“Gratë e Trojës” udhëtojnë në Prizren për të treguar fatin e tyre përmes thirrjeve për paqe

“Gratë e Trojës”, më 15 prill, 2024, do të prezantojnë para publikut një udhëtim të tragjedisë njerëzore, nga Troja në ditët e sotme, dhe fatin e grave përmes thirrjes për paqe, në Kino Lumbardhi në Prizren, duke filluar nga ora 20:00.

Me drejtimin e regjisoreve feministe Zana Hoxha dhe Maja Mitić, kjo shfaqje do të performohet nga Ansambli i Artpolis me aktorë/e nga Kosova dhe nga Serbia, duke përdorur dy gjuhë, shqip dhe serbisht.

Përmes kësaj shfaqjeje, do të shpalosen vuajtjet e heshtura të grave pas luftës, duke theksuar forcën dhe qëndrueshmërinë e tyre përballë shtypjeve sistematike. Personazhet si Hekuba, Kasandra e Andromaka janë simbole të fuqishme të rolit të grave në kohën e trazirave politike.

Prezantimi i kësaj shfaqjeje do të shërbejë si një kujtesë për nevojën urgjente për paqe dhe për të thyer ciklin e konfliktit dhe luftës.

Teksti bashkëkohor është përgatitur nga Shpëtim Selmani, ndërsa bashkëregjisore dhe dramaturge: Maja Mitić dhe Zana Hoxha.

Në këtë shfaje do të luajnë aktorët: Shpëtim Selmani, Maja Mitić, Donikë Ahmeti, Blerta Gubetini, Qendresa Kajtazi, Hristina Tošić, Branka Stojkoviq, Labinot Raci, Mikel Markaj, Edlir Gashi, Zhaneta Xhemajli.

Koreograf: Robert Nuha; Kompozitor: Liburn Jupolli; Kostumet: Yllka Brada; Teknik i zërit dhe dritës: Skender Latifi; Menagjerë produksioni: Venera Ismaili; Elira Lluka, Mërgim Memoviq; Ekipi i PR: Berat Bajrami dhe Elira Lluka.

“Gratë e Trojës” mbështetet nga UNFPA Kosovo (përmes projektit ‘Youth 4 Inclusion, Equality & Trust), European Union in Kosovo U.S. Embassy Pristina, Kosovo. Partnerë në këtë aktivitet janë Artpolis dhe Helsinski Odbor për të Drejtat e Njeriut (Serbi). / KultPlus.com

Këshilli i Etikës për rastin e ngacmimit seksual në UP: Nuk ka as vend dhe as arsye për dramatizim të situatës

Nga Universiteti i Prishtinës kanë njoftuar se rasti i denoncuar për ngacmim seksual nga profesori Xhevat Krasniqi, është duke u trajtuar me urgjencë dhe seriozitet.

Përmes një komunikate, nga UP-ja kanë njoftuar se rasti dyshohet të ketë ndodhur në tetor/nëntor 2022, dhe janar/shkurt 2023, ndërsa është adresuar në Këshillin e Etikës në mars të vitit 2024 por megjithatë është marrë për shqyrtim me urgjencë.

Këshilli i Etikës kërkon kohën e duhur për vendimin e duhur.

Ky është reagimi i plotë:

Bazuar në informatat e ofruara nga Këshilli i Etikës, në lidhje me denoncimin e paraqitur ndaj Prof.Xh.K., dhe procedurat dhe standardet që ky Këshill zbaton, Universiteti i Prishtinës sqaron si në vijim:

Si për çdo rast, edhe në rastin në fjalë, Këshilli i Etikës zhvillon procedurat e përcaktuara dhe të zbatueshme ligjore, përfshirë në mënyrë të posaçme procesin e përcaktuar në Rregulloren përkatëse të UP-së për procedurat dhe masat disiplinore.

Rasti në fjalë, nuk ka përbërë përjashtim nga ky rregull. Sqarojmë se rasti i adresuar, pretendohet të ketë ndodhur para një viti e gjysmë (tetor/nëntor 2022, dhe janar/shkurt 2023). Përkundër kësaj, rasti është adresuar në Këshill të Etikës vetëm në mes të marsit 2024. Kurdo që një rast paraqitet, ai merret dhe trajtohet me seriozitetin e duhur dhe procedurat e paracaktuara, por nëse është dashur kaq kohë e gjatë për ta paraqitur, Këshilli vlerëson se meriton një hapësirë kohore, që gjithsesi është shumë më e arsyeshme se kjo më sipër, për të punuar i lirë dhe, mbi të gjitha, për t’u siguruar që dëgjon dhe shqyrton deklarimin e secilës palë, të përfshirë në këtë çështje dhe që duhet dëgjuar. Në këtë drejtim, Këshilli vlerëson që nuk ka as vend dhe as arsye për dramatizim të situatës.

Përkundrejt konsideratave të mësipërme, duke pasur parasysh natyrën e pretendimit, Këshilli i Etikës megjithatë ka pranuar ta trajtojë këtë rast me urgjencë, gjë që është duke e bërë. Mbi këtë bazë, Këshilli deri më tani ka mbajtur tri seanca, të cilat janë janë zhvilluar me qëllim dëgjimin e dëshmitarëve të propozuar nga vetë pala denoncuese.

Dëgjimi i dëshmitarëve nga pala denoncuese është hap procedural i domosdoshëm, për të shmangur një rezultat të kontestueshëm dhe për të dhënë garancinë se për rastin është gjykuar e vendosur drejt. Në një rend demokratik dhe sistem që udhëhiqet nga sundimi i ligjit, Këshilli i Etikës kujdeset që të shamanget arbitrariteti, duke ju mundësuar palëve në procedurë të drejtën e tyre për t’u dëgjuar dhe për të paraqitur pretendimet e tyre në mënyrë të plotë e të barabartë. Kjo pasi parimi themelor për një proces të drejtë, të paanshëm dhe objektiv vlen edhe për rastet e shqyrtuara nga Këshilli i Etikës.

