Në vend të përshëndetjes

Poezi nga Azem Shkreli

Shko se furishëm po fryn në mua erë mallkimi që s’të fal.
Dhe, dije mirë, kurrë më një e një nuk bëjn’ një si thonte Hikmeti, ai farë poeti me këngë prej zjarri.

Shko merri me vete lutjet tua, edhe hijen tënde hiqe zvarrë rrugëve si gjënë e ndyrë.
Mos u kthe pas.
Mos i harro sytë e përlotur në shtekballin tim.
Mos thuaj lamtumirë.
Asgjë mos thuaj.
Merri me vete gjurmët nëpër të cilat erdhe një natë më e përvuajtur se frika dhe hyre në mua.
Shko dhe bëhu fjalë e mbrame n’gojën time.
Bëhu shkrepetirë e fikur n’ylberin e shkrimit tim.
Bëhu çdo gjë pos Meje e Teje dhe asaj që e quajtëm Ne kur i zinim yjet si fluturat e ua ngjisnim nganjë emër mos ta harrojmë emrin tonë.
Shko, merri me vete edhe rrugët, të mos kthehesh kurrë në vesën e lotit të rrejshëm, gërmadhat e kujtimit t’i rrëzosh.

Shko, mbyllu në do kështjella të largëta harrimi, ku s’të zgjojnë më këmbonat e pendimit kur çmendet mallit vetmia ose kur buza buzën e han n’pikllim, që mëkatin s’e lan, që s’mundet ta shpojë Gurin e rëndë, gurin e ftohtë të ndarjes.
Shko, më mirë dhe hesht. Mos u kthe mbas.
Mos i harro sytë e përlotur n’shtekballin tim.
Mos thuaj lamtumirë.
E kur t’shkojsh larg, më larg se prej blerimi n’blerim
E kur t’shkojsh larg, më larg se prej zemre në zemër
Aq larg sa ta harrosh edhe emrin tënd dhe zërin tim, fshihu prej vetes
Shkurto flokëgjatat, mate me to mendjeshkurtrën tënde dhe mos qaj.
Shko se tmerrshëm po lodrojnë sonte n’mua rrëket e gjakut të ndezur. / KultPlus.com

I jipet lamtumira e fundit mbretëreshës së valles shqiptare, Lili Cingu

Janë mbajtur sot homazhet për Lili Cingu, ikonën e valles shqiptare, e cila vdiq mbrëmjen e së hënës në shtëpinë e saj pas betejës për një sëmundje të rëndë. 

Ajo i dhuroi emocione skenës shqiptare, për pothuajse gjysme shekulli dhe me elegancën e saj te pakrahasuseshme, duke kërcyer vallet e të gjitha trevave.

Në vitin 1967 Lili Cingu pranohet si valltare profesioniste pranë AKVP, krahas valltareve të tjera. Që nga viti 1969 pas një turneu në Turqi ajo u bë një ndër solistet më të shquara të AKKVP, e cila për mëse 30 vjet rresht arriti që në repertorin e saj të interpretonte rreth 200 valle , nga më të thjeshtat e deri tek ato më të arrirat si “Vallëzimi i shqipeve”, “Festë të madhe  ka sot Shqipëria” “Vjelja e gështenjave”, “Në garë”, ”Valle me motive të Labërisë”, “Vallja e Tiranës”, etj.

Një rol të rëndësishëm në jetën e gjatë artistike të Lili Cingut kanë luajtur edhe koreografët, ata që i besuan asaj perlat e koreografisë, duke filluar që nga Panajot Kanaçi, Gëzim Kaceli, Agron Aliaj etj.

Lili Cingu është shquar për një interpretim dinjitoz, elegancë e finesë, si dhe një kulturë të lartë muzikore, si njohese e folklorit të të gjitha trevave. Me kërcim  të lehtë e plotë bukuri  interpretoi me shije si vallen e Jugut, Çamërisë, të Dropullit, të Korçës, të Kolonjës, të Shqipërisë së Mesme,, ashtu edhe vallet epike të Veriut (Shota dhe Azem Galica”, “Sup më sup me malet”, “Oshëtima e maleve”, etj.  Dhe natyrisht në këtë interpretim dinjitoz të saj nuk mund të mos permendim partnerët e saj në AKKVP Besim Zekthi, Bashkim Braho,  Rexhep Çeliku etj.

Lili Cingu mbante  titullin “Nder i Kombit”, por gjatë aktivitetit të saj artistik me AKKVP-në ajo është nderuar me mjaft çmime, urdhra e medalje të ndryshme, me Çmimin e Republikës”, “Urdhrin “Naim Frashëri”. “Artiste e Merituar”etj. /Top Channel /KultPlus.com

Zhegrova nderohet me medalje nderi në Francë

Edon Zhegrova ka nisur të lërë gjurmë në Francë.

Ylli kosovar po shkëlqen në fanellën e Lillet, ku është bërë titullar i padiskutueshëm dhe njëri prej lojtarëve më të dalluar në kampionatin francez, shkruan “Gazeta Express”.

Për këtë arsye, “Messi i Kosovës”  është nderuar me medalje nderi nga David Heiremans, kryetar i bashkësisë së Wervicq-Sud, në Francë.

24 vjeçari ishte protagonist i Lillet në fundjavën që shkoi duke e shënuar një gol dhe duke e dhuruar një asistim në fitoren 4:0 ndaj Clermont Foot, me ç’rast edhe u përfshi në ekipin e javës në Ligue 1.

Në total, Zhegrova i ka realizuar 8 gola dhe i ka bërë 8 asistime në të gjitha garat në këtë edicion.

Nëse vazhdon me formë të tillë, futbollisti ofanziv gjatë verës që vjen mund ta bëjë një hap gjigant në karrierë duke u transferuar në një klub më të madh evropian.

Edon Zhegrova është sot futbollisti më në formë i Kombëtares së Kosovës. /GE /KultPlus.com

Haxhiu në ditën e dytë të vizitës në Londër, pritet të fillojë kampanja për gratë “Mjaft”

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, është duke qëndruar në Londër për vizitë dhe është pritur në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Britani të Madhe ku është takuar me ideatorët dhe krijuesit e kampanjës “Mjaft”.

Në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë thuhet se gjatë këtij takimi u diskutua rreth angazhimit të Ministrisë së Drejtësisë dhe prioritizimit të parandalimit dhe adresimit të dhunës ndaj vajzave dhe grave.

Haxhiu ka potencuar veprimet që janë ndërmarrë në lidhje me parandalimin dhe adresimin e dhunës ndaj vajzave dhe grave, si dhe organizimin e mbi 160 aktiviteteve në kuadër të fushatës globale “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore” në dy vitet e fundit.

“Ndërkaq, në detaje u njoftuam me organizimin e kampanjës “Mjaft” nga Qeveria Britaneze, hapat konkret nga inicimi i kampanjës e deri në evaluimet e fazave implementuese. Ministria e Drejtësisë është duke u përgatitur për fillimin e kampanjës së re dhe gjithpërfshirëse në bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë britanik, duke shkëmbyer kështu përvojën dhe ekspertizën nga kampanja “Mjaft” dhe duke hulumtuar mënyrat më efikase të qasjes proaktive në implementimin e kampanjës në Kosovë”, thuhet në njoftimin e MD-së. /KultPlus.com

Sekretari amerikan Blinken pritet ta vizitojë Shqipërinë

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, pritet që ta vizitojë Shqipërinë më 16 shkurt.

Kështu raporton mediumi shqiptar Top-Channel.

Sipas TCH-së, është duke u punuar në finalizimin e detajeve të kësaj vizite.

Vizita në Shqipëri e Blinkenit do të jetë e para, prej vitit 2021 kur ai mori drejtimin e diplomacisë amerikane, transmeton Klankosova.tv

Qëllimet e kësaj vizite nuk dihet, por thuhet se sekretari amerikan i Shtetit, vjen si një vlerësimin për Shqipërinë, si një aleate e SHBA-së dhe në NATO.

