‘Nëse ka përkthim togfjalëshi ‘Krenari Kombëtare Shqiptare’ ai pa dyshim do të ishte Vaçe Zela’

Sot janë bërë 10 vite nga shuarja e yllit shqiptar, Vaçe Zelës, shkruan Kult Plus.

Për krijimtarinë e saj artistike u dekorua më Urdhrin “Nderi i Kombit” më 24 dhjetor 2002 nga presidenti Alfred Moisiu me arsyen: „Për vlerat e rralla si Artiste e Shquar, me popullaritet të jashtëzakonshëm, për interpretimin mjeshtëror të këngës së muzikës së lehtë dhe asaj popullore, për pasurinë e vyer që krijoi në shkollën shqiptare të interpretimit muzikor”.

Për këtë artiste të madhe të popullit shqiptar kanë komentur edhe personalitete të ndryshme shqiptare siç janë Dritëro Agolli, Nexhmije Pagarusha, Avni Mula etj.

Dritero Agolli, shkrimtar: “Unë mund të them pa asnjë lëkundje se Vaçe Zela, si artiste e madhe, hapi një epokë të re në të kënduarin e këngës shqiptare dhe u bë nismëtare e një kulture moderne në këtë fushë.”

Nexhmije Pagarusha, këngëtare: “Nuk kam parë shkëlqim më të bukur që del nga shpirti i njeriut se tek Vaçe Zela.”

Osman Mula, regjisor: ”Vaçe Zela ishte një këngëtare e madhe me zemër të madhe. Krijoi një botë të sajën. Ajo qëndroi me të dyja këmbët në tapetin e këngës shqiptare, si këngëtarja e krahasuar me një simfoni pambarim të së ardhmes. Vaçe Zela ishte një këngëtare potente, në vokalin e së cilës morën jetë shumë zhanre këngësh. Dhe në secilin syresh ajo dha maksimumin.”

Tish Daija, kompozitor: “Vaçe Zela ishte tepër skrupuloze. Përzgjedhjen e këngës e ngriti në kult, përtej të zakonshmes, në mënyrë që t’i jepte mundësi zërit dhe vetes për interpretime të shkëlqyera. Kur ndonjë këngë s’i përshtatej sadopak natyrës së zërit të saj, ajo e braktiste. Zërin, këngën si karakter ajo i shihte të lidhura ngushtë mes tyre. Vaçe Zela ka pasur një vokal të shkëlqyer. Ngjyrimet e zërit i ka përftuar në maksimum. I ka përdorur me inteligjencë të gjitha veçoritë e zërit, duke i vënë në veprim kur dhe si duhet, me vibrime të shkëlqyera: në portament, glisando, melizmat, kantilenën dhe lëvizje kolorature. Me këngët që këndoi, popullore dhe të muzikës së lehtë, ajo krijoi stilin e vet, të cilin e imituan të tjerët me kalimin e kohës. Mbeti gjithmonë një këngëtare e veçantë.”

Gjokë Beci, poet: “Nëse ka përkthim togfjalëshi “KRENARI KOMBËTARE SHQIPTARE” ai pa dyshim do të ishte VAÇE ZELA.”

Avni Mula, kompozitor e këngëtar: “Vaçja kishte një inteligjencë natyrale. Ia ka bërë “hyzmetin” këngës në të gjitha vështrimet. Dhe, gjithmonë ia ka arritur qëllimit. Vaçja ishte edhe njeri i sakrificës. E vendosur në atë që kërkonte të bënte. Madje, ishte kurajoze, trime. Për këto cilësi çdo këngëtar duhet t’ia ketë zili. Në shpirt ishte thellësisht humane, demokrate në mendime. Edhe si njeri ishte e drejtë, e dashur. Me kontributin që i solli këngës shqiptare, Vaçja mbeti një artiste e madhe, një patriote e vërtetë”.”

