95 vite nga lindja e aktores Audrey Hepburn

Audrey Hepburn (4 maj 1929  – 20 janar 1993 ), ishte aktore e filmit dhe e teatrit e shpërblyer me Oscar. Ajo ishte gjithashtu e njohur si një ikonë mode, modele, kërcimtare dhe humanitare.

E lindur si Audrey Kathleen Ruston në Belgjikë dhe ishte fëmija i vetëm i Josepha Anthonya Rustona, bankier irlandez, dhe i baroneshës Elle van Heemstra, anëtare e aristokracisë holandeze ku paraardhësit ishin mbretër francez dhe mbretër anglez. Ajo e kaloi fëmijërinë e saj midis Belgjikës, Anglisë dhe Hollandës.

Hepburn i kushtoi një kujdes të vecantë shtresave në nevojë, kryesisht fëmijëve. Deri në fund të jetës së saj, ajo iu përkushtua punës së saj vullnetare në UNICEF, ku u njoh edhe si ambasadore e vullnetit të mirë.

Ishte po ashtu fituese e Çmimit Academy Award, më 1953.

Disa nga filmat në të cilët mori pjesë janë: Monte Carlo Baby, Laughter in Paradise, One Wild Oat, The Lavender Hill Mob, Young Wives’ Tale, The Secret People, We Will Go to Monte Carlo, Roman holiday, Sabrina, War and peace, Love in the Afternoon, Green Mansions, The Nun’s Story, The Unforgiven, Breakfast at Tiffany’s, The Children’s Hour, Charade, Paris, When It Sizzles, My Fair Lady, How to Steal a Million, Two for the Road, Wait Until Dark, Robin i Marian, Bloodline, They All Laughed, Love Among Thieves (TV), Always etj.

Ajo vdiq më 20 janar 1993 në Zvicër./ KultPlus.com 

Fragment nga libri ‘Rrëfim mbi dashurinë dhe errësirën’ i shkrimtarit Amos Oz

“Ndoshta hëngrëm mollën e gabuar në Kopshtin e Edenit? Ndoshta mes pemës së jetës dhe pemës së njohjes së të mirës nga e keqja, ka qenë ndonjë pemë tjetër që rritej atje në Kopshtin e Edenit, ndonjë pemë helmuese që nuk përmendet në shkrimet e shenjta, ‘pema e djallit’ dhe ndoshta kjo ishte ajo çka hëngrëm ne?

Ai gjarpëri faqezi e mashtroi Evën, i premtoi se ajo ishte pa dyshim pema e njohjes, por, në të vërtetë, e çoi te pema e djallit. Ndoshta po të kishim ngecur te pema e jetës dhe tek ajo e njohjes së të mirës nga e keqja, nuk do të na kishin nxjerrë kurrë nga kopshti.’

Po çfarë është ferri? Ç’është parajsa? Patjetër që është brenda nesh. Në shtëpitë tona. Ferrin dhe Parajsën mund t’i gjesh në çdo dhomë. Pas çdo dere. Poshtë çdo batanije. Ja! Pak ligësi dhe njerëzit bëhen të gjithë ferr me njëri – tjetrin. Pak dhembshuri, pak zemërgjerësi dhe njerëzit gjejnë parajsën te njëri – tjetri.

Thashë pak zemërgjerësi dhe dhembshuri, nuk thashë dashuri: Unë nuk besoj shumë tek dashuria universale. Dashuria e secilit për secilin – ndoshta është më mirë t’ia lëmë Jezusit këto.

Dashuria është krejt tjetër gjë. Nuk është fare as si zemërgjerësia e as si dhembshuria. Përkundrazi. Dashuria është një përzierje interesante e të kundërtave, një përzierje e egoizmit ekstrem me përkushtimin total. Një paradox! Dashuria, dashuria.

Të gjithë flasin rreth saj sikur dashuria të ishte diçka që njeriu mund ta zgjedhë, por dashuria nuk zgjidhet, ajo të kap si sëmundje dhe të zë si fatkeqësi. Atëherë, ç’është kjo që ne e zgjedhim? Çfarë duhet të zgjedhin qeniet njerëzore çdo minutë të ditës? Zemërgjerësinë dhe koprracinë. Çdo fëmijë e di këtë, e prapëseprapë ligësia nuk mbaron. Si shpjegohet kjo? Më duhet se e gjitha vjen nga ajo molla që hëngrëm atëherë: hëngrëm mollën e helmuar.”

– Amos Oz“Rrëfim mbi dashurinë dhe errësirën” / KultPlus.com

‘Dil moj nënë lajmëro dasmorët, se do shkoj unë partizane’ (VIDEO)

Në ditëlindjen e këngëtares nga Shqipëria, Anjeza Shahini, KultPlus ua sjell interpretimin nga Shahini të këngës ‘Nënë moj do pre gërshetin’, këngë origjinale e bilbilit të muzikës shqiptare, Vaçe Zela.

na na na na na naaaaaa….
nene moj do pres gershetin
e do dal malit perpjete
shoke e shoqe po ma presin
na ta bjeshk ku puthin rete

dil moj nane lajmero dasmoret
se do shkoj une partizane
mos me bej nuse zakoni
do marr pushke ne male te dal

Ref.:
ne mu t’ka ky rrip i pushkes
nene moj ne shi e n’er
do ta lidhe ne balle te luftes
do ta lidhe ne balle te luftes
me gershetin tim te prer
o mori nan
do ta lidhe ne balle te luftes
do ta lidhe ne balle te luftes
me gershetin tim te prer
o moj nan

ne te marrt malli per mua
dil degjo krismat nga mali
mbi lirin asgje nuk dua
se jam nuse partizani

mos i pyet zogjt neper pyje
ku kam qene e ku skam qene
gjurme me gjurme do le ca yje
te me gjesh kudo moj nane.
/KultPlus.com

Rrëfimi i fundit i Titos: Kosova do rrënojë Jugosllavinë

Historiani Vjençeslav Çençiç ka shkruar një libër për atë që konsiderohet si testmanent i Tito’s.

