Muzeu i ri Etnografik në Gjirokastër do ketë përmasa kombëtare, i shtohet ofertës turistike të qytetit

“Muzeu i ri Etnografik është pjesë e projektit prej katër muzesh që do t’i shtohen ofertës turistike të Gjirokastrës, së bashku me Muzeun Kadare, Muzeun e Armëve dhe Muzeun e Burgut të Kalasë. Falë projekteve të arkitektit të famshëm spanjoll Jesus Hernandez (autor i Muzeut Marubi në Shkodër), këto hapësira do të marrin një jetë të re”.

Kështu u shpreh sot Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga ministri i Brendshëm Bledi Çuçi dhe kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi, gjatë inspektimit të punimeve që po kryhen për rikonstruksionin e këtij muzeu.

Kryeministri Rama tha se “muzeu do të transformohet komplet nga pikëpamja muzeale. Edhe shtëpia e Kadaresë do kalojë në një muzealizim komplet. Muzeu Etnografik do jetë një muze që do të ketë përmasë kombëtare siç është muzeu i Marubit dhe ai Mesjetar në Korçë”, – theksoi Rama.

Kryetari i bashkisë së Gjirokastrës Golemi tha se “jemi në vazhdën e ndërhyrjeve në rrjetin muzeal. Kjo zonë ka marrë qasje tjetër që me ndërhyrjet që do bëhen, ka edhe hotele me standarde vërtet të larta”.

Inxhinieri i firmës që po kryen punimet u shpreh se “ky muze do të kthehet në një muze të hapur, pasi do të ketë pika qëndrimi ku njerëzit mund të qëndrojnë, të lexojnë. Është pjesë e ndërhyrjeve të programit të financuar nga kredia e Bankës Botërore për zhvillimin urban e turistik”.

Muzeumet në qytetin e Gjirokastrës mirëpresin vizitorë vendas dhe të huaj në çdo stinë. Muzeu i Armëve, Etnografik apo “Shtëpia Kadare” janë qendra të rëndësishme për nxitjen dhe zhvillimin e turizmit. Përgjatë vitit 2020 muzeumet u vizituan nga rreth 8 mijë turistë, kryesisht vendas, por edhe nga shtete të ndryshme./ata/ KultPlus.com

Nis hartimi i planit për menaxhimin e qendrave historike të Gjirokastrës e Beratit

Ka nisur sot procesi i hartimit të Planit të Menaxhimit të Integruar të Qendrave historike Gjirokastër dhe Berat.

Lajmi bëhet i ditur nga Ministria e Kulturës e cila sqaron se Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore zhvilloi një takim koordinues me Qendrën e Trashëgimisë Botërore, UNESCO dhe trupat këshillimore të saj ICOMOS dhe ICCROM, mbi nisjen e procesit të hartimit të Planit të Menaxhimit të Integruar të Qendrave historike Gjirokastër dhe Berat.

Asistenca Ndërkombëtare e hartuar nga IKTK, mbi këtë projekt është aprovuar nga Qendra e Trashëgimisë Botërore në vitin 2019.

Projekti parashikohet të zhvillohet gjatë periudhës Janar-Dhjetor 2021. Ai do të përfshijë angazhimin e 3 ekspertëve ndërkombëtarë nga ICOMOS dhe ICCROM si dhe do të sigurojë përfshirjen e të gjitha palëve të interesit për këto pasuri botërore në Shqipëri. /ata/ KultPlus.com

Muzeumet e Gjirokastrës mirëpresin vizitorët edhe në dimër

Muzeumet në qytetin e Gjirokastrës edhe gjatë stinës së dimrit, po mirëpresin vizitorë vendas dhe të huaj.

Tashmë Muzeu i Armëve, Etnografik apo “Shtëpia Kadare” janë qendra të rëndësishme për nxitjen dhe zhvillimin e turizmit.

Përgjatë vitit 2020 muzeumet u vizituan nga rreth 8 mijë turistë, kryesisht vendas, por edhe nga shtete të ndryshme.

Bashkia Gjirokastër ka në fokusin e saj, rivitalizimin e katër muzeve në shërbim të zhvillimit të turizmit.

“Sistemi i muzeve në Gjirokastër”, projekt i cili po zbatohet së fundmi në bashkëpunim me Fondin Shqiptar të Zhvillimit synon rikonceptimin e katër muzeve, për të qenë koherent me standardet bashkëkohore të zhvillimit turistik.

Ky sistem i ri novativ do të jetë në shërbimin e turistëve duke krijuar lehtësira prej marrjes së informacionit paraprak nga website, deri në përjetimin e eksperiencës së plotë të qytetit të Gjirokastrës, të kulturës dhe historisë të mbrojtur në muze dhe shtigje e rrugë me kalldrëm.

E njohur për shtëpitë e veta karakteristike, çatitë prej guri dhe muret e bardha, Gjirokastra është një nga pikat kryesore të turizmit në vend.

Kalaja e gurtë, parku i Antigonesë, muzetë e qytetit vazhdojnë të ngelen më të preferuarat për t’u vizituar nga grupet turistike vendase dhe të huaja përgjatë guidave dhe udhëtimeve të tyre në zonën e Gjirokastrës. /atsh/ KultPlus.com

Margariti: Falë projektit të ndriçimit, Kalaja e Argjirosë si kurrë më parë

Projekti i ndriçimi në kalanë e Gjirokastrës nxjerr në pah vlerat e këtij monumenti të kulturës. Ministrja e Kulturës Elva Margariti shprehet se Gjirokastra nuk duhet të jetë qytet gri, dhe se gjirokastritët do të kenë një arsye më shumë për të qenë krenarë.

“Falë projektit të ndriçimit, kalaja e Argjirosë duket si kurrë më parë. Gjirokastritët do të kenë më tepër arsye të jenë krenarë për këtë monument, i cili tashmë nxjerr edhe më tepër në pah vlerat e vërteta, që bart”, shkruan Margariti, në një status të saj. Kalaja e Gjirokastrës si histori e lidhur me qytetin e Gjirokastrës, përmendet për herë të parë si qytet dhe kështjellë në vitin 1336.

Në këto vite, ajo ishte qendra e feudalëve shqiptarë Zenevisë. Më vonë, gjatë sundimit të Gjin Bue Shpatës, ajo u përfshi në Despotatin e Epirit. E megjithatë historianë të ndryshëm mendojnë se ekzistenca e kalasë së gurtë është më e hershme. Sipas tyre, kalaja ka pas dy faza ndërtimi, të cilat lidhen me periudhën para dhe pas Pashallëkut të Janinës dhe fortesave të Ali Pashë Tepelenës.

