17 vite më parë vdiq aktori i madh shqiptar Kadri Roshi

Lindi më 4 janar 1924 në Ballsh të Mallakastrës, i biri i Maksut dhe Sabrie Roshit, me prejardhje nga Libohova. E ëma i vdiq kur ishte 2 vjeç dhe më pas kur ishte 12 vjeç i vdiq edhe i ati .

Përfundoi studimet e larta në Zagreb të Kroacisë. Ai, e filloi karrierën e tij si praktikant, pastaj si aktor në Teatrin Popullor në moshën 21-vjeçare duke qenë një ndër krijuesit e këtij teatri.

Që nga ajo kohë dhe deri sot ai numëron rreth 180 role në skenë dhe kinematografi, të cilat përbëjnë një jetë të madhe artistike, ku ndërthuren vështirësitë e një jete prej jetimi, çiraku, portieri kinemaje dhe deri tek aktori origjinal me portretin e njeriut të fisëm. Në krah ka pasur gjatë gjithë kohës aktorët e brezit të tij Drita Pelingu, Violeta Manushi, Tinka Kurti, Reshat Arbana, Marika Kallamata, etj.

Nga shumëkush është konsideruar si legjenda e skenës dhe ekranit shqiptar. Ai ka qënë një aktor brilant dhe me një talent të lindur.

Në vitin 1995 është nderuar me Çmimin e Karrierës në Festivalin e Filmit Artistik, në vitin 1997 me Çmimin e Madh të Nderit. Ai është “Nderi i Kombit” nga viti 1999. Emri i Kadri Roshit është një kolos për filmin dhe teatrin shqiptar, ku ai la figura të spikatura që nuk do të harrohen kurrë.

Filmat në të cilat mori pjesë janë: Kolonel Bunker (1998), Kaskadori shqiptar (1998), Mirupafshim (1997), Ali Pash Tepelena (1997), Tingujt e harresës (1996), Plumbi prej plasteline (1995), Ditët e shkurtra (1995), Një ditë nga një jetë (1994), Dhelpra dhe rrushte, Vdekja e burrit (1991), Fletë të bardha (1990), Misioni përtej detit (1988), Pesha e kohës (1988), Rikonstruksioni (1988), Kur ndahesh nga shokët (1986), Rrethimi i vogël (1986), Dasma e shtyrë (1984), Fejesa e Blertës (1984), Apasionata (1983), Era e ngrohtë e thellësive (1982), Dëshmorët e monumenteve (1980), Partizani i vogël Velo (1980), Ballë për ballë (1979), Këshilltarët (1979), Liri a vdekje (1979), Gjeneral gramafoni (1978), Njeriu me top (1977), Shëmbja e idhujve (1977), Fije që priten (1976), Lulekuqet mbi mure (1976), Përballimi (1976), Tokë e përgjakur (1976), Kur zbardhi një ditë (1971), Malet me blerim mbuluar (1971), I teti ne bronz (1970), Tana (1958).

 Ai vdiq më 6 shkurt të vitit 2007 në Tiranë./ KultPlus.com

Shkodra, qyteti që i feston karnavalet që prej 1860-ës

DRTK Shkodër në rubrikën e saj Amarcord, publikoi në rrjetet sociale një foto të hershme nga festimi i karnavaleve prej komunitetit të krishterë, në këtë qytet.

Qyteti që e ka festuar më herët Karnavalen është Shkodra. Fesimet e para i përkasin gjysmës së dytë të shekullit të XIX, saktësisht vitit 1860, duke krijuar një traditë solide që vazhdoi deri në vitin 1946, ku për shkak të regjimit komunist, u ndalua së festuari për t’u rikthyer sërish si traditë pas viteve `90.

Megjithëse mendohet të ketë origjinë pagane, në qytetërimin e krishterë perëndimor, festa e Karnevaleve njihet si festë fetare. Vetë emri i saj, në latinisht, nënkupton privimin nga ushqyerja me mish (carnem-levamen ose levare) në 40 ditët që i paraprijnë Pashkëve. Për këtë arsye, nuk ka një datë të caktuar për fillimin e festimeve pasi ajo ndryshon nga viti në vit, sipas Pashkëve.

Karnavalet njihen edhe për ironizimin që i bëjnë fenomeneve të pakëndshëm shoqërore dhe nga ana tjetër Shkodra ka primatin e humorit intelektual, goditës dhe therrës. Kjo është një nga arsyet që Karnavalet për shkodranët njihen si “festa e syrretënve” të cilat kanë gjetur një terren të përshtatshëm për të hedhur rrënjë e për të lulëzuar në këtë qytet, ku festohen më bukur se kudo. / atsh / KultPlus.com

10 vite nga vdekja e të papërsëritshmes, Vaçe Zelës

Vaçe Zela (7 prill 1939, Lushnjë – 6 shkurt 2014, Bazel) ishte një këngëtare ikonë e skenës shqiptare.

Ajo e filloi karrierën në moshë të re dhe në vitin 1962 ishte e para që fitoi Festivalin e Këngës. Me këngën “Fëmija i parë”, ajo dëshmoi se një idhull i muzikës po lindte atë mbrëmje të 26 dhjetorit të vitit 1962. Repertori i saj është shumë i pasur; numërohen me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada, etj. Ajo ka një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit, ku ka interpretuar shumë këngë si pjesë e muzikës së filmave.

Fituese 12 herë e festivalit, Vaçja fitoi famë gjatë epokës komuniste dhe iu dha titulli “Artist i Merituar” në vitin 1973 dhe “Artist i Popullit” në vitin 1977. Vaçe Zela është larguar përfundimisht prej skenës në vitin 1992. Ajo ishte e martuar me Pjetër Rodiqin dhe së bashku ata kanë vajzën Irma. Që nga viti 2002 Zela ka jetuar me burrin e saj në Bazel të Zvicrës, për të marrë kujdes më të mirë shëndetësor.

Ajo është nderuar me Urdhrin “Nderi i Kombit” më 24 dhjetor 2002 nga presidenti Alfred Moisiu me arsyen: “Për vlerat e rralla si Artiste e Shquar, me popullaritet të jashtëzakonshëm, për interpretimin mjeshtëror të këngës së muzikës së lehtë dhe asaj popullore, për pasurinë e vyer që krijoi në shkollën shqiptare të interpretimit muzikor.“

Për nder të këngëtares, viti 2009 u shpall nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si “Viti Vaçe Zela”. / KultPlus.com

Vullneti për t’i arritur qëllimet s’ka moshë, 95 vjeçari mbaron universitetin

Një burrë 95-vjeçar është bërë i diplomuari më i vjetër në një universitet – dhe po shqyrton një kurs tjetër. Psikiatri në pension David Marjot është diplomuar në Universitetin Kingston me një master në Filozofinë Moderne Evropiane.

Ai përfundoi studimet e tij të fundit 72 vjet pasi u kualifikua fillimisht si mjek. Dr Marjot, nga Weybridge, Surrey, tani është duke menduar për një doktoraturë me kohë të pjesshme, e cila mund të përfundojë deri sa të mbushë moshën 102 vjeç.

Ai tha se diploma e tij ishte “punë e vështirë” pasi “kujtesa ime nuk ishte ajo që ishte”.

Duke ofruar këshilla për ata që mendojnë të rihyjnë në arsim pas dekadash larg, ai tha: “Është pak kumar, por gjëja kryesore është nëse jeni të interesuar, atëherë mund ta arrini”.