Çençiç, librin e tij, e ka shkruar bazuar në bisedat me Josip Kopinic që konsiderohet si spiuni më i madh jugosllav i të gjitha kohërave, sipas mediave kroate.

Historiani Vjenceslav Çençiç librin e tij “Rrëfimi i fundit i Titos” e ka publikuar 20 vjet pas vdekjes së Josip Broz Tito’s, që është një lloj testamenti politik i diktatorit jugosllav e që jep një pamje të re për figurën edhe veprat e tij.

Libri, sipas mediave kroate, bazohet në stenogramet e fjalimit të tij më Karagjorgjevë më 1979, dhe bisedave të tij me Josip Kopiniç, që për shumëkënd është spiuni më i madh jugosllav i të gjitha kohërave. Libri, sa i përket besueshmërisë e ndanë fatin e Titos, i cili dikur lavdërohej ndërsa më vonë kontestohej.

Sipas librit, Kosova do të jetë ‘sherri’ kryesor për rrënimin e Jugosllavisë.

“Kam qenë kundër Kushtetutës të vitit 1974! Kam qenë kundër dhënies së shtetësisë për krahinat dhe pjesëve që republikave u mundësojë shkëputje nga federata pa marrëveshje me republikat, pa referendum në krejt vendin.

Edhe sot, edhe atëherë e përsëris se kjo “e keqe” nga këto të drejta kushtetuese të krahinave do ta rrënojnë Jugosllavinë. E kam ditur se gjendja e sigurisë në Kosovë është e keqe, por nuk e kam ditur që raportet ndërmjet republikave tona kanë rënë kaq poshtë.

Shokë, më duhet të them se kur është në pyetje Kosova, të gjithë ata që kanë votuar për Kushtetutën e vitit 1974 do të jenë fajtorë për fatin e Jugosllavisë”, ka thënë Tito, bazuar në këtë libër.

Më pas, Tito ka folur edhe për pasardhësin e tij duke thënë se ai e kishte bërë këtë, por më pas kishin filluar edhe rivalitetet të thella të cilat kanë përfunduar edhe me vrasje./KultPlus.com

Luleve që valvit era

Poezi nga Jeronim De Rada

Fryu era e maleve
dhe rrëzoi hijen e lisit:
gjaku im mbetet lumit t’Vodhit!
Ushtarë, m’hapni shtatoren
që të shoh edhe një herë
Shkodrën dhe time motër
te dritarja përkundruall.
Më atje nuk do të zgjohem
luleve që valvit era,
posi valë që s’kanë mbarim.
Do të mblidhen shokët mbrëmjes
brenda vatrash në atdhe:
Unë i le si ëndërzë!/ KultPlus.com

‘Magjia’ e ‘Syrit të Kaltër’/ Parku natyror tërheq turistë e vizitorë

Parku Natyror i Syrit të Kaltër mbetet një nga destinacionet turistike më të populluara në vend.

Turist nga Europa kanë nisur të vizitojnë burimet e Malit të Sopotit.

Ndryshe nga më parë lënë automjetet e tyre në fillim të rrugës prej 2 kilometrash dhe udhëtimin e vijojnë me tren.

“Ne erdhëm me këmbë, sepse na pëlqen te ecim, por e pamë trenin rrugës, kishte shumë njerëz qe po e shijonin udhëtimin dhe dukej shume qejf. Por ne preferojmë të ecim dhe do të kthehemi me këmbë”, u shpreh turistja polake.

Eshte hera jone e parë që vijmë në Shqipëri dhe vizitojme Syrin e Kaltër, e kemi parë nëpër rrjetet sociale sepse ka shume polake që kanë ardhur dhe kane vizituar Shqipërine, dhe e rekomandojnë këtë sit per vizitorët. Më pëlqen natyra këtu, malet, gjelbërimi, uji dhe mendoj që është diçka unike, që nuk e kemi pare askund tjetër”, tha turisti polak.

Të rinjtë zgjedhin ta shijojnë rrugën duke e përshkuar në këmbë.

Kjo është hera e pare këtu, jemi nga Holanda, është shumë natyre e bukur, dhe uji është kaq shumë blu. Ne ecëm për të ardhur këtu por treni më duket ide e mire per njerëzit e moshuar, për prinderit qe kane femije, sepse është pak rruge e gjate dhe per femijet është shumë mirë”, tha turistja holandeze.

Prej rehabilitimit të rrugës që të çon në Syrin e Kaltër në vitin 2022 parku është bërë më i aksesueshëm për të gjitha moshat ndërsa numri i vizitorëve është shtuar./abcnews.al/KultPlus.com

57 vite pa Mitrush Kutelin, prozatori i shquar i letërisë shqipe

Si sot, 57 vite më parë, vdiq Dhimitër Pasko (Mitrush Kuteli) prozatori i shquar i letërsisë shqipe, tregimtari i rrëfenjave të moçme shqiptare.

Krijues i prozës moderniste shqiptare e cila ndërtohej mbi një gjuhë të pasur dhe të kuruar bukur. Ekonomist dhe atdhetar i cili vuri në piedestal interesat e vendit ashtu si edhe shkruhet në amanetin e përcjellë për pasardhësit edhe bashkëkombasit e tij:

“… ta donin vendin dhe gjuhën e vet gjer në vuajtje”.