Vizita e Anthony Blinken, është e katërta e një sekretari amerikan në Shqipëri. /KultPlus.com

Hyn në fuqi rregullorja: Konsumatorët kanë të drejtë t’i shkëpusin kontratat me operatorët

Ka hyrë në fuqi rregullorja e cila ua mundëson konsumatorëve të shkëpusin kontratat me operatorët kabllorë, për shkak të ndryshimit të njëanshëm të kushteve kontraktuale. Siç ka bërë të ditur Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, përdoruesit kanë të drejtë të shkëpusin kontratat pa kosto shtesë.

ARKEP-i ka thënë se rregullorja është në përputhje me Kodin Evropian të Komunikimeve Elektronike dhe qëllimi kryesor i saj është fuqizimi i mëtutjeshëm i të drejtave të konsumatorëve. Për të gjitha rastet si, ndryshimi i njëanshëm i kushteve kontraktuale, funksionimi i dobët i shërbimit, apo shkeljeve tjera të kushteve kontraktuale nga ofruesi i shërbimit, konsumatori ka të drejtën e shkëputjes së parakohshme të kontratës.

Sipas ARKEP-it, përdoruesit duhet të njoftohen jo më vonë se 30 ditë para hyrjes në fuqi të ndryshimeve dhe duhet të informohen për të drejtën për shkëputje nëse nuk i pranojnë kushtet e reja.

“E drejta për shkëputjen e kontratës mund të ushtrohet brenda dy (2) muajve pas njoftimit të tillë. Ofruesit e shërbimeve duhet të sigurojnë që njoftimi të bëhet në mënyrë të qartë dhe të kuptueshme në një medium të qëndrueshëm (sms, e-mail apo përmes adresës postare)”, thuhet në nenin 10 të rregullores.

Në rregulloren e re është përfshirë edhe mundësia e shkëputjes së kontratës për shkak të funksionimit të dobët të shërbimit, pra nëse konsumatorët nuk marrin performancën siç bëhet e ditur në kontratë.

Rregullorja ka sqaruar se periudha e vendosur kur ofruesi i shërbimit mund të kërkojë kompensim për shkëputjen e parakohshme të kontratës (gjatë 9 muajve të parë kur kontrata është lidhur për 12 muaj, përkatësisht 12 muajt e parë kur kontrata është lidhur për 24 muaj), vlen vetëm për rastet kur janë përmbushur të gjitha kushtet e kontratës nga ofruesi i shërbimit.

Një ditë më parë, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë pas shqyrtimit të qindra ankesave të konsumatorëve lidhur me shërbimet e rrjetit kabllor, njoftoi se ka vendosur për t’i obliguar operatorët kabllorë që të largojnë kushtet e padrejta në kontratë, duke ua lejuar konsumatorëve të drejtën për shkëputje të kontratës në rast se operatori nuk i përmbushë obligimet sipas kontratës.

Sipas njoftimit të MINT-it, detyrimi që i vihet konsumatorëve me rastin e lidhjes së kontratës për të paguar pjesën e mbetur të saj edhe nëse ka ndryshuar përmbajtja e shërbimit/kanaleve, është në kundërshtim me ligjin. /KultPlus.com

Kurti në vizitë ngushëlluese te familja Metaj: Ai mësoi si të mendojnë shumë breza studentësh

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ishte sot për vizitë ngushëlluese te familja e profesorit të ndjerë, Kadri Metaj. 

Ai shprehu konsideratën e tij të lartë për kontributin e profesorit universitar Kadri Metaj në fushën e arsimit dhe të edukimit të brezave.

Shënimi i kryeministrit Kurti, në librin e kujtimeve:

“Prof. Kadri Metaj mësoi si të mendojnë shumë breza studentësh të cilët sot i kontribuojnë Kosovës dhe shoqërisë.  

Me jetën e tij të intelektualit të angazhuar dhe profesorit të Filozofisë, në veprat e tij të shkruara që do të lexohen gjatë, e gjejmë në punët dhe rolin tonë si frymëzim që nuk shuhet.

Me mall dhe nderim”, shkroi Kurti.

Kryeministri Kurti kishte marrë pjesë edhe në ceremoninë e varrimit të profesorit të ndjerë. Sot ai ishte i shoqëruar nga ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, dhe zëvendësministri i Drejtësisë, Vigan Qorrolli.

Prof. Kadri Metaj doktoroi në vitin 1987 në Universitetin e Prishtinës kurse në vitin 1979 u zgjodh asistent në degën filozofi-sociologji. Nga viti 1999 deri në pensionim ishte profesor i rregullt në Departamentin e Filozofisë, ku ligjëroi lëndët nga fushat e filozofisë.

Po ashtu ligjëroi edhe në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, në Universitetin e Shkupit dhe në Universitetin e Tetovës.

Disa nga veprat e tij janë: “Teoria estetike e Gjergj Llukaçit” botuar më 1990, “Filozofia politike” më 2003 derisa përktheu edhe disa vepra nga fusha e filozofisë dhe estetikës. /KultPlus.com

Apple prezantoi “Vision Pro”, syzet e realitetit virtual, ja sa kushtojnë?

Gjiganti amerikan i teknologjisë, “Apple” ka prezantuar këtë të hënë syzet e shumë pritura të realitetit të virtual dhe atij të agumetuar VR dhe AR, “Vision Pro”.

Pajisja është mbushur me kamera dhe me sensorë dhe duket si një palë syze për ski, por shumë më futuristike. Me këto syze, përdoruesi mund të “zhytet” në realitetin virtual dhe atë të agumentuar.

Raportohet se syzet “Vizion Pro” do të kushtojnë rreth 3,499 dollarë.

CEO i Apple, Tim Cook, prezantoi produktin e ri në Konferencën Botërore të Zhvilluesve të kompanisë, të mbajtur në selinë e saj Apple Park në Kaliforni.

Syzet, të cilat Apple i quan “kompjuter hapësinor”, kanë dy ekrane me rreth 23 milionë piksela për sy, me një fije që lidh syzet në një bateri e cila mund të mbahet në xhep. Kjo pajisje fuqizohet nga çipi M2, i dizenjuar nga Apple si dhe një procesor i ri të quajtur R1 për grafika të avancuara.

Apple Vision Pro

Apple Vision Pro

Kur përdoruesi vendos syzet, ai do të shohë një ekran me ikonat e aplikacionit dhe mund të shohë njerëz të tjerë të të cilët po e përdorin njëkohësisht pajisjen.

“Vision Pro” kontrollohet nga kontakti me sy dhe lëvizja e duarve, si dhe një tastierë virtuale.

Prezantimi i kësaj pajisje vjen vite pasi kompani të tjera të Silicon Valley, si Meta dhe Google Alphabet, kanë bërë përpjekje të krijojnë syze të teknologjisë së lartë të realitetit virtual.

Facebook  bleu në 2014 “Oculus” për 2 miliardë dollarë dhe ka prodhuar dy gjenerata të Meta Quest. Microsoft gjithashtu prodhoi në 2016 syzet “Hololens”, por duke mos arritur të gjejnë treg masiv te konsumatorët./alsatm/KultPlus.com

Bukuri mbresëlënëse të peizazhit rreth Vjosës

Vjosa si lumi i fundit i egër në kontinentin e vjetër që e bën atë mbretëreshën e lumenjve të Evropës.

Agjencia Kombëtare e Turizmit solli në rrjetet sociale pamje mbresëlënëse nga lumi i Vjosës përmes fotografisë fituese në “Wanderlust in Albania”.

Fotoja është një nga mënyrat e zbulimit të bukurisë mbresëlënëse të peizazhit rrotull Vjosës – lumi i fundit i egër i Evropës, tashmë Park Kombëtar i mbrojtur.

Ngjyrat e Vjosës vijojnë nga fotografi i talentuar Bleron Çaka, një nga konkurentët fitues në kategorinë peizazhe të Konkursit Ndërkombëtar të Fotove dhe Videove Reels “Wanderlust in Albania”./atsh/KultPlus.com

Ndoc Nikaj, romancier, publicist dhe historian

Meshtari shkodran Dom Ndoc Nikaj, është cilësuar si figurë poliedrike. Meshtari në shërbim të Zotit e të popullit shqiptar, duke mbështetur idenë kombëtare. Lindi në Shkodër më 15 qershor 1865, ndërsa ndërroi jetë në burgun e Shkodrës më 16 janar 1951.

