Shoqata për Kulturë dhe Letërsi “Tafil Kelmendi” në Komunën e Malishevës ka organizuar edicionin e parë të konkursit ndërkombëtarë të poezisë, ku fitues i vendit të parë të këtij edicioni është shpallë poeti kroat Nedjeljko Spilek, i cili poashtu është edhe diplomat i Ambasadës së Kroacisë në Kosovë, shkruan KultPlus.
“We are alone again” është poezia fituese e Spilek, e cila është vlerësuar nga juria në përbërje të: Hana Bytyqi, Fadil Javori, Izet Sjala, Alessandro Villa e Irma Kurti.
Në këtë edicion ka pas disa kategori: e fëmijëve me karakter komunal, për nxënësit e shkollave të mesme poashtu me karakter komunal, kategoria e poetëve kombëtar dhe kategoria kryesore ajo e poetëve ndërkombëtarë. / KultPlus.com
Ekspertët e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore po ndjekin një trajnim pranë Institutit të Konservimit dhe Restaurimit, në Universitetin e Arteve të Aplikuara të Vjenës.
Trajnimi, i cili zhvillohet në kuadër të projektit Workshop of Qesarati, “Kestorati, in the frame of 18th century painting”, ka në thelb praktikën e restaurimit përmes pajisjeve dhe metodologjisë si dhe punën për konservimin dhe restaurimin e artefakteve, që përbëjnë trashëgimi kulturore.
Gjatë trajnimit u diskutua rreth përmbajtjes dhe qëllimit të projektit, punës së deritanishme, si edhe u drejtuan pyetje ndaj Institutit të Fizikës Bërthamore të Aplikuar, në laboratorët e të cilit po analizohen kampionet e marra në kishat ku kjo atelie vendase e shek.XVIII ka pikturuar.
Ky program kishte të përfshirë edhe vizita në laboratorët e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike në Seibersdorf, si edhe në laboratorët e atelietë e Vjenës: Arsenal dhe Mauerbach, të Autoritetit Federal Austriak të Monumenteve./ atsh / KultPlus.com
Përfaqësues nga të dyja agjencitë shtetërore të arkivave dhe qytetarë morën pjesë në hapjen e kësaj ekspozite në Lapidariumin e Muzeut Kombëtar në Prishtinë, e cila sjell për opinionin dokumente dhe fotografi të rëndësishme të Kongresit të Alfabetit.
Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës në kuadër të bashkëpunimit me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë kanë hapur ekspozitën “Një komb, një ABC” në përvjetorin e 115-të të Kongresit të Manastirit apo Kongresit të Alfabetit, raporton Anadolu.
Përfaqësues nga të dyja agjencitë shtetërore të arkivave dhe qytetarë morën pjesë në hapjen e kësaj ekspozite në Lapidariumin e Muzeut Kombëtar në Prishtinë, e cila sjell për opinionin dokumente dhe fotografi të rëndësishme të Kongresit të Alfabetit.
Kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Bislim Bislimi, tha se ekspozita nëpërmjet punës së punonjësve profesionalë të arkivave shfaqë materiale të përzgjedhura si foto dhe dokumente të Kongresit të Manastirit që nxjerrin në pah përpjekjet për standardizimin e alfabetit shqip.
“Kongresi i Manastirit përveç që vuri themelet e gjuhës së shkruar shqipe për gjithë hapësirën shqiptare, një e arritur kulmore pas përpjekjesh me vite për ngritjen e vetëdijes kombëtare duke shënuar një nga faqet më të ndritshme të historisë jo vetëm për gjuhën, kulturën apo shkencën, por edhe për përparimin e gjithëmbarshëm të kombit tonë”, theksoi Bislimi.
Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave në Shqipëri, Ardit Bido, tha se me këtë rast festohet formësimi i identitetit kombëtar. Kongresi i Manastirit më 22 nëntor, sipas Bidos, ishte kulmimi i rilindjes shqiptare.
“Shqiptar nga të gjitha trevat dhe nga të gjitha bashkësitë fetare që formësojnë kombin tonë u bashkuan për të mos u përçarë kombi shqiptar”, theksoi Bido.
Kongresi i Manastirit ka qenë një konferencë akademike në qytetin e Manastirit, e udhëhequr nga Mid’hat Fashëri mes datave 14 nëntor – 22 nëntor në vitin 1908, që kishte për qëllim standardizimin e alfabetit të gjuhës shqipe.
Këto data përbëjnë ditë përkujtimi në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe në diasporën shqiptare, e njohur si Dita e Alfabetit. Përpara kongresit, gjuha shqipe përfaqësohej prej gjashtë ose më shumë alfabetesh (Elifba), pa llogaritur nënvariantet. / AA / KultPlus.com
Kanë mbetur vetëm edhe 4 ditë deri në mbyllje të konkursit mbarëkombëtar të poezisë “KultStrofa”, konkurs ky i hapur për të gjithë poetët.
Ky konkurs ka një histori të pasur me kontributet e jashtëzakonshme të poetëve, të cilët janë nderuar me një ceremoni të veçantë, organizuar nga gazeta online për art dhe kulturë “KultPlus” tash e gjashtë vite.
Por këtë vit, premtohet një edicion i veçantë, i mbushur me emocione të larmishme.
Juria profesionale e këtij edicioni ka një përbërje të veçantë, duke përfshirë shkrimtarë, gazetarë dhe tekstshkrues të këngëve, me qëllim të një laramanie sa i përket shijeve.
Juria përbëhet nga: Agim Vinca, kryetar jurie, Beti Njuma dhe Shpat Deda.
Organizatorja e këtij konkursi, Ardianë Pajaziti, ka bërë të ditur se konkursi është i hapur për të gjithë poetët, duke përfshirë edhe talentët e rijnë. Pajaziti gjithashtu ka treguar se kandidatët mund të aplikojnë me një poezi të pabotuar, duke e dërguar në adresën [email protected], duke përdorur subjektin “Për konkursin e poezisë ‘KultStrofa’. Afati i fundit për aplikim është data 26 nëntor 2023, ora 23:59.