Dhimitr Pasko u lind më 13 shtator 1907, djali i vetëm i Pandit dhe Poles, mes motrave Agllaia e Liria. I ati ishte rrobaqepës, që kish jetuar në Rumani për 24 vite, duke punuar si murator e bojaxhi. Kishte miqësi me veprimtarët e Rilindjes Kombëtare si Dervish Hima, Mihal Grameno, Menduh bej Zavalani, Telemak Gërmenji, etj. Pas shpalljes së Hyrrijetit më 1908, hapi të parën librari shqipe në Pogradec, gjë për të cilën u përndoq më pas nga autoritetet e regjimit xhonturk.

Shkollën fillore e kreu në Pogradec më 1919, pas dy viteve shkoi në Selanik me anë të një burse për shkollën tregtare rumune. Organizoi shoqërinë e nxënësve shqiptarë të Selanikut të quajtur “Kostandin Kristoforidhi”. Më 1928 shkoi në Bukuresht ku vijoi studimet në Akademinë e Shkencave të Larta Ekonomike, duke punuar njëherësh edhe si llogaritar. Ndiqte kurse letërsie, kritike, folklori në fakultetet e tjera dhe dinte shkrim e lexim në greqisht e latinisht, frëngjisht, rumanisht dhe italisht. Qe sekretar dhe më 1931-’34 kryetar i shoqërisë së studentëve shqiptarë të Rumanisë, ndërkohë më 1928-’33 drejtoi gazetën Shqipëria e Re që botohej në Konstancë, ku çeli rubrikën Shënime Letrare. Më 1931 u diplomua dhe në shkurt të 1934 mori doktoratën në shkencat bankare e monetare me vlerësimin “Diplomam Magnam cum Laudæ”.

Kuteli vazhdoi të përkrahë ekonominë vendase, derisa e mobilizuan në janar të 1942 dhe e nisën në front, drejt Stalingradit. Megjithatë, veshur me uniformë, në qendrimet mes marshimeve mblidhte këngë popullore moldave, mbante shënime, njihej me njerëz të thjeshtë, me letërsinë ukrainase, thellonte njohuritë e gjuhës ruse. Rrugës i mbërriti një telegram që e njoftonte për të ëmën që e kishte sëmurë, miqtë në Bukuresht i siguruan lejen dhe e përfshinë në një dërgatë ekonomistësh që nisej me shërbim pune në Romë. Mundi t’arrijë në Pogradec në shtator 1942; e ëma i kish ndërruar jetë më 28 gusht.

Punoi për pesë muaj nga tetori 1942 pranë shoqërisë SASTEB dhe pas kapitullimit të Italisë në Bankën Kombëtare të Shqipërisë, këshilltar në fushën e monedhës me përgjegjësitë e drejtorit shqiptar krahas atij italian. Pati kontradikta me gjermanët sepse nuk ishte dakord me emetimin e monedhës së re, për të financuar ushtrinë e tyre në Shqipëri. Për këtë rrezikonte përndjekjen nga Gestapo, pasi i kishin thënë miqtë që i kishin hapur dosje të zezë në Vjenë. Më 15 shkurt 1944, së bashku me Vedat Kokonën, Nexhat Hakiun dhe Sterjo Spassen themeloi organin e përmuajshëm Revista letrare. Në tetor 1944 kalon në zonat e pakontrolluara nga gjermanët. Tri javë pas kalimit në zonën partizane qëndronte në Priskë. E thërrasin në Berat, ku shkon më 8 nëntor dhe bëhet nëpunësi i tretë në Min. e Financave të Qeverisë Demokratike, pas ministrit Ramadan Çitaku dhe sekretarit të përgjithshëm Qirjako Harito, si këshilltar.

Qe ndër anëtarët themelues të Lidhjes së Shkrimtarëve, anëtar i këshillit të parë të saj dhe i komitetit drejtues të revistës Bota e Re. Njëherësh në ekonomi, pas themelimit të bankës, emërohet anëtar i këshillit të parë dhe drejtor i drejtorisë qendrore. Ideoi e zbatoi disa nga operacionet më të rëndësishme financiare të pasluftës, si vulosja e monedhës, emetimi i çeqeve monedhë për plotësimin e nevojave të para financiare etj. Pasko dha dorëheqjen në gusht të vitit 1946, pasi nuk pranoi kursin e këmbimit të caktuar nga shteti shqiptar mes lekut dhe dinarit jugosllav.

Kur u hap Instituti i Folklorit, iu kërkua nga drejtori Shuteriqi material për lëndën e folklorit dhe ishin në fjalë për ta caktuar pedagog. Por mobilizimin e detyruar në Rumani nisën t’ia përflitnin si rreshtim me forcat gjermane kundër Bashkimit Sovjetik, sikur qe pjesë e Rojës së Hekurt.

Më 16 maj 1947 e arrestuan dhe e dënuan si “Armik i Popullit”, për “agjitacion e propagandë” me 5 vite heqje lirie, hetuesinë ia bëri kap. Beqir Ndou. Pasi kaloi dënimin në kampin e Vloçishtit në Maliq, u lirua nga burgu në maj 1949 me falje. Pas daljes nga burgu familjes Pasko iu kanos internimi në Kavajë. Dokumentet u damkosën me vulën “Armik i Popullit”. Ai bëri lutje në Ministrinë e Brendshme dhe në kryeministri por nuk mori përgjigje. Pastaj iu drejtua Fadil Paçramit i cili zgjidhi problemin, që të nesërmen ua zëvendësuan dokumentet e damkosura me dokumente të reja. Pastaj i dhanë punë si përkthyes te “Zëri i Popullit”, fillimisht te Mesagjeria te “Burgu i Armiqve të Popullit, Punëtoria Qendrore e Artizanatit e Ministrisë së Punëve të Brendshme” në Tiranë deri më 1953. U transferua në shtëpinë botuese “Naim Frashëri” deri më 1967 – ku nga fundi i jetës me shkëputje – dhe iu rikthye për njëfarë kohe e drejta e botimit nga vera e vitit 1966 dhe iu ridha anëtarësia në Lidhjen e Shkrimtarëve me përkrahjen e Drago Siliqit.

