Petrit Çeku me recital live nga dhoma: Ndjehem sikur ishim bashkë në ato momente

Pothuajse në gjithë botën janë ndalur të gjitha aktivitetet kulturore e artistike për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme që është krijuar me rastin e shpërndarjes së Koronavirusit. Italianët, aty ku virusi u shpërnda në masë të madhe, duke qenë në karantinë, janë munduar të gjejnë mënyra të ndryshme se si të argëtohen dhe ta mposhtin panikun nga ky virus. Duke dalë në ballkone atë bënë muzikë e kënduan, duke i dhënë mesazh gjithë botës se jeta duhet shijuar në çdo mënyrë, shkruan KultPlus.

Por, një veprim të jashtëzakonshëm e ka bërë edhe kitaristi shqiptar Petrit Çeku.

Ai ka zgjedhur një tjetër formë, që përmes artit të tij të jetë më afër njerëzve në këto kohë të vështira.

Duke qenë i izoluar në banesën e tij në Zagreb, ai ka vendosur të mbajë një recital me veprat e Schubertit.

 Në një lidhje Live në Facebook ai ka arritur të mbledhë një numër të madh njerëzish në recitalin e tij më të veçantë ndonjëherë. Për gati gjysmë ore, ai solli gjashtë vepra të kompozitorit austriak Franz Peter Schubert. Nga gjithë sallat e mëdha që ka shkelur Çeku, dhoma e tij dukej sikur ishte një hapësirë ideale për atë recital e sikur atij po i jepte qetësinë e botës.

Ai përmes një statusi në Facebook, falënderoi të gjithë ata që e përcjellën recitalin e tij, duke potencuar faktin se ishin pothuajse 10 mijë njerëz nga e gjithë bota që e shikuan Live recitalin e tij të vogël.

“Ndjehem sikur ishim bashkë në ato momente. Të mos harrojmë se megjithëse jemi të bllokuar në shtëpitë tona, ne jemi bashkë në këtë”, ka shkruar Petriti në Facebook. / KultPlus.com

I will start playing Schubert at 9pm CET.

Gepostet von Petrit Çeku am Freitag, 13. März 2020

Eda Zari rikthehet në Prishtinë, sjellë një “Udhëtim dimëror” në prag të festave të fundvitit

Më 1 dhjetor me fillim nga ora 20:00 në Teatrin Oda, rikthehet Eda Zari, për një koncert të radhës, shkruan KultPlus.

Eda Zari feat. Rhani Krija, Gert Kapo, Visar Kuçi, Ilir Bajri, Hayden Chisholm sjellin “Udhëtim dimëror – Spiritual Jazz – kanellë dhe verë”, në Teatrin Oda, aty ku do të lexojë Sokol Çunga.

“Një program i pazakontë përmbush dëshira të vogla nostalgjike muzikale dhe kyçet me përmasën shpirtërore në muzikë. Përmes aranzhimeve të larmishme xhaz gërshetohen melodi aq të njohura, që tingëllojnë familjare, dhe përgatisin shpirtin për sezonin e festave të fundvitit.

Dimensioni shpirtëror në muzikë është jashtëzakonisht i rëndësishëm, ndaj shkojmë muzikalisht pas në histori, për të njohur vlerën e ritualeve, festave, simbolikave.

Ritualet që ngrohin zemrën janë gjithmonë të mira. Nuk janë domosdo vetëm pikëpamjet e tradicionale fetare. Janë, bashkë me to, dhe ato rituale laike që japin shembuj, na tregojnë, së pari, si të paqtohemi dhe të festojmë të gjithë së bashku, në emër të dashurisë dhe paqes.

“Ja na erdhi viti i ri”, “Silent Night” janë këngë të njohura për çdo moshë. Pothuajse kushdo mund të këndojë nën zë e me zë duke bërë të pranishme ndjesinë e bredhave plot borë, të nuhasim biskotat e sheqerit që vijnë nga furra, të shohim dritaret e kuzhinës me avull. Dëshirojmë t’ju kënaqim, ndonëse sezoni i festave ende nuk ka filluar, duke ju sjellë përjetimin e një nate dimri me tinguj nga muzikantë të përkushtuar, dhe “Përralla nga e shkuara“!”, thuhet në njoftim./ KultPlus.com

Kur Aleksandër Gjokës i kërkohet të këndojë “live” (VIDEO)

Aleksandër Gjoka është një nga figurat kyçe të muzikës shqiptare, një zë i rrallë i cili i ka dhënë përjetësinë secilës këngë që e ka kënduar, shkruan KultPlus.

