Botohen vepra të frymëzuara nga Chopin, përmbledhen 8 vepra pianistike nga kompozitorë shqiptar

Libri i titulluar “Vepra të frymëzuara nga Chopin”, ngërthen në vete tetë vepra pianistike 8 vepra pianistike të kompozitorëve Kosovarë që ishin pjesëmarës në garat e kompozimit në Chopin Piano Fest Prishtina dhe vepra tjera me karakter të ngjajshëm, përcjell KultPlus.

Këshilltari i Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporit, Liburn Jupolli, përmes një postimi në rrjetin social facebook, ka bërë të ditur se ai ishte pjesë e librit ‘Vepra të frymëzuara nga Chopin’, me veprën “Micro-suite balkanique”, e cila ka fituar çmimin e dytë në garën kompozitoriale të konservatorit Chopin në Paris me drejtor Peter Vizard.

Kjo vepër është shkruar posaçërisht për këtë garë dhe është interpretuar në të njëjtin vit në Paris nga pianistja e re Soyeon Kwon, gjatë studimeve bachelor të Jupollit në vitin 2014. / KultPlus.com

Pianistja Tutu Aydınoğlu, me kryevepra virtuoze bëri hapjen e Chopin Piano Fest

Era Berisha

Edicionin e tij 11-të, festivali Chopin Piano Fest e nisi mbrëmë me një interpretim nga pianistja turke Tutu Aydınoglu, e cila solli për publikun vepra që nuk janë luajtur më herët. Këto vepra ngërthyen në vete një gjallërim të elegancës pianistike dhe ekuilibrit performues ku larmia dhe kontrastet e shumta brenda pjesëve të luajtura shpalosën një dinamikë dhe timbër të ngjyrosur në melodi e tinguj, të cilat janë shkrirë tërësisht në kryeveprën e ndjenjave që tempon e tyre nuk arrinin ta definonin për asnjë sekondë të vetme, shkruan KultPlus.

Ajo se çka dallohej në hyrje të Amfiteatrit të Ri të Bibliotekës Universitare, ishin fytyrat e shumta e të rinjve të cilët prisnin me padurim daljen në skenë të pianistes së njohur turke, Tutu Aydınoglu. E ky padurim që ndërlidhej ëmbëlsisht me inkuadrimin e reflektorëve me ngjyrë të vjollcë që njëkohësisht portretizonin ngjyrën e dizajnit së fletushkave të këtij festivali, dritave të ngrohta të vendosura gjithandej dhe drita natyrale e cila vinte pingul nga qielli mbi kokën tonë si një ndërhyrje rasti, e rritnin emancipimin e të pranishmëve në nivel më të lartë, duke luajtur kështu me fluturat që tashmë kishin nisur një interpretim të veçantë në stomakun tonë.

Hapjen e festivalit Chopin Piano Fest e nisi drejtoresha organizative e festivalit Besa Luzha dhe drejtoresha artistike Lelja Pula, të cilat janë shprehur se ndjehen mjaft të lumtura që pavarësisht sfidave të shumta, mbrëmë nisi një rrugëtim i gjatë një mujor. Ato kryesisht u shprehen falënderuese ndaj të pranishmëve duke i uruar atyre një natë të këndshme.

Pas këtyre fjalimeve, në sallë mbizotëroi heshtja për 2 minuta, për të sjellë në skenë pianisten e njohur Tutu Aydınoglu. Interpretimi i veprës ‘Sonata no 2 OP.23’ nga F.Chopin, solli një fillim që nuk la vend e as kohë për një parashikim se si do të përfundonte. Lëvizjet e mprehta të gishtërinjve, fuqia dhe përqendrimi preciz që ajo posedonte, ritmi dinamik i trupit të saj që shndërrohej në një ekzistencë të vetme dhe kërcimet e lehta të tërë qenies së saj që vinin papritmas dhe pa menduar, krijuan përshtypjen se pianistja dhe kjo vepër ishin në një kozmos unik të vetmuar ku meloditë e vrazhda e të rënduara ndëshkonin atmosferën me një hungërimë që dëgjohej nga performimi i saj.

Këto emocione herë luhatnin në një frymë të tragjedisë duke na rikujtuar kështu instinktin primal për të dëgjuar këto vepra, e herë në një frymë melankolike që përçonte ndjenja të ta pakrahasueshme për çdo kë që e çmon instrumentin bardh e zi. Pianistja mbrëmë dhuroi një performancë frymëzuese me vështrimin e saj, luhatjet e tërë trupit, qetësinë filluese që mashtronte publikun, shtypjen e petaleve me këmbë me një pasion që vështirë gjendet sot, ajo ende vazhdonte të sillte tingujt duke rrëmbyer vëmendjen e fijeve të zemrës së njeriut me një shpejtësi e cila depërtonte vrullshëm në damarin e dorezës të shpirtit tonë.

Aydınoglu përgjatë një orë interpretimi të veprave të njohura të kompozitorëve botërorë si: Frédéric Chopin dhe Franz Liszt, shpalosi një talent të rrallë jo vetëm me interpretimin nga dy duar por edhe njërës, duke krijuar kështu një muzikë që rrotullohej në vorbullën e prekjeve të çelësave bardh e zi, të cilat përjetuan një gërshetim të prekjeve të lehta dhe të çmendura, aty ku pothuajse gishtërinjtë puthnin çelësin me një butësi të tërbuar dhe aty ku gishtërinjtë ndëshkonin çelësat në një eufori ngjyrimi, për të përfunduar kështu në një ekstazë të papërmbajtur melodish.

Madhështia dhe bukuria unike e mjeshtërisë së interpretimit pianistik do të mbetet gjithmonë njëra ndër mrekullitë e botës. Kjo mrekulli më së miri përjetohet edhe atëherë kur dëgjuesi mbyll sytë dhe futet në botën e errësirës duke u përhumbur pas melodive dhe tingujve të cilat gjendjen shpirtërore të njeriut e tërheqin pas vetes sikur një magnet i inatosur që vendos të të shqetësoj me talentin që rrjedhshëm shkrihet tërësisht nga personi që performon.

Po njëlloj, ishte edhe pianistja që mbrëmë solli një magji të vërtetë me interpretimin e saj që ngjasonte me atë të Lee Ru-ma, i njohur me emrin ‘Yiruma’, duke kapur vëmendjen e të pranishmëve me performimin e linjave melodike që buronin vazhdimisht e sidomos nga vepra ‘Le festin d’Ésope (Aesop’s Feast), Op. 39 No. 12’, që shënoi fundin e kësaj nate duke lënë pas momente të bukura të cilat do të na përcjellin si një hije që asnjëherë nuk të lë të harrosh ekzistencën e saj.

Pas gjithë kësaj performance të mrekullueshme të pianistes, duartrokitjet e brohoritjet kishin zënë vendin e tingujve. Ato nuk po pushonin interpretimin e tyre duke vazhduar me minuta të shumtë, intepretim ky më se i duhur e i domosdoshëm për talentin e rrallë që Aydınoglu zgjodhi ta sjell tek ne.

Pianistja turke Tutu Aydınoglu, për KultPlus foli rreth natës së mbrëmshme që ishte frymëzuese për shumë kë.

“Ky është koncerti im i parë pas pandemisë dhe ndjehem shumë e lumtur sepse njëkohësisht është edhe recitali im i parë pas një muaj e gjysmë me situatën pandemike. Wshtë e mrekullueshme për ti ndjerë njerëzit në skenë”, thotë Aydınoglu.