“Isha me fat që kisha mësues të klasit botëror dhe ishte një përvojë shumë pozitive. “Unë mendoj se është e rëndësishme që gjithmonë të vazhdoni të sfidoni veten edhe kur rriteni”, tha ai, raporton BBC. / KultPlus.com

25 vjet nga Konferenca e Rambujesë

25 vjet më parë, në kështjellën e Rambujesë u diskutua për fatin e Kosovës.

16 përfaqësuesit nga Prishtina udhëtuan drejt vendit në afërsi të Parisit, për të negociuar për herë të parë me palën serbe, me ndërmjetësimin e grupit të kontaktit.

Delegacioni kosovar përbëhej nga anëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lëvizjes së Bashkuar Demokratike dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që nuk shkonin mirë në mes veti.

Por, rrugës pengesat për pjesëtarët e UÇK-së, ishin të mëdha.

Më 5 shkurt autoritetet serbe nuk lejuan që kosovarët të nisen nga aeroporti i Prishtinës. Ky udhëtim u realizua më 6 shkurt të vitit 1999.

Në fakt, atë ditë arritja e përfaqësuesve të UÇK-së, tek dy avionët që bartnin delegacionin kosovar, ishte në pikëpyetje, njofton Klan Kosova.

Megjithatë ekipi u kompletua, ani se qëndrimet brenda tij nuk ishin të njëjta.

16 burrat që kishin në dorë fatin e vendit të tyre, kishin qasje të ndryshme sa i përket procesit.

Pala kosovare pranoi marrëveshjen e propozuar në Rambuje, por jo edhe ajo serbe.

Tashmë, radha ishte që ndërhyrja e NATO-s, të sillte lirinë aq shumë të pritur në Kosovë./KlanKosova/KultPlus.com

Askush përveç vetës sonë nuk mund të na lirojë mendjen

Thënie nga Bob Marley

“E vërteta është se çdo njeri do t’ju lëndojë; ju thjesht duhet ta gjeni personin për të cilin ia vlen të vuani”

– “Madhështia e njeriut nuk qëndron në atë se sa pasuri ka, por në integritetin dhe aftësinë për të ndikuar pozitivisht te njerëzit rreth tij”

– “Disa njerëz e ndjejnë shiun, tjerët vetëm lagen”

– “Hapi sytë, shiko brenda teje. A je i/e kënaqur me jetën që je duke e jetuar?”

– “Askush përveç vetës sonë nuk mund të na lirojë mendjen”

– “Çdo njeri e ka të drejtën ta caktojë fatin e vet’

– “Njeriu është univers brenda vetvetes”

– “Asnjëherë nuk e dini sa të fortë jeni derisa të qenit të fortë është zgjedhja juaj e vetme”

– “Ditën që ndaloni së garuari është dita kur e fitoni garën”.

– “Një gjë e mirë rreth muzikës është se kur ju godet, ju nuk ndjeni dhimbje”./KultPlus.com

Ansambli ‘Shota’ për vdekjen e kryevalltares shqiptare: Ndjenjat e trishtimit mbushën zemrat tona

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe i Valleve “Shota”, ka shprehur ngushëllime me rastin e vdekjes së kryevalltares shqiptare Liljana Cingu, shkruan KultPlus.

Ansambli Shota përmes një shkrimi në facebook ka thënë se vallëzimi i saj, ndër vite shpalosi fuqinë që prekte shpirtin dhe frymëzonte brezat.

“Ndjenjat e trishtimit mbushën zemrat tona me lajmin e humbjes të ikonës së valles shqiptare, të madhes Liliana Cingu, Lili.

Vallëzimi i saj, shpalosi fuqinë që prekte shpirtin dhe frymëzonte brezat. Një ndjenjë humbjeje e thellë për kulturën dhe artin shqiptar.

Ne artistët e AKKV “Shota” ndajmë dhimbjen dhe ngushëllojmë familjen, miqtë dhe kolegët e saj në këtë moment të vështirë.

U prehtë në paqe, Lili!”, është thënë përmes një shkrimi në Facebook nga Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Shota”/  KultPlus.com

Kur Liljana Cingu vallëzonte ‘Shotën’ (VIDEO)

Sot ka vdekur Mbretëresha e valles shqiptare, Liljana Cingu, shkruan Kult Plus.

Ajo ishte imazhi i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, që gjatë karrierës së saj u dha jetë më shumë se 200 valleve të ndryshme.

 ‘Mjeshtrja e madhe’ dhe  ‘Nderi i Kombit’ ishin tituj me të cilët shteti shqiptar e kishte nderuar Mbretëreshën e valles shqipe.

Më poshtë KultPlus ju sjell një një vallëzim të Cingut me vallen më të njohur në Kosovë, “Shota”/KultPlus.com

Filharmonia anulon koncertin e paraparë të mbahej më 10 shkurt

Filharmonia e Kosovës ka njoftuar së koncerti i paraparë për datën 10 shkurt do të shtyhet për një datë tjetër, për shkak të rendimit të gjendjes shëndetësore të dirigjentit Gregory Charette.

Filhamonia i ka shprehur keqardhje audiencës për këtë ndryshim të papritur.

Të dashur zonja dhe zotërinj, publik i nderuar,

Me keqardhje ju informojmë se koncerti i datës 10 shkurt 2024, i paraparë të mbahet në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit, prej orës 20:00, do të shtyhet për një datë tjetër. Kjo për shkak të rëndimit të gjendjes shëndetësore të dirigjentit Gregory Charette. Duke i uruar shërim të shpejtë dirigjentit Charette, me të cilin orkestra pret të bashkëpunojë në të ardhmen e afërt, ju falenderojmë për mirëkuptimin.

Koncerti i ardhshëm i Korit dhe Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës do të mbahet më 17 shkurt 2024, prej orës 20:00, në sallën AMC (Mazgit- Obiliq, Magjistralja Prishtinë – Mitrovicë). Linku për rezervimin e vendeve do të publikohet më 7 shkurt 2024./KultPlus.com

TKK me produksione edhe në Diasporë, komedia ‘Club Albania’ jepet në Zagreb

Teatri Kombëtar i Kosovës ka njoftuar se gjatë vitit 2024  do të filloj të shfaq produksionet e institucionit edhe për diasporën shqiptare, shkruan KultPlus.

TKK përmes një njoftimi ka bërë të ditur se produksionet do të shfaqen në vendet ku jeton diaspora në bashkëpunim me shoqata e organizma të ndryshme të diasporës.

“E fillojmë me ftesën e Unionit të Shqiptareve ne Republiken e Kroacisë, ku me 14 shkurt 2024 në ora 19:00 në Zagreb do të shfaqim komedinë “Club Albania”, ka njoftuar TKK./KultPlus.com

MINT: Konsumatorët mund të ndërpresin kontratat nëse ndryshojnë shërbimet e rrjetit kabllor

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë pas shqyrtimit të qindra ankesave të konsumatorëve lidhur me shërbimet e rrjetit kabllor, ka marr vendim me të cilin ka obliguar operatorët kabllor që të largojnë kushtet e padrejta në kontratë, duke iu lejuar konsumatorëve të drejtën për shkëputje të kontratës, nëse operatori nuk ka arritur të përmbush obligimet sipas kontratës.