Asnjë aplikim nuk pranohet nëpërmjet formave të tjera. Juria profesionale do të përzgjedhë dhjetë poezi- finalistë, të cilët edhe do të jenë të ftuar në ceremoninë kryesore, dhe më pas juria profesionale do të shpall edhe tre çmimet kryesore të konkursit, çmimin e parë, të dytë dhe të tretë.
Kujtojmë që fituesi i konkursit të parë ishte poeti i njohur Ragip Sylaj. Pas tij, vazhduam rrugën me krijimtarinë e poetëve të tjerë si: Arjola Zadrima, Merita Berdica, Gentiana Bajrami Atashi dhe Zhaneta Barxhaj. / KultPlus.com
Oqean i Madh është quajtur Fan Noli nga autori Ilir Ikonomi, i cili mbrëmë promovoi vëllimin e parë të librit biografik “Apostulli”, njëkohësisht duke paralajmëruar edhe dy të tjerë në radhë. I menduar të përmblidhej me 500-600 faqe, libri mbi biografinë e shkrimtarit të madh shqiptar Fan Noli, nuk arriti të përmblidhte gjithë veprimtarinë e kolosit, i cili si një figurë shumëdimensionale erdhi mbrëmë edhe në Prishtinë, shkruan KultPlus.
Në mbi 40 mijë faqe të studiuara në arkivat e Amerikës, Londrës, Vjenës, Shqipërisë, e në gazeta ditore të asaj kohe, ‘Themelues i shtetit shqiptar’ është elementi kryesor që e karakterizon Nolin, ndër të tjerë si poet, historian, prift, politikan, përkthyes, revolucionar, vizionar etj.
Në ambientet e librarisë Dukagjini, me një numër të madh pjesëmarrësish mbrëmë është bërë promovimi i librit “Apostulli” nga Ilir Ikonomi, i cili më pastaj në kohë rekord edhe u shit gati në tërësi i gjithë tirazhi prezent.
Ky libër i cili e paraqet figurën e Nolit si një ndër themeluesit e shtetit shqiptar, si rrallëherë ndodh me librat historik dhe biografik, u shndërrua në Best Seller në Panairin e Librit i cili po mbahet aktualisht në Tiranë.
Bashmir Xhemaj, ishte ai i cili në këtë mbrëmje mori fjalën i pari, ku edhe çmoi lartë stilin e shkrimit të autorit Ikonomi në portretizimin e figurës së Nolit.
“Iliri tashmë është etabluar në një zhanër shumë të jashtëzakonshëm të biografive për disa nga figurat shumë të rëndësishme të shekullit 20-të, për çka jam i bindur që ai ka sjellë një modalitet në mënyrën se si shkruhen dhe portretizohen këto figura, duke i dhënë edhe një kahje tjetër historiografisë, nëse mund ta quaj komuniste, ngaqë kemi lexuar, dhe mësuar”, tha Xhemaj.
Për stilin e jashtëzakonshëm të Ikonomit u shpreh më tej edhe studiuesi Bejtullah Destani.
“Për mendimin tim, Iliri e ka studiuar gjithë biografinë shqiptare edhe në Shqipëri edhe në Kosovë dhe ka një stil të jashtëzakonshëm, ashtu siç ka shkruar edhe librin e parë për Faik Konicën, Ismail Qemalin, Esat Toptanin, ai na sjell informacione jashtëzakonisht të reja”, tha Bejtullahu duke vënë në pah kërkimet e Ikonomit në arkiva të ndryshme si Itali, Amerikë, Vjenë, Londër ku në të kaluarën jo çdo kush ka pasur qasje për të lexuar për historinë e Shqipërisë.
Ndërsa, Suadela Baliu, redaktore e cila ishte pjesë e botimit të librit, tha se librin pas shumë kërkesave arritën ta sillnin edhe në Prishtinë
“Këto ditë të panairit kemi pasur shumë kërkesa nga Kosova që vinin enkas për të blerë librin e Fan Nolit me autor Ilir Ikonomi. Zakonisht jemi mësuar që librat me natyrë historike, biografitë nuk janë nga ata Best Seller. Por, ndodhi që në fakt ishte Best Seller sepse mbaroi tirazhi i parë. U kërkua shumë”, tha Baliu e cila më tej tregoi që Noli në libër paraqitet hap pas hapi, që nga mbërritja e tij në Amerikë si një djalosh 20 e ca vjeçar, ambicioz e vizionar për çështjen kombëtare.
Ndërsa vetë autori Ilir Ikonomi, i lumtur që para vetes kishte numër të madh të pranishmëve, shpalosi para tyre një dhuratë- bluzë e cila kishte të shtypur kopertinën e librit të tij, e që i ishte lënë dhuratë nga një kosovar, në panairin e librit në Tiranë.
“Ky është mendoj vlerësimi më i mirë nga një lexues për mua. Nuk e kam takuar ndonjëherë këtë njeri, por do të dëshiroja ta takoja, ndoshta do të kem rast. Është një gjë e bukur që ai e ka vlerësuar këtë libër”, u shpreh me mirënjohje ai.
Duke e shpjeguar mënyrën e tij të shkrimit, autori Ikonomi këtë libër e ka quajtur kërkim të gjatë, pasi ka dashur që punën e vet ta ndërtoj mbi fakte nga fillimi, dhe jo nga ajo që është thënë më herët për këtë figurë.
“Të tjerët mund të jenë mburrur, mund të kenë thënë njeri i madh, gjigand, mirëpo kjo nuk më ka interesuar fare kur shqyrtoj një figurë të tillë. I tillë ka qenë edhe rasti i Nolit, pa marrë parasysh se çfarë kanë thënë të tjerët për të, unë thash që do të bëj një libër që do të bazohet krejtësisht mbi dokumentet.”