Sipas saj, ky është qëndrimi i dytë i saj në Prishtinë dhe ajo po ndjehet shumë e lumtur sepse performimi në skenë është një ndjenjë e mrekullueshme, e pikërisht kur kalohet nga koncerti online në atë fizik.

“Është diçka spektakolare. Je duke luajtur dhe përnjëherë të vjen instikti. Pastaj ka duartrokitje dhe kjo është shumë e rëndësishme për një artist sepse është një lumturi shumë e madhe”, përfundon Aydınoglu për KultPlus.

Ndërsa, drejtoresha artistike, Lejla Pula tregoi se ajo është shumë e lumtur që pak a shumë janë kthyer në ndjenjën e normalitetit.

“Akti i interpretimit është vërtetë diçka unike sepse në artin interpretativ të muzikës, pa interaksion mes interpretuesit dhe dëgjuesve, nuk mund të ringjallet ajo çka shkruhet në një vepër muzikore”, thotë Pula.

Ajo tutje ka falënderuar pianisten që solli një program ku pjesa e dytë u interpretua për herë të parë.

“Tutu është një pianiste e mrekullueshme nga Turqia që erdhi me një program ku pjesa e dytë është interpretuar për herë të parë. Janë vepra shumë interesante të cilat interpretohen shumë rrallë dhe nuk dëgjohen shpesh në Prishtinë duke sjell kështu një virtuozitet të lartë pianistik dhe instrumental”, thotë Pula.

Sipas saj, pianistja ka pasur shumë dëshirë që të performojë dhe tashmë pas 2 vite pritje, ajo erdhi duke realizuar një koncert të mrekullueshëm dhe prandaj Pula ndjehet mirënjohëse ndaj saj dhe bashkëpunimit me Ambasadën Turke dhe Ministrinë e Kulturës.

“Shpresoj që të gjitha mbrëmjet do të shkojnë mbarë. Kurse, sonte vepra që më la përshtypje më së shumti ishte Sonata e Chopen e cila është vërtetë një kryevepër por interesante për mua ishte edhe vepra e Alkanit që ishte një zbulim për publikun tonë dhe bravo për pianisten që solli veprën me një virtuozitet të spikatur”, përfundon Pula për KultPlus.

Gjithashtu, i pranishëm në këtë mbrëmje ishte edhe drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Adrian Berisha i cili për KultPlus foli rreth kësaj nate, të cilën ai e cilësoi si tejet interesante.

“Është shumë interesant për të përshkruar këtë natë. Gjatë natës i mbylla sytë dhe performanca e pianistes në njëfarë mënyre më morri me vete dhe sapo isha lart e dalloja vetën se isha poshtë. Performanca e saj ishte tepër ritmike dhe shumë e shpejt”, thotë Berisha.

Sipas tij, brenda performancës ekzistonte një tragjedi që ndoshta portretizoi mllefin e muzikantëve nga mos performimi në skenë në vitin paraprak, andaj edhe është shprehur përmes kësaj performance.

“Përveç performancës së pianistes, më la përshtypje mikpritja e publikut sepse u dallua edhe gjatë pauzave por edhe në fund se sa performanca është pëlqyer. Sidomos, duartrokitjet e pa ndalura në fund për 2 minuta, ishte diçka që tregoi shumë që njerëzve i mungojnë performancat e tilla artistike”, përfundon Berisha për KultPlus.

Chopin Piano Fest gjatë këtij edicioni do të prezantojë edhe 15 koncerte të tjera në vazhdim. Nata e dytë e këtij festivali, vjen më datë 07 qershor ku do të interpretojë pianisti austriak Stephan Möller në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare. / KultPlus.com

Edicioni i 11-të i Chopin Piano Fest vjen me risi, Luzha: Rikthimi në skenë është një rikthim në normalitet

 Era Berisha

Madhështia dhe bukuria unike e mjeshtërisë së interpretimit pianistik ku dëgjuesi mbyllet brenda botës së melodive dhe tingujve që frymojnë nga një instrument bardh e zi e që gjallërohen në një eufori ngjyrimi që përfundojnë në një ekstazë magjepsjeje, kësaj radhe vjen në formën e 16 koncerteve nga 11 artistë të shquar, mbi 20 studentë dhe 50 nxënës të shkollës së muzikës që do të performojnë në edicionin e 11-të të Chopin Piano Fest që nis nga data 31 maj deri më 30 qershor, shkruan KultPlus.

Festivali Chopin Piano, një festival i muzikës klasike, këtë vit rikthehet fuqishëm me një risi në aspektin e repertorit ku do të zhvillohen koncerte recitale me 9 pianistë të shquar si: Tutu Aydinouglu nga Turqia, Stefan Moller nga Austria, Georgy Kovac nga Hungaria, Jerome Granjon nga Franca, Dino Imeri nga Maqedonia, Gabriele Carcano nga Italia si dhe Zoya Shuhatovic nga ShBA. Po ashtu, do të mbahet edhe një koncert kamertal me këndim dhe piano ku performojnë së bashku artistët nga Shqipëria si: Marjana Lekaj dhe Armaldo Kllogjer në bashkëpunim me pianisten Lejla Pula.

Gjithashtu, këtë herë mendohet të ketë më shumë hapësirë për pianistët e rinj, nxënësit dhe studentët ku është rezervuar një revy e talenteve të rinj nga 8 shkolla publike të muzikës në të gjithë Kosovën dhe 4 mbrëmje koncertale për studentët e Fakultetit të Arteve. Ndërsa, është bërë e ditur se do të mbahet edhe gara për çmimin Chopin Piano FEST në bashkëpunim me pianisten Ardita Statovci si dhe nuk do të mungojnë as masterklase me studentë.

Ndërsa, risitë programore mendohen të jenë: një mbrëmje e titulluar ”In Honour of Beethoven” me 8 pjesëmarrës vetëm me vepra të Beethoven, pastaj mbrëmja e muzikës romantike të studentëve me rreth 20 pjesëmarrës. Po ashtu, gjithsej 41-42 solistë të rinj që do të performojnë në ‘Skenën Juvenis’ dhe në ‘Mbrëmjen e Solistëve’, me ç’rast do të sjellin risi në program ku do të interpretohen komplet 24 preludet dhe fugat e Bach-ut ose 24 preludet e Chopin-it. Këtë vit, është menduar që para publikut të shfaqet edhe përmbledhja e veprave pianistike të krijuara nga kompozitorët e rinj kosovarë të cilët do të promovohen edhe në botë përmes marrëveshjes dhe bashkëpunimit me mysafirët e festivalit që do të kenë rast ta marrin si dhuratë botimin me veprat pianistike.

Përpos shpalosjes së programit të këtij festivali, në një intervistë për KultPlus, drejtoresha e festivalit, Besa Luzha ka folur edhe rreth ndikimit të pandemisë për shtyrjen e edicionit të 11-të të festivalit që ishte i planifikuar në prill të vitit 2020 si dhe përjetimit të këtyre ndryshimeve.

“Ne kishim bërë të gjitha përgatitjet dhe prej kohës kur edhe në Kosovë u vunë masat anti-Covid dhe u ndaluan lëvizjet gjithandej nëpër botë, ne e pamë se do të jetë e pamundur të zbatohet ky plan. Prandaj në prill, ne zhvilluam një prezantim virtual të artistëve sipas programit që kishim përgatitur dhe në datat e caktuara prezantonim biografinë e artistit pjesëmarrës dhe interpretimet e tyre nga video që ata na dërguan ose që mund të gjendeshin në YouTube”, thotë Luzha.