Veprimtarinë letrare e filloi kur ishte ende nxënës në seminarin Papnor në Shkodër, ku po përgatitej për meshtari. Pas epitetit si romancieri i parë nga studiuesit e historisë, letërsisë e të gjuhës, është veçuar si personalitet që nëpërmjet veprimtarive dhe shkrimeve të tij ia ka kushtuar jetën çështjes kombëtare shqiptare. U shqua në botimet historike, si dhe letrare (romane me sfond historik).

Nën mbishkrimin “Libërtore historike” dhe me inicialet NDN (për t’i shpëtua ndjekjeve të pushtuesit) ai botoi në gjuhën shqipe në Bruksel, me ndihmën e shoqërisë atdhetare “Përlindja e Shqiptarëve” një histori të Shqipërisë me titullin “Historia e Shqypnisë që në fillesë e deri në kohë kur ra në dorë të turkut”. Vepra u botua më 1902. Siç shihet, kjo ishte pjesa e parë e Historisë së Shqipërisë. Pjesën e dytë deri në shekullin e 20-të e pati gati, po nuk mundi ta botojë, veçse më 1917 të plotë në Shkodër (pjesa I dhe II). Por, me gjithë të metat metodologjike e kufizimet, veprat historike të Dom Ndoc Nikajt ndikuan në njohjen e historisë dhe në ngjalljen e krenarisë sonë kombëtare. Këtij qëllimi i shërbyen edhe romanet e tij me sfond historik.

Akademiku Rexhep Qosja shprehet, se nga historiografia shqiptare Dom Ndoc Nikaj nuk është trajtuar aq sa e ka merituar. Në vitet 1910-1921, ai nxori njëra pas tjetrës gazetat “Bashkimi” dhe “Besa Shqyptare”. Sidomos bëri emër si prozator, si një ndër nismëtarët e llojit të romanit në letërsinë shqiptare. Megjithëse jetoi gjatë, si shkrimtar i përket dhjetëvjeçarit të dytë të shekullit të 20-të. Që nga viti 1913 e deri më 1920 shkroi dhe botoi romanet “Shkodra e rrethueme” (pjesa I, 1913, pjesa II, 1914), “Fejesa n’djep” ose “Ulqini i marrun” (1913), “Bukurusha” (1918), “Burbuqja” (1920), “Lulet në thes” (1920), një pjesë e të cilave ishin romane historike dhe dramën “Motra për vëllan” (1924).

Në romanet e tij vend të rëndësishëm zë tema patriotike që ndërthuret me histori dashurie. Në “Shkodra e rrethueme” Ndoc Nikaj pasqyroi luftën e masave popullore më 1912 kundër pushtuesve osmanë dhe shovinistëve malazezë për mbrojtjen e qytetit të Shkodrës. Edhe romanet “Bukurusha” dhe “Fejesa n’djep” flasin për luftën, për mbrojtjen e atdheut dhe të tërësisë tokësore të tij. Tipare të këtyre romaneve, si dhe të romanit “Lulet në thes” janë fryma sentimentale, peripecitë e ndryshme dhe të papriturat. Autori u del zot të drejtave të individit përballë moralit të ashpër patriarkal apo veprimeve të padrejta të të fuqishmëve. Rrëfimi i thjeshtë dhe herë-herë naiv, gjuha dialektore dhe e papërpunuar sa duhet, ndërtimi jo gjithnjë i goditur i veprave, formojnë veçoritë e stilit të Ndoc Nikajt.

E gjithë veprimtaria letrare, historike e publicistike e Nikajt dëshmon përkushtimin që gjuha shqipe të bëhet gjuhë e kulturës shqiptare përmes lëvrimit e pasurimit të saj. Autori ka lënë pas 400 shkrime, 30 vepra e disa romane. Tërë jetën e vet e shkriu në shërbim të ngritjes shpirtërore dhe kulturore të popullit të vet shqiptar./Hejza/ KultPlus.com

Ronald Reagan: Nëse keni sukses në politikë ka shumë shpërblime, në qoftë se dështoni ju gjithmonë mund të shkruani një libër

Roland Reagan ka lindur më 6 shkurt të vitit 1911 në Tampico të shtetit Ilinois, shkruan KultPlus.

Reagan pati një karrierë të shumëllojshme, nga komentator sporti, në aktor filmash, zëdhënës konservator, guvernator i Kalifornisë e më në fund President i Shteteve të Bashkuara.

Ai vlerësohet për kontributin e tij për t’i dhënë fund Luftës së Ftohtë me ish-Bashkimin Sovjetik.

Ronald Reagani ka qenë popullor jo vetëm për konservatorët por edhe për shumë amerikanë të të gjitha bindjeve politike. Njihej për aftësitë e vecanta komunikuese me njerëzit.

Sot shënohet përvjetori i 113 i lindjes së tij, dhe KultPlus sjell disa nga thëniet e tij më të njohura.

Politika nuk është një profesion i keq. Nëse keni sukses ka shumë shpërblime, në qoftë se dështoni ju gjithmonë mund të shkruani një libër.

Liria përparon kur feja është e gjallë dhe sundimi i ligjit nën Perëndinë është pranuar.

Pikëpamja e qeverisë për ekonominë mund të përmblidhet në një fjali të shkurtër: Nëse lëviz, tatoje atë. Në qoftë se ajo vazhdon të lëvizë, rregulloje atë. Dhe në qoftë se ajo ndalon së lëvizuri, subvencionoje atë.

Unë kam menduar shumë kohë se si do të dukeshin Dhjetë Urdhërimet në qoftë se Moisiu do t’i kishte dhënë nëpërmjet Kongresit të Shteteve të Bashkuara.

Ne nuk mund t’i ndihmojnë të gjithë, por të gjithë mund të ndihmojnë dikë.
Si mund të përkufizoni një komunist? E po, ai është dikush që lexon Marksin dhe Leninin. Dhe si mund të përkufizoni një anti-komunist? Ai është dikush që e kupton Marksin dhe Leninin.

Fjalët më të tmerrshme në gjuhën angleze janë: Unë jam nga qeveria dhe ndodhem këtu për të ndihmuar.

Një popull që është i lirë të zgjedhë, gjithmonë do të zgjedhë paqen.

Recesioni është kur një fqinj humb punën e tij. Depresioni është kur ti humb punën tënde.

Për demokracinë ia vlen të vdesësh, sepse kjo është forma më shumë e nderuar e qeverisë e hartuar ndonjëherë nga njeriu.

Brenda kapakëve të Biblës janë përgjigjet për të gjitha problemet me të cilat njerëzit ballafaqohen.

Të rrish duarkryq duke shpresuar se një ditë, disi, dikush do të bëjë drejtësi, është sikur të shkosh në gojën e krokodilit, duke shpresuar se ai do të të hajë ty të fundit.

Nëse duam vendin tonë, ne duhet gjithashtu të duam bashkatdhetarët tanë.

Ne kurrë nuk do të mposhtemi, nëse nuk do të heqim dorë nga Zoti.

Kur ju nuk mund t’i bëni ata të shohin dritën, bëjini ata të ndjejnë ngrohjen. /KultPlus.com

In November 1973, when Ronald Reagan was governor of California, he talked with reporters about Watergate. In the years that followed, he spoke to Americans’ anxieties with a simple message about America’s inherent grea

Media franceze ‘DestiMAG’: Zbuloni Shqipërinë, një udhëtim unik në zemër të Ballkanit

 Shqipëria, xhevahiri i Ballkanit, zbulon hijeshitë e saj ende sekrete për udhëtarët e etur për aventura autentike.

Kur Quentin Billon dhe Alan Huet, themeluesit e agjencisë së udhëtimeve “Breathe in Travel”, të etur për aventura dhe zbulime, vizituan për herë të parë Ballkanin një alkimi lindi menjëherë, shkruan e përditshmja franceze “DestiMAG”.

Dashuria e përbashkët për udhëtime i shtyu ata të eksploronin tokat e Ballkanit, por pikërisht në Shqipëri pasioni i tyre arriti kulmin.

Të magjepsur nga pasuria kulturore, diversiteti natyror dhe mikpritja e ngrohtë e shqiptarëve, ata vendosën të themelojnë “Breathe in Travel”, një agjenci që synon të jetë ura lidhëse mes udhëtarëve dhe vetë thelbit të Shqipërisë.