Nga kalaja mesjetare, ajo e para pushtimit osman-shqiptar të Ali Pashës, ruhen vetëm pak gjurmë pasi muret janë veshur deri në lartësi nga ndërtimet e reja. Ndërsa, kullat pjesërisht janë rrënuar dhe ripërshtatur. Sipas kronikanit turk, Çelebiu, i cili vizitoi qytetin më 1672: “Kalaja ishte ndërtuar në kohë të moçme. Krejt prej guri të gdhendur. Në mes të kalasë ndodhej një rrugë e gjerë me drejtim lindje-perëndim, në të dy anët e së cilës ndodheshin 200 shtëpi.

Ajo kishte dy porta hekuri me nga tri palë dyer dhe një hendek 100 hapa të gjatë dhe 200 hapa të gjerë midis namasgjahut dhe fortesës. Ndërsa të tri anët e tjera nuk kishin nevojë për hendek pasi janë përrenj natyrorë”. Në vitin 1417, kalaja u pushtua nga turqit pas një rrethimi të gjatë. Me kalimin e viteve, ajo filloi të luajë gradualisht rolin e një kështjelle për qëndrimin e sunduesit dhe garnizonit të qytetit. Në vitin 1812, kalaja e Gjirokastrës u pushtua nga Ali Pashë Tepelena, i cili filloi rindërtimin e saj. Rindërtimi i kalasë, i një saraji dhe i disa godinave anekse, u bë me një ngutësi aq të madhe sa të gjitha punimet u kryen brenda një viti e gjysmë.

Kalaja përmbante përveç barakave për vendosjen e një garnizoni prej 5 mijë ushtarësh, magazina të shumta nëntokësore që ishin llogaritur mirë për sigurimin e municioneve dhe ushqimeve të nevojshme. Kronikat e kohës përmendin se vetëm për ndërtimin e vendqëndrimit të Ali Pashës, një kullë pranë këndit juglindor, punuan 1500 vetë./sot/ KultPlus.com

Teatri antik me 4000 vende në Gjirokastër

Theatri i Sofratikes Ndodhet ne luginen e Drinos ne rrethin e Gjirokastres afer fshatit me te njejtim emer. Ketu ka qene nje qytet i periudhes romake i quajtur Adrianapoli , shek II A.D. Theatri ne fjale eshte zbuluar ne vitin 1984. Ai ka nje kapacitet prej 4.000 vendesh me 27 shkalle Dimal.

Ekspedita e parë arkeologjike filloi në 1963 dhe prej atij viti një stoa 30 metra e gjatë ka dalë në dritë. Monumenti tregon një ngjashmëri të madhe me stoan e Apollonisë duke treguar për lidhjet e forta ndërmjet dy qyteteve. Në shumë tjegulla janë gjetur mbishkrime me emrin DIMALITAN, duke treguar qarte se punishtet ishin pronë e qytetit.

Shkrimtari antik Polibi, thekson se lufta e dytë Iliro-Romake ndodhi gjatë viteteve 219-218 para Kr., kohë në të cilën Dimali ishte fortifikuar. Historiani Romak Tit Livi, përmend Dimalin sërisht në ngjarjet e e vitit 205 para Kr., kohë në të cilën qyteti drejtohej nga Romakët. Shumë mbishkrime të gjetura gjatë gërmimeve hedhin dritë mbi organizimin politik të qytetit antik./njekomb/ KultPlus.com

Besiana Kadare dhe ambasadorja Kim vizitojnë shtëpinë-muze të familjes në Gjirokastër

Besiana Kadare, zëvendëpresidente e sesionit të 75-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara ka vizituar shtëpinë e lindjes në Gjirokastër e shoqëruar nga ambasadorja e SHBA-së në Tiranë Yuri Kim.

Vajza e shkrimtarit Ismail Kadare e njoftoi vetë vizitën në Gjirokastër, duke theksuar përshtypjet nga kjo vizitë.

“Udhëtim interesant në shiritin e kujtesës ndërsa vizitoja për herë të parë aprtamentin ku u rrita gjatë Shqipërisë komuniste, tani i kthyer në një muze Shtëpia Kadare”, tha Besiana Kadare.

Po ashtu, Kadare shtoi se “Jam e gëzuar për të ndarë përvojën me shoqen dhe kolegen time ambasadoren e SHBA-së në Shqipëri, Yuri Kim për të rrëfyer këtë pjesë të së kaluarës sonë” /atsh/ KultPlus.com

Qyteti antik i Antigonesë në Gjirokastër që u ndërtuar nga mbreti Pirro

Antigonea u ndërtua në vitin 295 para Krishtit me urdhër të mbretit Pirro. Qyteti u emërua sipas gruas së tij të parë Antigone.

Antigonea është një nga qytetet më të mëdha antike në Shqipëri dhe vendbanimi më i rëndësishëm antik në Luginën e Drinos. Vendbanimi ka një sipërfaqe prej 45 hektarësh dhe i gjithë parku arkeologjik ka një sipërfaqe prej 95 hektarësh. Qyteti ishte fortifikuar me mure të trasha në fillim të shekullit të tretë para Krishtit, si vazhdimësi e ekzistencës të një vendbanimi të hershëm, emri i të cilit u ndryshua nga Pirroja.

Qyteti mbizotëronte zonat e pasura rurale të Luginës së Drinosë dhe kishte fortifikime të tjera periferike për të mbrojtur të gjithë territorin: Kështjellën e Lekliut në veri, Labova në lindje dhe Selo në jug. Qarku i mbrojtjes mund të përshkohet i tëri, që nga hyrja në këtë park. Në pjesën veriore të qytetit, në hyrjen e anës së djathë, ka një kodër të quajtur “Acropolis “. Në pikën më të lartë të kodrës ka rrënoja të kishës pas mesjetës së Shën Mikalit. Gërmimet intensive arkeologjike brenda zonës së qytetit në vitet e 70-ta kanë zbuluar pjesët më të banuara si dhe rrjetet rrugore. Rrugët që kalonin në veri-jug dhe lindje-perëndim ishin pingul. Rrugët më të rëndësishme mbarojnë në portat e qytetit. Rrugët Veri-Jug janë më të gjera dhe më të rëndësishme dhe të pajisura me trotuar të gjerë. Disa rrugë tregojnë edhe kanale për kullimin e ujit. Rruga më e rëndësishme në qendër të gërmimeve është emëruar Dhimosten Budina. Rrugët kufizoheshin me shtëpi banimi. Disa apartamente u zbuluan plotësisht gjatë gërmimeve arkeologjike.

