Fjalimi i Anton Çettës për Pajtimin e Gjaqeve (VIDEO)

Sot shënohet 30-vjetori i nismës së pajtimit të gjaqeve, periudhë kjo që konsiderohej si një ndër vitet më frytdhënëse të kombit shqiptar, shkruan KultPlus.

Më 2 shkurt 1990 me Anton Çettën në ballë në Kosovë nisi aksioni atdhetar e humanitar i faljes së gjaqeve, që mori përmasa të gjera, duke u përhapur anembanë vendit, efektet e të cilit ndihen edhe sot.

Viti 1990 njihet si viti i bashkimit dhe i pajtimit të popullit shqiptar.

Ndërsa sot KultPlus ju sjell fjalimin që Anton Çetta e mbajti për faljen e gjaqeve. /KultPlus.com

Koncerti i radhës i Filharmonisë së Kosovës më 11 maj

Orkestra e Filharmonisë së Kosovës do të mbajë koncertin e radhës më 11 maj, në Atelien e Pallatit të Rinisë dhe do të prezantohet me koncert nën drejtimin e dirigjentit britanik Chris McCracken.

Repertori i mbrëmjes përfshinë “Koncert për flaut Nr. 1” nga francezi André Jolivet në interpretim të flautistes Erëmira Çitaku dhe Orkestrës Harkore.

Një prej veprave më të njohura të shkruara për instrumentin e fagotit “Koncert për fagot Nr. 2” nga kompozitori gjerman Franz Danzi, vjen premierë për publikun e Prishtinës. Kjo në interpretim të orkestrës dhe fagotistit të parë të Filharmonisë së Kosovës Meriton Ferizi.

Në pjesën e dytë të koncertit, do të interpretohet “Simfonia Nr. 8” e kompozitorit Antonín Dvořák./KultPlus.com

Rikthehet piktura ikonë në muzeun e Luvrit

Për gati 200 vjet, kjo pikturë ka qenë simboli i republikës franceze.

Piktura ‘Liria që udhëheq popullin”, e cila përshkruan një grua duke valvitur një flamur trengjyrësh dhe duke udhëhequr njerëzit e saj mbi trupat e të rënëve gjatë Revolucionit Francez të 1830-ës, kishte humbur ngjyrat e saj origjinale për shkak të kalimit të viteve.

Për këtë arsye ajo iu nënshtrua një restaurimi 6 mujor, ndërhyrja e së cilës ka përfunduar dhe është rikthyer sërish në muzeun e Luvrit.

“Kjo pikturë  është një nga kryeveprat e mëdha që gjenden në muzeun e Luvrit, ndoshta e dyta më e  famshëme pas Mona Lizës. Për shkak të kalimit të viteve piktura kishte humbur intensitetin e ngjyrave dhe detajet.”

Muzeu i Luvrit, më i madhi në botë, ka kryer rreth 200 restaurime që nga viti 2015, duke përfshirë shumë vepra të njohura./tvklan/KultPlus.com

Vendimi i Gjykatës për Parkun e Butrintit, UNESCO: Shqetësimet do të shqyrtohen

UNESCO ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që la në fuqi marrëveshjen e qeverisë shqiptare me instituti shqiptaro-amerikan për menaxhimin e Butrintit.

Në reagim, drejtori i Qendrës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, Lazare Eloundou Assomo, thotë se po e monitorojnë nga afër gjendjen e ruajtjes së mbrojtjes së Trashëgimisë Botërore.

Ndër të tjera thuhet se shqetësimet do të shqyrtohen nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore, në korrik.

Reagimi i UNESCO  pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Butrintin

Drejtori i Qendrës së Trashëgimisë Botërore të UNESCOs, Lazare Eloundou Assomo konfirmon se ky komitet është duke monitoruar nga afër gjendjen e ruajtjes së pronës së Trashëgimisë Botërore ‘Butrint’.

Këto shqetësime do të shqyrtohen nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore në sesionin e tij të ardhshëm të 46-të, që do të mbahet në Nju Delhi, Indi, nga 21-31 korrik 2024.

Të shpresojmë që ky hap i ndërmarrë nga UNESCO të mos i paraprijë vendosjes së Butrintit në listën e pasurive botërore në rrezik.

“Maji”, kënga e ndjeshme dhe poetike nga Jusuf Gërvalla (VIDEO)

Çka nuk mund të shkruhet e thuhet për të. Dëshmor i kombit, simbol i luftës për liri, shembull i kurajës prej qytetari dhe intelektuali, shkrimtar i rëndësishëm, poet i dorës së parë e këngëtar e këngëtar i ndjeshëm. Kur ndalemi tek kjo e fundit, sot mund të themi se Jusuf Gërvalla ishte një këngëtar që publiku vazhdon ta adhurojë. Ai ka lënë pas vetes disa melodi e këngë të cilat e bëjnë të pavdekshëm talentin dhe zërin e tij, shkruan KultPlus.

Jeta e Jusuf Gërvallës ka qenë e vështirë, vdekja e tij ka qenë tragjike. Por figura e tij është e pazëvendësueshme.

Një ndër këngët e tij më të dashura është edhe “Maji”, një këngë e ndjeshme dhe e përzemërt që flet për dashurinë dhe dhimbjen që ndjen një person pas ndarjes me të dashurin.

Teksti i këngës “Maji” është shkruar në një stil poetik dhe romantik, ku Jusufi shpreh ndjenjat e tij në një mënyrë të ndjeshme dhe të përsosur. Kjo këngë është e pasur me metafora të bukura dhe me një melodi që përfshin zemrën dhe shpirtin e dëgjuesit.

“Maji” është një këngë që shpreh dëshirën për të rrëfyer ndjenjat e dashurisë dhe mungesën e saj.

“Maji” është një pjesë e mrekullueshme e artit muzikor shqiptar, e cila vazhdon të ndjehet e shijohet nga publiku edhe sot.

KultPlus ju sjell edhe tekstin e plotë të këngës.

