Japonia do të heqë gjendjen e jashtëzakonshme të Covid-19 në fund të shtatorit

Në Japoni, gjendja e jashtëzakonshme Covid-19 do të hiqet për  të gjitha rajonet në fund të shtatorit.

Kryeministri Yoshihide Suga tha se ai diskutoi masat me ministrat përkatës dhe se do të kërkojë pikëpamjet e një paneli qeveritar këshilltarësh.

Sipas agjencisë së lajmeve Reuters varianti infektiv Delta ndezi një valë të pestë të Covid në Japoni që i çoi infeksionet në nivele rekord muajin e kaluar.

Për të parandaluar mbingarkesën e spitaleve, qeveria japoneze zgjati kufizimet në përpjekje për të frenuar rastet e infektuara.

Edhe kur të përfundojë gjendja e jashtëzakonshme, autoritetet po konsiderojnë mbajtjen e disa masave në vend, nga frika e rritjes së infeksioneve nëse vendi hapet plotësisht.

Disa nga masat e marra kanë të bëjnë me oraret e kufizuara për restorantet, kafenetë dhe klubet e natës. Autoritet japoneze i kanë nxitur qytetarët  të punojnë nga shtëpia sa më shumë që të jetë e mundur dhe të shmangin udhëtimet./KultPlus.com

Studentët kërkojnë nisjen e mësimit fizik me kapacitete të plota

Me shfaqjen e rasteve të para me Covid-19 në Kosovë, mësimi online si për nxënësit po ashtu edhe për studentët u bë i zakonshëm.

Por tash kjo praktikë ana e studentëve po konsiderohet monoton dhe jo efektiv, për çka ata tashmë nuk po preferojnë këtë mënyrë të të mësuarit, raporton ekonomiaonline.

Sipas tyre mësimi në mënyrë fizike është i nevojshëm dhe kërkojnë që të nis sa më shpejtë me kapacitete të plota.

Nënkryetari i Parlamentit Studentor, Fatlind Azizi thekson rëndësinë e mësimit fizik, pasi sipas tij, mësimi online ka qenë interesant vetëm në semestrin e parë, por që po bëhet shumë monotoni për ta.

 “Mësimi online ka qenë interesant vetëm në semestrin e parë, atëherë kur kemi pasur karantinim të plotë por pastaj pas semestrit të parë ka vazhduar që të bëhet monotoni dhe tashmë po fillojmë gati vitin e dytë dhe mund të themi që ky proces është gati i dështuar plotësisht në çdo aspekt”, tha ai.

Ai tutje thekson se më e vështirë ka qenë për ata studentë të vitit të parë, e që tash kanë dalë në vitin e dytë pa mbajtur asnjë ligjëratë në mënyrë fizike”.

“Sidomos ata të vitit të parë që tashmë kanë dalur në vitin e dytë dhe nuk kanë ardhur asnjëherë të mbajnë ligjërata fizikisht, kështu që po shpresoj shumë që qeveria masat ashtu siç i ka marrë për konviktet që të hapen me kapacitete të plota, të gjejë edhe një zgjidhje që edhe fakultetet të hapen me kapacitete të plota ose së paku njëherë pjesërisht por pastaj totalisht”.

Nëse vendoset që prapë mësimi online të vazhdohet, Azizi thotë se do jetë një thyerje e madhe për studentët, por që prapë respektojnë secilin vendim duke thënë se shëndeti është mbi të gjitha.

“Do të jetë një thyerje shumë e madhe por që në rend të parë vendoset shëndeti publik, kështu që ne së bashku jemi që dy vite bashkë në të mirë dhe në të keq me rëndësi që të ruajmë veten, familjen dhe shëndetin e të gjithëve”, deklaroi tutje ai.

Mësimin në mënyrë fizike po e sheh si diçka esenciale edhe Lirim Gela, student në Fakultetin Juridik, në Universitetin e Prishtinës, i cili tha se shkak i pandemisë kanë humbur shumë dhe nuk ka qenë i efektshëm.

“Studentët prej fillimit të pandemisë kanë humbur shumë, pasi që mësimet të gjitha janë mbajtur online, për shkak të pandemisë. Andaj me mësimet online studentët kanë humbur shumë, sepse nuk ka qenë efekti i njëjtë si në mënyrë fizike dhe mendoj që duhet të filloj sa më shpejtë mësimi në mënyrë fizike dhe nuk duhet të presim më tutje por vetëm ti kthehemi normalitetit”.

“Për mua personalisht nuk ka qenë efektive, kjo është mënyra pse sot po tregoj që fizikisht është më mirë”.Tutje ai tha se nëse ndodh që prapë rastet të rriten, atëherë mbetet që sa më shpejtë të gjithë të vaksinohen.

