Zërat që ‘shërojnë’, Diellza Sylejmani dhe koncerti që përçon shpresë e optimizëm

Vjollca Duraku

Të bindur mbi fuqinë dhe karakterin e fortë të Diellza Sylejmanit, miqtë e saj të enjten mbrëma organizuan koncertin “Miqtë për Diellzën”, që erdh më shumë si simbolikë për diagnostifikimin e hershëm të kancerit, se sa si përkrahje ndaj përballjes së saj me kancerin e gjirit, shkruan KultPlus.

‘E njohim Diellzën’, ‘e fortë’, ‘pozitive’, ‘luftarake’, janë shprehje me të cilat iu referuan mexosopranos Diellza Sylejmani, kolegët e saj me të cilët kishte bashkëpunuar ndër vite.

Kjo njohje për së afërmi e mexosopranos Sylejmani, kishte bërë që miqtë e saj më shumë se për sëmundjen e cila e kishte sfiduar, ishin të vetëdijshëm për fuqinë e saj shpirtërore dhe për mesazhin që ajo këtë kohë po e përçonte në nivele më të thella, për diagnostifikimin sa më të hershëm të kancerit dhe për shtuar dashurinë e kujdesin e miqve ndaj njëri-tjetrit, i cili nga jeta dinamike disi është zbehur.

Mbrëmjen mes shumë të pranishmëve e hapi organizatori Dardan Noka, i cili pas fjalës përshëndetëse e ftoi aktoren Safete Rogova, e cila nën shoqërimin e pianistit Andi Duraku, recitoi fuqishëm vargjet “Dedikim për Diellzën”.

Më pas me veprat Vilja të Franz Lehar, Quando m’en vo të Giacomo Puccini, Ah Lieb… e  Allerseelen të Richard Strauss, dhe Këngën e Hënës të Antonin Dvorak në skenë performuan sopranoja Besa Llugiqi dhe pianisti Misbah Kaçamaku.

Pas interpretimit të tyre, i cili përveç profesionalizmit përçonte elegancë dhe paqe, në sallën me kushtet jo adekuate, dolën në skenë Kori i Grave të Filharmonisë së Kosovës.

“Moj e bukura More, Qenke veshur me të bardha, Trëndelinë të Thoma Simakut, The Rose të Ola Gjeilos, She Wepps Over Rahoon të Eric Whitacre u interpretuan nga Kori i Grave të Filharmonisë nën përcjelljen e klarinetistit Shkumbin Bajraktarit dhe pianistit Andi Durakut me dirigjimin e Hajrullah Sylës.

Interpretimit të Korit të Grave të Filhamonisë, krejt në fund iu bashkua edhe vetë Diellza Sylejmani, për të interpretuar një pikë së bashku me koleget e saj, e cila u prit jashtëzakonisht mirë nga publiku, pasi qe një veprim i cili shpërfaqte ndërthurje energjish dhe zërash që përçonin forcë dhe optimizëm.

Pas koncertit në një prononcim për KultPlus, foli solistja Besa Llugiqi e cila Diellzën e konsideroi si pjesë të familjes së saj, pasi me njëra-tjetrën njiheshin prej fëmijërisë.

“Për mua ka qenë minimalja që kam mundur  të bëj për Diellzën dhe mendoj për të gjithë ata që sot kanë interpretuar, sepse e njohim prej të vegjël. Kemi punuar bashkë në kor të Filhamonisë,  kemi udhëtuar bashkë, kemi kënduar bashkë, kemi studiuar bashkë, ka shumë vite që Diellzën e njoh dhe gjendja e saj për ne është e papritur. Sigurisht edhe për mua ka qenë shumë e ndjeshme si situatë. Iniciativa e Dardanit ka qenë t’i ndihmojmë me aq sa kemi mundësi, mendoj që të gjithë artistët jemi të hapur dhe nuk kishte me thënë asnjë jo në këtë rast”, ka deklaruar Sopranoja Llugiqi duke thënë që me kënqësi e realizoi këtë koncert duke besuar fuqishëm që Diellza shumë shpejt do të marr veten dhe do të tejkalojë këtë sfidë, sepse e njihte si karakter shumë pozitiv, direkt, shumë luftarak.

Ndërsa oraganizatori Dardan Noka, deklaroi që Diellza e ka tejkaluar sfidën dhe që kjo mbrëmje është organizuar më shumë si mbështetje morale për të, deri në tejkalimin e plotë të sfidës.

“Sonte kemi dashur të mblidhemi, më shumë për ta mbështetur moralisht, në mënyrë që ajo të ndihet edhe më e fortë në këtë luftë, por në të njëjtën kohë edhe për të përçuar një mesazh për të gjithë që të kujdesen për diagnostifikimin sa më të hershëm. Diellza është një prej rasteve që e ka diagnostifikuar sëmundjen shumë herët, dhe unë e besoj që kjo ka për t’i ndihmuar shumë që ajo ta mundë sëmundjen”, ka thënë Noka.

Ai më tutje shtoi se artistët ftesës i ishin përgjigjur shumë pozitivisht, dhe se organizimi i një ngjarjeje të tillë ka qenë fare i lehtë, për shkak të gatishmërisë së artistëve.

“Për mua është e rëndësishme që ka ndodhur kështu për dy arsye. E para, në një kohë kur afrimiteti mes njerëzve mund të vihet në pikëpyetje për shkak të ritmit të jetës që e kemi, dhe janë këto momente kur ti e sheh që njerëzit prapë shpalosin shpirtin human. Janë këto momente që na bëjnë të reflektojmë për kujdesin për njëri-tjetrin në rrethana pa qenë vonë. Kështu që më vjen mirë që janë përgjigjur dhe kjo ka me qenë një ndihmesë për Diellzën në rrugën e saj, që është një rrugëtim shumë i gjatë derisa ajo ta mund plotësisht sëmundjen” ka thënë më tutje Noka.

