‘E urrej shiun kur bie’

Rok grupi i njohur Elita 5 është një nga grupet më të preferuara në vendet shqipfolëse, të cilët i rezistuan kohës, shkruan Kultplus.

Me të dëgjuar këngët e tyre, meloditë na kthejnë prapa në kohë. Sot po ju sjellim njërën nga perlat muzikore “E urrej shiun”.

Në kitarë teli… i këputur 
ndali këngën më të bukur… 
por s’e ndali, shiun në këtë qytet.. 
Ku je buza e paputhur 
dashuria ime e humbur 
në mes të rrugës.. unë po lagem vetë.. 

I harruar si një letër e djegur… 
në këtë rrugë pa adresë kam mbetur 
E urrej… shiun kur bie… 
se njëherë ma fiku një zjarr.. 
një zjarr dashurie… 
I urrej.. lotët e mi… 
dhe pse ngjajnë me shiun 
që më ndau nga ti.. 

Dashuria ish dikur 
mbet kornizë pa pikturë 
që askund nuk e shoh në mur… 
I harruar.. si një leter.. e djegur… 
në këtë rrugë.. pa adrese kam mbetur… 

E urrej shiun kur bie.. 
se njëherë ma fiku një zjarr 
një zjarr dashurie… 
i urrej.. lotët e mi… 
sepse ngjajnë me shiut.. (2x) 

E urrej shiun kur bie.. 
se njëherë ma fiku një zjarr 
një zjarr dashurie… 
I urrej lotët e mi… 
dhe pse ngjajnë me shiun 
që më ndau nga ti.. 

Ti ndoshta ishe një rrufe 
që erdhe shpejt… 
dhe kur shkove, nuk e dita, as e di 
por këngën edhe shpresën 
i le të treten nëpër shi… / KultPlus.com

Filmi ‘Okarina’ me premierë botërore në Indi, shpërfaqë jetën e emigrantëve shqiptarë

Filmi i metrazhit të gjatë “Okarina” me regji të Alban Zogjanit, është dhënë si premierë botërore në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Indi, shkruan KultPlus.

Filmi “Okarina” me skenar të Albana Mujës, e vendos shikuesin ne brendësi të privatësisë dhe përditshmerisë së një familjeje emigrantësh kosovarë në të 2000 – tat e hershme, përmes së cilës shpërfaqë historitë e patreguara të shumë shqiptarëve të humbur në kohë e ekzistencë.

Ky film gërsheton në vete problemet e të qenit emigrant, ndryshimet dhe tranzicionet e sjella nga jetesa në perëndim dhe mënyrat e përballjes me to.

Aktorët që luajnë në film janë: Jehon Gorani, Shengyl Ismajli, Rina Krasniqi, Flaka Latifi, Arta Selimi dhe Kastriot Shehi. Producente e filmit ishte: Rita Krasniqi dhe drejtor i fotografisë: Alex Bloom.

Skenaristja Albana Muja përmes një postimi në “Facebook” ka thënë se nominimi në një kategori të tillë është dëshmi e cilësisë që posedon përmbajtja filmike në tërësi.

“Kategoria e “Debutimit më të mirë” në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Indi përfshin realizime ndërkombëtare e indiane, të cilat shquhen si e ardhmja e kinemasë, ndërsa nominimi në kategori të tillë është dëshmi e cilësisë, rëndësisë dhe hapësirës që një krijim zë në këtë industri”, ka shkruar Muja. /KultPlus.com

‘Kthehem prap’, Altin Goci koncert recital më 23 nëntor

Këngëtari i njohur Altin Goci, një nga figurat më të dashura të muzikës shqiptare që prej viteve ‘90-të, vjen më 23 nëntor me një super-koncert nostalgjik.

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj postoi sot videon promovuese të koncertit dhe i fton të gjithë të bëhen pjesë e tij.

“Tirana flet pop-rock më 23 nëntor. Altin Goci, një nga figurat më të dashura që prej viteve ‘90-të, ju pret në një super-koncert nostalgjik.Bëhu grup dhe shijoje. Në orën 17:30 në Qendrën Kulturore të Katedrales Orthodhokse”, shkruan Veliaj në rrjetet sociale.

Altin Goci prej shumë vitesh është një vlerë e shtuar e krijimtarisë muzikore shqiptare. Grupi “Ritfolk”, ku Goci ishte pjesë, ishte ndër të parët që futi frymën e grupeve muzikore në Shqipëri./atsh/KultPlus.com

Vaçe Zela dhe zëri i saj i artë në këngën “Më ka zënë meraku”

KultPlus ju sjellë këngën “Më ka zënë meraku” të kënduar mjaft bukur nga këngëtarja e njohur shqiptare Vaçe Zela.

Më ka zënë meraku
me një cucë matjane 
Si  lule zambaku 
Moj vetull gajtanë
fol o fol me goje
lule malësore 

O  moj cucë matjan 
Zemrën seç ma more

Besën kur ta dhashë moj 
Fjalën se të due 
Ditën kur ti pash moj 
Nja ta sytë e shkrum 

Fol o fol me gojë
Lule malësore 
O moj cucë matjan 
Zemrën seç ma more. / KultPlus.com

Kumbaro: Nis puna për strategjinë e Turizmit 2024 – 2030

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro bëri të ditur sot se ka filluar puna mbi strategjinë e Turizmit 2024 – 2030, përmes një metodologjie të mirëstudiuar dhe me ekspertizën e GIZ.

Në një postim në rrjetet sociale Kumbaro tha se “duam të hartojmë një strategji që të jetë realiste, e zbatueshme dhe të drejtojë politikat e sektorit të turizmit deri në vitin 2030, me dinamikat e tij që shpesh herë edhe i tejkalon parashikimet”.

“Të gjithë janë të ftuar në tryezat e konsultimeve, që në përfundim të kemi produktin i cili do t’u shërbejë subjekteve publike, atyre private, bizneseve të hoteleri turizmit, të udhëtimit, organizatave, shoqatave dhe gjithë grupeve të interesit për të krijuar vizionin e tyre drejt produkteve turistike të qëndrueshme me ambicien se në mbarim të afatit të kësaj strategjie do ta kemi kthyer Shqipërinë në kampion të turizmit në Ballkan”, tha Kumbaro.

Shqipëria gjatë këtij viti ka shënuar një numër rekord turistësh. Përveç shfirave të larta, Shqipëria ka përjetuar edhe një ‘bum’ të promovimit mediatik botëror të potencialeve të saj turistike, deri tani shumë pak të zbuluara për botën.

Përveç vizitorëve nga Kosova, që mbajnë vendin e parë në të njëjtat shifra si vitin e kaluar, gjatë këtyre muajve tregje interesante paraqiten Spanja, Italia, Turqia, Mali i Zi, Franca, etj.

Vendi ynë ka kushte për turizëm gjithëvjetor, për shkak të relievit, që ofron mundësi për turizëm nga jugu, në veri. Fshatrat turistikë të veriut të vendit njohin së fundmi numër të lartë turistësh, ndërsa po zhvillohet edhe infrastruktura për turizmin e aventurës.

Shqipëria po ashtu ka lumenj të shumtë, laguna dhe parqe kombëtare, të cilat thithin turistë nga e gjithë bota./atsh/KultPlus.com

Kostumet e The Crown që do të dalin në ankand

Objektet dhe mobilet nga setet dhe kostumet, duke përfshirë një kopje të veshjes së ashtuquajtur “hakmarrëse” të Princeshës Diana nga seriali “The Crown” do të dalin në ankand. Kostumet ikonë, rekuizitat dhe setet nga “The Crown” janë hulumtuar gjerësisht dhe janë krijuar me vëmendje vërtet mbresëlënëse ndaj detajeve nga artizanët.

