Shteti i Kosovës e arritura më e madhe e shqiptarizimit në këtë shekull

Rrugëtimi historik i shtetit më të ri në Kontinentin e vjetër, kaloi nëpër fazat e shkëputjes (çlirimit) nga Serbia, të krijimit të shtetit paralel dhe të protektoratit ndërkombëtar. Ekzistenca e tij sot është kthyer në një formulë politike, që mban stabilitetin në rajon, ndërsa çështjes shqiptare, në kuadër të sferave perëndimore të interesit, ia jep dimensionin e faktorit të pakapërcyeshëm gjeostrategjik.

Nga Jusuf Buxhovi

Rrugëtimi historik i shtetit të Kosovës, i shpallur më 17 shkurt 2008 dhe i konfirmuar në vitin 2010 nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e Hagës në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, si proces i pandalshëm, kaloi nëpër disa faza. Fillimisht me atë të shkëputjes nga ripushtimi serb, që Kosovës iu bë me rrënimin e dhunshëm të autonomisë nga ana e Beogradit, më 23 mars 1989. Pastaj, me Referendumin për Pavarësi të shtatorit 1991, që për pasojë pati krijimin e shtetit paralel, që për tetë vite udhëheqi rezistencën insitutcionale deri te ajo e armatosur si dhe kohën e protektoratit ndërkombëtar, të vendos në përputhje me rezolutën 1244 të KS të OKB-së më 10 qershor 1990.

Nuk duhet harruar se këtyre fazave u parapriu shfaqja e kërkesës për Republikën e Kosovës, në demonstratat e nëntorit të vitit 1968, e ngritur nga elita intelektuale dhe politike e kohës, e cila rrëzimin e Rankoviqit dhe ndryshimet që solli klima e re politike, e pa si një mundësi të madhe për avancimin e pozitës kushtetuese të Kosovës në drejtim të subjektit federativ, me çka lirohej nga tutela e Serbisë.

Kjo kërkesë dhe zhvillimet tjera nëpër të cilat po kalonte federata jugosllave drejt federalizmit, bëri që me amendamentet kushtetuese të atij viti si dhe ndryshimet kushtetuese të vitit 1974, Kosova si krahinë, të fitojë statusin e njësisë federative, por jo edhe të republikës, ngaqë Tito nuk ishte i gatshëm për një konfrontim të mëtutjeshëm me Serbinë. Kërkesa për Republikën e Kosovës u rikthyer fuqishëm në vitin 1981, meqë Jugosllavia pas vdekjes së Titos në maj të vitit 1980, po hynte në një fazë të ndryshimeve, që paralajmëronin kthimin e saj nën mbikëqyrjen e Serbisë, që mund të fillonte pikërisht me rrënimin e pozitës së Kosovës në federatë.

Këto faza gjithsesi ngërthejnë ngjarjet dhe vendimet e rëndësishme, që mundësuan njëra-tjetrën, në përputhje me zhvillimet që rrumbullakuan këtë proces historik, ku shpërbërja e federatës jugosllave e pranuar në konferencën e Hagës të gushtit 1991, ishte si pikënisje e saj, paçka se e gjitha kaloi nëpër një luftë dhe gjakderdhje me shumë tragjedi, e imponuar nga hegjemonizmi serb nën udhëheqjen politike të Millosheviqit.

Kështu, faza e shkëputjes nga Serbia, që nga aspekti formal-juridik mund të përcaktohet “çlirim nga ripushtimi serb” në rrugë demokratike, paraqet themelet e këtij zhvillimi. Deklarata e Pavarësisë e 2 korrikut 1990, ishte guri i parë i saj, meqë Kosovën e shpalli njësi të pavarur në kuadër të federatës jugosllave. Me këtë akt legjitim të delegatëve të Kuvendit të Kosovës iu dha përgjigjja e duhur dhe e drejtë ripushtimit serb, që ndodhi me rastin e rrënimit me dhunë të autonomisë më 23 mars 1989.

Ky vendim, gjithsesi duhej të përcillej edhe me aktin tjetër, po ashtu, të një rëndësie historike – shpalljen e Kosovës Republikë. Kjo u bë më 7 shtator 1990 në Kaçanik nga delegatët e Kuvendit të Kosovës. Kuvendi miratoi aktin më të lartë të saj – Kushtetutën e Republikës së Kosovës, që u quajt edhe Kushtetuta e Kaçanikut. Me këtë akt, Kosova u shpall njësi e pavarur e federatës jugosllave në përputhje me të drejtën e vetëvendosjes, me çka i mundësohej statusi i pavarur dhe i barabartë në federatë deri të e drejta për shkëputje, siç e kishin edhe njësitë tjera federative.

Procesi demokratik i shtetësisë së Kosovës i filluar me këto dy akte, kërkonte edhe referendumin për pavarësi, me çka përmbyllej legjitimiteti i tij. Kjo ndodhi me 24 shtator 1991, me ç’rast, qytetarët e Kosovës (kryesisht shqiptarët, po edhe pakicat tjera: turqit, romët dhe boshnjakët) i dhanë përkrahje plebishitare (me 99,3%) shpalljes së pavarësisë.

Referendumi për Pavarësi krijoi rrethanat demokratike dhe juridike për ndërtimin institucional të shtetit të Kosovës në përputhje me aktet themelore – Kushtetutën e Republikës së Kosovës, të shpallur në Kuvendin e Kosovës në Kaçanik. Kushtetuta e Kaçanikut e shpallte Kosovën republikë parlamentare – shtet të shqiptarëve dhe të tjerëve që jetojnë në të, me gjuhën shqipe – gjuhë zyrtare. Kushtetua e Kaçanikut përcaktoi edhe hierarkinë institucionale të shtetit nga presidenti, qeveria dhe institucionet tjera të pavarura.

Meqë Kosova ishte e okupuar nga forcat ushtarake dhe policore serbe, ndërkohë që pavarësia e shpallur me aktet kushtetuese me mjete demokratike, nuk njiheshin ndërkombëtarisht, konstituimi institucional i shtetit të Kosovës duhej t’u nënshtrohej rrethanave, me ç’rast shteti paralel shfaqej si forma më e përshtatshme e rezistencës institucionale, me të cilën demonstrohej kultura shtetformuese, si një deponim i paparë në praktikën ndërkombëtare, në shërbim të ndërkombëtarizimit të saj.

