Pianistja Ardita Statovci bashkë me talentet e rinj me koncert në Berlin, u vlerësua lartë nga të pranishmit

Në Berlin, Ambasada e Kosovës organizoi një koncert shumë të veçantë me pianisten e mirënjohur Ardita Statovci, së bashku me talentët e rinj, fitues të çmimeve të ChopinPianoFEST, Fortesa Jusufi, Andi Duraku, Lisa Sahatçiu, Melisa Ibrahimi dhe Rron Bakalli.

Koncerti u mbajt në sallën e bukur të Universitetit të Arteve Joseph-Joachim-Konzertsaal, ku ishin të pranishëm shumë personalitete të jetës publike, diplomatë, përfaqësues të institucioneve, artdashës dhe studentë e pjesëtarë të diasporës tonë në Berlin.

Loja e artistëve dhe i gjithë programi u vlerësua shumë lartë nga të pranishmit. Të mahnitur mbetën edhe dy personalitete të veçanta, Herbert Groeger, sponsor i Çmimit Special të Chopin Piano Fest Prishtina Prishtina dhe Johannes Neukirchen nga bordi i Young Euro Classic, një organizatë e rëndësishme për muzikantët e rinj.

Koncerti është mbështetur nga MKRS dhe MPJ. / KultPlus.com

Rita Ora elektizon publikun në koncertin e saj në Ibiza (VIDEO)

Këngëtarja shqiptare e njohur ndërkombëtarisht Rita Or,a ka elektrizuar publikun teksa po interpretonte të mërkuren mbrëma, një koncert në Ibiza.

Duke postuar në Instagram, këngëtarja, 32 vjeçe, shfaqi figurën e saj të pabesueshme me një rroba banje të prerë jeshile për setin e saj së bashku me DJ Joel Corry.

Më poshtë gjeni videon ku shihet perfomanca e saj përgjatë koncertit:

Akon i drejtohet publikut të Kosovës me një video

Super ylli Akon u konfirmua dje si mysafiri ndërkombëtar i “Time Capsule II” që zhvillohet të premten në kryeqytet.

Lajmin e dha Capital T i cili bëri të ditur se Akon e ka pranuar ftesën e tij për të qenë me publikun kosovar në atë që po konsiderohet si ngjarja kulturore më e madhe në kryeqytet përgjatë kësaj vere.

E Akon ka pasur edhe një mesazh për shqiptarët.

Përmes një videoje, ai i ka ftuar të gjithë të jenë aty ditën e premte.

“Prishtina do jem aty me 11 gusht, live me Capital T. Do të performoj live dhe do jetë një çmenduri. Merrni biletat dhe shihemi atje”, thotë mes tjerash Akon. / KultPlus.com

Koncerti “Nexhmije Pagarusha” sonte në RLIOF, këngët e artistes vijnë të përpunuara në mënyrë tejet origjinale

Rame Lahaj International Opera Festival sonte sjell mbrëmjen e pestë muzikore të titulluar ‘Nexhmije Pagarusha’, përcjell KultPlus.

Këngët e Nexhmije Pagarushës do të vijnë në përpunim tejet të veçantë dhe origjinal, për të zgjuar tek secili prej jush përjetime e momente unike siç vetëm muzika e saj dinte t’i zgjonte.

Artistët që do të interpretojnë në këtë mbrëmje janë: Kaltrina Miftari, Adhurim Grezda, Ardiana Bytyqi, Gerald Murrja, Besarta Murtezani, drejtuar e shoqëruar nga Keli Band.

Koncerti ‘Nexhmije Pagarusha’ mbahet sonte, e Hënë, 31 Korrik, nga ora 20:00 në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare (objekti në afërsi të Institutit Albanologjik). / KultPlus.com

Këngëtarë të njohur të Sanremos zbresin në Vlorë, dhurojnë koncert në shesh

Fundjava për Vlorën ishte nën tingujt e Sanremos. Banorë të Vlorës por edhe pushues të shumtë, vendas e të huaj, patën mundësinë të ndjekin për shumë orë, një koncert të disa prej këngëtarëve më të njohur italianë, të cilët pëlqehen dhe ndiqen edhe në vendin tonë.

Në koncertin “live” performuan këngëtarë të cilët kanë fituar të paktën një herë festivalin e Sanremos si: Albano, Mieta, Marco Masini, Michelle Zarillo, Pupo, Matia Bazzar, Riccardo Fogli, Iva Zanicchi etj. Hyrja ka qenë e lirë, duke u dhënë mundësinë të gjithë të ishin pjesëmarrës të këtij eventi të jashtëzakonshëm.

Përveç se interpretuan, artistët italianë janë shprehur në skenë, me superlativa për qytetin e Vlorës dhe mikpritjen, duke thënë se do të donin të riktheheshin, madje disa prej tyre vinin për të disatën herë. Në shesh ka ndjekur aktivitetin edhe një komunitet i madh shtetasish italianë.

Koncerti “Sanremo-Vlorë, vajtje-ardhje” u organizua me iniciativën e Sinan Idrizit dhe gjeti mbështetje nga Konsullata Italiane dhe Bashkia Vlorë. / atsh / KultPlus.com

Shkëlzen Doli, figura me renome botërore rikthehet me koncert në ‘Gjakova Summer Fest’

Artisti me renome botërore Shkëlzen Doli, do të përformojë në zemër të Gjakovës, në edicionin e parë të Festivalit “Gjakova Summer Fest”.

Ky festival organizohet për herë të parë në Gjakovë, në qytetin e traditës, i cili gjithmonë ka frymuar shqip.

Festivali do të mbahet tek Çarshia e Vjetër në nënqiellin e hapur, me 8 dhe 9 gusht. 

Ne këtë edicion do të përformojnë artistë të përzgjedhur duke sjellur muzikën më të bukur shqipe.

Nata e parë e Festivalit, më 8 gusht, do të jetë me bileta, të cilat mund të bleni online tek:

www.rave-travel.com

Dhe në qendrat: Gjakovë/ Radio Gjakova

Prishtinë: Rave Office, Rr. Fehmi Agani, Hymja 20 / Kati 3

Natën e dytë të festivalit, do të jetë për të rinjtë dhe hyrja do të jetë gratis./KultPlus.com

Ricky Martin: Shqiptarët janë jashtëzakonisht mikpritës

Artisti latin me renome ndërkombëtare, Ricky Martin prej disa ditësh po qëndron në Shqipëri.