Fillimisht Ikonomi kishte menduar që të sillte Nolin në të gjitha dimensionet në vitet 1906- 1920, me një volum prej 500-600 faqesh, por që kjo teori më vonë doli që nuk ishte e saktë.
“E kuptova që i kisha hyrë në këmbë një oqeani të madh dhe që është e pamundur që ta përfundoja me 500-600 faqe me Nolin. Ishte e pamundur sepse kishte aq shumë dokumentacion. Materialet të cilat unë mblodha nëpër arkiva dhe biblioteka duhet të jenë mbi 40 mijë faqe, që për fat të mirë përmes teknologjisë mund t’i fotografosh dhe s’ke nevojë t’i fotokopjosh dhe të shkosh çdo ditë në bibliotekë për një libër për të mbajtur shënime.”
Nga viti 1906 deri 1920 Noli sipas autorit Ikonomi kishte pasur një aktivitet të jashtëzakonshëm, që sipas tij fillon me krijimin e kishës shqipe në Amerikë, si një gjë aspak të lehtë në kohën kur ndikimi i kishës greke atje ishte shumë i fortë.
“Noli shkonte dhe predikonte ungjillin në gjuhën shqipe dhe pas ungjillit ai predikonte diçka tjetër, ai mbante fjalim dhe ky fjalim nuk ishte më fjalim fetar, por ishte politik. Ai fliste aty për politikë, dhe për atë se si duhej që Shqipëria të dilte nga zgjedhja e Turqisë, si të arrihej pavarësia dhe krijimi i shtetit tonë të ardhshëm. Prandaj ka rëndësi kjo që bëri Noli”, u shpreh autori duke e quajtur Nolin si vizionar e kulturës dhe iluminues të shqiptarëve, pasi populli ynë na atë kohë nuk kishte njohuri çka ishte gazeta, e as rëndësinë e asaj që mund të ketë për ngritjen e edukimit dhe kulturën, duke mësuar gjëra të reja.
“E gjendur nën sundimin e Turqisë, Noli ishte ai që e kuptoi që ka shpresë dhe ka shpresë shumë dhe prandaj lufta për autonomi filloi në SHBA, ideja e autonomisë mes shqiptarëve u hodh nga Fan Noli në fillim me autonominë e kishës, ku do flasim shqip në kishë. Ky ishte një njeri vizionar, kishte një vizon të qartë së çfarë do të duhej të bënin shqiptarët.”
Noli, për më tepër ishte njeri me një ego të madhe, i cili sipas autorit me të drejtë thoshte unë jam i pari, më i zoti, më i miri, e i cili pati dëshirë të madhe që të ishte pjesë e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, themelet e së cilës i hodhi vetë ai.
“Shkuarja e Nolit në Evropë nuk ishte thjesht për të shkuar në Evropë, por qëllimi ishte t’i bashkëngjitej grupit të Ismail Qemalit që po vinte prej Stambollit në Vlorë për të shpallur pavarësinë. Ismail Qemali ishte ndaluar në Vjenë në atë kohë, që të takohej me diplomacinë vjenezë për të shkuar pastaj në Vlorë. Noli niset për Liverpool, që pastaj të shkonte në Vlorë për të takuar Qeverinë e Ismail Qemalit. Ai donte të bëhej dikush në qeverinë e Ismail Qemalit. Por derisa Noli po udhëtonte drejt Liverpoolit, kupton që Pavarësia ishte shpallur, nga ku shkon në Londër dhe e vazhdon aktivitetin.”
Autori më tutje tregoi për rolin që Noli pati më 1914, për krijimin e kishës shqipe në Shqipëri, me ndihmën e Austrisë dhe për përpjekjet e tij të mëdha me themelimin e federatës Vatra e cila pati rol për të mos lejuar copëtimin e Shqipërisë pasi të mbaronte Lufta e Parë Botërore.
“Lufta mbaroi më 1918 dhe në Konferencën e Paqes këta mendonin se do të ndahen trojet, Shqipëria do të ndahej apo jo sepse kishte një traktat të fshehtë për ta copëtuar Shqipërinë mes Serbisë, Greqisë dhe Malit të Zi dhe Noli gjatë gjithë kohës së luftës kishte punuar që shqiptarët të kishin një vizion që kur të vinte konferenca e paqes, të ishin të përgatitur dhe që Shqipëria të mos copëtohej. Pra të mbanin kufijtë e 1913-ës sepse Kosovën nuk kishin shpresë për ta marrë”, shtoi Ikonomi më tej duke përmendur edhe gjurmën ai që kishte lënë pas takimit me presidentin amerikan Wilson, i cili pas premtimit e do ta mbronte Shqipërinë nga copëtimi, përmes një marrëveshje të fshehtë, Vlora për pak sa nuk iu dha Italisë.
“Mirëpo nuk kaloi shumë dhe Wilson bëri një marrëveshje të fshehtë me Italianët, ku u tha që Vlorën do ta merrni ju. Noli dhe gjithë patriotët shqiptarë u zemëruan shumë dhe filluan t’i shkruajnë letra presidentit Wilson, ku Noli e kritikoi shumë ashpër për punën e Vlorës. Pastaj ngjarjet u zhvilluan në mënyrë të tillë që Wilsoni hoqi dorë nga këto plane, dhe i dha mundësinë Shqipërisë që të mbetet në kufijtë e 1913”, përfundoi autori Ikonomi duke e quajtur të rrallë figurën e Fan Nolit s një mishërim i dijeve të thella të kulturës, historisë, gjuhëve, elokuencës së tij në të folur dhe aftësisë së tij të madhe për të bindur, elemente që u bashkuan me një patriotizëm të rrallë.
Pas ceremonisë së promovimit, u mbajt edhe një koktej rasti, ku mysafirët patën rastin që për së afërmi të takojnë autorin Ilir Ikonomi dhe të diskutojnë për librin që u promovua këtë mbrëmje. /KultPlus.com
Pas shekujsh mërgim, arbëreshët “kthehen” në shtëpinë e tyre dhe pikërisht në Krujën e Skënderbeut ku do të hapet muzeu në nderim të kultivuesve të palodhur dhe besnikë të gjuhës shqipe dhe traditave shqiptare në shekuj.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ka publikuar në rrjetet sociale detaje nga “shtëpia e arbëreshëve.