Në kontekstin historik, i ashtuquajturi “shtete paralel”, që me pa të drejtë ose qëllimisht, që t’i mohoheshin atributet e shtetësisë , u quajt edhe “lëvizje paqësore”, “gandizëm” e të ngjashme, strumbullar kishte Qeverinë e Republikë së Kosovës. Ajo u themelua në fund të vitit 1991. Një pjesë e së saj do të vendoset në Shqipëri. Ndërsa disa ministri (dy në Zvicër) dhe të tjerat në Gjermani, që edhe pa njohje zyrtare, puna e saj u tolerua nga shteti gjerman. Në këso rrethanash, veprimtaria e gjithëmbarshme e Qeverisë së Kosovës në ekzil, bosht të “shtetit paralel” kishte fondit e trepërqindëshit, bazë materiale kjo prej nga, me improvizime dhe pa to, u drejtua jeta ekonomike, arsimore, kulturore si dhe veprimtaria shëndetësore deri në qershor të vitit 1999.

Ndonëse me vështirësi dhe probleme të shumta që mund ta përcjellin një punë të tillë, ngaqë në njërën anë, ajo zhvillohej në rrethanat e pushtimit policor dhe ushtarak serb si dhe të terrorit shtetëror që ushtrohej ndaj çfarëdo forme të organizimit institucional, ndërsa në tjetrën anë i mungonte njohja ndërkombëtare (edhe pse heshtas nga shumë anë i pranohej de fakto roli i një lëvizjeje paqësore-autentike, që luftonte pushtimin serb në një formë tepër të veçantë, të paparë deri më atëherë), megjithatë, Qeveria e Republikës së Kosovës, formalisht kishte vu nën mbikëqyrje sektorët kryesor të jetës, duke përfshirë edhe mbrojtjen dhe sigurinë. Kështu, në fillim të vitit 1992 formoi Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ministrinë e Rendit, pra atë të policisë. Në të parën u përfshinë forcat ushtarake nga radhët e Mbrojtjes Territoriale të Kosovës (ushtarakë dhe oficerë të lartë që kishin shërbyer në Armatën Jugosllave). Ndërsa në të dytën, do të përfshihen forcat policore dhe ato të organeve të sigurisë, nga radhët e policisë së Kosovës dhe atyre të sigurisë, të cilat, pas rrënimit të autonomisë së Kosovës, nëpërmes organizimit sindikal, kishin kaluar në radhët e institucioneve të Qeverisë së Kosovës. Këto dy ministri, do t’i nënshtrohen represionit të vazhdueshëm shtetëror serb, gjë që nga fundi i vitit 1993, pjesa më e madhe e pjesëtarëve të tyre (policë, ushtarakë dhe specialistë të tjerë të sigurisë) do të burgosen. Kjo ndikoi që Qeveria e Kosovës të pushojë përkohësisht veprimtarinë ushtarake dhe policore në Kosovës, duke u orientuar te organizimi i tyre “i përkohshëm” jashtë, me arsyetimin që kur të krijohen rrethanat, pra çastin që rezistenca institucionale të dinamizohet me rezistencën e armatosur si pjesë e strategjisë që politika të vazhdohet edhe me mjetet e luftës, të veprojnë edhe në Kosovë. Kjo, megjithatë, nuk pengoi, që nën sloganin e “mbrojtjes së shtëpisë”, të ruhet fryma e kundërvënies me anën e grupeve të shkapërderdhura, si guerilë vendore në Dukagjin, Drenicë, Llap dhe gjetiu, të cilat vepruan nga viti 1991 e këndej, prej nga, në vitin 1997 u shfaq Ushtria Çlirimtare e Kosovës, si një faktor i cili në planin politik ndikoi që lufta e deriatëhershme diplomatike (veçmas pas Dejtonit) të zëvendësohet me diplomacinë e luftës (pas marrëveshjeve të Rambujesë). Ndërsa në planin gjeostrategjik – Kosovën dhe krizën e saj, që deri më atëherë konsiderohej “çështje e brendshme e Beogradit” – ta kthejë në agjendën e faktorit ndërkombëtar të vendosjes çoftë si çështje humanitare, meqë Millosheviqi, pasi kishte refuzuar marrëveshjen e Rambujesë, kishte filluar ofensivën ushtarake për t’iu dhënë një zgjidhje me anën e luftës, ku planifikohej edhe një gjenocid i përmasave të mëdha. Kjo legjitimoi edhe ultima ration ndërkombëtare, e pasqyruar me ndërhyrjen ushtarake të NATO-s nga ajri ndaj forcave policore dhe ushtarake jugosllave në Kosovë dhe caqet tjera ushtarake në Serbi, nga 23 marsi deri më 10 qershor 1999, që solli çlirimin e Kosovës nga pushtimi serb dhe për pasojë pati vendosjen e saj nën administrimin ndërkombëtar të përcaktuar me rezolutën e KS të OKB-së 1244 të 10 qershorit 1999.

Pra, rezistenca e armatosur, nën emblemën e UÇK-së, përkundër ndasive të brendshme, përçarjeve dhe problemeve të shumta midis rrymave institucionale dhe jashtë institucionale, që atë e lanë pa një qendër drejtuese, paraqet rezistencën e parë të armatosur të shqiptarëve kundër soldateskës jugosllave në formën e një kryengritjeje popullore, me çka iu hapën rrugët ndërhyrjes së armatosur të NATO-s. Shfaqja e UÇK-së, shënoi kthesën historike, që i dha epilogun e duhur politik lëvizjes shtetformuese.

Vendosja e Kosovës nën administrimin ndërkombëtar nga 12 qershori 1999 deri më 17 shkurt 2008, me ç’rast përgjegjësinë për krijimin e institucioneve demokratike të vendosura mbi katër shtyllat e sistemit juridik-parlamentar e mori përsipër UNMIK-u, ndërsa sigurinë NATO-ja, krijuan rrethanat për shtetësinë e Kosovës. Shpallja e saj më 17 shkurt 2008 nga Parlamenti i Kosovës, në të vërtetë, është një konfirmim ndërkombëtar i vendimeve që ishin marrë në verën e vitit 1990 (me Deklaratën e 2 korrikut dhe Kuvendin e Kaçanikut më 7 shtator) dhe vjeshtën e vitit 1991(me mbajtjen e Referendumit për Pavarësi).