Ankandi do të zhvillohet më 7 shkurt 2024 në selinë e shtëpisë së ankandeve në Londër dhe online nga 30 janari deri më 8 shkurt. Një ekspozitë e seteve, kostumeve dhe objekteve do të vizitojë Nju Jorkun, Los Anxhelosin, Parisin dhe Londrën përpara ankandit, të ardhurat e të cilit do të shkojnë për krijimin e një skeme bursash në Shkollën Kombëtare të Filmit dhe Televizionit në Mbretërinë e Bashkuar. Shkolla ka qenë pjesë e historisë së ‘The Crown’ që në fillim, me shumë prej të diplomuarve të saj që kanë kontribuar në prodhimin e shfaqjes ndër vite. /alsat.mk/KultPlus.com

Fondi i Teatrit për të Rinj sjell dramën ‘Ikja’ në Teatrin ‘Migjeni’ të Shkodrës

Teatri “Migjeni” i Shkodrës sjell sonte për publikun, shfaqjen “Ikja”. Vepra ka autorësinë e Bujar Hoxhaj dhe vjen me regji të Rafael Hoxhaj dhe muzikë nga Rafael Marinaj.

“Ikja” do të përballë spektatorin me dilemat e një largimi. Ajo vjen si një rrëfim nga qielli dhe gjithashtu si një përjetim dhe akt momental. Drama vë pikëpyetje dhe trajton ikjen si fenomen jo veç të njëkuptimtë por shumë planësh:

Ikja nga përgjegjësitë dhe detyrimet si qytetar i një vendi relativisht në zhvillim e sipër.

Ikja nga vendi në kërkim të një jete më të mirë.

Ikja e pakthyeshme, ajo e madhja, ikja nga kjo botë.

Por a është “Ikja” një zgjidhje? Apo, nuk kemi zgjidhje tjetër veç “Ikjes”?

Me këto pikëpyetje që rëndojnë të paktën një herë në jetën e një njeriu,  “Ikja” parë filozofikisht do të mundësohet nga Fondi i Teatrit për të Rinj, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Artdashësit do ta kenë hyrjen e lirë në Teatrin “Migjeni”./atsh/KultPlus.com

Franceso Altimari: Gjuha arbëreshe, mundësi për t’u rivitalizuar

Profesori Francesco Altimari, një nga figurat e njohura të botës akademike, u shpreh se gjuha arbëreshe ka sot mundësinë të rivitalizohet.

I pranishëm në Samitin e 3-të të Diasporës që po mbahet në Tiranë, akademiku Prof. Altimari, gjatë fjalës së tij, u ndal në modelin e gjuhës shqipe që duhet folur.

Ai tha se, “gjuha arbëreshe është një gjuhë e gjallë dhe ne kemi mundësi ta riaktivizojmë me metoda moderne duke parë të ardhmen dhe jo të djeshmen”.

Ai përgëzoi miratimin e ligjit në Itali që ka mbështetur mësimin e gjuhës arbëreshe, por bëri apel për bashkimin e 40 komunave arbëreshe në një koordinim politik, mundësi të cilën e lejon ligji, në mënyrë që siç tha ai, “minoriteti arbëresh i shpërndarë në 40 komuna të organizohet në një linjë për mësimin e gjuhës arbëreshe”.

“Puna e një gjuhe minoritare zgjidhet bashkërisht. Ndaj jemi angazhuar si botë akademike që të mbështesim kërkimin shkencor në drejtim të gjuhës shqipe. Për këtë qëllim ne kemi angazhuar edhe studentët që me punët e tyre kërkimore shkencore t’i vijnë në ndihmë mësimit të gjuhës arbëreshe, që është e përhapur në mënyrë dialektore sipas komuniteteve”, tha ai.

Prof. Altimari vuri theksin në planifikimin gjuhësor të arbërishtes, që bën përshkrimin e të gjitha gramatikave dhe fjalorëve që ka kjo gjuhë, duke e sjellë arbërishten në kontekstin letrar dhe duke e përafruar nën një çati, që ruan tiparet leksikore dhe gramatikore.

Prof. Altimari është anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, është anëtar nderi i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, është profesor në Universitetin e Kalabrisë. Ai është autor i shumë botimeve për gjuhën arbëreshe. Ai është ndër themeluesit e filologjisë arbëreshe dhe shqiptare në përgjithësi./atsh/KultPlus.com

Nuk dua trëndafila, deri sa t’ketë trëndafila

Poezi e shkruar nga Fernando Pessoa.

Përktheu: Orjela Stafasani

Nuk dua trëndafila, deri sa t’ketë trëndafila.
I dua veç kur nuk mund t’i kem ato. 
Çfarë të bëj me gjëra të tilla,
që mund t’i mbledhë kushdo?

E dua natën veç pse agu e hollon
dritën në ar dhe në blu. 
Ajo që shpirti im e injoron
është ajo që do të doja ta kisha këtu.

Pse? Nëse do ta dija s’do të shkruaja kot
vargje për të thënë atë që akoma nuk e di.
E kam shpirtin të shkretë dhe të ftohtë…
Ah me çfarë lëmoshe ta ngroh tani?…/KultPlus.com

Ndahet Çmimi shtetëror ’22 Nëntori’, fitues të sivjetmë, Agim Vinca dhe Amet Selmani

Në një ceremoni të organizuar në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut u nda Çmimi shtetëror “22 Nëntori” për vitin 2023.

Në shenjë mirënjohjeje për arritjet në sferën e jetës politike, kulturore dhe shoqërore në Republikën e Maqedonisë së Veriut që kanë kontribuar në avancimin e bashkëjetesës ndërnjerëzore dhe mirëkuptimit të ndërsjellë ndërmjet pjesëtarëve të komuniteteve, kulturave dhe feve të ndryshme në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Çmimi “22 Nëntori” iu nda prof. dr. Agim Vincës, studiues dhe shkrimtar, si dhe shkrimtarit Amet Selmani. Me arritjet e tyre shkencore dhe krijuese, dy fituesit e merituan këtë çmim theksoi prof. dr. Mixhait Pollozhani, në emër të Këshillit për ndarjen e çmimit.

“Urojmë që çmimi “22 Nëntori”, i cili ndahet për nder të kësaj dite të rëndësishme të historisë sonë, le të jetë një mirënjohje për fituesit e këtij viti prof. dr. Agim Vinca dhe Ahmet Selmani, të cilët me arritjet e tyre shkencore dhe krijuese e merituan këtë çmim.”, – theksoi anëtari i Këshillit për ndarjen e çmimit, prof. dr. Mixhait Pollozhani.

Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve ishin të pranishëm përfaqësuesit shtetërorë dhe diplomatë, si dhe mysafirë të ftuar./ TVM2)/KultPlus.com

Laguna e Nartës, oaz i shpendëve migratorë

Turizmi i vëzhgimit të shpendëve ujorë po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë në zonat e mbrojtura në Shqipëri.

Ky lloj turizmi është një mundësi e mirë për të afruar njerëzit me shpendët dhe për t’u treguar atyre se çfarë tiparesh dhe vlerash ka secili shpend.

Administrata e Zonave të Mbrojtura Vlorë ka zhvilluar një vëzhgim të shpendëve në lagunën e Nartës për të njohur më nga afër situatën aktuale.

“Laguna e Nartës është një oaz i shpendëve të ujit, e cila krijon habitate mjaft të përshtatshme për periudhën dimërore, ku një numër i madh i shpendëve migratorë kanë filluar të popullojnë lagunën”, theksoi Agjencia kombëtare e Zonave të Mbrojtura.

Turizmi i vëzhgimit të shpendëve apo kafshëve të egra, tashmë po kthehet në një lëvizje të vërtetë turistike edhe për vendin tonë.

Kjo lagunë përfaqëson një territor me një shumëllojshmëri shpendësh, të cilët gjejnë aty një habitat të përkryer për të folezuar apo dimëruar. Një shfaqje biodiversiteti, që mes të tjerash përbën edhe një hallkë të rëndësishme të zinxhirit të mbijetesës së shpendëve, në sezonet e shtegtimit. Kjo lagunë, pjesë kyç e korridorit të shtegtimit të Adriatikut lindor, përbën një nga ekosistemet ligatinore më të rëndësishme të Shqipërisë.

Ky territor mbart një numër të konsiderueshëm shpendësh, shumë prej të cilëve gjenden të listuar në direktivën evropiane të shpendëve, si dallëndyshja e detit (Glareola pratincola), sqepbiza (Recurvirostra avosetta) apo dallëndyshja e detit ballëbardhë (sternula Albifrons)./ atsh / KultPlus.com

Rolling Stones kanë paralajmëruar një tjetër turne botëror

Grupi legjendar britanik Rolling Stones ka paralajmëruar një turne të ri botëror për vitin e ardhshëm. Me albumin e ri Hackney Diamonds, të cilin e publikuan pas 18 vitesh, ata do të shkojnë në gjashtëmbëdhjetë ndalesa në Amerikën e Veriut në fund të prillit.