“Ditën Arbëreshe e mbyllëm me një premtim: të ngremë Shtëpinë e Arbëreshëve, bash në Krujën e Skënderbeut, pas rënies së të cilës u larguan shekuj më parë”, shprehet ministrja.
Margariti thekson se ky premtim do të bëhet realitet jo thjesht në formën e një muzeu artefaktesh e dëshmish për ruajtjen e gjuhës e traditave të të parëve, por edhe si një hapësirë dialogu dhe komunikimi mes brezash. / atsh / KultPlus.com
Presidentja Vjosa Osmani tha se “mërgata shqiptare është padyshim shtylla e lëvizjes kombëtare për liri e pavarësi të shqiptarëve”.
Në një fjalim në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, ku po mbahet edicioni i tretë i Samitit të Diasporës, Osmani tha se “mërgata jonë është sublimim i përpjekjeve të gjata e të kahershme për liri, pavarësi e shtetndërtim”.
Osmani e theksoi këtu edhe gjendjen jo të mirë të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Ajo tha se në mbështetje të kauzës së tyre “duhet dhe do të jemi një”, raporton Gazeta Express.
“Përderisa jemi mbledhur sot të gjithë këtu, të mos harrojmë se vëllezërit dhe motrat tona në Preshevë, Medvexhë e Bujanoc akoma përballen me diskriminim sistematik, që rezulton edhe me spastrim etnik nëpërmjet mjeteve administrative. Si gjithmonë, ju themi edhe sot: ju nuk jeni vetëm. Të gjithë jemi bashkë me ju në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Medvexhë e Bujanoc. Prandaj edhe në këtë kauzë për mbrojtjen e tyre duhet dhe do të jemi një”, tha Osmani.
Presidentja e Kosovës foli për “rolin historik të mërgatës shqiptare”, duke përmendur se si gjatë luftës në Kosovë, “shumë të rinj e të reja nga mërgata iu bashkuan vargonit të lirisë duke u mobilizuar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si mbrojtës të vendit tonë”. / KultPlus.com
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar sot se është lansuar aplikacioni “Raporto problemin”, ku qytetarët e Prishtinës mund të raportojnë për çdo problem në rrugë, ndriçim, dëmtim të hapësirës publike dhe probleme të tjera.
Rama është shprehur se ky inovacion do të bëjë ndryshime thelbësore në jetën tonë komunale.
“Të dashur qytetarë,
Fjala juaj ka fuqi të madhe në Kryeqytet, dhe këtë më së miri mund ta ndani përmes linkut të ri të cilin e kemi krijuar për të përmirësuar përmes juve infrastrukturën e Prishtinës. Ky inovacion do të bëjë ndryshime thelbësore në jetën tonë komunale. Në link ju mund të: Raportoni çdo problem në rrugë, ndriçim, dëmtim të hapësirës publike dhe shumë të tjera.
Me rastin e 79-Vjetorit të themelimit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” organizohet ceremonia festive Dita e Bibliotekës.
Ceremonia e hapjes do të mbahet në Hollin e Bibliotekës, më 24 nëntor 2023 në orën 11:00.
Gjithashtu do të hapet edhe një ekspozitë e cila do të prezantojë nga themelet deri te hapja publike e godinës madhështore të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës (artikuj të gazetës Rilindja 1973 – 1983). / KultPlus.com
Xhemail Mustafa, gazetar, politikan, publicist, shkrimtar shqiptar dhe këshilltar politik i presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugovës, u vra mizorisht në Prishtinë në hyrje të apartamentit të tij ku u qëllua për vdekje nga dy sulmues të cilët kurrë nuk u arrestuan.
Vrasja e tij tronditi Kosovën e pas luftës dhe mbetet një nga çështjet e pa zgjidhura dhe më misterioze që kanë ndodhur pas luftës në Kosovë.
Xhemail Mustafa lindi në fshatin Gllamnik të Komunës së Podujevës. Shkollën fillore dhe atë të mesme e kreu në vendlindje, ndërsa diplomoi për gazetari në Universitetin e Prishtinës. Nga fundi i viteve 70-ta punoi në gazetën Rilindja si redaktor i kulturës dhe më pas në vitin 1992, punoi në Qendrën e Informimit të Kosovës (QIK) deri në fund të jetës se tij ku dha kontribut të jashtëzakonshëm.
Kolegët e kujtojnë Xhemailin si njeri me vlera të larta intelektuale dhe guximin e tij në vitet e luftës në Kosovë. Gjatë viteve të 90-ta ishte një nga antarët e parë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndërsa, nga viti 1997 e deri ne vitin 2000 kur u vra, shërbeu si këshilltar i lartë politik i presidentit të Kosovës Dr.Ibrahim Rugova dhe zëdhënës për media. Xhemail Mustafa ishte i përndjekur politikisht nga UDBA që më vonë ky shërbim famëkeq u njohë me emrin BIA. Në vitin 1999 si gazetar kishte denoncuar pushtetin serb për krimet çnjerëzore, ai morri pjesë edhe në zgjedhjet lokale të vitit 2000 duke marrur shumë vota. I shpëtoi luftës dhe përndjekjes policore dhe ushtarake dhe aktivitetet i vazhdoi duke u bërë edhe anëtar i kryesisë LDK-së ku u dallua si intelektual i shquar dhe një nga figurat më të spikatura të kësaj partie. Po ashtu Xhemaili është i njohur edhe si autor në vitin 1999 botoi edhe veprën e tij me titull “Një lutje për Prishtinën”.