Shpallja e shtetit të pavarur të Kosovës më 17 shkurt 2008, megjithatë la të hapur procesin e përmbylljes dhe të konsolidimit të tij në planin e brendshëm dhe, veçmas atë të jashtëm, përderisa Kosova të njihet ndërkombëtarisht nga Organizata Botërore, me çka ajo fiton edhe vendin e vet në të gjitha mekanizmat dhe organizatat botërore për të qenë e barabartë me të tjerët. Ndonëse Kosova, si shtet është njohur nga mbi njëqind vende (nga SHBA-ja dhe vendet kryesore të NATO-s dhe ato kryesore të BE-së), megjithatë ajo ka mbetur jashtë strukturave Veriatlantike dhe të BE-së. Ngecjen këtu duhet kërkuar më shumë te shkaktarët e brendshëm, te faktori politik shqiptar dhe prirja që interesat e pushtetit të vihen mbi ato të konsolidimit të shtetit. Korrupsioni, krimi i organizuar, kapja e institucioneve nga brenda me anën e nepotizmit dhe strukturave kriminale, e mbi të gjitha mungesa e shtetit ligjor, Kosovës i kanë dhënë atributet e “shtetit të dështuar nga brenda”!

Kjo gjendje ka bërë që Kosova të shikohet me mosbesim nga aleatët, që e kanë ndihmuar krijimin e tij në përputhje me interesat e tyre gjeostrategjike, (në radhë të parë SHBA-ja dhe vendet kryesore evropiane), ndërsa nga Serbia dhe Rusia, që e kanë kundërshtuar dhe vazhdojnë ta bëjnë këtë me të gjitha mjetet, të pengohet konsolidimi i tij duke e paraqitur atë “si vatër krize”, së cilës i duhet rikthimi te “pika zero”, pra te protektoratit ndërkombëtar të përcaktuara me rezolutën 1244 të OKB-së.

Në këto rrethana, shteti i Kosovës, për t’i bërë ballë sfidave të jshtme dhe të brendshme, ka nevojë për kosovocentrizmin, si një kauzë afatgjate në shërbim të konsolidimit shtet i pavarur, i lirë dhe demokratik. Kosovocentrizmi si i tillë, i shërben edhe kumbarëve të shtetit të Kosovës (SHBA-ve, NATO-s , Gjermanisë dhe vendeve kryesore evropiane). Siç i shërben edhe rajonit që ta mbrojë nga ndikimi serbo-rus për ta vu nën mbikëqyrje atë po qe se shqiptarët vetëdefaktorizohen. Por, kosovocentrizmi, mbi të gjitha i shërben edhe çështjes shqiptare në përgjithësi, meqë dy shtete shqiptare, demokratike dhe të lira, pengojnë rikthimin e koninkturave të vjetra, që u shkojnë për shtati interesave hegjemoniste serbe dhe greke.

Ndaj, është e domosdoshme, që Shqipëria, 17 shkurtin ta shpall festë zyrtare. Me këtë veprim, hiqet dorë nga formula ideologjike e shekullit të kaluar për bashkim kombëtar që ka përfunduar çastin që Konferenca e Londrës njohu shtetin e përgjysmuar shqiptarë ndërsa gjysmën tjetër të etnisë shqiptare e la nën pushtimin serbe, malazias dhe grek, por i hapet rruga një unioni të mundshëm të dy shteteve shqiptare në përputhje me vullnetin demokratik të të dy anëve dhe me pëlqimin e aleatëve perëndimorë.

Ky përcaktim gjithsesi ka rëndësi historike edhe për shqiptarët në Maqedoninë Veriore, meqë midis dy shteteve të fuqishme shqiptare, aleate të perëndimit, Maqedonia e Veriut do të jetë e detyruar që të plotësojë kërkesat e shqiptarëve për barazi kushtetuese, pra si popull shtetformues dhe assesi, si deri me tash, t’i trajtojë “si pjesë së etnisë së shkëpur”, pra si ardhacakë./ KultPlus.com

Dokumentari i “Bekim Fehmiut” nga Valmir Tertini do të shfaqet në New York

Filmi dokumentar për Bekim Fehmiun pas premierës në Tiranë e Prishtinë do të prezantohet edhe në New York, shkruan KultPlus.

Ky dokumentar i cili paraqet copëza dhe histori nga jeta e autorit të madh shqiptar, Bekim Fehmiut, është realizuar me skenar të Fahri Musliut dhe regji të Valmir Tertinit.

Dokumentari është xhiruar në gjashtë shtete: Kosovë, Shqipëri, Serbi, Kroaci, Bosnjë dhe Hercegovinë si dhe Itali.

Filmi në New York do të shfaqet në këtë të shtunë, në Producers Club prej orës 20:00. Organizatorët bëjnë të ditur se për shkak të numrit të limituar duhet të rezervojnë ulëset në numrat: 9143547474 ose 3479823975. /KultPlus.com

Karnavalet së bashku, pjesë e festimeve në Tuz të Malit të Zi edhe artistët dhe banda e qytetit të Shkodrës

Shkodra i është bashkuar festimeve në Komunën e Tuzit në Malin e Zi, në festën e Karnavaleve.

Banda e qytetit dhe artistët shkodranë janë bërë pjesë e karvanit në qendër të komunë.

Artistët shkodranë janë pritur nga Kryetari i Komunës Tuz, Liridon Gjelaj.

Në emër të bashkisë Shkodër, Nënkryetari Rudin Beka, vlerësoi këtë bashkëpunim mes dy qyteteve Tuzit dhe Shkodrës, ndërkohë që i ftoi ata në javën e ardhshme në festimet 3 ditore të karnavaleve në Shkodër.

Festa e karnavaleve në Komunën e Tuzit është kthyer në një traditë të përvitshme që ka nisur që nga viti 1996. Artistët kanë interpretuar në qendër të komunës duke tërhequr interesin e banorëve të zonës të cilët kanë marrë pjesë në këtë ngjarje festive. Në Shkodër, Karnavalet do të mbahen për 3 ditë me radhë ku përveç ekipit të Tuzit që do të marrë pjesë do të ketë shumë surpriza në datat 23-24-25 Shkurt./TopChannel/KultPlus.com

Ekspozita e Toni Milaqit në Galerinë e Artit në Tiranë

Në Galerinë e Artit Tiranë (GAT) është çelur ekspozita vetjake e artistit Toni Milaqi, “Introspection”. Kjo ekspozitë vjen si një rrugëtim në kohë e periudha të ndryshme të jetës së artistit, në faza të ndryshme të krijimtarisë së tij, peizazhe urbane dhe rurale, autoportrete, portrete të rrethit të tij familjar, kompozime, me subjekt politik dhe spiritual.