Zijà Saraçi, kantautor: “Vaçja erdhi në skenën Shqiptare si një erëz e lehtë, si një shi pranveror me të gjitha perkusionet e saj natyrore, ajo kaloi si një meteor mbi qiellin tonë, duke lënë pas një tis të hollë emocionesh të paharruara, emocione të cilat i dhanë ndriçimin e munguar shpirtrave. Ajo krijoi shkollën, iku dhe hipi në “piedestal”, për të mbetur një legjendë e paharruar në kujtesën tonë kolektive…”

Limoz Dizdari, kompozitor: ”Kërkesat e Vaçes në rrafshin muzikor ishin estetikisht të pakontestueshme. Vaçja ishte një këngëtare me zë të veçantë. Kjo veçanti kishte të bënte me gjithë formimin e saj biologjik e intelektual. Shijet e saj të natyrshme, shumë të kultivuara, ishin të domosdoshme për ta bërë këngën estetikisht të arritur. Në rast se realizoheshin këto kërkesa, ti do të ishe i sigurt për suksesin e këngës. Në të kundërt, Vaçja nuk pranonte ta këndonte këngën.”

Nora Çashku, pedagoge e pianos: “Vaçe Zela ka qenë piedestal në skenë. Edhe si njeri, edhe si aktore. Vaçja ishte një zog në skenë. Ndokush mund ta ketë quajtur edhe të panënshtruar ose, në një farë mënyre, “rebele”. Falë talentit, ajo i është bindur zërit të brendshëm për të mos u nënshtruar kur ishte për t’i shkuar deri në fund fjalës në poezinë e këngës dhe ngjeshjes së frazës në melodinë e saj. Vaçe Zela ishte njeri i brishtë. Për mua ajo mbetet njeriu që solli emancipimin në skenë për shumë dekada. Fakti që nuk doli një e dytë mes shumë këngëtarëve, tregon që akoma s’është paraqitur në skenën tonë një talent i tillë.”

Prof. Zana Shuteriqi, muzikologe: “Nuk bëj pjesë midis atyre që e njohin Vaçe Zelën nga afër, por midis mijëra shqiptarëve të tjerë që u pushtuan prej saj gjatë një periudhe 40-vjeçare. Kjo njohje për së largu është ndër të paktat arsye përse Vaçja tek ne u shndërrua në një mit. Arsyet e tjera janë të shumta, cilësisht të rralla për një brez të tërë që dijshëm apo vetëdijshëm i realizon kërkesat e komunikimit ngjeshur pas trupit të një radioje. Vaçja mendoj se mishëronte në atë kohë përfytyrimin më konkret të asaj çka ne kërkonim si në eter. Këndoi gjithçka dhe kudo la vulën e një personaliteti të papërsëritshëm, që komunikoi me tërë arsenalin e mundshëm të ndjenjave, prej të cilave do të veçoja atë çka përbën thelbin e shpirtit të saj: dhimbjen njerëzore. Vaçja kështu hyri midis shqiptarëve me dhuntinë, me gjeninë e artistëve të mëdhenj, që kanë privilegjin të bëjnë epokë dhe që për këtë arsye janë të pazëvendësueshëm në identitetin e vet.”

Prof. Dr. Adriatik Kallulli, kritik letrar, shok klase : “Të njohësh nga afër artistët më të shquar të kombit tënd, është një rastësi që nuk u ndodh të gjithëve. Qenë vite kur vendi mezi e siguronte kafshatën e gojës dhe rrobën e varfër të trupit. Jeta kishte fare pak gëzime dhe një këngëtare e vërtetë në klasën tënde, ishte një pasuri njerëzore e madhe dhe e rrallë, një grimcë gëzimi që të falte shoqja jote, një shoqe fisnike dhe humane që vinte tek kënga shpirtin e saj të madh, një shoqe e veçantë që lëndohej për të gjitha plagët e atdheut dhe të njerëzve dhe intuitivisht e ndjente se melodia dhe tingujt mund të bëheshin një balsam për shpirtrat e shqetësuar. Artistja Vaçe, më së miri dëshmon atë që pat thënë Mikelanxhelo “Ruajeni atë zjarr që ndjeni brenda vetes, se ai jeni vetë ju.”