Ndërroi jetë më 4 maj 1967 nga problemet me zemër pa perfunduar dot romanin ilir. Bashkëshortja e tij Efterpi Pasko ndërroi jetë në mars 2019. Pjesëmarrja e tij në rrugëtimin drejt Stalingradit u përfol edhe pas vdekjes së Paskos. / KultPlus.com

‘FjalaFest’, festivali i letërsisë shqipe në Milano

 “FjalaFest” titullohet festivali i letërsisë shqipe që do të zhvillohet për herë të parë në Milano, Itali nga 18-19 maj.

Ky festival organizohet nga Albania Letteraria, Slow Mill dhe shoqata “Dora e Pajtimit” dhe financuar nga Qendra e Librit dhe Leximit, IOM dhe Fondacioni Cariplo.

“FjalaFest” do të bëjë bashkë autorë shqiptarë në një diskutim mbi letërsinë, historinë, traditën letrare, përkthimin, artin e shkrimit.

Në festival do të jepet çmimi për përkthimin më të mirë nga shqipja në italisht të realizuar në periudhën 2021-2023.

Kryetar i jurisë i këtij edicioni është një emër i nderuar në botën e letrave, Matteo Mandalà, profesor në Fakultetin e Letërsisë dhe Filozofisë të Universitetit të Palermos si dhe një nga albanologët bashkëkohorë më të vlerësuar.

Mandalà është gjithashtu anëtar nderi i Akademisë së Shkencave në Shqipëri që nga viti 2016 dhe i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës që nga viti 2017, si dhe është autor i disa librave dhe eseve.

Tryezat e rrumbullakëta, diskutimet mes shkrimtarëve, botuesve dhe përkthyesve do të ofrojnë një pasqyrë, sa më të plotë, të kulturës shqiptare./ atsh/ KultPlus.com

Suedia shton sigurinë ndërsa përgatitet për Eurovizion

Suedia ka shtuar sigurinë në Malmo ku pritet të mbahet Eurovision Song Contest në datat 7,9,11 maj. Qeveria suedeze thotë se këto ditë janë planifikuar demonstrata të mëdha  që përkojnë me ngjarjen dhe vendi tashmë është në gatishmëri të lartë.

Policia dhe organizatorët thonë se janë të përgatitur mirë dhe shpresojnë për mbarëvajtjen e festivalit.

Rreth 100,000 vizitorë do të zbresin në Malmo, të Suedisë për konkursin më të madh në botë të muzikës.

Shefi i policisë tha se nuk kishte kërcënime specifike për ngjarjen, por niveli i alarmit u rrit gushtin e kaluar, pas një vale djegiesh të Kuranit që zemëruan botën myslimane.

Një raport i brendshëm i policisë, i theksuar nga transmetuesi publik suedez SVT , e përshkroi Suedinë si një “objektiv prioritar” për grupet e dhunshme xhihadiste. Vlerësimi i kërcënimit prej 23 faqesh për Eurovizion përmendi gjithashtu trazirat, sulmet kibernetike dhe ndërprerjen e transmetimit si rreziqe të tjera të mundshme.

Besa Kokëdhima do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovizion 2024 me këngën “Zemrën n’dorë”/rtk/KultPlus.com 

MKRS në ditën përmbyllëse të Festivalit “Hasi Jehon: Vendtakim kulturor që sjell trashëgiminë e pasur folklorike

Më 3-5 maj është zhvilluar edicioni i 35-të i Festivalit folklorik “Hasi Jehon 2024”.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit përmes një komunikate ka deklaruar se festivali folklorik “Hasi Jehon” mbetet vendtakim kulturor e artistik i shoqërive të ndryshme nga trojet shqiptare, i cili sjell para publikut trashëgiminë e pasur kulturore folklorike.

Në njoftim po ashtu thuhet se MKRS çdo vit sjell program të pasur artistik kulturor.

“Meloditë muzikore tradicionale, veshjet, këngët e vallet nga të gjitha trojet shqiptare e karakterizojnë festivalin.

Në hapje mori pjesë edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti, përfaqësues të shoqërive kulturo-artistike nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali Zi, nga mërgata dhe artdashës.

Kryeministri në fjalën e tij hapëse u shpreh se “Hasi Jehon” ka sfiduar vështirësitë dhe është forcuar nga aspekti i cilësisë, duke bërë kështu që ta marrë epitetin e një prej festivaleve më të rëndësishme të folklorit burimor të trojeve ku jetojnë shqiptarët”, thuhet në njoftim.

Kryeministri Kurti u premtoi përkrahje në mënyrë të vazhdueshme për ansamblet, projektet e veçanta, studimet, botimet e aktivitetet e ndryshme në të gjithë Kosovën, në nivelin qendror dhe atë lokal.

Festivali “Hasi Jehon 2024” është përkrahur nga Ministria e Kulturës ndërsa sonte është dita përmbyllëse e tij./KultPlus.com

Nuk është absolutisht e nevojshme të bini dakord me bashkëbiseduesin për të gjetur një gjuhë të përbashkët me të

Mund të thuhet me siguri se Margaret Thatcher ishte një nga gratë më të forta në historinë e njerëzimit.

Pa drojën e ndonjë fatkeqësie ose problemi, duke kapërcyer çdo pengesë, ajo arriti të mbetet Kryeministrja e Mbretërisë së Bashkuar për 11 vjet, duke qenë gruaja e vetme që ka mbajtur atë pozicion aq gjatë.

