimit bashkëkohor, të cilin e studioi me Karin Waehner, Zena Rommett, Merce Cunningham dhe më vonë Viola Farber dhe Quentin Rouillier. Në dhjetor 1984 Preljocaj themeloi kompaninë e tij.

Që nga fillimet e tij, ai ka krijuar 61 vepra koreografike, duke filluar nga solo në formacione më të mëdha duke përfshirë Romeo & Juliet, Borëbardha, Liqeni i Mjellmave. Atij i pëlqen të alternojë balete të mëdhenj narrativë me pjesë më abstrakte si Empty Move, Still Life, Deleuze/Hendrix.

Angelin Preljocaj bashkëpunon rregullisht me artistë të tjerë në fusha të ndryshme si muzika, artet pamore, dizajni, vizatimi, letërsia dhe filmat e animuar.

Angelin Preljocaj ka marrë çmime të shumta dhe ka drejtuar disa filma të shkurtër dhe filma me koreografi të tij. Kompania që Preljocaj themeloi ka 30 kërcimtarë të përhershëm dhe performon mesatarisht 120 shfaqje në vit, në mbarë botën./atsh/KultPlus.com

Java Globale e Veprimit për Sigurinë Rrugore

Java Globale e Veprimit për Sigurinë Rrugore, e cila zhvillohet nga data 21 deri më 27 maj, është një nismë ndërkombëtare e organizuar nga OKB dhe OBSH, që synon të rrisë ndërgjegjësimin dhe të ulë numrin e aksidenteve dhe fataliteteve në rrugë.

Kjo javë shërben si një platformë për komunitetet, qeveritë dhe organizatat që të bashkëpunojnë për rrugë më të sigurta. Në një intervistë për RTSH-në, specialistja e DPSHTRR-së, Ina Habilaj, theksoi rëndësinë e edukimit dhe veprimit të përbashkët për sigurinë rrugore.

Kjo javë do të jetë e mbushur me aktivitet lidhur me ndërgjegjësimin e sigurisë rrugore, ku sipas specialistes Habilaj fokusi fillon që nga fëmijët e vegjël deri tek të rinjtë dhe bashkëpunimet ndërinstitucionale.

Lidhur me aksidentet që ndodhin në vendin tonë, Habilaj tha se kjo ndodh më së shumti për shkak të mungesës së sinjalistikës dhe mosrespektimi i rregullave nga qytetarët. Habilaj u shpreh se DPSHTRR në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit ka ndërmarrë projekte sensibilizuese në shkolla, ku nxënësit mësojnë rregullat bazë të qarkullimit në mënyrë argëtuese.

Aktivitetet gjatë kësaj jave do të jenë të shumta dhe me grupmosha të ndryshme fëmijësh në formë argëtuese por edhe që të mësojnë rregullat bazë. Aktivitete do të ketë edhe me grupe të rinjsh apo institucione të ndryshme me fokus në zbatimin e ligjit të sigurisë rrugore./atsh/ KultPlus.com

Konferenca shkencore ‘Java e Albanologjisë’ fillon edhe pak ditë

Fundmaji sjell konferencën shkencore “Java e Albanologjisë”, edicioni i sivjetmë do të fillojë më datën 26 maj nga ora 10:00, dhe do të përfundojë më 30 maj.

Instituti Albanologjik i Prishtinës është duke u përgatitur të mbajë konferencën shkencore “Java e Albanologjisë”. Këtë vit do të organizohet edicioni i gjashtëmbëdhjetë dhe në të do të marrin pjesë studiues të njohur të fushave qenësore të dijeve albanologjike.

Në kuadër të kësaj konference shkencore do të mbahen pesë sesione nga fushat e gjuhësisë, letërsisë, historisë, folklorit dhe etnologjisë, si dhe do të ketë diskutime të ndryshme për çështje të rëndësishme e të veçanta të kërkimeve albanologjike.

Temat bosht të sesioneve që do të mbahen në këtë edicion.

