Presidenti Macron dekoron poetin Lulzim Tafa me urdhrin e lartë “Oficer i letrave dhe arteve”

Vetëm pak ditë pasi Presidenti Francez, Emanuel Makron e dekoroi në Tiranë shkrimtarin Ismail Kadare me urdhërin “Oficier i Madh i Legjionit të Nderit”, Ministrja e Kulturës së Francës, Rima Abdul Malak e ka nënshkruar dekretin me të cilin i akordon poetit të mirënjohur kosovar, Lulzim Tafa, dekoratën ”Oficier i Urdhërit Kombëtar të Letrave dhe Arteve”.

Kjo është dekorata më e lartë që shteti francez e jep në fushën e artit dhe letërsisë dhe po ashtu është edhe dekorata më e lartë që ndonjë artist apo shkrimtar nga Kosova e ka marrë deri më tani nga shteti francez. Me këtë dekoratë Franca nderon personalitete të shquara franceze dhe ndërkombëtare për të arritura në fushën e artit dhe të letërisisë.

“Urdhërin Kombëtar të Letrave dhe Arteve” e ndanë Ministria e Kulturës së Francës dhe nga viti 1957 dhe është nën patronatin e Presidentit të Republikës së Francës.

Lulzim Tafa është njëri ndër poetët kosovarë më të njohur në botë, veprat e të cilit janë përkthyer në rreth tridhjetë gjuhë të botës. Tafa nga kritika letrare botërore është cilësuar si një ndër poetët kryesorë postmodernistë të Evropës, ndërsa përmes librave të tij është mjaftë i njohur edhe për lexuesit në Francë.

Kohët e fundit, Lulzim Tafa, është bërë i njohur edhe për artin e tij në shërbim të paqes.  Ai u bë shumë i njohur para shpërthimit të luftës në Ukrainë me poezinë ”Fol me poetët rusë” si dhe me letrat dërguar shumë artistëve dhe shkrimtarëve rusë me lutjet që të ndikojnë te politika që ta parandalojnë luftën. 

Si rezultat i përpjekjeve të tij anti luftë me anë të poezisë ai është nderuar nga shumë institucione kulturore e arsimore edhe në Ukrainë si dhe është dekoruar edhe nga Patriarku i Ukrainës, Patriarku Filaret me urdhërin “Yuri i Shenjtë Fitimtar”.

Lulzim Tafa po ashtu ka fituar shumë çmime prestigjioze ndërkombëtare, mban shumë tituj nderi në akademi dhe universitete ndërkombëare.

Ndër të tjera është anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Evropës si dhe anëtar i Akademisë së Shkencave, Arteve dhe Letërsisë në Paris.

Ceremonia e dekorimit të poetit Lulzim Tafa me urdhërin “ Oficer i Letrave dhe Arteve” do të bëhet me ceremoni zyrtare në Rezidencën Franceze në Prishtinë. /KultPlus.com

Si kujtohet ‘Rilindja’ për 78-vjetor? (VIDEO)

Në 12 shkurtin e 1945, në Prizren filloi të shtypej tri herë në javë gazeta ‘Rilindja’, që më vonë kaloi si e përditshme në Prishtinë.

Këtë të diel kur po shënohej 78 vjetori i lindjes së saj, Gani Elshani që punonte si redaktor në të, tregon për Klan Kosova se ajo luftoi edhe analfabetizmin mbarëshqiptar.

E Binak Kelmendi si kryeredaktor, kujton që me ‘Rilindjen’ zunë fill krejt nismat e mëdha kombëtare. Si shumë punonjës tjerë u dëbuan nga puna në gazetë në gusht të 1990-ës. Ani se në rrethana të vështira nga regjimi i kohës, informimi nuk ndalej edhe duke kamufluar.

Mos shtypja e ‘Rilindjes’, por as edhe një gazete tjetër në Kosovë, po shihet si e tepërt. Gazeta që nisi 78 vjet më parë, u shtyp  pas lufte në disa numra të herë pas hershëm, deri më 22 shkurt të 2008 kur u botua edhe numri i fundit i saj./KlanKosova/KultPlus.com

Në Gjilan hapet Festivali i Teatrit të Shkollave të Mesme

Sonte, në Teatrin e qytetit të Gjilanit, është hapur zyrtarisht Festivali i Teatrit të Shkollave të Mesme, i cili u realizua falë bashkëpunimit të tri organizatave CCNO, Vepro & Varg e Vi.

Mediana Bislimi, si menaxhere e projektit “Festivali i teatrit të shkollave të mesme” në fjalën hapëse të festivalit, që në fillim theksoi se ndihet shumë krenare me festivalin: “Tri organizata partnere: CCNO, si lidere e projektit, bashkë me OJQ-të Vepro dhe Varg e Vi, bashkuam forcat dhe sot kemi këtë festival unik në Gjilan e në mbarë Kosovën. Kishim kënaqësinë për këtë periudhë, të bashkëpunojmë shkëlqyer me Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport, Drejtorinë Komunale të Arsimit, drejtoritë e shkollave të mesme, Teatrin e qytetit të Gjilanit, nxënësit, prindërit dhe mësimdhënësit.”

Pas menaxheres së projektit, fjalën përshëndetëse e mori Drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport të Komunës së Gjilanit, Kushtrim Zeqiri. “Ky festival ka marrë mbështetjen financiare përmes memorandum bashkëpunimit të Kryetarit të Komunës së Gjilanit, Alban Hysenit, DKRS-së dhe Ministrit të Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Hajrullah Çekun, dhe projekti po zbatohet suksesshëm nga organizatat CCNO, Vepro dhe Varg e Vi.”

Në natën e parë të festivalit, u paraqitën në skenë, nxënësit nga Gjimnazi Natyror “Xhavit Ahmeti” dhe Gjimnazi Shoqëror “Zenel Hajdini”, të cilët shkëlqyen me rolet, personazhet, karakteret, interpretimin dhe lojën skenike teatrore, me shfaqjen “Klasa premtuese”. Drama po bënte fjalë për dinamikat e reja bashkëkohore të mjedisit shkollor, i cili po sfidohej nga portretizimi negativ i figurës së mësimdhënësit dhe mësimdhënies tradicionale, nevojës për reformat në metodologjinë e mësimdhënies në qendër nxënësin, konfliktet ndërmjet bashkëmoshatarëve në klasë e jashtë saj, si dhe luftimin e stereotipave dhe paragjykimeve urbane ndaj nxënësve me origjinë nga fshati.

Shfaqja “Klasa premtuese” u bë me regjinë e Blendi Arifit dhe Egzona Salihut, në bashkëpunim me regjisorin Ekrem Sopin dhe aktorin Avni Shkodrën, me dramë të shkruar nga Avni Rudaku, skenografi të Din Azizit dhe me mbështetjen teknike nga punonjësit e teatrit. Në shfaqje morën pjesë nxënësit: Anisa Jakupi, Anisa Kçiku, Ardita Ajvazi, Art Hyseni, Delina Hasani, Jona Shkodra, Jonida Bllaca, Loresa Demiri, Lijana Sadiku, Rinesa Jerliu, Sherife Syla, Tuana Dushica dhe Xhengiz Yzeiri.

Në natën e nesërme, në orën 19:00, do të jetë shfaqja “FOMO”, nga Shkolla e Mjekësisë “Dr. Asllan Elezi”, me regji të Natyrë Kallabës, ku festivali do të ketë shfaqje deri më 26 nëntor 2023 me nxënësit e të gjitha shkollave të mesme në Komunën e Gjilanit.

Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport në Gjilan, para pak kohësh, hapi thirrjen publike për Festivalin e Teatrit të Shkollave të Mesme në Komunën e Gjilanit, me objektivat e përgjithshëm si: promovimin e artit përmes pasurimit, diversifikimit, barazisë gjinore dhe rritjes së cilësisë së jetës kulturore; edukimin e hershëm përmes teatrit; krijimin e një ekosistemi të shëndetshëm kulturor, nxitjen e vullnetarizmit, ofrimin e hapësirave për talentët e rinj, duke nxitur pjesëmarrjen aktive të të rinjve në jetën kulturore dhe, fuqizimin e koordinimit dhe partneritetit ndërmjet institucioneve të arsimit, kulturës dhe shoqërisë civile. CCNO, Vepro dhe Varg e Vi pasi dolën të suksesshme në thirrjen publike, janë implementueset e këtij projekti./KultPlus.com

‘El Pais’: Shqipëria shndërrohet në një destinacion ekskluziv turistik

Vetëm pak vite më parë, Shqipëria do të shndërrohej në një destinacion ekskluziv turistik, shkruan Pablo Bejerano në një artikull të botuar në të përditshmen spanjolle “El Pais”.

Por, këtë verë kërkimi i përhershëm i destinacionit të fshehur dhe të lirë solli një numër rekord vizitorësh në plazhet e tij me ujëra të kristalta.

Një studim i fundit tregoi sesi platformat si TikTok mund të shkaktojnë një rritje të papritur të numrit të vizitorëve në një vend të caktuar.

Ndryshe nga rrjetet e tjera sociale, sipas hulumtimeve, TikTok promovon videot që gjenerojnë disa ndërveprime në të njëjtën kohë.

Ndër aspektet që e dallojnë TikTok nga rrjetet e tjera sociale janë viraliteti i tij dhe lloji i audiencës.

“Destinacionet që mund të klasifikohen si më të lira dhe më të lehta për t’u aksesuar për popullatën, përshtaten më shumë me publikun e këtij rrjeti social”, tha Jennifer Mourenza, specialiste e marketingut dixhital në “AccuraCast”.

“Është e vështirë të dihet se sa vizitorë mbërrijnë në destinacione që janë në modë në TikTok, si Shqipëria, rritja e së cilës në sektorin e turizmit është e padiskutueshme”, shtoi ajo.

Vendi pati një rritje prej 26% të vizitorëve të huaj gjatë korrikut, krahasuar me shifrat e një viti më parë.

“Në shtator, numri i turistëve ndërkombëtarë u rrit me 45%, gjithsej 1,1 milionë (më shumë se një e treta e popullsisë vendase), ndërsa numri i vizitorëve në janar të vitit të kaluar u rrit me 94%”, sipas Institutit Shqiptar të Statistikave.

Në nëntë muajt e parë të vitit, vendi kishte 29% më shumë vizitorë se në të njëjtën periudhë të vitit 2022.

Por, studimi i publikuar nga “Journal of Outdoor Recreation and Tourism” ka gjetur korrelacione midis shifrave në TikTok dhe të dhënave në terren.

Algoritmi i TikTok është i ndryshëm dhe më i përshtatshëm për përhapjen e videove te shumë përdorues.

“TikTok gjeneron valë popullariteti që nuk janë në Instagram”, tha Jerome Bergerou, drejtor ndërkombëtar në agjencinë “AccuraCast”.

Megjithëse turizmi zakonisht mirëpritet si një motor i prosperitetit ekonomik, këto rritje të papritura kanë homologë.

Studimi mbi efektin e TikTok-ut në promovimin e destinacioneve turistike nxjerr në pah se prurjet masive dhe të papritura të vizitorëve shkaktojnë probleme të mbipopullimit.

“Vende si plazhet e Shqipërisë tashmë po tregojnë shenja mbipopullimi.Fluksi i turistëve në shkallë kombëtare kërkon një plan paraprak dhe përfshirje të shtetit”, tha gazetari Pedro Bravo.

“Normalisht përpara se të vijë një valë turizmi, është krijuar infrastruktura turistike për ta realizuar atë”, tha Bravo.

“Hotelet janë të nevojshme. Gjithashtu duhet të ketë negociata me linjat ajrore për të ofruar fluturime të lira. Agjencitë turistike duhet ta vendosin në katalogun e tyre dhe të bëjnë oferta”, shpjegoi ai.

Më pas vjen promovimi i destinacionit, i cili, pse jo, mund të bëhet në TikTok.

Në vitin 2022, portali i udhëtimeve “Breaking Travel News” theksoi popullaritetin shpërthyes të Shqipërisë në TikTok gjatë asaj vere.

Sipas “AccuraCast” ka dy mënyra për të reklamuar një destinacion.

E para është e drejtpërdrejtë, me reklama. Tjetra është më efektive. Ajo konsiston në përdorimin e influencuesve për të gjeneruar përmbajtje rreth destinacionit turistik.

Në Shqipëri, ajo që është e qartë është se më parë ka pasur një plan për ndërtimin e një aeroporti.

Në vitin 2021, në Kukës u hap aeroporti i dytë ndërkombëtar, përveç atij që tashmë ishte  në kryeqytetin e Tiranës.

Gjithashtu, qeveria shqiptare ka planifikuar të ndërtojë edhe dy aeroporte të tjera në zonat turistike të Sarandës dhe Vlorës./atsh/KultPlus.com

Koncertet e Filharmonsë me rastin e Festave të Nëntorit

Institucioni më i lartë i muzikës në vend, Filharmonia e Kosovës, ka organizuar koncerte me rastin e festave të Nëntorit, shkruan KultPlus.

Filharmonia e Kosovës përmes një postimi në facebook ka dhënë detaje lidhur me këto koncerte:

“Më 27 nëntor 2023 në Prishtinë bashkohuni për një koncert të paharrueshëm që do të drejtohet nga mjeshtrri, Lejtnant Dario Salvi!

Orkestra Frymore e Filharmonisë së Kosovës dhe Orkestra e Forcave të Sigurisë së Kosovës do t’i bashkojnë forcat në Ditën e Forcës me një performancë në nderim të Festimeve të Nëntorit

📅27 nëntor 2023 🕖19:00 📍Atelieja e Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë

Hyrja e lirë

Një program eklektik nga meloditë klasike deri te kompozimet dinamike. Festo me muzikë!”, ka njoftuar Filhamonia./ KultPlus.com

‘Miqtë për Diellzën’, mbrëmja frymëzuese që vjen në mbështetje të mezosopranos Diellza Sylejmani

Përmes koncertit “Miqtë për Diellzën”, do të mbahet një mbrëmje frymëzuese në përkrahje të mezosopranos Diellza Sylejmani për betejën e saj kundër kancerit, shkruan KultPlus.

Në koncert do të interpretojnë sopranoja Besa Llugiqi, pianisti Misbah Kaçamaku dhe Kori i Grave i Filharmonisë së Kosovës nën drejtimin e dirigjentit Hajrullah Syla.

Të gjitha të ardhurat shkojnë si përkrahje modeste për kolegen e tyre mezosoparanon Sylejmani.

Koncerti mbahet më 30 nëntor  në ora 19:00, te Atelija e Pallatit të Rinisë dhe Sportit.

Biletat janë në dispozicion në: https://bit.ly/3sFjYrp

32 vite nga vdekja e Fredi Merkurit, vokalistit më të mirë të të gjitha kohërave

Sot janë bërë 32 vite nga vdekja e këngëtarit dhe kompozitorit anglez Fredi Merkurit. Ishte këngëtari kryesor i një bande rroku që quhej Queen. “Queen” ishte një nga grupet më ikonike të viteve 1970-1980, kryesisht për shkak të zërit të talentuar dhe prezencës ekstravagante në skenë të këngëtarit të tij Fredi Mërkuri. Ai këndoi për 21 vite me grupin.

Pas vdekjes së tij nga AIDS, bota e muzikës nuk qe më e njëjta. Po si lindi grupi legjendar, dhe cili ishte në të vërtetë Fred Mërkuri?!