Më të mrekullueshëm janë ata me oborrin e brendshëm me kolona të rrethuara nga zona banimi dhe ato tregtare. Muret e banimit ishin bërë me blloqe guri që kishin gdhendje vetëm në fundin e tyre kurse në pjesën e sipërme ishte e ndërtuar me tulla të papërpunuara. Gërmimet arkeologjike në Antigonea zbuluan shumë objekte interesante, përfshirë bronzin. Ndoshta gjëja më interesante është figura e sfinksit kafe, e cila sot është simboli i qytetit. Gjetje të tjera të rëndësishme janë çelësat prej bronzi me emrin qytet të ngulitur. Zbulimi i këtyre çelësave konfirmoi vendndodhjen e Antigonesë. Në pjesën perëndimore të qytetit gjendet agora, qendra e qytetit. Këtu mund të admirojmë edhe pamjen më të bukur të luginës së lumit Drinos. Që nga mesnata agora kufizohet me një tryezë, e cila ishte struktura më e rëndësishme publike brenda mureve të qytetit.

Tryeza është e gjatë rreth 70 metra. Vendi shërbeu si një treg ku banorët sollën produktet e tyre. Edhe pse Antigonea u dogj në shekullin e tretë, të dhënat arkeologjike tregojnë se ajo ende ekzistonte në antikitetin e vonë (shek. IV-VI). Arkeologët argumentuan për vendndodhjen e qytetit për dekada. Merita kryesore për zbulimin e saj i takon arkeologut shqiptar Dhimosten Budna, i cili arriti të gjente karta votimi argjendi me stemën e qytetit Antigonesë dhe një çelës për portat e qytetit me vetë emrin e qytetit gjatë gërmimeve midis viteve të 70.

Gërmimet arkeologjike të organizuara nga ai zbuluan të paktën 10 ndërtesa private, rrugë të veshura me pllaka, tuba të ujërave të zeza dhe trotuar. Sipas arkeologëve dhe ekspertëve të antikitetit, në luginën e Drinos pranë Gjirokastrës, ekziston një numër jashtëzakonisht i madh i mbetjeve arkeologjike dhe antike. Përafërsisht 20 prej këtyre vendeve janë identifikuar deri më tani, duke përfshirë qytetet antike dhe fortifikimet, varret monumentale, tempujt antikë dhe teatrot. / KultPlus.com

Travel Stained: Syri i Kaltër duhet parë për ta besuar që ekziston

Syri i Kaltër në Shqipëri është një nga ato peizazhe tepër të rralla natyrore, që duhet parë për ta besuar që ekziston, sepse duket kaq shumë si nga një botë tjetër, si një skenë e shkëputur nga ”Avatar”,  shkruan Shelley, blogere në faqen e njohur turistike travel-stained.com.

Syri i Kaltër në Shqipëri është një burim i pafund ujërash të ëmbla të bruzta, që duket pikërisht si një sy njerëzor i shndritshëm. Ngjyra është kaq verbuese dhe e ndritshme, saqë është e vështirë të besohet se është një fenomen krejt natyror.

Ai është një burim karstik vertikal, të paktën 50 metra i thellë, sepse vetëm aq është thellësia më e madhe deri ku kanë shkuar zhytësit. Nuk ka arritur kurrë njeri deri në fund.

Vendasit dhe turistët dynden te Syri i Kaltër në korrik dhe gusht për të shijuar ujin e ftohtë dhe për t’u kënaqur me gjelbërimin e shelgjeve dhe lisave që rrethojnë burimin.

Gjatë verës së nxehtë shqiptare,  ky burim mistik është jashtëzakonisht ripërtëritës, pasi temperatura në sipërfaqe qëndron në 10 gradë Celcius, edhe në temperaturat më të larta.

Gjithashtu, aty mund të gjeni edhe një platformë panoramike, që bie drejtpërdrejt mbi Syrin e Kaltër.

Ai është edhe vendi nga ku hidhen më trimat, për t’u zhytur në qendër të Syrit të Kaltër.

Syri i Kaltër ndodhet pranë fshatit Muzinë, në jug të Shqipërisë.

Këtë vend të mrekullueshëm është më e lehtë ta vizitosh gjatë një udhëtimi ditor nga qyteti veror i Sarandës ose nga qyteti i listuar në UNESCO, Gjirokastra. /atsh/ KultPlus.com

Protestë në Gjirokastër pas djegies së flamurit shqiptar nga minoritari, u kërkua largimi i konsullit grek

Pas djegies së flamurit shqiptar nga një minoritar grek nga Finiqi, Manolis Vitos, para Konsullatës Greke në Gjirokastër “Djemtë e Labërisë” kanë protestuar për largimin e konsullit Lambros Kakizis.

Edhe pse në vend është i ndaluar grumbullimi për shkak të rritjes së rasteve me COVID-19, qytetarët nga zonat e jugut të vendit kanë mbërritur me 3 furgona për të protestuar në mënyrë paqësore këtë akt që nxit urrejtje etnike.

Ata kanë protestuar për largimin e konsullit grek pasi, sipas tyre, ai ka nxitur urrejtjen etnike dhe po ndërmerr një fushatë kundër interesave të shqiptarëve duke kontribuar në shkombëtarizim të shqiptarëve.

Gjithashtu Platforma e Shoqatave Atdhetare Shqiptare i ka drejtuar një kërkesë shtetit shqiptar për largimin e konsullit grek dhe largimin e monumenteve greke në Shqipëri.

Pjesë e protestës ishte edhe deputeti ‘donzhuan’, Kristaq Papa i cili është shprehur se ka një manifestim paqësor nga ana e tyre.

“Jemi këtu me një grup deputetësh dhe përfaqësues të shoqërisë civile apo të të drejtave të njeriut. Këto akte nuk janë demokratike, nuk janë diplomatike nuk i shërbejnë dy vendeve. Ka shumë persona nga shoqëria civile, nga forume të të drejtave të njeriut, përfaqësuesit e rendit të shtetit në kushtet e një pandemie edhe pse Gjirokastra është një zonë e gjelbër”, shprehet ai.

Një qytetar nga Kukësi i bën thirrje policisë dhe presidentit që të zbatohet Kushtetuta e të mos provokohen shqiptarët.

“Konsullata ka sponsorizuar qasje ekstremiste për nxitjen e urrejtjes etnike, thirrja ime shkon për instancat shtetërore që janë të shitura, t’i thirrin mendjes e të zbatojnë kushtetutën. Një thirrje tjetër shkon për policinë, që me këtë rast tregon se është në shërbim të Greqisë dhe jo Shqipërisë. Jemi këtu që të ndalohet provokimi i shqiptarëve”, shprehet ai.

Janë arrestuar tre organizatorët Arben Kola dhe Andon Kola dhe Florijan Canaj dhe janë shoqëruar qytetarë të tjerë. Protestuesit lajmëruan se do të mblidhen para Komisariatit që të lirohen të arrestuarit.