MINT- sipas një njoftimi për media ka bërë të ditur se detyrimi që iu është vënë konsumatorëve me rastin e lidhjes së kontratës për të paguar pjesën e mbetur të kontratës edhe nëse ka ndryshuar përmbajtja e shërbimit/ kanaleve, është në kundërshtim të Ligjit  për Mbrojtjen e Konsumatorit nr. 06/L-034.

Më poshtë gjeni lajmërimine plotë të MINT në facebook:

Njoftim me rëndësi:

MINT nxjerr vendim për shkëputje të kontratës së konsumatorëve me operatorët kabllorë

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ( MINT), përmes Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut ( IQMT), pas shqyrtimit të qindra ankesave të konsumatorëve që ka pranuar Departamenti i Mbrojtjes së Konsumatorit, lidhur me shërbimet e rrjetit kabllor, ka nxjerrë vendim me të cilin ka obliguar operatorët kabllor që të largojnë kushtet e padrejta në kontratë, duke iu lejuar konsumatorëve të drejtën për shkëputje të kontratës, nëse operatori nuk ka arritur të përmbush obligimet sipas kontratës.

Detyrimi që iu është vënë konsumatorëve me rastin e lidhjes së kontratës për të paguar pjesën e mbetur të kontratës edhe nëse ka ndryshuar përmbajtja e shërbimit/ kanaleve, është në kundërshtim me nenin 72, paragrafi 1, nën paragrafi 1.15 i Ligjit nr. 06/L-034 për Mbrojtjen e Konsumatorit, ku specifikohet që “Kushtet të cilat konsiderohen si të padrejta janë ato kushte të cilat kanë qëllimin apo efektin e: Detyrimit të konsumatorit që të përmbushë të gjitha detyrimet e tij kur shitësi ose furnizuesi nuk i përmbush obligimet e tij”.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë mbetet e përkushtuar për mbrojtjen e të drejtave të të gjithë konsumatorëve, prandaj me këtë rast i falënderon për besimin që ata tregojnë, duke i dërguar të gjitha ankesat e tyre pranë Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit në kuadër të MINT, për shqyrtim të mëtejmë nga Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut dhe institucionet tjera përgjegjëse, me trajtimin me kujdes të secilës ankesë që vjen nga qytetarët, përkatësisht konsumatorët./ KultPlus.com

Rama për vdekjen e Lili Cingut: Ikja e saj la të zbrazur fronin e mbretëreshës së valles shqiptare

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka shprehur ngushëllime me rastin e vdekjes së imazhit të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore Lili Cingu, shkruan KultPlus.

Kryeministri Rama ka thënë se vdekja e Lili Cingut ka lënë të zbrazur fronin e mbretëreshës së valles shqiptare.

“LAMTUMIRË

Ikja e Lili Cingut lë zbrazur fronin e mbretëreshës së valles shqiptare🦅

U prehtë në paqe🙏”, ka deklaruar Rama përmes një shkrimi në facebook/KultPlus.com

Vdes Mbretëresha e Valles Shqiptare, Lili Cingu

Sot ka vdekur imazhi i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore Liljana Cingu, shkruan KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur Teatri Kombetar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor përmes një njoftimi në facebook.

“Për vite me radhë, ajo ishte imazhi i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, duke u dhënë jetë më shumë se 200 valleve të kërcyera prej saj.

Lili Cingu i përket asaj plejade artistësh, që e ngjitën vallen shqipe në skenat më të mëdha të botës, duke treguar një Shqipëri tjetër, me kulturë dhe folklor të pasur.

Sallës së provave të Ansamblit do t’i mungojë hapi i saj i lehtë, dhe fjala e saj e ëmbël.

Por kjo ikje është vetëm fizike, sepse emri i saj do të jetojë bashkë me Ansamblin, e kudo që të kërcehet vallja shqipe, do të jetë edhe kujtimi i Lili Cingut me publikun që aq shumë e deshi dhe e vlerësoi, ka njoftuar TKOB përmes një komunikate./KultPlus.com

Policia shqiptare përdorë dhunë ndaj ekipit të shfaqjes ‘The Handke Project’

Një pjesë e ekipit të shfaqjes ‘The Handke Project’ është sulmuar mbrëmë në Kukës nga policia e shtetit shqiptar derisa po ktheheshin në Kosovë nga qyteti i Firenzes, shkruan KultPlus.

Dramaturgu Jeton Neziraj, përmes një postimi në facebook, ka njoftuar se policia e shtetit shqiptar kishte mbajtur ekipin për mbi 10 orë sipas tij me dhunë e terror, fillimisht në oborrin e stacionit policor në Kukës, e më pastaj në Drejtorinë Vendore të Policisë në Tiranë.

Më poshtë është njoftimi i plotë i dramaturgut Neziri:

Artistët nga Kosova bëhen subjekt i dhunës policore në Shqipëri

Mbrëmë vonë u kthyem nga Firenze, ku e kishim luajtur shfaqjen tonë “The Handke Project”. Përgjatë rrugës për në Kosovë nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës “Nënë Tereza”, një pjesë e ekipit të shfaqjes jemi ndaluar në Kukës, ku jemi mbajtur me dhunë e terrorizuar nga policia e shtetit shqiptar.

U mbajtëm për mbi 10 orë, fillimisht në oborrin e stacionit policor në Kukës, e më pastaj në Drejtorinë Vendore të Policisë në Tiranë. Përfundimisht, u lamë të lirë mëngjesin e sotshëm, pasi u sqarua se ishim arrestuar e mbajtur gabimisht.

Megjithatë e ndiejmë të nevojshme t’ju informojmë se gjatë kësaj aventure jo të këndshme, megjithëse kemi takuar e njohur punonjës policie të zellshëm, të sjellshëm, profesionalë e dashamirës, pamja e përgjithshme e Policisë së Shqipërisë është ajo e një ngrehine dhune të normatizuar. Gjatë këtyre rreth dhjetë orëve kemi qenë pre e një terrori sistematik, kemi qenë të sulmuar fizikisht e psiqikisht nga vagabondë të veshur në uniforma policore. Për një kohë kaq të shkurtër disa-orëshe kemi parë e ndeshur një botë njerëzish që objektivë të parë kanë poshtërimin e uljen e dinjitetit të tjetrit; Që gjuhen seksiste, dhunën psiqike, shakatë pa kripë e kërcënimet i kanë kryefjalë të punës e sjelljeve të tyre. Ne thjesht, ndihemi të turpëruar për sjelljet dhe veprat e tyre. Ndërkohë, atyre qe janë sjellur njerëzisht me ne, u themi faleminderit. Duam të besojmë që këta janë policia e vërtetë e shtetit shqiptar.

U themi faleminderit edhe miqëve, kolegëve, përfaqësuesve të institucionev në Kosovë e Shqipëri dhe të gjithë atyre që janë shqetësuar e kanë bërë telefonata per të na kthyer në Kosovë sa më parë dhe krenarë, ashtu siç po ktheheshim nga Firence e Italisë, ku ishim dhe e shfaqëm me sukses shfaqjen ‘The Handke Project’ në Teatro di Rifredi atje.

Ekipi i shfaqjes The Handke Project./ KultPlus.com

‘Kamarja e turpit’, TKK fillon provat e shfaqjes së radhës me veprën e Kadaresë

Teatri Kombëtar i Kosovës ka filluar provat e shfaqjes “Kamarja e turpit” e cila vjen me regjinë e Kushtrim Koliqit, shkruan KultPlus.