Grupi u formua në Londër në vitin 1970. Anëtarët e sajk origjinalë ishin Brajan Mej në kitarë, Roxher Tejlor në bateri, Xhon Dikon në kitarë bas, dhe Fredi Merkuri këngëtar. Ata praktikoheshin pa pushim në studion e tyre, derisa u gjendën në krye të hit-paradave në mbarë botën.

Emri i vërtetë i Merkuri ishte Faruk Bulsara. Ai lindi në Zanzibar të Afrikës në vitin 1946. Prindërit e tij kishin shkuar atje nga India, në mënyrë që babai i tij të mund të ruante punën në administratën e Perandorisë Britanike. Ata ishin Parsis, pra me prejardhje iraniane, dhe paraardhësit e tyre kishin shkuar në Indi gjatë pushtimeve arabe të shekullit VII-VIII.

Parsit ishin historikisht Zoroastrianë, ndjekës të atij që është me gjasë besimi më i vjetër monoteist në botë. Zoroastra, ose Zarathustra, ishte profeti i Zoroastrianizmit dhe jetoi në Iran në një periudhë të panjohur, por me siguri disa shekuj para lindjes së Krishtit. Fjala “yll” vjen pa dyshim nga “Zoroaster”. Nisur nga kjo, kjo fe mbështetet shumë tek astrologjia.

Edhe pse u lind në Zanzibar, Mërkuri u dërgua për të studiuar në shkollën e Shën Pjetrit, një shkollë e stilit britanik pranë Bombeit në Indi. Atje, ai mori mësimet e para në piano, dhe formoi një grup muzikor me disa shokë të tij.

Për shkak të Revolucionit në Zanzibar në vitin 1964, në të cilën nacionalistët afrikanë përmbysën sulltanin dhe qeverinë e tij, familja Bulsara shkoi në Angli, dhe u vendos të banojë në Feltham, një zonë që tani është pjesë e Londrës.

Fredi u bë shpejt i njohur për zërin e tij të veçantë. Ai mund të luante mjeshtërisht në piano dhe kishte një ndjenjë të lindur të ritmit. Ai është lavdëruar vazhdimisht si vokalisti më i mirë i të gjitha kohërave. Kur Fredi u bashkua me “Smile”, grupi u shpërbë, ndaj ai e riemërtoi emrin si “Queen”.

Faruk ndryshoi emrin në “Fredi”, që ishte më britanik. Përkundër rrënjëve të tij Zoroastriane dhe përdorimit të simboleve astrologjike në logon e grupit, Mërkuri nuk besonte tek astrologjia.

Albumi i parë i “Queen” nuk tërhoqi ndonjë vëmendje të veçantë, por ai arriti të krijojë përshtypje të mjaftueshme pozitive, për t’a vënë grupin në rrugën e duhur drejt një suksesi madhështor.

Një nga perlat e grupit “Bohemian Rhapsody”, e shkruar tërësisht nga Fredi Mërkuri në shtëpinë e tij në Londër, mori 3 javë për t’u regjistruar, dhe në disa seksione kishte mbi 180 dubla. U përdorën plot 4 studio regjistrimi, për të regjistruar plotësisht këtë këngë. Dhe u bë një hitet më të shitura të të gjitha kohërave.

Për vite më rradhë fansat e “Queen”, u përpoqën të deshifrojnë se çfarë është kuptimi ka në thelb teksti i “Bohemian Rhapsody”. Ai flet për Kuranin, Djallin, Galileun dhe varfërinë, ndër shumë gjëra të tjera. Fredi, që shkroi tekstet, këmbëngulte se ato janë fraza të pakuptimta, vetëm “absurdite që ritmojnë”.

Këngëtari i donte macet. Ai mbante zakonisht 10 mace. Dhe kur pati para të mjaftueshme për të blerë vilën e tij, i rregulloi secilës nga macet dhomën e vet të gjumit. Kur ishte nëpër turne, ai do të telefonte në shtëpi, dhe do të këmbëngulte të fliste me to.

“Show must go on” u shkrua nga Brajan Mej në nder të luftës së vazhdueshme të Fredit me sëmundjen e SIDA-s, dhe përpjekjet për të vazhduar të këndojë, pavarësisht kësaj. Kënga u publikua në tetor 1991, vetëm një muaj para se Fredi të ndërronte jetë. Ai nuk e bëri publike sëmundjen e tij deri në 24 orë, para se të vdiste. Mërkuri vdiq nga pneumonia bronkiale, e shkaktuar nga ndërlikimet që sillte sëmundja e AIDS. /bota.al/ KultPlus.com

‘Mbani sytë drejt yjeve dhe këmbët në tokë’

Theodore Roosevelt ishte presidenti i 26-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Roosevelt ka fituar edhe çmimin ”Nobel” për paqe.

Gjurmët e këtij presidenti, vazhdojnë të jetojnë akoma me historinë e madhe të Amerikës.

Në vijim, KultPlus ju sjellë disa nga thëniet më të njohura të tij.

Bëni atë që mundeni, me atë që keni, atje ku jeni.

Eshtë e vështirë të dështosh, por është më keq që të mos jesh përpjekur kurrë të kesh sukses.

Besoni se mundeni dhe jeni në gjysmë të rrugës për atje.

Kur të arrini në fund të litarit tuaj, lidhni një nyjë dhe mbajuni fort.

Njerëzve nuk u intereson sa dini derisa të dinë se sa përkujdeseni.

Asgjë në botë nuk ia vlen të kesh apo ia vlen të bësh nëse nuk do të thotë përpjekje, dhimbje, vështirësi … Unë kurrë në jetën time nuk kam pasur zili një qenie njerëzore që bëri një jetë të lehtë. Unë kam zili shumë njerëz që bënë jetë të vështira dhe i udhëhoqën mirë.

I vetmi njeri që nuk bën kurrë gabime është njeriu që nuk bën kurrë asgjë.

Të edukosh një person në mendje por jo në moral do të thotë të edukosh një kërcënim për shoqërinë.

Të dish se çfarë është e drejtë nuk do të thotë shumë nëse nuk bën atë që është e drejtë.

Mbani sytë drejt yjeve dhe këmbët në tokë.

Në çdo moment të vendimi, më e mira që mund të bësh është gjëja e duhur. Gjëja më e keqe që mund të bësh është asgjëja.

Guximi nuk është forcë për të vazhduar më tej; por të vazhduarit më tej kur nuk keni më forcë.

Fol butë dhe mbaj një shkop të madh me vete; do shkosh larg. / KultPlus.com

Turizmi në Shkodër, 4 ide zhvillimi i shtohen platformës TIP

Platforma Inovative e Turizmit (TIP) ka mirëpritur gjatë këtyre javëve profesionistë të turizmit, guida dhe operatorë turistikë, strukturat e mikpritjes, për të krijuar modele alternative të turizmit, produkte turistike që ruajnë dhe promovojnë trashëgiminë kulturore, janë miqësore me mjedisin dhe kanë potencialin për të sjellë në vëmendje një destinacion turistik.

Rrugëtimi i identifikimit të TIP-ave të turizmit u mbyll të mërkurën me shumë emocione në Shkodër.

9 ide të reja për aventurën, liqenin, traditën, zakonet, kullat dhe natyrën u prezantuan me shumë entuziazëm nga profesionistët e turizmit lokal.

Platforma Inovative e Turizmit (TIP) i shtohen edhe 4 ide shkodrane që do të mbështeten për zhvillim në produkte turistike të reja: 1. Shtegtim te rrâja; 2. Amëza e Dheut; 3. Shtegu i Bleve; 4. Rreth liqenit me biçikletë.

Organizatorët e TIP falenderuan të gjithë aktorët që kontribuan me ide, kohë dhe dedikim për ta bërë TIP një rrugëtim të bukur.