Promovim vlerave historike, kulturore e turistike të Gjirokastërës

Rritja e bashkёpunimit me qёllim promovimin e vlerave historike, kulturore e turistike qё mbart qarku Gjirokastёr ishte në qendër të takimit të zhvilluar nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti dhe prefekti i qarkut Gjirokastër, Astrit Aliaj.

Në takimu diskutua edhe për mundësitë e bashkëpunimit ndёrinstitucional në fushën e kulturës.

Një vend të veçantё në takim kishte propozimi i shoqatёs kulturore “Migjeni” pёr hapjen e njё shtёpie kulturore nё qytetin e Gjirokastrёs, ku mund tё zhvillojnё veprimtarinё e tyre, me qёllim rritjen e mёtejshme tё shkёmbimeve kulturore ndёrkombёtare.

Ndёr tё tjera, Margariti dhe Aliaj folën edhe për Festivalin Folklorik Kombëtar Gjirokastёr, të cilin e konsideruan si manifestimi më i rëndësishëm i trashëgimisë sonë shpirtërore.

Nga ana e saj, ministrja Margariti vlerësoi angazhimin e prefektit Aliaj nё bashkёrendimin e punёs pёr rijetёsimin e vlerave dhe trashёgimisё kulturore nё qarkun e Gjirokastrёs. atsh / KultPlus.com

Këngët e rralla të ustallarëve që ndërtuan Kalanë e Gjirokastrës

“Këngët e Kalasë” përshkruanin histori, ngjarje, beteja, luftra të gjata, heronj e patriotë.

Naxhi Kasoruho, “Mjeshtër i Madh”

Kalatë apo kështjellat jo vetëm në vendin tonë por në gjithë botën emërtimet e tyre i marrin ose nga vendet dhe qytetet ku janë ngritur si psh: kalaja e Beratit, Krujës, Prizrenit, Kaninës, Lëkursit, Porto Palermos, Elbasanit, Kardhiqit, Libohovës etj.

Po ka edhe kala që marrin emërin e personazheve të njohur që shpesh kthehen në mite si kalaja e “Rozafës”, në Shkodër dhe “Argjiros” në Gjirokastër dhe kala që emërtohen me emrin e prijsit e mbretërve të kohës si: Kalaja e Ali Pashë Tepelenës në Tepelenë e Janinë etj.

Në tërë historinë e tyre kalatë janë ndërtuar si fortifikime të jashtëzakonshme për të mbrojtur qytetet dhe njëkohësisht në pika dominante shumë të vështira për t’u pushtuar. Me këtë mision mbrojtës vjen në historinë e kalave dhe fortifikimeve në vendin tonë gjatë shekujve dhe mijëvjeçarëve edhe kalaja e Gjirokadtrës. Këtë kala madhështore herë e quajnë si një kryqëzor gjigand që ka hedhur spirancën aty majë shkëmbit për të qëndruar përjetësisht dhe herë e quajnë si një shqiponjë që ka hapur krahët dhe është gati për fluturim, por që nuk dihet çfarë e ndalon për t’u ngritur lart në qiell dhe ngeli e ngurtësuar me krahët hapur për të mbrojtur qytetin. Ndërsa në gjysmën e dytë të shekullit të XX kjo kala do të quhej “Kalaja e Festivalit”.

Nuk e di nëse për kalanë e Gjirokastrës para vitit 1968 kur në sheshin e saj hapi siparin Festivali i parë Folklorik Kombëtar të jetë kënduar ndonjë këngë për të, ndërsa në gjysmën e dytë të shekullit XX-të për këtë kala populli ka kënduar shumë këngë, duke e bërë atë ndoshta të vetmen jo vetëm në rajon por shumë më gjërë. Nga ky vit e në vazhdim kalaja e Gjirokastrës për faktin se aty në çdo pesë vjet organizohej Festivali Folklorik Kombëtar ajo mori emërtimin mbarë popullor si “Kalaja e Festivalit”.

Ja çfarë thotë një nga këngët e këtij festivali: “Na buron nga zemra,/Kënga më e mirë,/Në Kalanë e Festivalit,/ Plot me misafirë./ Moj kala ç’mur të ka rënë,/Andej armë e këndej këngë“.

Dhe kënga tjetër: “Ndezi këngën Shqipëria,/Në Kalanë e Festivalit,/ Te ky shesh s’harron kurrë,/ Këngën e Xhevat Avdallit./Na vjen këtu Demir Zykoja,/Gojë mblajti nga Skrapari,/Krah për krah Hafsa Zyberi,/ Madhështor Mentor Xhemali.”

Por në se nuk dimë se çfarë këngësh i janë kushtuar kalasë së Gjirokastrës shekuj më parë mendoj se këngët e para aty janë kënduar që në kohën kur janë grumbulluar gurët e parë dhe janë hapur themelet për të ndërtuar muret e kalasë. Ustallarët kur pushonin në kohën e drekës duke qënë banorë të travave ku kultivohej polifonia me siguri ja merrnin këngës për të shprehur dertet e shpirtit.

Natyrshëm lind pyetja: Pra çfarë ishin këngët e ustallarëve në mijëvjeçarin e parë të pas Krishtit kur ndërtonin kalanë e Gjirokastrës?

Mendoj se këngët e tyre do të ishin me melodi të karakterit epik të rënda monostrofike, të zvargura, të thella, të përshtatura me kohën dhe vendin ku këndoheshin.  Këngët e ustallarëve që unë po i quaj “Këngët e Kalasë” përshkruanin histori, ngjarje, beteja, luftra të gjata, heronj e patriotë, ndoshta dhe frikacakë e tradhëtarë çka i bën ato në një farë mënyre të jenë memorja e historisë.

Këngën gjithmonë e ka pasur bashkëudhëtare të jetës shqiptari. Këngë këndonte në dasma e gëzime familjare, këngë u këndonte trimave kur i përcillte në luftë dhe këngë u këndonte luftëtarëve kur binin në fushën e betejës. Të tilla i imagjinoj këngët e ustallarëve kur ndërtonin kalanë e Gjirokastrës.

Nisur nga ato që thotë historia se në fillim është ndërtuar kalaja dhe pastaj qyteti mendoj se këngët e ustallarëve kanë qënë këngët e para të trashëgimisë folklorike të qytetit të Gjirokastrës. Ato melodi dhe ajo strukturë tonalo-modale e këngëve të ustallarëve të kalasë në rrugëtimin e tyre, në vite e shekuj, në evolucionin që pësuan nga përpunimi që i bëri Artisti Popull janë burimi dhe origjina e këngës gjirokastrite.