Aktorët të cilët do të luajnë në këtë shfaqje janë: Adrian Morina, Armend Smajli, Gresa Pallaska, Ylber Bardhi, Bislim Muçaj, Teuta Krasniqi, Kosovare Krasniqi, Zana Berisha, Art Pasha, Fiona Abdullahu, Florenta Bajraktari, Jehona Gashi, Redon Kika.

 Stafi tjetër i shfaqjes është si në vijim:

Dramatizimi dhe adaptimi: Doruntina Basha

Ass. Regjie: Elif Bas lyibozkurt, Qëndresa Spahiu, Diellza Dedushi, Ardijana Mehmeti

Kompozitor: Adhurim Grezda

Skenograf: Bekim Korça

Kostumografe: Yllka Brada

Koreografe: Erna Salihu

Video Artist: Miran Bratush

Inspicient: Mursel Haziri

“Perandoria Osmane po dobësohet, e në sheshin kryesor të kryeqytetit të saj është vendosur kamarja e turpit, për t’i ekspozuar kokat e tradhëtarëve. Për ta ruajtur pushtetin, perandoria do të bëj çmos për të kapur kokën e Ali Pashë Tepelenës, i cili, i ngujuar në kalanë e vet, po pret përgjigje nga trojet shqiptare për të luftuar perandorinë”, është citat nga vepra e Ismail Kadare “Kamarja e turpit” premiera e së cilës pritet të jetë me 19 mars 2024./KultPlus.com

‘Politiken’: Shqipëria apo Maldivet e lira të Evropës

E përditshmja daneze dhe një nga gazetat më të lexuara në vend “Politiken” i ka kushtuar një hapësirë të posaçme Shqipërisë turistike.

Shkrimi i gazetares Clara Underdahl mban titullin ‘’Quhet Maldivet e Evropës dhe për më tepër është e lirë. Këtu janë gjashtë arsye të mira përse udhëtimi juaj i ardhshëm duhet të jetë në Shqipëri’’ shtjellon gjerësisht përvojën e saj vetjake të eksplorimit katërjavësh turistik në vendin tonë.

Me një përshkrim shumë pozitiv të hapësirave që ka vizituar dhe njerëzve që ka ndeshur nëpër itinerarin e saj, Underdahl thekson faktin se Shqipëria është shndërruar në një destinacion jashtëzakonisht popullor udhëtimi, çka pasqyrohet në mbulimin e gjerë mediatik ndërkombëtar.

Ndër gjashtë arsyet kryesore të renditura, që sipas gazetares janë mjaftueshëm të mira për të ndërruar Liqenin e Komos me këtë destinacion në Gadishullin Ballkanik, spikasin historia e pasur e vendit tonë, trashëgimia natyrore dhe mikpritja e shqiptarëve.
Lidhur me këtë të fundit, autorja e cilëson mikpritjen e popullit shqiptar të një lloji krejt unik.
‘’Vendasit të presin krahëhapur dhe me me buzëqeshje të sinqerta…‘’, vëzhgon ajo, ndër të tjera.
Shkrimi ndalet edhe te pasuria jonë kulinare, si edhe tërheq vëmendjen mbi çmimet e lira që e bëjnë edhe më të pëlqyeshme eksperiencën e turistëve dhe vizitorëve.

Quhet Maldivet e Evropës dhe është gjithashtu i lirë. Ja gjashtë arsye të mira për të shkuar

Në vetëm pak vite, Shqipëria është shndërruar nga një vend kryseisht i mbyllur në Evropë në një destinacion jashtëzakonisht popullor udhëtimi. Ja gjashtë arsye të mira pse duhet ta konsideroni Shqipërinë për udhëtimin tuaj të ardhshëm.
Verën e kaluar, disa miq më thanë se donin të hiqnin dorë nga destinacionet e zakonshme të udhëtimit si Italia dhe Franca dhe në vend të tyre të shkonin në Evropën Juglindore.
Ata përmendën Shqipërinë dhe unë mendova “epo, ky është një destinacion i pazakontë. Nuk dija shumë për vendin – përveç historisë së tij të komunizmit dhe të izolimit, çka nuk më shkaktoi ndonjë dëshirë të madhe për të udhëtuar. Por, dy javë më vonë, më erdhën fotot dhe videot e para nga udhëtimi i tyre. Isha e befasuar, por më së shumti ziliqare.
Fotot e plazheve të gjata me rërë, maleve të larta dhe perëndimit të diellit të nxehtë më bënë të mendoj se a duhet të shkoj në Shqipëri?

Fakte dhe vlera për Shqipërinë

Udhëtimi në Shqipëri
Gjurmë klimatike Udhëtim vajtje-ardhje:
Fluturimi: 449 kg CO2 për person.
Makinë: 670 kg CO2 për makinë (pjestuar sipas numrit të pasagjerëve).
Treni: 112 kg CO2 për person.
Autobus: 116 kg CO2 për person.
Konsumi privat: Një danez lëshon mesatarisht 13,000 kg CO2 në vit.
Nëse rritja e temperaturës globale do të mbahet nën 1,5 gradë Celsius, secili
qytetar i botës duhet të lëshojë maksimum 1 500 kg CO2 në vit.
Mbërritja atje: Nuk ka fluturime direkte nga Kopenhaga për në kryeqytetin Tiranë. Megjithatë, linja ajrore si Serbia Air, Austrian Air dhe Lufthansa fluturojnë drejt saj. Prandaj, ju mund të zgjidhni të fluturoni për në Mynih, Vjenë ose Beograd dhe më pas të merrni një avion ose një autobus nga atje për në Tiranë.
Nuk pata kohë ta mendoja, para se Instagrami filloi të më nxirrte video me shumicë për Shqipërinë. ’’Maldivet e Evropës’’ dhe ‘’Ky nuk është Bali, por Shqipëria” dominonin dhe para se ta kuptoja, gjysma ime më e mirë dhe unë kishim rezervuar fluturimin.

U nisëm këtë verë dhe udhëtuam nëpër Shqipëri për gati katër javë. Dhe ne ishim ne nuk ishim të vetmit. Shqipëria është kthyer në një nga destinacionet më të njohura – veçanërisht nëse ndiqni median sociale, ku vendi po reklamohet si kurrë më parë me premtimin se nuk është shumë larg parajsës.
Në vijim, janë gjashtë arsye të mira për të ndërruar Liqenin e Komos me Gadishullin Ballkanik.

1. Sepse Shqipëria ka një histori të pasur

Nuk ka qenë gjithmonë kështu. Shqipëria ka qenë nën sundim komunist për 44 vjet dhe më së shumti e njohur si vendi më i mbyllur në Evropë, ku çdo gjë, nga makinat private deri tek udhëtimet turistike ndaloheshin. Pas vdekjes së diktatorit Enver Hoxha dhe rënies së pushtetit komunist në vitin 1985, filloi demokracia. Fillimisht, ajo nuk ndryshoi pozicionin ekonomik të vendit dhe rreth 40 për qind e popullsisë shqiptare zgjodhi të emigronte. Por në vitin 2009, Shqipëria u bë pjesë e NATO-s dhe vendi filloi të fokusohej në turizëm.
Një shenjë e dukshme e periudhës komuniste janë 137 000 bunkerët, ende të shpërndarë në të gjithë vendin, duke dëshmuar për paranojën e Enver Hoxhës për ndonjë sulm të mundshëm pas Luftës së Dytë Botërore. Muzetë dhe monumentet e shumta të Shqipërisë dëshmojnë gjithashtu kohët e errëta dhe izolimin.

