Në qytetin e Gjirokastrës vijojnë përgatitjet Festivalin Folklorik Kombëtar, i cili pritet të zhvillohet në muajin qershor.
Në festival pritet të performojnë artistët e folkut nga hapësira mbarëshqiptare.
Kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi ndau momente nga konkurrimi i grupeve të Gjirokastrës që do të përfaqësojnë këtë qytet në skenën magjike të Festivalit Folklorik Kombëtar.
Festivali i parë Folklorik Kombëtar u zhvillua në vitin 1968, në kalanë e gurtë të Gjirokastrës. Pres asaj kohe, festivali është zhvilluar çdo pesë vjet. Vitet ’70 mund të konsiderohen edhe si kulmi i pjesëmarrjes në këtë festival, ku pati më shumë se 1 mijë pjesëmarrës të përzgjedhur./atsh/KultPlus.com
“Ish vendstrehimi luftarak i Luftës së Ftohtë në Gjirokastër tashmë është kthyer në një prej vendeve më të preferuara për tu vizituar nga turistët vendas dhe të huaj. Historia, objektet që ndodhen përgjatë këtij muzeu ofrojnë kërshëri dhe interes për turistët.
Tuneli i gjithi i ndërtuar prej betoni, shtrihet në një gjatësi prej 1 km, nën muret e Kalasë së Gjirokastrës.
I ndërtuar në vitet 70-të të shekullit të kaluar, vendstrehimi luftarak i përngjan një qyteze nëntokësore me rreth 80 dhoma, të cilat do të përdoreshin në rast të një sulmi eventual gjatë periudhës së komunizmit.
“Tuneli është një atraksion turistik, i cili tërheq mjaft turistë. Tuneli është ndërtuar për njerëzit elitë në kohën e komunizmit dhe është një investim kolosal nga ana e qeverisjes komuniste dhe është një gjë mjaft interesante për të huajt por sigurisht dhe për shqiptarët”, u shpreh Xhulio Rexha, ciceron.
Ndërsa funksionon si Muze i Luftës së Ftohtë historiku dhe mënyra e ndërtimit bëjnë që tuneli prej betoni të jetë një dëshmi nteresante për atë periudhë.
“Turisti tërhiqet më shumë nga gjërat autentike që janë në këtë bunker sepse çdo gjë është origjinale dhe kthehen mbrapa në kohë duke parë pajisjet dhe objekte të komunizmit”, theksoi Rexha.
Gjatë vitit 2022 më shumë se 3500 turistë vituan këtë atraksion. Krahas vlerave arkitektonike reliket e ish-sistemit komunist e bëjnë më tërheqëse guidën turistike të Gjirokastrës./gazetatema/ KultPlus.com
“Bonusi i Rijetësimit” është një nga projektet madhore të qeverisë, prej të cilit deri më tani kanë përfituar 40 aplikantë, pronat e të cilëve po u nënshtrohen restaurimit.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ndau sot në rrjetet sociale historinë e një emigranti nga Gjirokastra, i cili është përfitues i këtij bonusi, falë të cilit ka shndërruar në bujtinë një godinë tejet të amortizuar.
“Pas vitesh në emigracion, Mariglen Ligu u kthye në vendin e lindjes dhe investoi në sektorin e turizmit. Me mbështetjen e Bonusi i Rijetësimit, ia arriti të shpëtojë një ndërtesë, monument kulture, kategoria II, në Gjirokastër, duke e shndërruar në një bujtinë”, shkruan Margariti.
Bonusi i Rijetësimit nuk mbron vetëm trashëgiminë tonë kulturore e historike, por mbështet mbi të gjitha familjet dhe u vjen në ndihmë qytetarëve duke u ofruar përmes restaurimit të banesave kushte më të mira jetese në shtëpitë e tyre.
Ky projekt do të vazhdojë edhe përgjatë vitit 2023, me një fond shtesë prej 50% të atij aktual.
“Polifonia te trashëgimia” ishte aktiviteti i organizuar nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër, në shkollën 9-vjeçare “Asim Zeneli”, ku së bashku me ekspertin e trashëgimisë kulturore Shkëlqim Guce u fol për isopolifoninë, historinë, ndarjen sipas krahinave dhe më e rëndësishmja, përcjelljen e saj në breza.
Embëlsia e këtij aktiviteti ishin fëmijët të cilët interpretuan këngë dhe valle folklorike.
Në fjalën e tij për nxënësit, drejtori i DRTK Gjirokastër, Ardis Duka tha se fëmijët janë ata që na mësojnë vlerën që ka koha dhe mënyrën si duhet ta shfrytëzojmë atë, duke mbushur ditët tona me vlera të tilla si elementet kulturore të vendit tonë të cilat i kemi të shumta dhe na pasurojnë si komb.
“Ne jemi gjithmonë këtu për ju dhe mbështetje të talentit tuaj”, u shpreh Duka duke falënderuar për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe krahun mbështetës të këtyre fëmijëve, drejtuesin e shkollës, Astrit Ismaili si dhe gjithë stafin pedagogjik të shkollës dhe prindërit e fëmijëve.
“Isopolifonia popullore shqiptare” është në listën e “Kryeveprave të trashëgimisë jomateriale të njerëzimit” mbrojtur nga UNESCO, që prej 25 nëntorit të vitit 2005./atsh/ KultPlus.com
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ka ndarë në rrjetet sociale lajmin se Festivali Folklorik i Gjirokastrës do të rikthehet.
“Viti 2023 vjen me lajme të mira. Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës rikthehet në muajin qershor”, shkruan ministrja Margariti.