“Krijoj sepse besoj thellësisht tek e ardhmja dhe në mënyrën time i kundërvihem me trup e shpirt filozofisë së dhunës” – shprehet artisti.

Toni Milaqi studioi për pikturë në Liceun Artistik “Jordan Misja” dhe më pas në Akademinë e Arteve të Shqipërisë (sot Universiteti i Arteve), për pikturë monumentale. Me një karrierë 30-vjeçare, ai ka organizuar disa ekspozita vetjake nëpër botë, duke përfshirë “De la violence et d’autres demons” (2016) në Desmos Galerie, Paris; “The Sleep of Reason Produces Monsters” në Balkan Art Gallery, Xanthi (1999); Astrolavos Gallery, Piraeus (1996) dhe Dimokritos Gallery, Athinë.

GAT ka në program një bisedë me artistin Milaqi, në lidhje me ekspozitën e tij të parë personale në Shqipëri, në të cilën fton artdashësit të bëhen pjesëmarrës, për të eksploruar krijimtarinë e një tjetër artisti shqiptar./atsh/KultPlus.com

Libération (1946): Gjon Mili sipas Jean-Paul Sartre

Nga Aurenc Bebja, Francë – 8 Maj 2022

“Libération” ka botuar, të premten e 11 tetorit 1946, në faqen n°2, një shkrim në lidhje me ekspozitën e Gjon Milit asokohe në Paris, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

Fotografia, vepër arti

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Në Galerie du Bac, Jean-Paul Sartre e prezanton Gjon Millin me këto fjalë : “Ai ka kokën e një antengrënësi, një hundë që do të nuhasë botën shumë përpara tij, për të besuar se ai do ta zhysë papritur në një fole milingonash.”

Është e padiskutueshme që Mili, artist nga Nju Jorku, dëshmon se fotografia mund të jetë një art i madh.

Duke montuar figura kërcimtarësh, duke treguar një vajzë të vogël duke kërcyer me litar në disa aspekte (foton e së cilës lexuesit tanë e patën ekskluzive), ai dëshmon se sa e madhe është dhuntia e tij për analizën plastike.

Pasi ka fotografuar të gjithë anëtarët e Konferencës së San Franciskos, ja ku është në Paris. Gjithçka e intereson. A nuk e ka shprehur tashmë sharmin e rrënuar të oborrit ngjitur me studion e skulpturës së Zadkine?

— Do të doja të jetoja në Paris katër muaj në vit, na thotë Gjon Mili. Por si mund të gjesh një strehë këtu?

https://www.darsiani.com/la-gazette/liberation-1946-gjon-mili-sipas-jean-paul-sartre/ KultPlus.com

“FoxNews”: Skiatorja e njohur amerikane Kasha Rigby besohet se vdiq nga orteku në Brezovicë

Skiatorja e njohur amerikane Katherine “Kasha” Rigby besohet se ka vdekur nga një ortek bore në Brezovicë të martën, sipas raportimeve.

Vdekja e një skiatoreje 54-vjeçare në Qendrën e Skijimit në Brezovicë u raportua të martën. Zëdhënësi i Policisë së Rajonit të Ferizajt, Kanun Veseli, tha për mediat se viktima ishte “një shtetase e huaj 54-vjeçare”.

Përderisa në raport nuk përmendet emri i skiatores, miqtë dhe të dashurit e Rigbyt postuan homazhe në llogarinë e saj në Instagram, ku shfaqen disa fotografi nga qendra e skijimit në Brezovicë.

“Ski Magazine” raportoi se burime të afërta me Rigbyn kontaktuan me median për vdekjen e saj.

Në raportin e “Backcountry Magazine” mbi vdekjen e mundshme të Rigbyt, redaktori Adam Howard tha se ajo “mishëron dhembshurinë dhe shpirtin e lirë”.

“E gjithë bota e jashtme dhe e skitarëve është e rrënuar me humbjen e një shpirti kaq të veçantë”, tha Howard.

Galileo Galilei, babai i Astronomisë moderne dhe një kampion i metodës shkencore

Galileo Galilei ishte një shkencëtar dhe astronom italian i cili konsiderohet si një nga baballarët e astronomisë moderne vëzhguese. I lindur në Piza në vitin 1564, ai filloi karrierën e tij si matematikan dhe fizikant, por ishte puna e tij në astronomi që pati ndikimin më të madh në botën shkencore, shkruan KultPlus.

Galileo ishte një nga shkencëtarët e parë që përdori një teleskop për të studiuar yjet dhe vëzhgimet e tij revolucionarizuan të kuptuarit tonë për universin. Ai zbuloi se Toka nuk ishte qendra e universit, siç besohej në atë kohë, por një nga shumë planetët që rrotullohen rreth diellit. Ky model heliocentrik i sistemit diellor ishte një largim rrënjësor nga besimet tradicionale dhe ndezi një revolucion shkencor që ndryshoi mënyrën se si ne e shohim botën.

Përveç punës së tij në astronomi, Galileo dha një kontribut të rëndësishëm në fushat e fizikës dhe matematikës, dhe ai vlerësohet me zhvillimin e metodës shkencore. Ai ishte një avokat i ashpër për përdorimin e provave empirike në kërkimin shkencor, dhe mendimi i tij inovativ dhe eksperimentimi rigoroz ndihmuan në formësimin e qasjes moderne shkencore.

Galileo ishte gjithashtu një figurë e diskutueshme dhe pikëpamjet e tij mbi natyrën e universit shpesh e vënë atë në kundërshtim me Kishën Katolike. 

Pavarësisht kësaj, ai mbetet një figurë e nderuar në historinë e shkencës dhe kontributet e tij vazhdojnë të njehen edhe sot. /KultPlus.com

‘Vaj si qenka ba dynjaja, mos me tu ba me kenë gjallë’ (VIDEO)

KultPlus ju sjell një këngë të vjetër shkodrane, të intepretuar nga një këngëtare e jashtëzakonshme, që me zërin e saj të fuqishëm i jep këngës jetë.

”Vaj si qenka ba dynjaja”, e kënduar nga Xhejlane Gutaj, është një këngë e cila vazhdon edhe sot të dëgjohet, pasiqë posedon një melodi melankolike e rrënqethëse.

Bashkangjitur gjeni videon dhe tekstin e këngës.