Në qytetin malor të Gjirokastrës, një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, mund të vizitoni muzeun etnografik, i cili dikur ishte shtëpia e fëmijërisë së diktatorit, por meqë kishim pak kohë ër të shpenzuar në qytet, i dhamë përparësi vizitës së shkurtër brenda Muzeut të Luftës së Ftohtë, i cili ekspozon artefakte të kësaj periudhe – gjithçka nga helmetat dhe armët deri te uniformat dhe kartolinat.

Për një alternativë ndaj muzeve, rezervoni një guidë falas më këmbë. Ne e bëmë në Tiranë – ishte me një guidë anglishtfolëse që zgjati disa orë. Në shëtitjen në qendër të Tiranës, na treguan histori dhe anekdota nga vitet e izolimit të Shqipërisë dhe na treguan vendbanimin e dikurshëm të diktatorit. Këtu, udhërrëfyesi ynë na tha, ndër të tjera, se qeveria ende po shqyrton nëse do ta prishë shtëpinë e tij, ta kthejë në muze apo ta japë me qira si Airbnb. Gjatë turneut, udhërrëfyesi ynë vuri në dukje atraksionet kryesore të Tiranës, arkitekturën dhe pikat lokale ku mund të shijonim ushqime dhe pije të mira dhe u ndjemë sikur e njihnim Shqipërinë dhe historinë e Tiranës pak më thellë.

2. Sepse Shqipëria ka qafa të mëdha malore dhe shtigje dredha-dredha për hiking

Shqipëria ka shumë zona natyrore që e bënë aparatin tim të punojë jashtë orarit dhe memorien e tij të pakësohet. Ndër të tjera, vendi njihet për qafat malore në veri të vendit, ku turistët vijnë për të ecur.
Me të mbërritur në Tiranë, u nisëm menjëherë në veri me ‘’Ford’’-in tonë me qira në drejtim të Shkodrës. Një qytet që është relativisht afër zonës së hekurit Prokletije, lumit të madh dhe Liqenit të Komanit dhe është një vend i preferuar për turistët që kërkojnë udhëtime njëditore në Parkun Kombëtar të Thethit. Si ne.
Një mëngjes herët u nisëm nga Shkodra drejt qytetit malor të Thethit, dy orë larg. Me këpucë ecjeje, çanta shpine dhe shumë biskota granola, u nisëm mes qafave të mëdha malore, nëpër livadhe të mëdha dhe në shtigje gjarpëruese përgjatë lumit të fuqishëm të Shalës. Në fillim ecnim krah për krah me turistë të tjerë, por shpejt u shpërndamë në të katër anët.
Synimi ynë për këtë ecje njëditore prej 17-19 kilometrash ishte të shihnim fenomenin natyror të ʼSyrit të Kaltërʼ – një burim me ujë të kristaltë në nuancat blu dhe jeshile.
Në Shqipëri ka dy vende, Syri i kaltër. Njëri është afër Thethit, tjetri në Ksamil. Duket kaq tërheqëse saqë shumë njerëz bëjnë një zhytje. E bëmë edhe ne. Por nuk është aspak e këndshme. Uji vjen nga malet aty pranë dhe është tmerrësisht i ftohtë.

3. Sepse Shqipëria ka plazhe për të gjitha nevojat

Nëse je tipi që dëshiron dhe rilexon ‘’The Subtle Art of Not Giving a Fuck’’, ka shumë mundësi edhe për këtë.
Shqipëria ka disa plazhe përgjatë Rivierës Shqiptare. I pari që vizituam ishte Plazhi i Currilave, një plazh me guralecë pranë qytetit port të Durrësit. Arritëm të shtunën, kur kishte shumë njerëz – kryesisht familje vendase me fëmijë, duke luajtur muzikë, duke ngrënë drekë dhe duke ndërtuar kështjella rëre. E vetmja e keqe ishte se uji nuk ishte aq i pastër si kristal, siç ishim mësuar në plazhet e tjera.
Plazhi tjetër ku u vendosëm ishte në jug të qytetit të vogël bregdetar të Himarës. Mikpritësi ynë kishte rekomanduar Potamin, i cili është një përzierje plazhi me rërë dhe guralecë. Kishte shumë pak njerëz dhe ndjenja e bujarisë u njde menjëherë – një plazh për ata që duan të fusin kokën në një libër nën zhurmën e valëve. Uji ishte blu, i qetë dhe i kthjellët, dhe disa njerëz nxorrën syzet e tyre dhe eksploruan shtratin shkëmbor të detit.
Kur thua Shqipëri, nuk mund të humbasësh plazhet e Sarandës dhe Ksamilit, të cilësuar në Instagram si Bali dhe Maldivet e Europës. Plazhet janë të bukura, por ndjenja e bujarisë nuk ishte aq e pranishme.
Sidomos në Ksamil, plazhi i Instagramit ishte i mbushur plot me njerëz dhe shezlone (150 krona për shezlon). Por nëse ju pëlqen qejfi dhe ju pëlqen një atmosferë club-i, ky mund të jetë vendi për ju. Megjithatë, do të rekomandoja patjetër të dilni nga Ksamili dhe Saranda dhe të vizitoni plazhet më intime si Plazhi i Pasqyrave dhe Shpella e Pëllumbave. Plazhe me guralecë në gjire të vegjël ku dallgët janë të larta dhe ku vendasit marrin rreze dielli mbi shkëmbinjtë e pjerrët dhe shezlonet me vija.

4. Sepse vendasit janë mikpritës dhe zemërmirë

Populli shqiptar ka vendin që i takon për sa i përket mikpritjes. Duke qenë se turizmi është diçka që ka filluar zhvillohet vitet e fundit, vendasit nuk janë lodhur ende nga shpenzimet e tepërta të turistëve, pritjet e hotelerisë dhe mungesa e edukatës, të tipit ‘’më lejoni të rezervoj një shezlong në orën 05:30’’. Vendasit janë aty me krahë hapur dhe buzëqeshje të sinqerta, nga ato të vërtetat.
Ne rezervuam dy netë pranë një familje shqiptare në Durrës. Kur mbërritëm, na ofruan tortë dhe kafe turke dhe më pas na çuan në ullishtat e familjes, ku na folën me pasion për bujqësinë, ndërsa ne zgjidhnim perimet për darkën. Në shtëpi, nëna nisi gatimet dhe shërbeu një vakt tradicional shqiptar, i cili përfshinte fërgese me piper dhe djathë, qofte shqiptare, byrek dhe tarator.
Këtu u ulëm dhe festuam me një shumëllojshmëri gatimesh, ndërsa ajo u qetësua me cigaret e saj dhe gëzonte për oreksin e të dashurit tim. Pas darkës, djemtë e ftuan të dashurin tim në një lojë futbolli, ndërsa unë qëndrova me nënën e tyre në tarracë. Dhe ja ku ishim – dy gra me një diferencë prej 30 vitesh, duke qeshur me zë të lartë. “Duhet të kthehesh sërish vitin tjetër”, më tha zëri monoton në telefon.