Sot, po ju sjellim disa fraza të famshme dhe citate që “Zonja e Hekurt” la si pjesë të trashëgimisë së saj.

Kur një grua tregon karakter ata i thonë asaj se është e rreptë; kur një burrë tregon karakter ata e quajnë “djalë i mirë”.

Humbja? Nuk e kuptoj kuptimin e asaj fjale.

Çdo grua që i kupton problemet e drejtimit të një shtëpie është shumë afër të kuptojë ato të drejtimit të një vendi.

Mund të jetë gjeli që këndon, por është pula ajo që lëshon vezët.

Askush nuk do ta mbante mend Samaritanin e Mirë nëse ai do të kishte vetëm qëllime të mira. Ai gjithashtu kishte para.

Nëse doni të thuhet diçka, pyesni një burrë, nëse doni të bëhet, pyesni një grua.

Shtëpia duhet të jetë qendra, por jo kufiri i jetës së një gruaje.

Unë jam gjithmonë e inkurajuar jashtëzakonisht shumë nëse një sulm është veçanërisht i dëmshëm, sepse mendoj se nëse sulmoheni personalisht do të thotë që atyre nuk u mbetet më asnjë argument i vetëm politik.

Vlen të njohësh mirë armikun, ndër të tjera për shkak të mundësisë që një ditë ai të bëhet mik.

Të bësh gjithçka me zemër të hapur nuk është ideja më e mirë që mund të kesh. Zemra duhet të jetë e mbyllur, kështu që funksionon më mirë.

Nuk ka liri nëse nuk ka liri ekonomike.

90% e gjërave që na shqetësojnë nuk ndodhin kurrë.

Pasuria e një vendi nuk ndërtohet domosdoshmërisht në bazë të burimeve të tij natyrore: është e mundur të bëhet edhe nëse nuk ka asnjë. Burimi më i rëndësishëm janë njerëzit.

Shteti duhet vetëm të vendosë bazat për të lulëzuar talentet e njerëzve.

Gratë dinë të thonë “jo” shumë më mirë se burrat.

Sot, gratë kanë një det mundësish për t’u shprehur, madje disa prej nesh qeverisin vendet, por kur flasim, për nder, çantat janë më të mira për ne sesa bajonetat.

Unë zakonisht formoj mendimin tim për një burrë në 10 sekonda dhe rrallë e ndryshoj atë.

Nëse kritikët e mi do të më shihnin duke ecur përmbi ujërat e deteve ata do të thoshin se kjo ndodh për shkak se unë nuk di të notoj.

Nuk është absolutisht e nevojshme të bini dakord me bashkëbiseduesin për të gjetur një gjuhë të përbashkët me të. / KultPlus.com

Kalaja e Rozafës, 12 mijë vizitorë gjatë prillit

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër dha lajmin e mirë të rritjes së vizitueshmërisë së kalasë së Rozafës. Vetëm gjatë muajit prill ajo është vizituar prej më shumë se 12 mijë personash. Kjo shifër rezulton të jetë 3668 vizitorë më shumë se gjatë muajit prill të një viti më parë.

DRTK Shkodër fton vizitorët për një fundjavë të pasur me histori dhe një rrugëtim të mahnitshëm plot aventura të paharrueshme në gjirin e kalasë.

Në muajin mars të këtij viti kjo kala u vizitua nga 7025 vizitorë.

Investimet e kryera në kala e kanë kthyer atë në një atraksion turistik të vizitueshëm për turistët vendas dhe të huaj. Ata shfaqin interes edhe për muzeun, ku janë të ekspozuara objekte që i përkasin Antikitetit dhe Mesjetës, si dhe mozaikun romak të shek. IV pas Krishtit zbuluar në vitet ’78-79 në pjesën e poshtme të qytetit.

Kalaja e Rozafës është monument historik. Në muret rrethuese të kalasë, të cilat përfshijnë rreth 9 ha tokë, dallohen qartë ndërtimet e katër periudhave: Balshajve (shek. XIV), zotërimi venecian (shek. XV), pushtimi osman (shek. XVI-XVII), dhe e Bushatllinjve (shek. XVIII-XIX). E ndërtuar gjatë mbretërisë Ilire, përfaqësohet nga një legjendë që tregon mbajtjen e një premtimi, të besës legjendare./ atsh/ KultPlus.com

Rijetësohet ish-muzeu i Beratit, i shërben turizmit familjar

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Berat ndau në rrjet pamjet e një prej banesave karakteristike të qytetit, pjesë e kompleksit ndërtimor të banimit të familjes Vrioni, në proces rijetësimi.

Bëhet fjalë për ish banesën e Izedin Galip Pashë Vrionit, sot e Nevin Godo (Vrioni), ku gjatë periudhës tetor-nëntor 1944, u vendos selia e Qeverisë Provizore Demokratike të Shqipërisë. Më pas kjo ndërtesë u kthye në muzeun e qytetit, ndërsa nga viti 1991-2011 aty zhvilloi veprimtarinë e saj medreseja “Vexhi Buharaja”.

Ajo përbëhet nga ndërtesa kryesore dykatëshe dhe ndërtesa e pasme njëkatëshe e shërbimit. Te ndërtesa dykatëshe, kati përdhe ka shërbyer për ambiente shërbimi, ndërsa kati i parë përbëhej nga ambientet e banimit të familjes, ato të pritjes së miqve dhe hamami. Ambienti më i dekoruar është dhoma e miqve, e cila është rikonstruktuar gjatë gjysmës së dytë të shek. XIX.