Në fund të koncertit shumica e të pranishmeve iu bashkuan skenës për t’i dhuruar dashuri, mbështetje dhe respekt Diellza Sylejmanit, për të cilën edhe u organizua kjo mbrëmje artistike./KultPlus.com

Filmi i Javës: ‘Perfect Days’ – filmi më i mirë i Wim Wenders në dekada

Gjatë dekadës së fundit, regjisori veteran gjerman, Wim Wenders (Wings of Desire, Buena Vista Social Club) ka pasur një rezultat disi të çrregullt, me filmin e tij të fundit të mrekullueshëm që ishte dokumentari i vitit 2011 “Pina”. Tani, ai ka dhënë një nga karakteristikat e tij më të mira narrative në vite, një perlë magjepsëse në heshtje për të çmuar momentet kalimtare dhe për të përqafuar lidhje të rastësishme.

“Perfect Days” ndjek Hirayama (Kōji Yakusho), një pastrues i moshuar dhe i zellshëm tualeti në Tokio. Ai është një njeri i qetë, i vetmuar, që gjen gëzim në kënaqësitë e thjeshta të jetës: zgjimi para lindjes së diellit, ujitja e bimëve, leximi para gjumit. Kur ai nuk po e zbaton veten me ndërgjegje në profesionin e tij dhe nuk po i duron veprimet e kolegut të tij shumë më të ri Takashi (Tokio Emoto), ai është i armatosur me kamerën e tij të vjetër Olympia dhe merr pamje nga natyra ose shton një kasetë tjetër në koleksionin e tij muzikor, shkruan Euronews, transmeton Klankosova.tv.

Ritmi i rutinës së tij të përditshme ndërpritet kur mbesa e tij adoleshente Niko (Arisa Nakano) shfaqet në banesën e tij të vogël për një vizitë të paparalajmëruar. Ajo ka ikur nga nëna e saj, motra e larguar dhe e pasur e Hirayama.

“Perfect Days” filloi jetën si një projekt i porositur nga autoritetet urbane japoneze, për të festuar sistemin më të avancuar të tualetit publik të Tokios. Wenders i ofron shikuesit perëndimor mundësinë për t’u habitur nga shumëllojshmëria dhe dizajnet e objekteve japoneze, por është larguar nga përmbledhja. Duke bërë këtë, ai ka krijuar një studim vëzhgues të personazheve që është xhiruar me syrin e një dokumentari nga Franz Lusting./ KultPlus.com

Tragjikomedia ‘Shtëpia e Zotit’, vjen si bashkëpunim mbarëkombëtar

 Teatri Kombëtar në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Kosovës dhe Teatrin Shqiptar të Shkupit sjellin sot dhe nesër veprën “Shtëpia e Zotit”.

Tragjikomedia, nga Ledian Gjeçi, i zhvillon ngjarjet në një “shtëpi bari”, në Shqipëri. Historia zhvillohet gjatë një feste të pazakontë, në shtëpinë ku prodhohet hashash, i cili grabitet pikërisht ndërsa personat e përfshirë në këtë biznes, ishin duke festuar. Kjo ngjarje pasohet me kaos dhe të gjithë i bren dyshimi për tradhëtinë e mundshme të njëri-tjetrit. Por ndërkohë që “shtëpia e barit” nuk është më sekret, lind nevoja urgjente për një tjetër vend të sigurt dhe dikush propozon një vend fantastik ku nuk hyn askush; një vend të përsosur për të jetuar, e për të vdekur, vend i cili do të jetë dëshmitar i ndodhive të jashtëzakonshme që do të pasojnë.

“Shtëpia e Zotit” do të shfaqet në sallën “Central 400” tek ArTurbina.

Regjisori i shfaqjes është Ilir Bokshi, koreograf Robert Nuha, skenograf Bekim Korça, kostumografe Njomza Luci, kompozitor Endri Sina, as/regjisore Dorina Çaushi. Vepra teatrore ishte përshëndetëse në festivalin “Moisiu” që pas Shkupit zhvilloi edicionin e dytë në Tiranë./atsh/KultPlus.com

Përvjetori i Normales së Elbasanit, institucioni që vuri themelet e dijes e mendimit shkencor shqiptar

Më 1 dhjetor 1909 u çel Normalja e Elbasanit.

Vendimi për hapjen e një institucioni që do të përgatiste kastën e mësuesve, të cilët do të përçonin gjuhën shqipe në mbarë trojet, u mor nga Kongresi i Elbasanit.

Drejtori i parë i Normales ishte nënshkruesi i Deklaratës së Pavarësisë, Luigj Gurakuqi. Në katedrën e kësaj shkolle, komunikuan dijen figurat më të shquara të kulturës dhe shkencës në Shqipërinë e kohës, sikurse ishin Aleksandër Xhuvani, Simon Shuteriqi, Salih Ceka etj.

Normalja ishte kurorëzim i përpjekjeve të patriotëve, të klubeve shqiptare brenda e jashtë atdheut, të cilët bënë përgatitjet e nevojshme për të siguruar mjetet dhe kuadrin pedagogjik për fillimin e edukimit të brezave të mësuesve të rinj.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave sjell foto ku paraqitet godina dhe nxënës të Normales./atsh/KultPlus.com

8 artistë paraqesin punët e tyre në ekspozitën ‘Vazhdë’

Bazament Art Space, Tirana Art Lab dhe Instituti Italian i Kulturës në Tiranë kanë organizuar eventin “Vazhdë”, një ekspozitë e kuruar nga pjesëmarrësit e edicionit të parë të programit arsimor alternativ “Kurim me Përkujdesje”, mbështetur nga Instituti Italian i Kulturës në Tiranë.

