Vitia: Deri në fund të vitit pritet të arrijnë 1.2 milion vaksina Pfizer

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka bërë të ditur se deri në fund të vitit në Kosovë dotë arrijnë 1.2 milion dozë vaksina Pfizer.

“Duhet të kuptoni një gjë, për shkak të shumë termave të konfidencialitetit që i kemi me kompaninë Pfizer, nuk mund të ju japim më shumë informata, por deri në fund të vitit pritet të arrijnë mbi 1,2 milion vaksina Pfizer.”, ka thënë ai në konferencë për media, përcjell KultPlus.

Marrëveshjen me Pfizer e ka bërë të ditur edhe vet kryeministri Kurti në mbledhjen e qeverisë.

“Posa janë përmbyllur në mënyrë të suksesshme negociatat për ardhjen e vaksinave në Kosovë me ç’rast kemi blerë vaksina nga prodhuesi ‘Pfizer’ dhe tash duke iu falënderuar kësaj ne do të mund të bëjmë vaksinimin edhe përtej grupeve me prioritet dhe të shkojmë në mënyrë të sigurt drejt zotimit që të përmbyllim imunizimin e popullsisë sivjet, përkatësisht 60 për qind të qytetarëve”, ka thënë Kurti.

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen që pati para konferencës së Vitisë, ka miratuar me shumicë votash masat e reja antiCOVID.

Në kuadër të masave të reja do të heqet ora policore dhe do të zgjatet orari i punës për gastronominë deri në ora 23:00.

Shefi i dikasterit të Shëndetësisë ka thënë në mbledhjen e qeverisë se do të lejohet edhe lëvizja e qytetarëve pa maska kur janë vetëm dhe në ambiente të jashtme. /gazetaexpress/ KultPlus.com

Vitia: Vaksina AstraZeneca nuk ka pasur efekte anësore tek asnjë i vaksinuar në Kosovë

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka thënë se të vaksinuarit në Kosovë nuk kanë pasur asnjë efekt anësor deri më tani.

Gjatë konferencën për medie në Qendrën e Vaksinimit, në sallën “1 Tetori”, Vitia tha se deri më tani ekipa emergjente nuk kanë pasur raste të ankesave nga personat të cilët janë vaksinuar, përcjell KultPlus.

“Te të gjithë qytetarët dhe personeli shëndetësor, vaksina nuk ka pasur asnjë efekt anësor apo efekt të padëshirueshëm që do të mobilizonte epiken mjekësore emergjente. Ata kanë pasur më së paku punë, që është lajm i mirë pasi vaksina deri më tani te askush nuk ka pasur efekte anësore”, theksoi Vitia.

Vitia tha se vaksina është e sigurt dhe ftoi të gjithë qytetarët mbi moshën 80-vjeçare që të lajmërohen dhe të vaksinohen. / KultPlus.com

Shtyhet vaksinimi i mësimdhënësve kosovarë në Shqipëri

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka bërë të ditur se procesi i vaksinimit të mësimdhënësve kosovarë në Shqipëri është shtyrë, pasi nuk ka më sasi të vaksinave “AstraZeneca” dhe ”Pfizer” atje. 

Vitia ka thënë se ka pasur kontakte të vazhdueshme me homologen e tij, Orgeta Manastirliu, e cila i ka premtuar që sapo të vijnë doza të tjera të këtyre dy llojeve të vaksinave, atëherë një sasi e caktuar do t’i ruhet Kosovës për vaksinimin e mësimdhënësve.

“Dozat e vaksinave “AstraZeneca” dhe ”Pfizer” janë harxhuar, siç më ka njoftuar ministrja Manastirliu. Në Shqipëri po vazhdon vaksinimi me “Sinovax“, e cila është prodhuar nga Kina dhe për arsye se në Kosovë na ndalojnë ligjet që të importojmë produkte që nuk janë të regjistruar në EMA (Rregullatori Evropian i Barnave), ne nuk e kemi parë të arsyeshme që mësimdhënësit të vaksinohen. Kjo është arsyeja pse është shtyrë procesi. Manastirliu më ka thënë se sapo të vijnë doza të tjera të dy llojeve të vaksinës, atëherë do ta ndihmojnë Kosovën”, ka thënë Vitia.

Ministri i Shëndetësisë shtoi se janë duke pritur ardhjen e 76 mijë vaksinave nga programi COVAX, gjithashtu edhe ndihmat nga Komisioni Evropian, si dhe zbuloi se kanë marrë konfirmim edhe nga disa kompani të tjera për sjelljen e vaksinave në Kosovës, por derisa të nënshkruhet kontrata nuk mund të bëhet e ditur. 