Ferdinand Deda, dirigjent : ”Ishte fat për ne njerëzit e artit, të kishim mes nesh një këngëtare si Vaçe Zela, për vokalin e saj të shkëlqyer në të gjitha komponentët. Kishte një forcë të madhe interpretative, që lidhej me shkallën e lartë të frymëzimit artistik. Përdorte një mjeshtëri të veçantë të kënduari, ku gjenin vend ngjyrime të shumta. Ishte njeri i thjeshtë dhe mjaft i dashur, por edhe e ashpër kur s’i përfilleshin kërkesat. Ishte tejkaluese në realizimin e qëllimit artistik për të çuar tek auditori pikërisht ato emocione që ngërthente kënga. Talenti, inteligjenca muzikore dhe intuita, kur unë drejtoja këngën e saj më krijonin një gjendje të tillë emocionale, sa nuk më vjen zor ta them, se më drithërohej trupi. Me Vaçen ishte kënaqësi të punoje.”

Leka Bungo, regjisor: “Vaçja për mua dhe për të gjithë ka qenë një artiste që ka bërë epokë. Ka qenë e madhe që kur ishte e vogël. Një këngëtare e madhe dhe një aktore e zonja. Interpretimi i saj ka qenë kupola e interpretimit.”

Mimoza Ahmeti, shkrimtare: “Personalisht për mua Vaçe Zela është burim zanor ekspresional i natyrës. Kësaj i shtoj edhe interpretimin e dlirë shpirtëror të këngëtares. Edhe pas kaq vitesh, kur dëgjoj Vaçe Zelën, ndiej po atë kënaqësi të veçantë, të palëkundshme, që vetëm ajo dhe zëri i saj të shkakton.”

Prof. Dr. Fatmir Hysi: “Ajo mbetet një shenjë e qartë e identiteti dhe kulturës shqiptare të kohës dhe për dekada të tëra do të jetë një pikë e rëndësishme referimi për nivelet e larta të kësaj kulture.”

Luan Zhegu, kantautor: ”Vaçja ishte e lindur si talent. Me punë u bë një këngëtare e veçantë në llojin e vet, një zë brilant. Ajo shpalosi prirjen e saj në një kohë kur mungonin mjetet auditive moderne. Vaçja këndoi gjithmonë “dal vivo”. Kjo mënyrë e të kënduarit i jepte vokalit të saj një amplitudë të madhe. Ishte e vendosur në përzgjedhjen e këngëve, në kërkesat artistike. Madje e sertë dhe në konflikt me “drejtuesit”, sa herë që ata nuk e kuptonin. Kishte nuhatje të dukshme për skenën, si vend i shenjtë. Vetveten, shikuesit i kishte mbi të gjitha. Kjo bëri që vokali i Vaçe Zelës të lartësohej në përmasat që kërkoi.”

Shqipe Zani, pedagoge e kantos: “Zëri i saj, brenda një shtrirje prej një oktavë e gjysmë, arrinte të shprehte një larushi të pafund jonesh e frazash me të cilat ajo mbështillte, si me një tis të hollë fluid vokali, ide, mendime të pafund, kaq të prekshme për dëgjuesin. Vaçja punonte si qëndistari me fjalën, frazën, përputhjen mes tyre. Mund të them pa mëdyshje që Vaçja kishte një interpretim brilant.”

Pavlina Nikaj, këngëtare: “Vaçja kishte një vokal të përsosur, për rrjedhojë edhe një interpretim të veçantë, perfekt, të cilin e vishte me një botë të madhe emocionale. Në agjendën e saj kishte një repertor të pasur, madje të larmishëm, që mund t’ia kishte zili çdo këngëtar: këngë popullore, këngë të muzikës së lehtë; ka kënduar baladën, romancën, në fillimet saj edhe këngën e huaj. Dhe, në të gjitha këto është treguar një mjeshtre e vërtetë. Si njeri, Vaçja ishte e dashur, vlerësuese përkundrejt simotrave të saj këngëtare, të cilat i respektonte. Si këngëtare ajo arriti një kulm. Për të gjitha këto cilësi, unë, si këngëtare e kam adhuruar Vaçen.”