Fansat evropianë duhet të presin ende datat e koncerteve.

Turneu i Rolling Stones do të fillojë më 28 prill në Hjuston, i ndjekur nga një ndalesë tjetër çdo katër deri në pesë ditë – New Orleans, Glendale, Las Vegas, Seattle, New Jersey, Foxboro, Orlando, Atlanta, Philadelphia, Cleveland, Denver, Chicago, Vancouver , Los Angeles dhe finalja më 17 korrik në Santa Clara.

“Fansat mund të presin që Mick, Keith dhe Ronnie të luajnë hite si Start Me Up, Gimme Shelter, Jumpin’ Jack Flash, Satisfaction dhe sigurisht albumin e ri të Hackney Diamonds”, njoftoi grupi në faqen e tyre të internetit. Këngëtari Mick Jagger festoi ditëlindjen e tij të 80-të këtë vit, kitaristi Keith Richards do të festojë të njëjtin moment historik brenda një muaji, kitaristi Ronnie Wood është anëtari më i ri i grupit në moshën 74-vjeçare.

The Stones performuan për herë të fundit në tokën amerikane në turneun No Filter dy vjet më parë. Ky ishte turneu i parë i grupit pa bateristin Charile Watts që nga viti 1963, raportoi AP. Watts, i cili ishte një pjesë integrale e grupit rock, vdiq në gusht 2021 në moshën 80-vjeçare. Steve Jordan (66) e zëvendësoi atë në turne. Ata performuan në Evropë vitin e kaluar me rastin e 60-vjetorit të grupit. / KultPlus.com

Jim Carrey thuhet se do të kthehet për “The Grinch” 2

Iant Freakin Robot po raporton se një vazhdim i “The Grinch” është i pashmangshëm dhe se Jim Carrey do të rikthehet në rol.

Publikimi shkruante:

“Jim Carrey po kthehet në Universal Pictures për “The Grinch” 2, duke luajtur edhe një herë krijimtarinë më të famshme dhe më keqtrajtuar të Dr. Seuss.”

Origjinali është 23 vjeç këtë vit. / KultPlus.com

204 vite nga lindja e George Eliot, gruaja që shkëlqeu si shkrimtare në periudhën viktoriane

Mary Ann Evans, u lind më 22 nëntor 1819 dhe vdiq më 22 dhjetor 1880. Ajo njihej ndryshe me emrin Mary Anne ose Marian, e njohur gjithashtu me emrin e saj të artit, George Eliot.

Eliot ishte një romanciere, poete, gazetare, përkthyese dhe një nga shkrimtarët kryesorë të periudhës viktoriane. Gjatë karrierës së saj si shkrimtare atë e përfaqëson një galeri prej shtatë romanesh, shumica e të cilave trajtojnë histori të vendosura në Anglinë provinciale dhe janë të njohur për realizmin e një pasqyrimi të mprehtë psikologjik dhe një pene të hollë e mbrojtur prej një shpirti të ndezur atij pasioni që e shoqëroi prej fillimit deri në mbarim udhëtimin e saj krijues në një periudhë shumë të tendosur zhvillimesh dhe sfidash krijuese.

Ajo ia arriti të shpëtonte stereotipit të shkrimtareve gra, të cilat kufizoheshin vetëm tek romancat e dashurisë, pathosi i një zemre delikate dhe një dritëpamësia të botës të ndryshtë dhe të tejparë në thellësi dhe shtrirje të brendisë së tekstit dhe shpirtit, atij që i blatohej rrëfimit dhe atij që e hymnizonte përmes idesë dhe mendimit.

George Eliot dëshironte që trilli i saj të trajtohej shkëputur nga puna që bënte, tashmë gjerësisht e njohur si redaktore dhe kritike. Një faktor tjetër në përdorimin e një emri të artit mund të ketë qenë një dëshirë për të mbrojtur jetën e saj private nga shqyrtimi publik, duke shmangur kështu skandalin që do të dilte për shkak të marrëdhënies së saj me George Henry Lewes.

“Eliot’s Middlemarch” i George Eliot është konsideruar nga romanicierët, Martin Amis dhe Julian Barnes, si romani më i madh në gjuhën angleze.
Lexuesit në epokën viktoriane vlerësuan romanet e saj për përshkrimet e tyre të shoqërisë rurale. Pjesa më e madhe e materialit për prozën e Eliot u nxor nga përvoja e saj personale. Ajo ndau me Wordsworth besimin se kishte shumë vlera dhe bukuri për t’u shpërfaqur nga jeta dhe zakonet e vendit. Sidoqoftë, Eliot nuk e kufizoi krijimtarinë e saj vetëm me histori të fshatit anglez. “Romola”, është një roman historik i vendosur në Francën e fundit të shekullit të pesëmbëdhjetë, e cila u bazua në jetën e priftit italian Girolamo Savonarola.

Në librin “Cigani spanjoll”, ajo bëri një përmbledhje në vargje, por popullariteti fillestar që ajo pati si poete.

Në kohën e Daniel Deronda, shitjet e Eliot po binin dhe ajo ishte zbehur nga interesi i publikut. Kjo situatë mbeti e tillë edhe pas publikimit të një libri biografik pas vdekjes së saj nga bashkëshorti, e cila e portretizoi atë si një grua e mrekullueshme, gati shenjtërore, krejtësisht në kundërshtim me jetën skandaloze që njerëzit e dinin që ajo kishte bërë.

Në shekullin e 20-të ajo u rikonsiderua nga një kastë e re e kritikës, më së shumti nga Virginia Woolf, e cila e quajti “Middlemarch” “një nga romanet angleze të shkruara për njerëzit e rritur”. Më 1994, kritiku i famshëm letrar, Harold Bloom e vendosi Eliotin ndër shkrimtarët më të rëndësishëm perëndimore të të gjitha kohërave.

Gjithashtu, në një sondazh të autorëve më 2007 nga TIME, romani “Middlemarch” u votua si vepra e dhjetë më e madhe letrare e shkruar ndonjëherë. Në vitin 2015, shkrimtarët nga jashtë Mbretërisë së Bashkuar e votuan atë si e para nga të gjithë romanet britanike. Përshtatjet e ndryshme filmike dhe televizive të librave të Eliot e kanë riprezantuar atë në publikun më të gjerë të leximit./albertvataj/ KultPlus.com

E veshur kuq e zi për të impresionuar publikun, Rita Ora shkëlqen në skenë

Rita Ora dukej ‘e zjarrtë’ kur u ngjit në skenë në mbrëmjen bamirëse të “Global’s Make Some Noise” në Hotelin “Londoner” në Leicester Square të martën.

Ylli shqiptaro-britanik i muzikës pop, 32 vjeçe, tregoi figurën e saj spektakolare ndërsa veshi një fund të çuditshëm me pupla të kuqe, të cilin e kombinoi me një triko të zezë të veshur në pjesën e sipërme.

Rita defiloi përpara publikut të yjeve e veshur me një palë çizme të kuqe të gjata deri në gjunjë për një performancë të jashtëzakonshme, shkruan DailyMail.

Asaj iu bashkuan në skenë një grup balerinash, të cilat vallëzonin gjatë kohës që Rita këndoi një përzgjedhje nga hitet e saj të famshme.

Mbrëmja gala mblodhi para për organizatën bamirëse “Global’s Make Some Noise” për të ndihmuar fëmijët, të rinjtë dhe familjet e tyre të disavantazhuara në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar.

Pas spektaklit, Rita dha një pasqyrë të pushimeve të saj të fundit në Skoci me burrin e saj, regjisorin Taika Waititi, në një postim në Instagram të enjten.

Ajo ndau me ndjekësit fotografi nga vende të ndryshme turistike dhe peizazhe mahnitëse të natyrës.
Në një prej fotografive ajo qëndron në mes të rrugës, e rrethuar nga terren i egër me male në distancë.

Rita gjithashtu publikoi një video të saj së bashku me partnerin e saj, regjisorin Taika, 48 vjeç, teksa shijonin kohën së bashku.