Maji

Ditët m’kaluan me l….
mbante një kapelë ngjyrë hiri
në muajin maj, maj, maj,
ishim taku’


Më vonë takova Dafinën,
Vjosën, Valbonën dhe Shpresën,
lulëzonte maji, maji, maji,
lulet kanë çel’ për bukuri


M’kaploi dëshira dikah për t’u tretë
me të shpejtë botën shëtita
shpesh të pikëlluem m’ka gjetë muaji maj
në ndonjë skutë të kësaj bote


Kthehem prapë në shtëpinë time,
rrugët si më parë buzëqeshin,
prapë muaji maj, maj, maj,
më ledhaton


At’botë pranë meje qëndronte,
vogëlushja me sy pranvere,
po si ky maj, maj, maj,
më ka gëzu’

Po t’i shikoj flokët e saj,
sytë n’bukuri do t’i laj
më t’bukurin maj, maj, maj
n’buzëqeshje t’saj

Pse po e fsheh tash shikimin,
n’zemër më zgjove dyshimin
pse n’muajin maj, maj, maj,
më sjell dyshim, mos më mundo


.…. ajo m’shikon
prapë më buzëqesh si më parë,
tash n’muajin maj, maj, maj,
ngela pranë saj

…… përvidhet
kur m’thotë “zotni i vjetër”,
ish’ muaji maj, maj, maj,
më i bukuri maj,
kaloi me faj. /
 KultPlus.com

Dita e Punëtorëve pritet me festë në Bulqizë, nxënësit e shfrytëzojnë për të promovuar kulturën

Ndryshe nga vitet e tjera, 1 Maji që njihet si Dita e Punëtorëve këtë radhë nuk është pritur me protestë, por me festë.

Me idenë e nxënësve të shkollës 9-vjeçare “Xhevdet Doda”, në bashkëpunim edhe me bashkinë Bulqizë, kanë organizuar një aktivitet në qendër të qytetit, ku kanë shpalosur programin e tyre me recitime dhe valle, por jo vetëm.

Aktiviteti kishte si qëllim promovimin e kulturës, etnografisë si dhe traditës së zonës së Bulqizës./tch/KultPlus.com

“Libri i Blamit” sjell në shqip një shikim ndryshe të Holokaustit

Në Bibliotekën Kombëtare u zhvillua një takim kushtuar letërsisë ballkanike, rolit të TRADUKI-t, e veçanërisht librit “Libri i Blamit”, përkthyer rishtazi nga Ben Andoni. Promovimi i librit të shkrimtarit të njohur serb, Aleksandar Tishma, u organizua nga Bashkia Tiranë dhe Instituti i Librit dhe i Promocionit.

Në takim ishte i pranishëm një nga njohësit më të mirë të letërsisë të këtyre vendeve, Arian Leka, me botueset Irena Toçi e Majlinda Nana Rama, si dhe nxënës e mësues të gjimnazit “Ismail Qemali”. Të pranishmit folën për librin, autorin dhe tendencat e letërsisë së Ballkanit. Ky vit shënon 100-vjetorin e lindjes së autorit, i ndarë nga jeta 20 vjet më parë.

Përkthyesi Ben Andoni thotë se autori hebre-serb me shumë çmime ndërkombëtare, ka sjellë antiheroin e kohës sonë përmes një shikimi ndryshe të holokaustit. Për kritikën, e vetmja mënyrë për të vlerësuar me të vërtetë tmerrin e tragjedisë është ta zvogëlojmë atë nga e përgjithshmja në atë specifike, nga ankthi i shumë njerëzve në agoninë e dikujt. Kjo është qasja që mori Aleksandar Tishma në “Librin e Blamit”, botuar fillimisht më 1972.

I vendosur në Jugosllavinë e pas Luftës së Dytë Botërore, në qytetin e Novi Sadit, romani rrëfen dëshpërimin e Miroslav Blamit, i vetmi anëtar i familjes së tij që mbijetoi nga një masakër famëkeqe hungareze të hebrenjve dhe serbëve në brigjet e Danubit në 1942. Libri u kushtohet ngjarjeve të pasluftës dhe megjithëse Novi Sadi në dukje është kthyer në normalitet, Blam është i rrethuar nga fantazmat e atyre, që i ka mbijetuar. Tishma nuk ofron as ngushëllim dhe as shpengim për protagonistin e tij.

Me “Librin e Blamit”, Tishma hap me guxim një kapitull të ri në tematikën e Holokaustit, që shënoi dekadat e fundit të letërsisë evropiane. Aleksandar Tishma ishte romancier, poet, por edhe tregimtar, dramaturg dhe përkthyes. Ai lindi më 16 janar 1924 në Horgosh dhe vdiq më 15 shkurt 2003 në Novi Sad (Vojvodinë, ish-RFJ). Veprat e tij letrare janë përkthyer në rreth 20 gjuhë. Për veprën e tij letrare mori çmime e mirënjohje të shumta brenda dhe jashtë ish-Jugosllavisë.

Ben Andoni ka mbi 30 autorë të përkthyer nga serbishtja, kroatishtja, boshnjakishtja dhe anglishtja. Disa nga autorët më të njohur ardhur në shqip janë Meša Selimovi? Derviš i Smrt, Vladimir Arsenijevi? U potpalublju, Vasko Popa me veprën e tij poetike, Milorad Pavi? Predeo slikan ?ajem, Enes Kari? Pjesme divljih ptica, Dasa Drndi? Sonnenschein, Ceszlav Milos Facing the River (Poetry), Vladimir Nabukov Pnin, Tadeusz Rozewicz përmbledhje e veprës së tij poetike, Sr?an Valjarevi? Komo, Srdan Srdi? Sator etj../panorama/KultPlus.com

Begaj pritet në Këshillin Komunal në Civita: Forcim i marrëdhënieve me Kalabrinë

Presidenti Bajram Begaj e nisi turin e dytë të vizitave në rajonin e Kalabrisë nga Civita, (Çifti), një qytet në provincën e Kozencës, i ndërtuar nga një çift arbëreshësh më shumë se 500 vjet më parë.

Për të nderuar kreun e shtetit shqiptar, arbëreshët në Civita kishin organizuar një pritje zyrtare në institucionin e Këshillit Komunal, ku u shkëmbyen mendime për identitetin, kombin dhe ardhmërinë si edhe për zgjidhjen e problemeve dhe forcimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Kalabrisë.

Në emër të banorëve arbëreshë në Civita, kreut të Shtetit iu urua mirëseardhja në koshën e Civita-s nga famulltari i kishës, i cili iu drejtua Presidentit në arbërisht duke i thënë: “Kur ke hyrë në këtë kishë, ke hyrë në zemrën e besimit të arbëreshëve”.

Historia e komunitetit është gdhendur në basorelievët e kësaj kishe, e cila është ndërtuar në vitin 1510.

Ndërsa, kryetari i bashkisë së Civita e vlerësoi Presidentin Begaj për këtë vizitë në Kalabri.
Vetë Kreu i Shtetit iu përgjigj duke u shprehur se thjesht kishte mbajtur një premtim të dhënë për këtë vizitë.