Parada e motiveve, ritmeve, ngjyrave, këngëve, valleve, riteve do të shpalosen në paradën që do të zhvillohet në qytetin e gurtë. Ministrja shkruan se përgatitjet për këtë festival tashmë kanë filluar.
Festivali i parë Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës u zhvillua në vitin 1968, në kalanë e gurtë të Gjirokastrës. Pres asaj kohe, festivali është zhvilluar çdo pesë vjet.
Vitet `70 mund të konsiderohen edhe si kulmi i pjesëmarrjes në këtë festival, ku pati më shumë se 1 mijë pjesëmarrës të përzgjedhur.
Festivali i Gjirokastrës ka qenë i konceptuar në formën e një gare folklorike, ku deri në festivalin e vitit 1988, janë dhënë çmime për grupet më të mira, ndërkohë që në edicionet e fundit të tij çmimet do të ndaheshin për bartësit dhe interpretuesit e folklorit. / KultPlus.com
“Rikthimi në shtëpi” ishte aktiviteti i organizuar nga bashkia Gjirokastër dhe Këshilli i Qarkut, në nder të figurës së shquar gjirokastrite, Musine Kokalari.
Vlerat historike, arkitektonike, monumentet e kulturës, trashëgimia kulturore jomateriale janë shndërruar në elementë të rëndësishëm për zhvillimin e turizmit. Këto vlera të krijuara në shekuj janë margaritarë, të cilat e veçojnë Gjirokastrën edhe në rang botëror si pjesë e UNESCO-s.
Pjesë e aktivitetit ishte revokimi i kontributit që ka dhënë intelektualja dhe disidentja Musine Kokalari në lëmin e studimeve për traditat, doket dhe zakonet e zonës së Gjirokastrës, ndërsa u prezantua edhe botimi që mban autorësinë e saj i titulluar “Nënë Zejnebija”.
Shoqata TID Gjirokastra ju bashkua aktivitetit për të fokusuar të tilla aktivitete në zonë të cilat i japin unitet zonës, dhe promovojnë vlerat e trashëgimisë kulturore për të cilat vizitorët e huaj tregojnë interes të lartë./ atsh / KultPlus.com
Muzeu i Luftës së Ftohtë në Gjirokastër gjatë sezonit veror, por jo vetëm ka tërhequr vëmendjen e turistëve vendas e të huaj.
Ky muze tashmë është një atraksion më shumë për turistët, të cilët vizitojnë qytetin e Gjirokastrës.
Drejtoria e Turizmit, Trashëgimisë dhe Sporteve në bashkinë e Gjirokastrës bëri të ditur për ATSH-në se “nga janari deri në gusht 2573 turistë vendas e të huaj kanë vizituar tunelin e luftës së ftohtë”.
“Vizitorët, kryesisht ata të huaj, i tërheq historia e ish-vendstrehimit të ndërtuar gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë”, theksoi Drejtoria e Turizmit në bashki.
Muzeu i Luftës së Ftohtë funksionon në vendstrehimin luftarak prej betoni, që u ndërtua në fillim të viteve 1970. Tuneli, i cili përshkon pjesën e poshtme të shkëmbinjve, mbi të cilët ngrihet kalaja e qytetit, është i gjatë rreth 800 metra.
Në mjediset e brendshme të tij janë ndërtuar një sërë aksesorësh, të cilët do të shërbenin për akomodimin e ish-udhëheqjes komuniste lokale të atyre viteve në rast të një sulmi eventual nga jashtë.
Vendstrehimi përbëhet prej 80 dhomash, salla mbledhjesh, ambiente pune, pushimi, madje pjesë e tij është edhe një depo për furnizimin me ujë të pijshëm, centrali elektrik etj./ atsh / KultPlus.com
Në fundjavë ka vazhduar cikli i fundjavave të këngës polifonike, në qytetin e Gjirokastrës, duke tërhequr vëmendjen e artdashësve të këngës popullore por edhe turistëve. Prej fillimit të muajit gusht iso-polifonia ka zbritur çdo fundjavë në Pazarin karakteristik të Gjirokastrës, në një event të titulluar “Iso mbi kalldrëm”, në kuadër të të cilit grupe të ndryshme popullore, interpretojnë në ambient të hapur, duke u bërë një prej atraksioneve kryesore të mbrëmjeve gjirokastrite.
Në skenat artistike të improvizuara përgjatë rrugëve të kalldrëmta kanë performuar disa prej grupeve të mirënjohura të këngës popullore labe si grupi “Ergjëria” dhe “Cfakës”. Sipas kryetarit të bashkisë Flamur Golemi, në koncertet që kanë si skenë ansamblin arkitektonik të Pazarit karakteristik, artistët popullorë po shpalosin për artdashësit dhe turistët vlerat më të spikatura të këngës iso-polifonike, të kësaj pasurie të UNESCO-s.
“Organizimi synon të kthehet edhe në një pikë tërheqëse për guidat e turistëve vendas dhe të huaj që vizitojnë këtë verë Gjirokastrën”, pohon kryebashkiaku Golemi.
Përgjatë kësaj vere Bashkia Gjirokastër po organizon aktivitete kulturore dhe artistike të cilat tërheqin edhe grupet turistike./ atsh / KultPlus.com
Nis “Çeço Fest”, festivali ndërkombëtar i DJ-ve, i cili do ta mbajë zgjuar qytetin e Gjirokastrës për 3 netë rresht. “Çeço Fest”, tashmë i kthyer në një event të përvitshëm, do të zhvillohet në kalanë madhështore të Gjirokastrës.