Pjesa tjetër e katit të parë ka pësuar ritrajtim në pamjen e jashtme të tij. Balli i saj është rindërtuar me teknikën e skeletit të drurit, në të cilën janë realizuar dritare të mëdha me korniza të suvatuara. Kati përdhe i pjesës qendrore të banesës është transformuar duke mbyllur hapësirat me qemer guri dhe duke realizuar dritare në muraturë guri. Këto ndryshime mund të jenë realizuar gjatë viteve 1912-1918.

Me restaurimin e viteve 2022-2024, kjo ndërtesë do të rijetësohet për kthimin e saj në njësi hotelerie për t’i shërbyer turizmit familjar./atsh/ KultPlus.com

Policia del me një apel për shoferët pas reshjeve të shiut

Policia e Kosovës sot pas reshjeve të shiut ka apeluar te gjithë pjesëmarrësit në trafik për kujdes të shtuar gjatë ngasjes.

Përmes një postimi në faqen zyrtare, Policia ka ftuar të gjithë pjesëmarrësit në trafik, në veçanti shoferëve të automjeteve për kujdes të shtuar, përshtatje të shpejtësisë me kushtet atmosferike dhe me gjendjen e rrugës, mbajtje të distancës mes mjeteve si dhe ngadalësim gjatë lëvizjes në rrugë të mbuluara me ujë.

“Bazuar në situatën e tanishme ku kemi ndryshim të kushteve atmosferike dhe reshje të shiut, Policia e Kosovës APELON tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik, në veçanti shoferëve të automjeteve për kujdes të shtuar, përshtatje të shpejtësisë me kushtet atmosferike dhe me gjendjen e rrugës, mbajtje të distancës mes mjeteve si dhe ngadalësim gjatë lëvizjes në rrugë të mbuluara me ujë”, thuhet në njoftim.

‘Ca pika shiu ranë mbi qelq, për ty unë befas ndjeva mall’

Mall

Poezi nga Ismail Kadare

Ca pika shiu ranë mbi qelq.
Për ty unë befas ndjeva mall.
Jetojmë të dy në një qytet,
Dhe rrallë shihemi, sa rrallë.

Edhe m’u duk pak e çuditshme
Si erdh kjo vjeshtë, ky mëngjes.
Qiejt e ngrysur pa lejlekë
Dhe shirat pa ylberë në mes.

Dhe thënia e vjetër e Heraklitit
Seç m’u kujtua sot për dreq :
« Të zgjuarit janë bashkë në botë,
Kurse të fjeturit janë veç ».

Në ç’ëndërr kemi rënë kaq keq,
Që dot s’po zgjohemi ne vallë ?…
Ca pika shiu ranë mbi qelq
Dhe unë për ty seç ndjeva mall.


1976./ KultPlus.com

45 vite më parë Thatcher u bë kryeministrja e parë e Mbretërisë së Bashkuar

Sot bëhen 45 vjet nga emërimi i Margaret Thatcher si kryeministrja e parë e Mbretërisë së Bashkuar, shkruan KultPlus.

Margaret Hilda Thatcher, Baronesha Thatcher (13 tetor 1925- 8 prill 2013) ishte politikane britanike që u bë Kryeministrja e Mbretërisë së Bashkuar nga 1979 në 1990 dhe drejtuese e Partisë Konservatore.

Ajo ishte kryeministrja britanike që shërbeu më gjatë e shekullit të 20-të dhe është e vetmja grua që ka mbajtur këtë detyrë. Një gazetar sovjetik e quajti atë “Zonja e Hekurt”, një nofkë që karakterizoi politikën e saj pa kompromis dhe stilin udhëheqës. Si Kryeministre, ajo zbatoi politika që njihen si Theçerizëm.

Fillimisht një kimiste para se të bëhej avokate, Thatcher u zgjodh anëtare e Parlamentit për zonën zgjedhore Finchley në vitin 1959. Edward Heath e emëroi atë Sekretare të Shtetit për Arsimin dhe Shkencën në qeverinë e tij të vitit 1970. Në vitin 1975, Thatcher mundi Heath në zgjedhjet e udhëheqjes së Partisë Konservatore për t’u bërë kreu i Opozitës dhe u bë gruaja e parë të udhëhiqte një parti të madhe politike në Mbretërinë e Bashkuar. Ajo u bë kryeministre pas fitores në zgjedhjet e përgjithshme të 1979.

Pas vajtjes në “10 Downing Street”, Thatcher paraqiti një sërë nismash politike dhe ekonomike që synonin të ulnin papunësinë e lartë dhe të lehtësonin vështirësitë e Britanisë në prag të “Pakënaqësisë së dimrit” dhe të një rënieje ekonomike të vazhdueshme. Filozofia e saj politike dhe politikat e saj ekonomike theksuan çlirimin nga rregullat të sektorëve të ekonomisë (veçanërisht të sektorit financiar), bërjen e tregjeve të punës më fleksibël, privatizimin i kompanive shtetërore dhe uljen e fuqisë dhe ndikimit të sindikatave. Popullariteti i Theçerit gjatë viteve të saj të para në detyrë filloi të bjerë për shkak recesionit dhe papunësisë së lartë, deri në 1982 kur Lufta e Falklandeve solli një rigjallërim të mbështetjes, duke rezultuar në rizgjedhjen e saj në vitin 1983.

Thatcher u rizgjodh për një mandat të tretë në vitin 1987. Gjatë kësaj periudhe mbështetja e saj për një Taksë të Komunitetit (gjerësisht referuar si “taksë votimi”) ishte gjerësisht jopopullore dhe pikëpamjet e saj mbi Komunitetin Europian nuk përputheshin me atë të disa pjestarëve të kabinetit të saj.