Këngëtari sonte (e enjte) do të mbaj koncertin madhështor në sheshin “Skënderbej”, në Tiranë por para kësaj ai ka vizituar edhe qytetin bregdetar të Durrësit, nga ku edhe postoi imazhe për fansat e tij.

Përveç tjerash, 51-vjeçari ka mbetur i mahnitur nga mikpritja e popullit shqiptar, për të cilën është shprehur para miliona ndjekësve në Instagram.

Ai ka publikuar një informacion në të cilën përshkruhej mikpritja si një prej karakteristikave të popullin shqiptar, një gjë të cilën e ka konfirmuar edhe vet autori i “Livin’ La Vida Loca”.

Foto: Ricky Martin / Instagram
FOTO: RICKY MARTIN / INSTAGRAM

“Shqiptarët janë jashtëzakonisht mikpritës, fakte”, ka shkruar Martin në postim.

Ndërkohë, me të arritur në aeroportin e Tiranës, ai tha se është i lumtur për koncertin që do të mbaj për shqiptarët dhe ftoi që të gjithë të bëhen pjesë e tij. / KultPlus.com

Sopranoja Adelina Paloja, artistja e parë shqiptare në histori që do interpretoj në Pantheon të Romës: Është absolutisht një ëndërr

Jeta Zymberi

Në skenën e muzikës klasike, një emër që po shkëlqen çdo ditë e më shumë është ai i sopranos Adelina Paloja. Kjo artiste e mrekullueshme ka arritur të krijojë një ndikim të vërtetë në audiencë me zërin e saj të butë, të pastër dhe emocionues. Talenti i saj kësaj radhe po e dërgon për interpretim në dy vende të shquara – në Vatikan dhe Pantheon, në monumentin antik kult të Romës, shkruan KultPlus.

Si një soprano e njohur në skenën shqiptare, Adelina Paloja është një shembull i rrallë i pasionit, talentit dhe përkushtimit për muzikën. Zëri i saj që ngjall magji është i pajtueshëm me zërin e engjëjve, dhe ajo ka arritur të përcjellë emocionet më të thella nëpërmjet interpretimit të saj të mrekullueshëm.

Tashmë, një sukses i ri po shënohet në karrierën e artistes. Si rrjedhojë e interpretimit të saj në celebrimin e 15-të vjetorit të Pavarësisë së Kosovës me meshën “JOSEPH VELLA, MESSA PER LA PACE KOSOVA HYLAND PEACE MASS” erdhi edhe bashkëpunimi në Romë – Itali me ftesë të vet Hyland pasi dëgjoi interpretimin e Meshës nga sopranoja kosovare.

Përveç interpretimit në Vatikan, Paloja do të performojë edhe në monumentin antik kult të Romës, duke u vendosur mes thellësive të historisë dhe mrekullive të artit të lashtë. Në këtë ambient të veçantë, zëri i saj do të përjetësohet në një bashkëpunim të pazakontë mes kohës së sotme dhe të kaluarës së largët.

“Është absolutisht një ëndërr që të jetësohet interpretimi në vendin më prestigjioz në Itali dhe botë, më saktë në Vatikan dhe në Pantheon – Romë, dy vendet me histori të jashtëzakonshme dhe të një rëndësie të veçantë për botën! Mund të them që nuk kishte si të kurorëzohej më mirë kalendari artistik”, shprehet Paloja për KultPlus.

Sopranoja gjithashtu ka thënë se ky interpretim do i dedikohet imazhit të Kosovës në Vatikan, Romë dhe në botë andaj edhe do jetë i mbështetur nga “Albanian Diaspora Business Network”.

Në këtë paraqitje, Adelina do të interpretoj edhe premierën e veprës “Kosova Hope” të Hajrullah Sylës.

Koncerti do dirigjohet nga Michele Manganelli, soliste vokal, në organo Roberto Marini si dhe International Opera Choir shoqëruar nga Orkestra “Orchestra Sinfonica Romana” Direttore Michele Manganelli.

Përtej pjesës artistike, Adelina ka shpalosur për KultPlus edhe peshën që bart ky koncert.  

“Përgjegjësia është edhe më me peshë pasi në Pantheon do jem artistja e parë shqiptare në histori që do interpretoj. Pantheon në Romë si një destinacion për çdokënd jo vetëm për turistët dhe regjisorët por edhe për arkitektët, dizajnerët dhe artistët nga e gjithë bota është pasuri dhe i mbrojtur. Legjendat thonë se ishte pikërisht vendi ku themeluesi i Romës, Romulus, u ngjit në parajsë ku edhe sot mbetet akoma i hapur për të gjithë si objekti më i vjetër në botë që është ende i hapur përgjatë ditëve të sotme”, tregon artistja.

Shekuj më vonë, arkitektët neoklasikë do t’i referoheshin kombinimit të portikut dhe kupolës së Panteonit për të mbushur ndërtesat e tyre me të njëjtat vlera, nga Kapitoli i SHBA-së në Uashington, DC., deri te Somerset House në Londër, ku në plan është që edhe ky koncert të shfaqet në USA dhe në Britani të Madhe.

“Jam e bindur që do mirëpritet kjo premierë e veprës në Itali, me prezencë të aktereve kyç nga jeta kulturore, diplomatike, politike dhe religjioze duke përfshirë prezencën e Kardinalit të Romës dhe kardinalëve të tjerë të Italisë, përfaqësuesve nga Shtetet e ndryshme etj.”

Ky vit ka qenë jashtëzakonisht i frytshëm për Palojën e cila tash po i shijon frytet e karrierës mbi 27 vjeçare.