“Ne si shqiptarë kemi një proverb të vjetër, që thotë se fjala e dhënë dhe fjala e mbajtur janë shumë të rëndësishme. Para disa kohësh bëra një vizitë të parë këtu në rajonin e Kalabrisë dhe të gjithë kryetarët e komunave donin që unë t’i vizitoja. Iu premtova që do të vija sërish, sepse në një vizitë është e pamundur t’i shohësh të gjitha komunat dhe bashkitë arbëreshe në Itali. Dhe sot jam shumë i lumtur që realizova këtë dëshirë të kryetarit të bashkisë dhe natyrisht për emocionet e përftuara sot nga bujaria e qytetarëve të Civitës, nga mikpritja, këngët e kënduara shqip dhe veshjet e tyre. Kjo është shumë e rëndësishme për mua”, tha Begaj.

Një falënderim Presidenti Begaj përcolli dhe për Italinë fqinje, që siç hapi dyert për arbëreshët, të njëjtën qasje tregoi edhe ndaj shqiptarëve me ndihma gjatë viteve të vështira pas viteve ‘90, duke pritur emigrantët e dalë nga izolimi, e më vonë duke integruar Diasporën e re të Shqipërisë.

Gjatë qëndrimit në Civita, Presidenti Begaj vizitoi dhe muzeun etnografik, ku përmes veshjeve, pikturave dhe dokumenteve, tregohej historiku i këtij komuniteti.

“Civita, me autenticitetin në arkitekturë, ka frymëzuar piktorin Ibrahim Kodra, që e ndërkombëtarizoi identitetin arbnor përmes pasqyrimit në art të shtëpive të kësaj komune”, tha Begaj.

E gjithë kjo dëshmi e gjallë historike, sipas Presidentit Begaj, duhet përcjellë edhe te brezat e rinj.

Presidenti Begaj vlerësoi kontributin që arbëreshët i kanë dhënë kombit, ndërsa premtoi se do të jetë gjithmonë krah tyre për të vijuar me hapa të tjerë konkretë që i shërbejnë ruajtjes së arbërishtes.

“Arbëreshët janë pjesë e rëndësishme e kujtesës së kombit tonë. Ju jeni shembull i rrallë i ruajtjes së identitetit, historisë, gjuhës, kulturës e ritit”, u shpreh Presidenti Begaj./ora/KultPlus.com

34 vjet nga falja e gjaqeve te Verrat e Llukës

Sot bëhen 34 vjet nga ngjarja e madhe për faljen e gjaqeve në Verrat e Llukës në Komunën e Deçanit.

Në këtë tubim madhështor më 1 maj 1990 morën pjesë rreth gjysmë milion shqiptarë, me ç‘rast u falën më shumë se 100 gjaqe dhe ngatërresa ndër-shqiptare.

Aksioni për pajtimin e familjeve shqiptare në hasmëri kishte nisur nga disa studentë të rajonit të Dukagjinit, ish-të burgosur politikë, më 2 shkurt 1990 në Lumëbardhë të Deçanit.

Ky aksion u shndërrua në një lëvizje për pajtimin e gjaqeve dhe falë punës së madhe të veprimtarëve në krye me Anton Çettën kjo lëvizje gjithëpopullore arriti të pajtojë familje të cilat falen mbi një mijë gjaqe e ngatërresa ndër-shqiptare. / KultPlus.com

Vlerësohet në Spanjë shfaqja “Ëndrrat e Hamletit” e Mentor Zyberajt

Shfaqja ‘Ëndërrat e Hamletit’ me regji të Mentor Zyberajt ka marrë vlerësim të lartë në Festivalin Ndërkombëtar të Monodramës “Other Voices”, në Teatrin La Abrego, në Spanjë.

Lajmin e ka bërë të ditur për fansat regjisori i shfaqjes Mentor Zyberaj përmes një shkrimi në facebook.

“Uroj për këtë sukses bashkëpunëtorët dhe kolegët të cilët janë pjesë e realizimit të shfaqjes. Falënderojmë Ministrinë e Punëve të Jashtme për kontributin e pjesëmarrjes në Festival!”, është shprehur regjisori Zyberaj.

Regjinë dhe interpretimin e shfaqjes “Ëndërrat e Hamletit” e ka realizuar aktori dhe regjisori, Mentor Zymberaj, përderisa tekstin e ka shkruar artistja Nina Mazur./KultPlus.com

“Njëqind vjet vetmi”, romani i famshëm i Garcia Markezit do të përshtatet si serial në Netflix

Një adaptim i një prej librave më ikonikë të të gjitha kohërave, “Njëqind vjet vetmi” i Gabriel Garcia Marquez do të vijë në Netflix.

Një trailer u lançua për seritë që bëjnë fjalë për familjen me shumë gjenerata nga qyteti mitik i Macondo dhe për murtajën që i përndjek ato.

Traileri i prezanton shikuesit me familjen Buendia dhe tregon sesi historia do të zgjasë me gjenerata të tëra.

Gjithashtu përfshin një linjë dialogu – linjën hapëse të romanit të Garcia Marquez: “Shumë vite më von, përpara skuadrës së pushkatimit, Kolonel Aureliano Buendia do kujtohej për atë pasdite të largët kur i ati e çoi të zbulonte akullin.”

Fansat do të shpresojnë që ky do të jetë një adaptim që i qendron besnik librit por nuk do jetë asesi e lehtë të përshtasësh romanin ikonik.

Nuk ka ende një datë të saktë për “Njëqind vjet vetmi” por Netflix premton që do të vijë “së shpejti”.

Marrë parasysh që kemi tashmë një trailer, besohet se seriali do të shfaqet dikur mes Qershorit dhe Shtatorit të 2024.

Seriali do të ketë në regji Laura Mora dhe Alex Garcia Lopez dhe përshkruhet nga Netflix si një prej produksioneve më ambicioze në Amerikën Latine deri më tani.

Seriali u filmua tërësisht në spanjisht dhe u xhirua në Kolumbi me mbështetjen e familjes së Garcia Marquez.

Romani tregon historinë e familjes Buendia dhe patriarkut të saj Jose Arcadio Buendia, që themeloi qytetin fiksional të Macondos. Është një nga modelet e parë të realizmit magjik dhe konsiderohet si kryevepra e Garcia Marquezit./tema/KultPlus.com

Ndahet nga jeta në moshën 77-vjeçare shkrimtari amerikan Paul Aster

Shkrimtari i “Trilogjisë së Nju Jorkut” dhe “Leviathan” ka vdekur nga ndërlikimet e kancerit në mushkëri. Librat e tij janë përkthyer në më shumë se 40 gjuhë dhe është një shkrimtar i nderuar në Francë, të cilën ai e konsideronte “shtëpinë e tij të dytë”.