Artistët pjesëmarrës janë: I mirënjohuri Anastas Kostandini së bashku me vajzat e tij, Ledia e Mariana Kostandini, Theo Napoloni, Anxhela Pipero, Merita Selimi, Kairo Urovi dhe Agrina Vllasaliu.

Tetë artistë, reflektojnë mbi aktin e përcjelljes së njohurive ndër breza si një element themelor i njerëzimit. Ky transferim është më shumë sesa thjesht shkëmbim informacioni, ka të bëjë me përcjelljen e shpresave, ëndrrave, traumave dhe metodave të mbijetesës.
Ai mishëron vetë thelbin e të qenit njerëzor, duke formësuar veprimet dhe reflektimet tona si individë dhe si hallka të rëndësishme në zinxhirin e historisë sonë kolektive.

Ekspozita “Vazhdë” reflekton mbi identitetin individual dhe vendin që secili zë brenda një narrative më të gjerë: ku çdo brez kontribuon në këtë histori të vazhdueshme, duke shtuar dhuntitë dhe perspektivat e veta unike. Kjo lidhje midis brezave nuk ka të bëjë vetëm me ruajtjen e së kaluarës, por edhe me reflektimin dhe metabolizimin në të tashmen për të formësuar siç duhet të ardhmen.

Ekspozita e cila do të qëndrojë e hapur deri më 14 dhjetor, është kuruar nga Pediona Dautaj, Klaudia Fagu, Kleidia Gjata, Lulzim Hoti, Beskida Kraja, Resina Meçani, Grejsi Rudi, Enza Rripaj, Redina Qose, Vesa Shahini, Era Tula, Fabio Toska./atsh/KultPlus.com

Vdes ish-gjyqtarja Sandra Day O’Connor, gruaja e parë në Gjykatën e Lartë

Ish-gjyqtarja Sandra Day O’Connor, e cila hapi gjurmët si gruaja e parë që u ul në Gjykatën e Lartë, ka vdekur, njoftoi gjykata të premten në mëngjes.

O’Connor, 93 vjeçe, vdiq për shkak të “komplikimeve të lidhura me demencën e avancuar”, tha gjykata.

O’Connor frymëzoi gjenerata të avokatëve femra – duke përfshirë pesë gratë që shërbyen pas emërimit të saj në gjykatën e lartë. Ato e admiruan rrugën e saj duke shënuar sukses në një fushë që ishte dominuar nga burrat. Me kalimin e kohës, ajo u bë e njohur si një konservatore e moderuar dhe shpeshherë votuese për çështje të nxehta sociale, raporton CNN, transmeton Klankosova.tv.

Ajo vdiq pasi jetoi për të parë që një gjykatë e re me prirje konservatore përmbysi një vendim aborti që ajo ndihmoi të shkruante në 1992, uli shiritin midis kishës dhe shtetit dhe vendosi në një fushë tjetër me interes për të: veprimin afirmativ./KultPlus.com

Tom Holland thotë se do të bëjë Spider-Man 4 por vetëm me një kusht

Tom Holland thotë se ai do të xhirojë Spider-Man 4 vetëm nëse ia vlen.

Ndërsa ishte ulur me Christina Radish të Collider gjatë një konference për shtyp, aktori zbuloi nëse do ta rishikonte ndonjëherë rolin që e bëri atë të njohur.

“Gjithçka që mund të them është se ne kemi qenë aktivisht të përfshirë në biseda rreth asaj se si mund të duket për një interpretim të katërt të karakterit tim. Nëse mund të gjejmë apo jo një mënyrë për t’i dhënë drejtësi personazhit është një gjë tjetër. Ndihem shumë mbrojtës ndaj Spider-Man”, filloi ai.

“Ndihem shumë, shumë me fat që mundëm të punojmë në një ekskluzivitet që u bë më i mirë me çdo film, që u bë më i suksesshëm me secilin film, që mendoj se është vërtet i rrallë dhe dua të mbroj trashëgiminë e tij.

“Pra, nuk do të bëj një tjetër për hir të krijimit të një tjetër. Do të duhet t’ia vlejë kohëzgjatja e personazhit.”

Pavarësisht se la të kuptohet se mund të duhet pak kohë për të zbuluar se si do të dukej kapitulli tjetër, Holland pohoi se do të ishte “budalla të mos e vishte përsëri kostumin”.

“Unë e dua personazhin dhe njerëzit me të cilët punoj. Pra, do të doja të tregoja një histori tjetër, por do ta tregoj vetëm nëse mund të gjejmë atë të duhurin,” vazhdoi ai.

Kanë kaluar pothuajse dy vjet që kur Spider-Man: No Way Home u shfaq në kinema dhe, duke pasur parasysh të gjitha fytyrat e vjetra që u rikthyen në ekskluzivitet, sigurisht që do të jetë e vështirë për të arritur në krye./ KultPlus.com

Shfaqja “Gjithçka rreth IV”, sot premierë në Durrës

Sot në Durrës, në teatrin “Aleksandër Moisiu” do të shfaqet premiera e shfaqjes “Gjithçka rreth IV”.