Prezantimet e sopranos kosovare në Itali, Milano me Orkestra Simfonike në Teatro, Koncerti dedikuar 100 Vjetorit jubilar të dives Maria Callas, koncertimet në Zagreb, Kroaci dhe në rajon e Evropë, janë vlerësuar lartë nga kritika dhe të pranishmit. Por puna për të vazhdon me projekte të reja, me angazhim të përditshëm në kontroll rigoroz të teknikës së të kënduarit e me detaje të stërholluara muzikaliteti e studimi të literaturës nga opusi i kompozitorëve për të qenë gjithherë në formë optimale që ti dhurojë audiencës interpretime të nivelit të lartë. / KultPlus.com

Mbrëmja e solistëve solli në Chopin Piano Fest edhe tingujt e fizarmonikës, një interpretim mjaft i rrallë në vendin tonë

Vjollca Duraku

Me mbrëmjen e solistëve është shënuar edhe koncerti i parafundit i festivalit Chopin Piano Fest Prishtina. Risia e mbrëmjes ishte performanca me fizarmonikë e cila dha tinguj të padëgjuar deri më tani në festival, pasi interpretimi me këtë instrument në vendin tonë është mjaft i rrallë, shkruan KultPlus.

Si zakonisht hapjen e koncertit e bëri drejtoresha organizative e festivalit Besa Luzha, e cila u uroi mirëseardhje të pranishmëve dhe e informoi publikun për pikat të cilat do të interpretoheshin.

Më pas, me tinguj muzikor, hapjen e festivalit e bëri fizarmonicisti Shkumbin Miftari i cili interpretoi veprat Gernika të Gorka Hermosa-s, Tango të Astor Piazzolla-s dhe Dark Eyes-  Charles Magnate, i cili publikut në sallë u dhuroi tinguj të lartë duke u pasuar me pauza, tinguj të ulët, e herë ritme konstante shumë të bukura për veshët e dëgjuesve.

Pika pasuese e mbrëmjes u prezantua nga pianistja Njomza Xhaferi me veprat M. Ravel- Gaspard de la nuit: Ondine, F Chopin-Andante Spianato et Grande Polonaise Brilliante op.22. Kjo pikë interpretuese filloi me tinguj të qetë të cilët krijoheshin vetëm me dorën e majtë të pianistes. Tingujt u duk sikur u kompletuan kur në lojë u kyç edhe dora tjetër e pianistes Xhaferi.

Ndërsa të tretët në radhë të performancës ishin flautistja Nina Shala dhe pianistja Lirika Pula Kasapolli me veprat e  Alfred  Casella- Barcarolla et Scherzo dhe Gaubert: Madrigale dhe Sicilienne. Pianoja në këtë rast kishte rolin më shumë të shoqëruesit. Ishte flauti ai i cili e kishte barrën kryesore që e bënte veprën të kishte peshë. Tingujt e lehtë që dhuronte flauti në prapavijë me disa lule të bukura të skenës, krijonin imazhe mendore të një parku mbretëror.

Pas këtij interpretimi pikën e fundit para publikut e dhuruan Njomza Kastrato dhe Dite Hysaj me Piano Duo të cilat interpretuan pikat e  M.Raavel-Ma mére I’Oye dhe A.Piazzola- The Fo të dyja njëkohësisht në një piano. Kjo pikë ishte mjaftë e veçantë pasi në piano interpretonin katër duar me një harmoni të shkëlqyer.

Pas përfundimit të pikës interpretuese të gjithë artistët dolën në skenë dhe e përshëndetën publikun në sallë me përulje, e të cilët gjatë gjithë kohës duartrokisnin.

Pas koncertit pianistja Lirika Pula-Kasapolli për KultPlus ka thënë se për të ishte kënaqësi interpretimi në festival, pasi Chopin Piano Fest është një prej festivaleve më dinjitoze.

“Ishte një kënaqësi shumë e madhe për të luajtur para publikut të Chopin Piano Fest, një prej festivaleve më dinjitoze, i cili është i organizuar në mënyrën më të mirë. Ne ishim me fat që u ftuam për të performuar në këtë mbrëmje”, ka thënë Kasapolli.

 Ndërsa pianistja Njomza Kastrati, gjithashtu ka falënderuar drejtoreshën Lejla Pula për ftesën për pjesëmarrje në festival i cili i kishte lënë shumë mbresa.

“Është shumë ndjenjë e mirë. Është hera e parë për mua që kam luajtur në Chopin Piano Fest. E falënderoj profesoreshën Lejla, e cila na ka ftuar dhe me këtë jemi shumë të kënaqura. Është ambient i ngrohtë dhe është shumë interesant.

Ajo më tutje e shpjegoi edhe teknikën e punës me të cilën interpretoi me Piano Duo “Quhet piano me katër duar, dhe ka shumë vepra të shkruara për të. Pjesa e parë ishte nga Raveeli, kurse pjesa e dytë nga Piazzola. Ne me Ditën bëjmë duo që disa vite. Këtë program pothuajse e kemi luajtur edhe me një koncert tjetër. Por, është si teknikë pak e vështirë shkaku i punës dhe angazhimeve tjera në jetën e përditshme. Mirëpo jemi mësuar me njëra tjetrën dhe është impresionuese puna së bashku”, ka thënë Kastrati.

Ndërsa drejtoresha artistike e Festivalit Chopin Piano Fest, Leja Pula, për KultPlus ka thënë se është shumë e lumtur që kanë arritur ta realizojnë një mbrëmje aq të bukur siç ishte Mbrëmja e Solistëve, në të cilën u paraqitën muzikantë të cilët janë duke e ndërtuar karrierën e tyre.

“Më vjen shumë mirë që arritëm ta realizojmë këtë mbrëmje shumë të bukur. Janë solistët shqiptarë që na sollën vepra të ndryshme, me ngjyra të ndryshme dhe të karaktereve të ndryshme. Ishte një atmosferë e mrekullueshme këtu dhe po më vjen mirë që në skenën tonë të Chopin Piano Fest të paraqiten edhe këta muzikantë të cilët po e ndërtojnë karrierën e tyre si në Kosovë ashtu edhe jashtë vendit”, u shpreh drejtoresha Lejla Pula.

Ajo më tutje bëri të ditur se fizarmonika ishte risia e mbrëmjes, dhe ndihej shumë e lumtur pasi kishin arritur që skenës në Prishtinë t’i sillnin një instrumentist i cili ka arritur suksese të mëdha në skenat ndërkombëtare.