Paul Auster, autori amerikan, veprat e të cilit përfshijnë “Trilogjinë e Nju Jorkut” ka vdekur në moshën 77-vjeçare pas komplikimeve nga kanceri në mushkëri.

Auster vdiq në shtëpinë e tij në Brooklyn, Nju Jork, sipas New York Times, duke cituar një mik të romancierit. Diagnoza e Auster me kancer u njoftua për herë të parë vitin e kaluar nga gruaja e tij dhe autorja tjetër Siri Hustvedt.

I lindur në Nju Xhersin fqinj, Auster u bë një ikonë letrare në Nju Jork gjatë viteve 1980 me vepra si “Trilogjia e Nju Jorkut”, të cilat vendosën një kthesë filozofike në zhanrin e detektivëve.

Veprat e tjera të tij kryesore përfshijnë “Moon Palace” (1989), “The Book of Illusions” (2002) dhe “The Brooklyn Follies” (2005).

Romanet postmoderne dhe shpesh ekzistencialiste të Auster-it, temat e të cilave shpesh rrotullohen rreth humbjes në të gjitha permutacionet e saj, janë përkthyer në më shumë se 40 gjuhë. Ata janë jashtëzakonisht të popullarizuar në Evropë.

Ai fitoi çmimin e huaj Médicis për “Leviathan” në 1993 dhe është një shkrimtar i nderuar në Francë, të cilën e konsideronte “shtëpia e tij e dytë”./euronews/KultPlus.com

96 vjet nga lindja e themeluesit të koreografisë shkodrane, Filip Gjergji

Filip Gjergji i lindur 1 maj 1927 njihet si themeluesi i koreografisë shqiptare në Shkodër. Pinjoll i familjes së njohur Gjergji të ardhur nga Mirditë në lagjen Rus të qytetit të Shkodrës para qindra vitesh është i afërm dhe i përfaqësuesit kualitet të jareve shkodrane Ndrek Gjergji, shkruan KultPlus.

Bashkohës dhe koleg i personaliteteve të artit si Fadil Kraja dhe Prenk Jakova, Filipi është dhe autor i disa botimeve si “Barcoleta shkodrane”, “Për Shkodrën dhe njerëzit e saj” si dhe pritet të botojë Historikun e Serenatës së parë të mbërritur nga Spanja në qytetin e humorit, argëtimit dhe kulturës.

Gjergji u radhit në grupin më të madh të valleve me artistë të mbledhur nga gjithë Shqipëria. Në këtë grup kërceu si solist në disa valle.Ky grup iu bashkëngjit Ansamblit Kombëtar Popullor që mori pjesë pjesë në Festivalin Botëror të Rinisë në Budapest. Kanaçi, nga kujtimet e tij, më ka treguar se”në këtë evenimet Filip Gjergji ishte korifeu i disa valleve popullore, me të cilat la mbresa të thella,një baletmaestër hungarez foli mbi finesën e tij.”Për fat të keq grupi u shpërnda, sapo erdhi nga Hungaria…” Në vitin 1949 Filipi u emërua koreograf në Shtëpinë e Kulturës ,Shkodër,të cilin e drejtonin tre personalitete:Prenk Jakova,kompozitor, AndreaS, regjisor dhe Filipi.

Vlerësimet për Filip Gjergjin mbeten gjithnjë në kontekstin,jo vetëm të mirënjohjes për një mësues,po shtrihen më gjërë në parimet e kujtesës , kur na duhet të kthejmë sytë dhe të shohim se si jeta e një artisti sillet në hapësirën e kohës, por i tejkalon ato në përmasat e dhënies së ndihmesës për artin,sidomos për artistë të tillë që vunë bazat e koreografisë kombëtare dhe, me modelin e tyre, bëhen shembull frymëzues për artistët e rinj.Arti i fuqishëm mbetet gjithnjë një përcjellje vlerash që ushqjejnë njëra tjetrën si rrjedhat e një lumi të pashtershëm.Në këtë hulli Filip Gjergji është një shembull frymëzues dhe ,nga krijimtaria e tij e niveleve të larta artistike, jo vetëm mund të mësosh, por edhe frymëzohesh… /KultPlus.com

Sot 1 Maji, Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve

1 Maji njihet si Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve. Ky manifestim lindi nga lufta e punëtorëve për të kërkuar dhe siguruar të drejtat, liritë dhe kushtet e punës e të jetesës.

Kjo ditë iu referohet protestave të punëtorëve, për orar të punës 8 orë, për paga mesatare të garantuara, për pajisje mbrojtëse në vendin e punës.

Kërkesa e parë publike është paraqitur në Australi gjatë vitit 1885 me këtë përmbajtje: ” 8 orë punë, 8 orë dëfrim e 8 orë gjumë”.

Kremtimi i 1 Majit lidhet ngushtë me protestat e përgjithshme e të përgjakshme të dhjetëra mijëra punëtorëve të fabrikave të Çikagos në Amerikë, më 1 maj 1886.

Manifestimi masiv dhe madhështor u bë një vit më vonë, në të njëjtin qytet më 1 maj 1887. Kështu filloi rrugëtimi i kësaj dite e date të rëndësishme, i përqafuar nga miliona punëtorë, i organizuar përmes Lëvizjes sindikaliste dhe partive, që në fokus e kanë pozitën socio-ekonomike të punëtorëve. Sindikata botërore e caktoi 1 Majin – ditë, në të cilën të gjithë punëtorët ushtrojnë presion për sigurimin dhe avancimin e të drejtave të tyre.

Në Evropë, 1 Maji filloi manifestimin me Internacionalen e parë të Gjenevës. Nga viti 1890 në Paris, Kongresi themelues i Internacionales së dytë, vendosi që pikërisht 1 Maji të mbetet Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve.

Nga viti 1891, Kongresi i tretë i Internacionales në Bruksel, mori vendim, që 1 Majit të kremtohet përgjithmonë dhe në të gjitha vendet si Festa e Punëtorëve, në të cilën punëtorët do t’i identifikojnë, avancojnë dhe mbrojnë me Kushtetutë e ligje; liritë, të drejtat, kushtet e punës, rrogën mesatare të garantuar, pushimin ditor, javor, vjetor dhe pushimet tjera sipas nevojës./KultPlus.com

“Gaceta del Turismo”: Shqipëria – destinacioni perfekt për një aventurë unike

Nga qershori deri në shtator, turistët spanjollë do të mund të shijojnë një verë idilike mes brigjeve blu dhe Alpeve të mahnitshme shqiptare, shkruan e përditshmja spanjolle “Gaceta del Turismo”.

Agjencia turistike “Soltour” ofron udhëtime ekskluzive në Shqipëri nga 15 qytete spanjolle me fluturime direkte duke përfshirë akomodimin.