Ky festival ka në thelb ka muzikën elektronike të viteve të fundit që luhet nga DJ të njohur në jetën e natës, në vend dhe më gjerë.
DJ nga Shqipëria e vende të ndryshme të botës, do të performojnë në një atmosferë mistike, mes mureve të lashta të kalasë, tingujve dhe efekteve vizive.
Festivali premton të sjellë një përvojë aspak të zakonshme për netët verore të një qyteti që është pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.
Disa nga DJ-të që do të luajnë janë AD Disha, Bani D, Pa emër, Edessa, Equinoxx, Chriss V, Didymus, Abstraal, Nidal Jr, Ison etj.
Festivali ka mbështetjen e bashkisë Gjirokastër dhe të Ministrisë së Kulturës./atsh/ KultPlus.com
Nisi programi “Open Cinema” ose “Kinemaja shëtitëse”, në qytetin e Gjirokastrës, i cili parashikon shfaqjen e filmave për 3 net rresht.
Ky program vjen si nismë e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, për ta çuar filmin sa më pranë publikut dhe jo vetëm në kryeqytet.
Bashkia Gjirokastër, Qendra Kombëtare e Kinematografisë, Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit, Production Cinemania, janë disa nga mbështetësit e këtij eventi, i cili pas një kalimi në qytete të tjera të vendit, solli kinemanë verore në qytetin e bukur të Gjirokastrës.
Show kinematografik ka në permbajtjen e tij, filma shqiptarë dhe të huaj, të cilët nisën projeksionin në sheshin përballë Teatrit “Zihni Sako”. Pas shfaqjes së filmit, të pranishmit patën mundësinë të shijonin edhe muzikë live.
Ky projekt parashikon një sërë aktivitetesh verore dhe vjen si bashkëpunim i AQSHF dhe Cinema Production.
Këtë verë, filmi shqiptar dhe i huaj do të “shëtisë” në sheshet e disa qyteteve të Shqipërisë, duke shtuar një aktivitet më shumë edhe për pushuesit gjatë sezonit veror. / KultPlus.com
Emri i qytetit të Gjirokastrës mësohet të jetë përmendur në shekullin XIII, për herë të parë. Ndërsa fillimet e qytetit mendohet të jenë pas rënies se Adrianopolit. Ka disa versione për prejardhjen e emrit të qytetit. Një legjendë thotë që gjatë rrethimit të qytetit nga turqit, Princesha Argjiro, motra e zotit të qytetit u hodh nga muret e kalasë bashkë me djalin e saj. Që këtu rrodhi edhe emri “kalaja e Argjirosë” dhe mori emrin qyteti.
Por ky version është i pamundur mbasi emri i qytetit përmendet që në kohën e Bizantit, pra para pushtimit osman. Sipas një shpjegimi tjetër më pak poetik, qyteti e ka rrënjën e emrit nga greqishtja, Argyró-kastro që do të thotë kështjellë e argjendtë. Një shpjegim i tretë lidhet me emrin e një fisi vendas që jetonte pranë Gjirokastrës: Argjirët.
Versioni i katërt lidhet sërish me kështjellën që mendohet të jetë nisur së ndërtuari nga Gjin Bue Shpata, i cili i dha emrin qytetit, Gjino-kastër. /HEJZA/ KultPlus.com
Gjatë qëndrimit në jug të Shqipërisë, shkrimtari dhe historiani Jusuf Buxhovi, i shoqëruar nga botuesi amerikan Ramiz Tafilaj, pati një takim tejet mbresëlënës letrar në bibliotekën e qytetit “Apostol Meksi” me krijues, lexues, e ku morën pjesë edhe prefekti i qarkut Odise Kote, Kryetarja e Qarkut të Gjirokastrës, Lindita Rova dhe kryetari i bashkësisë Gjirokastër, Flamur Golemi.
Bashkëbisedimi letrar u udhëhoq nga poeti Odise Kote, i cili paraqiti portretin letrar të shkrimtari Buxhovi me ç’rast u vlerësua me pietet proza e autorit si një vlerë e rëndësishme e letërsisë kombëtare. Autori u përshëndet edhe nga Lindita Rova dhe Flamur Golemi.
Me këtë rast, të pranishmëve dhe bibliotekës “Apostol Meksi” iu dhuruan 80 libra, për ç’gjë, nga Biblioteka autorit iu dha mirënjohje. / KultPlus.com
Qilimat tradicionalë të zonës së Gjirokastrës u ekspozuan fundjavën që lamë pas në Pazarin e qytetit të gurtë.
“QilimFest” ishte konceptuar si një mënyrë e veçantë për njohjen me mënyrat e përpunimit të tekstilit tradicional dhe punimeve karakteristike me të si: qilima, rrugica, sixhade, etj.
Në pika të ndryshme të Pazarit karakteristik ishin vendosur elementët e përgatitjes dhe endjes së qilimave tradicionalë. Pjesë e guidës për të pranishmit ishte këndi i qethjes së bagëtive, tjerrjes dhe endjes së leshit, dizenjimit, këndi i tezgjahut etj.
Pjesë tërheqëse e këtij aktiviteti ishin edhe performancat artistike të grupeve të muzikës popullore, të lehtë dhe muzikës instrumentale. Sipas kryetarit të bashkisë Flamur Golemi, organizimi i “QilimFest” është pjesë e programit të aktiviteteve për gjallërimin e qytetit dhe tërheqjen e turistëve vendas dhe të huaj.