Vaj si qenka ba dynjaja!
Mos me tu ba me kenë gjallë.
un o i mjeri unë fukaraja
Paskam ndodhun un o pa igball!
Gjithë prej hallit e sikletit
M’u ba borxh me dal me u tret,
Mora rrugën e gurbetit
Selametin o për me gjet
Rrugen mbarë o me lot e lava
Dersa mbrrina jabanxhi.

Zemra m’thot gjithmonë pse kjava
Qysh se i vogël e dej’ n’pleqni.
Me taman kenka thanë motit
Vendit t’ huj mjerë kush e shkel.
Paska qenë o shkru’ prej Zotit
Me mbaru’mun o me siklet!
M’u rrit mjekrra m’u bo grrathë, grrathë
I mjeri unë o për t’ri tem!
Shkoj nër shokë s’ma bajnë nji vend
T’ju diftoj dertin qi kam. /KultPlus.com

‘Berlinale’, Cillian Murphy hap festivalin me një dramë irlandeze

Festivali i filmit në Berlin fillon sonte me premierën botërore të një drame irlandeze me aktorin Cillian Murphy, e vendosur në një sfond të ndezur lufte në Lindjen e Mesme dhe Ukrainë.

“Unë mendoj se ne jemi këtu për të parë se si artistët reagojnë ndaj botës në të cilën jetojmë tani. Jam kurioz të shoh se çfarë bëjnë ata me të”, tha presidentja e jurisë së Berlinale-s, aktorja meksikano-keniane Lupita Nyong’o, gjatë një konference për shtyp në Berlin.

Lupita Nyong’o është personaliteti i parë me ngjyrë në historinë e Berlinales që kryeson jurinë, përgjegjëse për të vendosur midis 20 filmave në konkurrencë për ”Ariu i Artë”, çmimi më i lartë i festivalit.

Veprimtaria e Berlinit, e cila zhvillohet nga 15 deri më 25 shkurt, nis tre festivalet kryesore evropiane, përpara Kanës në maj dhe Venecias në shtator.

Për edicionin e tij të 74-të, ai paraqet një program eklektik me regjisorë dhe aktorë nga e gjithë bota, yje, dokumentarë politikë dhe kinema arti.

“Small things like these” (”Gjëra të vogla si këto”), me protagonist Cillian Murphy, një nga favoritët në garën për Oscar këtë vit, është vepra e parë e paraqitur mes 20 filmave në konkurrim.

Përshtatur nga bestselleri nga autorja irlandeze Claire Keegan, është frymëzuar nga fakte reale për nënat e pamartuara të shfrytëzuara nga motrat katolike.

Drejtuar nga regjisori belg Tim Mielants, Cillian Murphy luan një baba të përkushtuar që zbulon sekretin e lavanderisë ”Magdalene”, pasi midis viteve 1920 dhe 1990, në manastiret, murgeshat i mbanin gratë e reja në skllavëri pasi u dhanë për birësim foshnjat e tyre, të lindura jashtë martese.

“Ne jemi të bindur se kjo histori që ndërthur mirësinë ndaj më të brishtëve dhe dëshirën për të dalë kundër padrejtësisë do të rezonojë me të gjithë”, vlerësoi së fundmi italiani Carlo Chatrian, i cili bashkëdrejton Berlinalen për herë të fundit me holandezen Mariette Rissenbeek./KultPlus.com

Frans Hals, Rijksmuseum i Amsterdamit nderon Mjeshtrin e të Qeshurës në ekspozitën e re

Në fillim të shekullit të 17-të, e qeshura nuk u kap pothuajse kurrë në kanavacën e një piktori.

Frans Hals e ndryshoi këtë. Një ekspozitë e re e pikturave të mjeshtrit holandez që hapet këtë javë në Rijksmuseum të Amsterdamit, feston gëzimin që ai prezantoi në formën e artit.

Marrja në qendër të skenës është një nga veprat më të njohura të Hals, me nofkën “The Laughing Cavalier”, transmeton Klankosova.tv.

Piktura mishëron humorin e përhapur në të gjithë punën e tij dhe ka udhëtuar nga Koleksioni Wallace në Londër, duke shënuar sipërmarrjen e tij të parë jashtë shtetit që nga viti 1870.

Janë 47 kryevepra të tjera të Hals që shfaqen në ekspozitë./KultPlus.com

Fotografia e parë e nipit të Michael Jackson nga filmi biografik i ardhshëm

Filmi, me Jafar Jackson në rolin e mbretit të popit, do të shfaqet premierë më 18 prill 2025. Ai ka një ngjashmëri të jashtëzakonshme me xhaxhain e tij, Michael Jackson, në foton e parë nga biografia e ardhshme e Mbretit të Popit, “Michael”, të publikuar të martën, më 13 shkurt.

Në imazh, 27-vjeçari Jafar ka veshur një pamje të famshme Michael nga vitet 1990: një këmishë të bardhë mbi një kanatiere të bardhë pa mëngë dhe pantallona të zeza, me flokët e lidhur prapa në një bisht të ulët teksa këndon në skenë.

“Me Jafar, çdo vështrim, çdo notë, çdo lëvizje kërcimi është Michael”, tha producenti Graham King. “Ai mishëron Michael në një mënyrë që asnjë aktor tjetër nuk mund ta bënte”./KultPlus.com

Jeta e këngëtarit të njohur spanjoll Julio Iglesias, po bëhet serial në Netflix

Jeta e këngëtarit të njohur spanjoll, Julio Iglesias, po shfaqet në ekranin e vogël përmes një seriali të përgatitur nga Netflix, me miratimin dhe drejtimin e tij. Për herë të parë, ylli do të ndajë detaje si për jetën e tij ashtu edhe për karrierën e tij të jashtëzakonshme muzikore.

Seriali, i cili është aktualisht në zhvillim, do të tregojë historinë se si Iglesias u bë artisti i parë jo-anglisht-folës që depërtoi në tregjet amerikane dhe aziatike dhe përjetoi sukses masiv.

Gjatë karrierës së tij 55-vjeçare, artisti i lindur në Madrid ka interpretuar këngë në 12 gjuhë dhe më shumë se 60 milionë shikues i kanë shijuar performancat e tij.

“Për herë të parë vendosa të ndaj të vërtetën e jetës sime me një kompani globale si Netflix. Pas shumë mendimeve, një letër shumë prekëse nga zëvendëspresidenti i përmbajtjes së Netflix, Bela Bajaria ishte e mjaftueshme për të më bindur se Netflix ishte kompania ideale për të bërë këtë projekt”, tha Julio Iglesias në një deklaratë.