Sipas saj, pastaj është formuar plani tjetër për ta mbajtur festivalin në nëntor të vitit 2020 por që pak para fillimit të realizimit, përcaktimit të datave dhe aranzhimit të udhëtimeve së artistëve, gjendja në Kosovë u përkeqësua përsëri dhe masat u shtrënguan. Prandaj, është parë e arsyeshme që të shtyhet përsëri sepse nuk kanë dëshiruar që festivali të mbahet në mënyrë virtuale sepse ideja e koncertimit live para audiencës është kryesorja në këtë festival.

Ndërsa, se si erdhi përfundimi në zgjedhjen e datave për këtë edicion i cili fillon me 27 maj, Luzha për KultPlus tha se në muajin shkurt dhe mars kur gjendja ishte e rënduar, ata filluan përgatitjet për të realizuar programin në muajin prill-maj e deri në qershor.

“Në bisedë me artistët, të cilët në vende të ndryshme janë subjekt i vaksinimit, për të vazhduar karrierën e tyre koncertuese, ne arritëm të ri-organizojmë datat me të gjithë artistët. Pra, është dashur që të bisedojmë me secilin artist për datat e reja dhe pothuajse të gjithë preferonin qershorin si mundësi më reale”, thotë Luzha.

Për Luzhën, problemi më i madh është evituar me shtyrjen, sepse në pamundësi për të udhëtuar është dashur të anulohen të gjitha biletat, por për fat ka pasur mirëkuptim nga agjensionet për këtë pjesë.

“Riaranzhimi i datave me artistët ka qenë sfidë në vete, duke i shikuar masat në çdo shtet para dhe pas udhëtimit. Shumica e artistëve në vendet e tyre kanë marrë vaksinën dhe janë të lirë të udhëtojnë, por disa prej tyre brengosen nëse pas kthimit nga Kosova duhet të qëndrojnë në karantinë.”

Por, tani Luzha shpreson se gjithçka do të shkojë sipas planit dhe artistët do të jenë në Kosovë për të performuar live para audiencës tanimë të etur për ngjarje të tilla kulturore. Ndërkohë, sipas saj, barrën më të madhe të kësaj pjese të organizimit e ka bartur Presidentja dhe Drejtoresha artistike e festivalit Lejla Pula, e cila ka qenë vazhdimisht në kontakt me artistët për të aranzhuar dhe riaranzhuar datat dhe programin e koncerteve.

Krejt në fund, Luzha për KultPlus ka shpalosur edhe pritshmëritë e saj për këtë edicion.

“Ne jemi shumë të emocionuar që po i rikthehemi normalitetit dhe mundësisë së performimit live, por edhe të kujdesshëm për shkak të rrethanave të pandemisë. Presim që mungesa e koncerteve në vitin e kaluar do të arrihet të kompensohet me koncertet e organizuara tash dhe audienca do të shijojë kryeveprat e repertorit pianistik botëror të interpretuara nga pianistë të shquar të skenave botërore”, përfundon Luzha.

Ajo tutje ka potencuar se rikthimi në skenë shihet në një mënyrë simbolike edhe një rikthim në normalitet pas një periudhe të gjatë e të vështirë për të gjithë njerëzit në botë, e posaçërisht për performuesit të cilët jetojnë për muzikimin në skenë.

Chopin Piano Fest Prishtina do të mbahet fizikisht në sallën e Amfiteatrit të ri të Bibliotekës Universitare në ndërtesën e ish –Institutit të Historisë. Koncertet do të fillojnë në orën 19:00 përveç koncertit të nxënësve që do të mbahet paradite. Gjithashtu, do të vendoset një sistem rezervimi të vendeve me kohë, meqë ulëset janë të limituara. 

Kurse, për të interesuarit që nuk do të arrijnë të jenë prezent në sallë, ata mund ta shohin koncertin përmes livestream, pasi që të merret edhe aprovimi nga secili performues. / KultPlus.com

Chopin Piano Fest me një koncert madhështor me Filharmoninë e Kosovës, përmbylli edicionin e 10-të

Fotografitë: Arben Llapashtica

Orkestra e Filarmonisë së Kosovës në bashkëpunim me dirigjentin dhe pianistin Stefan Vladar nga Austria dhe tenorin Josif Gjipali nga Shqipëria, mbajtën mbrëmë koncert në Prishtinë ku me këtë rast edhe u përmbyll edicioni i 10-të i festivalit Chopin Piano Fest, shkruan KultPlus.

Mbrëmë publiku kosovarë pati rastin të përjetojë një koncert të shkëlqyeshëm nga Filarmonia e Kosovës në bashkëpunim me  dy artistë të skenave botërore. Koncerti u mbajte në Sallën e Kuqe, tek Pallati i Rinisë në Prishtinë. Filarmonia e Kosovës në bashkëpunim me këta dy artistë të rangut botëror performuan  para një publiku i cili ishte i madh në numër.

Edhe publiku e priti shumë  mirë këtë performancë, kjo u kuptua nga duartrokitjet e tyre  të cilat nuk u ndalën për disa minuta. Gjatë mbrëmjes u  luajtën vepra që rrallë herë janë luajtur në skenat e Kosovës. Veprat të cilat u interpretuan ishin veprat e V. Beethoven , G. Puccini që u interpretua nga tenori shqiptar Josif Gjipali dhe veprat e P.I Tchaikovsky që u dirigjuan nga dirigjenti austriak  Stefan Valdar e që vlen të theksohet që Simfonin e Tchaikovskyt e ka dirigjuar përmendësh.

E tenori shqiptar Josif Gjipali tha që është i kënaqur me entuziazmin e publikut dhe pritjen që i është bërë. Ai po ashtu shtoi se nuk do të kishte besuar që në Prishtinë është organizuar një Festival i tillë po mos të kishte qenë vetë i pranishëm.

“Nëse sonte nuk do ta isha vetë në Prishtinë, nuk do ta besoja që ka pasur një organizim të tilla, andaj dua t’i përgëzoj  jashtëzakonisht shumë të dyja zonjat që janë marr me organizimin e Chopin Piano Fest. Ishte një kënaqësi, kam ngelur jashtëzakonisht i kënaqur nga korrektësia nga mikpritja e respekti. Niveli i orkestrës ishte shumë i mirë. Zgjodha materiale të një vështirësie të lartë për një koncert por ja ka vlejtur, pasi entuziazmi dhe mikpritja e publikut ishte vërtet e jashtëzakonshme”, tha Gjipali për KultPlus.

E shumë i kënaqur, si nga bashkëpunimi poashtu dhe përkrahja nga publikut u nda edhe pianisti dhe dirigjenti austriak, Stefan Valdar, i cila po ashtu tha që ata kanë bërë një punë shumë të mirë dhe se ai sonte ka dhënë  më të mirën nga vetja.

“Është hera e dytë për mua në Kosovë, unë kam qenë këtu vitin e kaluar. Mendoj që kemi bërë një punë të mirë, publiku është ndarë shumë i lumtur, ne kemi dhënë më të mirën nga vetja. Ishte përvojë e mirë edhe me muzikantët dhe jam shume i lumtur me rezultatin që kemi dhënë sonte”, u shpreh Valdar për KultPlus.

Drejtoresha e këtij festivali Lejla Hxhiu Pula tha që përkundër vështirësive që kanë pasur dhe punës së lodhshme si gjatë procesit të përgatitjes edhe gjatë festivalit, ajo është ndarë shumë e kënaqur me suksesin e festivalit. Ajo po ashtu shtoi se koncerti i mbrëmshëm  i ka dhënë ndjenjën si të ishte në ndonjë shtete të Evropës dhe jo në Prishtinë.

