“Adnan Kafazi” nga janari në kinema, Sllamniku: Pëlqimi i madh nga publiku na shtyu ta realizojmë pjesën e tretë

Filmave shumë të pëlqyer shqiptarë ‘Zonjusha’ dhe ‘Diamanti’ tashmë do t’u shtohet edhe pjesa e tretë ‘Adnan Kafazi’ i cili do ta ketë premierën në janar të vitit 2023, por që traileri është shfaqur para mediave sot në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Ky film tematikë kryesore ka rrëzimin e Adnan Kafazit nga pushteti i një gangsteri, që ka nën kontroll të gjithë qytetin.

“Në barin e tyre në Meksikë, banda, Vuça, Bulli, Zagi dhe Lina po kalojnë kohën me të mire të jetës pasi kanë shitur një diamant 7 milionë dollarësh. Brenda dy viteve të mungesës së tyre, në vendlindje, shfaqet një bos i ri i krimit Adnan Kafazi, i cili ka marrë udhëheqjen e nëntokës. Një prej veprimtarive të tij është edhe trafikimi i qenieve njerëzore, konkretisht grave. Banda vendos të kthehet në Kosovë. Natyrisht, ata e kuptojnë se Adnani është shumë më i fortë se ata dhe mënyra e vjetër e luftimit të gangsterëve nuk do të funksionojë, dhe në këte menyrë rrezikojnë jetën e tyre.”, thuhet në sinopsisin e filmit.

Përveç anës argëtuese që ka qenë karakteristikë në dy filmat e parë, në filmin ‘Adnan Kafazi’ janë trajtuar edhe disa elemente të fenomeneve negative në shoqërinë tonë siç  është trafikimi i qenieve njerëzore. Po ashtu në këtë film trajtohet edhe fuqizimi i gruas në tërësi.

Në një konferencë për media bashkë me një pjesë të aktorëve, skenaristi dhe producenti, Besart Sllamniku tha se plani i këtij filmi ka qenë që të zhvillohet qysh para dy viteve, por për shkak të pandemisë dhe të disa problemeve të kohës është dashur që ta shtyjnë por që në fund është realizuar.

“Filmi ‘Adnan Kafazi’ është një film të cilin bashkë me ekipin e kemi ngritur në një nivel më lart sesa dy filmat e parë, kanë lidhshmëri, por është një film që mund ta ndjekin edhe ata që s’i kanë parë dy filmat e parë”, tha Sllamniku duke përmendur tutje se shtysë që ky film të realizohet ka qenë pëlqimi i madh që njerëzit kanë pasur për dy filmat paraprakë.

Megjithatë, filmi sipas skenaristit dhe producentit, për dallim nga dy pjesët e para, përveç që trajton më shumë se sa një vijë dramaturgjike, nuk ka vetëm komedi dhe krim, por edhe dramë, aksion dhe muzikë.

“Kësaj here kemi vendosur që ta plotësojmë me disa vija ekstra dramaturgjike duke e ditur që filmat ‘Zonjusha’ dhe ‘Diamanti’ e kanë pasur vetëm një vijë dramaturgjike apo vetëm një tregim kurse kësaj here jemi munduar që të arrijmë më shumë se dy tregime në film që është një pasuri dhe një plus dramaturgjik.”, u shpreh më tutje Sllamniku.

Ndërkaq në këtë konferencë foli edhe regjisori i filmit, Genc Berisha, i cili fillimisht u shpreh i lumtur për bashkëunimin me producentin dhe aktorët.

“Përveç anës artistike, është zgjeruar edhe ekipi i filmit, është zgjeruar edhe ekipi teknik edhe ajo mrapa kamerës, pra teknikisht jemi më lart sesa filmat e kaluar “, tha Berisha i cili mes tjerash shtoi se ka pritshmëri të larta që ky film do të pëlehet shumë.

Ju kujtojmë që në këtë film luajnë aktorët Armend Baloku, Besart Sllamniku, Muhamed Arifi, Ylber Bardhi, Dukagjin Podrimaj, Edona Reshitaj, Armond Morina, Arta Muçaj, Shkumbin Istrefi, Fatmir Spahiu, Xhejlane Tërbunja, Ernest Malazogu, Lulzim Bucolli, Edita Sllamniku, Blin Sylejmani, Arjanit Mermullaku, Rita Krasniqi.

Ndërkaq kastër së aktorëve kësaj here u janë shtuar edhe dy aktore nga Shqipëria, Alesia Xhemalaj dhe Olimpia Smajlaj. Po ashtu, në cilësinë e mysafirëve specialë, filmin e pasuruan edhe këngëtarët Dafina Zeqiri dhe Kastriot Rexha./ KultPlus.com

Trilogjia e përkthyer ndryshe si “ylber i dyfishtë”, Adnan Kafazi pret një finale shpresëdhënëse

Uranik Emini

Në historinë e filmave botërorë është shumë e vështirë të krijosh tre filma të suksesshëm, pra tre filma që në thelb përbëjnë një “trilogji”. Pavarësisht nga shanset e pamundura, regjisorët herë pas here ia dalin të krijojnë jo vetëm një përfundim të madh, por edhe një film të mrekullueshëm final në një trilogji – atë që është, statistikisht, më i vështiri për t’u arritur, shkruan KultPlus.