Xhemail Mustafa u vra më 23 nëntor 2000 në Prishtinë. Deri sa po hynte në banesën e tij ai u qëllua për vdekje me armë zjarri nga dy persona ku si pasojë të plagëve të marra vdiq në kliniken spitalore. Ai vdiq në moshën 47 vjeçare, la pas gruan dhe fëmijët e tij. Në rastin e vrasjes së tij u mbajt ditë zije dhe shumë njerëz e politikanë, familjes së tij i shprehen ngushëllime. Vrasja e Mustafes ishte vrasja e tretë politike e pas luftës së Kosovës dhe tronditi skenën politike e cila si shumë vrasje të pas luftës së Kosovës mbeti e pa zgjidhur. Kjo ishte vrasja e tretë e intelektualeve të shquar që shumica ishin nga Lidhja Demokratike e Kosovës, autorët e të cilëve ende nuk janë kapur. Në vitin 2014 familjarë të Xhemail Mustafes kërkuan me ngulm zbardhjen e rastit dhe kapjen e kësaj vepre makabër e cila tronditi vendin i cili sa po kishte dalur nga lufta. / KultPlus.com
Në periudhën nga 10 deri më 17 nëntor 2023, Galeria MOCA në Romë të Italisë u bë vendi i një ngjarje kulturore të veçantë. Ekspozita “NE-Përtej Artit Magjik”, u kurua nga artisti Italian Claudio Giulianelli dhe prezantoi krijimtarinë e dy artisteve të talentuar, Muhamet Ahmeti-Metis nga Kosova dhe Anita Monoscalco nga Italia.
Inaugurimi i ekspozitës u shënuar nga një prezantim thelbësor i dy artistëve duke sjellë një perspektivë të thellë mbi inspiratat dhe shpirtin e krijimtarisë së tyre.
Kjo ngjarje e artit, bashkoi një audienca të gjerë, përfshirë artdashës dhe përfaqësues të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Itali.
Mbështetës i projektit për artistin nga Kosova, Muhamet Ahmeti-Metis ishte MKRS dhe Komuna e Fushe Kosovës. / KultPlus.com
Një vajzë shqiptare ka mahnitur jurinë e “The Voice” në Belgjikë dhe në mesin e 4 mijë konkurrentëve ajo ka arritur të shkoj në finale të këtij konkursi të madh.
Ariona Hamzallari, e cila aktualisht ka arritur deri në finale të “The Voice Kids Belgium” është në mesin e 8-të më të mirëve.
Vokali i saj ka mahnitur spektatorët dhe jurinë të cilët e kanë shijuar dhe i kanë dhënë meritat shqiptares Ariona Hamzallari. / KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, me ftesë të Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, ka udhëtuar për në Tiranë ku do të marrë pjesë në Samitin III për Diasporë.
Në këtë Samit, pritet të marrin pjesë liderë institucionesh, partish politike, studiues dhe historian nga gjithë hapësira shqiptare, duke përfshirë edhe përfaqësues dhe figura të njohura të komunitetit arbëresh.
Presidentja Osmani në Samitin III për Diasporën, do t`i adresohet të pranishmëve me një fjalim.
Samiti III për Diasporën do t`i zhvillojë punimet më 22-23 nëntor. / KultPlus.com
Vetëm pak vite më parë, Shqipëria do të shndërrohej në një destinacion ekskluziv turistik, shkruan Pablo Bejerano në një artikull të botuar në të përditshmen spanjolle “El Pais”.
Por, këtë verë kërkimi i përhershëm i destinacionit të fshehur dhe të lirë solli një numër rekord vizitorësh në plazhet e tij me ujëra të kristalta.
Një studim i fundit tregoi sesi platformat si TikTok mund të shkaktojnë një rritje të papritur të numrit të vizitorëve në një vend të caktuar.
Ndryshe nga rrjetet e tjera sociale, sipas hulumtimeve, TikTok promovon videot që gjenerojnë disa ndërveprime në të njëjtën kohë.
Ndër aspektet që e dallojnë TikTok nga rrjetet e tjera sociale janë viraliteti i tij dhe lloji i audiencës.
“Destinacionet që mund të klasifikohen si më të lira dhe më të lehta për t’u aksesuar për popullatën, përshtaten më shumë me publikun e këtij rrjeti social”, tha Jennifer Mourenza, specialiste e marketingut dixhital në “AccuraCast”.
“Është e vështirë të dihet se sa vizitorë mbërrijnë në destinacione që janë në modë në TikTok, si Shqipëria, rritja e së cilës në sektorin e turizmit është e padiskutueshme”, shtoi ajo.
Vendi pati një rritje prej 26% të vizitorëve të huaj gjatë korrikut, krahasuar me shifrat e një viti më parë.
“Në shtator, numri i turistëve ndërkombëtarë u rrit me 45%, gjithsej 1,1 milionë (më shumë se një e treta e popullsisë vendase), ndërsa numri i vizitorëve në janar të vitit të kaluar u rrit me 94%”, sipas Institutit Shqiptar të Statistikave.
Në nëntë muajt e parë të vitit, vendi kishte 29% më shumë vizitorë se në të njëjtën periudhë të vitit 2022.
Por, studimi i publikuar nga “Journal of Outdoor Recreation and Tourism” ka gjetur korrelacione midis shifrave në TikTok dhe të dhënave në terren.
Algoritmi i TikTok është i ndryshëm dhe më i përshtatshëm për përhapjen e videove te shumë përdorues.
“TikTok gjeneron valë popullariteti që nuk janë në Instagram”, tha Jerome Bergerou, drejtor ndërkombëtar në agjencinë “AccuraCast”.
Megjithëse turizmi zakonisht mirëpritet si një motor i prosperitetit ekonomik, këto rritje të papritura kanë homologë.
Studimi mbi efektin e TikTok-ut në promovimin e destinacioneve turistike nxjerr në pah se prurjet masive dhe të papritura të vizitorëve shkaktojnë probleme të mbipopullimit.
“Vende si plazhet e Shqipërisë tashmë po tregojnë shenja mbipopullimi.Fluksi i turistëve në shkallë kombëtare kërkon një plan paraprak dhe përfshirje të shtetit”, tha gazetari Pedro Bravo.