5. Sepse kuzhina shqiptare është një shkrirje e disa traditave

Kuzhina shqiptare është tradicionale, e thjeshtë dhe aspak modeste.
Le të shohim disa gatime shqiptare:
Diçka që porositëm shpesh ishin qoftet, të cilat bëhen me mish viçi, pule ose qengji dhe shpesh të skuqura. Kjo shoqërohet me një sallatë fshati, bukë dhe fërgesë, çka u bë shpejt një element kryesor në ushqimet tona, e cila përbëhet nga speca të kuq, domate, qepë, një lloj gjize e thatë dhe kos.
Një tjetër pjatë tradicionale është byreku, për të cilin e kam deklaruar disa herë dashurinë time gjatë udhëtimit. Një byrek që bëhet me spinaq dhe djathë (i preferuari im!) ose me mish të grirë, qepë dhe djathë. Mund ta blini pothuajse në të gjitha furrat e bukës, gjë që është e mrekullueshme për të kënaqur urinë e vogël pas një dite të gjatë në plazh.
Hera e parë që shijova byrekun ka qenë në Himare nga furra e vogël e bukës. Nëse nuk vini në Himarë për plazh, ejani për karkalecat!
Edhe pse isha e lidhur me ushqimin shqiptar, nuk mund të mos e vërej se herë pas here rëndohej. Prandaj, u befasuam këndshëm kur kuptuam se edhe shqiptarët kanë përqafuar kulturën ushqimore të Mesdheut dhe Lindjes së Mesme.

6. Sepse paratë tuaja kanë vlerë

Çmimet në Shqipëri janë relativisht të ulëta. 100 lekë janë rreth 7 krona daneze, çka do të thotë se mund të jetosh relativisht mirë pa u ndjerë i privuar. Kafeja është e shtrenjtë në Danimarkë, kështu që ne na dukej luks i madh që çdo mëngjes një kafelate e madhe nga një kafene aty pranë kushtonte 10-15 korona. Nëse nuk hiqni dot dorë nga qumështi i tërshërës dhe pluhuri matcha, shikoni zinxhirin shqiptar të kafesë ‘’Mon Cherie’’ – këtu, megjithatë, kafeja kushton rreth 25 krona.
Shqipëria ka gjithashtu restorante në të gjitha kategoritë e çmimeve. Nëse doni një vakt relativisht të lirë që përbëhet nga një pjatë mishi, një sallatë, bukë dhe një salcë, mund të prisni të paguani rreth 40-50 krona për person. Dhe me siguri do të ngopeni, pasi porcionet janë shpesh të mëdha. Për të shuar etjen, mund të blini një gjysmë litër verë për rreth 35 krona ose një birrë të madhe për rreth 15 krona. Zakonisht, rezervonim hotelin gjatë rrugës dhe ishte e lehtë për të gjetur akomodim me çmime të përballueshme. Në Tiranë, për shembull, gjetëm një apartament të madh në qendër të qytetit, me një tarracë të madhe me pamje nga qyteti dhe malet. Çmimi ishte rreth 300 krona për një natë. Në Himarë gjetëm edhe nje apartament me ballkon, tarrace te madhe dhe pishine me pamje panoramike me 260 krona nata.
Është ide e mirë të kesh para në dorë – qoftë lekë ose euro. Ka ende shumë restorante, hotele dhe dyqane që nuk pranojnë karta./atsh/ KultPlus.com

Pas shkarkimit të Ilirik Musliut, Përparim Rama ka bërë edhe këto ndryshime të mëdha në udhëheqje të komunës

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka shkarkuar nga pozita disa prej drejtorëve të drejtorive të Kryeqytetit ndër të cilët edhe Ushtruesen e Detyrës së Drejtores së Arsimit, Donjeta Sahatçiun.

Këto vendime sipas tij u morën si shkak i fillimit të një procesi transformues të Prishtinës.

Më poshtë gjeni postimin e plotë të Kryetarit Rama në Facebook:

Të nderuar qytetarë të Prishtinës,

Kanë kaluar dy vite prej se kemi filluar qeverisjen në Kryeqytet.

Këto dy vite kemi punuar shumë së bashku me ekipin dhe pavarësisht sfidave, kemi filluar procesin e transformimit të Prishtinës, duke nisur projekte madhore dhe duke përgatitur plot të tjera që do të fillojnë këtë vit e që kanë për synim ndryshimet pozitive në qytetin tonë. Rrjedhimisht, kam marrë vendim për ristrukturim të kabinetit qeverisës të Kryeqytetit.

Në funksion të përshpejtimit të transformimit të Kryeqytetit dhe avancimit të standardeve të ndërtimit dhe sigurisë së qytetarëve, kam vendosur që të themeloj Drejtorinë për Transformim. Në krye të saj, kam emëruar arkitektin e njohur, z. Ilir Murseli. Kjo drejtori do të ketë në fushëveprim të saj edhe zhvillimin e projekteve madhore, përfshirë përgatitjet infrastrukturore për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030.

Në fushën e funksionimit dhe menaxhimit më të mirë të sektorëve të Planifikimit e Urbanizmit, kam marrë vendim që të bashkoj këto dy drejtori në një Drejtori të vetme, në krye të së cilës do të jetë arkitekti i njohur, z. Arbër Sadiki. Dua të falënderoj Drejtoren e deritanishme të Planifikimit Strategjik znjsh. Mimoza Sylejmani për punën dhe përkushtimin e saj profesional. Znjsh. Sylejmani ka marrë përgjegjësinë e këshilltares për planifikim brenda kabinetit tim.

Më tutje, Drejtoria e Pronës dhe Drejtoria e Kadastrit do të shkrihen në një Drejtori të Pronës dhe Kadastrit, e cila do të udhëhiqet nga znj. Doruntina Maloku. Ndërsa, Drejtori i deritanishëm i Kadastrit, z. Donat Lushaku do të emërohet në pozitën e Zëdhënësit të Kryeqytetit.

Të dashur qytetarë,

Pas lirimit nga detyra të Drejtorit të Shërbimeve Publike, sot, kam emëruar z. Bekim Brestovci, një profesionist me përvojë shumëvjeçare në Gjermani dhe Kosovë, si Drejtor të ri të Shërbimeve Publike. Pres nga ai që të ndërmerr menjëherë, të gjitha masat e nevojshme për t’i dhënë fund problemit të mbeturinave dhe të gjitha çështjeve tjera që ndërlidhen me fushëveprimin e kësaj drejtorie.

Në anën tjetër, kemi ngecje në fushën e digjitalizimit, e cila është udhëhequr nga Nënkryetarja znjsh. Donjeta Sahatçiu. Ky projekt, siç e dini ka qenë një prej premtimeve të bëra, duke dashur që të përmirësoj e modernizoj institucionet e Kryeqytetit. Andaj, për shkak të vonesave të shumta në proces dhe ngecjes së projektit të digjitalizimit, kam marrë vendim që të liroj nga detyra, znj. Donjeta Sahatçiu, nga pozita e Nënkryetares së Kryeqytetit dhe pozita e Ushtrueses së Detyrës së Drejtores së Arsimit.

Dr. Jehona Lushaku – Sadriu, e kam emëruar Nënkryetare të Kryeqytetit dhe Ushtruese e Detyrës së Drejtores së Arsimit. Dr. Lushaku – Sadriu është profesoreshë e mirënjohur universitare me arritje të shumta profesionale.

Një çështje tjetër që po preokupon shumë qytetarët e Prishtinës dhe ende nuk i kemi dhënë zgjidhje, janë qentë endacak. Andaj, sot kam kërkuar nga Drejtori për Siguri dhe Emergjenca që të ndyshojë gjendjen në mënyrë substanciale deri në fund të këtij viti. Siguria dhe mirëqenia e qytetarëve, për mua është një prej elementeve më të rëndësishme të qeverisjes.