Gjatë gjithë kohës regjisoru duhet shpresuar që gjithnjë të mbetet aktiv dhe i angazhuar, që kasti të jetë ende i çasshëm dhe i kënaqur, gjithashtu që studioja të vazhdojë t’i ndihmojë ata dhe se çdo episod pasues është financiarisht mjaft i dobishëm për të justifikuar një tjetër. Kështu, regjisori Genc Berisha bashkë me aktorët, skenaristët e producentët po synojnë një gjë të tillë

Pas “Zonjushës” dhe “Diamantit”, ky film tematikë kryesore ka rrëzimin e Adnan Kafazit nga pushteti i një gangsteri, që ka nën kontroll të gjithë qytetin. E janë pikërisht Vuqa, Bulli dhe Zagi, si të vetmit që kanë guxim ta kundërshtojnë, kështu shpjegon regjisori Genc Berisha në një intervistë për KultPlus.

Xhirimet e përfunduara

“Xhirimet kanë përfunduar dhe filmi është në procesin e montazhes. Xhirimet kanë zgjatur rreth 1 muaj në periudhën qershor-korrik. Ky film është vazhdimësi e filmave të kaluar, e të njëjtin e përcjellë zhanri dramë-krim-komedi”, thotë tutje Berisha.

Gratë – risit e reja në këtë film

“Kësaj here në film risi do të jetë pjesëmarrja e madhe e grave, të cilat edhe kalojnë nga rolet dytësore, në role kryesore. Kjo ka qenë edhe gjatë punimit të skenarit dhe ndryshimi i nevojshëm, duke e parë që në filmat e kaluar ka munguar kjo dukuri”.

“Adnan Kafazi” – filmi ideal për të mbushur plot një sallë të kinemasë

“Planet për premierën janë për në janar të vitit të ardhshëm. Edhe ky film, rrugëtimin e ka për në kinema, kështu që premiera e parë do të jetë aty. Poashtu, pritshmëritë i kam shumë të mëdhaja, që ky film ka me sjell një numër të madh të publikut në kineame. Duke e ditur që kemi një kastë të njohur të aktorëve: Armend Baloku, Besart Sllamniku, Muhamet Arifi, Dukagjin Podrimaj, Ylber Bardhi, Edona Reshitaj, Arta Mucaj, Armond Morina, Shkumbin Istrefi, Fatmir Spahiu, Xhejlane Terbunja e shumë të tjerë. Gjithashtu, edhe tema ka risi dhe befasi që presim të pëlqehet nga publiku”, vazhdon ai.

Aktorët e rinj

“Filmi “Adnan Kafazi” e ka një vazhdimësi nga Diamanti, ku përveç roleve që kanë qenë deri tani, mund të përmendi që pjesë e filmit do të jenë edhe Armond Morina në rolin e Adnanit, Arta Muçaj, Shkumbin Istrefi, Fatmir Spahiu, Rita Krasniqi,e po ashtu do të jenë edhe Majk e Dafina Zeqiri”, përfundon regjisori i shumë filmave e serialeve shqip.

Ndërkaq, producentja e skenaristja, Rita Krasniqi, njofton për KultPlus se skenari është shkruajtur nga Besart Sllamniku, Lulzim Bucolli dhe vetë ajo.

“Filmi ka përfunduar xhirimet dhe tash është në procesin e montazhës. Por akoma nuk kemi ndonjë datë të premierës saktësisht”, thotë ajo për KultPlus.

Filmi nga syri i aktorit

Një ndër aktorët kryesor në këtë film, Armend Baloku, ka thënë për KultPlus se filmi është xhiruar nëpër pjesë të ndryshme të Kosovës, por kryesisht i fokusuar në Prishtinë.

“Xhirimet kanë shkuar mirë. Ka qenë një atmosferë pune, ku secili ka qenë në krye të detyrës. Ka qenë gjithashtu një kënaqësi me bashkëpunu me një kastë të tillë të aktorëve, poashtu më është bërë qejfi që kemi bashkëpunuar edhe një herë me Genc Berishën, Besart Sllamnikun, si dhe Rita Krasniqin”.

Finalja e madhe shpresëdhënëse

“Besoj se do të kemi një film interesant, duke u bazuar në imagjinatën e Besart Sllamnikut, i cili mendoj se ka bërë një punë të shkëlqyer. Besoj se njerëzit do ta pëlqejnë. Gjithashtu shpresoj se kur ta shohim premierën të kënaqemi edhe ne duke e shikuar. Shpresojmë për një finale të mirë”, përfundon ai.