Çifti raportohet të kenë shpenzuar rreth pesë milionë funte në një vilë të re në Zelandën e Re, sipas tabloidit britanik The Sun.

Prona e madhe ka katër dhoma gjumi, një pishinë, verandë, kopshte private, garazh të madh dhe pamje të mahnitëse nga gjiri detar. / KultPlus.com

Rama: Zemrat kuqezi të diasporës rimblidhen këtë herë me arbëreshët në qendër

Sot dhe nesër organizohen në Tiranë Dita Arbëreshe dhe Samiti III i Diasporës.

Kryeministri Edi Rama u shpreh se, “zemrat kuqezi të diasporës rimblidhen këtë herë me arbëreshët në qendër, për t’u mikpritur nga yjet si, Ardit Gjebrea, Ndriçim Xhepa, Elsa Lila, Luiza Gega, Elhaida Dani bashkë me artistët e “Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor” në Pallatin e Kongreseve ora 15:30″.

Dita Arbëreshe do të mbledhë në Tiranë përfaqësues dhe figura të njohura të komunitetit arbëresh, studiues, historian për të diskutuar në panele, të cilat fillojnë mëngjesin e sotëm e për të vijuar me sesionin plenar që nis në orën 16:00 në Pallatin e Kongreseve.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani do të mbajë fjalën e hapjes për t’u pasuar me mesazhet e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, Kryeministri Edi Rama dhe emra të njohur arbëresh.

Gjatë këtij takimi do të jepen edhe çmimet “Shqiponja e artë” për disa personalitete.

Arbëreshët jetojnë në Itali nga shekulli XV, në rajonet e Abrucos, Kampanjës, Apulias, veçanërisht në Bazilikat, Moliz, Kalabri dhe Sicili. Në të gjithë Italinë, sot njihen zyrtarisht 50 komunitete arbëreshe.

Ata nuk e kanë harruar vendin e të parëve dhe ruajnë të gjalla zakonet e tyre të pasura, si gjuhën, veshjet, festat, traditat, ritet e besimet e paraardhësve të tyre. Arbëreshet vijojnë të kontribuojnë në zhvillimet e vendit tonë, me po të njëjtin përkushtim me të cilin kontribuojnë në zhvillimet e vendit ku jetojnë dhe punojnë, duke u shfaqur vazhdimisht si promovues dhe përforcues të marrëdhënieve mes dy popujve.

Ndërsa Samiti III i Diasporës do të zhvillohet më datë 23 nëntor në Pallatin e Kongreseve.

Në Seancën Plenare të Samitit do të jenë të pranishëm përfaqësues të lartë të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe mbi 2 mijë bashkatdhetarë nga diaspora, të cilët janë regjistruar prej muajsh për të marrë pjesë në samit.

Pas sesionit do të ketë 6 panele diskutimi të organizuara nga MEPJ, MIE, MAS etj.

Diaspora shqiptare është katalizator i ndryshimit dhe faktor në zhvillimin e shoqërisë në Shqipëri nëpërmjet ndërmjetësimit, ndarjes së ideve, praktikave, vlerave dhe qëndrimeve, normave të sjelljes dhe akumulimit të njohurive dhe përvojës në zhvillimin ekonomik dhe nxitjen e investimeve.

Gjithashtu Diaspora shqiptare ka një rol të rëndësishëm në promovimin e produkteve shqiptare dhe mësimin e gjuhës shqipe te brezat e rinj në vendet ku ata jetojnë dhe punojnë. Lidhja shpirtërore, dashuria për atdheun ka bërë që të ruajnë gjuhën, kulturën, zakonet dhe traditat e paraardhësve të tyre, duke krijuar kështu edhe shoqata shqiptare apo organizata, pavarësisht integrimit në shoqërinë e vendeve ku ata jetojnë prej vitesh. Figura të njohura, personalitete të shquara shqiptarë të Diasporës, me veprat dhe aktivitetet e tyre, kanë dhanë dhe vazhdojnë të japin një kontribut të veçantë në promovimin e vendit tonë./ atsh / KultPlus.com

“Stacion” po sjell ekspozitën e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2023 me artistët e nominuar

Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor fton publikun për një ecje dhe bisedë nëpër ekspozitën e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2023 me artistët e nominuar Renea Begolli, Shkamb Jaka, Arbesa Musa e cila ekspozitë do të hapet më datë 29 nëntor, ora 19:00 tek Klubi i Boksit.

Ngjarja synon të krijojë hapësirë për diskutim me publikun në lidhje me punët dhe praktikën artistike të artistëve të nominuar për çmimin “Artistët e së nesërmes” 2023, hulumtimin, përvojën e tyre gjatë procesit dhe lidhjen e ekspozitës me dimensione të tjera shoqërore.

Shpallja e artistit fitues të çmimit “Artistët e së nesërmes” 2023 do të bëhet me 2 dhjetor ora 20:00.

Çmimi “Artistët e së nesërmes” është një projekt unik që u ofron artistëve të arteve pamore nën moshën 35 vjeçare mundësinë të krijojnë vepra të reja, të bëhen pjesë e një procesi specifik që përfshinë vlerësimin e veprave dhe artistëve nga një juri kredibile ndërkombëtare, mundësi që të bashkëpunojnë me ekipin kuratorial të Stacion – Qendrën për Art Bashëkohor Prishtinë, të marrin pjesë në ekspozitën vjetore të finalistëve të çmimit “Artistët e së nesërmes” dhe të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të përjetojnë dinamikën e skenës artistike të Nju Jork-ut, për dy muaj qëndimi në Residency Unlimited. Pas kthimit nga SHBA artistët fitues bëhen pjesë e programit vjetor të Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor në Prishtinë me ekspozitën personale që shfaqet në Klubin e Boksit në Prishtinë.

Anëtarë të jurisë së çmimit “Artistët e së nesërmes” 2023: Julieta Aranda, artiste, bashkë-themeluese dhe redaktore e e-flux, Berlin, Miljana Dunđerin, artiste, drejtoreshë e qendrës private kulturore “Akvarijus”, Mitrovicë Veriore, Agrina Vllasaliu, artiste, fituese e çmimit Artistët e së nesërmes 2022, me angazhim në Berlin dhe Prishtinë, Alper Turan, kurator dhe shkrimtar, me angazhim në Nju Jork dhe Stamboll, dhe Driton Selmani, artist, Prishtinë, ka zgjedhur tre artistët të nominuar për çmimin “Artistët e së nesërmes” 2023, artisët e rinj Renea Begolli, Shkamb Jaka, Arbesa Musa.

Sipas deklaratës së jurisë për tre artistët e nominuar, vepra e Renea Begollit e shtyn pikturën përtej komoditetit të pëlhurës dhe e përdor atë për të hetuar tensionet midis botës njerëzore dhe asaj më shumë se njerëzore, që duket se janë qendrore në praktikën e saj. Shtresimi në veprën e saj duket se pyet, si mund të përkthehet qielli i së ardhmes në të tashmen? Cilat janë shtresat që eksplorimi tekniko-shkencor njerëzor përpiqet t’i shtojë botës natyrore? A janë e ardhmja dhe territoret qiellore që mund të kontrollohen dhe përcaktohen nga njerëzit?

Artistja e nominuar për çmimin “Artistët e së nesërmes” 2023 Renea Begolli (1998) është artiste pamore dhe studiuese që punon në Prishtinë, Kosovë. Puna e saj artistike eksploron intimitetin, gjininë, kujtesën, izolimin, trupin, hapësirat, çështjet ekologjike dhe sociale, të shprehura kryesisht përmes pikturave, vizatimeve dixhitale, instalacioneve dhe video-artit. Në vitin 2021, ajo u diplomua në Pikturë (BA), në Fakultetin e Arteve, Universiteti i Prishtinës dhe në Universitetin Bournemouth, BA (Hons) në Sociologji dhe Antropologji Sociale, një shkëmbim një semestral me Erasmus+. Monedha (shtator-tetor 2023). Begolli aktualisht po punon si Asistente Kuratoriale për Bienalen e Kievit, Vjenë 2023, si pjesë e programit Artist-in-Residence në MuseumsQuartier në Vjenë. Nga viti 2020 deri në vitin 2023, ajo ka punuar në Iniciativën e Historisë Gojore si studiuese dhe arkiviste. Në vitin 2022, ajo ka punuar edhe si koordinatore e programit dhe bashkëkuratore për Kosovën në Arkivin Sekondar. Si artiste, Renea ishte pjesë e disa shfaqjeve të artit në grup dhe pati një shfaqje solo këtë vit të titulluar “Pragu” në Galeria Qahili.