“Siç po shini 16 mbrëmje sivjet në edicioni e 10-të, ishte vërtet një punë shumë e madhe jo vetëm procesi i negocimit, bisedimet me artistët që i kemi planifikuar për ardhje por pastaj edhe realizimi i këtij festivali. Sonte kishim kënaqësinë të dëgjojmë një koncert të jashtëzakonshëm maestral, me një energji të tingujve. Orkestra e Filarmonisë së Kosovës ka tingëlluar si Filharmoni e ndonjë shteti të Evropës, mund të them se sonte jemi ndie si me qenë në Evrope e jo në Prishtine”, tha Lejla për KultPlus.

Ajo po ashtu shtoj që është shumë e kënaqur me bashkëpunimin e Filharmonisë së Kosovës, si dhe me tenorin shqiptar Josif Gjipali dhe pianistin dhe dirigjentin austriak, Stefan Valdar, e cila shtoi se është e mrekulluar me performancën e tyre.

“Sonte jemi shumë të kënaqur që edicioni i 10-të i festivalit ka mbaruar me sukses me një dirigjent i cili dirigjon në orkestrat më të mëdha në botë, dhe mund t’ju themi që jam mrekulluar me muzikimin e anëtarëve të Filharmonisë së Kosovës, ishte një mrekulli e vërtet. Jam shumë e lumtur që tenori Josif Gjipali ka pranuar të vij dhe ka kënduar vepra madhështore me zërin e tij të jashtëzakonshëm. Shpresojmë që do të mund ta zhvillojmë këtë festival edhe më tutje, jam falënderuese për çdo ndihmë që na është afruar dhe jam shumë mirënjohëse e atyre që na kanë nderuar me prezencën e tyre”, u shpreh krejt për fund Lejla Pula.

Me këtë koncert madhështor, Chopin Piano Fest Prishtina e përmbylli suksesshëm këtë edicion me plot 16-të koncerte duke zbritur në skenë emra të njohur botërorë e vendorë të cilët kanë mrekulluar me interpretimin e tyre publikun kosovar për plot 16 net. / Gzim Mujaj / KultPlus.com

U mbajt gara për “Çmimin Special Chopin Piano Fest 2019”


Është mbajtur sot gara për “Çmimin Special Chopin Piano Fest 2019” që ndahet për të rinjtë. Në Fakultetin e Arteve në Departamentin e muzikës, katër garuesit e kësaj gare kishin ardhur për të shfaqur talentin e tyre në piano, shkruan KultPlus.

Është viti i tretë që është duke u dhuruar ky çmim në kuadër te festivalit “Chopin Piano Fest” i cili është mundësuar në bashkëpunim me sponsorë gjermanë. Çmimi nënkupton një koncert recital për fituesin që do të mbahet në Bon të Gjermanisë si dhe Mastarclase në Universitetin e Kelnit,  po ashtu do të bëhen vizita vendeve me rëndësi muzikore si shtëpive, muzeve të kompozitorëve dhe njohjen me kulturën e regjionit të Bonit.

Gara ka qenë e hapur për të gjithë nxënësit e shkollave të mesme dhe për studentë. Garuesit  është dashur të përgatisin një program 60 minutash, program recitali pianistik. Secili prej pjesëmarrësve ka performuar 45 minuta prej këtij programi, ndërsa pjesë obligative kanë pasur një vepër nga Beethoven-i dhe Schumann-i ose, pjesa tjetër ka qenë e lirë nga vet pjesëmarrësit që të zgjedhin se çka do të performojnë.

Në këtë garë morën pjesë 3 nxënës dhe një student. Pjesëmarrësit ishin nxënësit Vesa Berisha- 15 vjeçare, Ledian Shala -13 vjeçar dhe Lisa Sahatçiu – 14 vjeçare si dhe studenti Andi Duraku – 22 vjeçar.

E iniciatorja e çmimit për të rijnë Ardita Statovci, tha që përkrahja e të rinjve është shumë e rëndësishme sepse duke i përkrahur ata ngritët vetëdija e përgjithshme dhe edukohen brezat e rijnë.

“Mendoj që është esenciale me i përkrah të rinjtë me qenë se duke përkrahur ata ne e ngrisim vetëdijen e përgjithshme në vendin tonë për muzikë dhe bëjmë edukimin e brezave. Duke edukuar brezat automatikisht e ngrisim edhe kualitetin e jetës për të gjithë ne në vendin tonë të ri”, tha Statovci për KultPlus.

Pjesë e jurisë në këtë garë janë pianistja Ardita Statovci dhe pianisti Klevis Gjergjaj. Fituesi do të bëhet i ditur këtë të premte më datë 26 prill, në “Skenën Juvenis”. / Gzim Mujaj/ KultPlus.com

Pianisti Peter Donohoe, interpretoi mbrëmë për herë të parë në Kosovë sonatën e Tchaikovsky-it

Nata e tetë e festivalit “Chopin Piano Fest Prishtina”, priti mysafirin me përvojë dyzet vjeçare, pianistin Peter Donohoe nga Britania e Madhe, shkruan KultPlus.

Para një numri të madh artdashës, përvojën dyzet vjeçare me piano, britaniku Peter Donohoe e shfaqi para publikut prishtinas. Natën e mbrëmshme në Salla e Amfiteatrit të Ri të Bibliotekës Universitare u  luajtën vepra të mëdha, të cilat kanë kërkesa të vështira si teknike po ashtu edhe muzikore dhe se rrallë herë performohen.

Për tri orë rresht sa edhe zgjati koncerti, ai luajti në piano vepra të Schumann-it, W.A Mozart-it, vepra e Tchaikovsky-it e cila duhet cekur që u luajt për herë të parë në Kosovë, pastaj vepra e Scriabin-it dhe veprat e M. Mussorgsky-it.

Interpretimi i këtyre veprave erdhi shumë ngrohtë, plot emocion e ngjyrë tek publiku i cili e duartrokiti pianistin e njohur britanik.

Fituesi i çmimit në garat e Tchaikovskit, me prezencën e tij në festivalin Chopin, bëri që organizatorët të ndihen shumë të nderuar, kështu të paktën u shpreh drejtoresha e këtij festivali Lejla Haxhiu-Pula. Ajo tregoi që me Peter Donohoe ishte takuar për herë të parë në vitin 82 në Moskë. Ajo po ashtu shtoj që nuk ka besuar që një ditë ai do të vijë në Kosovë dhe do të performoj për publikun kosovarë sepse sipas saj ai i takon nivelit më të lartë botëror.

“Ne jemi shumë të nderuar, sepse ky është pianist i nivelit më të lartë botëror. Unë e kam dëgjuar Peter Donohoe me një raste në vitin ‘82 kur isha në Moskë për t’i përcjellur garat e Tchaikovskit dhe ai e ka fituar atje çmimin e parë. Unë kam pasur dëshirë që ai të vij edhe në skenën e Prishtinës, por nuk e kam besuar që një ditë do të vijë ky rast. Ky përpos që është pianist i mrekullueshëm është edhe personalitet jashtëzakonisht bujar dhe sot na premtoi që ai do të vijë kurdo që e ftojmë sepse ai u shpreh shumë i kënaqur për ngrohtësinë dhe mirëpritjen që i ka dhënë publiku”, tha Haxhiu-Pula për KultPlus.

E fjalë të mira si për publikun ashtu edhe për festivalin, pati edhe mysafiri Peter Donohoe, i cila tha që është shumë krenar që ka performuar në këtë festival dhe sipas tij publiku prishtinas ka një nivel të lartë përqendrimi.