Ashtu si struktura me tre akte e një drame, libri ose filmi, një trilogji përfaqëson tre pjesë të një historie në tërësi. Një fillim, një mes dhe sigurisht një fund. Një trilogji, e thënë siç duhet, mund të përmirësojë një histori, të mbajë audiencën në terësi dhe t’i japë më shumë thellësi filmit./KultPlus.com

Edona Reshitaj dhe Besart Sllamniku sjellin hitin e viteve të 20′ (VIDEO)

Këngëtarja dhe aktorja Edona Reshitaj, së bashku me aktorin, njëherit edhe bashkëshortin e saj Besart Sllamniku, kanë sjellur një version më ndryshe të këngës ‘St. James Infirmary’, këngë kjo që konsiderohet edhe si hiti i viteve të 20′, shkruan KultPlus.

Edona përpos teatrit është mjaft aktive edhe në skenën muzikore, cilësohet me një zë dhe stil të veçantë.

Ajo poashtu kohët e fundit ka qenë mjaft aktive me postimin e videove të performancave të ndryshme të saj, në rrjetin social Facebook. / KultPlus.com

“Çifti hapur” këtë të enjte në Dodona, Për Bekimin

“Çifti hapur”, me tekst të Dario Fo dhe France Rame dhe me regji të Kushtrim Koliqit do të shfaqet këtë të enjte në Teatrin “Dodona”, në mënyrë që të kontribuohet në shërimin e regjisorit Bekim Lumi, shkruan KultPlus.

Një vepër gjithmonë aktuale dhe fantastike mbi raportin burrë-grua, me situata sa qesharake aq edhe të prekshme. Kjo shfaqje ngrit një dilemë kryesore se a është “Besnikëria bashkëshortore gjë e vjetruar apo nuk ekziston me?”

Kjo shfaqje jetësohet nga aktorët: Edona Reshitaj dhe Besart Sllamniku.

“Me u kënaqe, me u argëtu dhe njëkohësisht me kontribu për diçka madhore, është gjeja më e lehtë qe mundeni me bo”, ka shkruar aktori Besart Sllamniku.

Kjo shfaqje prezantohet në kuadër te Kampanjës humanitare #PërBekimin, në kuadër të se cilën do të prezantohet “Muaji Artistik” në Teatrin Dodona, ku çdo javë shikuesit do të kenë mundësinë të shkojnë dhe ta shohin nga një shfaqje me përzgjedhje të mrekullueshme./ KultPlus.com

Filmi “Diamanti” së shpejti nis xhirimet, vjen pjesa e dytë e filmit “Zonjusha” nga Genc Berisha

Genc Berisha regjisor i filmave “Të Mjerët”, “Me mujt me bo e kishim bo” dhe “Zonjusha” do të filloj xhirimet e filmit të metrazhit të gjatë me titull “Diamanti”, shkruan KultPlus.

Ne Gusht të këtij viti A&G Production, ka njoftuar se ka angazhuar skenaristët Besart Sllamniku dhe Lulzim Bucolli, për të shkruar skenarin për vazhdimin e pjesës së dytë të filmit “Zonjusha”, dhe në atë kohë nuk është ditur emri i filmit cili tash është vendosur “Diamanti”.

“Diamanti” ka për temë vazhdimin e jetës së personazheve kryesor të filmit Zonjusha, që do të thotë se nuk do të jetë vazhdimi i përrallës së filmit të parë. Në këtë film i cili do të korrespondoj edhe me ata që nuk e kanë pa Zonjushën, tema do të bazohet tek një rrugëtim dy ditësh të Vuces (Armend Balokut), Bullit (Besart Sllamniku) dhe Zagit (Muhamed Arifi) të cilët detyrohen të vjedhin një Diamant për të shpëtuar nga vdekja.

Producentet e filmit kanë njoftuar se kësaj here në bashkëprodhim iu janë bashkangjitur edhe IKONE Studio dhe GjirafaVideo në cilësinë e Ko-Produksioneve.

Po ashtu kastës së aktoreve kryesor iu bashkëngjiten edhe aktorët që tashmë kanë qenë pjesë e filmit Zonjusha si Ylber Bardhi, Edona Reshitaj, Dukagjin Podrimaj, por vlen të përmendet se “Diamanti” është pasuruar edhe me aktor si Luan Jaha, Ilir Prapashtica, Irena Cahani, Lulzim Bucolli…

Xhirimet do të fillojnë më 25 nëntor, dhe pritet të përfundojnë rreth datës 20 dhjetor ndërsa 95% e xhirimeve do të bëhen në Prishtinë, ka thënë për KultPlus, skenaristi Besart Sllamniku.

Premiera e filmit pritet të dal në verë e viti 2018./ KultPlus.com