Sipas filmit të Joseph L. Mankiewicz dhe me regjisor Hervin Culi, shfaqja vjen si bashkëpunim i artistëve teatror nga Prishtina dhe Tirana dhe trajton dramat dhe intrigat që thur njeriu me ego të sëmurë për të arritur qëllimet e veta pa pasur parasysh se çfarë shkatërron apo dëmeve që i shkakton njerëzve rrotull tyre.

Në këtë shfaqje luajnë: Ermira Hysaj Çerkozi, Alubulena Kryeziu Bokshi, Hervin Çuli, Adrian Morina, Kushtrim Sheremeti, Rovena Lule Kuka, Natasha Sela dhe Endriu Hysi.

Datat e shfaqjeve: 1,2,3 dhjetor 2023 – Durrës, ora 19:00, 16 dhjetor 2023 – Prishtinë dhe 19,20,21 dhjetor – Tiranë. / KultPlus.com

Nesër bëhet shpallja e fituesit të çmimit “Artistët e së nesërmes” 2023


Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë ka njoftuar se më datë 2 dhjetor, do të bëjë shpalljen e fituesit të çmimit “Artistët e së nesërmes” 2023.

Çmimi “Artistët e së nesërmes” është një projekt unik që u ofron artistëve të arteve pamore nën moshën 35 vjeçare mundësinë të krijojnë vepra të reja, të bëhen pjesë e një procesi specifik që përfshinë  vlerësimin e veprave dhe artistëve nga një juri kredibile ndërkombëtare, mundësi që të bashkëpunojnë me ekipin kuratorial të Stacion – Qendrën për Art Bashëkohor Prishtinë dhe të marrin pjesë në ekspozitën vjetore të finalistëve të çmimit “Artistët e së nesërmes” edhe të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të përjetojnë dinamikën e skenës artistike të Nju Jork-ut, për dy muaj qëndrimi në Residency Unlimited. Pas kthimit nga SHBA artistët fitues bëhen pjesë e programit vjetor të Stacion- Qendra për Art Bashkëkohor në Prishtinë me ekspozitën personale që shfaqet në Klubin e Boksit në Prishtinë.

Anëtarë të jurisë së çmimit “Artistët e së nesërmes” 2023 janë: Julieta Aranda, artiste, bashkë-themeluese dhe redaktore e e-flux, Berlin, Miljana Dunđerin, artiste, drejtoreshë e qendrës private kulturore “Akvarijus”, Mitrovicë Veriore, Agrina Vllasaliu, artiste, fituese e çmimit çmimit Artistët e së nesërmes 2022, me angazhim në Berlin dhe Prishtinë, Alper Turan, kurator dhe shkrimtar, me angazhim në Nju Jork dhe Stamboll, dhe Driton Selmani, artist, Prishtinë, ka zgjedhur tre finalistët e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2023, artisët e rinj Renea Begolli, Shkamb Jaka, Arbesa Musa.

Fituesi i çmimit “Artistët e së nesërmes” 2023 do të shpallet me 2 dhjetor 2023 në Klubin e Boksit në Prishtinë, dhe mbyllja e ekspozitës së finalistëve të “Artistët e së nesërmes” 2023 do të jetë me 9 dhjetor
2023.

Fituesi/ ja i/e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2023 do të shpërblehet me qëndrim dy mujor në Nju Jork, SHBA, në programin rezidencial për artistë në Residency Unlimited, gjatë periudhës qershor/korrik 2024, dhe ekspozitë personale në kuadër të programit vjetor të ekspozitave të Stacion – Qendra per Art Bashkëkohor Prishtinë të vitit 2025. / KultPlus.com

Dua Lipa, zyrtarisht ambasadore e markës “Porsche”

Dua Lipa ka qenë gjithmonë një adhuruese e makinave sportive – dhe markës “Porsche” në veçanti. Kjo është arsyeja pse artistja dhe prodhuesi i famshëm i veturave sportive po bashkojnë forcat për një bashkëpunim, përcjell albinfo.ch.

Dua Lipa është e njohur për karrierën e saj të shquar si një yll i muzikës pop, me një arsenal hitesh të frymëzuara nga stilet retro dhe video me performanca verbuese.

Në anën tjetër, me historinë e saj 75-vjeçare, kompania e veturave Porsche ka një tërheqje të ngjashme, me makina të frymëzuara nga dizajni klasik, mjeshtëria dhe sharmi i parezistueshëm, të cilat kombinojnë gjithashtu inovacionin dhe përsosmërinë moderne.

Si dy emra të njohur në fushat e tyre përkatëse, “Porsche” dhe Dua Lipa, po njoftojnë një partneritet të ardhshëm dhe bota e automobilave dhe fansat e këngëtares po bëhen bashkë për një partneritet të ri.

Partneriteti i bërë publik tashmë në Instagram, e shfaq Dua Lipën pas timonit të “Porsche”-eve klasike dhe moderne, si legjenda ‘911’ dhe ‘Taycan futuristik’ tërësisht elektrik, duke u kërkuar fansave që “të mbajnë sytë hapur për atë që do të vijë në të ardhmen…”

Përveç kësaj, llogaria në Instagram për Qendrën e Eksperiencës “Porsche” në Los Angeles përmendet gjithashtu në mbishkrimin e postimit, të bërë nga artistja me origjinë shqiptare.

Sido që të jetë, ky partneritet i ri mes Dua Lipës dhe “Porsche”-s përfaqëson konvergjencën e dy emrave me fuqi të jashtëzakonshme yjesh, qoftë në industrinë e muzikës apo në industrinë e automobilave.

Fansat e Dua Lipës dhe markës “Porsche” duhet të jenë të emocionuar për potencialin e asaj që të dy mund të bëjnë së bashku. / KultPlus.com

Tragjikomedia “Shtëpia e Zotit”, vjen si bashkëpunim mbarëkombëtar

Teatri Kombëtar në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Kosovës dhe Teatrin Shqiptar të Shkupit sjellin sot dhe nesër veprën “Shtëpia e Zotit”.