Vitia theksoi se janë ndarë 50 milionë euro nga Qeveria për blerjen e vaksinave./ KultPlus.com

Përfundon takimi i Vitisë me kryetarët e komunave të Kosovës: Situata e rënduar

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi  dhe Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, mbajtën takimin virtual koordinues me kryetarët e komunave të Republikës së Kosovës, për të diskutuar lidhur me situatën e pandemisë COVID – 19 dhe masat e reja që pritet të merren.

Sipas një njoftimi në Facebook, nga ministria e Pushtetit Lokal, thuhet se ministri Vitia, diskutoi së bashku me kryetarët e komunave nevojën e disa masave të reja të cilat në bashkëpunim me të gjitha intitucionet relevante duhet të ndërmerren për të ruajtur shëndetin publik.

“Ministri Vitia, duke falënderuar kryetarët e komunave për angazhimin e tyre gjithashtu potencoi se tanimë ndodhemi në një situatë të rënduar. Ai theksoi se duhet mobilizim, koordinim dhe qasje më proaktive në raport me pandeminë për shkak të situatës së krijuar. Ai gjithashtu diskutoi së bashku me kryetarët e komunave nevojën e disa masave të reja të cilat në bashkëpunim me të gjitha institucionet relevante duhet të ndërmerren për të ruajtur shëndetin publik”, thuhet në një njoftim të ministrisë së Pushtetit Lokal.

Sipas ministrisë, kryetarët e komunave diskutuan rreth sfidave të ndryshme me të cilat janë duke u ballafaquar dhe dhanë mendimet dhe sugjerimet e tyre për vendimet që duhen të merren nga institucionet përkatëse.

Si përfundim të pranishmit u pajtuan që bashkërisht duke i koordinuar të gjitha veprimet rreth masave të reja, mund t’ia dalin për të minimizuar dhe tejkaluar sfidat me të cilat janë duke u përballur me pandeminë COVID-19./ KultPlus.com

Arben Vitia paralajmëron masa të reja në ditët në vijim

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia në seancën e sotme plenare të Kuvendit të Kosovës ka thënë se kanë pranuar konfirmim edhe nga kompanitë e tjera për sjelljen e vaksinave në Kosovë.

Ai paralajmëroi se në ditët në vijim do të ketë masa të reja kundër koronavirusit.

“Jemi duke punuar vazhdimisht në këtë drejtim. Masat që do të merren ditët në vijim nga terren është mirë që të respektohen nga të gjithë. Plani për vaksinim është përpiluar. Fillon me punëtorët shëndetësor dhe fillon me personat mbi moshën 80 vjeçare. I kemi listat e tyre. Ata nuk do të kenë nevojë që të aplikojnë online por edhe do t’i ftojmë. Të gjithë ata do t’i marrin vaksinat me këtë kontingjent”, ka thënë ai./IndeksOnline/ KultPlus.com

Nga e enjtja, 16 orë lëvizje, në fund të muajit mbyllet edhe karantina

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë në një konferencë për media, se nga e enjtja qytetarët do të mund të lëvizin pa asnjë kufizim për 16 orë në ditë, nga 5:00 deri më 21:00.

Po ashtu, ai ka thënë se nga e enjtja do të hapen edhe objektet fetare, si xhamitë e kishat.

“Ky është një sukses i përbashkët”, tha ai në konferencë, ku ishin të pranishëm edhe kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, kreu i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani dhe drejtoresha e Klinikës Infektive të QKUK-së, Lindita Ajazaj Berisha.

Ndërkohë deri në fund të majit do të mbyllet karantina në Qendrën e Studentëve në Prishtinë. Këtë e ka bërë të ditur ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, të hënën në konferencë për shtyp. Ai ka prezantuar lehtësimin e mëtejmë të masave, ndërsa ka thënë se prej 28 majit do të largohen fashat për kufizim të lëvizjes dhe se lëvizja do të jetë e lirë prej pesë të mëngjesit deri në ora 21:00.

“Deri në fund të këtij muaji do të mbyllet edhe karantina, në përputhje me situatën e re epidemiologjike në vend dhe në bashkërendim me veprimet e shteteve të rajonit, por jo vetëm, edhe më gjerë. Në fazën e tretë parashihen masa të reja lehtësuese që do të çlirojnë edhe më tepër ekonominë”, ka thënë Vitia.