“Prej fillimit të vitit ne kemi organizuar aktivitete të ndryshme të cilat i shërbejnë edhe zhvillimit të turizmit”, tha Golemi.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, u shpreh se aktivitetet që promovojnë vlerat e traditës popullore, janë elementë të veçantë për nxitjen e turizmit dhe tërheqjen e vizitorëve vendas dhe të huaj, aq më tepër në atraksione të tilla siç është Gjirokastra.
”Synojmë që tashmë në Gjirokastër të kemi një zhvillim cilësor dhe të qëndrueshëm të turizmit gjithëvjetor”, u shpreh Kumbaro.
Kumbaro u shpreh se “meritën për organizimin e këtij aktiviteti e ka bashkia dhe shoqata e bizneseve të Pazarit, të cilat kanë hyrë në kalendarin e tyre të përjavshëm e përmuajshëm për ta bërë Gjirokastrën jo vetëm me 3 muaj turizëm, por me 12 muaj”.
Pjesëmarrës në këtë aktivitet kanë qenë edhe disa ministra të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Hajrulla Çeku, ministër i Kulturës së Kosovës, është shprehur se Shqipëria dhe Kosova tashmë po formësojnë një treg të përbashkët turistik.
“Ne do të mbështesim gjithmonë e më shumë organizimin e aktivitete të tilla të cilat promovojnë vlerat e traditës sonë kombëtare dhe janë të kërkuara për turizmin”, u shpreh ministri Çeku.
Qilimat me motive dhe ngjyra të shumëllojta, të cilët mbuluan kalldrëmet e gurta, janë realizuar që prej fillimit shekullit të kaluar si pjesë e një traditë po aq të vjetër sa Gjirokastra.
Gjatë gjithë ditës artizanet gjirokastrite demonstruan traditën e punës në tezgjah, të shoqëruar me kënde të ndryshme muzikore të polifonisë, muzikës instrumentale dhe grupeve live të jetës së natës.
Sipas artizaneve gjirokastrite, këto aktivitete vlejnë shumë për të promovuar këtë traditë të hershme të endjes së qilimave, por edhe për të mësuar brezin e ri në mënyrë që trashëgohet brez pas brezi.
“Procesi i punës për një qilim fillon me endjen me fill pambuku, më pas fillohet thurja me fill leshi që është i cilësisë së parë. Gjithashtu, për bërjen e një qilimi duhet dhe vizatimi teknik, i cili ka të bëjë me simbolet kombëtare dhe kulturore të vendit tonë. Për prodhimin e një qilimi prej 1 metër katror duhen gati shtatë ditë dhe një punë intensive prej tetë orësh”, shprehen artizanet.
Përgjatë muajit maj bashkia Gjirokastër do të vazhdojë organizimin e aktiviteteve të ndryshme duke mundësuar edhe tërheqjen e turistëve në qytetin e gurtë./ atsh / KultPlus.com
Një koreografe dhe dy balerinëve italiane nga Rajoni i Puljas përgatitën për ditë me radhë fëmijët e një shkolle lokale arti në Gjirokastër për të vënë në skenë shfaqjen “Kërcim në ajër”.
Shfaqja prezantuese ishte i pari produkt i një laboratori të kërcimit që themelohet me bashkëpunim dypalësh.
“Tema lindi nga bukuria e takimeve të veçanta dhe unike të këtyre ditëve ne Gjirokaster midis artistëve italiane dhe kërcimtarëve te rinj gjirokastritë. Çdo moment ishte një përqafim, përshëndetje apo inkurajim për një sfidë, rehati apo emocion për një qëllim të arritur, entuziazëm apo energji e pastër fizike, e zhurmshme dhe shpërthyese”, thotë Elisa Barucchieri, koreografe e shfaqjes.
Shfaqja ishte produkt i një bashkëpunimi më të hershëm pjesë e programit “Teatri për përfshirjen sociale”.
Teatri i Gjirokastrës është duke përfunduar restaurimin si pjesë e këtij bashkëpunimi dhe do të çelë sërish dyer në qershor pas një pauze gati 3 vjeçare.
Problemi më i madh që po vuan Gjirokastra por edhe qytete të tjera të Jugut lidhet me largimin e vazhdueshëm të profesionistëve të artit por edhe të të rinjve që nuk shohim perspektivë nëse edukohen lokalisht./TopChannel/ KultPlus.com
Sot në Ditën Ndërkombëtare të Monumenteve, vizitorët do të kenë mundësi të vizitojnë falas të gjitha monumentet dhe sitet arkeologjike të vendit tonë.
Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila tha se “sot është Dita Ndërkombëtare e Monumenteve dhe Siteve, që këtë vit i dedikohet mbrojtjes së klimës.
Një ditë për të reflektuar mbi dëmet që mund t’i shkaktoheshin monumenteve për shkak të ndryshimeve klimatike. Fati i tyre varet vetëm nga sjellja jonë karshi natyrës. Sot, hyrja është e lirë në parqet arkeologjike“.
Vizitorët do të kenë mundësi të shijojnë jo vetëm pasuritë e trashëgimisë kulturore, por të marrin pjesë edhe në aktivitetet që do të zhvillohen pranë tyre si ekspozita fotografike, promovime librash, koncerte, trajnime, punëtori dhe leksione të hapura.
Vizitorët dhe turistët e huaj mund të vizitojnë plot monumente kulture dhe site, si atraksione turistike dhe historike që nga parqet arkeologjike të Amantias, Orikut, Finiqit, Apolonisë, parkun arkeologjik të Bylisit, Antigonenë, si dhe Butrintin.