TIP bën të ditur se, do të nisë punën vitin që vjen, në 2024, duke impelementuar 21 eksperienca të reja që vijnë direkt nga sektori turistik, anembanë Shqipërisë.

Ndërsa Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, bën të ditur se, “nëpërmjet TIP synohet të aktivizohen veçanërisht aktorët lokalë të turizmit dhe ata të rinj të cilët kanë dëshirë ta kthejnë turizmin në profesionin e tyre, duke i ftuar të japin ide për zhvillimin turistik të territorit të tyre”./atsh/KultPlus.com

‘Art Without Limit International Film Festival’ vjen me edicionin e katërt në Kino Armata

Art Without Limit International Film Festival “ vjen me edicionin e katërt,  i cili do të zhvillohet nga 01-03 Dhjetor 2023, në Kino Armata në Prishtinë.

Ceremonia e ndarjes së çmimeve përkon me Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara.
Festivali i këtij viti premton të jetë një festë e paharrueshme e fuqisë së kinemasë për të rritur dhe për
fëmijë “Art Without Limit Kids” për të nxitur të kuptuarit e çështjeve të aftësisë së kufizuara në shoqëri.

Si çdo vit tjetër “Art Without Limit International Film Festival” është i përkushtuar për të shfaqur një
gamë të larmishme filmash, nga rreth 1000 aplikime nga regjisorë dhe producentë nga e gjithë bota
duke përfshirë dokumentarë të shkurtër, dramë-fiction dhe animacion, kemi përzgjedhur me kujdes 50
filma të mrekullueshëm që do të konkurrojnë në këtë edicion të 4-të,dhe do të shfaqen përgjatë tre
ditëve të festivalit!

Me fokus të veçantë për njerëzit me nevoja të veçanta, festivali synon të transformojë narrativën rreth
aftësisë së kufizuar dhe të krijojë një platformë për mirëkuptim dhe pranim të ndërsjellë.

Pika e veçantë e këtij edicioni të festivalit është anëtari i jurisë kryesore James Martin – aktori
protagonist i filmit “An Irish Goodbye” fitues i çmimit Best Live Action Short Film,95 th Academy
Awards – OSCAR 2023.

Festivali i sivjetshëm do të ndriçojë gjithashtu artistët me nevoja të veçanta, duke u ofruar atyre një
mundësi unike për të ndarë talentet dhe historitë e tyre në skenën e festivalit tonë, duke shprehur
talented e tyre në muzikë, poashtu do të shfaqim talentet në fusha të ndryshme përmes disa
reportazheve të realizuara nga “Art Without Limit” të cilat do të transmetohen në ceremoninë e hapjes
dhe të mbylljes së Festivalit.

Detajet kryesore :

Hapja e Festivalit do të mbahet me 01 dhjetor, 2023 në ora 19:00.Kino Armata në Prishtinë
Ceremonia e ndarjes së çmimeve, njëherësh mbyllja e Festivalit, do të mbahet në ditën Ndërkombëtare të personave me aftësi të kufizuara më 03 dhjetor 2023 në ora 19: 00 në Kino Armata në Prishtinë

Ndërsa programi për fëmijë “Art Without Limit Kids” do të mbahet me datën 01.dhjetor.2023 në ora
12:00 në Kino Armata në Prishtinë, ku do të shfaqen filma të zgjedhur të animuar, si dhe do të performojnë në skenë disa nxënës me aftësi të kufizuara nga Shkolla e muzikës “Prenk Jakova” Prishtinë./KultPlus.com

Presidentja Osmani: Kemi shumë arsye të krenohemi si shqiptarë

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, në Samitin e Diasporës në Tiranë, ka thënë se mërgata shqiptare ka kaluar në periudha të vështira, por sërish i kanë mbetur besnikë atdheut.

Përmes një shkrimi në X, Presidentja tha se janë shumë arsye që duhet të krenohemi që jemi shqiptarë.

“Shumë figura nga mërgata jonë janë shndërruar në referenca botërore. Nga Dua Lipa, krenaria e vendit tonë e deri të Rita Ora e artistë të tjerë të mëdhenj, na kanë bërë vazhdimisht krenarë. Nga zëri magjik i Elbenita Kajtazit e Ramë Lahajt e deri te futbollistët tanë në ekipe të ndryshme botërore si Xhaka, Shaqiri, Muriqi, e shumë e shumë të tjerë, futbollistja jonë kampione Kosovare Asllani e shumë  e shumë të tjerë në sporte të ndryshme…pavarësisht se ku kanë luajtur apo performuar, zemrat tona gjithnjë rrahin një me të tyret”, tha ajo në fjalimin e saj./KultPlus.com

Prej 24 deri më 26 Nëntor, EBC vjen me zbritjen më të madhe vjetore për Black Friday

EBC Cosmetics është kompani lidere në industrinë e kozmetikës në vend, e njohur për origjinalitet dhe e vetmja kompani në Kosovë e autorizuar për shitjen në 9 pika zyrtare dhe online të brendeve më të njohura ndërkombëtare.

Në muajin Nëntor të këtij viti, EBC për “Black Friday” do të ofrojë zbritjen vjetore -30% në të gjithë artikujt nga data 24 Nëntor deri më 26 Nëntor.

Nëntë dyqanet e EBC ndodhen në këto lokacione:

1. Bregu i Diellit , Rr.Eqrem Qabej

2. Rr. Nëna Terezë

3. Rr.Garibaldi, përballë hotel Grand

4. ETC Fushë Kosovë

5. Royall Mall, Rruga B

6. Galeria Mall, Prizren

7. Albi Mall, Veterrnik kati 0

8. Albi Mall, Veterrnik kati 1

9. The Village Shopping & Fun, Ferizaj

Platforma për blerje online në të gjitha qytetet e Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë EBC SHOP : www.ebc.shop./

Voshtina: 70-vjetori i TKOB do të kremtohet me Simfoninë nr. 9 të Beethoven-it

Në nëntorin e krenarisë sonë kombëtare ka edhe një arsye më shumë për të festuar.

Së shpejti TKOB mbush plot 70 vite dhe drejtoresha e përgjithshme e TKOBAP, Abigeila Voshtina, njoftoi se me rastin e këtij përvjetori do të vijë për artdashësit një nga kryeveprat e muzikës botërore: Simfonia nr. 9 e Beethoven-it.

Në 27 nëntorin e vitit 1953 u vu për herë të parë në skenën shqiptare opera “Rusalka”, e kompozitorit rus A. Dargomyzhsky. Ky moment shërbeu si një gurthemeli nga i cili mori rrugë krijimi i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit dhe shumë shpejt në skenë u vunë edhe opera shqiptare.

“Ju presim më 27 nëntor, ora 19:30 për të festuar të gjithë së bashku ditëlindjen tonë të 70”, është shprehur në rrjetet sociale, drejtoresha e TKOBAP, duke shtuar se hyrja është e lirë për këdo që ndihet pjesë e këtij institucioni./atsh/KultPlus.com

Mark Knopfler vë në ankand 120 instrumente, përfshirë edhe kitarën e ‘Money for Nothing’

Vokalisti dhe kitaristi i Dire Straits, do t’i vë në ankand 120 instrumente të tij te shtëpia e famshme e ankandit, Christie’s.

Ylli i rokenrollit në këto instrumente e ka përfshirë edhe kitarën me të cilën kompozoi dhe luajti këngët ikonike, “Money for Nothing” dhe “Brothers In Arms”.

Bëhet fjalë për modelin 1983 Gibson Les Paul me të cilën kishte performuar edhe në koncertin Live Aid më 1985.

“Janë rreth 20 kitare të cilat më hyjnë në punë kur incizoj, dhe janë së paku 100 të tjera që nuk do të luhen kurrë”, ka thënë Knopfler për BBC-në duke i dhënë arsyet se pse po i shet ato.

