Ministrja greke kritikon ashpër serialin dokumentar të Netflix-it për Aleksandrin e Madh

Ministrja e Kulturës greke, ka kritikuar një dramë-dokumentar të Netflix për Aleksandrin e Madh si “fiction jashtëzakonisht me cilësi të dobët” dhe “përmbajtje të ulët, të mbushur me pasaktësi historike”.

Komentet e Lina Mendonit për Aleksandrin, ”The Making of a God” vijnë në mes të një buje për përshkrimin e një marrëdhënie romantike në shfaqje midis Aleksandrit të Madh dhe të besuarit dhe mikut të tij Hephaestion, përcjell klankosova.tv.

Në Greqi, një opinion në Eleftheros Typos e quajti shfaqjen “një shtrembërim të së vërtetës” dhe fajësoi filmin Alexander të vitit 2004 të Oliver Stone për fillimin e “një fushate propagandistike rreth homoseksualitetit të Aleksandrit”.

Dimitris Natsiou, presidenti i partisë politike kristiane ortodokse, të ekstremit të djathtë Niki, e quajti serialin “të mjerueshëm, të papranueshëm dhe johistorik” dhe tha se synonte “të përçonte nënkuptueshëm nocionin se homoseksualiteti ishte i pranueshëm në kohët e lashta, një element që nuk ka bazë”.

I pyetur në parlament në lidhje me shfaqjen e Natsiou, siç shkruan The Guardian, Mendoni tha se ai ishte “i mbushur me pasaktësi historike, duke demonstruar shkujdesjen dhe varfërinë e skenarit të regjisorit”.

Ministrja e Kultures greke, Lina Mendoni

Në lidhje me përshkrimin në emision të marrëdhënies mes Aleksandrit dhe Hefestionit, Mendoni tha: “Nuk përmendet në burime se ajo shkon përtej kufijve të miqësisë, siç përcaktohet nga Aristoteli.

“Por do ta dini se koncepti i dashurisë në lashtësi është i gjerë dhe shumëdimensional. Ne nuk mund të interpretojmë as praktikat dhe as personat që kanë vepruar 2300 vjet më parë me masat tona, normat dhe supozimet tona. Aleksandri i Madh, për 2300 vjet, nuk ka pasur kurrë nevojë dhe as tani, ndërhyrja e ndonjë mbrojtësi të pakërkuar të kujtesës së tij historike apo, aq më tepër, të personalitetit dhe të pozitës së tij morale”./klankosova/ KultPlus.com

Skulpturat Greke – Skandal diplomatik Athinë-Londër

Athina prej dekadash kërkon që Londra të kthejë skulpturat antike të Partenonit. Anulimi i takimit mes kryeministrit britanik Sunak dhe homologut grek Mitsotakis tregon ashpërsimin e fronteve mes Londrës dhe Athinës.

Në fillim të vitit mediat njoftuan për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje për kthimin në Greqi të skulpturave të lashta të Akropolit. Në janar 2023 Muzeu Britanik në Londër i konfirmoi diskutimet me Athinën për dorëzimin e përkohshëm të tyre. Pak më vonë qeveria britanike i mohoi ato dhe përjashtoi kthimin e përhershëm.

Kryeministri britanik, Rishi Sunak nuk donte të fliste me homologun e tij grek Kyriakos Mitsotakis në Londër rreth kthimit të skulpturave të Partenonit. Ndaj anuloi takimin e planifikuar me të këtë javë. Tani madje flitet për një skandal diplomatik. Anëtari i qeverisë britanike Mark Harper e arsyetoi anulimin e takimit me fjalët se qëndrimi britanik nuk mund të lëkundet.

“Elgin Marbles” duhet të mbeten pjesë e koleksionit të përhershëm në Muzeun Britanik, tha Haper për BBC. Kryeministri grek Mitsotakis reagoi me zemërim ndaj anulimit në minutën e fundit të takimit. Ai tha (28.11.2023) se ishte i zemëruar. “Pozicionet e Greqisë për çështjen e skulpturave të Parthenonit janë të ditura”, e citon Mitsotakisin Agjencia Gjermane e Shtypit, dpa. “Shpresova të kisha mundësinë të diskutoja për to me homologun tim britanik, ashtu si dhe për sfidat kryesore të situatës ndërkombëtare: Gazën, Ukrainën, krizën e klimës, migrimin. Mitsotakis refuzoi sërish një takim alternativ me zëvendësin e Sunak-ut, Oliver Dowden, dhe shprehu indinjim.

Greqia insiston për kthimin e “Elgin Marbles”

Para anulimit të takimit nga Britania e Madhe, kreu i qeverisë greke njoftoi, se gjatë vizitës së tij do të insistonte për rikthimin e skulpturave të Partenonit. “Ato thjesht rrinë më mirë në Muzeun e Akropolit, një muze avangardist i ndërtuar për këtë qëllim”, tha ai për BBC. Kreu i qeverisë greke tërhoqi vëmendjen edhe me këtë krahasim: “Të ndash këtë thesar arti, është njëlloj si të presësh në dy pjesë “Mona Lizën”, pikturën me famë botërore të Leonardo da Vinçit, dhe ta ekspozosh në Luvër të Parisit dhe në Muzeun Britanik”. Në të njëjtën kohë ai theksoi se Athina ishte e interesuar për një partneritet me muzeun e Londrës.