Quentin dhe Alan, me ekipin e tyre të përkushtuar, projektojnë turne që zhytin udhëtarët në zemrën e kulturës shqiptare, me aktivitete të personalizuara, takime të paharrueshme dhe akomodime piktoreske.

Shqipëria, shpesh e nënvlerësuar, zbulon thesaret e saj para vizitorëve të guximshëm.

Nga plazhet e Rivierës Shqiptare deri te malet madhështore të Alpeve Shqiptare, rrënojat antike të Butrintit dhe qyteteve historike të Gjirokastrës dhe Beratit, çdo cep i vendit ofron një aventurë unike.

“Breathe in Travel” nxjerr në pah këto xhevahire të fshehura duke krijuar itinerare që zbulojnë thelbin e vërtetë të Shqipërisë.

Quentin dhe Alan, të vetëdijshëm për ndikimin e turizmit në mjedis dhe kulturën lokale, janë të përkushtuar për të promovuar turizmin e përgjegjshëm.

“Breathe in Travel” punon ngushtë me komunitetet lokale për të siguruar që çdo udhëtim të kontribuojë pozitivisht në zhvillimin e qëndrueshëm të Shqipërisë.

Agjencia ofron një përvojë të jashtëzakonshme në Shqipëri.

Udhëtimet e krijuara me kujdes i lejojnë udhëtarët të gërmojnë në shpirtin e vendit, të takojnë vendasit mikpritës dhe të krijojnë kujtime të paharrueshme.

Me angazhimin e tyre për turizmin e përgjegjshëm, këta dy aventurierë po i hapin rrugën eksplorimit autentik dhe të respektueshëm të Shqipërisë, një thesar ballkanik që meriton të zbulohet./atsh/KultPlus.com

Gjendje e mjerueshme në lumin e Moravës së Binçës (FOTO)

Janë publikuar disa pamje që shpërfaqin gjendjen e mjerueshme që vjen nga komuna e Gjilanit, përkatësisht nga lumi Morava e Binçës.

Nga fotografitë e publikuara nga Muarem Hasani, shihet një papastërti e madhe, ku lumi është mbuluar nga mbeturinat.

Në të kundërtën, ky lum do të duhej të ishte një pjesë e bukur ku njerëzit mund ta shijonin bukurinë e natyrës. / KultPlus.com

‘Nëse ka përkthim togfjalëshi ‘Krenari Kombëtare Shqiptare’ ai pa dyshim do të ishte Vaçe Zela’

Sot janë bërë 10 vite nga shuarja e yllit shqiptar, Vaçe Zelës, shkruan Kult Plus.

Për krijimtarinë e saj artistike u dekorua më Urdhrin “Nderi i Kombit” më 24 dhjetor 2002 nga presidenti Alfred Moisiu me arsyen: „Për vlerat e rralla si Artiste e Shquar, me popullaritet të jashtëzakonshëm, për interpretimin mjeshtëror të këngës së muzikës së lehtë dhe asaj popullore, për pasurinë e vyer që krijoi në shkollën shqiptare të interpretimit muzikor”.

Për këtë artiste të madhe të popullit shqiptar kanë komentur edhe personalitete të ndryshme shqiptare siç janë Dritëro Agolli, Nexhmije Pagarusha, Avni Mula etj.

Dritero Agolli, shkrimtar: “Unë mund të them pa asnjë lëkundje se Vaçe Zela, si artiste e madhe, hapi një epokë të re në të kënduarin e këngës shqiptare dhe u bë nismëtare e një kulture moderne në këtë fushë.”

Nexhmije Pagarusha, këngëtare: “Nuk kam parë shkëlqim më të bukur që del nga shpirti i njeriut se tek Vaçe Zela.”

Osman Mula, regjisor: ”Vaçe Zela ishte një këngëtare e madhe me zemër të madhe. Krijoi një botë të sajën. Ajo qëndroi me të dyja këmbët në tapetin e këngës shqiptare, si këngëtarja e krahasuar me një simfoni pambarim të së ardhmes. Vaçe Zela ishte një këngëtare potente, në vokalin e së cilës morën jetë shumë zhanre këngësh. Dhe në secilin syresh ajo dha maksimumin.”

Tish Daija, kompozitor: “Vaçe Zela ishte tepër skrupuloze. Përzgjedhjen e këngës e ngriti në kult, përtej të zakonshmes, në mënyrë që t’i jepte mundësi zërit dhe vetes për interpretime të shkëlqyera. Kur ndonjë këngë s’i përshtatej sadopak natyrës së zërit të saj, ajo e braktiste. Zërin, këngën si karakter ajo i shihte të lidhura ngushtë mes tyre. Vaçe Zela ka pasur një vokal të shkëlqyer. Ngjyrimet e zërit i ka përftuar në maksimum. I ka përdorur me inteligjencë të gjitha veçoritë e zërit, duke i vënë në veprim kur dhe si duhet, me vibrime të shkëlqyera: në portament, glisando, melizmat, kantilenën dhe lëvizje kolorature. Me këngët që këndoi, popullore dhe të muzikës së lehtë, ajo krijoi stilin e vet, të cilin e imituan të tjerët me kalimin e kohës. Mbeti gjithmonë një këngëtare e veçantë.”

Gjokë Beci, poet: “Nëse ka përkthim togfjalëshi “KRENARI KOMBËTARE SHQIPTARE” ai pa dyshim do të ishte VAÇE ZELA.”

Avni Mula, kompozitor e këngëtar: “Vaçja kishte një inteligjencë natyrale. Ia ka bërë “hyzmetin” këngës në të gjitha vështrimet. Dhe, gjithmonë ia ka arritur qëllimit. Vaçja ishte edhe njeri i sakrificës. E vendosur në atë që kërkonte të bënte. Madje, ishte kurajoze, trime. Për këto cilësi çdo këngëtar duhet t’ia ketë zili. Në shpirt ishte thellësisht humane, demokrate në mendime. Edhe si njeri ishte e drejtë, e dashur. Me kontributin që i solli këngës shqiptare, Vaçja mbeti një artiste e madhe, një patriote e vërtetë”.”

Zijà Saraçi, kantautor: “Vaçja erdhi në skenën Shqiptare si një erëz e lehtë, si një shi pranveror me të gjitha perkusionet e saj natyrore, ajo kaloi si një meteor mbi qiellin tonë, duke lënë pas një tis të hollë emocionesh të paharruara, emocione të cilat i dhanë ndriçimin e munguar shpirtrave. Ajo krijoi shkollën, iku dhe hipi në “piedestal”, për të mbetur një legjendë e paharruar në kujtesën tonë kolektive…”

Limoz Dizdari, kompozitor: ”Kërkesat e Vaçes në rrafshin muzikor ishin estetikisht të pakontestueshme. Vaçja ishte një këngëtare me zë të veçantë. Kjo veçanti kishte të bënte me gjithë formimin e saj biologjik e intelektual. Shijet e saj të natyrshme, shumë të kultivuara, ishin të domosdoshme për ta bërë këngën estetikisht të arritur. Në rast se realizoheshin këto kërkesa, ti do të ishe i sigurt për suksesin e këngës. Në të kundërt, Vaçja nuk pranonte ta këndonte këngën.”

Nora Çashku, pedagoge e pianos: “Vaçe Zela ka qenë piedestal në skenë. Edhe si njeri, edhe si aktore. Vaçja ishte një zog në skenë. Ndokush mund ta ketë quajtur edhe të panënshtruar ose, në një farë mënyre, “rebele”. Falë talentit, ajo i është bindur zërit të brendshëm për të mos u nënshtruar kur ishte për t’i shkuar deri në fund fjalës në poezinë e këngës dhe ngjeshjes së frazës në melodinë e saj. Vaçe Zela ishte njeri i brishtë. Për mua ajo mbetet njeriu që solli emancipimin në skenë për shumë dekada. Fakti që nuk doli një e dytë mes shumë këngëtarëve, tregon që akoma s’është paraqitur në skenën tonë një talent i tillë.”

