10 vite nga vdekja e të papërsëritshmes, Vaçe Zelës

Vaçe Zela (7 prill 1939, Lushnjë – 6 shkurt 2014, Bazel) ishte një këngëtare ikonë e skenës shqiptare.

Ajo e filloi karrierën në moshë të re dhe në vitin 1962 ishte e para që fitoi Festivalin e Këngës. Me këngën “Fëmija i parë”, ajo dëshmoi se një idhull i muzikës po lindte atë mbrëmje të 26 dhjetorit të vitit 1962. Repertori i saj është shumë i pasur; numërohen me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada, etj. Ajo ka një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit, ku ka interpretuar shumë këngë si pjesë e muzikës së filmave.

Fituese 12 herë e festivalit, Vaçja fitoi famë gjatë epokës komuniste dhe iu dha titulli “Artist i Merituar” në vitin 1973 dhe “Artist i Popullit” në vitin 1977. Vaçe Zela është larguar përfundimisht prej skenës në vitin 1992. Ajo ishte e martuar me Pjetër Rodiqin dhe së bashku ata kanë vajzën Irma. Që nga viti 2002 Zela ka jetuar me burrin e saj në Bazel të Zvicrës, për të marrë kujdes më të mirë shëndetësor.

Ajo është nderuar me Urdhrin “Nderi i Kombit” më 24 dhjetor 2002 nga presidenti Alfred Moisiu me arsyen: “Për vlerat e rralla si Artiste e Shquar, me popullaritet të jashtëzakonshëm, për interpretimin mjeshtëror të këngës së muzikës së lehtë dhe asaj popullore, për pasurinë e vyer që krijoi në shkollën shqiptare të interpretimit muzikor.“

Për nder të këngëtares, viti 2009 u shpall nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si “Viti Vaçe Zela”. / KultPlus.com

‘Romantika’, kënga që nuk harrohet nga artistja Violeta Rexhepagiqi (VIDEO)

Kompozitorja, këngëtarja dhe gazetarja e njohur Violeta Rexhepagiqi u largua nga kjo botë më 16 prill të vitit 2020.

Violeta Rexhepagiqi, si spikere e programeve për fëmijë në “Radio Prishtinë” filloi të ndjekë mësimet edhe në shkollën e ulët të muzikës. Si rrjedhë e angazhimit të saj pasojnë edhe mirënjohjet në festivalin e fëmijëve “Akordet e Kosovës”. Njëkohësisht, Violeta interpretoi më se 40 këngë për fëmijë, dhe luajti zërin e personazheve në radio-dramat për fëmijë. Violeta shquhej për avangardë që në vitet e ’80, si në muzikë e poashtu edhe në modë. Në vitin 1984 Violeta për publikun e gjerë shqiptar u bë e njohur me paraqitjet e saja në grupin e muzikës “Vivienne”. Gjatë kësaj kohe, ajo përfaqësoi për dy herë Kosovën në përzgjedhen e përfaqësueses së Jugosllavisë për “Këngën e Eurovizionit”. Ajo ishte e angazhuar në Radio Televizionin e Prishtinës dhe aty punoi deri në uzurpimin e kësaj qendre nga forcat serbe. Pas okupimit të RTP-së punoi si reportere lufte për agjensitë e huaja: “News Network”, “WTN”, “Sky NEWS” etj. Nga viti 2010, Violeta punoi për “RTK”, shkruajti tekste këngësh dhe bëri komponime për këngëtarë të ndryshëm.

Më 16 prill 2020, në orët e hershme Violeta Rexhepagiqi u gjet e vdekur në banesën e saj. Në pamundësi për të organizuar mbledhje komemorative dhe pjesëmarrje në varrim për shkak të gjendjes së karantinës nga virusi COVID 19, kryetari i qytetit të Prishtinës, Shpend Ahmeti njoftoi publikun se në shenjë respekti për kontributin e saj për kulturën shqiptare, në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet do të lëshohen këngët e saj.

KultPlus ju sjell sot një ndër këngët më të mira të Violetës, “Romantika”, këngë kjo që nuk harrohet lehtë. / KultPlus.com