Sesioni i Historisë: “Ndërthurja e identitetit fetar te shqiptarët nga besimet pagane te pluralizmi bashkëkohor”, 26 maj,

Sesioni i Folkloristikës dhe Etnomuzikologjisë: “Kënga si rrëfim, tekst, performancë dhe praktikë social-kulturore”, 27 maj,

Sesioni i Letërsisë: “Kritika letrare shqipe 1945-1990”, 28 maj,

Sesioni i Etnologjisë: “Kultura shqiptare dhe etnologjia urbane”, 29 maj,

Sesioni i Gjuhësisë: “Për një leksikografi bashkëkohore”, 30 maj.

Victoria, arusha polare më e vjetër në Britaninë e Madhe, i nënshtrohet eutanazisë në moshën 28-vjeçare

Arusha polare më e vjetër në Britaninë e Madhe i është nënshtruar eutanazisë – pas problemeve shëndetësore të lidhura me moshën, tha Shoqata Mbretërore Zoologjike e Skocisë (RZSS).

Victoria, 28 vjeç, kishte marrë trajtim mjekësor në “Parkun e Jetës së Egër RZSS Highland” pranë Kingussie.

Veterinerët e organizatës bamirëse për ruajtjen e jetës së egër këshilluan që ajo të eutanizohej – pasi morën parasysh cilësinë e jetës dhe mirëqenien e saj.

Victoria lindi në Kopshtin Zoologjik të Rostockut në Gjermani, në dhjetor 1996 – dhe lindi një këlysh femër – për herë të parë në vitin 2008 në Kopshtin Zoologjik të Aalborgut, në Danimarkë – e quajtur Malik.

Në vitin 2015, Victoria u zhvendos në Parkun e Jetës së Egër Highland dhe lindi dy arinj meshkuj: Hamish në vitin 2017 dhe Brodie në vitin 2021.

“Victoria ishte një nënë e shkëlqyer dhe ta shihje duke rritur dy djem të mëdhenj e të shëndetshëm ka qenë një gëzim për ekipet e përkushtuara të bamirësisë sonë. Qindra mijëra vizitorë kanë ardhur për të parë familjen e saj dhe për të mësuar më shumë rreth kërcënimeve me të cilat përballen këto kafshë të mrekullueshme në natyrë”, tha David Field, drejtori ekzekutiv i RZSS.

Victoria iu nënshtrua eutanazisë dje në mëngjes.

RZSS tha se në natyrë, vetëm një përqindje e vogël e arinjve polarë jetojnë mbi 18 vjeç – duke e përshkruar moshën e Victorias – si një dëshmi të kujdesit të klasit botëror – që ajo mori nga kujdestarët dhe ekipi i veterinerëve. /atsh/ KultPlus.com

Albrecht Dürer, djali i një argjendari që skaliti me shkronja të florinjta historinë e pikturës gjermane

Nga Albert Vataj

“Ajo që qe e vdekshme nga Albrecht Dürer prehet në këtë varr”, janë këto fjalët që miku i tij, Willibald Pirckheimer gdhendi mbi lapidarin e piktorit. Dhe koha e dëshmoi se më shumë se një epitaf ishte sentencë profetike. Sepse vetëm ato mbetje tokësore të shterrura së ushqyeri me jetë preheshin në atë varr, i jepeshin vdekjes, gatiteshin për një shndërrim. Vepra, gjithë ajo krijimtari kolosale prej më se 1200 punësh ishte sendërgjuar prej shkulmeve dhe zjarmit të atij shpirti dhe talenti, për të mbetur pjesë e thesareve të njërëzimit, forcë eterne që kishte ardhur në jetë prej tij, pa mundur dot të iki me të, për të mbetur e përgjithmonshme, … mahnitëse, ngasëse, impresionuese, medituese, kumtuese. Po, për të mbetur e gjallë, përplot ritëm dhe puls atëditë e sot, një shpërblesë qiellore prej Albrecht Dürer.

Ishte viti 1524 kur ai do të kthehej në Nuremberg. E thërriste vendlindja. I lodhur dhe i sëmurë, kishte ende për të dhënë, kishte ende në duar përfundime të punëve. Duke sfiduar molisjen dhe lëngimin i’u përkushtua me mish e me shpirt, mbi të gjitha prodhimtarisë së ilustrimeve dhe shkrimit të traktateve gjeometrike dhe shkencës së fortifikimeve. Punë të cilat janë edhe sot një pikë referimi dhe shqyrtesash të teknikës.