Vera është sezoni perfekt për të eksploruar Shqipërinë, një destinacion trendi që fsheh disa nga sekretet e ruajtura më mirë në Evropë.

Operatori turistik ka nisur një operacion ekskluziv të fluturimeve direkte drejt Tiranës, kryeqytetit shqiptar, nga gjithsej 15 qytete spanjolle, si Madridi, Bilbao, Valencia, Zaragoza apo Sevilja, ndër të tjera.

Udhëtimet me fokus të theksuar rajonal, u ofrojnë turistëve nga e gjithë Spanja mundësinë për të nisur një aventurë unike dhe për të zbuluar një destinacion të pakrahasueshëm siç është Shqipëria.

Zbulimi i zemrës së Shqipërisë është i mundur duke filluar me Tiranën e gjallë, ku udhëtarët do të jenë në gjendje të eksplorojnë Muzeun Kombëtar të Historisë, të admirojnë arkitekturën e epokës komuniste dhe të shijojnë jetën e gjallë të natës në kryeqytet.

Por, përtej kryeqytetit, udhëtarët do të mund të zbulojnë edhe Golemin, një fshat bregdetar në perëndim të vendit.

Gjithashtu, Shqipëria ofron plazhe të qeta me rërë pranë Adriatikut, perfekte për t’u çlodhur në një nga brigjet më të famshme të viteve të fundit, një kartolinë idilike që çdo udhëtarë mund ta përjetojë.

Itinerari përfshin edhe Durrësin, një qytet plot histori që mund të zbulohet duke ecur deri në amfiteatrin e tij romak dhe shëtitoren e tij.

Për ta përmbyllur, turi përfshin një udhëtim të fundit nga Radhima në Vlorë.

Plazhet e pastra kristal dhe gjiret e fshehura ofrojnë një mjedis ideal për të shijuar kuzhinën lokale buzë detit, ndërsa zbuloni anën më pak të njohur të Shqipërisë.

Udhëtarëve u ofrohet një mundësi unike për të vizituar një nga xhevahiret e fshehura në Evropë.

Turistët spanjollë mund të përjetojnë një verë plot përvoja të reja në destinacionin e ri dhe tërheqës, Shqipërinë./atsh/KultPlus.com

Sallë e re shumëfunksionale në DPA, Bido: Mundësi rinisë për të shpalosur talentin

Një hapësirë e re kulturore i është shtuar kryeqytetit në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave (DPA).

Kjo sallë shumëfunksionale, e çelur sot në prani të dhjetëra studentëve të Universitetit të Arteve (UA)  do të shërbejë si kinema, sallë leksionesh, trajnimesh dhe eventesh.

Me rastin e hapjes së kësaj salle, DPA-ja dhe UA-ja nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi, që i hap udhën kryerjes së një sërë projektesh artistike dhe kulturore.

Përfaqësuesit e dy institucioneve bashkëpunuese, Drejtori i Përgjitshëm i DPA-së, Prof. Dr. Asoc. Ardit Bido dhe rektori i UA-së, Prof. Kastriot Çaushi, u dakordësuan mbi kushtet e një marrëveshjeje 5-vjeçare, që parashikon zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta.

Kjo marrëveshje synon po ashtu të sigurojë qasje të lehtësuar për studentët e të gjitha cikleve, si edhe për pedagogët e UA-së, në pasurinë arkivore që zotëron DPA-ja.

Në fjalën e mbajtur, Bido tha se përmes kësaj salle, ofrohet një mundësi shumë e mirë për rininë shqiptare për të shpalosur talentin e saj në disa gjini artistike.

“Është kënaqësi që inaugurojmë një ambient të ri të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave. Një sallë multifunksionale që do të shërbejë si sallë leksionesh, trajnimesh dhe eventesh. Në kuadër të riorganizimit të hapësirës së jashtme të DPA-së, ne duam të zhvillojmë aktivitete kulturore dhe duam t’ia ofrojmë rinisë shqiptare këtë sallë, së bashku me Teatrin dhe Kinemanë e Hapur, që të mund të shpalosë talentin e vet. E nisim bashkëpunimin me Universitetin e Arteve. E falenderoj shumë rektorin për gatishmërinë.”- është shprehur Bido.

Në fjalën e tij të rastit, Çaushi shprehu vlerësimin dhe befasinë për këtë nismë, që e ka shndërruar Arkivin në një alternativë kulturore.

“Në këtë sallë gjej befasinë e një salle që më emocion dhe më gëzon, ku do të shfaqet jeta ime dhe e kolegëve të mi, që është filmi. Pasi komunikova me drejtorin tuaj, kuptova që në Arkiv kishte një realitet tjetër. Është një hapësirë që mund ta perdorim. Edhe hapesira jashtë, mund të përdoret për teatër, balet, ekspozitë pikture, dhe për shfaqje muzikore. Ndërkohë që kjo sallë mund të ishte një depo, ju e keni shndërruar në kinema të vogël. Jam vërtet i lumtur. Shoh një realitet krejt tjetër.”- tha Çaushi.

Në përmbyllje të aktivitetit u shfaqën disa materiale filmike të realizuara nga studentë të ciklit master në UA “Vragë” nga Mario Çaçi, “Punë e pambaruar” nga Redi Jata, “5 1sha” nga Dionis Prifti, “Obituari i nesërm” nga Renis Hyka dhe “Hi në tapet” nga Enea Gramo dhe Enton Lazaj.

Në angazhimin e shprehur përmes kësaj marrëveshjeje, DPA-ja merr përsipër vënien në gatishmëri të hapësirës pa pagesë, me përjashtim të rasteve të përcaktuara në marrëveshje. Në këtë marrëveshje përfshihen shfaqja e filmave dokumentarë, vënia në skenë e shfaqjeve të ndryshme prej trupës studentore të UA-së, aktivitete muzikore dhe të arteve të bukura.

Kalendari i aktiviteteve do të përcaktohet bashkarisht prej institucioneve, me shkrim ose në formë elektronike, minimalisht 30 ditë para datës së parashikuar të aktivitetit përkatës. Kjo marrëveshje ka një vlefshmëri 5-vjeçare dhe mund të qendrojë në fuqi edhe përtej këtij afati, në mungesë të vullnetit të palëve për t’i dhënë fund.

Kjo marrëveshje vjen në vazhdën e nismave të herëpashershme të DPA-së, në funksion të inkurajimit të të rinjve për të njohur historinë dhe trashëgiminë dokumentare kombëtare.