Ajo dha dorëheqjen si kryeministre dhe udhëheqja e partisë në nëntor 1990, pasi Michael Heseltine nisi një sfidë për udhëheqjen e saj. Pas largimit nga Dhoma e Ulët (Commons) në vitin 1992, asaj iu dha titulli Baroneshë e Kesteven në qarkun e Lincolnshire, që i jepte asaj të drejtën të merrte pjesë në Dhomën e Lordëve. Ajo u tërhoq nga të paraqitjet publike për shkak të keqësimit të shëndetit në vitin 2002 nga një goditje celebrale, dhe në vitin 2013, ajo vdiq nga një goditje tjetër celebrale në Londër, në moshën 87 vjeçare./KultPlus.com

Shqiptarët e Shqipërisë, të kënaqur me jetën e tyre aktuale

Barometri i Euronews Albania ka realizuar këtë herë një studim ku analizohen nga qytetarët 30 vite tranzicion në një reflektim kolektiv se si kanë ndikuar ndryshimet e këtyre 30 viteve në jetën e tyre.

Njëra nga pyetjet i ka vendosur ata të vlerësojnë jetën e tyre aktuale në Shqipëri, si të mirë apo të keqe, në një shkallë vlerësimi nga 1 deri në 10, transmeton Klankosova.tv.

44,7 për qind e tyre vlerësojnë si të mirë jetën e tyre aktuale, ndërsa 19,4  për qind e vlerësojnë si të keqe jetën e tyre aktuale.

Krahasuar me vendet e tjera ish komuniste të Evropës Lindore në një studim të ngjashëm të realizuar pak vite më parë nga Pew Research Center, rezulton se Shqipëria është e ngjashme me Lituaninë dhe Hungarinë nga vlerësimi për jetën aktuale si pozitive, më lart se Ukraina, Rusia dhe Bullgaria dhe më poshtë në vlera se Sllovakia, Polonia dhe Republika Çeke.

Sot, Dita Botërore e zjarrfikësve

4 Maji shënon Ditën Botërore të Zjarrëfikësve, në të cilën ditë shënohen aktivitete të ndyshme në nderim të punës dhe sakrificës të cilën e bëjnë zjarrëfikësit për të ndihmuar qytetarët në raste emergjente krizash, shkruan KultPlus.

Në mbarë botën më 4 Maj, organizohen ngjarje të ndryshme ku marrin pjesë institucionet shtetërore për të nderuar punën e zjarrfikësve dhe për të ndarë mirënjohje për ata punonjës të cilët e kanë dëshmuar veten gjatë detyrës në mbrojtjen e qytetarëve.

KultPlus, ju rikujton se numri për të komunikuar me zjarrëfikësit në rast të ndonjë avarie të munshme për Shtetin e Kosovës është 193./KultPlus.com

Përmbyllet manifestimi ‘Ditët e Agimit 2024’ në Gjilan

Komuna e Gjilanit i ka përmbyllur aktivitetet në kuadër të manifestimi tradicional kulturor “Ditët e Agimit 2024”.

Ky manifestim i kushtohet figurës së dëshmorit të kombit, Agim Ramadani.

Bashkëshortja e Agimit, Shukrije Ramadani, tha se dikur ditëlindjet i festonin bashkë, kurse tani e feston e gjithë Kosova.

“Ditëlindjet për mua janë të dhimbshme. Une dhe djali ditëlindjen e kemi me date 5, kurse Agimi me 3. Ne kishim një mes kur i festonim me datën 4. Ka vite që ato nuk i festojnë bashkë, por me vjen mirë që tashmë ato i festojmë me gjithë popullin dhe me ata që luftuan për liri”, ka thënë Ramadani.

Për figurën e Agim Ramadanit ka folur edhe mësuesi i tij Rrahim Bajrami.

“Agimi ishte i shkathët, dimensional si me art, muzikë etj. Ka qenë talenti I lindur. Po ashtu edhe me mësime ishte shembull”, ka thënë Bajrami.

Për tri ditë më radhë në Komunën e Gjilani janë mbajtur aktivitete të ndryshme në kuadër të Manifestimi Tradicional Kulturor “Ditët e Agimit 2024”./rtk/ KultPlus.com

Enkeleida Kapia, çmim të parë ndërkombëtar për studimin shkencor ‘Toskërishtja veriore’

Akademia e Shkencave të Shqipërisë ka përgëzuar gjuhëtaren Enkeleida Kapia, punonjëse shkencore e Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë pranë ASHSH, për fitimin e çmimit të parë ndërkombëtar në konkursin e shpallur nga “Journal of International Phonetic Association”.

Prof. asoc. dr. Enkeleida Kapia u vlerësua për studimin shkencor “Toskërishtja veriore: ilustrim sipas parimeve të Alfabetit Fonetik Ndërkombëtar”.

Për këtë studim, Kapia pati si bashkautorë të studimit: Stefano Coretta (Universiteti i Edinburgut), Josiane Riverin-Coutlee (Universiteti “Ludwig Maximillan” i Mynihut) dhe Stephen Nichols (Universiteti i Oksfordit).

Çmimi i parë u jepet autorëve për metodologjinë bashkëkohore të përdorur në studim, në ndërveprim me mënyrat tradicionale të ilustrimit dhe të shpjegimit të detajuar të tingujve dhe të sistemit intonacionor të toskërishtes veriore. Vlerësimi është bërë sipas parimeve “peer review” të anëtarëve të jurisë, e përbërë nga gjuhëtarë dhe foneticienë nga e gjithë bota./atsh / KultPlus.com

Hartimi i Heroit Agim Ramadani (FOTO)

Sot, janë bërë 61 vite nga lindja e heroit të kombit, Agim Ramadani. Përveçse strateg i luftës, ai ka qenë edhe artist i lindur i cili ka krijuar piktura dhe poezi të shumta.