Afrimi me doktrinën protestante u pasqyrua edhe në artin e tij, duke braktisur gati plotësisht temat profane dhe portretet, iu dha gjithmonë e më shumë subjektet ungjillore, ndërsa stili i tij bëhej gjithmonë e më i ashpër dhe energjik. Projekti për një bisedë të shkenjtë, nga i cili mbeten studime të shumta të mahnitshme, me gjasa i nisur pikërisht për kushtet e ndryshuara politike dhe klimën tashmë armiqësore përkundrejt imazheve të shenjta, të akuzuara se nxisnin idhujtarinë.

Për tu mbrojtur ndoshta nga kjo akuzë, në 1526, në mes të periudhës luteriane, pikturoi dy tablotë me Katër Apostujt monumental, Shën Gjoni, Shën Pjetri, Shën Pali dhe Shën Marku, kampion të vërtetë të virtytit kristian, që ia dhuroi bashkisë së qytetit të vetë. Bëhet fjalë për dëshminë e spiritualitetit të maturuar me reformën luterane dhe kulmi i kërkimit të tij piktorik i prirur të kërkonte bukurinë ekspresive dhe saktësinë e paraqitjes së njeriut dhe paraqitjes në prespektivë të hapësirës. Kjo vepër shënon arritjen e tij përfundimtare dhe me siguri më të lartë si piktor. Kënaqësia e tij në virtuozitetin e demostruar nuk e mbyste idealin e hapësirës që është e thjeshtë, por thellësisht ekspresive.

Në të njëjtin vit, Albrecht Dürer, pikturoi portretet e fundit, ata të Bernhart von Reesen-it, Jakob Muffel-it, Hieronymus Holzschuher-it dhe Johann Kleberger-it.

I vitit 1525 është një traktat mbi prespektivën në kuadër të gjeometrisë deskriptive dhe në 1527 publikoi Traktatin mbi fortifikimet e qyteteve, kështjellave dhe vendbanimeve. Në vitin 1528 dolën në dritë katër libra mbi përmasat e trupit njerëzor.

Me 30 vite jetë në skenën e madhe ta artit të kolorit, gdhëndjes, ilustrimit, idesë, teorisë dhe filozofisë, 57-vjeçari Albrecht Düreri i afrohet agonisë. Sëmundja e kredh në shtrat mbretin gjerman të Rilindjes për ta shuar më 6 prill 1528 në shtëpinë e tij në Nuremberg dhe për tu varrosur në vendvarrezën e kishës së Shën Gjonit, ku prehet edhe sot.

Düreri u kishte mbetur besnik mësimeve të Luterit, ndërsa miku i tij Pirckheimer ishte kthyer në katolicizëm. Mbi lapidarin e mikut ai gdhendi epitafin latin: “Ajo që qe e vdekshme nga Albrecht Dürer prehet në këtë varr”.

Albrecht Düreri duke mos pasur fëmijë, i la në trashëgimi të shoqes shtëpinë dhe një shumë të madhe në të holla, ndërmendim këtu se piktori ishte një nga dhjetë qytetarët më të pasur të Nurembergut.

Albrecht Dürer u lind  më 21 maj 1471 në Nuremberg, Gjermani. Ai arriti të krijonte reputacionin dhe të ndikonte në Evropë kur ishte ende në të njëzetat. Ky rol i piktorit dhe gdhendësit të shquar ishte pjesë e atij komunikimi që Dürer pati me gjenitë bashkëkohës, artistët italian të penelit dhe daltës, ndër ta Raffaello-n, Giovanni Bellini-n dhe Leonardo da Vinçin. Nga viti 1512 ishte nën mbrojtje e perandorit Maximilian I.  Albrecht Dürer, konsiderohet si eksponenti më i spikatur i pikturës së Rilindjes gjermane dhe njiherash zëri më i fuqishëm i atij shtresëzimi estetik. Në Venecia artisti hyri në kontakte me mjediset neoplatonike, të cilat e çuan drejt veprave me karakter ezoterik. Shembulli klasik këtyre veprave është ajo me titull Melencolia I, e realizuar në 1514, ku shfaqen simbologji të shumta hermetike.