Punimet e saj u ekspozuan në disa ekspozita kolektive: “Pavijoni i Arteve Pamore”, Varg e Vi(Gjilan, 2022), “Hybrids in Sight”, në Termokiss(Prishtinë, 2022), “Arti gjatë pandemisë: Bazuar në një histori të vërtetë” në Galeria Kombetare e Kosovës(2021), “Breathe” (@femartkosovo, 2021), “Viti i Ri, Artistë të Ri, Shpresa të Reja” në “Europe House” (2021), “Additions” (2020; Prishtinë, Mitrovicë) kuruar nga Blerta Hoçia, organizuar nga Fondacioni17, e më shumë.

Shkamb Jaka është një artist që tregon një gjuhë piktoreske të pjekur dhe të zhvilluar, që është qartësisht e tija dhe që lundron i qetë mes disiplinave të ndryshme artistike. Ai ka një botë referimi shumë interesante, të ankoruar në fizikën kuantike, astrofizikën dhe metafizikën, dhe përpiqet të sigurojë përfaqësime të qëndrueshme për fenomenet që përshkruhen në to, duke ngritur pyetjen se çfarë është e përfaqësueshme dhe si.

Artisti i nominuar për çmimin “Artistët e së nesërmes” 2023 Shkamb Jaka ka lindur në Gjakovë. Ka diplomuar në degën e Arteve të Bukura – Pikturë (BA dhe MA) në Universitetin e Prishtinës. Përveç mbajtjes së dy ekspozitave personale, “DisDeKodim” tek Menza Ramiz Sadiku, 2020 dhe “Veprim drithërues në distancë” në Paper Gallery, në vitin 2021, ka prezantuar punën e tij në ekspozita të ndryshme kolektive. Jaka ka qenë finalist i “Artistët e së nesërmes” në Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor, 2020, pjesëmarrës në ekspozitën “Bazuar në një histori të vërtetë” në Galerinë Kombëtare të Kosovës, 2021 si dhe së fundmi me prezantimin e veprës në ekspozitën “SOLO” në Qendrën e Praktikës Narrative, 2023. Interesat kryesore artistike të Jakës shkojnë nga vëzhgimi i sjelljes njerëzore, tek përvojat personale, tek teoritë dhe eksperimentet e ndryshme shkencore. Tani fokusi i tij është te fizika kuantike, metafizika dhe krijimi i vendeve utopike, bazuar në gjetjet e reja shkencore, duke i kthyer ato në art pamor.

Arbesa Musa është një artiste multidisiplinare e diasporës kosovare, e cila e përdor kujtesën e përvojës së saj në Kosovë si burim kryesor për punën e saj. Ajo përdor materialet e përditshme në mënyra delikate që lejojnë potencialin e tyre evokues dhe emocional të dalë përpara dhe të marrë përsipër.

Artistja e nominuar për çmimin “Artistët e së nesërmes” 2023 Arbesa Musa (1999) jeton dhe punon mes Zvicrës dhe Kosovës. Musa ka lindur në Gjenevë dhe është rritur në Ferizaj të Kosovës. Ajo u kthye në Zvicër në vitin 2017 për të vazhduar rrugëtimin e saj artistik. Nga viti 2017 dhe sot ajo punon në një studio në Gjenevë me artistin zviceran, Stéphane Brunner. Gjatë viteve të qëndrimit në Kosovë, Arbesa mori 6 vite kurse pikture me artistin kosovar Alaudin Elezi, ku zhvilloi teknika të ndryshme pikture si vaj, akrilik, pastel apo edhe vizatime akademike. Me kthimin e saj në Gjenevë, ajo studioi në CFP Arts (Centre de Formation Professionelle Arts), ku filloi të punojë me media të ndryshme përveç pikturës, si skulptura, video, shkrimi dhe zëri. Në korrik të 2022, Arbesa u diplomua me një Bachelor në artet pamore në HEAD (Haute Ecole d’Art et Design), ku  punoi së bashku me Caroline Bachmann, Vidya Gastaldon dhe shumë të tjerë. Aktualisht, ajo është duke studiuar për Master në Artet e Bukura në Institutin Kunst, FHNW, Bazel.

Arbesa Musa është një artiste multidisiplinare dhe punon me teknika dhe mediume të ndryshme si pikturë, skulpturë, zë, performancë, tekst, instalacion, qëndisje etj. Fragmentet e jetës së përditshme dhe përvojat e saj si grua janë pikat kryesore të punës së saj. Roli gjinor, traditat, peisazhet dhe kujtimet marrin një rol të madh në kërkimet e saj. Ajo është gjithashtu shumë e lidhur me atdheun e saj dhe e përqendruar në rrëfimin e temave të ndryshme që shënuan jetën e saj. Tema që mund të jenë mjaft politike dhe provokuese. Një nga temat me të cilat Arbesa ka punuar së fundmi është “arti tradicional” ose “arti artizanal”, si qëndisja dhe endja, që për të përfaqëson një dialog me të gjitha gratë e tjera që kanë punuar me fije para saj dhe kanë mbetur jashtë artit, dhe historisë së arsimit. Arbesa përpiqet ta ndërtojë punën e saj bazuar në përvojat personale dhe kulturën popullore nga e cila është e rrethuar.

Fituesi i çmimit “Artistët e së nesërmes” 2023 do të shpallet me 2 dhjetor 2023 në Klubin e Boksit në Prishtinë, dhe mbyllja e ekspozitës së finalistëve të “Artistët e së nesërmes” 2023 do të jetë me 9 dhjetorë 2023.

Fituesi/ ja i/e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2023 do të shpërblehet me qëndrim dy mujor në Nju Jork, SHBA, në programin rezidencial për artistë në Residency Unlimited, gjatë periudhës qershor/korrik 2024, dhe ekspozitë personale në kuadër të programit vjetor të ekspozitave të
Stacion – Qendra per Art Bashkëkohor Prishtinë të vitit 2025.

Çmimi “Artistët e së nesërmes” është çmimi kryesor për art për artistët e rinj bashkëkohor në Kosovë i organizuar nga nga Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë në bashkëpunim me Residency Unlimited në NewYork dhe The Trust for Mutual Understanding në New York.

Qëllimi i çmimit “Artistët e së nesërmes”, është që të ofrojë mbështetje artistëve të rinj dhe të lehtësoj vazhdimin e punës së tyre duke i zhvendosur ata nga një rol i margjinal në një rol qendror në shoqëri.

Çmimi “Artistët e së nesërmes” është pjesë e programit të çmimeve për artistët e rinj pamor – YVAA (Young Visual Artists Awards) – që është një rrjet i dhjetë çmimeve të ngjashme nga Evropa Qendrore dhe Lindore, dhe i cili u themelua në vitin 1989 në Çekosllovaki nga Kryetari Vaclav Havel, Wendy Luers dhe artistët disidentë, që kishin për qëllim përkrahjen e ngritjes dhe zhvillimit të artit bashkëkohor dhe shoqërisë civile.

Qëllimi i Kryetarit Havel, organizatorëve dhe themeluesëve të Çmimeve YVAA ishte të shpërblejnë artistët e rinj me një rezidencë artitike në, dhe për t’i ekspozuar ata në botën jashtë vendeve të tyre dhe për të theksuar rolin e kulturës në demokratizimin e shoqërisë dhe rolin e
kulturës në shoqërinë civile. Ata themeluan një garë transparente dhe të hapur vjetore, që vlerësohej nga juritë e pavarura dhe që ndrroheshin, pa nepotizëm dhe favorizim. Ky mision themelues dhe kjo kornizë programore, për të përkrahur artin bashkëkohor, për të njohur dhe shpërblyer ekselencën artsitike, për të ngjizur shkëmbimin kulturor dhe për të ndërtuar kapacitetin e institucioneve të pavarura të artit dhe shoqërisë civile, janë edhe udhërrëfyes për Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë për organizmin e çmimit “Artistët e së nesërmes”.