“Nëse rriten rastet, ne si studentë duhet të vaksinohemi sa më shpejtë dhe inshalla kthehemi në sallat e fakulteteve dhe të mësojmë më shumë dhe t’i kthehemi normalitetit. Në platformat online që i kemi ndjekur ligjëratat nuk kanë qenë efektive siç e kemi paramenduar”./KultPlus.com

Ministri Vitia: Nuk do të ketë lirim të masave

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka thënë për media se nuk do të ketë lirim të masave Anti-COVID.

Ai ka thënë se nuk do të ketë lirim të masave në një situatë të brishtë epidemiologjike në të cilën ndodhet vendi.

Përndryshe, ai ka treguar se sot do të takohet me Komitetin për Koordinim dhe Vlerësim të situatës me COVID-19 ku do të diskutohet për masat.

“Më 13 shtator është afati i cili e kemi përcaktuar për masa në vendimin e fundit të qeverisë kur janë marrë këto masa, natyrisht në këtë kuadër dje dhe pardje kam pasur takime të shumta edhe me ministritë e linjës duke përfshirë në veçanti, Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë dhe sot kemi edhe takimin e Komitetit për Koordinimin dhe Vlerësimin e situatës me COVID-19 ku do të diskutohen këto çështje në raport me masat. Sipas situatës epidemiologjike momentale, nuk pritet që do të ketë lehtësim të masave, mirëpo natyrisht kjo do të jetë një përfundim pas takimit me Komitetin  dhe natyrisht pas këtij takimi me ekspertët e fushës dhe rekomandimet e IKSHPK. Nuk do të ketë lirim të masave në asnjë mënyrë derisa të kemi një situatë të brishtë”, ka theksuar ai.

Përndryshe, Vitia ka thënë se kanë hartuar planin për ngritjen e kapaciteteve shtesë spitalore dhe fushore në rast të emergjencave shëndetësore.

Megjithëse ai ka thënë se bazuar në situatën e krijuar ditëve të fundit besojnë se një gjë e tillë nuk do të jetë e nevojshme.

“Duke i pasur parasysh rrethanat kemi hartuar planin për ngritje të kapaciteteve shtesë spitalore dhe fushore, nëse një gjë e tillë do të jetë e nevojshme në bashkëpunim me shërbimet tjera që të inkuadrohen në rast të emergjencave shëndetësore, pavarësisht se bazuar në ditët e fundit besojmë thellë se kjo nuk do të jetë as e nevojshme”, ka thënë ai./KultPlus.com

Ministri Vitia: Ka rënie të numrit të rasteve me COVID-19 dhe hospitalizimeve, por situata ende është jostabile

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia pas mbledhjes së Qeverisë është deklaruar për media për miratimin e plotësim-ndryshimit të 15 ligjeve në sektorin e shëndetësisë e për gjendjen me pandeminë.

Me këtë rast, Vitia ka thënë se ditëve të fundit ka pasur rënie të numrit të rasteve të infektuara me COVID-19 e të hospitalizimeve nga ky virus.

Megjithëse ai ka thënë se gjendja është ende e brishtë dhe jostabile.

“Të dhënat e fundit nga IKSHPK na flasin për një rënie të numrit të rasteve me COVID-19 nga 20 për qind të pozitivitetit sa ishte në gusht, shkalla e pozitivitet të mostrave të testuara ka rënë tani në 8 për qind, por që është ende e lartë dhe akoma e pamjaftueshme. Situata vazhdon të jetë akoma e brishtë dhe jostabile. Me një pozitivitet mesatar javor prej 10.5 për qind në këtë javën e fundit, jep shpresë se është një fazë qetësimi në raport me ditët dhe javët e kaluara, ku java paraprake kishte një pozitivitet prej 15.6 për qind”, ka thënë ai.

Vitia ka thënë se edhe pse ka pasur rënie të numrit të rasteve të hospitalizuara, gjendja në spitale është ende e rënduar.

“Kemi një gjendje të rënduar akoma në spitalet tona. Rastet që janë të shtruara sot janë të infektuara 10 deri në 14 ditë mëherët dhe kemi akoma numër ende të lartë të pacientëve, që është një ngarkesë e madhe edhe për profesionistët tanë dhe infrastrukturën spitalore dhe fatkeqësisht ditëve të kaluara kemi pasur edhe një numër të madh të rasteve me fatalitet. Dëshiroj edhe njëherë të shpreh ngushëllimet më të sinqerta të gjithë familjarëve që kanë humbur të dashurit të tyre në këtë kohë të vështirë”, ka shtuar ai./KultPlus.com