Ai, biri i një argjendari, gdhendi me pasion dhe përkushtim, në drun dhe në bakër, skaliti me delikatesë, ngjyra zjarri dhe shprehi jete, në pëlhurë e në kanavacë, themeloi disiplina dhe shkroi ligje, vuri rregulla dhe shkallmoi paradokse, erdhi dhe iku për të mbeti në dimensionin e së përgjithmonshmes si një garanci e vlerës.

Rreth 1200 vepra që realizoi Dürer deri në vdekje në vitin 1528 përbëjnë galerinë e këtij artisti. Pikturat, gdhendjet në dru e bakër, janë të ekspozuara në muzetë e mbarë botës. Arti që la si testamet i memories gjermane u fiksua edhe në dekorimin e kartmonedhës së 5 markëshit gjerman. Ai është piktori më i njohur gjerman i Rilindjes dhe do të mbetet i tillë, sepse është një faqe e rëndësishme e artit dhe historisë së kohës kur ky gjigand krijoi. Ndryshe nga shumë personalitete të artit, të cilëve u erdhi fama pasi kishin shterruar së jetuari, Albrecht Dürer e shijoi sa ishte gjallë.

Padyshim ishte Albrecht Dürer ai që shkroi faqen më të shndritshme të historisë së pikturës gjermane dhe vuri themele të qëndrueshme në artin botërorë të penelit dhe gdhëndes.

Dervish Hima, atdhetari, publicisti e diplomati i shquar shqiptar

Më 21 maj të vitit 1928 vdiq Dervish Hima atdhetar, publicist e diplomat shqiptar. I njohur me emrin Ibrahim Mehmet Naxhi, Hima lindi në Ohër më 21 maj të vitit 1875, në një familje të pasur.

Ai kreu shkollën fillore në Ohër, teksa shkollën e mesme e vazhdoi në Manastir dhe Selanik dhe për dy vjet studioi mjekësi në Stamboll. Me vajtjen atje, fillimisht mbështeti Lëvizjen e Re Turke, në kuadër të së cilës filloi edhe të reflektojë mbi çështjen shqiptare.

Ishte atdhetar e publicist i Rilindjes Kombëtare, organizator i Kongresit të Bukureshtit, pjesëmarrës në Kongresin e Napolit, botues i gazetës “Arnautlluk” në Stamboll e më pas i gazetës “Albania” në Zvicër. Në vitin 1903, Dervish Hima botoi revistën dyjavore “L’Albanie” në Gjenevë. Po këtë revistë, ai vazhdoi ta botojë një herë në muaj përgjatë 1905-1906, në Bruksel. Më 1909 në Stamboll, Dervishi drejtonte të përjavshmen “Shqipëtari” – “Arnavud”, së bashku me Hilë Mosin, një revistë kjo në gjuhën shqipe dhe turke, e mbështetur financiarisht nga Austro-Hungaria, botimi i së cilës u ndalua në fund të vitit 1910.

Dervish Hima ishte njëri nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë. Ai shkroi e botoi: “Varri i liridashësve”, “Pasqyra e krimeve të Sulltanit”, “Një zë nga burgu në kohën e lirë” dhe vepra të tjera./atsh/ KultPlus.com

Diskutohet figura e Gjergj Kastriotit në Muzeun Historik Kombëtar

Muzeu Historik Kombëtar në kuadër të misionit të tij për të sjellë më afër publikut figurat e rëndësishme të historisë sonë kombëtare, organizoi të martën një takim mbi figurën e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut, si pjesë e një cikli bisedash që do të vijojnë dhe në të ardhmen.

Nëpërmjet të dhënave historike akademiku Pëllumb Xhufi parashtroi pse Skënderbeu nuk ishte thjesht një udhëheqës lokal, por një figurë me ndikim të gjerë në politikën europiane të shekullit XV. Ai vërejti se “strategjia diplomatike e Skënderbeut dhe lidhjet e tij me Vatikanin dhe Mbretërinë e Napolit tregojnë një udhëheqës me vizion europian”.