Pretendimet janë serioze dhe kjo gjithashtu nënkupton se edhe rasti duhet të trajtohet me seriozitet. Secili pretendim dhe secila provë duhet të shqyrtohet, brenda një kohe të arsyeshme, duke bërë përpjekje maksimale që ky rast të vendoset brenda një periudhe sa më të shpejtë të mundshme dhe objektivisht optimale, gjithmonë duke u siguruar se nuk dëmtohet drejtshmëria e vendimit.

Në kuadër të trajtimit të paanshëm dhe objektiv, është e domosdoshme që të gjitha palët të përmbahen nga çfarëdo mjeti e forme presioni. Këshilli i Etikës ka refuzuar dhe do ta refuzojë presionin si modalitet të funksionimit të tij, sepse një gjë e tillë është në interesin më të mirë të funksionimit institucional dhe të rendit juridik, në përputhje me standardet më të mira evropiane dhe ndërkombëtare.

Sigurisht, Këshilli i Etikës, sikurse vetë Universiteti i Prishtinës, e kupton dhe pranon të drejtën e protestës, por u bën thirrje të gjitha palëve të përfshira, si dhe palëve të treta, që protestat të zhvillohen në mënyrë demokratike, në një mënyrë që nuk ushtron presion dhe nuk pengon kryerjen e detyrave të Këshillit të Etikës.

UP iu rikujton të gjitha palëve që, ndonëse vendimet e Këshillit të Etikës janë të rëndësishme, ato nuk paraqesin vendime të formës së prerë. Prandaj, secila palë gëzon të drejtën për t’i adresuar pretendimet edhe në instanca të tjera, përfshirë ato gjyqësore. / KultPlus.com

Gjendet në Kroaci helmeta ilire 2500 vjeçare (VIDEO)

Një ekip arkeologësh në fshatin Zakotorac në gadishullin Pelješac të Kroacisë kanë bërë një zbulim të rëndësishëm.

Ata kanë zbuluar një përkrenare të lashtë ilire të ruajtur mirë, që daton më shumë se 2500 vjet, raportoi HRT.

Ky zbulim shënon kulmin e katër viteve të kërkimit në tumat e varreve, të cilat dhanë një sasi të madhe materiali të vlefshëm që potencialisht mund të riformësonte kuptimin tonë për kolonizimin grek në Mesdhe gjatë mijëvjeçarit të fundit para Krishtit.

Procesi i gërmimit për helmetën ishte i përpiktë, duke përfshirë fotografimin e kujdesshëm të ndjekur nga heqja e çdo pjese të vogël guri dhe dheu. Përfundimisht, helmeta sipas tyre, greko-ilire u zbulua me sukses.

Arkeologët nga Muzetë e Dubrovnikut po marrin pjesë në gërmimet në Zakotorac në Pelješac – të udhëhequr nga Dr. Domagoj Perkić, me ndihmës kuratorët Paula Knego dhe Vicenco Pijerov, së bashku me kolegët nga institucionet e tjera – Hrvoje Potrebica, Marko Dizdar, Borute Križ, Marta Miona Milisha, Miroslav Vuković dhe Mirna Šandrić, me ndihmën e Ivan Pamic.

Helmeta është të paktën 2500 vjet e vjetër

Datimi paraprak sugjeron se kjo përkrenare mund të ketë origjinën nga shekulli i gjashtë para Krishtit. Ajo që është veçanërisht intriguese është prania e dy llojeve të ndryshme të helmetave në të njëjtin vend, duke treguar një vazhdimësi të pushtetit brenda komunitetit. Këto helmeta kanë simbolizuar gjithmonë statusin dhe autoritetin, raportoi HRT.

Gërmimet në këtë vend filluan katër vjet më parë dhe arkeologët kanë qenë vazhdimisht me fat. Vetëm në vitin e parë, ata zbuluan një përkrenare greko-ilire, e cila ishte një surprizë e madhe në atë kohë. Zbulimi i një tjetre është vërtet i bujshëm.

Të gjitha kockat e zbuluara i nënshtrohen analizës bioarkeologjike për të përcaktuar numrin minimal të individëve, gjininë e tyre, moshën në momentin e vdekjes dhe detaje të tjera demografike.

Ekspertët që vijnë

Në total, ka 27 tuma varrimi në Zakotorac dhe puna në vazhdim ka zbuluar një pasuri të thesarit historik, duke përfshirë sende të ndryshme si kunja, kapëse, fibula, pjesë gjerdanesh të bëra nga qelibar ose rruaza qelqi, dhe këtë vit, për herë të parë kohë, një diademë—një brez bronzi i veshur me sa duket në kokë nga një femër.

Javën e ardhshme, një ekipi prej pesë anëtarësh do t’i bashkohen kolegë nga Italia, duke treguar një interes ndërkombëtar në rritje për projektin. Parashikohet që ky bashkëpunim mund të çojë në njohuri krejtësisht të reja mbi kolonizimin grek në Mesdhe. Zbulimet arkeologjike në Pelješac vazhdojnë të zbulojnë historinë e fshehur. / KultPlus.com

Lana Del Rey hap sezonin e ri te festivalit kalifornian “Coachella”

Lana Del Rey do të rikthehet në festivalin muzikor “Coachella”, i cili nis këtë fundjavë.