“Normalisht përpara se të vijë një valë turizmi, është krijuar infrastruktura turistike për ta realizuar atë”, tha Bravo.
“Hotelet janë të nevojshme. Gjithashtu duhet të ketë negociata me linjat ajrore për të ofruar fluturime të lira. Agjencitë turistike duhet ta vendosin në katalogun e tyre dhe të bëjnë oferta”, shpjegoi ai.
Më pas vjen promovimi i destinacionit, i cili, pse jo, mund të bëhet në TikTok.
Në vitin 2022, portali i udhëtimeve “Breaking Travel News” theksoi popullaritetin shpërthyes të Shqipërisë në TikTok gjatë asaj vere.
Sipas “AccuraCast” ka dy mënyra për të reklamuar një destinacion.
E para është e drejtpërdrejtë, me reklama. Tjetra është më efektive. Ajo konsiston në përdorimin e influencuesve për të gjeneruar përmbajtje rreth destinacionit turistik.
Në Shqipëri, ajo që është e qartë është se më parë ka pasur një plan për ndërtimin e një aeroporti.
Në vitin 2021, në Kukës u hap aeroporti i dytë ndërkombëtar, përveç atij që tashmë ishte në kryeqytetin e Tiranës.
Gjithashtu, qeveria shqiptare ka planifikuar të ndërtojë edhe dy aeroporte të tjera në zonat turistike të Sarandës dhe Vlorës. /atsh /KultPlus.com
Vitet e fundit jemi mësuar që ta shikojmë nën drejtimin e programit “E diela shqiptare” në Tv Klan pas të cilës mbërthen të gjithë publikun shqiptar, por mund të themi se na kishte munguar Ardit Gjebrea si pianist dhe këngëtar.
Ka qenë pikërisht artistja Elsa Lila që e ka bindur Gjebrean që ta shoqëronte në piano në Samitin e Diasporës në kuadër të Ditës Arbëreshe në Pallatin e Kongreseve në Tiranë.
Nën ritmet e këngës “Moj e bukura more”, Gjebrea e ka shoqëruar Lilën jo vetëm në piano, por edhe ka kënduar bashkë me të, një performancë drithëruese që ka elektrizuar publikun, i cili ka kënduar bashkë me artistët e mëdhenj shqiptarë./Klantv/KultPlus.com
‘Mbrëmja artistike me V’ e cila u mbajt në Bibliotekën Kombëtare nga Rrjeti i Grave të Kosovës dhe Artpolis me aktivisten amerikane Eve Ensler, e njohur me emrin artistik “V”, solli shumë informacione dhe përvoja të saj, ndaj kauzave aktiviste, feministe, e ndryshimeve shoqërore, shkruan KultPlus.
Kjo mbrëmje, e cila pati të pranishëm nga arti, kultura, dhe politika, u hap nga interpretimi artistik “Manifesta për çikat dhe gratë e reja” i artistes Zhaneta Xhemajli, e cila trajtonte se çka duhej dhe nuk duhej bërë gratë. Pati fraza të cilat u mësohen atyre nga mentaliteti patriarkal për t’u kthyer në mesazhet të cilat bënin thirrje për të marrë në duar përgjegjësinë për jetën e tyre.
“Gjeje një burrë, kërko mbështetje, bota është e frikshme, mos dil, çikat nuk janë të mira në marrjen e vendimeve të vështira, pilotimin e aeroplanëve, ndjeke turmën, bindju ligjeve, merre një burrë të pasur/…. Gjithmonë lufto, kërko, mbroju, thuaj atë që do, thuaj atë që e mendon, lëviz vetëm me shpejtësinë tënde”, thuhej nga monologu i cili pati shprehje nga dy kënde të ndryshme.
Më pas, Drejtoresha Ekzekutive e Artpolis, Zana Hoxha e cila ishte moderuese e mbrëmjes tha që “V”, është një dramaturge, aktore, interpretuese, feministe dhe aktiviste amerikane, e cila me veprat e saj artistike ka lënë gjurmë të pashlyeshme, me libra të botuar në mbi 48 gjuhë, në mbi 140 vende të ndryshme.
“Ajo është një bashkëthemeluese e ‘City of Joy’, një qendër transformuese për gratë e mbijetuara të dhunës në Republikën Demokratike të Kongos dhe u shfaq në mënyrë të dukshme në filmin dokumentar të vlerësuar me çmime ‘City of Joy’, i disponueshëm në Netflix. Trupi i larmishëm i veprës së saj teatrale përfshin “Lemonade”, “Extraordinary Measures”, “Necessary Targets”, O.P.C, “The Good Body”, “Emotioal Creature and Fruit Trilogy”, bëri të ditur Hoxha.
Ajo më pas tha që “V” bën pjesë në listën e 100 grave më me ndikim në botë duke treguar edhe çmimet e shumta me të cilët është shpërblyer puna e saj.
“E njohur si një nga “150 Gratë që Ndryshuan Botën” e Newsweek dhe “100 Gratë më me ndikim” të The Guardian, “V” ka marrë çmime prestigjioze, duke përfshirë çmimin “Isabelle Stevenson Tony”, “Obie”, një bursë “Guggenheim” në shkrimin e dramave, “Glamour’s Woman of the Year”. Çmimin “Lucielle Lortel Lifetime Achievement”, dhe Çmimin “Lilly”, së bashku me diploma të shumta nderi. Përderisa shkrimi i saj me ndikim shfaqet rregullisht në Guardian”, tregoi Hoxha më tej.
Ndërsa vetë protagonistja “V” gjatë mbrëmjes trajtoi tema feministe nga kënde të ndryshme, ku edhe tregoi një rast personal ku goditja nga babai i saj, u bë shkas që ajo filloi të merrej me qështje të tilla.