Nga vitet e origjinës e deri më sot kënga gjirokastrite nuk mendoj se ka patur ndryshime rrënjësore si psh: të jetë kënduar këngë e shoqëruar me saze e sot të jetë polifoni apo e kundërta.

Nuk kemi dokumenta të shkruara të rrugëtimit të këngës gjirokastrite që të vërtetojnë origjinën e këngës së sotme të qytetit të gurtë por për veçoritë e saj, kontrastet me këngët e tjera të rajonit e më gjërë, autenticiteti i saj i paprekur nga lashtësia deri në ditët e sotme e bëjnë këngën gjirokastrite nivelin më të lartë të polifonisë shqiptare.

U ula të shkruar për Kalanë e Gjirokastrës “Kalanë e Festivalit” në këtë vit të 50 vjetorit të Festivalit Folklorik Kombëtar si manifestimi madhështor i trashëgimisë kombëtare. Panteoni ku Artisti i madh Popull shpalosi me tërë pasionin e shpirtit perla nga trashëgima folklorike si pjesë e indentiteti tonë kombëtar. /KultPlus.com

Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës do të zhvillohet në shtator

Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës do të zhvillohet në muajin shtator 2020, në Kalanë e Gjirokastrës.

Lajmi bëhet i ditur nga ministrja e Kulturës Elva Margariti e cila njofton se Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës, manifestimi më i rëndësishëm i trashëgimisë sonë shpirtërore, do të zhvillohet në muajin shtator 2020, në Kalanë e Gjirokastrës.

“Pas tërmetit të 26 Nëntorit 2019 vendi u përball me një situatë të jashtëzakonshme, ku primare ishte akomodimi i menjëhershëm 17 mijë banorëve dhe hartimi i projekteve të rindërtimit. Në këtë situatë u vendos që festivali të organizohet në muajin shtator.

Ky festival është shembull i shpirtit krijues të shqiptarëve dhe vitalitetit, i aftë për t’u ringritur pas çdo vështirësie”, shprehet ministrja Margariti. /KultPlus.com

Muhedin Makri, 81-vjeçari që bën gurin të “flasë”

Në kuadër të ciklit “Sekrete mjeshtërie”, Ministria e Kulturës ka publikuar sot historinë e veçantë të 81-vjeçarit Muhedin Makri, që bën gurin të “flasë” në Gjirokastër.

Muhedin Makrin e gjejmë të ulur te sofati. Është 81 vjeç. Nuk është duke numëruar tespihet, siç do bënte çdo moshatar i tij. Me daltë dhe çekiç gdhend pllaka guri. “Po gdhend ‘lulen e jetës’”, thotë ai, ndërsa i mëshon daltës dhe grimcat e gurit i ngjiten në fytyrë.

Pas ndërrimit të sistemeve, pasi kishte prodhuar për 4 dekada lugë e thika, iu kthye një pasioni të hershëm, atij të gurgdhendësit.

E tanimë u bënë 27 vjet, që në rrasa guri, që qyteti i hirtë i ka me shumicë, gdhend konturet e Kalasë shekullore, portrete figurash historike, që nga Skënderbeu, Ismail Qemali, Naim Frashëri, Musine Kokalari, Çerçiz Topulli e deri te shkrimtari i madh, Ismail Kadare, që i ka dhënë qytetit, po aq sa edhe i ka marrë. Por nuk mungon as imazhi i diktarorit Enver Hoxha.

Turistët i kërkojnë dhe Muhedini nuk përton t’i mëshojë daltës. Të huajt i pëlqejnë shumë punët e tij, por shpesh kufizohen për shkak të peshës së rëndë të gurit.

Por Muhedini nuk mërzitet. Në dyqanin e tij në Pazar, në rrugicën që të nxjerr për te Kalaja gjen vepra të të gjitha përmasave.

Teksa shohin këtë burrë të moshuar, duke punuar i përqendruar mbi pllakën e gurit, nuk do të kishte turist, që nuk do të ndalte këmbët për ta ndjekur nga afër. Ai të fton me një buzëqeshje dhe të tregon se sa orë punë mund t’i duhen për të realizuar një figurë apo si i nxjerr modelet, format. Për të përfunduar “Lulen e jetës” i duhen 4 orë punë.

Nuk është shumë nxehtë dhe preferon të punojë jashtë, ndërsa që brenda dëgjohet goditja daltës. Janë tre breza që punojnë gurin. “Ia kam mësuar zanatin edhe fëmijëve”, thotë ai, “mend për shkollë s’kishin, por kanë talent, librat i mbushnin me vizatime”. Një dozë krenarie fshihet në zërin e tij. Ndryshe nga shumë të tjerë që tradita e zanati po u shuhet bashkë me jetën sepse nuk kanë se kujt t’ua trashëgojnë, Muhedini e ka shtëpinë dhe zemrën plot.

Dyqani është mbushur me punë të përfunduara: shenja horoskopi, simbole automjetesh, kafshë e shpendë të gdhendura apo motive ornamentale. Ka edhe simbole politike, por i moshuari thotë se i gdhend se kërkohen nga klientët, jo se merret me politikë.

“Unë jam i vetmi njeri që nuk merret me politikë. Nderoj vetëm njerëzit e punës. Kam qenë i ndershëm në atë kohë dhe i ndershëm do vdes”.

Kur dëgjon të birin të ankohet apo të kërkojë diçka nga shteti, ai çohet vrik dhe thotë: “Kam punuar gjithnjë me djersën e ballit dhe kurrë nuk i kam kërkuar dikujt diçka. Unë nuk dorëzohem!”, thotë ai dhe i kthehet fletëve të “Lules së jetës”.

The Independent: Nëse s’ju pëlqen rreziku, mos shkoni në Gjirokastër

“Mos shkoni në Gjirokastër. Gjithsesi, kurrë më parë nuk keni dëgjuar për të, dhe për më tepër, kush do të donte të hiqte dorë nga ato pak javë të shumëpritura të pushimit vjetor, për t’i çuar dëm në një qytet malor në Shqipëri? Së pari, është e pamundur të mbërrish në destinacion- e vetmja linjë fluturimi britanike “nonstop” drejt Shqipërisë, të çon në Tiranë, prej nga ku Gjirokastra është më e pakta 4 orë larg (nëse përdor automjetin) dhe në rastin më të keq, nëse përdorni sistemin e transportit publik, të pisët e të pasigurt, rrugëtimi juaj mund të zgjasë deri në 12 orë, për të mos shtuar edhe ndërlikimin e rrugëve zor të kalueshme”.

Kështu shkruan prestigjiozja britanike “The Independent”, në një shkrim mes ironisë e lavdeve për Gjirokastrën, duke përshkruar problematikat që udhëtarët hasin gjatë udhëtimit por edhe bukurisë natyrore që vështirë se do gjenden në vend tjetër.