“Nuk kam qenë më parë këtu, është hera ime e parë në këtë festival të mrekullueshëm. Jam shumë, shumë krenar që jam përfshirë në këtë festival, njerëzit këtu kanë vizion të mrekullueshëm, kanë energji shumë të madhe. Është një festival shumë i mirë, me një audiencë shumë të mirë, me një nivel të lartë përqendrimi, është një vend shumë i këndshëm”, tha Peter Donohoe.

Chopin Piani Fest vazhdon me koncertin e radhës ditën e premten duke filluar nga ora 20:00 në Salla e Amfiteatrit të Ri të Bibliotekës Universitare ku do të përformojnë Flaka Goranci, mezosoprano, Arta Jashari, soprano,  Armando Likaj, baritonë,  si dhe Ardita Bufaj, me piano./ Gzim Mujaj / KultPlus.com

Me një mjeshtëri të jashtëzakonshme, pianisti Istvan Lajko solli fryma të ndryshme të muzikës klasike

Një vepër e mrekullueshme e kompozitorit Mozart, hapi mbrëmë koncertin e shtatë me radhë të festivalit Chopin Piano Fest. Ishte Istvan Lajko ai i cili e solli këtë vepër në mënyrë të mrekullueshme para publikut të Prishtinës, shkruan KultPlus.

Salla e Amfiteatrit të Ri të Bibliotekës Universitare, mbrëmjen e djeshme ishte e mbushur përplot me adhurues të muzikës. Pasi që ajo natë ishte më ndryshe, skena e ndriçuar me pianon në mes po mirëpriste pianistin hungarez Istvan Lajko. Dalja në skenë e pianistit u mirëprit jashtëzakonisht mirë nga publiku, por ende më mirë u mirëpriten interpretimet e tij që vinin secilën herë e më bukur.

Për dy orë sa ai luajti me një mjeshtëri të jashtëzakonshme në piano, publiku u fascinua duke e dëshmuar këtë me duartrokitjet e gjata.

Vepra të ndryshme si sonata e pianos e W.A.Mozart, “Këngët hungareze nga fshati” të B.Bartok, “Sonetto 123 del petrarca”, rapsodi hungareze të F.Liszt, si dhe dy vepra të mëdha nga kompozimet e P.I.Tchaikovsky dhe M.Pletnev të titullar “The sleeping beauty-concert suit”, shkrin tingujt e tyre në duart e pianistit Lajko.

Gjithë këto vepra të njohura botërore, u mirëpriten nga publiku në Prishtinë edhe pse kjo ishte hera e dytë që ky pianist po interpretonte në kryeqytetin e Kosovës.

I privilegjuar që po performon për herë të dytë para këtij publiku, u shpreh edhe pianisti Lajko.

“Është privilegj të luaj këtu, kjo është hera e dytë që po interpretoj në kuadër të këtij festivali. Hera e parë në “Chopin Piano Fest” ka qenë para 5 viteve në një hotel në Prishtinë. Por, kjo sallë ku luajta sonte është shumë e mirë, sidomos akustika e cila interpreton një heshtje të gjatë si dhe holli i amfiteatrit është shumë i mrekullueshëm për publikun, dhe për artistët është privilegj të luaj këtu sepse ka një audienca shumë të ngrohë,” është shprehur Lajko për KultPlus.

Ndërsa sa i përket programit që ai solli mbrëmë, Lajko u shpreh që kësaj radhe ka qenë një koleksion me pjesë të ndryshme ku ka dashur të prezantoj fryma të ndryshme të muzikës klasike.

“Sonte solla vepra të ndryshme, si pjesë nga Mozarti dhe muzikë hungareze sepse kam qenë i ftuar në vitin sparkan hungarez, kështu që unë zgjodha një  pjesë të famshme të  muzikës hungareze nga Chaikovsy kështu duke u munduar të prezantoj pjesë të ndryshme për publikun. Chaikovsky e kam mësuar vitin e kaluar, kurse pjesën e Bartokut e kam luajtur shumë vite me parë, kurse sonata e Mozartit ka qenë në repertorin tim të rregullt”, tha tutje Lajko për KultPlus.

Në anën tjetër, nënkryetari i ambasadës së Hungarisë në Prishtinë, Bela Bozsik e konsideron të rëndësishëm bashkëpunimin në fushën e kulturës pasi që kjo ndikon që dy vendet të njohin më mirë njëri-tjetrin. Madje ai tregoi rëndësinë që e kanë këto shkëmbime kulturore duke marrë shembull një ekspozitë të hapur dy vite më parë në muzeun e Lidvingut  ku kishte artist nga Shqipëria dhe nga Kosova.

“Kemi vite që mbulojmë shpenzimet për të sjellë këtu një artist dhe unë jam këtu që në vitin e parë dhe tashme e di që kemi një bashkëpunim të mirë me këtë  festival dhe është shumë e rëndësishme që të participojmë në ketë festival pasi që e konsiderojmë një ndër projektet më të rëndësishme në Kosovë”, theksoi ai.

Ju kujtojmë që sonte me fillim nga ora 20:00 në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare do të performoj pianisti Peter Donohoe, nga Britania e Madhe / Xheneta Uka/ KultPlus.com

Pianisti Giovanni Bellucci, me vepër premierë bëri hapjen e Chopin Piano Fest

Fotografitë: Arben Llapashtica

Edicionin e tij të 10-të, festivali Chopin Piano Fest e nisi mbrëmë me një mbrëmje të veçantë. Ky edicion jubilar do të jetë një rikapitulim i cili do të sjellë artistët të cilët lanë gjurmë në Prishtinë dhe në festival gjatë këtyre 10 viteve. E një prej tyre është edhe pianisti i njohur botëror Giovanni Bellucci, i cili mbrëmë kishte ardhur në këtë festival për të sjellë një interpretim krejt ndryshe dhe të sjellë për publikun e kryeqytetit vepra që si kishte luajtur më herët, shkruan KultPlus.

Hapjen e festivalit Chopin Piano Fest e bëri një dokumentar i shkurtër i realizuar nga Besa Luzha, drejtoresha organizative e festivalit dhe nga Lejla Pula, drejtoresha artistike.

Dokumentari përfshinte rrugëtimin 10 vjeçar të festivalit, duke filluar me angazhimet, përkrahjet, problemet dhe suksesin e tij.

Në dokumentar ndër të tjerë u prezantuan edhe ata që kanë dhënë përkrahje të vazhdueshme për Chopin Piano Fest e të cilët ndanë përvojat e tyre gjatë këtij rrugëtimi si dhe u shprehen se sa e pabesueshme është gjithë kjo rrugë që kanë bërë bashkë dhe sot po festojnë vitin jubilar.

Pas shfaqjes së këtij dokumentari i cili zgjati diku rreth 20 minuta, fjalën e morën Besa Luzha dhe Lejla Pula për të bërë edhe hapjen zyrtare të këtij edicioni.

Ato kryesisht u shprehen falënderuese ndaj gjithë atyre që i përkrahen gjatë këtyre 10 viteve punë me këtë festival .

Një fjalim shumë të shkurtër për këtë ngjarje kulturore e mbajti edhe Ambasadori i Italisë Piero Cristoforo Sardi i cili në pika të shkurtra u shpreh se angazhimi për këtë festival ishte jashtëzakonisht i çmueshëm dhe ai premtoi se do të vazhdojnë ta përkrahin Kosovën më ngjarje kulturore.