“Fizarmonika është vërtetë një instrument  i cili nuk dëgjohet shumë shpesh në skenën tonë. Është një artist i mrekullueshëm i cili ka studiuar në Tiranë dhe i cili ka mbërritur suksese shumë të mëdha në garat ndërkombëtare, dhe jemi shumë të lumtur që si organizatorë kishim rast që ta prezantojmë atë në skenën tonë”, ka shtuar drejtoresha e festivalit.

Ajo më tutje potencoi dëshirën e saj që Prishtinën ta shndërrojë në një qendër muzikore botërore gjatë festivalit Chopin Piano Fest.

“Unë si drejtoreshë artistike kam dëshirë që Prishtina të shndërrohet në një qendër muzikore botërore gjatë muajit të Festivalit të Chopin. Shpresoj që e kemi arritur këtë synim të cilin e kemi pasur”, ka përfunduar Lejla Pula.

Festivali Chopin Piano Fest, koncertin e radhës dhe të fundit të kësaj maratone të muzikës klasike do ta prezantojë më 9 qershor në të cilin do të performoi pianistja Avery Gagliano, e cila në vitin 2020 ishte fituese e çmimit të parë të Konkursit Ndërkombëtar të Pianos në ShBA. /KultPlus.com

Ricky Martin: Shumë i lumtur të njoftoj se do të jem në Tiranë

Këngëtari i njohur i muzikës latine Ricky Martin do të performojë për herë të parë në Tiranë. Ylli botëror i cili po zhvillon turin e tij “Ricky Martin Symphonic”, do të ndalojë dhe në vendin tonë.

Lajmin e konfirmoi vetë këngëtari i cili në rrjetet sociale shkroi: “Po!!! Shumë i lumtur të njoftoj se do të jem në Tiranë, Shqipëri më 20 korrik me koncertin tim simfonik dhe Orkestrën Kombëtare të Tiranës. Shpresoj që të gjithë të mund të më bashkoheni në koncertin tim të parë në Shqipëri”.

Përpara koncertit të Ricky Martin, një tjetër këngëtar po aq i njohur dhe i dashur për publikun, do të performojë në Tiranë. Enrique Iglesias do të jetë në sheshin Skënderbej në fund të muajit qershor duke nisur kështu Javën Kulturore Spanjolle.

Lajmin për koncertet e dy prej figurave më të rëndësishme të muzikës latine e dha edhe kryeministri Edi Rama. / KultPlus.com

Chopin PianoFEST zgjeron aktivitetin e saj, sonte prezantohet koncert në Tiranë

Chopin PianoFEST Prishtina, sonte udhëton në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, me koncertin e radhës të cilin e zhvillon në bashkëpunim me Filhamoninë e Kosovës, shkruan KultPlus.

Chopin PianoFEST Prishtina këtë vit e ka zgjeruar aktivitetin e saj, ku sivjet për herë të parë, ka dërguar festivalin edhe në Shqipëri, në Teatrin Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor.

Këtë mbrëmje adhuruesit e muzikës klasike mund ta përcjellin edhe mjeshtrin e jashtëzakonshëm nga Mbretëria e Bashkuar, pianistin Peter Donohoe.

Koncerti do të fillojë në ora 20:00 në Teatrin Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor në Tiranë/ KultPlus.com

Imazhe nga koncerti i Filharmonisë së Kosovës në Chopin PianoFEST (FOTO)

Një koncert i radhës i festivalit ‘Chopin PianoFest Prishtina’ është mbajtur të hënën, si bashkëpunim i Chopin PianoFEST dhe institucionit më të lartë muzikor në vend, Filharmonisë së Kosovës, shkruan KultPlus.

Ky koncert i jashtëzakonshëm, ndër të tjera u mundësua nga profesionalizmi i  maestros Peter Donohoe, dirigjentit Robert Guy dhe Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës.

KultPlus, ju sjellë disa nga fotografitë e realizuara përgjatë koncertit nga Minstria e Kulturës:

Koncert në TKOB me kompozimet e Ennio Morricone-s

Kompozimet e mjeshtrit të madh, Ennio Morricone, të njohura botërisht për stilistikën e përdorur për kolonat zanore të mbi 500 filmave dhe serialeve televizive, do të vijnë në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit, më datën 5 qershor, me mbështetjen e Institutit Italian të Kulturës dhe Ambasadës Italiane.

Ky koncert do të zhvillohet në kuadër të Javës Kulturore Italiane, organizuar nga Ministria e Kulturës.

Shoqëruar mjeshtërisht nga Orkestra Simfonike dhe kori i TKOB-së, nën drejtimin e maestros Benedetto Montebello, dhe Dritan Lumshi, ky koncert simfonik do të përkujtojë një ndër kompozitorët më të shquar të 100 viteve të fundit.

Ennio Morricone vdiq 3 vjet më parë, në korrik të vitit 2020 në moshën 91-vjeçare.

Koncertin e fundit ai e dirigjoi në Palazzo Madama, disa muaj para se të ndërronte jetë./atsh/KultPlus.com

BOLOGNA, ITALY – NOVEMBER 24: Composer Ennio Morricone performs at Unipol Arena on November 24, 2012 in Bologna, Italy. (Photo by Roberto Serra – Iguana Press/Redferns via Getty Images)

‘Muzikë dhe Poezi nën yje’, Marsela Çibukaj e Laert Vasili promovojnë Përmetin

Në sheshin qendror të Përmetit u zhvillua eventi muzikor në kuadër të projektit PIUTD me muzikë dhe poezi, në interpretimin e artistëve Marsela Çibukaj dhe Laert Vasili.

Aktiviteti i titulluar “Music & Poetry under the Stars” (Muzikë dhe Poezi nën yje) solli një mbrëmje ndryshe dhe argëtuese në fundjavë, ku spektatorët nuk ishin vetëm përmetarë por edhe vizitorë vendas dhe të huaj.

Ky aktivitet u organizua me mbështetjen e Fondit Shqiptar të Zhvillimit në partneritet me bashkinë Përmet, ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, me qëllim promovimin e Përmetit nëpërmjet aktiviteteve kulturore.