Tragjikomedia, nga Ledian Gjeçi, i zhvillon ngjarjet në një “shtëpi bari”, në Shqipëri. Historia zhvillohet gjatë një feste të pazakontë, në shtëpinë ku prodhohet hashash, i cili grabitet pikërisht ndërsa personat e përfshirë në këtë biznes, ishin duke festuar. Kjo ngjarje pasohet me kaos dhe të gjithë i bren dyshimi për tradhëtinë e mundshme të njëri-tjetrit. Por ndërkohë që “shtëpia e barit” nuk është më sekret, lind nevoja urgjente për një tjetër vend të sigurt dhe dikush propozon një vend fantastik ku nuk hyn askush; një vend të përsosur për të jetuar, e për të vdekur, vend i cili do të jetë dëshmitar i ndodhive të jashtëzakonshme që do të pasojnë.

“Shtëpia e Zotit” do të shfaqet në sallën “Central 400” te ArTurbina.

Regjisori i shfaqjes është Ilir Bokshi, koreograf Robert Nuha, skenograf Bekim Korça, kostumografe Njomza Luci, kompozitor Endri Sina, as/regjisore Dorina Çaushi. Vepra teatrore ishte përshëndetëse në festivalin “Moisiu” që pas Shkupit zhvilloi edicionin e dytë në Tiranë./ atsh / KultPlus.com

Vdes fotografi legjendar Elliot Erwitt

Fotografi legjendar Elliott Erwitt, i njohur për imazhet e tij të sinqerta dhe shpesh qesharake bardh e zi, ka vdekur në moshën 95-vjeçare, sipas BBC.

”Ai vdiq i qetë në shtëpi, i rrethuar nga familja”, tha në një deklaratë ”Magnum”, kolektivi i fotografëve ku ai kishte qenë pjesë e tij që nga viti 1953.

I lindur në Paris nga prindër rusë, Erwitt u transferua në SHBA që fëmijë.

Ai kapi momente të rëndësishme, duke përfshirë një grindje famëkeqe në vitin 1959 midis zëvendëspresidentit të atëhershëm të SHBA, Richard Nixon dhe kryeministrit sovjetik Nikita Hrushov.

Në vitin 2017, në 100-vjetorin e Revolucionit të Tetorit të Rusisë, ai foli për BBC se si ishte të dëshmosh se dy liderë botërorë kishin një grindje gjatë Luftës së Ftohtë.

Erwitt u bë i njohur edhe për kapjen e pikëllimit (Jacqueline Kennedy në funeralin e burrit të saj), kafshëve (veçanërisht qenve) dhe momenteve të rëndësishme kulturore.

Në vitin 1960, në moshën 32-vjeçare, ai realizoi xhirime promocionale për filmin ”The Misfits”, ku luajtën Marilyn Monroe, Montgomery Clift dhe Clark Gable.

”Ishte bindja e fortë e Erwitt se fotografia duhet t’i flasë shqisave dhe emocioneve dhe jo intelektit”, tha ”Magnum”.

”Magnum” shtoi se do të “mbronte me krenari trashëgiminë frymëzuese që krijimi i imazhit të tij do të vazhdojë të luajë në historinë e artit dhe fotografisë”.

Ai u martua dhe u divorcua katër herë, dhe la pas gjashtë fëmijët e tij, 10 nipër e mbesa dhe tre stërnipër./ atsh / KultPlus.com

Fotografi zviceran, në kërkim të fëmijëve shqiptarë, të fotografuar në vitet `90

Ata që duan të shohin “rezultatin” e këtyre kërkimeve, mund të kënaqin kureshtjen duke parë filmin “Ku jeni ju”, që shfaqet këtë të diele, më 3 dhjetor, në Olten

Hans Peter Jost është një fotograf zviceran. Ai, në fillim të viteve `90 të shekullit të kaluar, menjëherë pas ndryshimeve demokratike që ndodhën në Shqipëri, kishte bërë shumë udhëtime nëpër vendin deri atëherë, të panjohur, për të zbuluar pamje nga realiteti i rëndë nëpër të cilin po kalonte Shqipëria.

Ai ka realizuar tashmë edhe disa libra në të cilët ka përmbledhur fotografi të zgjedhura nga kjo periudhë. Libri i tij “Albania in between” ka fituar disa çmime të rëndësishme në hapësirën gjermane, për kualitetin e faqosjes, si libër fotografish.

E porsa çliruar nga izolimi 45 vjeçar, vendi po vuante nga një tranzicion i rëndë, shoqëruar me varfëri dhe kaos politik e shoqëror, shkruan albinfo.ch. E gjithë kjo jepte një lëndë interesante për tu fotografuar, dhe për të përjetësuar kështu me objektivin e aparatit fotografik ndryshimet që po kalonte Shqipëria.

Një nga “kult fotografitë” e kësaj periudhe, ku shihet një grup fëmijësh në një gjendje të mjerueshme, diku në veriun shqiptar, është bërë shkas që rreth 30 vite më vonë Jost të realizojë një film dokumentar. Me titullin simptomatik “Ku jeni ju” (where are you), autori pasqyron, tani përmes gjuhës filmike, përpjekjet e tij për të gjetur ku janë dhe ç` bëjnë sot, këta ish fëmijë, ndërkohë që në Shqipëri kanë ndodhur ndryshime të mëdha.