Gjithashtu turistët mund të vizitojnë edhe disa kala si në Shkodër, Berat, Lezhë, Krujë, kalanë e Kaninës, të Himarës, Porto Palermos etj.
Muzetë, kalatë dhe parqet arkeologjike gjatë vitit 2018 kanë mirëpritur 378 mijë turistë vendas dhe të huaj.
Dita Ndërkombëtare e Monumenteve të Kulturës dhe Siteve kujtohet prej vitit 1983, kohë kur Konferenca e Përgjithshme e UNESCO-s u rekomandoi shteteve anëtare që të shqyrtonin mundësinë e deklarimit të 18 prillit të çdo viti si “dita ndërkombëtare e monumenteve dhe vendbanimeve historike”.
Dita ndërkombëtare e monumenteve dhe vendbanimeve historike paraqet një mundësi për të gjithë Komitetet Kombëtare të ICOMOS-s që të mbrojnë qëllimet e tyre të përbashkëta në të njëjtën ditë.
Në këtë ditë ofrohet mundësia për të rritur ndërgjegjësimin e qytetarëve, banorëve të zonave historike, rreth vlerave muzeale dhe kërkohet përpjekje për të mbrojtur, konservuar, restauruar dhe rijetësuar dhe vënë ato në dobi të një turizmi kulturor me cilësi. /k.s/ KultPlus.com
Rindërtimi i Teatrit “Zihni Sako” në Gjirokastër, një hapësirë e re kulturore për komunitetin e për vizitorët e qytetit të gurtë, është drejt përfundimit.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga ky kantier ndërtimi, një investim i mezipritur nga aktorët, por edhe nga publiku që i Gjirokastrës.
Kjo hapësirë tejet e rëndësishme për jetën kulturore e artistike në Gjirokastër po transformohet falë mbështetjes së qeverisë italiane përmes programit IADSA, me një fond rreth 43 milionë lekë, ndërsa një pjesë tjetër të buxhetit e ka vendosur vetë bashkia.
Teatri “Zihni Sako” u themelua në 27 nëntor 1968 nën udhëheqjen e regjisorit Bernard Kokalari, i cili vuri për herë të parë në skenën premierën dramatike “Shokët”. Plejada e aktorëve të teatrit “Zihni Sako”, kanë dhënë mbi 100 premiera dhe ka marrë pjesë në takimet kombëtare, ku ka merituar edhe çmime. / atsh / KultPlus.com
Rreth 90 mijë turistë vendas dhe të huaj vizituan gjatë vitit 2021, qytetin e Gjirokastrës dhe rrethinat e tij.
Sipas bashkisë Gjirokastër, përgjatë vitit të kaluar vizitueshmëria nga turistët regjistroi rritje duke tejkaluar vështirësitë e shkaktuara nga pandemia.
Muzeu i Armëve dhe Muzeu i Luftës së Ftohtë, mirëpritën 7 mijë turistë vendas dhe të huaj ndërkohë që dy muzeumet e tjera, Muzeu Etnografik dhe Shtëpia Kadare janë në proces rikonceptimi.
Nxitja dhe zhvillimi i turizmit të qëndrueshëm është një prej prioriteteve kryesore të Bashkisë Gjirokastër.
Përgjatë këtij viti bashkia në bashkëpunim me qeverinë dhe donatorë të tjerë synon zbatimin e ndërhyrjeve për rijetëzimin e objekteve të trashëgimisë kulturore, rikonceptimin e muzeve dhe organizimin e një kalendari të pasur aktivitetesh në shërbim të zhvillimit të turizmit.
E njohur për shtëpitë e veta karakteristike, çatitë prej guri dhe muret e bardha, Gjirokastra është një nga pikat kryesore të turizmit në vend.
Kalaja e gurtë, parku i Antigonesë, muzetë e qytetit vazhdojnë të ngelen më të preferuarat për t’u vizituar nga grupet turistike vendase dhe të huaja përgjatë guidave dhe udhëtimeve të tyre në zonën e Gjirokastrës./atsh/ KultPlus.com
Në qytetin e Gjirokastrës vijon puna për kthimin në identitet të rrugëve të kalldrëmta, një ndër vlerat përfaqësuese të qytetit të gurtë.
Mjeshtrit e kalldrëmeve vijojnë të skalitin në gur identitetin e Gjirokastrës.
Pas përfundimit me sukses të rehabilitimit të infrastrukturës dhe restaurimit të kalldrëmeve në Pazarin e Gjirokastrës, Fondi Shqiptar i Zhvillimit vazhdon me sagën e projekteve në këtë qytet që mbart vetëm vlera.
Janë drejt përfundimit punimet për ndërhyrjen “Restaurimi dhe Interpretimi i shtegut të Edward Lear dhe Udhëtarëve”. / KultPlus.com
Në këtë fundvit, Gjirokastra e gurtë, është mbuluar nga manteli shumëngjyrësh i festave.
Qyteti, zona historike dhe ajo moderne, pazari tradicional, rrugët e kalldrëmta, komplekset e shtëpive karakteristike janë zbukuruar nga një dekor i veçantë, i cili e bën magjike dhe mbresëlënëse atmosferën e Fundvitit, për banorët dhe turistët.
Pazari karakteristik, oazi i festave
Një dekor i veçantë, dritat shumëngjyrëshe në fasadat e gurta, bredhi i festave dhe simbolikat e tjera të fundvitit e bëjnë pazarin karakteristik të Gjirokastrës, gjatë këtyre ditëve një oaz të vërtetë feste.