Festivali kalifornian zhvillohet gjatë dy fundjavave nga 12 deri më 14 prill dhe 19 deri më 21 prill dhe do të shfaqë performaca të tjera kryesore nga Tyler, The Creator; Doja Cat; dhe një ribashkim i “No Doubt” me Gwen Stefani.

Këngëtarja amerikane Del Rey, e cila u bë e famshme në vitin 2012 me “Born To Die”, do të hapë sezonin e së premtes në “Empire Polo Club” në Indio, Kaliforni, pas debutimit të saj të fundit në festival në 2014.

Ylli i “Summertime Sadness” ishte planifikuar të shfaqej në formacionin e vitit 2020, i cili u anulua për shkak të pandemisë së Covid-19.

“Coachella”, i njohur për pjesëmarrjen e artistëve të famshëm dhe influencuesve nga e gjithë bota, do të shfaqë këtë të premte performaca nga këngëtarja meksikane, Peso Pluma, DJ koreano-jugore dhe këngëtarja, Peggy Gou dhe ylli amerikan Sabrina Carpenter.

Yjet e muzikës britanike që do të zbresin gjithashtu në skenë do të jenë, dyshja britanike DJ Anti Up dhe Gorgon City, MC dhe reperi Skepta, dhe ylli indian i Pop-it “The Japanese House”, emri i vërtetë Amber Bain.

Ylli i “Daisy Jones And The Six”, Suki Waterhouse, e cila kohët e fundit lindi fëmijën e saj të parë me aktorin e “Twilight”, Robert Pattinson, gjithashtu pritet të performojë në festival të premten. /atsh / KultPlus.com

Sot, Dita Ndërkombëtare e Fluturimit të Njeriut në Hapësirë

Në vitin 2011, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së duke njohur 50-vjetorin e fluturimit të parë njerëzor në hapësirë, shpalli 12 prillin si Ditën Ndërkombëtare të Fluturimit të Njeriut në Hapësirë​​.

Rezoluta e datës 7 prill 2011, e quajti atë “një ditë për të festuar çdo vit, në nivel ndërkombëtar, fillimin e epokës së hapësirës për njerëzimin, duke riafirmuar kontributin e rëndësishëm të shkencës dhe teknologjisë hapësinore në arritjen e zhvillimit të qëndrueshëm, rritjen e mirëqenies së shteteve dhe popujve, si dhe sigurimin për të ruajtur hapësirën e jashtme për qëllime paqësore”.

Data 12 prill u vendos në nder të 12 prill të vitit 1961, kur Yuri Gagarin, shtetas sovjetik, kreu fluturimin e parë njerëzor në hapësirë, një ngjarje historike që hapi rrugën për eksplorimin e hapësirës për të mirën e mbarë njerëzimit. / atsh / KultPlus.com

Dua Lipa lanson këngën “Illusion” (VIDEO)

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa ka lansuar sot projektin e ri të titulluar “Illusion”.

Kjo është kënga e tretë me radhë që vjen në kuadër të albumit të saj “Radical Optimism” i cilin pritet të lansohet i plotë më 3 maj.

Këngët paraprake Houdini dhe Training Season patën një sukses të jashtëzakonshëm dhe njejtë pritet të ndodhë edhe me Illusion.

Fituesja e tre çmimeve Grammy, viteve të fundit ka shënuar suksese të mëdha në karrierë dhe po konsiderohet si një ndër artistet me të veçanta në botën e muzikës. / KultPlus.com

“Corriere Della Sera”: Lukova dhe Ksamili – dy destinacionet me detin e kristaltë në Shqipëri

Në Shqipëri nuk mungojnë plazhet e bukura dhe shpesh italianët zgjedhin t’i kalojnë pushimet këtu – edhe për të kursyer para. Vendi mesdhetar ofron akomodime me kosto të ulët. Lukova dhe Ksamili, dy pikat turistike në Rivierën Shqiptare, ndërthurin vlerat e bukurisë – të konsideruara si “Maldivet e Evropës”- me atë të komoditetit të jashtëzakonshëm, shkruan Elmar Burchia në të përditshmen italiane “Corriere Della Sera” botuar në rubrikën “Dove Viaggi”.

Të gjithë në Shqipëri. Edhe këtë verë? Vitin e kaluar, vendi i Gadishullit Ballkanik regjistroi shifra rekord në sektorin e turizmit: sipas zyrës vendase të statistikave, në Shqipëri kanë hyrë 9,5 milionë shtetas të huaj, një rritje prej 33,2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022.

Shqipëria ka vetëm 2,8 milionë banorë. Piku i sezonit turistik, padyshim, u arrit në gusht ku u regjistruan 2 milionë pushues. Dhe shumë prej tyre ishin italianë, 10% e totalit.

Ka shumë arsye pse njerëzit zgjedhin të vizitojnë Shqipërinë vitet e fundit: kurioziteti për të vizituar një vend më pak të njohur; afërsia me Italinë dhe fakti që është një destinacion mjaft i lirë në krahasim me çmimet- shumë të larta në destinacionet e mbipopulluara me njerëz.

Shqipëria ofron plazhe të bukura dhe të pastra; pamje që të lëne pa frymë; peizazhe pothuajse të pacënuara; një det të mrekullueshëm; kuzhinë të shijshme; jetën e gjallë të natës dhe mikpritje vërtetë të ngrohtë.

Vija bregdetare shqiptare shtrihet në 363 kilometra. Pothuajse të gjitha plazhet janë magjepsëse. Por cilat janë më të bukurat?