Në këtë mbrëmje poetike e muzikore ishte e pranishme edhe kryebashkiakja e Përmetit, Alma Hoxha./atsh/KultPlus.com

Me një performancë brilante, Kori Siparantum hipnotizoi mbrëmë publikun në Kishën ‘Shën Ndou’

Vjollca Duraku
Fotografitë: Rrahman Osmani

Me gjithsej 14 pika interpretuese dhe një performancë brilante, mbrëmë në ambientet e Kishës Katolike ‘Shën Ndou’, interpretoi kori më me zë në skenën e muzikës kosovare, Kori Siparantum, shkruan KultPlus.

Realizimi i këtij interpretimi, në ambientet e kishës, ishte një element i cili i dha ngjarjes një lloj madhështie, të cilën në plotni e kanë shijuar të gjithë të pranishmit në sallën e improvizuar e që ishin në numër të madh.

Lartësia e mureve të kishës, ngjyra e errët si dhe ajri i ftohtë në kishë, ishin elemente të cilat i jepnin madhështi, dramacitet dhe mister ngjarjes, e cila pati edhe një kombinim perfekt me anëtarët e korit të cilët ishin të veshur në të zeza.

Nën tingujt e instrumentit goditës, Bass Drumm, anëtarët e korit hynë në skenë nga fundi i sallës me lëvizje të shpejta. Numri i madh i anëtarëve të korit, veshja e tyre me ngjyrë të zezë si dhe hyrja e djemve në njërën anë dhe vajzave në anën tjetër, duke u pozicionuar në mënyrë perfekte në skenë në dy rreshta, ishte veç një paralajmërim për një perfomancë të hatashme e cila pritej të zhvillohej në vijim.

Lëshimi në tokë i dosjeve të cilat përmbanin pikat të cilat do t’i interpretonin, anëtarët e korit, krijoi një tingull dhe jehon të veçantë, i cili veprim paraqiste një formë të veçantë të artit në vete

Në këtë pikë, dukej sikur publiku ishte hipnotizuar nga vetë hyrja e veçantë e korit Siparantum. Tani ata të llahtarisur nga performanca e tyre, me buzëqeshje në fytyrë, syhapur dhe një pozitë trupore kurrize, sikur donin të thonin çka pastaj?

Me duartrokitje të shumta përfundoi dhe filloi çdo pikë interpretuese e korit më me nam në vend, vlerësim ky të cilin vazhdimisht e merrte nga publiku, në çdo performancë e vend.

Ndryshimi i pozicioneve të anëtarëve të korit, herë duke u ndarë e herë duke u bashkuar grupi i djemve dhe vajzave, në secilën pikë interpretuese, ishte një element tjetër i cili e bënte të veçantë interpretimin e tyre.

Publiku u mbajt pezull gjatë gjithë koncertit, pasi me plotë kureshtje e shikonin pikën e cila po interpretohej por duke e vrarë edhe mendjen se cila ishte befasia e radhës e këtij kori fantastik.

Kulminacioni i shfaqjes u arrit në pikën e tretë interpretuese ‘Mirëmbrëma’ të autorit Lorenc Anton, kur anëtarët e korit u zhvendosen me qirinjë në duar rreth sallës. Në këtë pikë publiku thuajse u mishërua me performancën, pasi koristët e transmetonin energjinë e tyre artistike fare afër audiencës, e cila ishte në një numër shumë të madh, ku një pjesë e konsiderueshme e tyre qëndronin në këmbë, pasi nuk kishte ulëse aq sa kishte të pranishëm në sallë.

Në këtë pikë magjepsjeje kori filloi interpretimin e tij, tingujt jehonin në sallë kurse publiku i stepur nga performanca shikonin me admirim rreth sallës, anëtarët e korit dhe dritën e vobektë e cila buronte nga qirinjtë. Këto pamje do të mbeten gjatë në memorien e publikut.

Po ashtu, një element i cili e bënte të dallojë këtë kor nga koret e tjera të zakonshme, ishte se pjesë e interpretimit të tyre ishte e plotësuar edhe me lëvizje mjaft unike me këmbë e duar, të cilat ishin të përgatitura mjeshtërisht. Kombinimi i këtyre lëvizjeve me tingujt nganjëherë të qetë e nganjëherë shpotitës, i jepnin performancës autenticitet dhe magnetizëm, të cilit ishte e pamundur t’i shpëtoje.

Përgjatë koncertit, përveç korit në përgjithësi,  pati edhe pikë të cilat u interpretuan nga pianistët Denita Dedushaj dhe Agron Shujaku, sopranot Kaltrina Miftari dhe Edina Pllana, altoja Donika Rushiti dhe solistja Fiona Shabani, ndërsa interpretues me me instrumente goditëse ishin Fidan Strumcaku dhe Rizah Jahaj, të cilët i jepnin një ngjyrim madhështor e plotësues performancës.

Fundi i interpretimit pasoi me duartrokitje të gjata, të cilat nuk i kursenin fare të pranishmit pas gjithë atyre minutave shumë të ngjeshur me performanca të veçanta, e të bukura secila në llojin e vet.

Edhe pse vërehej që mbrëmjen e shijonin edhe vetë anëtarët e grupit, me një super energji ku e dhanë edhe shpirtin e tyre në sallë, këtë për KultPlus, personalisht e pohoi edhe organizatori i festivalit i cili në këtë mbrëmje ishte edhe interpretues, baritoni Shaban Behramaj.

“Për mua është festë e dyfishtë sonte, sepse edhe jam organizator i festivalit, por edhe si pjesë e Korit Siparantum, njërit prej koreve më aktive dhe më të suksesshme, tashmë në Kosovë. Kështu që për mua ishte një ndjenjë e veçantë për të performuar para publikut sonte. Ne e kemi sjellë një program goxha të mirë edhe goxha të larmishëm. Uroj që ta kenë pëlqyer publiku”, ka thënë Behramaj.

Kurse dirigjenti i Korit Siparantum, Memli Kelmendi, pas qindra urimeve, përshëndetjeve dhe falënderimeve nga të pranishmit, shumë i emocionuar dha një prononcim për KultPlus ku tha se ndihej shumë i lumtur që e dhanë para prishtinasve një performancë të tillë, të cilën anëtarët e korit e bënin krejtësisht në baza vullnetare.