Prof. Zana Shuteriqi, muzikologe: “Nuk bëj pjesë midis atyre që e njohin Vaçe Zelën nga afër, por midis mijëra shqiptarëve të tjerë që u pushtuan prej saj gjatë një periudhe 40-vjeçare. Kjo njohje për së largu është ndër të paktat arsye përse Vaçja tek ne u shndërrua në një mit. Arsyet e tjera janë të shumta, cilësisht të rralla për një brez të tërë që dijshëm apo vetëdijshëm i realizon kërkesat e komunikimit ngjeshur pas trupit të një radioje. Vaçja mendoj se mishëronte në atë kohë përfytyrimin më konkret të asaj çka ne kërkonim si në eter. Këndoi gjithçka dhe kudo la vulën e një personaliteti të papërsëritshëm, që komunikoi me tërë arsenalin e mundshëm të ndjenjave, prej të cilave do të veçoja atë çka përbën thelbin e shpirtit të saj: dhimbjen njerëzore. Vaçja kështu hyri midis shqiptarëve me dhuntinë, me gjeninë e artistëve të mëdhenj, që kanë privilegjin të bëjnë epokë dhe që për këtë arsye janë të pazëvendësueshëm në identitetin e vet.”

Prof. Dr. Adriatik Kallulli, kritik letrar, shok klase : “Të njohësh nga afër artistët më të shquar të kombit tënd, është një rastësi që nuk u ndodh të gjithëve. Qenë vite kur vendi mezi e siguronte kafshatën e gojës dhe rrobën e varfër të trupit. Jeta kishte fare pak gëzime dhe një këngëtare e vërtetë në klasën tënde, ishte një pasuri njerëzore e madhe dhe e rrallë, një grimcë gëzimi që të falte shoqja jote, një shoqe fisnike dhe humane që vinte tek kënga shpirtin e saj të madh, një shoqe e veçantë që lëndohej për të gjitha plagët e atdheut dhe të njerëzve dhe intuitivisht e ndjente se melodia dhe tingujt mund të bëheshin një balsam për shpirtrat e shqetësuar. Artistja Vaçe, më së miri dëshmon atë që pat thënë Mikelanxhelo “Ruajeni atë zjarr që ndjeni brenda vetes, se ai jeni vetë ju.”

Ferdinand Deda, dirigjent : ”Ishte fat për ne njerëzit e artit, të kishim mes nesh një këngëtare si Vaçe Zela, për vokalin e saj të shkëlqyer në të gjitha komponentët. Kishte një forcë të madhe interpretative, që lidhej me shkallën e lartë të frymëzimit artistik. Përdorte një mjeshtëri të veçantë të kënduari, ku gjenin vend ngjyrime të shumta. Ishte njeri i thjeshtë dhe mjaft i dashur, por edhe e ashpër kur s’i përfilleshin kërkesat. Ishte tejkaluese në realizimin e qëllimit artistik për të çuar tek auditori pikërisht ato emocione që ngërthente kënga. Talenti, inteligjenca muzikore dhe intuita, kur unë drejtoja këngën e saj më krijonin një gjendje të tillë emocionale, sa nuk më vjen zor ta them, se më drithërohej trupi. Me Vaçen ishte kënaqësi të punoje.”

Leka Bungo, regjisor: “Vaçja për mua dhe për të gjithë ka qenë një artiste që ka bërë epokë. Ka qenë e madhe që kur ishte e vogël. Një këngëtare e madhe dhe një aktore e zonja. Interpretimi i saj ka qenë kupola e interpretimit.”

Mimoza Ahmeti, shkrimtare: “Personalisht për mua Vaçe Zela është burim zanor ekspresional i natyrës. Kësaj i shtoj edhe interpretimin e dlirë shpirtëror të këngëtares. Edhe pas kaq vitesh, kur dëgjoj Vaçe Zelën, ndiej po atë kënaqësi të veçantë, të palëkundshme, që vetëm ajo dhe zëri i saj të shkakton.”

Prof. Dr. Fatmir Hysi: “Ajo mbetet një shenjë e qartë e identiteti dhe kulturës shqiptare të kohës dhe për dekada të tëra do të jetë një pikë e rëndësishme referimi për nivelet e larta të kësaj kulture.”

Luan Zhegu, kantautor: ”Vaçja ishte e lindur si talent. Me punë u bë një këngëtare e veçantë në llojin e vet, një zë brilant. Ajo shpalosi prirjen e saj në një kohë kur mungonin mjetet auditive moderne. Vaçja këndoi gjithmonë “dal vivo”. Kjo mënyrë e të kënduarit i jepte vokalit të saj një amplitudë të madhe. Ishte e vendosur në përzgjedhjen e këngëve, në kërkesat artistike. Madje e sertë dhe në konflikt me “drejtuesit”, sa herë që ata nuk e kuptonin. Kishte nuhatje të dukshme për skenën, si vend i shenjtë. Vetveten, shikuesit i kishte mbi të gjitha. Kjo bëri që vokali i Vaçe Zelës të lartësohej në përmasat që kërkoi.”

Shqipe Zani, pedagoge e kantos: “Zëri i saj, brenda një shtrirje prej një oktavë e gjysmë, arrinte të shprehte një larushi të pafund jonesh e frazash me të cilat ajo mbështillte, si me një tis të hollë fluid vokali, ide, mendime të pafund, kaq të prekshme për dëgjuesin. Vaçja punonte si qëndistari me fjalën, frazën, përputhjen mes tyre. Mund të them pa mëdyshje që Vaçja kishte një interpretim brilant.”

Pavlina Nikaj, këngëtare: “Vaçja kishte një vokal të përsosur, për rrjedhojë edhe një interpretim të veçantë, perfekt, të cilin e vishte me një botë të madhe emocionale. Në agjendën e saj kishte një repertor të pasur, madje të larmishëm, që mund t’ia kishte zili çdo këngëtar: këngë popullore, këngë të muzikës së lehtë; ka kënduar baladën, romancën, në fillimet saj edhe këngën e huaj. Dhe, në të gjitha këto është treguar një mjeshtre e vërtetë. Si njeri, Vaçja ishte e dashur, vlerësuese përkundrejt simotrave të saj këngëtare, të cilat i respektonte. Si këngëtare ajo arriti një kulm. Për të gjitha këto cilësi, unë, si këngëtare e kam adhuruar Vaçen.”

Visar Zhiti, poet: ”Lushnja ishte qyteti i të ardhurve, i të përndjekurve dhe i të internuarve. Po të parafrazonim Pol Elyarin, Lushnja u bë kryeqytet i dhimbjes. Në këtë mjedis të dhimbjes rritet edhe Vaçja. Ajo me zërin e saj sikur u dha zë… të pazëve ! Ishte mahnitëse. U bë Afërdita e këngës moderne shqiptare duke mos iu ndarë kurrë rrufetë e frikshme zeusiane. Zëri i saj mund të quhet pjesë e lirisë së munguar.”

Prof. Dr. Aleksandër Peçi, kompozitor: “E dashur Vaçe, u çmallëm shumë duke ju parë, duke ju dëgjuar, duke kënduar e duke folur në atë mënyrën tuaj mjaft të ëmbël dhe emocionuese që ju ka karakterizuar gjithmonë. Ju thatë se ju mban gjallë dashuria jonë, ne themi se na jep jetë zëri juaj magjik, i papërsëritshëm, gjithçka që ju i dhatë këtij vendi e këtij populli.”

Lirim Deda, poet: “Ne vërtetë jemi një vend, ku ka thesare të gjithfarëllojshme nën e mbitokësore, por më i çmuar dhe më i përveçëm është thesari ynë shpirtëror e kulturor. Përse u dashka që të mos udhëtojë nëpër shpirtrat e kombeve të tjerë një filigran i florinjtë mëmëdhetar si Vaçe Zela, që pashëmbëllsisht me askënd tjetër dëfton shqiptarizmin si më shqiptarja në këngë e melodi.”

Ardit Gjebrea, kantautor: “Filloi kënga dhe unë u gozhdova i shtangur në kolltukun e platesë së Operas, duke ndjekur madhështinë e interpretimit të artistes sonë të madhe. Në një moment kulminant të këngës ndjeva që trupin ma përshkuan mornica dhe ishte hera e parë, që më ndodhte një gjë e tillë. Isha i magjepsur dhe në fund të këngës duartrokisja me gjithë fuqitë e mia dhe trupi vazhdonte të drithërohej nga emocionet që më kishte ngjallur zëri dhe çdo lëvizje e saj. Nuk mund ta harroj kurrë atë emocion dhe mbaj mend edhe vendin ku isha ulur atë natë, ku provova një emocion si të isha në dashurinë time të parë.”