Të dashur qytetarë,

Procesi i transformimit të Kryeqytetit kërkon punë e përkushtim të jashtëzakonshëm. Ky është një proces i gjatë në të cilin kërkohet konsistencë, vendosmëri dhe profesionalizëm. Ky është ristrukturimi i parë i qeverisjes në Kryeqytet në të mirë të Prishtinës dhe qytetarëve të saj, pa dallim.

Ju falenderoj për mbështetjen dhe kritikat tuaja konstruktive, të cilat na bëjnë të reflektojmë dhe të përmirësohemi në vazhdimësi./KultPlus.com

Në Bibliotekën e kryeqytetit PEN Qendra e Kosovës trajtoi dy tema letrare 

Sot, PEN Qendra e Kosovës, në kuadër të projektit kulturor “Edukimi letrar dhe procesi krijues i talenteve të reja”, në Bibliotekën Komunale të Prishtinës “Hivzi Sulejmani”, mbajti takimin e radhës me ç’rast u debatua për dy tema.

Tema e parë ishte “ Vlerësimi kritik i veprës letrare” dhe rreth saj foli profesori universitar, Anton Berishaj, ndërsa në temën e dytë ”Si shkruhet romani”, mendimet e veta i paraqiti shkrimtari, Gëzim Aliu.

Takimin, në të cilin morën pjesë studentë të Degës së Letërsisë Shqipe dhe dashamirë të fjalës së shkruar, e moderoi profesor Milazim Krasniqi, i cili theksoi rëndësinë që ka kritika në promovimin dhe në jetëgjatësinë e romanit e përgjithësisht të librit dhe për romanin si ushqyes të kritikës. Lidhur me këtë ai mori disa shembuj nga letërsia botërore dhe nga letërsia shqipe. 

Duke folur rreth vlerësimit kritik të letërsisë, profesori Anton Berishaj, ndër të tjera, tha:  

“Që nga fillet e mendimit sistematik për letërsinë është shtruar çështja e vlerës dhe e vlerësimit të saj (Platoni, Aristoteli…). Në shekullin XX, me konstituimin e dijes letrare sistematike dhe “autonome” – formalizmi, strukturalizmi, semiotika… – vlera estetike/letrare është parë si e domosdoshme dhe dominante, pra si vlerë intrinsike që e definon letërsinë si të tillë (forma, struktura, stili, narracioni, letrarësia…), edhe pse (posaçërisht te strukturalizmi kjo është vënë shpesh nën thjerëzat e dyshimit teorik). Në anë tjetër, ndërkaq, posaçërisht te qasjet semiotike (Jan Mukarzhovski, Lotmani etj.) janë evidentuar edhe të ashtuquajturat vlera jashtestetike: vlerat e ekzistencës, vlerat intelektuale/kognitive, etike, sociale, religjioze, politike, ideologjike…, të cilat shpesh si elemente strukturale të vetë veprave letrare janë parë të pashkëputshme nga vlera e tyre estetike/letrare, duke e theksuar vazhdimisht se në dimensionin e funksionit të tyre ato shpesh kanë qenë kusht i domosdoshëm që veprat e artit dhe të letërsisë të konsiderohen si të tilla”. 

Më tutje, Berishaj theksoi se “ ky dualizëm i vazhdueshëm epistemologjik, i cili projektohet edhe te dimensioni ontologjik i artit/letërsisë, është aktualizuar edhe në estetikën normativiste. P.sh. Gordon Graham konstaton se shpjegimi i vlerës së artit në këtë kontekst do duhej të kishte përparësi në relacion me përkufizimin se çfarë është arti (relacioni i artit me kënaqësinë, emocionet, njohjen…)”, duke marrë disa shembuj karakterizues nga vepra të ndryshme letrare”.

Ndërsa rreth temës “Si e shkruaj romanin”, shkrimtari Gëzim Aliu ndër të tjera theksoi: 

“Të shkruarit letrar, artistik, nuk është sikur të prodhuarit e një makine shërbyese, këtë besoj e di çdokush. Çfarë i shtynte njerëzit parahistorikë të vizatonin në shpella, të vendosnin shuplakat e tyre në shkëmb e të hidhnin ngjyrë?! Është dëshira, therja e brendshme për ta treguar praninë në jetë, therja e dëshira për të komunikuar me të tjerët edhe kur nuk i njeh. Por, nuk është vetëm kjo therje, kjo dëshirë, është edhe përpjekja për ta ndërtuar veten, për ta zgjatur veten, për të qenë emri dhe mbiemri që mbase do të lexohet edhe në të ardhmen. Pyetja ‘Pse shkruaj’ nuk ka përgjigje të saktë, po ashtu siç nuk ka përgjigje të saktë pyetja ‘Pse është jeta’. Do të mund të mos ishte e kurrë nuk do ta kishim marrë vesh.

Si shkruaj? Për këtë mund të flas shumë më saktë”.

Në vazhdim të diskutimit të tij, Aliu përmendi edhe shumë aspekte me interes që ndërlidhen me procesin e të shkruarit të romanit, duke shtuar se: “Për të nisur diçka më të madhe, është shumë e rëndësishme ideja. Ideja e ka një zanafillë, që do ta quaja shkëndijë. Nuk dua të mistifikoj këtu, por shkëndija krijimtare, që e quajnë edhe frymëzim, shpesh nuk dihet nga vjen, nga mendja, si nga qielli i kthjellët, nga dhembja që ndien për diçka, nga të dëgjuarit e një ngjarjeje, nga një ngjarje që sheh, nga leximi i diçkaje interesante, nga emocionet që shkakton diçka, nga qëllimet e vetëdijshme e nganjëherë të pavetëdijshme, nga bindjet, nga luhatjet e bindjeve, nga ndryshueshmëria e vazhdueshme njerëzore, që e quajmë përvojë, nga meditimi, nga të menduarit. Gjithçka mund të ndezë një shkëndijë dhe kjo shkëndijë mund të ndriçojë një ide, dhe këtë ide e shkruaj, gjithsesi duhet ta shkruaj, sepse mund të zhduket në errësirën e asgjësë shumë shpejt. Pas një kohë e shoh idenë e shkruar, që nganjëherë bëhet edhe skicë, shoqëruar ndonjëherë edhe me ndonjë vizatim. Idenë e mbjell në imagjinatë dhe nëse e shoh që ka kapacitet për t’u shndërruar në diçka më të madhe, tregim ose roman, vazhdoj të punoj”.

Gjithashtu, i dalloi edhe rëndësinë e imagjinatës dhe të ideve, për të arritur te konstatimet se: “Potenca e idesë për t’u shndërruar në krijim letrar, pasi të mbillet në imagjinatë, është shenjë se duhet punuar intensivisht. Ideja rritet, e ushqen njeriun kryesor të krijimit letrar, personazhin, i cili apo e cila, posa të ndihet gjallë, fillon të veprojë, veprimi dhe ndërveprimi i tij me personazhe të tjerë shkakton ngjarje e ngjarjet shkaktojnë storie e storiet bëhen roman”.

Studenti i Degës së Letërësisë Shqipe, Albin Shala, u interesua për fokusin e kritikës letrare dhe për fenomenin si zhvillohet imagjinata, për të cilat mori përgjigje nga panelistët. 

Në fund të aktivitetit u dhuruan libra për të gjithë pjesëmarrësit.