Pas këtyre fjalimeve, në sallë mbizotëroi heshtja për 2 minuta, për të sjellë në skenë pianistin e njohur Giovanni Bellucci.

Me një përqendrim vetëm në një pikë të pianos, ai filloi lëvizjen e gishtave për të sjellë tingujt thumbues në sallën e mbushur përplot artdashës e artistë të shquar, ku duartrokitjet e brohoritjet e tyre për pianistin ishin të gjata.

Një emocion i papërshkrueshëm për pianistin e njohur italian, i cili dhuroi një interpretim jashtëzakonisht frymëzues për të gjithë artistët dhe të pranishmit që e çmojnë e luajnë instrumentin e pianos.

Me një vështrim të gjerë, me një luhatje të kokës, me një qetësi të butë, ai shikonte tërë sallën të mbushur plotë, e me gishtërinjtë e dorës ai vazhdonte të sillte tingujt në sallë, përderisa me këmbë shtypte petalet e ku djersët vazhdimisht i rrjedhin përtej ballit.

Bellucci përgjatë një ore interpretim të veprës së njohur të kompozitorit Hector Berliozit ai vazhdoi me interpretimin e veprave të tjera si të kompozitorëve F.Chopin, F.Liszt, G.Verdi dhe V.Bellini.         

Pas gjithë kësaj performance të mrekullueshme të pianistit të njohur botëror, i cili u mirëprit tejet mirë nga publiku, salla filloi të zbrazej, e pianisti sikur po pushonte për 2 minuta sa për tu rikthyer për të biseduar me gazetarët që po e prisnin për intervistë.

Ai, në një prononcim për KulPlus, tregoi shumë gjëra rreth jetës së tij profesionale qysh prej fëmijërisë së tij duke i bashkangjitur edhe disa argumente se sa e njeh kulturën kosovare.

“Unë shumë vonë kam filluar të luaj piano sepse nuk kam pasur të afërt që kanë mundur të ma mësojnë muzikën klasike. Në moshën 14 vjeçare kam filluar të luaj piano gjë që është shumë vonë për tu bërë për një pianist profesional. Unë fillimisht nuk kam pasur piano, dhe asnjëherë se kam pasur atë ndjenjën se si është të luash me piano, e sot mua ende më duket tërheqëse, unë se kam atë dashurinë magnetike si pianistët e tjerë të luaj në stacionet e trenave apo edhe në aeroport”, tha për KultPlus Giovanni Bellucci. 

Përveç profesionit që e udhëheqë ai tregoi edhe entuziazmin rreth arteve të tjera që ai veç se i kishe provuar më herët.

‘Unë ndoshta nuk kam lindur si pianist, në kuptimin për tu bërë muzicient, por pastaj isha i shtyrë nga studimet dhe kështu përfundova si pianist. Unë gjithmonë kam pasur interes rreth arteve tjera, unë kam qenë piktor më herët e sot më pëlqen të punoj me aktorët e filmave të kinemave e shumë e gjëra të tjera, por jo që ta studioj pianon gjithë kohën, ndoshta nuk duhet ta them por është e çuditshme, më pëlqen muzika por jo ta mendoj 24h’, tha tutje Bellucci.

Krejt për fund, pianisti Bellucci kishte edhe një mesazh. Ai tha se “nuk mendoj se jeta i jepet një pianos, fatkeqësisht varet nga ti dhe nga publiku, sepse kur luan për ta është një ëndërr shumë emocionuese.”.

Ambasadori italian, Piero Cristoforo Sardi për KultPlus tha se bashkë me organizatorët kanë vendosur të sjellin artistin Bellucci në hapjen e këtij festivalit sepse në vitin e kaluar është vlerësuar jashtëzakonisht mirë.

“Bellucci është një nga artistët më të njohur jo vetëm në Itali por edhe në skenën evropiane të muzikës, kështu që organizatorët kanë vendosur që ta përcjellin suksesin e mbylljes së vitit të kaluar në hapjen e këtij edicioni, ne jemi shumë të lumtur që bashkëpunojmë që 10 vite me këtë festival dhe gjatë këtij festivali do të bashkëpunojmë edhe në koncerte të tjera dhe në koncertin përmbyllës”, u shpreh Ambasadori italian. 

Drejtoresha artistike, Lejla Pula tregoi se e veçanta e kësaj mbrëmje ishte se Belluci ka përzgjedhur një vepër  madhështore simfonike të kompozitorit Hector Berliozit e cila është e interpretuar me rastin e 100 vjetorit të vdekjes së tij dhe është një simfoni shumë e gjatë e cila zgjat gjashtëdhjetë minuta.

“Kjo vepër ishte premierë sonte në Prishtinë, ne jemi të privilegjuar që edhe publiku sonte ka pasur rastin ta dëgjoj”, tha Lejla Pula.      

Chopin Piano Fest gjatë këtij edicioni do të prezantojë edhe 15 koncerte të tjera në vazhdim. Nata e dytë e këtij festivali, vjen më datë 10 prill ku do të interpretojë pianisti francez Eric Ferrer. / F. Byqmeti / KultPlus.com

“Chopin Piano Fest”, sonte nis edicionin e 10-të

Chopin Piano Fest Prishtina këtë vit shënon edicionin e tij të 10-të me artistët më të shquar nga të gjitha edicionet. Ndërsa kur filluan këtë festival e nisën për t’ia festuar ditëlindjen e Chopin, shkruan KultPlus.

Për 10 vjet, përkundër vështirësive festivali nuk u ndal. Ai u karakterizua gjithmonë me programin e pasur që ofronte, gjithashtu edhe publikun e cili ka dhënë duartrokitje dhe përkrahje në çdo edicion.

Numri i koncerteve është rritur jashtëzakonisht shumë me 16 koncerte në këtë jubilar, përpos aktiviteteve të tjera shtesë. Po ashtu vazhdon programi i nxënësve, studentëve, dhe gara për çmimin Special Chopin Piano Fest.

Sipas organizatorëve festivali e ka sjellë vërtet Prishtinë në qendër të vëmendjes së ngjarjeve kulturore të rëndësishme dhe shumë artistë, organizata, tashmë e njohin vlerën që ky festival ka krijuar.

Hapja e festivalit bëhet sonte me pianistin Giovanni Bellucci. Koncerti fillon në ora 20:00 në do Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare, apo ndërtesa e ish-institutit të Historisë. Festivali do të vazhdojë me koncertet e radhës deri më datë 28 prill në po 5të njëjtin vend. Ndërsa koncerti me Filharmoninë do të mbahet në Sallën e Kuqe, ndërsa mastërklasat dhe garat për çmimin special të Chopin-it në Fakultetin e Arteve. / KultPlus.com

Pianistja Anila Aliu, fituese e Çmimit Special të Chopin Piano Fest Prishtina

Çmimi Special i festivalit pianistik Chopin Piano Fest Prishtina tashmë është çmim tradicional i festivalit që i ndahet një pianisti/pianiste të re, ndërsa fituesja e dytë e këtij çmimi është pianistja Anila Aliu, shkruan KultPlus.

Ky Çmim ndahet me mbështetjen e Dr. Herbert Groeger nga Bad Honnef/Salzburg në bashkëpunim me pianisten Ardita Statovci, e cila ishte iniciatore për organizimin e këtij Çmimi special në vitin 2017.

Juria e përcaktuar për edicionin e sivjetmë të Çmimit ishte Ardita Statovci, Gotliewb Wallisch dhe Klevis Gjergji të cilët pas vlerësimit të performancave kanë zgjedhur fituese pianisten Anila Aliu.