“Kemi kaluar shumë mirë bashkë, prandaj jam i pikëlluar që duhet t’i largoj disa prej tyre – por kam mjaftueshëm sosh për të luajtur. Më shumë se mjaftueshëm”./klankosova/KultPlus.com

“Tutor#shqip”, një projekt model në shërbim të nxënësve shqiptarë në Zvicër

Projektin e kanë prezantuar në “Fundjavën Kulturore Shqiptare” në Bazel kryetari i KSHZ-së, Orhan Spahiu dhe mësuesja, Blerta Kadriu.

“Tutor#shqip”. Kështu është emërtuar një projekt për ndihmë nxënësve me mësim plotësues në gjuhën shqipe, i cili si projekt pilot është jetësuar së pari në Kantonin e Zugut, shkruan albinfo.ch. Projektin e kanë prezantuar në mënyrë të zgjeruar në “Fundjavën Kulturore Shqiptare” që u mbajt në Bazel kryetari i Kuvendit të Shqiptarëve të Zvicrës, Orhan Spahiu dhe  Blerta Kadriu. Kjo e fundit është mësuese në kuadrin e projektit dhe ka punuar diplomën Bachelor me këtë temë.

Siç kanë shpjeguar ata, “Tutor#shqip” është po dëshmohet si një mundësi shumë e efektshme për të ngritur cilësinë e mësimit dhe rritur aftësinë shprehëse të nxënësve shqiptarë, në shkollën e rregullt, ku ata ndjekin mësimet. Nxënësit në fjalë kanë përmirësuar dukshëm edhe notat në lëndët e shkollës së rregullt, falë kësaj praktike të re.

Kuvendi i Shqiptarëve të Zvicrës, në bashkëpunim me LAPSH-in Naim Frashëri si dhe në bashkëpunim me Blerta Kadriu, mësuese dhe këshilltare pedagogjike e tutor#shqip, e cila ka bërë analiza dhe kërkime shkencore për tutor#shqip në kuadër të punimit bachelor, është bartës i projektit, për të cilin mbështetet edhe në konsultën profesionale, pedagogjike të profesorit  Dr.Dr. Naxhi Selimit, profesor në Universitetin e Schwyz-it.

Pasi ka kaluar provimin në Zug, ku ishte si projekt pilot “Tutor#shqip” tashmë po praktikohet në një shkollë në Spreitenbach të Kantonit Aargau. Sipas bartësve të tij, projekti është pritur tepër mirë jo vetëm nga nxënësit dhe prindërit e tyre, por edhe nga mësuesit e shkollës së rregullt. Kjo, për faktin se nxënësit që kalojnë këtë përvojë kanë një përparim të dukshëm në kompetencën shprehëse dhe fitojnë vetëbesimin e duhur që i bën të suksesshëm në shkollën ku ndjekin mësimet e rregullta, ashtu si dhe në mësimin plotësues në gjuhën shqipe.

Si dëshmi për suksesin e këtij projekti, dy folësit thanë se tani janë 18 nxënës që ndjekin këtë mësim, ndërsa edhe 17 të tjerë janë duke pritur në radhë, sepse nuk ka vend për të gjithë, në një klasë. Për më tepër, edhe institucionet arsimore, si shkollat, drejtoritë, kurset e mësimit plotësues në gjuhë të tjera etj., kanë shprehur interesimin për ta përvetësuar këtë model mësimi.

Specifika e kësaj praktike të re mësimore është se në njërën nga dy orët e mësimit plotësues që fëmijët shqiptarë e zhvillojnë në gjuhën shqipe, në vend të materies së zakonshme, (gjuhës shqipe, historisë dhe kulturës shqiptare), zhvillohen lëndët e ndryshme të shkollës së rregullt, shkruan albinfo.ch. Por, këtë radhë, ato ligjërohen në gjuhën shqipe, nga mësuesja shqiptare, e cila është mësuese e mësimit të rregullt dhe jo e mësimit plotësues. Ajo ose ai, u mësojnë nxënësve, për shembull, matematikën, kiminë a biologjinë, por me shpjegime në gjuhën shqipe, duke ua ofruar atyre lëndën mësimore në mënyrë më të natyrshme.

Mësues të mësimit plotësues në gjuhën shqipe dhe të pranishëm të tjerë janë interesuar për hollësitë e “Tutor#shqip”-it dhe për mundësitë e zgjerimit të tij edhe në shkollat e tjera. / KultPlus.com

Thesaret e gjuhës shqipe në Lozanë, një takim për të mos u humbur

Më 30 nëntor 2023 në orën 18:30 në Lozanë, përgatituni të zhyteni në zemër të rrugëtimit magjepsës të gjuhës shqipe. Kjo mbrëmje që ndodh për herë të parë në Lozanë, e menduar dhe realizuar nga shoqata albinfo.ch në partneritet me të mirënjohurin Qarkun letrar të Lozanës (Cercle littéraire de Lausanne), mëton të jetë gjithashtu një ftesë për reflektim rreth pyetjeve filozofike lidhur me diversitetin gjuhësor.

Si ka evoluar shqipja gjatë shekujve dhe çfarë pyetje filozofike ngre evolucioni i saj në lidhje me raportin që kemi me gjuhën tonë dhe me diversitetin gjuhësor? Këto përsiatje do të jenë thelbi i këtij takimi kushtuar gjuhës shqipe e që ndodh për here të parë.

Gjuha shqipe, e folur në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi, Serbi dhe Greqi, flitet gjithashtu në të katër anët e botës nga emigrantët e saj të panumërt të shpërndarë gjithandej. Ishuj të vegjël gjuhësorë në Itali dhe Greqi i japin vazhdimësi një shqipeje arkaike, por të ndikuar fuqishëm nga gjuhët përkatëse vendase. Me afro 300,000 shqipfolës vetëm në Zvicër, kjo gjuhë ngërthen në vete thesare shpeshherë të panjohura. Nga origjina e saj misterioze e deri te bashkëjetesa me gjuhë të tjera si greqishtja e vjetër, latinishtja, gjuhët sllave dhe turqishtja, historia e shqipes i reziston asimilimit.

Në Zvicër, ku numri i shqipfolësve llogaritet në rreth 300 mijë, sa njihet në të vërtetë kjo gjuhë? Cila është prejardhja e saj, mes miteve dhe mistifikimeve? Si bashkëjetoi shqipja me gjuhë të tjera si greqishtja e vjetër, latinishtja, gjuhët sllave dhe turqishtja, duke i rezistuar asimilimit? Për të diskutuar mbi këto çështje, shoqata albinfo.ch dhe Cercle littéraire de Lausanne kanë ftuar z. Bardh Rugova, gjuhëtar dhe profesor në Universitetin e Prishtinës, si dhe anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve së Kosovës, dhe Ledi Shamkun, socio-linguiste dhe profesoreshë në Universitetin e Bolonjës në Itali. Së bashku me ta, na pret një rrugëtim gjuhësor, duke eksploruar gjuhën shqipe që nga zanafilla e saj deri në ditët e sotme.

Pjesa e dytë e mbrëmjes do t’i kushtohet çështjes së gjuhës së komuniteteve emigruese shqipfolëse. A mund të flasim për “diaspora gjuhësore”? Çfarë raporti kanë këta folës me gjuhën e tyre të origjinës, ose, në rastin e brezit të dytë apo të tretë, me gjuhën e origjinës së prindërve të tyre? Gjithashtu do të diskutohet edhe për heterolinguizmin e shqipfolësve nga emigracioni në Evropë, veçanërisht në Zvicër, dhe mënyrën se si ky pozicion i veçantë i “ndërmjetëm” mund të ndikojë në marrëdhëniet e tyre me gjuhët dhe kulturat e vendit ku ata jetojnë.