Visar Zhiti, poet: ”Lushnja ishte qyteti i të ardhurve, i të përndjekurve dhe i të internuarve. Po të parafrazonim Pol Elyarin, Lushnja u bë kryeqytet i dhimbjes. Në këtë mjedis të dhimbjes rritet edhe Vaçja. Ajo me zërin e saj sikur u dha zë… të pazëve ! Ishte mahnitëse. U bë Afërdita e këngës moderne shqiptare duke mos iu ndarë kurrë rrufetë e frikshme zeusiane. Zëri i saj mund të quhet pjesë e lirisë së munguar.”

Prof. Dr. Aleksandër Peçi, kompozitor: “E dashur Vaçe, u çmallëm shumë duke ju parë, duke ju dëgjuar, duke kënduar e duke folur në atë mënyrën tuaj mjaft të ëmbël dhe emocionuese që ju ka karakterizuar gjithmonë. Ju thatë se ju mban gjallë dashuria jonë, ne themi se na jep jetë zëri juaj magjik, i papërsëritshëm, gjithçka që ju i dhatë këtij vendi e këtij populli.”

Lirim Deda, poet: “Ne vërtetë jemi një vend, ku ka thesare të gjithfarëllojshme nën e mbitokësore, por më i çmuar dhe më i përveçëm është thesari ynë shpirtëror e kulturor. Përse u dashka që të mos udhëtojë nëpër shpirtrat e kombeve të tjerë një filigran i florinjtë mëmëdhetar si Vaçe Zela, që pashëmbëllsisht me askënd tjetër dëfton shqiptarizmin si më shqiptarja në këngë e melodi.”

Ardit Gjebrea, kantautor: “Filloi kënga dhe unë u gozhdova i shtangur në kolltukun e platesë së Operas, duke ndjekur madhështinë e interpretimit të artistes sonë të madhe. Në një moment kulminant të këngës ndjeva që trupin ma përshkuan mornica dhe ishte hera e parë, që më ndodhte një gjë e tillë. Isha i magjepsur dhe në fund të këngës duartrokisja me gjithë fuqitë e mia dhe trupi vazhdonte të drithërohej nga emocionet që më kishte ngjallur zëri dhe çdo lëvizje e saj. Nuk mund ta harroj kurrë atë emocion dhe mbaj mend edhe vendin ku isha ulur atë natë, ku provova një emocion si të isha në dashurinë time të parë.”

Liliana Çavolli, këngëtare: “Zëri dhe interpretimi i Vaçe Zelës pasqyrojnë shpirtin, fisnikërinë, madje mund të them edhe karakterin e popullit tonë. Vaçe Zela është një institucion më vete.”

Dr. Sytki Bushati, mjek, mik i familjes: “Vaçja sikur lindi për të bashkuar në këngë tokësoren me hyjnoren. Gjithçka në harmoni. Kjo është Vaçja për mua dhe për të gjithë ata që e kanë njohur. Nuk di pse më erdhën në kujtesë ato vargjet e poetit popullor shkodran: “Perëndia të goditi, kusur nuk të pat lanë.”

Rikard Ljarja, aktor e regjisor: “Vaçe Zelën e kam njohur në vitin 1961. Kemi qenë bashkëstudentë në shkollën për aktorë. Kemi qenë në një klasë. Vaçja ka qenë një tip i jashtëzakonshëm sepse ishte e formuar si artiste në atë moment që erdhi në kursin tonë. Kanë kaluar vite, vite vite… Ajo nuk arriti të bëhej aktore sepse Zoti a natyra, i kishte dhënë një dhunti të jashtëzakonshme, një zë vërtet të jashtëzakonshëm. Po nuk është thjesht çështja e zërit. Vaçja kishte potencën fizike, mençurinë edhe zërin, dhe këto të gjitha i përdori në mënyrë të shkëlqyer dhe arriti të bëhej një figurë mbarëkombëtare e këngës. Ajo nuk ishte thjesht një këngëtare, vërtet nuk ishte thjesht këngëtare! Asaj i këndonte shpirti, i këndonte syri, floku, lëkura, gjestikulacioni. Ajo ishte gjithçka. Këto fenomene të natyrës lindin shumë rrallë. I qëlloi epoka e saj. Epoka e saj ka lënë gjurmë kaq të thella në kujtesën e gjithë shqiptarëve, të gjithë brezave, edhe të atyre që do vijnë më vonë. Unë do ta quaja fenomeni Vaçe Zela. Për shqiptarët kudo që janë ajo ishte “the voice“.