Në vitin 2015, Residency Unlimited (RU) u angazhua si organizator i programit YVAA dhe nikoqir i programit rezidencial në Nju Jork. Në shtator të vitit 2015, Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë është ftuar për të marrë përsipër organizmin dhe udhëheqjen e çmimit
“Artistët e së nesërmes” në Kosovë, duke filluar me edicionin e parë të vitit 2016.

Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë synon të rrisë potencialin dhe ndikimin e çmimit “Artistët e së nesërmes” në zhvillimin e gjithmbarshëm të artit bashkëkohor, në tërë territorin e Kosovës.

Mbështetësit kryesor të çmimit “Artistët e së nesërmës” 2023 janë: Trust for Mutual Understanding (TMU), Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komuna e Prishtinës, Hej Taxi, x-print dhe DZG. / KultPlus.com

Erzen Shkololli emërohet kurator i edicionit të pestë të Autostrada Biennale, 2025

Autostrada Biennale në Prizren njofton me kënaqësi se Erzen Shkololli është përzgjedhur kurator i edicionit të 5-të, i cili do të mbahet prej 5 korrikut deri më 5 tetor 2025.

Autostrada Biennale u themelua në vitin 2014 me misionin për të përdorur artin bashkëkohor si një mjet për të fuqizuar komunitetin dhe për të nxitur kreativitetin me vizionin e një të ardhmeje më gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme.

Me këtë rast, bashkëthemeluesit e Autostrada Biennale Leutrim Fishekqiu, Vatra Abrashi dhe Barış Karamuço, deklaruan: “E mirëpresim emërimin e Erzen Shkolollit kurator të edicionit të 5-të të Autostrada Biennale. Ekspertiza e gjerë e Shkolollit dhe bashkëpunimi i tij me institucione vendore e ndërkombëtare dhe artistë të shumtë nga rajoni dhe bota i përshtatet në mënyrë të përkryer karakterit të Bienales. Erzeni bëhet kuratori i parë kosovar i bienales dhe bashkëpunimi ynë me të synon të përmbushë njërin prej qëllimeve tona për shndërrimin e artit në një forcë, që sjell ndryshime pozitive dhe mirëqenie.”

Erzen Shkololli – (1976) është artist dhe kurator. Aktualisht, ai është kurator i përgjithshëm i galerisë Cukarna në Ljubljanë. Shkololli ka udhëhequr suksesshëm disa institucione të artit, përfshirë Galerinë Kombëtare të Arteve të Shqipërisë (2018–2022) dhe Galerinë Kombëtare të Arteve të Kosovës (2011–2015). Nën udhëheqjen e tij, të dy institucionet kanë kaluar nëpër transformime të rëndësishme. Krahas roleve të tij në institucione, Shkololli ka shërbyer si komisioner i pavijonit inaugurues të Kosovës në Bienalen e Venecias (2013) dhe ka kuruar ekspozita ndërkombëtare, duke përfshirë Edi Hila: Piktori i transformimit (2018), bashkëpunimi ndërmjet Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë, Muzeut të Artit Modern në Varshavë dhe Koleksionit Kontakt në Vjenë; Ne jetojmë mbi një yll (2016), edicioni i dytë i Trienales Hannah Ryggen, i ekspozuar në Ørland dhe Nordenfjeldske Kunstindustrimuseum, Trondheim; Bota nuk do të dëgjojë (2007) në Punëtorinë e Artit Lazareti, Dubrovnik; Historia filloi të luante me jetën time (2007) në Digital Art Lab (DAL), Holon, Izrael; dhe Rishfaqja (2004) në Muzeun e Kosovës, Prishtinë. Shkololli shërbeu si këshilltar kuratorial i documenta 14. Ai u nderua me bursën DAAD Artists-in-Berlin (2008/2009) dhe Premio Michetti nga Fondazione Michetti (2001). Në vitin 2013 bashkëthemeloi Institutin e Artit Bashkëkohor EXIT në Pejë. Veprat artistike të Shkolollit janë ekspozuar në Stedelijk Museum në Amsterdam, Centre Pompidou në Paris, Tate Modern në Londër dhe MUMOK në Vjenë.

“Jam i nderuar me këtë emërim prestigjioz. Si kosovari i parë i ftuar për të kuruar Autostrada Biennale-n në Prizren, ndjej një respekt të thellë dhe i gëzohem mundësisë së bashkëpunimit me një nga platformat më të rëndësishme të artit bashkëkohor në Kosovë dhe në rajon. Për mua, kjo është një sfidë dhe një përgjegjësi e madhe, të cilën po e pranoj me entuziazëm dhe ambicie. Mezi pres të bashkëpunoj ngushtë me ekipin e jashtëzakonshëm të biennales, për të sjellë artistë në Kosovë dhe për t’i zbatuar projektet e tyre. Shpreh mirënjohjen time të përzemërt për themeluesit e bienales Leutrim Fishekqiun, Vatra Abrashin dhe Barış Karamuçon, për këtë mundësi të veçantë,” tha Shkololli.

Si i vetmi institucion i artit bashkëkohor në Prizren, Autostrada Biennale ka dy funksione – organizimin e ekspozitës ndërkombëtare të artit bashkëkohor që mbahet çdo dy vjet, që nga viti 2017, dhe Autostradën Hangar, hapësirën për edukim, krijim dhe ekspozim në ish-bazën ushtarake të KFOR-it gjerman (tani, Parku i Inovacionit dhe Trajnimit). Me këtë të fundit, ne kemi zgjeruar platformën tonë, duke e parë procesin e krijimit të artit si formë të qëndrueshme të të mësuarit dhe shkëmbimit, që u përgjigjet nevojave të komuniteteve artistike. Autostrada Biennale gëzon mbështetjen e një game të gjerë institucionesh, artistësh e artdashësish. Kjo platformë ka zhvilluar partneritete të suksesshme me organizata dhe institucione të ndryshme, duke përfshirë Fondacionin Allianz, Ministrinë e Kulturës në Kosovë, Komunën e Prizrenit, Komunën e Prishtinës, Fondacionin për Iniciativa Artistike, Ambasadën Amerikane në Prishtinë, ITP Prizren, e shumë të tjerë.

Kuratorët e mëparshëm të Autostrada Biennale-s ishin: 2017: Manray Hsu, 2019: Giacinto Di Pietrantonio dhe 2021 & 2023: Joanna Warsza dhe Övül Ö. Durmuşoğlu. / KultPlus.com

Pendarovski: Gjuha shqipe, ndër shtyllat më të rëndësishme të identitetit kulturor dhe shpirtëror të shqiptarëve

Presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski, me rastin e 22 Nëntorit, Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe, u dërgoi një mesazh urimi pjesëtarëve të bashkësisë etnike shqiptare në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

“Para 115 vjetësh pikërisht në Manastirin tonë ndodhi unifikimi i alfabetit të gjuhës shqipe si një hap kyç në kodifikimin e gjuhës shqipe, që është padyshim një nga shtyllat më të rëndësishme të identitetit kulturor dhe shpirtëror të shqiptarëve”, theksoi Pendarovski në urim.

Presidenti thekson se në fillim të shekullit XX, në Perandorinë Otomane, intelektualët më të shquar shqiptarë nga e gjithë bota u mblodhën në një kongres, i cili rezultoi me vendimin historik për miratimin e alfabetit të gjuhës shqipe.

“Frutat e këtij akti krucial politik dhe kulturor i gëzojnë të gjithë shqiptarët kudo që janë. Ne jemi krenarë që sot bashkësia shqiptare është pjesë e pandashme e Republikës shumetnike dhe shumëkulturore e Maqedonisë së Veriut. Duke dërguar dëshirat më të sinqerta, festën ta kalojmë në paqe, shëndet, gëzim dhe mirëqenie, uroj edhe njëherë t’i konfirmojmë bindjet e përbashkëta për solidaritet dhe barazi, si kyçe për prosperitetin e atdheut tonë të përbashkët”, theksohet në urimin  e presidentit Pendarovski./ atsh / KultPlus.com

Artpolis dhe DAH Teatër prezantojnë “Gratë Trojane – Replika” më 23 nëntor në Dodona

Artpolis, në bashkëpunim me DAH Teatër, iniciuan krijimin e shfaqjes teatrale “Gratë Trojane – Replika”, duke u frymëzuar nga drama e Euripidit e shkruar 2000 vjet më parë. Ky projekt thellohet në tema të përjetshme si lufta, zhvendosja, dhuna ndaj grave dhe fëmijëve dhe gjenocidi – tema që mbeten të rëndësishme sot në mbarë botën. “Gratë Trojane-Replika” synon të lidhet me komunitetet me histori të fundit të konflikteve, ku mbizotëron dëshira për të trajtuar çështjet bashkëkohore përmes teatrit.