“Prej ditëve të para të muajit dhjetor, në gjithë qytetin dhe veçanërisht në zonën muzeale kemi vendosur dekorin festiv të fundvitit. Jemi kujdesur që dekori t’i përshtat qytetit të gurtë, me synim jo vetëm zbukurimin e mjediseve të ndryshme, por edhe shndërrimin e Gjirokastrës, në një destinacion të preferuar turistik, për festat e fundvitit”, shprehet kryetari i Bashkisë, Flamur Golemi.
Në ndryshim nga vitet e kaluara, tashmë dekori festiv ka më shumë elementë, duke u instaluar edhe në pjesën moderne të qytetit, për t’i falur Gjirokastrës një atmosferë të veçantë në këtë fundvit.
Natyrshëm, Qafa e Pazarit dhe zona historike e qytetit, tërheqin më shumë vizitorë, duke përfshirë banorët, por edhe turistët vendas dhe të huaj.
Janë të shumta fotografitë e shkrepura mes dekorit dhe peizazhit të veçantë, që ofron kjo pjesë e qytetit. Banorë të moshave të ndryshme fiksojnë në fotografi momente nga vizita e tyre, veçanërisht gjatë orëve të mbrëmjes.
“Falë zbukurimit për festa,t Pazari i gurtë është mjaft tërheqës, ndërkohë që menduam të shëtisnim gjatë kësaj mbrëmje me shoqërinë, në rrugët e kalldrëmta të tij”, shprehet Elda, ndërsa së bashku me një grup të rinjsh viziton zonën muzeale.
I preferuar për vizitorët e pazarit të gurtë është këndi i festave të fundvitit. Bredhi shumëngjyrësh, slita me drerë dhe simbolikat e tjera të festave tërheqin banorët veçanërisht fëmijët, të cilët nxitojnë të fiksojnë në fotografi këto momente të paharrueshme për ta.
Megjithë temperaturat e ftohta të stinës sërish zonës muzeale edhe në këtë periudhë nuk i mungojnë turistët. Në grupe familjare apo të organizuar ata udhëtojnë nga zona të ndryshme të vendit, për të prekur magjinë e festave të fundvitit, në qytetin e gurtë.
“Kam ardhur nga Shkodra së bashku me bashkëshorten dhe fëmijët. Në këtë periudhë Gjirokastra është e veçantë me dekorin e festive, kështu që vendosëm të vizitojmë qytetin dhe kalanë, duke e cilësuar dhe si një udhëtim për fundvitin. Gjithçka është e bukur falë edhe dekorit, veçanërisht gjatë orëve të mbrëmjes”, shprehet mysafiri nga Shkodra.
Bertrami është pjesë e një grupi gazetarësh dhe producentësh nga Gjermania, të cilët po vizitojnë qendrat turistike të vendin tonë, duke përfshirë edhe Gjirokastrën.
“Është hera e parë që vij në Shqipëri dhe në qytetin tuaj. Gjithçka këtu është mbresëlënëse, një dekor i veçantë që zbukuron ndërtesat historike. Është një udhëtim i vlefshëm për mua dhe kolegët e medias, sepse mendojmë që vlera të tilla duhen promovuar për turizmin ndërkombëtar”, pohon ai, ndërsa me kamerën televizive nxiton të filmojë peizazhin dhe mjedisin e festave të fundvitit në Gjirokastër.
Festat gjallërojnë turizmin
Tashmë festat e fundvitit janë kthyer në një mundësi mjaft e mirë për gjallërimin e Gjirokastrës dhe nxitjen e turizmit.
“Dekori i veçantë, organizimi i aktiviteteve të ndryshme nga bashkia në bashkëpunim me subjektet lokalë synon jo vetëm gjallërimin e atmosferës së festive, por edhe tërheqjen e turistëve vendas dhe të huaj në Gjirokastër, gjatë kësaj periudhe”, pohon kryebashkiaku Flamur Golemi.
Falë punës së bërë qyteti i gurtë, po vizitohet nga turistë duke qenë një destinacion i përzgjedhur këtë fundviti. Qazim Tuqi, administrator i një biznesi familjar për turizmin shprehet se, kanë patur kërkesa për akomodim gjatë periudhës së fundvitit si nga vizitorët vendas ashtu edhe të huaj.
“Falë vlerave dhe atmosferës së veçantë, tashmë Gjirokastra është një destinacion turistik i përzgjedhur, për festat e fundvitit”, shprehet ai. Mjeshtri i kulinarisë karakteristike, Dëfrim Gjoça pohon se, tërheqëse për turistët janë dhe gatimet karakteristike të tavolinës së festave të fundvitit.
“Vizitorët vendas dhe të huaj kërkojnë të shijojnë gatimet tradicionale që serviren në këtë periudhë për festat”, shprehet ai.
Vlerat e Gjirokastrës pasurojnë guidat turistike
Vlerat historike dhe arkitektonike të Gjirokastrës, po pasurojnë guidat turistike të fundvitit, duke e bërë udhëtimin më tërheqës për vizitorët vendas dhe të huaj. Pjesë e tyre janë resurset natyrore, traditat dhe trashëgimia kulturore në qytet dhe zonat rurale.
Vizitat në kalanë e Argjiros, Pazarin karakteristik, banesat e Zekatëve, Skëndulajve,etj janë elementët kryesorë të guidave turistike gjatë këtyre ditëve. Eraldo Breshani, udhërrëfyes turistik, shprehet se falë vlerave të traditës por edhe atyre natyrore, në këtë periudhë të vitit Gjirokastra vazhdon të vizitohet nga turistët.