Mirush Kabashi, aktor: “Gjithmonë më tingëllon zëri i saj me një këngë të huaj që titullohej “Esperanca”. Pikërisht, kjo shpresë që Vaçja nuk e sillte nëpërmes përmbajtjes së këngës, por nëpërmjet interpretimit të këngës, nëpërmjet asaj të veçante të këngës së saj, ishte ajo që e bënte atë fenomen, që e bënte aq të kërkuar, që do ta bëjë atë gjithmonë si një ndër yjet më të mëdha të artit tonë, sepse Vaçja gjatë gjithë karrierës së saj artistike ngjalli te njerëzit vetëm ndjenjën e shpresës, po ndjenjën e shpresës në një sistem diktatorial. Ky është një atribut që vetëm një artiste e madhe e përmasave të Vaçe Zelës mund ta ngjallte.”

Nirvana Pistulli, poete: “Vaçja është një idhull, është një emër që nuk harrohet, është një zë që nuk mund të zëvendësohet, është një melodi e përjetshme, është një lule plot dritë në një kohë të zymtë, ushqim për shpirtra të etur. Ajo nuk i përket vetvetes, ajo i përket gjithë kombit.”

Nexhat A. Agolli, shkrimtar, autor i monografisë “Vaçe Zela – magjia e këngës shqiptare”: “Vaçe Zela ishte një yllësi që ndriçoi mendjen muzikore shqiptare për afër dyzet vjet radhazi me zërin e saj të ngrohtë dhe të gjithëpushtetshëm. Dy zëra në kohë të ndryshme të fenomenit Vaçe: në të parën adoleshente dhe, në të dytën, madhore. Mes tyre një periudhë e gjatë, e shtrirë në kohë dhe në hapësirë mes dy caqeve nga ku nisi dhe arriti zenitin këngëtarja jonë e shquar. Një lëvizje drejtvizore, e ngjashme me të atë Tokës rreth vetes dhe Diellit, por me një trajektore më të gjatë, do të thoja kozmike. Në kufirin e kësaj trajektoreje ne përjetuam zërin e saj të mahnitshëm.”

Besnik Dizdari, gazetar: “Kur flet për Vaçe Zelën të del përpara një rrugë gjigante dhe vihesh në vështirësi për të gjetur fjalët e duhura, për të përmbledhur rrufeshëm një jetë të tillë. Unë them vetëm kaq: Brezi ynë u rrit me këngën e Vaçes. Në shpirtin tonë të trazuar zëri i saj i rrallë, melodia që buron prej tij, përshkohet si një lloj elektrizimi që sjell vetëm forcë. Është një forcë shpirtërore që blaton një lloj rinimi të pashpjegueshëm, që ishte krejt në kundërshtim me atë realitet! Është e çuditshme se si ndodhte, që edhe atëherë kur përmbajtja e këngës nuk sinkronizohej me zërin e magjishëm dhe me melodiozitetin që buronte prej tij, ne emocionoheshim deri në skaj. Çuditërisht ndjeheshim më të fortë dhe nostalgjia që falte zëri shndërrohej në një optimizëm që sa vështirë ishte ta gjeje në Shqipërinë e asokohe. Ky është shërbimi i madh atdhetar i Vaçe Zeles ndaj shqiptarëve. Në të vërtetë, Vaçja na fal humanizëm, të cilin ne nuk ia kthyem me kurrgjë më tepër përveç se me duartrokitjet që thonë se janë shumë për artistin. Ndoshta…”