‘’Me thënë të drejtën nuk kemi heshtur as unë dhe as njëri prej koristëve që këtë program të ja rikthejmë Prishtinës. Jam tepër i lumtur, tepër i emocionuar edhe tepër krenarë që kemi sjellë sonte një energji të cilën e kemi përmbledhë përgjatë këtyre muajve punë, dhe e kemi shfaqur para publikut të Prishtinës. Po shpresoj që njerëzit këtu e kanë shijuar edhe kanë arritur ta shohin një punë të përbashkët, e cila është e gjitha në baza vullnetare. Në këtë vend ka shpresë për gjëra të bukura”, ka thënë për KultPlus dirigjenti Kelmendi.

Ai po ashtu potencoi edhe vështirësinë e realizimit të këtij koncerti pasi rrjedha e tij kërkon përkushtim dhe dinamikë të veçantë, duke nënkuptuar që kjo edhe ishte arsyeja se përse publiku pati gjithë atë reagim.

“Ne sonte jemi paraqitur me një program krejtësisht ndryshe. Është një program që kërkon përkushtim edhe dinamikë të veçantë, nuk është një program i njëtrajtshëm i cili mund të luhet vazhdimisht.”

Interpretimi i korit Siparantum, ishte në kuadër të koncerteve të cilat po mbahen në Festivalin Ndërkombëtar “Re Musica”.

Koncerti i radhës dhe i fundit për këtë edicion do të jepet më 23 maj në Sallën e Kuqe, nga European Union Youth Orchestra, në ora 20:00. /KultPlus.com

Dren Abazi dhe Orkestra Simfonike e Shkodrës me koncert unik, Spahia: Natë magjike

Në sheshin para bashkisë Shkodër u zhvillua mbrëmjen e djeshme një koncert i veçantë, ku qytetarë të shumtë shijuan ritmet e muzikës.

Lajmin e bëri të ditur kryetari i bashkisë Shkodër, Bardh Spahia, i cili së bashku me familjen e tij shijuan këtë mbrëmje të veçantë artistike. 

“Përjetuam një natë magjike nën interpretimin e formacionit të Orkestrës Simfonike të Shkodrës dhe artistit Dren Abazi, në një nga koncertet më unike që është realizuar ndonjëherë në Shqipëri”, u shpreh ai.

“Mbi 90 artistë në një skenë të hapur dhe një publik që kishte tejmbushur sheshin përpara bashkisë Shkodër, dëshmuan edhe njëherë tjetër se arti dhe kultura në qytetin tonë i kanë rrënjët e forta dhe që aq bukur tradita ju trashëgohet brezave”, shkroi Bardhi, në një postim  në rrjetet sociale, ku ka publikuar edhe foto të koncertit. / atsh / KultPlus.com

Vlashent Sata mban koncert në New York

Këngëtari dhe kompozitori Vlashent Sata, më datën 10 maj do të mbajë koncert në New York, në klubin Drom, shkruan KultPlus.

Koncerti tashmë i paralajmëruar do të hapet nga këngëtarja Nora Muhaxheri, nën shoqërimin e të atit Ernest Muhaxheri me kitarë.

Sata veprimtarinë e tij e realizon mes Shqipërisë dhe Francës. Ai ka kryer studimet në Konzervatoriumin e Parisit. ‘Hana’ është albumi i tij i parë, i cili doli në treg në vitin 2017. Më tej Sata ka vazhduar me këngët ‘Copëzat’, ‘Me Jetu’, dhe së fundit me këngën ‘Me Dashtë’, një video muzikore e jashtëzakonshme.

Vlashent Sata po ashtu është edhe themelues i Za Fest, festival ndërkombetar i muzikës, që promovon vlerat e mirëfillta të muzikes sonë.

 Ndërsa këngëtarja e re Nora Muhaxheri, vjen nga nje familje muzicientësh, e cila vijon studimet në  Purchase College, shkollë e njohur e muzikes, ku studion Kompozicionin. Nora po e vazhdon traditën familjare me zërin e saj të veçantë duke kënduar këngët më të bukura nga melosi kombëtar.  Kurse i ati i saj, Ernesti është me prejardhje nga Peja, është kitarist dhe arsimtar i muzikës.

Koncerti sponsorohet nga adhuruesit e muzikës së Satës, restauranti ‘Çka Ka Qëllu’, firma arkitektonike-ndërtimtare Ari Group, dhe avokatura Sholla Law Firm./KultPlus.com

E kishte ëndrruar një koncert të tillë, Dren Abazi me koncert të madh në Shkodër

Këngëtari Dren Abazi më datë 7 maj do të mbajë një koncert në qytetin e Shkodrës me kor dhe orkestër të plotë simfonike, nën dirigjimin e maestrove Jetmir Barbullushi dhe Gjon Shllaku, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në facebook, ai ka bërë të ditur se koncerti me kor dhe orkestër të plotë simfonike, të cilin e kishte ëndërruar, tanimë po bëhet realitet.

“Shumë i lumtur për një andërr qe po bëhet realitet. Koncert me orkestër të plotë simfonike dhe kor, me 90 + muzicient në skenë, nën dirigjimin e maestrove Jetmir Barbullushi dhe Gjon Shllaku”.

“Një natë si asnjëherë tjetër, në djepin e artit dhe kulturës, Shkodër. Ju pres të gjithëve, me padurim!”, ka shkruar Abazi. / KultPlus.com

Rikthehet pas 32 viteve mungesë, Orkestra Simfonike në qytetin e Shkodrës

Shkodra dëshmon edhe njëherë tjetër se mbetet shtëpia e madhe e artit dhe kulturës shqiptare.

Pas 32 viteve mungesë Shkodrës iu rikthye Orkestra Simfonike. Një moment që do të mbahet mend gjatë.

E nuk kishte si të ndodhte ndryshe, por kryeveprat e kompozitorëve të këtij qyteti si: Çesk Zadeja, Prenkë Jakova, Tish Daija, Pjetër Gaci, Palokë Kurti, Tonin Harapi, At Martin Gjoka, etj., u rikthyen me krijimtarinë që na kanë lënë si trashëgimi.