Ata që janë të interesuar të shohin “rezultatin” e këtyre kërkimeve, mund të kënaqin kureshtjen e tyre duke parë filmin, që shfaqet këtë të diele, më 3 dhjetor, në Olten.

Mbrëmjet e fotografimit dhe videove tashmë zhvillohen të dielave në mbrëmje nga ora 19:00.

Filmi shfaqet në kuadrin e aktivitetit PHOTOSTREAM OLTEN #52, që mbahet në Galicia Bar Olten, Unterführungsstrasse 20, 4600 Olten.

(Foto: Hans Peter Jost ©) / KultPlus.com

Loredana do të jetë në jurinë e “Deutschland sucht den Superstar”

Mësohet se në jurinë e “Deutschland sucht den Superstar” vitin e ardhshëm, do të jetë edhe një artiste shqiptare, shkruan albinfo.ch.

Vlen të theksohet se Loredana është konfirmuar si anëtare e jurisë në edicionin e ri që do të vlejë për vitin 2024.

“Me Beatrice Eglin dhe Loredanën, ne mundëm të fitonim dy përfaqësues shumë të suksesshëm të zhanreve të tyre muzikore përkatëse për jurinë e DSDS. Ne kemi gjetur kastin tonë të dëshiruar për sezonin e 21-të”, tha Inga Leschek, menaxhere e programit. / KultPlus.com

Meta prezanton Threads, rivalin e X, në BE

Grupi Meta ka prezantuar shërbimin e mesazheve të shkurtra Threads në Bashkimin Evropian, raporton ”Wall Street Journal”.

”Do të ketë gjithashtu një opsion për të përdorur Threads vetëm për të lexuar postimet pa qenë në gjendje të shkruani postimet tuaja”, sipas raportit.

Shërbimi është një alternativë ndaj platformës në internet X të Elon Musk, e njohur më parë si Twitter.

Që kur Musk bleu Twitter dhe e riemëroi X, numri i përdoruesve në platformë ka ardhur në rënie, sipas studiuesve të tregut.

X akuzohet gjithashtu se nuk ka moderuar gjuhën e urrejtjes dhe lajmet e rreme.

Disa konkurrentë i shohin problemet e X si një mundësi për të ndërtuar platformat e tyre.

Threads konsiderohet një kandidat veçanërisht i fortë, sepse shërbimi bazohet në platformën e fotove dhe videove në Instagram të Metës, e cila ka qindra miliona përdorues të lidhur.

Threads ka afro 100 milionë përdorues që janë aktivë.

Zuckerberg mbetet i bindur se Threads mund të bëhet një shërbim me një miliard përdorues brenda pak vitesh./ atsh / KultPlus.com

Ç’mbet nga ajo kohë

Poezi nga Nerimane Kamberi

Ç’mbet nga ajo kohë e çoroditur
Shenja NoLockdown te xhamat e kafeve te fakulteti
aty afër shenjës NoSmoking,
mbeten ca maska të harruar në fund të sirtarit
dhe shishe gelli apo xhelli
gjysëm të zbrazëta apo gjysëm të mbushura.
Erdhën kohëra edhe më të çmendura,
luftëra të një lloji tjetër.
Njeri  kurrë mos me u bo rahat. / KultPlus.com

Kur në Shkodër festohej vënia në skenë e të parës vepër operistike shqiptare, “Mrika” e Prenk Jakovës

Është 1 dhjetori i vitit 1958. Kjo është një foto historike nga Ded Jakova. Si edhe të tjera foto, kjo është dëshmimi i një ngjarjeje që tregon se Shkodra i përkiste kryeqendrave evropiane të artit dhe kulturës, aristokracisë së atyre qyteteve që shkruan faqet e shkëlqimta të artit.

Kjo është një foto, por më shumë se si një e tillë është tregues se cila ishte Shkodra, ku kremtohej si një festë, me pjesëmarrjen e gjithë qytetit, vënia në skenë e operës së parë shqiptare. Ishte koha kur kryeqendra e kulturës hidhte një hap të guximshëm në një nga gjinitë më të vështira të artit, atë të veprës operistike.

Nuk jemi në Vjenë, në Paris, në Romë, Berlin, Londër apo Barcelonë, jemi në Shkodër dhe “Mrika” është e para vepër operistike shqiptare, me muzikë të Prenk Jakovës dhe libret të Llazar Siliqit. Jemi aty ku shkodranët prijnë në hapin e madh të shoqërive të emancipuara, ku ndodh gjithçka, por edhe festohet ardhja në jetë e një opere

Opera “Mrika” është nistorja ma e kurajshme e një gjeniu, e cila kërkonte me ngulm ta përfshinte Shkodrën dhe krejt Shqipërinë në rendin e shoqërive aristokratike. “Mrika” ishte opera e parë në historinë e artit muzikor shqiptar, të cilën Prenk Jakova e shkroi në bashkëpunim me libretistin Llazar Siliqi dhe regjisorin e njohur shkodran Andrea Skanjeti. Më 1 dhjetor 1958 u shfaq premiera e operës së parë shqiptare, “Mrika”. Shfaqja e parë si dhe tetëmbëdhjetë të tjera në vazhdim u dhanë në teatrin “Migjeni” të Shkodrës, interpretuar nga muzikantët e këtij qyteti, nën drejtimin e mjeshtrit Prenk Jakova. Pas një viti, më 1959, opera u shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit, Tiranë, duke u bërë pjesë e rëndësishme e fondit të artë të repertorit të këtij institucioni.