I natyrshëm në skenë, pa shumë lëvizje e veç me zë, ai arrin ta marrë publikun me vete. Në skenat ku është ngjitur publiku e ka përcjellë gjithnjë në këndim.

Në emisionin “Top show”, atij i ishte kërkuar që për kënaqësinë dhe nostalgjinë e publikut të këndojë “live”, ndërsa ai më shaka është përgjigjur “Ti dyshon se unë nuk këndojë live”, ndërsa me duart e ngritura lart fillon të këndojë një nga këngët e tij epike “Dashurisë së shkuar”, duke i mahnitur të gjithë të pranishmit, që e përcjellin me duartrokitje. / KultPlus.com

Dua Lipa interpreton Live në emisionin “Later… with Jools Holland” në BBC Two (VIDEO)

Zëri kosovar që po mahnit botën, interpretoi mbrëmë Live në emisionin “Later… with Jools Holland” në BBC Two, shkruan KultPlus.

Dua Lipa është ajo që interpretoi bashkë me bendin e saj tek Jools Holland këngët “Be the one”, “Homesick” dhe “New Rules”.

“Later… with Jools Holland”, është emisioni i cili transmetohet në BBC Two, dhe daton që nga viti 1992.

Dua nëpërmjet rrjetit social Instagram, ajo ka shkruar se mbrëmë ishte një natë e veçantë për të.

“Unë me bendin tim performuam në Jools Holland. Kjo do të thotë shumë për neve dhe ne jemi shumë të lumtur. Shumë krenare për tërë ekipin tim. Ne ia dolëm. Për ata që nuk kanë kapur shfaqjen e drejtpërdrejtë natën e kaluar, të shtunën në mbrëmje mund ta ndjekin atë dhe të na shihni duke performuar “Be The One”, “Homesick” and “New Rules”. Ju dua të gjithëve”, ka shkruar Lipa. / KultPlus.com

Albina Kelmendi and Band performojnë sonte në Rockuzinë

Albina, një këngëtare e dalluar nga Talent Show “The Voice Of Albania” performon sonte, me 24 shkurt, në Rockuzinë, lokal ky tani më i njohuri për shprehjen e talenteve dhe performancave muzikore të rrymës Rock.

Karriera e Albinës si këngëtare filloi nga Talent Show i njohur “The Voice Of Albania”, ajo nuk u ndal me kaq, pasi që në fillimet e saj u ngjit suksesëshëm edhe në skenën e finales së “Top Fest” me këngën “Nuk ka ma mirë”.
Nga ajo kohë, Albina realizoi edhe dy videoklipe duke filluar me = “Ëndrrën mos ma merr” dhe “Hera e parë”.


Ajo performon në shumë lokale të vendit tonë pasi talenti dhe zëri i saj çdo ditë e më shumë po pëlqehet nga publiku shqiptar.

Të gjithë ata që e duan rokun dhe zërin e Albinës kanë mundësinë ta shijojnë në një nga lokalet më të mira të vendit tonë ku performohet live, sonte në Rockuzinë. / KultPlus.com

Grupi i njohur ‘Ethnically Plluged’ performon sonte në Rockuzinë

Ethnically Pllugged, i formuar në vitin 2004, është një grup i përbërë nga disa prej muzikantëve shumë të njohur të Kosovës.

Të gjithë anëtarët e grupit kanë përvojë mbi 20 vjeçare me gupe të ndryshme kosovare si TNT, Marigona etj.

Muzika e ‘Ethnically Pllugged’ është e bazuar në përpunimin e muzikës tradicionale shqipe me instrumente të ndryshme dhe me anim nga Jazz/Fusion. Ata publikuan audio CD dhe DVD në vitin 2005. Deri më tani kanë pasur shumë performanca të suksesshme nëpër Kosovë.

Bendin e përbëjnë, Luan Macula në kitarë, Ilir Tolaj në kitarë, Edon Ramadani në piano dhe Teoman Ukqa në bateri. Këtë nate Ethnically Pllugged do të ngjiten në skenën e Rockuzinë për herë të parë, me shumë risi në repertorin e tyre.

Performanca e tyre fillon në ora 21:00. / KultPlus.com