Nga perspektiva kulturore dhe muzikore studiuesi Zhani Ciko theksoi ndikimin e figurës së Skënderbeut në krijimtarinë muzikore shqiptare.

“Himnet, operat dhe veprat muzikore të frymëzuara nga Skënderbeu janë dëshmi se figura e tij nuk ka frymëzuar vetëm historianët, por edhe artistët ndër shekuj”, u shpreh Zhani Ciko.

Ndërsa në aspektin ushtarak prof. as. dr. Bernard Zotaj në referimin e tij e përshkruan Skënderbeun si një gjeni të strategjisë së luftës, duke veçuar manovrat taktike të tij, përdorimin e terrenit malor dhe shpërndarjen e ushtrisë së vogël në mënyrë të zgjuar, të cilat janë shembuj që studiohen edhe sot në akademitë ushtarake./atsh/ KultPlus.com

Rruga e dashurisë në romanin e Ag Apollonit

Nga Aida Buliqi

Romani “Sikur t’ isha djall” i Ag Apollonit është një vepër që ndërthur elemente filozofike, mitike dhe simbolike për të krijuar një rrëfim që në vete përmban elementin kryesor, dashurinë. Pra, dashuria është elementi kryesor i këtij romani, por ajo shfaqet në forma të ndryshme, duke marrë një thelb të ndryshuar nëpërmjet karaktereve dhe ngjarjeve që zhvillohen në qytetin e bukur të Vjenës. Romani fillon me shkronjën e parë të alfabetit latin “Alfa”. Kjo shkronjë, shpesh përdoret si simbol i fillimit apo origjinës, dhe paraqet një kuptim të thellë simbolik. Në romanin e Apollonit, “Alfa” mbase shoqërohet me një kuptim të fuqisë ose autoritetit, për shembull si “Alfa dhe Omega”, ku “Alfa” është fillimi dhe “Omega” është fundi. Pikërisht, edhe romani “Sikur t `isha djall”, fillon me “Alfa” dhe përfundon me “Omega”, që është shkronja e fundit e alfabetit, dhe që sjell një përfundim, një përmbyllje të një cikli, por mund të simbolizojë një fund të mundshëm për të kaluar në një fazë tjetër të jetës. Kështu, romani nuk është vetëm një rrëfim linear, por një udhëtim ku çdo hap është një hap drejt zbërthimit të një kuptimi më të thellë, dhe ku çdo simbol ka rolin e tij në ndihmën e lexuesit për të kuptuar më shumë jo vetëm rreth karaktereve, por dhe rreth vetes. Pra, në fillim Apolloni e nis romanin me një retorikë filozofike, ku ai paralajmëron thellësi edhe më të madhe në mendimin filozofik. Madje titulli është tejet provokator meqë askush nuk dëshiron të bëhet djall. Përveç thellësisë filozofike autori përshkruan edhe aspektin kohor. Këtu ai ndërthur edhe aspektin hyjnor, te “Bukuroshja e Durrësit”, ku thotë: “shpirti i tij ngrohej në verën e vitit 2013, ndërsa trupi lagej e bëhej qull në vjeshtën e vitit 2023, në të njëjtin vend”. Që në fillim autori paralajmëron se djalli është në detaje të shkrimit të tij. Por, pavarësisht që në fillim romani duket që ka një qasje sa filozofike aq edhe enigmatike, mund të thuhet se përbrenda përmban elemente të shumta që ndërlidhen me dashurinë. Pra, dashuria është elementi kryesor që Apolloni e ka në romanin e tij, e që në disa raste, mbase edhe mund të lexohet si autobiografi ku vet autori rrëfen “copëza” të jetës së tij.

Pra, tani shtrohet pyetja se kush është djalli?