Sipas Hola, këngëtari i njohur filloi si një futbollist premtues në Real Madrid para se një dëmtim i rëndë në 1963 t’i jepte fund karrierës së tij futbollistike.

Megjithatë, ndërsa ai ishte në spital, një kitarë që ia dha një infermiere në mënyrë që të rifitonte shkathtësinë në duart e tij ishte pikënisja që ai të bëhej një nga artistët më të shitur në botë./KultPlus.com

Fjalimi i rektorit të parë të Universitetit të Prishtinës më 15 shkurt të vitit 1970

Më 18 nëntor të vitit 1969, Kuvendi i KSA të Kosovës, miratoi ligjin mbi themelimin e Universitetit të Prishtinës, ndërsa Kuvendi themelues i Universitetit të Prishtinës u mbajt më 13 shkurt të vitit 1970.

Më 15 shkurt të këtij viti, më saktë dy ditë më vonë u mbajt edhe mbledhja solemne e Kuvendit për përurimin e Universitetit të Prishtinës. Dita e 15 shkurtit u shpall ditë e Universitetit të Prishtinës. Në këtë Kuvend, u promovua edhe rektori i parë i Universitetit të Prishtinës, prof.dr. Dervish Rozhaja.

Në Kuvendin solemn me rastin e themelimit të Universitetit të Prishtinës, dr. Dervish Rozhaja tha:

“Themelimi i Universitetit të Prishtinës është ngjarje historike dhe është një hap kualitativ përpara në progresin e mëtejshëm dhe të gjithanshëm të shoqërisë. Zhvillimi i fuqishëm i shkencës, sjell ndryshime përkatëse në koncepcionin dhe pozitën e saj në shoqëri. Në vend të shkencës, si aktivitet i ndarë nga jeta, sot kemi depërtimin e saj në të gjitha poret e jetës. Në vend të shkencës me të cilën merret një numër i kufizuar personalitetesh, po përhapet gjithnjë e më shumë puna shkencore si veprimtari shoqërore.

Tani po zhvillohen dy procese komparative, të njëkohshme dhe konvergjente; shoqëria po përvetëson gjithnjë e më shumë shkencën si faktor kapital i zhvillimit dhe progresit, e shkenca po kalon gjithnjë e më shumë në duart e shoqërisë. Kërkesat e shoqërisë dhe ndryshimet në karakterin e veprimtarisë shkencore, kushtëzuan që të mos jetë më privilegj shoqëror, por shprehje e domosdoshme e shoqërisë. Shkollimi universitar po bëhet për ngritjen me sistem të kualitetit të procesit mësimor shkencor”, tha ndër të tjera në fjalën e tij solemne rektori i parë i Universitetit të Prishtinës, dr. Dervish Rozhaja.

Prof. Ibrahim Berisha, ligjërues në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, në librin e tij “Vdekja e kolonisë” thekson: “Deri në vitin 1986, në Universitetin e Prishtinës doktoruan mbi 300 kandidatë dhe magjistruan 320 të tjerë. Pas lëvizjes studentore në Pranverën e vitit 1981 me të cilën u solidarizuan shqiptarët, dhuna politike dhe policore u shtua ndaj profesorëve dhe studentëve të Universitetit të Prishtinës dhe kështu filloi të zhvillohej fushatë e ashpër e diferencimeve, ndëshkimeve dhe përjashtimeve nga puna e kuadrit mësimdhënës dhe të studentëve shqiptarë.

Universiteti i Prishtinës nga organet politike dhe shtetërore të ish-Jugosllavisë, nisi të trajtohet si institucion që prodhon destabilitet dhe armiqësi ndaj shtetit komunist. Në këtë proces të diferencimeve, e drejta për të studiuar iu mohua 568 studentëve shqiptarë. Si masë e domosdoshme për regjistrim në vitin e parë të studimeve ishte ‘dëshmia për cilësitë moralo-politike të studentëve”, thekson ndër të tjera prof. Ibrahim Berisha në librin e tij “Vdekja e kolonisë”.

(Marrë nga profili i Bajram Mjekut) / KultPlus.com

Përkujtohet Lef Nosi, firmëtari i pavarësisë i eliminuar nga regjimi komunist

Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me gjethe” përkujtoi sot firmëtarin e pavarësisë, filatelistin, poliglotin, arkivistin, etnografin dhe politikanin shqiptar Lef Nosi (9 prill 1877-15 shkurt 1946).Lef Nosi lindi në qytetin e Elbasanit, në një familje ortodokse të lagjes “Kala”. Studimet e larta i kreu për farmaci, në Athinë.Pa mbyllur ende studimet, u kthye në Shqipëri duke u angazhuar thellësisht në drejtim të çështjeve rreth historisë e kulturës kombëtare.

Që në moshë të re, Lef Nosi kishte në zotërim bibliotekën e dytë më të madhe në Shqipëri, pas asaj të Mit’hat Frashërit.Themeloi në Elbasan gazetën “Tomorri”, e para gazetë në historinë e qytetit. Artikujt e botuar në këtë gazetë që karakterizoheshin nga fryma kombëtare, nxitën reagimin e autoriteteve xhonturke, të cilët arrestuan Lef Nosin dhe e dënuan me vdekje. Për shkak të protestave të patriotëve shqiptarë, dënimi me vdekje iu kthye në internim.Më 28 nëntor 1912, ishte një prej delegatëve të Elbasanit në Kuvendin e Vlorës dhe një nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë. Shumë i rëndësishëm konsiderohet fakti se Lef Nosi ishte botuesi i parë i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë.

Mendohet që origjinali të ketë qenë pjesë e koleksioneve të tij, por ky fakt mbetet ende dhe sot i pasqaruar.Gjatë qeverisjes së Fan Nolit në vitin 1924, u caktua kryetar bashkie i Elbasanit. Me largimin e Nolit, Lef Nosi u tërhoq nga politika dhe iu dedikua botimit të dokumentave me vlerë historike, studimeve gjuhësore, mbledhjes së objekteve arkeologjike, folklorike, numizmatike dhe filatelike.Me pushtimin italian, u internua në Itali dhe u kthye në Shqipëri në vitin 1942, ku filloi të angazhohet në rradhët e Ballit Kombëtar. Me pushtimin nazist të Shqipërisë, u zgjodh anëtar i Regjencës. Gjatë kësaj kohe, ai ndihmoi në shpëtimin e hebrenjve të cilët përndiqeshin nga autoritetet naziste.