Anila Aliu mëson piano në Shkollën e Muzikës në Gjilan tek prof. Visar Osmani me të cilin edhe aktualisht përfundon shkollimin e Mesëm – drejtimin Interpret Muzikor- Piano.

Sukseset e saja filluan qysh nga paraqitjet e para skenike. Në garën “Pianisti i Ri”, që nga viti 2009 mori vende të para dhe çmime absolute duke kulmuar me çmimin “Solist- Interpret me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës” dhe çmimin “Pjesëmarrje në garat ndërkombëtare në Kaunas të Lituanisë”.

Koncerti me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës u realizua me shumë sukses në vitin 2012, ndërsa në vitin 2015 ajo përfaqësoi Kosovën (“Pianistin e Ri”) në Lituani ku fitoi çmimin e III-të dhe u ftua të interpretoj në natën finale në të njëjtin grup me përfaqësuesit e rangut më të lartë nga Rusia dhe Estonia.

Padyshim, sukseset në garën “Pianisti i Ri” i hapën dyert drejt sukseseve tjera dhe zhvillimit të karrierës së saj pianistike. Gjithashtu në garat “ARS Kosova”, Anila u shpërblye me vende të para. Pjesëmarrja në gara vazhdoi edhe jashtë vendit si në: Barletta- Itali, Epta- Tiranë, “Pjetër Gaci”- Shkodër, Polihymnia- Shkup,
International Competitions- Gjevgjeli, në të cilat u vlerësua me çmime të para dhe absolute./KultPlus.com

Më 27 qershor mbahet audicioni për çmimin Special të Chopin Piano Fest

Audicioni për Çmimin Special për piano që ndahet në kuadër të ChopinFest-it për një të ri /të re të talentuar nga Kosova, do të mbahet me 27 qershor 2018. Ndarja e këtij çmimi ishte menduar që të bëhej gjatë edicionit të 9-të të festivalit mirëpo ndarja e tij ishte shtyrë për të iu mundësuar më shumë hapësirë aplikuesve, shkruan KultPlus.

Të drejtë pjesëmarrjeje në audicion kanë studentët e pianos së Fakultetit të Arteve të UP-së dhe nxënësit e pianos së shkollave të muzikës të Kosovës fitues të çmimeve në gara paraprake, të cilët në repertorin e tyre kanë të përgatitur një program në kohëzgjatje prej 60 minutash në rast se do të përzgjidheshin si fitues.

Në audicionin përzgjedhës, kandidatët duhet të performojnë një program prej 45 min. duke përfshirë një vepër obligative të Beethoven-it, përveç Sonatave, Variacioneve, Bagatellave mund të luhen edhe vepra tjera më të shkurtra nga ky kompozitor.
Pjesa tjetër e repertorit është e lirë. Inkurajohen kandidatët që në program të përfshijnë një pjesë nga kompozitorët shqiptarë. Programi në audicion luhet përmendësh.

Paraprakisht, deri me datën 20 qershor, të interesuarit duhet të aplikojnë duke dërguar organizatorëve në emailin [email protected], program-propozimin e recitalit (në formë të shkruar, komplet programin në kohëzgjatje prej 60 min dhe një pjesë për bis (encore)) te cilin kandidati fitues do ta luante në Bonn ne rast se shpallet fitues.
Kandidatët që nuk aplikojnë me programin e shkruar dhe me detajet përkatëse deri me 20 qershor, nuk do të mund të luajnë në audicion ndërsa kandidatët fitues të edicioneve paraprake të ChopinPianoFEST-Çmimit Special ) nuk do të kenë të drejtë garimi.

Në këtë edicion çmimi special i Chopin Fest-it përfshin: një koncert recital në Bonn (Gjermani) që do të mbahet në tetor 2018, kontakt me Universitetin për Muzikë dhe Vallëzim (Hochschule für Musik und Tanz HfMT) në Köln (Gjermani) dhe vizitë në vendet me rëndësi muzikore historike në Bonn (Shtëpinë e Beethoven-it dhe shtëpinë e Schumann-it). Të gjitha shpenzimet janë të mbuluara nga sponsori i çmimit. Kujtojmë se vitin e kaluar fituese ishte pianistja Fortesa Jusufi./ KultPlus.com

Chopin Piano Fest nesër sjellë koncertin e fundit me Filharmoninë e Kosovës

Chopin Piano Fest këtë vit po e sjellë edicionin e 9-të me radhë, me gjithsej katërmbëdhjetë mbrëmje koncertale. I gjithë ky festival do të përmbyllet këtë javë me koncertin e fundit me Filharmoninë e Kosovës, e cila do të dirigjohet nga dirigjenti gjerman, Boian Videnoff dhe me lojën pianistike të pianistit të njohur italian, Giovanni Bellucci.

Në pjesën e parë të koncertit do të interpretohen veprat e kompozitorëve të njohur Luëig Van Beethoven “Koncert për piano dhe orkestër nr.4 në G- dur, Op.58” urse pjesa e dytë përmban një nga veprat me voluminoze të Franz Schubert “Simfonia Nr.9 në C-dur”, shkruan KultPlus.
Drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari këtë koncert e karakterizon bashkëpunimi tradicional me Chopin Piano Fest që kësaj here ka sjellë Giovani Bellucci që ësht një nga pianistet më të shquar në skenën botërore.

“E falendërojmë Chopin Festin që kanë arritur ta sjellin këtë emër të njohur këtu në Prishtinë. Publiku nesër do të ketë rast të bindet që kemi të bëjmë me një kalibër të veçantë kjo bazuar edhe në provat e sotme që na ka lenë pa tekste orkestrën dhe të gjithë neve”, u shpreh Jashari në konferencën për media.
Pianisti i njohur italian Giovanni Bellucci konsiderohet si një nga pianistet më me ndikim të kohës. Ai vjen për herë të parë në Kosovë dhe lidhur me këtë tha se ndihet i lumtur që nesër do të interpretoi së bashku me orkestrën dhe me dirigjentin Bion Videnoff.

“Fillimisht faleminderit që më keni ftuar në festivalin e Chopenit, po ashtu të luash Bethoveenin në një festival të Chopin-it është shumë interesante pasi që siç e dimë Chopini nuk e preferonte Bethoveenin. Koncertet e Bethoveenit janë një nga veprat monumentale dhe është shumë kënaqësi ta luash në piano posaçërisht dhe Schubertin me të cilin ishin të afërm por jo miq, tregoi Bellucci.

Dirigjenti gjerman, Boian Videnoff tha se është një kënaqësi e madhe që të vij këtu ku nuk ndihet më si mysafir por si anëtar i familjes.
“Është kënaqësi të kthehem këtu ku kam mjaft miq dhe duke u bazuar edhe në prova ishte eksperiencë e mirë interpretimi së bashku me Giovannin me t ë cilin shikojmë lojën detajisht e veçmas dhe është shumë kënaqësi ta luajmë këtë program në këtë renditje”, tregoi ai.
Veçmas ai tregoi për veprën e Schubertit e cila është një vepër monumentale dhe me një kohëzgjatje dhe që është rimodeluar gjatë gjithë kohës, ndërsa është një vepër shumë kërkuese edhe për orkestrën dhe që të ngjall admirim në secilën pjesë ndërsa tha se shpreson që do ta sjellim në atë mënyrë këtë vepër që është kërkuese dhe mjaft e bukur për t’u luajtur nga orkestra.