Së bashku me Teatrin dhe Kinemanë e Hapur me një kapacitet prej 140 ulësesh, me Hapësirën e Studimit në Natyrë dhe me Muzeun Arkivor që pritet të hapë dyert së afërmi, DPA-ja ofron një alternativë kulturore kryesisht për të rinjtë, që mund të shërbejë njëkohësisht edhe si një pikë atraksioni për turistët./atsh/KultPlus.com

Rama në Theth: Paketë e re mbështetjeje për investime në Alpe

Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë sot një takim në Theth me përfaqësuesit e agroturizmit që operojnë atje, ku do të prezantojë paketën e re të mbështetjes për investime në alpe.

I shoqëruar nga ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali dhe kryetari i bashkisë Shkodër, Benet Beci, Kryeministri u ndal fillimisht në Bunin e Bajraktarit të cilin e cilësoi, Ballkonin e Perëndisë.

Në një videomesazh nga Buni i Bajraktarit, Rama bëri të ditur se “do të diskutojë me ata të cilët kanë hapur dyert dhe e kanë kthyer Thethin në një destinacion europian turistik, për paketën e re të mbështetjes për investimet në këto male”.

Rama tha se kjo paketë do t’u hapë rrugën të gjithë atyre që i kanë lënë këto male në kërkim të një jete më të mirë dhe që kanë punuar dhe punojnë pa pushim duke kursyer.

“Kursimet e tyre mund t’i investojnë në tokat e të parëve me një lehtësi të plotë, pa pasur më ato hallet e pafundme të zinxhirit të pronave dhe pa pasur as nevojë të kalojë në të gjithë atë procedurë që kërkon firmat e të gjithëve që janë shpërndarë lart e poshtë. Me një mbështetje të fuqishme qoftë në aspektin e dhënies së lejeve për të rihapur shtëpitë e të parëve, për të ndërtuar agroturizmat, për të fituar shumë më tepër se sa fitojnë nga puna e lodhshme në shërbim të të tjerëve atje ku janë”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se kjo do t’i japë mundësi ekonomisë që të fuqizohet edhe më shumë, falë turizmit dhe falë miliona e miliona turistëve që po mësyjnë në Shqipëri.

“Janë edhe më shumë turistë këtë vit se 10 milionë të vitit të shkuar, që do të thotë shumë më tepër të ardhura, shumë më tepër konsum, punë për të gjithë zinxhirin e prodhimeve të vendit, mbi të gjitha shumë më tepër krenari për Shqipërinë”, tha Rama.

Ndërsa Spiropali nënvizoi zhvillimin që ka marrë zona e Alpeve.

“Këtu jemi në qendrën e Alpeve, pak më vonë do të shkojmë në Theth dhe do t’i biem përqark gjithë kësaj unaze, që si asnjëherë ka marrë një zhvillim të ri dhe besoj do të sjellë jo vetëm më shumë turistë, por edhe më shumë begati për gjithë banorët e kësaj zone”, tha ajo.

Kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci bëri të ditur se do të fillojë loti i dytë i rrugës së Dukagjinit, shumë i mirëpritur nga banorët e zonës. “Sot makineritë janë atje, na presin të fillojmë komandën për të bërë edhe 30 km rrugë të tjera”, tha ai.

Kryeministri u shpreh: “Ka edhe një tjetër plan shumë ambicioz, por do ta mbajmë për një moment sekret dhe surprizë për shkodranët dhe Shkodërlocen, që tani me krahët e rilindjes do të fluturojë lart e më lart dhe do të kthehet në atë lartësi të cilën e kanë dashur dhe kënduar poetët e vetë të jashtëzakonshëm”./atsh/KultPlus.com

Dubai po ndërton aeroportin më të madh në botë, do t’u shërbejë 260 milionë pasagjerëve

Duke synuar të kenë aeroportin më të madh dhe më spektakolar në botë, të gjithë sytë janë nga Dubai, duke promovuar zbatimin e një investimi prej 35 miliardë dollarësh.

Siç raporton Al Jazeera, puna për zgjerimin e Aeroportit Ndërkombëtar Al Maktoum tashmë ka filluar.

Kur të përfundojë aeroporti, ai do të jetë më i madhi në botë.

Kryeministri dhe nënkryetari i Dubait, Sheikh Mohammed bin Rashid Al Maktoum, tha të dielën se aeroporti i ri do të jetë pesë herë më i madh se aeroporti aktual ndërkombëtar i Dubait.

Do të ketë pesë pista, 400 porta dhe me kapacitet për të shërbyer deri në 260 milionë pasagjerë në vit, sipas asaj që është paralajmëruar zyrtarisht, padyshim do të jetë më e ngarkuara.

Të gjitha operacionet e Aeroportit Ndërkombëtar të Dubait do të transferohen, gradualisht gjatë viteve të ardhshme, në Aeroportin Ndërkombëtar Al Maktoum.

“Dubai do të bëhet aeroporti i botës, porti i tij dhe qendra e re globale”, thekson Sheikh Mohammed bin Rashid Al Maktoum.

Paul Griffiths, shefi ekzekutiv i Dubai Airports, tha se këto lëvizje do të vendosin Dubain si një qendër kryesore ndërkombëtare të aviacionit./alsatm/ KultPlus.com

Fragment nga libri ‘Tuneli’ i shkrimtarit Ernesto Sabato

KultPlus ua sjell sot një fragment nga libri i Ernesto Sabatos, ‘Tuneli’.

Kur e pashë të ecte në anën tjetër të trotuarit, të gjitha variantet në kokën time u bënë troç dhe u rrotulluan. Mjegulltazi, ndjeva në ndërgjegjen time dallgën e atyre frazave të komplikuara, të përpunuara e të mbajtura mend, përgjatë procesit përgatitor që kisha kaluar: A jeni e interesuar në art? Pse e shikuat vetëm dritaren e vogël?, e kështu me radhë. Dhe, më ngulmuese se secila, më vinte në gojë një frazë që e kisha hedhur poshtë për të vrazhdë, e që, në atë moment, më mbushte turp e më bënte të ndihesha edhe më qesharak: Ju pëlqen Kasteli?

Frazat, të shfrenuara dhe konfuze, formësonin një enigmë fjalëkryqi misterioz, derisa e kuptova se qe e kotë të brengosesha në atë mënyrë: më pas, më ra në mend se ishte ajo e cila do të duhej ta merrte nismën për çfarëdo bisede. Dhe, që nga ai moment, u ndjeva marrëzisht i qetë dhe, madje, munda të mendoja, gjithashtu, marrëzisht: Tani kemi për të parë se si do t’i shkojë kësaj.