Sipas ekspertëve të udhëtimeve, dy plazhet më të vlerësuara janë Lukova dhe Ksamili, dy vendpushime në Rivierën Shqiptare të konsideruara si “Maldivet e Evropës”. /atsh / KultPlus.com

Një orë lumturie

Poezi nga Asdreni

Hëna ndrinte porsi argjent
Kur ndë kopshtije bashkë vinim
Dhe me dorën mbi krahun tënd
Të ndihnja mbi bar te rrinim.

Ah, sa ëmbëlsirë ndjeva
Kur dorën ma zgjate
At’herë fare më s’ë msheva
Mirëdashjen zemrës sate.

Lulet na çonin një erë
Shumë të ëmbël e të pëlqyer
Edhe zefiret nga herë
Na kujtonin pa kursyer.

Rrezet që na përgëzonin
Kur ishim të përqafuar
Dashurinë na e shtonin
Me një mall të pa rrëfyer.

Sa fjal’ t’mbla më thoshe
Kur përkëdheleshim të dy
Dhe më syçkat bukuroshe
Me benjë të mos ndahem nga ty.

Po dyshimi nuk më linte
të të besonj se ti më do
Si hëna që rrezet mshifte
Dhe i çonte ku desh ajo.

Veç at’hëre kupëtova
Se je zemër plot mëshirë
Dhe veten time e ngrova
Kur më puthe me dëshirë./KultPlus.com

“Edukimi përmes kulturës”, program i Muzeut Kombëtar për nxënësit e shkollave 9-vjeçare

Në kuadër të programit “Edukimi Përmes Kulturës”, Muzeu Historik Kombëtar organizoi aktivitetin “Muzeu im”, në shkollën 9-vjeçare “Dëshmorët e Lirisë“ në Tiranë.

Specialiste te Muzeut Historik Kombëtar shkuan sot, në shkollën 9-vjeçare “Dëshmorët e Lirisë” ku nxënësit kishin sjellë nga shtëpitë e tyre objekte të vjetra, që në kalimin e viteve dashur padashur kanë marrë dhe vlera muzeale si punime zbukurimore prej druri, bakri e bronzi, punime dore, kandil, mulli kafeje etj.

Nxënësit ishin impenjuar për të nxjerrë nga errësira, ku mbaheshin prej vitesh objekte që dikur ishin përdorur nga gjyshet apo gjyshërit e tyre. Eksperienca e nxënësve për risjelljen në vëmendje të objekteve të vjetra e që marrin vlera muzeale vjen si vazhdimësi e projektit “Muzeu im’’, inicuar nga Sektori i Programeve Edukative në Muzeun Historik Kombëtar. Në këtë projekt çdo qytetar mund të ekspozojë objekte të vjetra të trashëguara nga të parët e tyre. Ky projekt ka për qëllim që edhe qytetarët të jenë më afër muzeut dhe muzeu të jetë më afër shkollave duke sjellë sendet e tyre të vjetra./KultPlus.com

Agim Ramadani: Unë po e shoh lirinë, tash edhe me vdekë s’më mbetet peng asgjë


Sot janë bërë 25 vjet nga rënia e luftëtarit dhe heroit Agim Ramadani, i cili gjatë luftës u dëshmua si strateg i lartë dhe udhëheqës i dashur për ushtarët.

KultPlus sot ju sjell një pjesë të bisedës mes heroit Agim Ramadani drejtuar bashkëshortes së tij Shukrije Ramadanit, vetëm pak ditë para rënies së tij, më 24 mars 1999.

“Unë po e shoh lirinë dhe po ta uroj që tani! Tash edhe me vdekë, s’më mbetet peng asgjë, ngaqë po e ndjej zërin e lirisë. Më dhimbsesh që s’je këtu ta shohësh qiellin e përflakur dhe të kuptosh sa ngjyra të bukura ka liria”, i kishte thënë Agim Ramadani gruas. / KultPlus.com

Vdes ish-futbollisti dhe aktori i njohur amerikan, OJ Simpson

OJ Simpson, ish-lojtari i futbollit amerikan dhe aktori i njohur, i cili u akuzua dhe u lirua përfundimisht nga akuzat për vrasjet brutale të ish-gruas së tij dhe shoqes së saj në vitin 1994, ka ndërruar jetë sot në moshën 76-vjeçare sipas familjes së tij.

“Më 10 prill, babai ynë, Orenthal James Simpson, iu nënshtrua betejës së tij me kancerin. Ai ishte i rrethuar nga fëmijët dhe nipërit e tij. Gjatë kësaj periudhe tranzicioni, familja e tij kërkon që ju lutemi të respektoni dëshirat e tyre për privatësi dhe hirin,” thuhet në deklaratën e familjes së tij.

Në maj të vitit 2023, Simpson postoi një video në X, duke zbuluar se ai kohët e fundit ishte “prekur nga kanceri” dhe “duhej të bënte kimioterapi”./KultPlus.com

Koliqi, Asdreni, Fishta dhe Lasgushi në një fotografi të rrallë

Kjo është një fotografi e rrallë në të cilën shihen disa nga emrat e mëdhenj të letërsisë shqipe në një fotografi të përbashkët, shkruan KultPlus.

Marie Lasgush Pogradeci, pati publikuar një fotografi të realizuar në shkurt të vitit 1938 gjatë festimeve në Shkodër, në Kinemanë Rozafa.

Në këtë fotografi mund të shihni të ulur Ernest Koliqin, tutje Asdrenin, Gjergj Fishtën dhe Lasgush Poradecin. / KultPlus.com

11 prilli, Dita Kombëtare e Kafshëve Shtëpiake

Dita kombëtare e kafshëve shtëpiake festohet çdo vit më 11 prill. Kjo ditë i kushtohet kafshëve shtëpiake që ne i quajmë miqtë tanë prej gëzofi. Ata janë anëtarë të veçantë të familjeve tona dhe na ofrojnë kaq shumë dashuri dhe mbështetje, sipas “The Quint”.