Apo, nga kush janë rrëfyer këto tregime? Nga djalli…? Apo, nga autori i cili fillon rrëfimin e një historie të dashurisë në Vjenë, ndërmjet dy të rinjve. Në fillim te romanit, gjegjësisht në tregimin “Ujku dhe Nimfa”, siç është edhe vet titulli i tregimit, autori përdor këto dy simbole që i pari simbolizon natyrën e egër, ndërsa e dyta simbolizon bukurinë. Madje ai paralajmëron se në tregim bëhet fjalë për thurje dhe shthurje, ku gjatë leximit mund të kuptohet se “djalli” në Vjenë mbase kishte nisur historinë e këtij rrëfimi, e si shkas ishte

bere një “draft romani” . Rrugët e caktuara të Vjenës, të ndriçuara nga dritat e zbehta dhe të mbushura me “dashnore” që ofrojnë kënaqësi të shpejta në këmbim të disa monedhave të ftohta, krijojnë një atmosferë ku ndjenja dhe trupi ndërthuren në mënyrë të çuditshme. Në këtë qytet, ku çdo qoshe duket se mban një histori të fshehur, ndoshta rrëfyesi ka përjetuar edhe një përqafim ndryshe, atë të një aziatike enigmatike, e cila, përtej ndjesisë fizike, i ka hequr atij një dilemë të madhe që lidhet me fizionominë strukturore të pubisit aziatik. Ndoshta kjo përvojë, e gërshetuar ndërmjet erotizmit dhe kuriozitetit njerëzor, është një pjesë e vogël por domethënëse e asaj që ai ka përjetuar në Vjenën e vitit 2013. Në romanin e tij, Ag Apolloni i bashkon personazhet e mëdha botërorë me ata shqiptar nëpër skena të ndryshme teatrale. Në tregimin “Maska e Mojsiut”, ku autori flet për teatrin dhe aktrimin, në qendër vë aktorin shqiptar me famë botërore Aleksandër Mojsiun. Në skenën e teatrit më të madh botërorë, ai si shikues vë emra të mëdhenj si: Max Reinhardt, Max Brod, Franz Kafka, Luigi Pirandello, Josef Kainz, Stefan Zwei e të tjerë. Ai përmes këtyre “takimeve” përplas konceptet e ndryshme të mentalitetit ndërmjet mënyrës së jetesës në Vjenë dhe asaj në Kosovë. Këto dy realitete sociale dhe kulturore përplasen, duke krijuar një tension që shpesh i shtyn personazhet të kalojnë nga një botë në tjetrën, nga përditshmëria kosovare në sfidat dhe ritmet e jetës perëndimore. Ky ndërrim dinamik i përvojave thekson ndryshimet në mentalitet, stil jetese dhe sistem vlerash.

Pra, duke e lexuar romanin e Ag Apollonit “Sikur t’ isha djall”, lexuesi mund të kuptoj se autori ka përdorur një stil ekspresionist të ndërtimit të rrëfimit, e kush shpesh guxon të zhytet edhe në “territoret e errëta”, duke trajtuar me guxim tabutë dhe ankthet e brendshme që zakonisht fshihen pas maskave sociale. Nganjëherë, autori përdor edhe satirën për të theksuar anë të caktuara të karaktereve dhe shoqërisë, siç është rasti në tregimin “Dishepulli i djallit”. Në këtë rast, ai përdor një shprehje të njohur dhe “famshme” të shqiptarëve, e cila reflekton tiparet e mirësjelljes dhe zakonin social te kohës.

Shprehja ku shqiptaret për hire të mirësjelljes drejtohen një femre më emrin “motër”, është një element qe përdoret për të krijuar një kontrast të pasur dhe për të nxjerrë në pah absurditetin e situatës. Kjo shprehje, që në dukje nxjerrë në pah një farë hipokrizie të shoqërisë. Në bisedën që pason, autori tregon së kjo mirësjellje ka një dyzim;

“Çka të hahet sot, oj motër?”

“O Zot, me çmendin shqiptarët, të thonë motër, kurse të hanë më sy.”

“Hajde t ‘ ha, oj motër!”

Pra, edhe kjo pjesë është e mbushur me satire, dashuri e muzikë, ku reflekton dashuria ndërmjet një poeti dhe një pianiste në Austri. Por, perse “Dishepulli i djallit”? Mbase këtu flitet edhe për incestin, por ajo qe mbetet me kryesore është se në këtë tregim flitet për tabutë.

Në këtë pjesë të tregimit, fillojnë të thyhen tabutë, duke krijuar një botë ku e verteta nuk është më lineare, por e përberë nga shtresa të shumta të përceptimi.