Në ndërkohë, pavarësisht këtij gjykimi, aq ndihesha nervoz dhe i emocionuar sa s’isha në gjendje të bëja gjë tjetër përveç ta përcillja marshin e saj anës tjetër të trotuarit, pa menduar se nëse do të doja t’i jepja, të paktën, mundësinë hipotetike të më pyeste ndonjë adresë, më duhej të kaloja në anën tjetër të rrugës dhe të afrohesha. Vërtet, s’kishte gjë më absurde sesa të supozosh se ajo do të bërtiste prej atje për të më kërkuar ndonjë adresë.

Ç’të bëja? Sa do të zgjaste kjo situatë? U ndjeva krejtësisht i mjerë. Ecëm disa blloqe. Ajo vazhdoi të ecte vendosmërisht.

lsha shumë i trishtuar, por më duhej t’i shkoja gjer në fund kësaj pune: ishte e pamundur që, pasi e kisha pritur muaj të tërë këtë moment, ta lija këtë mundësi të më shkiste nga duart. Dhe, të ecurit e shpejtë, derisa shpirti më lëkundej aq shumë, më shkaktonte një ndjesi të pazakontë: mendja ime ishte si një krimb qorr e i ngathët, brenda një automobili me shpejtësi të madhe.

U kthye në qoshen e San Martinit, bëri ca hapa dhe hyri në ndërtesën e Kompanisë T. E kuptova se më duhej të veproja shpejt dhe e ndjeka pas, edhe pse, në ato momente, ndjeva se po bëja diç të tepruar e monstruoze.

E priste ashensorin. S’kishte tjerë njerëz. Njëri brenda meje, më guximtar se unë, shqiptoi këtë pyetje tmerrësisht të marrë: Kjo është ndërtesa e Kompanisë T?

Një tabelë, e madhe ca metra, që mbulonte gjithë pjesën e përparme të ndërtesës, shënjonte se kjo ishte ndërtesa e Kompanisë T.

Sidoqoftë, ajo u kthye me thjeshtësi dhe m’u përgjigj duke pohuar. (Më vonë, duke reflektuar mbi pyetjen time dhe thjeshtësinë e qetësinë me të cilën ajo m’u përgjigj, konkludovase, në fund të fundit, ngjan që shumë herë njerëzit nuk i shohin këto tabela tepër të mëdha se, kësisoj, pyetja s’ishte aq e marrë, siç e mendova në momentet e para.)

Por, menjëherë, kur më shikoi, u skuq aq fort, sa e kuptova se më njohju. Të tillë variant s’kisha paramenduar kurrë. Sidoqoftë, ishte mjaft logjik, sepse fotografia ime ishte shfaqur shumë shpesh nëpër revista e gazeta.

U emocionova aq shumë, sa qeshë në gjendje t’i drejtoja vetëm edhe një tjetër pyetje bajate. E pyeta befas:

Pse u skuqët?

Ajo u skuq edhe më dhe ndoshta deshi të më përgjigjej kur unë, i dalë krejtësisht nga vetja, shtova vrik

 U skuqët ngaqë më njohët. Me gjasë mendoni se kjo ështe një rastësi, por nuk është e tillë, nuk ka rastësi kurrë. Kam menduar rreth jush me muaj të tërë. Sot ju pashë tek ecnit në rrugë dhe ju përcolla. Më duhet t’ju pyes diçka, diçka në lidhje me dritaren e vogël, kuptoni?

Dukej e frikësuar:

– Dritarja e vogël? – belbëzoi. – Ç’dritare e vogël?

Ndjeva këmbët të më dridheshin. Ishte e mundur mOS kujtohej? Pra, s’çonte peshë për të dhe e kishte shikuar veç për kureshtje. U ndjeva qesharak dhe mendova, marramendthi, se gjithë ç’kisha bërë e menduar tërë këta muaj (përfshirë edhe këtë skenë) ishte maja e marrëzisë dhe budallallëkut, një nga ato trillet e mia imagjinare, mendjemadhe aq sa ato rindërtimet e një dionsauri nga një gjetje vertebre të thyer.

Vajza sa s’ia nisi vajit. Mendova se bota do të më shembej mbi kokë, pa më dhënë afat të ndërmirrja gjë efikase. E zura veten duke thënë diçka që tani më vjen turp ta shkruaj:

Shoh se paskam gabuar. Ditën e mirë.

Dola rrëmbimthi dhe eca, pothuajse duke vrapuar, pa cak e adresë. Kisha ecur një bllok të tërë kur dëgjova një zë prapa të thoshte:

Zotëri, zotëri!

Ishte ajo; më kishte ndjekur, pa marrë guximin të më ndalte. Ishte aty dhe s’dinte si ta shpjegonte atë që kishte ndodhur. Me një zë të ulët më tha:

Më falni, zotëri… Faleni marrëzinë time… Isha aq e frikësuar…

Ca momente më parë, bota më ishte një kaos gjërash dhe njerëzisht të padobishëm. Ndjeva sikur tani po formësohej përsëri dhe po rimerrte frerët në duar. E dëgjova i heshtur.

S’e kuptova se po më pyesnit rreth skenës së pikturës – tha, me angështi.

Pa menduar fare, e kapa për krahu.

Atëherë, ju kujtohet?

Ndenji një moment pa e hapur gojën, me sytë mbërthyer në tokë. Pastaj, tha ngadalë:

– Më kujtohet vazhdimisht .

Më pas, diçka e çuditshme ngjau: u duk se u pendua për ato që kishte thënë sepse, papritur,ma ktheu shpinën dhe gati nisi të vrapojë. Pas një çasti habie, vrapova pas saj, derisa ma kapi truri se sa qesharake ishte kjo skenë; shikova majtas e djathas dhe vazhdova të ecja me hapa të shpejtë, por normal. Vendosa kështu për dy arsye: e para, sepse ishte qesharake që një njeri i famshëm të vraponte rrugës pas nje vajze dhe, e dyta, sepse s’ishte e nevojshme. Kjo e fundit ishte më esencialja, mund ta shihja sa herë të doja, kur ajo të hynte apo dilte nga zyrja e saj. Pra, pse të vrapoja si i çmendur? E rëndësishmja këtu, më e rëndësishmja ishte se asaj i kujtohej skena e dritares: I kujtohej vazhdimisht. Isha i kënaqur, ndihesha i gatshëm për gjëra të mëdha, vetëm se e qortoja veten pse kisha humbur kontrollin atje te ashensori dhe tani, përsëri, që vrapova pas asaj sikur buda;;a. kur ishte më se e qartë se mund ta takoja në çfarëdo kohe, në zyrë./KultPlus.com

Antifonë (Himn liturgjik)

Manuel Machado

Eja, mbretëreshë e puthjeve, lule e shfrenuar
buzëqeshje e çmendur, dashnore pa dashuri…
Eja, unë ta di dhimbjen që gëzimin ka kapluar
dhe lutjen e hidhur që në gojë të rri.