Kryetari i bordit mbikqyrës të muzeut, George Osborne pati folur së fundmi hapur për dhënien hua Greqisë – me kushtin që “Elgin Marbles” të ktheheshin përsëri në Londër. Por për Sunak nuk bëhet fjalë as për hua. Por duket se po fryn një erë e re.

Të martën edhe gazeta konservatore “Times”, e cila më parë kishte mbështetur qëndrimin e qeverisë, bëri thirrje për kthimin e tyre: “Skulpturat e kanë vendin në Athinë”, thuhet në artikullin kryesor. Ato janë thelbësore për identitetin kulturor të Greqisë.

Vatikani kthen skulpturat e Partenonit

Në mars 2023 Vatikani i ktheu Athinës disa fragmente të frizës së Partenonit. Frizi fillimisht zbukuronte murin e sipërm të jashtëm të tempullit 2500 vjeçar të Partenonit në Akropolin e Athinës. Ai paraqet shumë figura dhe blatime për perëndeshën Athina me rastin e një procesioni për festën më të madhe, që zhvillohej në Athinën antike. Sot një pjesë e frizit ndodhet në Muzeun e Akropolit në Athinë dhe një pjesë më e madhe në Muzeun Britanik në Londër. Pjesët e tjera janë në pronësi të muzeve franceze, italiane, austrike dhe gjermane.

Në Britaninë e Madhe konsiderohet se 56 pjesët e frizës së Partenonit 75 metra të gjatë janë blerë ligjërisht. Greqia e kundërshton dhe thotë se ato janë vjedhur. Mosmarrëveshja rreth kësaj vazhdon prej një kohe të gjatë. Skulpturat e mermerit paraqesin skena të mitologjisë greke. Në Britaninë e Madhe ato janë mbiquajtur “Elgin Marbles”, sipas emrit të Lord Elgin, ambasadorit britanik në Perandorinë Osmane në Kostandinopojë. Ishte Elgin ai që hoqi figurat nga pjesa e jashtme e tempullit të Partenonit në Akropolin e Athinës në fillim të shekullit të 19-të. Ato u sollën në Britaninë e Madhe në marrëveshje me Perandorinë Osmane, e cila sundonte Greqinë në atë kohë.

Rikthimi ishte temë në fushatën zgjedhore të Mitsotakis

Mosmarrëveshja për kthimin ishte në fillim të vitit edhe një temë elektorale. Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, i cili i rifitoi zgjedhjet në verën e vitit 2023, e bëri kthimin e frizës pjesë të strategjisë së fushatës tij elektorale. Së fundmi kryeministri foli për një “progres” dhe “ndjenjë dinamizmi”, ndërsa Muzeu Britanik nuk donte të pranonte se ishin zhvilluar bisedime për këtë temë.

Mbretëria e Bashkuar këmbëngul se i ka blerë ligjërisht skulpturat e mermerit. “Kjo pyetje është në qendër të debatit të kthimit”, thotë Alexander Herman, zëvendësdrejtor i Institutit për Art dhe Drejtësi dhe autor i librit “Restitution: The Return of Cultural Artefacts”, i botuar në vitin 2021. ” Kjo temë ka qenë në axhendën kulturore në Britaninë e Madhe dhe natyrisht në Greqi prej më shumë se 200 vjetësh”, thotë Herman për Deutsche Welle në një intervistë të vitit 2021.

Pengesa ligjore për kthimin?

Ndryshe nga Britania e Madhe debati i kthimit ka marrë vrull në shumë vende evropiane, madje edhe në SHBA. Muzeut Britanik i duhet të pranojë kritika për refuzimin deri më tani të të gjitha kërkesave për kthim. Ndërkohë Gjermania ka nisur t’i kthejë Nigerisë skulpturat e bronzëta Benin. Në Gjermani dhe Francë kthimi i objekteve nga kontekstet koloniale është tani një çështje e rëndësishme e politikës kulturore.

Por edhe sikur Muzeu Britanik të vendosë t’i kthejë pjesët e frizës në Greqi, duhet të anulohet fillimisht një ligj kombëtar. Deri tani “British Museum Act” i vitit 1963 e ka penguar Muzeun Britanik të dorëzojë objektet nga koleksionet e tij, sepse i konsideron zotërimet e muzeut si “trashëgimi kombëtare”. Kështu friza e Partenonit mund të përfundonte në Greqi vetëm si hua. Por kjo është shumë pak për Athinën.

Një zëdhënës i kryeministrit Rishi Sunak deklaroi se nuk ka plane për të ndryshuar ligjin: “Qëndrimi ynë për këtë çështje nuk ka ndryshuar”, pati thënë ai që në dhjetor 2022 në Euronews. “Vendimet për kujdesin dhe menaxhimin e koleksioneve bien në kompetencën e muzeut dhe administratorëve të tij. Skulpturat e Parthenonit janë ligjërisht pronë e administratorëve dhe janë funksionalisht të pavarura nga qeveria”, shtoi zëdhënësi i Sunak.

Anulimi i takimit me homologun e tij Mitsotakis dëshmon se Londra nuk ka lëvizur asnjë centimetër në këtë çështje./rtk/KultPlus.com