Me ardhjen e komunistëve në pushtet, Lef Nosi u arrestua në veri të Shqipërisë nën akuzën për bashkëpunim me pushtuesit.Gjyqi u zhvillua në sallën e kinema “Kosova”, i cilësuar si “gjyq ushtarak i Tiranës”, ndonëse i akuzuari nuk kishte qenë ndonjëherë ushtarak. Gjatë gjyqit do të deklaronte që: “Regjenca nuk ka patur lidhje me gjermanët”. U dënua me pushkatim më 15 shkurt të vitit 1946.Përgjatë viteve të demokracisë u nderua me titujt “Qytetar Nderi i Elbasanit” në vitin 2004 dhe me urdhrin “Gjergj Kastrioti” në vitin 2007/atsh/KultPlus.com

Kosova

Poezi nga Bekim Lumi

Kur atdheut i rrxohen kështjellat
I shemben pirgjet urat kullat
I zihet fryma

I mpikset gjaku
Themelet kur i luejnë vendit
Rozafë ajo bahet
Sall gjinin e djathtë e len përjashta

Gjergji Muji Halili Ademi Shabani Hamza
Pijnë tambël
Forcadë marrin
Për lufta t’rrebta

Tevona
Si rr’fe prej qielle
Veç nji za ndihet
“Oj Kosovë, mos thuej mbarova,
Se djemtë tu ende janë gjallë…” /KultPlus.com

Shkencëtarët gjejnë ujë në sipërfaqen e asteroidit

Për herë të parë janë gjetur molekula uji në sipërfaqen e një asteroidi duke zbuluar të dhëna të reja për shpërndarjen e ujit në sistemin tonë diellor.

Shkencëtarët studiuan 4 asteroidë të pasur në silikate duke përdorur të dhëna të mbledhura nga teleskopi SOFIA, i cili tashmë nuk përdoret më.

Dy prej asteroidëve, Iris dhe Massalia treguan një gjatësi shumë specifike drite që tregonte praninë e molekulave të ujit në sipërfaqe.

“Asteroidët janë mbetje të procesit të formimit të planetëve kështu që përbërja e tyre varet nga vendi ku u formuan”, thuhet në deklaratën e autores së studimit, Anicia Arredondo. “Me interes të veçantë është shpërndarja e ujit në asteroidë që mund të hedhë dritë mbi mënyrën si ky element ka ardhur në Tokë”.

Molekulat e ujit janë gjetur më parë në mostrat e asteroidëve që kanë rënë, por kjo është hera e parë që gjenden në sipërfaqen e një asteroidi në hapësirë. Në një studim tjetër, SOFIA gjeti gjurmë të ngjashme uji në sipërfaqen e hënës, në një prej kratereve të saj më të mëdha në hemisferën jugore.

Zbulimet në Iris dhe Massalia tregojnë se disa asteroidë silikati mund të ruajnë ujin e tyre për shumë kohë dhe me gjasë, mund të gjenden në sistemin e brendshëm diellor. Asteroidët besohet se janë burimi kryesor i ujit në Tokë dhe mund të sigurojnë kushtet e nevojshme për jetën.

Të kuptuarit e shpërndarjes së ujit nëpër hapësirë i ndihmon shkencëtarët të dinë se ku të kërkojnë për forma të tjera të jetës, si në sistemin tonë diellor, ashtu edhe përtej tij./tvklan.al/ KultPlus.com

Ilir Muharremi: Në gjithë botën shtatoret iu ngritën edhe të gjallëve

Ilir Muharremi, kritik i artit

Në dorë mban një fashikull në të cilën shkruan “Qeveria e Republikës së Kosovës”. Është në lëvizje me hapin e djathtë të lehtë para. Setër të mbërthyer. Shikim të butë, një buzëqeshje e lehtë që e njohim të gjithë.

Fuqi shprehëse. “Shpresa e fundit”, shkruan në bazament. Dy metra i gjatë, pak më shumë se përmasat natyrale. I punuar me delikates dhe butësi, i studiuar në thellësi të karakterit. Gjesti i plasuar nga brendësia dhe klithma e shpirtit në bronz. I rrethuar me dritë dhe hije mbi drapëri, manifeston energji dhe forcë.

Shtatorja e kryeministrit Albin Kurti u jetësua nga skulptori Agron B. Blakçori. Ajo po merr frymë në Peran të Podujevës. Shtatoret ngritën mbi vlerën e estetikës rëndësisë së prezantimit publik, rikujtim të figurës që nuk është në mesin tonë, prezantim dinjitoz i asaj figure. Pasqyrim i kujtesës së kaluarës.

Në gjithë botën shtatoret ju ngritën edhe të gjallëve. Kurti u objektivizua u materializua mbi idenë e skulptorit që duket në ecje të zakonshme, kryelartë, hapat avash- avash, qëndrimin drejt, i fokusuar në një pikë, në zhvillimin e Kosovës.

Ky është ai gjesti i tij i njohur, qëndrimi të cilin secili e ka të kthjelltë në kujtesë. Mishërimi i figurës me anën estetike në shikim të parë ndjesor zgjon diçka si përshtypje dhe ngjashmëri nën rrezet e ngrohta të diellit që përplasen lehtë mbi draperin natyrale të kostumit.

Duket si skulpturë e lirë, natyraliste në frymën realiste. I buzëqeshur nën mllefin e së kaluarës përmes syve vërehet ajo ndjenjë ai mister sepse sytë e tij të skulpturuar nuk ikën nga realja e Kurtit. Ndjehet hija e tij në këtë kompozicion. Është i detajuar duke u nisur nga shuplakat e dorës, muskulatura nën kostum, detajet e fytyrës, saktësi harmonike me ato të Kurtit, pastaj flokët, të gjitha peshojnë mendueshëm në skulpturë.

Skulptura vet është art plastik, por nëse i rrekemi detajeve dhe vështrimit më të gjatë, atëherë kalon në art shpirtëror, estetik. Marrëdhënia ndërmjet dritës dhe hijes është se hija ndjek lindjen nga forma dhe çdo formë e skulpturës e punuar me delikates shpërfaq fuqinë nga drita e lehtë në shfaqjen e hijeve. Ca njolla të bronzës alterojnë në mënyrë ritmike nga koha e deri te këmbët duke ndjekur orientimet bazë të lakimeve të drapërisë të përsëritura në sipërfaqe gjë që krijon natyralizmin real të një kostumi dhe njeriu.