Unë s’të ofroj dashuri, kur ti i thua jo dashurisë;
e di sekretin tënd, virgjëreshë e njollosur;
Dashuria është armike e kënaqësisë
në të cilën hidhërimin tonë kemi fundosur.

Të duhemi… Tash ajo kohë ende s’ka ardhë!
Ty dhe mua na çojnë dallgët përpjetë.
Në t’njëjtën kohë, jemi shenjtorë dhe mëkatarë;
Në t’njëjtën kohë, jemi mbretër dhe të shkretë!

Unë e di që t’njëjtët që na adhurojnë
thellë-thellë njëlloj na përbuzin mua e ty.
Dhe të drejtë janë zërat që na nënçmojnë…
S’ka çmim ajo që shesim ne të dy.

Kështu, të dy: ti – dashuri, unë – poezi,
e japim për ar botën që e përçmojmë…
unë shpirtin; trupin prej perëndeshe, ti;
Eja të qeshim bashkë, teksa vajtojmë.

I riu, tek ne, s’dëshiron tjetër veç Natyrshmërisë
të bëjë, mes poezive dhe bakanaleve,
dhuratën perandorake të bukurisë,
dritë, në rrugën e errët të vdekatarëve.

Oh! Ngrije kokën, lule e mbushur me gjallëri
që fal hijeshi, kënaqësi, ngjyra, aroma…
Thuaju me atë gojë epshore plot freski
që nuk janë të kësaj bote dashuritë tona!

Në fat, rrugëtimi i njëjtë na ka rënë pjesë ,
një ankth i ngjashëm na ngre e s’ka të kryer,
derisa të ngatërrohen përgjithmonë në harresë,
hijeshia jote e kalbur dhe vargu im i thyer.

Le ta kryqëzojmë rrugën tonë të Fatkeqësisë
ballëlartë, duart kapur t’i kemi
Eja me mua, mbretëreshë e bukurisë,
Kurtizane dhe poetë, të një gjaku jemi!/ KultPlus.com

‘Asnjë e vërtetë nuk mund ta shërojë dhimbjen të cilën e ndjejmë kur e humbasim dikë që e kemi dashur’

“Asnjë e vërtetë nuk mund ta shërojë dhimbjen të cilën e ndjejmë kur e humbasim dikë që e kemi dashur. S’ka të vërtetë, s’ka sinqeritet, s’ka forcë, s’ka mirësi që mund ta shërojë atë dhimbje.

E gjitha që mund të bëjmë është të shohim përmes saj deri në fund dhe të mësojmë diçka prej saj, por ajo që do ta mësojmë nuk do të na ndihmojë në përballjen me dhimbjen tjetër, e cila vjen tek ne pa paralajmërim.”

“Nuk më intereson se çfarë do të bësh me mua, por vetëm nuk dua të më lëndosh. Tashmë kam pasur mjaftueshëm lëndime në jetën time. Më shumë se mjaftueshëm. Tani dua të jem e lumtur.”

“Nuk është se ne nuk përshtateshim. Ne thjeshtë skishim asgjë për të thënë.”

– Haruki Murakami, “Norwegian Wood” / KultPlus.com

Kryeministri Kurti: Kosova shteti me kapacitetin më të madh të baterive për kokë banori

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, tha se Kosova po bëhet shteti me kapacitetin më të madh të baterive për kokë banori në botë.

Kurti, në një postim në rrjetin social Instagram, tha se programi ‘Kompakt’, është investimi më i madh në energji në dekadat e fundit dhe kap vlerën prej 236.7 milionë dollarë është, kurse vlera e investimit. 202 milionë prej tyre grant nga SHBA-ja.

“Kosova po bëhet shteti me kapacitetin më të madh të baterive për kokë banori në botë. Programi Kompakt, që është investimi më i madh në energji në dekadat e fundit, hyri në fuqi nga sot. 236.7 milionë dollarë është vlera e investimit. 202 milionë prej tyre grant nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kurse 34.7 milionë bashkëfinancim nga Qeveria e Republikës së Kosovë”, ka shkruar Kurti në Instagram.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës dhe Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (MCC) lansuan programin Kompaktin MCC-Kosovë, i fokusuar në ofrimin e zgjidhjeve moderne të energjisë së pastër për të përmirësuar besueshmërinë e energjisë elektrike në vendin tonë.

Filharmonia organizon koncert nën drejtimin e dirigjentit McCracken

Orkestra e Filharmonisë së Kosovës do të prezantohet me një koncert me solistët Erëmira Çitaku dhe Meriton Ferizi, nën drejtimin e dirigjentit britanik, Chris McCracken.

Repertori i mbrëmjes përfshinë “Koncert për flaut Nr. 1” nga francezi André Jolivet në interpretim të flautistes Çitaku dhe Orkestrës Harkore.

“Një prej veprave më të njohura të shkruara për instrumentin e fagotit “Koncert për fagot Nr. 2” nga kompozitori gjerman Franz Danzi, vjen premierë për publikun e Prishtinës. Kjo në interpretim të orkestrës dhe fagotistit të parë të Filharmonisë së Kosovës Meriton Ferizi.

Në pjesën e dytë të koncertit, do të interpretohet “Simfonia Nr. 8” e kompozitorit Antonín Dvořák”, thuhet në njoftim.

Koncerti mbahet më 11 maj, në ora 20:00, në Atelienë e Pallatit të Rinisë./KultPlus.com

Spanja i jep vlerësim të lartë shfaqjes ‘Ëndërrat e Hamletit’ të Mentor Zymberajt

Shfaqja ‘Ëndërrat e Hamletit’  me regji të Mentor Zyberajt ka marrë vlerësim të lartë në Festivalin Ndërkombëtar të Monodramës “OTHER VOICES” , në Teatrin La Abrego, në Spanjë, shkruan KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur regjisori i shfaqjes Mentor Zyberaj përmes një shkrimi në facebook.

“Uroj për këtë sukses bashkëpunëtorët dhe kolegët të cilët janë pjesë e realizimit të shfaqjes. Falënderojmë Ministrinë e Punëve të Jashtme për kontributin e pjesëmarrjes në Festival!”, është shprehur regjisori Zyberaj.

Regjinë dhe interpretimin e shfaqjes “Ëndërrat e Hamletit” e ka realizuar aktori dhe regjisori, Mentor Zymberaj, përderisa tekstin e ka shkruar artistja Nina Mazur./ KultPlus.com