Mos e humbisni këtë mundësi unike për t’u zhytur në thesaret gjuhësore të shqipes. Takimi mbahet në Cercle littéraire de Lausanne, Pl. Saint-François 7 (1003 Lausanne), më 30 nëntor 2023 duke filluar nga ora 18:30 dhe moderohet nga Ndriçim Ademaj (shkrimtar) dhe Vjosa Gërvalla (albinfo.ch).

Regjistrimi është i obliguar duke dërguar një e-mail në adresën elektronike [email protected]. / KultPlus.com

Ditët e alfabetit përmbyllen në Muzeun e Alfabetit me ekspozitën për Qiriazët

Ekspozita me dokumente dhe fotografi me moto: “Qiriazët – themeltarët e arsimit kombëtar”, të cilën ITSHKSH e hapi dje në Muzeun e Alfabetit në Manastir, bashkë me Kolegjin Universitar “Qiriazi” nga Tirana, ishte kurora e manifestimit kulturor- shkencor “Ditët e Alfabetit”.

Një përshkrim i plotë si asnjëherë deri më sot i rrugëtimit për identitetit të familjes Qiriazi tashmë do të jetë në ekspozim të përhershëm brenda muzeut të alfabetit, duke i dhuruar atij një thesar të paçmueshëm. Me këtë rast një fjalë rasti dha drejtori i ITSHKSH Skender Asani, drejtori i muzeut të alfabetit stërmbesa e Sevasti Qiriazi dhe Kristo Dako – Rozi Dako, dhe Dr. Gjovalin Gjeloshi nga Kolegji Universitar “Qiriazi”, theksohet në kumtesën e ITSHKSH-së.

Sivjet “Ditët e Alfabetit” kishin një dinamikë dhe freski të dalluar, duke e kthyer ITHSHK në një epiqendër të zhvillimeve në fushën e albanologjisë. Prania e akademive të shkencave nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Kosova me kumtesat e tyre përmbajtësore ngritën nivelin e bashkëpunimit dhe ndërveprimit institucional-shkencor në një shkallë më të lartë. Njëkohësisht, përfaqësuesit e akademive, instituteve dhe arkivave nga Kosova dhe Shqipëria si dhe punonjësit shkencorë të ITSHKSH, dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm në mënyrë që kjo ngjarje të kishte frymën që meritonte, potencohet në kumtesë./ KultPlus.com

Nedjeljko Spilek, fitues i garës ndërkombëtare të poezisë në Malishevë

Shoqata për Kulturë dhe Letërsi “Tafil Kelmendi” në Komunën e Malishevës ka organizuar edicionin e parë të konkursit ndërkombëtarë të poezisë, ku fitues i vendit të parë të këtij edicioni është shpallë poeti kroat Nedjeljko Spilek, i cili poashtu është edhe diplomat i Ambasadës së Kroacisë në Kosovë, shkruan KultPlus.

“We are alone again” është poezia fituese e Spilek, e cila është vlerësuar nga juria në përbërje të: Hana Bytyqi, Fadil Javori, Izet Sjala, Alessandro Villa e Irma Kurti.

Në këtë edicion ka pas disa kategori: e fëmijëve me karakter komunal, për nxënësit e shkollave të mesme poashtu me karakter komunal, kategoria e poetëve kombëtar dhe kategoria kryesore ajo e poetëve ndërkombëtarë. / KultPlus.com

Trajnim në Vjenë për konservimin dhe restaurimin e trashëgimisë kulturore

Ekspertët e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore po ndjekin një trajnim pranë Institutit të Konservimit dhe Restaurimit, në Universitetin e Arteve të Aplikuara të Vjenës.

Trajnimi, i cili zhvillohet në kuadër të projektit Workshop of Qesarati, “Kestorati, in the frame of 18th century painting”, ka në thelb praktikën e restaurimit përmes pajisjeve dhe metodologjisë si dhe punën për konservimin dhe restaurimin e artefakteve, që përbëjnë trashëgimi kulturore.

Gjatë trajnimit u diskutua rreth përmbajtjes dhe qëllimit të projektit, punës së deritanishme, si edhe u drejtuan pyetje ndaj Institutit të Fizikës Bërthamore të Aplikuar, në laboratorët e të cilit po analizohen kampionet e marra në kishat ku kjo atelie vendase e shek.XVIII ka pikturuar.

Ky program kishte të përfshirë edhe vizita në laboratorët e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike në Seibersdorf, si edhe në laboratorët e atelietë e Vjenës: Arsenal dhe Mauerbach, të Autoritetit Federal Austriak të Monumenteve./ atsh / KultPlus.com

Në 115 vjetorin e Kongresit të Manastirit, hapet në Prishtinë ekspozita “Një komb, një ABC”

Përfaqësues nga të dyja agjencitë shtetërore të arkivave dhe qytetarë morën pjesë në hapjen e kësaj ekspozite në Lapidariumin e Muzeut Kombëtar në Prishtinë, e cila sjell për opinionin dokumente dhe fotografi të rëndësishme të Kongresit të Alfabetit.

Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës në kuadër të bashkëpunimit me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë kanë hapur ekspozitën “Një komb, një ABC” në përvjetorin e 115-të të Kongresit të Manastirit apo Kongresit të Alfabetit, raporton Anadolu.

Përfaqësues nga të dyja agjencitë shtetërore të arkivave dhe qytetarë morën pjesë në hapjen e kësaj ekspozite në Lapidariumin e Muzeut Kombëtar në Prishtinë, e cila sjell për opinionin dokumente dhe fotografi të rëndësishme të Kongresit të Alfabetit.

Kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Bislim Bislimi, tha se ekspozita nëpërmjet punës së punonjësve profesionalë të arkivave shfaqë materiale të përzgjedhura si foto dhe dokumente të Kongresit të Manastirit që nxjerrin në pah përpjekjet për standardizimin e alfabetit shqip.

“Kongresi i Manastirit përveç që vuri themelet e gjuhës së shkruar shqipe për gjithë hapësirën shqiptare, një e arritur kulmore pas përpjekjesh me vite për ngritjen e vetëdijes kombëtare duke shënuar një nga faqet më të ndritshme të historisë jo vetëm për gjuhën, kulturën apo shkencën, por edhe për përparimin e gjithëmbarshëm të kombit tonë”, theksoi Bislimi.

Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave në Shqipëri, Ardit Bido, tha se me këtë rast festohet formësimi i identitetit kombëtar. Kongresi i Manastirit më 22 nëntor, sipas Bidos, ishte kulmimi i rilindjes shqiptare.

“Shqiptar nga të gjitha trevat dhe nga të gjitha bashkësitë fetare që formësojnë kombin tonë u bashkuan për të mos u përçarë kombi shqiptar”, theksoi Bido.

Kongresi i Manastirit ka qenë një konferencë akademike në qytetin e Manastirit, e udhëhequr nga Mid’hat Fashëri mes datave 14 nëntor – 22 nëntor në vitin 1908, që kishte për qëllim standardizimin e alfabetit të gjuhës shqipe.

Këto data përbëjnë ditë përkujtimi në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe në diasporën shqiptare, e njohur si Dita e Alfabetit. Përpara kongresit, gjuha shqipe përfaqësohej prej gjashtë ose më shumë alfabetesh (Elifba), pa llogaritur nënvariantet. / AA / KultPlus.com

Vetëm edhe 4 ditë deri në mbyllje të konkursit mbarëkombëtar të poezisë ‘KultStrofa”

Kanë mbetur vetëm edhe 4 ditë deri në mbyllje të konkursit mbarëkombëtar të poezisë “KultStrofa”, konkurs ky i hapur për të gjithë poetët.