Marrëdhënia e kësaj skulpture midis hapësirës pra oborrit të shtëpisë së pronarit Sahabedin Uka, (iniciatori kryesor për këtë vepër) ndonëse nuk është thelbësore, por raporti i formës me arkitekturën ndikon në ç’veshjen estetike, në këtë rast skulptura ballafaqohet me hapësirën e lirë. Ndonëse edhe po të vendosej në një hapësirë e rrethuar me turmë njerëzish arkitekturë afër, skulpturës do t’i shkonte do të dukej dinamike me këto forma që mbart me vete. Shihet se vepra ka një rregullim të marrëdhënieve të pjesëve në një tërësi. Sipërfaqja e skulpturës herë nxjerrë një elegancë e herë një ekspresivitet pra teksturë. Kalohet nëpër sipërfaqe të vazhdueshme butësisht sidomos te pjesa e fytyrës, mollëzave, hundës, ballit dhe syve.

Është një harmoni proporcionale në sipërfaqe e formave duke i krijuar edhe skajet që vazhdimisht ballafaqohen me hijet. Ngjyra është natyrale e materialit (bronzës) Vlera e kësaj shtatore është 50 mijë euro.

A duhet t’i krijojmë statujat e personave sa janë gjallë? A duhet të presim të vdesin e pastaj t’i kopjojmë? A duhet të kritikohet personi që e ngriti shtatoren e Kurtit?

E para, statujat mishërojnë kontribuuesit e njohur te publiku. E dyta, pas kohës së tyre biologjike figura më shumë përjetësohet në vepër arti, sepse koha ka shumë rëndësi në art. E treta, shtatorja u vendos në oborr të pronarit me të drejtën e tij. Ëndrra e sinqertë nuk mund të ndalohet. Kjo dëshmon se nëse ndjen diçka ti do e arrish atë./ KultPlus.com

Nesër mbahet ceremonia e ndarjes së çmimeve për letërsi

Të premten, në ora 10:00, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon ceremoninë solemne të ndarjes së Çmimit Kombëtar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli” dhe Çmimet Vjetore për Letërsi për vitin 2023, bëhet e ditur nga zyra e MKRS-së.

Dhënia e çmimeve bëhet në kabinetin e Ministrit të MKRS-së z.Hajrulla Çeku./ KultPlus.com

Ambasada e SHBA në Tiranë: Vizita e Blinken, simbol i të ardhmes së marrëdhënieve mes dy vendeve

Ambasada Amerikane në Tiranë ka deklaruar se Sekretari Amerikan i Shtetit, Antoni Blinken (Antony Blinken) viziton sot kryeqytetin shqiptar si simbol i të ardhmes së marrëdhënieve mes dy vendeve.

Ambasada e SHBA njofton se Blinken do zhvillojë takime edhe me drejtues të sistemit të drejtësisë.

“Mirë se vjen në Shqipëri, Sekretari Blinken! Gjatë vizitës së tij të parë në Shqipëri, Sekretari i Shtetit i SHBA, Antony Blinken do të takohet me Presidentin Bajram Begaj, Kryeministrin Edi Rama dhe do të marrë pjesë në një aktivitet të veçantë rinor te Piramida e Tiranës, për të festuar të ardhmen e marrëdhënieve SHBA-Shqipëri. Ai do të takohet gjithashtu me drejtues të sistemit të drejtësisë dhe komunitetin e ambasadës”, shkruan Ambasada e SHBA-së në Tiranë.

Sekretari Blinken ka shkelur ne tokën shqiptare dhe aktualisht po zhvillon takime me ekipin e diplomatëve të tij në Ambasadën amerikane në Tiranë.

Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Shqipërisë hapin pavionin në tregun evropian të filmit

Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë (QKK) edhe këtë vit përfaqësohen me pavion në edicionin e 74-të të European Film Market (EFM) i cili zhvillohet gjatë Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Berlin (Berlinale) në datat 15-21 Shkurt 2024.

European Film Market është ndër 3 tregjet kryesore të takimit të industrisë ndërkombëtare të filmit dhe medias. Lidhja e ngushtë me Berlinalen si një festival filmi publik dhe pozicionimi i tij në zemër të Berlinit janë karakteristikat kryesore të këtij tregu, i cili e ka pozicionuar veten edhe si një platformë për inovacion e ndryshim.

Gjatë këtyre ditëve në pavionin me numër 138, i cili gjendet në Hotel Marriott, me adresë Inge-Beishem-Platz 1, 10785 Potsdamer Platz,  krahas promovimit të filmave tanë, do zhvillohen edhe takime të ndryshme me fonde filmi, partneritete ndërkombëtare, përfaqësuesh festivalesh, prodhues e distributorë nga e gjithë bota. Ndër materialet promovuese të filmave tonë, poashtu do mund të shfletoni edhe katallogun e fundit të QKK të filmave në faza të ndryshme të prodhimit./ KultPlus.com

NEWBORN do të bëhet me “Shtatë qiejt”

Si çdo vit, NEWBORN ndryshon petkun dhe sivjet do të ketë një duke të re, shkruan KultPlus.

Fisnik Ismaili në një emision ka bërë të ditur për formatin e sivjetmë, i cili ka shpjeguar se në njërin nga vitet e mëhershme, NEWBORB ishte me gjemba, që ishte një mesazh për liberalizim të vizave, e sivjet do të jetë pa gjemba, po për të shënuar lëvizjen e lirë të qytetarëve.  Ai gjithashtu ka dhënë edhe mesazhin e shtatë shkronjave të NEËBORB që sivjet do të kenë mesazhin e Shtatë qiejve. / KultPlus.com

Nga 25 marsi Japonia i heq vizat për kosovarët që kanë pasaporta diplomatike

Nga 25 marsi Japonia do t’i heq vizat për shtetasit e Kosovës që posedojnë pasaporta diplomatike dhe zyrtare.

Kjo u bë e ditur nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i cili mori pjesë në pritjen e organizuar nga Ambasada e Japonisë, me rastin e ditëlindjes së perandorit.

“I shprehim mirënjohjen e sinqertë Qeverisë japoneze për vendimin e saj për të hequr kërkesat për viza për mbajtësit e pasaportave diplomatike dhe zyrtare, duke filluar nga 25 marsi , një moment historik i rëndësishëm në marrëdhëniet tona dypalëshe”, tha ai.

Numri një ka vlerësuar raportet ndërmjet Kosovës dhe Japonisë, duke shpresuar në thellimin e tyre./ KultPlus.com