Shkodra ka ken e ka për me mbet qyteti ku ndodhin ngjarje të mëdha, ku çdo tentativë politike për ta denigruar atë, është thjeshtë një dashakeqësi që do të dështojë me përçmim. / Albert Vataj. / KultPlus.com

Rama: Shkodra, gati për një dhjetor festash siç i ka hije traditës së saj të dikurshme

Ky fillim dhjetor e ka gjetur qytetin e Shkodrës të zbukuruar me dekorin e festave të fundvitit.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale foto nga atmosfera që ka përfshirë qytetin verior për të mirëpritur Krishtlindjen dhe Vitin e Ri.

Pema e madhe e Vitit të Ri e vendosur në pedonalen kryesore të qytetit, dekori zbukurues dhe shtëpizat prej druri i kanë dhënë një pamje të mrekullueshme Shkodrës.

Rama shprehet se Shkodra po bëhet gati për një dhjetor festash siç i ka hije traditës së saj të dikurshme.

Ndërsa Kreu i Bashkisë Shkodër, Benet Beci u ka drejtuar një ftesë të gjithë qytetarëve shkodranë për t’u bërë bashkë në orën 18:00, për të nisur festën për të gjithë muajin dhjetor./ atsh / KultPlus.com

Dua Lipa publikon statistikat vjetore nga Spotify, mbi 3.2 miliardë dëgjime në vitin 2023

Platforma Spotify është duke publikuar statistikat vjetore të dëgjimeve për secilin artist.

Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Dua Lipa, ka vënë një rekord të ri me statistikat e saj mbresëlënëse në këtë platformë muzikore, të cilat ajo i ndau me ndjekësit në Instagram.

Sipas demografikave të publikuara, këngët e Dua Lipës janë dëgjuar plot prej 3.2 miliardë herë në të gjithë botën gjatë këtij viti, me një total prej 211.1 milionë dëgjuesve dhe 195.5 milionë orë të kaluara duke dëgjuar muzikën e saj nga 184 vende të ndryshme të botës.

Këto shifra të jashtëzakonshme tregojnë ndikimin e saj të vazhdueshëm në skenën globale dhe aftësinë për të çuar muzikën përtej kufijve tradicionalë.

Ndonëse këtë vit ajo nuk ka pasur prurje të mëdha muzikore, numrat kanë qenë befasues për këngëtaren shqiptare.

Shumë nga ky sukses vjen falë këngës së saj “Dance The Night”, e cila është kolona zanore e filmit më të shikuar të vitit, senzacionit “Barbie”. / KultPlus.com

Sot, përkujtojmë 114-vjetorin e çeljes të së parës shkolle kombëtare pedagogjike në Shqipëri

Shkolla Normale e Elbasanit është e para shkollë kombëtare pedagogjike në Shqipëri e themeluar më 1 dhjetor të vitit 1909, në bazë të vendimeve të Kongresit Kombëtar i mbajtur më 2-8 shtator 1909, në Elbasan.

Shkolla Normale e Elbasanit, gjatë vitit akademik 1909-1910 numëronte 160 nxënës të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë.

Drejtori i parë i saj u caktua Luigj Gurakuqi. Si mësues kanë punuar personalitete të arsimit kombëtar si Aleksandër Xhuvani, Sotir Peci, Simon Shuteriqi, Kristo Dako, Hafiz Ibrahim Dalliu, Ahmet Gashi, Mahir Domi, Salih Çeka, Eqrem Çabej, Thanas Floqi etj. Historia e Normales së Elbasanit është e lidhur ngushtë me zhvillimet politike në Shqipëri. Ajo u mbyll gjatë vitit 1912 dhe u çel pas luftrave Ballkanike, më 1913-1914, në kohën e Qeverisë së Vlorës dhe të Princ Vidit. Ajo u mbyll përsëri gjatë Luftës së Parë Botërore dhe u hap në vitin 1921.

Nga viti 1921 ajo funksionoi rregullisht deri në vitin 1943, kur një numër i madh nxënësish i braktisën bankat e shkollës për të marrë pjesë në Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare. Nga rradhët e normalistëve të Elbasanit ranë 63 dëshmorë. / KultPlus.com

Revista polake, “Tanie Loty”: Shqipëria, një thesar i fshehur në Ballkan

E quajtur shpesh xhevahiri i pazbuluar i Evropës, Shqipëria ofron një ndërthurje të jashtëzakonshme peizazhesh të bukura, histori dhe kulturë të pasur dhe një mikpritje të ngrohtë, shkruan në një artikull revista polake e udhëtimeve “Tanie Loty”.

Ky është vendi i përsosur për një udhëtim të minutës së fundit nga Varshava për ata që duan të zbulojnë diçka të re dhe të pazakontë.

Nga shtigjet malore e deri te ujërat blu të detit Adriatik, Shqipëria ju fton të zbuloni thesaret e saj të paeksploruara.

Peizazhet

Shqipëria krenohet me peizazhet e saj, nga malet madhështore tek plazhet e pacenuara deri tek luginat atraktive. Bregdeti shqiptar, me ujëra të kristaltë dhe gjire mahnitëse, është një vend ideal për t’u çlodhur.

Monumentet

Vendi është i pasur me monumente historike, nga rrënojat e lashta deri te qytetet e stilit osman. Gjirokastra dhe Berati, të njohur si qytetet e gurit dhe një mijë dritareve, janë vende të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s dhe janë dëshmi e historisë së pasur të Shqipërisë.

Kultura

Kultura shqiptare është një ndërthurje magjepsëse e ndikimeve ballkanike, greke, osmane dhe italiane. Festivalet, muzika, vallet dhe traditat lokale janë dëshmi e gjallë e mozaikut të pasur kulturor që ofron Shqipëria.

