200 artistë, në skenën e TKOB, për operën “Carmen”

Në Teatrin Kombëtar të Operas e Baletit janë duke u kryer përgatitjet e fundit për operën e George Bizet, “Carmen”.

200 artistë do të ngjiten në skenë për të sjellë për publikun një nga shfaqjet më të bukura të historisë së artit botëror. “Carmen” do të vijë nën regjinë e Giandomenico Vaccari, me një koncept të ri, krejtësisht novator si në skenografi, ashtu edhe në rolet e personazheve.

Orkestra Simfonike, Solistët dhe Kori i TKOB-së pritet të sjellin një “Carmen” dinjitoze dhe pasionante, nën dirigjimin e maestros, Dian Tchobanov.

Opera do të vihet në skenë në 4 data: 8, 9, 10, dhe 11 dhjetor, me dy kaste mjeshtërore artistësh si Vikena Kamenica, Ivana Hoxha, Carlos Cardoso, Denis Skura, Armando Likaj, Artur Vera, Renisa Laçka, Nina Muho e shumë profesionistë të tjerë në role të ndryshme./atsh/KultPlus.com

8 artistë paraqesin punët e tyre në ekspozitën ‘Vazhdë’

Bazament Art Space, Tirana Art Lab dhe Instituti Italian i Kulturës në Tiranë kanë organizuar eventin “Vazhdë”, një ekspozitë e kuruar nga pjesëmarrësit e edicionit të parë të programit arsimor alternativ “Kurim me Përkujdesje”, mbështetur nga Instituti Italian i Kulturës në Tiranë.

Artistët pjesëmarrës janë: I mirënjohuri Anastas Kostandini së bashku me vajzat e tij, Ledia e Mariana Kostandini, Theo Napoloni, Anxhela Pipero, Merita Selimi, Kairo Urovi dhe Agrina Vllasaliu.

Tetë artistë, reflektojnë mbi aktin e përcjelljes së njohurive ndër breza si një element themelor i njerëzimit. Ky transferim është më shumë sesa thjesht shkëmbim informacioni, ka të bëjë me përcjelljen e shpresave, ëndrrave, traumave dhe metodave të mbijetesës.
Ai mishëron vetë thelbin e të qenit njerëzor, duke formësuar veprimet dhe reflektimet tona si individë dhe si hallka të rëndësishme në zinxhirin e historisë sonë kolektive.

Ekspozita “Vazhdë” reflekton mbi identitetin individual dhe vendin që secili zë brenda një narrative më të gjerë: ku çdo brez kontribuon në këtë histori të vazhdueshme, duke shtuar dhuntitë dhe perspektivat e veta unike. Kjo lidhje midis brezave nuk ka të bëjë vetëm me ruajtjen e së kaluarës, por edhe me reflektimin dhe metabolizimin në të tashmen për të formësuar siç duhet të ardhmen.

Ekspozita e cila do të qëndrojë e hapur deri më 14 dhjetor, është kuruar nga Pediona Dautaj, Klaudia Fagu, Kleidia Gjata, Lulzim Hoti, Beskida Kraja, Resina Meçani, Grejsi Rudi, Enza Rripaj, Redina Qose, Vesa Shahini, Era Tula, Fabio Toska./atsh/KultPlus.com