“Po ashtu një anektodë është se Schuberti derisa shkruante këtë vepër, ai u kishte thënë “Mendoj se më duhen më shumë prova harmonike”, dhe ai ka krijuar një nga perlat më të mira, dhe kjo tregon se ai ishte një personalitet që gjithmonë është në kërkim, i cili është kthyer duke krijuar pjesë të njëjta në mënyrë të ndryshme”, tregoi Videnoff.

Besa Luzha nga Chopin Piano Fest tregoi gjithmonë perpiqen që ta shpalosim pianon në role të ndryshme, në shumë raste si instrument solistik duke ofruar recitale nga pianistet më të njohur të shkollave dhe stileve të ndryshme të interpretimit me raportuar sa më të larmishëm si dhe në duete. Ajo po ashtu tregoi se Drejtoresha Artistike e Festivalit gjithnjë ka menduar se bashkëpunimi me orkestrën shpalos veprat më të rëndësishme për këtë festival dhe për orkestrën dhe kjo është arsyeja që gjithnjë e përfundojnë me Filharmoninë e Kosovës ndërsa shtoi se janë me fat që këtë edicion po i sjellin këto vepra me lojën e pianistit Belluccci me të cilin është e lehtë që të zgjedhën veprat e njohura.

“Besoj që të gjitha festivalet janë duke e plotësuar një boshllëk në jetën kulturore dhe pa këto festivale jeta kulturore do të ishte shumë e zbrazët dhe i falënderojmë të gjithë ata që na kanë mbështetur. Të gjithë së bashku po e plotësojmë këtë mozaik për të treguar që jemi një vend që kultivojmë vlerat artistike”, tha Besa Luzha.

Dy vepra të tjera që ishin paraparë të interpretohen në këtë koncert, nuk do të jenë të pranishme për shkak të mungesës së partiturave dhe shtëpive botuese.

Ky koncert do të mbahet të martën në Sallën e Kuqe të Pallati i Rinisë, duke filluar nga ora 20:00./ KultPlus.com

Interpretimi i pianistit Gottlieb Wallisch mbërtheu audiencën prishtinase (FOTO)

Për tri net radhazi, piano e vendosur në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare është bërë një instrument, nga i cili po nxjerrin tinguj pianist të njohur nga vende të ndryshme të botës. Kjo pasi që Chopin Piano Fest është bërë një adresë e depërtimit të lojës së tyre për publikun e Prishtinës. Për ta shënuar natën e tretë, të edicionit të nëntë të këtij festivali, rrugën drejt Kosovës e kishte marrë një pianist tjetër nga Austria.

Gili Hoxhaj

Piano e vendosur në qendër të skenës së Amfiteatrit të Bibliotekës Universitare, kësaj herë po mirëpriste lojën e pianistit nga Austria, Gottlieb Wallisch. Vepra të kompozitorëve të njohur si: Haydn, Liszt, Brahms e Schubert erdhën mbrëmë përmes lëvizjeve të duarve të këtij pianisti. Pozicionimi i tij pranë pianos, e loja mbi tastet e saj dëshmon për profesionalizmin e këtij pianisti që numëronte mjaft koncerte. Wallisch është një nga përfaqësuesit kryesor të brezit të ri të artistëve austriakë. Virtuoziteti dhe indivualiteti sovran janë shenjat dalluese të lojës së tij. Ai gjatë karrierës së tij pianistike, numëron jo dhe pak çmime ndërkombëtare.

Në sallën ku po mbahej koncerti, përkushtimi i pianistit po përcillej me një përqendrim maksimal nga të pranishmit që po e shijonin çdo tingull të lojës së tij. Loja kishte një ritëm më të ngadaltë, e herë shkonte duke u shpejtuar, duke e shtuar kështu dukshëm intensitetin e lëvizjeve të duarve të pianistit nga Austria. Qëndrimi për më shumë se një orë pranë pianos, e interpretimi i veprave të tjera, bëri që mbrëmja e tij koncertale të kulmojë në interpretimin e veprave të Schubert-it “Allgretoo in c minor. D 915 dhe tri pjesë të “Drei Klaveirstucke op. Posth.,D.946”. Kjo edhe si rezultat e përjetimit që ka pianisti ndaj këtij veprave të kompozitorit.

“Schubert është një nga autorët që unë e admiroj çdo ditë e më shumë, sa herë që e luaj, e dua dhe më shumë. Kjo është edhe arsyeja përse e luajta në pjesën e dytë të koncertit”, tha Wallisch për KultPlus.
Veprat që ai i solli sonte, tha se i ngjajnë më shumë një programi austro-hungarez, për shkak se flasin për historinë e popullit të tij. Këta autorë kanë lidhje me Austro-Hungarinë për shkak se të gjithë kanë kaluar kohë në këto vende dhe kjo ka ndikuar edhe te ata.

Koncerti i tij i mbrëmshëm për pianist Wallisch ishte i treti me radhë pranë publikut të Kosovës, për herë të parë kishte ardhur në vitin 2010, për t’u kthyer pas katër viteve në vitin 2014 dhe përsëri mbrëmë, po ashtu pas katër viteve. Ai tha se është një kënaqësi e jashtëzakonshme që të kthehet përsëri këtu dhe të jetë pjesë e Chopin Piano Fest Prishtina.

“Unë isha shumë i lumtur kur e mora ftesën dhe mendoj se i gjithë festivali është i mrekullueshëm dhe kjo skenë është e duhura për një festival të tillë. Jam shumë i lumtur edhe për faktin se audienca është shumë entuziaste, po ashtu ishin shumë të qetë gjatë interpretimit që tregon se ata janë duke dëgjuar me shumë koncentrim”, tha tutje pianisti Gottlieb Wallisch.

Në mesin e të pranishmëve që kishin ardhur ta ndjekin këtë koncert, ishte edhe pianistja e njohur nga Kosova, Ardita Statovci. Pas duartrokitjeve të koncertit, e bisedave me të pranishmit e pianistet e rinj, ajo ndau me KultPlus disa përshtypje për këtë koncert. Ajo tha se kjo ishte një mbrëmje shumë e bukur dhe se Gottlieb Wallisch është një pianist i shquar, ndërsa shtoi se ajo që i bëri përshtypje është shkolla e tij dhe mënyra e të menduarit që përfaqëson shkollën pianistike austriake.

“Me Haydn dhe Schubertin kishte prezantimin e drejtpërdrejtë të shkollës austriake, të klasikes vjeneze me Haydn-in dhe pastaj me Schubertin, menjëherë fillimin e Romantizmit. Për mendimin tim, me Schubertin u arrit kulminacioni i mbrëmjes, duke i nxjerrë në pah të gjitha karakteret që Schuberti i vë në pjesët e fundit D.946”, tha pianistja Ardita Statovci për KultPlus.

Ajo tutje tha se ndihet e impresionuar edhe nga reagimi i publikut që shpërfaqi një vëmendje të jashtëzakonshme ndaj lojës së këtij pianisti. “E mrekullueshme ishte edhe që kishim një publik shumë të qetë dhe shumë motivues, ishte një mbrëmje shpërblyese edhe për pianistin edhe për publikun. Duke ju falënderuar gjithmonë Chopin Piano Fest-it që na sjellë gjithmonë këso mbrëmjesh kaq të bukura, siç thuhet se muzika është ajo që e fisnikëron shpirtin”, u shpreh Statovci për KultPlus.

Sonte në kuadër të Festivalit Chopin Piano do të interpretojnë duo nga Kroacia, Lovre Marusic dhe Latica Anic. Mbrëmja do të filloi nga ora 20:00, në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare./ KultPlus.com