Ky konkurs ka një histori të pasur me kontributet e jashtëzakonshme të poetëve, të cilët janë nderuar me një ceremoni të veçantë, organizuar nga gazeta online për art dhe kulturë  “KultPlus” tash e gjashtë vite.

Por këtë vit, premtohet një edicion i veçantë, i mbushur me emocione të larmishme.

Juria profesionale e këtij edicioni ka një përbërje të veçantë, duke përfshirë shkrimtarë, gazetarë dhe tekstshkrues të këngëve, me qëllim të një laramanie sa i përket shijeve.

Juria përbëhet nga: Agim Vinca, kryetar jurie, Beti Njuma dhe Shpat Deda.

Organizatorja e këtij konkursi, Ardianë Pajaziti, ka bërë të ditur se konkursi është i hapur për të gjithë poetët, duke përfshirë edhe talentët e rijnë. Pajaziti gjithashtu ka treguar se kandidatët mund të aplikojnë me një poezi të pabotuar, duke e dërguar në adresën [email protected], duke përdorur subjektin “Për konkursin e poezisë ‘KultStrofa’. Afati i fundit për aplikim është data 26 nëntor 2023, ora 23:59.

Asnjë aplikim nuk pranohet nëpërmjet formave të tjera. Juria profesionale do të përzgjedhë dhjetë poezi- finalistë, të cilët edhe do të jenë të ftuar në ceremoninë kryesore, dhe më pas juria profesionale do të shpall edhe tre çmimet kryesore të konkursit, çmimin e parë, të dytë dhe të tretë.

Kujtojmë që fituesi i konkursit të parë ishte poeti i njohur Ragip Sylaj. Pas tij, vazhduam rrugën me krijimtarinë e poetëve të tjerë si: Arjola Zadrima, Merita Berdica, Gentiana Bajrami Atashi dhe Zhaneta Barxhaj. / KultPlus.com

Bestseller në Tiranë, Ilir Ikonomi sjell biografinë e Fan Nolit edhe në Prishtinë: Noli, oqean i madh që nuk mund të përmblidhet në një libër

Vjollca Duraku

Oqean i Madh është quajtur Fan Noli nga autori Ilir Ikonomi, i cili mbrëmë promovoi vëllimin e parë të  librit biografik “Apostulli”, njëkohësisht duke paralajmëruar edhe dy të tjerë në radhë. I menduar të përmblidhej me 500-600 faqe, libri mbi biografinë e shkrimtarit të madh shqiptar Fan Noli, nuk arriti  të përmblidhte gjithë veprimtarinë e kolosit,  i cili si një figurë shumëdimensionale erdhi mbrëmë edhe në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Në mbi 40 mijë faqe të studiuara në arkivat e Amerikës, Londrës, Vjenës, Shqipërisë, e në gazeta ditore të asaj kohe, ‘Themelues i shtetit shqiptar’ është elementi kryesor që e karakterizon Nolin, ndër të tjerë si poet, historian, prift, politikan, përkthyes, revolucionar, vizionar etj.

Në ambientet e librarisë Dukagjini, me një numër të madh pjesëmarrësish mbrëmë është bërë promovimi i librit “Apostulli” nga Ilir Ikonomi, i cili më pastaj  në kohë rekord edhe u shit gati në tërësi i gjithë tirazhi prezent.

Ky libër i cili e paraqet figurën e Nolit si një ndër themeluesit e shtetit shqiptar, si rrallëherë ndodh me librat historik dhe biografik, u shndërrua në Best Seller në Panairin e Librit i cili po mbahet aktualisht në Tiranë.

Bashmir Xhemaj, ishte ai i cili në këtë mbrëmje mori fjalën i pari, ku edhe çmoi lartë stilin e shkrimit të autorit Ikonomi në portretizimin e figurës së Nolit.

“Iliri tashmë është etabluar në një zhanër shumë të jashtëzakonshëm të biografive për disa nga figurat shumë të rëndësishme të shekullit 20-të, për çka jam i bindur që ai ka sjellë një modalitet në mënyrën se si shkruhen dhe portretizohen këto figura, duke i dhënë edhe një kahje tjetër historiografisë, nëse mund ta quaj komuniste, ngaqë kemi lexuar, dhe mësuar”, tha Xhemaj.

Për stilin e jashtëzakonshëm të Ikonomit u shpreh më tej edhe studiuesi Bejtullah Destani.

“Për mendimin tim, Iliri e ka studiuar gjithë biografinë shqiptare edhe në Shqipëri edhe në Kosovë dhe ka një stil të jashtëzakonshëm, ashtu siç ka shkruar edhe librin e parë për Faik Konicën, Ismail Qemalin, Esat Toptanin, ai na sjell informacione jashtëzakonisht të reja”, tha Bejtullahu  duke vënë në pah kërkimet e Ikonomit në arkiva të ndryshme si Itali, Amerikë, Vjenë, Londër ku në të kaluarën jo çdo kush ka pasur qasje për të lexuar për historinë e Shqipërisë.

Ndërsa, Suadela Baliu, redaktore e cila ishte pjesë e botimit të librit,  tha se librin pas shumë kërkesave arritën ta sillnin edhe në Prishtinë

“Këto ditë të panairit kemi pasur shumë kërkesa nga Kosova që vinin enkas për të blerë librin e Fan Nolit me autor Ilir Ikonomi. Zakonisht jemi mësuar që librat me natyrë historike, biografitë nuk janë nga ata Best Seller. Por, ndodhi që në fakt ishte Best Seller sepse mbaroi tirazhi i parë. U kërkua shumë”, tha Baliu e cila më tej tregoi që  Noli në libër paraqitet  hap pas hapi, që nga mbërritja e tij në Amerikë si një djalosh 20 e ca vjeçar, ambicioz e vizionar për çështjen kombëtare.

Ndërsa vetë autori Ilir Ikonomi, i lumtur që para vetes kishte numër të madh të pranishmëve, shpalosi para tyre një dhuratë- bluzë e cila kishte të shtypur kopertinën e librit të tij, e që i ishte lënë dhuratë nga një kosovar, në panairin e librit në Tiranë.

“Ky është mendoj vlerësimi më i mirë nga një lexues për mua. Nuk e kam takuar ndonjëherë këtë njeri, por do të dëshiroja ta takoja, ndoshta do të kem rast. Është një gjë e bukur që ai e ka vlerësuar këtë libër”, u shpreh me mirënjohje ai.

Duke e shpjeguar mënyrën e tij të shkrimit, autori Ikonomi këtë libër e ka quajtur kërkim të gjatë, pasi ka dashur që punën e vet ta ndërtoj mbi fakte nga fillimi, dhe jo nga ajo që është thënë më herët për këtë figurë.

“Të tjerët mund të jenë mburrur, mund të kenë thënë njeri i madh, gjigand, mirëpo kjo nuk më ka interesuar fare kur shqyrtoj një figurë të tillë. I tillë ka qenë edhe rasti i Nolit, pa marrë parasysh se çfarë kanë thënë të tjerët për të, unë thash që do të bëj një libër që do të bazohet krejtësisht mbi dokumentet.”

Fillimisht Ikonomi kishte menduar që të sillte Nolin në të gjitha dimensionet në vitet 1906- 1920, me një volum prej 500-600 faqesh, por që kjo teori më vonë doli që nuk ishte e saktë.

“E kuptova që i kisha hyrë në këmbë një oqeani të madh dhe që është e pamundur që ta përfundoja me 500-600 faqe me Nolin. Ishte e pamundur sepse kishte aq shumë dokumentacion. Materialet të cilat unë mblodha nëpër arkiva dhe biblioteka duhet të jenë mbi 40 mijë faqe, që për fat të mirë përmes teknologjisë mund t’i fotografosh dhe s’ke nevojë t’i fotokopjosh dhe të shkosh çdo ditë në bibliotekë për një libër për të mbajtur shënime.”