Formacioni prej 51 instrumentistësh u shoqërua nga vokalet e emrave të njohur si: Marjana Leka, Adelina Paloja, Armando Likaj apo instrumentistëve: Lorenc Radovani, Amir Xhakoviq, Odesa Meti etj.

Alberta Kaçaj, soprano: “Kam qenë pjesë në festivalin e fëmijëve kur me ka dirigjuar i madhi Prenkë Jakova. Edhe sot kthehem mbas 55 vitesh”.

Armando Likaj, bariton: “E meriton Shkodra këtë, ndoshta e ka merituar prej kohësh, por nuk prish punë dhe kështu. Shyqyr që u bë, mblodhëm forcat me njëri-tjetrin, pasi në bashkëpunim arrihet çdo gjë”.  

Adelina Paloja, soprano: “Ky është një moment historik jo vetëm për Shkodrën, por për mbarë kombin shqiptar. Sepse vetë shkolla dhe zanafilla ku kanë filluar mësimet e para në instrumentin e pianos fillimisht quhet “Prenk Jakova”.

Jetmir Barbullushi, dirigjent: “Ne jemi një qytet me një traditë të jashtëzakonshme muzikore. Dhe aq më tepër, që në këtë sallë kisha vite pa e ndjerë”.

Zhani Ciko, Mjeshtër i Madh: “Ky është një triumf i Shkodrës kulturore, i Shkodrës muzikore dhe që është qendra më e rëndësishme e traditave shqiptare”.

Formimi i Orkestrës Simfonike të Shkodrës nën kujdesin e kryebashkiakut Bardh Spahia, plotëson në këtë mënyrë Filarmoninë e qytetit ndërsa koncerti i saj i radhës do të jetë muajin e ardhshëm. / oranews / KultPlus.com

Orkestra Simfonike e RTSH-së, koncert me të ftuar specialë

Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar mbajti mbrëmjen e djeshme një koncert në Qendrën Kulturore të Katedrales Ortodokse, me të ftuar specialë solistët Jean Baptiste Haye dhe Calogero Palermo, nën dirigjimin e Aurelien Azan Zielinski.

Artistët me veprat e zgjedhura të autorëve të mirënjohur dhuruan emocione të veçanta për publikun.

Në koncert ata interpretuan Suitë për Orkestër Harqesh e Arian Avrazit; Valle e shenjtë dhe valle profane për harpë dhe orkestër harqesh e Claude Debussy; Suitë për orkestër harqesh e Leos Janacek; si dhe Koncert për klarinetë; dhe orkestër e Aaron Copland; janë veprat e zgjedhura për programin e koncertit.

Calogero Palermo- klarinetë

Me origjinë nga Siçilia, Calogero Palermo u emërua klarinetisti kryesor i Concertgebouëorkest Amsterdam në gusht 2015. Pas përfundimit të studimeve në Konservatorin e Palermos dhe me Thomas Friedli në Gjenevë, ai u emërua klarinetisti kryesor – në moshën njëzet e dy vjeçare – i Orkestrës së Teatrit Bellini në Katania.Ai fitoi audicionin kryesor të klarinetës në Orchestra del Teatro dell’Opera di Roma në 1997 dhe shërbeu si klarinetisti kryesor i asaj orkestre nga viti 1997 deri në 2008 dhe nga 2012 në 2015. Gjatë viteve të ndërmjetme, ai ishte anëtar i Orchestre National de France . Calogero Palermo ka bërë një emër ndërkombëtar si solist dhe muzikant dhome, duke performuar në të gjitha qytetet kryesore italiane dhe në Spanjë, Gjermani, Francë, Tunizi, Rusi, Kinë, Tajvan, Japoni dhe SHBA. Ai është gjithashtu një mësues me përvojë që rregullisht jep masterklase. Promovues i Konkursit Ndërkombëtar Jeunesses Musicales në Bukuresht dhe shumë çmime të tjera të marra në garat më të rëndësishme italiane të klarinetës, ai kryen një karrierë intensive solo që e ka parë atë të performojë me orkestra të shumta duke përfshirë Amsterdam Sinfonietta, Orkestrën Filharmonike të Tajlandës, Filarmoninë e Çekisë ,Orkestra LaVerdi e Milanos, Orkestra e Teatrit Bellini të Katanias, Orkestra Kombëtare Simfonike Çeke, Ansambli Colibrì, Orkestra Simfonike Siçiliane, Orkestra e Teatrit të Operës së Romës, Orkestra Filarmonike Györ, Orkestra Simfonike Abruzzo dhe Orkestra Filharmonike Marchigiana. Palermo është një artist ekskluziv i Buffet- Crampon.

Jean-Baptiste Haye- Harpë

Jean-Baptiste Haye mori Masterin e Harpës në Strasburg në klasën e Pierre-Michel Vigneau. I përzgjedhur disa herë për Orkestrën e të rinjve Franceze, ftohet të performojë me orkestrat kombëtare të Strasburgut, Metz-it, Operës së Parisit dhe Capitole de Toulouse në shumë salla prestigjioze (Philharmonie de Paris, Konzerthaus of Berlin, Elbphilharmonie, Gasteig of Mynih, Arsenali i Metz-it, Halle aux Grains i Toulouse). Në vitin 2016, ai mori çmimin e dytë në Konkursin Ndërkombëtar të Utrecht. Jean-Baptiste Haye është mësues i harpës në Konservatorin Rajonal në Nancy./atsh/KultPlus.com

OneBeat Balkans me koncert në Prishtinë, ambasadori Hovenier: Mos e humbisni këtë koncert

OneBeat Balkans pritet të sjell para jush një përjetim muzikor të jashtëzakonshëm në koncertin e datën 7 prill në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Në këtë koncert do të paraqiten 11 muzikantë nga Serbia, Kroacia, Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe SHBA, të cilët janë bërë bashkë për të krijuar tinguj unikë që do të performohen para publikut për herë të parë. Si mysafirë special, OneBeat Balkans do t’i bashkohet edhe Visar Kuçi dhe Kori Okarina.

Këto ditë, grupi është mbledhur në Prishtinë ku edhe po bëjnë provat e fundit para koncertit dhe sot për vizitë ka shkuar edhe Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier teksa ka kaluar disa qaste me artistët e madje edhe kanë bërë pak muzikë bashkë.