Hasan Huta, poet: “Moj Vaçe Zela e pavdekshme. Je pjesë e shpirtit të këtij populli, por veçanërisht e imja si artist, si krijues. Nuk mund ta konceptoj personalitetin tim pa atë timbrin e zërit tënd që oshtinte në qiejt e kohës duke më bërë të identifikohesha me atë klithmë pothuajse hyjnore për të qenë edhe vetë pjesë e magjisë së artit. Ashtu si energjia kozmike që përshkon materien e ngurtë edhe zëri i shpirtit tënd e përshkonte tejembanë sistemin inert të kohës duke ndriçuar si një vetëtimë në qiellin e errët shpirtin e njeriut shqiptar. Të uroj nga zemra shëndet dhe ndërgjegjësim të të qënit e pavdekshme jo vetëm për kombin tonë por për zërin njerëzor në përgjithësi.”

Violeta Librazhdi, mësuese, shoqe fëmijërie, autore e librit biografik “E papërsëritshmja Vaçe Zela”: “Kënga e saj çante muret e Teatrit të Operas dhe Baletit, kaptonte rrufeshëm fusha, bregore e male dhe futej në çdo shtëpi shqiptari brenda e jashtë kufirit. Njerëzit e thjeshtë ndoshta nuk e dinë se sa çmime të para ka marrë Vaçja. Por ato dinë më shumë, dinë që Vaçe Zela është një bijë e denjë e popullit të saj, që kudo dhe kurdoherë ka në zemër e në mendje Shqipërinë e shqiptarët. E kjo është mjaft për ta. Prandaj ajo meriton ngrohtësinë, dashurinë dhe urimin e thënë thjesht: “Të këndoftë zemra, të lumtë goja o Vaçja jonë e shtrenjtë!” Kjo është arsyeja që ne, shoqet e shokët e saj, kur mblidhemi bashkë ndër festa edhe kur ajo s’është, ngremë një gotë për të dhe na duket fort e goditur sentenca e latinëve “Shkëlqen me mungesën e saj.”/ KultPlus.com

‘Sa kemi mall s’ka deti valë, o moj e bukura Arbëri’ (VIDEO)

Një ndër këngët që dëgjuesve ia fal ndjenjën e nostlagjisë së atdheut është “Moj e bukura Arbëri”, e sjellur nga zëri magjik i Vaçe Zelës, shkruan KultPlus.

Kjo këngë nga Vaçe Zela është xhiruar nga RTSH në Institutin e Arteve, e shndërruar në një studio të televizionit, për programin e Vitit të Ri. Ky regjistrim u improvizua e mbeti një nga regjistrimet më dinjitoze të të pakrahasueshmes Vaçe Zela, nën regjinë e Mevlan Shanajt dhe Vera Grabockës.

KultPlus ua sjell tekstin dhe këngën “Moj e bukura Arbëri”:

Në breg pulëbardhat çajnë fluturim
si kënga jonë plot mall.
Këndojmë nga larg me dashuri,
moj Arbëri.

Të parët tanë me brengë të lanë,
sa kohë më nuk të panë?
por sot si lule më je ti,
moj Shqipëri.

(refreni)
Valët e detit shkumojnë plot dallgë,
bashkë me shokët në breg kemi dalë.
Sa kemi mall s’ka deti valë,
o moj e bukura Arbëri.
Shikojmë nga larg, mendojmë për ty,
o moj e bukur Shqipëri.

Këtej ne degë, ti rrënjë matanë,
N`mes deti me stuhi.
Shkuan kaq mote e degët s’u thanë,
moj Arbëri!

Kjo kënga jonë, për ty përherë
na djeg si zjarr në gji.
Tek zjarri yt ne jemi përjetë,
moj Shqipëri!