“Janë vizitorët vendas por edhe ata të huaj, të cilët për festat e fundvitit dëshirojnë të udhëtojnë drejt Gjirokastrës, duke përjetuar mbresa të paharrueshme gjatë vizitës në qytet dhe rrethinat”, pohon Eraldoja.
Vlerë e shtuar për guidën turistike është peizazhi mbresëlënës i Parkut Natyror të Viroit. Për turistët nuk mungojnë edhe udhëtimet në Parkun Arkeologjik të Antigonesë, fshatrat turistike dhe objektet e trashëgimisë kulturore në zonën e Lunxhërisë, Cepos, etj, duke e bërë me afektiv udhëtimin e fundvitit, në zonën e Gjirokastrës.
Natyrshëm pjesë e ofertës turistike është edhe organizimi i eventeve kulturore, promovimi i vlerave të traditës, folklorit, gatimeve karakeristike, etj. Edhe këtë fundviti Gjirokastra do të jetë ndër destinacionet e preferuara turistikë, duke lënë mbresa të pashlyeshme për vizitorët dhe turistët. / atsh / KultPlus.com
Pjesë e aktiviteteve të “Javës së Flamurit”, në Gjirokastër, ka qenë edhe çelja e ekspozitës me kartëmonedhat shqiptare të emetuara në vite e koleksionistit të apasionuar, Girando Koti.
Ekspozita e çelur me mbështetjen e bashkisë së Gjirokastrës, titullohej “Kartëmonedha shqiptare në 100 vite” dhe përfshinte disa emisione të parasë shqiptare, të emetuara apo të përdorura prej vitit 1926 deri në ditët e sotme.
Ndërsa ka vizituar ekspozitën, kryetari i bashkisë Flamur Golemi u shpreh se “një mesazh të veçantë në përvjetorin e Pavarësisë, përcjell edhe kjo ekspozitë me publikimin e historikut të kartëmonedhës shqiptare”.
Koleksionisti Girandi Koti pohon se, fondi i kartëmonedhave të ekspozuara i përket koleksionit të tij personal.
“Emisioni i parë i kartëmonedhave të publikuara në ekspozitë përfshin periudhën 1926-1939, për të vazhduar me kartëmonedhat e emetuara nga Banka e Shqipërisë apo të përdorura gjatë Luftës së Dytë Botërore, vitet 1945-1990 ndërsa pjesë e emisionit të katërt janë kartëmonedhat e emetuara dhe që janë përdorur këto 30 vitet e fundit në vendin tonë. Historiku i kartëmonedhës shqiptare në 100 vite është pjesë e pandashme e historikut të shtetit shqiptar, fillimet e të cilit janë në qeverinë e Vlorës, të drejtuar nga Ismail Qemali. Çelja e kësaj ekspozite në 109-vjetorin e Pavarësisë është domethënëse”, thotë koleksionisti Girando Koti.
Ekspozita ka tërhequr vëmendjen e vizitorëve, duke përfshirë edhe turistët, të cilët në këtë atmosferë të Festave të Nëntorit janë të pranishëm në Gjirokastër. / KultPlus.com
Mbrëmjen e djeshme, ka çelur siparin në qytetin e Gjirokastrës, edicioni i 6-të i Ani Fest A-Gjiro, Festivali i Filmit Ndërkombëtar Evropian për Fëmijë.
Ky organizim i Bashkisë Gjirokastër, në bashkëpunim me Maku Production, do të sjellë në ekranin e kinemasë për spektatorët e vegjël, filma cilësore të kinematografisë evropiane për fëmijë. Sipas drejtorit të festivalit Artan Maku, Gjirokastra është një qytet i veçantë për organizimin e aktiviteteve të tilla, duke përfshirë edhe shfaqjen e filmave për fëmijë.
“Ne synojmë tërheqjen e spektatorëve të vegjël për transmetimin e filmave në ekranin e kinemasë. Në profilin e vet, ky festival filmi është një aktivitet më shumë për fëmijët, ndërsa filmat pjesëmarrës përcjellin vlera argëtuese dhe edukative”, shprehet drejtori i festivalit.
Për kryetarin e bashkisë Gjirokastër, Flamur Golemi, organizimi i Anifest A-Gjiro është vazhdim i aktiviteteve të zhvilluara nga bashkia, duke gjallëruar Gjirokastrën edhe në këtë stinë vjeshte.
“Nëpërmjet organizimeve të përbashkëta me shkollat dhe Qendrën Kulturore të Fëmijëve “Fato Berberi”, gjatë muajve të verës fëmijët ishin iniciatorë dhe pjesëmarrës në një sërë eventesh. Bashkia Gjirokastër do të vazhdojë të ketë në vëmendje organizimin e aktiviteteve artistike, kulturore dhe sportive për fëmijët”, shprehet kryebashkiaku Golemi.
Festivali i filmit Anifest A-Gjiro do të zgjasë për tri ditë ndërsa nga juria e festivalit do të akordohen edhe vlerësime për filmat pjesëmarrës. /atsh/ KultPlus.com
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti njoftoi sot nisjen e punës së taskforcës ndërinstitucionale, e cila do të jetë një përkujdesje më shumë për monumentet e kulturës në Gjirokastër.
“Gjirokastra nuk është vetëm Qafa e Pazarit”, u shpreh ministrja Margariti, pasi sipas saj, të tjera ndërhyrje restauruese e rijetësuese pritet të nisin në qytetin-muze.