OneBeat Balkans është i përbërë nga etni të ndryshme, andaj ambasadori Hovenier ka thënë se është e qartë solidarizimi dhe partneriteti që mund të arrihet përmes muzikës.

“I lumtur t’ju uroj mirëseardhje në Kosovë. Mos e humbisni këtë koncert”, shprehet ambasadori.

Ky koncert i OneBeat Balkans do të mbahet më datë 7 prill, në ora 20:00 në skenën alternative të Teatrit Kombëtar te ish ASK. / KultPlus.com

‘Dam Festival’ me dy koncerte së shpejti

Në Pallatin e Rinisë, ‘Dam’ do të mbaj së shpejti dy koncerte, saktësisht me datat 6 dhe 7 prill, më fillim nga ora 20:00.

Ansambli rezident i Garës s 3-të Kompozitorëve të Ballkanit në Prishtinë, NEC – Nouvel Ensemble Contemporain është duke punuar me studentët e Fakultetit të Arteve – Dega e Artit Muzikor në kuadër të platformës ‘Shkolla për Muzikën e Re’ – fuqizuar nga DAM Festival.

Paralelisht po vazhdojnë përgatitjet për finalen e Garës së 3-të të Kompozitorëve të Ballkanit ku do të interpretohen veprat e katër finalistëve: Christos Ntovas (Greqi), Konstantinos Chaliasas (Greqi), Jetmir Zaganjori (Shqipëri) dhe Yll Daklani (Kosovë).

Morrissey njofton për turneun e ri

Morrissey ka njoftuar mbi detajet e turneut veror që do ta mbajë në Mbretërinë e Bashkuar.

Ylli i bendit the Smiths do të mbajë koncerte në Leeds, Portsmouth, Nottingham, Davlin, Liverpol, si dhe në Londër.

Morrissey e ka konfirmuar muajin e kaluar që e ka incizuar albumin e ri, “Pa muzikë bota vdes”.

Kjo sidoqoftë vjen në një kohë kur fansat e presin publikimin e albumit “Bonfire Of Teenagers”, të cilin eai e ka quajtur si “albumin më të mirë në jetën e tij”./klankosova/KultPlus.com

OneBeat Balkans me koncert në Prishtinë, bënë bashkë 12 muzikantë për një natë të paharruar

Bëhuni gati për një natë të paharrueshme me tinguj përplot jetë, tinguj që nuk harrohen, pasi OneBeat Balkans po kthehet në Prishtinë, përcjell KultPlus.

Për një përjetim muzikor si kurrë më parë, para jush do të paraqiten 11 muzikantë nga Serbia, Kroacia, Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe SHBA, të cilët janë bërë bashkë për të krijuar tinguj unikë që do të performohen para publikut për herë të parë. Si mysafirë special, OneBeat Balkans do t’i bashkohet edhe Visar Kuçi dhe Kori Okarina.

Ky koncert i OneBeat Balkans i cili do të mbahet më datë 7 prill, në ora 20:00 në skenën alternative të Teatrit Kombëtar te ish ASK, hapë turneun me ndalesën e radhës në Zenit Books Novi Sad më datë 10 prill.

Rreth “OneBeat Balkans”
OneBeat Balkans bashkon 12 muzikantë të angazhuar shoqërorë, të cilët krijojnë muzikë të re dhe vepra multidisiplinare së bashku, drejtojnë seminare publike dhe përdorin artin për të rivendosur besimin dhe zhvillimin ekonomik në Ballkanin e ndarë. Edicioni i tretë i këtij viti i OneBeat Balkans po mbahet si vazhdimësi e edicionit 2020, gjatë të cilit, për shkak të pandemisë së koronavirusit, shfaqjet publike u anuluan. Tani, 3 vjet më vonë, muzikantë nga 6 vende të ndryshme do të takohen përsëri dhe pas një qëndrimi dhe provash të përbashkëta në Prishtinë, do të performojnë në koncertet e shumëpritura në Prishtinë dhe Novi Sad.

OneBeat Balkans është pjesë e projektit më të madh global OneBeat, i cili filloi në SHBA, me iniciativën e Byrosë së Çështjeve Arsimore dhe Kulturore të Departamentit të Shtetit të SHBA-së. Për herë të tretë, OneBeat Balkans zbatohet nga organizata Balkan Art Zone, me mbështetje shtesë nga Ambasadat e SHBA-së në Kosovë dhe Serbi dhe organizata Found Sound Nation nga SHBA. Në koncertin në Prishtinë do të performojnë muzikantë nga Shqipëria, Kroacia, Kosova, Maqedonia, Serbia dhe SHBA dhe pastaj të njëjtit do të performojnë në koncertin në Novi Sad.

Në skenën e Prishtinës do të bashkohen edhe të ftuarit specialë si maestro Visar Kuci dhe Kori Okarina dhe Marko Louis. Ajo që është e rëndësishme të dihet është se OneBeat Balkans ofron një mundësi për muzikantët që të bashkëpunojnë në projekte të reja dhe të eksplorojnë tradita të reja muzikore. Fokusi nuk është në nxjerrjen në pah të talenteve individuale, pjesëmarrësit e programit OneBeat Balkans kapërcejnë ndarjet stilistike dhe kulturore së bashku në kërkim të mundësive të reja muzikore. Gjithashtu, OneBeat Balkans është një projekt i angazhuar në shoqëri. Muzikantët janë të përkushtuar ndaj komuniteteve të tyre dhe janë në kërkim të mënyrave të reja për t’u përfshirë dhe angazhuar në fushën e zhvillimit të të rinjve, edukimit muzikor dhe terapisë muzikore, në zgjidhjen e konflikteve dhe dialogun global përmes muzikës, si dhe në mënyra të tjera që ndihmojnë në arritjen e një demokracie më të madhe. në shoqëri dhe barazi sociale.

OneBeat Ballkani është një iniciativë e Departamentit të Shtetit të SHBA-së, prodhuar nga Balkan Art Zone, me mbështetje shtesë nga Found Sound Nation, Ambasada e SHBA-së në Prishtinë dhe Ambasada e SHBA-së në Beograd. / KultPlus.com