Temat për të cilat u diskutua në këtë mbrëmje nga “V” ishte përvoja që kishte marrë nga gratë e mbijetuara të dhunës në Kongo, lufta për të drejtat e komunitetit LGBT, të drejtat e grave të cilat i kishte përfshirë në monologun “The Vagina”, rëndësinë e të ushqyerit shëndetshëm, i cili ndër të tjera eviton rrezikun e koncerit, si dhe rëndësinë e kërkimfaljes në eksplorimin e traumës dhe shërimit.
“Ëndrra është gjallë…Ne kemi fuqinë të rimarrim botën. Do të vazhdojmë derisa t’i japim fund dhunës”, ishte thënie motivuese nga “V” për të gjitha gratë pjesëmarrëse në këtë mbrëmje, e cila i jepte zë kauzës së tyre të përbashkët.
Ajo gjithashtu u shpreh e lumtur që po ndodhej në Kosovë, përsëri pas 22 vitesh, nga ku edhe po vërente ndryshime të mëdha, nga koha kur kishte qenë për herë të fundit.
Më tej, një pjesë e mbrëmjes u sigurua edhe për diskutime, të cilat u realizuan me publikun, mbi këto qështje.
Ndërsa, me një monolog që erdh si thirrje ndaj ‘trupit’ për ta ndier, shëruar, pranuar dhe dashuruar ashtu siç është, Donikë Ahmeti e interpretoi “Të thërras trup” të shkruar nga “V” si dedikim ndaj të gjitha grave në mbarë botën.
“Trupa që kërcejnë për sigurinë, për lirinë, kërcejnë sexy dhe joshëse , kërcejnë për dinjitet dhe për integritet, kërcejnë për trupin e vet, për të njohur trupin e vet. Unë të thërras trup tempulli im, fortunë, ngazëllehuni me gjakderdhjen vallëzoni në këtë ëndërr, vallëzoni deri sa të shëroheni, lakuriq, vallëzoni derisa të shihni derisa të ktheheni në fillim…”, ishte pjesa që e përmbylli natën e mbrëmshme artistike me “V”./KultPlus.com
Tirana mikpriti sot në Ditën Arbëreshe, shqiptarë nga e gjithë bota, ndër të cilët figura të njohura të komunitetit arbëresh, studiues, historianë, në një seri aktivitetesh të zhvilluara në vigjilje të Samitit III të Diasporës.
Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se Muzeu i Arbëreshëve, një nismë që synon ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë arbëreshe, do të ngrihet në Kalanë e Krujës.
Rama u shpreh se përveç muzeut, janë po ashtu edhe një sërë idesh të tjera që presin t’i japin jetë kësaj marrëdhënie në nivele të ndryshme njerëzore.
“Ne nuk e kemi një muze të tillë, ndërkohë që komuniteti arbëresh ka ruajtur me shumë fanatizëm relike të jashtëzakonshme dhe përfaqësuesit e atij komuniteti janë më shumë se sa të dëshiruar që ta kenë në Shqipëri, Muzeun e Arbëreshëve, të cilit i kemi gjetur edhe vendin. Ku tjetër përveçse në Kalanë e Skënderbeut”, tha Rama.
Po ashtu, Rama theksoi se është bërë edhe një ditë e verërave, duke çuar disa nga prodhuesit e verërave tona në Arbëri.
Ai informoi se do të ndërtohet edhe një kalendar për t’i lidhur bashkë prodhuesit, sepse në fund të fundit janë të gjitha verëra shqiptare./atsh/KulPlus.com
Rok grupi i njohur Elita 5 është një nga grupet më të preferuara në vendet shqipfolëse, të cilët i rezistuan kohës, shkruan Kultplus.
Me të dëgjuar këngët e tyre, meloditë na kthejnë prapa në kohë. Sot po ju sjellim njërën nga perlat muzikore “E urrej shiun”.
Në kitarë teli… i këputur ndali këngën më të bukur… por s’e ndali, shiun në këtë qytet.. Ku je buza e paputhur dashuria ime e humbur në mes të rrugës.. unë po lagem vetë..
I harruar si një letër e djegur… në këtë rrugë pa adresë kam mbetur E urrej… shiun kur bie… se njëherë ma fiku një zjarr.. një zjarr dashurie… I urrej.. lotët e mi… dhe pse ngjajnë me shiun që më ndau nga ti..
Dashuria ish dikur mbet kornizë pa pikturë që askund nuk e shoh në mur… I harruar.. si një leter.. e djegur… në këtë rrugë.. pa adrese kam mbetur…
E urrej shiun kur bie.. se njëherë ma fiku një zjarr një zjarr dashurie… i urrej.. lotët e mi… sepse ngjajnë me shiut.. (2x)
E urrej shiun kur bie.. se njëherë ma fiku një zjarr një zjarr dashurie… I urrej lotët e mi… dhe pse ngjajnë me shiun që më ndau nga ti..
Ti ndoshta ishe një rrufe që erdhe shpejt… dhe kur shkove, nuk e dita, as e di por këngën edhe shpresën i le të treten nëpër shi… / KultPlus.com
Filmi i metrazhit të gjatë “Okarina” me regji të Alban Zogjanit, është dhënë si premierë botërore në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Indi, shkruan KultPlus.
Filmi “Okarina” me skenar të Albana Mujës, e vendos shikuesin ne brendësi të privatësisë dhe përditshmerisë së një familjeje emigrantësh kosovarë në të 2000 – tat e hershme, përmes së cilës shpërfaqë historitë e patreguara të shumë shqiptarëve të humbur në kohë e ekzistencë.
Ky film gërsheton në vete problemet e të qenit emigrant, ndryshimet dhe tranzicionet e sjella nga jetesa në perëndim dhe mënyrat e përballjes me to.
Aktorët që luajnë në film janë: Jehon Gorani, Shengyl Ismajli, Rina Krasniqi, Flaka Latifi, Arta Selimi dhe Kastriot Shehi. Producente e filmit ishte: Rita Krasniqi dhe drejtor i fotografisë: Alex Bloom.