Nga viti 1906 deri 1920 Noli sipas autorit Ikonomi kishte pasur një aktivitet të jashtëzakonshëm, që sipas tij fillon me krijimin e kishës shqipe në Amerikë, si një gjë aspak të lehtë në kohën kur ndikimi i kishës greke atje ishte shumë i fortë.

“Noli shkonte dhe predikonte ungjillin në gjuhën shqipe dhe pas ungjillit ai predikonte diçka tjetër, ai mbante fjalim dhe ky fjalim nuk ishte më fjalim fetar, por ishte politik. Ai fliste aty për politikë, dhe për atë se si duhej që Shqipëria të dilte nga zgjedhja e Turqisë, si të arrihej pavarësia dhe krijimi i shtetit tonë të ardhshëm. Prandaj ka rëndësi kjo që bëri Noli”, u shpreh autori duke e quajtur Nolin si vizionar e kulturës dhe iluminues të shqiptarëve, pasi populli ynë na atë kohë nuk kishte njohuri çka ishte gazeta, e as rëndësinë e asaj që mund të ketë për ngritjen e edukimit dhe kulturën, duke mësuar gjëra të reja.

“E gjendur nën sundimin e Turqisë, Noli ishte ai që e kuptoi që ka shpresë dhe ka shpresë shumë dhe prandaj lufta për autonomi filloi në SHBA, ideja e autonomisë mes shqiptarëve u hodh nga Fan Noli në fillim me autonominë e kishës, ku do flasim shqip në kishë. Ky ishte një njeri vizionar, kishte një vizon të qartë së çfarë do të duhej të bënin shqiptarët.”

Noli, për më tepër ishte njeri me një ego të madhe, i cili sipas autorit me të drejtë thoshte unë jam i pari, më i zoti, më i miri, e i cili pati dëshirë të madhe që të ishte pjesë e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, themelet e së cilës i hodhi vetë ai.

“Shkuarja e Nolit në Evropë nuk ishte thjesht për të shkuar në Evropë, por qëllimi ishte t’i bashkëngjitej grupit të Ismail Qemalit që po vinte prej Stambollit në Vlorë për të shpallur pavarësinë. Ismail Qemali ishte ndaluar në Vjenë në atë kohë, që të takohej me diplomacinë vjenezë për të shkuar pastaj në Vlorë. Noli niset për Liverpool, që pastaj të shkonte në Vlorë për të takuar Qeverinë e Ismail Qemalit. Ai donte të bëhej dikush në qeverinë e Ismail Qemalit. Por derisa Noli po udhëtonte drejt Liverpoolit, kupton që Pavarësia ishte shpallur, nga ku shkon në Londër dhe e vazhdon aktivitetin.”

Autori më tutje tregoi për rolin që Noli pati më 1914, për krijimin e kishës shqipe në Shqipëri, me ndihmën e Austrisë dhe për përpjekjet e tij të mëdha me themelimin e federatës Vatra e cila pati rol për të mos lejuar copëtimin e Shqipërisë pasi të mbaronte Lufta e Parë Botërore.

“Lufta mbaroi më 1918 dhe në Konferencën e Paqes këta mendonin se do të ndahen trojet, Shqipëria do të ndahej apo jo sepse kishte një traktat të fshehtë për ta copëtuar Shqipërinë mes Serbisë, Greqisë dhe Malit të Zi dhe Noli gjatë gjithë kohës së luftës kishte punuar që shqiptarët të kishin një vizion që kur të vinte konferenca e paqes, të ishin të përgatitur dhe që Shqipëria të mos copëtohej. Pra të mbanin kufijtë e 1913-ës sepse Kosovën nuk kishin shpresë për ta marrë”, shtoi Ikonomi më tej duke përmendur edhe gjurmën ai që kishte lënë pas takimit me presidentin amerikan Wilson, i cili pas premtimit e do ta mbronte Shqipërinë nga copëtimi, përmes një marrëveshje të fshehtë, Vlora për pak sa nuk iu dha Italisë.

“Mirëpo nuk kaloi shumë dhe Wilson bëri një marrëveshje të fshehtë me Italianët, ku u tha që Vlorën do ta merrni ju. Noli dhe gjithë patriotët shqiptarë u zemëruan shumë dhe filluan t’i shkruajnë letra presidentit Wilson, ku Noli e kritikoi shumë ashpër për punën e Vlorës. Pastaj ngjarjet u zhvilluan në mënyrë të tillë që Wilsoni hoqi dorë nga këto plane, dhe i dha mundësinë  Shqipërisë që të mbetet në kufijtë e 1913”, përfundoi autori Ikonomi duke e quajtur të rrallë figurën e Fan Nolit s një mishërim i dijeve të thella të kulturës, historisë, gjuhëve, elokuencës së tij në të folur dhe aftësisë së tij të madhe për të bindur, elemente që u bashkuan me një patriotizëm të rrallë. 

Pas ceremonisë së promovimit, u mbajt edhe një koktej rasti, ku mysafirët patën rastin që për së afërmi të takojnë autorin Ilir Ikonomi dhe të diskutojnë për librin që u promovua këtë mbrëmje. /KultPlus.com

Margariti: “Shtëpia e arbëreshëve”, një muze artefaktesh e dëshmish për ruajtjen e gjuhës dhe traditave

Pas shekujsh mërgim, arbëreshët “kthehen” në shtëpinë e tyre dhe pikërisht në Krujën e Skënderbeut ku do të hapet muzeu në nderim të kultivuesve të palodhur dhe besnikë të gjuhës shqipe dhe traditave shqiptare në shekuj.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ka publikuar në rrjetet sociale detaje nga “shtëpia e arbëreshëve.

“Ditën Arbëreshe e mbyllëm me një premtim: të ngremë Shtëpinë e Arbëreshëve, bash në Krujën e Skënderbeut, pas rënies së të cilës u larguan shekuj më parë”, shprehet ministrja.

Margariti thekson se ky premtim do të bëhet realitet jo thjesht në formën e një muzeu artefaktesh e dëshmish për ruajtjen e gjuhës e traditave të të parëve, por edhe si një hapësirë dialogu dhe komunikimi mes brezash. / atsh / KultPlus.com

Presidentja Osmani në Tiranë: Për kauzën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës duhet dhe do të jemi një

Presidentja Vjosa Osmani tha se “mërgata shqiptare është padyshim shtylla e lëvizjes kombëtare për liri e pavarësi të shqiptarëve”.

Në një fjalim në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, ku po mbahet edicioni i tretë i Samitit të Diasporës, Osmani tha se “mërgata jonë është sublimim i përpjekjeve të gjata e të kahershme për liri, pavarësi e shtetndërtim”.

Osmani e theksoi këtu edhe gjendjen jo të mirë të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Ajo tha se në mbështetje të kauzës së tyre “duhet dhe do të jemi një”, raporton Gazeta Express.

“Përderisa jemi mbledhur sot të gjithë këtu, të mos harrojmë se vëllezërit dhe motrat tona në Preshevë, Medvexhë e Bujanoc akoma përballen me diskriminim sistematik, që rezulton edhe me spastrim etnik nëpërmjet mjeteve administrative. Si gjithmonë, ju themi edhe sot: ju nuk jeni vetëm. Të gjithë jemi bashkë me ju në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Medvexhë e Bujanoc. Prandaj edhe në këtë kauzë për mbrojtjen e tyre duhet dhe do të jemi një”, tha Osmani.

Presidentja e Kosovës foli për “rolin historik të mërgatës shqiptare”, duke përmendur se si gjatë luftës në Kosovë, “shumë të rinj e të reja nga mërgata iu bashkuan vargonit të lirisë duke u mobilizuar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si mbrojtës të vendit tonë”. / KultPlus.com