Liliana Çavolli, këngëtare: “Zëri dhe interpretimi i Vaçe Zelës pasqyrojnë shpirtin, fisnikërinë, madje mund të them edhe karakterin e popullit tonë. Vaçe Zela është një institucion më vete.”

Dr. Sytki Bushati, mjek, mik i familjes: “Vaçja sikur lindi për të bashkuar në këngë tokësoren me hyjnoren. Gjithçka në harmoni. Kjo është Vaçja për mua dhe për të gjithë ata që e kanë njohur. Nuk di pse më erdhën në kujtesë ato vargjet e poetit popullor shkodran: “Perëndia të goditi, kusur nuk të pat lanë.”

Rikard Ljarja, aktor e regjisor: “Vaçe Zelën e kam njohur në vitin 1961. Kemi qenë bashkëstudentë në shkollën për aktorë. Kemi qenë në një klasë. Vaçja ka qenë një tip i jashtëzakonshëm sepse ishte e formuar si artiste në atë moment që erdhi në kursin tonë. Kanë kaluar vite, vite vite… Ajo nuk arriti të bëhej aktore sepse Zoti a natyra, i kishte dhënë një dhunti të jashtëzakonshme, një zë vërtet të jashtëzakonshëm. Po nuk është thjesht çështja e zërit. Vaçja kishte potencën fizike, mençurinë edhe zërin, dhe këto të gjitha i përdori në mënyrë të shkëlqyer dhe arriti të bëhej një figurë mbarëkombëtare e këngës. Ajo nuk ishte thjesht një këngëtare, vërtet nuk ishte thjesht këngëtare! Asaj i këndonte shpirti, i këndonte syri, floku, lëkura, gjestikulacioni. Ajo ishte gjithçka. Këto fenomene të natyrës lindin shumë rrallë. I qëlloi epoka e saj. Epoka e saj ka lënë gjurmë kaq të thella në kujtesën e gjithë shqiptarëve, të gjithë brezave, edhe të atyre që do vijnë më vonë. Unë do ta quaja fenomeni Vaçe Zela. Për shqiptarët kudo që janë ajo ishte “the voice“.

Mirush Kabashi, aktor: “Gjithmonë më tingëllon zëri i saj me një këngë të huaj që titullohej “Esperanca”. Pikërisht, kjo shpresë që Vaçja nuk e sillte nëpërmes përmbajtjes së këngës, por nëpërmjet interpretimit të këngës, nëpërmjet asaj të veçante të këngës së saj, ishte ajo që e bënte atë fenomen, që e bënte aq të kërkuar, që do ta bëjë atë gjithmonë si një ndër yjet më të mëdha të artit tonë, sepse Vaçja gjatë gjithë karrierës së saj artistike ngjalli te njerëzit vetëm ndjenjën e shpresës, po ndjenjën e shpresës në një sistem diktatorial. Ky është një atribut që vetëm një artiste e madhe e përmasave të Vaçe Zelës mund ta ngjallte.”

Nirvana Pistulli, poete: “Vaçja është një idhull, është një emër që nuk harrohet, është një zë që nuk mund të zëvendësohet, është një melodi e përjetshme, është një lule plot dritë në një kohë të zymtë, ushqim për shpirtra të etur. Ajo nuk i përket vetvetes, ajo i përket gjithë kombit.”

Nexhat A. Agolli, shkrimtar, autor i monografisë “Vaçe Zela – magjia e këngës shqiptare”: “Vaçe Zela ishte një yllësi që ndriçoi mendjen muzikore shqiptare për afër dyzet vjet radhazi me zërin e saj të ngrohtë dhe të gjithëpushtetshëm. Dy zëra në kohë të ndryshme të fenomenit Vaçe: në të parën adoleshente dhe, në të dytën, madhore. Mes tyre një periudhë e gjatë, e shtrirë në kohë dhe në hapësirë mes dy caqeve nga ku nisi dhe arriti zenitin këngëtarja jonë e shquar. Një lëvizje drejtvizore, e ngjashme me të atë Tokës rreth vetes dhe Diellit, por me një trajektore më të gjatë, do të thoja kozmike. Në kufirin e kësaj trajektoreje ne përjetuam zërin e saj të mahnitshëm.”

Besnik Dizdari, gazetar: “Kur flet për Vaçe Zelën të del përpara një rrugë gjigante dhe vihesh në vështirësi për të gjetur fjalët e duhura, për të përmbledhur rrufeshëm një jetë të tillë. Unë them vetëm kaq: Brezi ynë u rrit me këngën e Vaçes. Në shpirtin tonë të trazuar zëri i saj i rrallë, melodia që buron prej tij, përshkohet si një lloj elektrizimi që sjell vetëm forcë. Është një forcë shpirtërore që blaton një lloj rinimi të pashpjegueshëm, që ishte krejt në kundërshtim me atë realitet! Është e çuditshme se si ndodhte, që edhe atëherë kur përmbajtja e këngës nuk sinkronizohej me zërin e magjishëm dhe me melodiozitetin që buronte prej tij, ne emocionoheshim deri në skaj. Çuditërisht ndjeheshim më të fortë dhe nostalgjia që falte zëri shndërrohej në një optimizëm që sa vështirë ishte ta gjeje në Shqipërinë e asokohe. Ky është shërbimi i madh atdhetar i Vaçe Zeles ndaj shqiptarëve. Në të vërtetë, Vaçja na fal humanizëm, të cilin ne nuk ia kthyem me kurrgjë më tepër përveç se me duartrokitjet që thonë se janë shumë për artistin. Ndoshta…”

Hasan Huta, poet: “Moj Vaçe Zela e pavdekshme. Je pjesë e shpirtit të këtij populli, por veçanërisht e imja si artist, si krijues. Nuk mund ta konceptoj personalitetin tim pa atë timbrin e zërit tënd që oshtinte në qiejt e kohës duke më bërë të identifikohesha me atë klithmë pothuajse hyjnore për të qenë edhe vetë pjesë e magjisë së artit. Ashtu si energjia kozmike që përshkon materien e ngurtë edhe zëri i shpirtit tënd e përshkonte tejembanë sistemin inert të kohës duke ndriçuar si një vetëtimë në qiellin e errët shpirtin e njeriut shqiptar. Të uroj nga zemra shëndet dhe ndërgjegjësim të të qënit e pavdekshme jo vetëm për kombin tonë por për zërin njerëzor në përgjithësi.”

Violeta Librazhdi, mësuese, shoqe fëmijërie, autore e librit biografik “E papërsëritshmja Vaçe Zela”: “Kënga e saj çante muret e Teatrit të Operas dhe Baletit, kaptonte rrufeshëm fusha, bregore e male dhe futej në çdo shtëpi shqiptari brenda e jashtë kufirit. Njerëzit e thjeshtë ndoshta nuk e dinë se sa çmime të para ka marrë Vaçja. Por ato dinë më shumë, dinë që Vaçe Zela është një bijë e denjë e popullit të saj, që kudo dhe kurdoherë ka në zemër e në mendje Shqipërinë e shqiptarët. E kjo është mjaft për ta. Prandaj ajo meriton ngrohtësinë, dashurinë dhe urimin e thënë thjesht: “Të këndoftë zemra, të lumtë goja o Vaçja jonë e shtrenjtë!” Kjo është arsyeja që ne, shoqet e shokët e saj, kur mblidhemi bashkë ndër festa edhe kur ajo s’është, ngremë një gotë për të dhe na duket fort e goditur sentenca e latinëve “Shkëlqen me mungesën e saj.”/ KultPlus.com

Sot nis Festivali i Sanremos, ngjarja muzikore e ndjekur edhe nga shqiptarët

Sonte do të nisë edicioni i 74-të i Festivalit të Sanremos. Ngjarja më e madhe e muzikës italine, e ndjekur historikisht edhe nga publiku shqiptar, do të vijë përmes valëve të RTSH 2, ndërsa finalja e ditës së shtunë do të mund të ndiqet në RTSH 1.