Kjo ditë, e njohur si Dita Kombëtare e Kafshëve shtëpiake, ka një rëndësi të madhe për të njohur dashurinë dhe mbështetjen e pafundme që kafshët tona të dashura ofrojnë si anëtarë të familjeve tona.

Sot, Dita Kombëtare e Kafshëve Kafshe ka fituar njohje globale, duke bashkuar adhuruesit e kafshëve në mbarë botën në përpjekjet e tyre për të promovuar adoptimin dhe për të rritur ndërgjegjësimin për kujdesin e përgjegjshëm të kafshëve shtëpiake.

Historia e Ditës Kombëtare të Kafshëve shtëpiake daton që nga viti 2006, kur Colleen Paige themeloi Ditën Kombëtare të Kafshëve.

Ajo ishte një avokate e mirëqenies së kafshëve që ia kishte kushtuar punën e saj përmirësimit të jetës së kafshëve shtëpiake përmes shpëtimit dhe birësimit.

Paige fillimisht u nis për të festuar gëzimin që mund të na sjellin kafshët shtëpiake, por ajo gjithashtu donte të rriste ndërgjegjësimin për çështjen e kafshëve shtëpiake që jetojnë në strehimore dhe nevojën për birësim.

Sot, Dita Kombëtare e Kafshëve shtëpiake festohet nga adhuruesit e kafshëve në të gjithë botën. Kjo ditë shërben për të treguar vlerësimin për kafshët shtëpiake dhe për të rritur ndërgjegjësimin për rëndësinë e birësimit dhe kujdesit të kafshëve. /KultPlus.com


“Sekretet” e The Beatles pritet të zbulohen përmes librit më të ri

Një libër i ri që do të botohet për The Beatles ka zbuluar një takim mes John Lennon dhe Mick Jagger që e bëri këtë të fundit të ndihej “jo rehat”.

Libri i Steven Gaines dhe Peter Brown, ‘All You Need Is Love’ për grupin legjendar, do të publikohet më 11 prill.

Intervistat e autorëve me anëtarët e grupit, miqtë dhe familjen e tyre, gjatë përgatitjes së librit të tyre të diskutueshëm “The Love You Make” (1983) janë përfshirë në “All You Need Is Love”.

Kur u publikua “The Love You Make”, Beatles nuk ishin të kënaqur me përmbajtjen e tij dhe siç pretendon Stephen Gaines në The Times “Paul dhe Linda McCartney e grisën librin dhe e dogjën në oxhak, faqe për faqe”.

Tani, Gaines dhe Brown do të publikojnë “All You Need Is Love”, frymëzuar nga dokumentari i regjisorit Peter Jackson “Get Back”. Libri do të zbulojë edhe më shumë fakte të panjohura rreth grupit, duke përfshirë një takim mes Lennon dhe Jagger që e bëri këtë të fundit të ndihej “jo rehat”.

Sipas Brown, takimi i vështirë ndodhi kur Allen Klein mori postin e kontabilistit të Beatles në 1969 dhe pushoi nga puna partnerët e tyre në atë kohë. Edhe pse Paul McCartney dukej se nuk e pëlqente Klein, Gaines pohon në libër se “intervistat tregojnë se Allen Klein i ofroi Yoko Ono një milion dollarë për projektin e saj filmik“.

Brown i kërkoi Jagger të merrte pjesë në një takim me Beatles për të “shpjeguar se kush ishte Allen Cline”. Klein kishte punuar më parë me Rolling Stones në vitin 1965, por mosbesimi i Jagger ndaj tij çoi në zëvendësimin e tij përfundimtar në vitin 1970, gjë që çoi në vite të tëra konfliktesh mes të dyve.

Megjithatë, Brown tha se Lennon, “në mënyrën e tij të mrekullueshme, kishte ardhur Klein në të njëjtin takim, gjë që ishte thellësisht e turpshme” dhe “e bëri Mick-un shumë të parehatshëm”.

Intervistat janë unike dhe të sinqerta. Informacioni, historitë dhe përvojat dhe autoriteti i njerëzve të lidhur me to, kanë vlerë historike. Përveç intervistave me Paul, Yoko, Ringo dhe George, Brown dhe Gaines kanë përfshirë edhe intervista me ish-bashkëshortet e Beatles, si dhe figurat më të rëndësishme shoqërore dhe të biznesit në rrethin e tyre të ngushtë./KultPlus.com

Ndarja

Poezi e shkruar nga Dritëro Agolli.

Trupi m’u nda nga shpirti pak e nga pak.
Tani të dy jetojmë me vete me ditë e me net,
Trupi djersitet, ecën në rrugë, ha në tryezë e prehet në shtrat,
Shpirti me ëndrrat, mendimet e dhimbjet flet…

Asgjë s’kuptoj qysh ndodhi me mua, qysh!
Kjo ndarja ime e trishtuar më tremb.
Kjo ndarja ime në dysh
Në palcë më dhemb./KultPlus.com

Filmat pjesëmarrës në Festivalin e Kanës

Festivali i Filmit në Kanë zbuloi filmat e tij për edicionin e 77-të, që do të mbahet nga 14-25 maj, gjatë një konference për shtyp të prezantuar nga drejtori artistik Thierry Frémaux dhe presidentja e festivalit, Iris Knobloch, sipas forbes.com.