Me regji të regjisoreve të vlerësuara Zana Hoxha nga Kosova dhe Dijana Milošević nga Serbia, ky produksion shënon një kulm të motërzimit artistik dhe aktivist 15-vjeçar ndërmjet Artpolis dhe DAH Teatrit. Qasja bashkëpunuese, e udhëhequr nga një perspektivë feministe, kapërcen nacionalizmin dhe kufijtë.

Më shumë sesa thjesht art, “Gratë Trojan – Replika” është një profeci dhe një testament. Produksioni trevjeçar përfshin 20 artistë dhe punëtorë të kulturës të specializuar në teatër, vallëzim dhe muzikë nga Kosova dhe Serbia. Ky bashkëpunim mishëron një pasion rebel për dhembshuri, duke sfiduar normat shoqërore dhe forcat e organizuara.

Performanca, e destinuar për një audiencë të larmishme, synon të kapërcejë barrierat politike, duke nxitur bashkëpunimin rajonal midis vendeve të shënuara nga konflikti. Duke shfaqur trashëgiminë e përbashkët dhe diversitetin artistik, ky bashkëpunim shërben si një instrument i fuqishëm për shërimin e plagëve, tejkalimin e ndarjeve dhe promovimin e një të ardhmeje në harmoni dhe paqe. Rrugëtimi i “Gratë Trojane – Replika” shtrihet përtej Prishtinës dhe Beogradit, duke arritur në pjesë të ndryshme rajonale, duke ilustruar potencialin e artit për të promovuar mirëkuptimin dhe paqen.

Ju mirëpresim të enjten, më 23 nëntor, 2023 nga ora 19:30 në Teatrin Dodona në Prishtinë.

Paralajmërim për përmbajtjen: GRATË TROJANE – REPLIKA shfaq një komandë dalluese mbi tema të ndjeshme, veçanërisht përdhunimin, luftën dhe mekanizmat e ndryshëm përballues të përdorur pas ngjarjeve të tilla të tmerrshme. Duke demonstruar një kuptim të mprehtë të traumës, elasticitetit dhe reagimeve individuale ndaj fatkeqësive. Kjo shfaqje fton audiencën të përfshihet në një reflektim të thellë mbi kompleksitetin e gjendjes njerëzore. “Gratë Trojane” shërben si një mjet për nxitjen e ndjeshmërisë dhe nxitjen e diskutimeve rreth potencialit transformues të të kuptuarit dhe shërimit përballë sfidave të thella shoqërore dhe personale. Largësia ose afërsia e sjelljeve tipike me jetën reale të audiencës mund të ndikojë shumë në reagimin e audiencës. / KultPlus.com

Mrika, malësorja që mori gjakun burrit, historia që u bë pjesë e një libri Best Seller në vitin 1909

Natyrisht që keni dëgjuar shprehjen eufemike: “Ajo është një grua që të merr gjakun”, që do të thotë se është një grua trime dhe fisnike, grua që vjen nga derë e madhe, grua që është rritur dhe armatosur me parimet e larta të së drejtës dhe nderit. Bashkëshorti për të është i shtrenjtë, i barabartë me pjesëtarët e tjerë të familjes dhe përballë konflikteve dhe pasojave tragjike, ai nuk është i vetëm edhe kur duhet të kthehet nderi në vend nga një grua.

Marrja e gjakut nga një grua edhe pse nuk është e sanksionuar në formë detyruese në kodet zakonore të maleve, ky akt nuk gjendet e përjashtuar, ç’ka e legjitimon bërjen e drejtësisë duke kthyer nderin në vend, si në rastin e Mrikës që ka ardhur përmes “An observer in the Near East”, shkruar nga William LeQueux (2 korrik 1864- 13 tetor 1927) shkrimtar i zhanrit e romancës, misterit, thrillerit dhe spiunazhit.

Në librin “Një vëzhgues në Lindjen e Afërt”, botuar në Londër, ”T. Fisher Unwin”, në vitin 1907, një libër i ilustruar me fotografi, ai ndër të tjera shkruan për një grua dhe një ngjarje, që atij i ka rrëmbyer interesimin aq sa ta trajtojë dhe konsiderojë pjesë e pasqyrimit të tij krijues. Bëhet fjalë për Mrikën, e cila mori gjakun burrit.

Edhe vetë tiparet e kësaj gruaje, përcjellë kaq besnikërisht në këtë foto, tregon hir dhe ashpërsi. Përmes vështrimit të saj shpues dhe qehres së vranët, autori i librit dhe fotografi, e ka ilustruar përsosmërish historinë, duke mos e neglizhuar në këtë përcjellje imazhi edhe veshjen karakteristike shqiptare të malësores, stolit e saj dhe mënyra e pozimit.

“Aparati im fotografik, qysh në fillim u pa me shumë dyshim dhe pata vështirësi të madhe ta bindja secilin që t’i bëja fotografi.

Shumë fotografi të fshehta i kam bërë me një aparat fotografik të vogël “Broënie”, pasi për fat të keq i kisha mbaruar filmat për Kodakun e madh që kisha. Por, isha në gjendje që të siguroja disa fotografi, të cilat shfaqen në këtë vëllim. Një mëngjes herët, në të lindur të diellit, isha duke ecur me Lukën dhe Palokun, kur na kaloi para një grua e re.

“Kjo është Mrika e Kolë Marashit,” – tërhoqi vëmendjen Luka.

“Kush është ajo? ” – pyeta.

“Mrika. Gruaja që mori gjakun”, – ishte përgjigjja e tij.

“Dy vjet të shkuara, ajo ishte vajza më e bukur e fisit tonë dhe kishte një duzinë burra, të gatshëm për t’u martuar me të. Ajo u martua me Lecin, një djalë të zgjuar i anës së Pulatit dhe një nga rojet e bajraktarit, njëlloj si unë. Një muaj pas martesës, Leci u vra pabesisht nga i vëllai, i cili jetonte poshtë Drinit të Bardhë, ky i dashuruar marrëzisht me të.

Kur ajo mori lajmin u shpërfytyrua nga pikëllimi. Por, me ngadalë thuri planet për gjakmarrjen dhe duke mos pasur asnjë të afërm të gjinisë mashkullore, zgjodhi ta merrte vetë gjakun.

Kësisoj, na la dhe u zhduk për gati një vit, gjatë të cilit ajo ndoqi hap pas hapi kunatin e saj, në Ohër, në Maqedoni, pastaj në Shkup, Prizren dhe në shumë vende të tjera, duke pritur gjithmonë mundësinë për të kryer goditjen. Kjo ndodhi një pasdite, kur vrasësi i së shoqit po ecte në rrugën kryesore të Shkodrës dhe ajo, nxori koburen e Lecit nga brezi dhe ia shpërtheu atij tutje fytyrën. Trimëri për një grua, apo jo? Por, nuk mbaron me kaq,” – vazhdoi ai.

“Me të vrarë vrasësin, shkoi direkt në shtëpinë e prindërve të tij, pas një udhëtimi treditor dhe i vrau që të dy. Që atëherë ajo është kthyer me ne, pasi vdekjes së të shkretit Lec iu mor haku. Më erdhi keq që ai vdiq, – shtoi ai me keqardhje, – sepse ishte një nga miqtë e mi më të dashur.”