Festivali i Sanremos transmetohet drejtpërdrejt nga teatri Ariston, nën drejtimin artistik të Amadeus, i cili do të prezantojë për herë të pestë këtë ngjarje muzikore.

Amadeus ka përzgjedhur edhe të tjera figura të njohura të botës së ekranit e spektaklit për ta mbështetur gjatë këtyre netëve si, fituesi i edicionit të kaluar, Marco Mengoni, apo figura e spektaklit italian, Fiorello.

Në mbrëmjen e parë do të performojnë 30 këngëtarë konkurrues me 30 këngë të pa publikuara . Shfaqjet do të votohen vetëm nga Juria e Sallës së Shtypit, TV dhe Web dhe do të përfshihen në një renditje ku në fund të mbrëmjes do të shpallen dhjetë vendet e para./ atsh / KultPlus.com

Liza Laska, artistja që u ngrit në piedestal me rolin e ‘plakës’ në filmin ‘Kthimi i Ushtrisë së Vdekur’

Sot janë bërë 98 vite nga lindja e aktores Liza Laska, shkruan KultPlus.

Liza Laska lindi më 6 shkurt të vitit 1926 në Vlorë, Shqipëri, është aktore shqiptare që mban titullin “Artiste e merituar”.

Shkollimin fillor e kreu në qytetin e lindjes. Ndërsa karrierën si aktore e nisi në Teatrin e Vlorës. Filmi i parë në të cilin mori pjesë ishte “Malet me blerim mbuluar” në 1971, projekt ky që i hapi rrugën e saj për shumë interpretime të tjera në ekran.

Roli i plakës tek ‘Kthimi i Ushtrisë së Vdekur’, ishte rol që e ngriti Liza Laskan në piedestalin e aktorëve më të çmuar shqiptarë. 

Filmat e luajtur prej saj: Një ditë e mrekullueshme (2002), Vdekja e burrit, (1991), Kthimi i ushtrisë së vdekur, (1989), Familja ime, (1987) …. Teta Kalina, Dhe vjen një ditë, (1986), Nëna e Llano Bletes, Gurët e shtëpisë sime (1985), Vendimi, (1984) si nëna, Dritat e qytezës, (1983), Në prag të lirisë, (1981), Plumba perandorit, (1980), Liri a vdekje, (1979), Gunat mbi tela, (1977), Lulekuqet mbi mure, (1976)…shërbyese e Strehes Vorfnore, Dimri i fundit, (1976), Shtigje lufte, (1974), Brazdat, (1973), Malet me blerim mbuluar, (1971).

Ajo vdiq më 31 gusht të vitit 2014 në moshën 88 vjeqare./ KultPlus.com

Monografia “Gazmend Zajmi – Një jetë për Kosovën” do të promovohet më 15 shkurt

Monografia “Gazmend Zajmi – Një jetë për Kosovën” nga autori, gazetari dhe publicistit Nuhi Bytyçi do të promovohet më datë 15 shkurt.

Në këtë libër, në mënyrë analitike, hulumtuese e shkencore është përfshirë e tërë veprimtaria dhe kontributi i intelektualit të përmasave botërore Akademik Prof. Dr. Gazmend Zajmit.

Promovimi i librit do të bëhet në librarinë “Dukagjini” në Prishtinë, në ora 18:00.  /KultPlus.com

Ndahet nga jeta dramaturgu shkodran, Albri Brahusha

Dramaturgu Albri Brahusha u nda nga jeta në moshën 50-vjeçare.

Bashkia e Shkodrës përcolli sot lajmin e trishtë për Shkodrën dhe botën e artit.

Kryetari i bashkisë Shkodër Benet Beci në emrin e tij personal dhe institucionit të Bashkisë i shprehu ngushëllimet më të sinqerta familjes Brahusha dhe komunitetit të artistëve për këtë ndarje para kohe.

Albri Brahusha lindi në Shkodër në vitin 1973.

Në vitin 1996 kreu studimet e larta për drejtësi në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”.

Ai ka qenë jurist pranë Insitucionit të Prefektit në vitin 1997-1999, shef i zyrës juridike të Prefekturës në vitin 2000, Drejtor i Drejtorisë së Koordinimit te Politikave Rinore pranë Ministrisë së Kulturës nga viti 2000-2003.

Në vitin 2014 – 2015 u emërua përgjegjës i zyrës së programeve të zhvillimit pranë Drejtorisë Arsimore Shkodër.

Në fushën artistike ai është autor i disa librave dhe botues i revistës ” G&G”, ndërkohë që është autor i veprave teatrale të vëna në skenën e Teatrit “Migjeni” : “Përrallat gënjejnë”, me regji të Serafin Fankos, “Vizita e fundit”, “Ishulli i Shitenit”, “Drejt perëndimit”,” Përtej kufijve të pushtetit”, “Eldorado” me regji nga Fatbardh Smaja e Spiro Duni, të cilat u vlerësuan me shumë çmime kombëtare dhe ndërkombëtare. / atsh / KultPlus.com

44 vite më parë vdiq legjenda e muzikës, Bob Marley

Kantautori, Bob Marley, nga Xhamajka, i cili themeloi dhe bëri të njohur dhe të dashur muzikën ‘reggae’ në të gjithë planetin, më 8 tetor në vitin 1980, u rrëzua në skenë gjatë koncertit të tij dhe u dërgua me urgjencë në spital. Atje ai u diagnostikua me një tumor në tru.

Në korrik 1977, Marley kishte ndjerë siklet në gishtin e këmbës dhe pas testeve ishte diagnostikuar me melanoma malinje. Mjekët e këshilluan që të vazhdonte me një amputim për t’i shpëtuar jetën, por bindjet e tij nuk e lejuan atë. Kanceri mori metastaza të shpejta në të gjitha organet e tij vitale dhe kështu kur vendosi të pranonte mjekimin nga mjeku ishte tepër vonë dhe si pasojë, disa muaj pasi u shtrua në spital në vitin 1980, ai ndërroi jetë, duke kaluar përgjithmonë në përjetësi dhe duke qëndruar gjithmonë “gjallë” përmes trashëgimisë muzikore që la pas.

Teorinë e vrasjes nga CIA e kanë hedhur edhe reperët e njohur T.I dhe Busta Rhymes dhe shkrimet e tyre në rrjetet sociale kanë patur shumë komente. Madje ndjekësit mendojnë se Marley u vra pas kritikave që bënte për CIA-n. / KultPlus.com

Autobusët e Trafikut Urban me Wi-Fi falas, Maraj: 30 autobusët e rinj vijnë brenda vitit

Të martën është bërë lëshimi i Wi-Fi-së në autobusët e Trafikut Urban në Prishtinë, duke iu mundësuar udhëtarëve të shfrytëzojnë falas shërbimet e internetit.

Kryeshefi Ekzekutiv i kësaj ndërmarrje, Burim Maraj, në një deklarim për media tha se kostoja e këtij shërbimi është 2 mijë e 500 euro në muaj, ndërsa theksoi se kjo është iniciativë për ta bërë sa më atraktiv transportin publik.

“Kjo pasi mendoj se transporti publik duhet të jetë mjet i transportit që na ndihmon të gjithëve të kemi një qytet të pastër. Po ashtu, kjo do të ndikojë në mirëqenien ekonomike të të gjithë qytetarëve”, u shpreh Maraj.

Ai shtoi se ky lajm është pritur mirë nga udhëtarët.

“Sot të gjitha shtresat e qytetarëve mund ta shfrytëzojnë Trafikun Urban për transport e me të edhe internetin pa pagesë. Është diçka që është pritur shumë mirë kur e kemi dhënë lajmin vitin e kaluar. Ta gëzojmë të gjithë”.

Maraj po ashtu përmendi flotën prej 30 autobusëve të rinj, të cilët tha se shpreson që të vijnë deri në fund të këtij viti.

“Shpresoj që autobusët e rinj të vijnë deri në vitin 2024. Jam I angazhuar që ky proces të përshpejtohet edhe në fund të vitit të kemi flotën e 81 autobusëve. Pra 51 autobusëve që i kemi të i shtohen edhe 30 autobusë të rinj e në këtë mënyrë të kemi mundësi të ofrojmë shërbime më të mira për të gjithë qytetarët”.