Natyrisht, nëse do të shikonit se ku pozicionohet Gjirokastra, një pëllëmbë prapa qytetit bregdetar të Sarandës në bregun jugor të Shqipërisë, atëherë mund të kuptoni që është aq pranë Korfuzit nga ku mund të shihni ishujt e Greqisë.

Dhe mandej mund të zbuloni se në fakt ka një traget të lirë që mund të merrni nga Korfuzi në Sarandë, që niset tri herë në ditë dhe që mund t’ju çojë në destinacion për vetëm 30 minuta, por kjo tingëllon shumë e rrëmujshme për pushime.

Përfundimisht, mos shkoni në Gjirokastër. Askush nuk flet anglisht, si fillim. Me gjasë do të duhet të kaloni disa orë ulur në plazh me një vakt 10 herë më të lirë se ai që keni konsumuar në Korfuz atë mëngjes, ose keni ngrënë përbri të njëjtët det (Jon) kristal të pastër para se të mund të zbuloni se si të mbërrini në destinacionin tuaj të ardhshëm.

Dhe pastaj do të duhet të bësh plot ecejake përgjatë rrugës derisa të gjesh një minibus, shoferi i të cilit do të diskutojë me ju për çmimin dhe destinacionin. Në vend të autobuzit të bollshëm ose të “National Express”, që paraqitet në një ekran digjital, atje nuk ka bileta elektronike ose bileta çfarëdo të disponueshme. Ju duhet të bini në ujdi për çmimin e udhëtimit, që nuk është standard, para se të ngjesheni pranë ndonjë familjeje lokale, derisa minibusi të lërë Sarandën dhe disa prej peizazheve më të pabesueshme që ju kanë zënë sytë. Dhe, kush e dëshiron këtë?

Gjirokastra është një makth. Ju ecni nëpër malet dhe luginat, duke vërejtur çdo disa kilometra një nga 173,000 bunkerët, ndërtimin e të cilëve e urdhëroi diktatori Enver Hoxha, në rast lufte gjatë viteve ‘70 dhe ‘80 (ka 5.7 për çdo kilometër katror). Pastaj automjeti merr drejt fundit të kodrës së madhe, që të con deri në qytetin malor.

Në rregull, ju do të shkelni qytetin e vjetër, i cili është teknikisht një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, me rrugë me kalldrëm dhe arkitekturë otomane të mirëmbajtur, por që “të vret pas shpine”. Ndërsa zgjidhni fruta të freskëta nga pemët e fikut që mbizotërojnë në kopshtet e harlisura dhe shijoni një darkë prej 5 eurosh në karriget e vendosura në pragjet përgjatë rrugëve dredha-dredha, pa dyshim do të mendoni: pse gjithçka është tatëpjetë këtu?

Sigurisht, hotelet janë të lira dhe të bukura, dhe ofrojnë në menu mëngjese të ndryshme që i bën për ju gjyshja e dikujt, por atje nuk ka asnjë etiketë për të shpjeguar varietetet e ëmbëlsirave, produktet shtëpiake apo erëzat e zonës.

Në rregull, ka një kështjellë të ruajtur mirë në majë, sapo të kesh ecur nëpër tunele guri të pafundme, do të hasni një avion të rrëzuar gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe askujt nuk i bëhet vonë nëse nga kureshtja depërtoni në brendësi të tij. Argjendi i ndezur i diellit ngjyros një copë bari, bishti i aeroplanit me yllin e famshëm të zi shtrihet në disa shkurre, por nëse ngrini kokën do të përballeni me pamjen e qytetit të vjetër të Gjirokastrës, ngritjet e larta në fund të kodrës kryesore, luginën e rrallë dhe malet përtej. Megjithatë, bën shumë vapë po të ekspozohesh në majë të kodrës dhe gjezdisja rreth një avioni luftarak të SHBA-së, mund të faturohet me cënimin e sigurisë suaj. Llogarisni këtu që nuk keni askënd përreth -po sikur të donit ca gllënjka pijeje freskuese?

Në Gjirokastër ka pak gjasa të ketë jetë nate. Vendi ku përfundojnë mbrëmjeve shumica e turistëve dhe vendasve është veranda e bashkangjitur me “Hotel Kodra”, që gjarpëron nëpër Qytetin e Vjetër dhe ofron një pamje perfekte të perëndimit të diellit përgjatë male. Një pamje frymëmarrëse, por atje nuk gjendet as një barist. Dua të them, ju lutem…

Qyteti i gurtë që ruan skemën urbanistike

Në qytetin e Gjirokastrës vazhdojnë ndërhyrjet restauruese për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e banesave karakteristike të cilat kanë histori dhe vlerë për vetë qytetin por dhe për vizitorët.

Specialistët e e DRKK Gjirokastër kanë filluar punime restauruese në shtëpinë e “Çerçiz Topullit” monument kulture i kategorisë I e cila kishte probleme në pjesën veriore të çatisë për shkak të amortizimit të mahive dhe petavrave të cilat rrezikonin seriozisht tavanet dhe dekorimet murale poshtë kësaj pjese të dëmtuar.

Mjeshtrat e DRKK Gjirokastër po ndërhyn për restaurimin e kësaj pjese duke treguar një kujdes të veçantë që të ruhen vlerat e kësaj banese.

Gjirokastra ka 56 banesa monumente kulture të kategorisë së parë, 502 të kategorisë së dytë dhe shumë komplekse të tjera me vlera historike, arkitektonike dhe kulturore.
Qyteti ruan të paprekur skemën urbanistike, ku çdo shtëpi ka karakteristika të veçanta, që lidhen me terrenin mbi të cilin është ndërtuar.

Kujdesi, mirëmbajtja dhe promovimi i trashëgimisë sonë kulturore është një mision i përbashkët, për t’i përçuar këto pasuri, në mënyrën e duhur, tek brezat e ardhshëm.

Restauruesit në Gjirokastër zbulojnë kalldrëmin deri në 400 vjet të vjetër

Katër segmente kalldrëmi, që vlerësohet të jetë prej 200 deri në 400 vjet i vjetër, janë zbuluar gjatë punimeve për rehabilitimin urban dhe restaurimin e kalldrëmeve në Qafën e Pazarit në Gjirokastër.

Sipas drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Kulturës, Vasil Polo, segmentet e kalldrëmit janë zbuluar në pjesë të ndryshme të Pazarit të Vjetër. Projekti për rehabilitimin urban dhe restaurimin e kalldrëmeve të Gjirokastrës po zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit mbështetur nga Qeveria e Shqipërisë, Banka Botërore në kuadër të programit “Për Zhvillimin e Integruar Urban dhe Turizmin”. Për këtë pjesë të ndërhyrjes Fondi Shqiptar i Zhvillimit bashkëpunon ngushtë me Drejtorinë Rajonale të Kulturës, specialistët e së cilës sigurohen që punimet për restaurimin e kalldrëmeve të kryhen sipas parametrave të duhur.