Projekti kulturor “Edukimi letrar dhe procesi krijues i talenteve të reja” është përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit./KultPlus.com

Eja mblidhuni këtu… këtu..

Poezi nga Mihal Grameno

Për mëmëdhenë, për mëmëdhenë
vraponi burra se s’ka me prit
Të vdesim sot ne, me Besa Besë
pranë flamurit të kuq q’u ngrit
Pranë flamurit, pranë flamurit
me shpatë te çveshur shqipëtarisht
Për dhen’e babës edhe të burrit
kemi me vdekur sot burrërisht

Eja mblidhuni këtu këtu,
Eja mblidhuni këtu këtu,
Eja mblidhuni këtu,…. bashkë me ne

Të gjithë o shokë të japim fjalën
për të mjerën mëmën tonë, të bëjmë mir
Se fjala jonë është liri për Shqipëri
at’herë flamuri ynë shkëlqen për bukuri
Për dhen’e babës edhe të burrit
kemi me vdekur sot burrërisht

Eja mblidhuni këtu këtu,
Eja mblidhuni këtu këtu,
Eja mblidhuni këtu,…. bashkë me ne !/KultPlus.com

Ferdinand Deda, Mjeshtri i Madh përkujtohet në ditën e lindjes

Më 5 shkurt të vitit 1941 u lind kompozitori, dirigjenti dhe instrumentisti, Ferdinand Deda.

Gjithë jetën e tij, gjersa u shua më 24 gusht 2003, Ferdinand Deda ia dedikoi pentagramit. Me të mbaruar liceun artistik të Tiranës në vitin 1960, iu drejtua konservatorit të muzikës së Pragës për të ndjekur studimet në disiplinën e dirigjimit.

Në klimën e pezmatimit të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe ish-Bashkimit Sovjetik, Deda ndërpreu studimet për t’i rimarrë ato në konservatorin e Tiranës. Atij iu besua të udhëhiqte orkestrën e Radio Televizionit Shqiptar (RTSH).

Duke nisur nga viti 1964, Ferdinand Deda ka realizuar mbi 300 koncerte brenda dhe jashtë vendit. Kolonat zanore të shumë filmave shqiptarë, mbajnë autorësinë e Dedës dhe të orkestrës simfonike të RTSH-së. Në tagrin e kompozitorit, ka lënë pas një trashëgimi tejet të pasur muzikore, prej së cilës veçohen 3 valle simfonike, katër skica për piano, trio për violinë, violonçel dhe piano, prelud të kënduar, impropt për piano dhe orkestër harqesh, fantazi për ksilofon dhe orkestër, koncertino për korn dhe orkestër, koncertino për fagot, klarinetë dhe flaut etj.

Në vlerësim të kësaj vepre të ngjeshur, në vitin 1997 Deda u shpall fitues i “Diskut të artë”, si edhe është nderuar me titullin “Artist i merituar” dhe “Mjeshtër i Madh”./atsh/KultPlus.com

“Tek e ëma s’vinte sa ish gjallë”

Poezi e shkruar nga Dritëro Agolli

Tek e ëma s’vinte sa ish gjallë,
Mbase vinte , por besoj se rrallë.

Erdhi kur e shpuri në varreza
Sypërlotur , veshur me të zeza .

Ah , tek nëna s’vinte sa ish gjallë,
Dhe tani në varr i shkon çdo javë.

Një mëkat , që ndofta s’lahet kurrë,
Shkon e lan , ku nëna fle nën gurë…/ KultPlus.com

Përkujtohet Besim Zekthi, valltari i shquar i Ansamblit Popullor

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit përkujtoi sot, në 88-vjetorin e lindjes, të madhin Besim Zekthi (5 shkurt 1936 – 28 qershor 2020), me një klip të shkëputur nga dokumentari “Vallëzimi i shqipeve” (Endri Keko, 1960).

“Mjeshtër i valles popullore shqiptare, valltar solist i pakrahasueshëm i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, i cili shkëlqeu veçanërisht në vallet e epikës legjendare duke performuar me shpirt dhe hijeshi të veçantë eposin shqiptar”, shkruan AQSHF në faqen e tij online, duke e falenderuar mjeshtrin, për çdo emocion që i dhuroi zemrave të shqiptarëve.

Mjeshtri i valles popullore mbarëshqiptare Besim Zekthi, u nda nga jeta 4 vjet më parë. Ai ishte vlerësuar me titullin “Nderi i Kombit” dhe “Gjerdani i artë”. Në kalendarin artistik të 2023, Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore vendosi koncertin “Legjenda e valles shqipe, Besim Zekthi – Nder i Kombit”, dedikuar valltarit të shquar. /ATSH /KultPlus.com

Në Parlamentin Evropian do të mbahet akademi përkujtimore për ish-presidentin Rugova

Në Parlamentin Evropian në Strasbourg sot do të mbahet akademia përkujtimore ndërkombëtare për presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, ne nderim te 80 vjetorit të lindjes dhe 18 vjetorit të vdekjes së tij.

Në komunikatën e lëshuar për media nga këshilli organizativ thuhet se “kjo ngjarje shënon përkujtimin e parë ndërkombëtar në kupolën e demokracisë evropiane, pra në ambiente të Parlamentit Evropian. Dr. Rugova, si themeluesi i Republikës së Kosovës, u nderua me Çmimin Sakharov në vitin 1998 nga Parlamenti Evropian. Vizioni i tij për shtetin e Kosovës mbetet rruga më e sigurt e zhvillimit tonë si republika më e re e Evropës”.

Në këtë akademi ndërkombëtare përkujtimore do të marrin pjesë personalitete të shquara ndërkombëtare si dhe dhjetëra euro-deputetë.

Me një fjalë rasti të pranishmëve do t’iu drejtohet Eurodeputeti Lukal Mandl, njëherësh nikoqir kryesor i kësaj ngjarje, bashkë edhe me Raportuesën për Kosovën Viola Von Cramon, si dhe Shefin e Grupin për Ballkanin Perëndimor, Franz Romero.

Po ashtu, një fjalim rreth figurës së Dr. Rugovës do e paraqes Don Lush Gjergji, kurse me fjalimet e tyre Akademinë do e nderojnë edhe ish-Presidenti i Kroacisë Stipe Mesic, ish-Kryeadministratori i Kosovës Joachim Ruecker, si dhe ish-Eurodeputetja Doris Pack.

Një fjalë përshëndetëse do ta ketë edhe ish-Kryeministri i Kosovës në kohën e Presidentit Rugova, Ramush Haradinaj, si dhe Dr. Ekrem Hyseni nga LDK”.

“Të nderojmë personalitetin e Presidentit Historik të Kosovës, Dr. Rugova, është të nderojmë vizionin mbi të cilin u ndërtua shteti i Kosovës. Presidenti Rugova dhe vizioni i tij shtetndërtues, i mbështjellur me vlerat euroatlantike, dhe me thelb miqësinë unike dhe permanente me SHBA-të, mbeten rruga e vetme për zhvillim të mëtutjeshëm të Kosovës,” ka thënë Dr. Bislimi, bashkëkryesues i Këshillit Organizativ të kësaj Akademie në Parlamentin Evropian.

“Neve jemi më shumë se krenar sot. Kjo është një ditë historike për një ngjarje historike, në një vend historik, për një figure historike të shqiptarëve,” ka shtuar ai. /KultPlus.com