Në përvjetorin e tij të lindjes, KultPlus ju risjell hartimin e tij të shkollës së mesme, në të cilin profesoresha Shejnaze Elezi e ka notuar me 5 plus./ KultPlus.com

Profesorët e Letërsisë organizojnë orë letrare për informimin e maturantëve mbi studimin e letërsisë si art i shkrimit

Profesorët e Degës së Letërsisë Shqipe në Universitetin e Prishtinës në bashkëpunim me studentët organizojnë orë letrare për informimin e maturantëve lidhur me studimin e letërsisë si art i shkrimit.

Në këtë orë letrare, maturantët po ashtu do të informohen rreth bursave që do tu ndahen studentëve të cilët do ta regjistrojnë Letërsinë Shqipe që nga viti i ardhshëm akademik.

U bëhet thirrje të gjithë maturantëve për pjesëmarrje. Për çdo pyetje të mundshme, mund të kontaktoni faqen zyrëtare të fakultetit.

Ky organizim do të mbahet më 7 maj, në Fakultetin e  Filologjisë (Salla Idriz Ajeti) në ora 13:00/ KultPlus.com

Violinistja Loena Mehmeti përmbledh punën e saj shtatë vjeçare me koncert recital, sjell magji e pjekuri artistike

Violinistja 14 vjeçare, por  shumë e talentuar, Loena Mehmeti mbajti sot koncert recital, ne sallën e Swiss Daimond, në Prishtinë.

Loena ndonse mjaft e re në moshë, tingujt kristal të violinës së saj përçuan emocion, virtuozitet e pjekuri artisike. Kjo mbrëmje solli për artdashësit laramani veprash të kompozitorëve të famshëm botëror, të cilat Loena i solli në jetë me shumë elegancë. Ndër veprat që ajo ekzekutoi ishin: Meditation-Jules Massnet; In the style Porposa- Kreisfer; La Fofia me variacione- A. Corelli, koncerti ne G,Dur, Op.24: O. Reinding, Allegro moderato, Andante sostenuto, Allegro, etj.

Në koncertin recial Loena pati të ftuar klarinetistin e talentuar, Diellor Gajtani, i cili ekzekutoi dy vepra.  Ndersa, i gjithë koncerti u përcoll nga korepetitori Melos Buza. Mësimdhënësja e violinës, Shqipe Bajraktari u shpreh mjaft e lumtur me prezantimin dhe arritjet e nxënëses së saj. Ajo tha se puna 7 vjeçare e Loenës në mësimet për violinë “nuk ka se si tē paraqitej ndryshe, pos kështu me kaq shumë profesionalizëm e emocion si sot”./ KultPlus.com

Kavafisi- ‘Që bëri… refuzimin e madh’

Konstandin Kavafisi u lind në Aleksandri të Egjiptit, më 29 prill 1863. Pas vdekjes së të atit, familja zhvendoset mes Liverpoolit, Londrës dhe Stambollit, deri më 1878. Pas rikthimit në Aleksandri, ndjek liceun ekonomik. Pas trazirave nacionaliste më 1882, ikën prapë në Stamboll, ku zbulon homoseksualitetin dhe prirjen për poezinë. Pasi kthehet përfundimisht në Aleksandri, bën punë të ndryshme para se të pranohet në Zyren e ujitjes në Ministrinë e punëve publike, ku qëndroi deri në pensionimin e tij, më 1922. Vdiq më 29 prill 1933

«QË BËRI… REFUZIMIN E MADH »

Nga Konstandin Kavafisi

Për shumë njerëz vjen dita

kur duhet ta thonë po-në e madhe ose jo-në e madhe.

E menjëherë kuptohet kush e ka të gatshme brenda vetes

po-në e madhe, dhe duke e thënë bëhet më i fortë në nder dhe në bindje.

Nga ana tjetër ai që refuzon nuk pendohet.

Po t’ia kërkonin, prapë jo do të thoshte.

E megjithatë, ajo jo, edhe pse e drejtë,

shënjon mposhtjen e tij në jetë.

(Përkthim i lirë nga përkthimi në italisht i Andrea Di Gregorio)

***

Shënim nga Andrea Di Gregorio

Kjo poezi (dy strofa katërshe në vargje aleksandrine me rimë ABBA CDDC), ishte botuar më 1901 dhe për titull e ka një varg të Dantes (Ferri, III, 60) që i referohet ndodhisë së Çelestinit V, në atë kohë Pietro da Marrone, i cili nga Dante akuzohet se ka refuzuar pontifikatin për t’iu bërë bisht detyrimeve që bartte me vete ai post. Por Kavafisi atë varg nuk e citon në tërësinë e tij. E hesht, duke i përdorur tri pikat, pjesën qendrore («Che fece, per viltade, il gran rifiuto» – Që bëri, nga ligësia, refuzimin e madh).

Refuzimi i madh për të cilin flet Kavafisi nuk bëhet nga ligësia – nga ligësia, përkundrazi, pranohet diçka – mbase ndonjë satrapi. Në tragjedinë e qetë po aq sa të pashmangshme në të cilnë jeton Kavafisi, e cila lind pikërisht nga bashkëjetesa e moraleve, parimeve të ndryshme e qëllimeve kundërthënëse dhe nga pamundësia për t’i zgjidhur lundërshtinë që nxjerrë kokën mes tyre, po-ja dhe jo-ja nuk janë të ndara nga trimëria apo nga ligësia, por nga diçka më e thellë dhe e kapërcyeshme: natyra e çdo qenieje njerëzore, nga «siç është gatuar», që në asnjë mënyrë nuk mund të heshtet apo të kundërshtohet.

/Marrë nga Constandino Kavafis, “Poesie”, Garzanti, 2017

/Përkthimi: Gazeta Express/KultPlus.com