Skenaristja Albana Muja përmes një postimi në “Facebook” ka thënë se nominimi në një kategori të tillë është dëshmi e cilësisë që posedon përmbajtja filmike në tërësi.
“Kategoria e “Debutimit më të mirë” në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Indi përfshin realizime ndërkombëtare e indiane, të cilat shquhen si e ardhmja e kinemasë, ndërsa nominimi në kategori të tillë është dëshmi e cilësisë, rëndësisë dhe hapësirës që një krijim zë në këtë industri”, ka shkruar Muja. /KultPlus.com
Këngëtari i njohur Altin Goci, një nga figurat më të dashura të muzikës shqiptare që prej viteve ‘90-të, vjen më 23 nëntor me një super-koncert nostalgjik.
Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj postoi sot videon promovuese të koncertit dhe i fton të gjithë të bëhen pjesë e tij.
“Tirana flet pop-rock më 23 nëntor. Altin Goci, një nga figurat më të dashura që prej viteve ‘90-të, ju pret në një super-koncert nostalgjik.Bëhu grup dhe shijoje. Në orën 17:30 në Qendrën Kulturore të Katedrales Orthodhokse”, shkruan Veliaj në rrjetet sociale.
Altin Goci prej shumë vitesh është një vlerë e shtuar e krijimtarisë muzikore shqiptare. Grupi “Ritfolk”, ku Goci ishte pjesë, ishte ndër të parët që futi frymën e grupeve muzikore në Shqipëri./atsh/KultPlus.com
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro bëri të ditur sot se ka filluar puna mbi strategjinë e Turizmit 2024 – 2030, përmes një metodologjie të mirëstudiuar dhe me ekspertizën e GIZ.
Në një postim në rrjetet sociale Kumbaro tha se “duam të hartojmë një strategji që të jetë realiste, e zbatueshme dhe të drejtojë politikat e sektorit të turizmit deri në vitin 2030, me dinamikat e tij që shpesh herë edhe i tejkalon parashikimet”.
“Të gjithë janë të ftuar në tryezat e konsultimeve, që në përfundim të kemi produktin i cili do t’u shërbejë subjekteve publike, atyre private, bizneseve të hoteleri turizmit, të udhëtimit, organizatave, shoqatave dhe gjithë grupeve të interesit për të krijuar vizionin e tyre drejt produkteve turistike të qëndrueshme me ambicien se në mbarim të afatit të kësaj strategjie do ta kemi kthyer Shqipërinë në kampion të turizmit në Ballkan”, tha Kumbaro.
Shqipëria gjatë këtij viti ka shënuar një numër rekord turistësh. Përveç shfirave të larta, Shqipëria ka përjetuar edhe një ‘bum’ të promovimit mediatik botëror të potencialeve të saj turistike, deri tani shumë pak të zbuluara për botën.
Përveç vizitorëve nga Kosova, që mbajnë vendin e parë në të njëjtat shifra si vitin e kaluar, gjatë këtyre muajve tregje interesante paraqiten Spanja, Italia, Turqia, Mali i Zi, Franca, etj.
Vendi ynë ka kushte për turizëm gjithëvjetor, për shkak të relievit, që ofron mundësi për turizëm nga jugu, në veri. Fshatrat turistikë të veriut të vendit njohin së fundmi numër të lartë turistësh, ndërsa po zhvillohet edhe infrastruktura për turizmin e aventurës.
Shqipëria po ashtu ka lumenj të shumtë, laguna dhe parqe kombëtare, të cilat thithin turistë nga e gjithë bota./atsh/KultPlus.com
Objektet dhe mobilet nga setet dhe kostumet, duke përfshirë një kopje të veshjes së ashtuquajtur “hakmarrëse” të Princeshës Diana nga seriali “The Crown” do të dalin në ankand. Kostumet ikonë, rekuizitat dhe setet nga “The Crown” janë hulumtuar gjerësisht dhe janë krijuar me vëmendje vërtet mbresëlënëse ndaj detajeve nga artizanët.
Ankandi do të zhvillohet më 7 shkurt 2024 në selinë e shtëpisë së ankandeve në Londër dhe online nga 30 janari deri më 8 shkurt. Një ekspozitë e seteve, kostumeve dhe objekteve do të vizitojë Nju Jorkun, Los Anxhelosin, Parisin dhe Londrën përpara ankandit, të ardhurat e të cilit do të shkojnë për krijimin e një skeme bursash në Shkollën Kombëtare të Filmit dhe Televizionit në Mbretërinë e Bashkuar. Shkolla ka qenë pjesë e historisë së ‘The Crown’ që në fillim, me shumë prej të diplomuarve të saj që kanë kontribuar në prodhimin e shfaqjes ndër vite. /alsat.mk/KultPlus.com
Teatri “Migjeni” i Shkodrës sjell sonte për publikun, shfaqjen “Ikja”. Vepra ka autorësinë e Bujar Hoxhaj dhe vjen me regji të Rafael Hoxhaj dhe muzikë nga Rafael Marinaj.
“Ikja” do të përballë spektatorin me dilemat e një largimi. Ajo vjen si një rrëfim nga qielli dhe gjithashtu si një përjetim dhe akt momental. Drama vë pikëpyetje dhe trajton ikjen si fenomen jo veç të njëkuptimtë por shumë planësh:
Ikja nga përgjegjësitë dhe detyrimet si qytetar i një vendi relativisht në zhvillim e sipër.
Ikja nga vendi në kërkim të një jete më të mirë.
Ikja e pakthyeshme, ajo e madhja, ikja nga kjo botë.
Por a është “Ikja” një zgjidhje? Apo, nuk kemi zgjidhje tjetër veç “Ikjes”?
Me këto pikëpyetje që rëndojnë të paktën një herë në jetën e një njeriu, “Ikja” parë filozofikisht do të mundësohet nga Fondi i Teatrit për të Rinj, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Artdashësit do ta kenë hyrjen e lirë në Teatrin “Migjeni”./atsh/KultPlus.com