“Sot i hapëm udhë krijimit të një taskforce midis bashkisë së Gjirokastrës, Ministrisë së Kulturës dhe DRTK Gjirokastër. Që në fazën e parë të saj, kjo taskforcë synon të krijojë një grup pune me arkitektë dhe restauratorë, të cilët do të realizojnë projektet e ndërhyrjes në rreth 30 objekte në lagjen Pazar i Vjetër, Dunavat dhe Manalat”, u shpreh Margariti.
“Ky është momenti i bashkëpunimit me pronarët e objekteve e sipërmarrës për të çuar para këto projekte. Përvojat në banesat Kale, Lulo e Harshova janë shembuj suksesi që duhen ndjekur”, tha ajo.
Nga ana e tij, kryetari i Bashkisë Gjirokastër Flamur Golemi u shpreh se “së bashku me ministren Margariti, specialistët e fushës, pronarët e banesave karakteristike, bizneset lokale dhe banorët do të bëjmë të mundur rijetësimin dhe restaurimin e vlerave të trashëgimisë kulturore dhe vendosjen e tyre në shërbim të zhvillimit të turizmit”.
“Tashmë Gjirokastra është shndërruar në një kantier ndërtimi, ku investimet në zonën muzeale janë të konsiderueshme, madje duke sjellë dhe një transformim rrënjësor të qytetit në tërësi.Ne do të vazhdojmë punën për ta kthyer Gjirokastrën në një xhevahir të vërtetë të kurorës së trashëgimisë kulturore botërore”, tha Golemi./ KultPlus.com
29 shtatori në Shqipëri është edhe Dita Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore. Kremtimet e këtij viti sipas njoftimit të Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Folklorike do të zhvillohen në Gjirokastër, ku edhe do të prezantohet puna dhe krijimtaria e veglapunuesve popullorë, artizanëve, të cilët me punën e tyre krijojnë instrumentet muzikore të traditës.
Ndërsa më datë 30 shtator, me pjesëmarrjen e disa personaliteteve të trashëgimisë do të mbahet tryeza shkencore rreth mjeshtërisë dhe punimit të instrumenteve muzikore të traditës.
29 shtatori është Dita Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore, e shpallur nga Ministria e Kulturës që prej vitit 2003.
Në qendër të kësaj dite, qëndron përkushtimi dhe sakrifica e të gjithë atyre që kanë kontribuar në formimin dhe studimin e kësaj trashëgimie, e po aq edhe vepra dhe jeta e atyre që janë sakrifikuar drejtpërsëdrejti për të.
Në shpalljen e kësaj Dite Kombëtare si të Trashëgimisë Kulturore ka ndikuar edhe akti sublim i ushtarakut shqiptar Kamber Bënja, i cili në vitin 1916 mbrojti pasuritë e Apolonisë nga vjedhja. Festimi i kësaj dite parashikon edhe detyrimin e të gjitha institucioneve kulturore dhe ato të trashëgimisë, të organizojnë aktivitete të ndryshme kulturore.
Kamber Bënja ishte një veprimtar i lëvizjes atdhetare, i cili lindi në Bënjë të Këlcyrës. Mësimet e para i mori në Përmet dhe i vijoi në Korçë, Janinë e Selanik. Me Shpalljen e Pavarësisë u vu në shërbim të Qeverisë Kombëtare të Vlorës si oficer i karrierës. Kamber Bënja mori komandën e batalionit shqiptar duke iu kundërvënë me vendosmëri pushtuesve austro-hungarezë që kërkonin të grabisnin pasuritë kulturore të vendit dhe të dërgonin në Vjenë skulptura antike të gjetura gjatë gërmimeve.
Për këtë arsye, Kamber Bënja bashkë me dy oficerë të tjerë, Bexhet Manastirliun dhe Abaz Taushanin, iu dhanë gjyqit ushtarak që e dënoi me vdekje për “tradhti të lartë”. Major Kamber Bënja, është shpallur Dëshmor i Atdheut. / Diaspora Shqiptare / KultPlus.com
Në qytetin e gurtë të Gjirokastrës vijon puna për rijetësimin e shtëpisë së shkrimtarit të madh Ismail Kadare.
Ministrja e Kulturës Elva Margariti bëri të ditur se “po rijetësojmë shtëpinë e gjeniut të letrave, Ismail Kadare, në Gjirokastër, për ta kthyer në një nga ndalesat më domethënëse të qytetit të gurtë”.
Shtëpia e shkrimtarit shqiptar me famë botërore, Ismail Kadare është kthyer në muze. Në këtë shtëpi lindi dhe kaloi fëmijërinë e tij Kadare. Shtëpia duket e njohur për ata që kanë lexuar librin e tij “Kronikë në gur” ku ai përshkruan çdo qoshe të shtëpisë. Shtëpia u ndërtua në 1799, dhe është shpallur monument kulture në 1991.
Shtëpia muze e Kadaresë është hapur për publikun në 28 janar 2018 me rastin e 80 vjetorit të lindjes së Kadaresë. Shtëpia e Kadaresë është në mes të lagjes historike Palorto dhe gjendet lehtë. Brenda saj ka ende disa objekte origjinale që i përkasin familjes si psh një sënduk, disa foto etj.
Nga trajtimi arkitektonik, banesa është cilësuar si një ndër më të arrirat dhe në pozicionin më dominues, përkrah edhe mjaft objekteve të tjera me vlerë. /atsh/ KultPlus.com