Filmat në konkurs 

Megalopolis – Francis Ford Coppola

Oh Canada – Paul Schrader

All We Imagine as Light – Payal Kapadia

Anora – Sean Baker

Bird – Andrea Arnold

L’Amour Ouf – Gilles Lellouche

Caught by Tides – Jia Zhang-Ke

Motel Destino – Karim Ainouz

Emilia Perez – Jacques Audiard

Grand Tour – Miguel Gomes

The Apprentice – Ali Abbasi

Kind of Kindness – Yorgos Lanthimos

Limonov The Balada of Eddie – Kirill Serebrennikov

Marcello Mio – Christophe Honore

Diamant Brut – Agathe Riedinger

Parthenopa – Paolo Sorrentino

The Girl with Needdle – Magnus von Horn

The Shrouds – David Cronenberg

The Substance – Coralie Fargeat

Seksioni i përzgjedhjes zyrtare 

Armand – Halfdan Ullman Tondel

Vingt Dieux! – Louise Courvoisier

L’Histoire de Souleymane – Boris Lojkine

Le Royaume – Julien Colonna

My Sunshine – Hiroshi Okuyama

September Says – Ariane Labed

Norah – Tawfik Alzaidi

On Becoming a Guinea Fowl – Rungano Nyoni

Santosh – Sandhya Suri

Black Dog – Guan Hu

The Damned – Roberto Minervini

The Shameless – Konstantin Bojanov

Viet and Nam – Truong Minh Quy

The Village Next to Paradise – Mo Harawe

Le Proces du Chien – Laetitia Dosch

Jashtë konkurrimit

Furiosa: A Mad Max Saga – George miller

Horizon, an American Saga – Kevin Costner

She’s got no name – Chan Peter Ho-Sun

Rumours – Evan Johnson, Galen Johnson, Guy Maddin

Shfaqjet e mesnatës

Les Femmes au Balcon – Noemie Merlant
I, the Executioner –  Seung Wan Ryoo
Twilight of the Warrior Walled In – Soi Cheang
The Surfer – Lorcan Finnegan

Premierat

C’est Pas Moi – Leos Carax

Everybody Loves Touda – Nabil Ayouch

En Fanfare – Emmanuel Courcol
Misericorde – Alain Guiraudie
Le Roman de Jim – Arnaud Larrieu and Jean-Marie Larrieu
Rendez-Vous Avec Pol Pot – Rithy Panh

Shfaqje të veçanta

Apprendre – Claire Simon
Le Fil – Daniel Auteuil
Ernest Cole, Lost and Found – Raoul Peck
La Belle de Gaza – Yolande Zauberman
L’Invasion – Sergei Loznitsa./KultPlus.com

Kosovës

Poezi nga Asdreni

Kosovë, o vend’ i famshëm i trimnis,
Kosovë, o lule e bukur e Shqipnis!
Ti bjeshkat plot vjollca rreth i ke,
…Si vashë e virgjen: nuse sikur je;
Dhe malet me bor
Mi krye i ke kunor!

Kosovë, o atdhe i lavduem i burrnis
Ti ke pas kjen mbretnesha e Rumelis!
Nalt mbaje kryet t’and si gjithmon
Difto-u e zonja; koha sot e don
Ti t’çohesh përseri
N’luftë t’mbarë për liri!

Se teje të madhe shpresë ushqen Shqipnija
Me burra ti q’i len, t’gjatë si selvija,
Sakola mali, shoq në bot’ që s’ kanë
Si luaj e si dragoj plot forcë që janë,
Që e derdhin gjakun prrue
Atdheun për m’e shpëtue!

Ke bij që s’kanë drojë asnjë pikë
As syni far’ u tutet, s’dinë as frikë
Anmikut kur i sulen me rrebtsi
Si breshni mi te hidhen me duhi.

Gra e vasha ke, si zana sy-mëdha
Trimnesha qi Shqipnija din m’i ba
Qi rrokin armët në luftë me gas tuj shkue
Ja se me mund, ja se me dekun tuj luftue!
Për nder të shtëpis s’vet;
E falin shpirt e jet!

Kosovë, o trimneshë, lule e rrallë
Detyrën tin’ e ke me dal sot n’ballë
Se mbrrini koha, tokën për m’e mprue
Anmiqt e motçëm jashtë me i dëbue
Se mjaft e kanë robnue
Dhe n’ zjarm e kanë prue!

A mund m’e durue pa pra kët zgjedhë
Që të huejt para syve të t’venë ledhe
Për me t’rrzue nër kamb’ e për me t’shkel
Për me t’ba gjithë copë, mirë si ju del
Dhe duersh mos të lëshojn’
Prej faqes s’dheut të t’shojn!

Disa “Serbi e vjetër” duen me i thanë
“Maqedhoni” do t’ jerë emnin ja lanë!
Atyne si u pëlqen kufijt i venë
Shqipnija veç mbas dojes s’tyne me kjenë;
Mendojnë pa turp kurrfarë
Se s’ka nji komb Shqiptarë!

Përpara burra, rrokni hut’ e shpatë
Prej zis pështonëje Kosovën e ngratë
At’ nanën t’uej t’lidhun kamb’ e dur
Q’ anmiqt e kan vorrue me dhe e me gur,
Me lott qi qan e ankon
E asnji nuk i ndihmon!

Shqyptarë mos kujtoni bes’ e fe
Po nanën ju kujtoni qi u ka le
Qi ka mbet fill e vetum si gru e ve
Prej bijet e harrume mi ket dhe!
Se ansht turp i math për ju
Të huejt me i u çnderu!

Sot ora mbrrini, dita e bekueme
Shqipnin m’e ba në bot’ një vent t’lirueme!
Kosovës emnin me ja ngref te qilli
Për çud të botës sa ka me shkëlzy dilli
Me rrnue një Shqypni
Si zonjë në lumni.