Kuzhina

Kuzhina shqiptare edhe pse më pak e njohur është plot shije dhe aroma. Duke përdorur përbërës të freskët vendas, ofron një shumëllojshmëri gatimesh me ndikime mesdhetare dhe ballkanike. Nga prodhimet e freskëta të detit e deri te gatimet tradicionale të mishit, një udhëtim kulinar nëpër Shqipëri është një festë e vërtetë për “qiellzën”.

Natyra

Shqipëria ofron mundësi të panumërta për adhuruesit e natyrës dhe rekreacionit aktiv. Nga ecja në malet shqiptare deri te eksplorimi i parqeve dhe liqeneve të shumta kombëtare, Shqipëria është vendi i përsosur për ata që duan të jenë pranë natyrës.

Shqipëria – surpriza e Evropës

Duke zgjedhur Shqipërinë ju do të përjetoni një udhëtim unik në një nga vendet më magjepsëse të Evropës. Nëse kërkoni aventura kulturore, bukuri natyrore apo shije të pazakonta, Shqipëria ofron mundësi të pafundme për të zbuluar dhe shijuar çdo moment të udhëtimit tuaj. /atsh / KultPlus.com

Mira Murati mes 25 grave më me ndikim në botë, sipas Financial Times

Aktorja Margot Robbie, këngëtarja Beyoncé, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, shqiptarja Mira Murati, futbollistja spanjolle Jenni Hermoso, aktivistja iraniane dhe fituesja e çmimit Nobel për Paqe, Narges Mohammadi dhe Zonja e Parë e Ukrainës, Olena Zelenska, janë disa nga 25 femrat më me ndikim në botë për vitin 2023 sipas Financial Times.

Gazeta britanike nuk ka bërë një renditje të tyre por i ka ndarë ato në tre kategori.

E parara janë ato të krijuesve, ku ndër të tjera është Margot Robbie, e cila luajti së fundmi në filmin “Barbie” dhe Beyoncé që magjepsi botën me turneun e saj.

Në kategorinë e liderit është von der Leyen: “Evropa, Shtetet e Bashkuara dhe bota janë me fat që kanë presidenten Von der Leyen si udhëheqëse”, shkruan Sekretarja e Thesarit e SHBA-së, Janet Yellen duke e përshkruar atë si presidenten që ka thyer barrierat në një kohë sfidash globale.

Ndër liderët është edhe numri një i General Motors, Mary Barra, dhe shefja e teknologjisë e OpenAI, Mira Murati.

“Mira Murati, shefja e teknologjisë e OpenAI, është në krye të transformimit të thellë digjital të këtij momenti. E lindur në Shqipëri, Mira tani jeton në epiqendrën e evolucionit të shpejtë të inteligjencës artificiale. Produktet novatore të OpenAI, ChatGPT dhe Dall-E, kanë rrëmbyer imagjinatën e botës dhe do të ndryshojnë rrënjësisht mënyrën se si ne punojmë, mësojmë dhe shprehemi në mënyrë krijuese”, shkruan Marissa Mayer për Mira Muratin.

Sipas saj udhëheqja vizionare e Mira-s shtrihet shumë përtej shkencës dhe kërkimit të modeleve të mëdha gjuhësore në dizajnimin se si të inkorporojmë IInteligjencën Artificiale në jetën tonë të përditshme, si dhe si të zhvillojmë IA me përgjegjësi në lidhje me sigurinë dhe rregulloren.

Në kategorinë e heroinave është Narges Mohammadi “personifikimi i guximit”, shkruan autorja Marjane Satrapi; Zonja e Parë e Ukrainës Zelenska; ylli i tenisit Coco Gauff; dhe fituesja e çmimit Nobel Katalin Karik/albinfo.ch/KultPlus.com

Kryevepër apo mashtrim? Mona Lisa e dytë shfaqet në Itali

Ekspertët janë të ndarë nëse një pikturë, e ashtuquajtura “Isleworth Mona Lisa” është një origjinale superiore e Leonardo da Vinçit apo një kopje inferiore.

Është një mister që ka ndarë ekspertët për dekada: A është e vërtetë “Isleworth Mona Lisa”?

Po, në rast se nuk e dinit, ekziston një version i dytë i Mona Lizës së Leonardo da Vinçit, i cili gjithashtu përshkruan një grua të pozicionuar në mënyrë të ngjashme – që besohet se bazohet në fisniken fiorentine Lisa del Giocondo – dhe që duket më e re (disa thonë më të lumtur ) sesa ai në Luvrin në Paris, shkruan Euronews, transmeton Klankosova.tv.

E ashtuquajtura “Isleworth Mona Lisa” konsiderohet nga disa si një version i mëparshëm e kushërirës të saj të famshëme. Ajo u soll në Angli në 1778 dhe u ble nga familja Montacute. Ajo mori emrin e saj pasi u ble në vitin 1913 nga tregtari i artit Hugh Blaker, i cili ishte i vendosur në Isleworth, në perëndim të Londrës.

Tani, ajo shfaqet në Itali, pasi Fondacioni Mona Lisa me bazë në Zvicër po ekspozon punën në galerinë Promotrice delle Belle Arti të Torinos, në një ekspozitë të titulluar “Mona Lisa e Parë”.

Fondacioni pretendon se versioni Isleworth u përfundua një dekadë më herët se versioni në Luvër.

Fondacioni ka punuar me shkencëtarë, si John Asmus, në Universitetin e Kalifornisë, San Diego, të cilët kryen teste duke sugjeruar fuqishëm se i njëjti artist ka pikturuar fytyrat e të dy grave.

Megjithatë, disa ende nuk janë të bindur./KlanKosova/KultPlus.com