Faza e tretë e lehtësimit të masave fillon më 1 qershor.

Deri më tash, në Kosovë janë shënuar 1032 raste me COVID-19, janë shëruar 789 persona, ndërkohë kanë vdekur 29 persona. /KultPlus.com

“Tageszeitung” e Berlinit lavdëron ministrin Arben Vitia: transparent, i hapur, gjithëpërfshirës

Gazeta gjermane “Tageszeitung” e quan Arben Vitinë politikanin më të popullarizuar në Kosovë.

Si ministër i qeverisë së Kosovës mjeku Arben Vitia po përpiqet të ndalë përhapjen e koronavirusit në Kosovë, shkruan “Tageszeitung”. Kjo, sipas gazetës, nuk është punë e lehtë në një vend të varfër, në të cilin si pasojë e luftës gjendja e sistemit shëndetësor është e keqe. Vitia madje po përpiqet që t’i tejkalojë edhe konfliktet etnike mes serbëve dhe shqiptarëve gjatë pandemisë. Në të vërtetë, shkruan “Tageszeitung”, qeveria e kryeministrit Albin Kurti është shkarkuar para disa ditësh pas ikjes së LDK-së nga koalicioni, por Vitia mund të vazhdojë punën ai anëtar i kabinetit të shkarkuar.

Gazeta thekson se që në fillim Vitia ka urdhëruar kufizimin e lëvizjes së qytetarëve dhe kjo për banorët e Prishtinës është pothuaj traumatike sepse mund të lëvizin në qytet vetëm 90 minuta. Çka e shquan ministrin e Shëndetësisë është “politika transparente e informimit”. “Njerëzit nuk janë mësuar kështu, sepse qeveritë e kaluara konfliktet i kanë mbajtur të pazgjidhura duke i fshehur. Duke e ditur gjendjen e sistemit shëndetësor qeveria dëshiron të veprojë me vendosmëri, por në mënyrë transparente”, shkruan “Tageszeitung”. Ndoshta kjo politike, supozon gazeta, ka ndikuar që gjendja me koronavirisun në Kosovë të mos jetë aq dramatike. Çfarë kanë arritur Vitia dhe qeveria e Albin Kurtit është që në strategjinë e përgjithshme të përfshijnë edhe pakicën serbe dhe pakica të tjera, në një vend të banuar me shumicë shqiptare.

Kurti dhe Vitia që nga fillimi kanë deklaruar se do t’i trajtojnë barabartë të gjithë qytetarët. Kurti, i cili është akuzuar se është nacionalist (i majtë), tha se serbët kanë të drejtat e njëjta si qytetarët e tjerë. “Serbia me gjasë ka besuar se qeveria e Vetëvendosjes nuk do t’i testonte serbët e Kosovës. Por Serbia ishte e habitur kur e pa se ne nuk i ndajmë qytetarët sipas përkatësisë etnike”, deklaroi Kurti së fundi. Fakti që qeveria e Kurtit ka arritur të shtendosë raportin mes shqiptarëve të Kosovës dhe serbëve të Kosovës është pothuaj e padurueshme për përfaqësuesit e qeverisë së mëparshme. Serbët e Kosovës lavdërojnë punën e Kurtit dhe ministrit të tij të Shëndetësisë. Edhe një pjesë e madhe e popullit shqiptar të Kosovës e mbështet këtë politikë. Vëzhgues të shoqërisë civile vlerësojnë se Kurti në zgjedhjet e reja mund të marrë edhe më shumë mbështetje.

Ministri i Shëndetësisë kërkon shpalljen e emergjencës për shëndetin publik

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti, që të shpall emergjencë për shëndetin publik për shkak të situatës së koronavirusit.

“Bazuar në situatën e krijuar dhe me qëllim të ruajtjes së shëndetit të popullatës, porsa kërkova nga Kryeministri, Albin Kurti, që t’i propozojë Qeverisë shpalljen e emergjencës për shëndetin publik”.

“Të dashur qytetarë ju ftojmë të bashkëpunojmë në menaxhimin e kësaj situate. Kjo duke ndjekur rekomandimet nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, si dhe duke qëndruar në shtëpitë tuaja, që të kujdesemi për shëndetit njëri-tjetrit. Reduktoni daljet veç në raste emergjente. Ju faleminderit për mirëkuptim”, ka shkruar Vitia në rrjetin social Facebook. Klan Kosova / KultPlus.com