“Kalldrëmi që po restaurohet është i viteve ’70-80. Në shumë vende ai ishte shumë i dëmtuar si në sipërfaqe, ashtu dhe në shtresat e tij. Gjatë punimeve inxhinierike u zbuluan disa segmente kalldrëmi të vjetër, që mendohet se është nga 200 deri në 400-vjeçar. Të paktën ky ishte vlerësimi paraprak nga specialistët”, ka thënë Polo, raportojnë mediat shqiptare.

Segmentet e zbuluara kanë mesatarisht përmasa 2.5 metra me 2 metra. Dy prej tyre janë mbuluar sërish me teksturë, pasi mbi to duhej vendosur rrjeti inxhinierik nëntokësor. Përpara shtrimit të tubacioneve të ujësjellësit, telefonisë e sistemit të ndriçimit, dy segmente të kalldrëmit të vjetër janë pastruar dhe janë mbështjellë me një material special mbrojtëse. I gjithë procesi është kryer nën monitorimin e Agjencisë së Shërbimeve Arkeologjike.

Ndërkohë dy segmentet e tjera do të lihen të hapura dhe do të jetë e mundur që turistët e vizitorët t’i shohin e madje të shkelin mbi to.

Në total janë 15 metra katrorë kalldrëm i vjetër që është zbuluar. Segmentet që do të lihen hapur do të rrethohen me sinjalistikë treguese për vjetërsinë e kalldrëmit, që do ta kthejë në një atraksion turistik shtesë Qafën e Pazarit. Ndërkaq, Agjencia e Shërbimit Arkeologjik po bën ekzaminimet e nevojshme për të përcaktuar saktësisht vjetërsinë e kalldrëmit.

Në vitin 1431 Gjirokastra kishte gjithsej 67 shtëpi. Numri i shtëpive dhe dyqaneve u shtua me kalimin e kohës, dhe në vitin 1650 ajo u shndërrua në qendër administrative. E vendosur në mes të korridoreve të rëndësishme të rrugëve tregtare dhe shumë pranë Greqisë, Gjirokastra ishte një qendër administrative që vazhdimisht zgjerohej.

Pazari i Vjetër, që mendohet se filloi të ndërtohej në shekullin e XVII, u rindërtua sërish në shekujt XVIII dhe XIX, kohë kur daton edhe baza e ndërtimeve të sotme.

Hapja e kalldrëmeve u bë shkak edhe për zbulimin e dhomave nën dyqanet ekzistuese të Qafës së Pazarit. Sipas ekspertëve mendohet se thuajse të gjitha dyqanet në Qafën e Pazarit kanë pasur qilarë dhe dhoma nëntokësore, dhe në disa raste edhe ishin të lidhur me njëri-tjetrin. / KultPlus.com

Zbulime historike gjatë restaurimit të pazarit në Gjirokastër

Vetëm një copë kalldrëm, që duket se daton nga fillimi i pazarit rreth 300 vite më parë, pritet të konservohet në Gjirokastër.

Gjatë punimeve për rehabilitimin e rrjetit të kalldrëmeve në “Pazarin historik” të Gjirokastrës, ekspertët kanë rënë në gjurmët e një shtrese historike rrugësh, kalldrëmesh dhe kubesh, që mund të çonin në një rivlerësim të historisë së pazarit.

Gjetjet në thellësinë rreth 2.5 metra, çuditërisht janë mbuluar sërish pa marrë zgjidhje datimi dhe pa iu dhënë mundësi ekspozimi.

Inxhinieri zbatues për punimet, Pilo Dhame thotë se befasitë gjatë gërmimeve provojnë gojëdhënat e përcjella brez pas brezi, për një sistem të sofistikuar kolektorësh e katakombesh nën pazar.

“Kolektori historik është ruajtur dhe do të vijojë të jetë funksional me rrjetin e ri që po ndërtohet”, tha Pilo Dhame, inxhinier zbatues.

Drejtoria e Monumenteve mori vendim për rihapjen e shtresave të zbuluara për të rivlerësuar situatën.

Punimet për rehabilitimin e rrjetit të rrugëve e kanalizimeve në pazar pritet të përfundojnë në tetor. / KultPlus.com

Gjirokastër, Pazari i rijetësuar sjell aromën e traditës

Gjirokastra tashmë është shndërruar në një destinacion turistik dhe kulturor falë dhe investimeve dhe rijetësimit të Pazarit, ku turistët vendas dhe të huaj shijojnë asetet e trashëgimisë kulturore si dhe kulinarinë e shumëllojshme që kjo zonë ka.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti për Gjirokastrën është shprehur se, “morëm përsipër të realizonim atë që premtuam: T’i kthejmë Gjirokastrës kurorën e krenarisë shqiptare.Gjirokastra sot është shndërruar në një kantier të madh, ku punohet në shumë fronte”.

“Manjola Bici tregon për Pazarin e Ri të rijetëzuar, ku tregtohen prodhimet “Made in Albania”. Aty mund të gjeni zahire, gliko, trahana, raki, çaj mali, aroma e tradita të gjysheve nga Lunxhëria, Pogoni, Zagoria, Libohova. Kemi bërë shumë, më shumë do të bëjmë”, përfundon Margariti. /ata

13 fshatrat turistikë të qarkut të Gjirokastrës në një libër

13 fshatrat turistikë të qarkut të Gjirokastrës janë përfshirë në librin “Trembëdhjetë petalet e para në buqetën rurale”, të hartuar dhe botuar nga institucioni i Prefektit të qarkut.

Këto 13 fshatra janë përfshirë në Programin e Integruar për Zhvillimin Rural, i cili synon të koordinojë ndërhyrjet zhvillimore në hapësirat rurale.

Programi i Integruar për Zhvillimin do të programojë ndërhyrjet me investime të integruara në zonat e përcaktuara nëpërmjet përmirësimit të infrastrukturës publike, zhvillimit ekonomik dhe zhvillimit të kapitalit social e njerëzor.

Në këtë libër janë përfshirë fshatrat e qarkut Gjirokastër si Dhoksat, Malëshovë, Zhulat, Antigone, Lazarat, Labovë e Sipërme, Nepravishtë, Nivicë, Peshtan, Kalivaç, Leusë, Kosinë, Sotirë etj./ KultPlus.com

Shpat Deda, gurët e Gjirokastrës i ktheu në skenë të gjallë të kulturës

Ministrja e Kulturës, Mirale Kumbaro, ka falënderuar kantautorin Shpat Deda që zgjodhi ambientet e kulturore si skenë të muzikës së tij.