“Kemi fëmijë dhe të moshuar që e përdorin autobusin tonë. Ne kemi filluar bashkëpunimin edhe me ndërmarrje të mëdha që për punëtorët e tyre të kemi lehtësira dhe ata të shfrytëzojnë transportin publik si mjet për hyrje-dalje nga qyteti”, deklaroi ai. / KultPlus.com

17 vite më parë vdiq aktori i madh shqiptar Kadri Roshi

Lindi më 4 janar 1924 në Ballsh të Mallakastrës, i biri i Maksut dhe Sabrie Roshit, me prejardhje nga Libohova. E ëma i vdiq kur ishte 2 vjeç dhe më pas kur ishte 12 vjeç i vdiq edhe i ati .

Përfundoi studimet e larta në Zagreb të Kroacisë. Ai, e filloi karrierën e tij si praktikant, pastaj si aktor në Teatrin Popullor në moshën 21-vjeçare duke qenë një ndër krijuesit e këtij teatri.

Që nga ajo kohë dhe deri sot ai numëron rreth 180 role në skenë dhe kinematografi, të cilat përbëjnë një jetë të madhe artistike, ku ndërthuren vështirësitë e një jete prej jetimi, çiraku, portieri kinemaje dhe deri tek aktori origjinal me portretin e njeriut të fisëm. Në krah ka pasur gjatë gjithë kohës aktorët e brezit të tij Drita Pelingu, Violeta Manushi, Tinka Kurti, Reshat Arbana, Marika Kallamata, etj.

Nga shumëkush është konsideruar si legjenda e skenës dhe ekranit shqiptar. Ai ka qënë një aktor brilant dhe me një talent të lindur.

Në vitin 1995 është nderuar me Çmimin e Karrierës në Festivalin e Filmit Artistik, në vitin 1997 me Çmimin e Madh të Nderit. Ai është “Nderi i Kombit” nga viti 1999. Emri i Kadri Roshit është një kolos për filmin dhe teatrin shqiptar, ku ai la figura të spikatura që nuk do të harrohen kurrë.

Filmat në të cilat mori pjesë janë: Kolonel Bunker (1998), Kaskadori shqiptar (1998), Mirupafshim (1997), Ali Pash Tepelena (1997), Tingujt e harresës (1996), Plumbi prej plasteline (1995), Ditët e shkurtra (1995), Një ditë nga një jetë (1994), Dhelpra dhe rrushte, Vdekja e burrit (1991), Fletë të bardha (1990), Misioni përtej detit (1988), Pesha e kohës (1988), Rikonstruksioni (1988), Kur ndahesh nga shokët (1986), Rrethimi i vogël (1986), Dasma e shtyrë (1984), Fejesa e Blertës (1984), Apasionata (1983), Era e ngrohtë e thellësive (1982), Dëshmorët e monumenteve (1980), Partizani i vogël Velo (1980), Ballë për ballë (1979), Këshilltarët (1979), Liri a vdekje (1979), Gjeneral gramafoni (1978), Njeriu me top (1977), Shëmbja e idhujve (1977), Fije që priten (1976), Lulekuqet mbi mure (1976), Përballimi (1976), Tokë e përgjakur (1976), Kur zbardhi një ditë (1971), Malet me blerim mbuluar (1971), I teti ne bronz (1970), Tana (1958).

 Ai vdiq më 6 shkurt të vitit 2007 në Tiranë./ KultPlus.com

Shkodra, qyteti që i feston karnavalet që prej 1860-ës

DRTK Shkodër në rubrikën e saj Amarcord, publikoi në rrjetet sociale një foto të hershme nga festimi i karnavaleve prej komunitetit të krishterë, në këtë qytet.

Qyteti që e ka festuar më herët Karnavalen është Shkodra. Fesimet e para i përkasin gjysmës së dytë të shekullit të XIX, saktësisht vitit 1860, duke krijuar një traditë solide që vazhdoi deri në vitin 1946, ku për shkak të regjimit komunist, u ndalua së festuari për t’u rikthyer sërish si traditë pas viteve `90.

Megjithëse mendohet të ketë origjinë pagane, në qytetërimin e krishterë perëndimor, festa e Karnevaleve njihet si festë fetare. Vetë emri i saj, në latinisht, nënkupton privimin nga ushqyerja me mish (carnem-levamen ose levare) në 40 ditët që i paraprijnë Pashkëve. Për këtë arsye, nuk ka një datë të caktuar për fillimin e festimeve pasi ajo ndryshon nga viti në vit, sipas Pashkëve.

Karnavalet njihen edhe për ironizimin që i bëjnë fenomeneve të pakëndshëm shoqërore dhe nga ana tjetër Shkodra ka primatin e humorit intelektual, goditës dhe therrës. Kjo është një nga arsyet që Karnavalet për shkodranët njihen si “festa e syrretënve” të cilat kanë gjetur një terren të përshtatshëm për të hedhur rrënjë e për të lulëzuar në këtë qytet, ku festohen më bukur se kudo. / atsh / KultPlus.com

10 vite nga vdekja e të papërsëritshmes, Vaçe Zelës

Vaçe Zela (7 prill 1939, Lushnjë – 6 shkurt 2014, Bazel) ishte një këngëtare ikonë e skenës shqiptare.

Ajo e filloi karrierën në moshë të re dhe në vitin 1962 ishte e para që fitoi Festivalin e Këngës. Me këngën “Fëmija i parë”, ajo dëshmoi se një idhull i muzikës po lindte atë mbrëmje të 26 dhjetorit të vitit 1962. Repertori i saj është shumë i pasur; numërohen me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada, etj. Ajo ka një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit, ku ka interpretuar shumë këngë si pjesë e muzikës së filmave.

Fituese 12 herë e festivalit, Vaçja fitoi famë gjatë epokës komuniste dhe iu dha titulli “Artist i Merituar” në vitin 1973 dhe “Artist i Popullit” në vitin 1977. Vaçe Zela është larguar përfundimisht prej skenës në vitin 1992. Ajo ishte e martuar me Pjetër Rodiqin dhe së bashku ata kanë vajzën Irma. Që nga viti 2002 Zela ka jetuar me burrin e saj në Bazel të Zvicrës, për të marrë kujdes më të mirë shëndetësor.

Ajo është nderuar me Urdhrin “Nderi i Kombit” më 24 dhjetor 2002 nga presidenti Alfred Moisiu me arsyen: “Për vlerat e rralla si Artiste e Shquar, me popullaritet të jashtëzakonshëm, për interpretimin mjeshtëror të këngës së muzikës së lehtë dhe asaj popullore, për pasurinë e vyer që krijoi në shkollën shqiptare të interpretimit muzikor.“

Për nder të këngëtares, viti 2009 u shpall nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si “Viti Vaçe Zela”. / KultPlus.com

Vullneti për t’i arritur qëllimet s’ka moshë, 95 vjeçari mbaron universitetin

Një burrë 95-vjeçar është bërë i diplomuari më i vjetër në një universitet – dhe po shqyrton një kurs tjetër. Psikiatri në pension David Marjot është diplomuar në Universitetin Kingston me një master në Filozofinë Moderne Evropiane.

Ai përfundoi studimet e tij të fundit 72 vjet pasi u kualifikua fillimisht si mjek. Dr Marjot, nga Weybridge, Surrey, tani është duke menduar për një doktoraturë me kohë të pjesshme, e cila mund të përfundojë deri sa të mbushë moshën 102 vjeç.

Ai tha se diploma e tij ishte “punë e vështirë” pasi “kujtesa ime nuk ishte ajo që ishte”.

Duke ofruar këshilla për ata që mendojnë të rihyjnë në arsim pas dekadash larg, ai tha: “Është pak kumar, por gjëja kryesore është nëse jeni të interesuar, atëherë mund ta arrini”.

“Isha me fat që kisha mësues të klasit botëror dhe ishte një përvojë shumë pozitive. “Unë mendoj se është e rëndësishme që gjithmonë të vazhdoni të sfidoni veten edhe kur rriteni”, tha ai, raporton BBC. / KultPlus.com