Siç ju e dini, në kulturën tradicionale shqiptare, gjakmarrja është detyrimi shoqëror për të vrarë një shkelës nderi ose një anëtar të familjes së tyre, për të shpëtuar nderin e fisit, për të qenë i papërjashtuar nga komuniteti dhe i barabartë kah rregullat e asokohshme të së drejtës. Kjo praktikë përgjithësisht shihet si në përputhje me kodin shoqëror të njohur si Kanuni i Lekë Dukagjinit ose thjesht Kanuni, i përbërë nga 12 libra dhe 1262 artikuj ku ka rregulla të ndryshme. Kodi ishte fillimisht një “një kod jo-fetar që përdorej nga myslimanët dhe të krishterët njësoj”.

Mbrojtja e nderit është një komponent thelbësor i kulturës shqiptare sepse është thelbi i respektit shoqëror. Nderi mbahet në konsideratë shumë të lartë sepse përkthehet ndër breza. Amanetet dhe historia mbahen në emrat e shqiptarëve dhe duhen mbajtur në prioritet të lartë, edhe me çmimin e jetës. Prandaj, kur një sulm personal me përmasa të frikshme lëshohet ndaj një anëtari të çdo familjeje, duhet të pritet një dënim i barabartë nga ligjet e Kanunit. Disa nga veprimet që nisin gjakmarrjen përfshijnë “vrasjen e një mysafiri ndërsa ai ishte nën mbrojtjen e të zotit të shtëpisë, shkeljen e pronës private, mospagimin e një borxhi, rrëmbimin ose joshjen ose përdhunimin e një gruaje.” Kjo shpesh zgjat shumë gjenerata nëse borxhi nuk paguhet. Ata që zgjedhin të mos paguajnë me jetën e familjarëve të tyre jetojnë në turp dhe izolim deri në fund të jetës, të burgosur në shtëpitë , e tyre duke pas hasmëri gjatë gjithë jetës me ata që ua kanë dhënë borxhin.

Rasti i Mrikës, gruas që mori gjakun burrit, e sjellë me kaq origjinalitet nga William LeQueux në librin e tij, shoqëruar me foto, është i rrallë në Shqipëri, por jo vetëm. Është pikërisht kjo karakteristikë e veçantisë së kësaj ngjarjeje që ka arritur të jetësojë dhe të faktohet, duke mbetur një episod që e tregon shqiptarin si një identitet nacional që e konsideron sublime nderin dhe ligjësinë si një mjet që rregullon marrëdhëniet dhe ruan balancat në një realitet ku mungon shteti dhe mekanizmat ligjzbatuese. / Nga Albert Vataj / KultPlus.com

Bogdanoviq: E vërteta është se Adem Jashari nuk është terrorist, vdiq duke u mbrojtur nga skuadra e vdekjes së Millosheviqit

Kryetari i Lëvizjes Qytetare “Odgovor”, Boban Bogdanoviq ka thënë se e vërteta për familjen Jashari është shtrembëruar vazhdimisht nga Serbia.

Opozitari më i madh i Aleksandar Vuçiqit ka vendosur që ta tregojë një të vërtetë të madhe që sipas tij duhet ta dinë të gjithë.

Sipas Bogdanoviq-it, Adem Jashari nuk është terrorist, siç pretendohet në Serbi.

“Ai mbrojti shtëpinë dhe familjen e tij Ai dha jetën në shtëpinë e tij në luftën me skuadrën e vdekjes së Millosheviqit dhe thuajse e gjithë familja e tij u masakrua, duke përfshirë gruan dhe fëmijët!”, ka shkruar Bogdanoviq në platformën X.

Sipas opozitarit të Vuçiqit, kjo është e vërteta që të gjithë duhet ta dinë.

Bogdanoviq para pak ditësh është larguar përfundimisht nga Serbia.

Njoftimin ai e ka dhënë në platformën X, duke numëruar me rend arsyet e largimit të tij.

“U largova nga Serbia dhe diktatura e nazistit Aleksandar Vuçiq, i cili së bashku me Aleksandar Vulin, BIA dhe Zvonko Veselinoviqin, udhëheq klanin më të madh kriminal në Evropë! Unë u largova nga Serbia, vendi që sponsorizon terrorizmin ndërkombëtar! E lashë djepin më të madh të së keqes në Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar Bogdanoviq në X./ KultPlus.com

Aleksandër Xhuvani, korifeu i arsimit dhe pedagogjisë moderne shqiptare

Më 22 nëntor 1961, ndërroi jetë arsimtari dhe gjuhëtari, Aleksandër Xhuvani.

Mësimet para i mori në vendlindje, në Elbasan, ndërsa për të ndjekur shkollën mesme do të zhvendosej në Vilajetin e Manastirit. Përgjatë vjetëve 1903-1906, kreu studimet e larta në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Athinës. Më pas, iu drejtua Italisë dhe u vendos në Shën Mitër, Koronë, ku nisi të japë mësime të gjuhës shqipe.

Xhuvani mori pjesë në Kongresin e Elbasanit dhe u caktua mësues dhe drejtues i Normales. Asokohe, iu përvesh punës për hartimin e tekstit shkollor të gramatikës shqipe. Krahas veprimtarisë në arsim përmes mësimdhënies, që e quante si “më të lartin e më fisnikun e arteve”, Xhuvani ushtroi në dhjetor 1921 edhe detyrën e ministrit të Arsimit. Po ashtu, do të kontribuonte edhe në zhvillimin e gjuhësisë.

Trajtimi i çështjeve themelore të mësimdhënies, i përmbajtjeve mësimore, si edhe i parimeve didaktike, qenë në qendër të hulumtimeve dhe studimeve të tij. Në krijimtarinë e tij të ngjeshur hasim publikime të shumta lidhur me metodologjitë e pedagogjisë, stilistikën dhe njohuritë sintaksore të shqipes, sikurse janë: “Fillime të pedagogjisë / Pjes`e parë; Psikologji e shtime në punë t`edukatës”, “Fillime të pedagogjisë/ Pjes`e dytë/ Didaktika”, “Edukatë, Libri i gjuhës shqipe”, “Njohuritë e para të sintaksës shqipe” dhe “Fillime të stilistikës dhe të letërsisë së përgjithshme”.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave publikoi sot, një portret të prof. Xhuvanit, fragmente nga punimi i tij “Mbi pastërtinë e gjuhës shqipe”, si edhe propozimi i Ministrisë së Arsimit drejtuar Kryeministrisë për dekorimin e profesor Xhuvanit, së bashku me Mati Logorecin dhe Mirash Ivanajn. / atsh / KultPlus.com 

Më 22 nëntor përkujtojmë Kongresin e Manastirit, kuvendi më i rëndësishëm kombëtar në historinë e shqiptarëve

Kongresi i Manastirit ishte një kongres kombëtar, i cili u mbajt në Manastir më 14 nëntor deri më 22 nëntor të vitit 1908.

Kongresi i Manastirit vlerësohet si kuvendi më i rëndësishëm kombëtar në historinë politike e kulturore të shqiptarëve në fillim të shek. XX.

Ky kongres u mbajt për të shqyrtuar disa çështje të rëndësishme të lëvizjes kombëtare, në radhë të parë u paraqit me rëndësi shqyrtimi i çështjes së alfabetit të gjuhës shqipe. Në të morën pjesë 50 delegatë të shoqërive, klubeve dhe organeve kombëtare të trevave shqiptare.

Kongresi ngriti një komision prej 11 delegatësh ku Gjergj Fishta u zgjodh kryetar komisioni. Në këtë komision ishin anëtarë: N. Mjeda, Gj. Qiriazi, M. Frashëri, S. Peci, Sh. Kolonja, L. Gurakuqi, Dh. Buda, B.Topulli, N.Vrioni, G.Cilka.

Pas mjaft diskutimesh u krijua një alfabet i ri, i mbështetur i tëri në alfabetin latin. Në fund komisioni dhe kongresi vendosën që të lejohen si përdorimi i alfabetit të Stambollit, që kishte një përhapje të gjera, ashtu si dhe alfabeti i ri. Brenda pak vitesh alfabeti i ri u bë alfabeti i përbashkët e i vetëm për gjithë shqiptarët, që është alfabeti i sotëm i gjuhës shqipe.

Në këtë kongres u morën vendime të rëndësishme për çështjen e alfabetit e për ato politike, që ndihmuan për ngritjen në një shkallë më të lartë të kulturës e të arsimit shqiptar, si edhe për bashkimin e tij të mëtejshëm në luftën për çlirimin kombëtar. / KultPlus.com