Shqyptarë, çoni-u, vllazën ora mbrrini
Si Geg’ e Toskë nalt flamurin e ngrini!
Një Manastir, Shkup, Shkodër e Janinë
Një trup bani-e an’ e mb’anë Shqypninë
Si ç’trimit mirë i prek
Me nder n’luftë me dek! / KultPlus.com

Ilir Ikonomi fiton çmimin ”Lumo Skëndo”, vlerësohet për librin ”Fan Noli-Apostulli”

 Çmimi ”Lumo Skëndo” këtë vit është fituar nga gazetari dhe studiuesi i mirënjohur Ilir Ikonomi, për librin ”Fan Noli-Apostulli”.

Me një punë kërkimore 10-vjeçare, Ikonomi sjell biografinë e një prej figurave më të shquara të shek. XX, të ndarë në tre vëllime.

Gjatë marrjes së çmimit, autori ndau disa detaje nga vëllimi i dytë, të cilin pritet ta sjellë këtë vit për lexuesit.

”Mid’hat Frashëri dhe Fan Noli nuk qëndruan bashkë më shumë se një javë në Gjenevë, por ishin aty në çastin e duhur. Ishin ndoshta të vetmit shqiptarë që kishin realisht aftësinë të mbronin kufijtë e Shqipërisë. Ja pse ky çmim që mora sot më solli në mendje disa gjëra nga historia. Ishte mjaft kuptimplotë për mua”, u shpreh ai.

Çmimi ”Lumo Skëndo” për vitin 2023 iu akordua Ikonomit me motivacionin: “Për trajtesën me objektivitet dhe profesionalizëm të jetës dhe veprës së personalitetit të shquar të kombit, Fan S. Noli.”/ata/KultPlus.com

Së shpejti një film për jetën e aktores legjendare Greta Garbo

Një film për jetën e yllit legjendar të filmit Greta Garbo, e cila vdiq në vitin 1990, është në punime nga British Embankment Films.

Nëpërmjet pamjeve të rralla arkivore, të paparë kurrë më parë, filmi dokumentar “Garbo: Leave Me Alone” do të nxjerrë në dritë foto dhe letra të panjohura që një prej yjeve më të mëdhenj të të gjitha kohërave ka dashur të shkruante dhe do të shpjegojë fenomenin Garbo që pushtoi pamjet filmike.

Në moshën 35-vjeçare, me 28 filma nën brezin e saj, katër nominime për çmimin Oscar dhe një çmim të Rrethit të Kritikëve të Filmit të Nju Jorkut për aktoren më të mirë për interpretimin e saj të jashtëzakonshëm në “Anna Karenina”, ylli papritmas u tërhoq, për të mos aktruar më.

Deri në fund të jetës së saj, gjysmë shekulli më vonë, ajo refuzoi me këmbëngulje çdo mundësi për t’u rikthyer në ekran, nuk dha intervista, iu shmang publicitetit edhe kur iu dha një çmim ‘Akademi Nderi’ në moshën 50-vjeçare, për “shkëlqimin e saj në shfaqje të paharrueshme në ekran”.Me regji të Lorna Tucker, Embankment Films punoi ngushtë si me Institutin Suedez të Filmit ashtu edhe me ekzekutuesin e pasurisë së aktores, Scott Reisfeld. Produksioni ambicioz është një bashkëpunim mes Non Stop Entertainment dhe Mylla Films.Sipas Deadline, xhirimet janë duke u zhvilluar dhe filmi pritet në kinematë e Mbretërisë së Bashkuar më vonë këtë vit, përpara se të shfaqet në Sky Arts në 2025./KultPlus.com

“Meta” përditësime të reja për të luftuar abuzimet me fotot intime

Kompania mëmë e Facebook-ut, “Meta”, ka zbuluar një sërë veçorish të reja sigurie të krijuara për të mbrojtur përdoruesit, kryesisht të rinjtë, nga shantazhet dhe abuzimet që lidhen me publikimin e fotove intime.

Gjigandi i mediave sociale – i cili zotëron Facebook, Instagram dhe WhatsApp – ka konfirmuar se do të fillojë testimin e një filtri ‘lakuriqësie’ në Mesazhet Direkte (DM) në Instagram.

I quajtur “Mbrojtja nga lakuriqësia”, kjo veçori do të jetë e aktivizuar si parazgjedhje për personat nën 18 vjeç dhe do të bëjë ‘të turbullta’ automatikisht imazhet e dërguara përdoruesve të cilat zbulohen se përmbajnë lakuriqësi, duke i mbrojtur më mirë përdoruesit nga shikimi i padëshiruar i fotove nudo në DM-të e tyre.

Kur marrin imazhe nudo, përdoruesit do të shohin gjithashtu një mesazh që u kërkon të mos ndihen në presion për t’u përgjigjur dhe një opsion për të bllokuar dërguesin dhe për të raportuar bisedën.

Me filtrin të aktivizuar, njerëzit që dërgojnë imazhe që përmbajnë foto nudo do të shohin gjithashtu një mesazh që u kujton atyre të jenë të kujdesshëm kur dërgojnë përmbajtje delikate duke iu dhënë mundësia t’i anulojnë ato./atsh / KultPlus.com

Takimi i pamundur me babanë  e  zhdukur, delegacioni i BE-së publikon historinë e Jovan Plakut

Ndërsa Bashkimi Evropian që nga viti 2017 po e mbështet Shqipërinë për gjetjen e personave të zhdukur gjatë regjimit komunist, sjell edhe histori ndërgjegjësuese të shqiptarëve që kanë vuajtur pasojat e këtyre ngjarjeve.

Kështu, BE ndau sot në rrjetet sociale historinë e Jovan Plakut i cili e pa imazhin e babait të tij për herë të parë në një fotografi të fshehur në një gardërobë të kyçur. Ishte 6 vjeç, nuk e kishte takuar kurrë dhe në shtëpi nuk ia përmendnin emrin.