(refreni)
Valët e detit shkumojnë plot dallgë,
bashkë me shokët në breg kemi dalë.
Sa kemi mall s’ka deti valë,
o moj e bukura Arbëri.
Shikojmë nga larg, mendojmë për ty,
o moj e bukur Shqipëri./ KultPlus.com

“Ç’më kujton kaq shpesh mor djalë, lemzë or lemzë më ler të qetë'(VIDEO)

Ikona e këngës shqiptare Vaçe Zela, lindi më 7 prill 1939, me zërin e saj mahnitës e të papërsëritshëm për më shumë se 40 vjet krijoi mitin e saj të pavdekësisë, duke hyrë në zemrën e çdo shqiptari brenda e jashtë atdheut.

Këngët e saj ndër vite mbeten të preferuara edhe sot nga publiku. Ajo i dhuroi publikut dhe muzikës shqiptare, zërin e saj të artë.

Sonte KultPlus ua sjell tekstin dhe videon e këngës ‘Lemza’:

O ra zilja m’nisi frika
msusi hyri në mësim
dhe në vend si s’më ra pika
Kur ai thirri emrin tim.

Unë asnjë fjalë s’kisha mësuar
Se mbrëmë në takim isha me ty
Po nisi lemza e bekuar
Në d’rrasë të zezë shihja dy sy.

Ohoho mos më ngacmo
Ohoho se me mundon ooo
Tralalala…

Ç’më kujton kaq shpesh mor djalë
Lemzë or lemzë më ler të qetë
Është turp i madh kur s’di një fjalë
Edhe lemza kisha mbet.

M’ lerë moj lemzë se mbarova
Çdo mësim unë ta mësoj
Po të jap fjalën po kalova
Në takim më shpesh do shkoj.

Ohoho mos më ngacmo
Ohoho se me mundon ooo
Tralalala…

Por lermë moj lemzë se mbarova
Çdo mësim unë ta mësoj
Po të jap fjalën po kalova
Në takim më shpesh do shkoj

Në takim më shpesh do shkoj
Në takim më shpesh do shkoj./ KultPlus.com

‘Sot një këngë do të këndoj, veç për ty o gjyshja ime’ (VIDEO)

Vaçe Zela është emër i çmuar në muzikën shqiptare. Kënga për Gjyshen’, është mjaft e pëlqyer për publikun, pasi gjyshet zakonisht japin shumë dashuri dhe janë ndër personat të cilat luajnë rol kyç në krijimin e personalitetit të fëmijës.

Kënga ‘Gjyshes’, është një kërkimfalje për të gjitha gabimet, lodhjet dhe mundimet, e mundshme që mund t’i ketë bërë një fëmijë gjyshes së tij, si dhe falënderim për gjithë dashurinë e pakushtëzuar.

KultPlus jus jell këngën dhe tekstin ‘Gjyshes’ nga Vaqe Zela:

Sot një këngë do këndoj,
Veç për ty, o gjyshja ime.
E di mirë dhe s’e harroj
të shkaktova shumë trazime

Këngen time ta kushtoj
e të falur të kerkoj

për shumë faje e gabime,
net pa gjumë e mundime.

Ti u zbardhe, gjyshja ime.
E çdo vit një rrudhë shton
sa kokëçarje shqetësime
sjellja ime të shkakton.

Por ti je gjithnjë e mirë
edhe fajin shpejt ma fal
T’jem e urtë unë kam dëshirë,
por se vrullin dot s’e ndal.

Kur fëmijë kam qenë një herë
e pranë zjarrit me ty rrinja.
Më tregoje ti atëherë
shumë gjëra që unë s’i dija.

Unë dëgjoja gjithë çudi,
plot kureshtje, kënaqësi.
Dhe sa shumë nga ti mësoja.
Me sa vrull të përqafoja.

Shkuan vitet e tani
s’jam e vogël si atëherë.
Por o gjyshe unë përsëri
ta prish qejfin nganjëherë.

Por se prapë edhe sot
për çdo gjë ti më del zot.
E shikimi yt i dlirë
më jep forcë të jem e mirë./ KultPlus.com