Gurët e Gjirokastrës u kthye nga ritmet e muzikës në skenën e gjallë të kulturës bashkëkohore duke rrëzuar të gjitha kufijtë, ato të mendjes dhe ato administrative.

Ministrja Kumbaro shkruan: ”Falëminderit Shpat Deda që zgjodhe Trashëgiminë Kulturore si skenë të muzikës tënde! Nga Shkodra në Gjirokastër albumi #AmbëlEThartë i dha jetë Kalasë së Argjiros në qytetin që turizmin e ka bashkudhëtarin e të gjithë muajve”, – shkruan ministrja./ KultPlus.com

Ura e Nivanit afër Gjirokstrës, monument me një histori të pasur

Ura e Nivanit, monument kulture i kategorisë I, e ndodhur mbi lumin e Zagorisë, në Nivan, Gjirokastër, është një monument me histori të pasur dhe arkitekturë të veçantë.

Instituti i Monumenteve të Kulturës bën të ditur se një tjetër kantier i shtohet Ministrisë së Kulturës. “Pas miratimit të projektit në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Restaurimeve, në fshatin Nivan ka nisur puna për restaurimin e urës”, thekson IMK-ja.

Projekti i hartuar nga specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës parashikon ndërhyrje konsoliduese dhe restauruese në monument.

Ura e Nivanit përfaqëson një strukturë komplekse me 2 harqe guri dhe një hapësirë dritë rreth 20 m. Ura është e mbuluar me kalldrëm përkatësisht 28 m dhe 40 m të gjatë.

Kjo urë i dha jetë në fillim të shek.XIX komunikimit jo vetëm tregtar, por edhe shpirtëror mes Gjirokastrës dhe Përmetit. Karvanet që vinin nga Gjirokastra kalonin mbi urën e Nivanit ndaleshin më pas në Manastirin e Nivanit ndërtim i vitit 1777, vijonte në Nivan, Sheper në Qafën e Dhëmbelit e më pas në Përmet.

Sot, kjo urë përveç funksionit rajonal për kalimin e kafshëve dhe të njerëzve, është kthyer në objekt të vizitueshëm për historinë, kuriozitetin dhe arkitekturën e veçantë të saj./ KultPlus.com

Piktura murale e banesës 300 vjeçare Skënduli në Gjirokastër do të restaurohet

Instituti i Monumenteve të Kulturës ka hartuar projektin për restaurimin e pikturës murale “Skena e Gjuetisë” në shtëpinë Skënduli, banesë 300-vjeçare ndër më të spikaturat në qytetin e gurtë të Gjirokastrës.

Projekti i miratuar në Këshillin Kombëtar të Restaurimeve parashikon ndërhyrje konservuese dhe restauruese në pikturën murale, që ndodhet në shtëpinë “Monument kulture”, të kategorisë së parë në lagjen Palorto.

Instituti i Monumenteve të Kulturës bën të ditur se mirëpret çdo bashkëpunim dhe mbështetje, e cila kontribuon në ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore.

Qytet i Gjirokastrës i përfshirë në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s nga viti 2005, ishte një qendër e rëndësishme administrative e populluar nga pronarë tokash, që ndërtonin shtëpi-kulla madhështore të fortifikuara. Qyteti që ofron mbi 500 ndërtesa historike, ka një sërë banesash karakteristike.

Mes këtyre banesave ndodhet edhe shtëpia Skënduli, e ndërtuar rreth vitit 1700, që është një ndër destinacionet më të frekuentuara nga turistët. Ajo ka 44 dyer, 64 dritare, 9 oxhakë, të cilët në atë kohë përcaktonin dhe pozitën shoqërore e ekonomike të fisit. Ka gjithsej 19 ambiente, ka dhe disa dhoma të bukura./ KultPlus.com

Vallja tradicionale shqiptare në shtëpinë 300 vjeçare të Skëndulatëve në Gjirokastër (VIDEO)

Shtëpia e Skëndulatëve, banesa 300-vjeçare ndër më të spikaturat në lagjen Palorto në Gjirokastër, ka mirëpritur vallëzimin tradicional nga jugu i Shqipërisë, shkruan KultPlus.

Ky vallëzim tradicional në këtë hapësirë flet për ruajtjen e traditës ndërsa valltarët ndjekin ritmin e kësaj valleje të vjetër, instrumentistët qëndrojnë në shkallët e saj duke krijuar një atmosferë të veçantë për të pranishmit.

Kjo valle që vjen nga jugu i Shqipërisë, njihet si Vallja Çame e Osman Takës dhe është një valle tradicionale popullore e shqiptarëve të Çamërisë, që është bërë gjerësisht e njohur në Shqipëri. Vallja është e lidhur me Osman Takën, një udhëheqës çam, i cili luftoi kundër forcave Osmane. Kjo valle është një valle e vjetër çame, por me këtë emër është e njohur pas shekullit XIX./ KultPlus.com

Dhoskati i Gjirokastrës mirëpret vizitorët me gatime tradicionale dhe festë

Në këto ditë të nxehta gushti, pothuaj të gjithë janë zhvendosur në jug aty ku freskia, uji, natyra, mali dhe deti bëhen një dhe të pazëvendësueshëm me asgjë tjetër në botë.

Megjithatë, nuk janë të vetmet gjëra që mund të të kënaqin gjatë këtyre ditëve të nxehta. Për të gjithë ata që nuk preferojnë të rrinë gjatë gjithë ditës në diell, por preferojnë të vizitojnë vende që promovojnë kulturën, traditën dhe historinë tonë, ka gjithmonë hapësira.

Më 11 gusht, në Lunxhëri dhe në rrethinat e saj, do të zhvillohen një sërë aktivitetesh kulturore, jo vetëm që do t’ua mbushin ditën, por edhe do të ju ushqejnë me informacione për traditat e lashta të kësaj zone, ashtu si edhe me recetat tradicionale që nuk duan t’ia dinë nëse bota ecën me shpejtësinë e dritës ato shijojnë edhe më shumë, sepse u janë besnike duarve të gjysheve.

Në Dhoskat, një prej fshatrave më të vizituara të zonës, do të organizohen një sërë aktivitetesh që promovojnë agroturizmin e këtyre rrethinave.

Banorët e zonës, njohësit më të mirë të produkteve organike të prodhuara në këtë vend, do t’ju ofrojnë të shijoni gjithçka të përgatitur nga duart e tyre. Duke nisur që nga trahanaja, te mjalti i luleve e gjithçka tjetër kjo zonë ofron, këtu do t’i gjeni të rralla e të pakrahasueshme me asnjë shije tjetër./ KultPlus.com