Jovani është djali i Koço Plakut, inxhinier i ekzekutuar nga regjimi komunist në Shqipëri në vitin 1976, pas një procesi gjyqësor të njohur si “Grupi i naftës”, ku dy inxhinierë u dënuan me vdekje dhe gjashtë të tjerë me burgim.

I akuzuar për “sabotim në sektorin e naftës” dhe “agjitacion e propagandë”, trupi i Koço Plakut nuk iu dha kurrë familjes së tij pas ekzekutimit. Ai dhe bashkëshortja u divorcuan pas arrestimit të tij, për të shmangur dënimin dhe internimin e gruas dhe djalit të tyre. Për shkak të divorcit, Jovani dhe nëna e tij nuk u informuan kurrë zyrtarisht për fatin e Koço Plakut.

Deri në rënien e regjimit komunist, Jovani dhe e ëma kishin ende një shpresë të zbehtë se Koço Plaku ishte gjallë në ndonjë burg diku. Pastaj miqtë e babait të tij u liruan nga burgjet dhe nuk pati më vend për dyshim. Ai ndjeu se kishte një detyrë tjetër: gjetjen e eshtrave të të atit për t’i bërë një varrim të denjë.

Koço Plaku është një ndër gati 6.000 personat e zhdukur gjatë regjimit komunist në Shqipëri. Nuk dihet numri i saktë, por organizatat vlerësojnë se janë rreth 6 mijë shtetas shqiptarë që janë ekzekutuar, kanë vdekur në burgje apo kampe pune,eshtrat e të cilëve nuk u janë dhënë kurrë familjeve të tyre dhe as nuk janë gjetur pas rënies së regjimit. Ata u varrosën në vende të panjohura, ndonjëherë në varre masive pa shenja që do të identifikonin praninë e një varri.

Deri në vitin 2018, shumë familje kanë kërkuar privatisht eshtrat e të afërmve, madje disa kanë arritur t’i gjejnë. Mirëpo, mijëra të tjerë si Jovan Plaku nuk i kanë gjetur, me gjithë përpjekjet dhe kërkimet e tij 30-vjeçare në vende të ndryshme.

Mbështetja e BE lidhet me fuqizimin e kapaciteteve teknike të Autoritetit të Dosjeve, prerogativat ndërgjegjësuese, si dhe duke rritur rolin e saj koordinues. Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP) ka zbatuar dy projekte për një total prej rreth 1 milion euro kontribute të BE-së. Në shkurt 2024, nisi një projekt i ri “Mbështetja e drejtësisë tranzitore dhe ballafaqimi me të kaluarën në Shqipëri” me ICMP-në, që synon të rrisë angazhimin e institucioneve të shtetit shqiptar për zgjidhjen e çështjes së personave të zhdukur si trashëgimi e së kaluarës dhe rritjen e kohezionit social në Shqipëri./ atsh / KultPlus.com

Aktori i njohur kosovar pjesë e serialit të njohur amerikan

Aktori i njohur kosovar, Kushtrim Hoxha, përmes një njoftimi ka bërë të ditur se do të jetë pjesë e serialit të njohur amerikan “Law&Order”.

Ai ka treguar se do të luajë rolin e Pavlo Golub, në episodën “Family ties”, apo “Lidhjet familjare”, në episodin që do të shfaqet sonte.

Ky serial ka filluar transmetimin në vitin 1990 dhe deri më tani ka 23 sezone, me rreth 500 episode.

Seriali ka fituar 49 çmime nga 205 nominime sa ka pasur në total./KultPlus.com

11 prilli, Dita Kombëtare e Kafshëve Shtëpiake


Dita kombëtare e kafshëve shtëpiake festohet çdo vit më 11 prill. Kjo ditë i kushtohet kafshëve shtëpiake që ne i quajmë miqtë tanë prej gëzofi. Ata janë anëtarë të veçantë të familjeve tona dhe na ofrojnë kaq shumë dashuri dhe mbështetje, sipas “The Quint”.

Kjo ditë, e njohur si Dita Kombëtare e Kafshëve shtëpiake, ka një rëndësi të madhe për të njohur dashurinë dhe mbështetjen e pafundme që kafshët tona të dashura ofrojnë si anëtarë të familjeve tona.

Sot, Dita Kombëtare e Kafshëve Kafshe ka fituar njohje globale, duke bashkuar adhuruesit e kafshëve në mbarë botën në përpjekjet e tyre për të promovuar adoptimin dhe për të rritur ndërgjegjësimin për kujdesin e përgjegjshëm të kafshëve shtëpiake.

Historia e Ditës Kombëtare të Kafshëve shtëpiake daton që nga viti 2006, kur Colleen Paige themeloi Ditën Kombëtare të Kafshëve.

Ajo ishte një avokate e mirëqenies së kafshëve që ia kishte kushtuar punën e saj përmirësimit të jetës së kafshëve shtëpiake përmes shpëtimit dhe birësimit.

Paige fillimisht u nis për të festuar gëzimin që mund të na sjellin kafshët shtëpiake, por ajo gjithashtu donte të rriste ndërgjegjësimin për çështjen e kafshëve shtëpiake që jetojnë në strehimore dhe nevojën për birësim.

Sot, Dita Kombëtare e Kafshëve shtëpiake festohet nga adhuruesit e kafshëve në të gjithë botën. Kjo ditë shërben për të treguar vlerësimin për kafshët shtëpiake dhe për të rritur ndërgjegjësimin për rëndësinë e birësimit dhe kujdesit të kafshëve. /atsh / KultPlus.com