Aty fillohet të flitet për disa gjëra të cilat janë të vështira të imagjinohen e lere më të diskutohet për to, apo të praktikohen në realitet. Një përplasje ndërmjet dy personazheve në këtë rrefim, krijon një tension mbase poetik që e bën tekstin një pasqyrë të shtrembëruar, por njëkohesisht thellësisht të sinqert, të perjetimeve njerëzore kur flitet për tema që konsideroheshin tabu në shoqërinë tonë, e që në një shoqëri me moderne, ta zëmë në Austri, tashmë këta kufij ishin zhdukur mbase shumë kohë më parë.

Ndërsa, në aspektin letrar, “Dishepulli i djallit”, mund të shërbej si një figurë që sfidon ndarjen ndërmjet të mirës dhe të keqës dhe që bën të duket se çdo zgjedhje ka një çmim të madh. Historia e famshme e Fausit është një shembull klasik i një marrëveshje më djallin, ku Fausti në romanin e Ag Apollonit, duket se djalli lidh një marëveshje me njëriun, apo thënë ndryshe, njëriu krijon njëfarë lidhje me djallin në këmbim të një dashurie e cila ka zanafillën e sajë në një nga qytetet më të famshme evropiane, në qytetin qe njihet për muzikën, pikturën dhe dashurinë.

Romani mbyllet me tregimin “Sikur magjik” ku autori, nëpërmjet fjalës “sikur”, sugjeron një ndjenjë të thellë pendese dhe reflektimi. Pas leximit t ëfjaleve të fundit të djallit, që ofrojnë një këndveshtrim të pazakontë mbi ekzistencën e Zotit, rrëfimtari përfshihet nga një gjendje vetëanalizë, duke u kthyer të dy aspektet e karakterit të tij: ai qe është dhe ai që mund të kishte qenë.

“Sikur-I’ bëhet një element kyq në këtë fund, një mekanizëm që shpreh dëshirat e paplotësuara, gabimet e së kaluares dhe mundësintë e humbura. Kjo qasje e autorit përngjan me mënyrën se si Sterjo Spasse përdor”pse-në” në romanin e tij, si një formë për të analizuar jetën në retrospektivë. Përmes formulimeve të tipit:

“Sikur të kisha vepruar ndryshe, sot do të isha…”

“Sikur ta kisha vlerësuar atë, sot do ta kisha…”

Pra, autori krijon një hapësirë imagjinare ku njeriu përballet me veten dhe me pasojat e zgjedhjeve të tij. Apo, siç thotë edhe vet autori: “Ndoshta unë jam binjaku i personazhit tim. Binjaku i urryer në mendjen e tij të thyer”.

Ashtu, siç fillon me “Alfa”, romani përfundon me shkronjën e fundit të alfabetit, “Omega”, për të përmbyllur këtë cikël dhe për të simbolizuar përfundimin dhe përmbushjen. “Omega”, nuk është thjesht fundi i një historie, por një simbol i përmbylljes së një rrugëtimi të një dashurie që nuk

zgjati shumë, por që nuk përfundon asnjëherë.

Prandaj, duke lexuar këtë roman, mund të themi se me stilin e tij të veçantë autori këtu flet për tema komplekse dhe tabutë që e kanë kompleksuar shoqërinë tonë ndër vite, derisa me elementet e përdorura në romanin e tij, Apolloni thyen edhe kufijtë ndërmjet realitetit dhe imagjinatës./ KultPlus.com

Presidentja Vjosa Osmani arrin në Zvicër (FOTO)

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka arritur në Zvicër ku do ta zhvillojë një vizitë shtetërore.

Osmani do të pritet me nderime të larta nga Garda Ushtarake dhe protokolli shtetëror.

Në kuadër të kësaj ceremonie, në sheshin e kryeqytetit zviceran Bernë, është ngritur edhe flamuri i Republikës së Kosovës.

Pjesëmarrëse në këtë pritje është edhe gruaja e heroit Agim Ramadanit, Shukrije Ramadani e cila siç tha po përkujdeset për shfaqjen e një imazhi të mirë të vendit.